“Skënderbeu, kujt istoria s’i tregon ndonjë shok a shëmbëll në trimërit,në diturit të luftësë, në forcët si dhe në dijet,në mendim të drejtë, në njerëzi, në ëmbëlsit të zemrësë e në madhërit të shpirtit, Skënderbeu q’i ka dhënë edhe do t’i japë gjithë jetën nder Shqipërisë..” – (Sami Frashëri,1899) /
Shkruan: Skënder Blakaj/*
a.Pamja e kryeheroit tonë/
Pothuaj të gjitha përshkrimet pamjen e jashtme të Gjergj Kastriotit e japin si diçka krejt të jashtëzakonshme. Këtu do të mjaftohemi me një sintezë që bënë historiani gjerman J. Ph.Falmerajer : „Të flasësh për mjeshtërinë e tij në të gjitha artet luftarake dhe ushtrimet kalorësiake, për trimërinë e tij të natyrshme dhe për instinktin e luftës të këtij nxënësi të turqve, do të ishte po aq e tepërt, sa do të ishte e padobishme të lavdëroje forcën fizike, shtatin e lartë dhe simetrinë e mrekullueshme të ndërtimit të trupit, mençurinë e natyrshme, vështrimin e shpejtë dhe pjekurinë e parakohshme, mendjemprehtësinë dhe vendosmërinë e më të madhit dhe më të famshmit nga të gjithë shqiptarët. Sipas dëshmive të njëzëshme të atyre që kanë jetuar tok me të, Gjergj Kastrioti ishte një nga shfaqjet më të bukura të shekullit të tij. Që në moshën e djalërisë, çdo tipar i fytyrës, çdo lëvizje e tij tregonte birin e mbretit dhe burrin e bëmave që po piqej. Krahë më të bukur, thotë jetëshkruesi i tij, nuk ka parë kurrë askush te një njeri. Dhe, që krahët e Skënderbeut ia kalonin edhe në forcë të gjithë të tjerëve, këtë turqit e ndjenë shpejt dhe madje mjaft shpesh“.
Për dijetarin e madh gjerman, Falmerajerin (1790-1861), Fan Noli shkruan se “na dha historinë më të mirë shkruar ndonjëherë për Skënderbeun”( “he gave the bet story of Scanderbeg ever writen”), Eqrem Çabej thotë se ishte nga njohësit më të mirë të historisë së Bizantit dhe të popujve ballkanikë, i thelluar “veçanërisht në fatet historike të shqiptarëve”, kurse Aleks Buda për veprën e tij thekson se “mund të quhet e para histori e mirëfilltë tërësore e shqiptarëve “. I veçova këto mendime për te, mbasi brenda këtij shkrimi do të na duhet prapë ky dijetar gjerman. Vepra e tij u mbyll me 1861, kur vdiq. Duke hulumtuar për grekët dhe për Greqinë, aty i dolën shqiptarët aq me shumicë dhe faktor aq i rëndësishëm për rrjedhat historike evropiane deri në epokën e Skënderbeut, sa që nuk mund të mos thellohej në historinë e tyre të lavdishme, duke tërhequr mbi vete pezmin e grekëve. Për paradoks, vepra e tij “Elementi shqiptar në Greqi” na vjen shqip tek me 2003,pothuaj një shekull e gjysmë mbas botimit gjermanisht.
Duke radhitur emrat që përdor historiani i tij më i lavdishëm, Marin Barleci,në veprën që njihet shkurt si “Histori e Skënderbeut”, për kryeheroin tonë, për madhështinë dhe lavdinë e tij,duket sikur nuk i mjafton vetëm një emër. T’i shohim: Gjergji, Kastrioti, Gjergj Kastrioti, Epiroti, Skënderbeu, Gjergj Skënderbeu, i Krishteri, Kapedani, Arbërori, Princi i Arbërit…Në një pjesë të madhe të librit të vet, M.Barleci edhe ushtarët e Kapedanit të madh i quan skënderbegasit. Që në hyrje të botimit gjermanisht të “Historisë së Skënderbeut”të Marin Barlecit, Frankfurt 1577, mbas shumë fjalëve madhëruese për protagonistin dhe autorin, botuesit nënvizojnë: “Skënderbeu, përshkrimi i vërtetë , origjinal dhe i shkurtër i të gjitha luftërave dhe bëmave kreshnike e të famshme… përshkruar së pari në gjuhën latine prej fort të diturit Marin Barlecit nga Shkodra e Epirit, njohës i mirë i gjithë historisë, pastaj përkthyer gjermanisht prej Johan Pinicianit, tani u pa rishtas, me zell të veçantë, u përmirësua dhe u botua për të mirën e mbarë kombit gjerman”. Botimi i parë i këtij përkthimi ka dalë me 1533 në Augsburgun e famshëm të Martin Luterit. Në Gjermaninë e shumë principatave dhe të grindjeve për reformat fetare, Skënderbeu ynë nuk hynte vetëm si simbol i bashkimit, por edhe si model i rezitencës kundër osmanëve të cilët po i rraseshin Vjenës dhe zemrës së Evropës. Këtu gati që nuk mund të kapërcehet së paku një fragment nga Rezoluta e Kongresit Amerikan, e vitit 2005, me rastin e 600 vjetorit të lindjes së Skënderbeut: “Në nderim të 600 vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit, burrështetasit, diplomatit dhe gjeniut ushtarak, për rolin e tij për shpëtimin e Evropës Përendimore nga pushtimi otoman”. Dhe patjetër që trashëgimia e tij posaçërisht domethënëse është programi i tij për shqiptarët dhe gjithë ballkanasit-orientimi drejt perëndimit. Le ta mbyllim këtë pjesë të shkrimit me një fragment nga Ismail Kadare: “Sot, në shekullin 21, kur Shqipëria bashkë me fqinjët e saj të Ballkanit përendimor, bëhet gati për të hyrë në Evropë,programi i tij mbetet i vetmi për të gjithë. Ai është i vetmi prijës shqiptar që komandoi trupa të bashkuara shqiptare e evropiane kundër shtetit osman. Ndaj, më natyrshëm se kurrë rri sot shtatorja e tij në kryeqytetet Tiranë dhe Prishtinë,përbri shenjave shqiptare dhe evro-atlantike, që më mirë se atij s’i shkojnë askujt”.
b. Pamja dhe shtatlartësia si pjesë e famës së Skënderbeut
Me pamjen fizike të Gjergj Kastriotit, dhe me shtatlartësinë e tij, pothuaj 550 vjet radhas janë marrë shumë autorë. Edhe Kristo Frashëri, te vepra „Skënderbeu“, e diskuton këtë çështje e, ndër të tjerë, edhe Musa Ahmeti te revista “Ekskluzive”. Ndoshta nga inercioni i refuzimit komunist, ose që të quhen vetë zbulues të dokumenteve që ruhen në Venedik për këtë çështje, nuk përmendet fare At Zef Valentini. Zef Valentini, te revista „Shejzat“, nr. 1-3, në vitin 1971, botoi shkrimin „Një dokument kurioz mbi shtatin e Skënderbeut“. Këtu e morëm nga libri „At Giuseppe Valentini”, Plejad, Tiranë, 2005. At Valentini aty shkruan: „Sot ne kemi arritur më në fund të shohim një dritë në tunelin e errët të një enigme si kjo (për shtatin e Skënderbeut – s.b.) falë një kërkese, që midis shumë të tjerave Gjergj Kastrioti i drejtonte Senatit të Venedikut, në datë 8 korrik 1457 (dokumenti gjendet në Regjistrin numër 6 dhe përmban 26 fletë) nëpërmjet të të dërguarit të tij, priftit apostolik Gjergj Pelini, abat i Shën Marisë së Ratacit, pranë Antivarit.
Sipas dokumentit të mësipërm, Zef Valentini konkludon: “Skënderbeu duhet të ketë qenë me një shtat më tepër gjigantesk se sa të lartë“. […]
Prova e një dëshmie të tillë nuk mund të arrihet kurrsesi nga trupi i varrosur i heroit, përderisa ai u copëtua nga pushtuesit e Krujës, të cilët, siç dihet, kërkuan të merrnin secili nga një pjesë për ta pasur për hajmali“, shkruan ai.
Kërkesa që po e dokumentojmë është e dyta midis 9 kapitujve të dërgesës dhe është e formuluar përpikmërisht kështu: “Në lidhje me rrobat që siç na është premtuar do të na jepen dy herë në vit, ju lutem të më dërgoni rroba të përshtatshme për trupin tim, ashtu siç iu janë dhënë edhe zotërinjve të tjerë, sepse thonë që mund të më mjaftojnë 16 krahë (rroba) për dy palë veshje. Mirëpo zotërinj, llogarisni pak me kujdes se sa krahë më duhen për dy palë veshje, e aq jepmëni. Sidoqoftë, bëni çka t’i pëlqejë Zotërisë Suaj, në lidhje me rrobat që më duhen…”
Nga relacioni në fjalë dëshmohet se në atë kohë Venediku u dhuronte princërve kryesorë shqiptarë, çdo vit nga 16 krahë rroba për dy palë veshje, d.m.th., 8 krahë rroba për veshje.
Gjithnjë sipas Z. Valentinit, kërkesës së Skënderbeut Senati i përgjigjet: „Responsio. Et si capitulum sit clarum et aperte loquatur, inclinati tamen ad ea que sibi grate sint, ordinabimus quod sibi denture brachia 18 scarlatini secundum consuetudines pro duabus vestibus pro Magnificentia sua prout in capitulo continetur.“
Le të bëjmë tash një llogari të vogël, thotë Valentini: përderisa 1 krah venedikas ishte 0,58 m, 9 krahë bëjnë 7.12 m., për një veshje të bukur e të gjerë e të gjatë deri te këmbët, për të qenë sa më dinjitoze. Përpjestueshmërisht, kur për një lartësi 1.75 m nevojiten 8 krahë rroba, lartësia së cilës i nevojiten 9 krahë është 1.98 m.
Në fund Z. Valentini thekson: “…është për të ardhur keq që nga 40 veshje që Skënderbeut duhet t’i jenë dhuruar, për një periudhë prej rreth 20 vjet relacionesh, pak a shumë të mira me Venedikun, nuk ka mundur të mbetet asgjë, ndaj s’na mbetet veçse ta imagjinojmë një të tillë.“
Le të shtojmë-ta imagjinojmë edhe heroin tonë që i ka veshur ato, në momentet solemne, në Krujën që ishte bërë qendër e rezistencës evropiane kundër vërshimit otoman. Të gjithë i kishin sytë aty. Mbas fitoreve të mëdha të Kastriotit, nga Evropa vinin në Krujë si në pelegrinazh. Ose i bashkoheshin ushtrisë së Skënderbeut si vullnetarë. Në ushtrinë e Gjergj Kastriotit kishte luftëtarë nga shumë vende të Evropës.
Dhe ja prapë gjermani i madh J.F.Falmerajer: “Pal Engjëlli, kardinal dhe kryepeshkop i Durrësit dhe legat i Papës në Shqipërinë katolike, ka qenë, në kuptimin e plotë të fjalës, këshilltar i fshehtë dhe sekretar shteti i Skënderbeut. Ai ka ndjekur shpesh Shtabin e Përgjithshëm, ka udhëhequr politikën e jashtme dhe ka hartuar të gjitha shkrimet diplomatike, që i qenë dërguar Portës së Lartë të padishahut, si dhe oborreve të krishterimit perëndimor nga Porta e Lartë e Krujës.”
c. Udhëtimi i simboleve të Skënderbeut nga Kruja te Vlora e Pavarësisë
Simbolet e Skënderbeut dhe të shtetit të tij ishin në vulën e madhe, në vulën e vogël personale dhe flamuri me shqiponjë të zezë dykrerëshe në fushë të kuqe. Sipas Kasem Biçokut, vula e madhe zyrtare ka qenë në formë rrethore, me diametër 41 mm dhe perimetër afërsisht 125mm. Në qendër ajo e kishte shqiponjën dykrenore dhe yllin me gjashtë cepa, të vendosur ndërmjet krerëve të saj. Anash, vula e kishte rrethin me shkronja të mëdha GEORGIUS CASTRIOTUS SCENDARBIG. Në krye të rrethit vula kishte shenjën e diellit, një yll me tetë cepa ose rreze, që ndanin fillimin dhe mbarimin e emërtimit GEORGIUS CASTRIOTUS SCENDARBIG. Shenja e diellit, ylli me tetë cepa, ka qenë simbol shtetëror i Aleksandërit të Madh. Skënderbej është emri osman për Aleksandrin e Madh. Nën krerët e shqiponjës dhe mbi krahët e saj ishin inicialet D’AL, që d.m.th., Dominus Albaniae, Kryezot i Shqipërisë.
*(Te plote mund ta lexoni ne Gazeten Dielli, botim special me rastin e 101 Vjetorit)
* Shkrimi u pergatit nga autori enkas per DIELLIN me kerkese te Editorit/