• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Ministri i Hekurt,Mirash Ivanaj”- Një Përmendore nga Prof. Lazer Radit

October 5, 2020 by dgreca

Prof. Lazër Radi i ngre një përmendore ,Mësuesit tij të  nderuar dhe Reformatorit të Shquar  të Arsimit Shqiptar, në librin “Ministri i Hekurt,Mirash Ivanaj”….

Nga Pertefe Leka- 

“Mirash Ivanajn (1891-1953) e kam pasë konsiderue gjithmonë njeri të jashtëzakonshëm,qoftë kur e pata profesor  në gjimnaz,qoftë kur u shfaq si Ministri ma reformator I Arsimit Shqiptar,qoftë kur në kohën e dhunës,e pata shok vuajtjesh  e sakrificash, po edhe përkthimesh në burgun e Tiranës.” L.Radi

Kam pasë fatin ta takoj  Z.Lazër  me fisnikën e tij, Zonjën  Vitore, pasi ishin kthyer nga internimet, kur i vizituam me Dritën  Ivanaj në vitin 1993.

Kam përjetuar emocione të papërshkrueme.Isha prezent kur Z.Lazër  pas një bisede  të çiltër  e me shumë urti, I dorëzoi Dritës sendet e ruajtuna  në burg  të Axhës saj, Mirash.

Mënyra se si ia dha të jepte përshtypjen se Ai ndrydhte një ndjesi të brendshme,por  i përmbajtur, u shfaq natyrshëm përpara  Dritës për të mos e lënduar Ate.

Me pamjen e tij si burrë i qëndresës  dhe me një krenari  prej zotnije  i transmetoi Dritës  fillin e lidhjes me familjen e saj, duke hapur  para thesarin e kujtimeve.

Nuk mund ta harroj kënaqësinë, që  ndjeu  Z. Lazër, kur i dha Dritës  me dorën e vet, torbën me beze të bardhë, të ruajtur me fanatizëm ndër vite, nga Axha I saj  në emigracion dhe në burg,dhe më vonë  amanetin  të ruajtur   nga Z.Lazër  në internimet  drithëruese. I lehtësuar nga ky detyrim  moral  dhe i plotësuar se kishte  respektuar  me devocion  misionin e Besës, që profesori  dhe miku  i tij ,Mirash  e kishte aq për zemër, u përqaf me Dritën dhe shprehja e fytyrës tij foli,” vazhdo në rrugën e xhaxhait.”

Këte ngrohtësi që mori Drita në këte familje  ishte si zjarri i Zeusit,që i duhej Dritës për ta shpërndarë në vijimësi,si trashigimtare e denjë e Ivanajve.

Shkrimtari  dhe  publicisti  I shquar Prof. Lazër Radi  në librin  “Ministri i Hekurt, Mirash Ivanaj”( është  libri I tretë  që botohet për M.I. pas “Misteret e një Ministri” L.Radi 1995, “Epopeja e Njeriut “ Perkthim i poezive të vëllezerve Ivanaj  nga L.Radi e shumë artikuj ) ka përshkruar ngjarje e fakte  reale  nga jeta e tij si  student  I  Profesor Mirashit , nga Reforma  Arsimore Ivanaj  dhe jeta e përbashkët në burg, të dy si dijetarë e  përkthyes. E kam lexuar me lehtësi librin, pasi kisha pak a shumë dijeni  për të dy personalitetet.Epiteti i hekurt të jep përshtypjen fillimisht se do të  ketë një përmbajtje të ftohtë, të trishtë, por hekurin e librit  e shkrinte fjala e ngrohtë e plot dashuri e Prof. Radit për Mësuesin dhe mikun e zemrës,Mirash. Pastërtia  e gjuhës në gegnishte, fjalitë e goditura dhe dialogjet e sinqertë  rreshqitnin me shpejtësi  në lexim,të jepnin  kënaqësi për ta asimiluar shpejt mendimin.

Jam përqëndruar më shumë në tregimin nga jeta në burg, nga ku kam nxjerrë detaje që i shërbenin kërkeses sime për  shkrimin  në fjalë.

Prof. Iljaz Gogaj në librin e tij “Mirash Ivanaj ” e ka nxjerrë të përkryer figurën morale dhe intelektuale të Ivanajt duke i dhenë përmasat e një gjeniu shkencëtar, me një përkushtim ndaj kultit të Punës dhe me idetë e tij antikonformiste të palëkundura.Gogaj  e ka realizuar çdo gjë nepërmjet dokumenteve,korrespondencave, nga bisedat me njerëzit që ruanin kujtimet për mesuesin,drejtorin,juristin,publicistin,humanistin etj. Ndërsa Prof. Radi,  i ka sanksionuar  superlativat e kolegëve  duke e përshkuar karakterin e tij, nëpërmjet filtrave të vuajtjeve dhe vështirësive të njohura nga afër, aty , kur ishin  në izolim, ku shkruan:”Mirash Ivanaj,ishte nga ata që në vështirësitë më të egra  dhe mungesash të mëdha,  shkëlqente  si të ishte fitimtar në ndonjë  betejë të rëndësishme.”L.Radi 

Nga kjo shprehje e Prof. Radit mora një nxitje për të  argumentuar historikisht,betejat e rëndësishme jo vetëm të  Mirashit por edhe të paraardhesve të fisit Ivanaj që kontribuan  me armë në dorë apo me rrugë diplomatike për Lirinë,Pavarësinë dhe në përgatitjen e njeriut të ndërgjegjshëm  me dashuri dhe sakrificë për Atdheun.

Fisi i Ivanajve  asht i dokumentuar që nga viti 1944.Prof. Radi e përmend  origjinen e tyre nga Bëkaj e Trieshit,Malësi e Madhe.Njihen si njerëz me kontribute për qeverisjen e vendit,për ruajtjen e zakoneve të mira  e  të gjuhës shqipe edhe pse te rrethuar prej elementit të huaj etnik.Kanë mbetur në histori  të njohur për trimëri  e mençuri, si pjesëmarrës  në ngjarje të  rëndësishme të Malësisë Madhe. Babai i Martinit e Mirashit, Doda, ishte dënuar tri herë me vdekje nga pushtuesit otoman,

Xhaxhai,Leka ishte përfaqësues  i Malësisë në “Lidhjen e Prizrenit “.Me 4 Prill 1880,Krerët e Maleve në  marrëveshje  me degën e Lidhjes së Prizrenit në Shkodër i drejtuan ambasadorëve të fuqive të mëdha një protestë  për mbrojtjen e trojeve shqiptare të aneksuara nga Mali i Zi. Midis nënshkrimeve ishte  edhe  ai, i Lekë Ivanajt.Si aktiv në çështjen kombétare, Leken e vranë Malazezët në pabesi në Shkodër me 1884.Ai ishte i përmendur jo vetëm për Trimëri, zgjuarësi e humanizëm por edhe si veprimtar i dalluar në pajtim gjaqesh.Për të gjitha meritat populli e therriste Kapedan dhe për marrëdheniet e mira vëllazërore në Triesh e Grudë përmenden si “Leka e Doda” ashtu si edhe sot “Martini e Mirashi”

Edhe Nikë Bardh Ivanaj  ishte një tjetër pinjoll i kësaj familje. Si luftëtar  i njohur në luftë kundër malazezëve, për te,ka shumë episode se si i ka shpëtuar ndjekjeve  të tyre në pabesi.

Në faqen 65 të librit  në fjalë, prof. Radi  ia kushton  edhe  një figure tjetër të rëndësishme  të Ivanajve, Nikollës edhe  ky, nga Bëkaj e Trieshit. I lindur  në Grudë, i rritur në Pdgoricë, i shkolluar në Beograd,Vjenë,Zagreb…

Me gamen e veprimeve të tij, si pjesëmarrës në kuvendin e Greçës, mund të konsiderohet ambasador i kryengritësve shqiptarë,në rrethet Evropiane, në prag të shpalljes së Pavarësisë.Merr  pjesë  në shumë konferenca të organizuara në Romë,Paris,Londër,Boston  e tjere …..Duke qenë aktiv në lëvizjen ilegale italiane të Mazzinit, u përpoq të ndikonte në Shqipëri me idetë e tij,duke marrë drejtimin e një lideri të lëvizjes Nacional Shqiptare.

Fillimet e këtij ndikimi u dukën në Shkodër me 1905, ku ishin ngritur disa komuna sociale  të vogla por qe ranë ne sy te qeverise turke të cilat i shkatërruan që në embrion.Për t’i dhënë më shumë forcë këtij ndikimi, Nikollë Ivanaj,botoi në Raguzë,Trieste e Romë,  gazetën “Shpnesa e Shqypnisë”  ku propagandoheshin idetë  e Mazzinit, të përshtatura  për 

Shqipërinë e tre besimeve me divizën  e Pashko Vases,  një mazzinian i fjalës dhe i aksionit, “Feja e Shqyptarit asht  Shqyptaria.”

Ka mbetur në histori fjalimi i zjarrtë i N.Ivanajt ,me 26 Janar 1911, përpara shoqatës së shtypit italian në Romë,në prag të kryengritjeve  të mëdha të veriut dhe të një aktiviteti të dendur politik  e diplomatik.Atehere kur Kristo Dako kishte ardhur në Shqipëri  me Charles Richard Crane,i cili lobonte  për Shqipërinë në Qeverinë Amerikane gjatë Konferencës së Londrës 1912-13.(Crane i njohur si sponsorues i Robert Kolegjit në Turqi, ku studiuan shumë studentë shqiptarë  me sponsorizimet e tij, si motrat Qirjazi  po ashtu edhe sponsor i shkollës së Dakës . Crane, duke qenë këshilltar i Woodrow Wilson, bëhej ndërlidhës i shqiptarëve me Presidentin Amerikan, për çështjen e mbrojtjes së Pavarësisë.)

Me oratorinë që e karakterizonte, N. Ivanaj   bënte thirrje në ndihmë të Atdheut:”Po ju sjell,o njerëz të lirë, jehonën e thirrjeve kryengritëse të Atdheut tim të robëruar…”Fjalimi  u botua  në Romë pas një viti,kur Shqipëria fitoi Pavarësinë.

Me 10 Nëntor 1999 Fondacionet  Ivanaj,me insistimin e Drita Ivanajt, e botuan këte dokument të rëndësishem “An Albanian Revival” në përputhje me kërkesat e kohës, kur Kosova me Luftën e saj të drejtë,po shkonte drejt Lirisë e Pavarësisë.

Për këte aktivitet,Nikollën, së bashku me shumë arbëresh dhe patriotë të  tjerë të aktivizuar për çështjen shqiptare, i dëbuan nga Italia. Atëhere u vendos në Francë,ku takoi me bashkëluftëtarë të Garibaldit  dhe me Leninin, një takim shumë i përfolur dhe i publikuar gjatë periudhës së  diktaturës në Shqipëri,sepse me 1917 Lenini kishte denocuar traktatin e fshehtë të Londrës, ku likujdohej Pavarësia e Shqipërisë”.

    Ne gusht të vitit  1912, merr pjesë në një konferencë të rëndësishme në Sofje për të cilën shkruan  gazeta franceze “La Temps ” deklaratën e N.Ivanajt  me dy qellime kryesore: Aktivizimin e ndergjegjës Kombëtare  në mes të popullit dhe paraqitjen e problemit shqiptar perpara Europës me rrugë diplomatike ( një dokument i përkthyer dhe i publikuar nga Aurenc Bebja )

Me rëndësi është  pjesëmarrja e tij në Kongresin Shqiptar të Triestës, 1913,të organizuar  nga Faik Konica dhe  Sotir Kolea….për njohjen politike dhe ekonomike  të Pavarësisë  së Shqipërisë drejtuar fuqive të mëdha.(e dokumentuar edhe në librin “Shpresa e Shqypnisë “ ,”Shpnesa e Shqypennis” me autor Paolo Muner,simbol i shqiparizmës)…

I pandarë nga qyteti i Shkodrës, Nikolla, organizon atje  klubin  “Lidhja Kombëtare ” dhe gazetën me të njejtin emër,  ku shtronte  pikëpamjet   e vetëqeverimit shqiptar, në mbrojtje të drejtave të popullit tonë.Mirashi  nga ana tjetër edhe  pse   më I ri  në moshë së Nikolla,po me këte vrull dhe kurajo civile, organizon protesten me studentët  e Romës në Shkurt të 1917. Kur profesori  i Universitetit të Romës Dr.Oracio Pedroci, kishte mbajtur një konferencë  historike në sallën e Universitetit, për të mbrojtur  të drejtat Italiane në Dalmaci  dhe ndër të tjera kishte  mbështetur   pretendimet e Serbëve për dalje në Detin Adriatik me anën e Bunës,Shengjinit  e Durresit. Mirashi, si studiusi i historisë së lashtë  të popullit shqiptar, nuk mund ta kalonte lehtë këte incident, ndaj mblodhi studentët me aktiv, si Demir Vila, Lef Nosi,Teofik Mborja, etj.në një protestë kolektive për ta botuar në një gazetë të Romës ku shprehte indinjatën, kundër pikëpamjeve të padrejta që  iu servirën opinionit publik.Ky qëndrim  I  studentit atdhetar përforcohet në korrespondencën me  Ideologun e Levizjes Kombëtare,Mit-hat Frashëri.

Më 1919,  N.Ivanaj si   delegat i “Partisë Politike” shqiptaro -amerikane  merr pjesë në “Konferencën e Paqës në Paris” së bashku me Kristo Dakon,i cili e drejtonte ate Parti dhe kishte kontaktuar dy herë me Presidentin Wilson për t’i spjeguar aspiratat e popullit shqiptar.

Letrat e N.Ivanajt, dërguar Kristo Dakos më 1920, pas Konferencës së Paqës në Paris,ishin urgjente, sepse Italia vazhdonte pretendimet për Vlorën dhe Greqia për Shqipërinë e jugut “Popullin Shqiptar nuk duhet ta komandojë as Italia,as Greqia  dhe as cilido mandat tjetër  kushdo qoftë”.Atëhere duhej  nxitur  opinioni  i diasporës dhe fuqia e një autoriteti siç ishte Presidenti Wilson,të cilit i drejtohet me letër :

 “Unë apeloj në të mirë të popullit tim shqiptar, përfaqësues i të cilit jam në të drejtat e mija të njeriut dhe në principe që përfshihen në 14 Pika të Pres.Wilson duke u  lutur se shqiptarët  nuk mund të lëshojnë shtetin e vet,  kërkesave të Italisë  e Greqisë” 

Viti 1923,ishte viti i një pune intensive, për Mirashin.Ai po përgatiste  tezën e Laurës së dytë, kur lajmërohet prej Nikollës se kishte blerë një shtypshkronjë.Pa asnjë hezitim,iu përvesh punës  dhe  me 24 Tetor 1923 doli  në Shkodër numri i parë i gazetës javore “Republika” me termin e së cilës shikonte fillimin e një levizjeje  për një trajtë rregjimi që rridhte nga idetë demokratike,sipas shprehjes se M.Ivanajt :”Të të gjitha klasave që përbajnë nji shtet”. Artikujt që shumica dilnin nga Mirashi por edhe nga Nikolla e Martini shpalosnin idetë e Lirisë,Demokracisë dhe te Shqiptarizmit.

Zgjodhen publicistikën, si fusha më e përshtatshme për të dhënë  kontributin e tyre në të mirë të zhvillimit, emancipimit dhe përparimit të bashkësisë shqiptare,ku shfaqeshim mendimet  politike e shoqërore.Edhe gazeta “Bashkimi”  e përditshme  në Shkodër,e drejtuar prej tyre, ishte për të ndihmuar shtetin e asaj kohe për të zgjidhur problemet që i përkisnin popullit,sidomos arsimimi  në shkolla  shtetërore të kontrollueme prej qeverisë.”Besimet do të hyjnë vetëm sa i përkasin  historisë e jo të marruna si  bazë ekskluzive  të një morali të caktuar.”

Kur ishte drejtor shkolle në Gjimnazin e Shtetit  në Shkodër,Prof.Mirashi, përveç punëve organizative,edukative,mësimore,kulturore, në normalizimin e anarshisë dhe  në strukturën e shkollës (kur krijoi  degën  normale),  përsëri shikonte se faktorët e jashtëm ishin pengues e dëmtues   për gjimnazin e shtetit.Për këte evidentonte shkollat private,  propaganden klerikale dhe ate të shteteve fqinj. Synimi ishte të nxirrte qytetar të devotshëm me mendim të njësuar nacional.Në programin mësimor  përveç kërkesave  shkencore pedagogjike  i dha prioritet formimit kombëtar mbi themele shqiptare për ecurinë  e përparimit  të shkollës  në dobi  të vendit .    Ngjarja e demostratës në  Shkodër, në festën e Flamurit 1927  është një provë e mirëfilltë  për qëndrimin  patriotik të Prof.Mirashit. Flamuri shqiptar, në Bankën e Shtetit,  ishte vendosur në të majtë, ndërsa flamuri  italian në të djathtë. Studentët duke parë këte nënvleftësim, të flamurit  shqiptar,demonstruan të bashkuar  për këte qëllim,ndërsa grupi i studentëve që ishin në prag të maturës,(Jahja Domnori,Jup Kazazi,Jahja Baçe,Agustin Shestani ..marrë nga libri M.Ivanaj I Iljaz Gogajt) u përpoqën,me anë të një shkalle, ta hiqnin  flamurin italian, por nuk arritën sepse i arrestoi policia.Pas këtij aksioni,Drejtori  i mblodhi  studentët, i këshilloi ëmbëlsisht  dhe  ndër të tjera  u tha :”Ju tashmë jeni të rritur  dhe dini  vetë si të veproni” Kjo  këshillë sipas Dr.Milajt ishte më shumë se aprovim.    Prof.Radi këte  moment e ka paraqitur,në f.165  por   personi  M.T.i shkruar në libër nuk është në dokumentin historik  të shkollës. 

Pyetjes së prof. Radit, drejtuar Mirashit  (f.209) në lidhje  me studentët  i përgjigjet :M.I.—-“Në Gjimnazin e Shkodrës kam pasë disa nxanës shumë të mirë, sidomos të edicionit të parë të maturës  që edhe sot i kujtoj me respekt ” ( Ata janë :Qamil Golemi,Jahja Domnori,Rexhep Berdica,Xhemal Lopçi, Refik Shpuza,Ahmet Ashikja, janë edhe  në  foton e vitit 1928  ku mes tyre hijeshon ,Drejtori Mirash Ivanaj ,P.Leka )Në bisedë e sipër,  përveç atyre  evidenton edhe shumë të tjerë,si Abaz Ermenji,Vasil Konomi,Gafurr Çomo,e sidomos Jakov Milajn  të cilin  e konsideronte si inisiatorin e “Shoqërisë Besa” .  Kanë mbetur edhe sot emblematike  në këte  Gjimnaz, fjalët  shpresëplote  të Drejtorit Ivanaj,  kur po përgatiteshin për provimet e maturës së parë  në gjuhë shqipe: “Të jetë fatlum dhe me fillim të mbarë, indipendenca  në  fushën arsimore  të kombit”

Një vend të rëndësishem në libër (67-91) Prof.Radi ia kushtoi rëndësisë së Reformës Arsimore të Ivanajt  për të cilën thotë se mori dimensionet e një shkolle kombëtare .Në Gjimnazin e Shkodrës ishin regjistruar nxënës nga të gjitha krahinat e Shqipërisë  edhe nga Kosova e Çamëria.Reforma  ishte  për forcimin e shtetit shqiptar, sepse ndërhyrjet e huaja,  qoftë nëpërmjet shkollave apo 
kulturat e  ndryshme politiko-ekonomike,realizonin synimet  lakmuese të fqinjëve .Në shkollat e minoritetit  thekson Prof.Radi këndohej “Flamur me kryq ,me kryq,//Një dy,një dy//Vra shqiptar,Vra Shqiptar//”Nga Ana tjetër   Fashistët italian nuk e kishin harruar disfatën e Vlorës 1920,siç shkruan Radi, Musolini donte La Rivinta (hakmarrje)  Situatë  të cilën edhe të huajt,miq të Shqipërisë,  e kishin  nuhatur se ku po shkonte vendi  me kreditë  e shumta të Italisë. Vepra e Telford Erickson “Little kingdom,what next “(“Mbreteria e vogël, por më pas çfarë do të ndodhë “)një ndër pesë veprat të përmbledhura në “Enigma e Ballkanit” Parashikon  katastrofën që do të sjellin kreditë e shumta dhënë Italisë. Në këto kushte, reforma,për mbylljen e shkollave të huaja, nepërmjet tyre dhe të influencave të huaja u mirëprit nga elementi patriotik përparimtar.  Mund të themi se Dr.Martini  i kishte   paraprirë i këtij vendimi i cili,  që me 1930 kishte shfaqur mendimin se shkolla fillore  duhet të jetë  tagër vetëm e shtetit:”Shkolla fillore ka ate mision  historik ku unjisohen të gjitha forcat  morale dhe politike  që ka kombi”   Ajo që pritej erdhi ,Viti 1939. Prof. Radi i ka përshkruar  vëllezërit   si  djemtë e traditës   në mbrojtje të Atdheut me armë në dorë.”Ditët e fundit të Mbretërisë shqiptare, vëllezerit Ivanaj  e në mënyrë të veçantë Mirashi,bënë përpjekje  për  të organizuar një repart ushtarak  në mbrojtje të kufijëve të Atdheut .Me nji karabinë në krah, i kishte ra kryq e tërthor Tiranës, por në rrugët e boshatisura nuk kishte takuar asnji grupim të organizuar të armatosur.”f.   263 Për ta përforcuar këte mendim, shton edhe  përshkrimin e  Dr. Milajt “Shokët e mij më kanë thënë se janë çuditur ,kur  me 5-6 Prill  kanë parë Profesor Mirashin  me të vëllanë, që kishin lënë zyrat  dhe bashkë me turmen ,brohorisnin rrugëve ,Duam pushkë,Duam pushkë,duke shkuar  para M.P.B.,Komandës së  Mbrojtjes  dhe Pallatit Mbretëror ”  Të ndodhur në këto rrethana,si antifashistë  dhe nëpunës të lartë të shtetit  u larguan nga Shqipëria . Pohimet e Mirashit në hetusi dhe në bisedat me Radin  në burg f.140 “Në Stamboll  nuk kemi formuar ndonji organizatë ….Kemi  ba disa akte dhe mbledhje  kur ka filluar Lufta Italo-Greke, kemi  ba nji protestë  në lidhje me fjalimin e Çurçillit  dhe nji herë tjetër kundër Greqisë,kur kërkonte  viset tona  të Korçës dhe të Gjirokastrës .Nuk kam pasë lidhje me asnji  organizatë  jashtë Shqipnisë, sa për   Sterling- u,   unë nuk e kam  takuar kurrë.  Duke u nisur  nga gjithë  ky aktivitet, me një patriotizëm të shkallës më të lartë,po të mos i ndërpritesh hovi i punës, të vazhdonte  me ate guxim qytetar, me ate kulturë të pasur, me  ate karakter të fuqishëm , Mirash Ivanaj do të ishte një  Lider që do ta çonte  vendin  në udhën e përparimit evropian. Prof Radi, i përkushtuar  që  të nxirrte në dritë, se  Ivanajt e donin Atdhenë  duke u përballë me të vërteten, i jep vlerë  universale   betimit të Malësorëve “Për Qiell e për Dhe” Mbi çdo gjë Dheu  dhe Liria .Mbi bazën e kësaj filozofie popullore  janë ngritur shtyllat  e kontributit tyre  së bashku me mendimin e veprimin si Mazzinian, të  cilët  e mbajtën  të  gjallë   thënien  profetike të  Mazzinit ,kampioni i drejtimit intelektual të lëvizjes “Risorgimento “(Riperteritja)  me  frazën e tij  Apostolike : “Patriotizmi  si një detyrë, dashuria per  Atdhe si  njé  mision  hyjnor “.Gjithë ky ndikim patriotik e filozofik  është  pasqyruar edhe  në veprat e Ivanajve,edhe pse studiuan nepër shkolla te huaja ,ata e shkruanin gjuhën shqipe perfekt pa  barbarizma, bile gjuhë  shqipe të të gjitha krahinave,  që kërkon një vëmendje të veçantë. Studimi i teorisë Pellazgjike nga Mirashi,për  të  pasuruar sa më shumë historinë e lashtë të popullit tonë  apo tema e Laurës  “Historia e gjuhës shqipe në marrëdhënie me gjuhët e vjetra “, Temat e hartimeve qe jepte në shkollë”Atdheu nuk madhnohet me fjalë por me vepra “,”Secili shtetar në çdo situatë që të ndodhet mund t’ i shërbejë Atdheut .  Ato  pasohen me tezën e Laurës së Martinit nga Kanuni i maleve dhe me vepren e Nikollës “Historia e Shqypnisë  së Re” duke shtuar publicistikën,fjalimet,veprat letrare,   që   bëjnë së  bashku  një monument Atdhetarie  dhe  fashisin çdo insinuatë apo thashemnajë  ndaj  tyre, si bolshevikë,mason,antifetar  etj.  Për  këte Prof.Radi  e ka evidentuar me një dialog  Mirash dhe Gjergj Bubani f.205 Gjergji–A keni ardhur  nga mërgimi  vetëm për hatër të librave ?   M.Ivanaj—Jo o Gjergj — nuk asht ashtu!  Librat mund të jenë  nji nga arsyet, por jo kryesore.Unë  erdha në Shqipni, në Atdheun tim, Zani i këtij Atdheu asnjëherë nuk rreshti së thirruri, këtij Zani iu binda .   ndër të  tjera thekson: “Midis  dorëshkrimeve  kam pasë  dokumente  origjinale  dhe një korrespondencë të bollshme , po të gjënden do të sqarojnë  disa momente  të rëndësishme të historisë së Shqipnisë. Kam një shpresë  të zbehtë mos ndoshta  një pjesë e këtyre materialeve i janë dorëzuar arkivit të shtetit,po të jenë atje, diçka e mirë prej tyre do të dalë në Dritë.”                                                   Me keqardhje mund të shprehem, se gjithmonë  pushtuesit, kanë synuar të shkatërrojnë  trashëgiminë kulturore të një populli, kanë  djegur   bibliotekat. Kur e bënë ate edhe  vetë shqiptarët  komunistë me bibliotekat e Ivanajt, Lef  Nosit, apo biliotekën dhuratë të Konteshës Carnarvon  me 1928 “Biblioteka për Djelmërinë “që ia kushtoi birit të saj,mikut të  madh të shqiptarëve,mbrojtësit të të drejtave  të shqiptarëve Sir  Abrey  Herbert 1880-1923 , e sa e sa të tjera kjo  eshtë fatale.Këtu qëndron  merita e Dritës,mbesa e Prof. Mirashit e cila sapo  ka vënë këmben  në  Shqipëri ,interesimi më i madh për te ishte, për të kërkuar  trashigiminë kuturore  të familjes Ivanaj, dokumente dhe studime historike   të tyre,  për t’ia  lënë trashigimi  një Instituti  studimesh  për Rininë Shqiptare  të  cilën  e realizoi pas një  maratone   të gjatë  me  themelimin  e Fondacioneve  “Martin e Mirash  Ivanaj ,Institut” në Tiranë e N.Y..Ky institucion është sot një qendër kulturore ,ku realizohen projekte bashkëkohore, Konferenca Jubilare,Promovime Librash , (siç u realizue  edhe libri në fjalë ),aktivitete shkencore për rininë ku janë  bashkuar  shumë të  Rinj Vullnetarë  të etur për dije .

Filed Under: Histori Tagged With: Mirash Ivanaj, Pertefe Leka, Prof. Lazer Radi

RESTAURIMI I KULLËS KU U LIND DR.DOM ZEF OROSHI

October 1, 2020 by dgreca

Na shkruajnë miqtë e Gazetës Dielli-Restaurohet Kulla e Preng Çokut në Kaftallë Mirditë,së Shpejti-MUZE

Përveç mesazheve përshëndetse Dielli ka marrë dhe shumë informacione nga miqtë e tij në vendlindje dhe në Diasporë. Këtë herë po publikojmë informacionin e z. Tim Ndoj, i cili na ka dërguar 3 fotografi nga restaurimi I kullës shekullore në Kaftallë Mirditë.

Tim ndoj shkruan: Po Restaurohet kulla shekullore e Preng Çokut. Dera e Çokut ishte dhe shkolla e parë në Kaftallë Mirditë. Këtu Lindi dhe Mons. Dr. Zef Oroshi. Një jetë e shkrirë për fe e atdhe. Së shpejti kjo do të jetë Kullë- muze.

Faleminderit për informacionin që po e ndajmë me miqtë.

Filed Under: Histori Tagged With: Dom Zef Oroshi, Kulla ne Kaftall, restaurimi, Tim ndoj

GJAZA- RINIA IME…

September 27, 2020 by dgreca

Shkruan: SIMON MIRAKAJ- Rinia ime .Gjaza, ku familjarisht kaluam njëzet vjet internim ishte njëzet km larg nga qytetit i Lushnjes. Sapo i kisha mbushur njëzet e katër vjeç kur mbërrita në këtë kamp internimi, të një izolimi total. Gjaza kishte dy rrugë dhe tre rrjeshta me shtëpi.Shtëpitë ishin të ndërtuara me tulla nga v.50, brënda të shtruara me çimento, ishin të ftohta, një pjesë tjetër e shtëpive ishin të ndërtuara me plithar por të suvatuara nga jashtë , brënda të shtruara me çimento, kishin pak kohë që ishin të ndërtuara.Ne kur mbërritëm në Gjazë na futën në shtëpitë e vjetra të ndërtuara me tulla.Lëvizjen e kishim të kufizuar, kishim të drejtë të leviznim vetëm në shtatëqind hektar tokë të fermës ku punonim, nëse e kalonim këtë kufi të vendosur nga MPB ndëshkimi ishte deri në vdekje,kështu na pati deklaruar shefi operativ kur bëri prezantimin tonë para organeve drejtuese te sektorit . Jepuni plumbin ballit po kaluan kufirin thoshte shefi operativ Apostol Çepeli.Për çdo levizje jasht këtij kufiri ne duhet të merrnim leje me shkrim nga përgjegjësi që na bënte apelin. Mëngjesi ishte i zhurmshëm.Në mëngjes shikoje puntorët e puntorët që nxitonin për të takuar brigadierin për të marrë planin e punës për të siguruar bukën e përditëshme.Të veshur të gjithë me pantallona me arrna,gra ,burra,djem e vajza, ndërsa në kokë kishin nga një kapele kashte për tu mbrojtur sadopak nga dielli.Mëngjesi ushtonte nga zërat e puntorve që thërrisnin njëri tjetrin : -hajde shpejt se na zuri vapa pa fillu punën.Mbrëmja ishte e qetë,nuk kishte zhurmë,puntorët ktheheshin të lodhur nga puna e ditës, mezi tërhiqnin këmbet, fytyrat ishin te zbehta nga lodhja. Në rrugë të binte në sy një rreth i vogël i formuar nga pak njerëz, ky rreth ku në mes qëndronte i besuari i partisë e i sigurimit ishite (rrethi I armiqve).Ky rreth shihej dy herë në ditë , jo të pakta ishin ditët ku rrethi formohej tre herë në ditë, në atë grup armiqsh ishin djemt e ish kryeministrit Fiqiri Dines,Tomori me Sazanin bashkë me kushëririn e parë Haredin Nasufin,djali i kapidanit të Mirditës,Deda bashkë me nipin Gjonin,i biri Hamit Matjanit ,Xheviti, dom Mikel Koliqi, Xhevat Tarusha,Frida Sadedini,Ismail Spahiu dhe unë me vllain Sokolin.Të qënurit së bashku prej vitesh na jepte shumë kurajo për të përballuar me dinjitet këtë vuajtje të shkaktuar nga padrejtësia e diktaturës komuniste .Ne na kishin shpallur armiq, po vërtet ne ishim armiq të kësaj padrejtësije, të kësaj diktature.Të qënurit së bashku me këta njerz fisnik,djem , burra,zonja ishte vërtet një fat,ishim për njeri tjetrin si thëmbra e Akilit.Mbasi bëmë apelin u drejtova te brigadieri për të ditur se ku do punoj ,pa mbrritur mirë ai më thotë :Ti Simon do shkosh në transport plehu dhe mos u vono se zetori ka shkuar e të pret, gjithë inat e pashë , skisha çfarë të bëja. Partia kishte dalë haptazi, të ja bëjmë jetën sa më të vështir,na e bëne jeten mjaftë të vështir duke na çuar në punët më të vështira e më keq të paguara deri në momentet e fundit të shëmbjës së diktaturës komuniste, por nuk na mposhtën dot, dinjitetin nuk na e morën.Vesha kominoshet, çizmet , kapelen e kashtës që ma kishte bërë motra,mora dhe nje shishe ujë .Rruga për te stallat nuk ishte larg,gjatë rrugës po mendoja me vete shokët apo shoqet e shkollës janë shumë larg e nuk më shohin…le të më shohin , pastaj puna nuk është turp, unë nuk e zgjodha punën, unë sipas atyre të partisë jam armiku, po kush më njeh mua kështu si jam katandisur…po pse nuk kanë kë të shohin ato… me këtë bisedë të ëndrrave rinore me veten u gjenda para stallës. Hyra brënda, lopët çuditërisht u çuan në këmbë , të gjitha kthyen kokën nga unë,ato ishin të lidhura me zinxhir edhe unë isha i lidhur prej dekadash me zinxhir të pa dukshëm, ato ishin të ushqyera mirë, ju shndriste qimja, ndërsa mua kishin filluar të më binin flokët nga lodhja,nga keq ushqyerja, atyre nuk ju dukeshin brinjët, ndërsa mua mund të mi numëroje brinjët nga larg,atyre ja dërgonin ushqimin te koka,ndërsa unë duhet të luftoja fort me fitu bukën e përditëshme.Ato më përcollën mev ështrimin e tyre deri sa dola, gjithë ky nderim prej tyre, mbase nuk e dinë që unë jam armik,sa kënaqësi të jetosh mes kafshëve,njeriu ishte bërë i rrezikshëm.Sapo dola nga dera e stallës u përballa me grumbullin e plehut ,bajgave që ishte përzier me kërcejt e jonxhës e të lakrës kineze. Traktoristi Rrapi, me cigaren që i ishte ngjitur e i varej në buzën e poshtëme , me dhëmbët që kishin marrë ngjyrën e nikotinës më thirri: o burra Simon fillo mos bëjmë nja pesë a gjashtë rrugë, nuk i këtheva përgjigje fare.Rrapi ishte njeri i mire shumë puntor ,ishte familje me biografi te mire sipas kohes,ishte nga ato fshatrat aty por banonte ne Gjazë, kishte shume kalamaj më duket nja dhjetë. Fillova të shkul pak bar për të mbrojtur ujin nga dielli.U ula e po shikoja pirgun e plehut , rimorkjon që priste të mbushej nga unë.Duhej filluar, sa më shumë të vonoja aq më e vështirë bëhej edhe nga vapa që kishte filluar të përvëlonte,hodha cfurqet e para me shumë vështirësi prej kërcejve që ishin përzier me bajgat,stërpikat me binin ftyrës ,trupi kullonte në djersë, mundohesha të nxitoja,kur po hidhja cfurkun me pleh në rrimorkjo pashë se drejt meje po vinte operativi me përgjegjësin e sektorit, një ndjenjë neverije ,njëri më i zi se tjetri, jo nga ngjyra por nga ligësija e shpirtit,operativi kishte hedhur xhaketën supeve, në pantallonat i varej revolveri, xhaketen e hiqnin për të ngjallur terror, ktheva kurrizin nuk doja ti shikoja ato fytyra, më dukej sikur po shikoja një gjarpër, po vazhdoja ngarkesën. Operativët në shumicën e rasteve ishin nga fshatrat ,familjaret e tyre i kishin në kooperativë që hanin bukë misri, që se hante as lopa, vetë ushqeheshin mirë, rrogat e mira, kështu e shikonin veten të plotfuqishëm, ishin gati të të merrnin shpirtin. Ne kishiim mbi kurriz nje qeveri kriminale qe ne cdo sekonf ishe i rrezikuar.Me kanatjeren fshiva fytyrën, nuk doja t ju jepja kënaqesi të më shikonin ashtu.Kur u afruan te zetori u ndalën e po vështronin ,puna e mbarë thanë… bëra sikur nuk i dëgjova, qënka e vështirë: tha shoku Rrapi, përgjegjësi, jo nuk është e vështirë fare, I thashë unë… ndërsa djersët binin në tokë si pika shiu,operativi me nje buzqeshije ironike belbezioj gjynah goxha djale te punoje ne pleh,nuk ju pergjigja veq e mallkova ne heshtje.Ata kishin ardhur për të shkuar te baçja që ishte matanë kanalit, baçja ishte me shalqin, po shkonin të freskoheshin.Vapa ishte bërë e pa durushme,u ndala pak , hoqa kanatjeren e lidha te qafa, mëngët e kominoshes i lidha në mes, piva pak ujë që ishte bërë valë,fshiva djersët me kantjere e fillova ngarkesën e rimorkjos, pak donte për tu mbushur, lashë pak vënd në rimorkjo për vete që të rrija në këmbë.Rrapi (zetoristi) erdhi e th: të lumtë e paske mbushur ,hip lart e të ikim. Hipa në rimorkjo duke u mbajtur te hekurat, kur dolëm në rrugën që të çonte për te parcela që do shkarkonim ,pluhuri i rrugës ishte mbi njëzet cm, nga shpejtësia u ngrit një mjegull tymi që nuk të lejonte të shikoje as gjë , dëgjoje zhurmat e fëmijve që laheshin në kanal, pluhuri i rrugës më ishte ngjitur nga djersët në fytyrë , në trup. Shkarkimin e bëmë kollaj,sapo mbarova u zhyta në kanal, hapa krahët në ujë e po vështroja qiellin e kaltër të pastër, eee… sa njerëz të pistë e kriminelë qëndrojnë poshtë teje a e din? duart lart ju drejtova Zotit I vetemi mbrojtës, të na mbrojë nga djajtë e kuq, nga të pa udhët që kishin zënë popullin e vet rob, zot na shpëto .Not nuk bëja se ishte i cekët deri në gju , as nuk dija ,vetëm në kanale isha larë, detin nuk e kisha parë ,as prekur,as shijuar kënaqesinë e tij ,e kisha parë vetëm në hartë. Vetem mbas vitit 1990 mu dha mundesija për ta parë e shijuar. Rrapi thërriste…unë isha shtrirë në kanal, pastaj shkoi edhe ai e u zhyt për tu freskuar.Dita përfundoi si të gjitha ditët e tjera mjaft e lodhëshme. Shtepinë nuk e kasha shumë larg por nga lodhja më dukej sikur nuk do mbërrija kurrë.Rrugës i lodhur, mezi ecja, thashe me veten time. ..Mjer ai vend që pati fatin e keq të pushtohet nga komunizmi. Komunizmi shkatërrimtar i personalitetit të njeriut.

Filed Under: Histori Tagged With: GJAZA- RINIA IME, Simon Mirakaj

BOTA DIBRANE NE FAQET E NJE BOTIMI VOLUMINOZ

September 25, 2020 by dgreca

–Rreth librit voluminoz “Dibra, zemra e Kombit” të autorit Hysen Dervishi –

Një shpalim historik, analitik dhe investigues i ngjarjeve dhe figurave më në zë të botës dibrane–

Nga Dukagjin HATA -Me emrin e Hysen Dervishit lidhen studime dhe kërkime përkushtuese e shteruese në fushën e mendimit dibran e shqiptar, ide, qasje dhe refleksione që lidhen me figura emblematike të kujtesës dibrane e shqiptare, shqyrtime historiko-analitike dhe investigime, që në komplesk e krijojnë dhe dimensionojnë të plotë një vepër krijuese, që tenton të konfigurojë një areal të mbetur deri dje në hije të të vërtetave të thëna nën zë, por që tashmë përcillen nën një projeksion dhe optikë të re pasqyrimi. 

Falë një pasioni dhe këmbëngulje unike, shoqëruar me njohje të thellë e të kompletuar të “lëndës së parë” që bën objekt kërkimi, Dervishi përcjell tek lexuesi modele studimore që janë gurë kilometrikë në memoristikën kolektive dibrane e më gjërë, rreth të cilës vërtitet pena e tij e hollë dhe e mprehtë. 

Në arealin e emrave të autorëve dhe librave të tyre memoristikë, që përfshihen në zhanrin e letërisë dokumentare, qëndron denjësisht emri i Hysen Dervishit dhe libri i tij “Dibra zemra e Kombit”. 

Është një libër i shkruar, nëse përdorim një njësi frazeologjike popullore, “me lëkurë”, me  një gravitet emocional të veçantë, që do të thotë se autori e ka përjetuar realisht dhe emocionalisht çdo fjalë dhe frazë dhe pas një site të hollë të ngjarjeve dhe personaliteteve, që duket se parakalojnë në memorien e tij, depërton të palcën e të ndodhurave të botës dibrane dhe figurave më përfaqësuese të Dibrës në të gjitha kohërat.

Pas librit “Krenaria”, pritur ngrohtë nga lexuesi dhe qarqet letrare, autori vjen me këtë libër voluminoz, ku shpaloset madhërishëm historia dibrane, ndodhi të bujshme, kohë dhe epoka qëndrestare e të trazuara, madhështia e shpirtit kolektiv dibran, urtia, bujaria, mendjemprehtësia, modele fundamentale që shpalosen në luftë e në paqë, në të mirë e në të keq, arkitipi genetik i një treve me rrënjë të ngulitura fort në histori dhe në përditshmëri.

Shkrimtari Hysen Dervishi, një nga kërkuesit më të pasionuar të psikologjisë dhe shpirtit dibran, i është drejtuar vetëdijes kolektive të një populli me rrënjë të ngulura thellë në histori, i cili e shkroi sagën e fiseve krenare e të panështruara ndaj të huajve, në lëvoren e pemës vigane të kujtesës sonë kombëtare. 

Në këtë libër mjaft interesant, bota dibrane lëviz në tredimensionalitetin e kohës, në ato ura të kujtesës shqiptare, ku kalojnë faktet historike, të vërtetat e ndrojtura dhe ato të shpallura bujshëm, për tek pema e dhimbjes dhe dashurisë së një populli të njohur për qëndresën dhe mençurinë, për degët dhe rrënjët në gen sojnik e fisnik, për të djeshmen dhe të sotmen. 

Me një stil të ngjeshur e konçiz, por njëherësh të ngrohtë dhe plot ngjyra, ku përzihen rrëfimi dhe investigimi, portretizimi dhe analiza, ngjyrimi letrar dhe tharmi gazetaresk, me një gjuhë të zhdërvjellët dhe elegante, ku kërkimi integral i historianit përzihet me tharmin estetik të shkrimtarit, Hysen Dervishi na sjell në këtë libër një përcjellje dinjitoze të historisë dibrane, në pikat e saj më kulmore për fatet e veta dhe të shqiptarisë. 

Udhëtimi i Hysen Dervishit në analet e botës dibrane është një udhëtim virtual, ku mplekset fakti dhe detaji historik me impersionin e autorit, gjeopolitika dibrane me atë kombëtare, narracioni zhbirues dhe zbulues përmes detajeve të gjetura me reflektimin shterues rreth të ndodhurave, fakteve historike dhe figurave me të cilat na i sjell të lidhura ata shkrimtari.   

Me një stil, siç thamë të zhdërvjellët dhe kolorit të pasur gjuhësor, ku gërshetohet fakti dhe analiza, induksioni dhe deduksioni, përshkrimi dhe investigimi historik, portreti etj., autori trajton pamje të thyera të historisë dibrane, individë dhe kontribute, që tashmë e kanë kaluar provën e kohës dhe janë kthyer në etalone vlerash për dje, për sot dhe nesër.

Si një njohës virtuoz i psikolgjisë së thellësive dibrane, i historisë dibrane dhe individëve që me bëmat e tyre atdhetare kanë bërë epokë dhe janë identifikuar me pjesën më vezulluese dhe më të ndritshme të vlerave gjithëkohore të shqiptarisë, autori na jep një gamë të gjërë e të larmishme pamjesh dhe reflektimesh, ngjarjesh dhe personazhesh, që janë bërë njësh me kohën e tyre, si interpretë të së drejtës zakonore dhe shpirtit kolektiv të një treve të njohur për besë e mençuri, guxim e trimëri, e cila ka qenë në të gjitha kohët në ballë të aksionit kombëtar për liri dhe dinjitet shoqëror. 

Që nga personazhet emblematikë të luftërave antiturke, antiserbe, gjer tek modelet e rezistencës antifashiste në valët e Luftës së Dytë Botërore, pa përjashtuar hapësirën mjaft të trazuar të gjysëmshekullit të kohës së socializmit, në këtë libër parakalojnë emra të shquar të historisë dibrane, ushtarakë, komandantë legjendarë, politikanë mendjehollë, prijës popullorë, gjeneralë, misionarë pajtimi, shkrimtarë, artistë, ministra, deputetë, mësues, agronomë, kooperativistë, profesionistë të fushave të ndryshme, që janë ngritur mbi sinoret e të zakonshmes, duke u bërë mëshirues të mendësisë më të përparuar dibrane e kombëtare, në një epokë dyzimesh dhe trazimesh të mëdha.

Që nga kryeikona e qëndresës dibrane, shqiptare dhe evropiane Gjergj Kastrioti Skënderbeu, tek Qemal Ataturku, Ahmet Zogu, Iliaz Pashë Dibra, Elez Isufi, Dine Hoxha, Tafë Kaziu, Haki Stërmilli, Haxhi Lleshi, Ahmet Cami, tek akademikët, profesorët, gazetarët, artistët, njerëzit e shquar të shkencës dhe letrave, Prof. Dr. Luan Hajdaraga, Prof. Dr. Bujar Kapexhiu, Prof. Dr. Fehmi Abdiu, Prof. Dr. Shaban Sinani, Prof. Dr. Petrit bara, Prof. Dr. Qemal Disha, Naim Plaku, Arif Vladi, Lirie Rasha, Skënder Cala, Edmond Zhulali, Përparim Tomçini, etj,etj, përmes detajeve të holla dhe të gjetura jepet dimensioni atdhetar, kulturor, shpirtëror dhe artistik i këtyre figurave, që secili më vete dhe të gjithë së bashku përbëjnë majën e lartë të krenarisë dibrane dhe shqiptare.  

Njohja e thellë e traditave dhe zakoneve dibrane, përvetësimi i filozofisë së odave dibrane, ku muhabeti bëhet me rrotulla dhe “prit e kthe”, e ka çuar autorin në kërkimin dhe modelimin e një gjuhe fine dhe të koncentruar bindshëm në stilema të forta përcjellëse dhe mesazhuese, duke bërë që në libër të mos mungojnë parabolat, aludimet, nëntekstet e holla të një gjuhe fine e të përpunuar me kujdes, që na paraqitet në trajtën e ajzbergut.

Duket se aparati metodologjik dhe shqyrtues i fakteve dhe të dhënave, të bazuara në burime gojore e arkivore, në këngët dhe trshëgiminë tjetër të vlerave të etnosit kolektiv, shoqëruar kjo me sharmin publicistik dhe letrar, që e karkterizon autorin në shkrimtarinë e tij, e bëjnë librin të lexueshëm me një frymë dhe me kërshërinë e ndezur për çdo ngjarje e figurë, që gjen pasqyrim në faqet e tij.   

Libri “Dibra zemra e Kombit” i autorit Hysen Dervishi është një libër që mungonte në tavolinat e punës së studiuesve dibranë dhe më gjërë, një enciklopedi e figurave dhe ngjarjeve më në zë të botës dibrane, një shpalim historik, analitik, investigues, në një shtrirje të gjërë të kohë-hapësirës shqyrtuese, analitike, krahasuese e ballafaquese, të një qasjeje të re të mendimit historik, të çliruar nga diktatet politike dhe autoçensura, e cila pas çlirimit të letrave nga çensura e dikurshme, shfaqet tek mjaft shkrimtarë si një autosugjestion i ardhur nga ajo që Karl Gustav Jung e quante “nënëvetëdija e harruar”.          

Ky libër lypset të jetë një libër tavoline për dibranët, sidomos për shkrimtarët, historianët dhe mendimtarët dibranë, të cilët do të gjejnë në faqet e tij të shkruara me vërtetësi, dashuri dhe emocion, të vërteta të njohura, pak të njoura ose të panjohura, që janë shkruar me zemër në dorë nga një shkrimtar me sqimë, një njohës shijehollë i historisë dhe mendësisë kolektive dibrane.  

HyseniÇast gjatë promovimit të librit “Dibra, zemra e Kombit” të autorit Hysen Dervishi në Muzeun Historik Kombëtar Tiranë 

Filed Under: Histori Tagged With: Dukagjin Hata, Hysen Dervishi, Zemra Dibrane

HEBREU, JOSEF KANTOZI, LUFTËTARI TRIM I LUFTËS SË VLORËS QË VDIQ NË AZILIN E PLEQËVE

September 24, 2020 by dgreca

Shqiptaret të mos e harrojnë dhe të vlerësojnë patriotizmin dhe kontributin që dha hebreu i Vlorës, për Pavarësinë e Shqipërisë.- 

C:\Users\User\Desktop\unnamed.png

Josef Kantozi në Luftën e Vlorës, 1920– Është detyrë e shtetit dhe shoqërisë, është në nderin e tyre, të mos e harrojnë dhe të vlerësojnë patriotizmin dhe kontributin që dha hebreu i Vlorës, për Pavarësinë e Shqipërisë.  

Nga Enver MEMISHAJ-Në Vlorë ka qenë vendosur një komunitet hebre që në kohë të hershme. Hebrejt apo izraelitët e Vlorës dalloheshin si një komunitet i urtë dhe i zgjuar. Asnjë prej tyre nuk bëri punë krahu, por të gjith burra e gra ishin ose zanatçinj, ose nëpunës. 

Vlonjatët i respektuan dhe vlerësuan, bënë krushqi me ta, i mbrojtën gjate Luftës Antifashiste dhe asnjëherë nuk patën kontradita me ta, çka flet për shpirtin e gjerë të vlonjatëve dhe humanizmin e tyre. 

Jeta më lidhi edhe mua me këtë komunitet simpatik. Shok klase me doktoresh Ana Kohen, që u bë e famëshme në Amerikë, fqinj me Minush dhe Gracjella Solomonin, shok klase me Jakov dhe Rashela Solomonin, etj.

Irakliu, djali hallës sime, u martua me vajzën e Barut Levit dhe e mbylli jetën e tij në Izrael. Mund të vazhdonim gjatë me këto lidhje, me humanizmin  dhe shpirtin e gjerë të vlonjatëve. 

Në këtë 100 vjetor të Luftës heroike të Vlorës gjeta në shënimet e mia se Josef Kantozi prej këtij komuniteti, kishte marre pjesë me armë në dorë në këtë luftë, si dhe kishte dhënë para për nevojat e luftës, por vetëm kaq, prandaj u interesova për këtë patriot vlonjto – izraelit dhe Rashel Solomoni nga Filadelfia dhe intelektualë të tjerë vlonjat ma ndriçuan figurën e këtij patrioti.

                                               *      *     * 

Josefi ishte i biri i Mushos dhe Masaltos, kishte lindur në Vlorë më 17 gusht 1890 dhe ka qenë banor i lagjes “Vrenez”, ku banoja edhe unë.

Ai i takonte një familje të pasur tregëtare hebre, e cila ishte vendosur në Vlorë rreth viteve 1800-1834, për t’i shpëtuar perndjekes e shfarosjes së Spanjes. 

Josefi e kaloi rininë në Vlorë dhe kreu studimet e larta në Itali për ekonomist .

Vlonjatë tregojnë se Josefi ishte një djalë i gjatë, i bukur, shumë elegant, flokët i mbante përherë të lyera me brilantin pasi i përkiste një familje ndër më të pasurat hebreë në Shqipëri, që ishte edukuar në Italinë fqinje. E donte jeten dhe dinte ta shijonte atë .

Pushimet i kalonte në Brindisi ku kish lokalet e tij të preferuara, mbante të rezvuar dhomë në hotel, kish karrocën e tij me kalë të bardhë e karrocierin që kujdesej gjatë gjithë vitit për mirëmbajtjen e tyre, me pagesë për të qenë në gatishmeri në ditët e tij të pushimit në Itali. Italianët e shihnin shpesh që vinte nga Shqipëria, e nuk dinin më shumë për të, veçse ish një pasanik shqiptar, ndaj i thërrisnin me: konte d’Albania.

Josefi e donte Vlorën dhe i çmonte vlonjatët. Deri vonë është treguar në Vlorë shprehja e kësaj dashurie dhe respekti: Në një nga ditët e zakonëshme të pushimit, shkoi herët në restaurant për të ngrenë mëngjesin. Lokali ishte plotë me klientë italianë. Pranë tryezës së tij ishin ulur disa të rinj, simpatizant të fashizmit, të cilët sa e panë që hyri, buzëqeshën me ironi. Ndërkoh njeri prej tyre iu afrua Josefit, nxorri prej xhepit një kartëmonedhë një liretëshe italiane, e ndezi para syve te tij duke e shoqeruar me fjalët: “Ja, kështu do ta djegim ne italianet, Shqiperine tënde!”.

Në këtë moment, Josefi qetë-qetë, nxorri prej xhepit një kartëmonedhë njëmijë liretëshe, ndezi çakmakun e nën flakët e zjarrit që përpinin kartëmonedhën italiane iu drejtua djaloshit perkarshi me zë të lartë: “Kështu do ta djegim ne Shqiptarët Italinë”.

Josefin e arestuan dhe menjëherë e burgosen. Familjes iu desh të paguante një shumë të madhe të hollash për ta liruar prej burgut. Ky pra ishte Josefi ynë, qe e donte Shqiperine e Vloren mbi gjithëçka.

Por ai do të mbetej në historinë, mëndjen dhe shpirtin e vlonjatëve në atë vitin e bekuar 1920, kur shqiptarët rrëmbyen armët, hodhën në det pushtuesit italianë dhe rishpallën Pavarësinë e Shqipërisë të përmbysuar nga Lufta e Parë Botërore. 

Në këtë vit do të shkëlqejë edhe patriotizmi i Josef kantozit. Ai ishte pjesë e përgatitjes së ilegalëve vlonjatë me para, për të bërë atë luftën e madhe. 

Nga fundi i muajt dhjetor 1919, Josef  Kantozi në krah të qytetarëve vlonjatë Jani Minga e Tol Arapi do të marrë pjesë në mbledhjen që u organizua në shtëpinë e Osmën Haxhiut, ku zgjodh një komitet për drejtimin e luftës që po përgatitej kundër pushtuesit italian. 

Hebrej të Vlorës ndihmuan patriotët vlonjatë me para, por  Josef  Kantozi është i vetmi hebre që ju bashkua luftës me para dhe me pushkë në dorë. Në këtë luftë atë e shpinte dashuria për Vlorën dhe Shqipërinë, ideali i përbashkët me udhëheqësit e luftës Osmën Haxhiun e Ahmet Lepenicën. 

Sakrifikoi për lirinë e Shqipërisë jo vetem pasurine, por ish gati te sakrifikonte edhe jeten e tij dhe këtë e provoi kur luftoi me pushkë në dorë në krah të vëllezërve vlonjatë. 

Ndarje fetare, sikundër thotë Romeo Gurakuqi, në Vlorë nuk ka ekzistuar ndonjëherë që kur është krijuar bota. Në këtë luftë ortodoksë e katolikë krahas vëllezërve të tyre musliman si dhe komunteti izraelit u gjendën në udhehëqje të luftës me armë dhe me para: si Spiro Jorgo Koleka, Jani Minga, Aristidh Ruci, Toli Arapi, Dhimitër Bala. Në Vlorë ka shumë pak katolik, afro 10 familje, por edhe këta me në krye udhëheqësit e tyre shpirtëror si Dom Mark Vasa që u internua në Sazan, At Shtjefën Gjeçovi që ngriti flamurin e fitores në Kaninë me myslimanin Ahmet Lepenica, nëntoger Kolë Zadrima, e të tjerë u gjendën në ballë të luftës.

Në përfundim të luftës me fitore Josef  Kantozi nuk u nda nga udhëheqësit e luftës për vendosjen e rendit dhe qetësisë. Kështu sipas kujtimeve të Hasan Pulos 

prefektura e Vlorës me z.Hamza Isain më ngarkuan mua, Aziz Çamin dhe Toli Arapin për organizimin e policisë në Himarë, dhe në krah të Tol Arapit do të ishte edhe hebreu Josef  Kantozit.

Më pas Josef kantozi u muar me tregëti. Në vitin 1939, me pushtimin e vendit nga Italia, jeta e komunitetit hebre u vështirësua, për arsyet që dihen. Më 14 maj 1939 Ministria e Brendëshme u kërkon prefeturave të vendit listat emërore të izraelitëve. 

Prefektura e Vlorës i përgjigjt Ministrisë më 31 maj 1939: “Bashkangjitur po ju parqesim dy lista njera me izraelitet … me shtetësi shqiptare dhe tjetra me emrat e izraelitëve që janë me shtetësi të huaj…”

Josef  kantozi shënohet në listën e parë, me shtëtësi shqiptare, në numurin rendor 47, lindur më 17.8.1890, ne Vlorë me profesin tregëtar. Në këtë shkresë thuhet gjithashtu se izraelitët nga nr. 47, pra nga Josef  Kantozit janë shpërngulë dhe gjenden në Fier. Këto ishin lëvizje për të mbrojtur jetën e tyre nga pushtuesi. 

Vlonjatë mbajnë mend se Josef  Kantozi, ashtu si në vitin 1920, e ndihmoi edhe Luftën Antifashsite me para. 

Fundi i jetës së një patrioti hebre.

Me ardhjen në fuqi të komunistëve, kontributi atdhetar i hebreut Jozef Kantozi u harrua dhe u mohua, patrioti u shpronësua dhe mbeti vetëm me rrobat e trupit.

Ai nuk pati asnjë trashgimtar që të kujdesej e të flistë për veprimtarinë patriotike të tij. Vajza e vetme Rashela rreth moshes 18-20 vjeçare, pra aty nga viti 1938, u sëmur rëndë nga veshkat dhe vdiq.

I braktisur dhe i pa vlerësuar nga shteti, pas vdekjes se te shoqes Mazal, u detyrua të mbyllej në azilin e pleqëve. 

Patrioti dhe luftëtari i Luftës heroike të Vlorës të vitit 1920, i harruar dhe i braktisur nga shteti si shumica e udhëheqësve të asaj lufte, e mbylli jetën e tij 

në azilin e pleqëve në Berat rrethi vitit 1960.

Është detyrë e shtetit dhe shoqërisë, është në nderin e tyre, të mos e harrojnë dhe të vlerësojnë patriotizmin dhe kontributin që dha hebreu i Vlorës, për Pavarësinë e Shqipërisë.  

C:\Users\User\Downloads\image (2).png
C:\Users\User\Downloads\image (1).png
C:\Users\User\Downloads\image.png

Filed Under: Histori Tagged With: Enver Memishaj, HEBREU, JOSEF KANTOZI, Pavaresia e Shqiperise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 242
  • 243
  • 244
  • 245
  • 246
  • …
  • 710
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT