• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përse nuk përmendet roli i Kol Bib Mirakës për shpëtimin e hebrenjëve?

October 30, 2020 by dgreca

Mesazh: Në Tiranë u mbajt Forumi i parë ballkanik kundër antisemitizmit – ku u fol për rolin e Shqipërisë në shpëtimin e hebrenjve.Bazuar në ato që dëgjova roli i Kol Bibës në shpëtimin e hebrenjve nuk u përmend nga udhëheqsit shqiptarë (Kryeministri Rama dhe Kryetari i Kuvendit, Ruçi që morën pjesë në forum.

Nga Frank Shkreli*

Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë-

Më poshtë është një artikull i botuar tre vjet më parë.  Në këtë 75-përvjetor të çlirimit të kampit nazist Auschwitz, po flitet dhe shkruhet shumë në median shqiptare mbi shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Por, pothuaj askush nuk përmend rolin e Kol Bib Mirakës i cili si Ministër i Brendshëm, në atë kohë, autorizoi lëshimin e pasaportave shqiptare për hebrenjtë në Shqipëri,duke ua bërë të mundur largimin e tyre nga Shqipëria  duke shpëtuar jetën e rreth 2000 hebrejve.  Askush nuk flet për këtë fakt historik sot, megjithëse ekzistojnë dokumentat historike për rolin e tij, siç është libri i Z.Faik Quku, me titull, “Qëndresa Shqiptare Gjatë Luftës së Dytë Botërore.”  Një shënim mbi këtë libër mund ta lexoni më poshtë, botuar tre vjet më parë. Ka ardhë koha që edhe emri i Kol Bib Mirakës të rreshtohet në listën e atyre shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë nga nazistët, por edhe në pllakën e nderit, “Righteous Among the Nations” të shtetit të Izraelit, për njerëzit që rrezikuan edhe jetën gjatë Hollokaustit për të shpëtuar hebrenjtë nga zhdukja fizike.

***

 Frank Shkreli: Kol Bib Mirakaj: Më në fund një e vërtetë historike

Më në fund, historia flet, njihet e vërteta.  Të pakën në një rast.  Deri tashti dikush tjetër dhe të gjithë të tjerët emër e pa emër, të merituar e të pa merituar, morën kredinë për shpëtimin e hebrenjve nga nazistët gjermanë, në Shqipërinë e okupuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por asnjëherë, në këto 25 vitet e fundit, nuk iu përmend emri protagonistit kryesor të shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri nga Kolë Bib Mirakaj, të cilin…historiografia komuniste e karakterizon me epitete fyese të lloj-llojshme.

Shumë vite më parë, unë e kisha dëgjuar rolin që kishte luajtur Kol Bib Mirakaj në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore nga babai i bashkshortës time Vitores, (Pashk Ademi Markgjonaj), por edhe nga bashkohas të tjerë të Kol Bibës, si Ernest Koliqi, e të tjerë.  Por në mungesë të ndonjë dokumentacioni si ky që ka zbuluar dhe botuar në librin e tij kohët e fundit, Faik Quku – i mbajta të dhënat e tyre, të qeta, në heshtje mbrenda vetes.  Ishte një heshtje, jo vetëm për mua por edhe për shumë të tjerë që kishin dëgjuar të njëjtën bisedë, por në mungesë të dokumentacionit si është ky i paraqitur nga autori Faik Quku, duhej pranuar në heshtje ato që dëgjonim e lexonim për shpëtimin e hebrenjve shqiptarë, megjithse jo të gjitha të dhënat e këtij rasti që kemi dëgjuar deri tani, i përgjigjeshin të vërtetës.

Mbarë Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët kudo, me të drejtë duhet të jenë krenarë për shpëtimin e hebrenjve shqiptarë nga nazistët, por është një njollë e zezë mbi ata që kanë promovuar këtë akt me të vërtetë humanitar të shqiptarëve, por pa përmendur kurrë rolin që ka luajtur Kol Bib Miraka në këtë mes.  Por, ja tani, gazeta e Tiranës “Telegraf” sjellë një lajm për lexuesit e saj, në lidhje me librin e autorit Faik Quku, me titull, “Qëndresa Shqiptare Gjatë Luftës së Dytë Botërore”, ku dokumentohet roli i Kol Bib Mirakës në shpëtimin e hebrenjve, dokumenta të kohës këto, të nënshkruara nga vet dora e tij si Ministër i Brendshëm i Shqipërisë së asaj kohe.  Tashti, kemi librin e Faik Qokut dhe dokumentacionin siç duket të padiskutueshëm që përbën mbrenda veprat e tij në lidhje me rolin që ka luajtur Kol Bib Miraka gjatë luftës.

Sipas gazetës “Telegraf”, në librin e tij, autori Faik Quku, bazuar në dokumentacion, ka paraqitur disa të vërteta rreth jetës dhe veprës së Kol Bib Mirakajt.  Siç mund të shihni në linkun e gazetës Telegraf http://telegraf.al/opinion/kole-bibe-mirakaj-ministri-shqiptar-qe-shpetoi-2000-hebrenj-2/ spikaten dy gjëra me rëndësi historike, sipas dokumentave të zbuluara nga autori…

Njëra nga këto të vërteta ka të bëj me vendimin e Kol Bibë Mirakës për të paisur me pasaporta shqiptare 2000 hebrenjtë që gjatë Luftës së Dytë Botërore ndodheshin në territorin shqiptar, një akt ky që mundësoi strehimin e tyre në Italinë jugore, të çliruar nga anglo-amerikanët, duke i shpëtuar ata nga forcat naziste.  E vërteta e dytë me rëndësi është fakti i zbuluar me këtë libër se Ministri “fashist” Kol Bib Mirakaj kishte refuzuar shumën e parave që hebrenjtë donin t’i jepnin atij si shpërblim për vendimin e tij humanitar. Jo një herë, por refuzoi parat dhe napolona ari, dy herë: një herë Shqipëri dhe tjetrën herë në Romë, ku Kol Biba ishte i mërguar dhe ku jetonte në skamjen më të madhe, për të cilin kujdesej urdhëri françeskan, nga të cilët varej për bukën e gojës.

Ta merr mendja se vendimi i Kol Bib Mirakës, si ministër i Brendshëm i asaj kohe duke paisur me pasaporta hebrenjtë shqiptarë për tu larguar shëndosh e mirë nga Shqipëria  mund të kishte pasur pasoja të rënda për ‘të, po të ishte zbuluar ky akt humanitar i tij nga nazistët.  Thonë se burri dhe miku i mirë njihet në ditë të vështirë!  S’ka dyshim se për hebrenjtë shqiptarë Kol Bib Mirakaj, jo vetëm që ishte burrë dhe mik i mirë në një ditë tejet të vështirë për ta, por autori Faik Quku provon se ai në të vërtetë ishte diçka më tepër, ai ishte shpëtimtari i tyre, i cili  madje edhe refuzoi çdo shpërblim nga hebrenjtë shiptarë për paisjen e tyre me pasaporta shqiptare, gjë që tani dihet se bëri të mundur largimin e tyre për në Itali.  Si do që ta merrësh, për atë kohë, por edhe për sot, ky ishte një akt heroik nga ana e Kol Bib Mirakës, për të cilin flitet shumë pak ose aspak!

Tani, kemi librin e Faik Qukut dhe dokumentacionin që përbën mbrenda vepra e tij, mbi rolin e Kol Bib Mirakës në shpëtimin e 2000 hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, që vet Kol Bib Mirakaj do të shprehej se nuk kemi më nevojë tani, “Me pranue më heshtjen tonë për një cilësim të tillë që nuk i përgjigjet të vërtetës”, sepse ka shkruar ai në librin e tij “Vrasja e Nji Kombi”, me heshtje, “Mua më është dukë se bëjmë krim kundër vetvetes, kundër historisë e kundër fëmijëve e njerzëve tanë, që do të mbeteshin me kryeultë për breza të tanë, para shoqërisë.”

Kol Biba do të falenderonte Faik Qukun, që me librin e tij mbi këto të vërteta të dokumentuara nga jeta e Kol Bib Mirakës, ai i jep “histori-shkruesit të së nesërmes një  dokument që ta kenë të gjithë Shqiptarët për studim”, një dokument që ai do të pohonte se ia “nxjerrë kartat në shesh dhe ia parashtron haptas Gjyqit të Historisë”, ngjarjet e asaj periudhe.  Ndonse nuk e kam lexuar librin, duke vlerësuar nga këto të dhëna të paraqitura në Gazetën Telegraf, me librin e tij, autori Faik Quku zhdukë jo vetëm heshtjen por edhe shumë paragjykime dhe të pavërteta të promovuara nga disa pseudo historianë shqiptarë, mbi rolin dhe veprimtarinë e shumë…personaliteteve shqiptare, përfshirë Kol Bib Mirakën, gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore.

Filed Under: Histori Tagged With: Frank shkreli, Kol Bib Mirakaj, Mosnjohja, Shpetimi i Hebrejve

TEPELENA- NJË JETË NË DIKTATURË(2)

October 28, 2020 by dgreca

(Kujtime të një “armiku të klasës”)/

  “Ktu vaji e trishtimi/

Veç ndihet ndër shpija/

Ktu ndihet tingllimi /

I hekrave të mija/

E gjama e nji të shkreti/

Qi bjen vala e detit.”/

NDRE  MJEDA /

TEPELENA DHE TMERRET E SAJ TË PËRBINDËSHME/

Një ditë nëntori të vitit 1949 na vunë në një kamion e na nisën për një rrugë të gjatë, të gjatë, që kalonte fusha, lumenj e male dhe përfundonte në Tepelenë. Tepelena… e famshme në historinë shqiptare si vendi nga nisi veprimtaria e njerit nga personalitetet më komplekse e më të diskutueshme të Kombit shqiptar, Ali Pashës, Vezirit të Janinës, do të bëhej, në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë, simboli më i gjallë e më rrënqethës i tmerrit që vetëm stalinizmi shqiptar mund të shpikte. Tepelena, zyrtarisht Kampi i dëbimit, në fakt ai i shfarosjes së njerëzve, pa dyshim barabitej me Mathauzenin, Aushvicin, Bukhenvaldin. Është e vërtetë se nuk pati krematoriumet e tyre por, puna e detyruar, mungesa e ushqimit, mizoria e aparatit policor e bënin vdekjen çdo ditë më të dëshiruar se jetën. Vdekja qëndronte pezull mbi kampin tonë, e kishte pothuajse çdo ditë prenë e vet mes një turme të larmishme shqiptarësh, nga të gjitha moshat e nga të gjitha krahinat, të futura në pesë kazerma të mëdha ushtarake me qindra vetë secila.

Tepelena dhe kampet e tjera të punës ishin varrezat e hapura mbi trupin e Shqipërisë, dëshmitë më të fuqishme, më tronditëse e më të pakrahasueshme të diktaturës së komunizmit shqiptar të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut etj. Tepelena është një njollë turpi e pashlyeshme në ndërgjegjen e Kombit. Është detyrë e veçantë e  demokracisë shqiptare t’i kujtojë me një përmendore madhështore viktimat e pafajshme të asaj tragjedie të madhe. Është edhe një detyrë e letërsisë së lirë shqiptare t’i japë botës një Arqipelag Gulag të markës shqiptare. Tepelena ka aqë shumë lëndë nga kujtimet e njerëzve, sa një pendë e fuqishme ( besoj se demokracia do t’i nxjerrë ato) do të krijonte një vepër madhore me përmasa botërore. Tragjeditë shpirtërore e jetësore që janë zhvilluar në atë kamp nuk kanë të numuruar. 

Dita në kamp fillonte me natë, në orën tre të mëngjesit. Policët analfabetë e nisnin në atë orë leximin e apelit një për një të të internuarve dhe e mbaronin në ora pesë. Pastaj fillonte marrja e mëngjesit, një ujë i zierë që kishte emrin çaj. Më pas vargu i gjatë i grave, burrave, të rinjve nisej për në mal, për të plotësuar normën e druve- prerje e ngarkim në kurriz- nën vrojtimin e policëve me pushkë në krah. Do të furnizonin me dru ushtrinë, kampin për gatim, komandën për ngrohje, degën e punëve të brëndëshme, familjet  e oficerëve e të policëve, të nëpunësve të komitetit të partisë dhe atij ekzekutiv… Njerëzit ishin kthyer në rolin e mushkës, episodet e dhimbjeve të kësaj pune arrijnë maja të tilla therëse, që do të fyenin ndërgjegjen e çdo qenieje që quhet njeri. 

Mbaj mënd sesi natën e Vitit të Ri 1951, sëbashku me gjyshen, prisnim të kthehej nëna nga mali. Gjyshja kishte gatuar diçka, një si qull me pak miell, që do t’a hanim për të “festuar” Vitin e ri. Nëna ime u kthye sëbashku me tri shoqe të saj, vajza të eksponentëve politikë të njohur antikomunistë, të ashtuquajtur “tradhëtarë”. Pasi u kthyen të gjithë në kamp, ato polici i ngarkoi përsëri me dru dhe i nisi për në qytet, për të çuar dru në shtëpinë e një oficeri të policisë. Afër mesnatës ato u kthyen në kazermë. Ç’vit i ri i bukur, ndërsa të tjerë, të “përkëdhelur të fatit”festonin me gjithë të mirat në Hotel “Dajti” apo në Pallatin e Brigadave…

Ajo punë shtazore përballohej me një ushqim që përbëhej nga gjashtëqind gram bukë, nga bollguri me krimba që notonin në lëngun e tij, e plotësohej nga lakrat e egra, kungulli, lendet e lisit, goricat, këto kur kishim mundësi t’i gjenim jashtë kampit. Po t’i shtoje kësaj tabloje kushtet higjenike të tmerrshme, mungesën e banjove të mjaftueshme, të ndërtesave, të vendit për të fjetur (gjithsej tridhjetë cm. gjërësi për person e njëzet për fëmijët), të krijohet pamja e vërtetë e torturës së përditëshme në atë vend të mallkuar, që quhej Kampi i Dëbimit.

Atje, që në moshën gjashtëvjeçare, u njoha me qelinë apo “birucën”, siç përdoret rëndom. Një ditë, duke luajtur si fëmijë, bëra një “gjynah” të madh. Kisha gjuajtur me gurë derrat e komandës që kullosnin të qetë në liri, jashtë telave me gjemba të kampit. Polici më kishte parë. M’u afrua, më kapi për leckash e më futi në birucë. Ende sot më rrënqeth  kujtimi i atyre orëve të kaluara në errësirën e birucës, i vetëm, duke qarë prej frikës së gogolit. Jashtë më fliste gjyshja ime e mirë: “ Mos ki frikë, e mbyt nona gogolin!”. Edhe ajo i rezistonte policit që i kanosej për t’a larguar. Në orën dy të natës një tjetër polic m’a hapi derën e birucës dhe un rifitova “lirinë”.

Ndofta fakte të tilla duken pak të pabesueshëm, por e vërteta është se pati dhe të tjera raste të tilla, krahas qindrave që përbënin ligjin mizor aty brenda. Njëri ndër to, që më vjen ndërmend tani, është ai i një gruaje të sëmurë që rënkonte nga dhimbjet në veshka e i “prishte qetësinë” policit i cili, për pasojë, e lidhi në një shtyllë për njëzetekatër orë. Mbas kësaj ajo mezi erdhi në vete për dhjetë ditë. Cinizmi dhe sadizmi i personelit të komandës besoj se ja kalonte shumë herë figurave të esesëve, që vite më parë shihnim në filmat tanë apo të vendeve të tjera të Lindjes. 

Poshtërimi dhe tortura ishin kënaqësitë më të mëdha që ndjenin këta ish partizanë në marredhëniet me të internuarit e çfarëdo moshe, njerëz të pafajshëm, krimi i vetëm i të cilëve ishte se u përkisnin familjeve të të arratisurve ose të kundërshtarëve të diktaturës së kuqe. Emrat e toger Hakiut, aspirant Syrjait, kapterëve Selfo e Tomi, policit Ismail e sa e sa të tjerëve janë shëmbëlltyra të së keqes njerëzore në mëndjet e ish banorëve të kampit dhe kujtohen ende mbas dyzet viteve, kur jeta ka fshirë nga kujtesa emra kryetarësh shtetesh e qeverish.

Gratë dhe vajzat e reja që vinin nga mali nëpër shi me rroba të lagura deri në mish, duke mos patur ndërresa ( në çastin e internimit nuk u ish lejuar të merrnin asgjë veç rrobave të trupit), detyroheshin të mbuloheshin lakuriq nën batanije, mbasi rrobat e shtrydhura i ndenin për t’u tharë. Ruajtësi “ vigjilent” i “rendit më të përparuar të njerëzimit”, kur e pikaste një gjë të tillë, shkonte dhe ia tërhiqte batanijen duke e lënë të zbuluar shqiptaren “ armike” në sytë e dhimbshëm të të pranishmëve. Prej cilit armik ndër shekuj shqiptari do t’a priste një kob të tillë?  Ku t’i kërkojmë krahasimet? Ndoshta në rrëfimet e kuvaitianeve të përdhunuara nga idhtarët e Sadam Hysejnit.

Puna e detyruar, uria e vuajtjet i kishin kthyer në skelete të gjalla mijëra njerëz. Mbi pleqtë, fëmijët e sëmurë, vallëzonte  përditë kosorja e vdekjes, që rrinte e gatshme të merrte pjesën e saj. Në një kamp pune, një të burgosuri, kur i thanë se të vdiq vëllai, pyeti a e kish marrë racionin e bukës për atë ditë…. Të tilla episode ndodhnin edhe në kampin e Tepelenës.

Një tjetër kapitull më vete, i llahtarshëm ishte ai i fëmijëve. Fëmijët e vegjël, që nënat e reja detyroheshin t’i linin lidhur në djep gjithë ditën, rriteshin në mëshirën e ndonjë plake të huaj. Qëllonte që mbasi kishte shkarkuar barrën e druve, natën, gruaja e re e gjente krijesën e saj duke u prehur në paqen e pasosur, me një pamje engjëllore… Lotët dhe mallkimet ishin shumë pak për të shprehur dhimbjen; të nesërmen, që në mëngjes, e priste rrjeshti me shoqet për në mal…

Fëmijët që mbetën të vetëm u rritën për mëshirë nga të afërm e madje herë herë dhe të panjohur, sepse nënat u çuan në kampet e punës, për të ndërtuar falas “veprat e socializmit”. Më kujtohet ajo ditë e hidhur, kur u ndava nga nëna. Mundohesha t’i kacavirresha kamionit ndërsa polici më godiste duart. Lotë rridhnin nga sytë e atyre grave bujare malësore që ishin ofruar vullnetarisht për të zëvendësuar nënën time në këtë transferim,  por urdhëri ishte i prerë: ajo duhej të ndahej nga un. Polici duhej të zbatonte këtë urdhër të eprorëve, duke goditur duart e fëmijës që nuk donte të shkëputej nga nëna… Ç’skenë e bukur për një pikturë të denjë për Gojën, subjekt i bukur për të ilustruar “humanizmin socialist”, të trumbetuar me zell në këtë gjysëmshekulli.   

“Lufta e klasave” ishte sistematike dhe me të vdekurit. Tri herë u ndërrua vendi i varreve, deri sa e çuan buzë Vjosës, që eshtrat t’i gëlltiste lumi, mbasi jetën ua shkurtoi ajo, e famshmja “vija e demarkacionit”, “guri i provës për marksistë-leninistët shqiptarë”. Dikush edhe sot i quan të drejta e, madje të dobishme, këto përbindshmërira, i përligj me “luftën e ftohtë”, me diversantët. Më vjen ndërmend personazhi i Hamletit, në bisedë me t’ëmën, kur shprehet:” Do të ve një pasqyrë ku të shohç të zit e zemrës tënde…”. Këtë pasqyrë e ka për detyrë çdo njeri i lirë t’ua verë para strategëve “të lavdishëm”  t’asaj lufte, që mishëronte në vetvete gjithshka mefistofelike kishte në natyrën njerëzore, skutat e errëta të së cilës i kish njohur aqë mirë kollosi Dostojevski, duke parahikuar edhe rrezikun, njëqind vite më parë.

Grabian, qershor 1990

Vijon

Filed Under: Histori Tagged With: Eugjen Merlika, NJE JETE NE DIKTATURE 2

Xajë Sahit Jashari, Dëshmori i Lirisë*

October 27, 2020 by dgreca

Dëshmori i kombit Xajë Sahit Jashari rrjedh nga një familje përparimtare, bujare e atdhetare në të cilën kultivohen ndjenjat e trimërisë, guximit patriotizmit e atdhedashurisë. Në këtë familje shkollarësh e intelektualësh, më 19 qershor 1955, në fshatin Strofc të komunës së Vushtrrisë u lind dëshmori i kombit Xajë Jashari. Si familje brez pas brezi gjithmonë ishte në lëvizjen dhe në luftën për lirinë gjithëshqiptare.
Atdhedashuria dhe ideali i lirisë e bashkimit kombëtar babin e Xajës, Sahitin e mobilizuan ushtarakisht vullnetarisht në brigadat shqiptare në Luftën e Dytë Botërore, ndërsa axha Demiri luftoi deri në përjetësi kundër pushtuesve – hordhive çetnike.
Xajë Jashari shkollimin fillor e kreu në shkollën “Liria” në Gurëkuq (ish-Gllavotin), ndërsa të mesmen, gjimnazin në Vushtrri. Studioi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, në degën e BAT-it. Përpos aktiviteteve mësimore ai merrej edhe me aktivitete tjera e sidomos me ato sportive. Kështu në vitet e 70-ta themeloi dhe udhëhoqi klubin e futbollit “Besa“ të Strofcit. Përpos prirjes për sport dhe përkushtimit rreth tij ai u mor edhe me gazetarinë sportive. Ishte gazetar – korrespondent në rubrikën e sportit në gazetën “Rilindja”.
Në vitin 1978 Xaja punësohet në Radiotelevizionin e Prishtinës (RTP) ku punoi deri më 5 korrik 1990 kur u mbyll dhunshëm ky institucion informativ nga ana e okupatorit serb. Në RTP ishte shumë i respektuar nga shokët dhe punoi me sukses me teknologjinë më të përparuar të telekomunikimit-marrjes dhe shpërndarjes së informacioneve.
Veprimtarinë atdhetare Xaja e kishte nisur herët që nga koha e demonstratave të vitit 1981, ku ishte pjesëmarrës aktiv i demonstratave në Prishtinë. Përpos pjesëmarrjes në demonstrate ai bashkë me disa shok ishte edhe dhurues vullnetar i gjakut për shokët e plagosur në demonstrata.
Ishte i martuar me Ajmane Krasniqin nga fshati Trimor (ish-Zhilivodë) dhe kishin pesë fëmijë tre djem e dy vajza.
Xaja merrej edhe me krijimtari letrare e sidomos krijonte poezi të cilat si shumë krijuesve të tjerë në luftën e fundit iu dogjën bashkë me bibliotekën e tij të pasur me rastin e djegies së shtëpisë nga ana e pjesëtarëve të okupatorit serb.
Xajë Jashari edhe në vitin 1998 rikthehet në protesta-demonstrata dhe në organizimin e tyre për mbrojtjen e Kosovës dhe të rrugës së saj drejt realizimit të vullnetit të popullit.
Duke e ndier gjithnjë e më shumë se vetëm me luftë të armatosur mund të dëbohet okupatori nga trojet tona e të realizohej ideali i lirisë në vitin 1991 kishte siguruar një armë personale, një pushkë automatike dhe 500 fishekë. Ajo pushkë më vonë u bë pushkë e ushtarit-luftëtarit të UÇK-së, e dëshmorit të kombit Xajë Jasharit, që jehoi fuqishëm bashkë me pushkët e mijëra ushtarëve tjerë të lirisë anekënd Kosovës. Pushka e Xajës jehoi deri në momentet e fundit kur ai iu bashkua mijëra dëshmorëve të kombit që luftuan për lirinë që ne sot e gëzojmë, ndërsa ata fituan përjetësinë.
Pushkën, Xaja ia la amanet vëllait të madh, Behxhetit, që ai ta vazhdoi luftën kundër okupatorit deri në fund, deri në çlirimin e Kosovës.
Fillimi i organizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fillimi i luftës në Kosovë, Xajën si edhe shumë të tjerë i gjeti të gatshëm për sakrificën që po kërkohej për Kosovën e për lirinë e saj. Meqë kushëriri i tij, dëshmor i kombit, Jashar Jashari ishe ndër të parët çlirimtarë të cilët menjëherë pas Epopesë së Prekazit e të komandantit legjendar Adem Jashari u kthye në Kosovë dhe filloi aktivitetin të cilit menjëherë iu bashkua Xaja.
Dëshmori i kombit, Xajë Jashari nga prilli i vitit 1998 ishte aktivizuar në radhët e UÇK-së. Ishte pjesëtar i njësitit të parë gueril, që operonte në fshatrat e Ortakollit e më gjerë. Nga fundi i majit 1998 ai emërohet zëvendëskomandant i njësitit gueril “Duraku” të udhëhequr nga komandant Jashar Jashari me nofkën – Duraku.
Ata filluan aktivitetin e përbashkët në rrugën për çlirim dhe tani të gjitha detyrat i zbatonin me përpikëri dhe kështu ata vinin duke e zgjeruar aktivitetin e tyre sa më shumë dhe duke aktivizuar edhe njerëz tjerë si të fshatit dhe rrethit më të gjerë. Jashari dhe Xaja punonin pa u ndalur në shtrirjen dhe zgjerimin e formacioneve të UÇK-së në trevën e Artakollit. Kështu në fshatin Trimor (ish-Zhilivodë) të Vushtrrisë u vendos shtabi vendor i UÇK-së për Artakoll, ku Jashari ishte komandant, ndërsa Xaja zëvendëskomandant. Ata këtu shpërndanë edhe armë për luftëtarët e lirisë . Ndërsa për këta luftëtarë ishte qendra stërvitore në fshatin Trimor. Zgjerimi i aktiviteteve vazhdoi edhe në fshatrat tjera përfshirë këtu edhe fshatin e lindjes së Xajës, Strofcin.
Pas organizimit të UÇK-së në Strofc dhe fshatrave përreth, pozicionet e UÇK-së u shtrin përgjatë vijës së frontit që përfshinte fshatrat rrëzë Qyqavicës, Mirashit, Gurakuqit, Lajthishtës, Hamidisë, Bardhit të Madh dhe Hades. Ndërsa forcat serbe ishin të përqendruara në fshatrat serbe, Prelluzhë e Plemetin. Ato tani nuk kishin mundësi të depërtojnë në këto anë por vetëm me granatime nga largësia, sepse ushtarët trima të UÇK-së ishin të pozicionuar dhe nuk lejonin depërtimin e tyre në këto pjesë. Në mesin e këtyre ushtarëve ishte edhe dëshmori i kombit Xajë Jashari.
Xaja ka qenë i angazhuar si zëvendëskomandant në njësitin e UÇK-së që ka vepruar në fshatin Strofc dhe në fshatrat përreth. Ndër luftëtarët me të cilët kishte bashkëpunim më të ngushtë kanë qenë komandanti Jashar Z. Jashari, Januz Z. Jashari, Rrahim Tahiri, Sejdi Selimi, Avni Klinaku etj.
Ka marrë pjesë në shumë luftime të cilat i ka zhvilluar Brigada 142 e UÇK-së të ZOSH.
Edhe në riorganizimet e mëvonshme Xaja prapë do të jetë në detyrën e zëvendëskomandantit, ku ishte shumë i dashur dhe i respektuar nga të gjithë luftëtarët e lirisë dhe qytetarët e tjerë. Xaja gëzonte respekt tek populli, eprorët dhe ushtarët e UÇK-së që bashkërisht ishin të përkushtuar e të bashkuar rreth idealit më madhor të lirisë së atdheut, të gatshëm për çdo sakrificë e flijim.
Në luftën që po zgjerohej përditë e më shumë Xaja ishte pjesëmarrës në aksionin e 11 qershorit 1998 i njohur si aksioni i Hamidisë, ku me atë rast u vranë katër policë serbë, u shkatërrua një pizguaer dhe në bazë të gjurmëve të lëna nëpër livadhet e Hamidisë në këtë aksion janë plagosur edhe disa serbë të tjerë.
Ai mori pjesë në luftimet ballëpërballë që u zhvilluan kundër pjesëtarëve të okupatorit serb në luftimet e njohura si “Ofensiva e Shtatorit” e cila u zhvillua prej 22 deri më 25 shtator 1998. Gjatë zhvillimeve të luftës nga vija e parë e frontit, përpos luftës që bënte jepte edhe informacione për zhvillimet e luftës për mediat dhe gazetarët që raportonin për zhvillimet e luftës i shërbente me informata të sakta dhe të dorës së parë nga fronti i luftës në këto anë. Kështu ai u bë edhe një zë i së vërtetës, së drejtës dhe madhështisë së luftës së UÇK-së .
Në mbrëmjen e 27 tetorit të vitit 1998 kalon në përjetësi, ndërsa të nesërmen varroset me nderime të larta ushtarake në fshatin e lindjes në Strofc, rrëzë malit Qyqavicë. Radiotelevizioni Shqiptar duke dhënë lajmin aq shumë të dhembshëm dhe krenar për Xajën thoshte: ”Xajë Jashari kolegu ynë për shumë vite ishte i shkëlqyeshëm në Radiotelevizionin e Prishtinës, u bë shembull në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në luftën për liri. Ishte kjo lavdi e madhe e gjithë kombit për dëshmorin Xajë Jashari ”.
Familjes së dëshmorit Xajë Sahit Jashari i ka dhënë mirënjohje Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Kosovës, Kuvendi Komunal i Vushtrrisë etj. (M. K.)

  • Marre nga Radio Kosova e lire- Xaje Jashari, dëshmori I Lirisë së Kosovës, vëlla I Behlul Jasharit,  korrespondentit të Gazetës”DIELLI” në Kosovë.

Filed Under: Histori Tagged With: Deshmor i kosoves, Xajë Sahit Jashari

PALOK VUSHAJ, NGA INTERNIMI I PËRJETSHËM TE AGU I LIRISË

October 16, 2020 by dgreca

Sokol PAJA – DIELLI-Palok Vushaj sot është 77 vjeç dhe kujton çdo detaj të internimit të familjes së tij nga Selca e Kelmendit për në fshatin Nënshatë të nën Shkodrës. Edhe pse kanë kaluar 46 vite nga ajo kohë e tmerrshme, Paloka rrëfen me detaje persekutimin, dëbimin, internimin, konfiskimin  e pasurisë dhe luftën e tmerrshme të klasave në internim. Familja e Palok Vushajt prej 26 anëtarësh u internua nga muaji Tetor 1974 deri në Prill të vitit 1991. Pas arratisjes së vëllait të Palokës, Gjeto Vushajt nga fshati Selcë për në ish-Jugosllavi më 27 Shtator 1974, mbi këtë familje do ushtrohej një terror i paparë prej organeve të Sigurimit të Shtetit, Ushtrisë e Policisë. Një përndjekje që do i tmerronte për 17 vite derisa do përmbysej diktatura dhe familjarisht fituan lirinë e privuar padrejtësisht. Paloka kujton se para arratisjes së vëllait ai punonte në Pyjore, ndërsa kthehej në shtëpi një ditë më pas, katër ushtarë e ndaluan, i drejtuan armën dhe filluan ta godasin për arsyen e arratisjes së vëllait. Në të gdhirë të ditës kujton Paloka, shtëpia jonë u rrethua nga Sigurimi i Shtetit, ushtria kufitare dhe policia. Meshkujt e familjes dhe prindërit u çuan në qendër të Kelmendit në Tamarë. I rreshtuan para Postës Ushtarake. Pasi i morën në pyetje nën dhunë e kërcënim, kur erdhi radha e marrjes në pyetje të Palokës, Oficeri i Sigurimit e etiketoi kriminel, tradhëtar  dhe të poshtër se pse nuk kishte raportuar arratisjen e vëllait. Shtëpia e familjes u ruajt me armë dhe nën rrethim policor e ushtarak kujton Paloka. Gratë e shtëpisë i lanë në fshat, meshkujt e shtëpisë e prindërit u internuan në Mjedë në një ndërtesë si tip burgu ku qëndruan për 2 javë të burgosur, të kequshqyer e me ruajtje të armatosur duke u shkaktuar terror, frikë e panik. Pas dy javëve të tmerruar, e të dhunuar fizikisht e psikologjikisht u shpallën organet policore vendimin e internimit të përjetshëm në Nënshatë. Jetesa aty ishte shumë e rëndë. Një dhomë  shumë e vogël me kushte skandaloze për një familje të madhe siç ishim ne kujton Paloka. Policia e ushtria dolën në fshatin Selcë dhe boshatisen shtëpinë, morën me dhunë gratë e fëmijët dhe i bashkuan të gjithë në internim në Nënshat ku jetuan në kushte ekstreme për vite me radhë nën kërcënim e frikë. Pas internim-dëbimit nga fshati, Paloka kujton se ndaj familjes iu bë konfiskimi i pasurisë dhe vjedhja prej komunistëve të fshatit. Përgjatë kohës së internimit, familja e Palokës, anëtarët një për një duheshin që të paraqiteshin tri herë në ditë te roja i posaçëm që ruante të internuarit. Çdo javë vinte operativi i Sigurimit nga Shkodra dhe bënte mbledhje në fshat duke i instruktuar fshatarët dhe kuadrot komunistë kryesisht sesi të na ruanin e paraqisnin raporte kundër familjes Vushaj me qëllim burgosjen e tyre tregon Paloka. Pra regjimi nuk njihte limit ligësie, agresiviteti e represioni ndaj familjeve që komunizmi i quante armiq të popullit e klasës punëtore. Familjeve të internuara në komunizëm i jepeshin punët më të rënda të koperativës. Paloka kujton se punonin si familje në një perimetër të caktuar për afro 20 metra nën kërcënim se nëse largoheshin nga ato pak metra katrore, do vriteshin me plumba. Komunistët dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit herë pas here e provokonin në kampin e punës Palokën dhe familjarët e tij, madje dhe duke i vajtur në shtëpi për ta provokuar në biseda kundër regjimit me qëllim prangosjen e tij dhe të meshkujve të shtëpisë. Paloka tregon se komunikimet me të afërmit ishin të kufizuara, letërkëmbimet i lexonte Sigurimi dhe i griste. Ata jetonin të izoluar prej botës që i rrethonte. Të internuarit, të përndjekurit e regjimit ishin skllevër në një botë rrethuar me tela me gjëmba. Paloka tregon një episod ku vëllai i arratisur Gjeto Vushaj u shkroi nga Amerika një letër dhe kjo desh i kushtoi burgosjen familjarisht. Vëmëndja e Sigurimit dhe Spiunëve sa shtohej dhe më shumë. Popullsia vendase siç ishin komunistët në koperativë në rangje shtetërore drejtuese dhe spiunët e sigurimit në koperativë ku punonin i mallkonin, shanin e ofendonin si armiq, tradhtarë dhe kriminelë. Paloka tregon me dhimbje se ishim të padëshiruar për kohën, për sistemin dhe popullsinë vendase. Punonim dy herë më shumë se të tjerët, paguheshim dy herë më pak, s’kishim asnjë të drejtë lëvizjeje. Çdo ditë komunistët shkruanin letra kundër nesh. Jo vetëm për çdo fjalë por edhe për çdo mendim, jetonim me frikë se mos keq interpretohej e na fusnin në burg. Me trishtim, Paloka kujton se në internim nëse një ditë nuk dilnim në punë, Sigurimi na hiqte bukën. Kafja, sheqeri e buka ishin me racion. Jetonim në kushte të tmerrshme tregon Paloka, ku përveç mungesës së lirisë na mungonte gjithçka tjetër. Jeta çdo ditë që kalonte na bëhej edhe më e pamundur. Fëmijët në shkollën fillore i urrenin, edhe pse mësonin shumë mësuesit komunistë nuk u jepnin hakun dhe bashkëmoshatarët e tyre instruktoheshin prej organeve të sigurimit ti shanin, ti ofendonin e të mos u flisnin. Një luftë e tmerrshme klasash tregon Paloka, që ngjan si një film i frikshëm kur e rikujton. Sapo erdhi demokracia, vëllai i Palokës, Gjeto Vushaj vizitoi Shqipërinë. Paloka i kujton ato ditë me lumturi e trishtim, veç qanim e flisnim ditë e natë. Nuk na besohej se ishim ende gjallë. Ky ritakim pas afro 20 vitesh  dukej si një ëndërr kujton Plaoka, ishte takim me jetën, me vuajtjen, me lirinë, me vetminë, me tmerrin që përjetuam për gati 20 vjet. Një takim çmallës. Një përlotje për jetën në vuajtjet e pamerituara në një sistem diktatorial që prodhoi mjerim, viktima e shkatërrim. Pengu më i madh familjar kujton Paloka ishte vdekja e prindërve në internim dhe dëshira për të parë djalin e arratisur para se të mbyllnin sytë përgjithmonë. Në Selcë, pas shëmbjes së komunizmit, kur familja Vushaj u rikthye në fshat, e gjetën gjithçka të rrënuar e shkatërruar dhe ndërtuan jetën në Shtoj të Shkodrës. Paloka rrëfen se edhe pas vuajtjeve të tmerrshme ku humbën gjithçka, ndjehet mirë se ka shtëpinë plot, por ato vuajtje dhe sot e tmerrojnë dhe i duken absurde e të pabesueshme. Komunizmi ishte mallkimi më i madh për shqiptarët, mbyll rrëfimin e tij për jetën në internim Palok Vushaj.

Filed Under: Histori Tagged With: Palok Vushaj, Sokol Paja

𝐈𝐁𝐀𝐋𝐋𝐉𝐀 𝐃𝐇𝐄 𝐅𝐈𝐒𝐈 𝐈 𝐓𝐇𝐀𝐐𝐈𝐓…

October 15, 2020 by dgreca

IBALLJA-PHOTO-ARBEN PNISHI-

Shkruan Elidon Lekë Nika prej Iballes Pukës/*

Kol Bib Miraka bashkë me Ernest Koliqin, me malsorë iballsa e klerikë.

Fisi i lashtë i Thaqit, pasardhës të fisit të Brigjëve të lashtësisë si pjesëmârrës në Luftën e Trojës e gjithashtu vazhdimësi (pasardhës) të Pirustëve metalpunues e të pathyeshëm që jetuen kryesisht n’malet e Pukës së sotme, bregut Drinit.

Dalë para shkolle: Mësuesi i shkollës, malsore iballsa edhe prifti i fshatit me qenin e tij.

📷HERALDIKA e THAQIT. nga Vittorio Gifra, 2014.

(Shkrimi â gegnisht, se gegnîsht foli Thaqnjâni At Gjergj Fishta, At Shtjefen Gjeçovi dhe Imzot Gaspër Thaçi. Tetân me prejardhje në Prêgjeç të Iballes.)

S’pari nji sqarim: na në Pukë e shqiptojmë Thaqi e jo Thaçi. Pra me “Q” e jo me “Ç”, prandaj n’shkrim do e gjeni në këtë trajtë: THAQI.
Ky shkrim do ketë nji qasje ndryshe nga ajo çfarë jemi mësue të lexojmë për Thaqin. …Pra, të njëjtat kallxime të përsëritshme, bajate e deri diku të rëndomta që nuk kallxojnë lodhje apo përkushtim të autorëve përkatës të cilët mârrin përsipër e shkruejnë për këtë fis antik e që na e nxjerrin 50, 200, apo 500-600 vjeçar. Jo-njâni vlla hangër mish thiu, tjetri jo, e këso gjânash bajate.

Maqedonia e Lashte…

Shkrimi do përqëndrohet tek gjeneza, lashtësia dhe identifikimi i Thaqit me fiset antike prej nga rrjedh, autoktonia, vijimësia-pra geni i pandryshueshëm i popullsisë thaqnjâne, zhvillimi-shtrirja, dokë, zakone, besim, etj.

Fisi i Skritoneve…

Fisi i THAQIT ka 4 vllazni: Buqa (Buqgjeqajt); Prêndi (Prêndgjeqajt/Prêgjeqt); Gega (Gegëgjeqajt); Doda (Dodëgjeqajt). Përqëndrimi hapësinor e krahinor mâ i madh i këtij fisi âsht Puka dhe epiqendra historike e tij âsht IBALLJA.
Prej Prêgjeçit vjen edhe trungu jem, i cili te Prêndi mbërrin në 13 breza, të cilët breza po i bí këtu t’u ia fillu prej te im bir, Troiylli. 1) Troiyll Elidoni, 2) Elidon Leka, 3) Lekë Marashi, 4) Marash Nika, 5) Nikë Zeqiri, 6) Zeqir Uka, 7) Ukë Mema, 8) Memë Hysa, 9) Hysë Basha, 10) Bashë Arifi, 11) Arif Biba, 12) Bibë Prêndi, 13) Prênd Gjeçi, 14) Gjeç Gjoni, 15) Gjon Prêndi, 16) Prê’ Biba, 17) Bib Loli, 18) Lol Bitri, 19) Bitër Bushati, 20) Bushat Cili, 21) Cil Vili, 22) Vil Kola, 23) Kolë Palushi, 24) Palush Pjetri, 25) Pjetër Leci, 26) Lec Alia, 27) Ali Begu, 28) Beg Piruni, 29) Pirun Mula, 30) Mulë Daka, 31) Dakë Ndreu, 32) Ndre Pogu, 33) Pog Murri, 34) Murr Deti.
Sa për me e cek, sepse vlen, asnji fis tjetër të cilët mbajnë paraardhës real apo fiktiv MURR DETIN, nuk i çojnë brezat kaq shumë në numër sa Thaqi. Berisha, Shala, etj., i numërojnë diku 18-20 breza deri tek Murr Deti.

Iballja-Google Mape…

*Tek Bushati lidhena me dinastinë Thaqnjâne të Bushatllijve të Shkodrës, por nuk do zgjatena këtu…
Nuk jam as i pari e as i fundit që ka shkrue apo do shkruajë apo do përmbledhë mâ mirë me thânë (pasi unë nuk jam historian), fakte e të dhâna historike rreth Iballes e fisit zâmadh të Thaqit të cilat bashkë jânë NJI.
Këtë përmbledhje do e bâj prej dashnie e krenarie që kam për Iballen teme ku lêva, e fisin zâmadh t’cilit unë i përkas: THAQIT.
Përmbledhja do jetë me ato njohuri që unë kam nga studimet e shumta mbi Iballen dhe Thaqin e normalisht që do bazohet në autorë të ndryshëm, historianë, albanologë, studiues, harta, libra shqipe e të huej, etj.
• ÇKA ÂSHT FISI?
“Gjak e fis janë të tân ata që brez mbas brezi i përkasin nji kryeati të vetëm prej kohësh që s’mbahen mend.” – Nikollë Gazulli.

Nikollë Gazulli shprehet se: “Për shka mujta me diktue unë, s’ka familje në Prefekturë të Shkodrës, në Kosovë, Lumë e Dibër, qi mos ta dijë fisin kúi përket”.
Po ashtu Bernadin Palaj thotë se: “Ai qi s’njeh fisin e vet, nuk â shqiptar.”
Atëhere, mos me njoftë fisin ku ti përket, i takon mos me njoftë baben as gjyshin e as babgjyshin, sepse tetân këta rrjedhin prej atij KRYEATI të përbashkët. Mos me njoftë fisin tând, nuk njeh gjakun prej nga buron (ti). Krahina ndërrohet; dikush lind në Pukë, dikush Shkodër, Tropojë, Mirditë, Korçë apo Kosovë, Amerikë e Kinë por fisi âsht NJI!
Pra, âsht i pandryshueshëm. Krahina e vendi ndryshohet, GJAKU E FISI JO!!!

Veshja bregdrinase…

FISI I THAQIT.
(Lashtësia, historia, etimologjia, prejardhja e rrugëtimi, gojëdhâna, etj.)   Fisi i Thaqit âsht nji ndër 12 fiset e Kanûnit të Lek Dukagjinit, e madje shpesh herë nga disa studiues e historianë, sidomos ata të Kosovës, Thaqi haset si fisi kryesor i Kanûnit Lek’s.

“Fisi mbi të cilin e për të cilin na do të bisedojmë këtu âsht nga mâ të kulluemit, nga ma të fortit e të shëndoshtit, nga mâ bukë dhânësit e bujarët dhe nga mâ trimat e armës dhe të çfaqunit të mendimeve të arësyeshme.” ¹
Dokumentet shtetnore gjithashtu edhe ato kishtare, dihet se sidomos në zonën e Iballes, janë djegë, stërdjegë e përrzhitë, kjo nga luftërat e shumëta që Iballja zhvilloi vit për vit kundër osmanëve.

Imzot Frang Bardhi…

Këtë e vërteton edhe Frang Bardhi kur thotë: “Këto pak katunde të vogla t’Iballes kurrë nuk ka mujtë t’i shtrojë nën tiraninë turke, megjithëse, pothuajse vjet për vjet ka dërgue sanxhakët e vezirët e vet tash me 5-mijë, tash me 6-mijë, tash me 10-mijë ushtarë për të muejt me ja shtrue furisé së vet dhe kurr nuk ka mujtë me u bâmë atyne ndonjë dâm, veçse me ua rrënue ato kishët e tyne dhe me ua kall shtëpitë, që me qëllim Iballsit i kanë bâmë me pak vleftë, dmth të mblueme me byk, pa mur, pa pullaz, pa asnjë stoli për shkak se përherë në gjendje lufte me osmanët.“ ²
Do të na interesonte për momentin sa i kaherëshem âsht fisi “Thaq” si dhe toponimi “Thaq” që deri më sot nuk ka marrë përgjigje të saktë. Mâ poshtë po citojmë: ….O Zot çfarë është kjo mrekulli që po ndërton princi në Butrintin tonë!!?? – Tha një ditë një plak duke kaluar më nipin për dore pranë vend punimeve, ku po ndërtohej pirgu (Obelisku) që kishte lëshuar shtat rreth 50 m i lartë. Rojtari që qëlloi  dhe e dëgjoi pytjen e plakut duke buzëqeshur i tha: Xhaxha, punët e shtetit i din vetëm Zoti dhe Princi, e ti ec më nipin për dore e shiko punën tënde. O Zot, o Zot tha plaku me vete njeriu nuk guxon të mendojë as të flasi më veten. Eja nipash eja më shpejt.. e tërheq gjyshi për dore Dritanin e vogël të habitur që të iknin sa më parë nga rrethimi (rrethorja) e punimeve. Por roja nuk e kishte më të keq, ai i foli plakut më tepër nga kërshëria që të nisë bisedën më të. Ky ishte një plak simpatik më mjekër e flokë të bardha si bora, më tirçe zhguni të zi e shokë (brez) kuq e zi dhe më qeleshe të bardhë si bora. Rojës nuk ju durua pa e pyetur plakun. Nga të patëm o gjysh? – Nga Dardania iu përgjigj plaku. Aaa ! Po nga cili fis jeni xhaxha? I fisit të “Thaqit” përgjigjet më zë të lartë plaku. Edhe nipashi a ? – U mahit (bani shaka) rojtari. I gjakut tim është ia kthen më gjithë mend plaku dhe e shpejtoi hapin. Princ Loriku ka jetuar 300-400 vjet para Krishtit.³

Pra, toponimi “Thaq“ na del që para 2400 vjetësh.

Shtrirja e Fisit Thaqi…

“Rrânjët e Thaqëve janë thellë në të kaluemën e largët, në lashtësinë e formimit të fiseve të popullit tonë. Fisi i Thaqit ishte nga gegët e Shqipnisë veriore të Dardanisë së lashtë.” Prof. Bedri Pejani e shikon mâ ndyshe çështjen. Ai mendon së Thaqët bashkë me fiset e tjera u dyndën nga Dalmacia dhe Bosnjë-Hercegovina gjatë dhe mbas kryengritjes së Ilirve kundër romakëve nën prijësit ilir “BATO” i Desidiatëve dhe i Dasaretëve në vitet 6 dhe 9 të erës së re.’’⁴
“Fisi i Vokshit, që në të vertetë nuk âsht fis, por nënfis ose një vllazni e fisit Thaq. Fisi i Thaqit kishte zënë vend në Barbullush, Zadrimë, Bushat, Lezhë dhe një pjesë e madhe bregut të lumit të Drinit dhe në Postrripë. Në migrimin e parë Vokshi u nda prej Thaqit dhe u vendos në Postrripë në katundin Vorfë. Në migrimin e dytë që fillon prej viteve 40-50 mbas Krishtit, fisi Voksh përveç vendeve që përmendëm më sipër, tani futet në anën jugore të Drinit deri afër Vaut-Spas (Pukë) dhe kështu themelon katundin IBALLE si qendër të vetën. Kështu Vokshi i ndihmuar prej fistarve të Thaqit kalon nëpër Iballë dhe zbret në Drin duke e kaluar atë.”⁵
Po kështu e thotë edhe Prof. Dr. Shevqet Sahit Canhasi që e përmendëm mâ sipër.

Baroni Franz Nopcsa ne Shqiperi..

Versionin e Franz Nopcsa-s nuk po e përmendi hiç, sepse të njâjten gjâ që autorët e mâsipërm thonë, përmend edhe Nopcsa, por nuk e nis nga lashtësia udhëtimin e këtij fisi legjendar, por e nis direkt nga Anamali i Malësisë së Madhe çka na kurrë nuk e kemi ndigjue prej të parëve tonë.
Të shumtë janë ata autorë, albanologë, studiues e historianë që Thaqin e lidhin me Maqedoninë e lashtë dhe Thrakinë (kujto Murr Deti tek brezat e mi… Deti i murrëm/Deti i Zi), lidhje të cilat do mundohem t’i përcjell këtu. Popullsia thrakase e Thrakia janë pellazgë, për t’mos thânë bash zemra.. apo vetë pellazgjia. Gjakun e njëjtë të popullsisë tonë pellazge: thrako-ilire-dardane-maqedone-epirjote-dalmate, etj., nuk mund t’a cungojmë me hartën shqipfolëse të sotmen, POR, me atë çka ishim në lashtësi, pra, para se të fillojnë dyndjet prej tâna anëvet. E kjo përban nji hartë nga Sllovenia e Kroacia e deri aty ku fillon Azia e Vogël (në Turqinë e sotme) apo mâ thjesht me e thânë, bash aty ku ish TROJA e vjetër. (shih hartën)

📷Hartë e lashtësisë ku dallohet qartë ndërthurja Iliri-Maqedoni-Thraki. Të tân popuj Pellazgë = Pellazgji.

Të dhânat dhe teoritë që e lidhin fisin e Thaqit me Maqedoninë e lashtë e cila dikur shtrihej deri në Dri e Adriatik, e që dikur ishin krejtësisht nji popullsi pellazge, deri në Thraki e madje Azi të Vogël (Trojë), janë disa:
Simbas shumicës së historianëve, arkeologëve, dokumenteve apo librave, të huej e shqiptarë, po të lexojmë e thellohemi, thuhet se popullsia e shqiptarëve të sotshëm nuk âsht gjâ tjetër <<…Veçse mbetëzat e fiseve Thrako-Ilire.>> – At Shtjefen Gjeçovi / “Trashëgimi trako-ilire.”
Të njâjten gjâ pohon me vëndosmëri edhe Nikollë Gazulli ku thotë: “Kush i thotë vedit se din diçka, fiset shqiptare i njehë mbetëzat e trungut të madh iliro-thrak. Makedonët e Epirasit si me fis si me êmëna njerëzish përpiqen me ilirë e thrakë.”

Ekziston nji kompleksitet i mâdh (në shumicën e njerëzve prej pádijes) që na, shqiptarët e sotëm të quhena Thrakë apo le të themi edhe thrako-ilirë. Dmth, simbas ndjenjave dhe formimit të shumicës dërmuese, na jena ILIRË edhe pikë. Nuk dinë e as NUK donë me ditë mâ thellë, pavarsisht se të dhânat historike kallxojnë që sidomos Gegnia e fiset e saj mâ shumë anojmë nga thrakët sesa ilirët. Pra, ne s’jena as mâ të mençur se historianët e lashtësisë si Straboni, Tukiditi, etj., e as ata mâ të vonë. E as mâ të mençur se Gjeçovi apo Gazulli, etj., që i kushtuen tân jetën kulturës, origjinës e dokëve të origjinës e rracës tonë thrako-iliro-shqiptare. “Shqiptarët janë teprica të popullsive ilire e thrake” – Cvijq (albanolog kroat).
“Të drejtat mâ të hershme u përkasin, pa dyshim, shqiptarëvet, tue qenë se ata janë pasardhësit e drejtpërdrejtshëm të Trakëve e t’Ilirëvet.”
“Kur ilirët erdhen prej veriu, ata, në Shqipninë e sotme gjeten fise e popullsi thrake” – Hueppe(albanolog).
“Bashkëz
ânimi pra i auktorëve të çdo kombi përkah xânâfillja ilire a trako-ilire e shqiptarëve âsht i plotë, e s’mund të ndryshej. Pse? 1. Në njen’ anë shqiptarët na dalin para si nji popull në vehte, me shenja fisnike të veçanta, me gjuhë të veten, me dokë, me tradita të ndryshme nga fëqinjt e në luftë gjithmonë me ta. N’anë tjetër, historija qi na kallxon ardhjen e kalimin e sa e sa popujve ndër këto skajé të Ballkanit, nuk na thotë gjâ për ardhjen e popullit shqiptar. Pranija e tij pra s’ka spjegim tjetër veçse tue thânë se ky komb ishte ndër këto vende qysh herët, qysh para se historija të fillojë me regjistrue dyndjet barbare, dmth. qysh në kohën e romano-ilire. E mbasi historjakët e popullsitë e atëhershme të këtyne vendeve i qujshin ilirë kah perendimi e trakë kah lindja, nuk mbetet veçse të thomi se shqiptarët janë pasardhësit e Iliro-Trakëve. Gjuha shqipe paraqet me aq përkime me ilirishten e trakishten, sidomos ndër vokalizma e ndër mbrapashtesa, sa me i a mbushë menden edhe dijetarëve si Mayer, Pederson, Holger, Kretschmer, Jokl, Ribezzo, Tagliavini, etj., se shqipja âsht vjanimi i trako-ilirishtes.” – At Shtjefën Gjeçovi (Xânâfilla e Shqiptarëvet).


📷Hartë ku dallohet se Maqedonia e Lashtë hynte deri në Dri. Pukë, Lezhë, Mat, etj. merreshin me Maqedoninë, ndërsa Iliria apo ilirët janë diku te Kroacia e sotme.

📷Fisi pirust i Skirtonëve (Skirtari/Skyptari/Shkyptari) në Pukën e sotme. Maqedonia dhe Dardania që shtrihen deri në Dri.
Pra, kuptohet thjesht se etnitë e mëdha jânë ato Thrake dhe Ilire.

Maqedon, dardan, epirjot, dalmat, etj., janë tâna nândegë të këtyne dy trungjeve të mëdhaja.
Po qysh lidhet Thaqi me origjinën thrake apo thrako-ilire?!
Apo, mâ mirë me thânë qysh lidhet fisi i Thaqit me fisin e BRIGJËVE (Frigjë/Brigjë) që jetuen në Maqedoninë e Lashtë dhe Thrakinë e dikurshme? Këtë na e shpjegon gjuhëtari i përsosun dhe i madh, Dom Nikollë Gazulli, i cili me shkrimet e tij edhe m’ka shty të thellohem mâ shumë.
“Fisi i Thaqit në Iballe, ruen nji gojëdhânë qi tregon se janë të bijtë e GJÍBALES.

Janë pasardhës të Murr Detit, sipas brezave e gjithashtu gojëdhânave, por tëtân janë të bijtë e Gjíbales. Populli që besonte këtë Hyjneshë? …E tue e lidhë me hyjnin pagane: Kybéle nderue në Frygi (nga Frigjët).. me kaq fisi i Thaqit më lidhet me makedon.” “Kabashët lidhen me thrakë njashtû sikursé edhe Berishë.” “Êmëni THAQ âsht në veri i vetëmi êmën fisi e i kurrnji katundit a lagjes, a nierit.”⁶..”Kallxojnë se kur hînë Turqit së pari në Shkodër, pos armësh e mishit, lypshin edhe çikat mâ të mirat. I erdh rradha Thaqit. Këta ishin shumë vllazen e kishin edhe nji motër. Njâni vëllazënish, i hijshëm fëtyret (Thaqi janë në zâ për pashí t’burrnimît) .. u vesh si çikë, mshefi në gjî nji thikë të mprehtë, hîn te komandari turk, e ther, e vret e kthehet megjith fisin në Dukagjin (Pukë). Në kët gojëdhânë përsëritet shka na kallxon Herodoti në libër të vet Terzikore: Aleksandri, i biri i Amyntës, Mbretit të Makedonisë, ther të dërguemit e generalit persjan Megabizit, pse këta deshten me u dhunue gratë.”⁷
Simbas Herodotit, Frigjët në fillim quheshin Brigjë  dhe fillimisht jetonin në Maqedoni. Maqedonia shtrihej deri në Dri e Adriatik po nuk e kalonte Drinin, pra linte jashtë Shkodrën.(Kushtojini vëmendje këtu.)
Mâ mbas duket se ata u përhapën nëpër Thraki e deri Frigji (Azia e Vogël sot/Troja e lashtë), gjithkund duke jetue brigjeve të liqêjve (psh. Ohri) apo deteve (psh. Deti i Zi) dhe lumenjëve (psh. Brigjeve të Drinit).
“Edhe Peonët edhe Frigjët, të cilët mâ parë në Maqedoni quheshin me êmënin BRIGJË (breg dhe bregorët) ishin po ashtu të ardhun nga Evropa në Trojë (Azinë e Vogël-Frigji). Brigjët, nga Maqedonia, kur erdhen në Trojë (Azi të Vogël) aty e moren êmënin Frigjë dhe popullonin nji pjesë t’madhe të Thrakisë, i cili vend mâ vonë do quhej Maqedoni.”⁸
Asnjëherë nuk janë gjetë prova (fakte, dokumente, të dhâna arkeologjike) që të dëshmojnë se Brigjët të kenë banue mâ parë në Azi të Vogël, por e kundërta ka ndodhë, se ata n’fakt nga Thrakia (Maqedonia) janë vëndosë në Azi të Vogël (Trojë).⁹
Pra, thânë shkurt, ashtu sikurse Brigjët, edhe Frigjët, Teukrët, Dardanët, dhe Trojanët, ishin vllazen dhe popullsi e nji origjine të njâjtë, e kjo do të thotë se këto fise popullore i përkisnin nji familje të madhe të popujve PELLAZGË, të cilët quheshin me êmënin THRAKAS.¹⁰
Të tân autorët e huej gjermanofonë, frankofonë e italofonë, kanë ardhë në nji përfundim të njâjtë e të vërtetë shkencor, se shqiptarët e sotëm janë pasardhës të thrako-ilirëve, por kjo dihet se edhe ilirët edhe thrakët/thrakasit ishin popull pellazg.¹¹
Në librin me titull: “Herodots Geschichte – Frankfurt 1790” shënohet se Frigjët (Brigjët) ishin popullsi thrako-ilire, të cilët dikur banonin jo larg Maqedonisë. Nji pjesë (pra jo krejt) e këtij populli, ishin shpërngulë për n’Azinë e Vogël (Trojë) e atje quhej popullsi frigje. Të parët e Frigjëve të Azisë Vogël ishin nga Thrakia dhe quheshin me êmënin Brigjë. Grekët i qujshin Thrakasit me êmënin “Thirras” dhe “Theirris”. Autori Petro Katanesih në librin me titull: “De Istro eiusque ad colis, Comentatio in qua Autochtones Illyri ex genere Thracio” shkruan se fjala “thrakas” rrjedh nga fjala “thirra” (therrë) dhe ishin të bijtë e Japetit.¹²
Japeti ishte i biri i Qiellit (Vrânit) dhe Tokës. (Kujto bènë “Pashá Tokë e Qīll”. – Shënimi im E.L.N)
Brigjët apo Frigjët ishin popullsi ilire (thrako-ilire) nga malet e Sharrit. Shteti Trojan mâ parë u quejt Frigjia e Vogël e cila ish e banume nga pellazgë, të cilët erdhën nga Samothraka, Thraki. Brigjët (Frigjët) mbaheshin si popullsia mâ e vjetër e botës rreth tyne.
”¹³
Thashë që të kushtohej vëmendje këtu, sepse: Edhe sot e këso dite, territori i fisit të Thaqit në Pukë ka nji pseudonim të vetin, pikërisht me êmënin “BRIGJÉ”!
Nuk âsht mahí!

J. Von Hahn, albanolog, shprehet se: “Shpati qi sheh nga lumi Drin mban êmënin BRIGJA, (nji formë shumësi e fjalës “breg” në kuptimin “kodër”. Ai banohet nga fisi Thaqi që numëron 5700 pjesëtarë, fisi mâ i madh në Pukë, të tân katolikë, i ndamë në dy bajrakë: Iballe e Bugjon.”
Pra, lumi Drin lag shume vende e krahina, por BRIGJA apo BRIGJET quhet vetem vendi çka lag në territorin e Thaqit.
Simbas Iliadës së Homerit, kush e ka lexue, dihet që Brigjët (apo Frigjët), morën pjesë në Luften e Trojës si aleatë të ngushtë të Trojanëve kundër Akejve. Pra, kallxohet qartë që Thaqjânët morën pjesë në luftën e Trojës, âni pse atëhere quheshim BRIGJE (pasi edhe sot si pseudonim, kët êmën kena.) Edhe Hekuba, gruaja e mbretit trojan Priamit, ishte nji princeshë frigjiane (brigjëse). Këto fakte janë shumë lehtë me u vërtetue kush dëshiron me lexue sadopak.
“Vëllau i Hekubës, quhej Asi, i cili qeveriste mbi vendin e quejtun Arisbe. Simbas shënimeve të Eurupidit, Hekuba-grueja e Priamit (mbretit fundit të Trojës) ishte bija e Kiseut i cili ishte mbret në Thraki (tek Brigjët). Mbas rânjes së Trojës, nji pjesë e Trojanëve mbesin nëpër malet e tyne, nji pjesë shkon në Thraki prapë e nji pjesë e tyne shkon në Epir (Shqipnî). ¹⁴
Pra, siç u tha nga Gazulli pak  mâ nelt, êmënat e fiseve tona lidhen ngushtë me këto fise thrako-maqedonase.
“Popujt e lashtësisë êmënat e e vendeve të tyne i vendosnin simbas ndonji êmëni të Zotave të tyne apo herojve. Kështu ndodh edhe me nji pjesë të Maqedonisë e banueme me popullsi thrako-ilire ku udhëhoqi Oresti, quhej “Orestia” (Arest / Orestium).¹⁵
Kujto këtu êmënin DUKAGJIN që muer Puka në mesjetë nga dinastia e famshme e Dukagjinëve që prejardhjen e kanë nga fshati Dukagjin i Malziut të Pukës. Gjithashtu edhe êmëni i mâsipërm i heroit pellazg (thrako-ilir) “Oresti” që u cek në librin e prof. dr. Eqrem Zenelaj, e gjejmë në dy vende në Pukë: Arësti (Fushë Arrëzi) dhe Arsti (Arst-Miliská).
Kjo vërtetohet nga autorë e huej e shqiptarë të cilët thonë se: “Në çdo vend ku ka pasë popullsi pellazge (thrakase) aty e gjejmë edhe êmënin dhe nderimin për “Orestin”. Káhdo që këto popullsi lëvizen, muren me veti êmënat e Zotave, herojve, vendeve e besimeve të tyne.”
Disa ndër këto êmna që duhen veçue, janë: Gordioni, mbret i frigjëve. (Nyja e Gordionit  lidhet edhe me Lekën e Madh të Maqedonisë së Lashtë, por këtu nuk po ndalem). Mos të iu duken përralla tetana këto, por studiojini dhe vërtetojini.
Êmëni i dytë âsht Midha. Midha ishte i biri i Gordionit.
Mida (Midha) ish perendesha që çka prekte, e kthente në ar (flori). Midhë ka edhe sot qé mijëra vjet në Pukë. Pra, kena fshatin Midhë, që edhe banorët e këtuhit e njohin veten pasardhës të Murr Detit.
Nikollë Gazulli âsht ai që ka gjetë para kûnd 80 vjetësh në Midhë të Pukës pikërisht monedha me nânshkrimin e Mbretit Gordion, të cilat asokohe ruheshin në muzeun e Shkodrës por edhe dergue nëpër muzetë jashtë shtetit. Pra deri tash pikërisht në Pukë vërtetohet edhe êmëni Midhë edhe Gordion.
Këto shembuj nuk kanë lidhje drejt për s’drejti me Iballen apo Thaqin, por ama Puka apo Pirusti i lashtë apo Dukagjini i Vjetër, duhet me u pá si nji “puzzle” ku çdo fshat apo copë e kësaj toke të lashtë, e çdo fis, toponim e êmën, përbân nji mozaik t’madh, t’larmishëm, KUPTIMPLOTË e jo të rastësishëm historiko-kulturor.
“Sibela“ apo “Kybele” që u përmend mâ nelt nga të dhânat e Nikollë Gazullit, ishte Kryeperendesha e Brigjëve/Frigjëve.
“Kybele-Sibaele, konsiderohej si perëndeshë e tokës. Qysh në shek. XIX para erës së re e hasim këtë êmën si Kybele…”¹⁶
Pra, ishte “nâna”, shêjtnesha e popullit të Brigjëve/Frigjëve. Tash kujto mâ nelt, ku gojëdhâna për fisin e Thaqit, thotë së “…janë të bijtë e Gjíbales.” = Sibela= Sibaele = Kybele.
Kujto edhe se Kybele/Sibaele âsht Kryeperëndesha e Brigjëve pra, ose Frigjëve e se tash Ibalea/Cybala/Sibaele/Kybele (pra Iballja) âsht edhe kryeqëndra dhe epiqendra, fshati âmë i Thaqit apo atyne që njihen si BRIGJET në Pukë.
Përsëri rikujtoni çka sapo u tha mâ nelt, se: “Popujt e lashtësisë êmënat e vendeve të tyne i vendosnin simbas ndonji êmëni të Zotave të tyne apo herojve.”¹⁷
Pra, “IBALLE” âsht êmën PERËNDIE – HYJNESHE PAGANE, që i njëjti popull, me të njëtin gen, fis e gjak, trashëgoi me mijëra vjet. Na vetë ia ngjitëm kët êmën prej n’krye t’herës e nuk na e ngjiti apo dha kush.
Bile-bile, Iballja, âsht edhe kryeqëndra e krejt atyne fshatrave e vendeve jo vetëm thaqnjâne, por e tân atyne që mbajnë paraardhës konkret apo mitik, Murr Detin. Madje në harta, shpesh herë të tâna këto fshatra (Berisha, Midha, Bugjoni, Fierza, Arsti, Truen, Dardhë, Xâth, Sakat, Blerim, Kulumri, Flet, etj.) dalin nën nënshkrimin “Ibali Popoli” = Popujt e Iballes.
📷IBALI POPOLI = POPUJT (katundet apo fiset) E IBALLES.
Tek nji numër i revistës prestigjoze “Hylli i Dritës”, shkruhet: “Popujt e Iballes e mârrin kët êmën prej katundit s’Iballes qi âsht qândra e atyne fisevet e kjuhen “3 Bajrakët e Epërm”. Fisi qi zotnon këtu âsht Thaqi mâ i pari, e fisi i Berishës i dyti, pse mâ i pakët.”
Pra, të bijtë e Gjíbales/Kybele/Kybala/Sibaele… popujt që dikur nderuen Perëndeshën Kybelen/Sibaela? E që jetuan rreth Detit Murrëm apo Murr Detit?
Lidhja dhe vijimësia prej genit Thrako-Ilir e deri tek Thaqi i sotëm mund të mbështetet edhe në ADN-në EV-13 që m’ka dalë mue përsonalisht në analizat e ADN-së zhvillue këtu në Amerikë, e tân atyne që i përkasin fisit Thaq në Pukë e mâ gjân.
Në veprën e madhe “Fjalori Klasik: Êmënat e përmendur nga autorët antikë.” të botuem në vitin 1820 në Londër, disa êmëna shpjegohen kështu:
– PHRYGIA: Frigja, nji shtet në Azinë e Vogël i cili e muer êmënin nga Brigjët, nji komb apo etni në Thraki e Maqedoni, të cilët u ngulitën atje (pra në Azi të Vogël pasi migruan nga Maqedonia).
– Cybele: (Sibaele/Kibela/Ibalea/Iballja): Ishte Kryehyjnesha e këtij populli/kësaj etnie.
– Cybele: Perëndeshë. Nâna e Perëndive. E bija e Ceulus dhe Terra. (Tokës e Qilles/Qiellit)
(Vëreni etimologjinë këtu: pra, Cybela/Cybala/Sibela/Ibalea/Iballja ishte e bija e “Ceulus”, pra Qiellit dhe Tokës (Terra).
Ceulus kuptohet qartë që vjen nga fjala shqip “qiell”, por kjo bâhet edhe mâ e vertetueshme, sepse Ceulus në mitologji âsht i barabartë me Uranin (Vrâni), i cili (Urani) gjithashtu âsht Perëndia që përsonifikon Qiellin. Vrâni âsht qielli sepse qielli vrâhet.. prej reve.
Pra, nëse vutë re, diku nga fillimi i shkrimit, edhe Japeti, ati i thrakëve e gjithashtu edhe Cybele (Sibaele/Kibela/Ibalea), nânmadhja apo Kryeperendesha e Brigjëve (Frigjëve) po ashtu popullsi thrakase, të dy pra, rrjedhin apo janë bijtë e QIELLIT dhe TOKËS. Këtu kujto prapë bènë (betimin) që bâjnë Thaqnjânët e pukjanët në përgjithësi, që i dallon nga çdo krahinë tjetër e Shqiptarisë, bèja: “Pashá Tokë e Qīll”. Kjo bè padyshim që lidhet me prejardhjen, besimin, e trashëgiminë tonë thaqjane kulturore.


– Cybele: gruaja e Saturnit e cila adhurohej nga Frygët/Brigjët.

vijon.. “Kësaj Perëndeshe i kushtohen festimë e festivale tepër të mëdha, ku burrat kalonin në delir..” (e ka fjalën, se këtë natë, si nji natë hyjnore, mâ shumë se netëve të tjera, burrat jepeshin apo i kushtoheshin mâ fort grave e tyne…. mos t’u duket shaka apo banalitet, pasi âsht e vërtetë dhe do e shtjelloj mâ poshtë.)
– Cybélus: nji mal në Frygi, ku Perëndesha Cybele/Sibaele adhurohej. Bâheshin festa, flijime në kafshë, karnavale, etj., për hir të saj.
Meqë jena këtu tek malet dhe adhurimi në male, dua t’përmênd nji shpjegim interesant të prof. Kin Gegës prej Berishe, i cili nga gjuhësia dhe etimologjia âsht tepër i dijshëm i cili thotë: “Ubaldo, festa e tre qirave.. (U bâ lé ty) (Balë – rit i kryer në majen e malit Bales në Iballë, Pukë, Shqipëri), festime traditash teper të moçme pagane nga të cilat çdo gjë rikujton RISHPALOSJEN e JETËS dhe VIJIMIN e CIKLEVE TË SAJ.” – mbyll komentin prof. Kini.
Pra, ri-shihni çka shkruajta mâ sipër, rreth adhurimit ndaj Perëndeshës Cybele/Sibaele në mal, festivaleve… dhe përkushtimit të meshkujve pikërisht në këtë natë mâ shumë se kurdo herë.Në asnjë mënyrë kjo që sapo thashë nuk duhet tu duket banale apo qesharake, pasi në lashtësi, problemi dhe preokupimi kryesor ishte ripërtëritja, shumimi, shtimi. Këtu futet ripërtërimi në njerëz, me u shtu e me bâ fëmijë, pasi duhej krah pune dhe lufte; shtimi në kafshë të ndryshme (bêrré, dhênë e dhí, etj.), pasi duhej të kishin me çfarë me mbajtë robt; dhe ripërtëritja në bujqësi, edhe kjo për nevojat jetësore.

Pra, rreth shtimit, shumimit dhe ripërtëritjes zhvilloheshin edhe kulte, zhvilloheshin edhe festa apo netë e ditë të caktueme që i kushtoheshin nji Perëndie apo Perëndeshe, në këtë rast edhe në malin Cybela tek Brigjët/Frygët dhe tek mali Bale në Iballe tek Thaqjanët.
Të njâjtën gjâ pohon edhe profesor Kin Gega simbas shpjegimit të tij, thjesht kushtojini vëmendje.

Edhe êmënat janë po me të njâjtat rrânjë kuptimore.. (Ubaldo=U bâ lé ty) dhe (Cybele/Sibela=Si bâ lé)
Çfarë âsht shkrue deri tash, mund të thuhet se ka nji përputhshmëri të tejplotë në çdo êmën, rit, dokë, zakone, etimologji, kulturë, etj. Nuk munden të tâna këto çfarë folëm deri tash, të jenë rastësi.
Libri “Fjalori Klasik: Êmënat e përmendur nga autorët antikë.” vazhdon mâ tej…:
“Qytetet mâ të shqueme të Brigjëve/Frygëve përveç (1) TROJËS, ishte edhe (2) Laodicé (Ludrica?), (3) Herapoli dhe (4) Sinada. *Ludrica âsht lagje e Iballes edhe sot me fis Berishë.
(5) Cybele ose Cybala ose Sibaele: (Ibalea…Iballe) Nji qytet në Frygi, i ashtuquejtun prej Perëndeshës Cybele.“
 “Shpikja e fyellit dhe e punimeve të tjera qëndismtare (artit të të qëndisunit) i atribuohen kësaj popullsie, Brigjëve/Frigjëve, që nga shumë autorë paraqiten si shumë kryefortë.’’

Virgjili si të gjithë popujt e tjerë thrako-ilirë dhe jo grekë, thotë se edhe këta quheshin “barbarë” nga grekët.“

Pra, çka s’âsht grek, dihet që âsht ilir.. thrako-ilir.. maqedono-epirjot.. thrako-dardan.. dardano-ilir.

Edhe gjuhën e kishin ndryshe nga grekët.
Duhet mos të kalojmë në injorancë apo idiotizëm sikur disa autorë përtacë shqipfolësa e të mendojmë se Thaqi në këto anë erdh’ para 5 vjetësh, 50 apo 500 vjetësh, por bâhet fjalë për vazhdimësi të mirëfilltë, pasi në atë kohë jetuen Brigjët e mandej vimë tek Pirustët që jetuen në shek. I mbas Krishtit e mbrapa… e deri tek Dukagjini i Vjetër në mesjetë e tek Puka e sotme. Gjithçka folëm deri tash, vërteton se ka nji vazhdimësi në njerëz (nji gjak e fis) me të njëjtat dokë, êmëna, zakone e kulturë, që adhurojnë e besojnë njëjtë, e se sillen, pra kanë nji kulturë të njëjtë.
Siç e citova mâ nelt, Homeri në Iliadë, thotë se Hekuba, gruaja e Priamit – mbretit të Trojës, ishte brigjase/frigjase. Kjo bâni që Trojanët të mbajnë nji lidhje tepër të ngushtë me Brigjët/Frigjët përgjatë tân historisë e Brigjët siç e thotë Homeri, “..të luftojnë me ENTUZIAZËM kundër grekëve”.
Që dikush mos t’gabojë t’i quajnë Brigjët/Frigjët aziatikë, por pellazgë thrako-ilirë  e vërteton edhe gjuha që ata flisnin. Gjuha e tyne simbas Homerit ishte indoeuropiane. Pra, njisoj si shqipja e sotme. Edhe autorët Claude Brixhe dhe Elia Bolaris në veprat e tyne, thonë se gjuha e Brigjëve padyshim që nuk i përkiste gjuhëve anatolike por indoeuropiane. Kjo pra, sipas shumicës së studiuesëve dhe shkolltarëve, e vërteton se origjina e Brigjëve/Frigjëve ishte europiane, nga Maqedonia e lashtë, të cilët emigruen në Anatoli (Trojë), dhe jo anasjelltas.
Brigjët shpesh herë na dalin nga historianët e antikitetit si popullsi edhe në Durrës e bile nga autori i mâvonë, J. Wilkes në veprën e tij “Ilirët” (The Illyrians), shprehet se “Brigjët e rrethuen dhe zotnuen Durrësin dhe territoret përreth”. Pra, çdokund afër brigjeve të ujit…… det, liqe, lumenj…
Gjithçka folëm mâ nelt, len me kuptue që nji degë pasardhëse e Brigjëve pra, ishte edhe ajo që sot njihet si Brigjet apo Thaqët në Pukë, bregut Drinit që përmendi mâ nelt edhe J. Von Hahn.
Prandaj në këto anë jena të lashtë, autoktonë, pasi dimë që Maqedonia e lashtë shtrihej deri në Dri here-herë, edhe pse ndarjet administrative kanë ndryshue vazhdimisht. Nuk jena të ardhun rishtaz sikur mundohen me na bâ disa autorë që nuk e lodhin veten të thellohen mâ shumë se 200-300 vjet, ose nga dashakeqësia ose nga pádija. Këto toka janë tonat me mijëra vjet. Ka pas migrime, vajtje e ardhje, por tokat kurrë nuk i kena lëshue përfundimisht e lânë PA ZOT!!! Edhe diçka, e cila vlen.. Pleqtë tonë, kurrë nuk i kemi ndie, as kurrë nuk mbajnë mend t’kenë ndie që dikush tjetër të ketë jetue në tokat e ne Thaqjânëve përveç pirustëve të para 2000 vjetve.

Ky fakt, që jena moti këtyne anëve e BRIGJEVE (të Drinit) vërtetohet edhe në bazë të numrit të madh të popullsisë që Thaqi ka kryesisht në Pukë, por edhe në Mirditë, Shkodër, Zadrimë, Has e deri në Kosovë.

Kjo popullsi e kjo mbushje masive e fshatrave nuk bâhet as për 5 vjet, as për 50 vjet e madje as për 500 vjet. Këtu mund të bâhet nji matematikë e thjeshtë e brezave, numrit të tejmadh të fshatnave me përkatësi fisnore THAQ, e të nxjerrim rezultatet.
Pra, tân kemi emigru, përgjatë krejt historisë së njerëzimit. Edhe unë sot jetoj në Amerikë, por gjaku dhe ADN e gjakut tem, mbetet shqiptar, ilir apo thrako-ilir, EV13: e cila mbizotënon në veri t’Shqipnîsë. Prandaj, edhe lëvizjet kanë ndodhë… largim-kthim-rikthim, etj., por, THAQI mbetet ai fis i lashtë me rrânjë thrake (pellazge) apo thrako-ilire që ka ardhë si gen i pandryshueshëm deri sot, autokton, në toka shqiptarësh, thrakësh, ilirësh apo pellazgësh, pavarsisht a në Maqedoni, Dardani, Thraki, Trojë, Durrës, apo BRIGJEVE TË DRINIT në Pukë ku edhe sot gjendet masivisht dhe mbetet origjina dhe përqëndrimi mâ i madh i fisit THAQ që i ka dhânë kombit BURRA BESE, PUSHKE, PENDE, MENDJE, ARTI, FLAMURI DHE KANUNI.

Pra, kaq përsa i përket lidhjes së Thaqit me Brigjët/Frigjët dhe genin Thrako-Iliro-PELLAZG.

Mâ tej tek vepra: “Fjalori Klasik: Êmënat e përmendur nga autorët antikë.’’ thuhet:

“PIRUS: Êmën i nji kapiteni të Thrakëve gjatë luftë së Trojës (aleat i trojanëve).”
“PIRUSTÆ: Popull që mâ vonë përmendet në Iliri. Shek. II para Krishtit.”

PIRUSTËT

📷Ku â Pukë, â Pirust.

Këtu tash, mbasi jena tek Pirustët, do argumentoj, që n’bazë të t’dhânave historike rezulton se fiset e Pukës së sotme janë popullsia kryesore Piruste.

E di se shumë-kush ka qef me ua ndërru vendshtrimjen dhe zemrën e tyne Pirustëve por ajo padyshim që mbetet Puka e sotme, ose thânë ndryshi, bregu i majtë i lumit Drin.

Dikush i çon në Mal të Zi, dikush deri në Prishtinë e dikush deri në Mat.

Asgjâ të keqe nuk ka nga ana dashamirëse për me e zmadhu ket’ fis por ama kur vjen puna tek t’dhânat historike e ato hartografike atëhere puna ndërron krejtësisht e duhet të jena KORREKT!!!

Pirustët nuk u shtrinë n’Mal t’Zi edhe pse Mali i Zi ish popullsi shqiptare dikur, e as deri n’Mat.

Deri në Prishtinë…? S’ka të dhâna!

Zemra e Pirustit antik, pra përqëndrimi mâ i mâdh, âsht Puka e sotme me fiset e Thaqit, Berishës, Komanit, (pra zona e Komanit) dhe zona e Spasit.

“Në lindje nga Liqeni i Shkodrës, afër Lumit Drin, FILLIMISHT, jetoi fisi Ilir i Pirustëve, që mâ pas, me kalimin e kohës migroi në rajone të ndryshme.” – Vladimir Pesic & Gordan Karaman: “Mjedisi i Liqenit të Shkodrës.”

📷Pirustae, ekzaktësisht mbi Pukën e sotme. Ana e majtë e Drinit – Dukagjini i Vjetër.

”Pirustët, ishin nji fis, shpesh aleatë me Romën që banonin luginën e Drinit.” – “Luftërat Galike të Çezarit” botue nga Allen & Greenough’s Latin Series, në vitin e largët 1887.)

Fisi kryesor që mund të identifikohet sot nga ajo popullsi Piruste âsht veçanërisht fisi i Thaqit që gjithnjâ simbas të dhânave historike, âsht fisi kryesor i asaj popullsie apo fisi çka dikur quhej PIRUST.

Phrygians-Pryzh-Prush-Pirus-Prush-Prushtatët?
Sikur e cekëm disa herë mâ sipër, zakonisht êmnat e tyne – vendet, fshatnat, familjet e fiset i merrnin n’bazë të veçorive dhe karakteristikave dalluese etno-kulturore të tyne. Në bazë të Perëndive, herojve, kulturës, etj.
Pra, njerëzit e prushit: Prushtarët.
Po cilat janë të dhânat që vërtetojnë se fisi i Thaqit âsht gjeneza mâ kryesore piruste?

Âsht shumë e thjeshtë. Thjesht shih se kush i ka banue tokat e Pirustëve me shekuj.
E ai fis kryesor nga bregu i Drinit (Brigje, siç citova mâ nelt J. Von Hahn me 5700 banorë vetëm në rrethin e Pukës) e deri në bregun e lumit Fan e gjithashtu fshati Fan në Mirditë, janë shumica dërmuese Thaqnjânë. As nuk janë suljotë, as Krasniqe, as Shkrel, as Kelmend.. por janë Thaqnjânë pra.
Fshatra të cilat do i përmend mâ poshtë.
Nga ajo popullsi e dikurshme e Pirustëve, sot rrjedh fisi i Thaqit.
Edhe simbas antropologëve A. Dhima (shqiptar) dhe C. Coon (amerikan), vazhdimësia e popullsisë së Pukës duket në tiparet antropologjike të arbërve të shek. VI-VIII gjetë nëpër vorrezat e Komanit me ato të banorëve të sotëm të Pukës në masën mbi 70%. Pra, nuk dulem faret, vijimësia e jetës dhe së njëjtës popullsi nëpër malet e Pukës, âsht e qartë!!!
Fisi i Thaqit në Pukë e ruajti êmënin e tij mâ fort, gjâ që ndodh edhe sot ku tân ndihen krenar për fisin qysh nga Bugjoni, Gralishti, Fierzë, Arst-Miliska, Iballe, Mzi, Xâth, Kulumri, Truen, Sakat, Blerim, Flet dhe Gojan.
Kështu shprehet Karl Patsch në veprën “Gjëndja ekonomike e kulturore e Shqipnis në kohën e kalueme” përkthyer prej Karl Gurakuqit, profesor në shkollën teknike, Tiranë:
“Dashûnîja e Pirustëvet për gërmime malesh dhe zotsija e tyne në këtë mjeshtri na kallxojnë kjarisht se, se në viset e tyne në Shqipni gjindej ár i mjaftë. Ky fis kishte ndêjen e vet në hinterlandin e Lezhës, e përfshinte Malësinë e sotme të Lezhës, Mirditën (Fandin)  e Dukagjinin (âsht fjala për Pukën, pra Dukagjini i Vjetër e jo Dukagjinët tjerë), deri në bashkimin e Drinavet në veri e deri në Drinin e Zi në lindje, të cillët formojshin kufinin natyror të Pirustëvet.“ Pra, këtu nuk u përmend as Mal i Zi, as Prishtinë e as Mat, se krejt s’kanë pasë me kânë Pirustë.
Kjo dashûnî ndaj metalit, e për me mbajtë ar apo argjend nëpër trup vërtetohet edhe tek veshjet e grave të Pukës, tek Xhubleta e ngushtë. Gjithashtu, vërtetohet edhe prej raportit që na sjell Frang Bardhi gjate vizitës tij në Dukagjin (Pukë) më 1637, i cili shprehet ekzaktësisht kështu:
“Të tân mâshkujt, të mëdhaj e të vegjël, mbajnë vâthë, kush argjânti, kush argjânti të praruem, si të jetë gjendja dhe fuqia e tyne, dhe nga kjo njihen se janë të krishtenë, dhe të ndryshëm prej turqve.”... Karl Patsch “Gjëndja ekonomike e kulturore e Shqipnis në kohën e kalueme” vijon…
“Gjatë rrugëvet themeloheshin qytete të reja ose zmâdhoheshin të vjetrat: të cillat, në pjesën mâ të madhe të tyne, jetojshin me mârrëdhânje. Këtu gjêjshin jetesën karrocarë, farktarë, shalbâsa, pronarë restaurantash, pêmshitës, etj., etj. Përveç kësaj, për sigurimin e marrëdhânjevet, qeveria ngrehte kështjelle, të cillat i ruente me garnizone të mdhaja e të vogla. Disa ndër këto kështjelle janë zbuluem si ajo në Iballe, ajo në Pukë mbrendë (në qytet) dhe ajo në Vig t’Mirditës.”..Kurse në Mirditë, me kalimin e kohës banorët e ruajtën êmënin e fisit vetëm në kujtesen e tyne por ama u quajtën Fandamâdhi ose Fandamdhéj (që në shqipen e vjetër dmth autokton/anas: pra, Thaqjanët në këto katunde të Fanit janë autoktonë e jo të ardhun, siç disa kanë dëshirë t’i bâjnë disa). Të tâna fshatrat e Fanit, pa dyshim, të tâna, origjinën dhe përkatësinë e tyne fisnore e dinë.
Këtu mund t’përmendim: Thirra, Sangu, Bishëza/Mishëza, Sholthi, Molla e Kuqe, Hebëja, Ferrëthi, Shtrungaja, Klosi, Bisakët e Domgjoni, të cilët të tân pa përjashtim mbahen me fis THAQ.
Fandamâdhi
 pra, u quejt kjo popullsi AUTOKTONE-piruste-thaqjane me fis, që vetë rrjedhat e historisë, shkaktuan që të distancohen sado pak nga pjesa tjetër e fisit dhe jo se këta muren êmënin nga lumi Fan, por nga autoktonia, sikur e tân pjesa tjetër e Thaqit nëpër Pukë e Mirditë. Pra, Fandamâdhi ishin Thaqjanë nga çka pamë në fshatrat mâ sipër e jo fis tjetër. E si mund të jetë Thaqi i ardhun rishtaz atëhere nëpër Pukë e Fan kur pikërisht këta (thaqjanët) janë Fandamâdhi e autoktonët në Mirditë? E se këta mbizotënojnë popullsinë e Fanit..!! Popullsia e Thaqit as në Pukë e as në Mirditë nuk njeh të ketë pasë njerëz e popullsi tjetër në tokat e tyne përpara tyne. Atëhere pse mundohen aq shumë t’na bâjnë sa mâ “t’ri” e sa mâ vonë t’ardhun ? Na jem autoktonë në këto toka e nuk njohim kând tjetër para nesh.
Êmëni i lumit Fan nuk ka lidhje me emërtimin e popullsisë si {Fandas}. Duhet sqarue dhe KUPTUE se lumi e muer êmënin prej popullsisë e jo popullsia prej lumit. Se njeriu êmënon lumejtë e jo lumejtë njerëzit.
Qé si i sjell Gazulli këto fakte interesante:
Pra, nuk du, as nuk po ja hjeku Mirditës së sotme kët’ pjesë, por thjesht për të nënvizue çka përmban historia, duhet ditë se lumi Fanë buron në malet e Pukës. Gjithashtu edhe për të kuptue që Fani nuk âsht Mirdita e fisit (Morinë: Orosh, Spaç apo Kuzhnen) por âsht popullsi vendase thaqnjâne-piruste dhe jo e ardhun po sjell këtë copëz shkrim prej gjuhëtarit Nikollë Gazulli.
“Fandi nuk âsht Merdita e fisit por i âsht mbështetë Merditës. Lumi Fandi i Madh xên fill në bjeshkë të Dardhës së Pukës, hin me nji herë në Kryezi, i shtuem prej shumë krojesh, prei Lumit të Zi, Lejthizës, e Lëpatit qi ulet prej Qafës Malit, rrjedh Fushës s’Arstit, nëpër Sh’mijë, Shkozë e Gojan, e mandej bashkohet me vëllan e vet Fandin e Vogel në katundin Ndërfandëna.” “Fandamâdhi: Fis ilir që e pat banimin, mbas goje së popullit, në Pukë e Merditë.”

(
Lexo me kujdes! Pukë e Merditë thotë Gazulli. Pra Thaqjanët e Pukës dhe Mirditës. Rreth lumit që buron në Pukë e shtrihet në Pukë e Mirditë.)
…
“…Popull punëtuer metalash: u gjetënë shtonat e punueme ndën dhé kû grryejshinë rêmin e hekurin, e farkët kû punuenë shifën edhe sod në Bjeshkë të Kryeziut dhe të Kërrabit Pukës. Kjenë njerëz shtatmëdhaj, kersini i kâmbës së tyne mbërrijte në 70 qindësha metri. Vendi i tyne siç thamë përfshinte Merditën e Pukën. Dmth tokën shka e rrjedhinë luméjt Drini e Fandi, prandaj edhe nji pjesë të Lumës. Punimet e tyne janë të dishëmueme në sende të metalëta qi u gjetën në Kodër-vorrezë në Koman të Pukës. Historia s’na i përmend me këtë êmën (Fandamâdhi) qi ndoshta u kje ngjitë mâ vonë por me êmënin “Pirustë.”” Prei Fandamëdhajsh ka mbetë: 1) Shtangu i Konejvet të Fandit. 2) i dyti banues në Pukë e Merditë. 3) Gjithçka shka ngjeti e kjuejnë “Kaurri”. Në Pukë kujto Shpellën e Kaurrit.
¹⁸
Konejt e Fanit dihet botënisht që me fis jânë 100% Berishë.
Pra, kujto se Thaçi e Berisha, në këto troje (nga Drini deri n’Fanë) janë fiset mâ të mëdha, pavarsisht se shtrirja e tyne kap dy krahina: Pukë e Mirditë.

Prandaj këto fise janë fiset kryesore PIRUSTE bashkë me zonën e Komanit që ka nji qytetnim t’lashtë e bashkë me zonën e Spasit (apo Malziut) që âsht edhe kufini i vjetër natyror i Pukës lashtë.

“Pra, me pak fjalë, êmënat “Barbar, Kaurri, Fandamâdhi”, për të diftue banorët e parë të tokës shqiptare, s’duen me thânë tjetër veç se “të moçëmit”.¹⁹
Lidhja e gjakut mes thaqjanëve të Pukës e Mirditës vërtetohet edhe se asnji thaqjan i Pukës nuk martohet me thaqjanët e Mirditës.
Kaq sa për Pirustët.

Përpilimi/shpjegimi i fjalës IBALLE.

Prapë, nga gjuhëtari i madh Nikollë Gazulli, vjen ky shpjegim.
“Iballe-Iballja: katund e flamur (bajrak) në Pukë. Si toponym êmëni Iballe, gjindet edhe në Postrripë. Krahasimi me illyrishten “Sibalis” ecë për arsye se ajo “S” përpara s’ka vështirësi mbasi êmëni i nji fisit illyr shkruhet “Vardae për Sardeates”, “Anderba për Sanderba/Sanderua), etj. Edhe në shqipen e sotme gjejmë psh: i sâmet, i âmet, pa u ndërrue kuptimi i fjalës. Skoçinë=koçitë; i skujmë=i lëkuqun. Këtë “S” parashtesë e gjejmë edhe te Skodra (Shkodra) që mbas gjitha gjasash mbëshef (fsheh) substantivin shqipe: Kodra. Dikush kujton se êmëni Iballe ka të bâjë me êmënin e mâlit: Bale (aty afër, në Iballe) por këtij i thonë zhvillim populluer. Nga ana tjetër njaqë të shumëta janë ngjasimet ndërmjet toponymevet të Shqipëtarisë e të Illyrishtes sa mos me mbetë dyshim aspak që shumë êmëna i kemi trashëgue prei so. (Prej Ilirisë).”²⁰

📷IBALLJA ORËMADHE!

Në Iballe, me fis Thaq: Pnîshi, Mushkaj e Cenaj, Buçaj, Kodërbuçi, Kodërmushku, Ndërlymëna, Shahin, Mirakaj, Gerja, Çurku, etj.
Fis Toplane: Koprat (Pemataj, Vataj e Papaj, Maquta, Vilë.
Fis Berishe: Ludrica, Arapi.
Fis Kabashi: Zotnitë.
Lagjet pra: Pnîshi, Arapi, Çuku, Gerajt, Gojani, Illija (êmën illlyr), Kodërbuçi, Kodërmushku, Koprati, Maçuta, Zotënit, Ndërlymëna, Prozhëmi, Qarrishta, Sapaçi, Vâthëzi dhe Tepëja. Banorët quhen Iballësa/Iballësit.
Toponimet janë: Qytetëza (çka kallxon ekzistencën nji qytezë (kështjelle) të lashtë.); Brraka e Qytetëzës; Mali i Qarramisë; Qafa e Qarramisë; Podi i Qarramisë; Mj. e Qopégut. Kroni i Tplânit; Kroni i Palajt; Kroni i Dilë Ukes; Hurdha e Vogël; Hurdha e Madhe; Qarrishte; Maja e Bales; Shpati i Dërrasavet; Krrut; Kneta; Fusha e Laçit; Prroni i Laçit; Kodra e Kishës; Kisha e Thaqit (e vjetra) e cila daton të paktën qysh nga shek. V mbas Krishtit; Shpati i Bojës; Qafa e Sharit; Bokat e Kopratit; Shalëza e Gojanit; Livadhi i Agrushit; Maja e Artkatit; Kryethiu; Bjeshka e Arapit; Sula e Arapit; Podi i Gavigjes; Livadhet e Bugjonit; Kryeqzat; Qafa e Hysen Markut; Livadhi i Priftit; Kodra e Fratit (gjindet midis fushës s’Iballes, kû moti Turkija ka pasë vra nji prift. Këtu edhe â kânë vorrue).; Podi i Qorromisë; Prêgjeç; Guri i Gjergj Ukës; Rrasa e Madhe; Pjâ; Podi i Brigjes (kujto Brigjët/Frigjët); Lumi i Bosetës; Shala e Vogël; Guri i Xhudhisë; Kisha e Jeremisë (truell); Kisha e Sh’Masjanit (dikur famullitare); âsht midis trojevet të Kalasë së Lekës e asaj të Pirustëvet, (mâ vonë quhet Kalaja e Skandërbegut); Sofra e Lekës (sofer guri për 10 vetë, shkâmb i gjallë). Kisha e Sh’Lleshtrit (Sh’Llezhdrit).
Rreshti i disa famullitarëve të Iballes: Dom Ndue Gega, mâ i vjetri me tirqë e xhurdi. Dom Gjon Naraci, Dom Shtjefen Naraçi, Patër Dedë Pasi, Patër Zef Mesi O.F.M., Patër Severin Lushaj, Patër Gjentil Biella, Patër Metod Mjekajsh, Patër Sebastian Hila, Patër Marjan Prêla, Patër Ndue Topalli, Patër Gjon Dema, Patër Mati Prendushi, Patër Pal Dodaj, Patër Gjon Di Salvo, Patër Bernadin Llupi, Patër Loro Mileta, Patër Nikollë Kolej.

Mârrë nga Gjon Karma “Ndër malet tona” dhe nga Revista Hylli i Dritës.

Për iballsit e Thaqnjânët âsht thânë:

“Iballja simbas disa historianëve të mesjetës, përbânte qëndren e dukagjinasëve të veriut dhe ishte njâ ndër malësitë kryesore në atë çka quhej “Malësia e Dukagjinit” (Pukës). Malësia e Dukagjinit përbâhej prej maleve Pukë-Iballe-Malzi.” – V. Hahnn.

📷Puka si Dukagjini i Vjetër e Iballja si kryeqëndra e Dukagjinit Vjetër (Pukës).

📷Stili i flokëve që dukagjinasit e mesjetës (pukjanët) mbajshin. I njëjti stil pak a shumë që edhe Lek Dukagjini na paraqitet nëpër portrete. Në foto: Malsorë t’Iballes.
“Malet e Thaqit dhe të Berishës ishin pronë e familjes së famshme të Dukagjinëve, ku tradita kallxon se kishin nji shtëpi a kullë e se ku ai vetë (Leka) kish zhvillue beteja me rivalët e tij” – At Giuseppe Valentini.
📷Princi ynë: LEK DUKAGJINI.
“Fisi i Thaqit, âsht nga mâ të kulluemit, nga ma të fortit e të shëndoshtit, nga mâ bukë dhânësit e bujarët dhe nga mâ trimat e armës dhe të çfaqunit të mendimeve të arësyeshme.” – Prof. Mehmet Vokshi, Fisi Voksh viti 1931 fq. 6.
📷Vnojmë oroe, djaloshin në të djathtë, i armatosun, pavarsisht se në moshe të vogël. Kreshnikë Iballje.
“Fisi i panënshtruem i Thaqit dëshmoi se sa vështirë ishte të nânshtrohej ky fis në periudhën osmane. Herë mbas here, pushteti turk i mbyllun në kalanë e Pukës, dërgonte ekspedita ndëshkuese kundër tyne, me 8000-10.000 ushtarë. Më 1744 u rrafshuan me tokë 105 shpi të familjeve të Iballes, e fisi u sistemua në rajonin e Gjakovës. Mirëpo, s’shpejti, Thaqët u kthyen në vendlindjen e të parëve (Iballe).

Rivendosjet e këtilla të ekspeditave ndëshkuese (ushtrive) turke rrallë paten sukses.” – Robert Elsie (albanolog).
📷Malsorë / Luftëtarë Iballje. Vigâj…
“Këto pak katunde të vogla t’Iballes, kurrë nuk ka mujtë t’i shtrojë nën tiraninë e vet Turkia, megjithëse, pothuejse vjet për vjet ka dërgue sanxhakët e vezirët e vet tash me 5, tash me 6, tash me 10 mijë ushtarë për të muejt me ja shtrue furisë së vet dhe kurrë nuk ka muejt me u bâmë atyne ndonji dâm, veçse me ua rrënue ato kishat e tyne dhe me ua ndezë shtëpitë, qi me qëllim ata (iballsit) i kanë bâmë me pak vleftë, sepse janë vazhdimsisht në luftë me turq.

Ata të Iballes i presin turqit, qi shkojnë kundër tyne, ndër rrugët e vendet fort të ngushta dhe i vrasin e i plagosin. Kështu turqit… të thyem… vêhen në ikje dhe malsorët i zhveshin (u marrin) petkash, armësh, kuajsh e çdo gjâje si triumfues.”

……

“Nân zotnimin e turkut në Evropë nuk gjinden as nuk janë kund burrat si këta qi kaq trazim dhe kaq rrenim t’u kenë sjellë turqvë sa këta popuj të Dukagjinit (Pukës) dhe prandaj besohet së në Evropë nuk mund të gjnden burra armësh mâ të mire së këta kundër turkut sepse 100 kësish vlejnë sa 1000 turq dhe jo fshehtas ose për së largut me zjarr por ballë për ballë dhe shpatë për shpatë, nji i vetëm shkon me guxim e futet në mes të 15-20 vetavë.” – Ipeshkv Frang Bardhi. Iballe 1637.

 “
Nëpër popujt e Pukës kalon për Serbi një rrugë e madhe e përbashkët tregtare, kështu prej rrugës ka marrë emnin populli, sepse (Puka) në gjuhën shqipe (të cilën e flet Puka dhe të gjithë popujt e vendet e sipërthanuna) don me thanë rrugët e rrahun e përbashkët. Ka shumë kohë që kjo rrugë asht mbyllë prej të krishtenëve shqiptarë, që kanë çue krye kundra turçvet, tu plaçkitun tregtarët turq, përndryshej sasi e madhe mallnash do të vinte nga Serbia dhe do të dilte nga Shqipnia për Serbi. Këta të krishtenë kryengritës kanë qenë sidomos ata t’Iballes, të vendosun ndër vende e male shumë të forta.” – Ipeshkv Frang Bardhi. Iballe 1637.

“Në tetor 1610, Ahmet Beg Cucca [Ahmet bej Kuka] mblodhi 1500 njerëz për të kryer nji sulm të befasishëm në Iballe, por meqenëse këta mësuen paraprakisht për sulmin, ata mblodhën thjesht 500 nga njerëzit e tyne dhe e detyruen anmikun të futet në nji grykë të ngushtë të vështirë, ku ata as nuk mund të iknin e as të luftonin. Ata ishin mbërthye atje të rrethuem nga burra që ose donin t’i vrisnin ose t’i zinin rob për të tregue fitoren e tyne. Këta burra të guximshëm të Iballes vranë kaq shumë ushtarë të hutuem dhe të mundur, duke i plagosur fillimisht nga larg me shigjetat e tyne dhe më pas duke i sulmue në luftime trup me trup, sa që edhe sanxhak beu u vra. Pak prej ushtarëve osmanë mbijetuen. Do të mbahet mend përgjithmonë se me atë rast, një kalë turk u ishte shitë fitimtarëve për dy bajoki [monedha papale] dhe një shpatë tejet me vlerë u shit për një bajok. Burrat e Dukagjinit (Pukës) kanë fitore të tjera të shumta të tilla, të mjaftueshme për të mbushë nji libër me aventurat e tyne të lavdishme.”– Pjetër Mazreku, viti 1633.
“Malsorët e Iballes e urrejnë tiraninë e turkut e nuk i paguejnë taksë. Turku këtu nuk ka shkelë kurrë.” – Gjergj Bardhi 1630.
“Iballja âsht e përmendun në Shqipni jo vetëm për shkak të pozitës ndaj Shkodrës, Prizrenit dhe Gjakovës, por edhe për shkak të banorëve, të fuqishëm dhe guximtar. Iballja âsht “oaz” rrafshnaltë në bjeshkët shqiptare. Banorët, janë njerëz të vlefshëm dhe guximtarë, dashamirë të paqës, mirëkuptimit vëllazëror dhe arësimit.”– P. Lovro Mihacevic, “Po Albaniji – dojmovi s puta”, Zagreb, Kroaci, 1911.
“Malsorët e Iballes janë kânë edhe jânë gjallnikë që kanë jetue në rrasë të gjall딓 – At Gjergj Fishta.

Fisi i Thaqit ka si festë fisi që e feston me miq e bija e dashamirë natën e madhe të SH’MASJANIT me datë 19 janar.
Thonë se t’parët tonë, lodhë nga bora e shumtë dhe e përhershme që binte n’malet tona (edhe kah 2-3m), se mikun do e pritshe mirë, në çfarëdo kohe, borë-shi-brêshen e gurë n’raftë.. u mblodhën e pleqnuen që festen e tyne midis dîmnît, pra me 19 Janar, ta kalojshin në Gusht, se në Gusht nuk bjé borë e se do u lehtësohej puna e pritja. Ashtu u bâ! Sh’mâsjanin e kaluen me 19 Gusht, filluen përgatitjet për natën e madhe, e miq, bija e dashamirë me ardhë.. e t’filloi me rā borë qysh do Zoti vetë, midis Gushtit. Kët’ shêj e murën si hyjnore thaqnjânët e prapë u mblodhen krent e fisit e pleqnuen që festen me e kalu prapë me 19 Janar, qysh ish kânë, se borë rā se rā për Sh’mâsjan edhe me 19 t’Gushtit verës… Prandaj, Sh’mâsjani gjithmonë vjen me borë.
📷Kisha e THAQIT, IBALLE. Ndërtue mbi rrënojat e Kalasë së Pirustëve, mâ vonë Kalaja e Lek Dukagjinit e mâ vonë merr êmënin Kalaja e Skanderbegut.
Iballja âsht ajo që zyrtarisht ka hapë shkollën e parë shqipe në Pukë e ndër të parat në veri qysh mbas pushtimit turk.
https://www.facebook.com/pellazg.ilir.pirust.arber.pukjanodukagjinas.pukjan/photos/a.625311374634222/834321347066556/
📷Dalë para shkolle: Mësuesi i shkollës, malsore iballsa edhe prifti i fshatit me qenin e tij.

📷Kol Bib Miraka bashkë me Ernest Koliqin, me malsorë iballsa e klerikë.
Do burra t’mêndjes, t’pêndës, fesë e Atdheut e t’fortë e t’përmendun Thaqnjânë të Iballes: At Gjergj Fishta, At Shtjefen Gjeçovi, Imzot Gaspër Thaçi, Prêlë Mehmeti (pjesëmârrës ne Lidhjen e Prizrenit), Bibë Ndoja (prijës lufte, 1912), Sulejman Vokshi me origjinë nga Iballja, Ramush Haradinaj me origjinë nga Iballja, Kol Bib Miraka (ministër), Fran Miraka (martir), Anton Dukagjini, etj.
Tash edhe diçka përfundi, me e mbyll.
E di që dikuj ndoshta i pelqen ky shkrim, e dikujt jo, por këto janë përmbledhje që unë përsonalisht kam bâ për fisin e vendin têm në bazë të tâna leximeve e studimeve që kam bâ. Kush ka ndoj ankesë, byrëm…
Nuk po ja vnoj vulen kësaj teme dhe nëse dikush ka mâ shumë informacion, apo informacion mâ të saktë e të besueshëm, atëhere bâjini publike e mos i mbani në sirtar.
Ju përshëndes tânve kush ta lexojnë.

Elidon Lekë Nikë THAQI-IBALLJA.
New York, Tetor, 2020.
Bibliografia:

1) Prof. Mehmet Vokshi, Fisi Voksh viti 1931 fq. 6.
2) Ipeshkv Frang Bardhi, relacion 1637.
3) Kadrush Sulejmani, Udhëtimet e Princ Lorikut të Dardanisë, “Për besëlidhjen e fiseve dhe viseve Ilire” faqe 34.
4) Prof.Bedri Pejani, Strategu xhenial “Krisobulat”, bulat e arta, (Akt- dhurimet) Faqe 35-36;  Prof. Dr.Shevqet Sahit Canhasi, Flakadani i Lirisë; Bajram Daklani, botim i revistës “DRITA” TRELEBORG – SUEDI” shtator 2017.
5) Prof. Mehmet Vokshi, Fisi -Voksh, viti 1931 faqe 28-30.
6) Nikollë Gazulli: Hylli i Dritës/Mars-Prill 1941. Fq. 178.
7) Hylli i Dritës / Marc – Máj 1941. Fq. 186.
8) Prof. Dr. Eqrem Zenelaj; “Lufta e Trojës sipas Diktit të Kretës dhe Darit të Frigjëve”. Fq 41-42. Botime Artini, Prishtinë, 2019.
9) Prof. Dr. Eqrem Zenelaj; “Lufta e Trojës sipas Diktit të Kretës dhe Darit të Frigjëve”. Fq 42. Botime Artini, Prishtinë, 2019.
10) Po aty.
11) Prof. Dr. Eqrem Zenelaj; “Lufta e Trojës sipas Diktit të Kretës dhe Darit të Frigjëve”. Fq 42-43. Botime Artini, Prishtinë, 2019.
12) Prof. Dr. Eqrem Zenelaj; “Lufta e Trojës sipas Diktit të Kretës dhe Darit të Frigjëve”. Fq 43. Botime Artini, Prishtinë, 2019.
13)  Prof. Dr. Eqrem Zenelaj; “Lufta e Trojës sipas Diktit të Kretës dhe Darit të Frigjëve”. Fq 44. Botime Artini, Prishtinë, 2019.
14) Prof. Dr. Eqrem Zenelaj; “Lufta e Trojës sipas Diktit të Kretës dhe Darit të Frigjëve.” Fq 69. Botime Artini, Prishtinë, 2019.
15) Prof. Dr. Eqrem Zenelaj; “Lufta e Trojës sipas Diktit të Kretës dhe Darit të Frigjëve.” Fq 82. Botime Artini, Prishtinë, 2019.
16) Prof. Dr. Eqrem Zenelaj; “Lufta e Trojës sipas Diktit të Kretës dhe Darit të Frigjëve.” Fq 40. Botime Artini, Prishtinë, 2019.
17) Prof. Dr. Eqrem Zenelaj; “Lufta e Trojës sipas Diktit të Kretës dhe Darit të Frigjëve.” Fq 82. Botime Artini, Prishtinë, 2019.
18) Nikollë Gazulli, Hylli i Dritës, fq. 181. Viti 1941.
19) Po aty. 20) Nikollë Gazulli: Hylli i Dritës 11-12, 1942. Fq. 426.

* Me kerkesen e autorit Kumtesa nuk I eshet nenshtruar redaktimit dhe korrektimit Letrar…

Filed Under: Histori Tagged With: Elidon Lekë Nika, Fisi i Thaqit, Iballja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 241
  • 242
  • 243
  • 244
  • 245
  • …
  • 710
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!
  • PERSONALITETE TË MËRGATËS SHQIPTARE NË MICHIGAN VIZITUAN KISHËN ORTODOKSE SHQIPTARE TË SHËN THOMAIT
  • VATRA CHICAGO ORGANIZOI “ALBANIAN BOOKFEST 2026”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT