• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VDIQËN PER NJË IDEAL:“RRNOFTË KRISHTI MBRET, RRNOFTË SHQIPNIA !”

April 2, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
“E PREMTJA E ZEZË NË SHQIPNI KA FILLUE ME 29 NANDOR 1944, DHE KA ME VAZHDUE DERISA TË MAROJË KOMUNIZMI.” Don Dedë MALAJ (1959)./
“Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vllazën e Motra,s’ ishte pa kurrë në historinë e njerzimit…”- Papa Gjon Pali II (Prill 1993)/
KY ISHTE KLERI KATOLIK SHQIPTAR PËRBALLË GENOCIDIT KOMUNIST/
■“Kleri Katolik Shqiptar asht kleri ma heroik që ka me cilësue historia në rrugën dymijëvjeçare të Krishtit, sëpse, mbas pesëqind vjet robnije nën Turqi, po të merret historikisht prej vitit 1912, kur Shqipnia u formue si shtet e deri me 1944, që këtu erdhën në fuqi komunistët, … janë vetëm 30 vjet mundësi me formue një Kler Shqiptar e, për 30 vjet me nxjerrë aq Heronjë sa kemi nxjerrë na, nuk ka asnjë kler në Botë”.
At Pjetër Mëshkalla S.J.
●Kleri Katolik Shqiptar para vitit 1944 kishte mbrenda kufinjve shtetnor: 220 Meshtarë, shumë murgesha, disa fratela e qindra objekte kulti.
Mbas vitit 1944, janë shugurue edhe 25 Meshtarë në Shqipni, ndërsa, jashta kufinjve shtetnor janë shugurue edhe 20 Meshtarë tjerë.
●Genocidi komunist ka përfshi nga viti 1944 – 1990 këta Klerikë Katolik:
●TË PUSHKATUEM: (Me gjyqe, pa gjyqe dhe gjyqe të mëshefta)

1. Imzot FRANO GJINI (1886 – 1948) Regjent i Delegacionit Apostolik në Shqipni.
2. Imzot GJERGJ VOLAJ (1904 – 1948) Ipeshkëv i Sapës.
3. Imzot NIKOLL DEDA (1890 – 1948)
4 Imzot NIKOLL NOGA (TUSHA) (1895 – 1946)
5. At MATI PRENNUSHI OFM. (1882 – 1948)
Provinçial i Françeskanve të Shqipnisë.
6. At ÇIPRIAN NIKA OFM. (1900 – 1948)
Guardian i Françeskanve të Shkodres.
7. At LEKË LULI OFM. (1908 – 1944).
8. At LEONARD TARGAJ OFM. (1910 – 1945)
9. Don LAZËR SHANTOJA (1892 – 1945)
10. Don NDRE ZADÊJA (1891 – 1945)
11. Don MARK GJANI (1909 – 1945)
12. At PAPA PANDI (1909 – 1945)
13. At ANTON HARAPI OFM. (1888 – 1946)
14. At GIOVANI FAUSTI SJ. (1899 – 1946)
15. At DANJEL DAJANI SJ. (1906 – 1946)
16. At GJON SHLLAKU OFM. (1907 – 1946)
17. Don NIKOLL GAZULLI (1893 – 1946)
18. Don ALFONS TRACKI (1892 – 1946)
19. Don LUIGJ PICI (1907 – 1946)
20. Don ZEF MAKSEN (1901 – 1946)
21. At BERNARDIN LLUPI OFM. (1894 – 1946)
22. Don LUIGJ PRENDUSHI (1896 – 1947)
23. Don DEDË MAÇAJ (1920 – 1947)
24. Don ANTON ZOGAJ (1905 – 1948)
25. Don EJËLL KOVAÇI (1920 – 1958)
26. Don DEDË MALAJ (1920 – 1959)
27. Don ZEF BICI (1919 – 1968)
28. Don MARK DUSHI (1920 – 1968)
29. Don MARIN SHKURTI (1933 – 1969)
30. Don SHTJEFËN KURTI (1898 – 1971)
31. Don MIKEL BELTOJA ( 1935 – 1974)
32. Seminaristi MARK ÇUNI (1919 – 1946)

●TË VDEKUN NË TORTURA:
33. At LORENC MITROVIÇ OFM. (1872 – 1943)
34. At BERNARDIN PALAJ OFM. (1894 – 1946)
35. At SERAFIN KODA OFM. (1915 – 1947)
36. Papa JOSIF PAPAMIHAJLI (1912 – 1948)
37. Don ALEKSANDËR SIRDANI (1892 – 1948)
38. Don PJETËR ÇUNI (1914 – 1948)
39. Don DEDË PLANI (1889 – 1949)
40. Don JAKË BUSHATI (1890 – 1949)
41. Imzot JUL BONATI (1874 – 1951)
42. Vlla GJON PANTALIA ( 1887 – 1947)

●TË VDEKUN PAK KOHË MBAS TORTURASH NGA SIGURIMI I SHTETIT:

43. Imzot FRANO GJURAJ (1893 – 1947)
44. Don ANTON MUZAJ (1921 – 1948)
45. Don KOLEC PRENNUSHI (1902 – 1950)
46. Don LAZËR JUBANI (1925 – 1982)

●TË VDEKUN NË BURGJE E KAMPE SHFAROSJE:

47 Imz. VINÇENC PRENNUSHI OFM. (1885 – 1949)
48. Imzot ERRNESTO ÇOBA (1913 – 1980)
49. Don MARK BICAJ (1911 – 1946)
50. Don NIKOLL SHELQETI (1892 – 1947)
51. Don EJËLL DEDA (1917 – 1948)
52. Don NIKOLL LASKAJ (1898 – 1948)
53. At GASPËR SUMA OFM. (1897 – 1950)
54. At PAL DODAJ 880 – 1951)
55. At KARLO SERREQI OFM. (1911 – 1954)
56. At KLEMENT MIRAJ OFM. (1882 – 1956)
57. At RROK GURASHI OFM. (1894 – 1965)
58. Don RROK FRISKU (1892 – 1956)
59. Don PJETËR NOGA (TUSHA) (1873 – 1958)
60. Don ANTON DOÇI (1920 – 1973)
61. Don MARK HASI (1920 – 1981)
62. Don LEC SAHATÇIJA (1906 – 1986)
63. Don NIKOLL GJINI (1911 – 1987)
64. Don PJETËR GRUDA (1922 – 1989)

●VDIQËN MBASI VUEJTËN DËNIMIN:

66. Imzot GJERGJ HABERI (1874 – 1950)
67. Don ZEF SHTUFI (1879 – 1950)
68. Don NDOC NIKAJ (1864 – 1951)
69. Don MARK SHLLAKU (1865 – 1951)
70. Imzot BERNARDIN SHLLAKU OFM. (1875 – 1956)
71. At BUON GJEÇAJ OFM. (1870 – 1957)
72. At PAL ÇIURÇIJA OFM. (1878 – 1957)
73. At PASHKO GJADRI SJ. (1877 – 1960)
74. Don NIKOLL KIMZA (1878 – arratiset, vdes në Romë 1960)
75. Don NDOC SUMA (1887 – 1962)
76. Don TOMË LACAJ (1898 – 1962)
77. At MARIN SIRDANI OFM. (1885 – 1962)
78. Don VLASH MUÇAJ (1918 – 1963)
79. At LEONARD SHAJAKU OFM. (1887 – 1964)
80. Don MEHILL ÇUNI (1871 – 1965)
81. At ÇIRIL CANI OFM. (1875 – 1967)
82. Don LAZËR DEDI (1919 – 1967)
83. Don PRENKË QAFALIA (1900 – 1967)
84. Don NIKOLL SHLLAKU (1886 – 1967)
85. Don NDRE LUFI (1878 – 1969)
86. At FLORIAN BERISHA SJ. (1897 – 1970)
87. At MARK HARAPI SJ. (1890 – 1974)
88. At MARJAN PRELA OFM. (1885 – 1974)
89. At GJON KARMA SJ. (1896 – 1975)
90. Don PAL GJINI (1905 – 1975)
91. At ALFONS ÇUNI OFM. (1900 – 1976)
92. Don NDUE SOKU (1922 – 1976)
93. Don LEKË DREDHAJ (1899 – 1976)
94. At MËHILL MIRAJ OFM. (1909 – 1978)
95. Don INJAC GJOKA (1916 – 1979)
96. At GEGË LUMAJ OFM. (1904 – 1980)
97. At DONAT KURTI OFM. (1903 – 1983)
98. At MËHILL TROSHANI SJ. (1904 – 1983)
99. At SEBASTJAN DEDA OFM. (1916 – 1984)
100. At FILIP MAZRREKU OFM. (1913 – 1984)
101. At FRANO KIRI OFM. (1902 – 1986)
102. At FERDINAND PALI OFM. (1907 – 1986)
103. Don MARIAN ARTA (1905 – 1986)
104. At AUGUSTIN ASHIKU OFM. (1906 – 1986)
105. At PJETËR MËSHKALLA SJ. (1901 – 1988)
106. Don KOLEC TONI (1932 – 1992)
107. Don NDOC SAHATÇIJA (1904 – 1993)
108. At PETRAQ ISAK (1914 – 1997)
109. Fra GASPËR JUBANI (1920? – 1992)

●KLERIKË QË U ZHDUKËN NGA SIGURIMI I SHTETIT KOMUNIST:
110. Don MATISH LISNA (1924 – helmatisë 1958)
111. Don PRENKË NIKÇI (1921 – aksidentalisht 1974)
112. Don LAZËR SHELDIJA (1928 – 1988, vra në SHBA)

●VUEJTËN DËNIMIN DHE ISHIN NË SHERBIM TË FESË MBAS VITIT 1993:

●25 Prill 1993 PAPA GJON PALI II – në SHQIPNI.

“….Të dashtun Vllazën e Motra! Sa herë në të kaluemen ju asht dashtë me ruejtë identitetin tuej. Me një angazhim të tillë, sikur edhe vetë ky shesh na e kujton, u shque figura e naltë e të Krishtenit Gjergj Kastriotit Skenderbeut, i respektuem nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e Popullit Shqiptar…
Papa Gjon Pali II (Në Sheshin Skenderbej Tiranë)
Buletini Katolik Shqiptar, Vol.XIV. fq. 171, 1993. San Francisco USA.

113.Imz FRANO ILLIJA Argjipeshkëv i Shkodres (1918 – 1997)
114. Imzot NIKOLL TROSHANI (1915 – 1996)
115. Imzot ZEF SIMONI (1928 – 2009)
116. Imzot MIKEL KOLIQI ●KARDINALI I – SHQIPTAR (1902 – 1997)
117. At ZEF PËLLUMBI OFM. (1924 – 2008)
118. At ALEKS BAQLI OFM. (1918 – 1993)
119. At JAK GARDIN SJ. (1905 – 1996)
120. Don ZEF GILA (1916 – 2000)
121. At KONRRAD GJOLAJ OFM. (1918 – 2000)
122. Don SIMON JUBANI (1928 – 2011)
123. At LEON KABASHI OFM. (1906 – 1998)
124. Don LUIGJ KÇIRA (1925 – 2008)
125. Don NDRE KRROQI (1922 – 1996)
126. At ANTON LULI SJ. (1910 – 1999)
127. At DIONIZ MAKA OFM. (1910 – 2004)
128. Don NIKOLL MAZRREKU (1912 – 1996)
129. Don PASHKO MUZHANI (1915 – 1993)
130. Don NDOC NDOJA (1914 – 1996)
131. Don LORO NODAJ (1918 – 1996)
132. Don NDOC NOGAJ (1926 – 2011)
133. Don GJERGJ SIMONI (1935 –
134. Don ERRNEST TROSHANI (1928 –
135. Don MARTIN TRUSHI (1933 – 1998)
136. At GJERGJ VATA SJ. (1915 – 2000)
137. At VIKTOR VOLAJ OFM. (1910 – 1995)
138. Don JAK ZEKAJ (1906 – 1995)
●MOTRA QË VUEJTËN DËNIME NË BURGJET KOMUNISTE:
139. Moter GJEORGJINA BULGARECI (1928 – ?
140. Moter LILJANA RADOVANI (1925 – 2002)
●Shenim (FR): Pranë emnit shenohët OFM për Urdhnin Françeskan, dhe SJ., për Urdhnin Jezuit. Mbas vitit 1993, rreshtimi asht ba simbas rendit alfabetik.
Këtu përfshihen vetem Ata Klerikë që janë pushkatue, zhdukë, mbytë në tortura, vuejtë në hetuesi, burgje, kampe shfarosje dhe interrnimi nga Shtetit komunist i Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, nga viti 1943 – 1991.
Melbourne, Prill 2015.

Filed Under: Histori Tagged With: “RRNOFTË KRISHTI MBRET, Fritz radovani, Papa Gjon Pali II

NJË PRITJE PËR PAJTUESIT E GJAQEVE NGA KOSOVA NË SHTËPINË TIME NË ARMONK

April 1, 2015 by dgreca

Me rastin e 25 vjetorit)/
Nga Harry Bajraktari/
Sivjet po përkujtohet 25 vjetori i Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë, tek shqiptarët e Amerikës dhe tek atanë Evropë.Ishte kjo një ngjarje historike që motiv e qëllim kishte homogjenizimin e popullit shqiptar, kudo që jetonte, përballë politikës agresive hegjemoniste serbe.Pra, ishte koha kur shqiptarët duhej të flisnin me njëzë dhe me një gjuhë.
Anton Çetta, i njohur si profesor universiteti, studijues dhe mbledhës i folklorit, punëtor shkencor i Institutit Albanologjik në Prishtinë, njohës i mirë i traditave dhe kodeve zakonore të shqiptarëve, me iniciativën e një grupi të rinjësh të Dukagjinit, respektivisht të Lumbardhit të Deçanit, formuan Lëvizjen e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë. Anton Çetta ishte figura kryesore që i printe këtij aksioni së bashku me një grup intelektualësh që gëzonte autoritet tek popullata në Kosovë: akademik Mark Krasniqi, Zekeria Cana, Ramiz Këlmendi, Azem Shkreli, Dom Lush Gjergji, Kajtaz Rrecaj e të tjerë. Në këto tubime të shumta të organizuara në Kosovë dhe diasporë kishte shumë emocione, lot e gëzim, ku populli i shprehte dhe i përjetonte në mënyra të ndryshme.Tubimet e tilla mbaheshin në hapësira të hapura për shkak të masës që i ndiqte ato.Është i njohur tubimi tek Verrat e Llukës që tuboi një gjysmëmilioni shqiptarë nga të gjitha trevat tona.Ky konsiderohet manifestimi më i madh që u mbajt ndonjëherë në historinë e hershme dhe të vonshme në Kosovë. Ishte një homogjenitet i paparë dhe kishte domethënien e bashkimit që shihej aq qartë nga kjo lëvizje masive e njerëzve nga një trevë në një tjetër.
Profesor Anton Çetta, me bashkëpunëtorët e tij, pasi kishte pajtuar shumë familje të gjaksuara në Kosovë, kishte vazhduar pajtimin tek shqiptarët në Gjermani dhe Zvicër, ku gjaqet ose ishin bërë aty, ose ishin bartur nga trevat e tyre në ato vende.
Me iniciativën e Shoqatës” Shpresa” në SHBA, në kryetë se cilës ndodhej Besim Malota me disa bashkatdhetarë, një grup intelektualësh i pajtimit të gjaqeven ga Kosova erdhi në New York. Grupi i intelektualëve, aposi u quajtën ndryshe nga shqiptarët e Amerikës “Krushqit e Pajtimit” përbëhej nga profesor Anton Çetta, akademik Mark Krasniqi, shkrimtarët Ramiz Këlmendi, AzemShkreli, Dr. AgimVinca, historiani Dr. Zekeria Cana, avokatët Bajram e Nekibe Këlmendi, mjeku Mustafë Ademaj, ish delegati i Kuvendit të Kosovës Riza Lluka, imami i xhamisë së Bubavecit, mulla Xhevat Kryeziu, Adem Beqiri e Mustafë Radoniqi, kryetari i Shoqatës Bamirëse ” Nënë Tereze” të Zagrebit, Siman Kuzhninietj. Ky grup intelektualësh i pajtimit të gjaqeve u prit në mënyrë tejet të përzemërt nga shqiptaro-amerikanët në New York e Detroit, edhe për faktin se vinin nga Kosova e trazuar.
Një ditë, derisa këta intelektualë po bënin pajtimin e gjaqeve në New York, unë me babain tim Metë Bajraktarin, organizuam një pritje solemne në shtëpinë tonë në Armonk, Westchester, ku për ta shtruam një darkë miqësore në të cilën merrnin pjesë rreth 100 veta në mesin e tyre edhe disa amerikanë. Në këtë darkë, e cila kaloi në shenjë të një uniteti të komunitetit tonë, folën Anton Çetta, Mark Krasniqi, unë e Mon Bajraktari, Bajram Këlmendi, Dr. Zekeria Cana etj. Ishte kjo koha që kërkonte bashkim në mesnesh, këtu në SHBA dhe atje në trojet tona etnike dhe kudo tjetër ku jetonin e vepronin shqiptarët në botë.Pra, para nesh ishte një pjesë e historisë.
Duke folur në këtë darkë solemne intelektuali, studijuesi dhe mbledhësi i folklorit zoti Anton Çetta, përkujtoi se familjet shqiptare duhet të ndjekin rrugën paqësore, t’i lënë prapa konfliktet, ngatërresat dhe të kultivojnë traditat tona të respektit, dashurinë dhe mirëkuptimin. Në këtë takim solemn folie dhe akademiku Mark Krasniqi, njohës i mirë i etnografisë, kulturës materiale e shpirtërore të shqiptarëve, që aksionin e pajtimit të gjaqeve e vlerësoi si akt tejet të rëndësishëm historik.Në këtë pritje folën edhe Mon Bajraktari Dr. Zekeria Cana, unë (Harry Bajraktari) dhe disa të të tjerë të grupit të pajtimeve të gjaqeve.Isha tejet i gëzueshëm, plot emocion edhe ndonjëherë i papërmbajtur që në shtëpinë time aq larg gjeografisë së Kosovës, u thanë gjithë ato fjalë përmbajtësore për popullintonë që patinjë fat jo të mirë nga popujt e tjerë të Ballkanit.
Në këtë kohë në New York po qëndronte edhe një grup i gazetarëve të Radio Televizionit të Prishtinës (Jusuf Ferizi, Ali Alaj, Lekë Musolli, Selim Arifi dhe linguisti Dr. Skender Gashi) ku merrte pjesë në një grevë urie pranë Kombeve të Bashkuara për të kundërshtuar mbylljen e të gjitha mediave elektronike dhe të shkruara në Kosovë nga regjimi serb. Në pritje ishin edhe këta gazetarë.
Pajtuesit, në krye me Anton Çettën, gjatë qëndrimit 20 ditëshnë SHBA pajtuan 12 gjaqe, 2 plagosje dhe 28 individë të ngatërruar për raste të ndryshme.
Nga kygrup sot nuk jetojnë: Anton Çetta, Bajram e Nekibe Këlmendi, Mon Bajraktari, Azem Shkreli, Riza Lluka, Dr. Zekeria Cana dhe babai im, mikpritës i këtij grupi të pajtimit të gjaqeve. Nuk jeton dhe gazetari Jusuf Ferizi.
Bajram Këlmendi, avokat i njohur në Kosovë, natën mes 24 e 25 Marsit të vitit 1999, bashkë me dy djemtë, u nxor dhunshëm nga shtëpia e tij në Prishtinë nga paramilitarët serbë, dhe u masakruan mizorisht afër një stacioni të karburanteve në mes të Prishtinës dhe Fushë- Kosovës.
*Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i komunitetit shqiptaro- amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York.
Foto: Nga e majta; AzemShkreli(ulur) Metë Bajraktari (nëkëmbë), avokati Bajram Këlmendi (ulur), Akademik Mark Krasniqi, duke folur, Mon Bajraktari me plis dhe Anton Çetta, kryesues i pajtimit të gjaqeve.

Filed Under: Histori, Komunitet Tagged With: Harry Bajraktare, ne Nju Jork, nga kosova, Pajtusit e gjaqeve

Bismarku, ‘kancelari i hekurt’ i Gjermanisë

April 1, 2015 by dgreca

Nga Alexander Drechsel/
Në 1 prill përkujtohet 200 vjetori i lindjes së Otto von Bismarkut. Çfarë trashëgimie ka lënë pas kancelari i parë, të cilët gjermanët e nderojnë edhe sot?
Është një tabllo, që për shumë gjermanë është e pandarë me Otto von Bismarck-un. Gjeneralë dhe princa gjermanë në uniforma të errëta qëndrojnë në sallën e pallatit francez të Versajës dhe përshëndesin me armë të ngritura në perandorin gjerman Vilhelmi I. Por nuk është monarku në qendër të tabllosë. Aty është Otto von Bismarck, i theksuar edhe më shumë nga uniforma e bardhë.
Tabloja paraqet 18 janarin 1871, datën që konsiderohet si dita e themelimit të Perandorisë gjermane, kur 25 shtete të veçanta u bashkuan në një shtet, nën udhëheqjen e Prusisë. I atribuohet politikës së Bismarkut, që atëherë u kapërcye ndarja e vazhdueshme në shtete të vogla gjermane. Kudo ka monumente dhe buste dedikuar Bismarck-ut. Nxënësit mësojnë se Bismarck-u jo vetëm që bashkoi Gjermaninë, por në kohën e tij si kancelar nga 1871 deri 1890 ai futi edhe ligjin e zgjedhjeve, dhe sistemet e sigurisë sociale, si sigurimin shëndetësor, sigurimin në rastet e aksidenteve dhe sigurimin e pensioneve.
Por ka edhe zëra, që e shohin Bismarckun si kancelarin e luftës, me helmetë me majë dhe si shtrues të rrugës së militarizmit gjerman. Megjithatë, luftërat kundër Danimarkës 1864, kundër Austrisë 1866 dhe kundër Francës 1870/1871 hapën rrugën për themelimin e Perandorisë (rajhut). Që të tria luftërat i përgatiti politikisht Bismarcku si kryeministër i atëhershëm i Prusisë. Nga kritikët, Bismarcku konservator bëhet përgjegjës edhe për përndjekjen e socialistëve në Perandorinë gjermane, për një kulturë parlamentare të pazhvilluar në Gjermaninë e fundit të shekullit 19-të dhe fillimit të shekullit 20-të, si dhe për kirjimin e kolonive gjermane në Afrikë dhe Azi
A ka qenë Bismarcku një superhero apo e kundërta e kësaj?
“Bismarku duhet të shihet më pak si mur projeksioni, për vlerësimet pozitive apo negative të historisë kombëtare gjermane”, thotë historiani Christoph Nonn në bisedë me Deutschen Welle. Profesori nga Dyseldorfi ka botuar librin “Bismarcku – një prusian dhe shekulli i tij”.
Për shembull krijimi i Rajhut nuk ka qenë një çështje vetëm gjermane dhe aq më pak vetëm vepër e Bismarkut, thotë Nonn. “Në këtë proces të gjatë dhe kompleks kanë qenë të përfshirë shumë aktorë, në Gjermani dhe jashtë saj. Me atë që kanë bërë dhe që nuk kanë bërë. Për shembull, që nuk janë përpjekur të parandalojnë këtë bashkim të Gjermanisë.”

Më shumë diplomat se luftënxitës
Nuk ka qenë vetëm Bismarck-u përgjegjës për tri luftërat para krijimit të Perandorisë, thotë Nonn. Bismarcku nuk ka qenë ushtarak dhe agresor, ai ka preferuar bisedimet. Po kështu mendon edhe historiani Arnd Bauerkämper nga Universiteti i Lirë i Berlinit. Më vonë në kujtimet e tij të shkruara në 1890, “ai e paraqiti vetën kancelar të luftës”. Megjithatë “legjitimitetin e luftërave, në parim, Bismarku nuk e vinte në diskutim”, thotë Bauerkämper në bisedë me DW. Po si Nonn ashtu edhe Bauerkämper theksojnë se perandoria me kancelar Bismarckun nuk ka patur më pretendime territoriale, por ka ndjekur një politikë të jashtme të ekuilibruar, për t’u përqendruar në zhvillimin ekonomik të vendit.
Paradoksi në politikën koloniale
Po si përshtatet politika koloniale në këtë kontekst? A nuk kishte thënë Bismarck-u vazhdimisht se Rajhu gjerman nuk ka nevojë për koloni? Dhe megjithatë 15 vjet pas themelimit të saj ai lejoi që të krijohen të ashtuquajturat zona të protezhuara në Afrikë dhe Azi.
“Qëllimi i vërtetë nuk ishin kolonitë. Kolonitë ishin mjeti për të arritur qëllimin në një luftë për pushtet, që bëhej në Berlin”, thotë historiani Nonn. Konservatori Bismarck donte të dobësonte kundërshtarin e tij politik, liberalët dhe simpatizantin e tyre, princin trashëgimtar Friedrich, shpjegon Nonn. Liberalët ishin të ndërlidhur me Mbretërinë Angleze, që ishte shumë aktive në krijimin e kolonive. Për të përçarë këtë aleancë, Bismarcku në vitet 1884 dhe 1885 u bëri vend përkohësisht kërkesave për koloni gjermane. Por në vitin 1885 liberalët me humbjen e zgjedhjeve u dobësuan si forcë politike dhe po në të njëjtin vit princi trashëgimtar Friedrich siguroi, se edhe pas vdekjes së perandorit Vilhelm, do të qëndronte krah Bismarckut. “Që nga ai moment Bismarcku e mbylli menjëherë sërish episodin e politikës koloniale”, thotë Nonn. Kolegu i tij, Bauerkämper shkruan se Bismarcku “donte që t’i evitonte, mundësisht t’i sheshonte fërkimet me fuqitë e tjera europiane.”
U frenua demokracia në favor të konservatorëve
Por brenda vendit për Bismarkun nuk ka patur gjithmonë prioritet ekuilibri apo dialogu. Perandoria gjermane e themeluar më 1871 ishte në fakt një monarki konstitucionale, por parlamenti nuk kishte ndikim në politikën e qeverisë. Bismarku e shihte madje si “armike të perandorisë” lëvizjen politike në rritje të punëtoreve. Me ligjin për socialistët ai ndaloi de facto partitë socialdemokrate. Edhe futja e sigurimeve për shëndetin, për aksidentet dhe pensionet lidhet me qendrimin refuzues të Bismarkut ndaj lëvizjes punëtore. “Reformat sociale bëheshin për t’u hequr mbështetjen sozialdemokratëve dhe për t’i siguruar shtetit të ri lojalitetin e shumicës së popullsisë dhe të klasës punëtore në rritje”, thotë historiani nga Berlini Bauerkämper.
Për të ruajtur pushtetin e vet dhe të aristokracisë kushtetuta e perandorisë gjermane ia mohoi parlamentit, Rajshtagut (Reichstag), të drejtën e bashkëvendosjes. “Nuk u krijua një diçka e tillë si kultura parlamentare e krijimit të kompromisit, të kërkimit të marrjes së vendimeve në mes partive”, thotë Bauerkämper. Meqenëse Bismarck-u ishte edhe autor i kushtetutës, biografi Nonn ia atribuon kancelarit të parë gjerman faktin, që parlamenti nga 1871 deri në fundin e Perandorisë dhe shpalljen së republikës në 1918 kurrë nuk ka patur përgjegjësi. “Ky mentalitet i mungesës së përgjegjësisë ishte vështirë të shkundej më nga vetja pas vitit 1918, kur parlamenti kishte me të vërtetë peshë në Gjermani. Kjo ishte një peshë e rëndë për demokracinë e parë gjermane, për republikën e Vajmarit”, thotë Nonn.
Bismarku garant për paqen dhe mirëqënien
Dhe megjithatë në këtë ditë në Gjermani politikanë të zgjedhur me vota demokratike e kujtojnë kancelarin e parë të lindur para 200 vjetësh. Nonn heq paralele ndërmjet themelimit të perandorisë 1871 dhe ribashkimit të Gjermanisë 1990. Në të dyja herët në Europë ka ekzistuar frika se Gjermania dëshiron të zgjerohet më tej. Ashtu si në 1871 edhe në 1990 Gjermania siguroi se nuk ngre pretendime territoriale. “Këtu është ndjekur e njëjta politikë e qetësimit të fqinjëve evropianë.” Është suksesi më i madh i politikës së jashtme të Bismarkut, “që ai pas vitit 1871, si drejtues i politikës së jashtme të Gjermanisë, ka kontribuar në një masë të madhe që Rajhu i sapokrijuar gjerman nuk bëri luftë, për më shumë se 40 vjet.”(DW)

Filed Under: Histori Tagged With: 'kancelari i hekurt', Bismarku, i Gjermanisë

Perkujtohet 70-vjetori i Masakrës së Tivarit(1945-2015)

April 1, 2015 by dgreca

Nga Dr.Nail Draga/*
Përkujtojmë një ngjarje tragjike e cila njihet me emrin Masakra e Tivarit, e cila ka ndodhur para 70-të viteve, pikërisht me 1 prill të vitit 1945. Ishte kjo tragjedia e shqiptarëve nga Kosova, e cila ishte planifikuar nga strukturat ushtarake jugosllave të kohës dhe e realizuar sipas një skenari të përgatitur më parë për qellim hakmarrje ndaj shqiptarëve.
Ne lidhje me numrin e të vrarëve varësisht prej burimeve ka të dhëna të ndryshme e ai numër sillet nga 1560 e deri në 4000 vetë! Mobilizimi i shqiptarëve nga disa vise të Kosovës si regrutë në aradhat partizane ishte bërë gjoja me moton për të ndjekur armikun përfundimisht nga territori i ish-Jugosllavisë.
Edhe pse ne popull dihej për ketë tragjedi dhe përshperitej për numrin e të vrarëve, saktësisht pak kush dinte të dhëna të sakta, sepse arkivat për shqiptarët ishin nen embargo, apo edhe dokumentat gjegjëse ka mundësi që janë zhdukur nga ato të cilët kanë realizuar ketë masakër.
Por, edhe pas shtatëdhjetë vjetëve kjo tragjedi ende nuk është ndriçuar sa duhet nga studiuesit e ndryshem nga vet fakti se gjatë periudhës së sistemit komunist marrja me një ngjarje të tillë ishte e pa preferueshme dhe me pasoja për autorët.
Por, vetëm pas dështimit të sistemit monist dhe vendosjes së pluralizmit nga viti 1990 e më pas, opinioni i gjërë filloi të njihej ne detaje për ketë masakër, e ate duke iu falenderuar dëshmitarëve autentik të cilët kishin shpetuar nga kjo kasaphane e përmasave naziste e bërë nga pjesëtarët e aradhave partizane jugosllave gjoja “nacional-çlirimtare”.
Dhe janë këto individ të cilët e përjetuan personalisht ketë masakër të cilët kanë dhënë kujtimet e tyre për ketë kalvar të shqiptarëve nga mobilizimi i tyre në Kosovë dhe rrugëtimi ne relacionin Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar. Janë ata pjesëtarë të gjashtë eshaloneve ushtarake, të cilët kishin tretmanin e robërve e jo pjesëtarëve të njësive të rregullta ushtarake.
Qellimi i largimit të tyre nga Kosova ishte i planifikuar sepse serbet e kishin më të lehtë të vendosnin pushtetin e ushtarak, duke bërë riokupimin e Kosovës, pas Luftës së Dytë Botërore, pa përfillur premtimet e parimeve të Kartës së Atlantikut.
Veprimet vrastare në mjediset e Monopolit të duhanit në Tivar të realizuar nga pjesëtarët e Brigadës së Dhjetë Malazeze ia kanë kaluar nazistëve gjermanë, sepse të vrarët nuk janë varrosur por janë deportuar në vende të ndryshme për të humbur gjurmet e krimit, ku edhe sot varret mungojnë!!
Por, ne këtë regji shfarosëse ka pasur raste qe individ të ndryshëm të shpetojnë dhe të ikin ne drejtime të ndryshme, por edhe aty nëse janë zbuluar janë likuidur, sepse të gjithë shqiptarët janë cilësuar si armiq, nga pushteti ushtarak. Megjithate ka raste të veçanta që kosovarët janë strehuar e mbajtur nga familje shqiptare duke iu shpetuar jetën, si ne Tivar, Anë të Malit dhe Krajë, ku për raste të tilla egzistojnë dëshmi autentike.
Nuk ka dilemë se për këtë masakër përgjegjësia bie mbi pushtetin e kohës në Mal të Zi, por edhe ate të Shqipërisë. Sepse si te lejohet që të kalojnë nepër territorin e Shqipërisë eshalone të tëra qytetarësh kosovarë të përcjellur nga ushtarakët serbo-malazez gjoja për të marrë pjesë ne ndjekjen përfundimtare të armikut në Istër e Slloveni, kur Lufta e Dytë Botërore kishte marrë fund në këtë regjion nga nëntori i vitit 1944!.
Në lidhje me ketë ngjarje tragjike Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, në vitin 2013, ka organizuar një sesion shkencor dhe është vizituar vendi i krimit ku jemi edhe ne sot. Por, duhet bërë çmos që në ketë vend të ngrihet një memorial i shkruar ne tre gjuhë kushtuar kësaj ngjarje tragjike. Një memorial i tillë duhet të jetë monument i kujtesës, për të kaluarën, tashmën dhe të ardhmën për të njohtuar opinionin e gjërë mbi ketë masakër që ka ndodhur në qytetin e Tivarit. Në rrethana të reja kur tash Kosova është shtet i pavarur i takon qeverisë së saj të inicojë një çështje të tillë me pushtetin në Malin e Zi.
Nuk ka dilemë se masakra e vitit 1945 nuk mund ta ngarkojë me përgjegjësi pushtetin aktual në Mal të Zi, por angazhimi ne drejtim të ndriçimit të saj do të ishte ne favor te rrethanave të reja shoqërore e politike, duke dënuar krimet e komunizmit të asaj kohe në ketë mjedis.
Nderim dhe kujtim i përjetshëm për viktimat e kësaj masakre!
Ju faleminderit
*(Fjala e mbajtur më rastin e 70-vjetorit të Masakrës së Tivarit në Tivar më 1 prill 2015)

Filed Under: Histori Tagged With: 70 vjetori, DR. NAIL DRAGA, i masakres, se Tivarit

GJIMNAZI I SHTETIT SHKODER:“NA DËRGONI SA MË PARË 100 KONVIKTORË NGA JUGU”…!

April 1, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
■HAPNI DOSJET … /
■“Në Gjimnazin e Shkodrës vlon propaganda antikomuniste, na dërgoni sa më parë 100 (njëqint) konviktorë nga Jugu”. (Arkivi M.M.Tiranë).
Me këto fjalë i drejton kerkesen Ministrit të Mbrendshëm M. Shehut, në 1949, kryetari i Degës së Mbrendshme të Shkodrës, i porsa ardhuni krimineli i njohun Hilmi Seiti.
■Nuk ishte i knaqun nga agjentët e sigurimit të Veriut…I duheshin 100 “konviktorë” nga Jugu, sigurisht djelmët e atyne agjentëve të PKSh, që i kishin vue zjarrin e mbytë në gjak Shqipninë e Jugut… I duheshin në modelin e vet edhe 100 spijunë, 100 agjentë, edhe 100 kriminelë, edhe 100 komunistë, kuadro të ardhëshme të Sigurimit! Pra, i duheshin edhe 100 katilë të tjerë, përveç, atyne qindrave që ishin në çdo skutë e kand të qytetit.
■Ishte viti 1922, kur rreshtat e djelmënisë shkodrane mbushnin klasët e Gjimnazit të Shkodrës. Pa kalue pak muej mbarë rinia shqiptare do të drejtonte sytë nga qendra e përhapjes së dritës së arësimit dhe kulturës për mbarë Shqipninë që ishte Shkodra.
■Nga nuk erdhën për me studjue në këtë qytet të lashtë që për shumë shekuj ishte selia dhe principati i të gjitha qytetëve tjera, thonte Barleci, e ashtu, Ajo do të vazhdonte me kenë deri në pushtimin komunist të vendit në vitin 1944.
■Kush nuk njihte emnat e nderuem të drejtorëve të këtij Gjimnazi, Profesorët: Luigj Shala, Xhevat Korça, Mirash Ivanaj, Anton Deda e Skënder Luarasi? Kush mund të harronte breznitë e njëmbasnjëshme të luftës për liri e përparim të Atdheut që u rritën dhe u edukuen në bankat e këtij Gjimnazi? Cili shqiptar mund të fliste për Shqipninë Etnike pa vue në Elterin e Kombit studentët e Gjimnazëve të Shkodrës?
■Kush ishte ai tradhëtarë që mund të guxonte me thanë se Liria e Atdheut mund të shkëputet nga gjaku i Dëshmorëve të Gjimnazëve të Shkodrës?
– Vetëm Enver Hoxha me klyshët e tij, ministrat e mbrendshëm Haxhi Lleshi, Koçi Xoxe, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu etj., apo me Zoi Themelët, Lilo Zenelët, Hilmi Seitët, Feqorr Shehët e Rexhep Kollët, me lakejtë Çiril Pistoli, Dhori Samsuri, Nesti Haviari, Fadil Hoxha e Skënder Villa me shokë. Këta janë “nderi” i formimit të “njeriut të rinj” të brezit komunist dhe, llomi e turpi i indeksit të Amzës së Gjimnazit të Shkodrës dhe mbarë arësimit e kulturës shqiptare, me të cilët krenohet sot “Rilindja Rama”!
■Dy vjet ndërpremje për arësye lufte…
Vjen viti 1945. Dukej se lufta mbaroi!..
■Pa fillue mirë viti më 5 mars 1945, pushkatohet oratori e publicisti Don Lazër Shantoja e fillë mbas Tij, më 25 mars, Poeti i Ambëlsisë Don Ndre Zadeja. Më 15 gusht rinia shkodrane fillon ngritjen e monumentëve të luftës kundër komunizmit me Herojtë Ndue Pali e Caf Meta…
■Pra, pa mbarue mirë Lufta e Dytë Botnore, fillon një luftë tjetër edhe ma e rrebtë e ma e përgjakëshme dhe e pafund … Lufta për pushtimin komunist të mbarë Atdheut…me vrasje për murin përballë Bashkisë së qytetit. “Çlirimtarët” Qamil Gavoçi, Rexhep Haka, Sadik Bekteshi, Zija Dibra, Beqir Gjylbegu, Çiril Pistoli, Xhemal Selimi, Dulaq Lekiçi e Asllan Lici me shokë lajnë me gjak rrugët e Shkodrës e marrin malët me zhburrnue malësorët e Alpëve deri larg në trojet kosovare, të cilët tradhëtisht e të preme në besë prej “vëllaut” i pushkatojnë e therin në bajonetë ndër brigje të Adriatikut, të Ilirisë së vjetër, aty ku malazezët e serbët tash një shekull vetëm e njomin me gjakun tonë. Këtë herë me dorën e të pabesëve komunistë anadollakë shqiptarë Ramiz Alia, Rrahman Perdhaku, Haxhi Lleshi, Sheuqet Peçi, Zija Dibra, Omer Nishani etj… Atëherë, shka do të vlojnë në damarët e gjakut të rinisë që asht ulë në bankat e Gjimnazit të Shkodrës?
■Cila propagandë veç asaj antishovinistës sllave e antikomunistës tradhëtare për të cilat kishte derdhë gjakun kjo rini, kundër okupacionëve të njëmbasnjëshme?
■Shkodra e katër gjimnazëve në 1945 për pak muej në 1946, asht Shkodra e një Gjimnazi dhe 26 burgjëve ku, burgoset, torturohet, masakrohet, vritet e kalbet rinia e sajë heroike!
Me datën 26 maji 1946 rinia shkodrane asht përballë Sigurimit të Shtetit totalitar e vrastar komunist të Enver Hoxhës, dhe do t’i tregojnë atij se nuk i trembet syni. Shumë studentë të Gjimnazit hudhen nga dritarët me marrë pjesë në funeralin e Argjipeshkvit të Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçit. Vlojnë rrugët e Shkodrës, mbushet Katedralia me qytetarët e të gjitha besimëve që kanë ardhë me i dhanë lamtumirën e fundit një antikomunisti Imzot Thaçi. Ma shumë se funeral ajo ishte protesta e parë e hapun e rinisë shkodrane kundër zgjedhës komuniste. Hakmarrja e komunistëve nuk do të vonojnë. Arrëstimet kishin fillue me kohë me intelektualët dhe me Klerin.
■Udhëzimet i sjellë nga Tirana agjenti jugosllav Marian Zhagari, që drejtohej nga këshilltarët jugosllavë të qeverisë sonë kukull. Programet shkollore përjashtojnë At Fishtën e Zadejën me shokë. Fillojnë arrëstimet e studentëve: Viktor Kujxhia, Gjon Kovaçi, Injac Serreqi dhe Çesk Hilgega. Vazhdohet me Tomë Sheldinë, Gjon Ljarën, Sulejman Qehanë, vëllaznit Xhevat e Remzi Quku, Ahmet Bushatin, Ernest Përdodën, Thabit Rusin, Matish Fishta dhe vajzat Terezina e Liza Pali, Agime Pipa, Ana Daja etj.
■Pak kohë mbas vrasjës së Ndoc Jakovës, vritet edhe Asim Rusi, edhe ky ndër male kundër komunistëve. Arrëstohen mësuesit: Lec Bruçaj, Mehmet Daiu, Viktore Kuka, Abdyl Rusi, Qemal Draçini, Ruzhdi Çoba, Pjetër P. Pali, Zef Zorba etj. Ndërsa, në burgjet e qytetëve të tjera martirizohën profesorët: Mirash Ivanaj, Gjergj Kokoshi, Sali Butka, Kol Prela, Simon Deda, Prenkë Kaçinari, Arshi Pipa, etj. Ndersa, në Kosovë arrëstohen e pushkatohen në Prizren me grupin “Katoliçeskaja Banda” profesorët: Kol Margjini, Kol Parubi, Ymer Berisha e Gjergj Martini bashkë me heroinën Maria Shllaku.
■Në vitin 1946 nuk ka ma asnjë shkollë fetare në Shkodër.
Edhe Instituti i njohun femnorë “Donika Kastrioti”, bashkohet me Gjimnazin e Shtetit. Pjesa ma e madhe e studentëve të këtyne shkollave vazhdoi mësimet në Liceun e Shtetit.
Drejtorët e Gjimnazit “silleshin” nga Korça, Nesti Haviari zevendsoi Dhori Samsurin.
Bashkimi i të gjithë këtyne studentëve solli me vete atë që pritej. Të gjithë pothuej ishin te pakënaqun nga pushteti komunist. Një pjesë ishin të lidhun me ata që u pushkatuen e u arrestuen që në ditët e para. Një pjesë lidhej me të arratisun mbrendë e jashta Atdheut. Një pjesë tjetër ishte shpartallue nga reformat e tatimet që iu vihëshin tregtarëve.
Një pjesë ishin që nuk kishin simpatizue lëvizjen komuniste, e dëshronin fitorën e “Ballit Kombëtar” e “Legalitetit”. Dikush pranonte ma mirë fashizmin se komunizmin. Kishte ma shumë se të gjithë këta që shihnin me sy çdo ditë tue u pushkatue atdhetarë e klerikë, që deri dje ishin mësuesit e tyne dhe sot vriteshin si “tradhëtarë” të Atdheut.
Komunistët me Sigurimi i Shtetit kishin krijue bazat e veta që në ditët e para të hapjes së Gjimnazit. Agjentët Ferit Mandia, Vehbi Çanga, Bardhyl Dushi, Feço Mandia, Vladimir Misja, Hajredin Çeliku, Iljaz Fishta, Agim Bejleri, Haxhi Pela, Jonuz Tuli, Sadush Kumbaro, Satber Jubani, Ilir Gjylbegu, Adem Fishta, Qemal Jashari, Emil Mborja, Jani Çomo e deri tek Bep Jubani në vitin 1956, të gjithë ishin në shërbim të diktaturës shoviniste sllave titste-staliniste dhe enveriane, me shkatrrue Rininë Shkodrane për me përfitue një bursë jashtë shtetit dhe me kenë gjithë jetën zagarë e spijunë të Sigurimit të Shtetit komunist. Shoqnitë sportive të këtyne shkollave vazhduen me ruejtë lidhjet e tyne ndër fushat e vogla të lagjëve të qytetit si tek ajo e oborrit të Kishës së Madhe, Arës së Pashës në Ballabanë, fusha e Tigrit në Parrucë, etj., lamije që nuk mungonin ndër të gjitha anët. Ndër lagjet e vjetra të qytetit janë ndër ma të njohunat ato të Ndocajve dhe Dudasit që lidhën me Zdralej. Tue marrë për bazë shënimet e botueme të z. Xhevat Gjyrezit, i cili ishte kryetar i njenës prej këtyne shoqatave sportive, gjej vend me nxjerrë në pah cilësitë e mira dhe atdhetare të këtyne djelmëve që edhe vetësakrifikohen për një ideal të naltë, që asht lufta për Liri. Pikërisht njena prej këtyne shoqnive asht bërthama e një organizate antikomuniste e quejtun Organizata “PËRPJEKJA SHQIPTARE”.
■Kjo organizatë formohet me studentët e Gjimnazit të Shtetit nga fillimi i vitit 1947, dhe Kryetar i saj zgjidhet Bardhosh Dani. Bardhoshi vinte nga një familje e vjetër shkodrane me tradita Atdhetare dhe kulturore. Një student i shkëlqyeshëm ndër mësime, aktivitete sportive dhe shoqnore. Nderohej për qëndrimin moral e qytetar. Ishte i rij ndër të 17-tat vjetë, por i pjekun para kohe. Fjalë pak dhe i vendosun, gja që e mbulonte guximin e madh që kishte për vepra burrnore. Ai rëspektohej edhe nga armiqtë që e rrethonin dhe e survejonin e që dita ditës po shtoheshin ndër bankat e shkollës. Dy spijunë ishin të parët që filluen ndjekjen e këtij grupi, Isa Miloti dhe Faik Zeneli. Mbas tyne Sigurimi vuni një rrjetë shumë të gjanë dhe të specializuem për këtë qëllim. Edhe grupi filloi me shmangë rrezikun me grumbullime ma të rralla ndër sheshët sportive mbasi tashti veprimi i tyne antikomunist kishte marrë një rrugë ma aktive me mbledhje sekrete, trakte, parulla ndër mure dhe aktivizim të shumë studentave që u sakrifikonin për këtë organizatë padallim feje, qëllimi i së cilës shfaqej në emnin e saj: “Përpjekja Shqiptare”.
Mbrenda vitit numri i anëtarëve arrinë mbi 70 vetë. Lidhjet mes anëtarëve ishin shumë sekrete dhe korrekte, gja që e tregon jetëgjatësia e saj dhe aktiviteti kundër komunizmit.
■Në korrik të vitit 1948, gjurmimet e Sigurimit shtohen kryesisht në drejtim të Kryetarit të organizatës Bardhosh Dani. Nga gjysma e korrikut një person njofton Bardhoshin se shpejtë mund të arrëstohej, mbasi Sigurimi ka ra në dijeni për aktivitetin e tij. Ai vëndosë me u arratisë por, jo vetëm, mbasi rreziku i arrëstimit kërcnonte edhe Mark Cacajn dhe Brahim Dërgutin, të dy shokë të tij të ngushtë dhe antarë të organizatës ndër ma besnikët e trimat. Kalimin e kufinit e zgjedhin nga Ana e Malit, në një kand ku lumi Buna ban një këthesë, vend i cekët e ma i ngushti për me kalue në tokën jugosllave.
Pika ku do të kalonin asht nga fundi i fshatit Samrish dhe quhet Samrishi i Poshtëm. Buna aty asht mjaft e maskueme me shelqe të nalta dhe të rrëzueme me degët e tyne në lum. Asht një vend me të vërtetë piktoresk, por shumë i kontrolluem nga forcat e Sigurimit, që per fat të keq ishin të shumta atë kohë, mbasi pak muej ma parë ishin prishë mardhanjet shtetnore me Jugosllavinë e druzhe Titos. Atëherë jam kenë në Dajç të Bregut të Bunës, kur u bisedue se tre djelmë të rinjë prej Shkodrët i kanë vra në ujnat e bregut të Bunës, në përpjekje me u arratisë. U kanë kërkue me u dorëzue por ata nuk kanë pranue. Pak muej ma vonë, nga fundi i vitit 1948 aktiviteti i kësaj organizate do të rifillohet me disa mbledhje që bahën në shtëpi të studentave Alfons Radovani dhe Viktor Luka. Asht ajo kohë kur arratiset Lec Vasia, Fetah Myrtja, Zef Shllaku dhe Donat Rexha, të gjithë anëtarë grupi. Grupit të studentëve të arrëstuem maparë i shtohet edhe Xhevat Gjyrezi, Hilmi Hoxha dhe Mikel Muzhani, të cilët, tue mos pasë lidhje me ta dhe tue u ndodhë në kohën e “ndryshimëve” nga politika e Koçi Xoxës, përfitojnë dhe lirohën por, pa të drejtë me vazhdue shkollën. Grupi vazhdon aktivitetin e tij si dhe rritjen e numurit të anëtarëve që arrinë në 120 vetë.
■Pra, kishin mërrijtë edhe “100 spijunët nga Jugu”, të cilët, përveç librave të Historisë Partisë Komuniste (bolshevike) të Bashkimit Sovjetik, kishin dhe një dhomë nalt në katin e tretë të shkollës me arsenal armësh, përveç armëve përsonale që mbanin në brez për me i përdorë kundër “armiqve të popullit” 15-16 vjeçarë, që shumica ishin edhe të uritun dhe të paforcë për me përballue rrahjet, masakrat e goditjet shtazarake të atyne hamajve katilë e vagabondë nga Skrapari, Devolli e Mallakastra, që kishte sjellë Hilmi Seiti në shembelltyren e vet kriminale në Gjimnazin e Shkodrës…
■Me 10 maji 1950 arrëstohen studentët maturantë: Alfons Radovani, Viktor Luka, Et-hem Bakalli, Njazi Uruçi, Mërgim Dani, Nexhip Osmani, Ferit Myftia, Pjerin Vata dhe Gjon Mark Ndoji. Me 11 maji përjashtohen nga shkolla (mbas arrëstimit) në mbledhje të të gjithë studënteve në palestrën e Gjimnazit. Me 12 maji vazhdon lista e përjashtimëve me 78 studentë të tjerë të klasave të ndryshme të Gjimnazit, me motivacionin: “Nxënësi… me nr. Amëze… Është përjashtuar përgjithmonë nga të gjitha shkollat e Shqipërisë, se nuk pajtohet me frymën revolucionare të shkollës sonë të re…”Drejtori: (Skënder Villa) Një pusull e vogël ku shkruhej emni i A.R. nder sofratasat e ushqimeve të tij, aty nga fundi i majit në një sipërfaqe 2X1 cm. katrorë, shkruhej: “Thoni Bepit IK”, kjo, shpëton përjetësisht Bep Vilën, nga arrëstimi i sigurt. Bepi arratiset jashtë shtetit…
Grupi i studentëve fillon hetimet me datën 12 maji 1950, me kryetarin e Degës kriminelin Hilmi Seiti. Mbasi i merr në pyetje të gjithë një nga një i shpërndanë me hetuesit tjerë, Ali Xhunga, Kasëm Troshani, Xheudet Miloti, Hamdi Ulqinaku, Lilo Zeneli, etj. kasapë që rjepin lëkura studentësh për tre muej me radhë derisa, nga fillimi i shtatorit në një shtëpi në rrugën Sumej, gjyqtarët dhe prokurorët e Ministrisë së Mbrendshme, shoqnue nga një grup oficerësh “avoketën” terroristë, japin dënimet e “merituara” … tue lagë gojën me vilë rrushi të freskëta të tandës që ishte mbi hajatin e shkallave të asaj shtëpije.
Me këtë grup edhe pse ata kapen tue u arratisë, dënohen edhe studentët Ismail e Olimpi Baruti … vëlla e motër, të cilët mbajnë qëndrim burrnor. Ismaili dënohet me vdekje por i falët jeta. (Dosja 2452, Arkivi Ministrisë Mbrendshme, Tiranë. 1998)
Në bazë të hetimëve të bame me datën 12 maji me Hilmi Seitin, grupi duket i paditun, prandej, edhe hetimet janë krejt formale mbasi, me datën 7 maji janë thirrë nga Kasëm Troshani, dy anëtarët e këtij grupi Njazi Uruçi dhe Pjerin Vata, të cilët kanë denoncue gjithshka. Ata mbas 24 orësh janë lirue për me u arrëstue prap me datën 10 maji.
■Kjo ishte vetëm një lojë për të mbulue spijunët e vet, gja e cila del gjatë hetimit. Pjerini vazhdon me kenë spijun i ndytë deri në vdekje, mbasi në vitin 1968 kur shkon në Tiranë, me u ballafaque me Don Mark Hasin, kërkon nga hetuesit e Ministrisë së Mbrendshme të asaj kohë, me të cilët njihej që në vitin 1950, nga Ali Xhunga dhe Elham Xhika: “…pushkatimin e këtij kleriku reaksionar…” dhe, ata i paguejnë shpënzimet e udhëtimit 113 lekë (të vjetra), bashkë me biletat e udhtimit që ruhën sot në dosjën nr. 2291.
■Në fjalën e fundit të gjyqit të gjithë studentët kërkojnë “mëshirë”, gja që, tregon se ka luejtë dajaku, ndërsa studenti Et-hem Bakalli, thotë: “Kërkoj drejtësi komuniste dhe dashni atnore” (Dosja 2452).
●Kjo shprehje më dha me kuptue kjartë se mbas vrasjes së Heroit Bardhosh Dani, në Gjimnazin e Shkodrës, ka vdekë edhe lufta kundër komunizmit… PËRGJITHMONË…
***
■Sot a duhet me dijtë Shkodra emnat e krimet e atyne 100 katilave komunistë që kanë shkatrrue edhe jeten e trashigimtarëve të Atyne që u janë shpifë e akuzue pafaj?!
HAPJA E DOSJEVE asht domosdoshmeni…
■HAPNI DOSJET !.. E po deshët, filloni me DOSJEN time, shihni shpifsit dhe “akuzat fallco” të tyne…E keni per të pa sesa të poshter e vrasës, ishin agjentët tuej per 70 vjetë!
Melbourne, Prill 2015.
* Pjesa IX.Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, Gjminazi Shkoder

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 529
  • 530
  • 531
  • 532
  • 533
  • …
  • 698
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GAZETA AUSTRALIANE (1929) / NJË RRËFIM PËR GRATË E SHQIPËRISË
  • VATRA SHPALL KUVENDIN E PËRGJITHSHËM ZGJEDHOR MË 25 PRILL 2026
  • VATRA, EMËR I SHENJTË, AMANET I BREZAVE, FLAKA QË NUK SHUHET KURRË…
  • Raif Hyseni, Merita Halili, Ansambli MSU ngrejnë peshë Festivalin e Artë të Muzikës dhe Valleve Ballkanase 2026
  • 17 janar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, forma që mban një komb, kur koha kërkon ta shpërbëjë!
  • ABAZ KUPI – NJË FIGURË QËNDRORE E MBRETËRISË SHQIPTARE
  • “Skanderbeg in American Prose and Press”
  • Reçak and the Unfinished Business Between Kosovo and Serbia
  • Boshti i Kujtesës dhe i Udhërrëfimit: Nga Skënderbeu te Gërvallët dhe Kadri Zeka
  • Kryezoti
  • Evropa përballë një realiteti të ri sigurie; gjeneralët nuk po frikësojnë – po paralajmërojnë
  • Groenlanda, nyja strategjike e sigurisë globale dhe prova e realitetit të fuqisë amerikane
  • Muzika si art i komunikimit njerëzor
  • Keqkuptimi i mendimtarëve afatgjatë nga Shqipëria
  • “KUR SHTETI SULMON ZËRIN E VET”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT