• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëria do të bëhet…

November 3, 2017 by dgreca

Një tregim për mikun tim/

reshat foto

Nga Reshat KRIPA/E njoha shumë vite më parë në kondita të jashtëzakonshme.  Isha i burgosur në qelinë nën rampën e shkallës, që të çonte në katin e dytë të godinës së sigurimit. Fare pranë saj, nën shesh pushimin, ndodhej një qeli tjetër, që formonte me qelinë time germen L. Dritaret e vogla me hekura ndodheshin aq pranë njera tjetrës, sa nëpërmjet tyre mund të komunikoje ose shkëmbeje ndonjë send. Atë e prunë një natë vonë. Duhet të kishte kaluar mesi i natës. Dëgjova këmbët e gardianëve që zbrisnion shkallët dhe mendova se mos vinin për të më marrë mua. U ngrita ngadalë dhe pashë nga dritarja. Atë po e binin duke e hequr zvarrë. E kishin torturuar aq shumë, sa nuk mund të qëndronte dot në këmbë. E përplasën në qelinë ngjitur dhe u larguan nga kishin ardhur.

U afrova në dritare dhe i fola me zë të ulët që të mos më dëgjonte roja e brendëshmje që kishte kaluar nga qelitë e tjera:

– Hej, kush jeni? Nga vini?

Asnjë përgjigje. Nga qelia pranë vinte një rënkim i mbytur, por atë nuk e shikoja. E përsërita edhe një here pyetjen. Mbas pak pashë një fytyrë të gjakosur, që u ngrit me vështirësi  dhe duke u mbajtur mbas hekurave të dritares

– Ujë! – tha me gjysmë zëri.

Vështrova rreth e rrotull dhe kapa shtëmën e vogël që mbaja me ujë dhe u mundova t’ia jepja, por hekurat nuk e lejonin. Sytë më vajtën te këpucët e mia. Mora njerën, e mbusha me ujë dhe ia dhashë. E piu me një frymë. Ia mbusha përsëri dhe e piu po ashtu deri sa e mbaroi të gjithë shtëmën.

– Faleminderit, nuk do t’ju a harroj kurrë! – më tha.

Mbasi e mori pak veten më tregoi emrin e tij. Ishte një moshatari im, nxënës i vitit të parë të shkollës tregëtare. Biri i një ish tregëtari të njohur të qytetit. Ishin gjashtë veta në familje., dy prindërit, një motër dhe tre vëllezër. Motrat e tjera ishin të martuara. U kishin shtetëzuar gjithçka, fabrikën e vajit, dyqanin, ullinjtë dhe tani jetonin vetëm me rrogën e së motrës apo duke shitur herë mbas here plaçkat e vyera të shtëpisë. Një vit më parë i kishin dënuar edhe njërin nga vëllezërit.

Çfarë krimi kishte kryer që e kishin burgosur? Asgjë më tepër, por vetëm e vetëm se kishte guxuar të shkruante nëpër fleta fletoreje, vargje patriotike të marra nga poetë të ndryshëm, të cilat i ngjiste nëpër muret e qytetit, së bashku me dy shokë të tjerë të moshës së tij. Ja se çfarë shkruante në njerin prej tyre:

“ E dashura mëmëdhe,

   Të dua dhe kështu si je,

   Por kur të të shoh të lirë,

   Do të të dua më mirë! “

Kaluam së bashku në qelitë pranë njëra tjetrës për gjashtë muaj. Pastaj mua më dënuan dhe më hoqën prej andej. Mbas pak kohe u dënua edhe ai, por fati e solli që të endeshim nëpër burgje dhe kampe të  ndryshme,   por   asnjëherë  të  mos  takoheshim  së bashku.

U takuam mbas shumë vitesh. Ishte martuar, lindur fëmijë. Punonte si murator në sektorin  e investimeve të ndërmarrjes bujqësore “ Vlora “.

Viti 1990. Një erë e re lirie filloi të fryjë mbi vendin tonë. Sytë  e  mikut tim filluan  të

ndriçojnë   nga  shpresa  për  të  ardhshmen,.  U  angazhua  me  përkushtim  në Shoqatën e të Përndjekurve Politikë të vendit si antar i forumeve drejtuese të saj. Nuk u angazhua në asnjë prej forcave të reja politike të krijuara në atë kohë.

Ngjarjet e vitit 1997 e tronditën së tepërmi. U tërhoq nga të gjitha aktivitetet  dhe u mbyll brënda vetes së vetë. Vitet e fundit nuk e takova më. Më thanë se kishte shkuar për të banuar në fshatin e gruas së tij.

Vendosa të shkoj për ta takuar. Mora autobuzin e linjës dhe u nisa. Banonte në shtëpinë e vjehrit të tij. Kur u afrova te porta e shtëpisë dëgjova një zë që këndonte një këngë të vjetër. Trokita. Asnjë përgjigje. Trokita për së dyti dhe përsëri asnjë përgjigje. Atëhere hapa portën dhe hyra brënda. Bëra disa hapa dhe qëndrova pranë portës së hapur të njërës nga dhomat e shtëpisë. Aty pashë mikun tim të ulur pranë një tavoline me kokën të futur midis pëllëmbave të duarve të tij. Disa letra të shkruara ishin përhapur mbi tavolinë. Miku po këndonte me një zë të ulët:

“ Në kohën e pleqërisë,

              Më zunë hallet e rënda,

              Për shkakun e Shqipërisë,

              Që s’u bë si ma kish ënda! “

U kollita që ta zgjoja nga ëndrrat ku ishte zhytur.  U kthye, më pa me habi dhe u ngrit në këmbë. Për një çast mbetëm, të dy pa folur.

– A pranoni miq! – i fola më në fund.

– Miqtë e mirë në shtëpi të mirë, – u përgjigj duke më përqafuar me mall.

U ulëm dhe filluam të bisedojmë. Sejcili tregonte ngjarjet e veta. Folëm dhe qamë hallet ashtu si nuk i kishim qarë ndonjëherë. Për herë të parë aty mësova disa anë të karakterit të tij që nuk i kisha njohur më parë.

– Kur u lirova nga burgu, – filloi të tregonte miku për veten e tij, – kërkova të vazhdoj shkollën e mesme. Ishte një dëshirë e madhe e imja. Pas shumë pengesash më në fund më lejuan. Por gjatë katër viteve të shkollës ndieja mbas vetes diskriminimin që më bëhej nga një pjesë e mësuesve apo edhe deri nga nxënësit e klasës.  Vendosa që kësaj t’i kundërvihesha  me rezultate të larta. E mbarova shkollën shkëlqyeshëm.

U ngrit hapi një sirtar dhe nxorri prej andej dëftesën e pjekurisë që e ruante me kujdes të madh. Ma tregoi pa më thënë asnjë fjalë. Kur e hapa një drithtërimë më përshkoi të gjithë trupin. Dëftesa fliste vetë. Pranë çdo lënde ishte shënuar nota “ 10 “ dhe pranë saj shënimi  “ shumë mirë “.

– Po pastaj? E pyeta pa e ditur edhe vetë përse.

– Pastaj? Asgjë. Isha i vetmi i klasës që nuk m’u dha e drejta e studimit për shkollën e lartë. Megjithatë një gjë të tillë e prisja.

Mbasi qëndroi një cope herë pa folur vazhdoi:

– E paharruar do mbetet për mua mbrëmja e maturës. Meqënëse  ne,  maturantët  e shkollës së mbrëmjes, ishim pak, këtë e zhvilluam së bashku me ata të ditës. Kur mbrëmja arriti kulmin e saj, siç ishte zakon në raste të  tilla,  filloi  ndarja  e  fletëve  të  nderit.  Emri  im  nuk u dëgjua. Nxënësit filluan të pëshpërisin me  zë  të  ulët.  Të  gjithë  i  dinin  rezultatet  e  mia.  Unë qëndroja i heshtur në qoshkun ku ndodhesha. Atëhere drejtori i shkollës për të përmbysr këtë gjendje, ndërhyri  me  shpejtësi  dhe  propozoi që,  sipas dëshirës, të recitohej ndonjë  poezi,  të  tregohej  ndonjë  anekdote, a po  gjëra  të  tjera  të  këtij  lloji. Për  të  dhënë

shembullin e filloi vetë me një të tillë. Pastaj vazhduan dhe të tjerë. Gjëndja ndryshoi.

Papritmas më lindi idea se duhej të bëja diçka., duhej t’i kundërvihesha këtij diskriminimi.  U ngrita dhe thashë se do recitoja diçka. Nuk foli asnjeri. Fillova të recitojë poezinë “ Ultima Verba “ të Viktor Hygoit, strofën e fundit të së cilës e kisha përdorur dikur  në traktet e mia:

“ Njëmijë po të mbeten, do mbetem edhe vetë,

               Edhe njëqind të bëhen, nuk tundem jo q’aty,

               I dhjeti do të jem, po qe se mbeten dhjetë,

               E në mbet vetëm një, unë do jem ay! “

Një veprim i tillë nuk e di se si më shpëtoi nga një burgim i dytë. Ndoshta fati im.

U ngrit, hapi një dollap, nxorri dy gota dhe një shishe raki dhe mbasi i mbushi m’u drejtua:

– Gëzuar, le të pimë për këtë takim!

– Për miqësinë tone! – u përgjigja unë.

Biseduam gjatë. I tregova për jetën time. Folëm për shoqatën tonë, për partitë politike, për Shqipërinë.

– Kur hyra dëgjova që po këndoje një këngë të vjetër, – i thashë.

– Jetuam një gjysmë shekulli në skëterrë dhe kur shkrepi dita e lirisë, menduam se më në fund ajo do të na jepte edhe neve atë dritë që na kishte munguar. Por u zhgënjyem. Me lirinë u spekullua. Ajo u bë pronë e varrmihësve të saj. Ata u bënë papritur ithtarët e saj, kurse ne mbetëm në hije. Lirinë duhet ta administrosh mirë, përndryshe mund ta humbësh në çdo çast. Kështu e pësuam edhe neve.

Më 20 shkurt 1991 rrëzuam monumentin e diktatorit. Atëhere menduam se bashkë me të rrëzuam edhe përbindëshin që na kishte shtypur për gati një gjysëm shekulli. Por koha tregoi se kishim rrëzuar vetëm bronxin e atij monumenti,  ndërsa shpirtin e zi të tiranit e kishim lënë të lirë të endej nëpër vendin tonë, për të komplotuar dhe përgatitur  katastrofën e madhe kombëtare të vitit 1997. Ndaj më pëlqen shumë ajo këngë e vjetër të cilën e këndoj shpesh herë me veten time.

Më vjen shumë keq, por në këtë valle u futën edhe disa nga njerëzit tanë. Me siguri ata i kishin mbetur borxh diktaturës dhe tani po ia kthenin atë.  Edhe njëherë liria pushoi së ekzistuari. Edhe njëherë filloi të shtypet mendimi i lire. Edhe njëherë filloi të sundojë shtypja dhe diskriminimi. U rikthyen përsëri vitet e para të mes shekullit të kaluar. I vetmi ndryshim ishte se  ndërsa atëhere flitej me gjuhën e mbrojtjes së fitoreve socialiste, sot flitet me gjuhën e pseudodemokracisë që sundon vendin. Dhe kjo është shumë më e rrezikshme. Sot në Shqipëri mungon nocioni i ligjit dhe ku nuk  ka  ligj,  nuk mund të ketë as shtet.

Miku heshti përsëri. Kthyem gotat e rakisë. Pinim dhe vazhdonim bisedën tonë, e cila sa vinte dhe bëhej më interesante.

– Sot Shqipërinë e sundon dora e zezë. Eshtë po ajo dorë që masakroi mijra qytetarë shqiptarë, që shkatërroi çdo gjë të mirë që kishte ky komb. Hidhe vështrimin nëpër Shqipëri. Rinia po fluturon nga sytë këmbët, për të siguruar një jetë më të mirë, por që shpesh herë gjen vdekjen. Ata që qëndrojnë këtu janë të uritur dhe nuk gjejnë mjet për të shpëtuar nga kjo gjendje. Korrupsioni po futet në çdo qelizë të jetës. Po  kryhen   vrasje nga më mafiozet. Trafikimi i njerëzve dhe drogës, si dhe prostitucioni janë  në  rend  të  ditës.  Kjo  dorë  e  zezë duhet prerë.

– E si mund të arrihet kjo simbas teje? –  e ngacmova unë.

– Natyrisht jo ashtu si ëndërronte shoferi  furgonit të mishit në “ Dimrin e Madh “ të Kadaresë. Më vjen keq që shkrimtari i madh nuk arriti të kuptojë karakterin tonë. E ç’është për ne hakmarrja e vogël kundër spiunëve pa moral, hetuesve të pashpirt apo gjykatësve kukull, karshi përçmimit të madh të kombit kundër sistemit të urryer që e shpërfytyroi nëpërmjet krijimit të të ashtuquajturit njeri të ri socialist?

Heshti sa për të marrë pak frymë, pastaj vazhdoi:

– Kur u emërua komandant i forcave aleate në Gjermani, gjenerali Ajzenhauer i vuri si detyrë të parë vetes denazifikimin e Gjermanisë. Kurse ne nuk e bëmë dekomunistifikimin e Shqipërisë. Për këtë mungonte dëshira sepse njerëz të ndershëm për këtë ka plot. Por ata janë lënë në hije. Vendin e tyre e kanë zënë ata që në vitin 1992 fshiheshin si struci, ndërsa sot kanë veshur petkun luksoz të demokratit.

– Pendë  këndezi kunadhja vënë, – e ndërpreva unë  duke

cituar  vargjet  e  fabulës  së famshme.

– Pikërisht ashtu. Para pak kohe gjatë një ndeshje futbolli në stadiumin e Romës u çfaqën disa parrulla naziste. Kjo mjaftoi që të ngrinte në këmbë opinionin publik dhe bashkë me të edhe qeverinë italiane. Kurse te ne vazhdon të hymnizohet diktatura nëpërmjet gazetave dhe televizioneve, nëpërmjet shkollave dhe konferencave. Në rradhë të parë të kësaj fushate janë vetë pushtetarët.

Padashur vura buzën në gaz. Ai e vuri re, më pa me vëmendje dhe vazhdoi:

– Ata nuk kanë kurajon të pranojnë se ishin dritshkurtër, kur besonin verbërisht në komunizmin e dështuar që në lindjen e tij. Ata nuk kanë kurajon të pranojnë të vërtetën edhe atëhere  kur janë të bindur për ekzistencën e saj. Ata janë gati të pranojnë çdo lloj flirti, vetëm e vetëm të mos u preken interesat e tyre të ngushta.

– Po e vërteta? – e pyeta unë.

– Ajo do të dalë kur të vendoset demokracia e vërtetë. Kur të shkrijë dëbora do të zbulohen si lulet edhe plehrat. Kështu është edhe demokracia. Ajo shpërndan mjegullën, ndan të vërtetën nga gënjeshtra, tradhëtinë nga patriotizmi. Ajo ndëshkon fajtorët.

– Çfarë po shkruan ? – e pyeta mikun duke dashur të ndërrojë temën e bisedimeve.

– Jetën time dhe të miqve të mi. Shtrydh kujtesën dhe nxjerr ngjarjet më të rëndësishme që më kanë ndodhur mua, apo m’i kanë treguar miqtë e mi. Janë ngjarje që nuk duhen harruar. Janë një dhuratë për brezat e ardhshëm.  Eshtë detyra e jonë t’i shkruajmë, për t’iu a kaluar atyre. Nuk janë kushedi se çfarë, por mendoj se duhen treguar. Por më parë lejomë të të tregoj një ngjarje që më ka ndodhur shumë vjet më parë.

Përplasëm përsëri gotat e rakisë duke uruar njeri tjetrin, pastaj miku vazhdoi:

– Vazhdoja vitin e parë të shkollës së mesme të mbrëmjes. Mësues Milo Duni, mësues i nderuar i letërsisë që, mbas disa vitesh, do provonte edhe ai burgun, po shpërndante fletoret e hartimit. Ishte një temë e lirë mbi fillimin e vitit të ri shkollor. Për habinë time vura re se në fletoren time nuk kishte vënë notë. Në vend të saj ishte shkruar me laps blu:

– Gjuhë dhe stil i sigurtë. Vazhdo të shkruash tregime.

Ndërsa më poshtë vazhdonte të shkruante me laps të kuq të vendosur në thonjëza

“ Po  të kesh kohë të lirë! “

Më bëri përshtypje ky detaj. Isha relativisht i ri, pa preokupime të mëdha familjare dhe si rrjedhojë kisha plot kohë të lirë. Ç’donte të thoshte mësuesi me fjalët në thonjëza, shkruar me laps të kuq?

Megjithatë ndoqa këshillën e tij. Shkrova një tregim ku  personazhi  kryesor  ishte  një

fëmijë jetim, prindërit e të cilit ishin vrarë gjatë një bombardimi në kohën e luftës. E dërgova për botim në gazetën “ Letrari i ri “ që botohej në atë kohë. Mbas disa ditësh mora një përgjigje lakonike ku thuhej se shkrimi im nuk mund të botohej  mbasi i mungonin disa kërkesa të kohës.

Atëhere e kuptova se ç’donte të thoshte mësuesi me fjalët në thonjëza  E kuptova se për shkrimet e mia do të qëndronte e ndezur drita e kuqe që do ndalonte botimin e tyre. Kështu që nuk shkrova më. Ndoshta bëra gabim. Mund të kisha shkruar dhe t’i ruaja në shtëpi pa i botuar. Por kështu e mendova.

Solla një shembull fare të rëndomtë ku sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Për t’ia arritur kësaj ai kishte shpikur një formulë po aq totalitare të artit, për t’iu kundërvënë mendimit të lirë, formulën e realizmit socialist, një formulë absurde që ndrydhi talentet e mëdha dhe që krijoi vepra standarte që në me të shumtën e rasteve nuk kishin asnjë vlerë.

Ktheu goten e rakisë dhe e piu të gjithën. Unë e vështroja me vëmendje. Nuk kisha dëshirë të flisja, por rrija dhe dëgjoja atë me një endje të madhe.

– Diktatura përdori të gjitha mjetet për mbytjen e çdo shkëndije të lirisë. Ajo i shpalli luftë inteligjencës së trashëguar nga e kaluara e vendit, duke e eliminuar atë plotësisht. Nuk janë të rralla rastet kur shkencëtari, fillozofi, shkrimtari, gazetari apo artisti dërgoheshin para togave të ekzekutimit. Të tjerë do provonin për vite me rradhë qelitë e errëta të burgjeve, denigrimet e kampeve të internimit, nga ku një pjesë e mirë prej tyre nuk do të ktheheshin më kurrë.

Por talentet e mëdha i rezistuan çuditërisht shtrëngimeve abstrakte në format nga më të ndryshmet. Ata më stoikët pranuan më mirë plumbat apo prangat e hekurta në vend të nënshtrimit apo lirisë së përdhunuar.  Të tjerë heshtën dhe nuk shkruan më. Një pjesë e tretë nuk bënë kurrë art të imponuar, duke marrë me vete edhe pasojat. Arti i tyre kishte të koncentruar brënda vetes një kod të brëndshëm demokratik të lirisë dhe bukurisë njerëzore. Një kategori tjetër zgjodhi një rrugë  më të maskuar dhe më pak të rrezikshme. Brënda veprave të tyre që, natyrisht nuk mund të dilnin jashtë suazës në të cilën jetonin, nëpërmjet alegorizimeve apo formave të tjera indirekte, jepnin mesazhe të qarta të domosdoshmërisë së mendimit të lirë.

Veprat e këtyre talenteve patën meritën se mbajtën  gjallë  ndërgjegjen  kombëtare të vendit, qoftë edhe si ushqim i ëndrrave më intime të individit, se një ditë ato do të bëheshin realitet.  Ato frymëzonin dashurinë për kombin, që në atë varfëri shpirtërore ku e kishte katandisur sistemi, shqiptarët të gjenin veten duke pasuruar shpirtin me ndjenjën e së bukurës, urtësisë, dijes dhe mendimit të lirë.

Miku im vazhdonte të fliste e të fliste me një pasion të madh dhe unë rrija dhe e dëgjoja.

– Por çudia më e madhe më ndodhi në Marsin e vitit 1991. Ishin krijuar partitë e para opozitare. Kishin filluar të dilnin gazetat e para të djathta.  Mendova se kishte ardhur koha e ime. Bëra një shkrim ku flitej për televizionin shqiptar dhe problemin e refugjatëve. E dërgova për botim në njerën prej tyre. Mbas një fare kohe mora përgjigjen e mëposhtme nga kryeredaktori i saj:

“ Ju faleminderit për bashkëpunimin tuaj! Nuk mund ta botojmë për dy arsye.  E para ne nuk polemizojmë me televizionin shqiptar dhe e dyta ngjarja kryesore që përballoni në shkrimin tuaj, ajo e refugjatëve, është trajtuar te ne dhe tani mendojmë të trajtojmë probleme të tjera. “

U habita pa masë. Polemizimi i gazetës me televizionin vazhdoi edhe për një kohë të gjatë, ndërsa problemi i refugjatëve, vazhdon të trajtohet edhe në ditët tona. Siç e shihni ishte një përgjegje e ngjashme me atë të shumë viteve më parë.

Megjithatë kësaj here nuk hoqa dorë. Shkruaja dhe i botoja në gazeta të ndryshme që tani ishin shumuar, sidomos në gazetën “ Liria “.

Këto tregime i kam shkruar edhe për fëmijtë e mi. Dua që ata ta njohin më mirë periudhën në të cilën ka jetuar babai i tyre dhe të mos gabojnë aty ku unë mund të kem gabuar. Vajzat i kam shumë larg, në Amerikë, ndërsa djali punon në Tiranë. Jeton atje me gruan dhe vajzën. Nguli këmbë që të na mbante edhe ne atje, por unë e kundërshtova. Më ishte mërzitur jeta  pa kuptim e qyteteve tona, zhurma e saj e madhe politike. Tani jetoj i qetë këtu, larg gazetave që nuk vinë kurrë, bile edhe lajmet i dëgjoj fare pak në televizor. Kështu shijoj këtë ajër të pastër dhe dëgjoj këtë këngë bilbilash, ku frymëzimi të vjen vetë. Gruaja ka shkuar për të parë vajzat dhe kthehet mbas dy javësh.

Vura re se ishte i kënaqur me këtë lloj jete. Kishte gjetur qetësinë shpirtërore. Në atë kohë ra zilja e celularit.që mbante me vete. Ishin vajzat. I qeshi fytyra dhe filloi të bisedojë me to me gjallëri.

– Vajzat, – më tha kur mbaroi bisedën. – marrin çdo dy javë. Dje mori edhe djali. Ai merr më shpesh. Ka merak për mua.

U ngrit, hapi një sirtar dhe nxorri prej andej një sërë shkresash të shkruara me makinë shkrimi.

– Janë krijimtaria ime, fjalime, kumtesa, tregime e të tjera të shkruara nga unë.

I mora dhe fillova të lexoj titujt e tyre. Pastaj iu drejtova atij:

– A mund t’i lexoj?

– Po, patjetër, – u përgjegj ai.

Atëhere u hoqa mënjanë dhe fillova të lexoj shkrimet e mikut tim.

Ora ra dymbëdhjetë. Kishte ardhur mesnata. Ndërkaq miku kishte përgatitur darkën. Vazhduam bisedën tonë deri afër mëngjesit.

– Përse nuk i boton? – i thashë

Nguroi të më përgjigjej. E pashë që nuk vendoste dot. Shkëputja nga jeta e përditëshme e kishte bërë të pavendosur.

– A t’i marrë unë për t’i botuar?

Nuk më ktheu përgjigje. Unë këmbëngula deri sa më në fund e bëra të pranonte.

Isha njohur me të shumë vite më parë, por vetëm sot po njihja karakterin e tij të lartë, shpirtin e tij të zjarrtë, mendjen e tij të hollë, mendimet e tij të thella. Vrisja mendjen se ç’mund të ishte bërë ky njeri po të mos e pengonte koha. Herë e përfytyroja si shkrimtar, herë si mjek, herë si psikolog dhe herë si financier, dhe kisha bindjen që në sejcilën degë që të kishte ndjekur ai do të shkëlqente. Mjafton t’i hapej rruga, t’i jepej dora që i mungoi. Por atë e rrëzoi burgu, e vrau diktatura. Edhe pas ndryshimeve nuk u kujtua njeri për ta ngritur, për t’i gjetur vendin që i takonte. Pas kaq vitesh diskriminimi ai kishte nevojë për këtë përkrahje. E krahasoja mikun tim me disa pseudo-intelektualë me tituj të fituar me tema absurde si ‘’ Lufta e klasave ‘’ dhe ‘’Kolektivizimi i bujqësise’’  e të tjera dokra si këto dhe më dukeshin fare të vegjël para tij. Megjithatë ata vazhdojnë t’i ruajnë edhe sot këta tituj dhe të drejtojnë shtetin, ndërsa miku im vazhdon të jetojë në fshat i vetmuar.

Çdo të bëjë shteti për të dhe për qindra të tjerë si ai? Ata kanë nevojë për drejtësi, për barazi, për integrim të plotë ekonomik dhe politik në jetën e vendit. Është detyra e shtetit t’i kthejë sytë nga ata. Përndryshe mjerë Shqipëria!

Të nesërmen u ndamë nga njëri-tjetri. Donte të më përcillte, por unë nuk e lashë.    U largova duke shkuar në mendje gjithë atë natë të kaluar me të, ndërsa ai u ul përsëri në tavolinën e punës duke vazhduar këngën që ia kisha ndërprerë unë:                                         

                            ‘’ Shqipëria do të bëhet,

                                Po vallë do ta gëzoj unë??? ‘’

 Tiranë,  më  14   dhjetor   2003

Filed Under: Histori Tagged With: Nje tregim, per mikun tim, reshat kripa

“Skënderbeu” poema e Grigor Perlicev e vitit 1861

November 1, 2017 by dgreca

Picture1

Nga Gëzim Llojdia/

Në 500 vjetorin  e vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti ,gazeta “Ðrita” gazetë  letrare e  asaj kohe,  në vitin 1967 sjell për botim një fragment  poemë të shkruar nga poeti bullgar  Grigor Perlicev e cila i kushtohej Skënderbeut shkruar në vitin  (1861),e  përkthyer  në gjuhën  shqipe  nga  Spiro Comora. Ngjarjet zhvillohen  në një kamp pushtues, pra aty na paraqitet tabloja e   kampit turk gjatë  natës, përpara luftës, dhe fillimin e ndeshjes me Ballaban Pashën, të nesërmen. Poema e cila është shkruar në shekullin e 19-të. Ky është njoftimi që jep gazeta  letrare:Drita”..Një autor  tjeter shkruan :Kjo e frymëzoi të shkruajë greqisht “Skënderbeu” (1861), që mbeti dorëshkrim. Aty i këndon heroizmit të luftëtarëve shqiptarë dhe prijësit të tyre, Skënderbeu, i cili jepet edhe si mbrojtësi i popujve të tjerë të Europës.Poema Përliçevit është e frymëzuar nga vepra e Barletit.

Kush ishte  autori  Grigor Stavrev Parlichev/

Grigor Stavrev Parlichev ishte shkrimtar dhe përkthyes bullgar. Ai lindi më 18 janar 1830 në Ohër, Perandorinë Osmane dhe vdiq në të njëjtin qytet të 25 janarit 1893.

Parlichev studioi në një shkollë greke në Maqedoni. Në vitet 1850 ai punoi si mësues grek në qytetet Tiranë, Prilep dhe Ohër. Në vitin 1858 Parlichev filloi të studionte mjekësinë në Athinë, por u transferua në Fakultetin e Gjuhësisë në 1860. Po atë vit Parlichev mori pjesë në garën vjetore poetike në Athinë duke fituar çmimin e parë për poezinë e tij, në bullgarisht “The Serdar “), shkruar në greqisht. I respektuar si “Homeri i dytë”, iu dha bursa universiteteve në Oksford dhe Berlin. Në atë kohë ai pretendonte të ishte grek, por opinioni publik në Athinë theksonte origjinën e tij jo-greke. Parlichev i pakënaqur nuk pranoi bursat e ofruara dhe u kthye në Ohër në vitin e ardhshëm. Shtëpia e Grigor Prličevit në Ohër, Maqedoni.Në 1862, Parlichev u bashkua me luftën për kishën dhe shkollat e pavarura bullgare, edhe pse vazhdoi të mësonte greqishten. Pasi kaloi disa kohë në Konstandinopojë në vitin 1868 duke u njohur me letërsinë sllave të Kishës, ai u kthye në Ohër, ku mbështeste zëvendësimin e greqishtes me bullgarët në shkollat dhe kishat e qytetit. Po atë vit Parlichev u arrestua dhe kaloi disa muaj në një burg osman pasi u dërgua një ankesë nga peshkopi grek i Ohrit. Në atë kohë filloi të studionte gjuhën bullgare, ose, siç e quante vetë, gjuhën sllave Nga kjo kohë deri në vdekjen e tij, Parlichev vazhdoi të shkruante vetëm në bullgarisht.

Nga 1869 Parlichev mësoi bullgarisht në disa qytete në mbarë Perandorinë Osmane, duke përfshirë Strugën, Gabrovo, Manastir, Ohër dhe Selanik. Ai filloi krijimin e shkollës së mesme bullgare të Selanikut. Në 1870, Parlichev përktheu poezinë e tij “The Serdar” në bullgarisht  në një përpjekje për të popullarizuar veprat e tij të mëparshme, të cilat u shkruan në greqisht, në mesin e audiencës bullgare. Ai gjithashtu shkroi një poemë tjetër “Skënderbeu”. Parlichev ishte përkthyesi i parë bullgar i Iliadit të Homerit më 1871, ndonëse kritikët ishin shumë kritikë ndaj gjuhës së tij. Parlichev përdori një përzierje specifike të sllaveve të Kishës dhe dialektit të tij të shenjtë të Ohrit, krejtësisht të ndryshëm nga ajo bullgare, që ishte në proces të standardizimit në bazë të dialekteve të saj lindore.  Prandaj ai konsiderohet gjithashtu si një figurë themelore e literaturës së gjuhës së mëvonshme të standardizuar të Maqedonisë. Ai botoi edhe një numër artikujsh të gazetave dhe një autobiografi

***

Fragment poeme

Dhe turqit vigjellonin neper çadra.

Pasi mbaroi roj’ e par’ e natës, kur gjumë’ i ëmbël bie mbi qepalla,

filluan t’u faniteshin atyre ca shenja ogurzeza te përbindshme.

Tufan, shtrëngate t egër, ulërinte; buçima shungullonjese tërmetesh te nëndheshme papushim shpërthenin; ndenë themel te dheut qarte ndiheshin valët e largme fort t’Adriatikut qe bulurinin rende;

lehje qensh e krrokellitje vajtimtare bufesh neper fushim t’ushtrise oshtinin;

hëna, e gjakte, u pa mes resh te egra duke lëshuar drite te llahtarshme;

për gjithë natën vetëtinte zoti, sepse ai te nesërmen do niste ne boten tjetër mijra shpirtra burrash fisnike, kryetrima.

Frik e madhe u ngriu gjakun gjithë Otomaneve, askush prej tyre s’pat guxim te bënte pak gjumë’ t’ëmbël, para se t’i lutej Allahut, zemërdredhur, gjunjethyer.

I qeshur, lajmëtari i një dite gazmore e te kthjellet hapi derën e Lindjes n’hapësirë, dhe loja gishtrendafil kaloi me qerre t’ rte, shpërndau errësirën edhe maleve mijëvjeçare u praroi majat; dhe ngiste e ngiste kuajt frere-arle, sikur shpejtonte ajo për te mbikqyrur ndeshjen e madhe tmerr të  asaj dite…

Heroi Skënderbe dolli nga dhoma si Marsi   vet’   i   vrullshëm,   zbriti

Shkallet dhe gjeti ne kuvend mjaft kryezoter, qe prisnin t’armatosur sa te vinte.

U foli «ju uroj dite te mbarë», edhe ata iu gjegjen ngjatjetimit «jete te gjatë’ e fat zoti të falte».

«Kjo dite, shtoi Topia, do te jete për ne e bardhe, për armiqtë’ e zezë.

Gjëmim të  madh dëgjova prej se larti, dhe qielli është ‘ i kthjellet, nuk shoh re.

Ogur si ky u pa edhe një here kur ishte ndezur lufta me Aline qe printe nje hordhi prej dyzetmijë barbarësh;

ne i therem si bagëti dhe toka e Shqipërisë u mbulua me trupat e te vdekurve;

u kalben kufomat, edhe orrlat qe nga Ganxhi u nisen fluturim, sepse nuhaten kërmat e mjera.

Gjer n’Adriatik mahniteshin detaret duke ndjere’ se largu kundërmimin, kur fryn era e lindjes e rrëmbyer.

Nuk shpëtoi asnjë nga ata  dyzetmijë shpirt.

Sulllan Muratit gjëmën t’i rrëfente, dhe gjet gjithë vdekjen e patretur».

Dhe Skenderbe fatosi iu përgjigj:

«Topi, kjo lufte s’është si te tjerat, por shume me e rreptë’ e përgjakshme, se prijesat e Turqve kane mend aq’e sa s’pat asnjë nga sa i nisi Sulltani Krujës;

as pusit’ as dredhat s’na hyjnë me ne pune, vetëm zemra e ndezur, trimërove, dhe qëndresa».

Ja hypi atëherë Skënderbeu kalit krifezi, e pas atij te gjithë kryezoterit, dhe shkuan kaluar neper rreshtat e ushtrisë; u hodhi një   vështrim te   mprehte mbreti,

pa flaken e trimnis qe kishte ndezur fytyrat e ushtareve, e tha:

«Nurin hyjnor shoh ne fytyrat tuaja dhe përmbi kryet tuaja fitoren qe fluturon: Sikush nga ju njëqind barbare si këta mund te përmbysë!

Dyfishi juaj janë, miq, barbaret, po për fitoren ju jini shumice, mjaftojnë edhe pak… Tani, o burra!»

Vikati ushtria nga kushtrimi dhe shkoi pas atij duke kënduar një këngë luftarake, e u sulen, rreshtuar, këmbësore e kalores’, përmes derës se tunxhte dhe buçiti kushtrimi ne deri  pa fund e ane.

Burrat, qe nga kështjella, iu përgjigjen me thirrje zemerndezese vëllezërve për lufte dhe ata te dëshiruarit .

Poterja e vikamave iu ngriu gjymtyrët  Sarakeneve,  por vete i madhi Ballaban u jepte zemër dhe trim Jakupi, bir i Xheladinit, kaluar duke rendur lart e poshtë. I pari qe u sul jashtë hordhisë ishte Jakupi, hero i Otomaneve, kalores mbi një ati madh persan, Fatosin duke share gojëndyre:«Pa dil o qen bir qeni, i felliqur, te matim forcat tona trup me trup!Sot, ose njeri nesh, ose te dy, s’do shohë dritën  më, në   terr  do zbresë!»

Gjakftohte, Skënderbe iu përgjigj sharjeve te Jakupit duke ngarë Shahinin krifezi edhe u sos përpara tij fatosi Skenderbe, shpatën e tij -te frikshme, te pathyeshme,vepër  e   hershme  mjeshtri – duke mbajtur ne dore fort dhe ngritën shpatat lart, kundruall njeri tjetrit, syperflakur .Turma u kishte ngulur syte, e mekur, dhe nga gdo, ane u ndie menjëherë një murmuritje e gjate.

Atëherë fatosi Skënderbe mendoi: valle duhej ta zgjaste shume dyluftimin, apo t’i binte shkurt qe me goditjen e pare e ta shuante djaloshin.

Pa humbur kohë’ ai mori vendim ta shuante djaloshin menjëherë, se ora e betejës po afronte dhe duhej t’u rrëfente Otomaneve c’fuqi kishte ne duar.

Me tërbim i pari u versul Jakup zemraku dhe shpatën majëmprehtë zgjate tutje drejt kokës se kreshnikut Skënderbe, i cili iu shmang plagës, ngriti shpatën, ja theku mu ne ije dhe e ndau me dysh; dhe trupi u shemb si nje

trung peme, edhe fytyra e nurshme u trazua me pluhurin, ndërsa dora e mëngjër frerin e kalit mbante…

Ati u ndal dhe hingëllinte, i qete, duke mbajtur ne sup copat e gjakta te te zotit, këmbët e rropullite: një kalores i mjere..

Dhe gjëmoi Skënderbeu: «Eni pas meje, bij te Shqipërisë.’»

 

Filed Under: Histori Tagged With: “Skënderbeu” poema e, e vitit 1861, Gezim Llojdia, Grigor Perlicev

Shqiptarët dhe Nata e Kristaltë (Kristallnacht)

November 1, 2017 by dgreca

Hebrejte, Tirane 1945

Nga Jahja LLuka/

Me 7 nentor 1938 një djalosh i ri hebrejë qëlloi për vdekje diplomatin gjerman ,Ernst Vom Rath në ambasadën gjermane në Paris. Akti vjen si pasojë e revoltimit të tê riut si pasojë e torturave që kishte fillu të shfaqë regjimi nazist ndaj popullatës hebreje. Familja e të riut ishte dëbuar dhunshëm për në Poloni me urdhër të autoriteteve naziste.Ngjarja bëri bujë në shtypin ndërkombêtar dhe bota që nga ajo natë u fut në panikë.Dyqanet filluan të mbuloheshin me grafite antisemite. Ministri gjerman, Joseph Goebbles urdhëroi që lajmi për vrasjën e Rathit tê jetë në të gjitha ballinat e gazatave ditore gjermane.Kjo vrasje u përdor si pretekst nga autoritet naziste për të nisur torturat dhe shfarosjën e komunitetit hebre në Gjermani dhe Evropë. Ishte nata e 9 nëntorit të vitit 1938, kur nazistët gjermanë filluan terrorin ndaj hebrejve në Gjermani dhe Austri. Në këtë natë të kobshme për popullin hebrejë por edhe për gjithë njerëzimin u dogjën më shumë se dyqind sinagoga,u përdhosën varrezat e hebrejve dhe u thyen gjithë dyqanet e tyre. Nga gjithë xhamat e thyer dhe të rënë nëpër tokë, që dukeshin si kristale në atë natë mizore të 9 nëntori njihet në historinë moderne të njerëzimit si Nata e Kristaltë.(Kristallnacht). Kështu ishte fillimi i njëres ndër tragjeditë më të mëdha të epokës moderne që njihte bota.Atëherë kur mendohej se Evropa arriti nivelin e qytetërimit, pikërisht Evropa i servoi botës skena horror të cilat arritën ti krijojnë mendjet e çmendura nga manitë e vetadhurimit . Ndryshe prej popujve të tjerë që i bënë bashkëfajtor në këtë çmenduri, populli hebrejtë e pat një derë të hapur dhe të sigurtë. Politika shqiptare në krye me mbretin Zog nuk pranoi që populli hebre të vuloset me vulën e krimit. Gjithashtu dhe populli i përvuajtur shqiptar hapi zemrën për popullin hebre.U mundësua sigurimi i tyre, por edhe heqja e vizave në mënyre që të shpëtonin sa ma shumë jetë. Ishin mijëra familje hebreje që u futën dhe qëndruan në të gjitha trojet shqiptare. Ata u strehuan, u mbrojtën por nuk ekziston një rast në histori që shqiptari ta dorëzojë një hebre në duart e autoriteteve gjermane. Shqiptari e ka zakon që mikun dhe mysafirin ta ruajë edhe në qoftê se kjo I kushton me jetë. Në vitin 1934, ambasadori amerikan në Shqipëri, Herman Bernstain shkruan: ” Nuk ka gjurmë të diskriminimit të hebrejve në Shqipëri, sepse Shqipëria del të jetë një nga trevat e rralla në Evropë sot,ku paragjykimi dhe urrejtja fetare nuk ekziston, edhe pse vetë shqiptarët janë të ndarë në tri besime fetare.”

Filed Under: Histori Tagged With: (Kristallnacht), Jahja Luka, Shqiptarët dhe Nata e Kristaltë

HODO BEJ SOKOLI, FJALIMI PER PAVARESI ME 1880

November 1, 2017 by dgreca

1 aurencGAZETA AUSTRIAKE (1880) : “FJALIMI I HODO BEJ SOKOLIT GJATË SHPALLJES SË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË NË SHKODËR ME 19 PRILL 1880”/

gazeta austri

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 1 Nëntor 2017/

Gazeta franceze, “Le Temps”, ka botuar, të martën e 11 majit 1880, në faqen n°2, letrën kurioze, të botuar pak kohë më parë në gazetën austriake, “Tageblatt”, në lidhje me fjalimin e kolonelit shqiptar, Hodo Sokolit, të mbajtur gjatë shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në Shkodër më 19 prill 1880.Çfarë ka shprehur më konkretisht Hodo Beu gjatë asaj dite ? Në vijim, do të gjeni rrëfimin e tij të plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :Kolonel Hodo Beu organizon shqiptarët në Tuz. Ai ka të gjithë besimin e tyre nga pikëpamja ushtarake. Princi i Mirditorëve, Prenk Bib Doda u thirr më 21 prill për të deklaruar përfundimisht nëse ai donte të merrte pjesë në luftën kombëtare.Këto të dhëna bëhen të besueshme pas letrës kurioze që Tageblatt-i i Vjenës ka marrë nga një shqiptar katolik, i njohur në Shkodër, dhe që ne po e riprodhojmë nga kjo gazetë :Në asamblenë e madhe, të mbajtur më 19 prill në Shkodër, u shpall pavarësia e Shqipërisë. Hodo Beu mbajti fjalimin e mëposhtëm në shqip :“Te nderuar vëllezër, ministrat e mbledhur në Berlin reaguan në mënyrë të paditur ndaj vendit dhe banorëve tanë, ku na shitën, neve, racën më të pastër dhe më fisnike në botë, ndaj një populli malësor që gjendet në nivelin më të ulët të qytetërimit, i cili deri tani ka jetuar vetëm me lëmoshat që ka kërkuar nga princat e Evropës. Ju, pasardhësit e drejtpërdrejtë të Mbretit Shqiptar Skënderbe (Aleksandrit të Madh), të braktisur nga të gjithë, të rrethuar nga një bandë ujqërish të uritur që ruajnë gjahun e tyre, ne do të dimë të mbrohemi dhe të nderojmë varrezat e etërve tanë. Ne kemi fshehur dhimbjen tonë dhe kemi dhunuar ndjenjat tona më të shenjta kur dorëzoheshin të armiku vëllezërit tanë të Podgoricës dhe Spuzit. Ne nuk do të bëjmë asgjë më shumë për të ndryshuar me forcë gjendjen aktuale të gjërave; por ky është konçesioni i fundit që ne mund të bëjmë. Nesër, vëllezërit tanë, Hoti, Kastrati dhe Kelmendi do të dorëzohen në mëshirën e armiqve të tyre. A do ta lejoni këtë gjë ?”

Britma “Io” (Jo) e shtyrë prej një mijë zërave është përgjigjja e kësaj pyetjeje.

Pastaj oratori vazhdon : “As unë nuk e dua ; Unë, Hodo Beu, i cili për pesëdhjetë vjet u kam shërbyer sulltanëve me besnikëri; por sot duke e njohur vullnetin e sulltanit, unë shkëputem nga ai dhe nuk njoh as padishah e as Stamboll.”

Me shqiptimin e këtyre fjalëve, plaku i zjarrtë grisi spaletat prej ari të uniformës së tij, hoqi dekoratat e shumta dhe i hodhi për tokë. Njëqind e pesëdhjetë oficerë turq (shqiptarë me origjinë), të cilët morën pjesë në asamble, ndoqën shembullin e kolonelit; ata shqyen simbolet e gradave të tyre, po ashtu dhe dekoratat, dhe i shkelën me këmbë.

Hodo Beu vazhdoi me këto fjalë :“Ne nuk kemi më asgjë të përbashkët me padishahun dhe këta efendij të Stambollit, kështu që le t’i tregojmë vendit atë që ne jemi me të vërtetë. Bajraktar i fisit Hoti, bëj detyrën tënde.”Në të njëjtin moment, shfaqet në ballkon një luftëtar shtatgjatë me fytyrë esmere; Shohim xixëllimin e një jatagani : ai godet shtyllën në të cilën varet flamuri i Gjysmëhënës së sulltanit, i cili bie në pluhur. Ngritësi i vjetër i flamurit të Hotit vendos flamurin e ri kombëtar të Shqipërisë, me ngjyrë të kuqe dhe me një luan që kërcen. Gjatë kësaj pamje, u dëgjua një thirrje e furishme, dhe Hodo Beu foli sërish :“Armë, ne kemi me bollëk dhe do të kemi krahë të mjaftueshëm për t’i përdorur ato. Municione, ne kemi mjaft për të luftuar disa vite. Vetëm paratë na mungojnë, sepse shqiptari është i guximshëm, por i varfër.”

Me këto fjalë, dekani i korporatës së tregtarëve ngrihet dhe njofton se : “një grup bankierësh të Shkodrës, Zotërinjtë Pema, Bianchi, Summa, Paruzza, Nicolodjaba, etj, deklarojnë se janë të gatshëm të paguajnë çdo ditë 10.000 franga ari në duart e komandantit të përgjithshëm për burrat që janë aktualisht në ushtri.”

Mungonte vetëm zgjedhja e kryekomandantit. Por Filip Seismit-Doda, vëllai i burrështetasit italian me të njëjtin emër (mbiemër), për të shmangur çdo grindje konfesionale, propozon emërimin e dy kryekomandantë, një të krishterë dhe një mysliman. Kjo rezolutë u miratua dhe princi Prenk Bib Doda u emërua, pothuajse njëzëri, komandant i përgjithshëm i luftëtarëve të krishterë ; ndërsa kolonel Hodo Beu, komandant i përgjithshëm i luftëtarëve myslimanë. Ky i fundit ofroi të shkojnë që të nesërmen në territorin e Hotit, i kërcënuar i pari nga pushtimi.

Filed Under: Histori Tagged With: Arena Bebja, Fjalimi i Hodo Sokolit, Gazeta Austriake

KUR PETRAQ KOLEVICA KUNDËRSHTOI DIKTATORIN PËR BIBLIOTEKËN E KORÇËS

October 30, 2017 by dgreca

1 Petraq Kolevica12biblioteka e KorcesNga Dr. Orhan Sakiqi/Para pak kohe isha në Korçë. Korça më ka tërhequr gjthmonë sidomos për urbanistikën e saj, për ndërtimet me kriter që janë bërë, për ruajtjen e rrugicave me gurë dhe banesave të ulta, së fundi me pazarin e rikonstruktuar. Pra eshte nga të pakta qytete kur shkon e njeh Korcën e vjetër, dhe Korca e re lidhet shumë mirë me të. Prisja të shoh dhe objektin me aq halle të kolegut Kolevica bibliotekën kur u habita kur pashë punime ndërtimi dhe një tabelë ku thuhej se këtu do të bëhen zyra për bashkinë ose dicka e ngjashme. Pra biblioteka kthehet në zyra. Mar menjiherë në telefon Petraqin dhe e pyes. E di mor xhan më thotë, por nuk më ka pyetur njeri. Më vjen shumë keq, për vetë peripecitë e objektit që ti i di. E keqja është se unë nuk mund të vete vetë atje për pa mundësi fizike, por po e vuaj këtu në strofkën time si qëmoti.

Por cilat janë peripecitë e Bibliotekës së Korçës që aq shumë e kanë munduar ark.Petraq Kolevicën. Besoj që e vlen për lexuesin e nderuar të shkëpus këtu disa fragmente nga libri i tij Arkitektura dhe Diktatura.

-Duhet të ketë qenë fundi i vjeshtës së vitit 1967, kur shkova në Korvë, i thirrur nga Kryetari i Komitetit Ekzekutiv M.Grabocka. Kryetari më kishte thirur të më thoshte se do të prishej kisha e Shën Gjergjit dhe në vend të saj do të ndërtohej një bibliotekë….Më kërkoi të merrja përsipër bërjen e projektit të bibliotekës. Sheshi i ndërtimit, në kishën e Shën Gjergjit,  kuFan Noli,prift celebroi të parën meshë shqip. Dhe kjo kishë duhej të prishej!……..Ishte viti i egër 1967 mbas fjalës së diktatorit në Mat….

Tani të kthehemi të vazhdojmë tregimin e dramës së bibliptekës……..Studiova bibliotekat e ndërtuara kohët e fundit në Angli,vendet skandinave ,Gjermani e Zvicer dhe them se mundimi smë shkoi kot……….Të mos e zgjasim, projektin e bëra, u miatua, zyra e Korcës vazhdoi projektin e konstruksionit dhe filluan punimet dhe bashkë me të edhe zvaritjet e qëllimta………..punimet vazhduan por gjithnjë me ngadalësi. Kështu deri deri në fillim të vitit 1975, pra, më shumë se katër vjet, ende s kishte mbaruar si karabina.

Ndërkohë, më 1974, filloi lufta kundër burokracisë dhe kundër ndikimeve të huaja në letësi dhe art ,sipas orientimeve të famëkeqit plenium IV. Nga kjo nuk shpëtoi as arkitektura……….Sipas zakonit të atëhershëm në fillim dolën fjalët vesh më vesh e pastaj u tha haptas sikur në Korcë paskësh qenë shoku Enver,i cili nuk e paskësh pëlqyer bibliotekën. Cështë ky mur kështu pa dritare?- paskësh thënë. E kisha shpjeguar disa herë  se cdo të bëja në atë faqe muri,që po quhej bosh. Për ta sqaruar edhe më mirë, bëra fasadën në shkallë 1:50 dhe vizatova një lloj kompozimi të basoreliefit të mundëshëm dhe ia dorëzova Ministrit, i cili do ta conte më lart.Kam shpresë se ajo fletë mund të gjendet në ndonjë ditë nëpër arkivat e ish Komitetit Qëndror. Megjithatë cështja lihej qëllimisht zvarrë, që të fryhej e zmadhohej me  thashetheme. Pyesja ctë bëj? askush nuk përgjigjej. Ndërtimi i shte pezulluar………….

Në vitin 1974 unë drejtoja punimet në ekspozitën ‘Shqipëria Sot’, që u bë me  rastin e 30 vjetorit të clirimit……….

Më 24 dhjetor 1974 ekspozitën e vizitoi Enver Hoxha. Ay erdhi bashkë me Mehmetin e me suitë tjetër .Drejtori më prezantoi si arkitektin, që kisha drejtuar punimet dhe atje u zhvillua biseda e tij me mua. Me që kundërshtova Enver Hoxhën në sytë e të gjithëve gjë që për mentalitetin e atëhershëm ishte një skandal i rrezikshëm, tekstin e bisedës e daktilografova dhe të nesërërmen që në mëngjez ja dorëzova Ministrit që të mos lija shteg për deformime nga keqdashësit:

Shoku Enver, duke më shtërnguar dorën, filloi kështu :

-Ju lumtë, kini bërë një ekspozitë shumë të bukur.

-Ju jeni Kolevica?

-u  përgjigja po.

-Sh.Enver- Juve jeni nga Korca?

-u përgjigja-po.

Sh.Enver- Juve keni ndërtuar disa gjëra shumë të bukura në Korcë, por në një gjë ma kini prishur pak qefin.

-u përgjigja: E di shoku Enver…

-Sh.Enver – Me  gjithse aty pati influencë Todi Lubonja.

-u përgjigja: Vetëm aty ska vend këtu në  këtë ceshtje.

Sh.Enver-Po mua kështu më kanë informuar.

-Gabim ju kanë informuar.

-Sh. Enver –Të përpiqesh që që ai objekt të dalë mirë,cpo bën?

-u përgjigja- As unë sdi cpo bëhet. Më kanë futur në një rreth, ku spo marr vesh asgjë.

Sh.Enver-Si kështu?

U përgjigja –As njeri spo më thotë se cduhet të bëj më tej.

-Sh.Enver- Pamvarësisht nga këto ti si autor duhet ta mbrosh deri në fund duke marrë edhe mendimin e shokëve………..

Atmosferën e rëndë që u krijua pas atij kundërshtimi e dinë ata që ishin të pranishëm…….por peshën e vërtetë e di unë ,që mbeta i vetëm kur të gjithë më largoheshin….

Pas disa ditësh më thirrën në Komitetin Qëndror ku më thanë se sjellja ime ishte mungesë rëespekti ndaj udhëheqjes. Dhe kjo për ty nuk është hera e parë. Edhe kur të ka kritikuar shoku Mehmet, ti nuk ke mbajtur qëndrim të mirë.

Shumë shpejt, pas kësaj, mua më cuan në Ndërmarjen 21 Dhjetori, për tu edukuar në gjrin e klasës punëtore.

Këto ishin mbresat e Petraqit. Pra biblioteka kishte hyrë në vallen e objekteve të ndikuara nga rryma perendimore dekadente.

Mbaj mend se nga fillimi i verës 1975 në sallën e Pallatit të Kulturës në Tiranë u organizua një mbledhje nga Ministria e Ndërtimit ku do të dënoheshin objektet e  ‘influencuara’ dhe sigurisht edhe projektuesit e tyre. Për të mbushur sallën na kishin ftuar edhe ne nga zbatimi. Sidoqoftë unë do të shkoja se shqetësimin e Petraqit e dinja prej kohësh. Salla ishte mbushur, dhe si është në të tilla raste kur luhet me fatin e njeriut,me fatin e projektuesit të talentuar,me fatin e shokut .Nuk pipëtinte miza. Zura vend nga fundi, dhe holla syte dhe pashë Petraqin në anën trjetër po nga fundi.

Përvec Petaqit u përmendën edhe emërat e Sokrat Moskos, Koco Comit, Mauricio Begës dhe Maks Velos që kishin projektuar në rrymë moderniste me ndikime të huaja. Mbas hapjes së mbledhjes nga Ministri, u ngrit Petraqi me diskutim të shkruar por nuk e lanë të mbaronte duke i kërkuar autokritikë që në fillim. Dale të shpjegohem tha ai, por jo ulu, kemi vite që të dëgjojmë. Pak punë kemi ne të dëgjojmë ty gjithmonë. Foli pastaj Maksi,por edhe atë e ndaluan. Në fund zv kryeministri i zi i ndërtimit nuk tha gjë pa thënë për projektuesit, modernizmin që synonte zhdukjen e luftës së klasave përbysjen e diktaturës së proletariatit e të tjera si këto. Kur rrëmbehesh ai nxirte edhe fjalë të tjera që nuk ja vlen të përmenden.

Kolevica e kishte pësuar goditjen e parë duke e cuar ne zbatim tani e cuan edhe më larg në minierën e Valiasit. Ajo që e ka vrarë më shumë atë dhe që e përmend vazhdimisht edhe sot e kësaj dite është: Në moshën 40 vjevare më hoqën nga profesioni i arkitektit të cilin e doja më gjithë shpirt. Unë jetoja me të jo vetëm kur punoja por edhe ne cdo cast të ditës mbase edhe të natëes.

                     Tani kur tërë bota fle,

                      O shpirt i im përse rri zgjuar?

Do të shkrante ai. Në shtypin e kohës vërshuan lajkatarët : Kështu na ndodhi me Biblikotekën e Korcës ,e cila jo vetëm nuk ka asgjë kombëtare në formën e saj, por edhe stonon në planin e përgjthshëm të ndërtimit të qytetit, shkruante në gazetën’ Drita’ arkitekti V.B. më 14 mars 1976.

Jam ulur tani me Petraqin e bisedojmë . Sigurisht merakun e ka për ‘mollën e sherrit’ ,për atë të cilën guxoi të kundërshtoi dhe diktatorin. Lere thotë ishte kuja e kohës ,si e kam shkruar në rromanin tim me të njëjtin titull, por këta të sotmit nuk pyesin. Ku është e drejta e autorit, ku është qytetaria e nderit që më ka dhënë Korca? Kam bërë disa objekte në qytetin tim të lindjes por për bibliotekën kisha dobësi të vecantë.

E vështroj Petraqin dhe më vinë në mend një frazë që e lexova së fundi në Kujtimet 1939-1944 të Mustafa Greblleshit, mbas një vizite të tij në Athinë : Më fort se sytë e saj më tërhoqën sytë e Homerit, të cilët edhe në mermer dukeshin të verbët. Thua se poeti i madh u verbua për të mos parë shëmtimin e botës. Kështu është. Edhe mua kështu më duken sytë e poetit Kolevica.Bisedojmë sigurisht për vendin . Kujtoi vargjet e tij nga vjersha’ vitet që vinë’ shkruar në vitin 1976 dhe botuar në vitin 1993. Vargje të fshehura në vite :

                            Kaq u shtuan poshtëritë,

                            Kaq u rritën marrëzitë ,

                            Kaq na mbytën ligësitë ,

                            Sa kam frikë që një ditë ,

                            Kur dhe ne të shohim dritë,

                            Kur të hapen krejt kufijtë,

                            Oh kam frikë atë ditë,

                        Ikjen e gjithë njerëzisë…

                        ……………….

Vargje profetike. Ndahem me Petraqin me mendimin se Bibliotekës së Korcës, jo vetën nuk duhej ti nderrohej qëllimi për të cilën u ngrit por duhej ti jepej emëri ark. Petrat Kolevica. Po them vetëm arkitekt,por ai ishte poet,shkrimtar përkthyes e mbi të gjitha njeri. Korcar i rradhë. E kanë cilësuar si i fundit i rromantikëve.

Në hyrje të bibliotekës duhej të shkruhej. Biblioteka ark.Petraq Kolevica. Ai që guxoi të kundërshtojë diktatorin.

Tiranë-5-09-2017.

Filed Under: Histori Tagged With: Biblioteka e Korcës, Dr. Orhan Sakiqi, kundershtoi dikttaorin, Petraq Kolevica

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 373
  • 374
  • 375
  • 376
  • 377
  • …
  • 739
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË
  • NDRYSHIMET KLIMATIKE DHE KËRCËNIMI I URISË GLOBALE: NJË GRADË MË SHUMË, MILIONA JETË NË RREZIK
  • KUR FLITET PËR PROCESIN KRIJUES – ROMANI “I ARRATISURI”
  • NËNTORI 2026 MES FLAMURIT DHE PROTESTËS
  • Plagët e heshtura të luftës…
  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT