• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Histori: Çfarë ka ndodhur më 22 tetor?

October 22, 2013 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/

1867 – Franz Bopp, filolog gjerman dhe albanolog, vdiq në Berlin në moshën 76 vjeçare. Si profesor i gramatikës krahasuese sanskrite në Universitetin e Berlinit, në vitin 1854, Bopp vërtetoi teorinë e herëshme se shqipja i përket familjes se gjuheve indoevropiane – dhe paraqiti të gjitha faktet shkencore në dispozicion në mbështetje të kësaj teze. Pas këtij demonstrimi të Boppit, asnjë filolog deri me sot nuk ka mundur të sfidojë vendin e shqipes në këtë familje, ku bëjnë pjesë thuajse të gjitha gjuhet evropiane, me përjashtim të hungarishtes, turqishtes dhe finlandishtes. Pas zgjidhjes së kesaj çështjeje, në vazhdën e arsyetimit, Bopp iu përqas një tjetër problemi: Çfarë vendi zë shqipja brenda familjes indoevropiane? Pas shqyrtimit të thellë dhe krahasimeve të shumta, ai arriti në përfundimin se shqipja nuk ka lidhje me asnjë nga gjuhët indo-evropiane, por qëndron degë mëvete si greqishtja, persishtja, armenishtja dhe lituanishtja. Që nga viti 1860, kur Bopp doli me këtë përcaktim, studimet mbi shqipen – që tërhoqën linguistë nga më të shquarit e shekullit XIX, XX – u përqëndruan dhe vazhdojnë të përqendrohen në çeshtjen edhe më të vështirë; Cila është prejardhja e shqipes? Dhe për këtë ekzistojnë shumë  ide a supozime, por vetëm dy teza janë pjesë e diskutimit; A është shqipja pasardhëse e Ilirishtes apo trakishtes? Që nga vleresimet e Norbert Joklit, i cili aty nga vitet e fundit te jetes se tij në fillim të viteve1940 filloi të prirej drejt përfundimit se gjuha shqipe është njësoj e lidhur si me ilirishten edhe trakishten, debati vazhdon. Por, “më e argumentuar nga ana historike dhe gjuhësore është teza sipas së cilës Shqiptarët janë pasardhës të Ilireve dhe shqipja pasardhesë e ilirishtes”. (FESH)

1922 – Lindi në Shkodër, Marije Shllaku. Studio filozofi në universitetin e Romës, dhe zotëronte shume gjuhëve të huaja si italisht,latinisht, frëngjisht, gjermanisht, dhe greqishten e vjetër. Për një kohë, në vitet 1940 ajo punoi si sekretare e Xhafer Devës. Më 24 nëntor 1946, në moshen 23 vjeçare, Marije Shllaku u pushkatua me vendim të një gjykate në Prizren nën akuzat për bashkepunim me legjendarin Shaban Polluzha në përpjekjet me armë për një Shqiperi me shqiptarët të gjithë bashkë. Studiuesi shqiptaro amerikan Tom Mrijaj ka shkruar një monografi për Marije Shllakun, emrin e së cilës mbajnë sot disa rrugë e shkolla në Kosovë e Shqipëri.

1946 – Katër anije luftarake britanike dalin nga Porti i Korfuzit, kalojnë nëpër kanal dhe ndeshin në mina; 44 marinarë britanikë u vranë, mbi 40 të tjerë u plagosën dhe dy anije u dëmtuan (njëra përtej riparmit). Britania e çoi çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, duke e akuzuar Tiranën zyrtare se minat në ujërat e Kanalit të Korfuzit ishin vendosur nga Shqipëria; ose Shqipëria kishte dijeni se kush i vendosi dhe nuk tregoi; apo rojet bregdetare shqiptare duhet t’i kenë parë anijet që kishin vendosur minat dhe për mos-ndërhyrje për t’i ndalur mbajnë përgjegjësi penale. Pas shqyrtimit të çështjes, Gjykata e Hagës arriti në përfundimin se Shqipëria ishte fajtore për incidentin dhe duhej t’i paguante Britanisë dëmet e shkaktuara. Qeveria shqiptare nuk e pranoi vendimin dhe qeveria britanike kërkoi bllokimin e arit të gjetur në Gjermani mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, i cili do tu shpërndahej proporcionalisht shteteve që Gjermania u kishte grabitur thesaret e bankave kombëtare. Për dekada çështja mbeti ngërç dhe sasia e arit të caktuar për t’iu kthyer Shqipërisë, e bllokuar.  Në vitin 1990, ndërsa Shqipëria po përpiqej të dilte nga izolimi 45 vjeçar, bisedimet mbi zgjidhjen e këtij problemi filluan mes diplomatëve amerikanë e britanikë dhe atyre shqiptarë, edhe pse të dyja palkët nuk kishin marrëdhënie diplomatike.(Albania, New York University Press, M. Vickers, J. Pettifer). Në maj të vitit 1992, delegacionet britanike dhe shqiptare u takuan në Romë ku firmosën një memorandum mirëkuptimi dhe për çështjen u arrit një kompromis mbi kthimin e arit dhe çështjen e dëmshpërbilimeve.

1964 – Jean-Paul Sartre nderohet me Çmimin Nobel në letërsi, “për punën e tij plot ide të mbushur me frymën e lirisë në kërkim të së vërtetës, duke ushtruar ndikim shumë të gjerë në epokën tonë”. Shumë njerëz u çuditën, kur Sartri e refuzoi çmimin, duke thënë se ai gjithmonë i ka mohuar nderimet zyrtare dhe se “një shkrimtar nuk duhet t’a lejojë veten që të shndërrohet në institucion”. Sartri (1905 – 1980) ishte filozof, dramaturg, novelist, skenarist, aktivist politik, biograf, dhe kritik arti. Në vitin 1946, fotografi i njohur shqiptaro-amerikan, Gjon Mili hapi një ekspozitë me fotografitë e tij në Paris. Zhan Pol Sartri, në rolin e kritikut e vizitoi ekspozitën dhe shkroi: “Para se t’a takoja Milin, kisha njohur vetëm fotografë që të nxjerrin në fotografi nisur nga një lloj zemërimi, si ai që vret. Mili nuk fyen; ai pëlqen çdo gjë: të ngrënët, të pirët, vallzimin. Harlemin e njeh më mirë se çdo i bardhë, Nju Jorkun, më mirë se kushdo tjetër. Ai është njeri i qeshur. Të vret – më keq akoma – kërkon të robërojë…, të mban në kurth të gjallë, në fotografinë e tij, dhe ti vazhdon të luftosh me veten, si peshku në rrjetë. Mili është njeri i kurtheve. Ai është plot marifete që të ç’armatosin; çdo fotografi e tij është provë, përpjekje. Për Milin, mënyrat për të fotografuar janë të shumta sa edhe njerëzit. Nëse të ka zgjedhur për të përfshirë në koleksonin e vet, ai jo vetëm që do të ngulë me thumb në tabelën e specieve të tij, të gjitha si të gjalla, por do të vëzhgojë a shqyrtojë për të njohur thellë e më thellë.Thuhet se banorët primitivë të deteve të Jugut nuk pranojnë të fotografohen, sepse besojnë se mund të bëhen përgjithmonë robër të fotografit. Për të kuptuar urtësinë e tyre ju duhet vetëm të shikoni disa nga portretet e Gjon Milit.”
(marrë nga “Photographs & Recollections” by Gjon Mili, 1980)

1972 – Lufta e Vietnamit: Në Saigon, Henry Kissinger dhe presidenti i Vietnamit të Jugut, Nguyen Van Thieu takohen për të diskutuar një propozim për armëpushim që ishte hartuar midis amerikanëve dhe vietnamezo-veriorëve gjatë bisedimeve në Paris. Në fakt, projekt-amerrëveshja ishte përgatitur nga vetë Henry Kissinger, këshilltari kryesor për politikë të jashtme të Presidentit Richard Nixon, në bisedime sekrete në Paris me homologun vietnamezo-verior Le Duc Tho. Edhe pse veprimtaritë e shumta diplomatike krijuan spekulime rreth një fundi të mundshëm të Luftës së Vietnamit,  luftimet në terren vazhdonin me ashpërsi.

1997 – Vdiq arqipeshkvi i Shkodrës, Frano Ilia. Lindi në Juban, pranë Shkodrës më 1918; u shugurua meshtar më 1943; shërbeu në Tiranë, Shkodër, Milot e rrethina. Kur Shqipëria komuniste u shpall ateiste më1967, Frano Ilia u arrestua; më 1968 u dënua me vdekje; dënimi iu kthye në burgim të përjetshëm. 25 vjet pas këtij dënimi, do të shugurohej ipeshkëv nga vetë Papa Gjon Pali II. (shkoder.net). Dom Frano Ilia, ishte edhe etnograf. Më 1993, ai botoi librin me materiale të grumbulluara me ndërprerje e prej dekadash lidhur me të drejtën zakonore në krahinën e Kurbinit, dhe zonat për rreth të Shqipërisë mesme. Libri e quajti “Kanuni i Skënderbeut” sepse heroi kombëtar bëri disa ligje kanunore të veçanta në krahinat e veta apo nën ndikimin e tij, që përbënin Arbërinë, prandaj disa thonë se Kanuni i Skënderbeut mund të quhet edhe Kanuni i Arbërit.

2002 – Nëna mbretereshë e shqiptarëve, Geraldina vdiq në Tiranë nga një semundje në mushkeri dhe pas 3 goditjeve në zemër. Ajo ishte konteshë hungareze, para se të bëhej princeshë me 1937, kur u fejua me mbretin Zog; dhe mbretereshë nga prilli 1938, kur ata u martuan. Në dasmën e çiftit mbretëror morrën pjesë ose dërguan urime a dhurata shumë diplomatë dhe personalitete të larta të kohës, si Musolini e Hitleri – ky i fundit i dërgoi çiftit mbretëror automobil, model sport Mercedes-Benz. Por Geraldina, ose siç e quanin, “Trendafili i bardhë i Hungarise”, mbretëroi më pak se një vit – në prill 1939, së bashku me mbretin dhe djalin dy-ditësh, ikën. Mbreteria e saj ishte pushtuar nga Italia. Kështu i shkoi jeta, shpërngulje nga vendi në vend, pranë mbretit Zog, mes shqiptarëve të oborrit mbreteror. Kur mbreti Zog vdiq në Hauts-de-Seine, Francë, në vitin 1961, djali i tyre, Princi i Kurorës Leka, u shpall Mbreti Leka I nga qeveria monarkiste në mërgim dhe Geraldina filloi të quhej Nëna Mbretëreshë. Në qershor 2002, ajo u kthye nga Afrika e Jugut për të jetuar në Shqipëri, pas shfuqizimit të ligji që i kishte ndaluar prej dekadash hyrjen në vend. Nëna Mbretëreshë Geraldinë vdiq pesë muaj më vonë, në moshën 87 vjeçare, në Tiranë, ku u varros me nderime të larta shtetërore.

Mendim i ditës
“Një betejë është e humbur kur mendon se e ke humbur”.
Zhan Pol Sartri

(Kortezi:VOA)

Filed Under: Histori Tagged With: 22 tetori, Astrit Lulushi, Histori

97 vjet më parë, kur Vatra stërviste vullnetarët shqiptarë

October 20, 2013 by dgreca

INTERVISTË ME FAN NOLIN DHE KRISTO DAKON/

Shkruan: ILIR IKONOMI/Studiues*

Në vitin 1916, në paradat me rastin e 4 Korrikut, në qytetet e verilindjes amerikane u panë të parakalonin dhjetra njerëz me uniformë ushtarake nën emblemën Shoqëritë Shqiptare të Stërvitjes. Këta ishin kryesisht të rinj të fuqishëm, të pamartuar, të cilët stërviteshin ushtarakisht për një qëllim që shumë amerikanë vështirë se e përfytyronin: Të ishin gati për të ndihmuar vendin e tyre pasi të kishte marrë fund lufta botërore.

Gjatë kësaj lufte, që kishte filluar më 1914, Shqipëria ishte pllakosur nga fatkeqësi të panumërta. E shkelur nga ushtritë e disa shteteve, ajo ishte bërë shesh betejash. Sipas shqiptarëve të Bostonit, vështirë të gjeje ndonjë fshat në Shqipëri që të mos ishte prekur nga lufta. Njerëzit kudo vuanin nga uria. Në vitin 1915, me kërkesë të shqiptarëve të Amerikës, autoritetet federale amerikane lejuan që shqiptarët të cilët vinin në Amerikë të klasifikoheshin si refugjatë e jo si emigrantë, siç ishin trajtuar deri atëherë në Ishullin Ellis të Nju Jorkut, pranë Statujës së Lirisë.

Sipas gazetës The Boston Globe Sunday të datës 9 korrik 1916, pas Luftës Ballkanike, në Shtetet e Bashkuara kishin ardhur jo më pak se 60 mijë shqiptarë dhe rreth 15 mijë prej tyre ishin vendosur në shtetet e Anglisë së Re (siç quhet verilindja amerikane), ku punonin kryesisht në fabrikat e tekstilit dhe në ferma.

*(Te plote do ta lexoni ne numrin special shumfaqesh te Diellit te printuar)

Filed Under: Histori Tagged With: 97 vjet me pare, Ilir Ikonomi, kur Vatra sterviste, vullnetaret shqiptare

Histori: Çfarë ka ndodhur më 20 tetor?

October 20, 2013 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/

1781 – Monarkia austriake e Habsburgëve miraton të ashtuquajturën “Patenta e Tolerancës” e cila zgjeroi, por jo shumë, liritë fetare të të krishterëve jo-katolikë që jetonin në territorin e perandorisë, duke përfshirë luteranët, kalvinistët, dhe ortodoksët grekë. Sipas “Patentës së Tolerancës”, besimtarët tani lejoheshin ligjërisht për të ushtruar privatisht fenë e tyre, por në kisha klandestine.

1803 – Senati i Shteteve të Bashkuara ratifikon Blerjen e Luizianës, duke i paguar Francës rreth 234 milionë dollarë (me vlerën sotme të dollarit). Franca e kishte kontrolluar këtë zonë të gjërë nga viti 1699 deri më 1762, kur ia dha Spanjës, aleate e saj. Më 1800, nën Napoleon Bonapartin, Franca e mori përsëri territorin me shpresë për të krijuar një perandori në Amerikën e Veriut. Por revoltat në Haiti dhe një luftë e pashmangshme me Britaninë e detyruan Francën t’i braktisë këto plane dhe t’ia shesë të gjithë territorin Shteteve të Bashkuara, edhe pse qeveria amerikane kishte menduar fillimisht vetëm për të kërkuar blerjen e Nju Orleansin dhe tokave rreth tij.

1818 – Britania dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruajnë konventën që përcaktoi vijën kufitare midis Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara. Dy vendet ranë gjithashtu dakord për zotërim të përbashkët të territorit të Oregonit për 10 vjet; dhe pastaj e vazhduan këtë zotërim edhe 10 vjet të tjera deri më 1838. Pas kësaj, çështja se kush e zotëronte Oregonin u bë gjithnjë e më e diskutueshme, sidomos kur filloi migrimi masiv amerikan në vitet 1840. Disa politikanë amerikanë filluan të kërkonin konfiskimin e Oregonit, dhe në vitin 1844, demokrati James K. Polk kandidoi me sukses për president me platformën “Oregonin ose luftë”. Por as presidenti Polk dhe as qeveria britanike nuk donin një luftë të tretë anglo-amerikane, dhe më 15 qershor 1846 i dhanë fund këtij problemi me kompromisin, që njihet në histori si Traktati i Oregonit.

1900 –

“Vdiq Naimi, po ç’të gjeti,

O moj Shqipëri e mjerë!

Vdiq Naimi, po kush mbeti?

Si Naimi s’ka të tjerë.”

Me këto vargje, Çajupi qau kur mësoi se vdiq Naim Frashëri; gjithkush sikur humbi një pjesë nga vetja; dhe Poeti qante për gjithë. Pa Naimin si poet pak mund të thuhet se ndjenja e zgjimit kombëtar do të kishte arritur deri tek shqiptari më i thjeshtë – nga fshatari i robtuar deri tek “nizami” që luftonte pa ditur pse në dhera të huaj ndërsa vend për vete s’kishte. Por nuk ishte vetëm Naimi; ai ishte 1/3, sepse Vëllezërit Frashëri i ngjajnë trinisë, pa njërën prej të cilave njeriu a kombi nuk mund të qëndrojë në këmbë e as të jetojë – Abdyli luftëtar (Trupi); Samiu dijetar (Mendja); Naimi poet (Shpirti); së bashku ndihmuan a sollën rilindjen; u dhanë shqiptarëve kyçin për të rigjetur veten duke përdorur forcën, mendjen dhe ndjenjën – së bashku a në harmoni.Naim Frashëri (nga Çajupi)

“Vdiq Naimi, vdiq Naimi,

moj e mjera Shqipëri!

Mendjelarti, zemërtrimi,

vjershëtori si ai!

Vdiq Naimi, po vajtoni

shqipëtarka, shqipëtarë!

Naimnë kur ta kujtoni,

mos pushoni duke qarë!

………..

Vdiq Naimi, që këndoi

trimërinë, Skënderbenë,

vdiq Naimi, që lëvdoi

dhe nderoi memëdhenë!

Vdiq Naimi, po ç’të gjeti,

o moj Shqipëri e mjerë!

Vdiq Naimi, po kush mbeti?

Si Naimi s’ka të tjerë….”

Naim Frashëri lindi në vitin 1846 në Frashër të Përmetit. Në vendlindje ai mori edhe mësimet e para. Më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku bashkë me vëllanë më të vogël Samiun, mbaroi gjimnazin grek “Zosimea”. Më vonë punoi pak muaj në Stamboll, si nëpunës në zyrën e shtypit, por iu shfaq tuberkulozi dhe u kthye në vendlindje për klimë më të mirë. Në fillim ishte nëpunës në Berat e më pas doganier në Sarandë (1872-1877). Në këtë periudhë Naim Frashëri shkroi edhe pozitë e para në shqip. Nën ndikimin e ngjarjeve historike, sidomos të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit – njëri nga udhëheqësit e së cilës ishte Abdyli, vëllai i tij më i madh, dhe nën ndikim e veprimtarisë kulturore patriotike të Shoqërisë së Stambollit, në krye të së cilës ishte Samiu – Naim Frashëri iu kushtua tërësisht letërsisë shqipe. Në Stamboll, Naimi ishte ndër botuesit kryesorë të revistës “Drita”, më pas “Dituria” (1885), ku ai botoi edhe shumë prozë e vjersha të tij, prej të cilave:

Pellazgët-shqiptarët

(Naim Frasheri)

Ishte një ditë/Që pellasgjitë/Posi një dritë/Mbuluan dhenë/Duall ng’ Asia/Si mizëria/Dhe me ania/E hodhë denë.

Pas pakë herë,/Duke përzjerë /Ca me të tjerë,/Bënë elinët, /Dhe duke ndarë /Syresh një farë,/Si ka të ngjarë,/Bëri llatinët.

Edhe të tjerët/E më të ndjerët,/Të papërzjerët,/Pellasgjinj mbenë/Maqedhoninjtë/E ilirinjtë/E mollosinjtë,/Gjith’ ata qenë.

Dhe ata janë/Prindërtë tanë,/Pastaj na thanë/Na shqipëtarë/Mundim të themi/Ne ata jemi,/Atë gjak kemi,/Si dhe shtyparë.

Thot’ Herodoti,/Në Tomor zoti/Shtëpi qëmoti/Kishte Dhodhonë/Eshtë m’e vjetër/Ngaha çdo tjetër,/Shumë më tepër,/Kjo gjuha jonë.

Ne kurdoherë/Burra të ndjerë/Edhe të vlerë/Jemi treguar;/Me grekërinë/Dhe me Persinë,/Me gjith’ Asinë/Kemi lëftuar.

Me Lekën vamë,/Muntmë Daranë,/Datën i dhamë/Gjithë Asisë /Burr’ u dëftyem,/Të gjith’ i thyem,/Përmbys e kthyem/Fron’ e Persisë.

Të tërë dhenë,/Den’ e sterenë,/Sa kombe qenë/Në këmb i vumë/Dhe mbretëruam/Kudo që shkuam,/Tekdo lëftuam,/Vëndin e zumë.

Me Pirron vamë/Romës i ramë,/Llatint’ i vramë/E i tmeruam;/Me Skënderbenë/Tyrqve sa qenë/U dhamë dhenë/Dhe i dëbuam.

Kush i goditi/Posi petriti/E i cfiliti/Tyrqit, barbarët?/Bota s’kuxonte/Që t’u qëndronte,/Po kush lëftonte?/Ne shqipëtarët.

Pastaj u ndruam,/Se s’kupëtuam/Dhe nuk e çquam/Të mirën tënë/Gjaknë për botë/E derthmë kotë,/Njeri ç’të thotë?/Nuk ishte thënë!

Mbajtmë Tyrqinë,/Ngjallmë Greqinë,/Ndihm’ Italinë./Po Shqipërinë?/Pse s’u munduam?/Për kë lëftuam?/Neve ç’fituam?/Ç’kemi taninë?

1947 – Komisioni mbi aktivitetin anti-amerikan fillon hetimin rreth infiltrimit komunist në Hollivud, duke rezultuar në një listë të zezë që pengoi disa aktorë, regjisorë e skenaristë të njohur për të punuar në industrinë e filmit për vite me rradhë.

1968 – Ish-zonja e parë Jacqueline Kennedy martohet me manjatin grek të anijeve Aristotle Onassis.

2011 – Lufta civile në Libi: Forcat rebele të Këshillit Kombëtar Kalimtar kapin diktatorin e rrëzuar libian Muammar Gaddafi në qytetin Sirte dhe e vrasin menjëherë.

Mendim i ditës “Gjithçka që kam mësuar për jetën mund të përmblidhet në dy fjale: Ajo vazhdon”.Robert Frost

 

Filed Under: Histori Tagged With: Astrit Lulushi, cfare ka ndodhe me 20 tetor, Histori

13 TETOR 1943-70 VJETORI I BOMBARDIMIT Të TIRANëS(2)

October 18, 2013 by dgreca

TRE  NUMRA  13: 13 Tetor, ora 13 e 13 minuta…/

Fritz RADOVANI: Pjesa II/

 Mbas një viti nga bombardimi i Tiranës, me 29 nandor 1944, u vesh me të zeza e gjithë Shqipnia! Aleatët bane bombardimin e dytë, tue zhytë jo vetem Tiranën, po gjithë Shqipninë në gjak dhe terror. Trojet e lirueme Shqiptare në vitin 1941 nga italianët dhe gjermanët u ripushtuene nga jugosllavët komunistë të Titos, tue i shtue atyne Trojeve edhe Shqipninë nanë e mbetun nga viti 1913, në dokumentat nderkombtare…

          Thirrja e parë e terroristit Enver Hoxha, nepermjet dokumentave të PKSh, që kje formue nga mercenarët jugosllavë të Titos ishte: “Përpara, gjithënjë përpara që të fitojmë e të Hakmerremi!” E nder rrugët e Shkodres ndigjohej kanga: “Hakmarrje…rini!”

Po, “hakmarrje” ndaj forcave nacionaliste në Jug, dhe “hakmarrja” vazhdon në Malet e Veriut kunder Prekë Calit, tue vra mbi 118 Burra Malësorë nga Kelmendi ynë, dhe trupat e Tyne tue i tretë nder prroska ashtu si kishte urdhnue “shoku” komandant.

E bishat partizane me “yllin e kuq” në ballë fillojnë vrasjet, kontrollet e shtëpive, magazinat e tregtarëve, plaçkitjet e mallit e deri tek arkat e grave shkodrane. Vetem në qytetin e Shkodres në vitin 1946 funksionojnë 26 hetuesi, podrume torturash, rrahjesh, masakrash, dhunimesh, shnderimesh, vrasjesh, hudhje nga dritaret, mbetje burrash nder korrente elektrike, sjellje në hell mbi zjarrin e vdekjes per me zbatue porosinë e PKSh dhe udhëheqësit të saj barbar, katil dhe anadollak “hakmarrje” ndaj Veriut… Atij Veriu që partizanët i këndonin edhe kangen e tyne kur kanë hy në Shkoder me 29 nandor:

“…Luaje Emine këmbën, se do t’ ia q…Gegës nënën!”…dhe vazhdonin vrasjet…

Vetem nga viti 1944 e deri në dhjetorin 1945 deklaron avokat Paulin Pali, janë vra nder këto qendra masakrash mbi 500 vetë në qytetin e Shkodres, pa shenue këtu ata fatzezë që janë pushkatue e vra nder male, në luftë kunder okupacionit komunist.

Filloi plaçkitja e dyqaneve të Pazarit të Vjeter të Shkodres, torturimi i tregtarëve, marrja e rrezervave të arit dhe mallit dhe kalimi i tij tek pronarët e rijë në Beograd dhe në Moskë, ku kujtohen nder dyqanet e tyne mallnat tona me firmat “Ulqinaku” etj…

E ndoshta, ky mall nuk ka aspak vlerë perballë veprave të artit, muzeumeve dhe bibliotekave të marruna me dhunë nder familjet e kenuna shkodrane apo objektet e kultit fetar, që u rrafshuen perdhe nga urrejtja e fanatizmi me parullen “hakmarrje”!

Vinin partizanët e kontrollonin shtëpinë deri nder hatlla, merrnin çka donin ata, dhe pa kalue java vinte letra e shtetizimit shtëpisë, tokës apo edhe e daljes nga prona… Arrestimet dhe burgjet ishin “pusat” ku shkonte vlera e mallit mbetun pa u shtetizue. Ishin “pusa” që perpijshin gjithshka në pafundsinë e tyne mbi 30 apo 40 vjeçare nder mjaftë shtëpi, një prej të cilave asht kenë edhe truelli i Babes tim, viktimë bombardimi po, por edhe i dënuem mbas vdekjes nga komunistët, që edhe pse la tre jetima të mitun, ma i madhi fëmijë Alfonsi, 11 vjeç (në vitin 1943), nuk perfitueme asnjë ditë pension dhe u trajtuem të deklasuem e shpeshë edhe në shenjester të “hakmarrjes” komuniste!

Po, sa familje ishin të tilla në gjithë qytetin e Shkodres? – As nuk mund të dihen kurrë ata që u perfshinë në “luften e kllasave” dhe ishin objekti i “hakmarrjes”…

***

Kur Nana u kthye në Tiranë me marrë plaçkat e shtëpisë, kishte gjetë oren e rame permbys dhe të thyeme tek dhoma e fjetjes… Kishte mbetë në momentin e bombardimit dhe hagrepët tregonin se,… ishte kenë fiks 13 e 13 minuta, e datës 13 Tetor 1943…

Dhe, me të vertetë ajo “13”… na ka ndjekë per 47 vjetë…

●“Historianët” tanë nuk duhet të jenë dakord as me këte 13 – të…

13–ta, e parë asht ajo e Esad Pashës, që na kujton 100 vjetorin e tradhëtarëve..

●Filloi në 1913, kur Esad Pashë Toptani ua shiti Shkodren malazezëve…vazhdoi me Haxhi Qamilin, tue thirrë: “Duam babën…!”, dhe mbas 13 vjetësh tjera, Ahmet Zogu mbasi nenshkroi “marrveshjen me Pashiq”, i “dhuroi” Jugosllavisë “mike” Vermoshin e …Shën Naumin, “marrveshje” që u “rifreskue” me 14 Tetor 1926, edhe sot në fuqi!

Në vitin 1941, komunistët e Titos gjetën një tjeter kallep terroristi anadollak, që ua rikthej Trojet Shqiptare të Lira të atij viti, që në nandorin e 1944, tue fillue nga Ulqini, Hoti, Gruda, Kosova dhe Maqedonia…dhe, me Ta edhe Shqipninë e vitit 1913…që edhe sot nuk e kuptoi pse quhet me emnin “Shqipni”, kur per 100 vjetë, per aq pak vite sa ishte e “Lirë”, pothuej, nuk asht drejtue asnjëherë nga Shqiptarët!

Me 1 korrik 1946, Tito shperblei Enver Hoxhen me dekoraten “Hero i Popujve të Jugosllavisë”, me motivacionin e njohun “Tradhëtar i Popullit Shqiptar”!

Motivacion që vazhdon me kenë edhe sot mbi varrin e tij…

Asht po, ajo “dekoratë” që KGB – ruse, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, me anen e ambasadorit Vladimir Tokin, në Tiranën e “kuqe”, me 21 prill 2005 dekoroi Ramiz Alinë, me rastin e 50 vjetorit si agjent i saj!

Tradhëtari Ramiz Alia dekorohet në 50 vjetorin si agjent i KGB-së, me 21 prill 2005..Ishte edhe 50 vjetori i Masakres së Tivarit, ku roli i tij nuk duhet mohue…

Frano Jakova, i vëllaj i Tuk Jakovës, kur ishte i interrnuem nga vitet 1959, i ka tregue At Frano Kirit se: “Kur Tuk Jakova, e ka pyetë Ramiz Alinë: Po pjesa tjetër e kosovarëve që sollet nga Kukësi, ku ishte vendosë gjatë rrugës për në Shkoder?

– Ramizi i ishte pergjegjë: ‘I vramë si qentë rrugës dhe i hodhëm në Dri e prroska, …ishin të gjithë kunder nesh!”…

Po Aleatët ku janë!?…

(vazhdon Pjesa III)

Filed Under: Histori Tagged With: 13 tetor, bombardimi i Tiranes, Fritz radovani, pjesa 2

KONTRIBUTI I GRUAS NË LUFTËN E VLORËS, 1920

October 16, 2013 by dgreca

Ne Foto: Shtatorja e heroines Sado Koshena/

Nga Albert HABAZAJ*/ studiues

Edhe historia, por sidomos folkori shpalos krenarisht pjesëmarrjen aktive dhe ndihmën e madhe të grave, pa të cilën fitorja e LV mund të vihej në diskutim. Këngët vënë në dukje kontributin e grave, të “gjalmëzezave”, që “kishin pjellë e bërë drëra”. Ato ishin krah luftëtarëve, gjithashtu me “dyfek e sëpatë në dorë” a pranë tyre duke hapur llogore, duke u shpurë “bukë, ujë e fishekë”, a duke u lidhur plagët të plagosurve. Më Njëzetën, gruaja u bë shoqe e pandarë lufte e burrit. Nuk morën pjesë vetëm gratë labe në këtë luftë. “Në Vlonë shkuen nga shumë vise edhe zonja për të bamë shërbime infermierie. Zonja e doktor Krastës nga Elbasani asht njena nga të parat që me vullnet të vet shkoi në Vlonë për me ua kushtue shërbimin e vet luftëtarëve të plagosun…Gratë e Elbasanit i hoqën vathët nga veshët dhe unazat e gishtave dhe i dhanë për atë qëllim”.[1]

Këngët sjellin edhe jehonën e ndërmarrjeve luftarake të grave heroina si Sado Koshena, Rubi Hosi, Safe Musai, Zakine Krasta, Hanko Metja, Tushe Hosja etj., “Trimëreshat që bë’ nëna/ Luftuan e s’iu tund këmba”. Jo vetëm përkushtimit të infermieres Rukie Krasta, që erdhi vullnetare nga Elbasani dhe vraponte nga një llogore në tjetrën për mjekimin e të plagosurve, në ndihmë operative të mjekut Shezai Çomo, nga Libohova, i cili mori pjesë në luftë edhe me armë në dorë, siç e këndon dhe kënga, por gjithë vullnetarëve të ardhur nga Skrapari, Devolli, Korça, Kavaja, Çamëria, gjithë shqiptarëve, që dhanë një kontyribut të vyer me luftën që bënë, me ndihmat materiale që prunë, me gjakun që derdhën për çlirimin e zonave të pushtuara të qytetit dhe trevave të tjera shqiptare, populli i Vlorës dhe i krahinave përreth, për hir të së vërtetës, përjetë duhet t’iu shprehë mirënjohje, nderim e respekt.

Edhe Hysni Berdo na jep një informacion të pabotuar më parë, të cilin patëm mundësinë, në cilësinë e drejtuesit të gazetës “Çika e Tërbaçit”, t’ia publikonim në këtë gazetë lokale. Po paraqesim një paragraf: “Në ndihmë të luftëtarëve qe edhe ulërima e Xhiko Alies në Buzujk, që grumbulloi menjëherë bashkëfshatarët, të cilët i kthyen forcat armike nga rrethues të një pjese të çetës patriotike të Sali Vranishtit, ku bënin pjesë edhe shumë tërbaçiotë, në të rrethuar e të asgjësuar. Gratë stanore të Tërbaçit në Shashicë, gjatë Luftës së Vlorës më 1920, nëpër plumba e gjyle, furnizonin çetën e fshatit me ushqime, municione, ngrinin në krahë të plagosurit dhe i mjekonin në stanet e tyre siç na e pasqyron kënga: Eni shoqe t’i ndihmojmë,/ Vëllezërve që lëftojnë,/ Të dalim breg më breg,/ T’u shpiem buk’e fishekë,/ Të hapim ndonjë hendek…”[2]

Duam të përmendim fjalët dhe veprat e Sado Koshenës nga Dukati, një grua stoike, prototip i malësores shqiptare të Labërisë. Më 20 mars 2010, Emaz Prënjo Rodaku, 74 vjeç, me arsim të lartë, na tregon në shtëpinë e tij në Dukat – Fshat këtë episod interesant: “Kur u nis çeta jonë (e Dukatit, shën. im – AH) për të luftuar kundër italianëve në Qafën e Llogorait, Sadua i priti trimat mbudhë e u tha: “Shkoni dhe u priftë e mbara! Mo kthehi me turp, se do ua bëj si ja bëra Alem Agait me çetë, në luftën me grekun”. Ikën, fluturuan djemt’ e dukat. Ku mbaheshin ata gjërpënjë?! Po, që ta dish ti, nipçe, më ‘12 – ën çeta shqiptare e krahinës së Dukatit, e komanduar nga Alem Mehmeti, i tragjas, kishte luftuar me andartët grekë në Llogora dhe u kthye. Në rrugën e kthimit, ballas me Sadon, hazërxhevape, që i mbërtheu me llaf: “Alem Aga, ku vete me këta njërëz, apo do fshihi në çitjane të grave?! Eni me mua!”. Burrat e çetës u turpëruan nga këto fjalë, u kthyen për vëndi, se i mbathi mirë kapetania dhe, luftuan trimërisht, si u kishte hije, deri sa e ndaluan përparimin e grekëve. Me ta e në ballë të luftimeve ishte Sado Nurja.” Për këtë grua, pleqtë e moçëm Musa Koshena, Ahmet Mëhilli e Dervish Mëhilli (sot nuk jetojnë, por ne ruajmë shënimet e tyre dhe nderim për ta), qysh në takimin e parë me ta në Dukat, më 18 qershor 1998, na kanë folur shumë dhe e çmojnë Sadon si luftëtare të zonjën, që e ka mbajtur pushkën në krah qysh atëhere, kur shqiptarët luftonin kundër shovinistëve grekë. Ka qenë me të vërtetë nga ato labet që të marrin gjak në vetull. Gra të tilla, jo vetëm që e çuditën armikun, por e tmerruan me vetitë e tyre burrërore. Thonë se, ku i paska parë gratë maleve me pushkë, Ulise Bozua, i cili kishte vajtur në Drashovicë, si i deleguar për të bërë marrëveshje me krerët e KMK, ka ikur prej andej i lemerisur dhe, kur është kthyer në Romë, sikur u paska thënë padronëve: “O mbret, qysh do bëjmë na?/ Albania ësht’ e fortë./ Lëftojnë burra e gra/ Atje hauri ka zotë!”[3]

Karabinieria italiane, e revoltuar nga disfatat e para, filloi të arrestojë, të djegë e të plaçkitë. Shumë gra u torturuan dhe u çnderuan barbarisht. Po gratë shqiptare nuk e duruan dot turpin, nuk u dorëzuan, nuk u përulën. I lanë shtëpitë e tyre dhe, ato që patën mundësi të siguronin armë, shkuan në ballë të luftës, të tjerat qëndruan në prapavija, se dhe aty, (megjithëse i padukshëm), kontributi i tyre ishte i nevojshëm dhe i duhur, gjithnjë të gatshme për të ndihmuar luftëtarët e çlirimit. Emri i atyre grave, sikurse i burrave shqiptarë që bënë LV, do të ngelet përmendore në historinë e Shqipërisë dhe do të zbukurojë si margaritar këngët epike të folklorit shqiptar: “Në luftën me Italinë,/ Luftën e Njëzetës – ë,/  U bashkuan – ë në çetë/ Gjashtëdhjet’ bolenas – ë,/ Trimëresha Rubi Hosi/ Shkoi bashk’ me çetën – ë,/ Kra’ me burr’ e me kunanë,/ Toton e Kafazin – ë,/ Bënë trimëri të rrallë/ Në qaf’ të Kaninës – ë…”[4] Rubo Hosi ishte e shoqja e trimit Toto Hosi, komandant i çetës së Bolenës, i cili ra heroikisht gjatë LV, dhe, Rubia, që iu ndodh pranë nuk e qau me ligështime, po nisi një këngë vaji me ligjërime. Këtë sythëz tematik do ta trajtojmë më gjerë në vijim. Ja një tjetër këngë; “Sado moj, Sado Koshena,/ Jeshe rritur në Ravena,/ Keshje pirë ujë bore/ N’ato kullotat verore./ Mbi polkë veshe gjerdanë,/ More përpjet’ Llogoranë,/ Me një maliher të gjatë,/ Luftove  me ditë e natë./ Ti vëlla keshje dyfekun,/ Me plumba e prite grekun,/ Hape zjarr mbi italianë,/ Se të zaptuan vatanë.”[5]Kënga, në vetëm 12 vargje, na jep informacion të hollësishëm për veshjen e saj, për armatimin që përdorte; marrim vesh se ajo është rritur në Ravenën e bukur me kullota verore në malet e Karaburunit të Dukatit; njoftohemi për luftën që ajo ka bërë kundër shovenëve grekë më Katërmbëdhjetën dhe kundër pushtuesve italianë më Njëzetën. “Atje përposh, n’ato ura,/ Po lëftojn’ burrat mi burra,/ Gjorm e Kot’ e Drashovicë,/ Plot’ me gjak lumi Shushicë./ Po lëftojnë edhe gra,/ Lumthi vëndi që i ka,/ Nga Dukati Sadoja,/ Sadoja Kosheneja,/ Që ish’ grua përmi gra”, na informon një tjetër këngë.[6] “Sado Koshena nderoi jo vetëm Hamzajt nga qe bijë, por edhe Koshenajt ku shkoi nuse, gjithë Dukatin e Labërinë, duke u bërë simbol kombëtar i atdhedashurisë të gruas shqiptare, sepse “në malet me trëndelinë, kishte thithur trimërinë” dhe shpallet “Heroinë e Popullit” për merita të shquara kombëtare. Busti i saj në qendër të fshatit lart krenaron historinë për brezat.”[7] Një botim më i vjetër, kontributin e grave në LV, që dhanë një ndihmë të madhe me dërgimin e municioneve, përgatitjen e shpërndarjen e bukës dhe veshjes, herë – herë edhe duke marrë pjesë drejtpërdrejt në luftime, na e jep me këtë tablo folklorike: “Ç’kanë malet që rënkojnë?/ Moj nëno, nëne! [refreni]/ Nga tromopilat që shkojnë,/ Nga topat që na qëllojnë,/ Ballonat që fluturojnë,/ Nga bumjet që na lëshojnë,/ Trimat tanë po lëftojnë!/ Le të dalim dhe ne gratë,/ Të marrim peshqir e napë,/ T’u njëmëm buzën e thatë,/ T’u shpijem buk’ e fishekë,/ T’u hapim ndonjë hendek!/ Kush ësht’ burrë – shesh për shesh,/ Kush të vritet, le të vdesë,/ Kush të rroj’ me nder të jesë,/ Vatanin do ta qerdhesë.”[8]

Ka edhe materiale arkivale që flasin për rolin aktiv të kësaj gruaje dhe në përgjithësi të gruas shqiptare në LV. “Kur u përhap lajmi në gjithë Shqipërinë, se do të fillonte kryengritja e përgjithshme,- shkruhet në një artikull, botuar në rev. “Nëndori”, nr. 8, 1960, – për të luftuar imperialistët italianë, në Vlorë dhe në shumë qytete të tjera u formuan komisione për të mbledhur ndihma në favor të luftëtarëve. Në këto komisione shumica ishin gra, të cilat dhanë florinjtë e gushës, byzylykët, vathët dhe unazat për të ndihmuar vëllezërit e tyre që luftonin”. Po gratë nuk e ndihmuan luftën vetëm materialisht. Ato muarrën edhe vetë pjesë në luftë me pushkë në krahë. Zekine Krasta, kur pa se i biri i saj u nis për t’u bashkuar me shokët maleve, rrëmbeu pushkën dhe e ndoqi nga pas. Kurse Safe Musai, si përcolli për në Beun të kunatin, Selam Musanë, i tha se do të nisej edhe ajo, me shoqet e saj, sapo të siguronin armë. Dhe ashtu bëri. Ajo nuk qau, por diti të ligjërojë me këngë vaji si burrneshë, kur i kunati ra si i kishte hije trimit, në ballë të luftës. Edhe pse s’la fëmijë pas, Selam Musai la emër, lavdi e shembull për të tjerët. Iu kënduan këngë më shumë se çdokujt tjetër, sepse, si duket, ai i kishte buzët te kënga, ballin te lavdia, ndaj fluturon në vargjet e këngës, si në krahë të legjendës: “Lule, Selam Labi, Selam Salaria!”

Gjykuam të përzgjedhim edhe mendimin e studiuesit B. Gaçe në lidhje me LV, për të bërë krahasimin e qëndrimit të tij për këtë ngjarje, me ato të dhëna që na japin tekstet e historisë zyrtare. Gjatë një bisede të gjatë, mbrëmjen e 5 marsit 2013, ai pohon se në vargun e luftërave dhe përpjekjeve të shqiptarëve për lirinë dhe pavarësinë e tyre kombëtare, bën pjesë edhe epopeja legjendare e Vlorës e vitit 1920, e cila, pas Kongresit Historik të Lushnjës, shënoi një nga faqet e ndritura në historinë e popullit shqiptar. Me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, 1914 – 1918, midis Fuqive të Mëdha, Gjermanisë e Austro – Hungarisë nga njëra anë dhe në anën tjetër, Fuqive të Atlantës: Angli, Francë e Rusia Cariste, Shqipëria u ndodh në këtë udhëkryq historik, duke u bërë një nga vatrat e lakmive të fuqive ballkanike dhe synimeve të tyre për ta eliminuar vetëqenien e shtetit kombëtar shqiptar. Fuqitë Ndërluftuese, me miratimin e Fuqive të Mëdha, trojet shqiptare i pushtuan, duke krijuar një dramë të re historike.

Qoftë kur trajton Kongresin e Lushnjës, me vendimet e veta, qoftë kur flet për rolin e veçantë në organizimin e LV, 1920 kundër pushtuesve italianë që ka luajtur KMK i Vlorës dhe i krahinave të tjera në Mallakastër, Tepelenë, Kurvelesh, Gjirokastër e Përmet, apo për teatrin luftarak të Njëzetës, studiuesi mban qëndrim koherent me historinë. Bëjmë verifikim të njësive folkorike që ai ka mbledhur me ato që ne kemi vjelur në komunitet në kohë më të afërt. Sipas Prof. Muin Çamit, KMK u krijua në Vlorë, më 10 mars 1920 “dhe aty u vendos që çështja e Vlorës, të zgjidhej me armë…”. Këtë gjë e dëshmojnë në kujtimet e tyre edhe H. Xhelo, A. Agalliu, G. Iljazi, etj., të cilët shënojnë se “një muaj pas Kongresit të Lushnjës në Vlorë, në shtëpinë e Osman Haxhiut, u krijua komiteti “Mbrojtja Kombëtare”, i cili kishte për qëllim përgatitjen e kryengritjes së armatosur. Osman Haxhiu dhe KMK, në ditët e fundit të marsit dhe fillimin e prillit 1920, dërguan përfaqësuesit e vet në Mallakastër, Tepelenë, Berat e Përmet për të biseduar me parësinë e krahinave. Krahas kësaj veprimtarie, edhe qeveria e Sulejman Delvinës, deklaroi hapur “për marrjen e masave dhe sigurimin e pavarësisë së vendit dhe bashkimin politik dhe administrativ të krahinave.”

Në fillim të majit 1920, komanda e ushtrisë pushtuese italiane, duke parë përgatitjet për luftë që bëheshin në Vlorë dhe krahinat e saj, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, bëri arrestime dhe urdhëroi bllokimin e rrugëve që lidhnin Vlorën me krahinat.

Nga ky shkak shpërthyen protesta e mitingje në qytete të ndryshme të vendit. Disa nga anëtarët e Këshillit Kombëtar propozuan që të bëheshin edhe bisedime me Komisar Kastoldin, por përfaqësuesit e Vlorës, Qazim Koculi e Spiro J. Koleka, kundërshtuan çdo marrëveshje që mund të bëhej në dëm të sovranitetit kombëtar dhe sidomos ndaj Vlorës. Më 18 maj 1920, KMK, dërgoi për bisedime në Tiranë, me qeverinë e Sulejman Delvinës, një delegacion të përbërë nga: Osman Haxhiu, Rexhep Sulejmani dhe Gani Aliko. Pas takimit me Osman Haxhiun, në mbledhjen e senatit të 23 majit, kryeministri do të deklaronte: “Qeveria e jonë, kurdoherë ka kërkuar dorëzimin e Vlorës dhe jep fjalën e nderit, se kurrë nuk do të kursehet për të bërë një therori për shpëtimin e Vlorës.” Pas takimit me kryeministrin Sulejman Delvina, KMK u përqendrua në krahinën e Mesaplikut. Aty Osman Haxhiu mori dhe letrën e Sulejman Delvinës, i cili më 25 maj, e vinte në dijeni se qeveria e Tiranës kishte ndërprerë marrëdhëniet me Komisar Kastoldin, duke i deklaruar atij “bashkimin politik e administrativ të krahinës së Vlorës me pjesën tjetër të vendit”.

Më 29 maj 1920, në pllajën e Barçallait, të fshatit Dukat, u thirrën 200 përfaqësues të krahinave. Publicisti Halim Xhelo, në faqet e gazetës “Politika” e jep të gjallë kronikën e këtij kuvendi: “Mbledhja e këtij kuvendi u bë ditën e shtunë më 29 maj 1920, në vendin e quajtur Barçalla, ku morën pjesë 200 vetë nga pleqësia e katundeve dhe qytetit të Vlorës, ku me një zë u betuan që: Me ndihmë dhe pa ndihmë të viseve të tjera të Shqipërisë, do të luftojmë derisa të bashkohemi me shtetin tonë, ose në mos e arrifshim këtë ideal, të vdesim me armë në dorë, që ta marrë vesh bota e qytetëruar, se shqiptari për lirinë e vet di të vdes, dhe kur vendos të vdes, s’e trembin milionat me ushtri e topa…” Në Kuvendin e Barçallait u zgjodh edhe komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare”, për organizimin e luftës kundër pushtuesit: Osman Haxhiu (Kryetar), anëtarë: Sali Bedini, Hamit Selmani, Duro Shaska, Hazbi Cano, Beqir Sulo, Ali Beqiri, Alem Mehmeti, Hysni Shehu, Qazim Kokoshi, Murat Miftari dhe Myqerem Hamzaraj. Sekretar i Komitetit u zgjodh Halim Xhelo, ndërsa Komandant i Përgjithshëm i Luftës u zgjodh Ahmet Lepenica. Pas Kuvendit të Barçallait, sipas urdhërit të KMK, forcat luftarake u përqendruan në pllajën e Beunit mbi Velçë. Më 2 qershor 1920, në Beun u zgjodh edhe Komisioni i Luftës i përbërë prej rreth 37 vetësh.

Prej Beunit luftëtarët i dërguan një ultimatum Komandës së Trupave pushtuese italiane dhe gjeneral Settimo Piacentinit, në të cilin shënohej: “Sot, populli shqiptar i bashkuar më shumë se çdo herë, duke mos mundur të durojë të shitet si bagëti nëpër pazaret e Europës, si shpërblim italo-serbo-grek, vendosi të marrë armët në dorë dhe të cilat do t’i dorëzohen me të shpejtë Qeverisë Kombëtare në Tiranë”. Ultimatumi, në radhët e tij, i kërkonte gjeneral Piacentinit përgjigje të prerë deri në orën shtatë të mbrëmjes, të datës 4 qershor 1920, për largimin e ushtrisë italiane nga Vlora. Luftëtari i shquar popullor Mehmet Selim Mallkeqi, mori këtë përgjigje nga gjeneral Piacentini: “Përgjigjen do t’ua japin topat e mi në Kotë, Gjorm e Kaninë…”. Kronologjia e mëtejshme e ngjarjes është e njohur dhe, me që s’ka ndonjë informacon të ri, mjaftohemi me ato që kemi paraqitur në sythet pararendës.

Duke bërë një testim, një verifikim dhe një krahasim për rëndësinë dhe qëndrimin që mbajnë historianët sot për Luftën e Vlorës, studiuesi B. Gaçe mendon se jo vetëm në qarqet akademike të vendit ka një mirëkuptim të plotë. Të gjithë historianët dhe studjuesit, të cilët në libër janë cituar se Kongresi i Lushnjës dhe Lufta e Vlorës rishpallën Pavarësinë e harruar të Shqipërisë dhe bota u detyrua nga Lufta e Vlorës të njohë Shqipërinë si shtet më 17 dhjetor.

 

*) Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”,

Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, ALBANIA



[1] STRAZIMIRI, Ismail, po aty, f. 212.

[2] INFORMATOR Hysni Berdaj, 84 vjeç, me arsim të lartë, veteran  lufte, Tërbaç, Vlorë, gusht 2012.

 

[3] “KUJTIME dhe këngë popullore 1918 – 1920”, vep. e cit., f.144.

[4] EH, 3, vep. e cit., nr. 232, f. 342.

[5] PO aty, nr. 252, f. 363.

[6] PO aty, nr. 253, f. 364.

[7] HABAZAJ, Albert, “Shkëlqim i trishtuar, monografi”, Europrint, Vlorë, 2005, f. 6.

[8] “KËNGË popullore historike”, bot. i ISH, IHSH, Mihal Duri, Tiranë, 1956, nr. 299, f. 307.

Filed Under: Histori Tagged With: Albert Habazaj, kontributi i gruas, ne Luften e Vlores

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 622
  • 623
  • 624
  • 625
  • 626
  • …
  • 697
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT