• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUSH ISHTE RAMAZAN DALIPI NGA ZAJAZI?

October 28, 2013 by dgreca

Nga dosja e një antikomunisti nga fshati Zajaz/

Shkruan: Avzi MUSTAFA/

Në këtë trajtesë do të jap një kuadër paraqitës biografik për të mbështetur, në vija të përgjithshme, aktivitetin patriotik të Ramazan Dalipit në vend dhe në emigracion.

Ramazan Dalipi lindi më 05 gusht 1912 në Zajaz të Kërçovës. Ai  lindi  në muajin e  Shenjtë të Ramazanit, andaj i ati Mehmedi e pagëzoi djalin me këtë emër. Mehmedi me lindjen e djalit nuk mund të mos kishte edhe gëzimin edhe besimin se kjo vatër familjare tani e arsyeton si lindjen, ashtu edhe vdekjen, meqë ka kush ta trashëgojë këtë familje.

Si çdo familje në Zajaz, ashtu edhe familja e Mehmedit nuk kishte shumë ditë të mira, sepse koha kur rritej Ramazani ishte një nyje kur shqiptarët në heshtje mezi jetonin e përjetonin varfërinë e disfatën.

Vitet e fëmijërisë dhe të rinisë së Ramazanit karakterizohen vetëm me ngufatje e turbullira të kohës që lanë vulë në shpirtin e tij, as sa edhe qeshjen dhe shikimin t’ia ngulisin si të përmbajtur e të ndrojtur.

Bashkë me shokët e mëhallës, Ramazani ndjek shkollën okupatore serbe në Zajaz. Si nxënës tregonte aftësi dhe talent të pashoq, por shumë i mbyllur e i ndrojtur. Shumë gjëra edhe pse i dinte, nuk fliste, por vetëm vëzhgonte i heshtur. Ashtu si rritej, ashtu rriteshin edhe virtytet individuale të këtij djaloshi. Ai asnjëherë nuk i shikonte njerëzit nga lart, përveç se atëherë kur u shtrinte dorën atyre që ishin të ramë për toke për t’i ngritur. Këtë e shohin kur ai punonte edhe si bujk e punëtor krahu, në shërbim ushtarak nën komandën e Mbretërisë Jugosllave, që ishte një detyrim me shumë mundime për secilin shqiptar.

Shekulli i njëzetë që ishte një shekull i luftërave, një shekull që shtyhen me të madhe gurët e kufijve ku më së tepërmi e preku shtetin Shqiptar, ku asaj ia copëtuan gjymtyrët nga shtetet fqinje të Ballkanit. Nuk do mend se të gjithë shqiptarët krahas varfërisë e vuajtjeve kishin në ideal se si të gjendet rruga dhe mundësitë që  mos të shuhen vatrat në kullat e tyre. Por të huajt shqiptarëve ua kishin vjedhë  lirinë dhe vatanin. Shqiptarët të molisur dhe të futur në greminën e skëterrës për 30 vjet nën Serbi, nuk kishte rrugë tjetër përveç pushkës për të dalë nga kjo gjendje.

Kur edhe në këtë copë territori ku shqiptarët i kishin copëtuar, hasmuar, pa  bukë e shkollë , të detyruar që me trastet në krah të marrin rrugën e kurbetit e kur të mos çmallen me njerëzit e shtëpisë. Kjo jetë me shumë halle e brenga e priste edhe Ramazanin. Ramazani si një djalosh i gjatë e i shëndoshë, shumë shpejt e sidomos pas mbarimit të ushtrisë serbe ra në kontakt me shumë intelektualë e atdhetarë ku patën besim të madh te ky për të marrë ndonjë hap drejt zgjidhjes së çështjes shqiptare.

Me  formimin  organizatave politike, edhe shqiptarët e Maqedonisë të udhëhequr nga intelektualët dhe atdhedashësit e flaktë formuan organizatën e parë “Ballin Kombëtar”, ku më vonë do të formojnë edhe komitetete dhe nënkomitetete në të gjitha trojet shqiptare, që më vonë do të themelojnë njësi e aradha për t’i dalë zot tokës arbërore.

Menjëherë pas formimit të Ballit Kombëtar, më 1943 fushëveprim do të gjejë edhe Legaliteti që vepronte në shumë qytete të Maqedonisë. Ashtu  siç thotë studiuesi Qerim Lita se Balli Kombëtarë dhe Legaliteti nuk kishin dallime të mëdha, por dallimi qëndronte se Balli angazhohej për shtet “republikan”, kurse Legaliteti për “monarki”, me qeveri demokratike.

Ramazani me zemër ishte për të dytën dhe kështu shumë shpejt hyri në radhët e Ballit që më vonë të jap kontributin për Legalitetin, duke bashkëpunuar ngushtë me Muharrem Bajraktarin. Me qenë se ishte trupgjatë, siç thoshin  bashkëvendësit e tij “i kishte hije pushka”, ai hy në njësinë ushtarake dhe merr gradën kapiten. Bëhet dorë e djathtë e komandantit të vendit Mefail Zajazit.

Pas daljes në skenë të dy opsioneve politike: asaj të nacionalizmit progresiv dhe asaj të frontit Nacionalçlirimtar e udhëhequr ngas PKJ, Ramazani me bindje të plotë ishte për Bashkimin Kombëtar. Kështu ai bashkë me Mefailin e Vogël dhe me vëllanë e Mefail Zajazit, si dhe me pesë të tjerë nuk do të heqin dorë nga ideja e bashkimit. Edhe pse kishte  fituar opsioni i Frontit Nacionalçlirimtar ku shumica e shqiptarëve kishin kaluar në taborin tjetër dhe se gjasat për të bërë diçka ishin shumë të vogla, Ramazani në krye me Mefailin e Vogël do të mendojë që të arratisej diku jashtë shteteve komuniste që të vazhdonin misionin. Por, partizanët iu kishin vënë në gjurmë. Pas disa jatakëve, herë në Gostivar e here në Zajaz, vendosën që dimrin ta kalonin në një shpellë mbi Zajaz, te vendi i quajtur “Prroi Vogël“ apo “Xheksina”; aty të qëndrojnë deri sa të dalë pranvera dhe më pas të dilnin në emigracion. Por, partizanët nëpërmjet të ndonjë spiuni, përkatësisht UDB-ja u kishte rënë në gjurmë.

Atë natë të zymtë të fillimit të marsit të vitit 1945, si për kob, kishin biseduar se në qoftë se i zbulojnë të mos bien të gjallë në dorë të pushtetit, nëse ka nevojë të qëllojnë njëri në tjetrin. Mefaili i “Vogël” po atë natë, si asnjë herë tjetër pati një  gjumë të thellë dhe në atë mëngjes të kobshëm i thotë Ramazanit se ka parë një ëndërr shumë të keqe: “se si e ka parë veten duke u shqelmuar i vdekur nga një shqiptar i shitur”, pikërisht ashtu siç i kishte ndodhur edhe Mefalit të Madh, që kishte tentuar ta shkelmojë një bashkëvendës, që partizanët e kishin bërë si komisar.

Në kohën kur Mefaili i Vogël filloi të rruhet me brisk ende pa u shkumëzuar mirë, gjuajnë breshëri plumbash nga pushkët e mitrelezat dhe e plagosin Mefalin e Vogël, kurse të tjerët ikin. Derisa Mefalin e ashtu të plagosur e bartnin në saj për në gjykim, ai kërkon një pikë ujë dhe pas disa minutash ndërron jetë.

Ramazan Dalipin  pas  disa ditësh e kapin dhe me procedurë të shpejtë Gjyqi Ushtarak i rrethit të Manastirit  më datë 25. 04. 1945 me  aktakuzën nr. 555 e dënojnë me 5 vjet burg të rëndë i  akuzuar si anëtar i formacionit kuisling – ballist që “ka marrë pjesë në të gjitha betejat që janë bërë në Kërçovë”.

Burgu i Idrizovës (që gjendet në Shkup) ishte plot e përplot me shqiptarë. Vuajtjet e burgut nuk mund të përshkruhen me fjalë, e sidomos torturat që i bëheshin të gjithë shqiptarëve, veçmas Ramazanit. Për pasojë një grup me 14 të burgosurish shqiptarë, bashkë me  Ramazan Dalipin, në qershor të vitit 1946 u përpoqën të iknin nga burgu. Ikjes ia dalin vetëm 8 vetë, përfshirë edhe Ramazanin, kurse të tjerët u kapën dhe u likuiduan.

Ramazani së pari emigron në Greqi ku jetoi tri vjet dhe pas shumë kërkesash nëpërmjet IRO-së,  transferohet në Bari të Italisë ku qëndroi vetëm një vit. Nga Italia  shkon  në Gjermani dhe strehohet në bazën amerikane “Kompanija 4000” në afërsi të Mynihut. Sipas  dokumentacionit që posedojmë, për Ramazani thuhet se ai pranoi nga CIA që të shkojë në Shqipëri si diversant për të rrëzuar sistemin komunist të cilën ai e quante “murtajë e shekullit”, kurse udhëheqësit  njerëz të “kamxhikut” ku dëshironin që të njerëzit t’i bëjnë të dëgjueshëm të sistemit. Pas disa muajsh stërvitje intensive, ai bashkë me katër shokë: Hajrullah Tërpezën, Abdullah Gashin, Isen Salihun dhe Isen Bajramin emigrant nga Shqipëria me parashutë nga avioni në lëvizje hedhen në vitin 1951 në territorin e Shqipërisë. Por, për fat të keq, të spiunuar nga shërbimet sekrete sovjetike: Isen Bajramin dhe Isen Salihun i kapin të gjallë dhe i likuidojnë. Fatmirësisht Ramazanin, Hajrullah Tërpezën dhe Abdullah Gashin parashuta i hedh diku më larg, kështu që organet sekrete dhe policore shqiptare nuk mundën tќi zbulojnë. Duke kapërcyer malet e Shqipërisë, disi arrijnë të kalonin kufirin e atëhershëm Shqiptaro-Jugosllav dhe fshehtazi arrijnë në Zajaz, ku 4-5 ditë qëndrojnë nëpër kasollet e Zajazit dhe me ndihmën e vëllait të Ramazanit, përsëri kalojnë në Greqi. Nga Greqia shkojnë në Gjermani. Pas tri vitesh Ramazan Dalipit i mundësohet të shkojë në SHBA.

Edhe pas shkuarjes së Ramazanit në SHBA, atë nuk do ta lënë të qetë. Organet jugosllave-maqedonase do ta përndjekin, duke e kategorizuar si: bashkëpunëtor i shërbimeve huaja  zbuluese, si bartës i veprimtarive subversive dhe diversant, si organizator dhe udhëheqës i “Legalitetit” të emigracionit shqiptar, si ballist, si nacionalist shovinist, separatist dhe hegjemonist, si njeri i dënuar.

Ramazan Dalipi do të ndiqet nga organet Jugosllave me pseudonimin “MAHATAN” që nga viti 1975. Nga organet e ndjekjes në dosjen e tij do të shkruhet “Ramazani bën pjesë në “Lidhjen e Prizrenit” në Nju Jork dhe si i tillë ka marrë pjesë në shumë demonstrata armiqësore, gjegjësisht antijugosllave”.

Ramazan Dalipi ishte një njeri serioz, i fjalës dhe i besës e mbi të gjitha human. Ai nuk ishte i qetë kur dëgjonte se rrugëve të trafikimit kanë ardhur shqiptarë nga vendet amë e sidomos nga Kërçova.  Merrte avokatin dhe shkonte që t’i dërgonte në shtetet e Amerikës. Në biseda përherë theksonte se “unë e di se çfarë është sistemi komunist, por vendi është më i dashur, kjo më dhimbset”. Të gjithë emigrantet i vendoste disa ditë në shtëpinë e tij, u gjente punë. Kishte shumë miq, sepse ai ishte edhe pronar i një restoranti.

Organet e ndiqnin këmba këmbës. Policia sekrete nëpërmjet  bashkëpunëtoreve Ramazanit i kishin caktuar dhjetë veta ta ndiqnin e përcillnin çfarë bën, me kë kontakton etj. Ata mbanin nofkat: “Obllak”, “Oran”, “Orion”, “Treska”, “Shej”,”Baftir”, “Nazmija”, “Kluç”, “Dobre Mitrevski”, “Moris”. Të gjithë këta bashkëpunëtorë kishin detyra të caktuara që të ndiqnin aktivitetin e Ramazanit dhe të emigrantëve të tjerë shqiptarë.

Xha Ramazani, ashtu siç e thirrnin, nuk trembej nga përndjekjet, atij nuk i bëhej vonë, kishte qëndrimet e veta dhe atë që e bënte nuk i binte pishman, por revoltohej nga gjërat e pavërteta që ia mvishnin. Këtë mund ta shohin në dosjen e tij “Vështrim mbi gjendjen e bartësit të OO “Mahatan” me nr. 390/2 G.03-5393/111 të 15 qershorit 1980 ku mund të shihen të gjitha burimet me pseudonime kush çka thotë e shkruan raporte për xha Ramazanin.

Xha Ramazanin e mundonte brenga dhe malli për atdheun, me dëshirë e shpresë që të shihte edhe një herë Zajazin. Sa e zinte gjymi, ëndrrat e shpinin në vendlindje, në Zajaz.  Kjo dëshirë iu plotësua më vitin 1991, kur ai erdhi që ta shohë për herë të fundit vendlindjen, Zajazin që aq fort e donte.

Filed Under: Histori Tagged With: Avzi Mustafa, Ramazan dalipi, Zajazi

GARDA MBRETËRORE,INSTITUCION NDERI DHE BESE

October 28, 2013 by dgreca

Shkruan:Eugen SHEHU/

 Në rrjedhat e trazuara të ngjarjeve,në vitet 20, të shekullit që lamë pas,do të mbetet padyshim,si një kujtim i largët dhe i hidhur,grushti i shtetit i qershorit të vitit 1924.Falangat,anarkiste,të yshtura prej mësuesve të parë të komunizmit në Shqipëri,nëpërmjet atij grushti shteti,kërkuan të shkëputnin kombin tonë prej vizioneve perëndimore të zhvillimit,për t’ia lënë peng doktrinave ogurzeza të bollshevizmit,i cili kish shpikur teorinë e revolucioneve proletare për t’i hapur udhë diktaturës më të egër në botë.Parë në këtë rrafsh,ngjarjet e qershorit 1924,indiferenca popullore karshi kabinetit ministror,të Nolit dhe pritja entuziaste që iu afrua Zogut më 24 dhjetor 1924,dëshmuan,tek e mbtamja pjekurinë politike të shqiptarëve.Ndërkaq,kjo ngjraje e hidhur,nuk mund të kalohej lehtë edhe nga kryeministri shqiptar i asaj kohe,burrit të Matit,Ahmet Zogu,i cili,ndjeu në shpatulla barrën e rëndë të ndërtimit të shtetit modern,një orë e më parë.Ai kishte të qartë se themelet e hedhura në vitin 1920,me qeverinë e dalë nga kuvendi historik i Lushnjës,vlente të rishiheshin nën prizmin e ndryshimeve të mëdha që sillte koha.Më tej,mbi këto themele duhej të ngriheshin mure të forta të betonuara,me ç’rast do t’u bënin ballë tërmeteve politike si ai i qershorit të vitit 1924.Duhet pranuar,se neve shqiptarëve në shekuj me radhë na ka pëlqyer kurdoherë anarkia,më shumë se regulli apo ligjet e administratës.Instikti për të qenë i pavarur,në kushtet kur Shqipëria po bënte shtetin e vet (ndonëse decenie më pas se fqinjët tanë ballkanik) e pengonte së tepërmi administratën shqiptare të kohës.Është kjo arsyeja që kryetari i Republikës,Ahmet Zogu,në fillim të vitit 1925,do të niste menjëherë nga puna për mëkëmbjen e shtetit modern,në çdo aspekt të funksionimit të tij.Krahas hartimit të kodit Penal,Kodit Civil,Organizimin e  Avokatisë dhe në përgjithsi të Drejtësisë,burri i mençur i Matit  do të niste edhe nga organizimi i forcave të armatosura shqiptare.

Në shkurt të vitit 1925,ai kërkon ndihmën e Britanisë së Madhe,me ekspertë në fushën e xhandarmërisë.Kështu,mbrrijnë në Tiranë,kolonelët mbretërorë Stirling dhe Mirac,të cilët njihen me gjnedjen konkrete,me situatën e brendshme në Shqipëri,me kufijtë tanë,duke programuar kësisoj masa konkrete.Në fundmarsin e vitit 1925,Ahmet Zogu i paraqiti parlamentit shqiptar një plan të detajuar,në të cilin,parashihej një shkrirje e strukturave të deritanishme dhe funksionimi i një varg organizmash të rinj,në përputhje të plotë me situatat që kalonte vendi.Brenda numrit të përgjithshëm të milicëve,u pa e arsyeshme,të përgaditej një raport spezial,ose siç u quajt atëherë „brigadat personale“ e cila do të ishte tejet e përgaditur,për të kryer sa ma shpejt dhe me guxim,detyrat e dhëna prej kryetarit të Republikës.Ndonëse ky repart i specializuar,u quajt „Gardë për ruajtjen e Presidentit“,funksionet e tij,normalisht i kalonin kufijtë e këtij emërtimi.

-Së pari,kjo gardë nuk mund të nënkuptonte vetëm idhtarë të Ahmet Zogut.

-Së dyti,disiplina që përshkonte këtë repart ishte e vetëdijshme dhe në shkallën më të lartë.

-Së treti,ajo si strukturë ishte nën kontrollimin e plotë të komandës së përgjithshme të xhandarmërisë dhe kryente plot detyra të tjera në vartësi të saj.

Për më tej,detyra e çdo pjestari të kësaj strukture,ishte e shenjtë,sepse lidhej drejtëpërsëdrejti me besën që po i jepej kombit,për t’i shërbyer atij deri në çastin më sublim.E shoh të udhës,të sjell në këto rreshta,betimin e detyrueshëm të gardistëve ( ashtu si për krejt ushtarët e tjerë të karierës) i cili ende sot tingëllon aktualisht ; „Bëj be,me i ndenjë bensike kryetarit të Republikës,me ba theror jetën per mbrojtjen e Atdheut dhe të ligjes themelore,mos me lanë Flamurin kurrë,me u sjellë pik për pikë simbas ligjeve ushtarake,me iu bindë plotsisht e pikërisht urdhërave të eprorëve,me mbajt e me vuejt nji disiplinë të fortë e me ba çdo gja,që nderi e liria e Atdheut e kërkojnë prej meje.Besa-Besë, Besa-Besë,Besa –Besë!“.(Arkivi Qendror i shtetit-Tiranë.Fo. Komanda Ushtarake,dos 2,fl.202)

Materialet e shumta arkivore,na bëjnë me dije,se fusha e veprimtarisë së këtij reparti special,ishte mjaft e gjërë.Detyrat e gardistëve,as nuk filluan dhe as nuk mbarruan kurrë brenda mureve të presidencës shqiptare.Të instruktuar sidomos nga koloneli Sterling,këto detyra u shtrinë më gjërë në ruajtjen e personaliteteve të tjera shtetërore apo të huaj,në Shqipëri,në sigurimin e qetësisë speziale që u jepeshin reparteve të xhandarmërisë shqiptare të asaj kohe.Sigurisht kjo verpimtari e gjërë,në disa rrafshe,kërkonte jo vetëm dashuri e përkushtim ndaj atdheut e Presidentit,por sidomos përgaditje të larta teorike,profesionale e fizike,duke u shndruar në avangardë të forcave të armatosura shqiptare.Nëse kemi sadopak parasysh,gjendjen e brendshme në Shqiopëri,në vitin 1925,bindemi lehtë për përgjegjsinë e madhe morale,që binte në supet e njoma të gardistëve.Me rikthimin e Ahmet Zogut,e vërteta është se shumë prej politikanëve,oficerëve të lartë apo ministra u larguan nga Shqipëria.Për këtë shërbeu edhe gjyqi i janarit,i vitit 1925.Por disa muaj më pas,me porosi të vetë Ahmet Zogut,fajtorët u falën dhe shumë prej tyre u kthyen menjëherë në Tiranë.Disa prej tyre vijuan punën duke vënë shpirtin dhe mendjen e tyre në shërbim të Atdheut.Të tjerët,vazhduan prapaskenat,duke dashur që në vend të ligjit të fitonte anarkia dhe në vend të zhvillimit prapambetja.Të tjerë akoma, eshihnin Ahmet Zogun,si barrikadë, e cila nuk lejon të luash me fatet e popullit.Pikërisht në këto momente të vështira,duke dashur të punoje sa më qetsësisht për kombin e vet dhe për të mos rëndua buxhetin e varfër të Shqipërisë,Ahmet Zogu mendoi të kishte rreth vehtes 7-8 gardistë.Kështu,me atributet e komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura,ai  dekretoi formimin  edegës së Adjutantëve.“ Në përbërje të së cilës,emëroj kapitenët Zef Serreqi e Llesh Topallaj.Ndërsa adjutant nderi,emëroj nënkolonelin Malo Bushati“. ( Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë,Fondi Kryeministria,dosja 11-137/1, fleta 341 ).

Në mënyrë të përgjithshme,veprimtaria e degës së adjetantëve,përfshinte zbatimin e porosive të komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Aramtosura,shoqërimin e tij në Shqipëri dhe jashtë saj,paraqitjen dhe përcjelljen e personale të ndyrshëm që takoheshin me komandantin,si edhe kontrrollin e përditshëm të sistemit të sigurimit fizik.Madje në maj të vitit 1926 u hartua dhe u mirata një rregullore e veçantë e adjutantëve.Në paragrafet e kësaj rregullorreje,ishin përcaktuar qartë detyrat dhe të drejtat e adjutantëve,ku përparësi u jepeshin besnikërisë së tyre ndaj Komandantit të Përgjithshëm,Atdheut dhe Kombit.Gjatë viteve 1926-1928,kjo degë u pasurua me lementë të rinj,të cilët,u dalluan jo vetëm për frymën luftarake që suallën,por edhe për besnikërinë e patundshme ndaj Ahmet Zogut.E patrajtuar ende prej historiografisë sonë,janë lufta dhe përpjekjet që forca të brendshme dhe të jashtme në bashkëpunim të ngushtë midis tyre,që kanë bërë kundër Ahmet Zogut.Një e tillë,është dhe ajo e muajit 1928.Pa dashur të analizojë në thellësi atentatin që mbeti në tentativë,ndaj Ahmet Zogut,në majin e vitit 1927,midis disa ithtarëve të Komandantit Kombëtar të Mbrojtjes së Kosovës dhe drejtuesve të Organizatës Maqedone VMRO (Vunutrashna Makedonska Revulucionarska Organizacija) pat filluar një bashkëpunim tejet i çuditshëm.Ky bashkëpunim,nuk i shihte aspak me sy të mirë,traktatet që Shqipëria po lidhte me Italinë.Madje shihte si të tepëruar,prirjet e Ahmet Zogut për të qenë sa më i hapur karshi perendimit.Në janarin e vitit 1928,në mënyrë disi paradoksale,nëpër rrethet intelektuale shqiptare,diskutohej mbi të ashtuquajturin “Komitet maqedonas i Tiranës”,i cili kërkonte të ndikonte kundër politikës evropiane të shtetit shqiptar.Në pranverën e vitit 1928,ky komitet,në bashkëpunim të ngushtë me VMRO-në si edhe njerëz të fshehtë të Internacionales së Tretë Komuniste (komiterni) vendosi të kryeje atentat kundër Presidentit të Republikës Ahmet Zogu,pak ditë përpara se të zhvilloheshin zgjedhjet për Asamblenë Konstituente.Ky atentat i përgaditur me kujdes,kërkonte zhdukjen e Ahmet Zogut nga skena politike,duke parë ate si pengesë kryesore për riinstalimin e komunizmit dhe krijimin e konfederatës ballkanike,me ç’rast kufijtë e shtetit amë shqiptar,do të pësonin një rudhje tjetër.

Kur po arrinin ditët e mbrame të relizimit,komploti u zbulua prej segmentëve të Ministrisë së Brendshme shqiptare dhe komplotistët u arrestuan.Në gjygjin e shtetit më 2 qershor 1928,Teodor Vulkanof,Haxhi Murati.Ibrahim Arapi dhe Teodor Gjorgjev,dëshmuan me hollësi mbi mënyrat e realizimit të atentatit,duke treguar personazhet politike shqiptare e maqedonase,të cilët fshiheshin pas tij.Anipse,atentati në fjalë u zbulua,gadishmëria e degës së adjutantëve ishte në shkallën më të lartë dhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcate të Armatosura,në falenderimin që u bëri atyre,i përgezoi për guximin dhe profesionalizëm në kryerjen e misionit fisnik.Më 24 qershor 1928,dega e adjutantëve i nënshtrohej një  organizimi të ri.Tashmë,me urdhër të Ahmet Zogut,ky repart merr emrin Garda e Republikës dhe festohet si e tillë kurdoherë.

Më 1 shtator të vitit 1928,nisur nga mentalitetet dhe vullnetet e popullit,Asambleja Kushtetuese, e dalë prej votës së lirë të zgjedhjeve e kaloi Shqipërinë në stadet e Mbretërisë Demokratike Parlamentare dhe të trashëgueshme,ndërsa Presidenti i saj,Ahmet Zogu,do ta prokalmonte si “Mbret të Shqiptarëve”,të quajtur Zogu i Parë.Në këtë kontekst,ndrron emërtimi dhe Garda e Republikës e cila,paskëtej do të thirrej “Garda Mbretërore”.Si një nga komponentet e rëndësishme të Armatës Kombëtare Shqiptare,”Garda Mbretërore” do të përballej paskëtej me një varg detyrash të rëndësishme,të cilat do t’i kryente me një shkallë të lartë përgjegjësie.Misioni të cilët gardistët mbretërorë,u përpoqën t’a kryenin me devocion ishte shumplanësh,si në aspektin juridik ashtu edhe profesional.Në themel të jetës dhe veprës së gardistëve mbretërorë,kanë qenë padyshim kërkesat e rregulloreve ushtarake të mpleksura këto me dashurinë e shenjtë ndaj Kombit dhe Atdheut.Ndërkaq nuk duhet të harrojmë për asnjë çast,se detyrat e “Gardës Mbretërore” ishin të dukshem edhe në aspektin moral.Pothuaj në të gjitha stërvitjet e atyre viteve,ceremonive apo paradave të ndryshme,gardistët mbretërorë,me disiplinën dhe fisnikërinë që i karakterizonte,mundën të arrijnë parametra të larta gadishmërie,duke filtuar besimin e popullit të tyre.Ky mision,frymëzohej padyshim nga paragrafet e rregulloreve ushtarake,ku pos të tjerave kumtohej : “Efektivat tanë,kanë për detyrë mbrojtjen e nderit,të pavarsisë e të tërësisë toksore të Atdheut dhe të interesave të larta morale e materiale të shtetit”.

Zhvillimet e vrullshme politike,në vitet 1927-1928,do të sillnin ndryshime të vazhdueshme në strukturat e forcate të Aramtosura.Në këtë kontekst,riorganizime të vazhdueshme në këto vite,do të pësonte edhe efektivi i “Gardës Mbretërore”,për tiu përshtatur sa ma realisht situatave që kalonte vendi.Quadri ligjor në këto struktura erdhi duke u përmirësuar dhe veprimtaria e gardistëve shqiptarë ishte plotësisht e kontrolluar,veçanërisht nga Mbreti i Shqiptarëve,Ahmet Zogu.Madje jo vetëm në struktura por edhe në organizimin e tyre,gardistët shqiptarë (falë edhe eksperiencës së ushtarëve të huaj) po u afroheshin gjithnjë e më tepër modeleve perëndimore.”E përfshirë në ndryshimet e shpejta të sistemit të ri të organizimit të Ushtrisë shqiptare,efektivi i Gardës u shtua dhe u fuqizua në forca e armë,brenda për brenda kufijve të një formazioni më të lartë se ai i kompanisë që egzistonte më parë.Batalioni i Gardës tashmë përbëhej nga 4 kompani këmbësorie, 1 togë kavaleria,si edhe në vartësi  të këtij formazioni u fut edhe banda mbretërore”.(“Historia e Ushtrisë Shqiptare “ – Tiranë 1998 , faqe 187 ).

Nisur nga veçoria e detyrave që duhej të kryente,si edhe nga numri i forcate që e përbënin ate,Komanda e Gardës Mbretërore,u vlersua nga ekspertët ushtarak si komandë e lartë dhe u përcaktua në vartësi të drejtëpërdrejtë të Komandës së Përgjithshme të Fuqive të Armatës.Me këtë rast,efektivat e Gardës Mbretërore,u konsideruan si trupë e zgjedhur dhe kujdesi i shtetit shqiptar,doemos ishte i madh.Nga ana e tyre,këto efektiva,u përpoqën me çdo kusht të arrinin çdo objektiv,sado i vështirë të ishte ky,duke iu përmbajtur parimit se shërbimi në këtë repart të nivelit madhorë,duhet të konsiderohet jo vetëm si nder e lavdi,por para se gjithash si obligim ndaj interesave të mëdha të kombit.Në fillim të viteve 30-ta,të shekullit që lamë pas,Garda Mbretërore, përveç një personeli të mjaftueshëm me oficerë,nënoficerë e gardistë,kishte në përbërjen e vet edhe 71 kuaj,nga më të mirët në Shqipëri.Kjo bëri që Garda,të realizoj detyrat luftarake jo vetëm në nivele të larta cilësore,por edhe brenda kufijve kohore të shkurtër.Zgjerimi i mundësive lëvizëse,u dha impulse të reja gardistëve shqiptarë,në situatat luftarake .Terreni i thyer shqiptar,si edhe rrugët e pakta automobilistike, e shihnin si të domosdoshme rritjen e numrit të gardistëve kalorës dhe parlamenti e qeveria shqiptare,nuk u kursyen për këtë rast.Vite më vonë,ambasadori i SH.B.A-ve në Shqipëri ( në vitet 1930-1935) do të shkruante pos të tjerave në kujtimet e veta ; “Një xhandarmëri u organizza dhe një ushtri e vogël ish në gjendje të lëvizte shumë shpejt.Kështu,gurët themelore të një Shqipërie të fortë,të lumtur dhe të pavarur,po i vireshin në vend”.(Herman Bernshtain “Mbreti Zog kallxon historinë e tij” – Dardania,Tiranë 1993, faqe 24 ).

Me dekret ligjin e datës 30 qershor 1931,nën titullin « Mbi rregullin e Ushtrisë Kombëtare” thuhet se në strukturën e Gardës Mbretërore,bëjnë pjesë komanda,një kompani dhe një skuadër,me çrast synohet efektivi gardist të aftësohet sa më shumë për të përmbushur detyra operative.Gjithashtu po në këtë dekret ligj,i kushtohet rëndësia e duhur përgaditjes dhe kualifikimit të kuadrove gardiste,nëpër akademitë ushtarke jashtë vendit.Për hir të së vërtetës,vlen të thuhet se në vitet 1925-1939,janë me dhjetra gardistë shqiptarë,të cilët me bursat e shtetit të tyre u përgaditën nëpër akademitë e larta të Italisë,Austrisë,Francës etj,dhe sullën prej andej një përvojë me të vërtetë të pasur.Banda muzikore,në përbërje të Gardës Mbretërore,do të kishte si efektiv të përhershëm të saj mbi 50 muzikantë,nga më të talentuarit në Shqipëri.Përveç shërbimeve të ndryshme cerimoniale,kur banda frymonte eksekutonte himnin tonë kombëtar,kur mbante të ndezur nga emocionet zemrat e mijëra shqiptarëve,ajo funksiononte edhe si një orkestër e mrekullueshme frymore.Në mënyrë të padiskutueshme,dy herë në jyvë,kjo bandë dilte nëpër rrugët e kryeqytetit shqiptar,me uniformën e shkëlqyer të gardistëve,duke marrë melodi nga më të bukrat,marrshe shqiptare dhe të huaj.Pas marrsheve të gardistëve,ishin me qindra nxënës të shkollave që mblidheshin nëpër sheshe e këndonin këngët tona patriotike.Në kundërshtim me thëniet e historiografisë comuniste,apo të një vargu veprash latrare të realizmit bollshevik shqiptar,Garda Mbretërore,askurrë nuk ka shërbyer fshehtas, e trembur prej popullit të vet.Për më tej,vetë Mbreti i Shqiptarëve,Zogu i Parë,jo vetëm që nuk ka qenë i rrethuar prej gardistëve,por përkundrazi,megjithë atentatet e kurdisura nga kundërshtarët e vetë politik,ai nuk ka munguar të zbresë në popull,i shoqëruar vetëm nga 1 apo 2 gardistë.E shoh me vend të sjell në këtë trajtesë,një pasazh nga fjala e të madhit Faik Konica,i cili, duke folur në radion e “Vashington Times”,më datë 17 janar 1932,i drejtohej popullit amerikan,pos të tjerave : “Do t’ju jap një shembull të thjeshtësisë admirueshme të mbretit Zog.Tre vjet më parë,duke qenë në Tiranë,në Kryeqytetin e Shqipërisë,mu besua një punë e veçantë nga Mbreti dhe i raportoja atij mbi punën time,çdo ditë.Një ditë i kërkova leje që të mungoja nga puna.Mbreti mirësisht më pyeti për arsyen.I thash se dëshiroja të shkoja në Durrës,me qëllim që të vizitoja në lagjen e atij qyteti,skenën e betejës së famshme midis Cezarit dhe Pompeut,në vitin 48 para krishtit.Për kënaqsinë time,Mbreti më tha se edhe ai vetë donte të vizitonte përsëri ate fushëbetejë historike… Në kthim kishin dalë rreth 15 mijë njerëz për të përshëndetur Mbretin.Ai urdhëroi ndaljen e automobilit dhe doli,duke biseduar me kënaqësinë e tij demokratike,trimërinë dhe popullaritetin në Shqipëri”.(Intervistë Faik Konica në radio “Vashington Times”17.janar.1932)

Garda Mbretërore shqiptare,ka patur ndërkaq edhe heronjtë e saj,ata që me sakrificat sublime të tyre,u përpoqën dhe ruajtën të pacenuar,nderin dhe dinjitetin e mBretit dhe të Kombit shqiptar.Heroi i parë i këtij formazioni mbretëror padyshim është kapiteni Llesh Topallaj,i cili në Vjenë,dha jetën e vet,duke mbajtur jetën e Mbretit,prej sulmit të dy shqiptarëve.Emri i tij,gjendet i shkruar sot,me germa të arta,në memorialin simbolik të gardistëve,në vendin e parë.Vlen gjithashtu të mos harrojmë se dhjetra e dhjetra gardistë mbretërorë,në vitet 1939-1944,treguan shembuj të shumtë sakrifice,duke udhëhequr formazione legaliste në luftëra të pambarimta e të pabarabarta si kundër okupatorëve sllav,ashtu edhe tundra atyre fashiste e comuniste.Në këto luftime,spikatën jo vetëmn guximi dhe trimëria e gardistëve mbretërorë,por edhe largëpamësia politike e tyre.Të bindur se luftonin për Mbret e Atdhe,shumë prej tyre vaditën me gjak trojet etnike të Shqipërisë,duke dhënë jetën si me le.Pmavarsisht se jetët e shkurtëra dhe heroike të tyre,janë mbytur në baltëra ideologjike bollshevike,shembulli fisnik,duke kaluar deceniet vjen sot si klithmë kushtërimi për paqë dhe ardhmëri shqiptare.Ndonëse në vitin 1944,në mënyrë krejt të paligjshme,i ashtuquajturi Kongres i Përmetit, e ndaloi kthimin e Mbretit Zog në Shqipëri,gardistët mbretërorë i qendruan besnik lëvizjes legaliste edhe në mërgim.Kudo ku janë të shpërndarë,ende sot,në Francë,Itali,Belgjikë,Turqi, Amerikë apo Angli,gardistët e dikurshëm mbretërorë,janë kthyer në interpret të fuqishëm të ndejnjave liridashëse të kombit të tyre.Ata ende sot luftojnë me forcë zemre,për Mbret,Atdhe,Komb  e krejt kufijtë etnike arbërore.

Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen shheu, Garda Mbreterore

“PSE NUK DENONCOHEN KRIMET E KOMUNIZMIT ?!”

October 26, 2013 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI*/

Ne Foto: Bisedimet me 4 – 11 Shkurt 1945 në Jalta…/

Mbas bombardimit të Tiranës, vetem ky “mur”…mbeti në Europë!/

Tue shikue këte copë “muri” që shumkujtë i duket si “monument”, më shkon nëpërmend një fjalë popullore: “Ishin nda rrisqet!”, kështu, thonë disa…

Plot 70 vjetë që “Historia e Shqipnisë”, ka marrë pamjen e disa legjendave, ku me vështirësi mundesh me kuptue se kapitujt e saj, nuk janë “përralla” të mbledhuna nga goja e Popullit, po janë të menduem e të shkruem prej “dr. prof. e akademikëve” tanë të dijtun…si thonë disa: “deri aty!” Edhe sot të bajnë me mendue “ku, kishim vojtë!?”

Mercenarët në Shqipni “drejtojnë” shtetin… Mercenarët janë edhe “akademikë” të Akademisë së Shkencave të RSh, dhe po, prap mercenarët, janë “dr. Prof.” e disa universiteteve të Shqipnisë… bash ata, që jo vetem shkruejnë “Historinë”, po edhe janë tue pergatitë “brezin” e dijetarëve t’ ardhshëm! Dhe, ma e shemtuemja gja asht se edhe ata e dijnë mirë, se po pergatisin një brez tjeter mashtruesish e gënjeshtarësh si veten.

Cili shtet në Europë nuk ka një Histori të vertetë të shkrueme, si Shqipnia?

Nga viti 1939 Shqipnia kje e pushtueme nga Italia fashiste dhe ma vonë, në 1943 në Shqipni, erdhën forcat ushtarake gjermane. Në relacionin e Militarbefehlshaber Sudost të Vermahtit Gjerman, shkruhet: “Një administrim ushtarak në kuptimin e mirëfilltë në Shqipëri, nuk ekzistoi… Politika e Gjermanisë pati si parim prijës rëspektimin e Shqipërisë si Shtet neutral dhe i pavarur.” Ishte e para herë në Histori, që Shqipnia ishte bashkue me Trojet e veta të mohueme dhe të masakrueme…

Në pragun e sulmit gjerman ndaj Jugosllavisë, Stalini ka nenshkrue një Traktat me Beogradin, dy palët i qendruen “besnikë” per aqsa u interesoi…Këte vertetoi Jalta!

Nga libri i z. Henry Kissinger “Diplomacia”, botue në Tiranë, 1999, kam mujtë me krijue bindje të plota per të gjitha ata fakte historike, që per vite të tana nuk i “kishe lexue në asnjë dokument historik të botuem.” Ju falemnderës z. Kissinger!

Kush ishin komunistët “tanë” dhe kush e formoi Partinë Komuniste tek ne?

Pse Aleatët u lidhën me komunistë, dhe pse i ndihmuen ata tradhëtarë?

Ruzvelti deklaron në Jalta: “Unë nuk dua që Shtetet e Bashkuara të kenë barren e rindertimit të Francës, Italisë dhe Ballkanit.” (fq. 396)

Nuk ua kishin tregue padronëve Aleatë, oficerët e tyne që ishin nder Malet tona besen, burrninë e bujarinë e Shqiptarëve të Veriut, që per 4 vjet nuk u vra një oficer?

“Ruzvelti e pranonte një pjesë të mirë të strategjisë së Çërçillit, por nuk mund të pranonte zbarkimin në Ballkan.” (fq. 404)

Nuk e dinin Aleatët se mercenarët e PKSh, janë të shitun tek bolsheviku Tito, dhe se Enver Hoxha asht një tradhëtar anadollak, që do të shesin Shqipninë tek sllavët, per të mbushë xhepat…dhe se, lufta e tij kishte subjekt shkatrrimin e Veriut të Shqipnisë?

A e dinin Aleatët qendrimin e Shtetit dhe të Shqiptarëve ndaj çifutëve tek ne?

Po, sa çifutë mërrijtën në ShBA me pasaporta Shqiptare, a e dinte Ruzvelti?

“Ruzvelti pranoi planin e Stalinit, per të spostuar kufijtë e Polonisë në Perëndim dhe vuri në dukje se nuk do ti bënte presion Stalinit per Balltikun…dhe as per të spostuar në Perëndim dhe kufirin Perëndomor deri në lumin Oder…” (fq. 411)

Po kur vune firmen në dokumentin e “Vendimeve të Jaltës”, nga 4 deri 11 Shkurt 1945, nuk ua vrau synin as Ruzveltit dhe as Çërçillit, “mungesa” e Shtetit Shqiptar, si Shtet i Lirë, demokratik dhe i Pavarun në Harten e Ballkanit të pergjakun?

Ruzvelti shkruen: “Mendoi se ai (Stalini FR), është përfaqësuesi i vërtetë i zemres dhe i shpirtit të Rusisë, dhe unë besoj se ne do të shkojmë shumë mirë me të dhe me popullin rus – vërtetë shumë mirë.” (fq. 413)

Atëherë, pse po sakrifikohej Europa Lindore deri poshtë në Shqipni Europjane?

Pse Aleatët në Jalta ishin kunder vendosjes së demokracisë, në zgjedhjet e 2 Dhjetorit të vitit 1945, dhe pse u pajtuen me vendosjen e diktaturës komuniste në Shqipni?

Nuk ishin të dijtun per perpjekjet e Popullit Shqiptar nder shekuj me shpetue nga zgjedha sllave e aziatike e osmanllinjëve, dhe sa i kishte kushtue këtij Populli lufta?

“Dy vitet e para të luftës, vetem Jugosllavia dhe Shqipëria vendosën diktatatura komuniste... ‘demokraci të reja’ Jugosllavia, Polonia, Çekosllovakia dhe Shqipëria.”

Sa pushkë kanë shprazë Aleatët per me na “çlirue” këta 100 vjetë, apo duhen pyet:

Sa sterlina dhe mitraloza i keni dhurue Enver Hoxhës, per me zhdukë Atdhetarët?

Kur u pushkatue grupi antikomunist “Bashkimi Shqiptar” i drejtuem nga një demokrat 25 vjeçar Mark Çuni, që kerkoi zgjedhje pluraliste në Shqipni, ku ishin ata Aleatët që predikonin “Liri, Demokraci dhe Barazi mes Popujve të Botës!”?

Nuk i kishte shpjegue padronëve Aleatë, koloneli Niell, kerkesen e Don Ndre Zadejës, dhe cila ishte e ardhmja e jonë, kur u pat takue me té në qelen e Sheldisë?

As pushkatimin e Don Ndreut me Prekë Calin… nuk e morën vesh Aleatët?

As pushkatimin e deputetëve dhe qeveritarëve Europjanë në Tiranë, nuk ua tha asnjë nga oficerët e misioneve të tyne, as mbasi u takue me ta Imz. Vinçenc Prennushi, në zyret e misionit anglez dhe i shpjegoi persekucionin e katolikëve në Shqipni?

Ku perfundoi Imz. Jul Bonatti, mbasi anglezët e sollen nga Roma në vitin 1946, dhe ua dorzuen komunistëve të Tiranës, që e derguen në manikomjo…çka u ba me Té?

Po, Mark Gjomarkagjoni me dhjetra ushtarakë tjerë… që Aleatët, u thanë: “Ju, na  pritni nder male e shpella, se shpejt rikthehemi me vendosë demokracinë, çka u banë?

Po, per perkthyesit me Aleatët, z.z. Xhelë Meta, Ndrekë Kodheli etj., a moren vesh çka bani E. Hoxha, e ku perfunduen kufomat e Tyne, vetem pse dinin “sekretet”?

***

Kush ishin Aleatët ? – Ruzvelti, Stalini dhe Çërçilli…

Kush e bombardoi Tiranën me 13 Tetor 1943 ? – Aleatët…

Kush ua dorzoi Shqipninë, Titos, Stalinit, Mao Ce Dunit…?

***

“Numri i sovjetikëve të vrarë (përfshirë civilët) ishte mbi 20 miljonë. Perveç kësaj, numri i të vdekurve në spastrimet e Stalinit, kampet e përqendrimit, kolektivizimin e detyruar dhe uria e krijuar qellimisht, llogaritet 20 miljonë të tjerë e ndoshta, 15 miljonë vetë mbijetuan burgun e gulagun.” (“Diplomacia” fq. 438). Kjo ngjau në BRSS…

Pa hy nder shifrat e panjohuna të shteteve të Europës Lindore, sot me të drejtë duhet të pyesim: “Sa asht numri i të vramëve dhe të zhdukunëve nder burgjet, kampet e shfarosjes apo të masakrimit komunist në Shtetin Shqiptar, dhe ajo ma kryesoria:

PSE NUK DËNOHEN KRIMET E KOMUNIZMIT NË EUROPË DHE NË SHTETIN MA TË SHPARTALLUEM E TË VARFEN, SHQIPNINË EUROPJANE ?

***

Presidenti Ronald Reagan, porsa mori postin e Presidentit Amerikan me 20 Janar 1981, shpalli menjëherë në programin e Tij idenë e përkryeme:

“Objektivi që unë propozoj asht lehtësisht i arritshëm:

Inkurajimi i infrastrukturës së demokracisë: Sistemi i një shtypi të lirë, shoqatave, partive politike, universiteteve, të cilët do të lejojnë njerëzit me zgjedhë lirshëm rrugën e tyne… Perandoria e së keqes luftohet me mediat e lira, shoqni civile, partitë politike dhe intelektuali i mirfilltë.”

Fjala e Tij historike mbyllej:

“Le të nisim përpjekjen finale drejt ma së mirës: Kryqëzatën për Liri”.

 Të shpresojmë !

*13  TETOR  1943-70 VJETORI I BOMBARDIMIT Të TIRANëS-Pjesa e III/

Melbourne, Tetor 2013.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, jalta, krimet e komunizmit, pse nuk denoncohen

GARIBALDINËT DHE SHQIPTARËT

October 25, 2013 by dgreca

GARIBALDINËT U TËRHOQËN KUR MËSUAN SE NË RADHËT E TURQËVE KISHTE SHQIPTARË/

Dielli-Arkiv: Pas një telegram nga Roma të botuar në Progresso Italo-Americano të New Yorkut, katërmbëdhjetë italianë, që kishin shkuar të lëftojnë për Greqinë kundër Turqisë, në trup të Garibaldinëve, u hoqnë nga sheshi i luftës posa mësuan që bashkë me ushtrinë turke ndodheshin edhe grupe shqiptarësh. Nër këta Garibaldinë fisnikë, që s’deshën të lëftojnë me vëllezërit shqiptarë, janë edhe Kapidani (Jyzbashi) Davide della Valle, nga Venediku, me Liutenantin(mylazimin)Cipriano Facchinetti, nga Lombardia.(Dielli 5 dhjetor 1912)

Filed Under: Histori Tagged With: Dielli 1912, Garibaldinet dhe shqiptaret

KUR GREKET HYNE NE KORCE VATRA I SHKROI ROMES*

October 25, 2013 by dgreca

Javën e fundit të Jenarit 1919, gazetat greke të New York-ut botuan një lajmë nga Athina që thosh se ushtëria greke hyri në Korçë, Permet, Delvinë, Frashër dhe vise të tjera te Shqipërisë së Jugës. Për atë shkak, u-thirr me telegram Komisioni i Vatrës në një mbledhje të posaçme me 30 të muajit që bisedoj mi sulmin e ri te Grekëve kundrë Shqipërisë, dhe se ç’munt të bënte Vatra n’atë krizë të re per Shqipërinë. Më parë se të mblidhej Komisioni, Vatra hoqi një kabllogram në Romë dhe pyeti se ç’ish mendimi i guvernës italiane për rizaptimin e atyre viseve të Shqipërisë prej ushtërisë greke? Përgjigjia u-vonua, koha nuk priste dhe duheshin marë masat e nevojshme. Vonimi i përgjigjjes e vuri në dyshim Vatren dhe humbi besimin e saj në politikën e Italisë. Vatra desh të bënte qarje në Konferencën e Paqës në Paris kundrë Greqisë, po u-ndal shkaku se një protest i atilë munt të shkelte vëndimin e kuvendit të funtime që thosh se “duhet të jemi në mareveshje te mira me Qeverine Italiane.” Me ne funt, passi e shoshiti miaft çështjen, Komisioni vëndosi që të thirrej Këshilla Kombëtare në një mbledhje te posaçme për t’i dhënë funt atij problemi. Mbledhja e Këshilles u-vëndos të mbahej të Martën me 4 Shkurt, pesë ditë pas mbledhjes së Komisionit.

Me 27 Jenar 1919, u-raportua vdekja e Ismail Qemal Be Vlorës në Peruza t’Italisë. Zyrtarët e Vatrës, mbledhur të gjithë në zyrën e saj, u-ngritnë më këmbë dhe qëndruan dy minuta në heshtje si shenjë hidhërimi dhe zie për kujtim të tij. Vatra ngushëlloj me kabllogram Hetem Qemal Vlorën n’Itali për vdekjën e atit tij, i cili ngriti Flamurin Kombëtar në Vlorë me 1912, shpalli independencën e Shqipërisë dhe u-qojt Babaj i Kombit.

Dielli, në një artikull të shkurtër, tha ca fjalë të mira për Ismail Qemalin pas vdekjes së tij, të cilin e pat kundërshtuar dhe kritikuar ashpërisht për një kohë të gjatë. Me atë rast, Mihal Gramenua shkrojti në gazetën e tij “Koha” dhe e duguliti Diellin duke i hedhur këtë gur: “Vdis pa të të dua!” Ay koment i shkurtër po në vënt e zemëroj editorin e Diellit Bahri Omarin, i cili në përgjigjjen e tij përdori ca fjalë të dobëta kundrë Ngritesit të Flamurit dhe editorit të “Kohës.”

Me 4 Shkurt u-mbloth këshilla Kombëtare në zyrë të Vatrës, e thirrur me telegram se koha nuk priste. Mbledhja e Këshillës vazhdoj dy ditë, dhe mbajti pese sesione. Këshilla Kombëtare kish fuqin’e kuvendit, dhe caktonte politikën e Vatrës.

Pasi u shtruan për bisedim sulmi i ushtërisë greke në Shqipërin’ e Jugës dhe dyshimi i Komisionit të Qendrës mi politikën e qeverisë italiane kundrejt Shqipërisë, Këshilla vëndosi qe Vatra të vazhdonte politikën që caktoj kuvendi, gjer sa të kthjellohej mirë ajo çështje dhe të mos mbetej shkak për dyshim.

N’atë mbledhje u-leçitnë disa raporte diplomatike të delegateve të Vatrës n’Evropë dhe n’Amerikë. Dr. Mihal Turtulli, delegat i Vatrës në Svicrë, thosh në raportin e tij shkakun se përse ay nuk bashkohej me dekllaratën e Genevës të nënëshkruar nga 13 Shqipëtarë më 12 Tetor (1918) – natyrisht njerës me shumë a pakë zotësi si politikanë. Tekstin e dekllaratës as raportin e Dr. Turtullit nuk i kemi parë dhe s’dimë se ç’thoshin, dhe s’është çudi të kenë humbur, si shumë dokumenta të tjera historike. Kemi këtu mi këtë çështje vetëm një shenim të shkurtër të bërë nga sekretari i ahershëm i Vatrës.

Në Svicrë ish dhe Midhat Frashëri delegat i Vatrës bashkë me Dr. Turtullin, dhe në mbledhjën e Këshillës u-leçit në letrë e nënëshkruar prej të dyve. Delegatët e Vatrës për ca kohë s’ishin të lirë të vijin në Paris, ku ish mbledhur Konferenca e Paqës dhe po bisedohej fati i tërë botës; vetëm kryedelegati Mehmed Konitza udhëtonte midis Londonit dhe Parisit, ay kish miq të fortë Inglizët.

Në sesionin e mëngjesit të Këshillës, u-leçitnë dhe letrat e miqve Inglizë, të Kolonelit Aubrey Herbert dhe Zojushës Edith Durham, të cilët interesoheshin për punët e Shqipërisë aqë sa dhe çdo Shqipëtar i mirë, dhe këtë e patnë provuar me punë kurdoherë që ish nevoja për çështjen shqipëtare.

Me vendim të Këshillës Kombëtare në mbledhjen e saj, Vatra u dërgoj nga një kabllogram në Paris Presidentit Woodrow Wilson të Shteteve të Bashkuara; Georges Clemenceau, Kryeminister i Frances dhe Cairman i Konferencës së Paqës; Loyd George, Kryeminister i Bretanjës së Madhe; Baron Soninos, Ministër i Punëve të Jashtme t’Italisë, dhe Delegacies Japoneze. Vatra kërkoj prej tyre pranimin e Delegacies Shqipëtare në Konferencën e Paqës që të kërkonte independencën e Shqipërisë dhe të drejtat kombëtare të popullit shqipëtar. Delegacia shqipëtare përbëhej nga këta delegate: Turhan Pasha, Imzot Bumçi, Mehmed Konitza, Dr. Mihal Turtulli dhe Midhat Frashëri; tre të fundit ishin dhe delegatë të Vatrës.

Këshilla Kombëtare i dërgoj një kabllogram falënderimi nga an’e Vatrës Guvernës Italiane për njohjen e shpejtë të Qeverisë Provizore të Shqipërisë që u-formua në Durrës; dhe i lutej të përdorte influencën e saj për pranimin e Delegacies Shqipëtare në Konferencën e Paqës të Parisit.

Me vendim të Këshillës, të gjitha degët e Federatës Vatra dërguan nga një kabllogram në Konferencën e Paqës me anën e të cilëve kërkuan qasjen e delegacies shqipëtare n’atë Konferencë dhe të drejtat e popullit shqipëtar.

Këshilla vendosi që Fan Noli të shkonte në Paris dhe të përpiqej bashkë me delegatët e tjerë shqipëtarë për të drejtat e popullit shqipëtar. Vajtja e tij në Paris si delegat i Vatrës ish më tepër me qellim për të bërë batall propagandën e kryeministrit grekVenizellos i cili bërtiste në mes të Konferencës se “Shqipëtarët orthodhoksë janë Grekë dhe duan bashkimin e tyre me Greqinë”!

Fan Noli gjeti pengime të mbëdha, nuk mirtë dot pashaportë nga konsulli frenk për të shkuar në Paris. Vatra ngarkoj Kostë Çekrezin në Washington që të përpiqej me anë miqsh dhe të nxirte një pashaportë në Ambasadën Frenge për Fan Nolin, po që e pamundur. U-vëndos pastaj që të shkonte me anë t’Italisë, duke përdorur pashaporten italiane nga New York-u në Romë, dhe s’andejmi të vinte në Paris. Po dhe ajo nuk u-bë dot se nga Roma në Paris i duhej pashaportë frenge.

Duke parë se delegatët e Vatrës, më përjashtimin e Mehmed Konitzës, u-ndaluan të vijin në Paris, u-thirr prapë Keshilla Kombëtare në një mbledhje me rëndësi me 5 Mars 1919. Në sesionin e parë të Këshillës u-kënduan raportet e delegatëve të Vatrës n’Evropë dhe n’Amerikë, dhe në sesionin e dytë u-bisedua prapë puna e pashaportës për vajtjen e Fan Nolit në Paris.

Vatra i dërgoj një kabllogram Mehmed Konitzës në Paris, i cili kish qëndruar në Grand Hotel, dhe e pyeti se po të mos nxirej dot pashaporta për Fan Nolin, a ish nevoja të dërgonte Kostë Çekrezin në këmbë të tij? Përgjigjjen e Mehmed Konitzës nuk e dimë se nuk e kemi, dhe Kostë Çekrezi nuk vajti në Paris, këtë e dimë, kuptohet se s’qe nevoja për vajtjen e tij atje.

Këshilla degjoj më kujdes sekretarin Ndreko Stavron i cili këndoj kopjen e një memorandumi të bërë prej Zojushes Elsie Aubry e cila ja dorzojë Konferencës së Paqës atë memorandë për çështjen e Shqipërisë, dhe u-prit më duartrokitje nga anëtarët e Këshillës.

Në sesionin e dytë dhe te fundit, Këshilla Kombëtare aprovoj ndihmën e Vatrës prej 5,000 dollarësh për Pëshkopatën Shqipëtare të Boston-it që t’u bënte ballë propagandave të Grekëve të cilet përdorjin fenë për të ndarë Shqipëtarët më dysh dhe të copëtojin Shqipërinë.

Tamam një muaj pas mbledhjes së Këshilles Kombëtare, me 5 Prill u-mbloth Komisioni i  Qendrës që kqyri vepërimet e kryetarit të Vatërs dhe delegatëve të saj n’Amerikë te cilet u përpoqnë që Shqipëria t’ish nënë mandatorinë Amerikanë.

Kjo ish një punë e kottë, se Amerika s’munt të blinte belanë me para duke hyrë në punët e Ballkanit për syt’e bukura të Shqipërisë, një vënt i pashvilluar me një popull që s’kish parë qeverim të qytetëruar më parë dhe besonte në kanunin e Lekë Dukagjinit: grusht për grusht, – dhe ay që ish m’i zoti fitontë. U-fol më parë për mandatorinë italianë, po u-kuptua shpejt se po të vinte Italia dorën në Shqipëri ish shume zor që të shpetonte nga thonjt’ e saj.

Të gjitha ato manevra bëheshin nga e keqia, se u-duk sheshit që jeta e Shqipërisë si Shtet i lirë ish në rezik të math nga fqinjët e saj, gjë te cilën e kuptonte çdo njeri kur shikonte se të pakën delegatët shqipetarë nuk pranoheshin në Konferencën e Paqës të Parisit.

Eleutherios Venizelos i Greqisë dhe Nikola Pashiqi i Serbisë ishin dy diplomatë të fortë dhe armiq të betuar të Shqipërisë. Perveç asaj, ata kishin mik të fortë dhe Tigrin e Francës, George Clemenceau-n që i ndihmonte kërkimet e tyre, i cili kish zënë kyçin e punëve si Çairman i Konferencës së Paqës, dhe kish influencë miaft të madhe në qarket diplomatike. Përandaj s’duhet të nxitohemi në qertimet t’ona kundrë atyre që deshnë ta vijin fatin e Shqipërisë në një dorë të fortë të huaj për t’a shpetuar nga çakajt e Ballkanit, – e keqia bën të keqën, thotë fjala popullore.

Mbledhja e Komisionit vazhdoj dy ditë. Passi mbaruan bisedimet politike mi punët e Shqipërisë, Komisioni filloj nga veperimet mirëbërëse: ndihmuarjen e disa jetimëve shqipëtarë si ne New Bedford, Mass., dhe në Trebickë, një fshat i Vakëfeve në qarkun e Korçës.

Po çdo ndihmë nukë jepesh me sy mbyllur, kqyreshin mirë se a e meritojin atë ndihmë jetimët pastaj hapej arka e Vatrës, domethënë, diheshin se ç’kishin qenë prindërit e jetimëve. Për shëmbëll, në mbledhjen u-leçit dhe letra e një Shqipëtari që kërkonte ndihmën e Vatrës për jetimët e një njeriu nga Stratobërda, dhe Komisioni nuk e pa t’arësyeshme atë ndihmë.

Në mbledhjen e Majit 1919, Komisioni i Qendrës shikoj raportet e delegatëve të Vatrës n’Evropë, dhe e gjeti të pelqyer kthyerjën e Dr. C. Telford Erickson-it n’Amerikë nga Parisi, si pas vendimit të kolegëve të tij Mehmed Konitzës dhe Dr. Mihal Turtullit. Dr. Erickson-i qëndroj disa muaj në Paris si delegat i Vatrës; ay s’gjeti pengime nga francezët për vajtjën e tij atje se ish nënështetas Amerikan, kurse delegatët shqipetarë i ndaluan për ca kohë, me përjashtim të Mehmed Konitzës.

Muajin tjatër, pati prapë mbledhje Komisioni dhe vëndosi dërguarjen e një sume të hollash prej 10,000 dollarë me kabllogram kryedelegatit Mehmed Konitzës ne Paris. Për çdo sumë të hollash që u-dërgonte delegatëve, Vatra mirte hesap të shkoqur prej tyre dhe e dinte që çdo dollar harxhohej për çeshtjen kombëtare.

Atë muaj, Qershor 1919, erdhi Dr. Erickson-i në Boston nga Parisi, dhe u-mbloth Komisioni që dëgjoj shpjegimet e tij mi punët e Shqipërisë, të cilat nukë dukeshin aqë mirë kur ish ay atje. Ahere Vatra e dërgoj Dr. Ericksonin si delegat të saj në Washington.

Në mbledhjen e 4 Korrikut Komisioni kqyri hesapet e vitit, dhe i gjeti kështu: T’ardhurat, me gjithë të mbeturat n’Arkë nga kuvendi i shkuar, ishin $150,477.35. Të dalat e vitit ishin $58,182.90. Komisioni i shtroj kuvendit këto proponime: 1) Të themelohej një fond prej 100 gjer 300 mijë frangash ari prej Vatrës për propagandë kombëtare me anë të shtypit n’Evropë; 2) Të botohej një revistë frengjisht në Svicrë, 3) t’emëroheshin dy korrespondentë  të Diellit në Shqipëri.

Kuvëndi i Vatrës u-mbloth në Paine Memorial Hall, Boston, me 6 Korrik 1919. U-përfaqësuan në kuvent 42 degë me 69 vota, një votë për çdo 50 anëtarë; dhe nuk u-përfaqesuan 9 degë me 9 vota. Zyrtarë të kuvëndit u-zgjodhe këta: çairman Anastas Pandelli, sekretar Kosta Isaak, raporter Kristo Kaluçi dhe marshall George A. Katundi (të gjithë s’janë më).

Në sesionin e dytë, delegati i degës së Detroit-it Marko Adamsi proponoj të thërritesh Faik Konitza nga Evropa për kryetar të Vatrës. Ay proponim u-përkrah prej Ali A. Kuçit (nga Kuçi i Tomoricës), delegat i degës se New Florence, Pa., dhe u-pëlqye me-një-zë nga gjithë delegatët e kuvëndit.

Sekretari i kuvëndit këndoj një kabllogram të dërguar nga Parisi prej korrespondentit të Diellit N. Lakos i cili lajmëronte Vatrën për vdekjen e Zonjës Shahin Be Konitzës, e ëma e Mehmed dhe Faik Konitzës. Me proponimin e Kristo Kirkës, delegat i degës së Quincy, Mass., delegatët u ngritnë më këmbë dhe qendruan dy minuta në heshtje si shenjë zie për kujtim të saj. Për çudi, kur vdiq Nënia e tyre ranë këmbanat e kishëve dhe u mbyllë dyqanet e Grekëve atë ditë në Konicë  për nder të Zonjës.

Në sesionin e 14-të, kuvendi vendosi t’i ktheheshin të 100 dollarët Fan Nolit që i pagoj Vatrës nga xhepi i tij për hesap te broshurës frengjisht “L’Allemagne et L’Albanie”që shtypi Faik Konitza me 1915 në Lausanne të Svicrës. Konitza i dërgoj Vatrës 50 copë t’asaj broshure, Vatra nuk e nxori në shesh së fliste kundrë Gjermanisë dhe shumica e Vatranëve ishin pro-Gjermanë. Broshura fliste kundrë guvernës gjermane se ajo bënte pazarllëk me Greqinë që po t’ish se hynte në luftë me ane t’Aliatëve kundrë mbretërive t’Evropës së Qendrës, të mirtë Toskërinë. Kur s’dolli broshura në shesh gjer pas hyrjes së Amerikës ne luftë, delegatët në kuvendet e Vatrës kërkonin broshurën, ose paratë nga Konitza. Ahere u-ngrit Fan Noli që i dha 100 dollarë arketarit të Vatrës nga xhepi i tij, dhe u tha delegatëve: “Tani paratë i muartë, lëreni Faikun rehat i cili tëre jetën e tij ka punuar për Shqipërinë dhe kur i ngrënë kur i pa ngrënë!”

Besohet shkaku i asaj broshure e internuan Austriakët Faik Konitzën dhe e mbajtnë në Vienë gjer sa humpnë luftën.

Kuvendi vendosi që Vatra të shtypte libra shkollare për shkollat e mesme të Shqipërisë. Ay vendim i kuvëndit u-vu në vepërim një mot më von. Kuvëndi vëndosi që ndihmat për jetimët të mos priteshin. N’ate listë u-shtuan dhe jetimët e Vangjel Gjikës, i cili i sherbeu Vatrës si manager i Diellit.

U-vëndos me-një-zë nga kuvëndi që Vatra t’i lutej guvernës provizore të Durrësit t’emëronte një përfaqësonjës në Washington të dërguar zyrtarisht nga an’e saj.

Kryetar i Vatrës u-zgjoth Faik Konitza në sesionin e dytë të kuvendit. Zyrtarët e tjerë të Vatrës dhe te Diellit u-zgjodhë në sesionin e 19-të, kur afroj mbarimi i kuvendit. U-emërua Kol Tromara kryetar-zëvendes gjer sa të vinte Konitza nga Evropa. Bahri Omari u-hoq, dhe u-zgjoth Koste Çekrezi editor i Diellit dhe i Revistës “Adriatik”; dhe Andon Frashëri nëne editor.

Këshilla Kombëtare u-rizgjoth për vitin 1919-1920, e cila kish fuqin’ e kuvendit dhe bënte politikën e Vatrës. Kuvendi vazhdoj XXI sesione, u-hap me 6 dhe u-mbyll me 15 Korrik 1919. Kuvëndet e kohërave të shkuara të përsons for essentially anti-Comre parlamentare. Kjo i tërhiqte më tëpër shumë Vatranë që përpiqeshin kush të vinte më parë delegat në kuvënt.                  

Pas kuvendit u-bënë ndryshime në zyrtarët e Vatrës dhe të Diellit. Kuvendi zgjodhi Faik Konitzën kryetar dhe la Kol Tromarën zëvendës gjer sa të vinte Konitza nga Evropa, po ay nuk erdhi dot, dhe zëvëndësi ndenji një kohë fare të shkurtër dhe shkoj në Shqipëri. Ashtu mbeti Vatra pa kryetar, kë të zgjidhjin? Burrat e njohur si “udhëheqës” ishin të zënë më detyra të tjera. Nga ay shkak, Këshilla ngarkoj Komisionin të gjënte një zëvendëskryetar, dhe gjeti Kristo Kirkën.

Gjith’ashtu iku dhe Kostë Çekrezi nga Boston-i, i cili ish zgjedhur prej kuvendit editor i Diellit dhe i Revistës “Adriatik.” Çekrezi u-emërua përfaqësonjës i Vatrës në Washington për punët e Shqipërisë, bashkë me Dr. Ericksonin i cili u-zgjoth pakë muaj më parë. Dr. Ericksoni paguhej 500 dollarë rogë në muaj nga Vatra, dhe Çekrezi 250 dollarë në muaj.

Me ikjen e Çekrezit mbeti Dielli pa editor, dhe gazeta dilte e përditëshme. U-thirr prapë Bahri Omari që e drejtoj Diellin për pakë kohë. Passi iku dhe Omari, u-zgjoth Loni Kristua editor, i cili pat qenë dhe më parë editor i Diellit. Po ay nukë shkoj mirë me nëne-editorin, Andon Frashërin, dhe kur erdhi kuvendi tjater fitoj nënë-editori në zgjedhjet kundrë editorit; – këtu munt të meret me mënt se cili prej të dyve ka patur faj në grindjet e tyre.

Kur kish probleme me rëndësi që nuk u-jipte dot funt ose s’donte të mirte përgjegjësinë Komisioni, thërritesh mbledhja e Këshilles Kombëtare e cila thosh fjalën e fundit në punët e Vatrës. Në mbledhjen që pati në Shtator 1919, Këshilla vëndosi që Vatra të harxhonte 100,000 franga ari për të ndihmuar refugjatet shqipëtarë të “Korçës dhe Kosovës”. Këtu kuptohet se kanë dashur të thonë “qarkut të Korçës”, dhe Kolonja u-doq dhe u-gjakos nga Grekët më tepër se çdo krahinë tjatër t’asaj prefekture; me mijëra refugjatë Kolonjarë vanë ne ullinjt’e Vlorës, – shumë prej tyre vdiqnë atje.

Po më parë se të viresh në vepërim ay vëndim i Këshillës, u-pyetnë me kabllogram delegatët n’Evropë Mehmed Konitza dhe Dr. Mihal Turtulli se a munt të harxhohesh ajo sumë të hollash për atë qellim. Përgjigjja e tyre qe “Jo” – se ato të holla duheshin më tepër për të luftuar armiqt’e huaj të Shqipërisë, më tepër Grekët të cilët e luftojin Shqipërinë me anë të shtypit dhe të konferencave, dhe arma e tyre më e fortë që përdorjin qe feja, duke thënë se gjithë Shqipëtarët orthodhoksë “duan Greqinë”!

Në mbledhjen e Këshilles u-vendos t’i jepeshin 400 dollarë Mihal Gramenos për të shkuar në Shqipëri bashkë me gruan e tij. Vatra çmonte patriotizmën e Gramenos dhe menjëherë vuri në vepërim vendimin e Këshilles. Në shumë raste Mihal Gramenua e pat kundërshtuar Vatrën, më tepër për kritikat e editorit të Diellit kundre Ismail Qemalit, të cilin Gramenua e adhuronte si baban’ e kombit.

Në mbledhjen e Këshilles Kombëtare u-këndua një letrë e dërguar nga “Parësia” e qytetit të Korçës, e cila kërkonte ndihmen financiare të Vatrës që t’a përdorte për të bërë “propagandë kombëtare” në qarkun e Korçës. Këshilla nuk e mori nër sy atë kërkesë, pati dyshim në përsonat që e dërgojin letrën, dhe e kuptoj se do të vijin humbur të hollat e Vatrës.

Kërkime për ndihma financiare si ajo mirte dendur Vatra nga njerëz të ndryshmë, – të cilët gjëjin “shkake patriotike” për kërkimet e tyre. Të tillë njerës besojin se Vatra ish bankë, – i mblithte dollarët me lopatë, – dhe munt të ndihmonte çdo njeri që e quante vetën”atdhetar”! Kurse e tërë pasuria e Vatrës ishin nj’a tri a katër mijë anëtarë të cilët punojin rëndë nëpër fabrikat me rogë të vogëla dhe për dashuri të Shqipërisë e ndihmojin Vatrën me sa muntjin që të punonte për të fituar lirinë dhe të drejtat kombëtare të popullit shqipëtar.

* Fragmenti eshte marre nga Libri “Historia e Federates Vatra” e ish editorit te Gazetes Dielli. Libri u botua nga Vatra me parathenie te editorit te Diellit per vitet 1994-2009, Anton Cefa. Libri mbyllet me shkrimin e studiuesit Idriz Lamaj me titull” Refat Gurrazezi-Dishepull i Faik Konices”

Filed Under: Histori Tagged With: Kur greket pushtuan Korcen, Vatra i shkroi Romes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 616
  • 617
  • 618
  • 619
  • 620
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT