• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në birucat e sigurimit

July 30, 2017 by dgreca

1 Reshat

Nga Reshat Kripa*/

Qelia ku më mbyllën ishte nën rampën e shkallëve.  Kishte dimensione 2,5 X 1,5 dhe lartësia fillonte nga 20 cm. dhe përfundonte në 1,5 metra. Koka dhe i gjithë trupi më dhimbnin. Nuk e di sa kisha në atë gjendje, kur dëgjova një zë që thërriste,  sikur pëshpëriste:

– Hej, kush jeni?

Nuk kisha fuqi të përgjigjesha. U mundova, por u rrëzova përsëri. Thirrja u përsërit. U kapa pas hekurave të dritares së vogël që ndodhej në portë dhe munda të ngrihem me mundim. Në krah të qelisë time, nën shesh pushimin e shkallëve, ndodhej një qeli tjetër, që me timen ishin të vendosura në formën e gërmës ” L “. Në dritaren e portës së saj pashë fytyrën e një burri.

– Ujë! – i thashë me gjysmë zëri

U  mundua   të   më   jepte   shtëmën   e  vogël  që kishte,  por  atë  nuk   e   nxinin   hekurat,  Atëhere mbushi opingën e tij dhe ma dha. Në fillim ndjeva neveri të pija ujë me opingën e një të panjohuri. Mos vallë vinte erë nga djersa e këmbëve të tij? Por etja më detyroi. E piva përnjëherësh. E mbushi  përsëri  dhe  e  përpiva  edhe atë. Uji më gjallëroi. E mbushi për të tretën  herë  dhe më tha:

– Laj fytyrën!

U lava. Ndjeva se  uji më solli në jetë.  Në këtë kohë më hyri një e dridhur në shtat. Ndoshta po më fillonin ethet. Ai më pa, mori një batanie dhe ma zgjati nëpërmjet dritares.

– Merre dhe mbulohu, por kujdes mos të të shohë roja.

E   mora   dhe  u  mbulova.  Pas  pak  më  zuri gjumi. U zgjova nga një zhurmë hapash. Ishin hapat e rojeve. Dola  në  dritare  dhe  i  fola  komshiut. Filluam  të bisedojmë Ishte Imer Rakipi nga Gjormi, i ati i Neki Imerit, ish komandant partizan i vrarë po nga ata.

U ula në një qoshe dhe fillova të vështrojë qelinë. Nga drita e paktë që hynte nga dritarja, vura re  disa  shënime  të  bëra  me  gërvishtje  në  mure. U   afrova  dhe  lexova  njerin:

“Këtu u dergj Gogo Zhupa!”

Kush ishte ky Gogo Zhupa që ishte dergjur aty?  Gjatë kohës që qëndrova në burg nuk takova njeri me këtë emër. Ata që e kishin njohur më thanë se ishte nga Himara.

Më tutje  një shënim tjetër më i gjatë:“Nënë  e  dashur!…  Më  fal!…  Po  vdes … me brengën… se po  të  lë  vetëm…Kriminelët më… kanë sakatosur… ashtu si bënë… edhe  me babanë…Më fal o nënë… se të kam…shqetësuar…!”

   Petr..“

Emrin nuk kishte mundur ta përfundonte. Çfarë e quanin? Petrit, Petrika, Petraq, Petref apo ndoshta Petro? Si duket vdekja nuk e kishte lejuar të mbaronte emrin e tij.

Duke lexuar këto shënime mendova: – Si duket këto qeli qënkan për të vdekur! Po unë a do të shpëtojë?

Mendja më shkoi te shkolla. Atë ditë ishte hartimi. Para syve më dolën shokët dhe shoqet e klasës. Në atë moment ata po shtjellonin temën. Kurse unë dergjesha në atë qeli, prej nga nuk dija në se do të dilja dot i gjallë. A mund të kishte temë më të dhimbëshme se gjendja  në  të  cilën  ndodhesha?  Një  ndienjë melankolie më mbuloi.

dukej  sikur  shikoja  fytyrën  e  Nerit.  Kjo   ndienjë   ma   shtonte  më  tepër dhimbjen.

Kishim tri roje të brendëshme. Kapter Myfiti  ishte një sadist i vërtetë. Kënaqësia e tij ishte kur shihte viktimat e sakatosura nga torturat që ktheheshin nga hetuesit. Qeshte  me  të  madhe  kur  i shihte në atë gjendje. Ishte një e qeshur sarkastike.

– Sa më qenke zbukuruar  me  këtë  ngjyrën  e kuqe! – thoshte duke u ngërdheshur si ndonjë përbindësh, kur i shihte viktimat të gjakosura.

Tetar Vlashi nuk ishte i keq si Myfiti, por kërkonte të zbatonte një për një kërkesat e rregullores së brendëshme. I treti ishte rreshter Gjyshi, i shoqi i  një komshies tonë, me të cilën kishim miqësi familjare. Në përgjithësi, sillej mirë, sidomos me mua që më njihte.

Hetues kishim marshall Demirin. Një vit më parë kishte qënë edhe hetuesi i Besnikut, vëllait tim. Kishte krijuar bindjen se  duhej të kishim një më të madh që na kishte shtyrë në këtë rrugë. Nuk besonte që tre fëmijë si ne të mernim një të tillë inisiativë. S’arritëm kurrë të kuptojmë se për ç’arësye  dyshimi i tij binte mbi një shokun e klasës së Besnikut,  Shefqet Xhikun. Na torturonte për të na detyruar të pranonim se ishim shtyrë nga ai. Por kjo ishte absurde. Ne nuk kishim si të pranonim. Ishim të detyruar të duronim torturat.

Një natë po flija  në  qelinë  time.  Ndjeva  një goditje të fortë  në  këmbë. U ngrita i  tronditur.  Para meje qëndronte kapter Myfiti

– Çohu! –  tha me një zë të ashpër – Po të pret xhelati.

– Xhelati? Cili xhelat? – e pyeta unë.

Bëri buzën në gaz në mënyrë ironike dhe tha:

– Do ta shohësh kur të shkosh lart.

Më shoqëroi në zyrën e Demirit. Ai qëndronte duke shkruar diçka në tavolinë.

– Qëndro aty.! – foli duke treguar qoshkun e murit.

Unë rrija i heshtur. Isha dobësuar jashtë mase. Nuk kisha fuqi të qëndroja në këmbë. U mbështeta pas murit.

– Mos u mbështet! – tha me një ton urdhërues  pa hequr vështrimin nga shkresat që kishte përpara. Sipër kokës së tij ishte një orë muri. Ajo tregonte një e gjysmë. Kishte kaluar mesnata. Si  mbaroi  punë, u ngrit dhe u drejtua nga unë:

– Sot dua të mbarojmë punë shpejt se vajti vonë. Më trego, ku i ka fshehur florinjtë yt atë?

E  vështrova  i  habitur. E  ku  i  kishin  mbetur  florinj  tim  eti   pas   gjithë   atyre peripecive që  kishim hequr.  Në shtëpinë tonë mezi kishin mbetur vetëm disa minderë të vjetër prej dërrase dhe jo të kishim florinj. Le që edhe po të kishte, aq mendje lehtë nuk do ishte im atë sa të m’i tregonte mua një pesëmbëdhjetëvjeçari? Pyetja e tij m’u duk si e një fillestari të paditur.

– Babai im nuk ka florinj, – iu përgjigja.

– Ashtu, nuk do të tregosh? Ti di  edhe  vrimat e miut që janë në shtëpi.

– Ato i di, por florinj im atë nuk ka.

– Mirë, më qafë paç veten!

Më lidhi duart me  hekura  dhe  m’i  shtrëngoi fort.  Më  shtriu  në  tokë  dhe  filloi të më godiste me të dy pëllëmbat me sa fuqi  kishte.  Shikoja  krahët  e  tij  që  hapeshin  me forcë dhe më qëllonin. Koka ime e vogël ishte e detyruar të duronte goditjet barbare të tij. Filloi të më godasë edhe me shkelma në organet gjenitale. Më vinte këmbën me këpucët me gozhda në grykë dhe më hipte sipër duke më rënduar me forcë

– Hë, fol, ku janë florinjtë?

Dhimbjet   ishin   të  tmerrshme.  Nga  hundët filloi  të  më   rridhte gjak. Kjo  gjendje  vazhdoi  për gati dy orë. Së fundi humba ndjenjat. Më hodhën një kovë ujë në fytyrë.  Ndjeva

dy duar që më ngritën dhe duke më hequr zvarrë më përplasën në qeli.

Isha në gjendje kllapie. Si nëpër gjumë më çfaqeshin para syve fytyra të ndryshme. Para syve më dilte portreti i Fatushes, motrëe time,  që më jepte kurajo, por ai zëvëndësohej menjëherë me atë të Demirit që më kërcënonte.

E mblodha veten shpejt dhe thashë:

– Bëhu burrë dhe mos turpëro veten!

Kjo gjendje vazhdoi deri në  mëngjes.

Netët kalonin në mes të ankthit të torturave. Ishte bërë  e zakonshme që pyetjet të zhvilloheshin afër mesnatës. Kështu një natë më çuan si zakonisht në zyrën e hetues Demirit. Ai më vështroi  gjatë dhe në fund më pyeti:

– A je penduar për aktivitetin e zhvilluar?

Pyetja më erdhi e papritur. Nuk dija si të përgjigjesha. Po rrija i menduar pa i kthyer përgjigje.

– Hë, si thua? – vazhdoi ai.

Vendosa t’i thoja të vërtetën:

– Aspak.

Përgjigja i erdhi  e  papritur. Më  vështroi  me  inat dhe pastaj më tha;

– Ashtu? Atëhere bëjë një deklaratë për sa the.

Më vuri para  letër dhe penë. Unë fillova të shkruaj:

19959083_1873002486354303_3658137899593766131_n  Deklaratë

Unë, Reshat Kripa, nga Vlora dhe banues po në Vlorë, në lagjen Vrenez, mbasi u pyeta prej hetuesit që proçedohem si pjesmarës dhe element kryesor i grupit me pseudonim “Atdhetari” që përbëhet prej meje, Myrteza Baboçit dhe Jorgo Beshos, në se jesh penduar për fajet e  kryera  kundër pushtetit ju përgjegja si më poshtë:19961192_1873002596354292_8939744024790587073_n

            Unë Reshati deklaroj se rrugën që kam ndjekur duke treguar aktivitet kundër pushtetit, e quaj të drejtë për deri sa gjendja në vëndin tonë nuk  ka ndryshuar dhe se unë këtë ndryshim e pres nga  t’arratisurit e  jashtë shtetit anglo-amerikanët etj.

            Këtë dekllaratë e shkruaj dhe e nënshkruaj vehtë pa u imponuar sepse janë deponimet e mija.

                                                                                        Reshat   Kripa

Vlorë më 11-VIII-1951

19905213_1873002536354298_2461307283945850700_nDemiri mori dhe lexoi deklaratën. Fytyra filloj t’i marrë lloj-lloj ngjyra. U kthye nga unë dhe me një ton prej krimineli më tha:

– Kështu ti dashke anglo-amerikanët?

– Po, shqiptarët dhe anglo-amerikanët. Ata janë aleatët  tanë. – iu përgjigja.

– Aleatët e sat’ëme apo tyt’eti?

Aty për aty filloi të më godasë me pëllëmba, grushta dhe çfarë të mundte. Pastaj thirri Myfitin dhe e urdhëroi që të më lidhte duart dhe të më çonte në qeli.

Një ditë u hap porta e qelisë dhe tetar Vlashi më tha:

– Merr rrobat dhe eja me mua!

I mblodha ato pak rroba që kisha dhe u nisa pas tij. Kur mbërritëm te qelia numër shtatë, qëndroi, hapi portën dhe më tha të futesha brenda. Ishte një qeli më e madhe se e para. Kishte dimensionet 3 X 2 dhe lartësi 3 metra. Në njerën anë të saj ishte shtrirë një burrë rreth tridhjetëvjeç. Ana  tjetër  ishte  bosh,  Përshëndeta   mikun e ri   dhe  vendosa rrobat në vendin bosh. U ula  dhe filluam të bisedojmë. Më pyeti nga isha dhe përse më kishin arrestuar. I tregova. E njihte tim atë.  Kishte prurë ullinj në fabrikën tonë. Pastaj e pyeta edhe unë.  Ishte  nga  Dukati. E  quanin  Halo  Çanaj. Ishte  arrestuar  pasi  kishte  strehuar  disa  të

arratisur. Kishte qenë ushtar me çetat e Ballit Kombëtar.

Halua    më     përmendte     betejat     e     Gjormit, Drashovicës, Selenicës dhe të tjera. Më fliste për Termopilen shqiptare, luftën e Grehotit me italianët ku u vranë komandanti Hysni Lepenica dhe tridhjetepesë burra të tjerë. Më fliste për Skënder Muçon dhe dy shokët e tij që i pushkatuan gjermanët, vetëm e vetëm se ishin nacionalistë.

  • A ke   dëgjuar    për   ndonjë  betejë   tjetër   ku    të  kenë  rënë  komandanti   dhe

tridhjetepesë trima të tij? – më thoshte me krenari.

Ai fliste dhe unë e dëgjoja me vëmendje. Më  tregonte edhe për fillimin e vëllavrasjes, për luftën e Dukatit, ku forcat nacionaliste u sulmuan pabesisht nga partizanët:

– Ishte fundi i nëntorit të vitit 1943. Kishte kaluar mesnata kur u zgjuam nga krisma e armëve. U dha kushtrimi. Ishim sulmuar pabesisht nga dy batalione partizane, ai “ Asim Zeneli “ dhe “ Halim Xhelo “. Burrat e fshatit, nën komandën e Maliq Koshenës, rrëmbyen armët dhe filluan të mbrohen. U zhvillua një betejë e përgjakshme. U vranë njëzetetre djem, katërmbëdhjetë nga partizanët dhe nëntë nga ballistët.

Ka mbetur si legjendë debati i zhvilluar ndërmjet partizanit  Myrto  Sadiku  nga  Tërbaçi   dhe ballistit Murat Bodo nga Dukati. I pari foli Myrtua:

“Hidhe armën, fashist i ndyrë!”

Ndërsa Murati i përgjigjet me bejte:

S’jam fashist, por i Dukat,

            As ti rus, por i Tërbaç,

            Por na qenka taksirat

Që na vjen dhe vret në prag!

U qëlluan të dy zjarr për zjarr. Në këtë betëjë u vranë 23 veta, 8 nga Ballistat dhe 15 nga partizanët. Dukati i qau të rënët pa dallim. Ai i varrosi të dy palët  sipas zakonit shqiptar. Nënat dukatase i qanë njëlloj bijtë e Shqipërisë:

Korba, na u vranë djemtë,

            Ca këtu e ca në çetë.

            Ca këtu, ca në parti,

            Vaj medet, o Shqipëri!

Komandantin tonë, Maliq Koshenën, e pushkatuan komunistët  vitin e kaluar. Halua heshti. Kujtimi i asaj ngjarje e tronditi tepër.Për herë të parë dëgjova një histori ndryshe nga ajo që kisha mësuar në shkollë. Këtë e dëgjova nga goja e një luftëtari të thjeshtë nacionalist, një njeriu të pa shkollë, por me një zemër të madhe Tregimi i thjeshtë i Halos, pa shtirje dhe me sinqeritet të dukshëm, filloi të ndryshojë mendimin tim për atë periudhë   të historisë dhe ata personazhe që u bënë heronjtë e saj.

Pas gjashtë muajsh e gjysmë erdhi Gjykata Ushtarake e Durrësit.  Gjyqi ishte në të vërtetë një farsë. Ishim nëntë veta që u gjykuam. Ne të tre, Halua, Imeri dhe katër të tjerë, Bejo Vrazhdua nga Bolena, Hajro Belishova nga Mallakastra, Pullumb Llupa nga Vlora dhe Pepo Koheni, një vlonjat me origjinë hebreu.

Kryetar gjyqi ishte kapiteni i parë Shuaip Shaze dhe antarë nëntoger Namik Laze dhe një qytetare e Vlorës, Adile Selimi. Prokuror ishte Gaqo Bezha, ndërsa sekretare  Raife Ismaili. Gjykimi u zhvillua në dy seanca që zgjatën jo më tepër  se pesë orë. Ditën e parë u zhvillua seanca e pyetjeve. Të nesërmen në fillim u dha pretenca e prokurorit. Në këtë  pretencë, midis të tjerave thuhet:“Të tre të pandehurit bashkarisht,  në gjimnazin “Ali Demi”, kanë marrë pjesë në një grup armiqësor, të ashtuquajtur “Atdhetari”, i krijuar dhe i pagëzuar me inisiativën e Reshat Kripës kundër pushtetit popullor. Kanë zhvilluar mbledhje të rregullta, deri në shtatë herë rresht, në dyqanin e Jorgo Beshos e gjetkë, mbledhje këto që kryesoheshin nga Reshat Kripa.

Në fund të mbledhjeve merrnin vendime për të shtuar rradhët e grupit. Ata, me propozim të Reshat Kripës, kanë hedhur trakte. Konceptet e tyre i jepte Myrteza Baboçi. Në shkruarjen e tyre kanë marrë pjesë Reshat Kripa dhe Jorgo Besho, ndërsa në shpërndarjen që të tre së bashku.”

Pastaj u bë mbrojtja e avokatëve. Unë dhe Jorgua kishim avokat Pavllo Sopiqotin, ndërsa Myrtezai Petro Kisin.. Ata u munduan ta paraqisnin çështjen si një fantazi fëmijësh.. Pastaj e mori fjalën kryetari që kërkoi fjalën tonë të fundit.

– Nuk kam asgjë për të thënë, – u përgjigja unë

Të njëjtën përgjigje thanë  edhe  shokët  e  mi. Ai priste që ne të kërkonim mëshirë. Pastaj me vendimin numër 111 datë 11.12.1951 na dënuan. Në vendimin e gjyqit thuhet:”Si element i shtresës së prekur nga reformat e pushtetit popullor, i pandehuri Reshat Kripa, ndonse në moshë të re, bëhet i vendosur në rrugën antipushtet dhe qysh në muajin mars të vitit 1951 bisedon me rradhë edhe me dy të pandehurit e tjerë, Jorgo Beshon dhe Myrteza Baboçin. U shfaq atyre propaganda shpifarake të radiove reaksionare si të Londrës e të tjera, u paraqet ndërrimin e situatës në vendin tonë dhe së fundi u propozon që të formojnë një grup me emrin “Atdhetari” Të tre të pandehurit janë konseguent në pjesmarrjen e tyre në grup kundërshtar të organizuar dhe në përpilimin dhe shpërndarjene fletushkave me përmbajtje antipushtet.”

Sipas tij mua dhe Myrtezanë na dënuan me nga pesë , ndërsa Jorgon me tre vjet burg.Avokatët bënë rekursin në Gjykatën e Lartë Ushtarake. Kjo gjykatë me Kryetar kapitenin e parë  Vangjel Kocani dhe antarë kapitenët e parë Mustafa Qilimi dhe Mustafa Beqo, si dhe  prokurori ushtarak, kapiten Gazmend Jusufaj dhe kryesekretari, kapiten Murat Qazimi, më datën 17.01.1952 morën vendimin numër 35, ku ndër të tjera thuhet:Rrezikshmëria e veprimtarisë së tyre është e theksuar., prandaj vendimi i gjykatës është i drejtë, si për deklarimin fajtor dhe për masën e dënimit aplikuar veçmas për secilin.Vendimi ligjëronte atë të Gjykatës Ushtarake të Durrësit.

*Fragment nga romani: “Rini e Copetuar”*1 Reshat

Filed Under: Histori Tagged With: Ne birucat e Sigurimit, reshat kripa

QAZIM KOKOSHI, FIRMËTAR I DEKLARATËS SË PAVARËSISË KOMBËTARE…

July 28, 2017 by dgreca

….. NË NJË STUDIM TË ENVER MEMISHAJ/

Për aktivitetin e tij  në shërbim të atdheut Qazim Kokoshi u dënua tre herë me vdekje, nga Otomanët në vitin 1908, nga italianët në vitin 1920 dhe nga Ahmet Zogu në vitin 1932./

1 Qazim Kokoshi

Nga Msc. Albert Habazaj-Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë./Instituti i Sudimeve Historike “Lumo Skëndo”, ka botuar veprën Qazim Kokoshi “Një histori e shkurtër e ngjarjeve shqiptare”, kujtime, përgatitur për botim nga studjuesi njohur Enver Memishaj.Në pjesën e parë të librit botohet nje studim i gjatë i z. Memishaj “Mbi jeten dhe veprat atdhetare te Qazim Kokoshit”, në pjesën e dytë autori ka botuar dokumente që përfshijnë periudhën 1908 – 1924, në pjesën e tretë janë botuar kujtimet e Qazim Kokoshit të cilat ai i rishkrojë pas djegies së shtëpisë dhe kujtimeve nga italianët në Vlorë dhe gjermanët në Beograd. Në pjesën e katërt janë botuar faksimile të dokementeve dhe fotografive që plotësojnë madhështine e figurës së Qazim Kokoshit. Në fund është botuar gjenealogjia e familjes atdhetare Kokoshi të Vlorës.

*     *     *

Qazim Kokoshi lindi në Vlorë në vitin 1882 dhe vdiq në burgun e Vlorës më 9 tetor 1947. Ai ishte udhëheqës i kryengritjeve antiosmane, firmëtar i deklaratës së Pavarësisë, një nga burrat e shquar të Vlorës që më 1914, mbajtën me bukë e shpëtuan nga vdekja mijëra muhaxhirë të Kurveleshit të përzënë nga vatrat e tyre nga bandat kriminele greke, ideator organizator dhe udhëheqës i Luftës së Vlorës më 1920, që rishpalli Pavarësinë e përmbysur nga Lufta e Parë Botërore.Në vitin 1919 ai mirëpritë në shtëpinë e tij ambsadorin amerikan Haven, të dërguarin e Presidentit Uillson për çështjen shqipatre dhe nëprmjet tij ndikoi të Presidenti Ullson për të mbrojtur çështjen shqiptare në konferencën e Paqes në Paris. Nëvitin 1921 u zgjodh deputet i Vlorës,  prefekt dhe kryetar Bashkie i Vlorës, udhëheqës i Revolucionit të Qershorit në vitin 1924. Në vitet ’30 ai dallohet për përpjekjet për një sitetem demokratik në Shqipërinë dhe në vitet e Luftës së Dytë Botërore është antifashist dhe luftëtar i orës së parë.Qazim Kokoshi kishte dhuntinë që shkruante. Ai themeloi dhe botoi në Vlorë dy gazeta: në vitin 1914 gazetën “Populli” dhe në vitin 1920 gazetën “Mbrojtja Kombëtare”, gjithashtu ai mbante shënime dhe ditar për ngjarjet historike shqiptare. Për aktivitetin e tij  në shërbim të atdheut u dënua tre herë me vdekje, nga Otomanët në vitin 1908, nga italianët në vitin 1920 dhe nga Ahmet Zogu në vitin 1932.

*       *       *

Aktivitetin dhe shërbimet e shquara që Qazim Kokoshi i ka sjellë vendit të tij na i ka paraqitur me dashuri dhe me sukses të plotë z. Enver Memishaj në këtë libër. Në historinë e kulturës dhe luftës së vlonjatve për liri e pavarësi ka mjaft emra të shquar, të cilët i bëjnë nder dhe i japin vlera të veçanta traditave tona historike. Në këtë plejadë të patriotve të shquar të Vlorës bën pjesë edhe firmëtari i Deklaratës së Pavarësisë Kombëtare Qazim Kokoshi, i cili na vjen sot madhështor i ringjallur dhe i rivlerësuar në monografinë e përgatitur nga Enver Memishaj.Duke lexuar këtë libër të bie në sy moria e dokumenteve, burimeve arkivore, dëshmive e kujtimeve, të cilat kanë një qëllim: zbardhjen e të vërtetës historike dhe portretizimin e kësaj figurë aq të dashur për shqiptarët dhe veçanërisht për vlonjatët.Qazim Kokoshi njihet dhe vlerësohet në Vlorë dhe në historinë e Shqipërusë sepse është nga ata burra të çmuar që për shumë kohë dhe veçanërisht në kohë shumë të vështira kur nuk kishte Shqipëri u bënë përfaqësues të Vlorës dhe të Labërisë në luftë për pavarësi, liri dhe ekzistencë.Autori i librit e vlerëson Qazim Kokoshi veçanërisht për udhëheqien e Luftës epope të njëzetës në krah të atdhetarëve të tjerë si Osman Haxhiu, Ahmet Lepenica, Qazim Koculi, Murat Tërbaçi, Halim Xhelo, Spiro Jorgo Koleka, Hamza Isai, Tol Arapi, Duro Shaska, Sali Bedini i Armenit, Myqerem Hamzaraj, Ymer Radhima, Jani Minga, Ali Asllani e të tjerë që u bënë dufi, zjarri i qëndresës dhe emblema  e luftës për liri kundër pushtuesve.Në këtë libër autori z. Enver Memishaj ka përfshirë ngjarje të ndryshme që nga lufta kundër pushtuesit otoman deri në vitin 1947, ku figura e Qazim Kokoshit është në marrëdhenie me elitën vlonjate dhe atdhetarë të tjerë në të gjith territorin e Shqipërisë Etnike. Autori në studimin e tij ka ditur të zbulojë dhe evidentojë cilësitë e larta të Qazim Kokoshit, që në krye të adminstratës shtetërore ka ditur të drejtojë me aftësi, kompetencë dhe dashuri për qytetarët shqiptarë për t’i dhënë administratës shtetërore fytyrë europiane. Nga ana tjetër autori ka ditur të dallojë përpjekjet e pareshtura të Qazim Kokoshit për demokratizimin e jetës së vendit.Në një artikull të vetëm unë s’mund t’i shpreh dot të gjitha, sepse i ka shprehur z. Enver Memishaj në studimin e tij dhe në dokumentat e botuar në këtë libër, por unë dua të nënvizoj edhe një fakt tjetër: Figura si ajo e Qazim Kokoshit në kohën e sotme të trazuar të jetës shqitare, janë një model, edhe pse padrejtësisht janë anatemuar nga sistemi totalitar. Por e dhimbshme, tronditse është edhe fakti që aq mirë na e ka paraqitur dhe përshkruar z. Enver Memishaj, pereskutimin që kjo familje e nderuar e Vlorës, pësoi nga fashistët, nga nazistët dhe nga komunistët. Të afërm të Qazim Kokoshit u pushkatuan nga fashistet dhe nga komunistët, të tjerë si Kudret Kokoshi, Burim Kokoshi, Ëngjëll Kokoshi që ne vlonjatët i kemi njohur dhe vlerësuar kanë qenë njerës të urtë e të ditur, që rrezatonin kulturën e tyre, e megjith atë ata u burgosën dhe persekutuan padrejtësisht.

Kujtimet e Qazim Kokoshit, studimi jetës dhe veprës atdhetare të tij nga z. Enver Memishaj, si dhe dokumentet e shumtë të botuar në të veç vlerave për ndriçimin e të vërtetës historike le të jenë edhe një model për të shtyrë studjues të tjerë vlonjatë për të zbuluar thesaret dhe vlerat historike të Vlorës sonë të dashur.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Albert Habazaj, QAZIM KOKOSHI, sipas Enver Memishaj

AI ISHTE AT PJETER MESHKALLA !

July 27, 2017 by dgreca

AtPjeterMeshkalla-11

 (Grafikë nga FR)/

AT PJETER MESHKALLA S.J.(25 SHTATOR 1901 – 28 KORRIK 1988)/

       “Na nën dhé  e ju mbi dhé,  por na jemi ma të fortë se ju!” At P.Meshkalla S.J./

NGA FRITZ RADOVANI/

E njohta… Ai ishte!…

E pashë atë ditë tue predikue, me 29 prill 1967, ora 17.00.

Ai foli e na ndigjuem se shka do me thanë me kenë në Fé të Krishtit!

Ai ishte që tha: “Unë jam Katolik!”… E kapën, e lidhën… Ai ishte që shputë i ranë Fëtyrën me ia marrë…Në vargoj e lidhën pse në Kryqin besoi. Ai ishte…e pashë në mes tyne, në karvan të pafund… i lidhun përdore me Don Ndré Zadêjën, At Gjon Shllakun, At Giovani Faustin, At Daniel Dajanin, Don Alfons Trackin, Don Dedë Malaj, Imzot Gjinin e Bonattin, Etnit Mati Prennushi, Çiprian Nika, Bernardin Llupi, e të sa e sa Martirëve të rreshtit pafund… Përbindshit ma hovin s’ia pret asgja, veç vret, veç pret panumrim.

Edhe ndër muret e akullta të kështjellës së “lavdishme” të komunizmit të Burgut të Burrelit, do të shkruhej se, Ai ishte këtu!… Me ata hekura të ngjyeme në gjak do të shkruhej Epopeja e Atyne Martirëve të pafajshëm, që bashkë me Ata Atdhetarë, pranguen edhe të Madhin At Pjetër Meshkalla S.J., vetëm pse Ai ishte Meshtar i vendosun për Fé,  Atdhé e Përparim. Prej melodisë së lehtë të zanit të Tij, ruhen prap këta tinguj:

“Vëllazën me të gjithë, pa dallim Feje!”. Bashkë me né  kjo muzikë do të zbuste qinda e mija zemra djelmësh të rijë, që gjakun kishte fillue me ua turbullue dëshprimi. Asht Ati i Madh, Ati i të gjithëve, Muslimanë e të Krishtenë, me Fé e pa Fé, që hapte krahët e u thonte: “Ejani, ejani, djelmët e mij, durim, durim, të lutemi për ta dhe t’i falim!…”, e së bashku me të gjithë vazhdonte vuejtjen, dhunën, mjerimin e pakufi, gjithmonë si Feja e pat mësue, tue pritë delen e humbun… E kur tirani, me sy të ngërthyem si mordja, na dukej në atë skëterrë që me plot lakmi shihte Rininë Shqiptare, kah gjak në vetull vëllau vëllaut po i merrte, si t’ ishte i huej që Atdheun po i shklet; i Madhi Mëshkalla, veç brofte në kambë e zani si prej vorrit naltohej deri në qiell: “Na nën dhé e ju mbi dhé, por na jemi ma të fortë se ju!”.

Ushtria mbas Tij veç shkonte, ndër shtigje të tjera që frymën ta merrnin, por Trimi ka orën çuet!… Ai printe përpara! Kur bishat vërriten me djegë Ungjillin – vetëm një za u ndigjue: “Inkuizicion!…”, e Ati u tha: “Digjeni, digjeni, po deshët, se as ju nuk keni me ia dalë, ashtu si paraardhësit tuej, që tash 2000 vjet veç djegin Ungjijtë e Fenë e Krishtit nuk kanë muejtë me e zhdukë!”.

Mizorët tërbohen ma zi kur Burri dy pëllambë i shkurtë, u thotë: “Unë në Zotin besoj, e do të fitoj, ju më dënoni sa të doni, se unë prap se prap do të dal; ju shoshojnë keni me hangër e aty asht fundi juej! Feja e Krishtit nuk mbaron kurrë!”.

Profet! Vërtetë, Ai nuk trembët prej territ, se e di se Zotin do të shohë njëditë… prap në hekura, prap në pranga, i lidhun mbas turmës: Ai ecën, nuk ndalet, nuk trembet, nuk përkulet,… mes turmës ecën, e në Veronikën nuk hasë, nuk ka kush Fëtyren t’ia fshijë….E prapseprap çdo çast Ajo Fëtyrë më dukej ma e pastër…ma e dlirtë se kurr! E,megjithatë, nuk mungoi edhe një grue… që dhimbjen e nanës harroi e zani i saj humbi në një gropë, si grueja që në dhé hyn pa Prift. Të gjithë si ishim mbërthyem dhambët e kapërdimë ato pak fjalë, që shumë vjetë i ruejtem të ndryme në zemër: “AI ISHTE  HERO !”.Vetëm një Burrë, përkarrshi i thinjun, Gurakuqi Trimi, që edhe sot e shoh të zemruem me nofulla të shtërngueme, diçka përshpriti nën mustak e buzën zuni njak kah pa që zvarrë deshtën me e marrë e gjunjët me gjak me ia bâ, por Ai, si Lajmëtari drejt Qiejve, flutroi e në prehën të Zotit pushoi!…Ushtuen malët e u dridh toka. Kushtrim ndër Bjeshkët e Nêmuna lëshoi si shkrepë vetima: “O BURRA,….BRE,.. FITOVA !…”     

Në xhips e futën për terr…. Golgotë përsëri….

Ai ishte që u tha: “Ju Kishat rrënojini, por toka nuk lot, ju prishni Kisha e Xhamija, turp! Në truell të Kastriotit çdo gja po shkatrroni, turp, për ju! Ai Krishtënimin Europës ia mbrojti!” Por Europa… s’kujtohet. S’kujtohet, se e di… se mbrohet:

ASHT PJETRI, Meshtari, Juzuiti i Madh, Stërnipi i Gjergjit, që Fenë mbron…Ajo nuk shqimet në SHQIPNI! Në Shqipni asht Pjetri që Krishtin nuk mohon, jo, kurrë, se asht Meshkalla i Madh që e mbron e vedin flijon, për Krishtin veç vdes e… s’e lëshon!

Kumbonaret heshtin… Dyert e mëdha mbyllën. Dritaret me gurë i gjuejnë. Ushtojnë kristalet që thehen, shalldanët që rrëzohen. Metalurgët shkrijnë kumbonë, se tingujt e tyne dëspotëve veshtë ua shurdhojnë e s’mund t’i dëgjojnë kah grizhën ftojnë. Mbas Atit  shkojnë ata. Ai ishte, që Kalvarin vazhdon… pa u ndalë…

Ai ishte i urtë, i përvujtë, i palodhun, i dashtun, i pakursyem, i patrembun, gjithmonë buzagaz…At Pjetri i zdathun, i çveshun, i etëshëm mes vëllazënve të uritun, veç lutej: “Fali, o Zot, se s’dinë se shka bajnë!”…

Djelmëve buzën e thame me ujë ua lagë…pikë-pikë… buzën e zhuritun ua zbutë… “Bariu i Mirë”, At Pjetri; uratën me ta e thotë e, kur nën Kryq  Ai rrëzohët, Ata me vrap e çojnë, e marrin, e Kryqin ia mbajnë… e ndihmojnë, se Ai ishte që u prinë…Ai ecte me ta n’errësinë, nuk ndahet, nuk ndalet, janë Bijt’ e Tij. Ai ishte Ati…që thërriste: “Ecni, ecni, Bijtë e mij, se Drita s’asht larg”. Ai vetë u prinë për mos me ra në greminë… Ajo nuk asht aq larg sa kujtojmë, forca, durim, ecni e të mos ndalojmë… Përpara!…Ecni….Përpara!

Larg shihet një Dritë!…

E Brezat e ardhëshëm një ditë…

Simbolit të Atdhëtarisë, Fesë, Burrnisë, Trimnisë e Fisnikisë Shqiptare…

…Nderës e Besës ndaj Atdheut e Flamurit që s’vdes…

Tèk I.N.R.I. me shkronjat e Fishtës daltojnë: “AT  PJETËR  MËSHKALLA  S.J.”

Melbourne Korrik 2017.

Filed Under: Histori Tagged With: At Pjeter Meshkalla, Fritz radovani

Astrit Lulushi sjell kalendarin historik

July 26, 2017 by dgreca

Shkruan: Aleko Likaj, shkrimtar – Francë/
1 astrit
Kalendar Historik:”Çfarë ka ndodhur më…?”, i publicistit dhe gazetarit të njohur të ”Zëri i Amerikës”, Astrit Lulushi, që ka dalë këto ditë nga shtypi në Tiranë, përbën pa dyshim një ngjarje të veçantë në serinë e botimeve të letërsisë sonë dokumentare. Në fakt ky zhanër, për hir të realitetit, në këto vitet e fundit ka qenë me pikatore, duke përjashtuar këtu biografitë e personaliteteve të politikës, nga autorë të huaj, por edhe ato të kulturês sonë kombëtare nga të pakët studjues të dy a tre fushave.
Voluminoz dhe i konceptuar si një kalendar klasik: Çfarë ka ndodhur më…?”, jo vetëm datash, që shumica e tyre zënë fill me lindjen e krishtit, por edhe tre a katër shekuj më parë, autori ka tentuar të na sjellë ngjarje dhe evenimente të karakterit historik, shoqëror e social. Pa dyshim, hapsira shqiptare ka marrë vëmëndjen e autorit, duke gjetur vend në të gjithë dimensioni e saj, mbase edhe qendrorë, larg shtampave e politizimeve dhe qëndrimeve pasionante, që vërehen jo rrallë në interpretim që i bëhet asaj për lexuesin, sot në median shqiptare. Pasqyrohen e jepen qartësisht raportet e mardhëniet shume planëshe brenda vetes sonë, por edhe me fqinjët e kombet e tjera qe nga pushtimi romak, madje duke përfshirë edhe festat pagane si Dita e Verës q¨¨e ështê e na vjen përtej erës sê re me lindjen e krishtit.. I ndarë në dymbëdhjetë kapituj, libri i Lulushit vjen si një kujtesë për të gjithë brezat, e kryesisht tek të rrinjtë, si një rezultat i hulumtiveve e një pune të madhe të gjatë sistematik në vjeljen dhe grumbullimin e materialeve, ku në një kornize të vetme është përfshire brenda saj gazetari, studjuesi, enciklopedisti, shqipëruesi e historiani. Ky i fundit na prezantohet, e është tepër gjakftohtë, ne mbledhjen e në rradhitjen e fakteve, që na përçohen nga një gjuhë lakonike e pashembullt dhe e admirueshme.
Ajo që bie menjêherë në sy, në punën e madhe që ka bërë autori, dhe që në fakt zë një hapsirë kohe, është përzgjedhja, përkthimi nga gjuha angleze, e shqipërimi i krijimtarisë së gati mbi dyzetë poetëve të huaj. Shumica e tyre krejt të panjohur për lexuesin shqiptar, kryesisht nga kontinenti amerikan, anglo-sakson, nordik, australian e aziatik, të cilët vetë autori i sjell mrekullisht në gjuhën tonë amtare, duke u përkujtuar ardhjen e ikjen nga kjo jete, si Luis de Camoes, Samuel Butler, Robert Frost, John Keats, Robert Hamerling, Thomas Paine e deri tek romaku Marcus Valerius Martialis e tjer.
Kalendari historik i Astrit Lulushit vjen si një vepër e plotësuar, dhe për herë të parë në botimet e kësaj fushe, në një mënyrê tepër të kujdeshme e profesionale, gjë që i ka dhënë shumë vlerä librit, jo vetëm për informacionin e gjallë që përfaqëson përgjithësisht kultura e gjërë botërore, por edhe nga mënyra se si rezatojnë vetë ato tek lexuesi ynë. Me këtë rast do të thosha se, ky botim serioz, reflekton e është në kontrast të plotë në morinë e botimeve shqip që gëluan e vërshuan në libraritë tona nga autorë me formime të dyshimta dhe krejt pa përvojë, në periudhën e parë të tranzicionit, që na janë servirur në formën e ”tallavasë”, ku vlerat ishin dhe mbetën të diskutueshme edhe për sot.
Libri në fjalë i publicistit të njohur Lulushi, si një vlerë e shtuar, mund që të shërbejë në mënyrë të sukseshme për fomimin e pajisen me dije, kryesisht për brezat e rrinj që janë në vitet e fundit të gjimnazit, por edhe për studentët e historisë dhe shkencave të tjera, në fakultete e universitetet e shumta në atë vend.
Astriti është autor i disa botimeve të tjera të veçanta, si ”Ndjenjë realiteti”, ”Pak ndryshe”, ”63 soneta të Shekspirit”, ”Kujtesë lirie”, ”Zhgënjime sporadike”…. të cilat janë pritur mirë kur kanë shkuar tek lexuesi në këto vitet e fundit. Në përgjithsi Lulushi reflekton në krijimtarinê e tij njeriun e pafjale, puntorë e të perkushtuar, që kërkon ti shërbejë me pasion e përkushtim shoqerisë dhe edukimit të brezave tonë.
Studjuesi dhe shkrimtari i njohur Dashnor Kokonozi vëren për këtë autor, se është: ”Vëzhgues aktiv i debateve kulturorë e politikë në Shqipëri, Astrit Lulushi nuk mungon të sjellë një mendim ndryshe, një përvojë të re, një përfundim, që e nxjerr duke qëndruar përmbi konfliktin politik shqiptar, larg radikalizmit, por asnjëherë duke synuar që të jetë i pëlqyeshëm për të gjitha palët. Se mund të ndodhë që secili të ketë arsyet e tij, por është e pamundur që të ketë një të vërtetë për secilin. Në vështrimin e tij paanshmëria nuk do të thotë pandjeshmëri. Nuk mund të krijosh një pamje të plotë të trajektores që përshkruan një komb pa tërësinë e elementëve që përbëjnë historinë e tij. Për këtë arsye ngjarjen historike ai nuk e veçon as nga lëvizjet e mëdha të shpirtit të kombit, nga lëvizjet fetare, nga interpretimi i së Drejtës, nga vrojtimet e natyrës antropologjike.”
Kjo vepër ka dhe mbart vlera kombëtare.

Filed Under: Histori Tagged With: Aleko Likaj, Astrit Lulushi, Kalendar Historik

Shtatë vjet nga vendimi i GJND për Deklaratën e Pavrësisë së Kosovës

July 23, 2017 by dgreca

-Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetjetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje/GJND

PRISHTINË, 22 Korrik 2017-B.Jashari/ Para shtatë vitesh, në 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës së Pavrësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008 “nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese”.

“Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk e ka shkelur asnjë rregull të aplikueshëm të së drejtës ndërkombëtare”, theksohej më tej.

Atëherë ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, e cilësonte vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si “të qartë” dhe që “nuk lë vend për dyshime”, se pavarësia e Kosovës është bërë në përputhje me të drejtën ndrëkombëtare. “Gjykata konstatoi, me shumicë dërmuese, se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Mendimi i Gjykatës është eksplicit dhe i qartë, dhe nuk lë vend për dyshim”, thuhej në deklaratën e ministrit Hyseni, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur në favor të Kosovës në të gjitha pikat”, vazhdonte më tej deklarata. “Tani presim njohje të mëtejme të Kosovës. U bëjmë thirrje shteteve që e kanë shtyrë njohjen e Republikës së Kosovës në pritje të Mendimit të Gjykatës, që tani të vendosin për njohjen (e Kosovës)”, thuhej në deklaratën e ministrit të Jashtëm të Kosovës.

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetjetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar më 28 shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së, kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.

Media në Kosovës sot përkujton se, “Deklarata e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë u dha pas një ankese që Serbia kishte dërguar në këtë organ të drejtësisë, kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës”.

Filed Under: Histori Tagged With: 7 vjet, Behlul Jashari, deklarata e pavaresise, GJND

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 344
  • 345
  • 346
  • 347
  • 348
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT