• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Me Kongresin e Lushnjes nis historia e Shqiperise moderne

January 21, 2017 by dgreca

Kongresi Kombëtar i Lushnjes dhe zgjedhjet e para Parlamentare pluraliste/

1 Kongresi Lushnjes-21 Janar 1920 nisi punimet ne qytetin e Lushnjes Kongresi Historik Kombetar i Lushnjes/
-Kongresi Kombëtar i Lushnjës solli rimëkëmbjen dhe rifitimin e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, nisi një kthesë historike
– Këshilli i Ministrave hartoi më 5 dhjetor 1920, projektligjin e zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar
– Zgjedhjet e para pluraliste, u organizuan në muajin janar 1921 nga Kryeministri Iliaz Vrioni
– Kandidatët që u pëfshinë në këto lista, në pjesën dërmuese, ishin anëtarë të organizatës patriotike “Krahu Kombëtar” e cila përfaqësohej nga intelektualë të shkolluar në perëndim
-Përse u tërhoq grupi i Koço Kotës nga kanditimi
/

Shkruan: Harallamb Kota, studiues i historisë/

Situatat Politiko –Shoqërore dhe Kongresi i Lushnjës
Vitet 20-të, me vendimet që mori Kongresi Kombëtar i Lushnjës lidhur me Rimëkëmbjen dhe Rifitimin e Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, nisi një kthesë historike, një epokë e re, ku procesi historik kishte përmbajtje e synime të reja. Pas pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve dhe vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve më 9 nëndor 1921, u forcuan pozitat ndërkombëtare të shtetit shqiptar. Sadopak u lehtësua barra e madhe që u diktonte shqiptarëve nevoja e mbrojtjes së vëndit dhe shtetit. Kjo situatë e re, krijoi kushte të favorshme që gjithë forcat politike të shtetit shqiptar të saporimëkëmbur, tu kushtoheshin zgjidhjes së problemeve të brendshme. Në skenën politike shqiptare, dominoi lëvizja për demokraci liberale, që mori tiparet, madje të shprehura fuqishëm në shtypin e atyre viteve si “Lëvizja për OKSIDENTALIZIM”. Gazeta “Fjal e Lirë”, që botohej në Vlorë, duke shprehur dhe zbërthyer në mënyrë origjinale konceptin e qarqeve liberalo-reformatore për Oksidentalizimin e Shqipërisë, bënte këtë zbërthim: Operacione (shkurtime) në nëpunësa, Koncensione për zhvillimin ekonomik, Shkurtime në çdo degë të administratës, Veçim i të ligut dhe të pamoralit, Demokraci me fakte e jo me fjalë, Energji në Legalitet të Drejtësisë, Nacionalizëm me tru e jo me ngjyrë, Taksa të lehta sipas fuqisë, Asamble Kushtetuese në rast të favorshëm, Liri për shtyp por me frana llastiku, Irredentizëm për moralin kombëtar, Sinqeritet në shpenzime e në urdhra, Miqësi me shtetet që u shkon fjala, Afrim i elementit të duhur të opozitës në bashkëpunim.
Situatë problematike parazgjedhore
Në situatat politiko-shoqërore të krijuara pas Kongresit të Lushnjës, Shqipëria po i drejtohej zgjedhjeve të para për legjislativin. Këshilli i Ministrave hartoi më 5 dhjetor 1920, projektligjin e zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar, që u dekretua nga Këshilli i Naltë më 14 dhjetor 1920. Sipas ligjit zgjedhjet do të bëheshin me votim të tërthortë, dyshkallësh. Kandidat për deputet mund të ishte çdo shtetas, i cili dinte shqipen me shkrim e me gojë dhe nuk “ishte shërbëtor i kurkujt”. Të varfërit përjashtoheshin nga konkurimi, ndërsa gratë dhe ushtarakët nuk kishin të drejtë vote. Emëri i kandidatit duhej të shkruhej me dorë nga votusi. Duke qenë se 80% e popullsisë ishte analfabete, ligji e lejonte që emërin e kandidatit ta shkruante edhe një person i tretë. Kjo mënyrë votimi do krijonte mundësi për të shkelur vullnetin e lirë të pjesës më të madhe të zgjedhësve. Nën trysninë e forcave të jashtme e të brendshme, qeveria dhe Këshilli Lartë pranuan të drejtën e komuniteteve fetare që të dilnin në zgjedhje me listë të veçantë deputetësh. “Ligji për zgjedhjet, -shënohet në f.178 të volumit Historia e Popullit Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave viti 2007, u kritikua nga rrethet atdhetare e përparimtare, sidomos nenet që në procesin e zgjedhjeve i ndanin shtetasit sipas përkatësisë fetare, ç’ka nuk i shërbente bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Por këto kundërshtime nuk arritën të ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve.
Zgjedhjet e para pluraliste
Zgjedhjet e para pluraliste, u organizuan në muajin janar 1921 nga Kryeministri Iliaz Vrioni, sipas listave të miratuara nga prefekturat e Shqipërisë. Kandidatët që u pëfshinë në këto lista, në pjesën dërmuese, ishin anëtarë të organizatës patriotike “Krahu Kombëtar” e cila përfaqësohej nga intelektualë të shkolluar në perëndim, apo të dalë nga shkolla revolucionare e turqve të rinj, (oficerë e civilë), për të organizuar dhe drejtuar “Lëvizjen Kombëtare” dhe për mbrojtjen e stabilizimin e Shtetit Shqiptar; pjesa tjetër ishin figura atdhetare të arësimuar në europë e amerikë, si dhe patriotë shqiptar të diasporës që kishin përqafuar mentalitetet perëndimore. Në zgjedhjet e para pluraliste, kjo organizatë politike atdhetare, kishte si synim zgjedhjen për deputetë të personave: “Me parime politike të Kongresit të Lushnjës”, i cili sipas Dr.Prof. Hysen Kordhës shënuar në referimin Studime Historike, solli kthesën historike për fatet e popullit tonë dhe nisën përpjekjet për ndërtimin e forcimin e shtetit të saporiformuar shqiptar, për demokratizimin e jetës socialo-politike, për zgjidhjen e problemit agrar dhe sidomos për afrimin e Shqipërisë me Evropën, ose siç thuhej atëhere për oksidentalizimin e Shqipërisë. Veç të kandituarve nga “Krahu Kombëtar”, në zgjedhjet e para pluraliste, morën pjesë edhe kandidatë të propozuar nga klasa e pronarëve të mëdhenj të tokave, nga nacionalistët dhe nga elementi kosovar që vinte nga “Komiteti Mbrojtja e Kosovës”. Megjithatë, zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri, krijuan edhe situata problematike, sidomos në zonat e Shqipërisë së Mesme, ku ende qarkullonin mjaft elementë turkoman, të cilët nxisnin fshatarësinë e atyre anëve që të mos pranonin të votonin dhe të zgjidhnin deputet për në parlamentin e Shqipërisë. Elementë të ndryshëm me tituj dhe ofiqe perandorake, kërkonin ende që Shqipëria të ishte “Principatë Turke”. Ata frynin urrejtje karshi administratës shqiptare, flamurit shqiptar, gjuhës shqipe dhe elementit të krishterë shqiptar.
Krahas elementit turkoman….
Krahas elementit turkoman, në Shqipërinë Juglindore vepronte energjikisht elementi grekoman. Më 3 shkurt 1921, sipas Kastriot Dervishit shkruar në librin e tij “Historia e Shtetit Shqiptar 1912-2005” botim i v.2006, nëprefekti i Gjirokastrës Kolë Tromara, i telegrafonte MPB, se shtypi grek shkruante se: “ishin bërë përpjekje deri në Konferencën e Paqes për të mos zhvilluar zgjedhje në jug të Shqipërisë dhe se ky lajm kishte bërë përshtypje të thellë në Shqipëri”. Përfaqësuesi i prefektit, Hasan Dosti, telegrafonte po ato ditë se klubet “vorioepirote” kishin protestuar për shkak të mbajtjes së këtyre zgjedhjeve. Lufta politike, citohet në librin “Historia e Popullit Shqiptar” faqe 179, botim i Akademisë së Shkencave, gjatë fushatës zgjedhore qe tepër e ashpër. Madje në dy prefektura, në atë të Korçës e të Shkodrës, u spekulua edhe me ndarjen fetare të popullsisë. Kështu disa kandidatë për deputetë të “grupit popullor” të Korçës të kryesuar nga Koço Kota me të kaluar të mirë atdhetare, por të pakënaqur me listën e kandidatëve të propozuar nga partia e tyre, u bënë thirje të krishterëve që të bojkotonin zgjedhjet.
Nga ana tjetër vlonte propaganda e organizimit të zgjedhjeve sipas përkatësisë krahinore e fetare, e cila binte ndesh me vlerat e mendimtarëve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Sipas teorisë së këtyre propogandistëve, shprehet Sejfi Vllamasi; “Ç’do geg që bashkëpunon me toskët nuk është geg. Geg i vërtetë është ai që është kundër toskëve”. Më tej Sejfiu deklaron:Mustafa Kruja ka mendimin dhe çfaqur me bindje se; “gegët duhet të sundojnë toskët”. Për këtë qëllim, qysh në kohën e shpalljes së idipedencës kombëtare, Mustafa Kruja, Luigj Gurakuqi, Lef Nosi dhe Ahmet Dakli, krijuan “Kuadrumviratin”.
Komisioneve zgjedhore i diktohen listat Qeveritare
Bazuar në librin “Mbi Lëvizjen Kombëtare dhe Demokratike Shqiptare në vitet 1918-1924” botim i Institutit të Historisë e Gjuhësisë të USHT, në Korçë “lufta elektorale mori një karakter të ashpër”. Në Korçë, ndryshe nga krahinat e tjera, kishte një nivel më të lartë politik dhe pregatitjet për zgjedhjet u ndien më shumë se kudo. Lufta politike që u zhvillua në Korçë me rastin e zgjedhjeve parlamentare ishte më tepër një luftë midis personerve të të njënjtit grup politik, por që kishin qëndrim të ndryshëm për sa i përket asamblesë kushtetuese, si dhe për listën e personave që do të zgjidheshin. Grupi që kryesohej nga Koço Kota nguli këmbë që zgjedhjet të bëheshin për asamble kushtetuese, kurse grupi Cale-Frashëri ishin për zgjedhje parlamentare. Prefekti i Korçës dr.Koço Kotta dhe Kryetari i Bashkisë Sotir Kotta, ngritën Komisionin Zgjedhor dhe morën të gjitha masat e duhura që kandidatët për deputet, pjesëmarës në këto zgjedhje të paraqiteshin para popullit në zonat e ndryshme të prefekturës, në fshatra, katunde dhe qytete. Për të shmangur keqkuptimet midis kandidatëve për tu zgjedhur deputet, Koço Kota i kërkoi Ministrit të P.Brëndëshme z.Fuad Dibra, dorheqjen nga detyra e Prefektit të Korçës, me arësyetimin e kandidimit si deputet, kërkesë e cila u pranua. Në vendin e tij, prefekt i prefekturës së Korçës u caktua provizorisht Nikolla Zoi, që ishte përkrahës i Pandeli Cales. Lidhur me emërat që u përfshinë në listën e kandidatëve për deputet në Prefekturën e Korçës, referuar sa shënon Sejfi Vllamasi, ato u organizuan qysh në Tiranë nga Eshref Frashëri dhe Pandeli Cale. Qëllimi i tyre, shprehet Vllamasi, ishte për të formuar një grup deputetësh solidarë në mendime, mentalitete dhe interesa, për ta përfaqësuar Korçën në emër të “bejlerëve, turqve e kaurëve të lidhur me ta”. Prandaj, thotë Vllamasi; “Ata më zëvëndësuan mua me Xhafer Ypin”. Po kështu vepruan edhe me Koço Kotën, i cili përfshihej në listat për kanditat për deputet. Ai ishte anëtar i vjetër i “Krahut Kombëtar”, shok i pandarë i Sotir Pecit dhe i emi, por ishte kundra Eshrefit dhe Pandeli Cales me shokë. Kundërshtia e tij me ta, nuk ishte nga mospajtim idesh e mentalitetesh, por rridhte sepse Koço Kota figuronte në listën e kandidatëve që përbëhej prej 4 të krishterëve dhe 4 muslimanëve. Koço nguli këmbë që të hynte në listë vetë i tretë, bashkë me Kol Rrodhen dhe Llambi Bimblin, që të tre patriotë të vjetër. Atëherë Pandeli Cale edhe ay veteran patriot, mbetej automatikisht përjashta listës. Pasi përfunduan zgjedhjet e para, të zhvilluara nëpër fshatra, katunde dhe qytete, komisioni zgjedhor shpalli zgjedhjet e dyta. Sipas ligjit zgjedhor, zgjedhësit e dytë u thirrën në godinën e prefekturës dhe në prani të titullarëve përkatës të prefekturës, të këshillave administrative e të katunarive e të gjykatës vendore u ftuan të hedhin votën e tyre në kutinë e votimit me emërat e aq deputetëve sa kishte prefektura.
Grupi i Koço Kotës tërhiqet nga kanditimi
Në kulmin e kësaj situate, për të ruajtur qetësinë dhe unitetin kombëtar shqiptar të popullit Korçar, i cili sapo ishte mëvehtësuar nga francezët e grekët dhe sapo i ishte bashkuar shtetit shqiptar, Koço Kota me cilësitë patriotike që karakterizonin pinjollët e familjeve Kota, me moton “Shqipëria mbi Gjithçka”, e tërhoqi listën e grupit që përfaqësonte. Komisioni Zgjedhor, mori në shqyrtim vetëm Listën e paraqitur nga Pandeli Cale, e cila përbëhej nga: Tefik Mborja, Loni Kristo, Pandeli Cale, Pandeli Evangjeli, Sejfi Vllamasi, Sotir Peci, Banush Hamdi, Eshref Frashëri, Tefik Panariti e Kristo Kirka. Sipas kësaj liste, grupi i përfaqësuar nga Koço Kota, kaloi në minorancë.
Për votusit korçarë kishin mbetur vetëm dy mundësira: -Ose të votonin kandidatët sipas listës qeveritare ( lista e paraqitur nga Pandeli Cale), – Ose nuk duhej të mernin pjesë në votim ( pasi Koço Kota e tërhoqi listën me kandidatët e grupit të tij). Në këto kushte, kur u panë haptazi edhe favorizimet e qeverisë për kandidatët e sajë të përfshirë në listën e Pandeli Cales, grupi i përfaqësuar nga dr.Koço Kota, më 10 shkurt 1921 dha orientimin që të krishterët shqiptar të mos mernin pjesë në zgjedhjet parlamentare. Sipas kësaj deklarate botuar në shtypin ditor “Gazet e Korçës” date 16 shkurt 1921, thuhet: “Si lajmërohemi, Shqiptarët e Krishterë të Qarkut t’onë, duke parë se Qeverimi i Shtetit Shqiptar, që kur se u njojt Shqipëria si shtet më vehte, nuk u largua kursesi nga mënyra e qeverimit të Turqisë, gjë që shkaktoj gjer më sot shum’herë rrëzike të jetës politike e kombëtare të Shtetit t’onë, dhe duke qënë të sigurtë se vazhdimi në këtë mënyrë qeverimi, ka për ti sjellë vdekjen Shtetit e Kombit t’onë, për të shpëtuar Atdheun e dashur nga rrëziqe të sigurta, vendosnë për mosmarje pjesë në votimet e pa-ligjshme, q’u krijuan prej Qeverisë, dhe ti shfaqim kësaj me anë të një permendoreje kërkimet e tyre të bazuara mbi themele të provuarë e të sigurtë për shpëtimin e vetëm shpëtimin t’Atdheut, përndryshe, duke u a lënë përgjegjësinë Qeverisë dhe elementit Muhamedan, Shqipëtarët e Krishterë do të heqin dorë fare dhe do mos marrin pjesë në organizimin e Shtetit. Si po lajmërohemi, përmendorja po i paraqitet Prefekturës në këto dy a tri ditë”.

Filed Under: Histori Tagged With: e Shqiperise, Harallamb Kota, Kongresi i Lushnjes, nis Hitoria moderne

E vërteta e Kongresit të Lushnjës

January 20, 2017 by dgreca

1 IzetNGA IZET SHEHU*/
Në tryezën ngjyrë dhelpre të Konferencës së Parisit më 1919-tën, po luhej një nga tragjeditë më absurde mbi shpinën e kombit tonë, nga më të vjetrit, më krenarët dhe nga më bujarët në Gadishullin e Ballkanit. Fuqitë e Mëdha u treguan kasapë të pamëshirë me kufijtë e Shqipërisë në vitin 1913-të. 2 Kongresi LushnjeQeveria e Turhan Pashë Përmetit u tregua e qulltë për të mbrojtur çështjen kombëtare. Në këto rrethana, Shqipëria kërcënohej nga dhëmbët prej ujku të fqinjëve shovenë. Këtë detyrë jashtëzakonisht të vështirë dhe kyçe e mori Komisioni Organizator i Mbledhjes Kombëtare, që përbëhej nga patriotë të kulluar me emër, si: Eshref Frashëri, Sheh Ibrahim Karbunara, Ferid Bej Vokopola e Nebi Sefa. Më 1 janar 1920 komisioni i drejtoi vendit thirrje për një mbledhje kombëtare. Pse u caktua pikërisht Lushnja për këtë eveniment historik mjaft të rëndësishëm?
E para, se ishte në qendër të Shqipërisë. Pra, faktori gjeografik. Në një letër që “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” më 7 janar 1920 i drejton komitetit thuhet se: “paria e Lushnjës tregoi në krahasim me vendet e tjera një kurajë civile më të madhe e prandaj duhet me i çue asaj një letër përgëzimi e mirënjohjeje”.
Pra, thamë, pozicioni kyç. Arsyeja e dytë: në këtë qytet kishte atdhetarë të vendosur.
Së treti: populli i kësaj treve ishte aktiv në Rilindjen Kombëtare. Në fillimet e shek. XIX, Abaz Bej Lushnja drejtoi “Besëlidhjen e Beratit”, apo pjesëmarrja aktive e banorëve të kësaj treve, etnikisht e pastër, shqiptare, në aktin historik të ngritjes së flamurit në Vlorë më 28 Nëntor 1912 me përfaqësuesit e saj: Nebi Sefa, Ferid Vokopola etj.
Së katërti: Lushnja është zonë tranzitore, ku përzihen gegë e toskë.
Duke pasur këto përparësi, patriotët lushnjarë u lidhën me personalitete kombëtare nga më të spikaturit e kohës.
Dua të theksoj në këtë trajtesë se, në dhjetor të vitit 1919-të në teqenë me emër të Ibrahim Sheh Karbunarës, u bënë disa takime pune për organizimin e këtij Kuvendi Kombëtar, ku ishte i pranishëm dhe konsulli anglez M. Iden, i cili përkrahu pa rezerva këtë ide kombëtare. Komitetin Organizator e kryesoi Sheh Karbunara. Rol në këtë komsion luajti Eshref Frashëri, i cili në këtë kohë punonte në Lushnjë. Duke qenë anëtar i komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” ai bashkëpunonte me atdhetarë me emër, si: Hoxha Kadria e Sali Nivica. Pra, siç e thashë që në fillim, kjo veprimtari me përmasa kombëtare synonte mbrojtjen e viseve shqiptare nga shovenë grekë e serbo-kroato-sllovenë.
Meqë s’kishte ndërtesë të përshtatshme, shtetërore, Komisioni caktoi shtëpinë e Fugëve, sepse plotësonte kushtet.
Në çastet kur jam duke hedhur në letër këtë trajtesë, kam ndër duar një dokument autentik arkivor për këtë Kongres, nga më themelorët e historisë sonë.
Dihet se 1913 na sakatoi pa mëshirë, na cungoi, na preu gjymtyrët. Edhe sot, jetojmë të shpërndarë në pesë shtete. Jemi unikalë për këtë fatkeqësi në mbarë planetin.
Ia bëmë vetes apo ramë në grackën e atyre që as na kanë dashur, as na duan dhe as kanë për të na dashur kurrë. Se ne i kemi tashmë të qartë miqtë dhe armiqtë tanë tradicionalë. Delfinët dhe peshkaqenët. I kemi të qartë. Po, atëherë, përse luajmë rolin e të paditurit? Përse? Përse në muzetë historike ende vegjetojnë mediokër e të molepsur? Të parët që duhen ballafaquar me dosjet e diktaturës duhet të jenë ata!
Po iu citoj disa rreshta nga procesverbali arkivor i ditës së parë të Kongresit të Lushnjës:
Çelja e I-rë e Mbledhjes Kombëtare
Lushnje, 21/01/1920
….Sot, ditë e Mërkurë 21/01/1920 ora 10 p. Drekë, tue qenë dita e caktueme për çeljen e Mbledhjes Kombëtare, me gjithë vonesën e letërthirrjeve nuk kanë arritur shumica e Delegatvet, delegatët e arrijtun u mblodhën më Sallën e Mbledhjes në shtëpi të Z. Kaso Fugës, e, pasi u bë një lutje prej të përndershmit Sheh Ibrahim Karbunarës, Zotnië Ferid Bej Vokopola, në emën të Komisjonit të Lushnjës, mbajti një ligjëratë për mirëseardhjen e Delegatvet. Shkëlqesia e Tij Z. Aqif Pasha Elbasani, ju përgjigj kësaj ligjerate me fjalë patriotike të flakta. Mbas kësajë ceremonie, komisjoni i përmendun u hoq e mbledhja filloj nga punët.
Përkohësisht u emnue si sekretar i Kuvendit Z. Ferid Vokopola. Për të këqyrun letërpërfaqësimet e Delegatve u zgjodh një komision i posaçëm prej (5) pesë vetash:
Irfan Bej Ohri, Qazim Kokoshi, Kostaq Kotta, Fasli Frashëri dhe Adem Peqini. Mbas kësaj zgjedhje u vendos që mbledhja t’i pushojë punët për derisa të mbrrijë shumica e Delegatvet”.
Morën pjesë në këtë Kongres gjithsej 37 delegatë. Delegatët e Shkodrës dhe të Lezhës s’mundën të mirrnin pjesë. Senatorët e këtyre Prefekturave u la të zgjidhen nga vetë Prefektura.
Mbas këtij vendimi Z. Xhaferr Ypi, delegati i Durrësit propozon “që me qenë se Lushnja mori iniciativën për këtë Kongres t’i jepet për nderim e drejta me u përfaqësue veçanërisht në Senat.
Delegati i Lushnjës i përndershmi Sheh Ibrahim Karbunara, tue iu falë Mbledhjes së Kombit, thotë se Lushnja nuk e bani për shëpagim, por e quajti për detyrë. Atëherë Z. Eshref Frashëri, delegat i Korçës, propozon t’i shkruhet popullit të Lushnjës një letër falnderimi prej anës së Mbledhjes Kombtare që t’i mbetet kujtim n’arkiv të katundaris së Lushnjës.
Delegate i Mallakastrës, Z. Bektash Cakrani, propozon në kabinetin qeveritar zotrinjtë: Sulejman Delvina, Iliaz Virjoni, Amet Zagolli, Sotir Peci, Ndoc Çoba, Mehmet Konica. Z. Iliaz Virjoni për shkaqe të veçanta nuk pranoi: u propozua Z. Hoxha Kadria, i cili u pranua.
Votimi u bë çeltazi (fjalë në dokumentin origjinal). U bë betimi i delegatëve dhe i Këshillit të Naltë.
U zgjodh kabineti:
Kryeministër Z. Sulejman Bej Delvina
Zëvendës Z. Eshref Bej Frashëri
Ministër i P. Mbrendshme Z. Ahmet Bej Zagolli
Ministër i P. të Jashtme Z. Mehmet Bej Konica
Ministër i Arsimit Z. Sotir Peci
Ministër i Drejtësisë Z. Hoxha Kadria
Zëvendës Z. Hysen Bej Virjoni
Ministër Finance Z. Ndoc Çoba
Zëvendës Z. Idhomen Kosturi
Kongresi u hap më 21/1/1920 dhe mbaroi punimet më 31/1/1920.
Duke paraqitur në këtë trajtesë disa çaste të marra nga burimi arkivor, autentik, dua të hedh dritë mbi ca të vërteta. Për falsifikatorë e retushues të këtij Kongresi dhe protagonistëve të tij të shquar do të merrem në një shkrim tjetër. Koha është si deti. Herët a vonë gjërat i nxjerr në breg. Herët a vonë.(Dielli arkiv-Janar 2010)
* Autori i ketij shkrimi, i ndjeri Izet Shehu, ishte mësues i Gjuhës dhe Letërsisë shqipe, ish deputet i Partisë Demokratike nga viti 1992-1996,ndërroi jetë me 25 Nëntor 2012 në Tiranë. I ndjeri është autor i librave:
• “Çiltërsi lirike”, përmbledhje poetike
• “Vjeshtë njerëzore”, përmbledhje poetike
• “Ëndrra trëndafilash në borë”, përmbledhje poetike
• “Brohorima e një dimri”, përmbledhje me tregime dhe novela
• “Troku i fatit të verbër”, përmbledhje poetike
• “Mjegulla e trishtimit”, përmbledhje me tregime
• “Fatkeqja e bukur”, novelë
• “Perëndimi në zabelin plak”, përmbledhje me tregime
• “Mbi qerpikë çlodhet agu”, përmbledhje me poezi
• “Drithërime muzgu”, përmbledhje poetike.
• Vetëm një grua-roman 2007
• Trikani, tregime dhe esse-2008
• Hija e Korbit të bardhë-Publicistikë dhe esse
• Kundër frymës mohuese- Publicistikë letrare 2010
• Bari mbi rrënoja- Poezi 2012
• Antologjia 10×10

Filed Under: Histori Tagged With: e Kongresit te Lushnjes, e verteta, Izet Shehu

« Le Matin”- Avni Rustemi-Ja pse e vrava Esat Pashën

January 20, 2017 by dgreca

Gazeta franceze « Le Matin », 1920 : Kur Avni Rustemi shpjegonte në gjyqin e tij arsyen e vrasjes së Esat Pashës/

1 salla e gjyq avniu

Foto: Burimi : Cour d’assises : meurtrier d’Essad Pacha, Avni Rustem : [photographie de presse] / © Agence Meurisse – gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France/

 Nga Aurenc Bebja*, Francë – 20 Janar 2017/3 avniu

2 esati

Më 13 qershor të 1920, në kryeqytetin francez, Esat Pasha po dilte nga hotel « Continental », i shoqëruar nga një mik dhe një mikeshë, për të shkuar në drejtim të automjetit të tij, i parkuar në rrugën « Castiglione ». Avni Rustemi, i cili po priste mbi trotuar, qëllon dy herë mbi të duke e lënë të vdekur në vend.Si rrjedhim, gazeta franceze, « Le Matin », ka botuar, në faqen e parë të saj, më datë 30 nëntor 1920, një artikull mbi proçesin gjyqësor të kësaj vrasje të bujshme. Ajo ka botuar shkëmbimet e ndryshme në sallën e gjyqit, ku bie veçanërisht në sy gjakftohtësia e Avni Rustemit.

Më 20 qershor 1920, Avni Rustemi shfaqet para Gjykatës së Krimeve të Rënda të « Seine-s ». Gazeta e përshkruan autorin 27 vjeçar, si të dobët fizikisht, që dukej sikur të ishte 20 vjeçar, me një pamje të mprehtë, i cili ishte i sigurtë kur shprehej, me një kokëfortësi që haset tek të gjithë vrasësit politikë. Dhe si ata, ai dinte të përdorte lehtësisht « klishetë ».

Në vijim, seanca gjyqësore e rrëfyer në gazetën franceze : « Seanca është udhëhequr nga kryetari i gjykatës, këshilltari Z. Drioux.

Avokati i Përgjithshëm Bloch – Laroque mbështet akuzën.

E veja e Esat Pashës përfaqësohet , si palë civile, nga avokatët Freyssanges et Lyon – Caen.Avokati De Monzie (Anatole) mbron të akuzuarin.Pas formaliteteve, fillon marrja në pyetje e Avni Rustemit.

I akuzuari, i lindur në një familje me prona përreth Janinës, është shkolluar në Konstandinopojë, Gjenevë dhe Romë. Ai i ishte destinuar mësimdhënies. Në vitin 1913, u bashkohet Shqiptarëve që luftonin kundra Greqisë me qëllim « lirimin e Epirit ».

 ***

  1. Drioux : Në atë moment të caktuar, ju nuk e njihnit Esat Pashën ?

Avni Rustemi : Oh, kanë folur shumë për të !

  1. Drioux : Po ju paralajmëroj se do të jem tepër i kujdesshëm në këtë terren. Unë pranoj se jam i paditur në çështjet e historisë dhe politikës shqiptare. Mbi këtë bazë, unë do të ju lejoj të thoni atë që ju dëshironi.

***

Rustemi përfiton nga leja për të afirmuar se në Shqipëri kishte vetëm një qeveri legjitime, ajo e cila luftoi Esat Pashën.

…Në maj të vitit 1920, partizani i ri kthehet në Shqipëri, ku takon « një zyrtar të lartë, i cili i shpjegon situatën » dhe kuptohet se është kundra « Esatiste ». Në vijim niset për në Paris. 

***

  1. Drioux : Çfarë burimesh financiare keni ?

Avni Rustemi : Pak më shumë se 6000 lireta.

  1. Drioux : Nga vijnë këto para ?

Avni Rustemi : Nga vëllai im.

Avokati i Rustemit, De Monzie : Kjo dëshmon se Rustemi nuk është vrasës me pagesë. 

***

Rustemi e përgjonte Esatin nga hoteli i rrugës « Saint – Hyacinthe », komshi me hotelin « Continental », ku jetonte Esati. Iu desht vetëm një « hap » për ta gjetur. Më 13 qershor u takua papritmas me pashain në trotuarin e rrugës « Castiglione » dhe aty ndodhi gjithçka.

***

Avni Rustemi : Kur pashë këtë njeri u turbullova dhe nuk u kontrollova dot.

  1. Drioux : Dhe pastaj, ju qëlluat ?

Avni Rustemi : Ishte një gjest ashtu si marrja e Bastijës !

  1. Drioux : Ju u bëni aluzion, pa i njohur mirë, disa fakteve të historisë sonë. Shumë të huaj shprehen kështu. Në një tekst të shkruar nga pala juaj mbrojtëse, miqtë tuaj e kanë krahasuar viktimën me Luigjin e XVI ! Ju paralajmërova se mund të thoni gjithçka në lidhje me politikën shqiptare. Ne, francezët, ne nuk mund të harrojmë se Esati ishte miku ynë, që u detyrua të largohej prej austriakëve, që ka punuar në shpëtimin e ushtrisë serbe, dhe për arsye të këtyre fakteve, ai u dekorua me Kryqin e Madh të Legjionit të Nderit.

Avokati i Rustemit, De Monzie : Franca ka besuar disa herë gabimisht.

***

Proçesi gjyqësor mbyllet me këto fjalë të akuzuarit :

Avni Rustemi : Unë nuk e kam paramenduar vrasjen. Unë kam qenë gjithmonë i shtyrë nga ndjenjat e pastra.

***

Nga ky moment, mbaron proçesi i Avni Rustemit dhe fillon i Esatit.

***

Dëshmitarët e parë, doktori Paul, eksperti i armëve Flobert, roja (gjuetari) Cavet që ndaloi vrasësin u dëgjuan me shpejtësi.

Avokati i Rustemit, De Monzie, me aftësinë e madhe për të mbrojtur klientin e tij, do të tërheqë vëmendjen e sallës në vijim.

***

Avokati i Rustemit, De Monzie : Një patriot shqiptar, si Rustemi, a ka pasur ndaj Esatit ankesa të bazuara (të mjaftueshme) për të eliminuar tiranin dhe tradhtarin ? 

***

Sipas gazetës, dhjetë dëshmitarë mbrojnë të vrarin.

Gjenerali Gouraud i ka shkruajtur Z. Drioux për të vërtetuar bujarinë e Esatit. Z. Edouard Julia e konsideron Esatin si një mik të Francës.  

***

  1. Julia : Figura e tij ushtarake ishte ajo e një heroi. Ishte ai që mundësoi dialogun me mbretin Konstandin. Personaliteti i tij politik nuk ishte më pak i shquar. Ai ka kontribuar shumë në fitoren e aleatëve. Pa atë, asnjë serb nuk do t’i kishte shpëtuar fatkeqësisë, asnjëri prej tyre nuk do të arrinte në Korfuz. Unë nuk jam këtu për të shkatërruar një njeri të ndriçuar nga pasioni i tij politik, por do t’i them të akuzuarit, se duke vrarë Esatin, ai ka sakrifikuar fatin e fundit për bashkim dhe pavarësi që i kishte mbetur shtetit të tij.

Avokati i Rustemit, De Monzie : Esati, a nuk e dorëzoj Shkodrën në 1913 armiqëve të shtetit të tij ? Dëshmitarë të tjerë do të vijnë të tregojnë. »

***

Ekspertë të tjerë kanë vazhduar të flasin në gjyq si për shembull gjenerali Sarrail, ish-shefi i byrosë së ushtrisë Orientale, Z. Ancel, apo Z. Auguste Gauvain, Z. Gaston Richard, koloneli Lamouche dhe konsulli francez në Selanik, Z. Graillet.

Të gjithë këta zotërinj nuk kanë rënë dakord me pohimet e njëri – tjetrit.Gjatë kësaj seance gjyqësore nuk është marrë një vendim i menjëhershëm për Avni Rustemin.

* Kortezi: Aurenc Bebja, Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania : www.darsiani.com

 

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja, Avni Rustemi, Esat Pasha, gjyqi

Histori Shqiptaro-amerikane: A do të bashkohet Olsi Rama me familjen?

January 19, 2017 by dgreca

1 Olsi gjate ndeshjesOlsi Rama, është një i ri shqiptar, shumë i talentuar që jeton në Elmwood Park të Ilinois-it dhe stërvitet për të arritur rezultate të kënaqshme në sportin e peshëngritjes. Historia e 18-vjeçarit Olsi, ka zënë faqet e një prej gazetave më të rëndësishme në SHBA si, “Chikagotribune” për arsyen e vetme se, prindërit e tij shqiptarë, bashkë me motrën janë dëbuar tashmë nga Shtetet Bashkuara të Amerikës, për shkak se ishin emigrantë të jashtëligjshëm, ndërsa Olsi duke qenë se ka lindur atje, është detyruar të jetojë i vetëm. “Prindërit e mi, tani jetojnë në një vend tjetër. Ata erdhën në Amerikë pa dokumente, bashkë me motrën time, kur nëna ishte shtatzënë me mua. Unë kam lindur këtu dhe kam shtetësi amerikane. Prindërit e mi u kthyen sërish në Shqipëri pas 10 vitesh qëndrim këtu” tregon Olsi. Duke treguar pasionin për mundjen, i riu thotë se, e ndan atë me vështirësitë e të jetuarit vetëm dhe pa mbështetjen e familjes. Ai pranon se takohet çdo verë me familjen e tij, prindërit Ferrick dhe Natasha Rama dhe motrën 20-vjeçare Lediana, por kaq nuk mjafton. Ajo që ata humbasin janë garat e tij të mundjes, ku Olsi premton shumë. Vetëm nga garat dimërore ai ka arritur të renditet i nënti në Ilinois, një rezultat shumë i mirë, sipas trajnerit të tij. Megjithatë, Olsi shprehet se nuk e di nëse në të ardhmen do vazhdojë t’i përkushtohet pasionit të tij për këtë sport, pasi dëshiron të ndjekë edhe studimet e larta për inxhinieri elektrike ose finance. Dëshira e tij më e madhe është që të rritet sa më shpejt dhe të mbushë 21 vjeç, atëherë kur ka të drejtë të kërkojë edhe bashkim familjar. “Sytë e prindërve të mi janë tek unë. Ata krijuan gjithë këto mundësi për mua dhe unë dua të bashkohem me ta”,- thotë djaloshi shqiptaro-amerikan, Olsi Rama.(SHK)

Filed Under: Histori Tagged With: a do te bashkohet, me familjen, Olsi Rama

Speciale-“Bujku” nisi para 26 viteve, çka shkruante në numrin e parë

January 18, 2017 by dgreca

1 BujkuFoto Gazeta Dielli – Behlul Jashari në Arkivin Shtetëror të Kosovës: Ballina e numrit të parë të gazetës së rezistencës në Kosovë “Bujku”, të 18 janarit 1991/

1 BehlulNë foto: Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova gjatë intervistës ekskluzive për gazetën Rilindja dhënë kryeredaktorit Behlul Jashari në fundvitin 2002: Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë

SPECIALE/ Kosovë-Gazeta “Bujku” nisi para 26 viteve, çka shkruante në numrin e parë?

-Gazetë e rezistencës, e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi dhe e bashkëpunimeve të para të medias Kosovë-Shqipëri, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 18 Janar 2017/ Gazeta e rezistencës në Kosovë “Bujku”, që nisi të dalë pikërisht para 26 viteve, në 18 janar 1991, duke nisur edhe bashkëpunimet e para të medias Prishtinë-Tiranë, në numrin e parë në ballinë theksonte “proceset demokratike në Shqipëri” mbi titullin “Zgjedhjet u shtynë për 31 mars”. Në ambientet e kësaj gazete para çerek shekulli u bë edhe zyra e parë e korrespondenturës së Agjencisë Telegrafike Shqiptare në Kosovë, prej nga me lidhje telexi, e vetmja e mundëshme atëherë nga Kosova në Shqipëri, nisa raportimet nga  dita e 24 majit 1992 e zgjedhjeve të para pluraliste, në rrethana të rënda të okupimit  e të mbylljes së dhunëshme edhe të mediave kosovare në gjuhën shqipe. Zyra e telexit në ambientet e gazetës “Bujku” në Pallatin Rilinda- zyrë e ATSH-së u bë edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë.

Në numrin e parë të gazetës “Bujku”, i cili u botua me tirazh të madh prej mëse 50 mijë ekzemplarësh, që e shfletoj sot, shkrime të tjera nga Shqipëria ishin për tre këngëtare të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, Irma Libohova, Morena Reka e Redina Tili, si dhe reportazhi “Tirana e trishtuar” marrë nga gazeta “Rilindja Demokratike” e Tiranës e 16 janarit 1991. Në faqet e mesme botohej edhe “Kalendari historik”, që  përkujtonte arritjen në qytetin e Lidhjes Shqiptare, në Prizren, në dhjetor të vitit 1880, të Abdyl Frashërit…

E shkrimet për Kosovën e okupuar nga regjimi ushtarako-policor i Beogradit ishin raportime për masa të dhunëshme, për dëbimin e shqiptarëve nga institucionat, nga puna, për shkatërrimin e sitemit arsimor në gjuhën shqipe, për dhunën edhe kundër kulturës shqiptare, për burgosjet e keqtrajtimet nëpër qytete e fshatra, për vrasjet e ushtarëve shqiptarë në armatën jugosllave, protestat e indinjatën e thellë…

E përditshmja “Bujku”, kryeredaktori i parë-themelues i së cilës isha, ishte gazetë e rezistencës, pjesë e lëvizjes e luftës gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik, të cilën e nxorën gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja, me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale.

Ishte 17 janari 1991. Për ridaljen një herë në javë të revistës “Bujku”, ku do botoheshin edhe lajme dite, kishin dalë disa ide e propozime, edhe për fizionomi, edhe për kryeredaktor, por jo ndonjë zgjedhje e pranim detyre dhe po përfundonte mbledhja në lokalet e gazetës tradicionale Rilindja, të përditshmes së vetme në gjuhën shqipe në Kosovë, e cila që nga 7 korriku i vitit 1990 ishte ndaluar e mbyllur me dhunë nga regjimi okupues i Beogradit.

Mora ushtrimin e detyrës së kryeredaktorit, kisha idenë dhe shkasin për ta nxjerrim “Bujkun”, jo si revistë, për si gazetë dhe të përditëshme “përkohësisht”.
Atë ditë kishte nisë lufta në Gjirin Persek… “Filloi lufta në Gjirin Persik”, është kryetitulli në ballinë, nën të cilin lajmi me titull “Për 24 orë – 1.300 fluturime luftarake” dhe deklarata “Xhorxh Bush: Tërheqje pas fitores”…  Edhe me këtë shkas, shkruajta “Fjalën e Redaksisë” me titull “Përsëri ‘Bujku’…”, për faqen e parë të gazetës, ku theksoja se del si “gazetë e përkohëshme…edhe për shkak të nevojës që edhe lexuesit shqiptarë në Kosovë, në mungesë të gazetës së përditëshme, të kenë informacione sa më të gjera e me kohë në gjuhën shqipe për ngjarjen që filloi të tronditë botën – fillimin e Luftës në Gjirin Persik. Për këtë shkak edhe me fizionomi e edhe me përmbajtje ky numër është i jashtëzakonshëm”.
Me përmbajtje të ngjashme, se nga e nesërmja do dalë një gazetë në terrin informativ të Kosovës shkruajta një letër për ta njoftuar Ambasadën e SHBA në Beograd, pasi kontaktova me Ambasadën e Shqipërisë dhe ua dërgova atyre me telefax që ta përcjellnin. Ajo letër sigurisht do të ketë gjetur mbështetje për ne, pasi edhe vazhdoi të dalë gazeta, në ballinën e së cilës Bujku shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen.

“Bujku” ishte një revistë e përdymuajëshme që trajtonte kryesisht tema nga bujqësia, e që nuk kishte dalë fare një kohë, dhe duke e marrë atë emër nisi gazeta e përditshme, e paregjistruar te autoritetet okupatore serbe.

Gazeta e përditshme “Bujku” doli deri në prag të 1999-tës, të një viti tjetër të ri të luftës që po zhvillohej në Kosovë, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.

Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të Rilindjes nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, gjithnjë në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme me emrin Rilindja në Prishtinë,  duke punar nëpër shtëpitë e tyre, dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova.

Ekipi i gazetës Rilindja hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup.
Ashtu siç kisha raportuar për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë dhe Radiotelevizionin Shqiptar një ditë më parë herët në mëngjes nga kolona e tankeve të para të forcës ushtarake më të madhe planetare, në faqen e parë të Rilindjes në kryetitull shkruhej: “Dje në orën 5.17 Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”. Në Kosovën e lirë me popullin u kthye edhe gazeta Rilindja, që nuk  u ndal edhe kur u ndalua… Gazeta “Bujku” sfidoi ndalimin…

Gazeta tradicionale e historike e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 72 vitesh, në 12 shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja shqipe prej plumbi që u sollën me arka nga Tirana…

“‘Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, e vlerësonte  gazetën e rezistencës Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në funddhjetorin 2002 në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës Rilindja, me ç’rast dha një intervistë ekskluzive, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale krijimit të mundësive dhe kushteve për rifillimin e botimit të gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë, të cilën administrata e UNMIK e kishte dëbuar kundërligjshëm e padrejtësisht nga Pallati Rilindja në 21 shkurt 2002.

Pas kësaj date gazeta Rilindja ka dalë me numra protestues të jashtëzakonshëm, të kohëpaskohshëm.

Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008 dhe për njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave protestues para mëse 8 viteve, në 30 dhjetor 2008, me numrin e festës së Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: “Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”.

Zgjidhja për Rilindjen, që ka statusin e ndërmarrjes shoqërore, pritet e kërkohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës,  pa u ndërlidhur me objektin e saj të shpronësuar,  që tash është ndërtesë qeveritare, është edhe shembulli i gazetave në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin.

Në arsyetimin e  kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse 70 viteve, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.

“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në 12 shkurt 2014.

Filed Under: Histori Tagged With: 26 vite me pare, Behlul Jashari, Bujku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 374
  • 375
  • 376
  • 377
  • 378
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT