• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PELIKANI KACURREL I DIVJAKES, NGA 500 KANE MBETE 90

February 13, 2015 by dgreca

13 Shkurt-Sot në qytetin e Divjakës në Lushnje, u çel dita e ” Pelikanit Kaçurrel”, një specie tepër e rrallë dhe në zhdukje.
Në gjithë Ballkanin ky shpend i veçantë rritet dhe shumohet vetëm në Lagunën e Karavasta-Divjakës.
Sot kësaj specie për herë të parë i u kushtua edhe një datë simbolike,13 Shkurti.
Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Parkut Kombëtarë,ishin të pranishëm Drejtori i Shërbimit Pyjor të Lushnjes Ardian Koçi si dhe punonjës të kësaj drejtorie, Përfaqësues të Bashkisë së Divjakës,si dhe nga Ministria e Mjedisit.
Në fjalën e hapjes, Drejtori i Shërbimit Pyjor të Lushnjes, foli gjatë për këtë specie të veçantë të faunës sonë, rrezikun që pati kjo specie gjatë periudhës së tranzicionit prej gjahtarëve të paligjshëm dhe dëmtuesve të çerdheve të tyre. Me shpalljen e moratoriumit që për 2 vjet ndalohet gjuetia në territorin e Shqipërisë edhe Pelikani Kaçurrel ka filluar të shumohet e të kthehet përsëri në origjinë.
Pasi specialistët e shumtë dhanë mendimet e tyre se si duhet ruajtur kjo specie e veçantë por edhe të tjera që rriten në Lagunën e Divjakë-Karavastasë, organizatorët organizuan një vizitë në Ishullin e Pelikanit. Ai është një ishull i vetmuar në mes të kënetës,ku pelikani strehohet dhe shumohet. Ishulli është i ruajtur dhe i monitoruar 24 orë në 24.
Ishulli i Pelikanit ndodhet në lartësin rreth 0.5m mbi nivelin e detit. Është një ishull mjaft interesant i formuar nga akumulimet e mbetjeve organike, në të cilin është formuar një ekosistem dhe ku dallohet një botë shumë e pasur bimore barishtore.
Aty ku folenizon Pelikani Kaçurrel, aty ku ka ngritur mbretërin e tij dhe që vet ai konsiderohet si “Mbreti” i Lagunës. Pelikani kaçurrel është një nga banorët autoktonë të Lagunës. Ai rritet e zhvillohet në lagunë dhe nuk shtegëton. Është një shpend grabitqar e i madh me peshë rreth 16 kg. Pelikani kaçurrel ka ngjyrë të bardhë me pulla gri, ushqehet me peshq e gjallesa të tjera deti.
Ndërkohë shumimi natyral i tij është paksa delikat sepse femra ngroh dhe çel vetëm dy
vezë duke i depozituar ato në Kënetë.
Banorët e Divjakës tregojnë se para shumë vitesh, numri i pelikanëve arrinte rreth 500 ndërkohë për shkak dëmtimit dhe gjuetisë së paligjëshme,sot numërohen rreth 90 të tillë.
Vrojtimi në distancë nga qëndra e vëzhgimit e ngritur enkas,është një peizazh i pa përsëritshëm. Vizitorë të shumtë si dhe nxënës shkollash, prisnin radhën për të vënë syrin në objektivin e dylbive të montuara për vizitorët në qëndrën e vëzhgimit.(N Lena)

Filed Under: Histori Tagged With: KANE MBETE 90, NGA 500, PELIKANI KACURREL I DIVJAKES

Përkujtohet në Korçë 110 vjetori i vrasjes së Papa Kristo Negovanit

February 12, 2015 by dgreca

Pervjetori i 110 vjetorit të masakrimit të klerikut atdhetar, mësuesit të gjuhës shqipe Papa Kristo Negovani, do të përkujtohet te enjten në Muzeun Kombëtar të Arsimit “Mësonjëtorja e Parë Shqipe” në Korçë .
Do të jetë një ekspozitë e cila do të çelet me kete rast ku do të prezantohen botimet origjinale te Papa Kristos, fotografi,dhe dokumente, materiale te ekspozuara për herë te parë .
Gjithashtu edhe vëllai i tij martir Papa Theodhos Negovani do të jetë pjesë e kësaj ekspozite, ashtu edhe gravura e vitit 1905 e cila paraqet momentin e vrasjes makabre të dëshmorit shqiptar.
Kjo gravure është botuar për herë të parë në gazeten “Drita”, që publikohej në Sofje nga atdhetari Shahin Ypi Kolonja
Papa Kristo Negovani lindi në fshatin shqiptar të Negovanit (origjina nga zona e Kolonjës).
,Ai u bë shpejt një nga të parët përhapës të abetareve dhe teksteve mësimore shqipe. Hartoi disa libra, disa nga të cilat i botoi që kur ishte gjallë, ndërsa të tjera u botuan pas vdekjes së tij me kontributin e patrioteve shqiptare. Kristo Negovani githashtu çeli shkollçn shqipe te Negovanit me 100 nxënës. Ai solli në shqip dhe përshtati i pari nga frëngjishtja fabulat e La Fontenit, nga të parat sprova këto në gjuhën shqipe.
Papa Kristo Negovani u masakrua në të gdhirë të së dielës të 12 shkurtit të vitit 1905, në moshën 30 vjeçare, në kodrën e Negovanit bashkë me të vëllanë Papa Theodhos Negovanin, dhe katër punëtorë të tjerë të përfshirë në çështjen e shkollave shqipe.

Filed Under: Histori Tagged With: Papa Kristo Negovanit, Përkujtohet në Korçë 110, vjetori i vrasjes së

NJË QIRI PËR MËSUESIN E SHKOLLËS SHQIPE

February 12, 2015 by dgreca

Me rastin e vrasjes së Papa Kristo Negovanit, 12.2.1905-12.2.2012/
Nga Arben LLALLA/
Gjatë revolucionit kulturor të shqiptarëve për hapjen e shkollave shqipe nga fundi i shek.XIX dhe fillimet e shek.XX janë vrarë nga turqit dhe grekët shumë mësues që hapën mësonjëtoret e para në gjuhën shqipe.
Një nga këta mësues që u masakruan nga grekët ishte edhe Papa Kristo Negovani, i cili lindi në vitin 1875 në fshatin Negovan që ndodhet afër Kosturit (Kastoria) rrugës për në Edesa. Sot ky fshat quhet Flamuria. Gjatë një vizite që bëra në vitin 2003, bisedova shqip me pleqtë e fshatit që ende e flisnin gjuhën e të parëve. Pra, nga ky katund ishte atdhetari Kristo Negovani (Harallambi). Në fshatin e lindje Papa Kristo mbaroi shkollën fillore në gjuhën greke duke vazhduar më tej gjimnazin në Athinë. Pas tre viteve studimesh në Athinë ai i braktis ato për arsye sepse një çetë kusarësh gjatë grabitjes së shtëpisë së tyre i vranë babanë. Pasi u kthye në vendlindje papa Kristo filloi punë në shkollën greke të fshatit. Vitet shkonin dhe mësues Kristo Negovani shikonte se si brezi i ri në fshat po edukohej me kulturë dhe gjuhë greke duke humbur traditat dhe gjuhën e mëmës, shqipen. Në ato vite greqizimi i shqiptarëve po shtrihej në të gjitha trevat që banoheshin nga popullsia shqiptare. Ky greqizim përhapej në forma të ndryshme si në arsim, në kishë dhe politikë administrative. Edhe pse Papa Kristo ishte i edukuar në shkollat greke, edhe pse paguhej nga shteti grek për mësimin që jepte në shkollën e fshatit, të tëra këto nuk kishin ndikuar në zemrën e tij për të dashuruar kulturën dhe gjuhën e huaj greke. Gjatë mësimit të gjuhës greke në shkollën e katundit të tij ai u thoshte nxënësve: “Përmbi çdo gjë gjuha shqipe ishte ajo që duhej mësuar, sa më parë”. Me një vullnet dhe guxim djalërie ai vendosi të hapte shkollat e para në disa fshatra që banoheshin nga shqiptarët për rreth Kosturit dhe Follorinës. Shkrimin e gjuhës shqipe me Alfabetin e Stambollit Kristo Negovani e kishte mësuar në Rumani ku kishte punuar marangoz për tre vite. Ato vite ishte lidhur edhe me shoqatën “DRITA” dhe me disa anëtarë të shoqatës “DJALËRI” të Stambollit. Më 1897 u shugurua prift në fshatin e tij. Ky dalë i ri që për hir të çështjes kombëtare u bë prift do jetë pararendësi i frymëzimit për themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Kisha dhe shtëpia e papa Kristos u bënë vatrat e para ku mësohej gjuha shqipe, por kjo gjë nuk u pëlqeu grekëve të cilën e kërcënuan disa herë. Ishte një natë e errët e 12 Shkurtit të vitit 1905. Mësonjësi Kristo Negovani po shpërndante naforën në kishë, një grup njerëzish të panjohur e rrëmbyen dhe e shpunë jashtë fshatit. Në errësirë të dërguarit e Dhespot Fotit filluan ta masakronin Papa Kriston me sopata e thika. Pasi e copëtuan trupin, i prenë kokën për t’ia dërguar porositësit të kësaj vrasje. Por kriminelët e dërguar nga Athina nuk u ndalën me kaq, po atë natë ata i vranë dhe të vëllanë, Theodhos Negovanin i cili edhe ky përhapte shkollën në gjuhën shqipe. Atdhetarët shqiptarë kudo që ishin u prekën shumë nga këto dy vrasje që ndodhën.

Histori e shkurtër e fshatit Negovan-Flamburo*
NEGOVANI, më 1928 iu ndërrua emri në Flamburo. Në këtë fshat ende banojnë shqiptar ortodoks dhe pak vlleh. Nga viti 1912 e deri 1928, në Negovan banonin rreth 1.100 njerëz.
Fshati Negovan është i njohur për atdhetarizmin e banorëve të tij, për hapjen e shkollës shqipe dhe mbajtjen meshën në gjuhën shqipe që në fillim të shek. XX. Në këtë fshat kanë lindur shumë figura kombëtare, ndër ta përmendim papa Kristo dhe Theodhos Harallambi Negovani, të cilët u vranë nga grekët më 1905, sepse u mësonin fëmijëve të fshatit gjuhën shqipe. Papa Vasil Gjikë Stillo është nipi i Negovanëve i cili më 1910, bëri përpjekje që në kishën e fshatit të mbante meshën në gjuhën shqipe dhe e goditën me thika gjatë meshës, vdiq më 16 janar 1910 në spitalin e burgut të Manastirit.
Për vrasjen, në Negovan, të priftit shqiptar, dëshironte ta kthente liturgjinë në kishë nga gjuha greke në gjuhën shqipe ka shkruar edhe Brailsford.
Shumë dokumente historike vërtetojnë se Negovani ka qenë fshat i pastër shqiptar. Pleqësia e fshatit në fund të vitit 1909, lajmëronte me një letër në gjuhën shqipe prej tre faqesh se është hapur shkolla shqipe “Dituria”, me mësonjës Petro Nini Luarasi, Në letër thuhet se shkolla në Negovan ka nevojë për libra dhe fletore për rreth 40 nxënës, djem dhe vajza të cilët e kishin braktisur shkollën në gjuhën greke. Në fund letra është firmosur nga pleqësia e shkollës, kryeplaku Sotir Kristo, arkëtari Sotir A Xoxe, pleqnar Naso Tire dhe mësonjësi Petro Nini Luarasi. Në fund letra ka edhe vulën e pleqësisë së mësonjëtores me vitin e themelimit të saj 1909. Origjinali i kësaj letre gjendet në muzeun e qytetit të Elbasanit. Kjo shkollë u drejtua deri në vitin 1911 nga Petro Luarasi .
Nga Negovani është dhe ish-ministri i brendshëm i Republikës së Shqipërisë Koçi Xoxe (1911-1949), njëri nga figurat qendrore të Partisë Komuniste. Gjatë kohës së diktaturës komuniste është shkruar se Koçi Xoxe ishte sllav-folës, por në Negovan nuk ka pasur asnjë familje sllav-folëse. Një kushëri i Koçi Xoxes i quajtur Mihal Xoxe, në fund të shek.XIX kishte ngritur në Kostancë një shtypshkronjë nga më të mëdhatë të asaj periudhe në Rumani, ku rilindësit shqiptarë botonin veprat e tyre patriotike. Aty janë botuar edhe librat e Frashëllinjëve, të Naimit, Abdylit të Samiut dhe të shkrimtarëve e patriotëve të tjerë të Rilindjes sonë Kombëtare, të cilat ndezën në ato vite shumë ndjenjat patriotike. Negovani në fillim të shek.XX ishte fshat shumë i madh dhe numëronte mbi 500 shtëpi të banuara qind për qind me shqiptarë.
Në një shkrim të botuar në revistën gjermane Der Spiegel, më 10 nëntor 2003, Renate Flottau, shkruan se në Flamburo (Negovan) kishte takuar një të moshuar që shiste mollë anës rrugës dhe ai i kishte thënë se shqiptarët vendas nuk guxojnë as të flasin shqip në shtëpitë e tyre. Grekët na kanë asimiluar. Nuk ka shkolla shqipe apo institucione kulturore.
Nga të dhënat e regjistrimeve të popullsisë që do sjellim më poshtë, nuk na rezulton që në Negovan të ketë familje sllave.
Shina, 1.500 banorë të krishterë, kishë, shkollë dhe një han.
Kënçov, 620 shqiptarë të krishterë dhe 100 vlleh.
Brankof, 96 bullgarë të krishterë, 110 grek, 300 vlleh dhe 1.080 shqiptarë të krishterë. Fshati kishte dy shkolla fetare, tre mësues dhe 200 nxënës.
Millojeviç, 110 shtëpi ku banojnë shqiptarë ortodoks dhe 3 shtëpi vlleh ortodoks.
Në regjistrimin e vitit 1932, fshati kishte 210 familje të huaja që flisnin gjuhën shqipe dhe pak prej tyre gjuhën sllave dhe rumanishten, dhe 44 familje kanë deklaruar hapur se janë shqiptar.
Riki Van Boeschoten dhe Helleen van der Minne, banorët e Negovanit janë deklaruar të gjithë shqiptarë. Sot fshati i përket komunës së Perasmatos dhe ka rreth 420 banorë.
(Marrë nga libri: “Demografia e Fiseve Shqiptare në Greqinë e Veriut”, Tetovë, 2013.

Filed Under: ESSE, Histori Tagged With: arben llalla, e shkolles shqipe, NJË QIRI, PËR MËSUESIN

TIRANA, KRYEQYTETI SHQIPTAR, KREMTON 95 VJETORIN

February 10, 2015 by dgreca

Kryeqendra e qarkut dhe rrethit me të njëtin emër dhe kryeqyteti i Republikës së Shqipërisë, Tirana, kremton te merkuren 95- vjetorin e shpalljes kryeqytet.
Qyteti i themeluar në vitin 1614 nga Sulejman Pashë Bargjini dhe që u quajt për herë të parë me emrin Tiranë në vitin 1418 në një dokument të Venedikut, u shpall kryeqytet i përkohshëm i Shqipërisë në 9 shkurt 1920 nga Kongresi i Lushnjës dhe pjestarët e Këshillit Kombëtar hynë në qytet në 11 shkurt 1920 dhe përfundimisht Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërsisë në vitin 1925. Me këtë rast, Muzeu Historik Kombëtar, në bashkëpunim me shoqatën “Alsar” dhe shkollën jopublike “Tirana Jonë” me rastin e 95- vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet, do të hapin për të gjithë publikun një ekspozitë fotografike me pamje nga Tirana ndër vite në ora 10.00 në hollin kryesor të Muzeut Historik.
Gjatë ekspozitës, nxënësit e shkollës “Tirana Jonë” kanë përgatitur një program kulturor, i cili do të përmbajë një prezantim historik për Tiranën, poezi dhe valle.
Ndërkohë që edhe Bashkia e Tiranës, me rastin e 95- vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet, do të inaugurojë në Qendrën Ten në kuadër të projektit artistiko – kulturor ekspozitën fotografike dhe atë me piktura “Tirana Kryeqytet 11 shkurt 1920”, dy ekspozita me tematikë të kthimit të Tiranës në qendër të rëndësishme urbane.
Kjo ekspozitë do të jetë me fotografi të periudhës nga autorë të ndryshëm të kohës. Në këto foto do të pasqyrohet ndryshimi dhe zhvillimi i madh që pësoi Tirana pas marrjes së saj të statusit të veçantë si kryeqytet.
Ndërsa në ekspozitën tjetër do të pasqyrohen punime në fushën e pikturës me peizazhe, godina, rrugë karakteristike të Tiranës etj. Në këto piktura do të ketë momente të zhvillimeve të para të jetës në qytet por edhe të gjendjes aktuale ku janë integruar arkitektura dhe urbanistika e momenteve të para të lindjes së Tiranës si kryeqytet. Ky projekt do të kontribuojë në gjallërimin e jetës artistiko – kulturore në qytetin e Tiranës, do të nxisë të rinjtë dhe qytetarët e Tiranës për njohjen e historisë së qytetit të tyre dhe njëkohësisht do të kontribuojë në njohjen dhe pasurimin e vlerave historike të qytetit të Tiranës.

Filed Under: Histori Tagged With: 95 VJETORIN, KREMTON, KRYEQYTETI SHQIPTAR, tirana

-Dëshmia e parë mbi gjuhën shqipe, daton në vitin 1285 e lidhet me malësinë e Raguzës

February 10, 2015 by dgreca

-“Sundimtari shqiptar”, Skënderbeu dhe dilemat serbe/
– Zhupani i Madh serb, pasi theu armiqtë barbarë, bashkoi me Serbinë gjithë zonën e Nishit, Lipljanit, Moravës, Vranjës/
– Në vitin 1373, vëllezërit Balsha, ishin zotër vetëm të Kosovës, të cilën ja patën marrë mbretit serb Vukashin/
– Gjon Kastrioti mbajti për shumë kohë titullin “Zot i Serbisë”/
– Nga kryepeshkopi i Ohrit, Dhimitër Kamatjano më 1224, përmenden disa banorë me emra tipik shqiptarë/
– Edhe në dokumentet veneciane, popullsitë përballë Korfuzit konsideroheshin shqiptare/
(Arshivat e Stambollit)/
Shkruan: Harallamb Kota-studiues/
Autorë të ndryshëm bizantinë, e kanë vendosur Arbërinë në viset nga Kotorri deri në gjirin e Ambrakisë. Gjatë mesjetës, trojet e shqiptarëve janë emërtuar në këndvështrimin politiko administrativ të tipit Romania, Serbia, Bulgaria dhe Turqia, të cilat kanë qenë perandori të mëdha e të vogla dhe Shqipëria përfshihej brenda tyre. Përcaktimi i mësipërm duket i pranueshëm deri në cakun e kufijve gjeografik dhe politik. Por është tepër i gabuar kur koncepteve të mësipërme t’u atribuohej një përmbajtje etnike. Është konkluduar me qëllime dashakeqe me pasoja mohuese dhe asimiluese, kur është shënuar që: Bullgaria etnike në shek XI fillon nga qyteti i Durrësit. Ky përcaktim është bërë në vitin 1096, nga kronistët e Kryqëzatës së Parë, të cilët e quanin Durrësin “fillimi i Bullgarisë”. Pushtimet sllave në shek. VI-VII, e ndryshuan thellë etnografinë e Ballkanit. Sllavët iu shmangën vendeve të Ilirisë Jugore, ose i prekën ato në mënyrë kalimtare. Gërmimet arkeologjike në Kosovë, Mali i Zi, Shqipërinë e Veriut, Epir etj., dhe dokumentet e shkruara të kohës, provojnë se ka pasur një vazhdimësi arbërore me periudhat e paraardhësve, ndërsa gjurmë të ngulmimeve sllave mungojnë ose janë të parëndësishme. Në shek XI, historiani Jireçek i konsideron enklavat shqiptare të Dalmacisë dhe Bosnjës, si mbeturina të një procesi të vazhdueshëm rrudhosje të popullsive të vjetra iliro-shqiptare. Sipas autorit të jetës së Stefan Nemanjës e burimeve të tjera, vendet e pushtuara nga serbët në vitet 1180, përkatësisht Dioklea dhe Kosova, u quajtën vende të huaja dhe qytetet e pushtuara,Ulqini,Tivari, Shkodra e Drishti u rrafshuan. Sipas kronikës, Zhupani i Madh serb, pasi theu armiqtë barbarë, bashkoi me Serbinë gjithë zonën e Nishit, Lipljanit, Moravës, Vranjës, trevën e Prizerenit, dy Pologët si dhe territoret fqinje me të, duke dëshmuar pushtimin e Dioklesë e Kosovës. Stefan Nemanja e pasardhësit e tij, spostuan qendrën e shtetit serb në këto territore, duke kthyer në kryeqytet sipas rastit, Shkodrën, Prizrenin apo Shkupin. Për rrjedhojë, qysh nga shek. XIII, Kosova dhe Dioklea (Zeta), përfshihen nën emrin “Serbi”, gjë e cila i atribuohet strukturës së re politiko-fetare. Për ti shërbyer pushtimit, kisha serbe e transferoi selinë e saj nga Ziça në Pejë, duke i dhënë shkas krijimit të shumë manastireve. Sipas burimeve kohore, disa fise të fuqishme si Gjurashët, Hotët, Piprët Tuzët, Shestanët, Kuçët, Grudët, Kastratët, Krajinët, etj., konsideroheshin fise shqiptare dhe popullonin qytetet Ulqin, Tivar e Budva. Prania e popullsisë shqiptare dëshmohet edhe përtej kufijve të Zetës, në veri të gjirit të Kotorrit. Dëshmia e parë mbi gjuhën shqipe, daton në vitin 1285 e lidhet me malësinë e Raguzës, ku një person pat deklaruar se gjatë udhëtimit nëpër malësi, kishte dëgjuar dikë të thërriste në gjuhën shqipe, që provon se banorët e atyre anëve ishin shqiptarë. Në vitin 1346 Papa Klementi VI, deklaronte se këto vende banohen nga të krishterë me gjuhë të ndryshme. Dokumente të ndryshëm të shek. XIV e veçanërisht Kodi i Stefan Dushanit, i vitit 1349, dëshmojnë se mbretërit serbë ndoqën me këmbëngulje politikën e konvertimit me dhunë në ortodoksinë serbe, të atyre që quheshin “latinët” apo “gjysmëbesimtarët”. Ky proces shpjegon arsyen e përhapjes së emrave sllavë midis shqiptarëve, gjatë kohës së sundimit serb. Në vitin 1373, vëllezërit Balsha, ishin zotër vetëm të Kosovës, të cilën ja patën marrë mbretit serb Vukashin dhe vetëcilësohen “Zotër të Serbisë”, kur kronikat serbe i cilësojnë “sundimtar shqiptar”. Edhe sundimtar të tjerë të Kosovës, të kohërave të ndryshme mes tyre, Gjon Kastrioti mbajtën për shumë kohë titullin “Zot i Serbisë”, duke u cilësuar njëkohësisht sipas rasteve edhe si “Zotër në Viset Shqiptare”. Dokumentet e kohës puqen në një pike, pasi pohojnë se ata sundonin në një vend me popullsi shqiptare, duke lënë të kuptohet që Kosova konsiderohej si pjesë e trungut shqiptar. Të dhëna të shumta për praninë e etnosit shqiptar në Kosovë, shënohen edhe nga aktet e dhurimit të mbretërve serbë për manastiret Në këto dokumente, etnikoni “Arbëresh” ndeshet shpesh në këto territore me individë, bashkësi apo fshatra të tërë. Në këtë periudhe historike, në Prizren nëntë fshatra mbajnë emra qartësisht shqiptarë si Gjino-viç, Flok-ovc, Çap-arç, etj. Në aktet e manastireve serbe të Kosovës, në bllokun e borxheve të qytetarëve, rezultojnë emra kombëtar shqiptar si: Gjin, Gjon, Ded, Preng, Progon, Llesh, Leka, Bardh, Lul. Në raportet e Venedikut, Papatit apo Raguzës, bëhet fjalë për praninë masive të besimtarëve katolikë shqiptarë në qytete dhe vende rurale të Zetës, Kosovës dhe Maqedonisë. Duhet të kalonte shumë kohë që një qytetar shqiptar në vitin 1595, ta deklaronte qartazi, hapur, me zë të lartë kombësinë e tij: “Jam me kombësi shqiptare”. Ndonëse në këto treva ndeshemi ende me banorë të etnitetit shqiptar, procesi i asimilimit etnik në Zetë, Kosovë e Maqedoni nëpërmjet integrimit fetar të popullsisë, i cili bëhej më efikas kur shoqërohej me simbiozën e zgjatur serbo-shqiptare, solli ndryshime të dukshme në strukturën e identiteteve. Në vitin 1610, sipas dokumenteve të kohës, fisi i Kuçëve në Zetën e Poshtme, të cilët gjatë mesjetës njiheshin prerazi shqiptarë të ritit katolik, kishin pësuar një ndryshim të madh teksa ishin ndarë në katolikë e ortodoksë, duke përjetuar simbiozën shqiptaro-serbe. Megjithatë, etniteti shqiptar ishte gjerësisht i pranishëm dhe kjo provohet sipas një dokumenti të shkruar në vitin 1685 nga Pjetër Bogdani ku thuhet:“në krahinat e Kosovës, Zetës e Maqedonisë, fesë katolike i thonë për përkatësi feja e shqiptarëve”. Disa dokumente të tjera mesjetare bartin raste të antroponimisë sllave, ku një farë Dobrosllavi, nuk mund të jetë serb, pasi babai i tij quhet Gjin. Apo rasti i Pribisllavit e i Ivankos, të cilët ishin vëllezërit e Bushatit e të Lleshit. Këto raste e shumë të tjera, i kanë shtyrë studiuesit të dalin në konkluzionin se në vendet e Zetës, Kosovës e Maqedonisë perëndimore, kishte nisur procesi i sllavizimit të emrave. Burime greko-bizantine të shek. XIII e përfshijnë pjesën jug-perëndimore të Maqedonisë nën përcaktorin Iliria dhe e quajnë popullsinë e saj “barbarofone”. Në disa dokumente të shkruara nga kryepeshkopi i Ohrit Dhimitër Kamatjano më 1224, përmenden disa banorë me emra tipik shqiptarë si: “një pronar tokash me emrin Gjergj Skora, disa persona për çështje trashëgimie me emrat: Gjoni,Tanushi,Gjini dhe një grua e quajtur Kabasilina (Kabashi)” . Në vitin 1253, despoti i Epirit, Mihali II, Ëngjëlli, për të mbrojtur frontin e Kosturit nga sulmet e perandorit të Nikesë, mes komandantëve të kombësive të ndryshme që ishin në shërbim të tij, zgjodhi Gulamin, princin e Arbërit. Në vitin 1273, shqiptari Pal Gropa me titullin sebast, ishte zot i trevave midis Ohrit dhe Dibrës. Ndërsa vetë Ohrin e zotëronte një tjetër fisnik shqiptar Progon Sguro, i cili më 1285 ndërtoi kishën e Shën Klementit duke lënë mbishkrimin: “Progon Sguro ishte dhëndër i Perandorit bizantin Andronik II Paleolog”. Një prani e hershme e shqiptarëve është dëshmuar edhe në krahinën e Thesalisë veriperëndimore. Një dokument i vitit 1295 i qeveritarit Stefan Gabrielopulos, dëshmon: “vendet e Thesalisë që kufizohen me Epirin, të ndodhura në rrethinat e Fanarit, banohen nga shqiptarë që kanë aty pronat e tyre. Ata jetojnë në vendbanime të qëndrueshme, që mbajnë emra shqiptarë si: Variboba, Mazrek, Muzakë, Loshadë, Malakas, etj. Mbi popullsinë shqiptare të Ohrit flet edhe Kantakuzeni në shek. XIV, i cili i quan viset e Devollit dhe të Kolonjës vende të shqiptarëve. Dokumente të Manastireve përmendin në shekujt XIV-XV pronarë tokash me kombësi shqiptare. Kantakuzeni rrëfen se në këtë pjesë të Thesalisë jetonin gjithashtu tre fise të mëdha shqiptare, Bua, Malakasi, e Mazaraku, që bënin gjithsej 12 mijë frymë. Në vitin 1378, Gropajt i zgjeruan zotërimet e tyre dhe qyteti i Ohrit ishte në duart e fisnikut Andrea Gropa, që qarkullonte monedhat e veta. Pikërisht në këtë vit, despoti i Beratit Andrea Muzaka, që ishte aleat i Gropajve, për shkak krushqie u bë zot i Kosturit. Një mbishkrim i vitit 1382 në kishën e Shën Athanasit, dëshmon se Kosturi vazhdonte të ishte në duart e Muzakëve edhe në kohën e trashëgimtarëve të tij. Shumë dëshmi historike të mëvonshme e përfshijnë Kosturin përherë brenda konceptit Shqipëri. Dokumentet historike të shek. XIV e quajnë Epirin një provincë shqiptare. Zotërit shqiptar të Epirit, Gjin Bue Shpata i Artës dhe Gjin Zenebishti i Vagenetisë, quheshin ndryshe edhe “Sundimtar në Shqipëri”. Edhe në dokumentet veneciane, popullsitë përballë Korfuzit konsideroheshin shqiptare. Sipas kronikës së Janinës dhe e Tokove, Epiri konsiderohej një “vend shqiptar”. Një dokument i çmuar i shek. XV pohon: “ashtu si në të kaluarën, edhe sot Epiri banohet nga shqiptarët, një race ilire, që jetojnë të shpërndarë ose të grupuar nëpër fshatra”. Regjistrimet osmane të vitit 1582 të provincave të Epirit, japin të dhëna të qarta mbi identitetin shqiptar të popullsisë vendase. Të dhënat e kancelarive perëndimore i konfirmojnë këto regjistrime dhe e identifikojnë Epirin me Shqipërinë dhe epirotët me shqiptarët. Pjetër Bogdani në shek. XVI,e quan Epirin “Shqipëri e Poshtme”. Të njëjtën terminologji kanë përdorur atë kohë gjeografët e kartografët evropianë. Në vitin 1555 Belon du Mans, pohonte se: “banorët e Epirit janë shqiptarë dhe gjuha e epirotëve është tërësisht e ndryshme nga ajo e grekëve”. Deri në çerekun e parë të shek. XIX, shprehet Prof. P. Xhufi, në veprën e tij historike me titull “Dilemat e Arbrit” f. 47, kur shteti grek ende nuk ishte krijuar, Epiri përfshihej nga vetë autorët grekë brenda nocionit etno-gjeografik të Shqipërisë. Kuptohet, për autorët evropianë Epiri ishte natyrshëm Shqipëri dhe epirotët ishin po ashtu shqiptarë. Sipas tyre, Shqipëria përfundonte në gjirin e Ambrakisë, pikërisht aty ku historianët e lashtësisë vendosnin kufirin ndarës midis epirotëve dhe grekëve. Akoma në vitin 1861, në studimin e tij mbi etnografinë e Turqisë evropiane, G.Lejean e cilësonte Epirin si krahinë të banuar nga popullsi shqiptare. Si konkluzion, përfundon Prof. P. Xhufi, mund të themi se: “Shqipëria etnografike në mesjetë përfshinte Zetën (Dioklenë), Kosovën, vendet e Maqedonisë Perëndimore, Epirin dhe brezin e Thesalisë që shtrihej në lindje të Pindit”.

Filed Under: Histori Tagged With: -Dëshmia e parë mbi gjuhën shqipe, daton, e lidhet me, Harallamb Kota, malësinë e Raguzës, në vitin 1285

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 554
  • 555
  • 556
  • 557
  • 558
  • …
  • 707
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit
  • MËKATET E ZONJËS EMA
  • GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË
  • Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar
  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT