Nga Harilla Koçi/
Rreth 30 vjet më parë, në seksionin e kulturës, në Komitetin Ekzekutiv të asaj kohe, mbërriti një letër. Një i moshuar nga Kolonja, që prezantohej si i afërm i patriotes Marigo Posio, qëndistares së Flamurit, që u ngrit në 28 Nëntor të vit 1912, shkruante se varri i saj ndodhej në varrezat e Manastirit të Zvërnecit.
“Në letrën e tij, i moshuari këmbëngulte se varri ndodhej në territorin e këtij manastiri. Për t’u bërë më i qartë, ai shkruante se në pjesën e poshtme të varrit gjendej dhe një kryq hekuri i ngulur në tokë”, tregon për ATSH-në një prej funksionarëve të asaj kohe në Vlorë. Ai thotë se, ky fakt u vlerësua menjëherë, aq më tepër që, deri në ato momente, për vendin ku ishte varrosur qëndistarja e flamurit nuk kishte asnjë informacion. Nisën kërkimet dhe shumë shpej u arrit atje ku duhej. “Varri ishte ashtu sikundër përshkruhej në letër dhe në fund të tij u gjet edh kryqi”, tegon ish funksionari, që thotë se pas kësaj, u bë një rregullim i pjesshëm i tij.
Varri ndodhej në juglindje të kishës, në një mjedis të gjelbër. Aty ishte varrosur Marigo Posio, në vitin 1932 kur ndërroi jetë. Ky ishte edhe një nga amanetet e saj, ku përfshihej gjithashtu edhe fakti që, ceremonia të ishte e thjeshtë dhe me sa më pak njerëz.
Në vitet që pasuan, vendvarrimi i Marigo Posios, pothuajse u harrua. Ishin shumë të paktë ata që dinin se ku ishte varrosur ajo. Pas furisë antifetare të vitit 1967, Manastiri i Zvërnecit u braktis përfundimisht dhe shumë gjëra që lidheshin me historinë e tij, u fashitën. Askujt nuk i shkonte ndër mend se nw varrezën e vogël të këtij manastiri, prehej heroina e flamurit të Pavarësisë Kombëtare.
Por edhe pasi u gjet, varri i Marigo Posios mbeti mjaft i thjeshtë. Megjithëse ai u restaurua pjesërisht, pothuajse u braktis. Pak persona, kryesisht funksionarë të asaj kohe, u vunë në dijeni të këtij fakti. Kjo vazhdoi për rreth 15 vjet…
-Një varr i ri për Marigo Posion-
Diku në vitin 2000, vendndodhja ku prehen eshtrat e Marigo Posios, pothuajse doli nga tisi i harresës. Një shoqatë u kujdes që, qëndistarja e Flamurit të kishte një varr dinjitoz. Sot, ai është i dukshëm. Ndodhet në të njëjtin vend ku u gjet 30 vjet më parë, në një pozicion të dukshëm në varrezat e vogla në Manastirin e Zvërnecit.
Vendi është i gjelbëruar. Punonjësit e manastirit kujdesen që ta pastrojnë atë nga barërat e këqia. Ndërkohë, nga lart bëjnë hije qiparisat shekullorë. Nga ky vend duket edhe deti. Vizitorët e shumtë që vijnë në këtë mjedis, afrohen edhe tek vendi ku prehet qëndistarja e Flamurit dhe përkulen me nderim në kujtim të veprës së saj.
KUR E PUSHOI ZËRIN BILBILI…
Me rastin e 33-vjetorit të rënies-Në kujtim të Isuf e Bardhosh Gërvallës/
Nga: Prof.Murat Gecaj/
1.Këtu e katër vjet më parë, shkrova e publikova një shkrim, në kujtim të martirëve të Kosovës, vëllezërve Isuf e Bardhosh Gërvalla. Dhe ja, përsëri tani, me rastin e 33-vjetorit të rënies së tyre, u nxita nga e bija e Isufit, Donika, që ta ripublikoj këtë shkrim, paksa të shkurtuar. Ajo bëri shënimin e mëposhtëm në Internet, me këto fjalë prekëse e domethënëse:
“Nesër, më 17 janar 2015, familja jonë do të jetë në vendlindje, në Dubovik, te varrezat, në të cilat prehen nën bli Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla. Kanë kaluar 33 vite, që nga atentati i vitit 1982, i kryer nga UDB-ja jugosllave.
Së bashku me miq të familjes, shokë të Babit dhe të Bacës Bardhosh, banorë të Dubovikut dhe qytetarë të moshave të ndryshme nga Dukagjini dhe e gjithë Kosova, do të takohemi nesër, në orën 12.00, te varret.
Falënderim i veçantë u takon nxënësve të shkollës “Jusuf Gërvalla”, të cilët prej vitesh po e vazhdojnë një traditë dinjitoze. Mirënjohja jonë e thellë u përket të gjithë atyre, që në këto ditë aspak të lehta për ne, na qëndrojnë afër çdo vit, edhe pse tashmë kanë kaluar tri dekada, duke na e bërë më të lehtë përballimin e tyre.
2.Shpesh herë kam dashur te shkruaj diçka, në kujtim të martirit të Kosovës, Isuf Gërvalla. Kisha dhe një arsye për ta bërë këtë gjë, të cilën do ta shpjegoj më poshtë. Dhe ja, sot po lexoja në Internet dhe mësova se më 17 janar 2011 mbushen 29 vjet që nga dita e ndarjes së tij tragjike nga jeta, bashkë me villain, Bardhoshin. Është shkruar e folur shpesh dhe nuk më mbetet ndonjë gjë e re për të thënë, lidhur me atë masakër, që u inskenua me kujdes dhe paramendim nga agjentura e UDB-së Jugosllave.
Duke parë disa fotografi të Isufit në Internet, njërën nga të cilat po e ripublikoj, më ra në sy jo vetëm pamja e njohur e tij, me një kitarë në dorë, por dhe përbri tyre titulli i një kënge domethënëse e kupotimplote: “Kënga e bilbilit”… Po, edhe ai ishte një bilbil, me zë aq të bukur e të ëmbël dhe me merita aq të veçanta për Kosovën e tij të dashur, sa tingujt e kitarës së tij nuk i duronin dot armiqtë shovinistë e veglat e tyre. Prandaj organizuan kurthin, që asaj kitare t’ia këpusnin telat dhe zëri i saj melodioz mos të dëgjohej më! Por ndodhi e kundërta. Ata tinguj të kitarës së Isuf Gërvallës u bënë kushtrim dhe thirrje për sulme fitimtare kundër pushtuesve shekullorë serbë, që në ato troje të stërlashta shqiptare të vinte përgjithnjë liria. Kështu, ajo u fitua me gjak e me sakrifica të panumërta nga vëllezërit e motrat e Isufit, nga një populli i tërë, i bashkuar rreth UÇK-së dhe i mbështeur fuqimisht nga forcat ushtarake e përparimtare të Europës e SHBA-së dhe më gjerë.
Pra, përsëri tani dëgjohen tingujt e kitarës së Isuf Gërvallës në trojet tona amtare dhe ato nuk do të pushojnë kurrë në tokën e larë me gjak e djersë të Kosovës, e cila u gëzohet fitoreve të arritura dhe kujton e nderon të gjithë ata, që për të nuk kursyen dijat as gjakun e tyre.
3.
Në ato vite, punoja në shtyp dhe ndieva shqetësim të veçantë, kur mora vesh se Isuf Gërvallën, i cili ishte me origjinë nga krahina ime dhe lindur e rritur në Kosovë, e kishin vrarë mizorisht në Gjermani, bashkë me vëllain, Bardhoshin. Për ta nderuar jetën e tij, vendosa të shkoja e të takoja bashkëshorten, Suzanën, e cila asokohe ishte vendosur me banesë, diku në afërsi të Shallvareve, pra në qendër të Tiranës. Nuk më kujtohen hollësira, por mbaj mend se aty gjeta dhe bijën e tyre, Donikën, e cila ishte nxënëse dhe ndiqte Liceun Artistik “Jordan Misja” të Tiranës, për veglën e flautit.
Më vonë, po duke qenë gjithnjë në shtyp, më ra rasti që të merrja për botim një fotografi të Donika Gërvallës, e cila po i binte flautit, me shoqërimin e një ish-kolegut të saj në atë Lice, Grid Rroi, nga Shkodra. (Më pas kam mësuar se tani ai jeton në Amerikë). Nuk më kujtohet mirë, por ajo fotografi mund të jetë publikuar, në atë kohë, në gazetën “Mësuesi”, ku punoja redaktor. Ndërsa më pas, atë e futa në sirtarin e tavolinës dhe e kam ruajtur, si një gjë të rrallë e të çmuar.
Tani, unë dëshiroj të shpreh nderimin dhe respektin tim të thellë për Isuf Gërvallën, bashkëshorten Suzanë e të bijën, Donikën dhe për vëllain e tij, Bardhoshin dhe gjithë familjarët e të afërmit e tyre.
I paharruar qoftë kujtimi i Isuf e Bardhosh Gërvallës dhe i gjithë martirëve tjerë të Kosovës sonë!
Mbrojtja e identitetit kombëtar e fetar të shqiptarëve nga Kuvendi i Arbërit
Më 14 e 15 janar të vitit 1703 në Mërqi afër Lezhës u organizua Kuvendi i Arbërit, Koncili i Kishës Katolike në trojet Shqiptare me dëshirën e Papës Klementit XI Xhanfrançesk Albanit, me prejardhje shqiptare, i cili këtë ngjarje të madhe kishtare e kombëtare ia besoi kryeipeshkvit të asaj kohe të Tivarit, imzot Vinçenc Zmajeviçit.
Është thënë se Kuvendi apo Koncili i Kishës katolike i trojeve shqiptare u mbledh në një situatë tejet të vështirë: populli shqiptar, këndej të krishterët e në mënyrë të posaçme katolikët, pësonin trysnin e sundimit otoman, që dalëngadalë, por me vendosmëri e në mënyrë sistematike punonte për kalimin e popullsisë shqiptare në fenë islame.
Të joshur nga premtimet dhe lehtësirat që turqit krijonin e u jepnin myslimanëve, një pjesë e mirë e shqiptarëve kaloi në fenë islame, ose mbeten të krishterë të fshehtë, do të thotë që në shtëpi e mbanin fenë dhe doket e krishtera, ndërsa në jetën publike paraqiteshin si myslimanë e kishin edhe nga dy emra. Është fjala për ‘kriptokatolikët’ apo ‘laramanët’, fenomen ky ende sot e kësaj dite i pranishëm në disa zona shqiptare siç është në Kosovë ajo e Karadakut afër Gjilanit e Vitisë, apo në zonë të Istogut e të Mallishevës. Ky fenomen apostazie u dënua nga Kuvendi i Kishës së Arbërit.
Ndërsa, përsa i përket Kishave, perandoria otomane fillimisht nuk i prishte, por as nuk lejonte që të bëheshin meremetime, apo të ndërtoheshin Kisha të reja, duke e përkufizuar e më vonë duke ndaluar jetën dhe veprimtarinë e Kishave, e si pasojë erdhi deri te rrënimi i pashmangshëm i sa e sa Kisha dhe kuvendeve rregulltare – manastireve të krishtera në trojet shqiptare. Në mënyrë të veçantë kuvendet apo manastiret e murgjve Benediktinë e Domenikanë. Përveç aspektit shpirtëror, këndej fetar, luftimi i Kishave nga Turqit ishte edhe luftim kundër orientimit të shqiptarëve drejt kulturës perëndimore evropiane.
Në kushte të këtilla, pra, mblidhej Kuvendi apo Koncili Kishtar Kombëtar Shqiptar në Mërqi, më 14 e 15 janar të vitit 1703, në të dielën e dytë pas Krishtlindjes, në Kishën e Shën Gjon Pagëzuesit. Qe pikërisht kryeipeshkvi imzot Zmajeviçi, ai që e mbajti fjalën e hapjes së këtij Koncili vendor kishtar. Në të bie në sy gëzimi dhe shpresa që, pas kaq shekujsh të tiranisë turke, u bë e mundur një mbledhje e tillë. Njëkohësisht, imzot Zmajeviçi u kujtoi të gjithë ipeshkvijve pjesëmarrës të Kuvendit të Arbërit detyrën që të kujdesën me të gjitha forcat për ringjalljen e jetës fetare të popullit, e të punojnë për përtëritjen dhe rritjen e klerit si dhe për lirinë fetare të kultit e të popullit.
Kujtojmë se në Kuvendin e Abërit, episkopati shqiptarë, në njërën anë analizoi aspektet e brendshme kishtare: administrimin e Sakramenteve, lirinë fetare e të kultit, reformën e zakoneve e tjera dhe në anën tjetër gjendjen e popullsisë në realitetin shoqëror nën sundimin otoman me të gjitha problemet e rënda që përjetonte çdo ditë.
E vendimet e Kuvendit të Arbërit qenë të rëndësishme pikërisht për rregullimin e brendshëm të jetës dhe veprimtarisë kishtare, për ringjallërimin e fesë dhe në anën tjetër për nxitjen drejtuar popullsisë shqiptare për mbrojtjen e vlerave dhe të identitetit kombëtar para pushtimit e sundimit shkatërrimtar otoman. Ky Kuvend kishtar, pra, mori në shqyrtim dhe mbrojti dy çështjet më jetike për shqiptarët: identitetin fetar e identitetin kombëtar shqiptar.
Materialet e punimeve të Kuvendit të Abërit në gjuhën latine, u hartuan nga imzot Vinçenc Zmajeviçi dhe u botuan në Romë më 1706. Botimi i dytë, me disa shtesa latinisht, u botua në Romë i përkthyer nga dora e shkrimtarit të njohur shqiptar, dom Engjëll Radojës më 1868. U përsërit nga i njëjti shkrimtar më 1872. Rëndësi e dorës së parë iu dha qartësisë së gjuhës, në mënyrë që dekretet e Kuvendit Kishtar të ishin sa më të kuptueshme për masat e popullit.
Botimi shqip i punimeve të Kuvendit të Arbënit çmohet porsi i pari botim aktesh kishtare sinodale në gjuhën shqipe, me sa dihet deri më sot. Ato dalin nga një mbledhje e nivelit të lartë sinodal për Shqipërinë veriore e të mesme. Në këto akte gjejmë një material shumë të çmueshëm për gjendjen e vështirë ekonomike të shqiptarëve në atë kohë, për gjeografinë, për çështjet e shkollimit, për situatën e lirisë njerëzore e fetare, për të drejtat themelore njerëzore që u mohoheshin sistematikisht e me një tragjedi të mirëmenduar të turqve.
Teksti shqip i Kuvendit të Arbenit është një dëshmi e rëndësishme e 1706-es për historinë e shkrimit të shqipes, e po kështu ka edhe vlera të mëdha për historinë dhe gjuhën e shqiptarëve.(Kortezi Almarina Gegvataj)
U VRANË NË NJË DITË: NJERI SHPALLET DËSHMOR, TJETRI ARMIK I POPULLIT
*Për ata që mohuan dhe harruan/
*Një shembull tipik i falsifikimit të historisë/
Nga Enver Lepenica/
Dy vëllezër, Fejzi Hysen Micolli (1919-1945), dhe Hydajet Hysen Micolli (1921-1943), kishin lindër në një familje të varfër, patriotike të Bolenës së Vlorës dhe u edukuan me ndjenja atdhetare. Të dy vëllezërit, u ikaudruan në çetën ”Plakë” të Vlorës që me krijimin e sajë më 4 dhjetor 1942 dhe morën pjesë në të gjitha luftimet që zhvilloi çeta. Të dy vëllezërit, kishin një adhurim, për komandantin e çetës trimin sypatrembur Neki Ymerin dhe komisarin e sajë atë gjuhë bilbilin dhe trimin Qazim Çakërrin.
Në fillim të vitit 1943, të dy vëllezërit u pranuan në radhët e Partisë Komuniste. Me zhvillimet e më vonëshme të luftës Fejziu, që njihej me psudonimin “Vullneti”, u inkaudrua në radhët e Brigadës së Parë që me krijimin e sajë më 15 gusht 1943, ndërsa pas trasferimit të Qazim Çakërrit në një zonë tjetër, vëllai tij Xhemil Çakërri u emërua komisar i çetës dhe Hydajet Micolli nënkomandant i çetës.
Të dy vëllezërit Micolli, Fejziu dhe Hydajeti, ishin djem të thjeshtë, trima dhe besnikë të udhëheqësit tyre komunist Sadik Premtes.
***
Në pranverën e vitit 1943, në krahinën e Vlorës lindi ngjarja që në histori ka hyrë me emërtimin: Fraksioni i Vlorës. Kontraditat ndërmjet shumicës së komunistëve të Vlorës erdhën sepse: Udhëheqësit e Grupit Komunist të “Të Rinjëve”, Anastas Lula dhe Sadik Premtaj që në themelimin e Partisë Komuniste kishin ngritur çështjen e Kosovës, fakt që e provon Prof. Kristo Frashëri, dhe që nuk mund ta pranonin dy serbo-malazest Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha.
Nga ana tjetër Hysni Kapua dhe pasuesit e tij pa shkollë, në Vlorë, e ndienin inferioritetin, nga Sadik Premtaj dhe pasuesit e tij, kështu që kishte lindur vetvetiu cmira dhe zilija primitive ndaj tyre.
Së fundi është fakti se kishin dallime per shtresat shoqërore, Sadik Premtja dhe pasuesit e tij nuk nxirrnin në plan të parë luftën e klasave.
Këto kontradita sollën armiqësinë e grupeve dhe në qershor të vitit 1942, Anastas Lula dhe Sadik Premtaj u përjashtuan nga partia. Anastas Lula u dërgua partizan i thjeshtë në Skrapar, nën mbikqyrjen e Ramis Aranitasit, kurse Sadik Premtaj u dërgua në Vlorë, nën mbikqyrjen e shokut Hysni Kapo, që sipas Enver Hoxhës të shlyenin “gabimet e tyre”.
Në Konferencën e Pare të Partise Komuniste Shqiptare, më 17 mars 1943, që u mbajt në Labinot, u vendos që të bëhej luftë e vendosur për shkatërrimin e fraksionit të Anastas Lulës dhe Sadik Premtes. Pra ishte vendosur de fakto pushkatimi i Anastas Lulës dhe Sadik Premtes. (‘“Dokumente kryesore të PPSH”, Vëllimi i Parë, Tiranë, 1971, f. 118) “Konferenca kishte dhënë porosinë që, Sadik Premtja, për shkak të veprimtarisë së tij përçarëse e fraksioniste të demaskohej, të arrestohej e të dënohej si tradhëtar”
( “Historia e Luftës Antifashiste…” Vëll. 2, Tiranë 1986, f. 174-175)
Fakt që e pranon edhe komunisti Hysni Kapo kur thotë se në Labinot Miladini dhe Dushani ngarkuan Mehmetin për të vrarë Xhepin, Sadik Premten.
Për të ekzekutuar vendimin me vdekje të Sadik Premtes u ngarkuan Mehmet Shehut dhe Hysni Kapo, që hartuan këtë plan kriminal: Hysni Kapua duhet të arrestonte, në Tragjas, Pali Terovën, përgjegjësin e Partisë për krahinën e Dukatit dhe ta detyronte atë ti shkruante Sadik Premtes që të vinte në takim në malin e Tragjasit, dhe kështu do të ekzekutoheshin të dy. Mehmet Shehu do ti kërkonte Neki Ymerit, komandantit të çetës “Plakë”, të shkonte më gjithë çetë në Mallakastër dhe atje do ta arrestonte, atë, bashk me Xhemil Çakërrin, komisarin e çetës.
Sadik Premtja sapo mori letrën e Pali Terovës u nis nga Gjormi për në vendin e takimit në mal të Tragjasit. Nga Tragjasi u nis Abas Fejzua, besnik i Sadikut, më pas gjeneral dhe që vdiq në burgun e Burrelit. Ai takoi në rrugë Sadik Premten dhe i tha: “Ktheu se je në pritë. Pali është arrestuar” Kështu, Sadiku arriti t`i shpëtoi edhe kësaj prite të pa besë të Hysni Kapos. Pali Terovën e donte, e besonte dhe repsektonte gjith krahina e Dukatit, prandaj u ngritën në protestë kundër Hysni Kapos dhe e shpëtuan atë. Nga ana e tij, Memet Shehu më 7 maj 1943, me anën e një letre i kërkonte Neki Ymerit të nisej urgjent në Mallakastër, sepse pritej operacioni fashist. Sadik Premtaj i kërkoi Nekiut të mos shkonte, sepse do ta vrisnin, por ai nuk u bind dhe u nis. Në Mallakastër arritën më 8 maj 1943, në shtëpinë e Bilbil Klosit. Atje, pabesisht komandanti i çetës “Plakë”, patrioti dhe trimi sypatrembur, Neki Ymeri dhe patrioti dhe trimi tjetër komisari çetës Xhemil Çakërri u arrestuan, sekret, nga një njësit që kryesohej nga Idris Seiti dhe Vllas Arapi, besnikë të Mehmet Shehut.
Më 9 maj 1943, ndërsa këta mbaheshin të arrestuar në mullirin e Kutës në Mallakastër, Hydajet Micolli, sapo mori vesh këtë fakt tronditës, duke u qëndruar besnik shokëve të tij, pa pyetur për rrezikun, me disa luftëtarë të çetës, sulmoi mullirin për të liruar komandantin dhe komisarin.
Kështu që filloi përpjekja me armë ndërmjet Njësitit prej katër vetave që mbante të lidhur
Neki Imerin dhe Xhemil Çakërrin dhe një pjesë të çetës “Plakë”, të kryesuar tashmë nga Hydajet Micolli.
Në këto rrethana të vështira Njësiti në zbatim të urdhërit të prerë të Mehmet Shehut, që arrestimi Neki Imerit dhe Xhemil Çakërrit nuk duhej të merrej vesh nga askush dhe nuk duhet të binin të gjallë në dorën e askujt, Njësitu vrau brenda mullirit Xhemil Çakërrin dhe jashtë tek dera e mullirit Hydajet Micollin, i cili kishte sulmuar me trimëri derën e mullirit dhe ishte gati të hynte brenda për të shpëtuar shokët e tij.
Kjo vrasje solli pasoja të rënda për zhvillimin e luftës në Qarkun e Vlorës dhe më gjerë, pasi përçau populin, përçarje që vazhdoi deri sa u përmbys sistemi diktatoril komunist.
Pas 37 vjetëve, Hydajet Micolli, shpallet dëshmor i Atdheut, ndërsa Xhemil Çakërri, “armik i popullit”
Në janar të vitit 1945, Fejziu Micolli, u bë komandant batalioni në Brigadën e Parë. Batalioni tij ndërsa sulmonte forcat civile antikomuniste të Preng Calit në malet e Kelmendit, u vra në rrethana të pa sqaruara, tek ura e Tamarës, më 15 janar të vitit 1945 dhe u shpall dëshmor dhe Hero i Popullit.
Të dy luftëtarët komunist, Hydajet Micolli, vëllai i Fejziut dhe Xhemil Çakërri, u shpallën armiq të Partisë dhe të popullit, si fraksionist, kontributi tyre në luftë u harrua nga shokët e tyre dhe nuk u zu më në gojë.
Pas 37 vjetëve, falë miqve dhe dashamirësve, Hydajeti, me vendim të Komitetit Ekzekutiv të K.P. të Rrethit të Vlorës nr.118, datë 7.7.1980, u shpall dëshmor i Atdheut.
Për turpin e komunistëve vlonjatë, për ta shpallur dëshmor ata e raportuan këtë vrasje të pa besë, nga vetë ata, se gjoja ai ishte vrarë nga reaksioni i Xhepit!
(Dervish Mejdani ”Dëshmorët … e Vlorës”, Geer, Tiranë 2002, f. 21, 340)
Ndërsa Hydajeti u shpall dëshmor, vetëm pas 37 vjetëve, shoku i tij, Xhemil Çakërri mbeti armik i Partisë dhe i Popullit!!!, sjellje tipike e falsifikimit të historisë nga komunistët vlonjatë.
Barbaria dhe egërsia e komunistëve vlonjatë mbi familjen patriotike Çakërri
Nuk mjaftoi vetëm kjo, por familja e vëllezërve Çakërri, Qazimit dhe Xhemilit, komunistët, mbajtën një qëndrim, armiqësor, të egër, çnjerzor, me atentate për të vrarë Qazimin, me vuajtje dhe persekucion barbar dhe të pa meritur, pikërisht nga shokët e tyre komunistë, të urdhëruar nga Hysni Kapua.
Familja e këtyre djemëve trima dhe patriotë nën drejtimin e babait tyre patriot Azem Murat Çakërrit, nga Tragjasi, është e sakrifikuar për lirinë e vendit të tyre, ndofta si pak familje të tjera në Vlorë.
E gjith kjo familje u lidh që në fillim me Lëvizjen Antifashiste.
Të dy vëllezërit Qazimi dhe Xhemili kishën mbaruar tregëtaren e Vlorës. Qazimi kishte bërë edhe dy vjet shkollë ushtarake.
Motra e madhe Salia u martua me Yzeir Alimerkon, që kishte marrë doktoraturë në Itali për arkeologji. Yzeiri që në fillim u ndodh në vijën e parë të luftës për liri në radhët e Ballit Kombëtar, për këtë aktivitet atdhetar ai u pushkatua nga gjermanët.
Në vitin 1942, motra tjetër Sulltana si antifashiste e luftëtare, u arrestua dhe u burgos nga fashistët
Qazimi, Xhemili dhe Sulltana u inkuadruan në çetën “Plakë” të Vlorës, që me krijimin e sajë më 4 dhjetor 1942. Qazimi, i njohur me pseudonimin Difi, u zgjodh komisar i çetës, dhe pas trasferimit të tij, komisar u zgjodh vëllai tij Xhemil Çakërri, i njohur me psudonimin Milo.
Sulltana ishte zgjedhur përgjegjëse e gruas për Qarkorin e Vlorës. Të tre Qazimi, Xhemili dhe Sulltana ish anëtarë të Grupit Komunist të “Të Rinjëve”, u bindën se vija politike që ndiqte Qarkori i Vlorës me Dushan Mugoshën, Liri Gegën dhe Hysni Kapon nuk ishte e drejtë, ishte terroriste dhe e kundërshtuan atë në krah të Sadik Premtes.
Xhemili u vra nga komunistët, në Kut të Mallakstrës, Yzeir Alimerko u pushkatua nga Gjermanët, në Bubullimë të Lushnjës, Sulltana me Qazimin ndiqeshin këmba këmbës, për t`u vrarë, nga shokët e tyre komunist.
Pas vrasjes së Xhemil Çakërrit, Hysni Kapua urdhëroi Fejzo Gjomemën nga Tragjasi, të ngarkonte njerës për të vrarë Qazim Çakërrin, vëllan e Xhemilit. Fejzua, ishte anëtar i Grupit Komunist të ”Të Rinjëve”… mendonte se vrasja e Qazim Çakërrit do të sillte trazira, brenda dhe jashtë fshatit të tyre, Tragjasit. Fejzua nuk e bëri vrasjen, prandaj atë e vranë tradhëtisht pas shpine, me dorën kriminale të L. B. më 15 shtator 1943, pasi kishte përfunduar Lufta e Drashovicës. ( Shih për më shumë ”Neki Hamiti ”Kujtime”, Triptik, Vlorë 2006, f. 68)
Qazim Çakërrit iu bënë pesë atentate, vetëm në atentatin e pestë në Tiranë komunistët arritën ta plagosin. Nako Spiro i shkruan Enver Hoxhës, me hidhërim: “Dhe një gjë që duhesh në fillim, por ishja duke shkruar, kur mora vesh se Qazim Çakërri u plagos rëndë. Kishte 4-5 ditë që e ruanim. Mbas dite afër shtëpisë tënde, në rrugë, mundet te shkolla kur qe me tre vetë tue shkue e qëlluan, por çe do që s`ka vdekur ala”. (AQSH, F. 14, Data e dokumentit 14.10.1943, D. 26/1, Lista ¼)
Qazimi, ky trim dhe patriot, shpëtoi nga plumbat e shokëve të tij komunist dhe u arratis së bashku me të motrën Sulltanën, në Amerikë ku edhe e mbylli jetën e tij, larg Atdheut për të cilin kishte luftuar dhe sakrifikuar aq shumë. Shtëpinë e tyre në Skelë të Vlorës e dogjën fashistët italianë, kështu që familja u detyrua të trafserohej në vendlindje, në Tragjas, por edhe atje fashistët ua bënë shkrumb e hi shtëpinë. Në çlirimin e vendit, Azemit dhe Qeribasë, prindërve të luftëtarëve të lirisë, nuk u mbeti gjë tjetër, veç hirit të shtëpive të djegura.
Ata, në moshën e pleqërisë, të helmuar nga vrasja e djalit dhe e dhëndërrit, si dhe nga djali tjetër dhe vajza të arratisur u kthyen në Vlorë, në një gjendje të mjeruar, pa bukë, pa shtëpi, të persekutuar dhe të përbuzuar, u detyruan të strehohen në bodrumet plot lagështi të një shtëpie të vjetër. Në këto kushte Azemi u bë turbekuloz, por atë babanë e luftëtarëve të lirisë, nuk pranuan ta shtronin as në spital sepse i thoshin: je babai i armiqve të popullit!?
Ai dhe e shoqia vdiqën të harruar, në mjerim të plotë. Varret e Azemit dhe të Qeribasë, varri Yzeir Alimerkos, varri Xhemil Çakërrit humbën përgjithmonë.
Shembulli kësaj familje patriote, tregon një shembull tipik të falsifikimit të historisë dhe njëkohësisht fytyrën çnjerzore të komunistëve të Vlorës.
Një padrejtësi që pret të koregjohet.
Shënohet përvjetori i ngjarjeve në Reçak
Në ditën e sotme të vitit 1999, forcat serbe vranë 45 civilë të fshatit Reçak në jug të Prishtinës. Ajo ngjarje shënoi një pikë kthese në luftën e Kosovës
Në Kosovë po shënohet gjashtëmbëdhjetë vjetori i ngjarjeve në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, rreth 30 kilometra në jug të Prishtinës, ku forcat serbe vranë 45 shqiptarë.
Kjo ngjarje e cila që cilësuar si një nga masakrat më të rënda, shënoi një pike kthese në luftën e Kosovës. Ambasadori William Walker, drejtonte atëbotë Misionin Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, që vëzhgonte armëpushimin e brishtë të vendosur në nëntor të vitit 1998, në një marrëveshje ndërmjet të dërguarit amerikan Richard Holebrooke dhe Beogradit.
Ai i cilësoi vrasjet në Reçak si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Ngjarja shënoi fillimin e një fushate të re diplomatike në përpjekje për t’i dhënë fund luftës dhe një muaj më vonë përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë u takuan në Rambouillet të Francës, në bisedimet e ndërmjetësuara nga bashkësia ndërkombëtare.
Në mars të atij viti marrëveshja e hartuar nga diplomatët ndërkombëtarë nuk u nënshkrua nga Beogradi dhe NATO-ja filloi fushatën 78ditëshe të bombardimeve që detyroi tërheqjen e forcave serbe nga Kosova dhe vendosjen e NATO-s dhe administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Gjashtëmbëdhjetë vjet pas ngjarjeve në Reçak, Kosova po mbush shtatë vjet të shpalljes së pavarësisë së saj, që vazhdon të kundërshtohet nga Serbia.
Udhëheqësit politik të Kosovës thonë se një kërkim faljeje nga Serbia, mbase mund ta lehtësonte udhën e bashkëpunimit në mes dy vendeve fqinje që kanë interesa të shumta për të pasur marrëdhënie të mira.
Gjashtëmbëdhjetë vjet pas ngjarjeve në Reçak, Kosova përballet me detyrimet për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe angazhimin për ripajtim e tolerancë ndëretnike, të cilat pothuajse ishin shuar nga pasojat e luftës.
- « Previous Page
- 1
- …
- 552
- 553
- 554
- 555
- 556
- …
- 698
- Next Page »