• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZËRAT E LASHTË TË NJË QYTETI

September 23, 2015 by dgreca

NGA PËLLUMB  GORICA/

 Lashtësia me zërin e saj,këtu në Lezhë shpesh herë të çon në gjeneza mahnitëse,që zëvëndësojnë mrekullisht edhe muzetë e biblotekat me në zë.Ajo, si një trung peme,ka ngulur rrënjët thellë,dhe me degët e gjelbërta,të shtrira në shekuj.Koha,kjo rrafshuese,nuk ka mundur në asnjë mënyrë të fshijë çdo gjë nga lavdia e hershme.Mjafton të prekësh një fragment muri të lashtë,një relike, një armë prijësi,që edhe pse të ndryshkura nga shekujt,emblemën e tyre të lirisë e kanë mbajtur përherë të re dhe të pandryshuar,dhe kjo është Lezha.

*    *    *

Atje ku gjithmonë janë përplasur stuhitë e kohërave,vëmendja e gjithë studiuesve është ftesë për ta hulumtuar atë.Rishkrimi dhe pasqyrimi i historisë janë treguesit më bindës të atdhedashurisë dhe krenarisë tonë,si dhe një respekt më shumë për identitetin tonë,kulturën e lashtë.Ndaj,duhet të hidhet dritë mbi të shkuarën e largët.Historia e Lezhës ka kaluar nëpër pushtime, shkatërrime,djegie,emigrime për mbijetesë nga kërcënimet,presionet e pushtuesve dhe zhvillim ekonomik e arkitekturor të lartë. Gjurmët e lashtësisë dhe qytetërimit të kahershëm,të pranishme që nga thellësia e shekujve nuk janë tretur në shfarosjen shkatrrimtare,edhe pse pushtimet dhe fatkeqësitë natyrore kanë zhdukur jo pak prej tyre.Kalaja, muret e qytetit antik,të Lisit të Poshtëm,të çngjyrosura nga koha dhe me kaq shumë mistere,e shtrijnë hapin deri më sot si vazhdë stërgjyshore të këtyre trojeve.Ato si dëshmitare të shumë ngjarjeve në shekuj,e të ndodhura pranë tyre,e kanë përjetësuar historinë herë si mbrojtëse të armikut,që mund të asgjesonte jetën në këto troje. Jetën e kanë përgjuar dhe kërcënuar pabesisht erërat e grykave të errta.Kohë pas kohe rrapëllimat e turmave me mishmashet e gjuhëve,flamuj e stema të praruara, shpata e mburoja nën trokëllimën e kuajve janë maihsur prej hijeve të zgjatura të mjegullave,që zinin vend shpesh herë dhe toka hapej e nuk ngopej me gjak luftëtarësh.Kronikat e kohës kanë shkruar këto, dhe jeta sado me vështirësi prapëseprapë është përtërirë.

Lezha e pajisur me bukuri natyrore:male,fusha, lumenj,detin pranë, shtrirë në fushë dhe rrëzë një kodre shkëmbore mes një peizazhi të gjelbër e të kaltër,të shfaqet si një pasqyrë drite. Sapo shkel aty përballesh me rrënoja të braktisura industriale,shenja këto të ndërtimeve të sistemit të kaluar komunist,dhe godina pallatesh me një arkitekturë të varfër,e uniformë kaq të ngjashme me njëra-tjetrën,që të futin në shpirt një zbraztësirë të mërzitshme.Kjo është edhe përshtypja e parë që të krijohet.Ndërsa, kalon urën mbi lumin Drin, qyteti të deh me ngrohtësinë e diellit,gjurmët e heshtura të qytetërimit të lashtë,që të bëjnë të mbash hapat gjatë,e këto të fusin në mendime të thella.Të befasojnë ato bashkë me ndërtimet e reja,të dukshme në këto vitet e fundit,me një stil bashkëkohor, duke dëshmuar se lashtësia ka udhëtuar në shekuj bashkë me jetën e qytetit. Duke soditur gjithçka që të shfaqet para syve,ne përfitojmë një pafundësi emocionesh.Ndaj bëhesh tjetër njeri nga moria e tyre që i ndjen çdo çast.Tej,në horizont,në një nga lartësitë shkëmbore që arrijnë në majën e malit Sheldun,ku antena e repetitorë (dhënëse) kërkojnë të zgjasin majat e tyre,ravijëzohet kalaja. Vështrimi të përhumbet në një meditim të thellë në historinë e saj,por ndjesia më e këndshme të kaplon kur ngjitesh dhe e viziton atë,nga ku qyteti të shfaqet anë e kënd.Ajo është e njëjtë si shumë kala të tjera ilire,të ngritura në maja kodrash për vetëmbrojtje,e cila vërteton lashtësinë e këtij vendbanimi.Një kala,që e ruan madhështinë e saj edhe sot,ku ndërthuren ngjarje, prinjës, legjenda.Këtu kanë jetuar pirustët,një nga fiset e njohura ilire.Autorë të ndryshëm që nga antikiteti si Polibi,Tit Livi,Prokopi i Çezarës,Anonimi i Ravenës,Ana Komnena në shënimet e tyre e përmendin Lezhën,si një ndër qytetet tepër të fortifikuar dhe luftarak në bregdetin e Adriatikut.Aty ku mbretërit ilirë Pleurati,Agroni, Bardhyli, Teuta, Genti jetuan e luftuan gjatë. Mbretërit ilir dhe të tjerë që kanë sunduar pas tyre me ngjarjet madhore e kanë bërë Lezhën,që në shekuj të shfaq qëndresë në segmente të rëndësishme mbijetese,falë vitalitetit shpirtëror dhe atij luftarak.Lavjerrësi i kohës ngecte dhe i ndryshonin emërtimet qytetit.Ndaj,në kohërat e ekzistencës së tij,shumë herë e ndërroi atë sipas rrethanave.Është njohur:Lissitan,Lisi, Lissos, Lisum, Lission,Lesh,Alesio,për të arritur tek emri i sotëm,Lezhë.Kur i hedh një vështrim të shkurtër rrjedhës së historisë së Lezhës,sikurse është dokumentuar,qyteti është përmendur edhe për rolin e madh në bashkimin e Arbërisë.Mjafton fakti se këtu,në 2 mars të vitit të largët 1444,u bashkuan kryetrimat e Arbërisë: Gjergj Kastrioti,Gjergj Arianiti,Andrea Topia,Tanush Topia,Teodor Korona Muzaka,Gjergj Stres Balsha,Pal dhe Nikollë Dukagjini,Lek Zaharia Altisferi, Pjetër Spani,Lek Dushmani,etj,të cilët vendosën një aleancë të bashkimit arbëror,me kushtrimin për të mbrojtur trojet nga vërshimet shkatërruese osmane.Një akt historik,që u kishte hije prinjësve për t’u bashkuar,se osmanët po kërcënonin Arbërinë.Ajo ishte edhe pika kulmore e shtetit në mesjetën shqiptare.

Të gjitha këto të nxisin kureshtjen për ta njohur më mirë këtë qytet historik. Kalaja ishte edhe një kryeqendër e familjes princërore të Dukagjinasve, zotëruese e territoreve të Veriut të sotëm të Shqipërisë në shekujt XIV-XV,që përbën edhe një krenari për lezhjanët.Është tepër interesante kjo periudhë për këtë vendbanim të lashtë.Ndaj arkeologjia shqiptare së bashku me bashkinë e qytetit i kanë kushtuar më shumë interes kësaj kalaje,që ne(edhe vizitorët e huaj)të ndjejmë e të prekim bukuritë e vlerat historike,të cilat flasin me zërin e së shkuarës e të na bëjnë të rritet krenaria,duke e shfrytëzuar atë maksimalisht,për avancimin e turizmit,sidomos kur bëhet fjalë për lashtësinë tonë.

Të duhet shumë kohë të vizitosh Lezhën,por në pamundësi për të parë gjithçka,ne i kushtuam interes qendrës historike ku,pamje,ndërtime arkitekturore i japin qytetit një bukuri të veçantë.Një kishë madhështore,e ndërtuar në anën djathtë të qytetit,është një vepër e shkëlqyer arti me mjeshtëri në teknike e kombinacione.Diku,afër saj shtrihet një lagje me shtëpi të shpërndara në pjerrësinë e kodrës dhe pamje të tjera të bukura.

Historia e lashtë,kultura e trevës ka frymëzuar skulptorët të krijojnë kryevepra për Lezhën,të bukura,tingëlluese,shprehëse.Ata janë përpjekur të shpalosin vlera artistike,duke e ngritur në art çdo gjë të thjeshtë,që kënaqin e lumturojnë shijet e vizitorëve.Janë këto vlera të spikatura dhe befasuese, për këdo që vjen për herë të parë këtu,të njihet me traditat kombëtare,të cilat marrin vlerë.Në qendër të qytetit të tërheq vëmendjen monumenti i Besëlidhjes së Parë Shqiptare.Më tej,një gur simbol,që në thelb ka një mbishkrim kuptimplotë: “Mirënjohje atyre që shtegtuan me vdekjen në kërkim të ëndrrës së vrarë të një kombi”.Pak më tutje,të mrekullon magjishëm statuja e poetit tonë kombëtar, At Gjergj Fishta,një prej figurave më poliedrike shqiptare.Ajo ka gjatësinë e 3 metrave dhe është ndërthurur me një skulpturë tjetër pranë, e mbështetur në një shtyllë, ku figura e një burri lakuriq ka forcë shpirti,të disa elementëve plotësues:Ora e Shqipërisë,libri,koka e dhisë dhe lahuta.Kush e ndjen artin,nuk mungon të gjej në këto simbole rikrijimin e muzës poetike,të vargjeve epope të kryeveprës së At Gjergj Fishtës“Lahuta e Malcisë”,njërës prej veprave më të famshme të poezisë sonë kombëtare.

Memoriali i Heroit tonë Kombëtar,Gjergj Kastrioti në trajtën e një katërkëndëshi,apo ndryshe siç njihet vendvarrimi i tij,përbën një tjetër pasuri të jashtëzakonshme dhe me vlerë historike e kulturore për kombin,ku ruhen gjurmë nga e kaluara e largët,dhe si çdo monument tjetër që ngjall kureshtjen ai është tepër i rëndësishëm për gjithë  shqiptarët.Të vizitosh atë është një krenari e veçantë,sikurse dhe historia që mbart ky vend.Memoriali është ngritur në rrënojat e kishës katedrale,që mban emrin e Shën Nikollit,e cila pas pushtimit turk u kthye në xhami.Megjithëse e dëmtuar nga erozioni i kohës,ajo përsëri ruan pjesë të saj.Por,e kthyer në një qendër të vizitueshme për qindra e mijëra vizitorë të moshave të ndryshme,vendas e të huaj,dhe e ndërtuar para 30 vjetësh me formën drejtkëndore,natyrisht me një konfiguracion imponues,

është në sytë e tyre rrezatuese,e krenari legjitime.Ndërsa hyn brenda tij,i vështron me admirim objektet e pasqyruara,të një periudhe të ashpër për fatet e kombit tonë.Aty janë ekspozuar shpata,heshta,mburoja,por,ajo që evidentohet më shumë janë flamuri i kuq i thurur me një mozaik gurësh, të vegjël me shqiponjën dy koka dhe një bust reliev i Gjergj Kastriotit,vepër e Skupltorit të mirnjohur,Artist i Popullit Odhise Paskali,shoqëruar nga përkrenarja dhe shpata e tij(kopje).Janë 25 mburoja prej bronzi,që artistikisht simbolizojnë tablo të betejave kryesore:Vajkalit, Mokrës, Oronit, Pologut, Dejës, Ohrit,Krujës, Beratit etj,që flasin jo vetëm për fitoret e arritura,por edhe ato të humbura,të cilat fatkeqësisht janë vetëm dy(ajo për mbrojtjen e kalasë së Beratit dhe beteja e Stefigradit).Si pika nevralgjike,të ngjarjeve aq të rëndësishme të shekullit XV,mbeten një pjezës e vogël e historisë së luftërave në trojet tona për mbijetesë nga pushtimi osman,ku shqiptarët përballuan stuhitë e fuqishme pushtuese.Kalojmë nga njëra mburojë në tjetrën dhe ndjejmë se këtu gjëmon historia e bëhemi më krenar për betejat e largëta të lidhura me Heroit tonë Kombëtar,Gjergj Kastriotin,shqiptarin më të çmuar të të gjitha kohërave.Ishte koha kur fama e tij kaloi kufijtë e territoreve tona,të cilit koha i dha përgjegjësinë e madhe të luftonte për arbërinë,që edhe pse nga osmanët mbajti emrin Skëndërbe.

*    *     *

Ngjatetohesh me Lezhën dhe dëshira për të ardhur përsëri,e për të shkruar më shumë për këtë qytet me histori të lashtë e krenare është ftesë e përhershme.Rrezet e diellit me shkëlqimin e tyre përplasen në rreshtat e kolonave të mermerta,të memorialit dhe rrënojave të vjetra të kohërave antike. Ato shkëlqejnë ashtu si shkëlqejnë dallgët në diell dhe historia plot lavdi e këtij qyteti.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Lezhe, Pellumb Gorica, TË NJË QYTETI, ZËRAT E LASHTË

100 vjet me Shën Marinë – me besë dhe shpresë për Shqipërinë

September 23, 2015 by dgreca

 Kisha shqiptare në Amerikë që feston këtë javë 100-vjetorin/

Shkruajne:Franklin Zdruli, Thanas L. Gjika/am-arkivë (23)

(Fotot nga A. Murraj)/

Shqiptaro Amerikanet e qytetit Worcester (Uster) MA, me 26 e 27 shtator do te festoje 100-vjetorin e krijimit te kishes “FJETJA E SHE MARISE”, kishe e cila e bashkoi komunitetin shqiptar dhe i dha mundesi per veprimtari ne sherbim te diaspores dhe te kombit. Kjo jete nje shekullore perben nje faqe nderi per historine e emigracionit tone ne ShBA dhe nje ure lidhese me atdheun meme e mbare kombin shqiptar.
Sot, Worcesteri eshte qyteti i dyte per nga madhesia ne gjithe New England-in, pas Bostonit. Ai ka luajtur nje rol shume te madh ne zhvillimin ekonomik te shtetit Massacusets dhe te mbare ShBA-ve. Qe ne fillim ai u projektua si qytet industrial metropolitan. Kujtojme ketu fabrikat e shumta, ato te armeve e ushqimore, etj. Industrializimi e shnderroi qytetin ne nje kompleks uzinash e fabrikash, por edhe ne nje qytet ku bukuria natyrore ta ben me te lehte jeten dhe pushimin. Ketu gjen gjelberim, pyje, perrenj, liqene. Ne Worcester gjendet parku i pare i krijuar me fonde private te dhuruar shtetit qe mban emrin ELM PARK. Sot Worcester eshte zhnderuar ne nje qytet studentor dhe cilesohet si qyteti i pare ne Amerike per numrin e kolegjeve qe ka ne vetvete. Permendim ketu disa nga me te shquarit si ASSUMPTION COLLEGE, WPI, CLARK University dhe HOLLY CROSS, qe renditen ne nivelet e larta si ne shkalle kombetare dhe ate nderkombetare.
Worcesterit po i ndryshon qendra nga viti ne vit, duke marre pamje gjithnje e me te bukur me dyqanet e shumellojshme, restorantet e guzhinave nga gjithe bota, si dhe ndertesa muzesh, ndertesa e teatrit Hanover, ku ekspozohen arritje te artit amerikan e boteror, si dhe salla famoze “Mechanic Hall”, e cila eshte endra dhe krenaria e cdo muzikanti dhe orkestre pasi eshte e vecante per akustiken e saj te larte . Nuk duhet harruar muzeu i artit i cili gjithashtu ka nje njohje boterore per ekspozimin e shume veprave origjinale me vlere. Me pak fjale ky eshte Worcesteri, te cilit shqiptaret i thane “shtepia jone” qe para vitit 1900, kur erdhen emigrantet e pare dhe sidomos pas krijimit te kishes. Jo rastesisht ne vorrezat e ketij qyteti u varros shqiptari i pare, djaloshi Kristaq Dishnica, te cilin nuk pranoi ta varroste kisha greke e asaj kohe, dhe Noli u detyrua te vishte roben prifterore per te mos i lene shqiptaret orthodokse te nenshtruar ndaj synimeve shoviniste asimiluese te prifterinjve greke te asaj kohe.
Sot ne kete qytet numerohen gati 20 000 Shqiptaro-Amerikane. Kur filluan te vinin shqiptaret e pare ketu, shume pak prej tyre regjistroheshin shqiptare, shumica regjistroheshin si qytetare otomane, ose qytetare greke. Ne Massachusetts, emigranti i pare qe njihet i regjistruar si Shqiptar quhej Kole Kristofori nga fshati Katund i Korces. Ai mberriti ne ShBA ne vitin 1884 dhe jetoi disa vjet ne Worcester e me tej u shperngul ne Boston MA, ku u dorezua me vone prift. Ne vitin 1884 ne zyrat e emigracionit ne State Island u regjistrua si shqiptar edhe nje emigrant tjeter me mbiemrin Konduli, djalosh nga qyteti i Korces, i cili u vendos se pari ne New York, por shume shpejt shkoi ne Alaske ku punoi shume vjet e me tej u kthye ne atdhe. Numeri i emigranteve qe regjistroheshin si shqiptare filloi te rritet mbasi u dorezua prifti i pere shqiptar At Noli dhe sidomos mbas shpalljes se Shqiperise shtet i paverur me 1912.
Askush nuk e harron kontributin dhe perkushtimin e Fortlumturise se tij Fan Stilian Noli ne ngritjen dhe drejtimin e Kishes Orthodokse Shqiptare ne ShBA, por jo kushdo sot i njeh vlerat dhe kontributin e perkrahesve dhe atdhetareve qe e zgjodhen Nolin per udheheqes dhe e ndihmuan ne cdo hap. Shumica e tyre ishin prej kolonive shqiptare ne perendim te Bostonit si Southbridge, Worcester, Natick, Frammingam, Clinton, etj. Deri ne kete kohe shume shqiptare kontribuan ne ngritjen e disa kishave te tjera qe i perkisnin nje komuniteti etnik te perzier me shqiptare, greke, siriane, armene, ruse, e besimtare te tjere orthodokse. Keshtu u ngrit kisha “Shen Kostandini dhe Helena” ne Webster MA nga Polenaket e Korces , apo “Shen Spiridhoni” ne Worcester, te cilen e ndertuan shqiptare te erdhur prej Greqise Veriore ne kufi me Shqiperine. Duke qene se keta emigrante, shteti grek nga ishin nisur dhe komuniteti grek i ketij qyteti qe i priti, i quante greke per shkak se ishin banore te Greqise dhe orthodokse per nga besimi, u deturuan qe te mbeteshin miq me besimtaret greke, fakt qe ndikoi ne greqizimin e plote te femijeve te tyre.

Fotomontazh per 100-vjetorin nga A. Murraj

Per shkak te besimit orthodoks dhe te njohjes se greqishtes qe kishin mesuar neper shkolla greke te Shqiperise, e quajten veten greke edhe mjaft shqiptare qe erdhen nga zonat e Shqiperise se Jugut. Edhe sot disa shqiptare qe e filluan jeten e emigracionit se pari ne Greqi, ku mesuan greqishten dhe shijuan per te paren here jeten e lire, kur vijne ne USA, behen anetare ne kishen greke te “Shen Spridhonit”, me qe ajo eshte me prane shtepive ku ata jetojne dhe ku mesha mbahet greqisht, gjuhe qe ata nuk duan ta humbasin.
Per t’u permendur eshte fakti se kisha e pare shqiptare orthodokse e ndertuar me ndihma financiare dhe pune vullnetare prej emigranteve shqiptare eshte kisha e “Shen Kollit” (Saint Nicola) ndertuar me 1912 ne Southbridge MA. Kurse kisha e pare shqiptare e qytetit Worcester MA kushtuar Hyjlindeses Mari, me emrin “Fjetja e Shen Marise” (Saint Mary Assumption) u inagurua ne vitin 1915 ne nje godine kishe te blere prej shqiptareve, kurse kisha madheshtore qe kemi sot u ndertua me ndihmat financiare te shqiptaro-Amerikaneve me 1982 ne adresen 535 Salisbury Street dhe u zgjerua e zbukurua ne vitet 1995-2000. Mbas shtesave dhe plotesimit te ambjenteve te brendshme me piktura te realizuara prej piktorit te talentuar Dhimiter Chika, kisha jone eshte nder kishat shqiptare me te bukura ne mbare Ameriken. Kjo kishe bashke me Katedralen e “Shen Gjergjit” Boston MA, “Shen Kollit” ne Southbridge, ate te “Ungjillezimit” ne Natick dhe kishat e tjera orthodokse shqiptare ne shtetet New York, Michigan, Ilinois, etj jane anetare te denja te Peshkopates Amerikane Orthodokse.
Gjate ketij shekullit te pare te sherbimit fetar te kishes “Fjetja e Shen Marise” kujtojme me respekt dhe perkulemi me perulesi kujtimit te prifterinjve te pare qe sherbyen ketu si At Stath Melani, Rev. Pandi Sinitza, Arch. Thimi Theodhos, Rev. Naum Cere, te cilet u shquan krahas forcimit te besimit edhe per brumosjen e besimtareve me atdhedashuri dhe mesimin e gjuhes shqipe. Mesimin e gjuhes shqipe me femijet e lindur ne emigracion e vijoi atdhetari Peter Kolonja mbasi At Stathi shkoi ne Permet me 1917 per te vijuar punen ne sherbim te kishes e te atdheut, ku dhe u vra ne dhjetor te atij viti prej disa forcave shoviniste greke. Gjate ketij shekulli ne kete kishe kane sherbyer me shume se 12 klerike, midis te cileve sherbeu me gjate Very Rev. Spiro Page. Sot sherben Very Rev. Father Timothy Lowe.
Gjate dhjetevecareve ne vazhdim shqiptaret jo vetem u ingranuan ne shoqerine amerikane duke u bere anetare te denje te saj por ata identitetin e tyre se bashku me besimin si pjese e pandare e trashegimise identitare e ruajten si nje amanet prej te pareve. Ne bisedat me te moshuarit sot ata tregojne me nostalgji se kur ngrinin dolline e pare ne festat per nder te dites se pavaresise urimi fillonte me fjalet: “Dhe mot ne Shqiperi”.
Ishin pikerisht ndjenjat atdhetare e fetare qe i kane shtyre shqiptaret e Worcesterit per te mbajtur gjithmone flamurin e shqiptarizmes e te ndershmerise ne rrugen e tyre te ngritjes , te integrimit dhe te rruajtjes se identitetit shqiptar ne diaspore dhe me gjere. Ne kete udhetim shekullor do te duhej kohe te shfletonim gjithe te shkuaren aq me teper ta analizonim ate por disa pika te rendesishme eshte e domosdoshme t’i njohim.
Shqiptaret e Worcesterit e kane manifestuar gjithnje hapur e me kurajo ndjenjen e liridashjes dhe ruajtjen e identitetit kombetar me cdo cmim . Ishin pikerisht keta shqiptare qe mbeshteten dhe financuan Ismail Qemalin ne fund te Luftes se Pare Boterore per perfaqesimin e Shqiperise ne oborret e Fuqive te Medha ku luftoi kunder coptimit te metejshem te Shqiperise. Ishin perseri bijte e ketij komuniteti qe perkrahen organizaten “Shqiperia e Lire” dhe vizionin e pare demokratik te shpalosur nga Kostandin Cekrezi per nje Shqiperi te lire dhe zgjedhje demokratike me ndihmen e SHBA-ve mbas Luftes se Dyte Boterore. Po keta shqiptaro-amerikane te Worcesterit derguan qindra mijera dollare ne Shqiperi per te ndihmuar familjet e tyre gjate kohes se monizmit. Kohe, kur populli yne neperkembej prej sunduesve te pashpirt qe mashtronin duke propaganduar nje te ardhme te lumtur, per te fshehur te tashmen e mjerueshme ku zvarritej populli cdo dite. Keta Shqiptaro-Amerikane nuk u dekurajuan nga realiteti i nje shteti mosmirenjohes dhe per gati 50 vjet u munduan te vijonin ruajtjen e shqiptarise, ne ngjashmeri me komunitetin shqiptar te Italise se Jugut, qe perjetoi izolimin nga mema per me shume se pese shekuj.
Komuniteti shqiptar i Worcester-it e di mire se besimi dhe shpresa ne Jezu Krishtin eshte rruga me e sigurt per te care erresiren dhe izolimin drejt nje bashkimi te qendrueshem. Edukimi i femijeve ne shkollen e se dieles (Sunday School) ne ambentet e kishes eshte nje pune e mire per formimin e ndergjegjes se te rinjve me ndjenja fetare. Ndergjegja e te tille njerezve, si te themi paiset me ate llamben qe ndizet ne trurin e tyre sa here ata ndodhen para kryerjes se nje hapi te gabuar ne jete, llampe e cila me driten e saj jep alarmin qe te mos kryhet nje vjedhje, nje genjeshter, ose nje krim. Per nje llampe te tille kemi nevoje te gjithe, prandaj shume prinder te rinj shqiptare i sjellin femijet e tyre ne kishe cdo te djele dhe jo vetem per t’i pagezuar ose kurorezuar. Lum ata prinder qe e kane kuptuar se ardhja ne kishe bashke me femijet nuk eshte humbje kohe, por perfitim i madh moral, eshte nje kapital i rendesishem per jeten e cdo njeriu. Ne kete drejtim shquhen shqiptaro-amerikanet e lindur ketu, te cilet ndjekin rrugen e prinderve te tyre, kane ardhur dhe vijne regullisht ne kishe, kane ndihmuar e ndihmojne kishen financiarisht me dore te hapur duke dhuruar shuma te konsiderueshme. Ne shqiptaro-amerikanet e ardhur rishtas duhet t’i kemi per shembull te tillet besimtare dhe te ecim ne rrugen e tyre.
Ne kete 100-vjetor vlen te permendim disa prej besimtareve e veprimtareve te shquar te kishes sone me familjet e tyre. Le te permendim Mr. Willian Jons (Vasil Kamenica), Dr. George M. Laska, Norman Simon, Dr. Theodor S. Themel, te cilet kene fituar titullin e larte “Kalores i Shen Gjergjit”. Po ashtu permendim Mrs. Mariolla Spiro, Paty Morris, Mr. Louis R. Pero, juristet Gregory Steffo e Gary Peter si dhe shume e shume te tjere, qe kane sherbyer here si kryetare te Keshillit Laik, here si kengetare te korit te kishes, nxites te veprimtarive te ndryshme, ose kane sherbyer si kryetare te shoqerive e organizmave te ndryshme te kesaj kishe. Komuniteti shqiptar prane kishes se Shen Marise ne Worcester ka luajtur rol te rendesishem ndermjet te tjerash ne ngritjen e qendres se pare rehabilituese per te moshuarit, nga besimtaret orthodokse “Holy Trinity” . Ngritjen e qendres se kujdesit per femijet e moshes parashkollore ne ambjentet e kishes “Fjetja e Shen Marise”. Ndertimin e godines se pare per strehimin e te moshuarve me emrin “Illyrian Gardens”, ndertimin e programeve te ndryshme per femije dhe te rinj shqiptare, si dhe organizma te ndryshme. Disa prej tyre jane “Kori i kishes” (The Church Choir) krijuar me 1917, “Bijat e Shen Marise” (Daughters of Saint Mary’s) krijuar me 1951, “Te rinjte e Shen Marise” (Saint Mary’s Youth Group) krijuar me 1968, “Bijte e Shen Marise” (Sons of Saint Mary’s) krijuar me 1972 dhe shume shoqeri e grupe te ndryshme teatrale, sportive, muzikore, etj., si dhe organizaten AANO etj.
Aktiviteti shoqeror dhe besimtar i ketyre organizmave ka qene i larmishem qe prej fillimit te tyre e deri ne ditet tona duke perfshire mesimin e kengeve dhe valleve shqiptare, mesimin e gjuhes shqipe, organizimin e mbremjeve festive per festa te ndryshme, sidomos te 28 Nentorit, dhenie shfaqjesh, si dhe dhenie ndihmash ne komunitet dhe me gjere per te riardhurit, dhenie bursash e ndihmash vjetore per studentet Shqiptaro-Amerikane, si dhe dhenie ndihmash per shkolla dhe organizma bamirese per te realizuar projektet e tyre.
Pas vitit 1991 komuniteti shqiptar i Worcester-it u gjend ne nje realitet shokues, sepse duke u hapur Shqiperia, shqiptaret filluan procesin zinzhir per te terhequr njeri tjetrin ne mergim. Kisha e Shen Marise u be pike referimi per shume e shume shqiptare te riardhur. Duhet te kujtojme se nepermjet dedikimit te anetareve te saj ne bashkepunim me organizaten NEARO u dergun fillimisht ne Shqiperi dhe me pas ne Kosove mijera e mijera pako me ushqime dhe veshje te ndryshme. Gjate luftes se Kosoves e me pas nepermjet fushates fondmbledhese qe Kisha jone mori persiper u grumbulluan dhe u shperndane rreth 300 000 dollare ne forme ndihme monetare per refugjatet kosovare te shperngulur nga trevat e tyre.
Sot qendra komunitare per ndihme sociale per emigrantet “Friendly House” eshte fakti me i gjalle qe te riperterin kujtesen. Kjo qender u krijua per t’u ardhur ne ndihme emigranteve shqiptare qe per vite me radhe nuk pushoi dhe sot vijon veprimtarine e saj ne ndihme te emigranteve te rinj.
Veprimtaria e ketij komuniteti kompletohet dhe me programin e ores shqiptare qe trasmetohet live cdo te shtune nga ora 8-00 deri me 10-00 ne mengjes. Ky radioprogram eshte programi me i vjeter i vazhdueshem ne shqip ne mbare Ameriken, themeluar prej Llazo Progrit e me pas mbajtur prej Dhimiter Stefos, kurse sot mbahet prej ciftit Andrea e Rebeka Tanace. Krahas ketij radioprogrami ka disa vjet qe transmetohet prej z. Arben Kamberi dy here ne jave emisioni televiziv ne gjuhen shqipe ne kanali 13. Pjese e rendesishme e veprimterive kulturore eshte dhe grupi “Vallet Tona”, i cili vijon te pergatite me dhjetera femije cdo vit per me se 10 vjet nen koreografine e zotit Dhimiter Demiri.
Komuniteti shqiptar i Worcesterit ka nje liste te gjate veteranesh qe kane marre pjese ne Luften e Pare dhe te Dyte Boterore, ne Luften e Korese, te ate te Vjetnamit, etj, madje ka dhe deshmoret e vet ne keto luftra. Keto jave komuniteti yne festoi 100-vjetorin e veteranit te L. II B., z. Vangjo Naum, i cili ka ardhur ketu me 1936 nga Drenova e Korces.
Vlen te permendim se ky komunitet i ka dhuruar disa vjet me pare qytetit tone Majoren e pare shqiptare ne mbare Ameriken, zonjen Kostandina Lukes, e cila vijon t’i sherbeje komunitetit si keshilltare ne bashki. Ne festimet e 100-vjetorit te pavaresise se Shqiperise ish Majorja dhe komuniteti i Worcesterit kishin nderin te pershendetnin nga prane Ambasadorin shqiptar te SHBA Mr. Gilbert Galanxhi tre here brenda nje viti.
Ne kete 100-vjetor te kishes sone ky komunitet i dhuron shtetit Massacusets Mbretereshen e Bukurise Miss Massacussets 2015, zonjushen Polikseni Manxhari si nje fakt se vajzat shqiptare nuk jane vetem te zgjuara e nikoqire, por edhe te bukura. Ne kete 100-vjetor komuniteti prane kishes “Fjetja e Shen Marise” i dhuroi qytetit Worcester veprimtarine me te madhe dhe me te bukur shoqerore e familjare, Festivalin Shqiptar . Ky eveniment zhvillohet cdo dy vjet per 33 vjet me radhe ne oborrin e kishes nga anetaret e komunitetit . Kete vit ne kete ngjarje moren pjese me shume se 13 000 vizitore te cilet erdhen jo vetem nga qyteti dhe qytezat rrotull, por edhe nga shtete te ndryshme te Amerikes e Kanadase. Ky festival kete vit iu dedikua 100-vjetorit te themelimit te kishes. Eshte per te theksuar se ne kete festival na nderuan me pjesemarrjen e tyre dhe me urimet personalitete te pushtetit vendor te qytetit, midis te cileve permendim keshilltaret dhe Majorin Joe Petty, kongresmanin Mr. Jim Mcgovern, senatoren locale Harriet Chandler si dhe zevendes guvernatoren e Massacusets Mrs. Karen Polito, sherifin e Worcester County me origjine shqiptare, Mr. Lou Evangjelidhis.
Mirepo nuk mund te leme pa permendur faktin qe per kete ngjarje, e cila ka marre permasat e nje feste kombetare, Shqiptaro-Amerikanet e Worcesterit prisnin te pakten nje urim, nje pergezim, i cili fatkeqesisht nuk erdhi, as nga zyrtare te atdheut e as nga ambasada jone e ketushme. Nje indiference dhe heshtje e tille prej atdheut meme deshmon per mosnjohje dhe mosmirenjohje. Qeveria shqiptare duhet ta marre me seriozisht lidhjen me diasporen, dergimin ne diaspore te teksteve mesimore te gjuhes shqipe, te historise, te letersise dhe harta te ndryshme te atdheut e te mbare trojeve shqiptare. Nese qeveria shqiptare ndihmon seriozisht diasporen ne plan kulturor e shkollor, neser mund te dalin prej saj personalitete te shquar te artit, letersise, shkences, biznesit, etj, si dikur Marin Becikemi (alias Marin Barleti), Leonik Tomeu, etj prej diaspores shqiptare te Italise se Veriut; Jeronim de Rda e Gavril Dara me shoke prej diaspores se Italise se Jugut; Merko Bocari, Anastas Kullurioti e A. Kupitori prej diaspores se Greqise; Fan Noli prej diaspores se Thrakes Lindore etj. Sa me shume kohe kalon aq me shume ky mosinteresim i qeverive te atdheut ndikon ne dobesimin dhe tretjen e diaspores shqiptare ne bote. Duhet pasur parasysh se ne diasporen e re shqiptare po shkollohen studente shqiptare nga me te miret e Amerikes dhe te Europes, po lindin biznesmene, te cilet neser mund te kthehen ne nje burim energjish e pasurish te pazevendesueshme per atdheun…

am-arkivë (2)

Peshkopi Nikon dhe disa klerike, v. 2009

 

Moment Pashkesh, v. 2015

 

Pamje ballore e kishes "Fjetja e Shen Marise"

 

 

am-arkivë (21)

 

 

Peshkopi NIKON dhe Father Timothy mes personaliteteve qe peruruan Festivalin e v. 2015

 

 

am-arkivë (5)am-arkivë (13)am-arkivë (18)am-arkivë (23)am-arkivë (28)am-arkivë (32)ILLYRIA

Filed Under: Histori Tagged With: 100 vjet, Franklin Zdruli, Kisha Shen Marise, Thanas Gjika

LORD BYRONI NË SHQIPËRI

September 22, 2015 by dgreca

Në motin 1800 vjershëtori ingliz, Byroni shëtite Sinisin’ e Ballkanit nga e cila dërgonte letra t’interesaçme shtëpisë dhe miqve të tij n’Angli. Këtu më poshtë po përkthejmë një letër të tillë, të cilën vjershëtori i madh e ka dërguar nga Shqipëria dhe flet me simpathi të madhe për Shqipërinë dhe për bijtë e saj.
Prevezë: 12 Vjesht’ e tretë 1809
Zonjës Byron,
Po bëhet një kohë e gjatë që gjëndem në Turqi; qyteti nga i cili u shkruaj qënndron buzë Adriatikut, por unë e pash më mirë këtë provincë shqipëtare kur vizitova pashanë.
Nga nisia Malta u-nisa me 24 vjesht’ e parë me vaporin luftëtar Marimanga” , dhe pas tetë ditësh hariva në Prevezë. Që këtej barita edhe 150 mila brënda në Shqipëri, për në Tepelenë, ku gjëndet pallati i Lartësis’  së Tij, dhe ndënja tri ditë. Pasha quhet Ali, dhe është i njohur si njeri me virtytete të larta. Ay qeverisë tëre Shqipërinë dhe një pjesë të Maqedhonisë. I biri i tij Veli pasha për të cilin më dha disa letra me rëndësi, qeveris Morenë, dhe është shum’ i dëgjuar n’ Egjyptë. Me një fjalë pashai është një nga njerëzit më të dëgjuar të Imperatorisë otomane.
Kur arriva në Janinë kryeqytet’ i Shqipërisë –mësova se Ali pasha ish me ushtërin’ e tij n’Iliri, ku kish rrethuar Ibrahim pashanë, në fortesën e Beratit.  Ay kish dëgjuar se në vendin e tij kish ardhur një ingliz prej soji të madh dhe i kish dhënë urdhër qeveritarit të Janinës që të përkujdeset për mua dhe të më japë ç’më duhet pa kërkuar as një pesësh’ që t’i jap dhurata robërve m’u dha lejë po që të paguanja gjëkafshë në shtëpinë ku isha, nuk m’u dha lejë. Kisha të drejtë të kaloj kuajt’ e pashajt, kështu i kaluar vizitova pallatet e pashajt dhe të nipërve të tij. Këta janë shumë të bukur, dhe të stolisurë me kadifera të mëndafshta. Malet dhe përgjithësisht, vendi këtu ka një bukuri natyrale shumë të madhe, gjër më sot s’e kam parë me no një vent tjatrë.

Pas nëntë ditësh udhëtimi hariva në Tepelenë. Udhëtimi ynë u-ndalua shumë nga shirrat e dëndur që binin.

Asnjë herë nuk’dot’haroj bukurin’ e madhe q’u çfaq përpara syve të mij kur hyra në Tepelenë, në ora pesë të mbrëmauret në perendim të diellit. Ajo bukuri më kujtoj përshkrimin q’i jep Walter Scott-i, Kastelit të Branksomit në vjershën e tij “Këngët e fundit” me tërë feodolizmën e saj.

Shqiptarët (me kostumin’ e tyre të bukur) i cili formohet prej një fustanelle të bardhë, anteri të qëndisur me sërme dhe jelek prej kadifeje të kuqe të qëndisur me gajtane të mendafshtë, kobure dhe jataganë me mill të argjentë etj…më pëlqejnë shumë.

Mua më shpunë në një dhomë të bukur dhe sekrtetari i vezirit ardhi të më pyesë për gjëndjen t’ime.

Të nesërmet vizitova Ali pashanë. Ky qe veshur me uniformën zyrtare prej gjenerali, ngjeshur rreth mesit një shpatë të bukur etj.etj…Veziri më priti në një dhomë shumë të bukur, të shtruar me mermer, në mes të cilës ridhte një shatervan. Dhoma qe e stolisur me “kanape”të shtruara me mendafsh. Pashaj më priti duke u-ngritur më këmbë, e cila tregon shënjë nderi, dhe më ftoj që të ri n’anën e djathtë të tij.

Gjithënjë kam si terxhuman një grek, po këtu u hasa me shkronjesin  e Ali pashajt Femlario i cili dinte ca latinisht dhe ky më shërbeu për t’u marrë vesh me pashanë. Pyetja e parë që më bëri ish; pse e kam lëne atdheun t’im kaq i ri (këtu njerëzia smundin të kuptojnë se si njeriu mund t’udhëtoj pas deshirës së ti),Pashaj më tha se konsulli ingliz, kapiteni Leek e kish lajmëruar për ardhjen time dhe kish thënë se jam nga një familje e dëgjuar; ky m’u lut t’u dërgoj ngjatjetimet e tij dhe unë po u-u çojë nga emri i Ali pashajt. Më tha se mbeti shumë i kënaqur nga sjelljet e mija dhe m’u lut që sa kohë të gjëndem në vëndin’ e tij ta shikoj atë posi një atë dhe ay mua posi bir.\

Dhe me të vërtëtë, ay sillesh posi një atë, më dërgonte t’ëmbëla, pemë etj.dhe m’u lut që të vinja shpesh mbrëmandent dhe të bisedonim bashkë.

So pashë të mbeturat e qytetit të vjetër Akcium ku Antoni humbi botën. Më tutje duken gërmadhat e qytetit Nikopol, i cili u godit prej imperatorit August si kujtim të fitimit të tij.

Mbase i dua shumë shqiptarët, këta nuk janë të gjithë myslimanë; një pjesë e madhe janë të krishterë, po, përgjithësisht Shqiptarët nuk’ i japin rëndësi fesë, dhe kjo nuk lot nonjë rol për të prishur zakonet kombëtare që kanë. Këta janë ushtarët e parë t’ ushtrisë otomane. Kur udhëtomnja fjeta dy net në një dobojë dhe me të vërtetë po u-them se as më nonjë vënt tjatrë nuk’kam hasur ushtarë më të sjellër se këta me gjith që kam qenë në garnizonet e Maltës dhe të Gibraltarit dhe që kam parë shumë ushtëri të ndryshme si spanjollë, francezë, sicillianë dhe anglikanë. Këtu nuk m’u voth asgjë dhe u ftuash nga ushtarët shqiptarë që të ha dhe të pi bashkë me ta.

Para një jave, nje kryetar shqiptar më mori në shtëpi të tij dhe pasi na dha të tëra sa na duheshin për të ngrënë e për të pirë, mua dhe, mua dhe të pasësëve t’im që janë: një shërbëtor, një grek, dy nga Athina dhe miku im Z.Hobhaus, nuk deshte të marë as një pesësh, për të gjitha ato, përvec se një fletëzë kartë, në të cilën t’i thoasha që mbeta i kënaqur nga pritja e tij, po unë nuk desha që pa paguar gjë të dilnja nga ay njeriu i mirë, dhe kur u luta që të pranonte ca pak të holla ay m’u përgjegj: “Jo, unë dua që të më duani, jo të më paguani”.

Çudi në këtë vent të hollat s’paskan fare vleftë; Kur isha në kryeqytet(Janinë) pas urdhërit të pashajt nuk’pagova asgjë me gjithë që kisha me vethe 16 kuaj dhe 6-7 shpirt.

Pas ca ditësh do të nisem për në Athinë që të mësoj greqishten e re, e cila ka një ndryshim të madh nga e vjetra, me gjithë që të dyja një emrë kanë dhe një gjuhë janë !….

                                                                                          Biri juaj i dashur

                                                                                                            LORD BYRON

SHËNIM:  Kjo letër që Lord Byroni i kishte dërguar nënës së tij para 206 vjetësh, ishte botuar për herë të parë në gjuhën shqipe në vitin 1914  në revistën “Kalendari Kombiar” që në atë kohë botohej në Sofje të Bullgarisë. Kjo letër e poetit  të madh Lord Byron u ribotua në gazetën “Dielli”më 25 Nëntor të vitit 1964. Editori i kësaj gazete Dr. Athanas Gegaj botonte dhe ribotonte vazhdimisht letra e shkrime me permbajtje intelektuale.  Editori nuk kishte bërë asnjë ndryshim të asaj letre botuar fillimisht në “Kalendarin Kombiar” . Edhe ne iu permbajtëm drejtëshkrimit të asaj kohe. (Gjekë Gjonlekaj).


​

Filed Under: Histori Tagged With: Leter nga Preveza, LORD BYRONI NË SHQIPËRI

FEMI E XHEVË LLADROVCI

September 22, 2015 by dgreca

Martir të gdhendur në memorien e kombit/

Shkruan Eugen Shehu//

 Dardania e moçme ende sot ruan krenarinë e luftërave të kalura. Jo se i ka dashur luftërat. Askurrë! Jo se i ka parapëlqyer përrenjtë e gjakut. Askurrë! Por asesi nuk ka mundur të durojë stuhi e rrebeshe që, janë ngutur të ndalin turravrapin e lirë të shqiponjës.Fusha e Kosovës në lindje, rrafshi i Dukagjinit në perëndim, malet e Goleshit dhe Cerralevës në jug,mali Mokran në veri. Brenda kësaj gjeografie përthyese jeton në gjenerata, populli i Drenicës së sotme, pasardhës të denjë të dardanëve në shekuj të kaluar. Sa herë në Dardaninë e lashtë kanë rënë tupanët e kushtrimit, i madh dhe i vogël, burra e gra kanë ngarendur me klithmë lirie. Ky amanet ka mbetur deri në ditët e sotme.Edhe në ditët më të errëta të fundshekullit që lamë pas, edhe në ato momente kur makina e dhunës serbe rrënonte gjithçka që gjente përpara banorët e Drenicës nuk e ndalën vrapin drejt lirisë. Vrapi i tyre ishte shkrepëtim në natën e stuhisë, shkrepëtim që ndriçonte horizontet ngadhnjyes të shpresës.Në këtë turavrap drejt lirisë, padyshim kujtesa e Drenicës do të ruaj të pashuar kujtimin e Femi e Xhevë Lladrovcit.Ashtu sikundër 7 decenie më parë Shotë dhe Azem Galica do të shkruanin epopenë e lavdishme të lirisë në male të Drenicës dhe krejt Kosovës martire, edhe Xhevë e Femi Lladrovci do të përcillnin mesazhet e mbijetesës epokale të popullit të Kosovës, ndaj dhunës makabre të Serbisë së Millosheviçit. Po kush ishin këta burrë e grua, krushq të lirisë së madhe të shqiptarëve? Femi Lladrovci pat lindur në Gllogovcin e Drenicës, në vitin 1950. Të parët e derës së madhe të Lladrovcëve, ishin njohur jo vetëm në Drenicë por në krejt Kosovën për luftrat e paepura ndaj okupatorit serb. Burrat e kësaj kulle do të ishin mbështetj kryesore lëvizjes nacionaliste të udhëhequr nga Shaban Polluzha, e asaj lëvizjeje që ka hyrë në analet e historisë si lëvizja e parë antikomuniste që nuk mund të pajtohej, me parimet ortodokse të internacionalizmit proletar. Femiu i vogël do të rritej përmes legjendave të kaluara si edhe shtypjes sistematike që Beogradi ushtronte ndaj viseve në Kosovë dhe Maqedoni shqiptare. Asi do të merrte mësimet e para në Gllogovc  ndërsa më pas në Prishtinë. Në fillim të viteve 70 të shekullit që lam pas, ngase rezultatet në shkollë i pati të shkëlqyera, Femi Lladrovci ndjek studimet në Universitetin Politeknik të Zagrebit. Këtu, ai do të binte në kontakt edhe me studentë të tjerë nga viset e Kosovës, në mëndjet dhe zemrat e të cilëve ishte zgjuar ideja emblematike e pavarësisë së Kosovës, si dhe bashkimi i saj me shtetin amë. Por me këtë realitet nuk mund të pajtohej asesi Beogradi, i cili nuk i kurseu në asnjë rast masat represive në mënyrë të veçantë ndaj inteligjencës shqiptare. “Këto rrethana dhe faktorë të tjerë kishin si qëllim strategjik që të ushtronin dhunë permanente ndaj shqiptarëve, me qëllim të pastrimit etnik të Kosovës dhe të viseve të tjera. Rredhimisht me metoda të interpretimit arbitrar dhe selektiv të normave të legjislacionit penal, vepra e cila kryhej nga shqiptarët, konsiderohej si vepër penale e rëndë, si vepër e rrezikimit kundërevolucionar të rregullimit shoqëror dhe të sigurisë së vendit, siç emërtohej në nenin 114 të ligjit penal të Jugosllavisë, në Kosovë, në Maqedoni dhe në jug të Serbisë“(“Çështja e Kosoves një problem historik dhe aktual“ Tiranë 1996, faqe 316) Por për studentin e Gllogovcit nuk do të kishte barrikada. Ai e pati kuptuar se uragani i lirisë së kombit të vet ishte zgjuar diku, në kujtesë të këtij kombi dhe herët a vonë ai do të rrekej të derdhej nëpër brigjet e Kosovës martire duke fshirë çdo gjurmë të mureve që ndanin shqiptarët. Ndër të parët student të Politeknikumit të Zagrebit, Femi Lladrovci do të fliste për pavarësinë e Kosovës, për të drejtat e mohuara të saj, për shpresën e madhe se studentët kosovarë nuk do ta duronin gjatë, natën e urryer të sundimit të Beogradit. Nismëtar i formimit të një grupi ilegal me studentë të tjerë shqiptarë, Femi Lladrovci do të ndikonte me idetë e tij edhe në mendjet e dhjetra studentëve të tjerë. Arsenali i terrorit shtetëror serb, vepronte tanimë nën maskën e ligjit dhe të shtetit. Femi Lladrovci fillimisht thërritet nga policia sekrete jugosllave në Zagreb, e cila e merr në pyetje rreth veprimtarisë së tij nacionaliste. Por kur studenti trim i përgjigjet prerë dhe i sigurtë se çdo veprim i tij nuk ka lidhje me Beogradin, përkundrazi kërkon që Kosova të shpallet Republikë me vete , ashtu sikundër Republikat e tjera nën Jugosllavi, atëhere strategjia zyrtare antishqiptare del në pah me forcën e vet më të verbër. Në këtë mënyrë , në aktgjykimin e gjyqit të Zagrebit, pikërisht për Femi Lladrovcin, prokuroria kërkon burgimin e tij 10 vjet ngase“ ka kërkuar që Kosova të jetë Republikë , të ketë flamurin e vet, duke pohuar me gojën e vet se pozita e shqiptarëve në Kosovë lë shumë për të dëshiruar, nëse krahasohet me pozitën e popujve të tjerë të Jugosllavisë. Burgjet e Jugosllavisë janë një faqe tjetër e tmerrit që vinte prej politikave shovene dhe dhunuese të Beogradit. Qindra e mijra studentë apo nxënës të Kosovës, të dënuar në vitet 1980 –1990 do të jetonin një kalvar të pafund vuajtjesh e dramash të mënxyrshme. Femi Lladrovci fillimisht do të dërgohej në burgun famëkeq të Gjilanit e mandej në Stara Gradishka e Gospiq.Ndonëse mbi të u ushtruan dhunë fizike dhe psiqike e pafund, ndonëse nuk u la të takohej për vite me radhë me pjestarët e familjes, Femi Lladrovci askurrë nuk u ligështua. Me trup atleti, me atë zemrën e madhe , me sigurinë në ardhmërinë e Kosovës dhe të krejt viseve shqiptare, burri i Gllogovcit do të duronte dhunën policore serbe, ashtu sikundër mali duron vetëtimat dhe gjëmimet e dimrit.

 Në fillim të vitit 1993 del nga burgjet famëkeqe jugosllavë dhe shkon në Drenicën e vet të dashur. Por në të vërtet Drenica e tij, sikundër e gjithë Kosova martire, qe shndrruar në një burg të madh. Nuk mund të flisje hapur, nuk lejohej, flamuri kuqezi, nuk lejoheshin këngët shqipe. Liria e munguar e brengosi akoma më shumë Femi Lladrovcin i cili sidoqoftë nuk mund të ndalte përpjekjet e veta për ardhmerinë e Kosovës. Por bie sërish në sy të policisë së fshehtë të Beogradit. Kur këta e thërrasin rreth disa shprehjeve të hapura që pat përdorur në fshat , Femi Lladrovci e kupton se për të ishin hapur të tjera fletë dosjesh e të tjera dyer- burgjesh. Ka qënë kjo arësyeja që me ndihmën e dy – tre miqve të vet , fshihet për pak ditë e më pas arrastiset në Republikën Federale Gjermane. Këtu nis të punojë në punë nga më të rëndomtat, duke dashur t`i vijë në ndihmë edhe famijles , atje në Gllogovcin e largët, në Drenicën rrethuar prej ujqish serbë. Ai e dinte se familja e tij ( qysh kur vuante dënimin në burg) ishte në qëndër të vemendjes së policisë serbe ndaj përpiqej të zbuste varfërinë sadopak , duke dërguar fshehtas ndonjë të hollë , të kursyer në metropolin gjerman . Sidoqoftë lëvizja kosovare për pavarësi tani ishte rritur dhe në botën e qytetëruar grupet e djemve dhe burrave të Kosovës vepronin plot kurajë jo vetëm duke dashur të nxisnin opinionin ndërkombëtar por edhe duke mbledhur ndihma në mjete monetare dhe materiale për t`i dërguar në Kosovë. Në vazhdën e rezistencës mbarëkombëtare, dihet tanim se falë qëndresës heroike , deputetët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës , më 2 korrik 1990 patën shpallur deklaratën që e shpallnin Kosovën njësi federale të Jugosllavisë .Po kështu , në vjeshtën e vitit 1991 Kuvendi i Kosovës bëri referendumin , në të cilin shumica absolute e popullsisë u deklarua për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur. Femi Lladrovci së bashku me intelektualë të tjerë në Gjermani , u bë gjatë kësaj kohe një strehë e sigurtë e mjaft prej deputetëve dhe politikanëve kosovarë, të cilët e shtrinë lëvizjen e tyre mbarëkombëtare edhe në rrethet përparimtare evropiane , duke dëshmuar me fakte konkretë mbi dhunën dhe terrorin sistematik që Beogradi pati ushtruar dhe kërkonte të ushtronte ndaj viseve të Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare. Në ndihmën e drejtpërdrejt të Femi Lladrovcit dhe miqve të tij në Gjermani , u shkolluan disa djem nga Drenica në Perëndim dhe u mbajtën me të holla mësues të gjuhës shqipe , të cilët shkonin kullë më kullë , deri në fshatrat më të largët për të ndriçuar atje vatrat me pishtarin e shqiptarizmës. Në këto vite vuajtjesh pafund, në këto vite të ëndrrave të mëdha, burri i Gllogovcit lidh jetën me njërën prej zanave kosovare , me Xhevën . Një dashuri e pakufishme për Kosovën martire , për lirinë e saj , e ka shtyrë këtë Shotë të re të Drenicës , të bashkojë jetën dhe fatin e saj me Femiun. Xhevë Krasniqi ( Lladrovci) pati lindur në vitin 1955 në fshatin Drenovc të Malishevës. Ati i saj si edhe të afërm të tjerë patën luftuar kundër okupatorit serb, për të aderuar më pas në lëvizjen e shquar të organizatës Nacional – Demokratike Shqiptare, e cila frymëzohej prej parimeve të Dekalogut të Ballit Kombëtar. Xheva pati shfaqur qysh herët dashuri e përkushtim për dije, ndaj dhe prindërit bënë çmos që vajza e tyre të shkollohej. Mbas mësimeve të para në vendlindje , Xheva vazhdoi studimet në Prishtinë ku mbaron me rezultate shumë të larta degën gjuhë –letërsi. Pas mbarimit të studimeve të larta ajo dërgohet si mësuese letërsi e ne gjimnazin e Kievës. Këtu, së bashku me dashurinë për librin shqip, Xheva do t`u mësonte nxënësve të saj dashurinë e shtrenjte për lirinë e trojeve amëtare. Ka qënë kjo arësyeja që policia e fshehtë jugosllave ndjek hap pas hapi veprimtarinë atdhetare të Xhevë Krasniqit dhe në mesin e viteve 80 të shekullit që lamë pas, mësuesja trime Xhevë Krasniqi, pushohet nga puna me motivacionin se “ ka kryer veprimtari të hapura që bien ndesh me kushtetutën e R.S.F të Jugosllavisë.“ Pas këtij akti për Xhevë Kasniqin dhe familjen e saj ishte e kuptueshme që ishin të hapura portat e burgjeve. Ndaj bija e Drenovcit merr rrugët e mërgimit pa iu dridhur aspak qerpiku, duke patur kurdoherë në zemër dhe në mendje dashurinë e vyer të nxenësve të vet. Në fillim të vitit 1998, Femiu vendos të kthehet në vendlindje. Ai e kupton se lisi i fortë e ka vendin e vet, aty në ballë të stuhisë, duke iu bërë krahë i shëndosh jo vetëm familjes, por në radhë të parë lëvizjes mbarëkombëtare të Kosovës për liri. Nërkaq lëvizja nacional-shoviniste serbe ishte në apogjeun e saj. Energjitë rrënimtare të kësaj lëvizje po rrekeshin çdo ditë e më shumë të frymëzonin një varg “ akademikësh “ serb të përgatisnin turli teorish e mashtrimesh, duke dashur t´i riktheheshin lavdisë së dikurshme të Serbisë së Vjetër. Madje ata e patën gjetur edhe udhëheqësin e lëvizjes që do të viktimizonte një popull të tërë . Cinizmi i politikës serbo –sllave ishte shfaqur madje edhe publikisht.Duke folur për kreun e shovinizmit serbomadh Milosheviçin, shtypi shkruante tekstualisht; “ Ai është një shfaqje e re në jetën e Serbisë, njeri i cili e ka artikuluar zemërimin e popullit duke e shdërruar në aksion politik.“ Gazeta “Borba“ Beograd 30 qershor 1989, faqe 6)

 Në pranverën e vitit 1998 në Drenicë e vise të tjera të Kosovës u panë grupe të organizuar të guerrileve shqiptarë. Qëndresa epokale e Jasharajve dhe shfaqja e luftëtarëve me uniformën e UÇK-së, tregonte se shqiptarët jo vetëm nuk mund të pajtoheshin me dhunën e Beogradit por brenda tyre, brenda dhimbjes së madhe, po gjallonte vullkani i urrejtjes shekullore ndaj poshtërimeve serbosllave. Femi Lladrovci, në krye të luftëtarëve të UÇK-së në Lladrovc e më gjërë, kishte mundur të përgatiste dhjetra djem jo vetëm nga ana fizike por në mënyrë të veçantë nga ana psikologjike, pasi edhe pse ata ishin vetëm një grusht djemsh, do të luftonin pa u friguar ndaj makinës ushtarake serbe. Me atë vështrimin burrëror, me zërin e trashë e babaxhan, Femi Lladrovci, më shumë se një ushtarak epror, do të ngjante me një vëlla të madh të rrahur prej stuhive te jetës. Në qershorin e vitit 1998 në afërsi të Lladrovcës, një repart special i ushtrisë jugosllave kërkonte të vendosej në fshehtësi aty. Femiu lajmërohet menjëhërë dhe në bazë të sinjaleve të vendosura qysh më parë, trupa e UÇK-së është e gatshme për luftim.Intuitiv nga natyra,Femiu vëzhgon me kujdes situatën. Ndërkaq nga komanda eprore ka ardhur urdhëri që reparti serb të goditet menjëherë dhe të mos lejohet pozicionimi i tij në atë zonë pasi mund të shërbente për efekte strategjike. Femi Lladrovci si një zbulues i talentuar, afrohet pranë patrullës serbe dhe hap zjarr i pari. Reth 40 minuta vazhdon një shkëmbim zjarri i fuqishëm dhe paskëtaj serbët largohen.“ Të drejtuar nga eprori Femi Lladrovci, trupat e UÇK-së u japin mësim serbve“ thuhet në njoftimin që Shtabi i UÇK-së dërgon në Tiranë. ( Arkivi i Ministrisë së Mbrojtjes, Tiranë, Fondi“ Kosova“ 16 qershor 1998) Për hirë së vërtetës, vlen të thuhet se kur grupet e luftëtarëve të UÇK-së u organizuan dhe filluan luftimet me pikësynime të qartë politikë dhe ushtarakë, Beogradi ndërmori një nismë shumë djallëzore. Pikërishtë aty ku ishte hasur qëndresa e UÇK-së, Milosheviçi dhe emisarët e tij të turpit dërgonin forca të mëdha ushtarake dhe mjetë të blinduara duke djegur, shkatërruar e bërë rrafsh fshatra të tërë. Politika dhe strategjia e “ tokës së djegur“ në thelb, përpiqeshin të fusnin në armiqësi popullin kosovar me luftëtarët e UÇK-së.Por në këtë rast dhelpëria serbe nuk fuksionoi siç duhet. Populli i Kosovës e dënoi dhe urreu më shumë dhunën serbe duke u bashkuar rreth luftëtarëve të UÇK-së si e vetmja alternativë për pavarësinë e vet dhe realizimin e aspiratës shekullore të lirisë. Në korrikun e vitit 1998, Beogradi ndërrmori një tjetër ofensivë, në ato vise të Kosovës ku prania e UÇK-së ishte më e dukshme. Madje shtypi i Beogradit nuk nguroi të citonte me cinizëmin e vet karakteristik se brenda dy- tre javëve do të zhdukte edhe të fundit ushtar të UÇK-së. Përballë kësaj mësymje Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së vendosi që djemtë kosovarë të tërhiqeshin duke e goditur armikun në vende të ndryshme si dhe duke marrë në mbrojtje popullsinë e pafajshme. Në krye të Brigadës 114 të UÇK-së, Femi Lladrovci do të përballonte për javë të tëra një varg sulmesh të forcave serbe, duke rrëfyer jo vetëm aftësitë e tij organizuese dhe lufarake, por sidomos besimin e madh në mundjen e bishës sllave.Tashmë breshërisë së automatikut të tij në beteja i përgjigjeshin qindra armë të tjera dhe qindra luftëtarë të UÇK-së shkonin pas komandatit të tyre si shkrepëtima. Altoparlantët e prishur të Beogradit, për kinse zhdukje totale të forcave të UÇK-së, tanimë po heshtnin dita – ditës.Në vjeshtën e parë të vitit 1998, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së kontrollonte me shumë se 70 përqind të gjithë te territorit të Kosovës, madje luftëtarët e sprovuar të UÇK-së po mirrnin konsiderata të lavdërueshme edhe nga forcat përparimtare ndërkombëtare. Morali i shovinistëve serb po binte dita ditës. Robi serb Shevko Jahiroviq, deklaronte midis të tjerave: “ Për ushtarakët serb që frikësoheshin në aksionet kundër shqiptarëve kishte ndëshkime makabre. Ndërsa për të tjerët që komanda dyshonte u kërkohej si provë besnikërie të sillnin nga fshatrat ku luftohej një kokë e prerë fëmije.“ ( Dëshmia ndodhet në arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes – Tiranë.)     Tashmë Femi Lladrovci, në pozicionet e luftimit përkrah qindra luftëtarëve që komandonte, kishte edhe të shoqen, Xhevën. Kishte të drejtë edhe ajo, mësuesja e dikurshme e letërsisë të luftonte përkrah burrit dhe nxënësve të saj, për ardhmërinë e Kosovës. “ Si Shotja me Azemin“ pëshpërisnin luftëtarët me vete, kur shihnin komandatin e tyre të fjalosej me Xhevën. Xhevë Lladrovci do të ishte kurdoherë në radhën e parë të sulmit duke u shdërruar në shëmbull frymëzimi dhe fisnikërie për të gjithë vajzat dhe djemtë mbushnin radhët e Brigadës 114. Pak kohë më vonë , në një intervistë të eprorit të UÇK-së, Sulejman Selimit, ky shprehet tekstualisht:“ Si nderim dua të kujtoj disa nga luftëtarët e parë që janë Adem dhe Hamëz Jashari, Osman Geci, Muj Krasniqi, Femi Lladrovci, Abedin Rexha, Xhevë Krasniqi(Lladrovci) etj…“ ( Gazeta “ Ushtria“ Tiranë në 27 mars 1999).

  Kësisoj për të ardhur në agun e 22 shtatorit 1998. Forcat ushtarake serbe me mijra patën mësyr kundër Drenicës, për të çarë aty vijën e mbrojtjes të UÇK-së. Femi Lladrovci dha kushtrimin i pari. Nga rendën pas tij vajzat dhe djemtë e Drenicës me armë në krah dhe besën e madhe në zemër. Serbët nisën të mësynin me tanke dhe artileri.Detyra e burrave të UÇK-së ishte të mos lejoni depërtimin e armiqve në zemër të Dardanisë së lashtë.“ Dera e rrethimit armik sa vinte dhe ngushtohej. Atëhere kur pritej asgjësimi, doli nga pozicioni komandant Femiu dhe lëshoi kushtrimin me sa fuqi kishte. Kundërsulmi zgjati disa orë “.“( Gazeta Ushtria“ Tiranë 5 maj 1999. Pikërisht atëhere kur serbët filluan tërheqjen, dikush pa se pozicioni ku ishte komandant Femiu po heshtëte. Ngarendi drejt tij dhe pa gjoksin e komandatit të mbuluar nga plagët e fishekëve të snajperëve serbë. Pranë komandatit patën rënë më përpara edhe dy ushtarë të tjerë dhe ky vet i pat rregulluar në mënyrë që armiku mos t`i gjente trupat e tyre. Kur i dhanë lajmin Xhevës,burrnesha heshti për pak çaste. Nuk besonte ndaj vrapoi tek plagët e ngrohta që rridhnin gjak. Ajo e kuptoi se hutimi mund të kushtonte shtrenjtë ndaj porositi shokët të mos e përhapnin lajmin e vrasjes së Femiut dhe vet u hodh e para në sulm.Janë dashur vetëm dy orë luftimesh të papara, me ç`rast plumbat gjejnë rrugën për në zemër të Xhevës. Kështu mbyllej epopeja e 22 shtatorit 1998 në Drenicë. Në altarin e lavdishëm të kombit zinin vend dy emra të rinj.Dy emra që u kurorizuan në emër të Zotit, por edhe dy emra të mëdhenj që u kronizuan nga kombi që s’di të vdesë, në llavën e madhe të padrejtësive historike.

Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, Femi Xheve Lladrovci

KUJTOJMË DATAT E PËRGJAKSHME TË ÇAMËRISË

September 22, 2015 by dgreca

Ndaj popullit të Çamërisë është kryer gjenocid/

Shkruan:Adil FETAHU/

E kam thënë sa herë, me gojë e me shkrim, kudo e kurdo që ishte rasti,  se fashizmi në Greqi është shfaqur e ka vepruar shumë më herët se  nacizmi dhe fashizmi gjerman  e italian në prag dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në të vërtetë, në Greqi fashizmi është shfaqur e ka vepruar qysh prej çlirimit nga Perandoria Osmane, për çlirimin e së cilës kontributin më të madh e kanë dhënë vet shqiptarët që jetonin si vendas në trojet e veta, tash të okupuara nga Greqia. Pas Kongresit të Berlinit (1878), e veçmas në prag dhe pas Konferencës së Londrës (1913), shteti grek filloi ekspansionin e pushtimit të tokave shqiptare (Epirin, Çamërinë) dhe ishujve të Turqisë e Maqedoninë Veriore. Menjëherë pas pushtimeve, filloi  spastrimin etnik të popullsisë jogreke (shqiptarë, turqë, vllehë, hebrenjë). Më së keqi e pësuan shqiptarët, si përkah përmasa e krimeve monstruoze që kreu shteti grek ndaj tyre, ashtu edhe nga pushtimi i pjesës më të bukur të tokës dhe bregdetit shqiptar. Krimet më monstruoze dhe gjenocidin mbi shqiptarët e Çamërisë, Greqia e ka filluar qysh prej vitit 1913, i ka përfunduar gjatë Luftës së Dytë Botërore (1940-1945), por diskriminimin ndaj shqiptarëve e ka vazhduar dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite, duke ua mohuar identitetin, ndaluar gjuhën e trajtuar si grekë të gjithë shqiptarët e besimit ortodoks.

Regjimenti XV i krahut komunist gjatë Luftës së Dytë Botërore (ELAS), në një komunikatë (nr.15, të datës 6 janar 1945), drejtuar refugjatëve të Çamërisë, i porositë ata të kthehen në vatrat e tyre kur të merret një vendim i përbashkët midis Shtabit të Përgjithshëm të ELAS-it dhe të autoriteteve shqiptare. Në atë komunikatë, mes tjerash shkruan: “…Të gjithë e dimë se populli i kësaj krahine këto vitet e fundit vuajti shumë nga mania e fashizmit (nënv.a.f.).Gjaku pothuaj kurdoherë i pafajshëm u derdh si lumë; gra e çiliminj u masakruan pa mëshirë dhe fshatra të tëra u zhdukën nga flaka. Nga këto të këqija në kohë të ndryshme pësuan dhe  banorët e krishterë dhe ata myslimanë të rrethit. Veçanërisht drama e katastrofës dhe e masakrimit që tani kohët e fundit shkretoi elementin minoritar mysliman të kësaj krahine shquan si një krim të tmerrshëm brenda në historinë e gjakosur të viteve të fundit… Ata njerëz që hynë në krye për të bërë gjakderdhje, ata që bënë krime, ata që vodhën e që lyen duart e tyre të çndershme, gjak të pafajshëm me gjakun e të varfërve dhe njerëzve të ndershëm, këta qofshin të krishterë ose myslimanë, nuk do të shpëtojnë nga dënimi po me ndihmën tonë do të kapen dhe do t’i dorëzohen vet popullit që e torturuan për ato që bënë. Dhe ata myslimanë që nën urdhërat e Nuri Beut therën të krishterë, dhe ata të krishterë që të paguar dhe të drejtuar nga fashisti Zerva shkretuan fshatra myslimane dhe therën gra dhe fëmijë mysliman, të gjithë këta kriminelë nuk do t’i shmangen dënimit të tyre të drejtë…”. (Kastriot Dervishi: “Masakra në Çamëri – Përmbledhje dokumentesh”, fq.56).

Përmasat e krimeve të shtetit grek ndaj çamëve kanë të gjitha elementet dhe tiparet e gjenocidit. Këtë e kanë pohuar në studimet e tyre edhe disa studiues, historianë e profesorë grekë të cilët kanë dinjitet e pavarësi profesionale e shkencore, si profesori  Stathis Kalivas, nga Universiteti Jale (ShBA), Konstandinos Ciceliqis nga Universiteti Padio (Greqi), e ndonjë tjetër.  Ky i fundit, në një studim të paraqitur në vitin 2008 në atë Universitet, pohonte se forcat e ushtrisë çlirimtare greke (EDES),  gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë kryer gjenocid ndaj çamëve, duke dhënë shifra edhe më të mëdha të atij gjenocidi, se që ka dhënë vet Shoqata e Çamëve. Ai gjenocidin e relativizon, duke thënë se atë e kanë kryer “një grup nëpunësish grekë”, por është konsekuent ndaj qëndrimit të vet për gjenocidin, pa marrë parasysh presionet politike, duke thënë se “nuk po flasim për çështje kombëtare, por për çështje dhe për fakte historike të dokumentuara”. Historiani tjetër grek, Niko Zhangu, për masakrat e bandave të Zervës, shkruan: “Duhet të shikojmë fytyrën tonë në pasqyrën e historisë dhe të na vie turp për ato që u bënë, sepse nuk janë në karakterin e popullit tonë”.

Mjerisht, zëra të tillë të ndërgjegjes profesionale, shkencore e njerëzore janë të rralla në mesin e qarqeve të shoqërisë greke, dhe ato nuk depërtojnë jashtë rretheve të tyre të ngushta. Ndërkaq,  janë shumë më të shpeshtë, më të përhapur e më të zëshëm ata që edhe sot ushqejnë e zhvillojnë propagandë dhe praktikojnë ksenofobi e veprime fashiste e të gjenocidit, duke u nisur nga qarqet politike, diplomatike, shtetërore e kishtare. Doktrina fashiste është pjesë e Magaliidesë, qysh nga mesi i shekullit XIX, dhe ajo edhe sot vepron përmes lobeve,  organizatave e aksioneve kriminale: “Agimi i artë”, KOG, MAVI, “17 Nëntori” etj, si mbeturina nga Lufta e Dytë Botërore, por që veprojnë të papenguara edhe në Greqinë “demokratike” e anëtare e NATO-s dhe BE-së! Kisha ortodokse greke është ajo që ushqen urrejtje e ksenofobi ndaj etnive jogreke,  veçmas ndaj shqiptarëve. Klerikët e kishës greke, në një dorë mbajnë kryqin, e në tjetrën thikën e përgjakur. Ky fashizëm po e rritë urrejtjen edhe ndaj emigrantëve shqiptarë që tash punojnë në Greqi,  mohon pakicat brenda Greqisë, ndërsa provokon me pakicën minore greke,  madje edhe me ortodoksët shqiptarë në Shqipëri, duke i joshur ata me paga, pensione e pasaporta greke, vetëm që të regjistrohen si grekë; duke ndërtuar kisha të stilit grek, apo varreza gjoja të ushtarëve grekë në trollin shqiptar, me synime djallëzore e pretendime territoriale për “Vorio Epirin”! Nga ana tjetër, shqiptarët myslimanë të Çamërisë i ka vrarë, zhdukur e ndjekur nga vendi i tyre, ua ka uzurpuar e konfiskuar pronat dhe pasuritë, ua mohon të drejtën e kthimit e te kompensimit të pronave;  shqiptarët ortodoks i ka asimilua e shndërrua  në grekë, të cilëve nuk ua njeh statusin e minoritetit, ua ka ndaluar gjuhën amtare-shqipe, ka ndërruar e greqizuar të gjithë emrat e vendbanimeve, nuk iu lejon shqiptarëve çamë vizitat në vendin e tyre e të parëve të tyre. Fashizmi e gjenocidi ndryshe brina nuk ka!

 

 

Datat e përgjakshme të Çamërisë

Menjëherë pas pushtimit të Epirit, pushteti grek  nisi masakrat ndaj popullit shqiptar. Faik Konica ynë, duke e njohur mirë shpirtin e lig të popullit grek, qysh në vitin 1897 e ka thënë: “Grekët e kanë një armë të frikshme: pabesinë” (“Albania”2, 1897). Dhe kjo thënie e Konicës u vërtetua menjëherë pas pushtimit të Çamërisë (1913).  Me një pabesi e dredhi i mashtroi e mblodhi 72 burra më të njohur të parisë së Çamërisë, kinse po i thërriste shteti për një marrëveshje për rend e qetësi,  pastaj i lidhi e masakroi në mënyrë mizore, për t’ia futur frikën gjithë popullit.   Ato ditë masakruan e zhdukën edhe qindra shqiptarë tjerë të zgjedhur. Mizoritë e masakrat vazhduan deri në vitin 1922-24, kur një pjesë të popullsisë shqiptare myslimane, duke i trajtuar si turq, sipas marrëveshjes me Turqinë Greqia i shkëmbeu me grekët e Azisë së Vogël.

Krimet më të tmerrshme, në përmasa të gjenocidit, forcat monarko-fashiste greke i kryen ndaj shqiptarëve myslimanë të Çamërisë në periudhën e Luftës së Dytë Botërore (1940-1945). Dy muaj para se Italia ta sulmonte Greqinë (1940), pushteti grek mblodhi mbi 5000  meshkuj çamër (prej 15-75 vjeç) dhe i internoi në ishujt e largët të Egjeut, që ta eliminonte qëndresën çame. Më sa 400 prej tyre u vranë e masakruan gjatë rrugës ose në kampe, e më shumë tjerë vdiqën në ndërkohë, nga torturat, uria e sëmundjet.  Nja 2000 e sa çamë që i kishte rekrutuar në ushtrinë greke, atyre nuk iu besua as iu dha armë për të luftuar, por kazma e lopata, e punë të dhunshme, për të thye gurë e ndërtua rrugë e istikame.

27 qershori 1944, njihet si “Nata e Bartolomeut” kundër çamëve myslimanë. Atë ditë, më se 5000 forca monarko-fashiste greke, nën komandën e gjeneralit famëkeq Napoleon Zerva, filluan aksionin e masakrave, plaçkitjes e djegëjes së gjithçkajës që identifikohej se ishte shqiptare. Në Paramithi e Margëlliq me rrethinë, vranë 728 veta. Dogjën të gjitha xhamitë e medresetë, ndërsa në xhaminë e qytetit të Paramithisë i dogjën të gjallë 40 gra e fëmijë që kishin shkuar aty për të gjetur strehim e shpëtim.

Mizoritë e masakrat e forcave greke nuk pushuan as ditëve në vijim, në korrik e gusht të atij viti. Është e shënuar, se në gusht të atij viti, 72 çamë trima luftuan heroikisht kundër 2500 forcave greke, dhe u shkaktuan 400 të vrarë e 600 të plagosur, derisa u vranë edhe vet të gjithë trimat shqiptarë. Qeveria Berisha, në vitin 1994, e shpalli (me dekret) 27 qershorin 1944, Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek, dhe ngritjen e një monumenti në Konispol.

Natën ndërmjet 23/24 shtatorit 1944, Filatin e Spatarin e kishin rrethuar forcat greke, gjithë popullatën e tubuan para xhamisë së fshatit Spatar. Aty sulmuan e plaçkitën popullin e tubuar, ndërsa femrat i çnderuan e disa edhe i masakruan, duke ua prerë veshët, hundën, gjinjët.  Sipas dëshmive të atyre që kishin parë e përjetuar masakrën që bënë forcat greke, bëjnë të ditur se atë ditë u vranë e masakruan 47 burra, gra e fëmijë në mënyrën më barbare, kurse në aksionin e zhvilluar po atë ditë nëpër shtëpitë në Spatar, u vranë e zhdukën 175 veta, shumica e tyre që kishin ardhur nga fshatrat tjera. Gratë dhe vajzat u dhunuan e masakruan. Dëshmitë e dëshmitarëve që kanë përjetuar e mbijetuar ato mizori, të cilët në shkurt të vitit 1947 i kanë dhënë para një Komisioni në Delvinë, tregojnë për tmerre e skena makabre të krimeve që kishin bërë forcat greke. Dhe ato krime e ai gjenocid ndaj çamëve nuk u ndal, deri sa nuk mbetën më çam-mysliman në Çamëri. Të tjerët, ata të besimit të krishterë i diskriminoi, ua mohoi përkatësinë etnike, ua ndaloi gjuhën amtare dhe i asimiloi e shndërroi  në grekë.

Kryekrimineli i masakrave dhe gjenocidit, Napoleon Zerva, që mjerisht edhe vet ishte arvanit, sikur edhe shumë  kriminelë të tjerë,  para se të vdiste, kishte lënë një deklaratë si amanet të vetin: “Vdes i qetë se bëra atë që doja. Pasi lash rrëke gjaku, tym, blozë, gërmadha, uturima fëmijësh, nuse e gra nudo që futeshin në furrat e ndezura, që të mos pillnin më shqiptarë, … burra të varur e të shpuar me bajonetë. Gjuha shqipe nuk do të flitet më në tokën helene. Kjo më kënaqë mua, ashtu siç kënaqë tërë shpirtërat helenë”!

Kujtimi për ato data të përgjakshme, ato vuajtje, ato masakra,  ato viktima e ato sakrifica të shqiptarëve të Çamërisë, është obligim yni i përhershëm. Ngjarjet makabre të gjenocidit grek nuk mund të numërohen dhe identifikohen të plota e me saktësi, por edhe vetëm këto që u përmendën më lart, duhet ta tronditin ndërgjegjen njerëzore, veçmas të atyre që munden dhe duhet ta gjykojnë ideologjinë dhe politikën fashiste të Greqisë, e ta detyrojnë atë për të lejuar kthimin e çamëve në pronat e veta dhe t’ua kompensojë dëmin e shkaktuar tash e një shekull.

Më bëhet se këtij shkrimi të rikujtimit të datave të masakrave greke mbi çamët, i shkojnë vargjet e një poezie (nga përmbledhja: “Zog dhe gur”), e shkrimtarit të ndjerë Azem Shkreli, të cilin e kisha shok klase në Normalen e Prishtinës:

“Sonte /Qava sonte për ty/ Arbëri/ Nuk më vjen turp/ Pse qava/ Më vjen turp pse s’munda/ Të bëj tjetër/ Nga turpi qava”/.

E unë, qava nga dhembja e madhe për tragjikën çame.

 

Adil FETAHU

                                                                                                                  (23/24 shtator 2015)

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Adil Fetahu, KUJTOJMË DATAT E PËRGJAKSHME, TË ÇAMËRISË

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 482
  • 483
  • 484
  • 485
  • 486
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT