• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Terrori dhe dhuna shtetërore serbe-malazeze kundër lëvizjes shqiptare në Sanxhak dhe Kosovë

October 11, 2018 by dgreca

Terrori dhe dhuna shtetërore serbe-malazeze kundër lëvizjes shqiptare në Sanxhak dhe Kosovë  gjatë viteve të 20 dhe 30-ta të shekullit 

1 Ismet Hazizi

Shkruan: Ismet Azizi/

Mbretëria Serbe-Kroate-Sllovene gjatë sundimit të saj, si qëllim të parë dhe të fundit kishte ndërrimin e strukturën etnike në trojet shqiptare. Për të arritur këto synime dhe për të pasur mbështetje formale juridike kundrejt opinionit të huaj, ajo nxori edhe legjislacionin agraro-kolonizues. Duke shfrytëzuar “Ligjin mbi mbrojtjen e shtetit”, në hullinë e sulmeve kundër Xhemijetit autoritete serbe burgosën tipografët e gazetës “HAK” dhe më pas e ndaluan zyrtarisht gazetën, duke akuzuar se botonte informata që cenonin autoritet serbe. Sa i përket Sanxhakut, pjesa e tij e ndodhur në Mal të Zi, kishte pësuar shumë keq, në krahasim me atë të Serbisë. Masakra në Shahoviq, Pavino Pole, Vranesh dhe fshatrat përreth, ishte krimi më i madh kundër popullsisë të përkatësisë myslimane gjatë kohës së paqes në Mbretërinë SKS. Për këto rrethana të vështira, gazeta “Hak” shkruan se “shumë vëllezër shqiptar u mbuluan me tokë, ndërsa shumë të tjerë u shpërndanë andej e këndej në gjendje fare të keqe”. Në këto rrethana Bajram Curri dhe Hasan Prishtina arritën të protestojnë në shtator të viti 1924, pranë Lidhjes së Kombeve në Gjenevë.

Në zgjedhjet e vitit 1925, Nikolla Pashiqi me dhunë detyroi myslimanët (shqiptarët e boshnjakët)  e Sanxhakut të votojnë partinë e tij Radikale. Për këtë, ai me kohë kishte përgatitur skenarin. Ejub Mushoviq, në librin e tij “Novi Pazar i Okolina” përshkruan si është zhvilluar ky skenar.

“Në prag të zgjedhjeve, në Novi Pazar, qëndroi edhe prefekti nga Çaçaku. Ai zhvilloi një aktivitet të madh parazgjedhor, vazhdoi t’i përvetësonte myslimanët për Partinë Radikale. I tuboi, bile edhe hyri nëpër xhami a dhe bisedoi me popullatën. Ishte hapur lajmi se myslimanët  duan të lidhen me Kroacinë dhe për këtë arsye u dyshuan disa persona dhe ishin penguar ta bëjnë këtë. Në ditën e zgjedhjeve, më 8 shkurt 1925, kaloi i përcjellë me terror të madh. Në prag të zgjedhjeve u gjuajt me armë për të frikësuar popullatën. Në orët e hershme të mëngjesit nga fshatrat kishin ardhur masë e madhe e fshatarëve serb, të ndarë në grupe, iu kishin bashkuar patrulluesve xhandarë, të cilët lëviznin nëpër rrugë me qëllim të frikësimit të popullatës. Pas orës 10h filloi  maltretimi i qytetarëve eminentë, mandej i atyre për të cilët mendohej se ishin kundër Partisë Radikale. Popullata filloi të largohej nga rrugët, të mbyllet në shtëpitë e tyre. Madje edhe ata të cilët ishin caktuar në vendvotimi të përcjellin zgjedhjet, i kishin lëshuar vendet e tyre dhe ishin futur brenda shtëpive të tyre. Pas orës 11h, nuk ka pasur asnjë qytetarë mysliman në rrugë. At ditë, sipas Mija Radoviqit, janë rrahur, rreth 200 myslimanë. Në zgjedhjet e zhvilluara në ato kushte fitoi Zhivko Shushiq”.

Për t’i frikësuar edhe më tepër dhe për t’i detyruar që të shpërngulen, në Pazar të Ri janë vrarë qytetarët eminentë: imam Selim Dugopolani, Emin Peçanin (Peja), Bedri beu Eminbegoviq, Vëllezërit Bajramoviq, ndërsa atentat të pasuksesshëm është kryer edhe ndaj Emin beg Nuribegoviqit.

Në fillim të viti 1924, shkatërrohet partia Demokratike, ndërsa në vitin 1926, pas vdekjes së N. Pashiqit, edhe Partia Radikale.

Pasi kishte humbur pikëmbështetjen në Novi Pazar dhe në Partinë Demokratike, mbreti Aleksandër më 6.01.1929, futi diktaturën, shkarkoi parlamentin në Beograd dhe ndaloi veprimtarinë e partive politike. Nga kjo kohë deri me vrasjen e tij në Marsej në vitin 1934, kur vritet nga atentatori bullgar, ai ishte mbështetë në ushtri dhe xhandarmëri.

Për gjendjen e vështirë të shqiptarëve në këtë kohë, dr. Ali Hadri thotë: “Kur të merret parasysh pozita dhe gjendja jashtëzakonisht e vështirë e shqiptarëve në Jugosllavinë borgjeze, është plotësisht i arsyeshëm mendimi se Jugosllavia e vjetër për shqiptarët ishte burg me kuptimin e plotë të fjalës”.

Në fillim të raportiti të CIA-s për Kosovës që mban datën 7 janar 1953, jepen specifikat për shqiptarët në ish Jugosllavi: Numrin e popullsisë dhe ngjarjet e ndodhura deri në vitin 1944. Raporti saktëson se pasi që Konferenca e Londrës në vitin 1913, Kosovën  ia shkëputi Shqipërisë dhe ia dhuroi atë Serbisë, shumë patriotë kosovarë u vendosën në qytete e Shqipërisë, si: në Fushë-Krujë, në Elbasan, në Mamurras, në Myzeqe etj.

Këtu bëjnë pjesë shumë personalitete të kishës katolike dhe familjet fisnike, At Shtjefën Kurti, Mikel Shala, Gjon Bicaku shpëtuan gjallë, duke ikur në Shqipëri në vitin 1929. Në të njëjtën kohë qeveria e Shqipërisë dërgoi notë të fortë proteste në  Lidhjen e Kombeve për vrasjen e At Shtjefën Gjeçovit. Vrasja përshkruhet në librin e Dr. Vasfi Samimi, Tiranë 1943.

Kolonizimi i trojeve shqiptare ishte një proces që kishte filluar që në vitin 1912. Ai mori hov gjatë viteve ‘30, kur qëndresa e armatosur ishte më e dobët. Duke bazuar planin e kolonizimit të viseve etnike shqiptare, kolonët vendoseshin në radhë të parë në pikat strategjike të këtyre trojeve, siç ishte brezi kufitar me shtetin shqiptar. Kolonët sllavë vendoseshin gjithashtu gjatë nyejve të komunikacionit rrugor dhe hekurudhor, si dhe në luginat e fushata pjellore. Gjatë periudhës ndërmjet dy luftërave botërore, në tokat shqiptare janë vendosur rreth 15 000 familje kolonësh me rreth 75 000 frymë. Sipas disa të dhënave, gjatë periudhës 1918-1941, në viset etnike shqiptare janë ngritur 1000 koloni sllave. Si rrjedhojë e zbatimit të politikës agrare-kolonizuese, u ashpërsuan marrëdhëniet ndëretnike ndërmjet shqiptarëve dhe serbo malazezëve.

Deri në fillim të vitit 1941, nga reformat agrare kolonizuese u prek rreth gjysma e tokave bujqësore dhe u godit gjysma e popullsisë fshatare shqiptare. Statistikat e marrjes së tokave të kaçakëve dhe e tokës së braktisur nga familjet shqiptare që kishin filialet agrare ishte kjo gjendje: në filialin e Mitrovicës, në të cilën bënin pjesë  këto rrethe administrative: Mitrovicë, Dezheva (Pazar të Ri) Senica, Shtavica (Tutini) Vuçitërna, Llapi, dhe Drenica, u morën tokë të kaçakëve 170, 86 ha, e tokë e lënë shkretë 4090,40 ha, tokë e punueshme 3900 ha.

Përveç këtyre, si rrjedhojë e shpronësimit të fshatarësisë shqiptare dhe e kolonizim të tokave të tyre, ndryshime të dukshme pësoi edhe struktura etnike. Më 1912 shqiptarët përbënin 90% të popullsisë, kurse në vitin 1941, përqindja e tyre ra më rreth 70 %. megjithatë, falë qëndresës së organizuar të popullit shqiptarë, nuk u arrit objektivi i Mbretërisë Jugosllave për ndryshimin rrënjësor të strukturës etnike në favor të minoritetit sllav.

Qarqet sunduese, kulturore e shkencore serbe dhe veçanërisht ideologët e krijimit të hapësirave të pastra etnike, me gjithë masat e ndërmarra ndaj shqiptarëve, nuk ishin të kënaqur me rezultatet e kolonizimit dhe të shpërnguljes së shqiptarëve në vendet tjera. Edhe përkundër të gjitha masave drastike, numri i shqiptarëve nuk u zvogëlua, por, përkundrazi, shënoi rritje në saje të natalitetit të lartë në kushtet e rënda të jetës e të punës. Prandaj, pushteti i atëhershëm vendosi që këto qëllime të vetat t’i realizojë me shpërnguljen me dhunë e terror të gjithë shqiptarëve nga trualli i Kosovës dhe territoreve rreth saj, në një anë, dhe kolonizimin sa më intensiv të serbëve në Kosovë, por edhe në Maqedoninë Perëndimore. Për këto qëllime dhe u përpiluan një varg elaboratesh dhe planesh.

Elaboratit me karakter fashizoid, me titull “Shpërngulja e shqiptarëve”(Iseljavanje Arnauta), i paraqitur në klubin Kulturor Serb më 7 mars 1937, të cilin e hartoi Dr. Vasa Çubriloviq, i parapriu një sërë veprimesh të kreut politik serb. Me këtë rast, po paraqesim dy dokumente që i paraprijnë elaboratit të Çubriloviqit dhe nënshkrimin e Konventës në mes Jugosllavisë dhe Turqisë.

Dokumenti i parë është Procesverbali i konferencës ndërministrore, e cila u mbajt në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Jugosllavisë më 20 shtator të vitit 1935, në të cilën u diskutua për dëbimin e popullatës jo-sllave nga Serbia Jugore.

Teksti i dytë paraqet projekt planin për shpërngulje, të cilin e ka hartuar komiteti i ngushtë ndërministror, që është miratuar në mbledhjen e 24 shtatorit 1935, në Beograd. Ndër konkluzionet e këtij projekti, të cilin e kanë përpiluar së bashku përfaqësuesit e pesë ministrive dhe Gjeneralshtabit dominon nevoja e miratimit urgjent të konventave dypalëshe me Turqinë dhe Shqipërinë, ndërsa në rast të problemeve me shpërnguljen e shqiptarëve në Shqipëri, është propozuar të zhvendosen nga zonat kufitare në brendësi të territorit të Jugosllavisë. Lehtësime tatimore janë paraparë për ata të cilët do të hiqnin dorë vullnetarisht nga shtetësia, ndërsa për transport pa pagesë deri në Selanik mund të llogarisnin vetëm ata të cilët pasurinë e tyre të paluajtshme ua lënë shtetit. Pothuajse të gjithë propozimet e përfaqësuesve të Shtabit të Përgjithshëm u miratuan unanimisht si masa, të cilat projekti propozon për “shpërngulje të suksesshme dhe më të shpejtë të popullsisë jo-sllave në Turqi ose Shqipëri”: Shtypjen e propagandës kundër dëbimeve që vinin nga Tirana, si dhe thirrjet sa më të shpeshta të regrutëve nga rrethet kufitare në stërvitje ushtarake dhe manovra, ndalimin e pranimit në shërbimin civil “të personave të cilët vijnë në shprehje për dëbim”, transferimi e zyrtarëve shqiptarë në pjesë të tjera të vendit, nacionalizimin e toponimeve dhe mbishkrimeve, etj. Të dy këto dokumente janë ruajtur në Arkivin e Jugosllavisë, në kuadër të Fondit të Ambasadës së Mbretërisë së Jugosllavisë në Turqi-Stamboll, Ankara (370), dosje 9, njësia arkivore 42, faqe 637-643.

Kjo vlen të analizohet mirë dhe me këtë do të duhej të merreshin ekspertë të ndryshëm të historisë dhe sociologë nga Kosova dhe Sanxhaku, sepse, në këtë kohë vjen deri te një kthesë diplomatike serbe ndaj popullsisë myslimane të Sanxhakut, të cilët ata tashmë do t’i trajtojnë si popullsi sllave të përkatësisë islame. Në një dokument thuhet: “Ligji mbi Shtetësinë e bëri të mundur për dëbimin e popullatës jo-sllave, por megjithatë ka disa vështirësi nga ana jonë. Në radhë të parë është vërejtur se është bërë një gabim, për shkak se në mesin e deklaratave për largim gjinden edhe një numër i madh i kërkesave të myslimanëve nga Sanxhaku, të cilët janë megjithatë njerëz tanë. Prandaj nuk ka arsye që ata të largohen nga vendi. Ne ia kemi tërheqë vëmendjen Ministrisë së Brendshme se deklarata të tilla në të ardhmen të popullatës sonë sllave mos të pranohen”.

Propaganda më e madhe për shpërnguljen e shqiptarëve filloi në “Klubit Kulturor Serb”, me ligjëratën e Dr. Borivoje Panjevqit, i cili, në vështrimin e tij, thekson: “Rrezik është që po shumohen shqiptarët në jug dhe në këtë drejtim ai rrezik do të jetë gjithnjë më i madh për elementin serb”. Aq larg kishte shkuar sa që rrezikun e shihte se te shqiptarët po zgjohet gjendja nacionale, dhe në vend se të asimilohet siç është dëshira e shtetit në realitet po ndodhë e kundërta, sepse fëmijët e kolonëve, në vend që t’ua mësojnë atyre gjuhën serbe, ata po e mësojnë gjuhën e tyre dhe kështu elementi sllav po asimilohet. Rreziku më i madh sipas tij qëndron se te gjithnjë e më pak po vërehet gjendja turkofile, të cilët gjuhën dhe plisin nuk e harrojnë.

Studimi që shkaktoi më së tepërmi  erupsion për të ndërmarrë aksione brutale që ka qenë ndër akuzat më të rënda kundër pushtetit që nuk “interesua” për ta asimiluar popullsinë shqiptare, është padyshim elaborati i Vasa Çubriloviqit “Shpërngulja e shqiptarëve”.

Në elaboratin e sipërpërmendur me karakter fashizoid e gjenocid, me  titull “Shpërngulja e shqiptarëve” (“Iseljavanje Arnauta”), i paraqitur në Klubin Kulturor Serbia më 7 mars 1937, të hartuar nga Dr, Vasa Çubriloviq ( 1898-1990), thotë se pasi që “ndjekja e shqiptarëve me kolonizimin tonë gradual është jo efikase, mbetët që shpërngulja e tyre  të jetë sa më masive. Me këtë rast, dy vende vijnë në konsideratë dhe atë Shqipëria dhe Turqia”.

Dr. Vasa Çubrilloviqit në “Shpërngulja e shqiptarëve” për  problemin e shqiptarëve, thekson ai, nuk lindi sot, por ai ishte problem edhe në Mesjetë. Praninë e shqiptarëve Çubrilloviqi e quante “Pykë të rrezikshme”. Mprehtësinë e kësaj “pyke”, sipas tij, Qeveria serbe e kishte dobësuar qysh nga Kryengritja e Parë Serbe. Për të pasur efekt pozitiv, theksonte ai, duhet krijuar psikoza të nevojshme në këto forma: Është e njohur se masa shqiptare bie shumë vështirë nën ndikim dhe bindjet e veta i ruan me fanatizëm. Për këtë, në mes masave tjera,  kësaj radhe po përmendim atë që preferon në lidhje me ligjet, të cilat duhet shfrytëzuar deri në maksimum, në mënyrë që t’i vështirësohet jeta me anë të gjobave, burgimeve, me përdorimin e të gjitha formave të paskrupullta, të gjitha metodave policore me dënime në masë. Mandej me anë të masave sanitare, rrëzimin e mureve dhe gardhiqeve, masave në veterinari, rritjen e tatimeve etj. Shqiptari duhet të ngacmohet, duke ua prishur varret, ndalimin e martesave, duhet detyruar që fëmijët të dërgohen në shkollat, ku fyhet elementi shqiptar dhe ku nxënësve u thuhej se shqiptarët janë njerëz me bishta. Nga ligjërata  e V. Çubriloviqit, “Shpërngulja e shqiptarëve”, të mbajtur në Klubin Kulturor serb më 7 mars 1937, i dëshpëruar për shkak s sipas tij  kolonizimi kishte dështuar, në elaboratin e tij përveç të tjerash  theksonte: Në rastin tonë  duhet pasur parasysh aq më parë që kemi të bëjmë me një racë të gjallë, të fuqishme dhe të pëlleshme, për të cilën  i ndjeri Cvijiq ka thënë se është raca më ekspansive në Ballkan. Gjermania  prej viti  1870 deri në vitin 1914 ka shpenzuar shumë miliarda marka që, gradualisht, duke e blerë tokën nga polakët, t’i kolonizojë trevat e veta lindore. Por pjellshmëria e nënave polake ka ngadhënjyer mbi organizimin gjerman dhe paratë gjermane. Në vitin 1928 e mori prapë Poznanjin e vet. Statistikat tona të viti 1921 dhe të viti 1931, që i përmendëm më parë, tregojnë se edhe  pjellshmëria e grave shqiptare ka ngadhënjyer mbi politikën tonë të kolonizimit.

Hajredin Hoxha, në punimin e tij në “Përparimi” thotë se politika e regjimit ishte eliminimi i shqiptarëve nga trualli i Jugosllavisë së vjetër. Edhe Gjoka Perina, po ashtu mbështeste pikëpamjet e Çubriloviqit karshi shqiptarëve. Ky titullar i lidhjes së Kooperativave Serbe në Sarajevë, theksonte praninë e shqiptarëve në regjionin e Sanxhakut. Sipas Perinës popullsia shqiptare në Kosovë paraqet rrezik të përhershëm, prandaj preferonte shpërnguljen ciklike brenda për brenda shtetit, sepse ndërrimi i këtillë i popullsisë nuk kërkon mjete të mëdha, ndërsa popullsia shqiptare, thotë ai, “do të humbasë në detin e gjerë sllav”.

Në Kosovë është vendosur regjimi i terrorit dhe i eksploatimit. Nëpunësit fundërrina të Mbretërisë Jugosllave u futën në Kosovë për t’u pasuruar. Gjuha shqipe është larguar nga jeta publike, ndërsa shkollat nuk u hapën. Për shkak se në alfabetin serb cirilik dhe latin, nuk ka shkronja për të gjithë tingujt e shqipes, shpesh ka ndodhur që gjatë regjistrimeve, emrat dhe mbiemrat të ndryshohen.(vijon)

Filed Under: Histori Tagged With: dhuna serbe. Sanxhak-Kosove, Ismet Azizi, Terrori

Herodoti për Orakullin e Dodonës

October 8, 2018 by dgreca

1 aristotel Mici ok

Nga Aristotel Mici/

1 Herodoti1 akili arist1 Dodonailustrim-akil-770x433faqe1-akil-foto-kryesorePellazget

Akili i  falej Zeusit Pellazgjik  të Dodonës

(Iliada, XVI, V. 223- 238)

——————————————————————————

Në veprën e tij monumentale “Historitë” Herodoti na përshkruan mjaftë hollësira rreth Orakullit të Dodonës dhe banorëve  për rreth saj. Historiani më i vjetër i botës aty na njeh edhe me pellazgët, duke i konsideruar ata jo vetëm si më të herëshëm se helenët, po edhe që kanë ndihmuar në formimin e tyre kulturor dhe shpirtëror, krahas ndikimit egjyptian.

Me fjalët e tij Herodoti do të përforcojë idenë se jo të gjitha zakonet Helenët i kanë marrë prej egjyptianëve. “Siç do ta shpjegoj, – shkruan ai,-  gjithë zakonet helenët nuk i kanë marrë prej egjyptianëve, po prej pellazgëve. Prej pellazgëve kanë marrë edhe gdhendjen e shtatoreve të Hermesit… .  Më parë, siç kam dëgjuar në Dodonë,- vazhdon të tregojë Herodoti,- pellazgët gjatë të gjitha flijimeve që kryenin u luteshin “perëndive” pa përmendur ndonjë emër, a po epitet të veçantë, sepse  nuk kishin dëgjuar ende për gjëra të tilla……. Shumë kohë më pas mësuan  emrat e perëndive të ardhura prej Egjiptit- përveç atij të Dionisit, të cilin e mësuan shumë më vonë. Pas një farë kohe u këshilluan me orakullin e Dodonës, që është orakulli më i lashtë i Heladës dhe atëherë ishte i vetmi.[1] Pellazgët e pyetën orakullin nëse duhet t’i pranonin këto emra perëndish që u patën ardhur prej barbarëve. Orakulli u tha se duhej t’i pranonin. Dhe pikërisht qysh atëherë ata përdornin emrat e perëndive, kur kryenin ritet e tyre. Edhe këto  veprime helenët i kanë trashëguar prej pellazgëve.”[2] “Por vetëm dje ose pardje, si të thuash, helenët mësuan prejardhjen e çdo hyjnie. Me që mendoj se Homeri dhe Hesiodi kanë jetuar jo më shumë se katërqind vjet para meje, ishin ata që krijuan një teogoni (pemët e familjes së perëndive) për botën helene, pra ata u dhanë emra atyre, caktuan nderet për ta dhe fushat që mbulonin dhe na thanë ç’pamje kishin.

Nga këto që zura në gojë më sipër, pjesa e parë e tyre janë pohime të priftëreshave në Dodonë, kurse e dyta, ajo që i përket Hesiodit dhe Homerit, është mendimi im.” [3]

Është kuptimplot fakti që Herodoti po thuajse në të gjitha rastet, kur pikëtakohen ndërveprme midis pellazgëve dhe helenëve, të parët, pra pellazgët i konsideron si pararendës të helenëve, gjë që duket edhe në faqet e librit të VII të veprës; në parag. 95, të këtij libri shohim:

“Edhe banorët e ishujve të Egjeut kishin prejardhje pellazge, po më vonë u quajtën jonianë për të njëjtën arsye si edhe jonianët e dymbëdhjetë qyteteve, që ishin shpërngulur nga Athina”.

Duke lexuar Herodotin, gjithnjë të bije në sy mendimi i tij për t’i quajtur fiset helene si akejt, athinasit, jonianët me origjinë pellazgë siç thotë edhe paragrafi, që pason: “Në kohën kur pellazgët zotëronin atë që tani quhet Heladë,  athinasit një popull pellazgë, quheshin kranaj [4](nënvizimi im, AM).

Nga fjalët e cituara dhe të vizuara më sipër, që lexohen në paragrafin 44, Lib. VIII, nuk është e vështirë të dalim me tre deduksione:

1)Së pari, Herodoti na tregon se ajo, që në kohën e tij, quhej Helladë, dikur ka qenë vend i zotëruar nga Pellazgët.

2) Së dyti, “athinasit kanë qenë një popull pellazg”

3)Së treti , në kohën e zotërimit  nga pellazgët,  athinasit quheshin  kranajë.

Siç duket në gjihë veprën e tij, Herodoti ka qënë dhe një dijetar shetitës, që kish gjesdisur shumë vende të botës së vjetër, nga Teba në Dodonë, në Athinë, Lemnos, Pelepones. Dhe kudo që vinte, ai përpiqej të gjellinte fakte dhe ngjarje, që i dukeshin interesante për historitë, që kish marrë përsipër të shkruante. Nga moria e ngjarjeve m’u duk me interes të veçoja midis të tjerave edhe rrrëfimin për dy orakujt, atë të Heladës dhe atë të Libisë. “Egjiptianët,- shkruan Herodoti, – ,tregojnë sa vijon: priftërinjtë e Zeusit të Tebës më thanë që dy gra, në fakt priftëresha, ishin rrëmbyer në Tebë prej disa fenikasve. Ata kishin marrë vesh se njera nga gratë ishte shitur në Libi dhe tjetra në Heladë. Sipas tyre këto gra ishin të parat që themeluan dy orakuj në këto dy vende. Kur i pyeta si mund të flisnin me kaq siguri, m’u përgjegjen se kishin bërë një kërkim të kujdesshëm për këto dy gra. Dhe, megjithëse nuk ia kishin dalë t’i gjenin, kishin zbuluar më pas atë çka po më thoshnin për to.(Historite, Lib. II- f.124)

Kjo është ajo që më thanë priftërinjtë në Tebë, por profeteshat e Orakullit të Dodonës thonë që dy pëllumbesha të zeza fluturonin që nga Teba në Egjipt; njera fluturoi drejt Libisë, tjetra aty në Dodone, pranë tyre. Kjo e fundit u ul mbi një lis dhe paskej thënë me zë njeriu se aty në Dodonë duhej ngritur një orakull i Zeusit.

.Banorët e  Dodonës e kuptuan se po dëgjoni  një urdhër hyjnor dhe u bindën të bënin ç’u tha pëllumbesha. Priftëreshat thonë se pëllumbesha që shkoi në Libi u tha libianëve të ndërtonin orakullin e Amonit, një orakull tjetër të Zeusit. Kështu thoshin priftëreshat e Dodonës, nga të cilat më e vjetra quhej Promenia, e dyta Timareta dhe më e reja Nikandra. Edhe dodonasit e tjerë që banonin  rreth e rrotull tempullit, pajtoheshin me këtë….

*(Te plote e lexoni ne Diellin e Printuar)

[1] Herodoti, “Historitë”, libri-II- Parag.

[2] Herodoti, Historitë, Libri II, parag. 52

[3] Herodoti, Historitë, Libri II- paragrafi 53, f.124

[4] Herodoti , Historitë, VIII- Parag.44, f.472

Filed Under: Histori Tagged With: Aristotel Mici, HERODOTI, Orakulli i Dodonës

Shqiptarët dhe pavarësia

October 7, 2018 by dgreca

VOSSISCHE ZEITUNG (1912) / JA ÇFARË SHPREHU ISMAIL QEMALI NË TRIESTE PARA SE TË NISEJ PËR NË DURRËS/1 qemali Ismail

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 7 Tetor 2018/

“La Presse” ka botuar, të enjten e 21 nëntorit 1912, në ballinë, deklaratën e Ismail Qemalit, dhënë për “Gazette de Voss – Vossische Zeitung” në Trieste para se të nisej për në Shqipëri për evenimentin më të rëndësishëm të vendit tonë.

Çfarë ka shprehur më konkretisht asokohe lideri shqiptar ?/

Në vijim, do të gjeni shkrimin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :

Shqiptarët dhe pavarësia

 Berlin, 20 nëntor.Gazeta Voss (Vossische Zeitung) shkruan se kreu shqiptar Ismail Qemali, i cili gjendet në Trieste, planifikon të largohet për në Durrës, me një avullore të Lloyd-it.

Ai tha se sapo të mbërrijë në destinacion do të shpallë pavarësinë e Shqipërisë :“Ne duam ta vëmë Evropën përpara faktit të kryer dhe të krijojmë menjëherë një qeveri të përkohshme.

Shqiptarët, nëse është e nevojshme, do të luftojnë me trimërinë më të madhe për pavarësinë e tyre.”

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja, Ismail Qemali, Shqiptarët dhe pavarësia

HISTORI-70 vjet nga Kryengritja e Zhapokikës

October 6, 2018 by dgreca

1 a sim1 a denuar12 zhapo1 of3 den5 ofic5 den zhProcesverbalet

 Nga Sadik Bejko*/

Kryengritja  më e njohur e fundviteve ’40 të shekullit që shkoi, e ndodhur në Jug të Shqipërisë, njihet si Kryengritje e Zhapokikës për shkak të emrit të fshatit ku u zhvillua. Zhapokika është një fshat në Tepelenë. Ne përbërje kishte fshatarë dhe nga fshatrat Luftinjë e Kamçisht.

Më 20 shtator 1948 u formua çeta “Baba Shefqet”, për nder të klerikut bektashi të pushkatuar më 14 janar 1948. Flamuri i çetës ishte flamuri kombëtar pa yllin e kuq.

Më 28 shtator 1948 u zgjodh me votim komanda e çetës.Çeta i caktoi vetes si detyrë të lidhej me grupet e tjera antikomuniste derisa në Shqipëri të krijohej një qeveri nacionaliste demokratike.

Fshatarë kundër shtetit

Ca fshatarë në një rrebelim me armë kurrë nuk mund ta përmbysin shtetin, apo rendin kushtetues zotërues në një kohë të dhënë.

Por një kryengritje e ca fshatrave shqiptare kundër shtetit komunist ka ndodhur. Tashmë ajo përmendet, ka hyrë në literaturë si Kryengritja e Zhapokikës, 1948.

Historikisht, si të gjitha kryengritjet fshatare të natyrës a të tipit të saj, kryengritje të mëdha a të voglash qofshin, ato janë shtypur me gjak e me dhunë shembullore.

Kështu ka ndodhur dhe me kryengritjen e Zapokikës.

Parë nga kjo pikëpamje, të ngjan se fare naive dhe e pamend sa nuk ka të dytë ka qenë kjo kryengritje. Ashtu ka qenë. Rreth 25 fshatarëve të veshur keq, të ushqyer me bukë e domate, me ca pushkë e fishekë të ndryshkur, ua thotë truri se po të ngrihen, rrëzojnë shtetin. Po të ngrihen, përmbysin komunizmin për të sjellë në fuqi një rend demokratik.

Koha tregoi se kjo aventurë, kjo ndërmarrje e pamenduar dështoi keqaz.

Vetëm se tej epiteteve apo etiketimeve për të, ajo ka një përparësi. Kryengritja ka ndodhur, është një fakt historik i padyshimtë.

Të mëdhenjtë e botës në Jaltë a në Postdam kishin vendosur rendin e botës, por këta  fshatarë nuk donin t’ia dinin për këtë, nuk donin t’ia dinin për të mëdhenjtë e planetit.

U ngritën dhe e thanë me armë se nuk e donin këtu komunizmin.

I thanë ‘jo’ kolektivizimit të pronës dhe të njeriut, i thanë ‘jo palirisë’, thanë ‘nuk duam që vajzat e djemtë tanë të modeloheshin e të përpunoheshin ideologjikisht. Duam të jemi me Perëndimin, jo me Lindjen”.

Një kryengritje si kjo i fton burrat nën armë, por realisht i ftoi ata që të përfundojnë të vdekur nën shtresat e dheut të tokës së tyre, apo të dergjeshin të prangosur në burgjet me punë të detyruar.Por ata njerëz në vitin 1948 kështu e donin, ata burra kështu e gjykuan.

Organizimi i kryengritjes

Rreth muajit gusht 1948 Xhemal  Brahimi, një fshatar 30-vjeçar nga Zhapokika, merr takime me shumë të pakënaqur nga regjimi. Lidhjet e tij i kapërcejnë tre-katër rrethe të Jugut. Është mister se me kë është i lidhur në qendër. Në fshatin e tij dhe në ato përreth ai ka krijuar grupe të besuarish që mund ta ndjekin. Për të realizuar ngritjen me armë kundra regjimit ai bëri në fshahtësi disa mbledhje

Mbledhja e parë bëhet te Ledha e  Madhe. Xhemal Brahimi ishte në Berat. Drejtimin e mbledhjes e bën Mehmet Yzeiri. Marrin pjesë pothuaj gjithë ata fshatarë të Zhapokikës që më pas rrëmbyen armët.

Burrat që dhanë fjalën për luftë, sigurojnë armë nga shokët e tjerë.

Fshatarët po ktheheshin në luftëtarë.

Ata mendojnë se kanë në krahë dhe çetën e Sulo Zaimit nga Allkomemaj. Major Sulo Zaimi kishte qenë oficer ushtarak nga koha e mbretërisë. Ca kohë qe oficer në Kosovë në vitet ’40. Ishte kunati i Xhemal Brahimit. Nga Gjykata e Lartë Ushtarake, që më pas e dënoi me njëzet vjet burg, cilësohet si nxitësi e frymëzuesi kryesor i rebelimit. E nxiti, por nuk mori pjesë në rrebelimin e Zhapokikës.

Mendojnë se kanë me vete dhe Demo Kason (Demir Allkushaj) nga Gllava, nga e njëjta krahinë. Ky, një oficer policie në lirim, me grupimin e tij të fshehtë nuk iu bashkua Zhapokikës. Grupi i tij u kap më pas dhe u ndëshkua me burg. Demo Kaso u arratis në Itali.

Mendojnë se në Mallakastër, në krahinën e Lopsit dhe në zonën e nahijes së Beratit kanë përkrahës me armë në dorë.

Mbledhja e dytë mbahet në Mëlovë. Flet Xhemal Brahimi që është mendja politike e grupit të Zhapokikës. U bën thirrje të bëhen ushtarë në luftën për demokraci.

Ky ka bërë disa takime në gjithë ata që e mbështesnin në rrethet fqinjë me Tepelenën, deri dhe në Tiranë. Ka korierë që mban lidhjet me këto pika.

Në Mëlovë mbledhja është e gjerë në pjesëmarrje. Vijnë dhe ata që e përkrahin dhe ata që japin fjalën se do jenë me grupin, por tërhiqen.

Xhemal Brahimi e merr fjalën në emër të partisë nacionaliste. Kjo parti, sipas tij, ka lidhje me ministra e anëtarë të lartë të Partisë në pushtet. Sipas tij, nëpunësit kryesorë të Tepelenës, ushtria e policia janë në mbështeteje të tyre. Mehmet Yzeiri e mbështet, por shton se dhe ushtria e Sazanit dhe diversantët e maleve dhe Abaz Ermenji e Muharrem Bajraktari janë në krah të tyre.  Kabineti qeveritar ka rënë.

Atmosfera ndizet. Bëhen thirrje antikomuniste.

Vendoset të krijohet Çeta. Zgjidhet komanda me votim. Komandant Bajram Kamber Ahmataj, 59 vjeç. Sekretar politik Xhemal Brahimi. Mehmet Yzeiri-nënkomandant, Salo Kaso, Sefer Yzeiri anëtarë të shtabit. Bëhet betimi tradicional me nga 10 lekë të shkuara midis dy buzëve, të cilat më pas bëhen qiri në faltore. Formula: “Po tradhëtova, më pret plumbi kokës”.Krerët e çetës shkojnë në lagjen Keçerisht, në Zhapokikën e dytë. Në Keçerisht ua hapën dyert. I pritën si shpëtimtarë. U dhanë ushqim e strehë.Xhemali mban një mbledhje në lagjen Mukaj të Luftinjës. Mbledhja zgjati tri orë. Në mëngjes u bashkohen të tjerë burra me armë.

Kamçishti, përplasja e parë me policinë

Vijnë nga Kamçishti përkrahës që i ftojnë për t’u mbledhur në Kamçisht

Bëjnë mbledhje në vreshtin e Halil Sulos në Kamçisht. Ishte natë. Folën krerët e çetës për partinë nacionaliste, për rënien e qeverisë, për kryengritjet që kanë plasur gjithandej. Xhemal Brahimi fyen Partinë Komuniste, Bashkimin Sovjetik. I bëjnë thirrje Kamçishtit të rreshtohet me ata. Poshtë Komunizmi.

Realisht ishte një propagandë në erë, por njerëzit pëlqejnë, besojnë atë që ata dëshirojnë.

Mbledhja zgjati dy orë. Flasin për tatime të larta, për atë që janë lakuriq dhe të këputur. Qeveria është amorale, i mbledh djemtë e vajzat natën. I marrin me zor në konferenca, në hekurudhë.

Xhemal Brahimi u thotë se “do na kolektivizojnë edhe gratë. Se po na vrasin njerëzit e fesë”.

Ikin natën nga Kamçishti për në Kackë të Xhapokikës. Shkojnë në malin e Izvorit.

Ndërkohë policia i ishte drejtuar Kamçishtit. Kanë kapur dy nga shokët e tyre. Çeta kthehet në Kamçisht dhe sulmon policinë. Gani Kojdheli i merr armën nga duart një polici. Qëllojnë me bomba dore. Policia thyhet, tërhiqet. Kryengritësit i ndjekin policët e shpartalluar. Mbetet i vrarë shefi i Sigurimit për Tepelenën, toger Xhezo Makashi.

Marrin shokët e Kamçishtit dhe ngjiten në mal. Marrin me vete të lidhur dy fshatarë që i spiunuan. Nuk merret vendim për t’i vrarë, ndaj i lëshojnë.Datën 2 tetor çeta kaloi në malin e Rabijes. Kanë triumfuar mbi policinë. Këndojnë këngën e Çetës.

 

Të ndjekur këmba-këmbës

Për t’iu shmangur një përplasjeje të dytë me policinë, merret vendim që të nisen drejt malit të Rabijes.

Dikush nga Kamçishti këmbëngul: “O luftojmë e vdesim këtu, o unë kthehem në shtëpi”. Dhe u kthye.

Xhemal Brahimi dhe Beg Veizi shkuan në Allkomemaj te Sulo Zaimi.

Çeta ecën përroit dhe i pret në Levan. Sulo Zaimin e kanë arrestuar.

U ngjitën në malin e Rabijes. Atje flenë dhe rrinë gjithë datën 3. Të nesërmen te shkëmbi i Koçit.

Një bari nga Rabija u çon ujë. Kalojnë në Çocaj të Allkomemajt. Xhemal Brahimi dhe Mehmet Demua marrin bukë te fshatari Novruz. Muharrem Sulua u jep pak bukë, aq sa kishte me vete. Hanë bukë afër mëngjesit. Këtu në Çoçaj i rrethon policia që i ndjek këmba-këmbës. Qëllojnë në drejtim të tyre në tërheqje e sipër. I sprapsin me armë dhe bomba. Ka dëshmi jo të saktësuara se aty u vra një nga forcat e ndjekjes.

Forcat e ndjekjes nga Tepelena dhe ato të Beratit, të drejtuara nga toger Sulo Gradeci, përbëheshin nga ushtarë dhe policë.

Janë kapur nga policia ata që i kishin lënë me detyrën e prapavijës, për t’i furnizuar me ushqim dhe me informacion. Janë rrethuar nga policia shtëpitë që do të ishin baza për strehim dhe për mbështetje me armë e njerëz. Janë arrestuar korierët.

Mbas përplasjes me armë në Çoçaj, çeta ulet në përruan e Çërrilës ku pushojnë rreth dy orë.

Marrin drejtimin për nga Plashnikut i Beratit, ku mendojnë se kanë një bazë të sigurt.

Të vetmuar, të ndjekur. Pa ushqim. Ka filluar demoralizimi. Ndahen të lëkundurit nga trimat. Dëgjohen shprehjet “sikur nuk e kishim kështu”. Propagandës së Xhemalit se “i presin çeta ngado, se ka rënë qeveria, se ushtria dhe nëpunësit e shtetit janë me ata, se do vijnë ndihma nga jashtë…” nuk i besojnë më.Të zhgënjyer, shkëmbejnë fjalë të serta. Antikomunistët e bindur mblidhen rreth shtabit të çetës. Kjo bërthamë e të betuarve përmbledh të tjerët.

Dezertimet

Tre kamçishtjotët Gani Kojdheli, Halil Sulua dhe Selfo Xhemali natën e 5 tetorit, pasi ndjekin çetën rreth një orë, ndahen praj saj, sapo hyjnë në një pyll. Kthehen nga erdhën. Ditën fshihen, në mbrëmje afrohen në një korije pranë lagjes Bardhaj të Allkomemajt. Aty gdhihen e ngrysen një natë e një ditë. Në datën 7 tetor ndjekin shtigjet përfund Allkomemajt, Levanit, Xhaxhajt deri te një pyll ndanë Kamçishtit. Data 8 tetor në pyll. Në mbrëmje Selfua hyn në fshat, merr bukë dhe kthehet. Aty e shtyjnë edhe datën 9 tetor.  Në mbrëmje marrin bukë në shtëpitë e tyre dhe flenë te Halili. Në datën 10 fshati Kamçisht gdhihet i rrethuar. Dorëzohen Ganiu dhe Selfua, Halili vret veten (ose e vrasin në shtëpinë e tij, sipas një dëshmije tjetër).

Plashniku, fundi i arratisë

Që nga dita kur major Sulo Zaimi nuk u bashkua me çetën,  hyri grindja. Dhe Sulon na e morën. Si do të vazhdojmë tani? Xhemali mendon të shkojnë në Skrapar, ku ishte Dilaver Çorrogjafi, një ‘diversant i regjur’.

Ku janë ata nga jashtë që do të na hidhnin armë?

Çeta merr drejtimin për në Osmënzezë. Pas kamçishtiotëve, ndahet nga çeta dhe Mehmet Demo.

Në përruan e Plashnikut, në Velemen, pylli i koçimares së Plashnikut. Drejtohen për bukë te shtëpia e mikut, që ishte përkrahës dhe bazë e tyre, te Skënder Aliko. E kanë arrestuar.

Shtigjet janë zënë nga forcat e ndjekjes.

Tatëpjeta, shpartallimi

Kthehen pas. Diku hanë rrush, diku pinë ujë. Në fshatin Zhapokikë të Beratit gjejnë ushqim. Duan të shkojnë te pylli i Zagonit, por gdhihet. Ndodhen në Gllavë. Janë me shpirt ndër dhëmbë.

Në Shkozë të Gllavës ndeshen ballas me policinë.

Është data 8 tetor 1948.

Shaqo Muçodemaj, Sefer Yzeiri, Mehmet Yzeiri, Salo Kaso, Xhemal Brahimi (të betuarit) luftuan deri sa i hodhën gjithë bombat, i zbrazin  gjithë fishekët që kishin me vete.

Mehmet Yzeiri dhe Salo Kaso mbetën të vrarë. Dy policë mbetën të vrarë.

Çeta përfundimisht shpartallohet.

Disa u fshehën, deri sa u kapën. Të tjerë shkuan në shtëpitë e tyre ku i prisnin forcat e ndjekjes. Disa u vetëdorëzuan. Shaqo Limja e Sefer Yzeiri iu fshehën policisë për disa muaj.

Komandant Bajram Kamber Ahmataj, ish-xhandari 60-vjeçar, e zgjati arratinë nëpër stane e pyje deri në janar 1949. U kap i fundit, u kap në befasi në fshatin Malëshovë të Përmetit.Vëllai i tij Safet Kamberi u vra në kufi, tek po arratisej.

Xhemal Brahim Asllani

Xhemal Brahimi u arratis. Ai u stërvit në kampet e perëndimorëve dhe u desantua në Shqipëri, hyri dhe doli disa here deri më 1960. Fëmijtë dhe gruaja e tij u internuan në Tepelenë, më pas në Lushnje. Dy djemtë bënë burg. U liruan më 1991. Vdiqën shpejt. E shoqja, Sambretja, me të cilën Xhemali pati dhe një vajzë që lindi në internim në Lushnjë më vitet ‘50, jetoi më gjatë.

Xhemali pati fëmijë nga martesa e dytë në SHBA. Vdiq i alkolizuar me brengën për familjen që në Shqipëri vazhdonte të ndëshkohej për llogari të tij.

Dosja e tij formulare mund të na sjellë të dhëna të tjera.

Procesi gjyqësor

Gjyqi u zhvillua në Gjykatën Ushtarake të Gjirokastrës. Gjyqtarët Llazi Polena, Arqile Toska dhe Hamit Bilbili me prokuror Mustafa Beqon dhanë vendimin nr.24, datë 14.5.1949. Akuzoheshin se në shtator – tetor 1948 “kanë formuar bandë të armatosur për të rrëzuar pushtetin popullor”, se kishin marrë pjesë në luftime kundër forcave të regjimit, se kishin vrarë dy policë dhe shefin e seksionit të Sigurimit Xhezo Makashi dhe se kishin lidhur e dashur të vrisnin dy fshatarë”.  Për të gjithë urdhërohej dënimi me punë të detyruar, konfiskimi i pasurisë si dhe heqja përkohësisht e të drejtës së zgjedhjes. Dënimet mbështeteshin në ligjin nr.372, datë 12.12.1946  “Mbi fajet penale kontra popullit dhe shtetit”.

Gjykata e Lartë Ushtarake e përbërë prej Bilbil Klosit, Sotir Spiros dhe Nonda Papulit, me prokuror Bexhet Memën, me vendimin nr.77, datë 6.7.1949 (për dënimet me heqje lirie) la përgjithësisht në fuqi ndëshkimet e gjykatës së Gjirokastrës. Gjykata e Lartë nuk ua vë në ngarkim të dënuarve vrasjen e toger Xhezo Makashit, shefi i Sigurimit Tepelenë.

U dhanë këto dënime:

1-Bajram Ahmetaj, vjeç 59, arrestuar më 4.1.1949, me vdekje.

2-Sefer Yzeri, vjeç 39, arrestuar më 10.10.1949, me vdekje. I falet jeta nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.  Bëri 33 vjet burg, vdiq i uritur, i vetmuar në një kasolle.

3-Shaqo Muçoderraj, vjeç 29, arrestuar më 16.10.1948, me 20 vjet burg.

4-Xhemal Asllani, vjeç 21, arrestuar më 5.10.1948, me 15 vjet burg.

5-Xhemal Begaj, vjeç 35, arrestuar më 10.10.1948, me 12 vjet burg.

6-Mete Didi, vjeç 36, arrestuar më 19.10.1948, me 15 vjet burg.

7-Balil Veliu, vjeç 39, arrestuar më 10.10.1948, me 15 vjet burg.

8-Xhelal Begaj, vjeç 35, arrestuar më 10.10.1948, me 12 vjet burg.

9-Gani Kodheli, vjeç 36, arrestuar më 16.10.1948, me 12 (5) vjet burg.

10-Mehmet Mupoderraj, vjeç 21, arrestuar më 5.10.1948, me 12 (5) vjet burg.

11-Hajri Mahmutaj, vjeç 39, arrestuar më 10.10.1948, me 12 (6) vjet burg, vdes ne burg pas 11 vitesh.

12-Selfo Xhemali, vjeç 49, arrestuar më 16.10.1948, me 4 vjet burg.

13-Beg Veizi, vjeç 49, arrestuar më 5.10.1948, me 4 vjet burg.

14-Nuredin Rrodhaj, vjeç 29, arrestuar më 5.10.1948, me 4 vjet burg.

15-Hajredin Alushi, vjeç 33, arrestuar më 16.10.1948, me 4 vjet burg.

16-Mehmet Kalemaj, vjeç 49, arrestuar më 16.10.1948, me 4 vjet burg.

17-Teme Pajo, vjeç 49, arrestuar më 5.10.1948, me 3 vjet burg.

18-Shefqet Didi, vjeç 19, arrestuar më 16.10.1948, me 3 vjet burg.

19-Seit Çaushaj, vjeç 34, arrestuar më 10.10.1948, me 3 vjet burg.

20-Jashar Canaj, vjeç 44, arrestuar më 10.10.1948, me 3 vjet burg.

21-Maliq Didi, vjeç 57, arrestuar më 5.10.1948, me 2 vjet burg.

22-Demo Aliu, vjeç 45, arrestuar më 5.10.1948, me 2 vjet burg.

23-Riza Çaushi, vjeç 49, arrestuar më 10.10.1948, me 2  (1) vjet burg. Ky arratiset jo me çetën por i vetëm me armë fshihet larg fshatit në një pyll. Kish dhënë fjalën të jetë ne çetën, por nuk shkon me ata. Dorëzohet vetë më 10.10.1948 në Tepelenë.

24-Mufit Islami, vjeç 29, arrestuar më 5.10.1948, me 2 vjet burg.

25-Adem Memaj, vjeç 21, arrestuar më 10.10.1948, me 12 vjet (2) burg. U ridënua, bëri 33 vjet burg.

Shifrat e viteteve në kllapa () janë dënimet përfundimtare dhënë nga Gjykata e Lartë.

 

Kryengritës të vrarë

Mehmet Yzeiri Selaj  (në përpjekje me policinë në Gllavë, 10 tetor 1948).

Salo Kaso Didaj, në përpjekje me policinë 10 tetor 1948.

Safet Kamber Ahmataj, vritet në kufi.

Halil Sulo, vritet nga policia në shtëpinë e tij Kamçisht. Sipas dëshmisë së Gani Kojdhelit në gjyq Halil Sulo ka vrarë veten, kur u kthyen nga arratia në fshatin Kamçisht.

Më 21.7.1949 u krye ekzekutimi i dënimit me vdekje i të dënuarit Bajram Kamber Ahmetaj. Ai thotë: “Për toger Xhezo Makashin, dëgjova rojet e burgut të thoshin e vrau kush e vrau, u mbeti këtyre”. Bajrami kërkoi që pushteti të mos hakmerrej mbi fëmijët e tyre, që kufomën e tij mundësisht t’ia çonin familjes… E mbylli jetën me fjalët  “Rroftë Shqipëria”.Shefi i sigurimit të Tepelenës, Xhezo Makashi (1920-1948) me vendimin nr.65, datë 2.10.1971, u shpall dëshmor.

Kjo është një kryengritje e fshatarëve të varfër

Ja cilat ishin ato që quhen logjistikë, si depo rezervë, fuqi financiare, buxhet mbështetës për çetën.

Në gjithë udhëtimin e saj çeta mbante me vete një mitroloz pa gjilpërë që nuk u zbraz kurrë.

Nga dosjet vijnë dhe këto fakte mbi atë se ç’fuqi ekonomike kishte çeta më 2 tetor 1948 kur u nis në luftë:

Hëngrëm bukë e dhallë te Zeneli.

Xhelal Rizai solli bukë dhe një gavetë mjaltë. M. Yzeiri hëngri petulla që i solli Sefer Yzeiri, vëllai.

Te Muharrem Mehmeti morëm bukë e dhallë.

Musa Qazimi ka prurë një gavetë mjaltë.

Te Halili Sulua morëm bukë e duhan.

Shaip Sulos i morëm bukë thatë, i dhamë 1000 lekë.

Hajdar Rustemi dha bukë dhe një torbë me domate.

Te Hajredin Alushi bukë e domate.

E shoqja e Zane Abazit na ka dhënë një trastë me bajame kur kemi qenë në pyllin e Zagonit.

Një mulli dha tre trasta me bukë dhe një batanije. Barinjtë jepnin bukë e duhan. Djali i Sefer Yzeirit dha në shportë rrush.

Ibrahim Jonuzi nuk erdhi me ne se nuk kishte pushkë.

Shaqua e bleu pushkën 6 napolona.

Me këtë fuqi ekonomike çeta e uritur dhe me frymë të rënduar i mbylli ditët e saj me armë, me luftë.

Pastaj… vite e vite burg.

Qenë njerëz që besonin në atë që ishin, në atë që donin. Jo në gjë tjetër. Dhe i paguan me kokë, me burg bindjet e tyre.

Për të tillët gjithmonë do të ketë vetëm respekt.

* E dergoi per Diellin gazetari Cerciz Loloci

Filed Under: Histori Tagged With: 70 vjet nga, Kryengritja e Zhapokikës, Sadik Bejko

Elena Gjika – Shqiptarja më e shquar në Europë në shek.XIX “

October 6, 2018 by dgreca

Nga Jahja LLUKA/

Të mos ketë më gegë,as toskë,as lebër as çam,por vetëm Shqiptar bij të devotshëm që të marshojnë si një trup i vetëm, nën flamurin e Aleksandrit të Madh,të Pirros,dhe të Skenderbeut” Elena Gjika Një personalitet i shquar, një grua e rrallë me tipare të veçanta pushtoi botën në shek.XIX. Ajo quhej Elena Gjika, një shqiptare fisnike e cila zgjodhi rrugën e Dijes, për të mos u harruar kurrë. Filozofe dhe artiste Elena Gjika u paraqit para kulturës europiane me pseudonimin “Dora d’Istria”, sharmi, mençuria dhe natyraliteti ishin gërshetuar në figurën e Elenës, e që në kohën sa jetoi ishte e respektuar dhe e admiruar nga shoqëria aristokrate dhe njerëzit e thjeshtë. Vepra e saj u bë e përjetshme duke na bërë krenar para botës, që nga gjaku ynë kishim një femër të tillë, e cila më vonë do bëhej pasqyrim për femrën shqiptare duke nxitur breza frymëzimi pas vetes. Dija thonë është pushtet, që Elen1 Elena gjikaa e përdori për ta pushtuar kohën në të cilën jetoi. Andaj saherë, lexojmë apo shkruajmë diçka për personalitetin e saj ne çdoherë do gjejmë diçka të re që na mbush me frymëzim. Elena Gjika mbeti e përjetshme me mençurinë e saj, duke mos harruar asnjëherë origjinen prej nga vinte, figura e saj unike do jetojë sa të jetë njerëzimi. Me 22 janar 1828 në Bukuresht të Rumanisë, lindi Elena Gjika.Babai i saj ishte princ Gjika me origjinë shqiptare. Gjika përveç që ishte guvernator i principatës së Vllahisë, ai ishte dhe arkeolog. Muzeu i parë kombëtar në Rumani u themelua pikërisht nga babai i Elenës, Mihal Gjika,ndërsa nëna e saj ishte Katinka Faka, njihet si shkrimtare dhe poashtu përkthyese e veprave të huaja, e cila dha kontribut në zhvillimin e shoqërisë së asaj kohe, duke përkthyer në rumanisht veprat më të arrira nga letërsia e begatë franceze. Nga dera e familjes Gjika dolën dhjetë princër të cilët sunduan Vllahinë dhe Moldavinë dhe poashtu dy kryeministra të Rumanisë. Elena pati një vëlla, Gjergjin dhe një motër, Gjeorgjetën, e cila u martua me princin Stefan Lupasco në vitin 1929. Elena kishte fatin që të rritej me një kulturë aristokrate, e që kjo frymë e përcolli gjatë gjithë jetës, duke qenë një ndër personalitetet e rralla të asaj kohe në Evropë. Mësuesi i saj, të cilit iu besua edukimi i Elenës, ishte nga Selaniku dhe quhej Gregor Gjergj Papadopulos. Qysh herët tek Elena u shfaqën cilësi të veçanta, të cilat e dërguan më pas në rrugën e gjatë të Njohjes. Për këtë në mesin e aristokratëve Elenes i’u jep epiteti “Mrekullia e Vogël”, fliste nëntë gjuhë të huaja, qysh në moshën katërmbëdhjetëvjeçare. Ishte e martuar me princin rus Aleksandër Koltov Massalskij, por jeta e saj bashkëshortore nuk i solli aspak lumturi. Kështu, ajo largohet për në Zvicër dhe udhëtimet e saj zgjasin deri në Amerikën e largët. Shpirti i saj i trazuar dhe i etur për dije nuk mundi të qëndroj vetëm në një vend, ajo ëndërronte që ta shihte botën dhe të njihej me kultura e popuj të ndryshëm.Por asnjëherë nuk e harroi origjinën e saj, në udhëtimet e shpeshta që bënte u takua me elitën politike dhe intelektuale të kohës, duke ua bërë të njohur çështjen shqiptare. Për kontributin e saj në skenën e kulturës europiane, mori titullin Qytetare Nderi e Athinës në vitin 1862. Elena me sharmin dhe mençurinë e saj nxiti poetin amerikan Longfellou që të shkruante një poemë për Skënderbeun. Ishin miq të afërt me poetin e madh arbëresh Jeronim de Rada, poashtu njohu rilindasit shqiptar Zef Jubani dhe arbërshin Leonardo de Martino. Të tre këta e vlerësuan lartë kontributin e Elenës për ngritjen e çështjes shqiptare në nivelin botëror të asaj kohe. “Ajo zgjodhi si pseudonim artistik emrin “Dora d’Istria”, sepse përmblidhte gjithçka që përbën themelin e punës së saj: lidhjen e fortë me vendin, rrënjët e saj dhe në të njëjtën kohë një konceptim kozmopolit dhe tolerant, të hapur ndaj botës dhe kulturës.” Elena Gjika vdiq në Florence në vitin 1888 duke lënë pas vetes një krijimtari të gjërë në fusha të ndryshme.Veprat e saj njihen në të gjithë Europën, ajo shkroi “Les Femmes en Orient” (Femrat në Lindje) në vitin 1860 dhe “Des femmes par une femme” (Femrat për një femër) e vitit 1865, “Les Femmes fortes” (Femrat e forta) të 1871-shit, “Lettre à la presidente de l’Association des dames grecques pour l’istruction des femmes” (Letër drejtuar kryetarit të Shoqatës së zonjave greke për arsimimin e femrave) 1872, ”The ëoman question in Austria e The ëoman question Germany” (Çështja e gruas në Austri dhe çështja e gruas në Gjermani në 1873-shin), e të tjera. Ajo shkroi edhe një numër të madh shkrimesh për çështje të historisë së letërsisë, poezisë, politikës, religjionit, problemeve sociale, historisë, artit, e tjerë në disa organe të njohura shtypi si në Revue des Deux Mondes të Francës; Libre Recherche të Belgjikës; Diritto, Antologia Nuova, Rivista Europea të Italisë, si dhe në revista rumune, greke dhe amerikane. Dora D’Istria merrej edhe me pikturë.

Filed Under: Histori Tagged With: Elena Gjika – Shqiptarja, Jahja Luka, më e shquar, në Europë në shek.XIX “

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 290
  • 291
  • 292
  • 293
  • 294
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT