• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ME GJENIUN E FAMSHËM ALEKSANDËR MOISIUN

July 20, 2018 by dgreca

COMOEDIA (1927) / INTERVISTA E VEÇANTË ME GJENIUN E FAMSHËM ALEKSANDËR MOISIUN/

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 20 Korrik 2018/

1 Moisiu

Gazeta kulturore franceze, “Comoedia”, ka botuar, të martën e 12 prillit 1927, në ballinë, intervistën e E. Garry-t me aktorin e famshëm me origjinë shqiptare, Z. Aleksandër Moisiun, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë në vijim për publikun shqiptar :

Shëtitje dhe vizita me aktorin tragjik gjerman Aleksandër Moisiun, i lindur në Trieste.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France/

1 Moisiu intervista

Nga Dante te Dostojevski/Aleksandër Moisiu supozon se opinionet, mendimet dhe jeta e tij nuk interesojnë askënd, qoftë në Francë apo diku tjetër. Dhe meqë është disi kokëfortë, është e vështirë t’i sjellësh në intervistë. Ne as që i sjellim fare.

Por meqë i pëlqen të flasë, i tejmbushur me këtë personalitet të zjarrtë që buron prej tij, duhet të dish të fshehësh poshtë tryezës bllokun e shënimëve, dhe ndërsa drekonim së bashku, shënoj tingës atë ç’ka mund të harroj, sepse fjalët që thotë zëri çuditërisht tërheqës, janë zbulimi i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë i një mendje të jashtëzakonshme.

Po, ai ka lindur në Trieste, në qytetin e bardhë të Adriatikut që fle në këmbët, e Karstit, nën banjon e diellit, dhe ai dinte vetëm italishten. Si u njoh me teatrin ? Nuk di asgjë dhe e thotë :

– A e pyetni erën e jugut përse po fryn ? Forcë e natyrës… fati i njerëzve që rregullohet nga këto forca që janë në ta. Nuk e di se çfarë kërkoja. Lëvizja si endacak. Arrita në Vjenë, isha figurant, mësova me vështirësi të flisja gjermanisht… dhe ju e dini si flitet gjermanisht në Vjenë ! Pastaj më zuri ankthi. Shkova në Pragë. Zbuluan se isha i “shkathët”. U nisa përsëri por këtë herë në Berlin. Pastaj fati më çoi te Reinhardt-i.

Ndërkohë që Moisiu u ndalua për një çast, më kujtohet se çfarë me tha një mik i Reinhardt-it, dëshmitar i këtij takimi të parë, Reinhardt-i duke thënë :

“Ky është aktori !”

Dhe pastaj ziliqar thanë : “Aktori ? Ai do të ketë para…por kurrë talentin.”

Dhe ata kishin të drejtë… Moisiu nuk është i talentuar… por gjeni dhe, siç do të thoshte Pascal, kjo është e një lloji tjetër.

E pyes :

– Cili është roli juaj i preferuar ?

– Kjo varet nga ditët. Qenia është luhatëse. Më pëlqen ajo që reflekton gjendjen time shpirtërore. Sot unë jam melankolik, të nesërmen ironizoj, dhe rolet pasojnë njëri-tjetrin, të ndryshme si diversiteti i pafund i ndjenjave tona.

I kujtoj se kohët e fundit, në një qytet polak, ai po lexonte Danten, para një publiku ku pothuajse askush nuk e dinte italishten dhe një pjesmarrës më pati thënë : “Nuk kishim nevojë të dinim. E kuptonim.”

Ishte mrekullia e gdhendjes të folurit nga Moisiu. E pyes :

– Si keni arritur në këtë përsosmëri të lartë të të folurit që sjell secilën fjalë tuajën, madje dhe të pëshpëritur… Teknikë e pakrahasueshme ?

– Nuk ka të bëjë fare me teknikën. Fjala transmetohet nëpërmjet intensitetit me të cilin mendohet, nga tërësia e përqendrimit në kuptimin që përmban.

– I foluri italian është më i bukuri ?

– Ne nuk duhet të kërkojmë vetëm bukurinë, por çfarë përfaqësojnë në kohën e tashme format e ndryshme të mendimit. Unë besoj se koha e tanishme, pa qenë në dijeni të saj, mbizotërohet nga literatura ruse. E shikoni pra. Dante, flet për këtë, por kush e njeh vërtetë ? Kush reagon prej tij ? Përkundrazi, Dostojevski është si një prani okulte dhe gjigande që vë në lëvizje evolucionin. Oh, nuk dua të bëj dallime. Por Rusia është e pamatshme. Kur e lë Breslau-n për Leipzig-un dhe prej aty për në Këln, flitet gjermanisht në këto tre qytete, menjëherë pas Këlnit, ndalet dhe flitet frëngjisht. Tani, kur e kalova kufirin rus, shkova në Moskë, kalova Uralet, shkoj, ditë, javë dhe gjithmonë dëgjoj të flitet rusisht, nga të gjitha udhëkryqet e Azisë, deri në Vladivostok, edhe peshqit në Vladivostok do të flisnin rusisht nëse nuk do të ishin memecë ! Kjo krijon hapësirë, shumë hapësirë. Në Evropë njerëzit janë të shtrënguar, sup më sup, secili kufizohet fort prej tjetrit. Në Rusi, ata janë të shpërndarë në territore të pafundme. Europa është një sonet i Petrarkës. Rusia është njeriu përballë universales, që diskriminon jetën dhe motivet e saj me kohën e lirë të meditimit,përpara spektaklit subjektiv të pafundësisë, duke analizuar, menduar, krijuar fanatizmin më të egër të së vërtetës që egziston, sepse ai është i pakufizuar. Oh ! Si puro latin që jeni, e di se keni antipati për Dostojevskin.Ju nuk pranoni se, pa « faktin rus », nuk do të kishit as Vildrac, as Duhamel, as Lenormand, dhe se Rusia sjell në botën tuaj shumë të vjetër, një fekondim të nevojshëm intelektual.

Moisiu, tani i ka sytë e shndritur ; të njëjtët që ka, kur luan, për mrekulli, “Kufomën e gjallë – Le Cadavre vivant.”

Kjo qenie është një qenie e mbushur me entuziazëm, dhe nëse ai kupton deri në fund të vetvetes, dhe Danten dhe Dostojevskin, a mos vallë duhet të shohim në të origjinën sllavo-italiane, e cila shtrihet në të gjithë bregdetin e Adriatikut ?

Minutat kalojnë. Moisiu më tregon tani konceptimin e tij të Mefisto-s së Goethe-s, të cilin, dje, ai e luajti këtu, në Faust-in, një Mefisto të shkathët, delikat e të shndritshëm. “Mohuesi materialist përballë Perëndisë dhe krijimit ; ai që thotë për dashurinë se është një sistem riprodhimi… dhe që vetëm glorifikon imagjinatën e kotë të njerëzve. Flitet ende për Otellon, « maurin mistik », simbol i mospërputhjeve të pashmangshme të racave, ai që vret si një sakrificë liturgjike, – i Jedermann-it – po, atje, në Salzburg, – në kornizën unike të bukurisë.” Dhe së fundi, mbizotërimi aktual i “kontrollit” në skenën moderne.

Aspak një rregull si ai i Reinhardt, unik në elasticitetin e tij të mrekullueshëm, në inteligjencën e tij superiore. Por tjetri, shtirja e menaxherit, që Moisiu e quan “mbretërimi i mediokritetit të organizuar, mashtrimi më i madh i teatrit modern.”

Një anekdotë më kujtohet, ndodhur në Vjenë, kohët e fundit. Moisiu luante “Clavigon”. Në çdo fund akti, publiku e kishte për zakon të çlodhej me një simfoni të shumëllojshme kollitjesh. Kjo irritonte nervat shumë të ndjeshme të Moisiut. Një ditë ai nuk duroi dot më. U kthye në tryezën ku sapo kishte shkruar. Përkulur mbi fletën e bardhë, ai ngre një gisht. Ishte magjike. Fluiditeti ndërtoi perandorinë e tij. Thjeshtë, gishti i ngritur i aktorit të zhytur në mendime…dhe askush nuk kollitej më. Heshtja mbizotëronte. Kjo fuqi magnetike e sugjerimit brenda tij, a e analizon Moisiu ? Nuk duket se bën një gjë të tillë në mendimet e tij.

E pyes :

– Cili është arti i aktorit ?

Mendohet, pastaj thotë :

– Është shuma e asaj që ai ka menduar, gërmuar, asimiluar në një kërkim që është e gjithë jeta e tij, qenia e tij totale.

Sonte, pas pak mbarimit të duartrokitjeve të pjesës “Drita shkëlqen në errësirë – La lumière luit dans les ténèbres”, lë Wiesbaden-in për të shkuar në Frankfurt. Me aeroplan, do të jetë për disa orë në Vjenë. Ai më flet për Parisin :– Isha në Paris kohët e fundit. Parizianët, çfarë publiku i admirueshëm ! Dhe një nga mbrëmjet që më interesoi më shumë ishte në Atelier, të shihja Dullin, në “Komedinë e lumturisë – La Comédie du Bonheur.”

– Ju do të shkoni në Amerikë ?

– Po, së shpejti. Ka shumë gjëra për të parë atje.

Garry.

Filed Under: Histori Tagged With: Aleksander Moisiu, Aurenc Bebja, Interviste, Komodia

KUJTOJMË SHQIPTARO-AMERIKANIN E MADH PETER GENC ÇIKOS

July 15, 2018 by dgreca

NË KUADËR TË 550-VJETORIT TË GJERGJ KASTRIOTIT – SHKENDERBE/

2 Chikos Peter5 ne Rome6 Chikos grup romeAthanaset2 Grup edhe Sergio1 edhe Ernesti

Nga Frank Shkreli/

Ishte fillim Korriku i vitit 1970 kur në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe më gjërë u përhap lajmi i zi se, papritmas, kishte ndërruar jetë nga një goditje në zemër, Peter Genc Chikos (Çikos), Kryetari i Federatës Pan-shqiptare, Vatra. Si udhëheqës i organizatës më të madhe shqiptaro-amerikane, Peter Çikos ishte natyrisht i njohur në radhët e komunitetit shqiptar në Amerikë, por ishte gjithashtu i njohur edhe në komunitetin më të gjërë amerikan ku jetonte e vepronte, sidomos në qytetin Boston të shtetit Masaçusets. Gazeta e njohur amerikane Boston Globe kishte njoftuar vdekjen e para kohëshme, të Peter Çikos në moshën 51-vjeçare,  duke venë në dukje arritjet në jetën dhe veprimtarinë e tij, përfshirë medaljet që kishte fituar si përfundim i heroizmit të tij në Luftën e dytë Botërore.  Detyrat e ndryshme me rëndësi që kishte kryer në ushtri, përfshirë atë si oficer i inteligjencës ushtarake në stafin e Gjeneralit Dwight Eisenhower gjatë invadimit të Francës, si pjesëtar i Grupit të 6-të të Ushtrisë Amerikane, ndërsa ka shërbyer më vonë edhe si anëtar i Misionit për Kontrollin e Berlinit. Ndërkohë që largohet me nderimet më të larta nga radhët e ushtrisë amerikane pas luftës, Peter Çikos me të këthyer në Boston ndihmoi në themelimin e Shoqatës së Veteranëve shqiptaro-amerikanë dhe fillon një jetë të re si civil, pa uniformën ushtarake.

Në një shënim nekrologjik, Gazeta Boston Globe shënonte se me të dalë nga ushtria, Peter Çikos vazhdoi veprimtarinë e tij në komunitetin shqiptaro-amerikan, bazuar në gjurmët që kishte lënë, si shembull babai i tij, Harris (Llambi) Çikos, njëri prej themeluesve  të Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare në Amerikë dhe njëherazi Kryetar i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, një organizatë patriotike shqiptare, siç e ka cilësuar Vatrën me atë rast gazeta Boston Globe.  Kjo gazetë ndër më të mëdhat e asaj kohe, por që edhe sot gëzon influencë në Amerikë, shkruante edhe për përpjekjet personale redaksionale të Peter Çikos në mbështetje të gazetës Dielli, organ i Federatës Pan-shqiptare Vatra, si dhe për ndihmën financiare që ai jepte për botimin e gazetës që në atë kohë dilte një herë në javë.

Gazeta Boston Globe shkruante gjithashtu se Departamenti Amerikan i Shtetit, duke njohur aftësitë Peter Çikos si udhëheqës i komunitetit shqiptaro-amerikan, sanksionoi në vitin 1968 disa simpoziume ndërkombëtare nën drejtimin e tij dhe të Federatës Pan-shqiptare Vatra, me rastin e 500-vjetorit të Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skenderbe, në Romë, në Vatikan dhe në Nju Jork – “Kur për herë të parë”, thekson gazeta amerikane Boston Globe, “Në Katedralën e Shën Patrikut në Nju Jork u mbajtën shërbimet ekumenike fetare Katolike, Ortodokse dhe Myslimane.”  Gazeta shënon gjithashtu se Peter Çikos ishte pritur në Vatikan nga Papa Pali i VI me rastin e ceremonive kushtuar 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit Skendërbe në vitin 1968, ku ai kishte ndihmuar në organizimin e manifestimeve madhështore me atë rast, por kishte kryesuar gjithashtu një delegacion mjaft të madh shqiptaro-amerikanësh, pa dallim feje a krahine, që mori   pjesë në ato ceremoni në kujtim të Gjergj Kastriotit Skenderbe, në Romë dhe në Vatikan, ku shqiptarët e mërguar, sidomos në Amerikë dhe në Evropë ishin mbledhur atje për të përkujtuar dhe nderuar Fatosin e tyre të Madh dhe njëkohsisht për t’i shpalosur botës një dëshmi të pashoqtë dinjiteti kombëtar dhe bashkpunimi dhe marrveshje vëllazërore.

Është ky rol historik dhe ndihmesa e Peter Çikos në organizimin e 500-vjetorit të Skenderbeut që më shtyri të kujtoj këtë burrë të madh të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe të Kombit, pikërisht këtë vit, të shpallur  nga Shqipëria dhe nga Kosova si Viti i Gjergj Kastriotit Skenderbeut — 50-vjetë më vonë — me rastin e 550-vjetorit të Heroit Kombëtar të Shqiptarëve.  Por fatkeqësisht, në këtë vit kushtuar Heroit Kombëtar të shqiptarëve duket se është harruar  Gjergj Kastrioti – Skenderbe – ndërkohë që zyrtarët më të lartë të dy shteteve shqiptare si dhe media në përgjithësi, flasin më shumë për influencën e Presidentit të Turqisë, Recep Erdogan në trojet shqiptare se sa për trashëgiminë dhe për porositë e Gjergj Kastriotit-Skenderbe për bashkim. Kjo temë nuk është subjekt i këtij shkrimi modest, por le të këthehemi tek kontributi historik i Peter Çikos, duke cituar disa prej bashk-kohasve dhe bashkpuntorve të tij, të cilët e kanë njohur atë nga afër, si person dhe si udhëheqës i komunitetit shqiptaro-amerikan, që përveç manifestimeve kastriotjane me rastin e 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit në Romë dhe në Vatikan në vitin 1968, organizoi gjithashtu edhe aktivitete të tjera, përfshirë edhe Seminarin Ndërkombëtar të Vatrës në Nju Jork në vitin 1969.

Ernest Koliqi, një bashkrendues dhe bashkorganizator i manifestimeve kastriotjane me rastin e 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit Skenderbeut në Itali kishte krijuar një respekt të jashtzakonshëm për aftësitë organizuese dhe për gatishmërinë dhe prirjet e Peter Çikos për të bashkuar diasporën shqiptare në Amerikë dhe më gjërë.  “I lindun e i rritun në tokën amerikane, dhe si i tillë i përjashtuem nga ndasitë që ligshtojnë botën shqiptare, drejtoi veprimtarinë e vet dhe të rrethit vatran në harmonizim të atyne forcave të shpërndamuna”, ka shkruar Koliqi në një editorial botuar në revistën Shëjzat, kushtuar jetës dhe veprimtarisë patriotike të Peter Genc Çikos.  “Me dinamizëm amerikan, i përkrahun nga rrethi i vjetër ashtu nga dasahmirë të ri, ia doli qëllimit në skaj: organizoi në Boston e në New York manifestimet dhe organizimet ma të shkëlqyeshme që njofti diaspora shqiptare sot e kësaj dite. Mblodhi në nji ndjesi vëllaznore Vatranë, Arbëreshë e Shqiptarë të mërgatës, pa dallim besimesh e krahinash, kulturash e rrymash politike.”  Ernest Koliqi e pagëzon Peter Çikos, si “Unifikuesi”, në historinë e diasporës dhe të shqiptarëve në përgjithësi. “Kjo i jep Atij të drejtën m’u quejtun në historinë e diasporës sonë, Çikos Unjisuesi ose( Unifikatori) i gjakut të shprishur”.  Koliqi në të vërtetë e krahason Peter Genc Çikon me më të njohurit e historisë shqiptare, duke u shprehur se, “Instinktivisht, ndoshta pa dijeni t’imtë të rrethanave historike shqiptare, Ai ka rrah udhën diellore të Shqiptarëvet më të mëdhej: t’atyne që tue fillue prej Skenderbeut dhe tue mbarue tu Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi, u munduan me mish e me shpirt t’i bashkojnë Shqiptarët. Peter Çikos ndoqi shembullin e tyne”, përfundon Koliqi nderimin e tij për punën dhe veprimtarinë e këtij shqiptaro-amerikani të njohur.

Ndërsa një tjetër eskponent i mërgatës së atëhershme shqiptare, Tahir Kolgjini e ka kujtuar ish-Kryetarin e Vatrës si një njeri me “Sjellje simpatike, t’urtë, i cili krijoi marrëdhënie të përzemërta me grupet e ndryshme, pa ardhun ndesh me programet e tyne. Muar pjesë në 500-vjetorin e përkujtimuer të Heroit Kombëtar në Romë. Shkoi edhe në gjirin e Arbëreshve në Itali, vizitoi vende të tjera të Evropës, rregulloi në mënyrë shembullore përkujtimoren e Heroit tonë në Shtetet e Bashkueme”, e të tjera.  Për të gjitha këto, sipas Tahir Kolgjinit, “Qëllimi i tij ishte për t’ia bamë të njohun botës se raca shqiptare ashtë e gjallë kulturalisht dhe fizikisht.  Nderoi Vatrën, nderoi Diellin. Nderoi botën shqiptare. Nderoi edhe vetveten…Me pak fjalë, ngriti naltë sedrën kombëtare, tue mbajtun në kambë moralin e shqiptarëve, që ishin të dënuem me qëndrue larg Atdheut.”

Ndërsa Martin Camaj, poeti dhe shkrimtari në mërgim thotë se e kishte takuar për herë të parë Peter Genc Çikos në Romë në vitin 1968, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skenderbeut, i cili megjithse i lindur në Amerikë, i kishte lënë poetit të Dukagjinit një përshtypje të mrekullueshme, siç shprehet Camaj, me “korçarçen e tij të bukur me elementa të shqiptimit amerikan”.   Martin Camaj ka shkruar se e kishte njohur  Çikos-in si “Një burrë të rrahun me jetë, realist, me cilësi të mbara e të nevojshme të një shqiptari të vendosun e krenar, për të ia pasë lakmi”.   Peter Genc Çikos, ka shkruar Martin Camaj, ishte ndër ata shqiptarë të cilët i “Sollën nderimin emrit shqiptar në botën amerikane.”  Ne shkruajmë e flasim për meritat e Fan Nolit e të Faik Konicës për krijimin e një qëndre shqiptare në Amerikë e cila luajti një rol të dorës së parë në mbrojtje të interesave të Kombit Shqiptar, por shton Martin Camaj, shpesh “Harrojmë e nuk vemë në dukje sa duhet ndihmesat e etërve të Peter Chicos-it me shokë, të cilët dijtën të organizoheshin, e ndanë deri kashatën e gojës për ta mbajtë në kambë këtë vepër të madhe. Këta e banë këtë me thjeshtësi dhe pa trumbetime mburrëse”, është shprehur poeti e shkrimtari Martin Camaj, me rastin e vdekjes së Peter Çikos më 1970.  Camaj e ka kujtuar atë si një “Të rritun e të burrnuem në nji botë shqiptaro-amerikane i cili kishte ndjenjat e të atit, shqiptar me përmallim të pashlyeshëm për vendlindje…”   Është kjo ndjenjë shqiptaro- amerikane e Peter Çikos që i kishte lënë një përshtypje të thellë  edhe albanalogut të njohur italian At Zef Valentinit, se me të takuar Peter Çikos i ishte dukur sikur, “Me ‘të në krye të Vatrës kishte hypë breznija e re e Shqiptarëve të Amerikës, dhe ashtu kishte hi përnjimend Amerikanizma në shërbim të Shqiptarizmës.”

 

Në Korrik të vitit 1970, Vatra ka humbur Kryetarin e vet ndërsa komuniteti shqiptaro-amerikan humbi burrin e madh, shqiptaro-amerikanin e ndershëm dhe krenar, diplomatin dhe njeriun që besonte me gjithë zemër  dhe bëri aq sa kishte mundësi dhe rast për bashkimin e të gjithë shqiptarëve pa dallim këtu në Shtetet e Bashkuara dhe më gjërë,  ndërsa komuniteti ynë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës humbi unifikuesin e vet.  Siç ka shkruar edhe Skendër H. Hasani në një shkrim botuar në revistën Shëjzat të Ernest Koliqit, Peter Çikos, si Kryetar i Vatrës por edhe si njeri dhe si shqiptaro-amerikan i brumosur dhe i ushqyer me më të mirat e dy kulturave tona – asaj shqiptare dhe amerikane – i tregoi “Diasporës shqiptare se ç’rrugë duhet marrë e si mund të dëgjohet zëri i tyre në botë.  Me urtësi e butësi, por me program të caktuar bëri që të përtrihet me hov roli historik i Vatrës.”

Vdekja e Peter Çikos në Korrik të vitit 1970, në një mosh relativisht të re, ishte e rëndë për të gjithë komunitetin shqiptaro-amerikan, por shembulli dhe nami i tij prej një unifikuesi të të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, ideologjie a krahine, sidomos në këtë 550-vjetor të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skenderbe, duhej të shërbente si një rast për bashkimin e fuqive më të shëndosha intelektuale, morale dhe kombëtare, në shërbim të interesave më të larta kombëtare, jo vetëm këtu në diasporën tonë në Amerikë por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare, pikërisht ashtu siç bëri edhe Peter Genc Çikos me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së heroit Kombëtar të Shqiptarëve në vitin 1968.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Frank shkreli, Kujtojme, KUJTOJMË PETER GENC ÇIKOS

ME 1 KORRIK 1970 U SHUA KRYETARI 52 VJEÇAR PETER CHIKOS

July 3, 2018 by dgreca

KRYEVATRANI QË BASHKOI GJAKUN E SHPRISHUR TË ARBËRIT ME SHQIPTARËT E AMERIKËS/

1 peter 2

*KUJTOJMË KRYETARIN E VATRES, PETER CHIKOS, MAJORIN E SHTABIT TE GJENERAL EISENHOWER, QË U DEKORUA ME KRYQIN E FRANCËS DHE YLLIN E BRONZTË TË AMERIKËS(POR JO NGA SHTETI SHQIPTAR)…

20180703_054011

  • PAS LIRIMIT NGA USHTRIA CHIKOS KRIJOI ANGJENSINË MË TË FUQISHME TË SIGURIMEVE NË NEW ENGLAND, U MOR ME MENAXHIMIN E GAZETES DIELLI DHE U ZGJODH KRYETAR I VATRËS-1 parada e vajz
  • ME 20- 30 NËNTOR 1969, ME RASTIN E 60 VJETORIT TË DIELLI AI SOLLI 120 PËRFAQËSUES TË ARBËRESHËVE TË ITALISË NË BOSTON DHE NJU JORK NË VEPRIMTARI 10 DITORE…

1 Peter me vashatPETER CHIKOS KISHTE NJË ËNDËRR: TË BASHKONTE GJAKUN E ARBËRIT NËPËR BOTË…

  • U SHUA ME 1 KORRIK 1970 DHE U PËRCOLL ME PROTOKOLL ZYRTAR TË SHTETIT TË MASACHUSSETTS ME 3 KORRIK.

NGA DALIP GRECA*

Diaspora shqiptare ishte e pafat pse unifikusi i gjakut të shprishur të Arbërit, Peter Genci Chikos, i biri i njërit prej themeluesve të Vatrës, arkëtarit të parë të saj, bashkëshoqëruesit të Fan S Nolit në krijimin e Kishës Orthodokse Autoqefale, ish Kryetari I Besa-Besën, Llambi Chikozit, qe jetëshkurtër. Ai ndërroi jetë në fillim të betejës për të bashkuar gjakun e Arbërit të shpërndarë nëpër botë. Shkoi në vendbanimet e arbëreshëve, në Palermo, në Romë, u prit nga Papa, mori pjesë në veprimtaritë kushtuar 500 vjetorit të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti, dhe një vit më pas e “tundi” Amerikën tek solli një përfaqësi prej 120 arbëreshësh, profesorë, akademikë, studiues, klerikë, vajza të reja, që për 10 ditë u bashkuan me shqiptarët e Amerikës dhe organizuan koncerte e vizita në Boston, paradën e madhe shqiptare në  Nju Jork, në Avenunë e 6-të, një seminar shkencor 2 ditor, ekspozita pikture me punimet e Ibrahim Kodrës dhe Lin Delisë, Lutje fetare në Katedralen Snt. Patrick, me të tri fetë, darkë solemne me 2 mijë veta etj….

…Ishte vetëm 52 vjeç, kur në mengjes herët të 1 korrikut 1970, në shtëpinë e tij në  adresën:110 Crestvieë Rd,  Belmont, Boston, ndërroi jetë pas një ataku në zemër. Mbrëmjen e kishte kaluar me mikun e tij të mirë, një nga kryetarët e Vatrës ndër vite,doktorin e parë të shqiptarëve në Amerikë Andrew Elia. Kishin biseduar gjatë rreth punëve të vatrës. Peter Chikos sapo ishte kthyer në Boston pas një udhëtimi njëmujor nëpër Evropë, ku kishte takuar personalitete të ndryshme evropiane dhe krerët e mërgatës shqiptare në vijim të ëndrrës së tij për të bashkuar të gjithë shqiptarët.

Kryetari i Vatrës la në pikëllim të thellë familjen e tij, vatranët dhe të gjithë ata që i ishin bashkuar në nismën e tij.

I BIRI I BASHKËTHEMELUESIT TË VATRËS, LLAMBI CHIKOZI

Peter Chikos ishte i biri një patrioti të njohur, që kishte ardhë në SHBA në fillim të Shekullit XX. I ati i tij, Llambi Chikozi kishte qenë në udhëheqje të Shoqërisë Besa-Besën, një ndër nisiatorët dhe mbështetsit e krijimit të Kishës Autoqefale Orthodkse shqiptare, guri i themelit të Federatës. Llambi Chikozi ishte një ndër pesë themeluesit e Vatrës dhe me 28 prill kur Federata u shpall e themeluar atij iu caktua detyra e arkëtarit të parë të Vatrës.

Peter Chikos kishte ardhë në jetë në Janar të vitit 1918 në Boston. Ai kishte qenë një fëmijë i mbarë dhe në mësime shkëlqeu. Peter Chikos mbaroi universitetin për Drejtësi duke përfunduar me rezultate të larta studimet në Northeast të Bostonit, në fakultetin e Drejtësisë.

Gjatë Luftës së Dytë botërore shërbeu në shtabin e Gjeneral Eisenhower në Francën në Armatën e Gjashtë dhe përcolli mesazhe të lirisë amerikane . Ai ishte pjesë e formacioneve luftarake amerikane që cliruan Francën dhe më pas ishte pjesë në komisionin të Kontrollit të Berlinit. Majori Peter Chikos është dalluar në kryrjen e detyrave luftarake. Ai është dekoruar për trimëri dhe zgjuarsi në fushën e luftës me Medaljen”Croix de Guerre avec Palmes” nga Gjeneral Leclerec i Francës e me Medaljen e “Yllit të Bronzit” nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.U largua me nder nga Ushtria në fund të luftës duke pasur gradën e Majorit.

Në jetën civile Peter Chikos ishte po aq i sukseshëm. Ai ishte themelues dhe partner i Agjensisë së Sigurimeve “Chickering Insurance” të Bostonit, nga më të mëdhatë dhe më të suksshmet në të gjithë New England.

PIKËLLIMI I FAMILJES DHE KOMUNITETIT

Ishin mbledhë disa qindar bashkombas në shtëpinë mortore  në Watertoën, në një lagje aristokratike, siç e përshkruan revista “Shejzat”, “Koha”, dhe gazeta që ai e deshi dhe për të cilën punoi me shpirt, “Dielli” shqiptarëve të Amerikës. Pjesmarrësit ishin aq të shumtë sa nuk i merrte shtëpia e madhe mortore, por një pjesë rrinin jashtë dhe policia rregullonte trafikun dhe mbante rregullin. Kryetarit të Vatrës iu bë një nderim i jashtzakonshëm dhe u përcoll me protokoll shtetëror. U trajtua si personalitet i lartë nga shteti amerikan. Katër dhoma ishin plot me kurora me lule të sjella nga personalitetet e shtetit, nga familja, nga vatranët, komuniteti, dhe arbëreshët.

Me 3 korrik kortezhi i gjatë i makinave, të cilit i prinin 6 automobila me kurora me lule, e dërguan arkivolin me trupin e pajetë të kryetarit Chikos në Kryekishën “Shën Gjergji” të Imzot Nolit, në atë kishë, ku kishte kontribuar aq shumë edhe i ati i Peter Chikos Llambi Chikozi, por dhe ai vetë. Kumbona e Katedrales ra përmortshëm duke përcjellë me jehonën e saj njërin nga shqiptarët që pat një ëndërr: Të bashkonte shqiptarët, kudo që jetonin nëpër botë; Kryetarin e Vatrës, Peter Chikos. Kisha nuk mundi t’i merrte të gjithë  bashkombasit që donin t’i jepnin lamtumirën kryetarit të Vatrës.Përpara Kishës ishin mbledhur qindra bashkombas të ardhur nga shtete të ndryshme të Amerikës, por dhe nga Kanadaja. Katedralja ishte mbushë aq shumë sa nuk mund t’i mbante. Arkivoli ishte mbuluar me Flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nën atë flamur Majori kishte luftuar në radhët e ushtrisë më të fuqishme të botës,madje pranë Gjeneralit të Famshëm Eisenhower. Gjashtë vetë e shoqëronin arkivolin, ku përveç autoriteteve, dallonin ish kryetari i Vatrës Anthony Athanas dhe dr. Hamdi Oruçi, drejtusi i veprimtarive të 60 vjetorit të Gazetës Dielli. Meshën e kryesoi Peshkopi i Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare në Amerikë Hirësia e Tij Stephan Lasko, i ndihmuar nga At Sotir Dilogjika, At Christ Ellis, At Nick Liolin dhe Arthur Liolin…

Pas meshës Hirësia e tij Peshkop Stephan Lasko mbajti një fjalim prekës. Fjalimin nekrologjik e mbajti dr. Andrew Elia, i cili kishte qenë bashkëbiseduesi i fundit me të ndjerin.

Në emër të Vatrës nga altari i Kishës foli miku i tij, dr. Hamdi Oruçi.

Trupi i kryetarit të Vatrës u varros në të njëjtën varrezë ku pushonin trupat e Fan S. Nolit, Faik Konicës dhe vatranëve të tjerë. Ceremonia u mbyll me drekën e Lamtumirës, që u shtrua në restorantin e famshëm për kohën të Athony Athanas ”Pier Four”. Dy sallat e mëdha të restorantit ishin të mbushura pot. Në drekën e mortit e “qau” me fjalë shpirti kryetarin, që iku në kulmin e punëve të mira për Vatrën, z. Hajdar Tonuzi, ish nën/kryetar i Vatrës.

Në të gjitha veprimtaritë përcjellëse ishin të përfaqësuara zyrta kryesore të shtëtit: Guvernatori, Kryetari i bashkisë, Kongresitët dhe senatorët. Nga Çikago kishte ardhë Profesor  Torielli, i Universitetit të Loyola, që kishte qenë komandant i Petter-t gjatë luftës, kishin ardhë institute të njohura e agjensi sigurimesh etj. Vatra e Bostonit ishte e gjitha aty, por edhe degët e Vatrës nga shtete të ndryshme; nga Detroiti, Waterbury, New Yorku, New Jersey, Chikago, Ohio, Toronto. Një përfaqësi e përbërë nga ish kryetarët e Vatrës qëndronte në krye: Andrew Elia, Ali Arrëza, Christo Thanas, James Thanas, Barney Kirka, Editori i Diellit dr. Athanas Gegaj, Editori i gazetës”Liria” Dhimiter Trebicka. Nga personalitetet e Mërgimit shquheshin: Tahir Kolgjini, Selim Damani, Vasil Germenji, Dr. Rexhep Krasniqi, Lemi Kokalari, Vahit Chika, Nick Kreshpani, Ago Agaj, Reis Agaj, Gjon Gjinaj, një nga luftëtarët e lirisë etj.

Kryetari i Vatrës Peter Chikos la pas: Zonjën Nicholina, tre fëmijët- Marlyn 20 vjecare, Paul 19 vjecar dhe Roberta që atë kohë ishte 15 vjecare; la vëllanë John; dy motra- zonjën Flora Theodore prej Belmont, zonjën Tefi Chani prej Brockton, Boston.

EDHE GAZETA AMERIKANE”THE BOSTON GLOBE” E NDEROI PETER CHIKOS

Gazeta amerikane “The Boston Globe” në numrin e saj të së Enjtes të 2 korrikut 1970, në edicionin e mëngjesit shkroi një artikull special për ta përcjell qyetarin shembullor amerikan Peter Chikos, pa harruar t’i përmend edhe origjinën shqiptare të prindërve si dhe suksesin në drjtimin e Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”, bashkimin e mërgatës shqiptare dhe arbëreshe dhe sukseset në jeten ushtarake e civile.Gazeta shkruante : Si offcer i inteligjencës ushtarake ai ka shërbyer në stafin e Gjeneralit Aizenhauer gjatë pushtimit të Francës dhe ka luftuar për çlirimin e saj. Ai ka arrë pjesë në çlirimin e Jugut të Francës si anëtar i grupit ushtarak nr.6 dhe shërbeu në Misionin “Berlin Controll” pas thyrjes së nazistëve.

Për shërbim të jashtzakonshëm në Gjermani ai u dekorua me Medaljen “Ylli i Bronztë” dhe “ Freanch de Croix de guerre With Palms”, shkruante Boston Globe….(Lexoje të plotë në Diellin e printuar..Per me shume fotografi shkoni ne Facebook dielli vatra)

Filed Under: Histori Tagged With: dalip greca, Kujtojme Peter Genci Chikos

NJË LOJË E KURDISUN NGA JUGOSLLAVËT…

June 30, 2018 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/1 DON ALFONS TRACKI

                                                                  DON  ALFONS TRACKI (1896 – 18 KORRIK 1946)/

MISIONARI  GJERMAN NGA BRESLAU QË U PUSHKATUE SE NDERHYNI ME SHPETUE JETEN E SA SHQIPTARËVE NDER KAMPET GJERMANE NAZISTE. NË DITËT E FUNDIT TË NANDORIT 1944, TRACKI KA SHPETUE EDHE 100 BURRA SHQIPTARË NË VELIPOJË, QË DO TË VRITESHIN NGA GJERMANËT …NJË LOJË E KURDISUN NGA JUGOSLLAVËT.

 KALENDAR HISTORIK-  M U E J   KORRIK    2 0 1 8:  K u j t o j m ë …

  • 1 KORRIK 1946 Enver Hoxha dekorohet nga Marshali J.B.Tito në Beograd “Hero i Popujve të Jugosllavisë”, dekoratë që e ka edhe sot në 1 Korrik 2018.
  • 2 KORRIK 1919: Memorandumi per Konferencen e Paqës në Paris i firmuem nga  Imz. Jak Serreqi Argjipeshkëv i Shkodres,  Imz. Gjergj Koleci Ipeshkev i Pultit, Don Zef Gjinali administrator i Abacisë Mirditës, At Bernardin Shllaku, Don Nikoll Kimza  në Lezhë, nga familjarë të Veriut e bajraktari i Shkrelit Vatë Marashi me 100 kryefamiljarë.
  • 19 korrik 1900 Asht le At Çiprian NIKA O.F.M., U pushkatue me 11 Mars 1948.
  • 11 Korrik 1924 Bajram CURRI vjen në Shkoder. Populli i Shkodres i ban nderimet e rastit. Ndoshta, asht një nga pritjet ma të perzemerta nga shkodranët.

■16 Korrik 1944 Vritet pabesisht në Tropojë At Lekë LULI  (36 vjeç) Fillon me këte vrasje edhe  Gjenocidi komunist kunder Klerit Katolik Shqiptar.

  • 14 Korrik 1945 dënohet me vdekje Ndue Pali e Caf Meti, në Kinema Rozafat Shkoder. Ekzekutohen në Zallin e Kirit pranë Rrëmajit në Shkoder…

Korrik 1945 Vazhdojne ndjekjet dhe pushkatimet nga brigadat komuniste ne krahinat e Veriut. Krahas vrasjeve u digjen kullat dhe u plaçkiten bagtija…

  • 3 Korrik 1946 Ekzekutohen të dënuemit me vdekje: Xhahid Koka, Qenan Dibra, Telat Drini, Shaban Balla, Sami Qeribashi, Mahmut Meniku, Mehmet Beshiri dhe Ali Kraja. Fjala e fundit e Tyne asht: “Rroftë Shqipëria e lirë me Kosoven…”.

Korrik 1946 Ridënohet në Tiranë Frano MIRAKAJ, dhe pushkatohet atje…Urdhni i vrasjes së Tij u lëshue nga Gjeneral Kolonel Enver Hoxha.

  • 17 Korrik 1946 Dënohet grupi i Llesh MARASHIT, Kol ASHIKUT, Nikoll DEDAJ, e me këte grup ekzekutohet edhe Don Alfons TRACKI dhe Kel ABATI. Dënimi ju dha me  17 Korrik e, ekzekutimi u krye me 18 Korrik 1946 ora 5 nade, në Zallin e Kirit në Shkoder. 

Dosja e të dënuemve as sot s’ ka vendimin e Gjykatës së Naltë e as të Kuvendit Popullor.

8 Korrik 1946 dënohet në Tiranë At Pashko Bardhi S.J. 6 vjet burg  si “kriminel”,…

  • 31 korrik 1948 Dijetarët Don Aleksander SIRDANI e Don Pjeter ÇUNI mbyten në gropat e zeza të hetuesisë Koplikut, nga xhelatët e sigurimit të shtetit.

5 Korrik 1949 Arrestohet Don Loro NODAJ dhe bani 15 vjet burg nder kampe pune…

2 Korrik 1950 Vdiq Don Kolec PRENNUSHI, Famullitar në Dajç të Bregut të Bunës. Ishte i arrestuem në vitin 1948 – 49  dhe u torturue mizorisht nga sigurimi i shtetit, mbasi nuk u pajtue me aprovimin e “Statutit të Kishës” nga Kleri Katolik.

30 korrik 1951 Aprovohet “Statuti i Kishës Katolike në Shqipni”…Dekreti u aprovue nga Kuvendi Popullor i RPSh, me kryetar Dr. Omer Nishani dhe sekretar Sami Baholli.  

  • 12 Korrik 1972 Vdes Nana e Nanë Terezes, Drande Bojaxhiu. Nanë Tereza nuk lejohet me ardhë per vorrimin e Nanës së vet në Tiranë…
  • 29 korrik 1982 Vdes i helmatisun pabesisht Don Lazer Jubani (1925 – 1982).

Korrik 1983 Vdes në Shkoder At David Pici, meshtar në Vermosh në vitin 1945.

17 Korrik 1985 vdes piktori shkodran Shtjefen PALUSHI (29 Qershor 1943 – 1985).

  • 28 Korrik 1988 vdes At Pjeter Meshkalla S.J., mbas 25 vjetësh burg në Shkoder.

20 Korrik 2000 vdes në Kuvendin e Fretenve At Konrrad Gjolaj O.F.M. Asht Autor i librit “Çinarët” botue në Shkoder në vitin 1997.

***

  • Shenim nga Fritz Radovani: Ju lutem familjarëve dhe të njohunve që kanë materiale per këto Fletë Kalendari, të lanë shenime nder site e kryesisht, percaktime datash të plota.

            Melbourne, 1 Korrik 2018.

 

Filed Under: Histori Tagged With: DON ALFONS TRACKI, Fritz radovani, Kalendar

Princesha Adile, motra e Mbretit Zog në kështjellën e La Maye…

June 27, 2018 by dgreca

PARIS-SOIR (1939) : “PRINCESHA ADILE ME DY VAJZAT E SAJ, NËNËN DHE VËLLAIN E MBRETËRESHËS GERALDINË KANË MBËRRITUR NË KËSHTJELLËN E LA MAYE, NË VERSAJË.”/Princesha Adile

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 27 Qershor 2018/

“Paris-soir” ka botuar, të enjten e 6 korrikut 1939, në ballinë, një shkrim në lidhje me mbërritjen e Princeshës Adile, motrës së Mbretit Zog, në kështjellën e La Maye, në Versajë. Sipas gazetës franceze, ajo shoqërohej nga dy vajzat e saj, Torja dhe Danja, si dhe nga nëna dhe vëllai i mbretëreshës Geraldinë.

Aurenc Bebja ka sjellë në vijim shkrimin e plotë, nëpërmjet faqes së tij “Dars (Klos), Mat – Albania” : “Princesha Adile, motra e ish-mbretit Zog të Shqipërisë, mbërriti në Paris, dje në mbrëmje, në orën 23 : 50. Ajo shoqërohej nga dy vajzat e saj, Torja dhe Danja, nga nëna e mbretëreshës Geraldinë, si dhe nga vëllai i ish-mbretëreshës, princi 16 vjeçar, Jul Apponyi.

Princesha dhe njerëzit që e shoqëronin arritën në kështjellën e La Maye, në Versajë, në orën dy të mëngjesit (natës). Masat më të ashpra janë marrë në këtë vilë të bukur në mënyrë që asnjeri të mos besdisë mysafirët, të cilët do të jetojnë në këtë vend të bukur në heshtje më të madhe se Duka dhe Dukesha e Windsdori-t, mysafirët e mëparshëm të kështjellës.Princesha bukuroshe, e cila shkoi në shtrat në orën tre të mëngjesit (natës), nuk u zgjua deri në mesditë.

Shërbëtorët, shqiptarë ose hungarezë, arritën këtë mëngjes.Princesha, e mbyllur në vilën e bukur të Versajës, do të presë qetësisht ardhjen e mbretit Zog, mbretëreshës Geraldinë dhe princit të vogël, djalin e tyre, të cilët së shpejti do të mbërrijnë në Francë me një suitë prej pesëmbëdhjetë njerëzish.”

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja, e La Maye, motra e Mbretit Zog, në kështjellën, Paris-Soir, Princesha Adile

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 343
  • 344
  • 345
  • 346
  • 347
  • …
  • 738
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË
  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT