• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Krime serbe në Kosovë – një libër tronditës

November 6, 2020 by dgreca

Rexhep Shahu: Krime serbe në Kosovë – një libër tronditës/

-Së shpejti del në Prishtinë dhe në qytetet e tjera./

-Varret masive të shqiptarëve janë ende në Serbi./

Kriminelët serbë në pushtet Vuçiq e Daçiq nuk i tregojnë ato varre dhe kanë veshe kostumin e viktimave dhe drejtojnë gishtin e akuzës kundër shqiptarëve.

Shqiptarët, besoj naivë, duket u mjaftuan, u nginë me lirinë e Kosovës, me Kosovën pa serbë, me shtetin e tyre të dytë shqiptar të lirë dhe i lanë të qetë kriminelët serbë, nuk i paditën as Vuçiqin as Daçiqin as shtetin kriminal serb në asnjë gjykate penale ndërkombëtare.

Shqiptarët dënohen, shkojnë nëpër gjykata për të provuar drejtësinë, shqiptarët duhet të paguajnë ende për lirinë, ndërsa serbët fërkojnë duart e krimit.

Edhe trupat e pajetë të shqiptarëve që janë në varrezat masive në Serbi janë pjesë e çmimit të rëndë që shqiptarët paguan për lirinë.

Janë disa libra që shqiptarët nuk i kanë lexuar, politikanët e intelektualët shqiptarë që duhet të jenë të lexuar nuk i kanë lexuar. “Shqiptarët e fuqitë e mëdha”, libër i shkruar nga kryeministri serb Vladan Gjorgjeviq, gurra e të ligës serbe kundër shqiptarëve, botuar në 1913 në frëngjisht e gjermanisht e pastaj përkthyer në serbisht nuk e kanë lexuar politikanët e intelektualët shqiptarë. Ndoshta e kanë shfletuar, por nuk e kanë lexuar, nuk e kanë lexuar, nuk e kanë lexuar, nuk e kanë thithë, nuk e kanë bërë pjesë të vetëdijes. Ky është libri që i bën shqiptarët me bisht. E ka shkruar kryeministri serb Vladan Gjorgjeviq, e ka përkthyer kryeministri shqiptar Mustafa Kruja, e kam botuar unë në 2015. Më 1928 e ka përkthyer dhe botuar në Zarë, Mustafa Kruja dhe që nga ajo kohë deri në 2015 nuk e botoi as Tirana as Prishtina. Kush i pengoi, kë kishin frikë Tirana e Prishtina…

Ai libër u thotë Fuqive të mëdha se shqiptarët janë me bisht, janë të pazhvilluar, janë muslimanë fanatikë, të paqytetëruar, nuk u duhet dhënë shtet, nuk duhen njohur, por na i jepni neve serbëve një shekull shqiptarët që ti kulturojmë, ti civilizojmë ne dhe pastaj ua japim ne një autonomi kulturore…

Pra këtë libër nuk e kemi përfillë. Librin ‘Shpërngulja e shqiptarëve’ të Vaso Çubrilloviqit nuk e kemi lexue, nuk e kemi njofte ani se shumëkush mban hundët përpjetë si hajvan e gënjen veten, por dy referatet e Vaso Çubrilloviqit nuk i kemi njoftë as politikani as intelektuali as dreqi as i biri. Në 2015 edhe atë e kemi botuar libër, por askush nuk e lexon.

Dhe themi pastaj si shkojnë shqiptarët si gomari në ëndërr.

Me librin e Vladan Gjiorgjeviqit, Vaso Çubrilloviqit e gjithë traktatet serbe kundër shqiptarëve ne nuk jemi të njohur, nuk i dimë, nuk i kemi lexuar si popull dhe qajmë sot. Nuk flitet në shkollat e auditoret tona për këto traktate urrejtje, jo të mësojmë urrejtjen prej tyre por të dimë se si na përfytyron fqinji ynë serb.

Ky libër i ri ‘Krime serbe në Kosovë’, bashkë me librin e Vladanit, të Çubrilleviqit, me platformën e Ivo Andriçit dhe gjithë platformat tjera, kanë qenë e janë dokumente të mjaftueshme me e paditë Serbinë në Gjykatën e Hagës për krime çnjerëzore pasi ajo e ka të dokumentuar politikën kriminale, strategjinë kundër shqiptarëve.

Titulli: Krime serbe në Kosovë

Konsulent në dy botimet: Sadik Ram Llapashtica

Me parathënie dhe pasthënie nga Çerçiz Loloçi

Redaktor: Rexhep Shahu

Shtëpia Botuese e Promovuese Klubi i Poezisë, Tiranë.

Arti grafik: Blendi Shahu

Filed Under: Histori Tagged With: Agim Neza, Çerciz Loloci, krimet serbe, Rexhep Shahu

NE PRITJE TE FITUESIT TE ZGJDHJEVE NE SHBA

November 5, 2020 by dgreca

Miçigani, një shtet vendimtar që do të ndihmojë në përcaktimin e fituesit në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, po vazhdon numërimin e “dhjetra mijëra” votave, sipas një zyrtareje të lartë të këtij shteti.

Në Detroit, ku vëzhgues të votimeve u ndaluan të hynën në sallën e numërimit të mërkurën pasdite, situata ishte a nderë.

Presidenti republikan Donald Trump e fitoi Miçiganin me një epërsi të lehtë në vitin 2016, por të mërkurën në mbrëmje organizatat kryesore të medias, parashikuan se demokrati Joe Biden kishte fituar në këtë shtet. Zoti Trump e ka bërë të qartë se do të luftojë për ta ndryshuar rezultatin atje.

“Ne e dimë se dhjetra mijëra vota nuk janë numëruar ende” në Detroit, Grand Rapids, Flint, Kalamazoo dhe qytete të tjera, tha Sekretarja e Shtetit, Jocelyn Benson në një konferencë shtypi të mërkurën në mëngjes.

Ajo tha se ishin pak më shumë se 100 mijë vota që kishin mbetur pa numëruar dhe pjesa më e madhe e tyre ishin vota me postë.

Me 99% të votave të numëruara, zoti Biden kishte një epërsi prej 60 mijë votash, sipas Detroit Free Press.

Zonja Benson tha në konferencën për shtyp se kishte besim se procesi i zgjedhjeve në këtë shtetit, mund ta përballonte një sfidë ligjore. Megjithatë, fushata e zotit Trump më pas depozitoi një padi, me anë të së cilës kërkonte numërimin në Miçigan, duke thënë se nuk ishte lejuar të vëzhgonin hapjen e votave.

Gjendja ishte e tendosir të mërkurën pasdite në qendër të Detroitit, ku zyrtarë të zgjedhjeve të qytetit ndaluan rreth 30 vetë, shumica republikanë që të hynin në sallën e numërimit të votave, për shkak të kufizimeve të kapacitetit për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Demokratët thanë se edhe ata ishin ndaluar. Një punonjës i votimeve i tha agjencisë Reuters se republikanët “po përpiqeshin të ngadalësonin dhe të pengonin numërimin”.

Policia e Detroitit u thirr për të zbatuar vendimin, dhe disa prej atyre që u ndaluan nga salla u acaruan kur zyrtarët e qendrave të votimit bllokuan dritaret me kuti picash dhe karton për të mos lejuar që ata të shihnin nga dritaret.

Shumë vetë qëndruan jashtë sallës duke shprehur protestën e tyre dhe duke kënduar “Zoti e bekoftë Amerikën”, ndërsa një grup i dytë i sfiduesve republikanë të zgjedhjeve të cilëve u ishte refuzuar hyrja u vendosën në një rreth për t’u lutur dhe brohorisnin “Ndalo votën” dhe “Ndalo numërimin “.

Greg King i fushatës Trump tha se problemi lindi kur njerëzit u larguan për drekë dhe nënshkruan se po dilnin. Kur u kthyen, kjo krijoi përshtypjen se kishte shumë njerëz në sallë.

Vëzhguesja demokrate e votimeve I Liz Linkewitz tha se edhe ajo dhe demokratët e tjerë ishin ndaluar, dhe kjo nuk ishte një çështje partiake.

“Jam shumë i zemëruar”, tha Sherman Rogers, 53 vjeç, një republikan i cili ishte midis atyre që u ndalua të hynte.

Një komisioner i zgjedhjeve të qytetit më vonë doli dhe shpjegoi se kontrolli i numrit të njerëzve në dhomë ishte i domosdoshëm për t’u mbrojtur nga koronavirusi, dhe kishte përfaqësues nga të dyja palët në sallë. Ai u largua pasi njerëzit vazhdonin të bërtisnin pa e dëgjuar.

Zonja Benson më herët tha se ajo ishte optimiste se shumica e votave të hedhura në ose para Ditës së Zgjedhjeve do të paraqiten në një numërim jozyrtar deri në fund të ditës.

“Numri i votave të panumëruara është akoma më i madh se diferenca e votave në shumë gara,” tha zonja Benson. “Qëllimi ynë është të sigurohemi se jemi transparentë, por edhe plotësisht të saktë.”

Padi ligjore nga ekipi i Presidentit Trump

Presidenti Donald Trump ndërmerr hapin e parë që mund të çojë në një betejë të zgjatur ligjore.

Në tre shtete kyçe të betejës elektorale për përcaktimin e fituesit të zgjedhjeve, në Xhorxhia, Miçigan dhe Pensilvani, zyrtarët e fushatës elektorale të zotit Trump paraqitën të mërkurën padi gjyqësore për menaxhimin e votave me postë, ndërsa në Uiskonsin ekipi elektoral i Presidentit Trump ka kërkuar rinumërimin.

Synimi është të pezullohet numërimi i votave të shumta të dërguara nëpërmjet postës, për të cilat Presidenti Trump ka deklaruar, pa paraqitur prova, se janë të manipuluara dhe se po shtojnë shanset e sfiduesit demokrat Joe Biden për të fituar zgjedhjet.

Ish-Nënpresidenti Biden është shpallur fitues në Miçigan dhe Uiskonsin, por ende nuk është shpallur rezultati në Xhorxhia dhe Pensilvani.

“Kërkojmë të shohim votat që u hapën dhe u numëruan ndërkohë që ne nuk patëm qasje të mjaftueshme”, tha menaxheri i fushatës Trump, Bill Stepien, në një deklaratë ku njoftoi padinë në Miçigan. Paditë u paraqitën pasi Presidenti Trump sinjalizoi më herët të mërkurën në mëngjes se do t’i drejtohet drejtpërdrejt Gjykatës së Lartë për të ndalur numërimin e miliona votave me postë.

Ekspertët ligjorë thonë se nuk ekziston mekanizmi që Presidenti Trump t’i drejtohet për ndihmë Gjykatës së Lartë për të ndalur numërimin në një proces zgjedhor të ligjshëm. Megjithatë, kërcënimi sugjeron se zoti Trump po përgatitet për një betejë ligjore paszgjedhore në këtë cikël nga më të ankimuarit në historinë amerikane.

“Ekipi i zotit Trump ka ndjekur të njëtat taktika për një vit, kështu që nuk imagjinoj dot ndonjë arsye pse të ndalen pa provuar të gjitha opsionet”, tha James Gardner, profesor i jurisprudencës dhe ekspert zgjedhor në Universitetin e Buffalos.

Ndërsa Gjykata e Lartë mund të ndërhyjë për të zgjidhur një mosmarrëveshje zgjedhore, ashtu siç veproi në betejën elektorale të vitit 2000 mes republikanit George W. Bush dhe demokratit Al Gore, pala paditëse duhet të kalojë përmes disa etapave ligjore.

Protesta në disa qytete amerikane ndërsa rezultatet e zgjedhjeve mbeten të paqarta

Protestuesit dolën në rrugë në disa qytete amerikane të mërkurën, duke bërë thirrje për një numërim të plotë të votave, ndërsa grupe më të vogla mbështetëse të presidentit Trump u mblodhën para qendrave të numërimit të votave në Miçigan dhe në Arizona.

Policia në New York arrestoi dhjetëra njerëz të mërkurën mbrëma pas asaj që kishte qenë një demonstratë paqësore. Zyrtarët thanë se një grup i vogël njerëzish “u përpoqën të rrëmbenin” protestën duke u vënë zjarrin plehrave dhe duke u përleshur me oficerët e policisë.

Protestuesit marshuan gjithashtu në Çikago, Los Anxhelos, Seattle, Hjuston, Pittsburgh, Minneapolis dhe San Diego. Përveç thirrjes për numërimin e votave, demonstruesit theksuan gjithashtu pabarazinë racore, subjekt i protestave të shumta gjithandej Shteteve të Bashkuara këtë vit.

Në shtetin veriperëndimor të Oregonit, Guvernatorja. Kate Broën aktivizoi Gardën Kombëtare ndërsa policia në Portland i cilësoi si trazira protestat e atjeshme duke kryer edhe arrestime.

Mbështetësit e Presidentit Donald Trump shkuan në një qendër të numërimit të votave në Detroit, Miçigan, për të kërkuar ndërprerjen e numërimit. Ata në një tubim të mëvonshëm në Phoenix të Arizonaa, brohoritën “Ndalni vjedhjen”.

Demonstratat e ndryshme shpërthyen ndërsa rezultati i zgjedhjeve të së martës mbeti i paqartë dhe presidenti bëri pretendime të pambështetura për mashtrim, ndërsa republikanët ngritën padi të shumta zgjedhore.

Miçigan, zyrtarët pengojnë rreth 30 vetë të hyjnë në sallën e numërimit të votave

Miçigani, një shtet vendimtar që do të ndihmojë në përcaktimin e fituesit në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, po vazhdon numërimin e “dhjetra mijëra” votave, sipas një zyrtareje të lartë të këtij shteti.

Në Detroit, ku vëzhgues të votimeve u ndaluan të hynën në sallën e numërimit të mërkurën pasdite, situata ishte e nderë.

Presidenti republikan Donald Trump e fitoi Miçiganin me një epërsi të lehtë në vitin 2016, por të mërkurën në mbrëmje organizatat kryesore të medias, parashikuan se demokrati Joe Biden kishte fituar në këtë shtet. Zoti Trump e ka bërë të qartë se do të luftojë për ta ndryshuar rezultatin atje.

Me 99% të votave të numëruara, zoti Biden kishte një epërsi prej 60 mijë votash, sipas Detroit Free Press.

Gjendja ishte e tendosur të mërkurën pasdite në qendër të Detroitit, ku zyrtarë të zgjedhjeve të qytetit ndaluan rreth 30 vetë, shumica republikanë që të hynin në sallën e numërimit të votave, për shkak të kufizimeve të kapacitetit për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Demokratët thanë se edhe ata ishin ndaluar. Një punonjës i votimeve i tha agjencisë Reuters se republikanët “po përpiqeshin të ngadalësonin dhe të pengonin numërimin”.

Policia e Detroitit u thirr për të zbatuar vendimin, dhe disa prej atyre që u ndaluan nga salla u acaruan kur zyrtarët e qendrave të votimit bllokuan dritaret me kuti picash dhe karton për të mos lejuar që ata të shihnin nga dritaret.

Shumë vetë qëndruan jashtë sallës duke shprehur protestën e tyre dhe duke kënduar “Zoti e bekoftë Amerikën”, ndërsa një grup i dytë i sfiduesve republikanë të zgjedhjeve të cilëve u ishte refuzuar hyrja u vendosën në një rreth për t’u lutur dhe brohorisnin “Ndalo votën” dhe “Ndalo numërimin “.

Fushata e Presidentit Trump kërkon ndërprerjen e numërimit në Xhorxhia

Fushata zgjedhore e Presidentit Donald Trump tha se kishte ngritur një proces gjyqësor në shtetin Xhorxhia që kërkon ndërprerjen e numërimit të votave në kështë shtet,

Padia, e ngritur kundër Bordit Zgjedhor të Qarkut Çatham i kërkon një gjykatësi të urdhërojë Qarkun të sigurojë dhe veçojë fletët e votimit të ardhura pas orës 19:00 ditën e zgjedhjeve, sipas një dokumenti gjyqësor të lëshuar nga fushata.

Fushata e Presidentit Trump ka ndërmarrë një sulm juridik në disa shtete të lëkundura pas zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.

Ekspertët: Gjykata e Lartë mund të mos ketë fjalën e fundit në zgjedhjet e SHBA

Ndërsa Presidenti Donald Trump synon që Gjykata e Lartë e SHBA të ndërhyjë në garën presidenciale, e cila është ende e paparashikueshme, ajo mund të mos jetë arbitri përfundimtar në këto zgjedhje, thanë ekspertët ligjorë.

Ata thanë se pak gjasa ka që gjykatat të pranonin një kërkesë të Presidentit Trump për të ndalur numërimin e fletëve të votimit që kanë arritur para ose në ditën e zgjedhjeve, apo që ndonjë mosmarrëveshje që mund të shqyrtojnë gjykatat të mund të ndryshonte trajektoren e garës në shtete të tilla si Miçigani dhe Pensilvania.

Twitteri pezullon llogari të rreme që shpallnin fituesin në një shtet

Twitteri pezulloi disa llogari që pretendonin në mënyrë të rreme se ishin të lidhura me agjencinë e lajmeve Associated Press. Llogaritë në fjalë përhapën rezultate të paverifikuara zgjedhore, sipas fotove të qarkulluara online dhe një analize të tyre.

Të katër llogaritë u çaktivizuan pasi njoftonin gjoja fituesin e njërit prej shteteve të lëkundura, që nuk ishte shpallur i tillë nga agjencia prestigjoze e lajmeve.

“Këto janë llogari false që nuk janë të lidhura me AP,” tha agjencia në një deklaratë.

Drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kibernetike dhe të Infrastrukturës pranë Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Christopher Krebs, tha në Twitter se “po shohim raporte nga llogari të rreme mediash që po shpallin fituesin në një shtet, mos u besoni!”(Kortezi- VOAL))

Filed Under: Histori Tagged With: Zgjedhjet en SHBA

KUJTOJ NDUE PALIN

November 1, 2020 by dgreca

Nga Fritz Radovani/

JANAR 1945: 118 Burra të Malësisë pushkatohen e hidhen në lumejë…

2 NANDOR 1945: Dhunohen gropat e të vramëve në Zallin e Kirit…

Ky djalë hyni nder të parat gropa në Zallin e Kirit… Me 15 Gusht 1945…

Kushedi sa herë kam pyet veten: “A ka guralec të pa lamë me gjak Zalli i Kirit, pranë Vorreve të Rrëmajit në Shkoder?!”… – Nuk besoj !! Lindëm e u plakëm me krismat e automatikëve e rrëkajët e gjakut që derdheshin në lumin Kir… E nder kaçuba ferrash, qira të ndezun prej Nanave tona, që tash 75 vjetë lotët e lutjet e Tyne vazhdojnë pa Ua dijtë as Eshtnat… 

Ikën një brez i tanë tue vue shenja e tue daltue shkronja tek Penda e Kirit po, të gjithë me zemer të plasun pa mujtë me Ua la Eshtnat nga balta dhe plehu i derdhun mbi gropat e Tyne, per njëgjysë shekulli tirani enveriste e ramiziste që e sundoi Popullin Shqiptar, me terror e vrasje barbare! 

Kur në degët e Çinarve shekullor fillonin me ardhë  dallndyshat, asnjena prej tyne nuk mujte me perfundue vjerrshen e Filip Shirokës, “Dallnyshë shko!”… E tymi i armëve të pabesa komuniste vazhdonte me nxi Kryqat e Vorreve të Rrëmajit, që tash 75 vjetë nuk janë tha një çast nga lotët e mija Nanave e Motrave Shkodrane, që vazhdojnë me puthë guralecat pertokë. 

Sa ruba e zezë e degermia e bardhë asht qendisë me ferrat e atij Zalli… 

Veç kur çoheshim prej gjumit e kerkojshim “driten” me shue friken që na kishte pushtue zemren në piken e shperthimit armëve vrastare me një të pafund gëërrrrrr… Që, shpeshë, e shifshim nder andrrat tona fëminore!  

Nuk fshihej nga kujtesa ynë asnjëherë ardhja e kamjonit me ushtarë, tek Vorret e Ndue Palit e Caf Metit me vllazen, të vramë me 15 Gusht 1945… 

Thymja e Kryqave e Shenjave mbi vorre, shtjelmat mbi fotografia dhe mbi Nanat e Tyne e, njerzit per rreth, nuk mund të fshihen nga kujtesa! 

Ajo pamje e mnershme e 2 Nandorit 1945 asht “komunizmi” i vertetë!

E komunizmi i vertetë asht vetem ai që po provon prap Populli Shqiptar!

Melbourne, 1 Nandor 2020. 

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, Kujtoj, Ndue Pali

NJË JETË NË DIKTATURË(3)

October 31, 2020 by dgreca

(Kujtime të një “armiku të klasës”)/

  “Ktu vaji e trishtimi/

Veç ndihet ndër shpija/

Ktu ndihet tingllimi /

I hekrave të mija/

E gjama e nji të shkreti/

Qi bjen vala e detit.”-NDRE  MJEDA /

I LIRUAR NGA TEPELENA NË GJIRIN E NJË FAMILJEJE TË DYTË–

Nga Eugjen MERLIKA-

Dy vite shkollë në qytetin e Tepelenës. Vetëm nxënësit lejoheshin të dilnin jashtë rrethimit të telave me gjemba, për të vazhduar shkollën shtatëvjeçare. Vetëm në arsimin e detyrueshëm nuk u bë dallim, atë mund t’a merrnin të gjithë. Më dalin parasysh skenat e vajtjes dhe kthimit nga shkolla. Më merrte për dore një vajzë mirditore, Bardha. Ishte më e madhe se un, më e rritur, megjithëse ishim në të njëjtën klasë. Ajo ishte kushërira e Pal Mëlyshit, familjen e të cilit e kishim karshi për karshi në kazermën e parë. Mësonim të gjithë ne, fëmijët e kampit; megjithëse t’uritur e të zhveshur, ishim më të mirët në mësime. Ç’ishte ajo fuqi që na jepte krahë të përballonim çdo ditë atë skëterrë? Ç’forca madhore viheshin përkrah nesh, për të na siguruar mbijetesën? “Zot i madh na ndihmo!”, kjo ishte ofshama nga thellësia e shpirtit, vetvetiu në çdo çast dhimbjeje e ligështimi…

Mbas dy vitesh qëndrimi në kampin e Tepelenës erdhi urdhëri që fëmijët të liroheshin nga interrnimi. Kush pati familjarë të lirë vajti tek ata. Un mbeta i vetëm me gjyshen, deri sa xhaxhai i babait, mjek i dëgjuar i fëmijëve në Korçë, më mori në shtëpinë e tij. Ai me të shoqen u bënë për mua prindër të dytë, më trajtuan me dashuri e dhëmshuri të madhe, u kujdesën për fatin tim gjithë kohën, u përpoqën me të gjitha mënyrat të ndreqnin sadopak jetën time të nisur keq. Por plaga në shpirtin tim ishte shumë e thellë. Kushtet materiale të jetës sime ishin si dita me natën me të shkuarën, por mungesa e prindërve nuk mbushet me asgjë, sado që un gjeta prindër të dytë që i desha me gjithë shpirt. Mëndja ime shkonte përtej telave me gjemba, ku veç e veç qëndronin gjyshja, nëna dhe babai. Pasiguria, ankthi për jetën e tyre, malli, dhimbja më bënin që fshehtas të derdhja lotë të hidhur. Ata lotë fëmije tetë vjeçe, ashtu si të mijëra fëmijëve anekënd Shqipërisë ishin perla që “stolisnin” kurorat e të fuqishmëve të botës. Por në atë moshë të njomë ne fëmijët nuk i kuptonim gjërat, kurse sot ata nuk e kanë naivitetin tonë të atëhershëm.

Prindërit tanë asokohe nuk bisedonin në sytë tanë për gjendjen e tyre e të vendit, apo problemet politike. Terrori kishte depërtuar  deri në qeliza dhe askush nuk guxonte të thoshte të vërtetën. Kështu që ne brumoseshim me dashurinë e “pafund” për Partinë, xhaxhi Enverin, mbi të gjitha për xhaxhi Stalinin. Këta iluzione, që na fuste shkolla, binin ndesh me trajtimin tonë në jetë, por ne nuk ishim në gjëndje të mendonim me kokën tonë. Më kujtohet një episod sa qesharak aqë dhe i dhimbshëm. Kisha vajtur për takim tek nëna që ishte në kampin Nr. 3 tek Fabrika e tullave në Tiranë. Ishte vera e vitit 1953. Nëna dhe shoqet e saj punonin në kaminat e tullave brënda telavet të kampit. Mua më lejoi oficeri të qëndroja dy ditë brënda në kamp. Në bisedë me gratë dhe vajzat që banonin në një dhomë me nënën (mund të ishin rreth njëzet veta) un i pyeta ato pa të keq nëse kishin qarë kur vdiq Stalini. Ato filluan të qeshin dhe thanë se e vetmja gjë e mirë që përfituan ishte se patën dy ditë pushim. Un, i indoktrinuar nga shkolla dhe jeta jashtë, ju përgjigja me inat: “Mirë ja u bëjnë juve që ju mbajnë këtu brënda”. Ato shpërthyen përsëri në gaz. Kishin të drejtë të qeshnin me mua, që kisha harruar Tepelenën dhe s’kuptoja autorët e vërtetë të tragjedisë. Në krahasim me fëmijët e sotëm, që ngrenë dy gishtat lart, ne duhet të pranojmë se kemi qënë shumë naivë, për të mos thënë të marrë e ndoshta kjo spjegon dhe jetëgjatësinë e dogmave staliniste për dhjetëvjeçarë të tërë.  

Por dua të kthehem përsëri te Tepelena, një gozhdë e ngulur thellë në ndërgjegjen, zemrën dhe trurin e shumë bashkatdhetarëve të mi të mesit të shekullit njëzetë. Strategjia e shfarosjes fizike shoqërohej me një tjetër, ende më djallëzore, atë të prishjes së njeriut, për të cilën nuk kurseheshin mjetet e mënyrat më të ndryshme. Në kushte jashtzakonisht të vështira fizike, morale e psikologjike, shumica dërmuese e asaj bashkësie e mbajti ballin lart, nuk e nxiu faqen, ruajti dinjitetin, karakterin, respektin e dashurinë për njëri tjetrin. Në kazerma të mëdha, me dy rradhë shtretërish flinin mbi pesëqind vetë e për çudi të “arkitektëve të ndritur” të asaj poshtërsie njerëzore asnjë skandal moral nuk ndodhi. Të gjithë u quajtën motra e vëllezër e të tillë mbetën në kujtimet e njëri tjetrit, duke sfiduar diktaturën dhe ligjet e saj mizore. Pa asnjë ndihmë, ata njerëz mes të cilëve jetova dy vjet, përballuan ata vite të gjata derisa më 1953, si pasojë e “qiejve të hapur” dhe trysnisë së opinionit të jashtëm, Qeveria vendosi mbylljen e kampit famëkeq të Tepelenës. 

Për “çudi”, mbasi  “morën vesh” nga gazetat dhe radiot e huaja praninë e metodave të shfarosjes në praktikën e përditëshme të kampit, oficerët e Ministrisë së Brendëshme, që erdhën për të komunikuar prishjen e tij, si zëdhënës të denjë të padronëve të tyre, shprehën “habinë” për çka kishte ndodhur. Hipokrizia kriminale shkonte deri në ngarkimin e përgjegjësisë viktimave, mbasi “nuk qenkëshin ankuar më lart”, një mënyrë sa e ndyrë aq dhe cinike për të fshehur ata që kishin projektuar deri në detaje krimin e që drejtonin fatet e vendit. Ishte një përpjekje trashamane për të shpëtuar “faqen e larë” të udhëheqësve, për të cilët ”njeriu është kapitali më i çmuar”. Është për t’u habitur fakti që ende sot e kësaj dite ka njerëz që me ndërgjegje thonë se “uji vjen i kulluar nga lart, por turbullohet poshtë”, se Qeveria mendonte për njerëzit por kuadrot poshtë vepronin simbas dëshirave të tyre. Çfarë naiviteti për të gjetur spjegimin e aqë shumë të këqijave!   

Mbas strategjisë së shfarosjes së kampit të Tepelenës udhëheqja projektoi një sistem të ri për atë masë njerëzish që përfaqësonte “opozitën” ndaj socializmit. Kish vdekur Stalini dhe themelet e veprës së tij kishin filluar të lëkundeshin në endin e tij; përgatitej takimi i Gjenevës i Katër të Mëdhenjve, Nikita Krushovi filloi të fliste për kurs të ri. Udhëheqja staliniste shqiptare mendonte se nuk ishte më i dobishëm terrori masiv, i ushtruar për dhjetë vite me rradhë. Shembujt e tij janë fakte bindëse e të shumta. Mjafton të kujtojmë Bedenin, Orman-Pojanin, Vloçishtin, Vlashukun e të tjerë kampe pune të detyruar, ku kanë vdekur me qindra të dënuar politikë, ku njeriu varrosej i gjallë në llucën e kanalit nga çizmja e policit. Të kujtojmë gjithë ata të pushkatuar për bombën e hedhur në oborrin e Ambasadës Sovjetike, represionin e pashëmbullt mbi popullin e Mirditës mbas vrasjes së Bardhok Bibës e të tjera shfaqje mizore të diktaturës  komuniste në ata vite të kobshme.

Tani duhej ndryshuar taktika. Internimi merrte një formë tjetër dhe vendi i zbatimit  të tij u caktua Lushnja, një qytet në qendër të Shqipërisë, pranë kënetës së Tërbufit. Aty do të ndërtohej një fermë e re dhe kishte nevojë për krahë pune. Këtu u grumbulluan shumica e t’internuarve, të shpërndarë në kampe të ndryshme. Këtu edhe un u bashkova me gjyshen, nënën dhe xhaxhain që kishte kryer  dënimin e tij me burg. 

Grabian, qershor 1990

Vijon

Filed Under: Histori Tagged With: Eugjen Merlika, Nje jete ne Diktature

Vrasja e At Zef-Leonard Tagaj, vepër kriminale e pushtetit jugosllav

October 30, 2020 by dgreca

Dosja: Krimet e komunizmit-

Vrasja e At Zef-Leonard Tagaj, vepër kriminale e pushtetit jugosllav

(Me rastin e 75-vjetorit 1945-2020)-

Vetëm personat me dinjitet dhe karakter sikurse ishte At Zef-Leonard Tagaj, u fliju me vetdije në emër të misonit të tij françeskan për të shpëtuar popullsinë e Malësisë, ndaj planëve djallëzorre të pushtetit komunist i instaluar pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, me pasoja të mëdha shoqërore e kombëtare  që janë të pranishme deri në ditët tona.

Shkruan: Nail Draga/

Ndër personalitetet e nderuara të krahinës së Krajës së Shkodrës bën pjesë edhe At Zef –Leonard Tagaj, teolog, poliglot dhe humanist i dalluar në kohën e tij,  i cili u eliminu nga pushteti i komunistëve kur ishte në detyrën e meshtarit në famullinë e Trabonit në Malësi më 19.2.1945. Ai ka lindur në Ljare në vitin 1910, në një familje fisnike e njohur më virtyte tradicionale të populllit tonë pas shkollimit fillor, ka vijuar shkollimin në kolegjion françeskan në Napoli të Italisë(1926-1928). Ishte pikërisht viti 1928, kur ka veshur zhgunin për të parën herë e do ta mbajë deri në vitin 1945, kur vritet nga pushteti i komunistëve. Në vitin 1929, ka studiuar filozofinë në Nocera, ndërsa në vitin 1936 shugurohet meshtar. Përveç diplomës së filozofisë e teologjisë, ai mori diplomë edhe në infermieri  dhe kirurgji misionare. Me këto aftësi kthehet në vendlindje, ku pasi caktohet më detyrë fillon punën si famullitar në famullinë e Traboinit me 25 gusht 1937. Në këtë famulli u vendos me nënën e tij dhe dy mbesat nga vëllau(Maria e Roza), ku u pritën me dashamirësi nga popullsia vendore. Ardhja e tij në këtë famulli ishte ngjarje e veçantë sepse dinte gjuhën, historinë, traditat dhe kulturën e tyre, sepse para tij këtu kanë qenë famullitar dy kroatë.Harmonia e krijuar me popullsinë e Traboinit, bëri që ai këtu të ndihej si në shtëpinë e vet, që është dëshmuar nga shumë dëshmitar të kohës.

Në mjedisin   e ri ku jetoj e veproj pater Zefi,  kemi të bëjmë me një zonë kufitare ku nuk ishte lehtë të përballoheshin rrethanat shoqërore. Sepse kemi të bëjmë me një kohë lufte qe ai ka ditur ti menaxhojë në sajë të zgjuarsisë dhe parimeve si misionar i devotshëm. Kemi të bëjmë me kohën e Luftës së Dytë Botërore, e cila edhe në këtë mjedis ka pasur keqperdorime e manipulime politike, por ai ishte i denjë një qendrimin e guximin e  tij me mision në mbrojtjën dhe ruajtjën e popullit, ku pati sukses të plotë.Ishte në favor të ruajtjës së paqës dhe marrëdhënieve të mira mes njerëzve dhe krahinave për rreth. Por, veprimtaria e tillë dhe autoriteti popullor ishte pengesë e qarqeve antishqiptare, që u dëshmu me rastin e ardhjës në pushtet të komunistëve nga fundi i vitit 1944. Ishte koha e ideologjisë komuniste dhe e bashkëpunimit jugosllavo-shqiptar që ishte fatale për popullin shqiptar, që u dëshmu në praktikë, ndaj të gjithë atyre që trajtoheshin si armiq apo kundërshtar të sistemit të ri. 

U fliju për të shpëtu popullin 

Më datën 19 shkurt 1945, shtëpia ku banonte At Zefi rrethohet, nga pjesëtarët e ushtrisë jugosllave, që udhëhiqej nga Bajo Stankoviqi. Në këtë moment ndihmësi i fratit Frano Mirashi, deshti të përdorë armën dhe të vrasë dy epror përgjegjës, për mos me e dorëzu fratin gjallë. Por, ishte  frati largpamës  që nuk e lejoj një veprim të tillë, sepse e dinte se ky do të ishte shkas, që ata të hakmerrën duke vra e masakru popullsinë e Hotit. Ndonëse frati ishte paralajmëru më herët se mund ta vrasin komunistat ai ishte i bindur se nuk  do të ndodhë diçka e tillë, sepse nuk iu  kishte bërë asgja kërkuj. Por, ishte e kotë se ata e kishin planifikuar ta likuidojnë, ku më pas e marrin fratin   dhe e drejtojnë jo nga Tuzi, por drejtim tjetër, të vendi i quajtur Lugje të Thella, ku e pushkatojnë së bashku me Vasel Marashin Camaj. Përveç se u pushkatu, sipas dëshmitarëve okular ai u plaçkit, ku vrasësit ia morën rrobat e trupit,  duke u lënë aty në ambient të hapur dy ditë.

Pushteti jugosllav masakron shqiptarët në Malësi

Duke njohur dhe përjetuar rrethanat shoqërore të kohës, frati e kishte të qartë se komunistat do të bëjnë çmos për të treguar pushtetin e tyre e ri, e sidomos kundër popullsisë shqiptare në Malësi. Dhe ishin pikërisht personat të veçantë që ishin në shënjestër të tyre ku përveç fratit kishte edhe të tjerë, që këtë pushtet e vlerësonin si të imponuar e jo i zgjedhur nga populli. 

Por, kur nuk gjetën arsye për të masakrue popullsinë në Hot, atëherë vazhduan në Grudë  vranë Gjekë Çunin dhe maltretuan disa të tjerë.Por, këtu nuk u ndalën më kaq, sepse këtu vranë Zef Miliqin Lulgjuraj, kumarën e tij Losh Gjokun e Hotit dhe tre bijtë e Prekë Tomë Lulgjuraj: Lucën, Dodën dhe Gjergjin, si dhe Kolë Gjelin nga Trieshi.Po atë ditë që u vra At Zefi, nga ushtria jugosllve u pushkatua edhe Pjetër Zeka Camaj nga fshati Spi.

Ishin këto  vrasje nga ana e  pushtetit që po instalohej, kundër shqiptarëve e Malësië, duke dëshmuar moralin e tyre kriminal me urrjetje patologjike kundër  popullin shqiptar që vazhdoj me burgosje e vrasje edhe në vitët në vijim.

Nuk ka dielemë se po të kishte pasur rezistencë të armatosur nga ana e popullit kundër ushtrisë jugosllave,në atë kohë pa dyshim se popullsia vendore do të ishte masakru në përmasa të mëdha, sikurse frati dhe këto burra të tjerë. Sepse qellimi i pushtetit  të ri komunist, ishte vendosja e dhunës, më qellim për të eliminuar të gjithë ata të cilët nuk janë mbeshtetës të tyre, apo kanë autoritet në mjedisin përkatës dhe ndikim në popull. 

Për malësorët në Malësi të Madhe, krimet e sllavëve nuk janë të panjohura, sepse ata ndonëse tash nën rrobat e pushtetit komunist, vazhduan  masakrat e mëhershme që janë bërë nga paraardhësit e tyre sikurse ishte ajo e 24.12.1919, kur u likuidunan  74 persona  në Drume, pasi i kishin marrë peng nga kisha e Traboinit në Hot.

Pse e vranë At Zefin?

Një nder dilemat që ende edhe sot ka mbetur e pa shpjeguar ka të bëjë me ate se cila ishte shkaku të eliminohet At Zef-Leonard Tagaj. Por, në rrethana të tilla në ndryshim të pushtetëve, jo rrallë herë janë eliminuar të pafajshmit, të cilët kanë qenë pengesë imagjinare për pushtetin e kohës. Deri më tash nuk ka asnjë të dhënë zyrtare në këtë aspekt, sepse vrasësit nuk kanë dashur të lëjnë gjurmë të dokumentura, andaj ekzistojnë vetëm të dhëna të besueshme nga qytetarët e Hotit e tërë Malësisë për meshtarin e famullisë së Traboinit. 

Ka ekzistuar vlerësimi unanim si At Zef-Leonard Tagaj ka qenë meshtar i nderuar, më autoritet popullor, me qendrim e parime kombëtare, njëri i rrallë i kompletuar me virtyte njërëzore dhe së është vra tërësisht i pafajshëm. Ishin pikërisht këto vlera njerëzore që ishin pengesë për pushtetin e ri komunist, andaj vendosën për ta eliminuar pa proces gjyqësor, për të përhapur frigë e pasiguri  të populli i Malësisë. 

Humbën gjurmët në bibiotekën e famullisë

At Zef-Leonard Tagaj ishte zotërues i gjuhëve klasike e moderne si dhe i retorikës. Ai ishte në rrjedhat intelektuale të kohës, shkonte shpesh në Shkodër, ku kishte kontakte me personalitete të nderuara, dhe atje merrte botimet e reja nga lëmia e teologjisë por edhe të asaj  kulturore. Bëhet më dije se duke qenë studiues i teologjisë e filozofisë është marrë edhe me shkrime. Por, mjerisht, armiqt e tij nuk kanë lënë asgjë prej shkrimeve të tij, duke zhdukur gjurmet në bibliotekën e famullisë së Hotit(1937-1945). Dhe një veprim i tillë të përkujton kohën e fashizmit, kur digjeshin librat dhe vriteshin autorët e tyre, si të rrezikshëm për pushtetin e kohës.

Nderohet jeta e veprimtaria

Më rastin e 70-vjetorit të vrasjës së At Zef-Leonard Tagaj,më 19.2.2015,në organizim të Misionit françeskan në Malësi dhe famullia e Traboinit, udhëhequr nga At Fran Dushaj, realizuan shtegtimin për të vendi i vrasjes së tij. Ishte ky fillimi i angazhimeve për të shënuar në mënyrë dinjitoze personalitetin e ndëruar fratin e Traboinit në këtë vit jubilar të vrasjës së tij.  Më pas u inicu nisma për të bërë zhvarrimin e mbetjeve mortore nga varri ekzistues pranë kishës, duke i vendosur në hapësirën brenda kishës së Traboinit, me 21 gusht 2015. Ndërsa më rastin e këtij përvjetori  me 30 gusht 2015,  Misioni françeskan në Malësi, Famullia e Trabonit dhe Arqipeshkvia e Tivarit  organizuan  veprimtari përkujtimore ku  para qytetarëve të pranishëm  u bë zbulimi i shtatorës së At Zef-Leonard Tagaj punuar nga skulptori shkodran Pjerin Kolnikaj si dhe u bë  bekimi i varrit të tij në lterin e kishës së Trabonit.

Po ashtu At Fran Dushaj, famullitar i Traboinit, ka botuar tre vëllime kushtuar jetës dhe veprimtarisë së të ndjerit At Zef-Leonard Tagaj, duke i ofruar opinionit  botime me vlerë profesionale, për shqiptarët jo vetëm në Malësi por në tërë hapësirën etno-gjeografike shqiptare.Me këto veprime nderimi ndaj figurës dhe veprimtarisë teologjike e shoqërore të At Zefit, dëshmohet  se ai nuk është harruar dhe do të nderohet vazhdimisht të populli shqiptar me pietet ashtu siç ishte ai me veprimtarinë e tij.

Përfundim

Ndonëse janë bërë përpjekje qe në lidhje me ngjarjet e ndodhura pas përfundimit të LDB në hapësirën etno-gjeografike shqiptare në përgjithësi e në ato shqiptare në Mal të Zi ende deri sot nuk janë hulumtuar me seriozitetin shoqëror e atë shkencor. Nëse në monizëm një përpjekje e tillë ishte e rrezikshme dhe me pasoja, në pluralizëm ekzistojnë mundësi praktikë në këtë drejtim.

Shqiptarët në Malësi të Madhe janë ekzemplar i veçantë në këtë aspekt, sepse ata u ndjekën, burgosën, internun e vrarë nga pushteti i ri komunist, për qëllime të tyre ideologjike. 

Por me këtë rast duhet thënë se popullsia shqiptare e Malësisë në kuadër të Malit të Zi ishte në mes dy zjarreve (Mali i Zi dhe Shqipëria) sepse pushteti i instaluar komunist nga viti 1944 e më pas, në shënjestër kishte personat me autoritetet dhe familjet me ndikim shoqëror. Kemi të bëjmë me plane djallëzore të komunistëve për eliminuar kundërshtarët apo siç kanë cilësuar ata të armiqve të pushtetit popullor.

Në këtë kategori të personave bënte pjesë edhe djali i Shestanit e frati i Hotit, At Zef-Leonard Tagaj. Me qëndrimin dhe parimet e tia teologjike e shoqërore ai ishte i papërshtatshëm për pushtetin e ri. Si i tillë ai ishte pengesë në realizimin e objektivave të tyre kundër shqiptarëve në Malësi, përkatësisht në Mal të Zi. Ai u pushkatua pa gjyqë nga kriminelët e kohës nga njësitë ndëshkuese të ish Armatës Jugosllave. Dhe ky nuk ishte i vetmi sepse  kriminelët vranë edhe malësorë të tjerë, duke dëshmuar se e ardhmja e shqiptarëve në Malësi do të jetë e pa perspektivë dhe luftë për mbijetesë në trojet e tyre autoktone. 

Lë të jetë ky përvjetor një nxitje për të hulumtuar e shpalosur para opinionit të gjërë martirizimin e shumë shqiptarëve në Mal të Zi të cilët u eliminuan  në forma të ndryshme nga pushteti monist nga viti 1944-1990, sepse kemi të bëjmë me dosjen e krimeve të komunizmit kundër popullsisë shqiptare.

Dhe në fund e them se është obligim moral, profesional e kombëtar i yni që të punohet sa më parë në këtë drejtim, sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët!.

(Tetor 2020)

C:\Users\Labi\Desktop\ZEF TAGAJ\img4134.jpg

                 At Zef-Leonard Tagaj 1910-1945

Filed Under: Histori Tagged With: At Zef-Leonard, Nail Draga

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 240
  • 241
  • 242
  • 243
  • 244
  • …
  • 710
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!
  • PERSONALITETE TË MËRGATËS SHQIPTARE NË MICHIGAN VIZITUAN KISHËN ORTODOKSE SHQIPTARE TË SHËN THOMAIT
  • VATRA CHICAGO ORGANIZOI “ALBANIAN BOOKFEST 2026”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT