• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Koço Kota – Për një Shqipëri oksidentale

November 8, 2017 by dgreca

Libri i ri “Koço Kota – Për një Shqipëri oksidentale”, një ridimensionim i leximit real të historisë shqiptare/1 Koco Kota

 Prof. dr. Bardhosh Gaçe & Albert Z. ZHOLI/Sado që kohët kanë ecur përpara, kanë lëvizur me një progres të habitshëm, janë zbuluar arkiva shtetërore, arkiva familjare, na kanë ardhur në kronikat e të vërtetave dokumente dhe opinione jashtëzakonisht me vlera të nevojshme, në opinionin vlerësues njerëzor dhe të vërtetave historike është shtuar referenca e anashkaluar, mohuar dhe refuzuar për një kohë relativisht të gjatë. Ditë pas dite e kohë pas kohe në duart e lexuesit shqiptar po vijnë libra të rëndësishëm historiko-politik, histori të pazakonta, të cilat po u vijnë në ndihmë shumë çështjeve që ose kanë qenë të errësuara, ose kanë qenë të pastudiuara, ose janë harruar fare. Pavarësisht një prurjeje të shumtë, veçmas pas viteve ‘90-të, të një lloj letërsie dhe historie tematikisht të nevojshme për zhvillimet e kohës dhe të çlirimit për të qenë të lirë në të shprehurin për shumë çështje të prekshme dhe të përjetueshme nga pjesa më e madhe e shqiptarëve, që kishin lidhje kryesisht me kompleksin totalitar, gjatë këtyre dy dekadave e më shumë ka pasur dhe një prurje të rëndësishme historiografike dhe monografike, e cila ka plotësuar një lloj boshësie të dukshme dhe djerr, e cila në historiografinë shqiptare, ose është lënë ashtu, ose është mbushur me temën e propagandës. Dhe kjo ka ndodhur pikërisht me dëshminë dhe tregimin e nevojshëm të personaliteteve të dijes dhe të aktivitetit politiko-shtetëror të paraçlirimit të vendit. Ndërmarrje të tilla dhe për figura emblematike të politikës dhe të historisë shqiptare është një zhvillim pozitiv gjatë kësaj periudhe, pasi, edhe pse ka pasur një prurje të veçantë, në letërsi dhe në përvojën e të shkruarit, koha është një mekanizëm racional dhe efektivisht veprues në verifikimin dhe seleksionimin e tyre, në këtë rrjedhë të vrullshme dhe të shumtë librash, ne kemi pasur fatin e mirë të na vijnë libra të rëndësishëm, të cilët kanë zënë vendin e vet në historinë shqiptare, pavarësisht se vonë, siç është edhe studimi monografik “Koço Kota –Për një Shqipëri oksidentale” të autorit të mirënjohur, Harallamb Kota.

Në historinë e popujve të vegjël dhe të njohur në botë, ka raste unikale të mekanizmave dhe fakteve të çuditshme se si është shkruar historia e këtyre popujve dhe vendeve. Kështu në historinë më emblematike të Izraelit ka një fakt të çuditshëm, që lidhet me konsideratën e mirë, shpeshherë dhe preferenciale të një personi të vetëm, i cili gjatë jetës së tij kishte ruajtur me mijëra dokumente të natyrave të ndryshme, për t’i paraqitur si dëshmi të nevojshme në shërbim të vendit të tij dhe historisë së Izraelit. Në këtë lloj rrugëtimi bashkëkohor, lexuesit shqiptar po i vjen dhe njëri nga librat më të rëndësishëm të tij, që lidhet me njërin nga personalitetet intelektuale, politike, shtetërore, diplomatike, sociale, Koço Kota të studiuesit Harallamb Kota.

Deri në vitet ’90-të Koço Kota nuk njihej, dhe nëse njihej, mbi të rëndonte anatema politike, etiketimi politik i ndërtuar mbi perceptimin ideologjik-politik të sistemit totalitar, nëse njihej, ai konsiderohej armiku i pushtetit popullor, ndërsa e gjithë vlera e tij, e cila ka ardhur në librin “Koço Kota- Për një Shqipëri Oksidentale”, të autorit Harallamb Kota, nuk ishte e mundur të bëhej e njohur, pronë shoqërore dhe historiografike, e për më tepër në një botim voluminoz, në të cilin kërkohet të thuhet gjithçka lidhet me të, referuar kohës, politikës, zhvillimeve kombëtare dhe ballkanike, në një lidhje dhe konvencionalitet të thellë shkencor dhe interpretues. Libri që po i vjen në dorë lexuesit shqiptar përmbush një detyrim shoqëror dhe historiografik, pasi në të nuk flitet për Koço Kotën në vetvete, as për bëmat e tij, as udhëtimet, raportet e tij me dijen dhe kulturën, por përmes tij ka një valorizim të gjerë në të gjithë historinë tonë kombëtare, një jetë dhe një veprimtari që lidhet me një kohë relativisht të gjatë dhe aktive, të përfshirë nga zhvillimet historike, politike, të qeverive dhe mbretërisë, të marrëdhënieve me Lindjen dhe Perëndimin, të problemeve të thella jetike të natyrës së besimit, të ligjit dhe të zhvillimit. Koço Kota është një personalitet i përfshirë dhe i gjendur në zhvillimet më të rëndësishme të Shqipërisë, që nisin që në fillimin të shek. XX për të vazhduar me një temp të jashtëzakonshëm deri në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore. Fillimvitet 1900, e gjatë tre dekadave të para të shekullit të kaluar kanë qenë të mbushura me zhvillime jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin, që nga Shpallja e Pavarësisë, e cila kulmoi të gjithë aktivitetin dhe veprimtarinë kulturore, politike, historike, shoqërore, luftarake dhe intelektuale të Rilindjes Kombëtare, e cila me të drejtë është konsideruar njëra nga epokat më të arta të historisë shqiptare, pas kohës së Skënderbeut. Koço Kota ka lindur në një kohë (1886) dhe zhvillimet politike e shoqërore të viteve 1900 e kanë nxënës të pjekur, të shkolluar dhe një intelektual universitar, i cili më shumë se kushdo mund ta “lexonte” realitetin brenda vendit dhe rrethanat dhe zhvillimet rajonale dhe ato ndërkombëtare. Harallamb Kota është gjendur para një “mali” të madh veprimtarie, aktiviteti dhe kontributesh të Koço Kotës, që ishte i shkolluar si mos më mirë, që nga Mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë, pastaj në gjimnazin e njohur “Zosimea”, studimet në Universitetin e Athinës për Shkenca Politike-Juridike-Administrative, arsimin pasuniversitar në Boston të SHBA-ve, mbrojtja e gradës shkencore “Doktor në Jurispondencë” po në SHBA, të cilat e bëjnë të rëndësishme veprimtarinë e Koço Kotës në Shqipëri, e cila fillon që nga viti 1911, si kryetar i shoqërisë “Malli i Mëmëdheut” në SHBA, pastaj si bashkëthemelues i Federatës Panshqiptare “Vatra” po në SHBA, e më pas i gjithë aktiviteti i tij (1912) në Shqipërinë e mbushur me ngjarje, beteja politike, luftarake, koniunktura dhe kthesa të jashtëzakonshme për shkakun e raporteve të lëkundura me fqinjët, për shkakun e koniunkturave të politikës dhe diplomacisë së kohës me Perëndimin, brenda zhvillimeve të qeverive dhe shtresave të shoqërisë shqiptare. Aktiviteti jetësor, patriotik në SHBA dhe në Shqipëri, aktiviteti shtetëror që nga vitet 1912 deri në vitin 1939, kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste, përbëjnë një prerje historike dhe analitike të zhvillimeve shqiptare përmes një personaliteti, shtetari, dhe politikani kalibri, i cili ka arritur ta njohë në imtësi dhe në detaj çdo zhvillim, që në historiografi është interpretuar në asnjë rast me të njëjtin kriter, e për këtë arsye në historiografinë shqiptare gjithmonë ka pasur vakume.

Koço Kota ka lindur në Korçë, një qytet i njohur për kulturë dhe traditë qytetare dhe arsimore, qytet i dijes dhe i njerëzve reformatorë, qyteti i intelektualëve dhe mërgimtarëve të ndritur, të cilët mbajtën lidhje të forta gjithmonë me vendin dhe qytetin e tyre, me fatin e njerëzve dhe me perspektivën e vendit të tyre. I dalë nga një familje me dashuri dhe sakrificë për dije dhe arsim, ai e ruajti, e përçoi dhe e reklamoi mjaft mirë këtë shembull familjar, duke u treguar një atdhetar i spikatur në të gjitha mjediset patriotike brenda dhe jashtë vendit. Në studimin monografik të Harallamb Kotës, gjithashtu personaliteti i tij shpërfaqet më së pari si një patriot i vërtetë, duke e vënë në shërbim të vendit dhe të prosperitetit të gjithë dijen që ai mori në familje dhe në shkollë, brenda dhe jashtë vendit, duke iu vënë në shërbim vendit që në Shpalljen e Pavarësisë me Plakun Ismail Qemali, e më pas në të gjithë zhvillimet politike dhe qeverisëse të vendit, duke qenë një qeveritar dhe një udhëheqës i vazhdueshëm.

Koço Kota ka qenë senator, deputet, prefekt, ministër, kryetar parlamenti dhe kryeministër, pra, ka qenë një nga personalitetet e politikës dhe të drejtimit të vendit në të gjitha shkallët e hierarkisë. I pranishëm në të gjithë këtë diapazon politik dhe qeverisës të vendit, Koço Kota duket si një pasqyrë reale në të cilën janë reflektuar mirë të gjitha këto zhvillime, të cilat siç janë të njohura në historinë e vendit tonë kanë qenë të vështira, të ngadalta në zhvillimet e veta e në shumë raste konfliktuale. Në këto zhvillime, siç dhe zbulohet përmes njohjes së veprimtarisë së Koço Kotës, ka pasur një sërë faktorësh, të cilat lidheshin me traditën turke të politikës dhe drejtimit të vendit, me koniunkturën ballkanike, e ndihmuar dhe nga koniunktura ndërkombëtare, me mungesën e njohur të drejtimit të vendit me ligje të dala nga parlamenti i zgjedhur me votën popullore, me mungesën e theksuar të shkollës dhe të nivelit arsimor dhe një sërë faktorësh të tjerë, që zbulohen herë drejtpërsëdrejti dhe herë kontekstualisht, në këtë monografi. Lidhur me një çështje të tillë, mjafton të prekim tangjentalisht një lloj pasqyre që autori Harallamb Kota na jep në referencën mbi reformat që Koço Kota bëri gjatë të qënit të tij si kryeministër i vendit si: krijimi i Policisë e Sigurimit Botnor, hapja e shkollës së policisë, hartimi i programit 5-vjeçar i Ekonomisë Kombëtare, vendosja e monopolit të shtetit mbi pasurinë kombëtare, krijimi i ministrisë së Kulturës Popullore, ndërtimi i ministrive, ndërtimi i Bulevardit të Madh, përurimi i Sheshit “Skënderbej”, ndalimi i martesave të nëpunësve dhe ushtarakëve me gra të huaja, ndërtimi i stadiumit kombëtar, ligji i heqjes së mbulesës tek gratë, hapja e kurseve falas kundër analfabetizmit, zyrtarizmi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare (1937), ligji mbi ndryshimin e emërtesave me origjinë të huaj, orientimi dhe marrëveshjet me qeveritë perëndimore si SHBA, Itali dhe Angli etj.

Libri i Harallamb Kotës “Koço Kota për një Shqipëri Oksidentale” është interesant për lexuesin dhe historiografinë shqiptare, pasi ai ka nën interpretim dhe analizë të thukët zhvillime të rëndësishme të vendit që nga Pavarësia, lufta e vazhdueshme e fqinjëve në bashkëpunim me Fuqitë e Mëdha për ta zvogëluar sa të mundeshin Shqipërinë, Konferencën e Londrës, ndarjen e kufijve, luftërat për çlirim kombëtar, Konferencën e Parisit, Luftën e vitit 1920, si lufta e parë imperialiste e fashistëve italianë për pushtimin e Shqipërisë, zhvillime të tjera ballkanike dhe evropiane. Koço Kota ka qenë njëri nga politikanët, shtetarët, qeveritarët dhe intelektualët që i kanë përjetuar, janë përballur dhe kanë kontribuar në këto zhvillime në favor të Shqipërisë. Libri voluminoz, i ndërtuar mbi shumë detaje të kësaj natyre, e kanë çuar studiuesin Harallamb Kota në dokumente, ngjarje, dëshmi dhe burime të tjera preferenciale që i vijnë në ndihmë dhe shumë fakteve të tjera historike. Po ashtu, që nga Ismail Qemali, i quajtur “Babai i Kombit” e në shumë raste nga autori “profeti Ismail Qemali”, më pas Princ Vidi, ngjarjet luftarake dhe zhvillimet e brendshme politike në kohën tranzitore deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore, ngjarjet e Kongresit të Lushnjës (që me të drejtë është quajtur parlamentarizmi i parë shqiptar, ku Koço Kota është shpallur senator), pastaj zhvillimet e Revolucionit Demokratike të 1924, që krijuan një nga zhvillimet politike më interesante në vend, me Nolin, figura të tjera të njohura, me Ahmet Zogun, duke qenë Kryeparlamentar dhe Kryeministër, duke qenë ndër aktorët më të rëndësishëm të Kushtetutës së parë shqiptare, promovuar nga Mbretëria Shqiptare, Koço Kota nyjëton dhe reflekton në personalitetin, në jetën dhe veprimtarinë e tij, pjesën më të rëndësishme, më problematike dhe më emblematike shqiptare zhvillimet në historinë, të cilat kanë qenë vërtetë të vështira për t’u reflektuar në trilogjinë e autorit. Të gjitha këto kohë të brendshme shqiptare dhe të jashtme diplomatike ndërkombëtare, e bëjnë librin të peshuar mirë, të orientuar në fakte, argumenta, në lexime të gjerësishme dhe të thella, në një diapazon gjithëpërfshirës, ku kuptohet lidhja e ndërsjelltë e individit social-historik, Koço Kota, me vendin dhe të vendit me kontributin e tij. Është një marrëdhënie e ndërsjellë, ku asnjëra nuk bën pa tjetrën, të cilën autori e ka kuptuar mirë. Harallamb Kota në faqet e kësaj monografie na sjell ndërmend lëvizjen më madhore shqiptare, e cila përbën dhe themelin më të qëndrueshëm të historisë sonë kombëtare për atë që Shqipëria dhe kombi shqiptar vazhdoi rrugën e tij më pas, kryesisht Rilindjen Kombëtare, e cila u mishërua në një front të gjerë të zgjimit kombëtar dhe të ideologëve të saj të shquar, që përbënë njëkohësisht dhe thelbin e saj iluminist. I mbështetur si një model i mrekullueshëm, autori është përpjekur që në dritën e zhvillimeve të shekullit kur veproi njëri nga njerëzit e ditur Koço Kota, ta rindërtojë “metaforën” e veprës iluministe të Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” dhe në kushtet e reja të zhvillimeve historike, politike dhe shoqërore të vendit. Kësisoj autori përveçse ruan një lidhje të fortë me vijimësinë e zhvillimeve politike dhe kulturore të Rilindjes në kushtet e reja, ajo I shërben atij për ta nxjerrë më në pah figurën e Kotës, e cila nyjëtohet në tri etapa të rëndësishme kohore mbështetur në zhvillimet e reja. Ka një të vërtetë që nuk mund ta mohojmë në këtë rast, sepse natyra rilindëse e zhvillimeve politike dhe historike të fillimviteve 1900 është gati e natyrës së viteve 1878 e në vijim, qoftë në natyrën kulturore, atë politike për çlirim, dije dhe pavarësi, po ashtu dhe zhvillimeve të brendshme edhe ato të jashtme. Epokat ndarëse të modelit të Sami Frashërit, Harallamb Kota i ndan sipas ngjarjeve historike, që nga lashtësia e në vijim. Kështu pjesa e parë “Shqipëria ç’ka qenë” elementin kohën mes viteve 1443 deri në vitin 1912. Është një periudhë e gjatë, disashekullore, e cila është shkruar ngjeshur dhe me referenca të njohura, por të interpretuara mirë nga autori. Pavarësisht natyrës njohëse që ka vepra, pasi natyra monografike e saj, e cila “qerthullohet” rreth një personazhi historik të njohur, siç është Koço Kota, autori është treguar racional dhe interesant në mbushjen e skeletit historik të librit me ngjarje dhe elementë të tjerë racional, interpretues dhe analitik. Harallamb Kota kërkon ngjarje dhe dukuri interesante në këto zhvillime, siç janë ato që lidhen me legjendën dhe mitologjinë, të dhëna, dëshmi dhe vlerësime origjinale për Skënderbeun (bien në sy 65 këshillat e tij para vdekjes), pashallëqet shqiptare, lëvizjet shqiptare për vetëqeverisje, lëvizja “Unite”, një lëvizje interesante e hershme, për të cilën është folur shumë pak, lëvizja për një “Kish shqiptare”, çështjet e ringjalljes së kombit, profeti Ismail Qemali, Fan Noli etj. Në këtë pjesë të rëndësishme të librit “Koço Kota – Për një Shqipëri Oksidentale” hyn dhe pjesa e lindjes, shkollimit, përfshirja në aktivitetin politik dhe intelektual të Koço Kotës, takimi dhe njohja me Ismail Qemalin, ngjarjet historike në jugun dhe në veriun e vendit, të cilat përkojnë me aksionin politik më të rëndësishme të Shqipërisë, me luftën për çlirim kombëtar dhe për ruajtjen e territoreve tokësore të vendit. Pjesa e dytë e trilogjisë “Shqipëria ç’është?” shtrihet në hapësirën kohore 1912-1920, e cila me të drejtë është konsideruar periudha më e vështirë dhe me zhvillime të brendshme për fatet e shqiptarëve, të Shqipërisë, eksponentëve të politikës dhe lëvizjes për çlirim kombëtar. Harallamb Kota ka arritur të sjellë në vëmendje të lexuesit momente kyçe, njerëz të niveleve të ndryshme të dijes dhe të luftës, të mendimit dhe të diplomacisë, ku shkëlqen si diell Ismail Qemali. Koço Kota ka qenë përfaqësuesi i “Vatrës” krah Ismail Qemalit në shpalljen e Pavarësisë, duke dëshmuar mbështetjen e madhe të kombit më të përparuar në botë, të kombit amerikan. Në këtë pjesë autori sjell në vëmendje ndjeshmëritë dhe përjetimin e këtij fakti të madh (atë të Shpalljes së Pavarësisë) në jugun e vendit, në qendrën e njohur kulturore të Beratit, Korçës, Voskopojës, duke qenë ndërkohë dhe nëpunësi i parë i qeverisë së Vlorës si nënsekretar i Ministrisë së Arsimit dhe këshilltar i Luigj Gurakuqit. Në këtë kapitull të konsiderueshëm dhe të ngjeshur me ngjarje dhe zhvillime interesantë në reflektimin e aktivitetit dhe veprimtarinë e Koço Kotës janë insinuatat e njohura që lidhen me personazhet historikë të kohës si Esat Toptani, Ahmet Zogu (1913), shënime të natyrës: “Noli mbështet qeverinë e Vlorës”, “Esat Pasha kundër Ismail Qemalit”, “Noli program për lëvizjen kombëtare”, “Ismail Qemali mbështet Vidin”, “Lufta e Parë Botërore” etj.

Dhe në historiografinë shqiptare dilemat dhe interpretimet e natyrës, për çështje të kësaj natyre kanë qenë të pranishme, për shkakun e lënies në hije të figurave të nivelit të Koço Kotës. Në këtë pjesë duket se Harallamb Kota i jep një këndvështrim të ri jo vetëm Nolit dhe Ahmet Zogut që në të ardhmen do të jenë figura të rëndësishme të politikës, por dhe për çështje të tjera të brendshme të zhvillimit shoqëror, siç janë çështje të asimilimit, koha e depërtimit francez në Korçë dhe në Shkodër, të cilat janë parë në një qasje ndoshta më afër realitetit për shkakun e një personazhi aktiv dhe aktualizues si Koço Kota. Në këtë pjesë, Harallamb Kota përpiqet të hedhë dritë mbi çështje të rëndësishme të zhvillimeve kombëtare si: “Takimi i Zogut me Pashiqin” (1918), “Misioni amerikan në jug të Shqipërisë”, “Memorandumi i Aleksandrisë”, drejtuar Konferencës së Paqes në Paris (1918), i përgatitur në Kajro, anëtarë i të cilit ishte dhe Koço Kota. Pjesa e tretë e trilogjisë së librit “Koço Kota – Për një Shqipëri Oksidentale” zë një hapësirë të konsiderueshme, duke marrë në konsideratë dhe interpretuar një opinion interesant për Koço Kotën si ideator i civilizimit të politikës shqiptare, periudha kohore ku preket dhe shkëlqimi i Koço Kotës në majë të politikës dhe drejtimit të vendit që nga Kryeparlamentar e deri Kryeministër, pastaj rënia dhe eliminimi i tij, shtrihet në hapësirën analitike të veprës nga viti 1921 deri në vitin 1947. Në këtë pjesë vërtetohet se historia e shtetit shqiptar është dhe vepër meritore prej shtetari dhe njeriu të aftë dhe të ditur dhe e Koço Kotës.Në këtë periudhë zhvillimesh thelbësore, pavarësisht konflikteve dhe mjedisit në të cilin zhvilloheshin debate politike, lëvizjet dhe reformat, Shqipëria ka përfituar dhe ka vendosur gurë të rëndë në themelet e shtetit, që në një mënyrë apo tjetër ata i kanë rezistuar kohës deri në kohët moderne. Qeveritë e njëpasnjëshme, herë të rrëzuara dhe herë të dorëhequra, përplasjet mes Nolit dhe Ahmet Zogut kanë qenë sfida dhe horizonte gjithashtu të një zhvillimi të pazakontë në orientimin politik dhe ekonomik të vendit në kushtet e një prapambetje të madhe të Shqipërisë. Koço Kota ka qenë njëri nga njerëzit e përfshirë realisht në këto zhvillime, duke qenë ndër udhëheqësit më jetëgjatë politik në parlamentin e kohës, në detyrën e kryeministrit të kohës, në rolin e deputetit të kohës, i cili solli në vëmendjen e kohës, dhe shtroi për zgjidhje çështje thelbësore për vendin, që nga rendi, arsimi, shëndetësia, rrugët, zhvillimet e qytetit, financat dhe bujqësinë.

Detajet e natyrës“Situatë politike parazgjedhore”,“Grupimi i Koço Kotës tërhiqet nga kandidimi”,“Memorandumi i të krishterëve shqiptarë”,“Laicizmi dhe toleranca fetare”, “Zogu dhe Noli: mbrojtësit e Shqipërisë”, “Dr. Koço Kota, përkrahës i lëvizjet Unite”,“Dr. Koço Kota, deputet i Prefekturës së Korçës”,“Rritja e pushtetit të Ahmet Zogut”,“Koço Kota, përkrahës i Kishës Ortodokse Autoqefale”, “Ahmet Zogu Kryeministër”,“Ushtar i Mbrojtjes së Shtetit Ligjor”,“Koço Kota, Kryeministër i Parë Mbretëror” (1928-1930), “Platforma liberale e

Mbretit Zog I” dhe shumë zhvillime të tjera, të cilat gjejnë një pasqyrim të gjerë në këtë libër, sjellin një kontribut madhor për një figurë emblematike shqiptare në një hapësirë kohore gati 40-vjeçare në zhvillimet politike të Shqipërisë.

Libri monografik “Koço Kota – Për një Shqipëri Oksidentale” për shkakun e natyrës gjithëpërfshirëse, pasi ai zë një kohë të zhvillimeve më delikate dhe më të larmishme të Shqipërisë, është një libër që duhet të studiohet dhe jo të lexohet, pasi brenda tij ka një informacion të dendur historik, politik, kulturologjik, social, i cili është referuar në këto zhvillime interesante dhe shumë të rëndësishme të vendit. Rrugëtimi i një personaliteti si Koço Kota është një rrugëtim prej udhëheqësi,njeriu reformator, i një njeriu të ditur dhe të pushtetshëm, i cili në një mënyrë apo tjetër ishte i lidhur me zhvillimet, me faktorin e jashtëm dhe të brendshëm, me autoritetet e besimit dhe të dijes, me zhvillimet shpirtërore njerëzore, me njerëzit e ditur dhe politikanët e shquar të kohës, kështu që trilogjia e Harallamb Kotës është një kontribut i rëndësishëm dhe një referencë po e rëndësishme për dijen historike shqiptare. Figurën e Koço Kotës nuk e bën emblematike vdekja e tij në mënyrën më tragjike të mundshme në burgun famëkeq të Burrelit, por veprimtaria e tij, aftësitë e tij të sprovuara si gurë themeli në funksionimin e shtetit shqiptar, në krijimin dhe vënien në punë të ligjeve shqiptare, në investimin intelektual dhe mendor në arsim, financa, politikë dhe sektorët jetikë të një vendi, në bashkëpunimin e rëndësishëm prej shtetari të vërtetë me të gjithë udhëheqësit e kohës, pavarësisht diferencave ideologjike dhe fetare, standardit për drejtësi dhe drejtim të vendit, çfarë e bëjnë Koço Kotën një figurë që shkëlqen sa herë i duhet të kthehemi historisë sonë.

Libri i Harallamb Kotës “Koço Kota – Për një Shqipëri Oksidentale” është një lloj thirrjeje qytetare, një ridimensionim i leximit real të historisë shqiptare, një lloj rimësimi për politikën dhe qeverisjen e vendit dhe në kohët moderne.

Filed Under: Histori Tagged With: Albert Zholi, Bardhosh Gace, Harallamb Kota, Koço Kota - Për një Shqipëri oksidentale

LE FIGARO-DEKLARATA E ISMAIL QEMALIT

November 8, 2017 by dgreca

LE FIGARO (1914) : DEKLARATA E ISMAIL QEMALIT NË LIDHJE ME ITALINË, KOMISIONIN E KONTROLLIT, PRINC VIDIN DHE GREQINË./

2deklarate Ismail

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 8 Nëntor 2017

Prestigjiozia franceze, “Le Figaro”, ka botuar, të mërkurën e 28 janarit 1914, në faqen n°2, intervistën e Ismail Qemalit, dhënë në Bari për gazetën italiane, “Corriere del Puglia”.

Çfarë ka shprehur më konkretisht kreu i parë i shtetit shqiptar ? Në vijim, do të gjeni tekstin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :

“Deklarata e Ismail Qemalit

Bari, 27 janar.

Ismail Qemal Beu, i intervistuar nga Corriere del Puglia, shprehu mirënjohjen e popullit shqiptar ndaj Italisë për “dashamirësinë e thellë dhe të paharrueshme që ajo dëshmoi”.Ismail Qemal Beu deklaroi se e kishte dorëzuar pushtetin në duart e Komisionit të Kontrollit për të mirën supreme të atdheut të tij.Ai shtoi se pas një qëndrimi në Nice, do të takohet me Princ Vidin për t’i paraqitur homazhet e bashkëatdhetarëve të tij.

Ismail Qemal Beu mendon se nuk duhet të shqetësohemi nga komplikimet për sa kohë që Greqia do të vazhdojë bisedimet me Fuqitë : por nëse vendimet e Fuqive nuk ekzekutohen, shqiptarët do të zmbrapsin armikun nga territori i atdheut të tyre.”

Filed Under: Histori Tagged With: Arena Bebja, Deklarata e Ismail Qemalit, Le Figaro

“Kryengritja e përgjithshme shqiptare kundër­osmane e vitit 1912”, Monografi gjithëpërfshirëse

November 7, 2017 by dgreca

1 ShatriShkruan: Prof. Dr. Lush Culaj/Monografia gjithëpërfshirëse me titull “ Kryengritja e përgjithshme shqiptare kundër­osmane e vitit 1912 ” është një arritje shkencore e rëndësishme, rezultat i një pune këmbëngulëse hulumtuese e shkencore disavjeçare të autorit.Ajo pasqyron përpjekjet dhe luftën e popullit shqiptar për shkëputje nga sundimi pesëshekullor osman dhe për formimin e shtetit te pavarur kombëtar.

E veçanta e kësaj monografie voluminoze është se ajo, më shumë se asnjë publikim i kësaj natyre, bazohët në dokumente të dorës së parë të arkivave të vendeve ballkanike dhe të Fuqive të Mëdha, si dhe në studimet më të arrira të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Kjo i ka mundësuar autorit për ta konceptuar në mënyrë origjinale strukturën e monografisë dhe përmbajtën e saj, duke pasqyruar në mënyrë të gjithëmbarshme kryengritjen në të gjitha rrjedhat e saj, si dhe qëndrimin e shteteve ballkanike dhe të Fuqive të Mëdha ndaj çështjes shqiptare. Të gjitha këto autori i ka ndërthurur me mjeshtëri, me një ndarje kronologjike dhe problemore shumë origjinale, më një gjuhë dhe stil të rrjedhshëm dhe të kuptueshëm për të gjithë.

Në hyrje të monografisë autori ka përkufizuar kufijtë e trojeve shqiptare, madhësinë dhe ndarjën administrative osmane për të katër vilajetet shqiptare, numrin e banorëve dhe strukturën etnike e fetare;

– Rrethanat politike në Shqipëri me theks të veçantë në politikën e xhonturqve, aleancat e tyre me pjesëtarët e pakicave, shtetet e të cilave po formonin një aleancë politike e ushtarake kundër Perandorisë Osmane për gllabërimin e trojeve shqiptare.

– Përgatitjen për kryengritje (shkaqet dhe motivet e veçanta të angazhimit bazuar në strukturën fetare e krahinore të vendit);

– Përpjekjet për aleancë me fqinjët dhe për sigurimin e përkrahjes nga Fuqitë e Mëdha;

– Rrjedhat e kryengritjes me specifikat e saj nëpër krahinat të vendit, në javë e muaj, prej nismave të para e deri në fund;

– Përpjekjet për formimin e një qendre drejtuese dhe rolit të saj për njoftimin e opinionit publik dhe për koordinimin e kryengritjes brenda vendit;

– Gjendjën numerike të forcave ushtarake osmane në vilajetet shqiptare, dislokimi, pajisja, organizimi i armatimit, mënyra e regrutimit dhe kompletimi i formacioneve, qëndrimi i ushtrisë ndaj shqiptarëve etj.

Një vend i veçantë i është kushtuar Lëvizjes se Oficereve dhe bashkëpunimit të Lëvizjes Shqiptare me të dhe me Lëvizjen kundër xhonturqve në kuadër të Perandorisë Osmane. Autori evidenton faktin se lëvizja shqiptare nuk u identifikua me strukturat e Lëvizjes antixhonturke, sikur që ishte rasti kur ajo u fuzionua me revolucionin xhonturk, por ruajti autonominë e saj dhe u zhvillua paralel me zhvillimet në kreun e Perandorisë dhe në ushtrinë osmane. Sipas autorit me bashkëpunimin me Lëvizjen e Oficerëve, Lëvizja Shqiptari i iku izolimit dhe denigrimit dhe u bë faktor vendimtar për rrëzimin e qeverisë xhonturke dhe për çlirimin e pjesës më të madhe të trojeve etnike shqiptare.

Në këtë monografi për herë të parë del në pah se gjatë bisedimeve shqiptaro-osmane në Shkup përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha në Stamboll, me përjashtim të Austro-Hungarisë, bënin presion të vazhdueshëm në qeverinë osmane që shqiptarëve të mos u jepen të drejta që do i veçonin nga kombësitë e tjera, duke e kërcënuar Portën me reagime të dhunshme të shteteve ballkanike. Krahas kësaj autori ka qartësuar sidomos rolin e Serbisë dhe të përfaqësuesve të komunitetit serb të vilajetit të Kosovës, në bisedimet shqiptare osmane që mund të krahasohet me rolin destruktiv dhe antishqiptar të Listës serbe në Republikën e sotme të Kosovës.

 

Vlen të theksohët se autori ka pasqyruar qartë dhe me fakte të pakon­testueshme specifikat dhe angazhimet e përbashkëta të të gjitha trevave të Shqi­përisë, në këtë ngjarje madhore në historinë e kombit tonë.  Në mënyrë të veçantë është evidentuar kontributi dhe roli i drejtuesve lokalë dhe të përgjithshëm të  Kryengritjes. Mbi të gjitha autori ka evidentuar rolin e intelektualit e atdhetarit të shquar Hasan Prishtina, duke e cilësuar si shpirtin e kryengritjes të vitit 1912, për t’iu  dhënë  vendin e merituar edhe drejtuesve të tjerë politikë e ushtarakë të Krye­ngritjes.

Qëndrimi i autorit ndaj pikëpamjeve aktuale antishkencore, sidomos për rolin e Peran­dorisë Osmane në raport më shqiptarët është një aspekt tjetër që  i jep legjitimet të plotë vlerës se punimit. Nga kjo del se autori nuk është nga ata historianë që për interesa të caktuara individuale apo grupore e paraqesin pushtimin dhe  sundimin pesëshekullor  të  Perandorisë Osmane e si një lloj asis­­ten­ce miqësore e të dobiprurëse për popullin shqiptar.  Për më tepër autori ka nxjerrë në pah politikën armiqësore, sidomos të regjimin xhonturk, i cili në zgjedhjet parlamentare të pranverës së vitit 1912  me dhunë dhe shantazhe ka penguar zgjedhjën e përfaqësuesve të vërtetë të popullit shqiptar dhe ka bërë aleancë me strukturat drejtuese të elementit vendor serb, bullgar, grekë e vlleh kundër shqiptarëve. Me intriga e shantazhe  ka bërë që shqiptarët e besimit katolikë në sanxhakun e Shkodrës të mos kenë asnjë përfaqësues të vet ndërsa shqiptarët e besimit ortodoksë kanë mbet të përfaqësohen nga deputetët grekë e vlleh. Profesor Shatri në mbështetje të meto­dolo­gji­së së punës shkencore evropiane ka spikatë përcaktimin e vendosur dhe angazhimi vetëmohues i të gjithë shqiptarëve qe edhe me luftë të armatosur të siguroj të drejtat e natyrshme si të çdo populli tjetër  për të jetuar i lirë dhe i pavarur në një shtet të përbashkët. Nga pasqyrimi i betejave dhe luftimeve sidomos ato për çlirimin e Pejës, qëndresa heroike e forcave të Isa Boletinit, pastaj luftimet  në Malësinë e Gjakovë, në Rrafshin e Dukagjinit, e Hasi në rrethinat e Dibrës del se vetëm gjatë vitit 1912 shqiptarët kanë luftuar më shumë se asnjë popull  në Ballkan kundër Perandorisë Osmane.

Duke analizuar faktet historike autori ka arritur të sqarojë në detaje lëvizjen kryengritëse shqiptare. Duke pasur parasysh  faktin se disa kombe, sidomos ato në Ballkan, kanë arritur që  edhe nëpërmjet faktorit fetar të arrijnë formimin dhe konsolidimin e shteteve të veta,  autori ka specifikuar edhe  këtë aspekt në kuadrin e shoqërisë  shqiptare dhe rëndësinë e tij në funksion të zgjidhjes së çështjes tonë kombëtare. Lidhur me këtë autori ka evidentuar më saktësi shkencore specifikat dhe kontributin e përbashkët të të gjitha komuniteteve fetare, duke  spikatë rolin e pakon­­­testueshëm të figurave më markantë nga radhët e tyre. Kështu në këtë studim shumë­dimen­sional evidentohen përkrah Isa Boletinit, Sadik Ramës edhe Mehmet Pashë Derallës edhe Zefi i Vogël, Zef Gjidoda e Pjetër Çeli, në sanxhakun  e Shkodrës  nxirrën në pah qëndrimi konsekuent kombëtar i Imzot Serreqit, angazhimi luftarak i Zef Haberit; në  Shqipërinë e Mesme, Dom Nikollë Kaçorri, Mustafa Kruja, Abdi dhe Refik Bej Toptani, Hafëz Ibrahim Dalliu; në Mirditë  Preng Bib Doda, Gjon Marka Gjoni; në krahinën e Dibrës Basri Beu, Mersim Dema etj; në sanxhakun e Janinës, Kadri Kumbaro Gjata, Muharrem Rushiti, Spiro Bellkameni (këtë të fundit, kryetarët e çetave të Kolonjës dhe të Korçës, ndonëse shumica qenë myslimanë, e zgjo­dhën për komandant të tyre).

Autori ka trajtuar në hollësi edhe kuvendet shqiptare duke filluar nga ato me karakter lokal krahinor e duke përfunduar me kuvendet mbarëshqiptare si Kuvendi i Junikut për të cilin ka saktësuar se ka zgjatë edhe dy ditë me tepër sesa që është evidentuar në të gjitha shkrimet e deritashme prej 21 – 27 maj etj. Këtu për herë të parë janë evidentuar shumica e  delegatëve të Kuvendit të Junikut dhe gati për çdonjërin janë dhënë shënime që pasqyrojnë angazhimin e tyre edhe para kryengritjes por edhe në ngjarjet e mëvonshme, duke pasqyruar edhe fatin e tyre tragjik të pësuar nga makineria vrastare e Serbisë, Malit të Zi, Greqisë, të  Mbretërisë Jugosllave, por edhe të Jugosllavisë së Titos  dhe Shqipërisë së Enver Hoxhës.

Një vend të veçantë autori i ka kushtuar përkrahjes se kërkesave të Hasan Prishtinës nga drejtuesit e Lëvizjes kombëtare të vilajetit të Manastirit dhe të trevave të tjera shqiptare. Nga kjo del se ata e njihnin Hasan Prishtinën si përfaqësues të tyre në bisedimet që po zhvilloheshin me Komisionin Qeveritar, në gusht të vitit 1912. Komiteti Revolucionar i Elbasanit shkoi edhe një hap më tej, kur e njoftoi udhëheqjen e kryengritjes në Kosovë se e autorizonte Hasan Prishtinën ti përfaqësonte në bisedimet e Shkupit. Në vazhdim të kësaj monografie pasqyrohen edhe kër­ke­sat specifike të Shqipërisë së Jugut të cilat u shtruan në formë Memorandumi drejtuar Qeverisë Osma­ne. Por sidoqoftë qëllimi i udhëhe­qës­ve të Shqipërisë së Jugut ishte adoptimi i një programi politik të tyre, të njëjtë me atë të Shqipërisë Verilindore.

Është meritë e autorit që ka evidentuar edhe angazhimin e “Shoqërisë së Zezë për Shpë­tim” dhe të Komitetit të Shkupit, në takimin e  14 tetorit, ku është përcaktuar qartë qën­dri­min i shqiptarëve në Luftën Ballkanike. Edhe në takimin në Durrës, më 12 nëntor 1912, krerët  e Krye­ngritjes në Shqipërinë e Mesme miratuan Memorandumin drejtuar perandorit Franc Jozefit të Aus­­tro-Hungarisë, të cilin e hartoi kleriku atdhetar Atë Nikollë Kaçorri. Me këto dy takime është  parashtruar jo vetëm qëndrimi ndaj Luftës Ballkanike, por edhe platforma e vendimeve të Kuven­dit të Vlorës e kompletuar nga Ismail Qemal Beu e Luigj Gurakuqi, me miratimin e  diplo­ma­cisë austro-hungareze.

Qëndrimi i Fuqive të Mëdha ndaj Kryengritjes por edhe preferencat për satelitët e tyre ballkanas kanë zënë një vend të rëndësishëm  në këtë monografi, duke e pasuruar dhe kompletuar  historinë diplomatike shqiptare. Në këtë kontekst autori spikatë qëndrimin miqësor të Austro-Hungarisë ndaj Perandorisë Osmane por edhe ndaj popullit shqiptar, por duke mos e përkrahur kryengritjen e armatosur. Edhe Gjermania si aleate e Vjenës ishte për reforma në Shqipëri. Por nuk e mbështeste kryengritjen. Anglia konsideronte se shqiptarët nuk do të mund të arrinin objektivat e tyre sepse ende nuk ishin të bashkuar sa duhet, problematikë që është aktuale edhe deri më sot, ndërkaq Rusia dhe Franca kishin qëndrim shumë armiqësor ndaj shqiptarëve dhe lëvizjes së tyre për pavarësi, qëndrim të përafërt kishte edhe Italia, ndonëse ishte aleate e Austro-Hungarisë.

Autori i ka kushtuar kujdes të veçantë qëndrimit të shteteve ballkanike ndaj kryengritjes dhe çështjes shqiptare përgjithësisht. Ai ka specifikuar politikat e çdonjërit prej këtyre shteteve por edhe synimin e tyre të përbashkët për gllabërimin e trojeve etnike shqiptare. Paralel me këtë është sqaruar me shumë saktësi edhe qëndrimi i drejtuesve të Kryengritjes dhe kontaktet e tyre më përfaqësuesit diplomatikë-agjenturorë e ushtarakë të këtyre shteteve. Në shumicën e rasteve, përkundër nevojës së madhe për armë e mjete të tjera materiale, prijësit shqiptarë  e ruajtën pava­rësinë e veprimit dhe nuk u bënë vegla të fqinjëve grabitqarë. Spikat në këtë drejtimin Hasan Prishtina, por edhe Isa Boletini, i cili ndonëse i pashkollë mbrojti me konsekuencë pavarësinë e lëvizjes, përkundër angazhimit të përfaqësueseve më të shquar të shërbimeve diplomatike, agjen­tu­rore e ushtarake të Serbisë, duke përfshirë edhe  shefin e “Dorës së Zezë”, Dragutin Dimi­trije­viq Apisin që ka organizua Grushtshetin e vitit 1903 në Serbi, por edhe atentatin e Sarajevës, më 1914. Ky aktivitet kishte mbështetje të fuqishme të ministrit rus në Beograd, Hartvig, që kishte përkrahjen e pa rezervë të Car Nikollajt II dhe dukej se ishte më i fuqishëm se vet ministri i Jashtëm rus Sazonov. Vend i veçantë i është kushtuar edhe qëndrimit të Bullgarisë, e cila në fillim, sidomos mbreti Ferdinand dhe shtypi e përkrahën kryengritjen, por kur shqiptarët hynë në Shkup, në gusht 1912, dhe kur shkuan deri në Veles dhe në Selanik, qeveria dhe opinioni bullgar u bënë kundërshtarët më të zeshëm të saj.  Autori me të drejtë konstaton se qeveria malazeze dhe sidomos mbreti Nikollë kishin arritur të bindnin disa nga prijësit malësorë se Mali i Zi ishte një aleatë i tyre i sigurt në luftën kundër Perandorisë Osmane, por kleri atdhetar në krye me Atë Gjergj Fishtën, Imzot Serreqin dhe Nikollë Kaçorrin nuk u mashtruan nga lajkat e mbretit plak; ata i sqaruan dhe arritën ti bindin shumicën e malësorëve –spartanëve të Shqipërisë, se fati i kësaj pjese të tokës shqiptare është në shtetin e përbashkët në Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve. Krahas kësaj autori ka evidentuar edhe çështjen e ratifikimit të kufirit të Perandorisë Osmane më Malin e Zi në rreth fshatit Rrzhanicë, ratifikim që nuk e lejonin banorët e Rugovës ,të Plavës e Gucisë, sepse këtu ishte fjala për një fshat thjeshtë shqiptar. Sipas autorit problemi i kufirit që është gati identik me çështjen e demarkacionit sot mbeti aktual deri në fillim të Luftës së Parë Ballkanike sepse palët kontraktuese nuk i kishin konsultuar fare shqiptarët nëpër trojet e të cilëve kalonte vija e kufirit. Prandaj mbetëshin të kota përpjekjet e Malit të Zi për ta detyruar Portën ta ratifikonte Protokollin e nënshkruar më herët në Cetinë sepse këtë nuk donte ta zbatonte as komisari i saj, një shqiptar i dinjitetshëm e atdhetar. Rëndësi të veçantë autori i kushton qëndrimit të Greqisë ndaj kryengritjes shqiptare dhe synimeve të saj shumë agresive ndaj trojeve shqiptare. Sipas tij shpërthimi i kryengritjes dhe sidomos zgjerimi i saj në Shqipërinë e Jugut nuk mirëpritet nga qeveria e Athinës dhe qarqet ekspansioniste helene të cilat me një qarkore të veçantë u bënin me dije përfaqësuesve diplomatikë e konsullorë “përcaktimin gjeografik të nocioneve Shqipëri dhe Epir!, të cilat sipas tyre ishin pjesë të veçanta e nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën. Në vazhdim autori thekson se, për dallim nga shtetet tjera ballkanike që i lajkatonin shqiptarët, shovinistët grekë intensifikuan aktet diversioniste me grupe të armatosura të andartëve grekë nëpër pjesët jugore të vilajetit të Janinës, sidomos në Çamëri. Përkundër kësaj, sipas autorit, pala shqiptare në krye me Ismail Qemalin vazhdojnë përpjekjet për bashkëpunim me Greqinë por kjo nuk mundi të arrihej. Edhe përpjekja për caktimin e një vije ndarëse etnike në mes të grekëve dhe shqiptarëve ishte pothuajse e parealizueshme. Pengesa ishin megalomania dhe mosbesimi i grekëve, por edhe fakti se marrëveshja do të ishte e vështirë të pranohej edhe nga pjesa më e madhe e rretheve drejtuese të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, që nuk pranonin përfshirjen e Çamërisë në sferën e influencës greke; gjithashtu marrëveshja do të kundërshtohej me vendosmëri edhe nga vetë popullsia çame , e cila në burimet e kohës cilësohej si “ armiku më i madh i helenizmit ”.

Autori ka meritën, që burimet e vjela i ka integruar natyrshëm brenda shkrimit historik, i ka menaxhuar me kujdes, i ka përdorur në vendin e duhur dhe mbi të gjitha, u është dhënë për­pa­rësi burimeve parësore ndaj dytësoreve. Si i tillë ai ka mundur të tërheq prej dokumentacionit his­torik embrionin e problemit. Pra, ajo çka është e fshehur në këtë dokumen­ta­cion është zbu­luar, interpretuar, analizuar, përgjithësuar e së fundmi është pasqyruar me një shkrim të rrjedhshëm e bindës për lexuesin.

Kësaj i shtohet fakti që prof Shatri ka gati një gjysmë shekulli përvojë të pasur në fushën e stu­­dimeve dhe hynë në mesin e historianëve më të mirë, jo vetëm në Kosovë por në mbarë arealin shqiptar. Në rrjedhën e studimit dukët çartë se autori ka jo vetëm një përgatitje të mirë teorike, por edhe një mjeshtëri të spikatur shkencore.

Në rrafshin metodologjik-hulumtues, me qëllim që lexuesi ta ketë para vetes një pasqyrë të ngjarjeve sa më komplete në vazhdimësi, duke mos i shkëputur ato nga konteksti historik, autori brumin e lëndës në këtë libër e organizon në njëzet ndarje, të cilat janë të lidhura ngushtë mes veti dhe përbëjnë boshtin e këtij studimi.

Përmbajtja e konkluzioneve dhe krahasimeve për morinë e problemeve që përmbledhë  kjo tematikë  ka bërë studimin një monografi me të vërteta historike dhe shkencore të pakontestueshme.

Duhet shtuar se autori gjatë shkrimit të tekstit ka dhënë shënime sqaruese për shumicën e protagonistëve të këtyre rrjedhave, duke e bërë kështu këtë monografi edhe një enciklopedi të vogël, që do jetë ndihmesë për lexuesin dhe për studiuesit e kësaj periudhe si dhe të periudhave të mëhershme e të mëvonshme të historisë sonë. Monografia shoqërohet me përfundime, burime, literaturën ndihmëse dhe nga fjalorthi i termave osmanë dhe të tjera.

Pra, ky libër është mjaft voluminoz dhe ka 960 faqe të formatit të madh dhe është shkruar me një stil të qar­të dhe të rrjedhshëm. Struktura e botimit përgjithësisht është e drejtë dhe e punuar me të gjitha kriteret më të avancuara të metodologjisë shkencore. Përveç hyrjes dhe shtjellimit të kësaj periudhe me mjaft interes, librin e pasuron për­mbyllja në gjuhën angleze dhe bibliografia mjaftë e pasur si dëshmi e punës vetëmohuese dhe frytdhënëse të autorit.

Nga analiza e hollësishme e përmbajtjes dhe pasqyrimi i aparatit shkencor mund të për­fun­dohet se monografia “Kryengritja e përgjithshme shqiptare e vitit 1912” shënon një arritje të rëndë­sishme në historiografinë shqiptare, në të janë sqaruar shumë dilema lidhur me gjendjën dhe statusin e shqiptarëve në fund të sundimit të Perandorinë Osmane dhe për domosdoshmërinë e kryengritjes së armatosur. Gjithashtu janë pasqyruar në mënyrë të qartë edhe objektive synimet gllabëruese të shteteve ballkanike, por edhe qëndrimi i Fuqive të Mëdha ndaj çështjes shqiptare me gjithë nuancat e vetëkuptueshme.

Filed Under: Histori Tagged With: antiosmane, Kryengritja e pergjithshme, Muhamet Shatri, Prof. Dr. Lush Culaj

Parlamenti Shqiptar- Kur kërkohej zi per Leninin, Wilsonin dhe Van Kosturin

November 7, 2017 by dgreca

Parlamenti 1924-kur J.Erebara kerkoi zi per Leninin, Fico shenje zie per Wilson, A.Kelcyra zi per Vani Kosturin/

1 parlamenti1924-300x180

Nga Gëzim Llojdia/ 

Bisedimet e Kuvendit kushtetues. Faqe 63-65.Mbledhja e VII. E hanë me 4 Fruer 1924.Ora 3 m.dr.
Në parlamentin shqiptar në vitin 1924 është mbajtur zi për tre  personazhe krejt të ndryshme me njëra-tjetrën. Reuf Fico sapo ka filluar seanca e pasdrekes ka kërkuar që të mbahen 5 minuta zi për vdekjen e  Presidentit amerikan Ëilson .Ndërkaq z.R.Fico ka kërkuar ti dërgohet një telegram në shenjë ngushëllimi familjes. Pas kësaj zie, parlamenti është mbledhur sërish. Jashar Erbera ka kërkuar që të mbahen edhe 5 minuta zi për vdekjen e Leninit. Duke e shqyrtuar këtë propozim me thëniet se Lenini  do të fliste më tepër për një Shqipëri të madhe. Ky propozim ka bërë që në sallë të dëgjohen të qeshura. Deputeti Avni Rustemi ka marrë fjalën ku midis të tjerave ka thënë se Shqipëria nuk duhet të jetë bolshevike, por sipas A.Rustemit,Lenini  ishte  i  pari që denoncoj traktatin e fshehtë të 1915 për copëtimin e Shqipërisë. Ndërhyrja e E. Vlorës kaironike : Për nderin e kaq mij shpirtrave që therri me duar të tija….replikoi ai.
Ndërhyrjet e deputetit A.Këlcyra ka qenë për të mbajtur 5 minuta zi për Vani Kosturin të cilët i ishin vrarë djali dhe nipi nga ushtritë  e huaja.

Tekësti i plotë

Bisedimet e Kuvendit kushtetues. Faqe 63-65.Mbledhja e VII. E hanë me 4 Fruer 1924.Ora 3 m.dr.

Z.Reuf Fico: Z. kryetar! Pa hy në bisedime të  rendit të ditës,dua të bëje një proponim..Me hidhërim muarrmë vesht se ish-kryetari i Shteteve të Bashkuara t’Amerikës Ë.Ëilson-i vdiqë. Duke marrë parasysh shërbimet e mbëdha që I kas bërë Shqipërisë, proponoj të bëhen 5 minuta pushim si shenjë hidhërimi edhe t’ i  hiqet një telegram ngushëllimi familjes së ndyerit.
Pranohet.
Bahen 5 minuta pushim dhe pas 5 minutash mbledhja mbështjellet prapë. Z. Jashar Erebara: para se të hymë në bisedim proponoj të bahen 5 minuta pushim edhe për Leninin, se në qoftë se Wilson do flitet për të mirën e Shqipnis,ma tepër do të flitte Leninin për një Shqipni të madhe.
Ilaritet.
Z. Avni Rustemi:Më vjen shumë keq Z. Kryetar, që kur përmendet emri  i Leninit, ndigjohen qeshje nga anë e disa përfaqësuesve të kombit. Nuk due që Shqipëria të jetë bolshevike, sepse gjendja dhe pozita e saj  nuk e don po për principet e larta njerëzore duhet që me një respect të zihet në gojë emri  i tij.E dini fare mirë zotërinj se qysh ay mproj  principet e larta të njerëzisë e se kje i  pari që denoncoj traktatin e mëçeft të 1915 që ishte për copëtimin e Shqipërisë. E dinja se proponini i bërë prej z Erebarës nuk do të pranohej,po neve  me gjithë atë e kemi për detyrë të proponojmë që të bëhen 5 minuta pushim si shenjë hidhërimi për vdekjen e tij.

Z.Eqrem Vlora:Për nderin e kaq mij shpirtrave që theri me duar të tija….

Z.A.Këlcyra: Z.Kryetar! Në ket rast që po nisim të bëjmë  5 minuta pushim për njerës të huaj më duket se  se do t’ishte më e drejtë të bëjmë 5 minuta pushim për ata që kanë derdhë gjakun për krijimin e Shqipërisë e që ketë tokë e kanë vaditur me gjakun e tyre .Mbasi sot po shkojmë nga jeta e armiqësisë e intrigave fqinjore, propozoj të bëhen 5 minuta  pushim për Vani Cico Kosturin të cilët i kanë dekë të vrarë i biri nga ana e Grekërve dhe nipi nga ushtrija turke dhe ti hiqet një telegram ngushëllimi familjes së tij.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Gezim Llojdia, Parlamenti, Van Kosturin, Wilsonin, zi per Leninin

DEKLARATË E NIKOLLË IVANAJT PËR TURQIT, NË SOFJE, PËR GAZETËN FRANCEZE (GUSHT, 1912)

November 3, 2017 by dgreca

DEKLARATA E NIKOLLË IVANAJT, NË SOFJE, PËR GAZETËN FRANCEZE (GUSHT, 1912) : “TURQIT NUK MUND TË NA MARRIN MË TRI GJËRA : NDËRGJEGJEN, ZEMRËN DHE ARMËT TONA !”/

1 Aurenc Bebja

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 3 Nëntor 2017/

image

Gazeta franceze, “Le Temps”, ka botuar, të mërkurën e 21 gushtit 1912, në faqen n°2, deklaratën e patriotit shqiptar nga Tuzi, Nikollë Ivanaj, në lidhje dy qëllimet kryesore të lëvizjes shqiptare për pavarësi si dhe me problematikën e krijuar nga korrespondentët e gazetave të huaja, të cilët shkruanin se mes shqiptarëve kishte mosmarrëveshje.Cilat kanë qenë këto qëllime ? A kishte mosmarrëveshje mes shefave shqiptarë ? Në vijim, do të gjeni tekstin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :

Korrespondenti ynë në Sofje na telegrafon :Agjitatori shqiptar Ivanaj Beu, i cili mori pjesë në rolin e sekretarit në një konferencë të rëndësishme në Prishtinë, sapo ka mbërritur në Sofje me misionin për të marrë pjesë në komitetet maqedonase. I pyetur për situatën në Shqipëri, ai na dha deklaratën në vijim :“Kemi çdo arsye për të qenë të kënaqur me rezultatet e arritura nga lëvizja jonë. Siç ju thashë vitin e shkuar, ne po procedojmë sipas etapave.Qëllimi ynë i parë ishte aktivizimi i zgjimit të ndërgjegjes kombëtare mes popullit tonë, duke e futur atë në konflikt me turqit, ku një traditë e gjatë e bëri të dukej si vëllezër me ta. Partia Bashkim dhe Progres, nëpërmjet çmendurive terroriste të shovinizmit të saj dhe manisë centralizuese të politikës së saj, na i ka lehtësuar shumë gjërat. Aktualisht, për patriotët tanë, Turku nuk është më, si dikur, vëlla në fe dhe aleat në sundim; ai është armiku i vdekshëm i racës sonë dhe aq i urryer sa që urrejtja jonë për të është tani pjesë e përpjekjes që na çon drejt lirisë.

Qëllimi i dytë i lëvizjes sonë ishte diplomatik, ne kemi dashur të paraqesim problemin shqiptar përpara Evropës; tashmë është bërë. Ne ishim në pritje të kushteve ligjore për përfundimin e rilindjes tonë kombëtare nëpërmjet shkollës dhe për organizimin e forcave tona popullore në mënyrë që të fitonim pavarësinë. Ky ështe qëllimi i kërkesave që kemi bërë aktualisht dhe ku disa prej të cilave do të pranohen domosdoshmërisht nga Porta e Lartë.

E di fare mirë që shkruajnë se udhëheqësit shqiptarë nuk janë dakord për qëllimin që duhet arritur dhe se ka pasur të paktën tre parti. Madje është thënë se shumë nga bashkëkombasit e mi dëshironin kthimin e Abdul Hamidit. Këto thashetheme janë përhapur nga korrespondentë, ku nuk dyshoj në qëllimin e tyre, por dua t’ju shpjegoj keqkuptimin e tyre.

Shqiptarët nuk janë të ndarë nga parimet, por nga oportunizmi. Ata janë të bashkuar me pasion idealit të vetëm për pavarësi, megjithatë, hamendja e tyre e përbashkët u thotë që të moderojnë kërkesat e tyre për momentin për t’i bërë ato të realizueshme. Kjo arsye praktike është veçanërisht e dukshme në mesin e shefave të moshuar, si Isa Boletini, i cili kombinon instinktin e thellë politik me njohurinë e madhe që ka ndaj turqve. Pra, korrespondentët e huaj, sipas faktit që janë njohur me intelektualë, ku ëndrra kombëtare është plotësisht e afirmuar, apo me udhëheqësit e vjetër të lëvizjes, të rezervuar, ata kanë marrë më vete përshtypje të ndryshme.

Çfarë mendoj për qeverinë e re turke? Është e pamohueshme se ajo përbëhet nga burrështetasit më të mëdhenj të Turqisë; por këta shtetas janë turq, dhe kjo është e mjaftueshme për të na bërë skeptikë ndaj tyre. Ne kemi qenë aleatë të opozitës, po, por për një vendim paraprak : shpërbërjen e Dhomës Parlamentare, në të cilën ne pamë një pengesë ligjore për suksesin e kërkesave tona. Ajo nuk ekziston më, aq më mirë; por kjo nuk është e mjaftueshme për ne që të dorëzojmë armët.

Lufta do të përfundojë vetëm kur Shqipëria të administrohet nga zyrtarë shqiptarë, të arsimuar në gjuhën e saj dhe të lirë në zhvillimin e saj drejt kulturës kombëtare. Ne kemi planifikuar çdo gjë, madje edhe një humbje. Turqit mund të shkatërrojnë përsëri shtëpitë tona. Por ka tri gjëra që ata nuk mund ti marrin më : ndërgjegjen, zemrën dhe armët tona !”

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja, DEKLARATA E NIKOLLË IVANAJT, NË SOFJE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 372
  • 373
  • 374
  • 375
  • 376
  • …
  • 739
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË
  • NDRYSHIMET KLIMATIKE DHE KËRCËNIMI I URISË GLOBALE: NJË GRADË MË SHUMË, MILIONA JETË NË RREZIK
  • KUR FLITET PËR PROCESIN KRIJUES – ROMANI “I ARRATISURI”
  • NËNTORI 2026 MES FLAMURIT DHE PROTESTËS
  • Plagët e heshtura të luftës…
  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT