• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MANASTIRI QENDËR E LËVIZJES KOMBËTARE SHQIPTARE DHE REFORMAT E MYRSTAGUT

November 12, 2013 by dgreca

Nga Prof. Dr. Vebi XHAMAILI*/

Me shpalljen e reformave në krahinën e Maqedonisë nga viti 1903, kishte filluar të rritej tensioni, pikërisht në trevat e Shqipërisë Lindore. Ndërsa diplomacia e huaj do të shënojë  se: ”Aksioni i shteteve të Mëdha për dhënien e reformave  ka pasur për qëllim që t’i pengojë lëvizjet revolucionare të popujve të nënshtruar dhe ta ruajnë status quonë në Ballkan”.[1] Në gusht të atij viti shpërtheu ajo që quhej Kryengritja e Ilindenit, e cila u shtyp ashtu si e kishin parashikuar bejlerët shqiptarë, shumë shpejt dhe në mënyrë të ashpër. Pra, ashtu si kishte deklaruar paria shqiptare, në takimin e tyre me përfaqësuesit austro-hungarez. Me këtë rast, Fuqitë e Mëdha intensifikuan trysninë e tyre për vrasjen e dy konsujve të tyre. Rusia dërgoi disa anije lufte, kurse pak më vonë austriakët dhe italianët do të bënin edhe ata një demonstrim detar përballë Selanikut. Mbi të gjitha do të kulminojë takimi i dytë midis Austro-Hungarisë dhe Rusisë, mbajtur në Myrstagë më 22 tetor 1903, në këtë takim të dy fuqitë u morën vesh më në fund për të vendosur një status quo, ku hartuan një program reformash për krahinën e Maqedonisë, që do të thotë jo për të gjithë, por për një pjesë  të tre vilajeteve të Kosovës, Manastirit dhe Selanikut.[2] Ky program solli rritjen e pranisë së huaj në terren, meqenëse në vitin 1904 u dërguan në Maqedoni oficerë të xhandarmërisë ruse, austriake, franceze, italiane, gjermane dhe angleze.  Pra nga 6 oficerë të Fuqive të Mëdha.[3]     Politika turke kërkonte me këmbëngulje që të ndëshkuarit të dënoheshin shumë rëndë, ose të internoheshin. Për këto veprime, një nacionalist shqiptar dënohej me mbi tre vjet burg, ndërsa një bullgar për vendosjen e një bombe dënohej vetëm me disa muaj heqje lirie.

Në këtë kohë, vilajeti i Manastirit u bë një ndër qendrat më të rëndësishme të nacionalizmit shqiptar. Shumë veprimtarë të shqiptarizmit e kishin origjinën nga Vilajeti i Manastirit. Në këtë kohë më aktivë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në Manastir ishin: Halit Bërzeshta dhe Fehim Zavalani.[4] Ky vilajet në fillim të shekullit XX, sipas statistikave osmane, kishte popullsi shqiptare myslimane e ortodokse që kapte numrin prej mbi 460 mijë, kundrejt 240 mijë sllavo-maqedonasve, 40 mijë grekëve e vllahëve dhe 8 mijë pomakëve.[5] Në këtë kohë nga organet qeveritare turke u akuzua edhe drejtoria e shkollës, në krye me Nuçi Naçin, i cili u arrestua, me pretekstin se drejtoria e vajzave të shkollës së Korçës kishte kërkuar nga konsulli August Kral që të siguronte për shkollën hartën  Shqipërisë të përpiluar nga Faik Konica. Në këto rrethana tejet të tendosura politike ndërhyri edhe diplomacia austro-hungareze në Manastir. Në këtë kohë me të madhe ndihmonte lëvizjen shqiptare konsulli Kral, i cili në tetor 1903 ndërhyri te autoritetet turke, kur ata e mbyllën shkollën shqipe të vajzave në Korçë.[6] Në këtë shkollë kanë ligjëruar edhe motrat  nga Manastiri Sevatia dhe Parshqev Qiriazi.[7]

Udhëheqësit shqiptarë e dinin tanimë “se kjo lojë shahu nuk është në favor të tyre”, prandaj kurrë nuk i pranuan këto reforma të shpallura prej Fuqive të Mëdha “si humane”. V.Xh).

Në Stamboll përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha kishin diskutuar edhe rreth viseve të banuara me shqiptarë. Lidhur me këtë, përfaqësuesi diplomatik i Serbisë i shkruan Ministrisë së jashtme, se atasheu ushtarak i Rusisë i ka treguar se Komisioni i Fuqive të Mëdha duke trajtuar çështjen e reformave ka propozuar të formohet një sanxhak i veçantë në “Serbi të Vjetër”, që do të përfshinte Prizrenin, Novi Pazarin, Plevlën e vende të tjera. Si shkas për  formimin e këtij sanxhaku qenka marrë përbërja etnike e popullsisë.[8] Shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë Lindore i bënë rezistencë të gjitha këtyre pazarllëqeve rreth tokave të tyre. Por Turqia për të zbatuar këto reforma të dedikuara nga Fuqitë e Mëdha, filloi ndjekjen dhe eliminimin e udhëheqësve të lëvizjes shqiptare.[9]

Rrethanat e reja politike në Ballkan bëheshin dita më ditë më të nxehta, kjo vinte nga reformat e dedikuara me forcë kundra Turqisë që ushtronin Fuqitë e Mëdha e në veçanti involvimi direkt i Rusisë dhe Austro-Hungarisë, me theks të veçantë zbatimin e tyre në pjesën e Turqisë evropiane. Këto tensione politike kundrejt Turqisë dhe sulltanit  e aktivizuan pamasë diplomacinë serbe në krye me Nikolla Pashiqin. Nisur nga këto fakte, Pashiqi e porositi Milenko Vesniqin në Paris të kontaktojë me Dervish Himën që të shohë disponimin e qarqeve të jashtme shqiptare, pasi Dervishi në këtë kohë në Evropë njihej si figura më e vendosur me kërkesat e tij për autonominë e Shqipërisë. Lidhur me bisedimet që zhvilloi me Vesniqin, Dervish Hima i paraqiti këtij një memorandum.[10] Në këtë  memorandum, pos të tjerash, ai shkruan: Çështja shqiptare është shumë e rëndësishme për të gjitha qeveritë që e rrethojnë e që kanë nevojë të kenë lidhje me këtë popull të denjë për bashkëpunim, popull punëtor, i zgjuar e trim, mbi të cilin mjerisht disa qëllimkëqij, pa marrë parasysh rëndësinë dhe rolin e tij patriotik, përhapin lajme plotësisht shpifëse, të zmadhuara dhe pa kurrfarë mbështetjeje”.[11] Por ka pasur edhe mendimtarë sllavë, si Drashkoviqi, që popullin shqiptar e kanë pranuar si më të ngritur se popujt tjerë midis Ballkanit.[12]

 

 

 

Dervish Hima, duke folur për interesimin e shteteve fqinje që t’i tërheqin shqiptarët në sferën e politikës së tyre, thotë: ”Askush nuk ka marrë, as nuk do të marrë asgjë nga ky popull, mbasi mjetet e veprimit janë të njollosura me propozime korruptuese, në kurthin e të cilave nuk pranojnë të bien shqiptarët, tentativa këto që nuk kanë dhënë frute as për Greqinë, as për Bullgarinë, as për Italinë e sidomos për Serbinë’’.[13]

Me këto fjalë, Dervish Hima i lente të  kuptojë Nikolla Pashiqit se mënyra siç janë duke vepruar shtetet fqinje ballkanike ndaj shqiptarëve nuk është e sinqertë, se ka prapavijën e saj politike dhe se nuk ia dëshirojnë të mirën popullit shqiptar. Megjithatë, ai i jep mundësi që Serbia, nëse dëshiron sinqerisht të bashkëpunojë me shqiptarët, të tregojë veten: ”Në qoftë se Qeveria serbe dëshiron të sigurojë mirënjohjen e këtij populli, duhet të ndërmarrë një iniciativë serioze, kështu që të merret vesh mbi çështjen e arsimit publik që të mund të luftojë në mënyrë radikale influencën bullgare”.[14]

Me këtë Dervishi dëshironte ta vërë në sprovë gatishmërinë e Qeverisë  serbe, se sa realisht është e interesuar për çështjen shqiptare, prandaj në vazhdim shkruan: “Po qe se Sh. J. beson se Qeveria e tij është e gatshme të merret seriozisht me këtë çështje, do t’ ju dërgoj një raport plotësues dhe mund të bëjmë një takim në të cilin do të merrnim masat e ngutshme që i kërkon çështja dhe situate e acaruar”.[15] Po ashtu, në vazhdim bënë fjalë për aktivitetin e Komisionit evropian, që u takua për ta vënë në jetë nenin 23 të Traktatit të Berlinit në verë të vitit 1880 dhe flet se vetëm përfaqësuesi i Britanisë së Madhe lordi Ficmoris pati propozim objektiv, “duke i cekur si shembull krahinat shqiptare, doket dhe nevojat e të cilëve kërkonin një administrim krejtësisht tjetër nga ajo e provincave të tjera, ngriti çështjen shqiptare, e cila u bë subjekt kryesor i diskutimeve të Komisionit”.[16]

Dervishi vazhdoi të flasë edhe për qëndrimin e delegatit rus, të atij austro-hungarez dhe francez, duke theksuar se të gjithë ata deklaruan haptas dhe e kundërshtuan themelimin e autonomisë së Shqipërisë. Në këtë mënyrë Dervishi ia bëri me dije Pashiqit se shqiptarët e njohin mirë historikun e lëvizjes së tyre dhe se ata po luftojnë për liri e pavarësi, e që këto përpjekje të fundit janë vetëm vazhdim i përpjekjeve të shqiptarëve që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Ai theksoi se qëllimi primar i shqiptarëve është bashkimi i tokave shqiptare dhe çlirimi i tyre nga zgjedha e huaj, por ata në këtë luftë dëshironin të bashkëpunonin sinqerisht me fqinjët e tyre, por vetëm në baza të sinqerta dhe të barabarta.[17]

Në këtë kohë dy shtete fqinje: Mali i Zi dhe Serbia,  që në vitin 1902 ishin marrë vesh për ndarjen e Shqipërisë. “Serbia kërkonte që t’i takojë Vilajeti i Kosovës, ndërsa Malit të Zi kërkonte që t’i takojë Shkodra me rrethinë. Serbia kishte rënë dakord me Bullgarinë për ndarjen e krahinës së Maqedonisë. Ndërsa me Greqinë ishin marrë vesh që asaj t’i takojë jugu i Shqipërisë.[18]

Që nga vitet 1902-1904, Dervish Hima dhe Ibrahim Temo, disa herë  u ishin drejtuar Fuqive të Mëdha, pra edhe Austro-Hungarisë me anë të konsullit të saj në Manastir lidhur me aksionin e reformave në Maqedoni, duke ia përkujtuar që mos t’i harronin edhe interesat e popullit shqiptar. “Kjo çështje maqedonase që do të kallë atdheun tonë, mund të jetë vetë Evropa e cila mbjell aq shumë urrejtje ndërmjet popujve dhe e cila, jo vetëm që duhej ta shkurtojë dorën tiranike të qeverisë osmane, por duhej njëkohësisht t’i presë edhe gishtërinjtë e pansllavizmit. Në qoftë se ndërpritej njëri, mbetej tjetri, i cili bëhej më i fortë se i pari dhe nuk mbeti kështu, një çast qetësie në Evropë.”

Dinjiteti i Evropës mbi të gjitha, është shtypi francez, i cili e ka për borxh të merret me të vërtetën, do me thënë me çështjen e Turqisë evropiane dhe jo me çështjen maqedonase (të imagjinuar- sipas rezultateve të fjalimit të Zt. Pressense), Maqedonia nuk ekziston, nuk është e vërtetë fakti se revolucionarët bullgarë gjenden në terr e tirani, përkundrazi, nëqoftëse qenësorja është t’i shërbej njerëzores, nuk duhet dëgjuar  francezët që punojnë për zbutjen e një Maqedonie të ashtuquajtur Maqedoni, duke i lënë Shqiptarët të banojnë njërën nga pjesët më të bukura të Evropës dhe fishkëllejnë ç’prej moti rrugën e turqve mbi një urë pushtuese të Evropës nga ana e Italisë.[19]

Kjo dëshmon edhe një herë se Ibrahim Temo dhe Dervish Hima edhe në momentet më të vështira të jetës së tyre, e mbronin me argumente çështjen shqiptare dhe gjithmonë ushqenin ndjenja atdhedashurie dhe patriotizmi ndaj popullit të vet dhe ndaj trojeve në të cilët jetonin shqiptarët, e që në këtë kohë ishin bërë mjet pazarllëqesh midis Fuqive të Mëdha dhe shteteve ballkanike.[20]

Nga raportet e diplomacisë austro-hungareze mund të konstatojmë se në vjeshtë të vitit 1904, Dervish Hima i kishte bërë një vizitë shokëve dhe miqve të tij në Rumani, dhe pastaj përsëri ishte kthyer në Paris, i vendosur që edhe më tej ta botojë revistën Albania në Paris dhe Gjenevë, edhe pse ndjente mungesë të madhe të mjeteve financiare. Mu për këtë, diplomacia e Vjenës e përcillte me kujdes, që në ato momente të vështira ta fusë rrjetin e propagandës së saj.[21].

Gjatë vitit 1907, në Hagë do të mbahej Konferenca e njohur e Hagës, prandaj shoqëria shqiptare e Kostancës ku kujtonte dhe vepronte Dr. Ibrahim Temo, vendosi që si përfaqësues të vetin ta dërgonte atdhetarinë e palodhur Dervish Himën, i cili do të mund ta përfaqësonte në mënyrë të denjë. Qeveria osmane bëri çmos që kërkesat shqiptare të mos dalin para këtij tubimi ndërkombëtar, por Dervish Hima arriti ta informojë botën e qytetëruar se Kombi Shqiptar kërkon jetë të lirë qytetare dhe njohjen e kombit dhe të kishës kombëtare. Pra ai kërkoi që edhe shqiptarëve t’u njihen të gjitha ato të drejta që u janë njohur edhe kombeve të tjera, të cilat jetonin në Perandorinë Osmane, si dhe arsimimin në gjuhën amtare.[22]

Deri në kohën e ngadhënjimit të Revolucionit xhonturk vazhdoi të veprojë në Evropë. Pas ngadhënjimit të Revolucionit, xhonturqit shpallën amnistinë për ata që ishin të ndjekur nga pushteti absolut i  sulltanit dhe që ishin detyruar ta braktisin atdheun e tyre. Shumë të tillë u kthyen pas shpalljes së amnistisë, e në mesin e tyre ishte edhe Dervish Hima, i cili nga Evropa erdhi për herë të parë në Shkodër.[23] Lidhur me arrestimin e Dervish Himës ka mjaft shënime si në gazetat e kohës, ashtu edhe në raportet diplomatike, e gjithë kjo kontribuoi që emri i tij të njihet edhe më tepër.

Lidhur me arrestimin e Dervish Himës, gazeta “Kombi” që botohej në Boston shkruante: “Dervish Hima është i njohur tek shqiptarët nga veprimet e tij patriotike. Ky u hodh në fushën e luftës për të drejtat e kombit të vet me një kurajë të fortë e të rrallë. Qëndrimi i fundit ishte në Bruksel të Belgjikës, ku nxirrte të përkohshmen Shqipëria (l’Albania) në gjuhën frëngjishte.[24] Dervish Hima ishte i pari që pati kurajën të quhet shqiptar me ndjenja kombëtare”.[25]

Vilajeti i Kosovës përbënte rreth 60% shqiptarë prej popullsisë së përgjithshme që kishte prej 1.060.000 banorësh.[26] Vilajeti i Kosovës kishte popullsi shqiptare e katolike  rreth 600 mijë frymë, kundrejt 161 mijë serbëve dhe 220 mijë sllavo-maqedonasve, 79 mijë turqve e tjerë. Në atë kohë vilajeti i Kosovës përfshinte edhe territore të Shqipërisë Lindore (Maqedonisë së sotme) me qytetet: Tetovë, Gostivar, Shkup, Veles, Shtip, Kratovë deri në Qystendil.

Ibrahim Temo ishte një ndër misionarët e parë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, i cili publikisht kërkoi arsimim për shqiptarët në gjuhën shqipe. Ky mbronte idenë që arsimi fillor të kryhej në gjuhën amtare. Prandaj ky hartoi edhe një memorandum ku paraqiste  kërkesat gjuhësore dhe kulturore.

Ky si vizionar trumbetonte pandërprerë rrezikun që u paraqitej shqiptarëve nga copëtimi pansllavist. Ky në një letër që dërgonte Ishak Skutit, i deklaronte:  “Nëse Turqia donte të vdiste, shqiptarët në shumicë myslimanë donin t’i shpëtonin kësaj fatkeqësie. Në një letër dërguar mikut të vet në vitin 1900, thuhej: Pasi Turqia nuk është në gjendje të na mbrojë, me qëllim që të pengojë dëbimin tonë që këndej së bashku me turqit, ne do të luftojmë me të gjitha forcat tona pavarësinë e Shqipërisë”.[27]

Ibrahim Temo ka bashkëpunuar me Nexhip Dragën, Shahin Kolonjën, pasi i kishte “cimerë” në shkollën e administratës në Stamboll, bashkë me Jashar Erebarën. Temo pasi mori rrugën e ekzilit për në Rumani, u lidh edhe me Nikolla Naçon nga Korça. Temo së bashku me Dervish Himën dhe Nikolla Naçon, Shahin Kolonjën, si “cimerë” në shkollën e administratës në Stamboll ku bashkë me ta ishte edhe Jashar Erebara. Temo së bashku me Dervish Himën dhe Nikolla Naçon  mori pjesë në një lëvizje antigreke dhe antibullgare.

Ky bindi Naçon, kryetarin e Shoqatës  Shqiptare “Drita”, se duhej të fillonte të organizonte klubet shqiptare me prirje xhonturke për të kërkuar të drejtat e tyre.  Në anën tjetër, Dervish Hima ishte shumë i afërt me Ibrahim Temon, pikërisht për arsye se ishin me origjinë nga e njëjta krahinë që bënte pjesë në  Shqipërinë Lindore, shqiptarizmi dhe xhonturkizmi i ndërthurën në një mënyrë edhe më të qartë.[28]  Në janar dhe shkurt të vitit 1899, shqiptarët e Kosovës në Pejë bënë përpjekje për ringjalljen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Atje u mbajt Kuvendi i “Besa-Besës”. Vendimet e aprovuara në atë kuvend, më vonë do të përsëriten në shkurt të atij viti në Kuvendin e Dibrës, duke kërkuar nga Porta e Lartë njohjen e autonomisë së Shqipërisë. Në maj 1899, në Bukuresht u botua në gjuhën turke  një traktat që kishte përmbajte programore me titull: “ Ujanallëm”(Të zgjohemi). Autorë i këtij traktati ishte Dervish Hima.[29]

Dervish Hima si intelektual i ri  që kishte filluar studimet në  shkollën e mjekësisë ushtarake në Stamboll, pastaj në Bukuresht, ku shkoi në ekzil, u bë një nga publicistët më aktivë të diasporës, duke vazhduar udhëtimet në Rumani, Itali, Zvicër, Francë dhe Belgjikë, ku kishte denoncuar regjimin hamidian dhe kishte kërkuar një autonomi  për Shqipërinë në bashkëpunim me qarqet e shqiptarizmit, ashtu edhe me ato xhonturke. Pasi kishte mbështetur kërkesa ekstreme në organin  e tij të parë të titulluar “Pavarësia shqiptare”,  (Bukuresht 1898-1899), Dervish Hima bëri angazhim kundër absolutizmit të Sulltanit, për hapjen e shkollave shqipe dhe eventualisht për krijimin e një vilajeti shqiptar autonom.

Tani më edhe dy Fuqitë e Mëdha më të interesuara për Ballkanin, Austo-Hungari dhe Italia, tani më ishin  bindur se kishin dështuar në politikën e jashtme, në veçanti ishin tej mase të dëshpëruar me reformat e shpallura të Myrstagut në vilajetin Manastirit dhe Kosovës, pasi me këto reforma me të madhe u shtua influenca ruse në Manastir, një ndër qendrat më të mëdha në Ballkan.  Kjo ishte një ndër arsyet pse diplomacia austro-italiane e kishte shtuar interesimin e saj drejt autonomisë dhe hapjen e shkollave shqipe në Shqipëri, kjo u pa edhe në bisedimet që u zhvilluan midis Gollubosvskit dhe ministrit italian Titoni në Vendik, në prill të viti 1905, ku ranë dakord për avancimin e çështjes shqiptare drejt autonomisë së Shqipërisë.[30]

Përgjithësisht veprimtarët e shqiptarizmit quheshin patriotë ose atdhetarë, ose thjesht shqiptarë. Shqiptari ose “shqiptari i vërtetë” ishte një veprimtar i shqiptarizmit, një shqiptar që punonte për kombin e tij. Në Perandorinë Osmane disa personazhe morën madje nofkën “shqiptari”, për shkak të aktiviteteve të tyre në favor të gjuhës shqipe. Si rrjedhim u krijua termi shqiptarizëm, që donte të thoshte “patriotizëm” ose “nacionalizëm”.[31] Në veçimin e kombit shqiptar rol të veçantë ka luajtur Islami, që në të vërtetë kishte një rol vendimtar në dallimin  shqiptar-grek ose shqiptar-sllav. Mbi të gjitha, islami mendohej se kishte favorizuar shtrirjen e hapësirës shqiptare. Ndërsa në epokën e Skënderbeut, sllavizmi ishte i pranishëm në zemër të Shqipërisë, siç e tregonte edhe toponimia në këtë fillim të shekullit XX, fronti tashmë gjendej në Manastir, Shkup, Mitrovicë, ose më tej deri në Novi Pazar. Kombi shqiptar, në fillim të shekullit XX filloi të kombëtarizohet  dhe vështirë ishte të ç’kombëtarizohet. Tanimë krahina të tëra, si ajo e Ulqinit, Shpuzës, Podgoricës, Mitrovicës, Vrajës, Kurshumlisë dhe të krahinës së Maqedonisë, bënin pjesë në Shqipërinë Etnike.  Shqipëria ishte mbrojtëse e një propagande të përbashkët dhe të një qëllimi të njëjtë. Shqiptarët dhe maqedonasit, arumunët e Maqedonisë, ishin ilirët e vjetër, ushtarët e Piros, të Aleksandërit dhe të Skënderbeut. Së bashku kërkonin autonominë  e një shteti Shqipëri-Maqedoni nën pushtetin e Sulltanit, me qëllim që të zmbrapseshin armiqtë e Turqisë. Ideja e krijimit të një shteti shqiptaro-maqedonas, të dëshiruar në mënyrë të zjarrtë nga të gjithë shqiptarët, maqedonasit-rumunë dhe maqedonasit e sllavizuar.[32]  Por, më vonë, politika bullgare arriti ta shkëpusë nga ndikimi shqiptar një pjesë të Maqedonisë ilire-shqiptare. Mossuksesi i propagandës sllave, ishte kontribut i atdhetarëve myslimanë shqiptarë, që me të madhe kishin penguar invadimin sllav në trojet etnike shqiptare V.Xh), si dhe nga greqizmi helen në jug të Shqipërisë, ku u pa qartë se “Lidhja Kombëtare ishte më e fortë se lidhja fetare”.[33]

Në vitin 1908, Komiteti i “Bashkimit dhe Progresit” po përgatiste “revolucionin” më 1908, duke nisur nga Selaniku dhe Manastiri. Krahas këtyre zhvillimeve, edhe nacionalizmi shqiptar do të merrte kahje të reja. Në Manastir u krijua një komitet i fshehtë shqiptar, ndërkohë që u shfaqën edhe çetat e para nacionaliste. Shqiptarizmi i viteve 1896-1908 u transferua dhe u kanalizua në mënyrë të konsiderueshme. Përveç  evoluimit të gjendjes së jashtme dhe të brendshme politike, bëri që vatra e nacionalizmit shqiptar të zhvendosej nga Vilajeti i Janinës në Vilajetin e Kosovës dhe të Manastirit. Rrënjët e këtyre transformimeve gjenden në ndryshimet që pëson shoqëria osmane  dhe në mënyrë të veçantë shoqëria shqiptare dhe udhëheqësit e saj myslimanë, e ardhmja e së cilës në Shqipëri po bëhej problematike.  Zhvillimi i arsimit, rritja e burokracisë në të cilën po integroheshin gjithnjë e më shumë njerëz, formimi i një “klase të mesme” të arsimuar që rivalizonte me bejlerët dhe agallarët pronarë tokash, autoritarizmi i sulltanit dhe shfaqja e lëvizjes opozitare, rritja e theksuar e fenomenit të emigracionit, të gjitha këta faktorë  ushtruan peshën e tyre mbi zhvillimin e nacionalizmit në mesin e brezave të rinj shqiptarë. Kjo periudhë e re kohore u karakterizua me paraqitjen e të rinjve të arsimuar në fushën e shqiptarizmit, midis të cilëve edhe shumë myslimanë. Kësisoj do të kemi formulime të reja të shqiptarizmit, siç shihet në përmbajtjen e botimeve me frymë patriotike për myslimanët shqiptarë. Fjala ishte që këta veprimtarë të këmbëngulin për të kërkuar një identitet evropian, një identitet mysliman evropian. I ndryshëm nga ai i myslimanëve turq, duke synuar kështu të legjitimonin në trevat e tyre, kur Perandoria Osmane do të detyrohej të tërhiqej nga Ballkani. Rrjetet e veprimtarëve të shqiptarizmit u bënë më të larmishme, sidomos në funksion të grupeve fetare dhe rajonale. Më në fund shqiptarët hynë në një fazë kompetente për të udhëhequr kombin e tyre drejtë pavarësisë. V.Xh).

Ne Foto: Eshte nje fotografi e rralle me nje grup anetaresh te klubit shqiptar te Stambollit, midis te cileve Dervish Hima, Dr.Ibrahim Temo, Mihal Shan Tepelena, Toli Arapi etj.



[1] Arkivi i Serbisë. Fondi i  Gjoka Simiqit, 1903-1906. V. Çoroviç, Diplomatska prepiska, f. 545; “Albanija”, Beograd 1903.

[2] Nathaliye Clayer, vep. e cit. 305.

[3] Emin Pllana, Kosova dhe reformat në Turqi, vep. e cit. f. 189.

[4] Kristaq Prift, Lidhja Shqiptare e Pejës,  Tiranë 2002, f. 177.

[5] Historia e popullit shqiptar II, vep. e cit. f. 258.,

[6] HHStA, PA XIV/20, LIASS XII; Historia e arsimit dhe e mendimit  pedagogjik shqiptar, Tiranë 2003, f. 170.

[7]  Qerasim Qiriazi, “Kristomaci”, Lublanë 1991, f. 352.

[8] DASIP; Raporti i përfaqësuesit diplomatic të Serbisë nga Stambolli, 30. I (13.II), 1904.

[9] V. Stojançeviç, Drushtveno-politiçke prilike megju Albancima o Kosovskom vilajetu na poçetoku XX veka i Albanski otpor protiv turski reforma  1902-1903, “Istoriski çasopis” Kn/XI , Bograd 1961,  f. 206.

[10] Këtë memorandum në tërësi e ka botuar Gjorgje Mikiq, në ‘’Gjurmime albanologjike’’ Seria historike III, Prishtinë 1973.

[11] Gjorgje Mikiq, Memorandumi i Dervish Himës mbi çështjen shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XIX, “Gjurmime albanologjike” Seria; III-1973, Prishtinë 1975. f..207.

[12] “Bashkimi i Kombit” (Nacionalno Edinstvo), Shkup , (pa vit), f. 32.

[13] Po aty.207.

[14] Gjorgje Mikiq, punim i cit. 208.

[15] Po aty; Dervish Hima në vazhdim të memorandumit e paraqiti historikun e zhvillimit të çështjes shqiptare që nga luftërat serbo-turke 1876 dhe ruse-turke 1877, duke folur për qëndrimin e Rusisë ndaj çështjes shqiptare, e cila e formoi Bullgarinë e Shën Stefanit në dëm të tokave shqiptare, si dhe për vendimet e Kongresit të Berlinit, duke e theksuar se me nenin 23 të Traktatit të Berlinit është paraparë që provincave të Turqisë Evropiane t’iu sigurohen institucione administrative që do t’u garantonin të drejta të plota politike pa dallim besimi dhe race.

[16] Gjorgje Mikiç, punim i cit.  f. 210.

[17]Gjorgje Mikiç, vep e cir. f. 211-212; Interesim të madh për Dervish Himën kishte shprehur edhe diplomacia austro-hungareze. Ajo me shumë kujdes e vëmendje i përcjell sjelljet e tija si dhe shkrimet që i publikonte në revista dhe gazeta të ndryshme. Pikërisht për këtë, në arkivat e Vjenës gjenden burime diplomatike që flasin për këtë patriot të dalluar shqiptar.

[18] Branko Horvat, Kosovsko pitanje, Lubjanë 1989, f. 35.

[19] Ibrahim Themo Më 15 shkurt të vitit 1903 merr pjesë në Paris, si i deleguar shqiptar në Konferencën e dedikuar “Çështjes së Maqedonisë”. Kjo konferencë u mbajt në Teatrin Chateau d’ Esu (Shato Doy) në Paris. Pasi folën shumë pjesëmarrës e merr pjesë edhe  një francez me emrin Pressense (Presenëse). Ky orator dëshironte ta shpjegojë çështjen e Maqedonisë ashtu si dëshironin të tjerët, pa e njohur mirë as Turqinë Evropiane e as nacionalitetet që jetonin në territorin e Maqedonisë, por duke u mbështetur vetëm në statistika arbitrare.

[20] HHSHA, Albanien,XXI,Raport nga Vjena pa datë.

[21] HHSH, Albanien, XIX, Raport nga Vjena, 28 nëntor 1904. Mirëpo, Dervishi nuk hyri në këtë grackë dhe vazhdoi aktivitetin e tij në Paris dhe Gjenevë, e prej vitit 1905-1907 në Bruksel të Belgjikës, vazhdoi të botojë revistën e tij “L’Albania” në frëngjisht.

[22] Shukri Rahimi, Lufta e shqiptarëve për autonomi 1897-1912. Prishtinë 1978, f 133; H. Kaleshi, Dr. Ibrahim Temo osnivac “Mladoturskog Komiteta, ‘’Kombi’’ nr. 47 më 1 gusht, Boston 1907.

[23] Archives du Ministere des Affaires efrangeres Paris, Raport i konsullit francez nga Shkodra nr. 39, më 31 gusht 1908. Ky shënon se disa mysliman kanë dyshuar se ai ka bërë lidhje midis katolikëve dhe myslimanëve dhe për atë arsye është arrestuar.

[24] ‘’Kombi’’ nr. 101, 11 shtator 1908. ‘’Rrufeja’’ Kajro, nr. 1 kallnor 1909.

[25] Po aty. “Kombi”.

[26] Historia e popullit Shqiptar II…, f. 258.

[27] Kristaq Prifti, “Ibrahim Temo”, Tiranë 1996,  f. 14 dhe 139: Ibrahim Temo i lindur në Strugë në vitin 1865, i kreu studimet e larta në Stamboll.

[28] Emri i vërtetë i Dervish Himës,  ishte Ibrahim Naxhi Spahiu, i lindur 1872 në Ohër. 

[29] Ismet Dërmaku, Rilindja kombëtare shqiptare, f. 217; Historia e popullit shqiptar, II, f. 283.

[30] Lumo Skendi, Mendimi politik dhe veprimtaria kryengritëse shqiptare…, f.12.

[31] Hysni Myziri, Historia e shqipërisë dhe e shqiptarëve Prizren 2001, f.  166-167.

[32] Natalie Clayer, vep. e cit, f. 459.

[33] “Drita” nr. 57, 11.02.1905.

Filed Under: Histori Tagged With: Kombetare, Manastiri, qender e Levizjes

Neser përurohet “World Trade Center 4” ne Nju Jork

November 12, 2013 by dgreca

Një kapitull i ri dhe i shumëpritur në rilindjen e qytetit të New Yorkut – Manhattan-it pas 9/11 fillon qysh këtë javë, kur kulla e parë me një sipërfaqe 16 -acre në zonën World Trade Center -Qendrës Botërore të Tregtisë,  “World Trade Center 4” zyrtarisht do të hapet nesër më 13 nëntor.

Nga BEQIR SINA, New York City/

LOWER MANHATTAN NYC : Më shumë se 12 vjet , pas sulmit terrorist që tronditi botën, qyteti i New Yorkut, përsëri mund të i “ngul” sytë mbi Qendrën Botërore të Tregtisë , pas testit të parë të majës të kullës të re, duke ndezur dritat nga më të shëndritëshmet dhe përurimit nesër të “World Trade Center 4”. Zhvilluesit e  projektit të ndërtimit të Qendrës Botërore të Tregtisë kan testuar dritat në maj të ndërtesës në natën e premte, kur qindra drita të kuqe , të bardhë dhe blu LED module kan ndriçuar pjesën Ulët të  Manhattanit, duke tërhequr vëmendjen e milionave njujorkezve .

Banorët e zonës së Ulët të Manhattanit(Lower Manhattan) ishin të magjepsur natën e premte, nga dritat e superndritshme në majë të Qendrës Botërore të Tregtisë, “Freedom Tower” , të cilat ishin të ndezur në një provë për herë të parë, prej 11 shtatorit 2001, kur u rrëzuan dy Kullat Binjake.

Një kapitull i ri dhe i shumëpritur në rilindjen e qytetit të New Yorkut – Manhattan-it pas 9/11 fillon qysh këtë javë, kur kulla e parë me një sipërfaqe 16 -acre në zonën World Trade Center – Qendrës Botërore të Tregtisë,  “World Trade Center 4” zyrtarisht do të hapet nesër më 13 nëntor.

Për herë të parë, mbas 12 vjetëve, të premten e kaluar u ndezën dritat e Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, zyrtarët thanë se ky ndriçim i cili është në pikën më të lart të ndërtesës, mund të shihet deri në 50 milje larg nga qendra. Autoriteti Portual i New York dhe New Jersey-it tha të premten se ky “fanar” është e mbushur me 50 288 – vat LED module dhe se Modulet LED prodhojnë 288.000 lumens të dritës .

Ndërkohë që Kulla e parë e 16 -acre në zonën World Trade Center – Qendrës Botërore të Tregtisë, e pagëzuar “World Trade Center 4”, zyrtarisht do të hapet nesër më 13 nëntor.

Pra, nesër më 13 nëntorë të mërkurën në zemër të pjesës së Poshtëme – Downtown i ri, në qytetin e New Yorkut, hapet mbas 12 vjetëve “World Trade Center 4”, njëra nga katër kullat që kanë nisur të ndërtohen në atë që quhet “Ground Zero”, pikërisht aty ky kan qenë themelet e dy Kullave Binjake të shkatërruara gjatë sulmeve terroriste të 11 shtatorit në 2001.
Ndërtesa e parë nga kompleksi i ndërtesave që po ngrihen në Downtown e ri, është e dizejnuar firma Pritzker me arkitektë japonez Fumihiko Maki, “World Trade Center 4” është e lartë 298 metra dhe do të ketë 72 kate. Ajo është e para dhe më e vogla për nga lartësia nga 4 kullat që do ngrihen në atë që thirret tani  “Ground Zero”.
Ndërtimi i rrokaqiellit “World Trade Center 4”, mori disa vite kohë. Ndërtesa më e lartë dhe ajo që tregon madhështinë amerikane në këtë qytet ka përfunduar si konstruksion por duhen edhe dy vjet të hapet përurimi i saj është planifikuar në 2015. Qiellgërvishtësi më i lart në Amerikë, pritet të përfundojë në fillim vitin 2015 dhe quhet “World Trade Center 1”, e pagëzuar ndryshe edhe si “Freedom House”. Vepër e arkitektit Daniel Libeskind, do të jetë e lartë 541 metër ose 1776 ft, e cila simbolikisht shënon Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk do të hapet para vitit 2015.
“World Trade Center 1” – e pagëzuar ndryshe edhe si “Freedom House”, 541 m ose 1776 ft. e lartë, e parë  do të jetë 112 kate dhe përfundon në vitin 2015, çdo kat është i veshur me xham blu të errët, ku një pllakë – xhami peshon 400 -kilogram dhe është e strukturës titan. Ajo është formuar si një paralelogram që ngushtohet në një trapezoid të vogël. Ndërtesa – Qiellgërvishtësi, nuk ka kolona brenda.
Ndërkohë, “World Trade Center 2” dhe “World Trande Center 3”, përkatësisht 385 dhe 383 metra të larta pritet të jenë gati në vitin 2017 dhe 2018.

 

Kur vizitoni  4 World Trade Center…..!

4 World Trade Center është ndërtesa më e përparuar e shekullit 21 për sa i përket moderrnizimit të zyrave thonë ekspertët e këtyre fushave në New York . Desinjuar nga firma Pritzker – me arkitekt Fumihiko Maki , kjo ndërtesë me zyra të paisura me teknologjinë më bashkëkohore të shekullit, nga jashtë e gjelbër brenda përmban dritë natyrore , aparatura që sigurojnë në të gjitha dhomat e saj paisjen e ajrit të freskët dhe pamje brenda dhe jashtë ndërtesës spektakolare .

4 World Trade Center është e vendosur në zemër të pjesës së Poshtëme – Downtown i ri, në qytetin e New Yorkut, dhe është ndërtuat në mënyrë të tillë që ofron qasje të drejtpërdrejtë në pothuajse me çdo qytet metropolitan aty janë vendosur disa nga dyqanet më të mira dhe të reja dhe restorante me specialitet nga më të preferuarat në New York .

Kati i 72-të është i ndërtuat me tavan ultra – të kthejlltë qelqi – për sjell në dritën më të natyrshme më shumë se çdo ndërtesë tjetër në New York City . Çdo njeri që viziton ose punon brenda ndërtesës do të ndiej menjëherë aparaturat e kontrollit të klimës dhe sapo të hedhë këmbën e parë brenda dyerve të qelqta do të marrë frymë e ajrit të freskët, e cila kalon nëpër tubat duke e tërhequr nga maja e kullës dhe filtruar me standardet më të larta . Kjo krijon një mjedis më të mirë dhe komod të vizitës dhe të punës dhe zvogëlon shpenzimet e energjisë .

Ndërtesa ishte projektuar me dysheme të hapura dhe efikase që të lejojë qiramarrësit për të krijuar mjedisin ideal të punës për biznesin e tyre, për sot dhe në të ardhmen . Kolona pa qoshet 80 – ft. këmbë, përfshin kolonën e perimetrit për të rritur mundësitë e projektimit , të rritur sasinë e dritës natyrore , dhe të ofrojnë pamje spektakolare të pandërprerë nga çdo dritare .

Dizajni i qëndrueshëm zvogëlon gjurmët e karbonit në mjediset godinës , kursen energji dhe ujë dhe kontribuon për mjedisin më të lartë të cilësisë së punës . Ruajtja e burimeve natyrore është një prioritet i të gjithë punonjësve që kujdesen për këtë ndërtesë magjike 4 World Trade Center, e cila është ndërtesa më e përparuar e shekullit 21 për sa i përket moderrnizimit dhe teknologjisë së ndërtimit të saj .

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: me 13 nentor, perurohet, World Trade 4

Pandeli Evangjeli,Luftëtar i paepur i tërësisë tokësorë shqiptare

November 10, 2013 by dgreca

Ne Foto: Kryeministri Pandeli Evangjeli dhe Ministri i Brendshëm Koço Kotta.Tiranë 1928/

Shruan:Eugen Shehu/ Zvicer/

Kur fatet e burrave lidhen me fatet e kombit të cilit i përkasin,atëhere çdo rrahje e zemrës së tyre është një gur themeli në kontinuitetin Etnik të popullit.Për më tej ,kur Brenda kësaj rrahjje ngjizen aspiratat shumshekullore të arbërorëve,nga murgujt e decenieve të shkuara shkundet sakaq pluhuri i harresës duke i lënë gjeneratat të mendohen përballë veprës së tyre.Gjeneratat  kurdoherë mendojnë dhe krenohen për veprat atdhetare të paraardhësve të vet.Këtë krenari ata e ndjejnë akoma më të madhe,duke soditur jetën dhe veprën e Pandeli Evangjelit.

Lindi në Korçë,në vitin e largët 1859.Origjina e familjes së tij është në të vërtetë Shalësi i Kolonjës por ngase aty pat qënë shumë i vështirë shkollimi i fëmijëve ,i jati i Pandeliut,Jano,u vendos  në qytetin e Korçës.Dihet tanimë se përpjekjet e atdhetarëve shqipëtarë për çeljen e shkollave shqipe,në mesin e shekullit të 19-të nuk kanë munguar askurrë.Por Porta e Lartë,duke ndjekur politikat e veta skllavëruese nuk lejoi çeljen e shkollave shqipe.Për rrjedhojë Pandeli Evangjeli mësimet e para i mori në shkollat greke,të cilat falë propagandës së Patriakanës së Stambollit patën lulëzuar asaj kohe në gjithë Shqipërinë e Jugut.Në pranverën e vitit 1877,Pandeli Evangjeli mbaroi me rezultate tejet të mira gjimnazin dhe ndonëse propaganda helene bënte çmos të çorientonte shqiptarët,falë edhe edukatës familjare,në shpirtin e djaloshit të Shalësit  kishte bërë fole shqiptarizma.Menjëherë pas mbarimit të gjimnazit,Pandeliu  do të përballej me vështirësitë e jetës ashtu si të gjithë shqiptarët e asaj kohe.Ai e pat kuptuar se për të jetuar në atdheun e vet me nderin dhe dinjitetin e  duhur,duhej medoemos të merrte rrugët e kurbetit,të mblidhte pak para për të hapur ndonjë dyqan apo aktivitet tjetër në Korçën e vet të shtrenjtë.Për këtë arsye në vjeshtën e vitit 1878 ai niset për në Rumani,ku gjen përkrahjen e kolonisë shqiptare të vendosur aty më parë.Në sajë të kësaj përkrahje,Pandeli Evangjeli jo vetëm punoi me nder për disa vite me radhë,por iu bashkua pa kursyer asgjë lëvizjes së shqiptarëve të Bukureshtit për pamvarësinë e atdheut të tyre.Çdo ditë që kalonte,e bënte djaloshin e zgjuar të Shalësit më të ndërgjegjshëm për rolin që duhej të luante dhe kontributin që duhej të jepte në shërbim të kombit.

Në vitet 1986-1987,shqiptarët me banim në Bukuresht e rrethina,u organizuan rreth shoqërisë “Dituria”, e cila pati qëllim rritjen e vetëdijes sonë nacionale.Kjo shoqëri,ndonëse me luhatjet e veta nëpër vite,mundi të shtyp mjaft literaturë në gjuhë shqipe,të shpërndajë atë anekend trojeve tanë etnikë e mbi të gjitha të shndërrohet në pararendëse të ideve autonomiste shqiptare.Në janar të vitit 1896,duke parë aktivitetin e dendur atdhetar të Pandeli Evangjelit,”Dituria” zgjedh kryesine e re dhe kjo me shumicë votash emëron si kryetar Pandeli Evangjelin.Vite më vonë një bashkpunëtor i Evangjelit do të shkruante në memoriet e veta: “Pandeli Evangjeli më mbante gjithmonë pranë,më jepte libra për të lexuar dhe pasi i kisha lexuar më pyeste për përmbajtjen e tyre.Ai kënaqej nga leximi im dhe herëpashere më shpinte në bibliotekën e dyqanit të tij e cila shërbente edhe si zyra e shoqërisë “Dituria”(Th.Mborja  “Kujtime nga lëvizja për çlirimin kombëtar”,Tiranë 1962,faqe 7).

Fundi i shekullit të 19-të ,pas rreziqeve të coptimit të trojeve tanë etnikë,do të potenconte edhe rrezikun e vet egzistencës së kombit tonë.Ka qënë kjo arsyeja që atdhetarët më të mëdhenj shqiptarë të asaj kohe si vëllezërit Frashëri ,Hoxha Tahsim,Naim Veqilharxhi,Koto Hoxhi,Mihal Grameno,Shahin Kolonja,Ibrahim Temo,Mithat Frashëri etj, vinin në dukje rëndësinë e madhe që kishte për kombin gjuha dhe kultura jonë kombëtare.Në këtë plejadë burrash të shkëlqyer nuk do të mungonte tanimë  edhe kontributi i vyer i Pandeli Evangjelit,i cili, në shtypin që botohej asaj kohe në Bukuresht do të shkruante tekstualisht:”Duhet të përpiqemi dhe të hapim shkolla shqipe në Shqipëri,të mësojmë me gjuhën tonë se vetëm kështu do të mundim të njohim veten tonë,cilët jemi e do të na dhëmbet mëmëdheu… Po s’bëmë kështu do të qajmë fatin tonë”(Gazeta “Shqipëria”, Bukuresht 2 gusht 1987).

Ngase në ag të shekullit të 20-të,lëvizja autonomiste shqiptare  vlente të mbështetej veçanërisht me shtypjen dhe shpërndarjen  e teksteve në gjuhën shqipe,Pandeli Evangjeli , në krye të shoqërisë “Dituria” bëri çfar ishte e mundur të përmbushte nevojat e kësaj lëvizjje.Tanimë në adresë të tij ,në shtëpinë e vogël në Bukuresht,vinin varg letrat nga Janina dhe Preveza,nga Delivina dhe Manastiri,nga Shkupi e Prishtina,nga Vlora,Shkodra,madje deri nga mërgimtarët shqiptarë në Amerikë,të cilët kërkonin tekste në gjuhën e mëmës së tyre.Duke bashkpunuar me atdhetarë të tillë si Dervish Hima,Ibrahim Temo,Kristo Dako etj.Pandeli Evangjeli mundi të shtypë mijra tekste në gjuhën shqipe dhe njëherazi t’i shpërndajë këta.

Në pranverën e vitit  1906,fill pas vrasjes  në Korçë të mitropolitit grek Fotit,atëherë kur patriarkana e Stambollit nisi hakmarrjen e verbër ndaj atdhetarëve shqiptarë,vëllezërit Bajo e Çerçiz Topulli,Shahin Kolonja dhe Rexhep Efendiu i Tetovës,kanë bujtur me javë të tëra në shtëpinë e vogël por mikpritëse të Pandeli Evangjelit në Bukuresht,në shoqërinë e përzemërt të tij dhe gruas besnike Maries.Kjo shtëpi në një farë mënyre u shndërrua në shtabin e Komitetit të Fshehtë të Manastirit.Prej aty kanë dalë sa e sa vendime të rëndësishme jo vetëm për Shoqërinë  “Dituria” por edhe  Komitetet e fshehta shqiptare në disa qytete të tjerë.Intuitiv dhe atdhetar,duke parë se kombit të vet i nevoiteshin supe dhe mendje të bashkuara,Pandeli Evangjeli kapërxeu një varg vështirësish dhe jep ndihmesën e vet të çmuar në krijimin e shoqërisë “Bashkimi” të Bukureshtit ,në të cilën u përfshinë jo vetëm tri shoqatat kryesore në Rumani por edhe një varg atdhetarësh të asaj kohe,të cilët për një arsye apo tjetër kishin qendruar në hije. Vetëm dy muaj pas krijimit të shoqërisë “Bashkimi”ishin disa prej shoqërive kryesore të shqiptarëve të Amerikës,të cilët donin t’i bashkangjiteshin asaj të Bukureshtit.Në fillim të vitit 1911,athere kur kryengritja shqiptare ishte në prag të shpërthimit të saj, plaku Ismail Qemali dergon në Bukuresht Luigj Gurakuqin,i cili do të kerkonte ndihma për lëvizjen kulmore.Në krye të kolonisë shqiptare te Bukureshtit ,Pandeli Evangjeli jo vetëm që do të kontribonte me të holla nga kursimet e veta familjare,por nuk do të mungonte aspak të trokiste nëpër dyert e emigrantëve të tjerë,duke shtruar përpara tyre çështjen e kontributit për realizimin e kryengritjes.Ndërsa në verën e vitit 1912,athere kur Porta e Lartë u duk se i pranoi kërkesat e parashtruara nga kryengritësit shqiptarë të udhëhequr nga Hasan Prishtina,atdhetari Pandeli Evangjeli nuk mund të entusiazmohej si disa të tjerë.Mbi shpatullat e tij ,kishin rënë një varg mundimesh të osmanllinjve,ndaj me të drejtë ai shkruante në ato momente mikut dhe bashkpunëtorit të ngushtë të tij Mid’hat Frasherit:”Si i vështron zotrote punerat e Shqipërisë ? A do të marrin fund të mirë apo prapë do të na genjejnë?”(Arkivi qendror i shtetit-Tiranë.Fondi 35,dosja 36/5,fleta 1088,dt.19.09.1912).

Dihet tamime se shpallja e pamvaresise së Shqipërisë në 28 nëntor të vitit 1912 , shënoi një kthesë vendimtare për fatet e kombit tone.Vetëm dy ditë pas kësaj ngjarje të lavdishme,kolonia shqiptare në Bukuresht e drejtuar dhe organizuar nga Pandeli Evangjeli,i drejtoi një mocion Fuqive të Mëdha  dhe gjithë opinionit ndërkombëtar ,në të cilën kërkonte pos të tjerave njohjen e Shqipërisë së pamvarur,në të cilën të përfshihen katër vilajetet e saj: Shkodra,Kosova,Manastiri dhe Janina.Njëherazi krahas veprimtarisë diplomatike,nuk munguan edhe aksionet konkretë të mërgimtarëve shqiptarë në Rumani.Në njerin prej takimeve,Pandeli Evangjeli,i cili mbante korespondencë më qeverinë e Vlorës,i informoi bashkombasit e vet për vështirësitë që i dilnin kësaj qeverie.Madje nga ky tubim iu derguar edhe një telegram Fuqive të Mëdha,ku midis të tjerave i kërkohej:”Kufijtë tanë duhet të caktoheshin drejtësisht duke hedhur poshtë pretendimet e shteteve ballkanike mbi krahinat tona”(Arkivi i Institutittë Historisë,Tiranë.Dok.të Vjenës.dok. nr.4835 dt 2 dhjetor 1912).Një ngjarje e shënuar në jetën e atdhetarit Pandeli Evangjeli do të ishte padyshim kërkesa e atdhetarëve shqiptarë në pranverën e vitit 1914 e cila lidhej me kthimin e tij në atdhe dhe për më tepër në qytetin  ku u lind  dhe kaloi rininë e parë,në Korçë.Për hir të së vërtetës duhet thënë se Pandeli Evangjeli pati vënë  një ekonomi të mirë në Bukuresht dhe prania e familjes i sillte veç lumturi,por shpirti i burrit të madh është kurdoherë aty ku e kërkon fati i kombit.Ai lë ngrohtësinë familjare për t’ju përgjigjur kërkesës së atdhetarëve shqiptarë dhe në prillin e vitit 1914 merr detyrën e prefektit të Korçës.Ka qënë sigurisht Themistokli Gërmenji komandanti i forcave vullnetare të Korçës i cili siguroi qetësinë në vend,u dërgoi ultimatumin qarqeve shovene greke dhe në mënyrë tejet ceremoniale mblodhi 4000 vet të cilët e pritën plot dashuri e brohërima prefektin e parë të qytetit.Shtypi i kohës do të shkruante rreth kësaj ngjarjeje pos të tjerave:”Dita e 5 prillit , e shtuna e madhe,ishte një nga më të shënuarat dhe më gazmoret  ditë të popullit korçar,se në këtë ditë erdhi i pari qeveritar shqiptar i kazasë së Korçës z. Pandeli Evangjeli.Zemrat e të gjithë korçarëve ndjenin gëzim të patreguar ,të gjithve buza u qeshte dhe lavdëronin Perëndinë për këtë ditë fatbardhë (Gazeta “Koha” Korçë 17 Prill 1914.)

Që  në ditët e para të aktivitetit të tij si prefekt i Korçës , Pandeli Evangjeli do të ndeshej me një varg vështirësish nga më të ndryshmet .Në marsin e atij viti autoritetet greke me ndihmën e andartëve  grekë patën organizuar në Gjirokastër një kongres i cili shpalli autonominë e Vorio-Epirit ,madje formuan me këtë rast edhe një të ashtuquajtur qeveri të përkohshme.Disa ditë pas këtij aksioni,Athina ndermori edhe një hap tjetër në Himarë,ku me ndihmën e majorit të ushtrisë greke Spiro Milos nga Himara,shpalli autoniminë e qytetit ,përfshi 7 fshatrat që përmblidhte kjo qëndër administrative .Përballë kësaj gjendje,Pandeli Evangjeli u përpoq jo vetëm të luftonte propogandën shoviniste greke por edhe të merte masa energjike ndaj rrëzikut për shpërbërjen e kufijve tanë jugorë.Me largimin e Princ Vidit nga Shqipëria,situata në Korçë ,Gjirokastër,Përmet erdhi duke u përkeqësuar.Ushtritë helene mësynë serish kufijtë shqiptarë,duke dashur të bënin realisht endrrën vorio-epiriote.Në fundmajin e vitit 1914,kur e pa se forcat e vullnetarëve korçarë nuk mund ti bënin ballë sulmeve të hordhive helene, Pandeli Evangjeli,me cilësinë e prefektit të Korçës,i lutej Aqif Pashë Elbasanit ,prefektit të Elbasanit të dërgonte sa më shpejtë përforcime sepse pamvarësia e Shqipërisë së Jugut  ishte më  e rrezikuar se asnjëherë.Në këtë telegram midis të tjerave thuhet:”Sa të mundni më parë dërgoni forca ushtarake ,u lutemi fort … atyre që janë mbledhur të vijnë sa më shpejt të shpëtojnë nderin e Shqipërisë(Arkivi Qendror i Shtetit Tiranë,fondi 68,dosja 5 fleta 75-76).

Ngjarjet e Luftes së Parë Botërore do të përfshinin në rrjedhën e tyre edhe Shqipërinë. Shteti shqiptar pas largimit të Princ Vidit  futet në kaos dhe Pandeli Evangjeli jep dorëheqje në pamundësi të vijojë misionin e vet fisnik.Disa atdhetarë shqiptarë mund ta përcjellin atë deri në Shkup dhe prej këtej Evangjeli niset sërish në Bukuresht.Por edhe këtu ai nuk do të rreshte për asnje cast së punuari për kombin e vet.Në verën e vitit 1915,duke qënë në krye të shoqërisë “Kolonia shqipëtare e Bukureshtit”Pandeli Evangjeli u dërgoi Fuqive të Mëdha  disa peticione ku i kërkonte atyre që të mos nëpërkëmbeshin të drejtat e shqiptarëve.Ndërsa në marsin e vitit 1919,Pandeli Evangjeli do të kryesonte grupin e atdhetarëve shqiptarë në Konferencën e Paqes në Paris.Një tog dokumentash arkivorë na bëjnë me dije se akti i përfaqësimit të Pandeli Evangjelit në këtë Konferencë ishte jo vetëm miratim nga kolonitë shqiptare në Rumani por aty patën firmosur edhe dhjetra personalitete të lëvizjes autonomiste shqiptare nga Gjakova,Drenica,Gjilani,Tetova,Shkupi dhe Manastiri.

Përgjatë  dy viteve të qëndrimit të tij në Paris,Pandeli Evangjeli në bashkëpunim të ngushtë me Ibrahim Temon,Mid’hat Frashërin,Parashqevi Qiriazin,Dhimitër Beratin etj. u përpoq me çdo mjet ndaj sulmeve të egra të fqinjëve tanë shovenë,të cilët kërkonin të zhduknin njëherë e  e përgjithmonë  Shqipërinë nga harta e Ballkanit.Në mënyrë të veçantë si banor i jugut të Shqipërisë dhe si ortodoks ai u përpoq të demaskonte të gjitha demagogjitë e Athinës për përrallat e saj vorio-epiriote.Është i njohur tanimë fakti qe rreth 2000 shqiptarë grekomanë,të cilët ndodheshin në SHBA ,të joshur nga premtimet e Athinës, i dërguan një memorie Konferencës së Paqes , nëpërmjet të cilës , në mënyrë të paturpshme kërkonin bashkimin e Korçes dhe Gjirokastres me Greqinë.Në letrën që Pandeli Evangjeli , u dërgonte  atdhetarëve shqiptarë në SHBA ,midis të tjerave thoshte tekstualisht :”Jam I bindur,se nënshkruesit e një akti të tillë antikombëtar  nuk janë shqiptarë”.(AQSH,Tiranë,fondi 30,dosja 12 , fleta 1)

Në mesin e vitit 1920 ,meqënëse punët në prefekturën e Korçës nuk shkonin mirë,kryeministri shqiptar i kohës Iliaz Vrioni i propozon Pandeli Evangjelit të zerë sërish funksionin e prefektit të ketij qyteti.Pandeliu lë Parisin ,shkon disa ditë në Bukuresht pranë familjes dhe niset përsëri në Korçë.Siç dihet në fillim të dhjetorit 1920, qeveria nën kryesinë Iliaz Vrionit  shpalli zgjedhjet e para parlamentare në qeverinë e pamvarur.Pandeli Evangjeli me këtë rast u zgjodh deputet i Korçës dhe pikëridht në seancën e parë plenare të parlamentit të parë shqiptar ,falë meritave të shquara të tij në shërbim të çështjes sonë kombëtare,Pandeli Evangjeli me vota unanime zgjidhet kryetar i këtij parlamenti.Rreth kësaj ngjarje shtypi shqiptar i kohës do të shkruante:”Z.Pandeli Evangjeli u zgjodh me shumicën e votave president i parlamentit shqiptar.Është e tëpert të bëjmë fjalë duke numëruar veprat  e këtij burri të mençur në tërë jetën e tij,veçse ta urojmë nga zemra dhe të përhirojmë gjithë ata deputetë që çmuan njerinë e merituarshëm”(gazeta “Mbrojtja Kombëtare” nr.35 dt.23.maj 1921).

Pak kohë do të qëndronte Pandeli Evangjeli në këtë detyrë.Në korrikun e vitit 1921 formohet kabineti i ri  ministror dhe kësaj radhe u pa e arsyeshme që Pandeli Evangjeli për shkak të njohurive të thella  në rrafsh të dipllomacisë,për arsye se pati mbrojtur me devocion dhe dinjitet çështjen shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris dhe pasi gëzonte reputacion në kanceleritë evropiane,të emërohet në postin e Ministrit të Jashtëm.Burri i Korçës jep dorëheqjen nga funksioni i kryetarit të parlamentit, i bindur për t’i shërbyer atdheut dhe kombit atje ku e thërrasin.Në funksionin e ministrit të punëve të jashtme,Pandeli Evangjeli do te shprehte në mënytë të dukshme,jo vetëm prirjet e veta atdhetare,por sidomos aftësitë në fushën diplomatike.Një varg takimesh,konferencash , në Shqipëri ,Romë,Paris,Gjenevë dhe Londër do të zbulohen cilësitë e diplomatit të klasit të parë tek burri i mençur i Kolonjës.

Për hir të së vërtetës duhet thënë se në verën e vitit 1921,gjendja në Shqipëri ishte tejet e nderë.Fuqitë e mëdha ende nuk patën caktuar statusin e Shqipërisë ndërsa mësymjet e vazhdueshme të grekëve në jug dhe të jugosllavëve në veri të vendit,kërcënonin dukshëm edhe atë pak territor shqiptar.Në kushte të tilla,dy grupet parlamentare shqiptare formuan koalicionin me emrin “Bashkimi i Shenjtë” nga i cili doli qeveria e re.Me shumicë votash,parlamenti votoi  në krye të kësaj qeverie,si kryeministër z.Pandeli Evangjeli.Edhe në këtë detyrë  ra në sy përkushtimi i madh i kryeministrit shqiptar.Burrit të Kolonjës i duhej të punonte deri në 16 orë në ditë sa për të rregulluar gjendjen e brendshme,aq edhe për të zgjidhur një varg problemesh në rrafshin nderkombëtar,siç ishte njohja përfundimtare e shtetit Shqiptar dhe përcaktimi  definitiv i kufijve politikë.Po tu shtosh të gjithë këtyre problemeve edhe intervencionet ushtarake të Beogradit dhe Athinës,bindesh lehtë për rolin e pazëvëndësueshëm të Pandeli Evangjelit.Pikërisht në këto momente shtypi shqiptar i kohës do të shkruante pos të therave:”Kabineti i ri ndënë kryesinë e z.Pandeli Evangjeli përmbushi tërë shpresat e nacionalistëve shqipëtarë duke punuar në çdo pikpamje me një paanësi shembullore”(Gazeta “Shqipëria e re” Nr.59,11 dhjetor 1921).

Në vjeshtën e viti 1922,situate politike Brenda vendit ishte përkeqësuar,ndaj u votua për një tjetër qeveri,tanimë nën kryesinë e Ahmet Zogut.Në këtë kabinet  Pandeli Evangjeli mori funksionet e ministrit të punëve të jashtme dhe duke qënë në korent të gjithë ngjarjeve politike  dha kontributin e vet të çmuar qysh në ditët e para të marrjes së detyrës.Ai do të jepte dorëheqjen nga kjo detyrë vetëm më 27 shkurt 1924,dy ditë pas dorëheqjes së kryeministrit Ahmet Zogut.Burri i mençur do të largohej në majin e vitit 1924 për në Rumani, duke mos u bërë dot ballë sulmeve dhe shpifjeve të atyre që organizuan në qershor të vitit 1924 grushtin e shtetit.Ndërkaq,ai do të kthehej sërish në atdhe në janar të vitit 1925 ,si deputet i Korçës,i dalë nga zgjedhjet e fundvitit 1924.Më 24 shtator 1925,Kryetari i Republikës  Ahmet Zogu,firmosi dekretin  për emërimin e Pandeli Evangjelit në funksionin e rëndësishëm të Kryetarit të shtetit.Midis të tjerave Ahmet Zogu iu drejtua Pandeli Evangjelit me fjalët:”Jeta e kalueme plot nder,shërbimet tuaja patriotike dhe besnikëria juaj ndaj statutit dhe regjimit,na jep sigurinë  e duhur që kjo periudhë ka për të qënë për  fat  të  mirë të kombit”.(gazeta “Dajti”, Tiranë 30 shtator 1925).

Edhe në detyrën e kryetarit të Senatit Pandeli Evangjeli rrëfen mënçurinë dhe atdhetarinë e vet.Deri në fund të vitit 1928 ,Senati i Shqipërisë nxorri një varg ligjesh dhe dekretesh përmes të cilave rregullohej jeta ekonomike ,politike e shoqërore e shqiptarëve.Brenda logjikës së këtyre ligjeve,ishte padyshim urtësia dhe mendimi i pjekur i Kryetar Evangjelit.Nderkaq në pranverën e vitit 1928 u hodh në Shqipëri ideja e Monarkisë.Nga disa burra të kombit si dhe vet Ahmet Zogu ishte parë e arsyeshme se ndryshimi i rregjimit për vet kushtet e vendit do të mund ti çonte më përpara punët.Në këto kushte duheshin zhvilluar zgjedhje të reja për krijimin e Asamblesë Kushtetuese.Siç dihet zgjedhjet u zhvilluan më 17 gusht 1928,ndërsa më 25 gusht,një javë më pas,në mbledhjen e parë të kësaj Asambleje,Pandeli Evangjeli u zgjodh unanimisht si Kryetar i Asamblesë Kushtetuese.Më 1 shtator 1928,në fjalën e vet emblematike të shpalljes së monarkisë ,midis të tjerave  Pandeli Evangjeli do të kumtonte:”Shqipërisë kurdoherë ky regjim i asht tregue i arsyeshëm për mirqeverimin e saj dhe sa më shumë impozohet sot,kur për t’i dhanë fuqitë mbretnore,kemi Naltmadhëninë e Tij A.Zogun,shpëtimtarin e kombit…”(10 vjet mbretni 1928-1938,Tiranë 1938,faqe 37).

Në vitet 1930-1935 Pandeli Evangjeli do të zgjidhej plot tre herë kryeministër i Shqipërisë.Përkrah Mbretit Zog ai do të vinte në dobi të çështjes shqiptare jo vetëm urtësinë dhe largpamësinë e vet por edhe ato energji të pakta që i patën mbetur.Shtatëdhjetë e ca vjeçar do të vazhdonte të digjej si qiriu që ti bëntë shqiptarët të shihnin më mirë njeri-tjetrin dhe vetë të ardhmen e tyre.Është kjo një ndër arsyet që edhe shqiptarët nuk e hoqën askurrë nga zemra  këtë burrë të Kolonjës.Kështu,kur në janarin e vitit 1937 u bënë zgjedhjet e reja parlamentare,ai u zgjodh serish deputet në Korçë.i prekur,sigurisht,nga dashuria me të cilën shqiptarët përcillnin këtë atdhetar të flaktë,në mbledhjen e parë të Parlamentit në muajin shkurt të vitit 1937,midis të tjerave Pandeli Evangjeli do të shprehej tekstualisht:”Në aktivitetin tonë të vazhdueshëm,me seriozitetin që do të tregojmë… ne do të kemi bërë detyrën tonë me nder,do të kemi plotësuar misionin politik dhe patriotik që na ka ngarkuar populli dhe do të dalim faqebardhë karshi këtij populli dhe kundrejt Mbretit tonë shumë të dashur”.(AQSH Tiranë,fondi 246,dosja 72,fleta 19).

Edhe në vitet 1937-1939,roli i Pandeli Evangjelit në politikën parlamentare shqiptare ka qënë i pazëvëndësueshëm.Ndonëse tek të tetëdhjetë vitet ai do të kishte një qartësi të admirueshme politike dhe për më tej energji të habitshme.Jo rrallë Pandeli Evangjeli do të ishte i ftuar në Oborrin Mbretëror dhe vet Mbreti Zog,për orë të tëra do të bisedonte me plakun patriot.Në dhjetë vitet e mbretërisë shqiptare Pandeli Evangjeli kreu me përkushtim dy funksionet më kryesore ,atë të Kryetarit të Parlamentit dhe të Kryeministrit të vendit.Ka qënë kjo një ndër arsyet që fjala e tij të dëgjohej e përcilllej me respektin e duhur jo vetëm Brenda Oborrit Mbretëror ,por kudo në rrethet e politikanëve dhe atdhetarëve shqiptarë.Në prillin e vitit 1939 Pandeli Evangjeli do të ndjente dhimbjen si gjithë shqiptarët ,por ishte shumë plak të rrëmbente pushkën.U mbyll në shtëpi dhe nuk pranoi të bashkëpunonte me askënd.Ndofta kjo e shpëtoi nga plumbat e komunistëve shqiptarë të cilët sidoqoftë e internuan në Korçë ku mbylli sytë në tetorin e vitit 1949.

Bern -Zvicër

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, i tersise shqiptare, luftetar i paepur, Pandeli Evangjeli

Kol Margjini, martir i shqiptarizmës (16.11.1892-maj1949)

November 7, 2013 by dgreca

Nga Engjell ZERDELIA*/

Profesor  Kol  Margjini, mësues i përkushtuar, drejtues e  organizator  i shquar i arsimit, përkthyes e studiues prodhimtar  në fushën e pedagogjisë, autor tekstesh shkollore dhe didakt i njohur, udhëheqës  politik për  bashkimin kombëtar  të  kombit.

Lindi në Prizren, më 16 nëntor 1892. Mësimet e para  i  mori  në vendlindje, me mësues  Mati Logorecin e kosovarin Lazër Lumezin. Profesionistë  të mirëfilltë e të talentuar, që përçuan dhe thelluan tek Kola edhe më tepër dashurinë  për  Shqipërinë dhe Kosovën, gjë që e trashëgonte  nga vatra e Margjinëve dhe nëpërmjet bisedave që kishtë dëgjuar  nga “Oda e miqëve”, e   cila ka shërbyer si “Akademia e Edukimit   Atdhetar  Shqiptar”

I ati, Gjoni, erdhi në Shkodër, qendra e vilajetit dhe e pasurisë së  madhe  tregtare që  shërbente  si   një urë  lidhëse  ndërmjet  lindjes dhe perëndimit. Shkollën qytetëse dhe pedagogjiken  i  ndoqi   në Vienë të Austrisë me  bursë, që e fitoi  si nxënës  i shkëlqyer  që  ishte përfundoi   për   3  vjet   Institutin  Oriental, Katedrën e Gjuhës Shqipe, të drejtuar   me  kompetencë  shkencore   nga  intelektualë  e  euriditë  shqiptarë  si; profesor   Gjergj Pekmezi  me të   cilin  bisedonin për  zgjimin, përparimin dhe  të  ardhmen    e popullit shqiptar.

Në pushime kthehej në vendlindje dhe u fliste shokëve dhe miqëve, për  kulturën, për shkollën, karakterin dhe krenarinë  nacionale të austriakëve, të   cilët gëzonin dhe festonin  hapur  dhe  kërkonin  me shumë  lulëzim e përparim  kombëtar.  Kola, i diplomuar  me nota  të mira në Vienë të Austrisë, i pajisur me  vrullin  rinor të moshës, me përkushtimin tradicional e atdhetar familjar shqiptar, kthehet në Shkodër  në  vitin 1913 duke  sjellë njohuritë  e thella  të  shkollës, në përvojën e saj, mbresat e korrektësisë   së  krenarisë kombëtare të austriakëve; në këtë frymëzim   emërohet mësues në  shkollën  fillore  të  Shkodrës(atëherë quhej “Shkolla Popullore”), në  një  ndërtesë  në qendër të qytetit, prishur rreth viteve ’60 në  vendin e së   cilës, më 1987 është vendosur  një  pllakë  përkujtimore. Vashdon mësues në profilin  e matematikës, e gjuhës gjermane  në Shkollën Qytetase. Me hapjen e Shkollës  Normale në vitin 1917 ndjehej  nevoja  për  një  profesor  të  tillë, të    përgatitur. Emri i Kol  Margjinit filloi  të  bëhej  i njohur   në  rrethet intelektuale të  vendit  tonë  së  bashku  me   Gaspër Mikelin, Ismail Anamalin e Ndue Palucën, me të  cilët  i    lidhi  një  miqësi e ngushtë gjatë  gjithë  jetës, mori pjesë  në Kongresin  Arsimor të Lushnjës në Gusht të  vitit 1920.

Në protokollin original mbi  mledhjen e parë që u mbajt nga ora 9 paradite të datës 15 Gusht 1920, z. Kol Margjini  nxorri një letër  të Ministrisë  së  Arsimit dhe sipas porosisë  që  kishte  pasur ia dorëzoi me kortezi  misit  më të  moshuar  të  kongresit  zotit Kondili, i   cili e hapi letrën dhe ia dorëzoi përsëri  zotit Margjini që ta lexojë…

Në   Shkodrën  e  kulturës   së  lashtë  tradicionale  puna  e  arsimit  ishte vënë  në  rrugë  të mbarë, ndaj   profesorit   të  etur  për    të  shpërndarë   dije  në   Shqipëri,    i   qante   zemra  të    bëheshin   shumë  Shkodra    anembanë  dhe    mezi   priste   rastin për  të shkuar  vullnetar në përhapjen e mësimit shqip në Kosovë,     ku  serbët  vashdonin  genocidin  e tyre . Viti 1941 e gjen  profesor   në gjimnazin e Prizrenit, ku  shprehet dëshira e madhe për  të ndihmuar  vëllezërit  e  martirizuar   në  përparimin e arsimit .

Shumë shqiptarë e shprehin   këtë dëshirë, por  pesha e profesor  Margjinit  ishte e një rëndësie të veçantë. Propozojmë se ky gjimnaz i ri të marrë  emrin  e  Gjon Buzukut e kështu  u  bë. Me  iniciativën e tij  u   çel kursi  pedagogjik  i Prishtinës. Ai  nga përvoja  e kuptonte  se  pa  përgatitjen e  mësuesve  nuk  mund  të mbahej  në këmbë e  të zgjerohej  në  të gjithë  krahinën e  Kosovës, shkolla  shqipe. Vetëm  po të  lexojmë  raportin që  i dërgon  Ministrisë së Arsimit, bindesh për  seriozitetin e një pune  të  lodhshme  dhe efektive. Ke  se çfarë  mëson për  mënyrën  e organizimit, drejtimit të praktikës pedagogjike. Shumë  prej  ish-kursistëve i  kujtojnë  me nderim  mësimet e tyre. Por  fjala  mësues për Kolën, ishte një  koncept  i gjerë  që do të thonte dhe qytetar e patriot. E kësisoj ai  nuk mund  të rrinte  mënjanë   çështjes  së  shenjtë kombëtare . Më 16 Shtator të vitit 1943 formohet  Lidhja e Dytë e Prizrenit, organizatë politike që synonte  bashkimin  kombëtar. Profesor  Kol  Margjini  menjëherë u zgjodh  në  Komitetin Drejtues e më vonë  nënkryetar  i saj  me  ardhjen e forcave nacionaliste  në Prizren, ai  mban  një fjalim  të gjatë sa të gjithë qytetarët u përlotën  nga  fjala   prekëse e autorit, aq sa dhe gratë  kërkuan  armë për  të luftuar zaptuesit gjermanë  e serbë që po përgatiteshin   të vinin  pas tyre, për  të luftuar krahas  burrave për  mbrojtjen e Shqipërise etnike. Gjatë një inspektimi  shkollor   tek mësuesja   Marie Temali (gruaja e të ndierit Gjon Temalit, pushkatuar në vitin 1951 për’’ bombën’’ në ambasadën  Ruse) kujton : zoti  Margjini , pasi  më dëgjoi disa  orë  mësimi  ndër  lëndë të ndryshme, për  orën e historisë së  Shqipërisë  më  tha : “ … këtë orë do ta  zhvilloj  unë me nxënësit e tu, ishte tema -Lidhja e  Prizrenit. Unë, si  bir Kosove, e  ndjej shumë  rëndësinë e saj.

 

Në mbarim të orës së mësimit  shumica e nxënësve dhe prindërve (ora e fundit e muajit gjithmonë  kishte  takim  me prindër dhe i  ftoi   edhe ata  të     merrnin  pjesë në  mësim) ishin  me sy të përlotur. Ai më shumë  interpretoi  nga shpirti i tij atdhetar, se sa u shpjegoi  mësimin, gjë që  më  sugjestionoi  edhe  mua si mësuese historie, e qe  aq  mbresëlënës, sa që atë orë, nxënësit  kërkonin tua shpjegoja edhe në  orët  e tjera për shkak të përkushtimit e patosit atdhetar  që foli  profesor   Kola . Në vitin 1943 Kola qe nënkryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit që kishte për  pikësynim  bashkimin e Kosovës me  Shqipërinë. Gjatë  kësaj atmosfere  janë bërë disa tubime të popullit  në sheshin kryesor   të qytetit  para se  të  bëhej  mitingu  në  kalanë e Rozafatit. Ka  përshendetur  Kol  Margjini  dhe spikat  fjala e tij …“… në Shkodrën tonë këndojnë  bylbylat, ndërsa   në  Kosovën e robtue  këndojnë qyqet, ne këtë  ditë gëzojmë e dëshpërohemi, këndojmë e psherëtijmë;    çdo gjë sikur  na  asht dyzue  e përgjysmue, mëndja, zemra, shpirti, vetë  trungu  i  Shqipërisë  nanë, por shpresën  ne e kemi  të madhe, siç  thotë  Fishta “Po, por  nesër  me  ndihmë të  zotit do ta bajmë  Shqypnin  të  lirë” . Ago Agaj, personalitet  i  shquar  në  historinë  nacionaliste  gjatë periudhës 1941-1945, ish-prefekt  i  Mitrovicës dhe ministër  i ekonomisë, që pas luftës  jetoi dhe vdiq në Amerikë, në revistën “Zëri  i Prishtinës” shkruan : “Në vjeshtën  1924, në mbarim të udhëtimit  tim të parë  rreth e rrotull, mal më mal, e grykë më grykë të Shqipërisë, dola  në majë  të malit të Pashtrikut, prej  ku  me dylbi  kundrova  me  mall Kosovën. Dashurinë  për  këtë  vend  ma  kishte mbjellë në shpirt, kur  po thuaj  ala fëmijë , Kol  Margjini që m’u  bë vëllai  i madh në Vienë dhe më vonë do të bëhej  profesori-martir i shqiptarizmës  në  Prizren, viktimë  i  sllavoshqiptarizmës. Ai dhe Dervish Hima  më treguan dhe trimëritë e luanit të Dragobisë,  Isa  Boletinit, që atëherë  ishte bërë legjende e gjallë  në tërë evropën”. Në vend të mirënjohjes, arrestohet në Shkodër, në Janar të 1945-ës dhe u dorëzohet  serbomëdhenjve për të mos u kthyer   më  kurrë. Gjykohet  me vdekje, i  falet  jeta duke ia  ndërruar  dënimin me  heqje lirie shumëvjecare. Janë shumë  impresionuese dhe domethënëse  fjalët e vajzës, Antonetës, kur  të atin të  lidhur   me pranga  po e dërgonin  në Tuz  bashkë  me shokë  të   tjerë që  iu drejtua  Kolës: “Bac  për  Shqipni e për  Kosovë, bacë!!”. Vdiq  pas 5 vjetësh, vuajtjesh  në  burgun  famëkeq  të Sremska-Mitrovicës, në Serbi, pa pasur    mundësi  të  ndihmohet prej askujt, larg  familjes  e  të  të  afërmëve, të cilët nuk  e dinë se ku  i  prehen  eshtrat. U shua  për  atë  ideal , për  të cilin  kishte  punuar e luftuar gjithë  jetën, martiri  i shqiptarizmës.

*  Studiues, autor i librit per Kongresin Arsimor te Lushnjes. Pedagog ne Gjimnazi “Jani Nushi” Lushnje(Ne Foto: Engjell Zerdelia)

 

 

 

 

Filed Under: Histori, Kulture

ALI ASLLANI DHE TAKIMI I BEFASISHEM ME MEHMET SHEHUN

November 7, 2013 by dgreca

Shkruan: Gëzim Llojdia*/

Aty ka qenë dhe do të jetë më shprehen banorët. Po ku ka lindur poeti lirik,diplomati i shquar dhe kryetari i bashkisë së Vlorës Ali Asllani.Ja historia e parë për Ali Asllanin.,siç ma ka rrëfyer Q.Meminaj Mehmet Shehu:Ju nuk keni arritur ti bëni dot punët siç i bënte Ali Asllani Nga një bisedë me Piro Rexhepin i biri i R.S,më 30 maj ’98 në fshatin Vajzë,më tha:”Me Ali Asllanin,nuk kishim lidhje gjaku,por babai im e donte aq shumë,sa që e konsideronte njësoj si vëlla.Kur u nda nga jeta baba im,xha Aliu,ndenji në shtëpinë tonë,plot 40 ditë dhe priti ngushëllimet,si vëllai i tij.Por një ditë,më tha jemi ndodhur shumë ngushtë,sepse na lajmëruan nga lartë,që të dilnim jashtë nga shtëpia dhe dhoma ku priteshin ngushëllimet,mbasi në familjen tonë,do të vinte Kryeministri Mehmet Shehu, për të ngushëlluar.Isha N/kryetar i K.Ekzekutiv të Tiranës. Dolëm të gjithë nga dhoma dhe po bisedonim,se kush ishte ai burrë që ti thoshte edhe Ali Asllanit,të dilte nga shtëpia.Nga autoriteti që ai kish,nuk e merrte njeri guximin por më në fund disa miq më detyruan mua që t’ia thosha.Më vinte shumë rëndë,por s’kisha çfarë të bëja.Ju afrova dhe i thashë se duhet të dalin të gjithë nga dhoma,mbasi vjen Kryeministri për ngushëllim,dhe është duke ardhur i thashë.-Po,më tha bëni ashtu siç ju kanë thënë,biles shpejt dhe pa zhurmë,kurse unë vetëm do të qëndroj këtu,të pres ngushëllimet,se më ka vdekur vëllai.Asnjë fjalë nuk kisha mundësi t’i thosha xha Aliut,dola dhe unë jashtë por gjithmonë me merak,sepse nuk u zbatua,një urdhër i rëndësishëm.Megjithatë kur erdhi Kryeministri,kalo tek ne që ishin radhitur,na përshëndeti me kokë dhe pa bërë zë,u fut në dhomë duke i dhënë dorën ftohtë Xha Aliut.Sa ndenji aty Kryeminstri,bisedoi vetëm me Xha Alinë ,dhe me asnjë nga ne nuk këmbeu fjalë,e me që i pëlqeu biseda ndenji rreth 1.30.E thash,që kur erdhi i dha dorën ftohtë Xha Aliut,por ama,kur iku,ai e rroku në qafë dhe e shtrëngoi fortë. Të them të drejtën,më tregonte ai,na shkriu gjaku,megjithëse dita-ditës prisja të më fliste dhe të më jepte ndonjë masë të rëndë.Mbas disa ditësh Kryeministri foli në raport,kryetarët e K.Ekzekutiv,meqë Kryetari i Tiranës,nuk ndodhej aty, në mbledhje shkova unë. Gjithnjë mëndja më thash,se kur të raportoja do të më thotë diçka për atë ditë,por ai nuk ma përmendi fare.Mbasi mbaruam të gjithë filloi të na jepte porosi,se si ne duhet të kontrollojmë dhe të ndjekim zbatimin e detyrave.”Juve,na tha,nuk kini arritur akoma ti bëni mirë detyrat tuaja ashtu siç i bënte në atë kohë,Ali Asllani,kur ishte Kryetar i Bashkisë në qytetin e Vlorës.Kur do të arrini edhe ju që t’i kryeni detyrat ashtu siç i kryente ai.Vetëm athere më doli frika,dhe kur mbaruam mbledhjen shkova menjëherë në shtëpi dh iu thashë pjesëtarëve të tjerë të familjes,që të mos kenë merak,sepse ajo punë u mbyll mbasi Kryeministri e kish vlerësuar,aq shumë ,atë bisedë me Ali Asllanin,sa që na tha edhe neve të punojmë ashtu si punonte ai”.Pra arti i të drejtuarit,që kish Ali Asllani,u pëlqente të gjithëve. Pavarësisht se M.Shehu,kryeministri i asaj kohe,me shokët e tij,e konsideronin Ali Asllanin intelektual borgjez dhe pa vizion të qartë dhe të mirë,për rendin e ri shoqëror që ata e donin aq shumë,artin e tij të  drejtuarit,e pëlqenin dhe ja kishin nevojën.

Një poezi e Ali Asllanit për fshatin Vajze:”Ne krye te fshatit ka një deli krua/uj i tija akull derdhet ne përrua/dhe ne krahun tjetër varet nga nje mal/një përrua i rreptë me uturim e valë/Mu ne mes te tyre bregu Allatoj/dhe shtepit e fshatit si fole fajkoj/fshati babagjyshit fshati më i mirë/nga ata që thuhen Labëri e lirë?Aty ndën shkallë blegërin shelegu/aty përmbi shkallë po gjëmon dybeku/rreth e rrotull lëmit djamtë heqin valle/nën rap,në hije pleqtë qajnë halle/Lahure qëndisur bedene-bedene/sec i paska hije asaj protoene/asaj protoene me një furk në sqetullë/që e ther e që e gris me sy e me vetull/andej disa koce shkojnë në krua/këtej bagëtia varet në përrua/me krabë në dorë një djalosh/përmbi sy kësulën,vërshëllin përposh…..

Aktualisht fshatin e sotëm të Vajzës unë do ta quaj ,qendër të mjerë ,por me shtëpi të ra një pjesë të reja dhe më punë të mëdha. Nikoqiret kanë zbukuruar oborret kanë fshirë  baltërat anës avllive dhe duket se ndrinë fshati nga një pamje e tillë. Duke lënë pas Vajzën për të shkuar tek shpella ku Fredi ka bërë një lokal fantastik me një baxho dhe n  në katin e dytë dhe poshtë është shpellë me gurë të kuqe.Një pjesë e saj është bërë murri dhe oxhaku e bruxi që rri varur. Poeti Ali Asllanin përshkrimin e tij ndoshta e ka patur fjalën për shpellën e bletës:” Në katundin Vajzë të Vlorës,më tej bregut Allatoj/kur nise për në Plocë,më të djathtë,rrëzë përrojt,ka pas qen një shpellë e madhe/dhe mbi sup të saj Beuni,rreth me pyje plot sorkadhe/shpella quhej shpellë e bletës,me një maj si thikë e prehur,ledhe- ledhe,hoje-hoje mjalti kish në gjin e saj fshehur…..

Nderimi për Ali Asllanin

Një bust dhe emri i poetit dhe pushtetarit Ali Asllani u vendos në një shkollë të mesme në një qytezë të vogël të Labërisë buzë lumit Shushicë.Ali Aslllani qëndron 10 km larg vendlindjes së tij,fshatit Vajzë ku lindi i ati.

 

Të flasësh për Ali Asllanin,për këtë personaliet të shquar dhe veprën e tij të ndritur,për kontributin që ai ka dhënë në favor të popullit të Vlorës dhe mbarë Shqipërisë,e themi me bindje se nuk është shumë e lehtë.Por vepra që ai ka lënë pas,aq e qartë e kuptueshme dhe shumë e dashur për të gjithë,na ka lehtësuar në punën tonë,për të folur dicka nga ajo veprimtari e madhe dhe shumëllojshme,e asaj jete të gjatë,plot brenga,por gjithmon krenare.Veprimtaria e Ali Asllanit në vendin tonë,ishte  shumnë e gjerrë,dhe në shumë fusha të jetës politike e shoqërore.Ai dha një kontribut të shquar dhe tëpazvëndesueshëm,si intelektual dhe patriot,si pushtetar dhe diplomat,e në të gjitha këto fusha ku punoi,la gjurmët dhe shkëlqimin e tij, si drejtues me nivel të lartë e me ndërgjegje të pastër.

Duke ndjekur rrefimin e nipit të poetit Qëndro Meminaj.Në çdo vend demokratik të botës,thoshte Ali Asllani,institucionet forcohen nga ana e shtetit,kurse qytetarëve iu bëhet e qartë ,se ato duhet të respektohen nga të gjithë.Përveç kësaj, prorosiste Kryetari i Bashkisë,nënpunësit duhet ti njohin mirë problemet e tyre,që mbulojnë, dhe që i ndjekin për çdo ditë në mënyrë,që dhe rregullat e ligjet e shtetit,të bëhen shumë të kuptueshme dhe të thjeshta,për tu zbatuar nga qytetarët.Dhe këtë,ai e bënte vet i pari dhe në mënyrë të përsosur.Ja si e tregonte babai im Shuhaip Meminaj,djali i dajos së tij nga fshati Trevëllazër,i cili për disa vjet ,ka punuar dhe është kujdesur për lulishten kryesore të Vlorës.Edhe ne, që e kishim nip biles edhe kushurinjtë tanë dhe bashkfshatarë të tjerë nga fshati ynë,që Ali Efendiu i njihte dhe iu thërriste dajo,kur venin në Vlorë,nuk shkonim për ta takuar në Bashki,sa herë që të donin.Sepse ,ai sa i dashur që ishte me ne,kur vinte në shtëpit tona,apo edhe kur shkonim ne në shtëpinë e tij,aq serioz ishte në zyrë.Prandaj shumë herë,ose e prisnim sa dilte nga zyra,ose shkonim në shtëpi për ta takuar.Gjithmonë përpara Bashkisë, ai kishte urdhëruar që të punonte një llustraxhi,kurse brenda në koridor,të vendosej një garderobë me disa xhaketa e bluza.Dhe kushdo që do të shkonte për ta takuar Kryetarin e Bashkisë,duhet ti fshinte këpucët dhe ti lyente me bojë,aq sa ato mbanin.Nqs qytetari nuk kish mundësi të paguante llustraxhinë,atë e paguante Bashkia nga fondi i saj,dhe pastaj sipas kohës dhe nevojës vishte dhe një xhaketë,e shkonte për të takuar Kryetarin,Ali Efendinë.Dalë nga dalë, qytetarët filluan ta kuptojnë dhe në takim me të shkonin më të pastër dhe të veshur më mirë,sipas edhe mundësive që kishin.Ali Asllani i vendosi këto kushte,jo vetëm se ato ndikonin në rritjen e kulturës qytetare,që atëhere ishte shumë e nevojshme,por edhe për të ndërgjegjësuar qytetarët,se në ato zyra të shtetit,që iu zgjidheshin problemet dhe hallet,që iu mbrohej prona dhe iu garantohej dhe jeta,të shkoje i rregulltë,ti doje e respektoje ata nënpunës e pushtetar,sepse doje dhe respektoje shtetin tënd që athere ndihej shumë nevoja e tij.Ishte ky qëndrim dhe ky preokupim i Ali Asllanit që institucionet në qytetin e Vlorës,të funksionin normalisht, e të ecnin në rrugë të mbarë,duke i zgjidhur më së miri,hallet e problemet që kishin në atë kohë,Vlora dhe qytetarët e saj.Prandaj ishin të shumtë e përditë jo vetëm banorët e qytetit të Vlorës por edhe banorët të fshatarëve të rrethit,që përherë shkonin të takonin Ali Asllanin,Kryetarin e tyre.Edhe  ai i priste me kënaqësi e në bazë të kompetencave dhe mundësive që kishte,iu zgjidhte ankesat që kishin dhe nuk e mbyllte zyrën ,pa ikur i kënaqur edhe qytetari i fundit.Ai i realizonte këto detyra të rëndësishme,jo vetëm me punën e tij e tij të ndershme,por edhe me punën që bënin vartësit e tij,që punonin në zyrat e Bashkisë e kudo në qytet,sepse në to ai kishte zgjedhur dhe vendosur intelektualët më të mirë,ekonomistë,inxhinjerë dhe teknik që kishin mbaruar shkollat jashtë vendit.

Pavarësishtë nga stafi që Ali Asllani kishte në Bashki,të cilët ishin me nivel të lartë dhe me arsimin përkatës,sipas funksionit dhe detyrave që kryenin,ai nuk mjaftohej me aq.Gjithmonë kur mbaronte orari zyrtar,Kryetari i Bashkisë nuk shkonte menjëherë në shtëpi,por kalonte andej nga ishin dhënë detyrat në mëngjes,dhe kontrollonte,se sa ishin zbatuar ato, dhe në mënyrë të vecantë shërbimet urbane.Siç ishin kanalet e ujrave të bardha e të zeza,që ndërtoheshin për herë të parë apo rikostruktoheshin,deri ku kishin arritur ndërtimet,në ndonjë rrugë,objekt në ujë të pijshëm,trotuar,lulishte etj.Në mëngjes kur mblidhte nënpunësit,ai nuk priste që ata të raportonin,se si ishin kryer detyrat që kishin patur ditën e parë,por jepte direkt detyrat e reja,mbasi ai i njihte vet,volumin dhe cilësinë e punimeve,duke iu bërë edhe vrejtjet për punën që nuk ishte bërë mirë.Kjo i vinte në pozita punonjësit që punonin me të në Bashki e gjetkë,prandaj edhe ata filluan të punonin dhe të vepronin ashtu si Kryetari i Bashkisë.Kështu që  punët në qytetin e Vlorës,përmirësoheshin dhe nga dita në ditë,bëheshin më mirë.

Ato vite kur Ali Asllani ishte  Kryetar Bashkie,populli i Vlorës si dhe i gjithë populli shqiptar,kishte shumë nevojë për të siguruar drithërat e bukës dhe sidomos,në vitet që kishte thatësirë të madhe.Por Kryetari i Bashkisë i merrte masat me kohë dhe ndonjëherë e sillte drithin nga jashtë dhe e mbyllte nëpër magazina.Pastaj në bazë të kërkesave që kishte qyteti por edhe nga  fshatrat, mbështetur në sasinë që grumbullonte,bënte planin e shpërndarjes me grafik të rregulltë për çdo periudhë kohore,duke u bërë furnizimi i tyre në mënyrë normale.Ja si e ka treguar Izet Dauti nga fshati Kërkovë:”Sipas datës që  na ishte  caktuar nga Bashkia,shkuam në magazinat e Portit,që të merrnin drithin që  na ishte  planifikuar për fshatin tonë.Por atje rojet italiane të portit,na nxorrën shumë pengesa,mbasi ata ngrinin cmimin e kontrabandës,për të përfituar për veten e tyre,në rrugë të padrejtë dhe në kurrizin tonë.Katër –pesë burra nga fshati ynë shkuam në bashki,ku na priti menjeherë Ali Efendiu,të cilin e informuan për cfarë na kishte ndodhur.Ai u nervozua shumë sepse i erdhi keq për neve.Me të shpejt shkruajti një letër dhe u foli aty tre xhandarëve të Bashkisë,ku njëri prej tyre ishte  italian.Do të shkoni tek depot në port dhe do të filloni menjëherë nga ndarja e drithit,se nuk ka xhandar nga Vlora apo të huaj,që të bëjnë dallavera dhe të pengojnë zbatimin e këtij urdhëri.Kush të dojë le ta provojë,sepse i shkurtojmë nga  këmbët.Bashkë me ta do të shkoni edhe ju-i tha italianit dhe mbas një ore jam edhe unë atje.Me tu dorëzuar letra,u hapën menjëherë depot për ne dhe për disa fshatra të tjerë që kishin rradhën për funizim.Ndarja e drithit u bë ashtu siç porositi Ali Efendiu,sepse në atë mënyrë nuk kishte asnjë kundërshtim nga ana jonë.Ai vetë kishte ardhur më përpara seç na tha neve,por në atë kohë që ne e pamë, Ali Efendiu kish mbledhur xhandarët dhe po u jepte porosi:”Cdo njeri prej jush u thoshte,do të  përcjell fshatarët e një fshati sa të dalin nga qyteti,për të mos patur probleme e konfuzion gjatë rrugës.Por Ali Asllani zgjidhte edhe probleme të tjera për fshatarësinë,mbasi në atë kohë,ka qënë edhe Kryetar i Katundisë për rrethin e Vlorës.Njerëzit e mi nga fshati Trevëllazër,na kanë treguar për një konflikt që kanë patur 4-5 familje nga ky fshatë me disa familje të fshatit Kaninë,të cilat i kishin në pronësi tokat e fshatit Beshishtë që ishte  kufi me fshatin tonë.Bëhej fjalë për disa sip. toke të vogëla pyll,kullotë që ishin vazhdim i kullotave të mëdha e që njiheshin prej kohësh si musha,pronë e tërë fshatit.Por për këtë problem, kishte dëgjuar edhe Ali Efendiu i cili i kishte dërguar Kryeplakut të fshatit,që të mos bëhej asnjë lëvizje nga fshatarët,sepse për zgjidhjen e tij,do të vinte vet në fshatë dhe kishte përcaktuar edhe datën e orën.Me ta ardhur në qëndër të fshatit,Ali Efendiu u përqafua me të gjithë,e menjeherë e mori fjalën:”Ato copëra kullotash që bëhet fjalë për tu zgjidhur nuk kanë ndonjë vlerë të madhe  tha ai,sepse ato janë në terrene të thyer dhe nga to nuk kini asnjë përfitim.Familjet do të kenë gjithmonë probleme se i kanë edhe larg nga fshati.Dhe meqë ato janë në vazhdim të kullotave të përbashkëta të fshatit,le ti bashkngjiten asaj dhe atje të vendosim vetëm një kufi,që ndan fshatin Trevëllazër me fshatin Beshisht.Ato do ta respektojnë atë kufi dhe nuk do të ketë më ngatërresa,sepse ai është kufiri i një fshati.Të gjithë ato familje që kishin pjesë në atë konflikt,u përgjigjën në një zë:”Të bëhet ashtu siç tha Ali Efendiu.Pastaj drejtuesi i mbledhjes  shprehu dëshirën që Ali Efendiu të vazhdonte të fliste edhe për problemet e tjera,sepse ata ishin mësuar me të dhe kishin kënaqësi të madhe ta dëgjonin.Kryeplaku i tha do të na plotësosh një kërkesë:të qëndrosh për drekë,se na kishte marr malli…Është shumë e drejtë, tha Ali Efendiu ,që të flasë dhe për problemet e tjera të qëndroj edhe për drekë,por sot do të përfundojmë me kaq,se unë bashkë me përfaqësuesit tuaj,do të shkojmë atje në atë vend ku është konflikti.Atje janë edhe kaniniotët se i kam lajmëruar unë që të vijnë.Që aty bashkë me Ali Efendinë shkuan në vend,vendosën kufirin të dy palët dhe i dhanë dorën njëri-tjetrit në prezencë të tij.Qysh athere e deri mbas luftës,nuk pati asnjë konflikt ndërmjet dy fshatarve,është për tu thekësuar se pas vitit ’91 këto familje nuk i bënë dokumentat e pronësisë,për ato parcela që bëhej fjalë,pasi ato i qenë bashkngjitur kullotave të përbashkëta të fshatit.Kjo i tregon qartë ,jo vetëm, se si i zgjidhte ai hallet e qytetarëve,por edhe drejtësinë e vendimeve që merte e zbatonte Ali Asllani dhe nga na tjetër duket qartë besimi dhe respekti që kishin qytetarët për të e për fjalën e tij.

Ka një të fshehtë ndoshta të panjohur,kohën e punës së Ali Aslanit dhe përqëndrimin e tij kundër këtij “kanceri”.Qëndro Meminaj ka zhbiruar duke u përqëndruar më tepër tek luftimi që kërkon ndërgjegje të pastër si qelibari sic ishte  shpirti i poetit pushtetar.Kemi shqyrtuar më lartë,luftën që bënte ai në portin e Vlorës për kontrabandën që bëhej nga italianët me cmimin e drithrave që importoheshin.PorAli Asllani ishte i papajtueshëm me këto fenomene dhe në të gjitha dretjtimet,u bënte luftë të pamëshirshme.Në mardhëniet që ndërtonte ai me nënpunësit e Bashkisë,të institucioneve të tjera të qytetit,të dikastereve qeveritare,me popullin e Vlorës dhe të krahinave,ai ishte tepër korrekt dhe i ndershëm dhe këtë transparencë e kërkonte vazhdimisht edhe nga vartësit e tij.Projektin për merkaton dhe sahatin e qytetit,tregon Dr .Prof B.Gaçe,Ali Asllani e bëri vet,por fonde për të mbuluar shpenzimet për ndërtimin e tyre,Bashkia nuk kish.Ali Asllani, organizoi një mbledhje në Bashki dhe në të ftoi dhe intelektual dhe qytetar të familjeve të pasura të qytetit,të disa fshatrave përreth.Projekti për kullën e Sahatit dhe merkaton nuk do të zbatohet ,u tha ai,mbasi nuk kemi të ardhura për të përballuar shpenzimet e ndërtimit.Por të gjithë pjestarët që ishin në atë mbledhje,iu përgjegjën pozitivisht,duke dhënë nga buxheti i tyre familjar,shuma të konsiderueshme.Disa familje të fshatrave që nuk iu ndodheshin të ardhura financiare,dhanë bagëti të ndryshme të cilat u konvertuan në bazë të vlerës,që kishin.Banka e Vlorës, me prorosi të Ali Asllanit,kishte përgatitur një dokument të posacëm,vetëm për atë rast dhe që mbahej në tre kopje,për secilin dhurues,një Banka,një Bashkia dhe një dhuruesi.Emrat e dhuruesve u hodhën menjëherë në Librin e Nderit të Bashkisë,dhe lista me emrat e tyre e gjestin patriotik,u afishuan në shumë vende të dukshme të qytetit,bashkë me falenderimet që u bënte Bashkia.Në inagurimin e tyre përpara popullit të Vlorës,Ali Asllani,jo vetëm i falenderoi ato familje përsëri,që i dhanë qytetit të tyre këto vepra të bukura por edhe në mënyrë analitike,raportoi dhe shpenzimet që ishin bërë zë për zë,dhe në tërësi për objektin.Këto veprime i bënte Kryetari i Bashkisë,jo vetëm të tregonte transparencë për  veten e tij,por tu mësonte edhe vartësve se si të punonin,tu tregonte dhuruesve dhe tërë popullit të Vlorës,se si adminsitroheshin dhe ku shpenzoheshin ato vlera monetare të tyre.Kështu e luftonte korrupsionin dhe kontrabandën në administratë,Ali Asllani që si fenomene të rrezikshme ishin njohur në vende të ndryshme të botës.Këtë rrezik që i kanosej vendit nga këto fenomene negative,dhe që ishin reale gjatë lutës së II botërore,i ka patur mirë parasysh Ali Asllani,kur shkruajti poemën “Hakërrim”.Në atë poemë,ai u bënte luftë shumë të ashpër atyre elemenetëve të pandershëm e të molepësur,që për hirë të pasurimit të tyre,brenda një kohe të shkurtër ishin të gatshëm dhe bënë cdo gjë,në dëm të atdheut,kombit shqiptarë.Prandaj  ai do të shkruante:

“Hani –pini e rrëmbeni,mbushni xhepe-mbushni arka…

Të pabrekë-ju gjeti dreka,milioner ju gjeti darka…

Hani -pini e rëmbeni,është koha e çakenjëve,

Hani-pini e rrëmbeni, është bota e maskarenjëve…

Dallavera nëpër zyra,dallavera në Pazar,

Dallavera me të huaj,dallavera me shqiptarë…

Dhe për një kërkoni-pesë..por më mirë njëzetë e pesë

Le të rrojë batakçiu,dhe i miri le të vdes….

Një rrugëtim nëpër gjithë botën gjer tek “molla e kuqe” siç e quan poeti e përshkruan Q.Meminaj në rrfeimin etij.

Është e qartë për të gjithë,se karrigia ku ishte ulur Ali Asllani dhe zyra ku ai ka punuar dikur,qoftë si Kryetar Bashkie,Nënprefekt,Prefekt,Kryeskretar në Qeverinë e I.Qemalit,e S.Delvinës e ka treguar më së miri se po të punosh me ndërgjegje të lartë,këto fenomene negative,nuk ngrejnë kokë.Ali Asllani e dinte dhe e shihte vet vendin e tij që ishte më pak i zhvilluar se shumë vende të tjera të Europës,por ai nuk hoqi asnjëherë shpresat,se Shqipëria,një ditë do të bëhej,ashtu siç i përkiste të kaluarës së saj të ndritur.Dhe për këtë punoi dhe luftoi deri në vdekje.Ai nuk u largua nga Vlora dhe Shqipëria,përveç kohës në shkollë dhe punës si diplomat.U përball me të gjitha vështirësit që i dolën përpara,me persekucionin  dhe varfërinë në familje,me dhimbjen e madhe për fëmijtë e tij,dhe që të gjitha i përballoi,vetëm e vetëm,se donte shumë Vlorën dhe Shqipërinë.Shprehje më të bukur se në poemën  e tij për Vlorën nuk besoj se gjëndet:

-Gjesdisa Europën,gjesdisa Azinë

-Gjer tek molla e kuqe,vajta gjer në Kinë

-E me re te bardha,dhash edhe mora,

-Hazinera gjeja,kur më hante dora,

-E me re të bardha,mora dhe dhashë

-Porsi Vlorën time,një qytet nuk pash…

*Msc.Anetar i Akademise Evropiane te arteve(Ne Foto:Fshati VAJZE)

 

Filed Under: Histori Tagged With: Ali Asllani, Gezim Llojdia, Mehmet shheu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 621
  • 622
  • 623
  • 624
  • 625
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT