• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DHJETE VJETET E JETES SE ALI ASLLANIT, TE PA VLERESUARA

August 2, 2014 by dgreca

Nga Enver Memishaj *)
Ditët e fundit në gazetën “55” është botuar një autobiografi e Ali Asllanit (1882 – 1966) si dhe dy artikuj me kujtime në gazetën “Telegraf”, ku është pwrshkruar shwrbimi i shquar i kwtij burri qw i sjellw atdheut tw tij.
Në këto shkrime vetwm sa përmëndet qwnia e Ali Asllanit si kryetar bashkisë së Vlorës, nga 20.12.1918 deri më 30.11.1920 dhe nga prill i vitit 1934 deri në korrik të vitit 1939, po t`i shtojmë edhe kohwn si sekretar i Qeverisë së Ismail Qemalit në vitin 1913 dhe kohën e internimit nga pushtuesi italian, dalin mbi 10 vjet nga jeta e tij, një peiudhë mjaft e gjatë nw jetwn e njw njeriu dhe me shumë rëndësi në shërbimet që ai i ka sjellë vendit të tij.
Nisur nga sa sipër po paraqes sado shkurt vetwm kontributin e Ali Asllanit si kryetar i Bashkisë së Vlorës, pothuajse i pa njohur nga publiku i gjerë.
* * *
Kur në dhjetor të vitit 1918, në Durrës u krijua qeveria e Turhan Pashës, menjëher, më 20 dhjetor, e dekretoi, Ali Asllanin kryetar të administratës lokale të Vlorës. Në këtë detyrë ai qëndroi deri në 30 nëntor të vitit 1920 .
Në atë periudhë ai kontribuoi seriozisht në çështjen kombëtare. Është për t`u veçuar roli tij i rëndësishëm për mbrojtjen e çështjes kombëtare, lidhur me pretendimet italiane për territore shqiptare, përpara të dërguarit personal, të Presidentit Ullson, në Shqipëri, konsullit Josef Haven, i cili qëndroi 15 ditë në shtëpi të Qazim Kokoshit dhe 15 ditë në shtëpi të Ali Asllanit.
Ali Asllani kishte bashkëshorte mbesën patriotit të shquar vlonjat Qazim Kokoshit, gjë që e lidhte më shumë me Vlorën dhe me çështjen kombëtare shqiptare.
Në detyrën e kryetarit të Bashkisë, në shkurt të vitit 1919, Ali Asllanit i mbetet vlera dhe mirënjihja jonë për organizimin dhe nderimin e përcjelljes në përjetësi të Ismail Qemalit. Sipas tij: “Këshilli Bashkiak i qytetit, ku mbisundonin patriotët, propozoi që varri i Ismail Qemalit të vendosej në sheshin qëndror të qytetit, pranë shtëpisë ku kishte lindur Ismail Qemali dhe pranë selisë së Kuvendit Kombëtar, ku ai kishte shpallur Pavarësinë e Shqipërisë. Por komanda ushtarake italiane, nga frika e shpërthimit brenda në qyteti të manifestimeve patriotike gjatë varrimit dhe duke justifikuar se projekti i rregullimit të sheshit qëndror ishte ende i pa përfunduar, nguli këmbë që trupi të varrosej në Kalanë e Kaninës, të paktën përkohësisht, aty ku qenë varrosur paraardhësit e Ismail Qemalit”.
Adhurimi dhe respekti që Ali Asllani kishte për Heroin e Pavarësisë dalin qartë, jo vetëm në vargjet që ai krijoi për të, por edhe në ato pak kujtime që mundi të botojë në raste përvjetorësh të Pavarësisë. Në vargjet e poezisë “Ismail Qemali”, poeti i madh, me forcën e penës së tij përshkruan gjithë historinë e Plakut të Vlorës, apo “Plakut të pavdekshëm”, siç e quante ai; jetën e tij; vështirësitë që ai ndeshi për Shpalljen e Pavarësisë; rolin që ai lujajti në të; patriotizmin; sakrificat; dashurinë që kishte populli për të; e deri tek dëmi që i solli kombit vdekja e papritur e tij, duke e mbyllur me vargjet që sintetizojnë krejtësisht jetën dhe veprën e Ismail Qemalit:
Emr’i tija i vërtetë / është Nëntor njëzet e tetë…
Gjatë viteve 1919-1920, Ali Asllani, në bashkëpunim me një inxhinjer italian ndërtoi merkaton e qytetit në rrugën Vlorë –Skelë dhe rikonstruktoi dy trotuarët e kësaj rruge. Ai u interesua edhe për rikonstruksionin e kalasë së Kaninës, por ngjarjet rrodhën ndryshe, ai u largua nga Vlora dhe dëshira e tij mbeti vetëm dëshirë.

Më 1920, si kryetar i katundarisë, mbështeti Luftën heroike të Vlorë duke shkruar dhe himin e fuqishëm të kësaj lufte dhe disa poezi të tjera të njohura dhe të vlerësuara. Për veprimtarinë e tij atdhetare ai u burgos prej pushtuesve italianë dhe më pas u internua në ishullin e Sazanit me shumë patriotë të tjerë.
Në festimet madhështore që u organizuan pas fitores së Luftës së Vlorës, më 3 shtator 1920, ai mbajti para popullit një fjalim të nxehtë atdhetar, si dhe i bëri në emër të popullit një telegram urimi qeverisë së Sulejman Delvinës, që edhe iu përgjigj atij.
Gjendet gjithashtu një korespodencë ndërmjet “Komitetit Mbrojtja Kombëtare” dhe kryekatundarit të Vlorës Ali Asllani, ku del qartë angazhimi total i tij në luftën për çlirimin e Vlorës, nga pushtuesi italian.
Me rastin e festimit të 28 nëntorit 1920, Ali Asllani, ftoi në qytetin e Vlorës kryeministrin Sulejman Delvina të cilin edhe e shpalli “Qytetar Nderi të Vlorës”. Ishte i pari shqiptar që u shpall qytetar nderi i Vlorës.
Më 17 dhjetor 1920, nga Tirana, Ali Asllani dhe Qazim Kokoshi lajmërojnë me gëzim Shoqërinë “Mbrojtja Kombëtare” në Vlorë: “Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve. Urime nga zemra…”
* * *
Në prill të vitit 1934, ai u zgjodh për herë të dytë kryetar i Bashkisë së Vlorës, jo vetëm si një personalitet vlonjat, por edhe me veprimtari të gjerë në shërbim të atdheut e të kombit, detyrë që e ushtroi deri në korrik të vitit 1939.
Gjatë ushtrimit të detyrës, Ali Asllani bëri shumë shërbime të shquara për t`i dhënë Vlorës pamjen e një qyteti europian dhe me qëllim që qytetarëve t`u shërbente sa më mirë.
Kështu p.sh. në vitin 1937, bashkia, nxorri disa urdhëra sipas të cilëve: tregëtarët duhet të kalonin në vizitë mjeksore, për periudhën 1 maj deri më 15 shtator, dyqanet dhe aktiviteti tregëtar duhet të bënte pushim prej orës 12 deri në 15, kjo për arsye shëndetësore, si të tregtarëve edhe të popullit që të mos dilnin në kohën e nxehtë, etj.
Për herë të parë kur bashkia drejtohej nga Ali Asllani janë çelur shkolla foshnjore dhe kopshte.
Po kështu, bashkia shpërndau 2000 kv. misër dhe barna falas për të vobektit. U bë zgjerimi i rrugëve, u dha urdhër për lyerjen e dyqaneve, u ngritën banjo publike për gra dhe burra, u bë rregullimi i tregut, u ndanë veç shitja e druve, fruta zarzavateve etj, u ndërtuan bar – restaurante, u nxit shfrytëzimi banjove të detit etj.
Në një prononcim të bashkisë thuhet se: “Kjo bashki çështjen e ujit e ka në krye të programit të veprimeve të sajë dhe i ka kushtuar gjithë kujdesin e sajë që meriton… për herë të parë është bërë studimi me inxhinjer kompetent…”
Në vitin 1937, Ali Asllani u kujdes dhe bëri një punë të mirë, që gëzimi 25 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, të hynte në çdo vatër vlonjate në qytet dhe në fshat. Në Vlorë, ishte formuar komisioni i festimit të 25 vjetorit me këtë përbërje: Kryetar kapiten Kamber Qafmolla, komandant xhandarmërie dhe zëvëndës prefekt, Ali Asllani, kryetar i bashkisë, Aristidh Ruçi, Pandeli Bezhani, Hamza Isai, Asim Kokoshi, Skënder Muço, Sif Kedhi, Seit Qemali.
Po kështu nga çdo komunë u caktuan për të vajtur në Tiranë një grup valltarësh djem e vajza.
Gjatë vitit 1937, me interesimin e Ali Asllanit dhe nxitjen e tij, ka funksionuar edhe Shoqëria “Gruaja shqiptare”, e komunave, me këtë përbërje: Dukat: Nasybe Thanasi, Nartë: Zenepe Lepenica, Mesaplik: Arelbaj Deraj, Gërnec: Angjelina Shllaku, Drashovic: Rukie Qazimi, Sevaster: Zonja e Remzi Ramos
Si kryetar i Bashkisë, Ali Asllani bëri përpjekje për ngritjen e bibliotekës publike të qytetit. Dhe natyrisht një mëndje e ndritur si e tija, nuk mund të qëndronte indiferent kur mendnte se Vlora nuk kishte bibliotekë, për të ndriçuar mendjet e qytetarëve të sajë. Në një prononcim të tij në shtyp ai iu përgjigjet një grupi qytetarësh vlonjatë: “Në të ndershmen gazetë “Jeta e Re”, më datën 8.7.1937, bëhet fjalë për një bibliotekë në Vlorë.
Krijimi i bibliotekës në Vlorë, është brënda programit e veprimeve të kësaj bashkie, dhe nga ana e kësaj kryesie është propozuar që në vitin e kaluar, por për ngushticë financiare nuk u realizua; dhe tue qënë brenda programit sajë, me të parë mundësinë financiare do të propozohet rishataz në buxhetin e ri. Me nderime Kryetari i Bashkisë Ali Asllani”.
Pra si datë fillimi i bibliotekës publike të Vlorës mund të merret vitit 1938, me gjithë se edhe këtë viti, shtypi shkruan: “Në Vlorë nuk ka bibliotekë. Syrja bej Vlora ka nje bibliotekë dhe a nuk do të ishte mirë që t`ia falte Vlorës. Si një xhest patriotik?”. Pra në Vlorë biblioteka publike ka filluar të funksionojë vetëm në vitin 1939.
Përveç aktivitetit të tij politiko-atdhetar, si dhe krijimtarisë letrare, Ali Asllani do mbetet i njohur për qytetin e Vlorës edhe për ndërtimin e dy monumenteve:
“Shtylla e Flamurit Kombëtar”, në Sheshin e Flamurit, dhe “Kulla e Sahatit”, që u financua nga tregëtarët e këtij qyteti.
Skicë-idetë e këtyre monumenteve u përgatitën prej tij dhe inagurimet u bënë në vitin 1937, gjatë periudhës që ai vetë ishte Kryetar i Bashkisë së qytetit.
Për ndërtimin e Kullës së Sahatit, me vendim të Këshillit të Bashkisë datë 5.8.1937, u lidh kontratë me skluptorin e njohur Odise Paskali, për katër faqet zbukuruese të Kullës, ku do të realizoheshin: 1. Fytyra e Skënderbeut, 2. Fytyra e Mbretit, 3. Fytyra e Ismail Qemalit, 4. Shqiponja dy krenare. Fusha e Sahatit duhej bërë me numura romak. Sahati përveç anës funksionale ka edhe vlera artistike dhe për këto arsye është shpallur në vitin 2006 nga ish ministri i kulturës Dr. Bujar Leskaj monument kulture.
“Më 1 shtator 1938, u inagurua në Vlorë, tamam në vendin ku heroi i indipedencës shqiptare pat ngrehur Flamurin e Lirisë, Shtylla e Flamurit Kombëtar… Populli kishte ardhur nga të gjitha fshatrat… Turmat e mëdha… ishin të ekzaltuara nga një gëzim i jashtëmasëshëm. Në fytyrën e sejcilit shquhej një gas, që është i rrallë. Mori pjesë një përfaqësues i N.M. së Tij Mbretit, Xhafer Ypi dhe dërgata të qeverisë e parlamentit…
Është një inspirim poetik dhe një realizim i mbushur me mundime e sakrifica. E para i dedikohet kryetarit të sotëm të bashkisë z. Ali Asllani dhe e dyta sakrificave të Institutit të Bashkisë së vendit tonë”.
Ali Asllani mbajti lidhje të rregullta më Mbretërinë me qëllim që ai të përfitonte sa më shumë për qytetarët e tij, kështu me rastin e martesës së N.M. së Tij Mbretit Ahmet Zogu me N.M.e Saj Konteshën Apony, me fondet e bashkisë së Vlorës u martuan 10 vasha të varfëra.
Në atë kohë qytetet tona ishin të prapambetura, por Ali Asllani u kujdes për çdo gjë që Vlora tu ngjante qyteteve të Europës që kishte shëtitur, kështu në maj të vitit 1939, kemi një urdhëresë të bashkisë sipas së cilës “Llozhurat (plehrat) nuk do të hidhen në rrugë por në një teneqe…”
Gjatë viteve 1937 – 1938, Ali Asllani veç të tjerave u kujdes edhe për veprimtarinë e shoqatës kulturore sportive “Ismail Qemali”, organizimin e Bandës Muzikore të Bashkis, etj.
Për kontributin e tij të madh në ngritjen e pasurimin e Muzeut të Arkeologjik të Vlorës, qeveria e Francës, më 8 dhjetor të vitit 1937, i akordoi atij titullin “Oficeri i Akademisë Franceze”
Zgjedhja e Këshillit të Bashkisë, në shtator të vitit 1938.
Zgjedhjet e reja për Asamblenë e Bashkisë, qenë mbaruar dy javë më parë, dhe patën fituar këta zotrinj: Spiro Suli, Epaminonda Bezhani, Qazim Hamdiu, Menduh Sharra, Ali Çakërri, Hamza Isai, Tom Stamolla, Esheref Dano. Eqerem Sorra, Sabri Mezini.
Pardje këta zotrinj që do të formojnë Asamblenë e re, u mblodhën në sallën e bashkisë dhe votuan për kryetarin e Asamblesë dhe për anëtarët e këshillit. Për kryetar me shumicë votash fitoi z. Spiro Suli dhe për këshilltar: Spiro Suli, Qazim Hamdiu, Epaminonda Bezhani, Menduh Sharra.
* * *
Folëm shkurt vetëm për shërbimet e shquara që Ali Asllani i solli Vlorës dhe vendit të tij si kryetar i Bashkisë, në atë periudhë aq të vështirë të vendit tonë.

*) Nxjerrë nga libri autorit “Historia e Bashkisë së Vlorës 1912 – 1920”, që është në shtyp.
Botuar në gazetën “ 55 “, Tiranë, dt. 2.8.2014, f. 16-17

Filed Under: Histori Tagged With: DHJETE VJETET E JETES SE ALI ASLLANIT, Enver Memishaj, TE PA VLERESUARA

Maqedonë, ilirë e epirotë

August 2, 2014 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Më 2 gusht 338 pes – një ushtri e Maqedonisë e kryesuar nga Philip II mundi forcat e bashkuara të Athinës dhe Tebës, në Chaeronea, Boeoti, duke siguruar mbizotërimin maqedon në More dhe Egje. Filip II, lindur më 382 pes, ishte mbret i Maqedonisë nga viti 359 pes deri kur u vra më 336 pes. Filip ishte kalorës i mirë – emri i tij do të thotë “filo” admirues dhe “hipos” – hipur, mbi kalë). Ai ishte babai i Aleksandrit të Madh, megjithëse e shoqja e tij, Olimpia, e cila besonte në kulte e bestytni, thoshte se ishte mbarsur në ëndërr nga një gjarpër (perëndi krijuese sipas mitit Ilir).
Filipi ishte trim e finok – atij i atribuohet edhe fraza e njohur “divide et impera” – “përça dhe sundo”. Kur ishte fëmijë, Filipi u mor peng në Tebë, qytet-shtet, në atë kohë fuqi ushtarake mbizotëruese në rajon. Në Tebë, Filipi mori edukim ushtarak dhe diplomatik, aftësi që i përdori më pas për të ri-fituar fronin maqedon. Gjatë periudhës si mbret, për hir të aleancave apo politikës dinake, Filipi pati 7 gra ose u martua 7 herë.
Sipas historianit Athenaeus, gruaja e parë e Filipit ishte Audata, bija e mbretit ilir Bardhyll i Dardanisë. Historianë thonë se gratë ilire shquheshin si luftëtare dhe udhëheqëse në luftë, aftësi që Audata ia kaloi vajzës së saj, Cynane (Synanë), duke e stërvitur si kalorëse për luftë e gjueti. Edhe Cynane bëri të njëjtën gjë me vajzën e saj Euridice.
Mes grave të tjera të mbretit Filip ishte edhe Olimpia, nëna e Aleksandrit të Madh. Olimpia ishte vajza e Neoptolemit (Ptolem, Pirro), mbret i Mollosëve të Epirit. Familja e saj i përkiste fisit Aeacidaes të Epirit, që thoshte se e kishte prejardhjen nga Neoptolemi, biri i Akilit legjendar.
Sipas Plutarkut, emri i saj ishte fillimisht Polyksena; pastaj e ndryshoi në Myrtale kur ishte vajzë e re para martesës me Filipin; Olimpia ishte emri i tretë që ajo e mori kur i thanë se burri i saj, Filip, kishte dalë fitues në Lojrat Olimpike më 356, lajm që përkoi me lindjen e Aleksandrit. Emri i saj i fundit ishte Stratonicë, që shihet më tepër si epitet që iu dha pas fitores për çështje trashëgime ndaj Euridices, bijës së Filipit gjatë martesës me Synanën. Olimpia dhe Filipi, patën edhe një vajzë, Kleopatrën – kështu, nuk është rastësi që emrat mollosë Ptolem a Neoptolem e Kleopatra ndeshen brez pas brezi deri në fund të dinastisë së Ptolomeut në Egjipt.
(mare nga Histori: Çfarë ka ndodhur më 2 gusht?/astritlulushi)

Filed Under: Histori Tagged With: Astrit Lulushi, ilirë e epirotë, Maqedonë

Mithat Frasheri – Ati i Kombtarizmit

August 1, 2014 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Në korrik 1949 – Mit’hat Frashër zgjidhet kreu i Komitetit Shqipëria e Lirë. Në tetor ai vdiq (69 vjeç) nga një goditje në zemër në Hotelin Lexington në Lexington Avenue në Nju Jork (edhe teori komploti ekzistojnë rreth vdekjes së tij). Në vitin 1945, kur komunistët morrën pushtetin në Shqipëri. Mit’hati iku në Itali. Vitet e para të luftës së ftohtë i kaloi duke u përpjekur për të mbledhur së bashku një koalicion të forcave anti-komuniste shqiptare në Britani dhe Shtetet e Bashkuara. Kishte vetëm disa vite që i ishte rikthyer politikës.
Nën regjimin e Zogut në vitin 1925, Mit’hati e la jetën publike dhe hapi një librari në Tiranë. Ai vetë zotëronte një bibliotekë jashtëzakonisht të madhe private me rreth 20.000 vëllime, koleksioni më i madh në Shqipëri në atë kohë. Me shtrirjen e Gjermanisë dhe ndërsa Lufta e Dytë Botërore po bëhej e pashmangshme, Mit’hat filloi të mendonte për t’a përdorur këtë periudhë lufte për të krijuar Shqipërinë Etnike – ai themeloi Ballin Kombëtar.
Kur Shqipëria shpalli pavarësinë nga Perandoria Osmane, Mit’hat Frashëri shkroi: “Deri tani shqiptarët kanë jetuar shumë pak për veten e tyre; nga veprimtaria e tyre, gjaku i tyre, talentet e tyre kanë përfituar fqinjët e tyre. Ata kanë shenjtëruar të mirën e tyre për të mirën e të tjerëve. Tani ata duhet të jetojnë dhe.. punojnë për veten e tyre, për Shqipërinë e tyre”.
Bir i Abdyl Frashërit të famshëm, Mithati ishte një nga aktivistët më të rëndësishme të Zgjimit Kombëtar Shqiptar; në vitin1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe u zgjodh nënkryetar i Komisionit të Alfabetit – Mit’hat Frashëri është konsideruar nga shumë njerëz si babai i nacionalizmit shqiptar.
(Histori: Çfarë ka ndodhur më 31 korrik?/Astrit Lulushi)

Filed Under: Histori Tagged With: Astrit Lulushi, Mithat Frasheri – Ati i Kombtarizmit

Mbreti ilir, Balaj

July 30, 2014 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
Jemi apo nuk jemi ata që me dekada kemi trokitur ne dyert e shtetëve te cilivizuara për të pasur pak mirësi për ne,për popullin tonë të shkapërderdhur? Neve aspak nuk na takon që të nderhyjmë në punët e të tjerëve.Jemi ende në gëzhojen tonë dhe gjithësesi duhet ta ruajmë vetëvehten e të mos biejmë pre e ndikimeve mashtruese rajonale./
***
“Te drejtat e mijëvjeçare etnografike dhe gjeografike të shqiptarëve, shtrihen prej kohërave të vjetra në Iliri, Maqedoni dhe Thesali”; (Prof.Dr. Agostino Ribeco)/
Mbreti ilir, Balaj (gr. Βαλλαῖος ,lat. Balleus , udhëhoqi 165-135 prK) që ishte mbret i fisit Ardian; si për çudi nuk përmendet nga asnjë nga shkrimtarët e vjetër. Por Balaj ishte dhe mbretëronte nga kryeqyteti i tij ,Rezana , nga një fortesë e madhe dhe e fuqishme dhe e pa mposhtur. Meqenëse është shkruar pak për te , atëherë supozohet se ka udhëhequr pas Gencit , rënjës së tij nga romakët . Rezana e famshme , e njohur dhe e pasur u shkretua nga sulmet e Avarëve dhe të sllavëve. Shënimet e fundit për këtë qendër janë nga një prift ,viti 595. Që nag shekulli i 10-të imperatori i Bizantinit Konstantin Porphyrogenitusi e lidhi Rizonen me Travunian e kohës.
Si lindi interesimi për Mbretin Balaj të Ilirisë së ardejve ? “ Në lokalitetin Carine të Rezanës (sot Risan , Mali i Zi) u gjetën 4600 monedha të mbretit ilir ,Balës (serb. Balajos). , një zbulim që nuk i gjëndet krahasimi për nga madhësia dhe vlera e gjetjës arkologjike të kësaj natyre në Europë, pat deklaruar në vitin 2010 arkeologu polka Pjotër
Diçek nga Universiteti i Varshavës.” dhe vazhdohet …“ Këto para , këto monedha ngjallin shumë kurreshtje për hulumtim, sepse po zbulohet një pjesë e historisë antike të Balkanit nga kohërat e pushtimeve romake,,për të cilën ka pak shënime. “ ( Në kohën e pushtimeve Romake nuk kishte Ballkan por shtetet Ilirike , e që një nga mbretërit e asaj kohe ishte Mbreti Balaj.fxh )
Është e rëndësishme të ceket se kumti i monedhave nga antika është shumë i qartë: e drejta e farkimit e të hollave e shënon periudhën e ndritshme të një mbretërijeje , pavarësinë e saj dhe forcën poltike dhe ekonomike të saj; kurse karakteristikat e monedhës së farkuar na japin shumë informata për gjendjen politike dhe ekonomike të shkrirësit të parave. Lloji dhe kualiteti i metalit të shkrirë , vendi dhe koha e shkrirjës
(farkimit) na e trgojnë shpirtin e kohës së përmendur.
“Romakët, e as turqit, e as sllavët, nuk paten mundësi që te thyejnë unitetin dhe vazhdimësinë etnokulturore të Ilirëve dhe shqiptarëve. Historia nuk e jep asnjë shembull që ndonjë rajon i veçant të ketë humbur identitetin kulturor Ilir apo shqiptar, duke e zëvendësuar me atë të sunduesit. Prftët romak, bizantine, e më vonë turke slave
nuk e kanë patur asnjë autoritet tek popullata. Shumica e autorëve madje e vërtetojnë se qytetet, perkundër ashpersisë së regjimeve tësunduesve kanë mbetur si qendra kulturore Iliro-Shqiptare. Mbi te gjitha veshja dhe punimet në keramikë, demonstrojne qartë vazhdimësinë nga Ilirët tek shqiptarët”.( Prof.Peter Bartl):
Ko je bio kralj Balajos? (Cili ishte mbreti Balaj? , Eee ,oj Shqipëri më duhet të lexoj nga burimet sllave se kush ishte mbreti Balaj )
“ Mbreti Balajos ( Balaj fxh) ishte një sundues i periudhës heleniste, një mbretërie të shtrirë në tokat bregdetare të Malit të Zi të sotëm me qendër në Risan ( Rezona fxh) në Boka Kotorskoj ( (Në Bokën e Kotorit fxh) si dhe ne ujdhesën Hvar me qendër në koloninë greke të Farosit , por që ndoshta ka i ka pasur edhe pjesët veriore. Për te, dihet shumë pak” ( burimet sllave )
Monedhat e bronzës dhe argjendit ( jo të arta) janë gjetur në shumë lokalitete ,shumë largë nga vendi i farkimit , dhe studimi i mire i tyre do të sqaron mirë kohën dhe vendin e gjerë të sundimit të mbretit Balaj. Muzeu Popullor i Beogradit si dhe ai i Padgoricës i kanë shembujt e kësaj monedheje të Balajt. Po ne muzetë e Shqiperise kemi dicka nga Balaj?
Vetvetiu të lindin pyetjet si: Në çfarë marrëdhënjësh ishte mbreti Balaj me sunduesit e tjerë ilir? Vendsundimi i tij i saktë? A e kishte gjithnjë statusin e Mbretit dhe fuqia e tij sunduese? Sipas disa monedhave të gjetura ( në Hvar) , aty nuk qëndron titulli i mbretit , por vetëm profili i tij.. A mos ishte sundues i rendit të dytë?Ana e Malit ka qenë në qendër të Mbreterisë Ilire të kohës së Agronit. Thesari shtetror i Mbreterisë Ilire ka pasur pasuri te mëdha. Vetëm romakët arritën te plaçkisnin njëzet e shtatë ponde ari, nëntëmbëdhjet ponte argjendi, trembëdhjetëmijë denarë romak dhe njëqind e njëzet mijë monedha ilire argjendi;orenditë e mbretit Gent dhe 220 anije , – Neritan Ceka.
Pavle Mijoviq, në “Umjetničko blago Crne Gore” shkruan se shkrimtarët Helen e cekin se ilirët ishin të organizuar në etnose (lidhje fisesh) .. dhe se që nga fund ii shekullit të 5-të prK. e deri në shek.e 2-të prK u krijua mbretëria ilire shumë e fuqishme që sundohej nga 15 sunduesish rradhazi që na Sirrhasi e deri tek Genci dhe që sundonin nyjen më të rëndësishme kulturore , pasurore dhe tregtare të Adriatikut. Teuta e famëshme e cila me krenari nuk i pranonte lamëtarët ( kasnecët) romak ishte jo vetëm mbretëreshë por edhe shenjtore fetare ilire.Ishte prijëse e lartë fetare e fesë autoktone ilire ( G. Kovaçi)
Hulumtimet dhjeta vjeqare ne Rezanë , po kryhen në kuadër të projektit ndërkombëtar:
„Risinium –prijestonica kraljice Teute„ « Rezana- kryeqyteti i mbretëreshës Teuta» që përbehet nga arkelogët polak dhe malizias. E na ku jemi? po llypi shumë.
Kush ishte Mbreti Balaj, pra ?

Filed Under: Histori Tagged With: Balaj, Fahri Xharra, Mbreti ilir

SPECIALE – HISTORI – Datat më të rëndësishme të Luftës së Parë Botërore

July 28, 2014 by dgreca

Ne Foto: Shqiptaret gjate Luftes se Pare Boterore, ne radhet e ushtrise Austrohungareze. Foto e publikuar nga Revista “Perparimi”, New York, Qershor 1916. Fotografia ka kete nenshkrim:” Vetedashes shqiptare, bashkeleftojne me Austro Germanet, kundra serbeve. /
PARIS, 6 shkurt /ATSH-AFP/ – Lufta e Parë Botërore filloi më 28 korrik 1914 dhe zgjati deri më 11 nëntor 1918. Konflikti i parë i madh botëror i shekullit XX, “Lufta e Madhe”, që mobilizoi 70 milionë ushtarë nga të gjitha kontinentet, shkaktoi vdekjen e 10 milionë personave, plagosjen e 20 milionë të tjerëve dhe rënien e katër perandorive (ruse, austro-hungareze, gjermane dhe otomane).
Më poshtë vijojnë datat më të rëndësishme të kësaj lufte:
1914
28 qershor – Vritet në Sarajevë trashëgimtari i fronit të Austro-Hungarisë, Franc Ferdinandi i Habsburgëve, nga një student nacionalist, i serbëve të Bosnjes, Gavrilo Princip.
28 korrik – Lojërat e aleancave mes fuqive të mëdha do të trondisin krejtësisht botën me një konflikt të paprecendetë. Austro-Hungaria i shpall luftë Serbisë. Në datën 30 korrik mobilizohet Rusia e cila do që të mbrojë Serbinë, të cilën e ka aleate strategjike.
1 gusht – Gjermania dhe Franca dekretojnë mobilizimin e përgjithshëm. Gjermania i shpall luftë Rusisë.
3 gusht – Gjermania i shpall luftë Francës. Trupat gjermane pushtojnë Belgjikën që kishte shpallur neutralitet.
4 gusht – Britania e madhe i shpall luftë Gjermanisë.
19-24 gusht – “Beteja e Kufijve”, në kufirin franko-belg në veri dhe atë franko-gjerman në lindje, trupat franceze dështojnë dhe tërhiqen me 200 kilometra për t’u riorganizuar në Marne. Data 24 gusht do të jetë dita kur trupat franceze humbasin më shumë njerëz gjatë gjithë luftës, rreth 27 mijë.
23 gusht – Japonia i shpall luftë Gjermanisë.
26-30 gusht – Beteja e Tanenbergut, gjenerali gjerman Hindenburg rrethon trupat ruse, që kishin sulmuar më 17 gusht, më herët se sa kishte parashikuar Berlini, në frontin e Prusisë Lindore.
6-9 shtator – Beteja e Marnesë, ku një kundërofensivë franko-britanike bllokoi avancimin e Gjermanisë vetëm 40 kilometra larg Parisit duke i shtyrë drejt veriut. Rreth një milion ushtarë aleatë përballen me 800 mijë gjermanë. Gjatë luftimeve pati rreth 500 mijë të vdekur dhe të plagosur.
Shtator-Nëntor – Në frontin lindor është duke u zhvilluar “gara për detin”, mes trupave franko-britanike dhe atyre gjermane, të cilat përpiqen që të rrethojnë njëra tjetrën, në 17 nëntor luftimet u kryen në Detin e Veriut. Fronti që tashmë shtrihej deri në kufirin zviceran, nuk do të ndryshojë më deri në pranverë të vitit 1918. Fillon lufta e transheve, që kishte si synim mbrojtjen e kufijve lindorë dhe jugorë. Ky lloj luftimi do të zgjasë gjatë gjithë konfliktit.
1 nëntor – Perandoria Otomane hyri në luftë në krahë të Perandorive të Qendrës, pasi frenoi anvancimin e trupave ruse dhe e izoloi atë.
1915
18 mars-dhjetor – Fillon një ofensivë detare dhe tokësore e Aleatëve në Dardanele, që kishte për synim lirmin e ngushticës dhe goditjen në zemër të Perandorisë Otomane, por doli një dështim i plotë. Më 25 prill, trupa angleze, neozelandeze, australiane dhe franceze zbarkuan në gadishullin Galipoli por u bllokuan nga forcat turke. Ato do të evakuohen përfundimisht në janar të vitit 1915. Gjatë këtij operacioni humbën jetën 180 mijë aleatë, mes të cilëve 30 mijë francezë ndërsa nga pala tjetër, 66 mijë turq. Fronti jugor do të mbetet i bllokuar deri në vjeshtën e vitit 1917.
22 prill – Gjermanët fillojnë sulmin e parë me gaz toksik kundër trupave franceze dhe kanadeze pranë Ypres në Belgjikë.
24 prill – Arrestohen dhe masakrohen më shumë se 2 000 armenë në Konstandinopojë. Ky është fillimi i gjenocidit armen në Perandorinë Otomane që do të marrë jetën e 1,5 milionë personave deri në vitin 1917, por 250 mijë deri në 500 mijë sipas Turqisë.
7 maj – Fundoset transatlantiku britanik ”Lusitania”, në brigjet e Irlandës nga një nëndetëse gjermane ku u mbytën 1 198 persona, mes të cilëve 128 amerikanë, veprim ky që tronditi demokracitë perëndimore.
23 maj – Italia hyn në luftë përkrahë Aleatëve
5 tetor – Zbarkonjnë trupa aleate në Selanik. Hyn në luftë Bullgaria përkrahë Gjermanisë.
1916
21 shkurt – Fillon beteja e Verdunit me një ofensivë gjermane që thyen linjat franceze. Trupat franceze nëpërmjet luftimeve të përgjakshme që zgjatën deri në qershor, arritën të mbajnë nën kontroll sulmin gjerman. Të paktën 300 mijë ushtarë francezë dhe gjermanë vdiqën në “ferrin e Verdunit”, që simbolizon në kujtimet e francezëve heroizmin e “poilus” (quanin francezët në mënyrë informale trupat ushtarake tokësore).
9 mars – Marrëveshjet “Sykes-Picot” vendosin në Lindjen e Afërt zonat e influencës franceze dhe angleze.
7 qershor – Fillon revolta arabe kundër Perandorisë Otomane, e nxitur nga britanikët dhe kryesisht nga i famshmi “Lorenci i Arabisë”.
1 korrik – Fillon beteja e Sommesë, më e përgjakshmja e Luftës së I Botërore, ku më shumë se tre milionë trupa përballen deri në 18 nëntor. Më 15 shtator, britanikët përdorën për herë të parë tanket. 1,2 milionë trupa vdiqën, u plagosën dhe u shpallën të humbur gjatë kësaj beteje, e shenjtëruar në Britaninë e Madhe por edhe në Gjermani.
1917
1 shkurt – Fillon lufta nëndetare me përparësi të Gjeramanisë, kjo solli edhe prishjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA-në.
8-15 mars – Revolucioni Rus (i quajtur edhe “Revolucioni i Shkurtit” sipas kalendareve Julianë që përdoreshin në atë kohë në Rusi). Rrëzohet dinastia e Romanovëve dhe cari NiKolla II abdikon.
6 prill – SHBA-ja hyn në luftë kundër Gjermanisë pasi kjo e fundit fundosi shumë anije amerikane në oqeanin Atlantik.
16 prill-9 maj – Dështim i thellë i një ofensive franceze në “Rrugën e Zonjave”, në frontin e Shampanjës, ku humbën jetën me mijëra ushtarë vetëm në pak ditë. Manifestime të ndryshme filluan në radhët e ushtarëve francezë. Edhe ushtritë e vendeve të tjera do të goditen gjithashtu nga manifestime dhe pakënaqësi gjatë gjithë vitit.
5-6 nëntor – Revolucioni i dytë rus (“Revolucioni i Tetorit”) sjell Leninin dhe komunistët bolshevikë në pushtet.
9 dhjetor – Britanikët hyjnë në Jerusalem, një muaj përpara deklaratës së Balfurit, ku Britania e Madhe deklaroi se ishte pro krijimit të një vatre për popullin izraelit në Palestinë.
15 dhjetor – Nënshkruhet një amnisti në Brest-Litovsk mes Rusisë dhe Perandorive të Bllokut. Rusia më pas do të shtyjë nënshkrimin e Traktatit të Paqes që parashikohej më 3 mars 1918, pasi Gjermania kishte hyrë në thellësi të territoreve ruse.
1918
8 janar – SHBA-ja shpall hyrjen në luftë me një deklaratë të njohur si “Katërmbëdhjetë Pikat”, që do të shërbejë si bazë për traktatet e pasluftës. Ndërhyrja ushtarake amerikane, që do të fillojë në pranverë, do të jetë vendimtare për t’i dhënë fund luftës.
21 mars – Gjermanët lëshojnë sulmin e parë të një serie prej katër ofensivash, në frontin perëndimor, me shpresën që të arrijnin fitoren pëpara se trupat amerikane të zbarkonin. Ata arritën të thyejnë frontin për herë të parë që prej vitit 1914, duke kërcënuar sërisht Parisin. Francezët dhe britanikët u tërhoqën por arritën të rezistojnë.
15 korrik – Kundërofensivë fitimtare e Aleatëve në Villers-Cotterêts, ku mbështetja e trupave amerikane dhe përdorimi i tanKeve shtynë trupat gjermane përtej Marnesë, këtu fillon një tërheqje e Gjermanisë pa kthim, që përfundon me nënshkrimin e armëpushimit. Trupat aleate avancuan gjithashtu edhe në Ballkan dhe në frontin lindor.
Shtator-Nëntor – Bie një pandemi gripi e quajtur “gripi spanjoll” që do të shkaktojë vdekjen e më shumë se 20 milionë personave në të gjithë Evropën brenda dy viteve.
30 tetor – Perandoria Otomane kërkon një armëpushim, që do të ndiqet më 3 nëntor nga Austro-Hungaria.
9 nëntor – Perandori Vilhelmi II abdikon. Filluan manifestime të fuqishme në Berlin.
11 nëntor – Aleatët fitojnë. Armëpushimi me Gjermaninë u nënshkrua në një vagon, në Rethondes, dhe hyri në fuqi në orën 11:00. (materiali u mor nga ATSH)

Filed Under: Histori Tagged With: – Datat më të rëndësishme të Luftës, Histori, së Parë Botërore, speciale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 588
  • 589
  • 590
  • 591
  • 592
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DASHURIA NDAJ ATDHEUT – THEMEL I NDËRTIMIT DHE ZHVILLIMIT TË SHTETIT
  • THE SPHERE (1929) / HISTORIANI GJERMAN, FRANZ BABINGER : “VIZITA IME TEK DERVISHËT E KRUJËS, NJË KOMUNITET I JASHTËZAKONSHËM…”
  • Njoftim publik nga Shoqata Malësia e Madhe – NY
  • “Gjergj Kastrioti Scholarship Fund”
  • Gazeta “Shqiptari i Italisë”
  • KONSULLATA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS NË SHTUTTGART SHËNOI DITËN E PAVARËSISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE PËRURIMIN E HAPËSIRAVE TË REJA TË KONSULLATËS
  • “SKËNDERBEU SHQIPJA QË NDALOI PERANDORINË OTOMANE” E AUTORËVE ITALIANË: ALDO DIOMEDES DHE CLAUDIO DI GIÁ
  • KANDIDAT PËR KËSHILLIN BASHKIAK NË LEWISVILLE, TEXAS, ADRIAN DOKO: “SHQIPTARËT JANË SHEMBULL I INTEGRITETIT, FAMILJES DHE UDHËHEQJES”
  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT