• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJIGANTE SKULPTURA ARTISTIKE E SKËNDERBEUT NË LABINOT TË ELBASANIT

November 29, 2018 by dgreca

Kjo vepër përcjell shumë emocion, dhe Heroi ynë duket sikur është i gjallë.Fiqiri Kasa, më në fund ka realizuar një set fotografik me kryeveprën e tij, portretin gjigand të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu/

1 fiqiri kasa

Skulptori i veprave të mëdha, Fiqiri Kasa, më në fund ka realizuar një set fotografik me kryeveprën e tij, portretin gjigand të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

 

Kasa nuk ka preferuar të jetë shumë mediatik, sepse në fund të fundit për atë flet puna. Megjithatë më në fund edhe ai vetë ndjehet shumë i gëzuar me punën që ka kryer.

Në fakt cilido që e ka parë skulpturën e përfunduar të portretit të Skëndërbeut, ka mbetur i mahnitur. Kjo vepër përcjell shumë emocion, dhe Heroi ynë duket sikur është i gjallë.

Ky portret të mbush me krenari shqiptare. Ai ndodhet në City Fish (Rozafa) në Labinot Fushë dhe është sponsorizim i artistit Gjergj Luca, tashmë administrator i një prej kompanive më të mëdha në vend.

Tashmë presim punë të tjera nga skulptori i famshëm. Infoelbasani.al

Filed Under: Histori Tagged With: Fiqiri Kasa, foto gjigante, Labinot-Elbasan, Skenderbeu

Në Katedralen e Prizrenit zbulohet piktura e restauruar e Gjergj Kastriotit

November 28, 2018 by dgreca

-Kryeministri Haradinaj: Për çdo shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu është heroi ynë, prijësi ynë dhe do të mbetet gjithnjë/

1 Imam Imzot Harad1 a Ramushi pikt2 Piktura 11 piktura e skenderbeut1

PRIZREN, 27 Nëntor 2018- Gazeta DIELLI/ Piktura e restauruar e Gjergj Kastriotit, e cila gjendet brenda Katedrales Zoja Ndihmëtare në Prizren, është zbuluar në mbrëmjen e sotme – të 27 Nëntorit, ku  ishte i pranishëm edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj. Për ta përmbyllur kështu Vitin Jubilar të 550 vjetorit të kalimit në amshim të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Ipeshkvia Prizren-Prishtinë me këtë rast orgaizoi edhe një akademi solemne.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se jo vetëm si kryeministër, por si shqiptar, krenaria e tij, memoria e tij, kthjellet dhe shkon në mijëvjeçar, duke vërtetuar se shqiptarët janë populli më i vjetër  në kontinentin tonë me vlerat më të shquara dhe më të mira dhe që vërtet ata që ishim do të mbetemi në çdo kohë.”Ne nderuam vetën dhe të gjithë ata me të cilët ndamë kontinentin tonë. Shprehë respekt për gjithë udhëheqësit fetarë, dhe po ashtu një aftësi  të veçantë që ka shqiptari që kurrë mos të arrij askush të vendosë pengesa e barriera ose dallime. Shqiptarë kemi qenë, shqiptarë jemi e do mbetemi gjithnjë”, tha kryeministri Haradinaj.

Duke shprehur gëzimin që është bashkuar sot në 550 vjetorin e vdekjes së heroit tonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu, kryeministri Haradinaj shtoi se janë bashkuar edhe me një  porosi të një pikture që i dedikohet Skënderbeut nga një piktor i një populli tjetër dhe kësisoj vërtetohet se vlerat tona jo vetëm të historisë por edhe të artit do të mbijetojnë ndër vite.

“Për çdo shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu është heroi ynë, prijësi ynë, do të mbetet gjithnjë”, tha kryeministri Haradinaj.Don Shan Zefi, kancelar i Kancelarisë së Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë, falënderoi kryeministrin Haradinaj, duke thënë se pa ndihmën e qeverisë nuk do të ishin në këtë ditë solemne.”Ky gëzim që na përshkon të gjithëve si një vit jubilar i 550 vjetorit të kalimit në amshim të atit të kombit bëhet edhe më i madh në mesin tonë, pasi që kompleksi i Kishës Katolike në Prizren ruan më dashuri dhe xhelozi të madhe pikturën e vlefshme tashmë të njohur për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit. Kjo  katedrale ruan djepin e civilizimit dhe kulturës shqiptare”, tha kancelari Don Shan Zefi.Një fjalë para të pranishmëve e kanë mbajtur edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, i cili tha se restaurimi i kësaj pikture është dhurata më e mirë për qytetin e Prizrenit, si dhe përfaqësues të tjerë.Të pranishëm në zbulimin e pikturës së restauruar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut ishin edhe klerikë fetarë, përfaqësues institucionalë, përfaqësues të KFOR-it dhe qytetarë të shumtë të Prizrenit.Zbulimin e pikturës së restauruar të Skënderbeut e bënë kryeministri Ramush Haradinaj, kancelari Don Shan Zefi dhe Ipeshkvi Don Gjergji

Në Kosovë janë organizuar shumë veprimtari që nga shpallja e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, në 28 Nëntor 2017 në Vlorë, në 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, pas mbledhjes së katërt një ditë më parë të dy qeverive, në Korçë. /b.j/

Filed Under: Histori Tagged With: Katedralja e Prizrenit, Piktura e Gjergj Kastriotit

Dita e Flamurit

November 27, 2018 by dgreca

Në kujtim të një dite historike/

1-Reshat-Kripa-300x1501 ok reshat 1

Nga Reshat KRIPA/

Ky shkrim i dedikohet një ngjarjeje të jashtëzakonshme që ka ndodhur në qytetin tim të lindjes, në Vlorë,  në kremtimin e ditës së pavareësisë në vitin 1991, një ditë e papërsritshme kur në shtizën e flamurit do të ngrihej, për herë të parë, pas dyzeteshtatë vitesh, flamuri  kombëtar pa yllin e kuq të komunizmit dhe kjo bëhej në një kohë kur Kuvendi i Shqipërisë nuk kishte vendosur ende heqjen e tij nga flamuri.

Kanë kaluar njëzeteshtatë vite qysh nga ajo ditë e shënuar, por me keqardhje konstatoj se asnjë autoritet shtetëror, asnjë media e shkruar apo vizive nuk ka përmenduar apo shkruar të paktën disa rreshta për këtë ngjarje të pa përsëritshme. I vetmi që ka shkruar ka qenë gazetari Agim Popoci i cili, para disa vitesh, më mori një intervistë që e botoi në ish-gazetën “Metropol”.

Do të kisha dashur që këtë shkrim ta botoja në disa gazeta të vendit, titujt e të cilave nuk dua t’i përmend, por për fat të keq,  eksperienca më ka mësuar se asnjë prej tyre nuk do ta botonte. Ndaj po e shpërndaj në mediat online që vazhdimisht botojnë të gjithë shkrimet e mija.

Po afronte dita e shenjtë  e  flamurit. Por ajo nuk ishte si ditët e  tjerat.  Ishte festa e parë e flamurit në liri. Në zemrat e qytetarëve sundonte një shqetësim i madh. Të gjithë prisnin se cili flamur do të ngrihej, ai me yllin e komunizmit që sundoi vendin për gjysmë shekulli, apo flamuri pa yll i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit? Kuvendi i Shqipërisë  ende nuk e kishte vendosur heqjen e yllit nga flamuri.

Kudo bëheshin diskutime te zjarrta. Një pjesë fanatikësh të regjimit të përmbysur, që u kishte mbetur ora në vitin 1945,  mbronin tezën e flamurit me yll, ndërsa pjesa tjetër, më e madhja, të kundërtën. Miti i komunizmit kishte filluar të shembej, por komunistët ishin ende në fuqi. Ata ishin të gatshëm të përdornin çdo lloj forme për të mbajtur pushtetin e tyre. Këtë e kishin treguar disa muaj më parë në qytetin demokrat të Shkodrës, ku ishin vrarë katër martirë.

A do të pranonte qyteti turpin që në shtizë të ngrihej flamuri i urryer i tradhtisë së madhe? Këtë shqetësim e ndjente pothuajse i gjithë populli, por më tepër  e ndjenin ata që i provuan mbi trupat e tyre gjëmbat vdekje prurës të atij ylli, të përndjekurit politikë.

15 nëntor. Mbledhja e Kryesisë së Degës së Shoqatës së të Përndjekurve Politik të Rrethit. Merrnin pjesë: Hysni Alimerko, kryetari i degës, Burim Kokoshi,  nënkryetar, Fari Shaska, Sefer Dauti, Alajdin Alemi, Bashkim Ndreu, Neshet Merkaj, anëtarë dhe unë, sekretar i degës.

Nga Tirana kishte ardhur, si i dërguar nga shoqata kombëtare,  Viktor Dosti, që hodhi i pari mendimin e ngritjes me çdo kusht të flamurit pa yll ditën e pavarësisë. Të gjithë e miratuan. Shoqata iu drejtua partive politike dhe shoqatave opozitare për veprim të përbashkët, Partisë Demokratike, Partisë Republikane, Bashkimit të Sindikatave të Pavarura dhe Shoqatës “Çamëria“.

Pas dy ditësh u bë takimi i përbashkët e tyre. Të gjithë ranë dakord që t’i drejtonin një  peticion Komitetit Ekzekutiv Pluralist të Rrethit, ku partitë opozitare kishin përfaqësuesit e tyre. Në atë peticion me një ton ultimativ, kërkohej ngritja e flamurit pa yll. Duke patur shumicën në këtë komitet, socialistët refuzuan.   Të   njejtin   qendrim   mbajti   edhe Byroja e Rrethit e   Partisë Socialiste.

Më 26 nëntor televizioni  “Zëri i Amerikës“ transmetoi një deklaratë të firmosur nga përfaqësuesit e partive dhe shoqatave opozitare, ku i bëhej thirrje qytetarëve të merrnin pjesë të gjithë në manifestimin e madh ditën e pavarësisë.

27   Nëntor,   prologu  i  ndeshjes  së  madhe.  Në shtizën e flamurit, me urdhër të Mezan Malajt,  kryetarit socialist të komitetit pluralist, vendoset flamuri me yll. Por llogaritë ishin bërë gabim. Qyteti kishte djem të gjallë. Xhemal Mustafaraj, ish i burgosur politik dhe Fadil Ndreu, ish i internuar, hipën në shtizën e flamurit, grisën yllin, e dogjën në mënyrë demonstrative  dhe ngritën lart flamurin pa njollën e turpit  Një turmë e madhe i shoqëronte me brohoritje. Në mbrëmje vonë në mbledhjen e Komitetit Pluralist kryetari, nën presionin e përfaqësuesve të opozitës, u  detyrua  të pranoj ngritjen e flamurit pa yll.

Po atë mbrëmje u mblodh  Komiteti Organizator i Festës, ku u diskutua se cili do ta ngrinte flamurin. Mendimet ishin të ndryshme. Dikush thoshte se i takonte njërit prej të rinjve që grisën yllin e flamurit. Një tjetër propozoi që të ngrihej nga një prej përfaqësuesve të vjetër nacionalistë të shoqatës. Së fundi dentist Abdullai u ngrit dhe propozoi:

–  Flamuri të ngrihet prej një djaloshi të ri, një trashëgimtari të një prej familjeve më të njohura me traditat kombëtare.

Propozimi i tij u miratua. Njëzëri u vendos që ky të ishte Altini 17 vjeçar, biri i Burim Kokoshit, një ish i burgosur politik dhe nipi i njërit nga firmëtarët e aktit të pavarësise më 1912, Qazim Kokoshit, vdekur në burgun komunist të Vlorës në vitin 1946.

Atëherë   u   ngrit   një  i   moshuar  dhe  shprehu  mendimin  e rrezikut që paraqiste një vendim  i tillë. Sigurimi i shtetit ishte akoma në veprim. Ngjarjet e muajve të fundit e kishin treguar këtë. Nuk mund të rrezikohej jeta e një djali të ri, aq më tepër që ishte i vetmi i familjes së tij.

Të gjithë heshtën. Pritej   vendimi  i  Burimit.   Ai  e  kishte  këtë  të drejtë. Pas pak, ai u ngrit  dhe me një zë  të vendosur tha:

  • Në rast se djali im duhet të vdesë për flamur,  kjo  është vdekja më e bukur!

Askush nuk pati kurajo ta kundërshtoj. Të gjithë pjesëmarrësit u shpërndanë për   të  kryer  detyrat  e caktuara.

28 Nëntor. Në të gjitha fasadat e godinave binin në sy njoftimet që bënin thirrje për pjesëmarrje në ngritjen e flamurit. Flamurë pa yll ishin ngritur në të gjitha pikat dominuese të qytetit. Në sheshin historik filluan të grumbullohen njerëzit. Në duart e tyre shumica mbanin flamurë të vegjël pa yll.

Ora 10.00.  Kryetari socialist  i  Komitetit  Ekzekutiv Pluralist, i shoqëruar nga përfaqësues të tjerë të atij komiteti  drejtohen për në shtizën e flamurit. Pompoziteti i tij ishte i jashtëzakonshëm. Por, papritmas, para portës së lulishtes qëndrore, një grup i madh njerëzizh u preu rrugën. Ishin  ish të dënuar politikë. Një pjese prej tyre diktatura u kishte rrëmbyer njerëzit më të dashur. Të tjerët i kishte syrgjynosur në burgjet dhe kampet e tmerrshme. Midis tyre  edhe një delegacion i degës së shoqatës së të përndjekurve politikë të Beratit me në krye kryetarin e saj Fatos Zdrava. Bashkë me ta edhe demokratë të tjerë që ishin ngritur kundër kësaj diktature.  Në krye kryesia e degës së shoqatës.  Aty,   në   këmbët   e   shtizës  së  flamurit, dialogun e hapi Fariu:

– Zoti Kryetar! Në emër të të përndjekurve politik dhe popullit të këtij qyteti,  ju nuk do ta ngrini flamurin.

– Kush do ta ngrejë atëhere?

– Atë do ta ngrenë duart e atyre që nuk janë njollosur me gjakun e këtij populli.

Kryetari shtriu perpara duart dhe foli:

– Duart e mia  nuk janë të përgjakura. Unë nuk kam vrarë njeri.

Kjo përgjigje më ngjalli shumë kujtime. Para syve më dolën ngjarjet e viteve të gjata të diktaturës. Më dolën fytyrat e mijëra të rënëve për liri dhe demokraci. Atëherë  i ktheva përgjigjen:

– Edhe nëqoftëse nuk keni vrarë, i keni shërbyer asaj partie që vrau një komb të tërë. Ndaj duart e atyre që kanë ngritur flamurin e komunizmit, nuk do të ngrenë flamurin e Ismail Qemalit.! Ky flamur është i yni.

Kryetari u detyrua të tërhiqej.

Ndërkaq,   ndërsa   qendra   e   zërit   trasmetonte Hymnin   e  Flamurit   duart  e  njoma   dhe  të  pastra  të Altinit ngrinin lart flamurin kombëtar.

Sheshi filloi të buçiste nga duartrokitjet dhe brohoritjet. Kudo ndiheshin përqafime, urime dhe  këngë patriotike. Pastaj jashtë çdo zyrtarizmi, në podiumin para monumentit të  pavarësisë hipën ata që për pesëdhjetë vjet e kishin të ndaluar edhe të flisnin apo mendonin ndryshe. Ata nuk i caktoi njeri për të dalë aty. Dolën   me   dëshirën   e   tyre   për   të  shprehur  atë  që mendonin prej vitesh.

Unë pata fatin ta deklaroj të hapur mitingun:

 

Dita e 28 nëntorit, dita e shenjtë e flamurit,  festa e jonë kombëtare erdhi. Këtë vit kjo festë ka diçka të veçantë. Për herë të parë pas dyzeteshtate vitesh robërie komuniste, në qytetin tonë po valëvitet krenar flamuri kombëtar, pa yllin e urryer të sistemit totalitar komunist.

Duçja i vuri flamurit tonë spatën e fashizmit, Enver Hoxha yllin sllav të komunizmit. Por, këtë rradhë, po valon flamuri i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, ai flamur që u bë simbol i nderit dhe trimërisë, i qëndresës dhe vetmohimit. Po valvitet flamuri i kuq me zhgabën e zezë dykrenore në mes dhe jo flamuri i komunizmit me yllin e urryer.

Hodha vështrimin nga turma para meje. Në sytë e shumë prej tyre pashë gjurma lotësh. Ishin lotët e lirisë, të asaj lirie që kishim vite që e ëndërronim. Pas meje e mori fjalën Kryetar Hysniu, që bëri një përmbledhje të historisë së kësaj dite historike, duke vënë theksin në masakrimin që i kishte bërë regjimi komunist kësaj ngjarje të jashtëzakonshme.

Ceremonia vazhdoi me vendosjen e kurorave në varrin e Plakut të Shquar të Pavarësisë.  Kurorën e shoqatës e mbanim unë me Hysniun. Vendosën kurora edhe përfaqësuesit e partive dhe shoqatave opozitare. Nga turma një pjesë e mirë hodhën lule mbi atë varr. Së fundi një vizitë e përbashkët në Muzeun e Pavarësisë, pranë bregut të detit.

Kështu u mbyll kjo ditë e shkëlqyer historike. Për mua dhe pjesëmarrësit e tjerë të saj, ajo do të mbetet një ditë e paharruar e jetës tonë.

Në këtë ngjarje, telekronisti i televizionir shqiptar dhe gazetari i gazetës “Zëri i Popullit”, megjithëse ishin të pranishëm, heshtën dhe nuk transmetuan apo botuan gjë, siç duket të urdhëruar nga padronët e tyre.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Dita e Flamurit, reshat kripa

KONGRESI I MANASTIRIT- RESPEKT PËR KËTË VEPËR TË MADHE KOMBËTARE

November 26, 2018 by dgreca

1 a Manastirit1 asllani.jpg1 dhoma muze

NGA ASLLAN BUSHATI/*

Këtë nëntor të 2018-tës, të gjithë shqiptarët në trojet etnike e në diasporë, përkujtuan 110 vjetorin e alfabetit të gjuhës sonë të mbrekullueshme shqipe. Unë duke qenë i shkolluar e specializuar për fushën e mendimit ushtarak, të sigurisë kombëtare dhe të politikave që lidhen me këtë sferë, do të shkelja si të thuash në një “fushë të minuar” në se do të tentoja të cfaqja mendime për fushën e gjuhësisë (morfologji, sintaksë, historisë së letërsisë etj). Por në të njejtën kohë duke qenë i apasionuar për ceshtje të sigurisë kombëtare, historisë së luftërave dhe të artit ushtarak, në kërë shkrim do të përpiqem të evitoj “fushat e minuara të gjuhësisë”, e në të njejtën kohë, duke përdor formën e katakizmit (pyet vetë e përgjigju vetë), do të fokusohem  vetëm tek aspekti i vlerave kombëtare.

Si fillim, le të ndalemi pak tek armiqësia  e madhe shekullore që turqit treguan me gjuhën tonë shqipe, gjë të cilën nuk e treguan me gjuhët e tjera të Gadishullit Ilirik (greqisht, serbisht, bullgarisht, rumanisht etj). Kështu pas periudhës Skënderbegiane, mbi trojet shqiptare ndodhi një shpërngulje  masive, trysni e pashembullt  për të pranuar turqizimin mbi ata që pranuan të qëndrojnë në trojet etnike, reprezalje e shtypje sa nga  fundi i viteve 1600 gjuha shqipe u ndalu  përfundimisht kudo (përvec në familje). Tregtarët, nënpunësit, jenicerët, ushtarët profesionistë shqiptar etj, që udhtonin nëpër vendet e perandorisë, nuk guxonin më të tregonin  prejardhjen e tyre  me fjalët: alban, arbresh, arvanitas dhe as arnaut, sepse kjo u kushtonte deri jetën. Për të treguar vendin nga vinin ata filluan të përdorin : atje ku shqipet rrinë (shqipet-rrinë; për Shqipëri), shqipet-nej për Shqipneja, shqipnija e të tjera forma dialektore të fjalës së sotme Shqipëri. Personalisht mendoj se kjo është periudha që shpiptarët filluan ta quajnë vehten shqiptar dhe vendin e tyre Shqipëri në ndryshim me formën alban dhe Albani që bota na njeh.

Greqia, Serbija, Bullgaria, Rumania etj, u shkëputën më shpejt nga Perandoria Otomane, kurse shqiptarët jo. Madje Konferenca e Shën Stefanit i coptoi keq  trojet shqiptare, sa i shtyu krerët shqiptar të kërkonin një zgjidhje për vetmbrojtje. Produkt i kësaj lëvizje  vetmbrojrëse është Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e cila tentoi bashkimin e katër vilajeteve  me përbërjë shumicë shqiptare në një shtet të vetëm.  Por ky  shtet më shumë i imagjinuar se sa i realizuar, nuk kishte një alfabet të përbashkët që të shkruante  e të  dokumentonte qenësinë e tij. Pra domosdoshmëria e të pasurit të një alfabeti të njësua të gjuhës shqipe u shtru si një nga nevojat më imediate të pas Lidhjes Prizrenit. Shumë intelektualë filluan të hartonin nga një të tillë, por seriozisht u proekupuan disa shoqata në trojet etnike dhe në diasporë ku më të përmendurat janë në : Shkodër, Elbasan, Korcë, Shkup, Manastir, Sofje, Bukuresht  dhe më e madhja në Stamboll me Frashërllinjtë.

Tani pyetja e parë që shtrohet për alfabetin e shqipes është se pse Kongresi u mblodh në Manastir e jo diku tjetër për shembull brenda kufijve të sotëm territorial të Shqipërisë? Po, Manastiri ishte qendra e vilajetit ku shumica e banorve ishin shqiptar nga trojet e sotme shqiptare në Maqedoninë Veriore, shqiptarët e zonës Follorinë –Fllamoros (flamur) sot në teritorin e Greqisë; Devolli, Korca, Kolonja, Pogradeci e deri Elbasani përfshiheshin në këtë vilajet. Manastiri ishte në rrugën Egnatia, dhe vazhdonte të ishte  qendër e rëndësishe politike, ekonomike e ushtarake e Perandorise Turke. Në Manastir kishte shumë dyqane të tregtarëve shqiptar, si dhe  Mihal Grameno kishte blerë një nga hotelet më të mira të qytetit. Jetonte Familja shumë e nderuar Qirjazi dhe  kishte një shoqatë (klub) shumë aktiv kombëtare . Po ashtu dy personalitete të Klubit të Manastirit (Femi Zavalani e Gjergj Qirjazi), u bënë inisiatorët e thirrjes së Kuvendit duke ju dërguar kërkesë gjithë shoqatave (klubeve)  shqiptare  (dhe disa personaliteteve si Faik Konica), që të zgjidhnin  vetë nga dy delegatë për në Kongres. Kërkesa e formuluar ju përcollë të gjithëve në variantin gegërisht dhe toskërisht. Pra, vec të tjerave, Klubi i Manastirit ishte ofruesi i mikpritjes së Kongresit.

Pse  kryetari Kuvendit u zgjodh  Mithat Frashëri? Ai u zgjodh  për disa arsye: si përfaqësues i shumicës muslimane, si bir i Familjes Frashërlinjëve që i kishte kushtuar gjithcka ceshtjes kombëtare, si më aktivi i Shoqatës Stambollit si ideues dhe përpunues  i alfabetit  të Shoqatës Stambollit, si gjuhtare intelektual me personalitet të formuar e të mirpranuar nga antarët e tjerë.

Nga të zgjedhurit e tjerë drejtues  të Kongresit  ishin edhe: Luigj Gurakuqi  intelektual e atdhetar i formuar me pushkë e penë që përfaqësonte pjesën katolike dhe alfabetin latin. Gjergj Qirjazi, protestant dhe pinjoll i një familje me një aktivitet shumë të madh në rilindjen kombëtare dhe Thoma Avrami një atdhetar dinjitoz që përfaqësonte pjesën ortodokse .

Në këtë kohë fjalët e shqipes shkruheshin me alfabetin turk, arab, grek e latin dhe me dhjetra variante të të ashtuquajtur alfabete të krijuara nga individë të vecantë. Marrë shkas nga kjo, Kongresit ju paraqitën paraprakisht  si opsione të mundëshme  për zgjedhje alfabetet: latin, turk, arab dhe grek. Por ju la për detyrë  Komisionit të zgjidhte variantin më të mirë e më të përshatshëm për hapsirën dhe dimensionet që mbartëte  gjuha jonë.

Në krye të Komisionit u zgjodh poeti e dijetari i madh i shqiptarisë Atë Gjergj Fishta. Ai me një punë shumë të mundimëshme, e me  shumë mjeshtëri  bëri që të kapërceheshin ndasitë krahinore e fetare  në mentalitet dhe  tek shkronjat e përzgjedhura ta gjenin veten gjithë fjalët e gjuhës  së folur shqipe, me zanore e bashktingëllorë  të forta e të buta me dialekte e nëndialekte.

Alfabeti që zgjodhi Komisioni është pikërisht ky që ne kemi sot, i cili u miratu në Kongres. Relacioni për përfundimet dhe vendimet e Kongresit është përpiluar nga Gjergj Qirjazi e është përkthyer në anglisht nga Parashqevi Qirjazi.  Një kopje e vendimeve  ju është bërë me dije konsujve të  Austro- Hungarisë dhe Anglisë.

Sot pas 110 vitesh mund të duket një gjë e lehtë zgjedhja e  alfabetit të gjuhës  shqipe. Por po të këthehemi prapa në kohënë, do të kuptojmë se  shqipja ishte e jashtligjëshme  dhe e dënueshme nga  autoritetet turke.  Shumica muslimane  e popullatës shkruante turqisht (ajo që dinte shkrim e lexim) dhe hoxhallarët arabisht, kurse  komunitetit ortodoks shkruante në greqisht dhe ai katolik në  alfabetin latin. Sot gjithë shqiptarët  kudo që janë e shkruajnë gjuhën tonë me një alfabet të njësuar me popujt perendimor, familjes së të cilëve u përkasim- pra me alfabetin latin.

Ju ndritë shpirit për mot e jetë o atdhetarë të mëdhej  të Kombit Shqiptar që na e latë të gatëshme ta gëzojmë këtë vepër madhore kombëtare  që ju e krijuat me mundim e durim shumë të madh. E meritoni të përulemi me respekt në këtë 110 vjetor  e në vijimsi përpara : Gjergj Fishtës, Mithat Frashërit, Luigj Gurakuqit, Ndre Mjedës, Gjergj e motrave Qirjazi,  Mihal Grameno, Femi Zavalani, Thoma Avrami etj etj.

  • Ne Foto delegatet e Kongresit te Manastirit.
  • – Dhoma muze e Komisionit te Kongresit

Filed Under: Histori Tagged With: asllan Bushati, Kongresi i Manastirit

Banorët e Kosovës e duan Ushtrinë e SHBA

November 15, 2018 by dgreca

Eksluzive per Diellin/Femra irakiane, pjesë e ushtrisë amerikane flet për misionin e saj në Kosovë/
Nga Sgt. Neysa Canfield /
Për gazetën ”Dielli”- Shefqet Kërcelli/ FORT CARSON, Kolorado – SHBA –

Portret ush1 Ok Ministri Tahiri1 tavol

Në foto Cpl. Hala Kadhem, specialiste furnizimi, Divizioni i 4-të i Këmbësorisë, Colorado Springs, Kolorado. /

Kadhemi, i lindur dhe rritur në Irak, ishte 16 vjeç kur ndodhi pushtimi i Irakut.
Kampi NOVO SELO, Kosovë – E intervistuar nga Sgt Canfield në këtë kamp, Cpl. Hala Kadhem, tregon fillimisht për jetën e saj në Irak gjatë luftës.
…Isha duke marrë bukë për nënën time me bicikletë. Isha vetëm një vajzë trembëdhjetë vjecare. Befas, gjatë kthimit në shtëpi, mu afruan tre burra me mjekër. Ata më kërcënuan duke më thënë:-shko në shtëpi, tek nëna jote dhe mos dil me bicikletë se turpëron familjen.
Që nga ajo moment vajzës nuk ju lejua të ngiste biçikletën e saj ose të luante jashtë … ajo vajzë e re, tashmë është pjesë e ushtrisë amerikane, Capelane{Cpl}. Hala Kadhem.
“Biçikleta për mua ishte një përfaqësim i lirisë sime,” tha Kadhemi. “Që nga ajo ditë unë do të rrija në dhomën time ose do të ndihmoja nënën në kuzhinë. Isha 13 vjeç, por nuk isha më një vajzë e vogël”.
Me kalimin e viteve, ajo e gjeti veten të shkëputur nga shoqet e saj. “Në shkollën e mesme, vajzat flisnin të gjitha për gjetjen e një burri dhe ëndërronin për t’u bërë bashkëshorte dhe nëna”, tha ajo. “Isha e mbërthyer për ditën e lumtur që më flisnin prindërit e mi, kur gratë do kishin më shumë liri për të ndjekur ëndrrat e tyre. Doja të bëhesha një profesore universiteti”.
Këto ëndrra u realizuan në vitin 2003, sipas Kademit.
“Isha 16 vjeç kur ndodhi lufta e Irakut. Shkolla u mbyll dhe nuk ishim në gjendje të përfundonim finalet tona”, tha ajo. “Ishte një fazë e qetë kur filloi lufta, por pak kohë pas fillimit të sulmeve, ishte e frikshme”.
Edhe pse të hutuar e frikësuar, Kadhemi sqaron se, ajo dhe familja e saj, veçanërisht babai, duke qenë një oficer i ushtrisë irakiane, ishin të lumtur për të parë një ndryshim potencial në Irak.
“Familja ime ishte pro luftës, sepse ne ishim kundër dhe të kërkuar nga regjimi i vjetër,” tha Kadhemi. “Ne nuk na lejohej të kishim telefona satelitorë ose celularë, ishim të shkëputur nga ajo që po ndodhte në botë dhe largimi nga Iraku ishte i pamundur, sidomos për një familje me një anëtar ushtarak. Gjithsesi, në fazat e para të luftës në Irak, Kadhemi vazhdoi të përqëndrohej në studimet e saj, mbaroi shkollën e mesme dhe u diplomua në kolegj me një Master në Shkencën Fizike.
“Pas marrjes së masterit punova për Ushtrinë e SHBA në Departamentin e Shtetit. Kam punuar me një grup mbresëlënës nga Kombet e Bashkuara,” thotë Kadhemi. “Kam qenë e interesuar ti bashkohem Ushtrisë Amerikane, kam dashur t’i shërbej Shteteve të Bashkuara dhe të bëhem pjesë e një organizate që do të bënte ndryshime, dhe për mua kjo ishte ushtria amerikane”.
Ndërsa punonte në Ambasadën e SHBA në Bagdad, Irak, Kadhemi mori vizën e saj dhe u transferua në Uashington, D.C.
Në prill të vitit 2015, me mbështetjen e familjes dhe inkurajimin e babait të saj për t’u bashkuar me Ushtrinë, Kadhemi u regjistrua në Ushtrinë e SHBA si specialiste furnizimi.
“Gjatë jetës në Irak, kurrë nuk jam ndjerë i barabartë me burrat, ndërsa në Ushtrinë amerikane u befasova nga kushtet e barabarta për të gjithë, femra dhe meshkuj. “Isha 28 vjeç kur fillova të stërvitem në kurset bazë dhe të avancuar. Fizikisht ishte shumë sfiduese për mua, por unë e kërkova, kështu që e nxisja veten dhe kjo e ka ndryshuar jetën time në masë të madhe”.
Pas përfundimit të trajnimit fillestar, Kadhem u caktua në Skuadrën e 3-të, Regjimentin e 61-të Kalorësisë, Brigada e Dytë e Këmbësorisë, Divizioni i 4-të Fort Carson, Kolorado.
“Ndihem me fat që kam qenë e vendosur në Fort Carson, është një zonë e bukur dhe qendër e madhe”, tha ajo. “Duke qenë në një njësi kalorësie, kjo është një përvojë e tillë mahnitëse dhe unike, ku krenaria dhe historia e njësisë janë me të vërtetë një lloj”.
Mbas emërimit të Kadhemit në këtë repart, drejtuesit vunë në dukje motivimin dhe aftësitë e saj.

“Historia e jetës së Cpl. Kadhem është frymëzuese për të tjerët,” thotë Komandant Sgt. Maji Jasan Weaver, eprori direkt i saj, i regjistruar për Sesionin e 3-të, Cav. Reg. “Ajo është një individ elastik, që ndihmon ata që kanë nevojë për të pasur një jetë të lirë dhe aftësinë për të zgjedhur se si do të jetojnë vetë”.
Weaver, i cili është një rreshter i stafit dhe pjesmarrës në operacione të kundërzbulimit në Bagdad, gjatë luftës së Irakut, tha se përfshirja e Kademit brenda formacionit, i jep atij dhe ushtarëve të tjerë, pjesmarrës në këtë luftë një ndjenje krenarie se, përpjekjet dhe puna e tyre në Irak sollën ndryshim.
“Inkuadrimi i një shtetasi të Irakut ose Afganistanit, si pjesë e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, përforcon qëllimin tonë për clirimin e qytetarëve të shtypur në botë, për të pasur një mundësi për një jetë më të mirë”, tha ai. “Kam nderin dhe krenarinë që të kem një ushtarake, si Cpl. Kadhem, e cila i qëndron besnike idealeve që beson, dhe atyre ushtarakëve që e ndihmuan më parë në fitimin e një jete më të mirë. ”
Që nga shkurti 2018, Kademi ka fituar përvojën e vet në ndihmën e qytetarëve të një vendi tjetër.
Tashmë ajo dhe njësia e saj, është pjesë e Grupit ushtarak shumë-kombësh, në Lindje të Kosovë, si pjesë përbërëse e forcave të NATO-s, për të kryer operacione të sigurisë dhe të ndihmojnë popullatën lokale në vend.
“Puna ime kryesore në këtë detyrë është të siguroj që ata të kenë gjithçka që i nevojitet, por kam pasur rastin të dal me ekipet e monitorimit ndërlidhës dhe të jem e angazhuar në bashkëpunimin me autoritetet lokale”, tha Kadhemi.
Përvoja personale e Kademit, e bëri atë një kandidate të përsosur dhe me vlerë në këtë pozicion pune, sipas Weaver.
“Kadhemi u ofron një perspektivë popullatës lokale, dhe në mjaft raste individë të vecantë i marrim për t’u edukuar në Shtetet e Bashkuara,” tha ai. “Me mendimet dhe pikëpamja e saj, ajo sqaron dhe ushtarët që vendosen këtu për herë të parë, që te kenë një kuptim të qartë se, pse forcat e NATO-s sigurojnë paqe midis dy grupeve kryesore etnike brenda Kosovës”.
Sipas Kadhemit, kjo detyrë kërkon që të jesh gjithmonë syhapur dhe përbën një përvojë unike.
“Qytetarët këtu kanë probleme me papunësinë dhe kufizimet e udhëtimeve për tu lidhur me të tjerët”. Kjo më kujton kohën e fëmijërisë sime në Irak, tha ajo.
“Këtu. kur dëgjoj drejtuesit e shkollës ose një vajzë 15 vjeçare të flasë për faktin se, sa duan të shohin ndihmën e Ushtarëve të SHBA-së dhe sa mirënjohës janë ata që na kanë këtu, është tepër e dobishme. Më kujton saktësisht se pse unë dëshiroja ti bashkohesha Ushtrisë Amerikane në Irak”, nënvizon Cpl Kadhemi.
I kanë ngelur dhe pak vite në kontratën e saj me ushtrinë amerikane. Kadhem tha se, nuk e ka përcaktuar se çfarë do të jetë hapi i saj i ardhshëm, por ajo është mirënjohëse për një eksperiencë kaq mbresëlënëse deri tani.
“Unë shkova nga një vend, ku gratë janë qytetarë të klasës së dytë, në një vend ku udhëheqësit meshkuj më shohin si një individ të lirë dhe më mbajnë në një pozicion të lartë, pavarësisht nga gjinia ime”, tha Kadhemi. “Unë kam qenë me fat që kam burra dhe gra të mrekullueshme gjatë karrierës time, të cilët kanë qenë modeli i jetës sime për gjithë këto vite”, thekson Kapelane Kadhemi.

Filed Under: Histori Tagged With: flet Cpl. Hala Kadhem, qytetaret e Kosoves, Shefqet Kercelli, Ushtria e SHBA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 286
  • 287
  • 288
  • 289
  • 290
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT