Beteja e Koshares, simbol i unitetit dhe sakrificës sublime për çlirimin e Kosovës
-Kryeministri Isa Mustafa: 9 prilli i vitit 1999 është një nga datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës, datë e Besëlidhjes së shqiptarëve në frontin për çlirimin e Kosovës. Është data e fillimit të partneritetit strategjik të shqiptarëve me aleatët e tyre natyrorë, të angazhuar nën ombrellën e NATO-s/
PRISHTINË, 9 Prill 2016-B.Jashari/ Beteja e Koshares është simbol i unitetit dhe sakrificës sublime për çlirimin e Kosovës,tha sot kryeministri Isa Mustafa. Ai bëri homazhe te varrezat e dëshmorëve në Koshare dhe mori pjesë në tubimin përkujtimor për nder të Ditës së heqjes me luftë të kufirit Kosovë-Shqipëri, në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes”. Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Mustafa, tha se 9 prilli i vitit 1999 është një nga datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës, datë e Besëlidhjes së shqiptarëve në frontin për çlirimin e Kosovës.“9 prilli i vitit 1999 është data e fillimit të partneritetit strategjik të shqiptarëve me aleatët e tyre natyrorë, të angazhuar nën ombrellën e NATO-s, Aleancës më të fuqishme ushtarake e politike të historisë së njerëzimit. Kjo betejë ishte njëra ndër fitoret me të rëndësishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha kryeministri.
Ndjenja e krenarisë me veprën e luftëtarëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, sipas kryeministrit Isa Mustafa, duhet dhe do të nderohet duke punuar në frymën e unitetit kombëtar e qytetar, për ta zhvilluar Kosovën dhe për ta bërë atë pjesë të familjes euroatlantike.
“Ne këtë ua kemi borxh dëshmorëve të rënë në këtë Betejë të lavdishme dhe nëpër të gjitha betejat tjera për çlirimin e Kosovës. Trashëgimia e angazhimit të përbashkuar për Kosovën, që na e ka lënë Beteja e Koshares, është vlerë të cilën ne duhet ta përdorim për të punuar për zhvillimin e Kosovës sonë dhe vlerë të cilën duhet ta zhvillojmë dhe ta trashëgojmë ne dhe brezat e ri”, tha kryeministri Mustafa.
Të pranishmit në këtë tubim përkujtimor me nga një fjalë rasti i kanë përshëndetur kryetari i Bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në emër të brigadës 138 “Agim Ramadani”, Ragip Sadiku, ndërsa në emër të familjarëve të dëshmorëve të pranishmit i ka përshëndetur Arbër Morina.
“Ditët e Shqipes”, për nder të Betejës së Koshares, është manifestimi tradicional në përvjetorët e rrënimit të gurëve të kufirit ndërshqiptar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në luftën për liri e pavarësi, për dëbimin e forcave okupuese serbe.
FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT MUSTAFA NË AKADEMINË PËRKUJTIMORE./
Të nderuara familje të heronjve dhe dëshmorëve,
Të çmuar pjesëmarrës të Betejës së Koshares,
Të nderuar pjesëmarrës të këtij manifestimi,
I nderuar komandant Rrustem Berisha,
I nderuar kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z.Haradinaj,
I nderuar komandant i FSK-së,
Të gjithë ju pjesëmarrës që jeni sot këtu.
Jemi mbledhur sot të shënojmë një ngjarje historike të kombit tonë e cila ngjarje ka ndryshuar jo vetëm historinë e vendit, por edhe historinë e Ballkanit Perëndimor.
9 prilli i vitit 1999 është një nga datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës. Kjo është data e Besëlidhjes së shqiptarëve në frontin për çlirimin e Kosovës. 9 prilli i vitit 1999 është data e fillimit të partneritetit strategjik të shqiptarëve me aleatët e tyre natyrorë, të angazhuar nën ombrellën e NATO-s, Aleancës më të fuqishme ushtarake e politike të historisë së njerëzimit.Kjo betejë ishte njëra ndër fitoret me të rëndësishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Në Koshare, padrejtësia historike mbi njëshekullore po ndalej dhe ndëshkohej në mënyrën më meritore. Atë ditë, më mirë se kurrë më parë, pushtuesit e kuptuan pafuqinë e tyre dhe gjithashtu kuptuan fuqinë e gatishmërisë së djemve e bijave tona për t’u sakrifikuar për liri e pavarësi.Në Koshare u gërshetua disiplina ushtarake me profesionalizmin e prijësve të kësaj beteje, guximi me gatishmërinë për të mos kursyer asgjë për çlirimin e Kosovës.
Të nderuar të pranishëm.
Kosharja ishte prova më e qartë e unitetit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këtë rol historik e vendimtar e ka luajtur Brigada 138 e cila më vonë mori emrin e strategut të saj Agim Ramadani dhe kjo u vulos me shënimin e luftës së heronjve Sali Çekaj, Abaz Thaçi, Xhemajl Fetahu dhe të gjithë heronjve e dëshmorëve dhe veteranëve të kësaj brigade.Porosinë për unitet dhe tolerancë vëllazërore si kusht për të korrë fitore dhe për të qenë të suksesshëm e gjejmë te kjo betejë si mësim kuptimplotë nga historia për të sotmen dhe të ardhmen e vendit tonë.Prandaj, të dashura familje të dëshmorëve dhe të heronjve, të gjithë ne, sot ndjehemi krenarë me veprën e heronjve dhe dëshmorëve të Betejës së Koshares.Ndjenjën e krenarisë me veprën e luftëtarëve tanë, pjesëtarë të Brigadës 138 “Agim Ramadani” ne duhet dhe do ta nderojmë duke punuar në frymën e unitetit kombëtar e qytetar, për ta zhvilluar Kosovën dhe për ta bërë atë pjesë të familjes euroatlantike.Ne këtë ua kemi borxh dëshmorëve të rënë në këtë Betejë të lavdishme dhe nëpër të gjitha betejat tjera për çlirimin e Kosovës. Trashëgimia e angazhimit të përbashkuar për Kosovën, që na e ka lënë Beteja e Koshares është vlerë të cilën ne duhet ta përdorim për të punuar për zhvillimin e Kosovës sonë dhe vlerë të cilën duhet ta zhvillojmë dhe ta trashëgojmë ne dhe brezat e ri.Beteja e Koshares ashtu si e gjithë lufta jonë e drejtë për çlirimin nga pushtimi njëshekullor paraqet një inspirim të jashtëzakonshëm për të gjithë ne dhe për gjeneratat që vijnë.Pjesëmarrës të nderuar të kësaj akademie përkujtimore.
Heronjtë dhe dëshmorët e Betejës së Koshares u flijuan për të ardhmen e lirë të Kosovës ndërsa ne si qytetarë dhe si institucione të Republikës së Kosovës, ua kemi borxh atyre të punojmë me tërë dijen dhe me tërë përkushtimin tonë për të jetësuar ëndrrat dhe idealet e tyre, Kosovën e integruar në familjen e madhe të kombeve të lira dhe qytetëruara euroatlantike.Ne do t’u jemi tërë jetën mirënjohës të gjithë atyre shqiptarëve nga të gjitha trevat e Kosovës dhe trojet shqiptare, për kontributin e tyre në Betejën e Koshares dhe betejat tjera të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të gjithë ata do të trajtohen me respekt dhe me dinjitet.
Veçanërisht, ne do të kujtojmë me përulje veprën e miqve tanë, francezit Paillard Arnaud Piere, algjerianit Murad Muhamed Ali e italianit Françesko Gjuzepe Bider, që dhanë jetën në këtë betejë të lavdishme.
Ndërsa, me admirim të veçantë dua t’i drejtohem një bashkëluftëtari Tuaj, britanikut Xhon Harrison, i cili ka luftuar si vullnetar në Brigadën 138 “Agim Ramadani” në Koshare dhe i cili tashmë është i dekoruar me urdhrin “Adem Jashari”.
Xhon Harrison është shembull i gjallë i mishërimit të botës së civilizuar me luftën tonë çlirimtare, por edhe vendosmërisë për të përballuar kryelartë çdo sfidë që i del përpara këtij mishërimi.
Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”,
Lavdi të gjithë dëshmorëve të luftës për çlirimin e Kosovës,
Zoti e bekoftë Kosovën,
Zoti e bekoftë kombin shqiptar,
Zoti i bekoftë miqtë tanë dhe aleatët tanë,
Zoti i bekoftë heronjtë dhe dëshmorët e Koshares dhe gjithë Kosovën.
Dielli Arkiv-1926-Pangallos ishte shqiptar nga fshati Elevsines
Kete e pohonte korrespondenti i Gazetes Amerikan”Detroit News”, e cila e intervistoi Gjeneral Pangallos ne shtepine e tij. Gazetari shkruan :”Ky fshat i qemotshem nje ore me kembe larg nga Athina eshte vendi i stergjysherve te Gjeneralit Pangallos. Eshte nje fshat bujqesh te cilet flasin gjuhen shqipe.Shtepia e ish kryeministrit nuk ka asgje ne pamje qe te duket se eshte vendi ku rron diktatatori i sotem i Greqise.Nuk ka rujtes ne hyrje ose sherbetore me uniforma.Por kjo shtepi dhe ky qark modest eshte vendi ku Gjeneral Pangallos vjen per clodhje ne te paktat ore ngeje qe i jep leje barra e tij per te rindertuar nje Greqi te bashkuar nga nje Komb i cqyer prej grindjeve te brendshme dhe te friksuar prej fqinjeve armiq.
GJEN. PANGALLOS , para takimit me korrespondentin e gazetes amerikane, priti turmen e fshatareve qe kishin rrethuar shtepine . Ata takoheshin lirshem me shokun e lodrave , i cili nderkohe ushqente me nje shishe me qumesht nje qengj jetim te vogel te zi.Pak minuta me pare qengji kishte refuzuar te pinte qumesht nga duart e fshatareve…Me ne fund kur diktatori u kthye nga njerzit qe kishin ardhe per audience, per te bere kerkesa e per tu ankuar, korrespondenti degjoi se flitej vetem ne shqip.Gjenerali ua kthente pergjigjrt ne te njejten gjuhe….Me pas vjen intervista, ku gjenerali tregon se guverna e tij ishte provizore.”Deshiroj ta ngulis ne mendje te botes dhe te Greqise se do te jem gati te dorehiqem sapo te kem sjelle bashkimin e Greqise”, deklaroi ai…Shkrimin e Detroit News, gazeta Dielli e publikoi me 6 Mars 1926. Editor ne ate kohe ishte Aqile Tase. Artikullin e kishte sjelle korrespondenti i Diellit ne Rome .
KUJTESA E 7 PRILLIT DHE ABAZ KUPI
Nga Luan Çipi/
Abaz Kupi, i njohur për shumë kohë si “Bazi i Canes”, ishte një tjetër personazh i rëndësishëm që dominoi situatën politike në Shqipëri, me kulmin e vet në rezistencën e organizuar po me nismën e tij personale, ndaj pushtimit fashist Italian të 7 prillit 1939. Pavarësisht se, qysh herët, ai e deklaroi veten “Legalist” dhe betohej për ish Mbretin Zog, (shiko fjalën e tij në shtatorin 1942 në Konferencën e Pezës), këtë deklarim aso kohe, do ta konsideroja më shumë vetjak dhe pa lidhje e vartësi, sepse Zogu, nuk denjoi dhe nuk dha asnjë urdhër për ta kundërshtuar ushtarakisht pushtimin, por u largua jashtë Shqipërie, me gjithë shpurën dhe familjen e tij. Ky qëndrim, nuk ja ul vlerat Abaz Kupit, përkundrazi, rezistenca e tij heroike dhe përleshjet e mëpasme, në gjirin e Frontit Nacional-Çlirimtar dhe veças, (pa përkatësinë e aderimit në parti), e bënë atë një Atdhetar me emër të madh dhe me kontribut konkret. Mandej duhej thënë e përsëritur, se në fillimet e luftës antifashiste, nuk njihej tjetër lider më i shquar se “Bazi i Canes”, aqsa kur ra heroikisht në luftë, dëshmori i parë komunist, Qemal Stafa, kënga e popullit i këndohej me thirrjen e dhimbshme “ngrehu Qemal nga varri, të pret Bazi i Canit”.
Ja si shkruan vetë Abaz Kupi për rezistencën e 7 Prillit 1939: “Kur anijet e armikut arritën pranë molos, i lashë fashistët të zbrisnin në tokë, madje dhe të na afroheshin nja 200 metra. Atëherë dhashë urdhër që të hapej zjarr kundër tyre. Kështu, në ora 4 të mëngjesit kishte filluar një betejë e vërtetë. Gjatë këtyre luftimeve, të tre sulmet e tyre të njëpasnjëshme i zmbrapsëm, duke i detyruar agresorët që të ktheheshin e të futeshin sërish nëpër anijet e tyre. Gjatë sulmit të katërt, armiku, duke vënë në përdorim të gjithë mjetet dhe forcat e tij luftarake që dispononte, u përqendrua në një sulm të përgjithshëm kundër krahut tonë të djathtë. Në këtë mes, ne, duke mos i pasur mjetet e nevojshme gjatë 6 orë luftimesh të përgjakshme dhe të pandërprera, qemë të detyruar që të tërhiqeshim”. Kështu ka ndodhur, jo vetëm në Durrës, po edhe në Vlorë e Sarandë, dhe pati shumë të vrarë e të plagosur nga të dy krahët, edhe pse propaganda fashiste e minimizoi rezistencën Shqiptare.Abaz Kupi lindi në lagjen Varosh të Krujës më 6 Gusht të vitit 1892, në një familje që e kishte origjinën nga Kurbini. Ai qysh në moshë të re 22 vjeçare, në Nëntor-Dhjetor të 1914, bashkë me “Parinë e Krujës” vendosin dhe marrin aksione konkrete kundër “Lëvizjes së Shqipërisë së Mesme”, që me sloganin “dum babën”, përkrahën përpjekjet e para për forcimin e Shtetit Shqiptar, të krijuar nga Ismail Qemali dhe që bënte hapat e para të konsolidimit, me në krye Princ Vidin.
Me formimin e Qeverisë Kombëtare të Lushnjës, Abaz Kupi, së bashku me Bajram Currin e Ahmet Zogun, mori pjesë në luftën kundër malazezëve në Koplik, në përpjekjet e gjata për të bashkuar Shtetin Shqiptar.
Abaz Kupi merr pjesë, gjithashtu, në kryengritjet e Mustafa Merlikës, Bajram Currit dhe Elez Isufit në Shkurt-Mars të vitit1922, kur edhe u konfrontua me Ahmet Zogun, por duhet thënë se gjatë kryengritjes Fanoliste të Qershorit 1924 ai, qëndroi neutral.
Kapiteni Prenk Pervizi, miku i tiji afërt, ishte ai që e afroi me Zogun, i cili më vonë e ngarkoi të shërbejë si Komandant i Xhandarmerisë në Krujë me gradën e kapitenit. Kjo detyrë e rëndësishme, zyrtarizoi ndikimin e Bazit në vendlindje dhe konsolidoi karrierën e tij të ardhshme ushtarake, deri te grada e “gjeneralit”.
Kështu, më vonë, në vitin 1934 u gradua major dhe shërbeu në Durrës me të njëjtën detyrë.
Në ditët e agresionit fashist italian kundër vendit tonë, më 7 Prill 1939, Abaz Kupi, me iniciativën e tij, udhëhoqi qëndresën e repartit ushtarak të Durrësit, veprim i cila e shndërroi atë në një ikonë.
Abaz Kupi, me pushtimin e Shqipërisë, u largua në Stamboll të Turqisë, ndërsa në Qershor të vitit 1939 familja e tij, e përbërë nga tre djemtë Petriti, Rustemi e Fatbardhi, bashkë me nënën dhe motrat, u internua në Himarë dhe pas disa muajsh, u dërguan në Itali. Në fillim u mbajt e burgosur në qelitë e burgut të Brindisi-t, izoluar plotësisht. Më pas u transferua në një kamp internimi në Siena, deri në vitin 1942, kur u lanë të lirë për të banuan pranë t’ afërmve, te familja e Sejfulla Merlikës.
Me hyrjen e Britanisë së Madhe në Luftë, si një alternativë oportune, u pa edhe mundësia e krijimit të rezistencës antifashiste në Shqipëri. Me këtë synim, Abaz Kupi, i rekomanduar nga shokët e tij, kalon nga Turqia për në Beograd, në kryeqytetin e Jugosllavisë, i pritur dhe ndihmuar nga miku i hershëm i tij, Gani Kryeziu. Aty organizohet takimi me kolonelët Anglez Stirling dhe. Dayrell Oakley-Hill, (i fundit shef i zyrës së SOE në Beograd). Me ndihmën e tyre dhe direkt të Ambasadës Angleze të Beogradit, Abaz Kupi, kaloi në Shqipëri dhe u vu në krye të rezistencës antifashiste. Punët përgatitore për organizimin e qëndresës, u drejtuan nga Jugosllavia prej gjeneralit Anglez Julian Amery.
Në Shqipëri, koordinuar nga Anglezët dhe miqtë e tij, u sigurua bashkëveprimi i Abaz Kupit me Muharrem Bajraktarin dhe të vëllait të tij Ibrahimi, për të grumbulluar elementët e duhur dhe për të organizuar qëndresën kundër pushtuesit dhe krejt kjo punë e madhe u përballua me shpenzimet e tyre.
Një nga principet e Abaz Kupit ishte sigurimi i mirëkuptimit dhe bashkëveprimit i të gjitha forcave shqiptare antifashiste. Në këtë kuadër Abaz Kupi ishte një ndër organizatorët dhe pjesëmarrësit kryesorë të “Konferencës së Pezës” të mbajtur më 16 shtator 1942, ku dhe u zgjodh anëtar i Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar. Ai si shumë figura tjera që përdoreshin nga komunistët për të tërhequr masat gjerësisht me emrin e bujshëm “Fronti Nacional-Çlirimtar”, ra në kurthin e tyre, u shfrytëzua në të gjitha kapacitetet dhe në fund, u mënjanua dhe hodh poshtë si limon i shtrydhur.
Nuk përjashtohen edhe përpjekjet direkte të forcave nacionaliste për bashkim: Më 26 Korrik 1943, ora 11 paradite, u mblodhën në shtëpinë e dr. Ihsan Toptanit në katundin Tapizë, Delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe Delegacioni i organizatës “Balli Kombëtar“. Me idenë e zgjerimit dhe të forcimit të frontit të përbashkët të luftës kundër Italianëve, ai u bë nismëtari i Konferencës së Mukjes të mbajtur në datat 1-2 gusht 1943 për të arritur bashkëpunimin midis Frontit Nacional Çlirimtar dhe të Ballit Kombëtar.
Pikërisht, Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, organizoi në datën 4 dhe 5 Gusht 1943, dy ditë pas Kuvendit të Mukjes, një betejë të përbashkët në afërsi të Qafë-Shtamës, kundër Ushtrisë Italiane që marshonte për në Mat. Çetat Partizane dhe ato të Ballit Kombëtar, nën komandën e majorit Abaz Kupi, e shpartalluan armikun, duke i shkaktuar humbje të rënda: 150 të vrarë, 40 të plagosur dhe 7 robër. Në mes të të vrarëve ishte edhe koloneli A.P. Skampa.
Kur E. Hoxha hodhi poshtë Marrëveshjen e Mukjes, me Konferencën e Labinotit në shtator 1943, se binte ndesh me synimet e agjentëve Popoviç dhe Mugosha, Abaz Kupi u largua më 19 Nëntor 1943 nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar.
Më 21 Nëntor 1943, duke mos pasur tjetër alternativë, Abaz Kupi, formoi “Lëvizjen e Legalitetit” dhe vuri objektiv rikthimin e Mbretit Zog në Shqipëri.
Pas kësaj udhëheqja e PKSH urdhëroi asgjësimin fizik të Abaz Kupit. Megjithatë ai u mbrojt dhe iu shmang luftës civile të nxitur nga komunistët, deri kur ata nisën të sulmonin Krujën dhe zonat e Bazit në Mirditë.
Në pranverën e 1944, raportet drejt qendrës të oficerëve Billy McLean dhe David Smiley, iu bashkua dhe Amery, të cilët qëndruan për shtatë muaj pranë trupave të Kupit. Këto raporte për operacionet kundrejt Gjermanëve do të ndeshnin me kundërshtitë e raporteve të oficerëve Britanikë pranë komunistëve. Aleatët ngulnin këmbë për më shumë aksione dhe ç’vlerësuan përpjekjet e mundshme të Abaz Kupit. Pamundësia për më shumë aksione e dëshpëroi edhe vet heroin tonë.
Më 24 Tetor 1944 Abaz Kupi, u largua nga Atdheu bashkë dy bijtë Petritin, Rustemin dhe përkthyesin Gaqo Goga, me ndihmën e një barke të siguruar nga Ihsan Toptani në Shkodër, (SOE e Barit nuk e ndihmoi të tërhiqej së bashkë me oficerët britanikë).
Ata ngelën për 6 ditë pa ushqim e pa ujë, derisa u gjetën nga një anije pastruese-minash kanadeze që i çoi në Brindizi të Italisë.
Familjen e Abaz Kupit ngeli në Shkodër. Djali i vogël, Fatbardhi, u arrestua më 1945, ndërsa pjesa tjetër e familjes, bashkëshortja e tij dhe vajzat, do të internoheshin në Tepelenë e më pas nëpër kampet e internimit të Myzeqesë.
Në emigracion Abaz Kupi, që tani thërritet “gjeneral”, merret me organizimin e mërgimtarëve për një bashkim politik, më pas u aktivizua në komitetin “Shqipëria e Lirë” me në krye Mit’hat Frashërin.
Më 1968 zhvendoset drejt Shteteve të Bashkuara.
Vdiq në vitin 1976 në ShBA, New York. Trupi i tij prehet në Kew Gardens Cimitery në Queens.
Për ta mbyllur do paraqes këtu më poshtë, se si ka shkruar vetë Enver Hoxha fillimisht, për Abaz Kupin (Bazin e Canit):
“Në ditët e para të prillit 1939, ditë të zeza të historisë sonë, populli shqiptar ishte më këmbë; me një zemër, me një parullë: Luftë invazorit fashist të urryer si bishë e Atdheut tonë të dashur, në fshatra dhe qytete të Shqipërisë, i madh dhe i vogël bërtiste në Durrës, Shëngjin, Vlorë për të mbrojtur Atdheun.
Në Durrës luftonte Abaz Kupi me djemtë e shqipes, luftonte me një grusht njerëzish kundër dëshirës së klikës dallkauke që ishte në fuqi, kundra mijëra dhe mijëra fashistëve që po zbarkonin në molo.
Bazi i Canes dhe djemtë e Shqipërisë, të frymëzuar prej një dashurie të madhe për Atdheun, me të vetmen pushkë të shqiptarit, e bënë armikun që të kthehej në vapore e të linte në Molo me qindra të vrarë.
Major Bazi ishte kudo, në çdo pozitë, zëri i tij dëgjohej: Djema! Godisni armikun pa mëshirë se kështu e lyp ndera e Atdheut!”- dhe pushkët e shqiptarëve kërcisnin mbi fashistët e fëlliqur që turreshin valë-valë.
Nga çdo anë, nga çdo mur, derë, nga çdo penxhere e Durrësit vlonte pushka. Bazi i Canes s’po ia lëshonte vendin, megjithëse armiku përdori topa e aeroplanë, djemtë e Shqipërisë s’trembeshin, sado që ishin një grup njerëzish.
Lufta vazhdoi me orë, armiku hidhte si në furrë, me mijëra bersalierë dhe përpara kësaj hordhi të madhe të veshur me çelik, Bazi i Canes u tërhoq, por i pathyer, i papërkulur, me zemrën plot dashuri për Atdheun dhe me urrejtje për okupatorin.
Në emigracion këtij s’i rrihej, ai e kishte zemrën në Shqipëri, në vëllezërit e tij që po luftonin me tërbim fashizmin dhe ky luftëtar çau malet me borë, çau bjeshkët e veriut dhe u fut në Atdhe, atje ku e lypte detyra, ku e lyp ndera e Atdheut, u fut me bashkue forcat e tij me atë të shokëve shqiptarë që ishin çue në këmbë.
Fshatrat e Krujës zienin, fshatarët rrokën armët, pse ora e hakmarrjes kish arritur, pse Bazi i Durrësit ishte kthye me marrë pjesë në LÇ e popullit shqiptar.
Mustafa Kruja u përpoq të kish zinxhirët, u përpoq ta bënte rajë të okupatorit, por Bazi i tregoi rrugën këtij korbi të zi, këtij birit bastard të tokës arbërore dhe si, patriot që ishte i shpalli luftë fashizmit, Merlikës dhe tradhtarëve.
Merlika i lëshua si një bishë me hordhitë e tij mercenare për me ndjekë çetën e Abaz Kupit, u derdh mbi miqtë e tij, mbi shokët e tij me i vra e varë.
Bazi i Canes i goditi fashistët pa mëshirë. Merlika e bëri sheshin e Krujës, shesh për varje për djemtë e Bazit. Por Bazi s’tutej dhe thoshte” Vallja vjen pas”.
Fashizmi dhe Mërlika i kanë milicët të lirë me pesë napolona kokën, kurse ne djemtë tanë i kemi vëllezër dhe shokë, por hakën s’e lëmë pa e marrë dhe për një njëqind.
Bazi i Canes që luftonte për një qëllim të shenjtë; çlirimin e Atdheut nga zgjedha e italianëve, e ka kuptuar fare mirë se trimi i mirë me shokë shumë, se ky hall i madh ka mbuluar gjithë Shqipërinë dhe se një bashkim i fortë e i shëndoshë i gjithë shqiptarëve në luftën kundër okupatorit do të jetë shpëtim i vendit tonë.
Patrioti i vërtetë s’lufton me fjalë, por me punë, me vepra dhe Bazi i Canes mendimet e tij i realizon në fushën e luftës dhe solidar deri në vdekje me të gjithë patriotët e tjerë shqiptarë, u hodh në Luftën NC, në luftë për Atdhe.
Me 10 tetor 1942, armiku i fëlliqur u godit nga të katër anët e Shqipërisë, kudo u goditën kolonat, depot, milicët e armikut, kudo në Shqipëri u prenë telat e telefonave.
Ky ishte rezultat i Kuvendit të burrave shqiptarë, që vendosën të luftonin me armë dhe pa pushim deri në fitore armikun e vendit tonë. Dhe Bazi i Durrësit, Bazi i Krujës, Bazi i Pezës dhe i 10 tetorit, po vazhdon dhe do ta vazhdojë deri në fitore luftën kundër okupatorit dhe tradhtarëve”.
Unë, nuk kam se ç’të shtoj! Grumbullova e sistemova ç’gjeta nga interneti, se ç’kanë shkruar të tjerët për trimin e pa epur, Abaz Kupi. Por si përfundim them se: nuk duhet hedhur poshtë lufta dhe përpjekjet e burrave të shquar të vendit tonë, thjeshtë duke gjykuar nga përkatësia e tyre partiake, as nga ndonjë gabim në jetën e tyre të gjatë, por të vlerësojmë, çmojmë e nderojmë veprën e tyre në tërësi, në dobi të Atdheut, në funksion të bashkimit dhe jo të përçarjes. Sidomos duhet të jenë më të kujdesshëm historianët dhe shtetarët!
Konferencë shkencore në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë
100 VJETORI I LINDJES SË ALBANOLOGUT QEMAL HAXHIHASANI/
Nga MSc. Albert HABAZAJ/
Departamenti i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike, Tiranë, organizuan një Konferencë shkencore për figurën e respektuar të Qemal Haxhihasanit (1916-1992). Konferenca, që u zhvillua në mjediset e Universitetit, më 31 mars 2016, ishte dhe një plotësim i amanetit të babait të Folkoristikës shqiptare nga kolegët e pasardhësit e tij diturorë të fushës, vëzhgues të punës në terren e kërkues shkencorë, nën mbështetjen financiare të familjes dhe veçanërisht të së bijës së tij, përkthyeses së njohur Jeta Haxhihasani. Veprimtaria u zhvillua në nderim të 100 vjetorit të lindjes të Qemal Haxhihasanit, këtij personaliteti të shquar të arsimit dhe folklorit shqiptar. Koha, që lamë pas, edhe pse ai kishte kontribute titanike në etnokulturën shqiptare dhe arsimin mbarëkombëtar, e pa atë, (njërin nga fatosat e albanologjisë), bardhë e zi, saqë, ende vigani tallazitet në horizontin tonë me dritëhije.
Qemal Haxhihasani u lind në qytetin e Elbasanit më 16 shkurt 1916 në një familje nëpunësi të vogël me tradita atdhetare dhe u nda nga jeta më 1 shkurt 2002. Ai pati fatin të ishte normalist i Elbasanit dhe fatin në katror të ketë mësues shkencëtarin Aleksandër Xhuvani, një nga personalitetet e mirënjohura të kohës. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Firences, në Itali. I pajisur me dije të thella, i mbushur me kulturë perëndimore, i dalluar për integritet dhe forcën e intelektit, me identitet kombëtar dhe edukatë pune, ai do të bëhej një folklorist i spikatur, një nga etërit e folkoristikës shqiptare të pasçlirimit, tok me prof. Zihni Sakon; si vijues të plotësuar të të parëve të tyre të linjës e sidomos të mbledhësve të hershëm shqiptarë të krijimtarisë folkorike të mirëfilltë, si De Rada, Jubani, Mitko, Dine, etj. Ai ishte prudent (i matur e i urtë), por nuk lëshonte pè, nëse bëhej fjalë për ndonjë krijim që nuk përmbushte kriterin e hyrjes në qarkullim folkorik. Qe kërkues i saktë për autenticitetin folkorik, për ruajtjen e vlerave autentike
Nuk kemi ndërmend të shkruajmë jetëshkrimin e tij shkencor, por vlen të theksojmë se ai dha ndihmesë të çmuar edhe si historian i folkloristikës shqiptare. Haxhihasani konsiderohet si një ekspert i letërsisë popullore shqiptare (në Sektorin e Prozës e të Poezisë Popullore), eksplorues, gjurmues, hulumtues i pasionuar i terrenit, udhëheqës i ditur dhe i palodhur i fushës, thelluar ngushtësisht në poezinë popullore me të tri ndarjet e saj të veçanta: epike, lirike dhe epiko-lirike apo liriko-epike. Ndërkohë, mund të cilësohet vërtet heroike puna e Qemal Haxhihasanit si profesor e folklorist i shquar, si hartues i veprës madhore “Epika legjendare” (I, II), një nga personalitetet me vlerë programatike për studimin e trashëgimisë sonë kulturore. Njohja, përhapja, vlerësimi, gjykimi saktë e i thelluar i veprës së tij janë domosdoshmëri në praktikën e një trupe akademike, në mbështetje të mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor. Me këtë synim u zhvillua dhe Konferenca shkencore e Vlorës kushtuar kontributit të tij të dukshëm albanologjik. Pasi çeli punimet e Konferencës dr. Ermir Xhindi, shef i Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në Fakultetin e Shkencave Humane të Universitetit të Vlorës, nisi seanca e parë, ku prof.dr. Agron Xhagolli, folklorist, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë (QSA), shpalosi personalitetin e prof. Qemal Haxhihasanit dje dhe sot. Prof.dr. Nexhip Mërkuri, gjuhëtar, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë mbajti kumtesën: “Qemal Haxhihasani për të folmet e fshehta të Përmetit dhe prirja e tyre si pasuri gjuhësore”. Dr. Vilma Bello kumtoi materialin për të folmen e Çamërisë, si një hulumtim i thellë e krahasues i dialektologut Qemal Haxhihasani. (Kumtesa qe përgatitur së bashku me dr. Migena Balla [të dyja pedagoge të Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë të universitetit tonë]). Ardhur enkas për këtë nderim nga Tetova, prof.dr. Hamit Xhaferi (pedagog i Universitetit të Europës Juglindore, Tetovë) trajtoi ndihmesën e Q. Haxhihasanit për arsimin shqiptar në Tetovë. Dr. Leka Skëndaj, gjuhëtar e pedagog i Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, shtjelloi sfidat e kristalizimit të metodologjisë në kërkimet dialektore dhe ndihmesën e prof. Qemalit. Gjatë kësaj seance u fol edhe për pikëpamjet mbi origjinalitetin e Eposit Heroik Shqiptar, temë të cilën e kishte prof.dr. Zeqirja Neziri nga Universiteti i Shkupit; si dhe mbi rolin e prof. Haxhihasanit si përudhësues i sociolinguistikës shqiptare, punim i prof.dr. Valter Memisha (QSA), të cilët në pamundësi pjesëmarrjeje, kishin dërguan materialet, që, si çdo kumtim i radhës, u dëgjuan dhe, për to, u bënë pyetje a diskutime.
Seanca e dytë nisi me kumtesën e studiueses Arjana Seiti (QSA): “Metodologjia e prof. Qemal Haxhihasanit si kërkues shkencor. Dr. Gladiola Elezi, pedagoge e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, shprehu idetë e saj për vëzhgimet morfologjike të prof. Haxhihasanit në të folmen e Vërsulovës. Dr. Edlira Çekrezi, gjithashtu pedagoge e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, paraqiti veçori të përmbledhjes “Tregime dhe këngë popullore për Skënderbeun” të Qemal Haxhihasanit. Pegadogu tjetër i Universitetit “Ismail Qemali”, dr. Artan Xhaferaj u ndal te e folmja e Çamërisë dhe kontributi i Haxhihasanit. Kumtesën vijuese e paraqiti dr. Enkelejda Billa, pegagoge e Universitetit të Vlorës për Epikën historike nën vështrimin e Qemal Haxhihasanit. Studiuesja Orjona Shegaj (QSA) u ndal në klasifikimin e lirikës popullore sipas prof. Haxhihasanit. Kumtesën e radhës e mbajti studiuesja Ermela Broci (QSA), ku ftilloi hapësirat etnografike të këngëve rituale sipas prof. Haxhihasanit. Në vijim, shprehu dy fjalë dashamirëse Agron Xhaho. Në emër të familjes, përshëndeti Jeta Haxhihasani, e cila komentoi edhe një bllok me fotografi të atij titani, që ka shkelur trojet shqiptare pëllëmbë për pëllëmbë (brenda dhe përtej kufijve shtetërorë të Shqipërisë së sotme, në ato hapësira ballkanike ku kanë banuar shqiptarë). Albumi fotografik i Haxhihasanit (me komentin për to) përbën një atlas etnografik dhe arsimor më vete, model për mësuesit dhe studiuesit e sotëm. Më tej, u lexua përshëndetja e prof. dr. Vebi Bexheti nga Universiteti i Europës Juglindore, Tetovë; si dhe kumtimet e Prof. Zymer Nezirit nga Universiteti “Hasan Prishtina”, Prishtinë-mbi studimet e Qemal Haxhihasanit për “Ciklin e Kreshnikëve”; të studiuesit Agim Leka, po ashtu nga Universiteti “Hasan Prishtina”, Prishtinë-mbi personalitetin shkencor të Qemal Haxhihasanit; si dhe të pedagoges së Universitetit të Vlorës, dr. Evis Hudhëra. Referatin përmbyllës “Profesor Qemal Haxhihasani, albanologu ynë i shquar” e mbajti prof.dr. Bardhosh Gaçe, Mjeshtër i Madh.
Meqë qëlloi të jem përgatitësi i relacionit për Konferencën shkencore “Qemal Haxhihasani, personalitet i shquar i arsimit dhe i folkorit shqiptar”, kumtesën time (unë, Albert Habazaj) e vendosa në fund të kësaj parashtrese, që, në fakt është një relacion përmbledhës dhe kujtesë e dokumentuar e kësaj veprimtarie shkencore të institucionit tonë. Po e botoj me shkurtime, pa e publikuar të shkëptur si material). Mbajta kumtesën: “Qemal Haxhihasani, një Gjolekë i Folkoristikës shqiptare”. Trajtova ndihmesën shkencore në rrafshin e raporteve histori-epikë historike për Luftën e Vlorës, 1920 të profesorit të pashpallur, por profesor të profesorëve të fushës, Qemal Haxhihasanit. Në hartën folkorike të Shqipërisë Mbijugore, në krahinën e Labërisë ka mbi një shekull e gjysmë, afro dy, që është kënduar, dëgjuar e (kur u futën në përdorim aparatet regjistruese) regjistruar edhe kjo njësi foklorike: “U trete, Gjolek’, u trete,/ po sos u trete për vete,/ po për gjithë vilajete…/ – Pse lëfton, a derëzì?! – As për mua, as për tì,/ po për gjithë Shqipëri…”. Kjo këngë i kushtohet bëmave heroike të njërit nga bijtë e shpatës shqiptare, njërit nga kryetrimat e kryengritjeve popullore kundërosmane, kapedan Zenel Gjonlekës (Gjolekës me këngë e me histori). Në një trajtë tjetër, vështruar në kontekst, kjo këngë i rri mirë e bukur profilit të profesorit të madh, të paharruarit Qemal Haxhihasani, që është një Gjolekë i etnologjisë, një kapedan i folkorit shqiptar, një Dhaskal Todër i shkronjave shqip e arsimit ndër shqiptarë (Theodor Haxhi Filipi i viteve 1830 – shën. im: A. H); që një jetë të tërë, si ai, ia kushtoi arsimit dhe etnologjisë shqiptare. [ … ] Vetëm për Luftën e Vlorës, 1920, në rrafshin folkorik, kontributi i Qemal Haxhihasani është fillimtar dhe i jashtëzakonshëm. Nën kujdesin e Zihni Sakos, ai ka zgjedhur e pajisur me shënime vëllimin “Këngë popullore historike”, botim i Institutit të Shkencave, Tiranë 1956, me 408 faqe. Bashkë me prof. Sakon, në 40 faqe, kanë përgatitur hyrjen e këtij libri. Vëllimi ka një aparat të pasur bibliografik, me fjalorth, indeks të personazheve dhe toponimeve, me burimet e lëndës, etj. Në tekst përfshihen 43 njësi folkorike kushtuar Luftës së Vlorës, e cila ndryshe quhet dhe Lufta e Njëzetës. Po kështu, vëllimi më i plotësuar “Epika historike, 3” (EH, 3), i formatuar sipas standarteve akademike, botim i Akademisë së Shkencave, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë, 1989 [1990], me 774 faqe, është përgatitur nga Qemal Haxhihasani e Miranda Dule, me recensentë prof. Gazmend Shpuza e prof. Agron Xhagolli. Edhe ky tekst ka një aparat të pasur bibliografik, me fjalorth, tregues të vendeve ku u mblodhën këngët, tregues të emrave të njerëzve, të vendeve etj., me pasqyrën e këngëve të incizuara, burimet e lëndës, pasqyrën e shkurtimeve, shënimet për redaktimin, me shënime në fund të çdo njësie folkorike të botuar, etj., ku ndihet, duket, se kuptohet, dora e mjeshtrit erudit të folkoristikës shqiptare, Qemal Haxhihasani. Folkloristi i mirënjohur shqiptar Qemal Haxhihasani, për ciklet e këngëve popullore që trajtojnë periudhën 1913-1939, të asaj epike historike, që sot klasifikohet “këngë të periudhës së shtetit të pavarur shqiptar”, duke vlerësuar edhe informacionin historik që japin nëpërmjet përjetimit emocional, vëren se nuk mund të vihet shenja e barazimit midis këngës historike dhe dokumentit historik. Kënga, sipas tij, është në radhë të parë një krijim poetik popullor. Ai thotë se ato “janë vazhdim i këngëve të periudhës së Rilindjes Kombëtare si në brendi ashtu edhe në formën e tyre artistike. Studiuesi përcakton nëncikle të luftërave, nëpërmjet të cilave, sipas tij, bashkohen pjesë të veçanta të historisë së lëvizjes lokale në tërësinë e jetës historike kombëtare. Sipas tij, sistemimi i këngëve brenda vëllimit është organizuar sipas kriterit kronologjik, duke i grupuar në tre kapituj: I. Këngë për ngjarje historike të viteve 1913-1919; II. Këngë për ngjarje të viteve 1920-1924 dhe III. Këngë për ngjarje të viteve 1925-1939. Kjo ndarje është bërë edhe sepse për secilën prej këtyre fazave ka zotëruar një ide kryesore e veçantë. Brenda përbrenda secilës ndarje ka edhe një farë grupimi të këngëve sipas kriterit tematik në mënyrë që të mos krijohet një shkapërderdhje, përhapje pa rregull, e hallakatur e materialit. Për tre periudhat historike të shek. XX, janë 500 njësi folkorike të përfshira në EH, 3. Nga këto, 159 i kushtohen ngjarjeve që zhvillohen e personazheve, që veprojnë brenda 2-3 muajve të stinës së verës së vitit 1920. Po të bëjmë një krahasim për të tri periudhat, kur për periudhën 6 vjeçare 1913-1919 janë regjistruar 183 njësi folkorike, për periudhën 14 vjeçare 1925-1939 janë shënuar 78 këngë, në raport me kohëzgjatjen e ngjarjeve historike të ndodhura, del që Epika Historike e Luftës së Vlorës (EHLV) është shumë më e pasur me njësi folkorike (si nënperiudhë brenda periudhës me ngjarje historike të viteve 1920-1924). [… ]
Qemal Haxhihasani punoi për të tjerët, për Shqipëri një jetë të tërë e bëri volume e volume të tëra, të botuara e të pabotuara ende. Skedat dhe dorëshkrimet e pabotuara, (që ndodhen në Arkivin e Folkorit Letrar të QSA, Tiranë: në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit si dhe në Institutin e Gjuhësisë), janë thesar i paçmuar dot, që ai na la. Trashëgimia popullore që kemi nga prof. Haxhihasani përbën një opus albanologjik më vete, me 100 e ca vëllime dorëshkrimesh, prej rreth 25 mijë faqesh të daktilografuara, në të cilat ai s’ka harruar të shënojë edhe emrat e daktilografistëve. Nga këto, 82 vëllime janë të lidhura, të klasifikuara, të pajisura me një aparat të pasur shkencor. Ato vepra folkorike që përgatiti, janë visare të vërteta të kombit që presin botimin, por pasi shteti shqiptar të zgjohet nga gjumi i ariut polar, që e ka zënë qyshkur, … nëse bëhet fjalë për thesaret e trashëgimi kulturor të popullit shqiptar. Subjektet nga Dibra, Luznia, Opari, Vithkuqi, Leminoti, Plovishti, Kolaneci, Sul-Bilishti, Dardha, Korça, Devolli, Tetova, Gostivari, Çermenika e Bardhë (e Sipërme), Çermenika e Zezë (e Poshtme), me Martanesh e Shmil, Qerret- Shmili, Gryka e Zhullimës, Mokra, Shpati, Krraba, Rajca, Prrenjasi, Fusha e Domosdovës, Derveni me Xhyrë e Dardhë, Bërzheshtë-Babje, Dragostunja, Pishkashi, Linasi, Selita, Elbasani, Sharra, Tomadhe-Tirana, Përmeti, Shalësi, Rehova, Barmashi, Leskoviku, Polisi-Librazhd, Bezhani, Kaltanji, Qafëzezi, Shalës-Kolonja, Vermoshi, Kelmendi, Konispoli, Dukagjini, Skrapari, Tomorri, Zagoria, Shkodra, Lura, Banja, Brasniku, Jança, Tunja, Sulova, Gramshi, Zerqani, Kalaja e Dodës, Prilepnica, Istogu, Kosova, Margëlliçi, Çamëria, Nikaj-Mërturi, Batra, Mati, Lezha, Durrësi, Puka, Kukësi, Morava, Pulaj-Dukagjini, Fieri, Vlora, Himara, Palasa, Dhërmiu, Vunoi, Piluri, Kudhësi, Delvina, Gjirokastra, Tropoja, Tepelena, Mallakastra, Labëria, Malësia e Madhe, Çeremi, Malësia e Gjakovës, malësitë shqiptare, Gegëria, Toskëria e mbajnë mend dhe e kujtojnë me nderim profesorin e dashur, etnologun, folkoristin, shkencëtarin pasionat, humanist e patriot, demokrat të kulluar e me virtyte të larta morale Qemal Haxhihasanin, nga të cilët, për gjysmë shekulli kërkime në terren, ai mblodhi perlat e gurrës popullore. Ato margaritarë të popullit të tij, bashkë me miqtë e tjerë të shkencës së re të folkoristikës shqiptare, i përgatiti dhe i botoi në vëllimet e përfshira në pesë seri të korpusit “Trashëgimi kulturor i popullit shqiptar”, ku përfshihen krijime nga proza dhe poezia popullore shqiptare. Katër seri të këtij korpusi: I- Proza popullore (përfaqësuar deri tani me 6 vëllime); II- Epika legjendare (2 vëllime); III- Epika historike (3 vëllime); IV- Lirika (4 vëllime), janë ndërtuar mbi bazën e kritereve të mirëfillta shkencore, duke u selitur kështu brezave krenarinë kombëtare të shpirtit të pasur të krijimtarisë popullore përgjatë shekujve, se, edhe sipas tij, që kur bota është zënë edhe shqiptari këtu ka qenë, në trojet e tij. E vlerësojnë vitalitetin e tij model si një shembull të përkryer të punëtorit të jashtëzakonshëm. Në punën e tij kërkimore-shkencore spikati për sensin e qartë shkencor, për saktësinë e regjistrimit, duke respektuar parimin fonetik të bartësve në terren, si dhe për skrupulozitet të shkallës së lartë. Ai përbën një rast tipik dhe u ngrit në rangun e figurës enciklopedike, jo si mizëri gjithologësh sot ndër ne, me tituj e grada, që i tundin si stoli venitzëna. Bota e njihte, e vlerësonte dhe i fliste “PROFESOR”. Ndërsa ndër ne, në Shqipëri, mbeti me të njëjtin titull deri sa vdiq, “BASHKËPUNËTOR I VJETËR SHKENCOR”… Bota e kërkonte në Austri, Itali, Gjermani, Rusi, SHBA, Kopenhagen-Danimarkë, Bullgari, Bukuresht, Kajro, Grac, Paris, Romë e … ne nuk i jepnim leje(!) As për ekspedita në Kozencë, as ndër shqiptarët e Maqedonisë, ndër arbëreshët e Greqisë, të Malit të Zi apo të Italisë (!) As telefon në shtëpi nuk lejonim të mbante (!) I shpiknim ca njolla në biografi, që edhe pse s’pinin ujë, (se ai kullonte i tëri dritë e bardhë e mirësi intelektuale), prapë diçka ngelej tymnajë turmave.. Ishte arsimuar në Itali ai! Dinte shumë gjuhë të huaja ai! Kur fliste frëngjisht, s’kuptohej fare në ishte shqiptar apo francez … Komunikonte si i barabartë me kolegët e huaj ai. Bënte krahasim të etnokulturës e folkorit tonë me folkorin dhe kulturën popullore të të tjerëve, me mënyrën e jetesës të banorëve të vendeve të tjera në siujdhesën e Ballkanit, të Mesdheut, të Europës, të vendeve të Lindjes apo të Perëndimit, merrej me studimin e sjelljes shoqërore, strukturës ekonomike dhe fetare të popujve apo, sipas rastit, të grupeve të popujve, të cilat merrnin strukturën e vështrimeve antropologjike të përfillshme. Nuk ishte i mendimit me ne që “vetëm Shqipëria është fanar ndriuçes në botë, që vetëm ne dimë të këndojmë, të bëjmë histori, të kemi trima, këngë e valle trimash…” e gjepura të tilla karafile të kohës. Haxhihasani e nderonte intelektualisht Shqipërinë ta quaje etnolog. Edhe si folklorist të nderonte. Edhe si filolog. Edhe si albanolog. Tri qenë fushat e tij kryesore të studimit dhe të prodhimit shkencor: gjuhësia, folkoristika dhe bibliografia. Jo më pak kontribute studimtarie dha në etnografi, letërsi, pedagogji, mësimdhënie dhe përkthim letrar e shkencor. Formatimi i tij shkencor tërhoqi vëmendjen e personaliteteve europiane të fushës, si Lamberc, Foki, etj. Mendimi i tij merrej si pikë reference në studimin e kulturës së popujve të Europës Juglindore. Ai qe i veçantë. Si ata burrat e rrallë të antikitetit, të rëndë nga dituria. Qemal Haxhihasani iku si një Nestor i pambarimtë për etnologjinë, folkorin shqiptar e albanologjinë. Nga Qendra Ndërkombëtare e Bibliografisë me qendër në Gjermani, ai njihet dhe është vlerësuar si bibliograf i mirëfilltë shkencor në fushën e kulturës popullore. Bibliografia e botimeve të tij arrin shifrën 275 tituj apo zëra brenda periudhës 53 vjeçare 1938-1991. Ai është gur themeli e gur qosheli për ndërtimin e korpusit të folkorit tonë sipas gjinive.
Miqtë e tij, nën kujdesin e prof Agron Xhagollit, si një tufë me lule të freskëta mirënjohjeje për kontributet e çmuara që ka dhënë për edukimin, artin, kulturën dhe folkoristikën shqiptare, botuan në Tiranë, më vitin 2010 përmbledhjen me 20 artikuj të kolegëve, në 254 faqe, në librin titulluar “Qemal Haxhihasani, folklorist dhe mësues i rrallë”, nga ku do të shënonim shkrimet e profesorëve të nderuar Sefedin Trungu, Jup Kastrati, Mark Tirta, Mahir Domi, Andon Berisha, Kujtim Bevapi, Esat Braho, Abedin B. Qafjani, Jorgo Panajoti, Mustafa Gërcaliu, Agron Xhagolli, Ali Muka, Fazli Syla, Rrustem Berisha e Shaban Sinani. Nderim veprës albanologjike të atij pishtari të pafikur!
- « Previous Page
- 1
- …
- 481
- 482
- 483
- 484
- 485
- …
- 739
- Next Page »