• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fantazma që trazon “gjumin” e “shenjtorëve”

November 20, 2017 by dgreca

1 Kasem Trebeshina

Nga Dukagjin Hata/ Sot, njëzet e shtatë vjet pas hapjes së Shqipërisë së izoluar në ferrin komunist, klanet e letrave që përcaktuan fatin e trishtë të letërsisë dhe kulturës proletare janë të mbyllura dhe të pacenuara në “shenjtërinë” e tyre të përdhosur nga damka e krimit. Të njejtët që përcaktuan rregullat e sjelljes së shkrimtarit në hierarkinë e Oborrit të Kuq, po tentojnë të krijojnë mitin e antikomunizimit dhe disidencës. Shkrimtarët që u kalvarizuan në analet e persekutimit të përbidshëm, duke u burgosur, internuar, vrarë e varrosur në gropa anomime, të tjerë që iu ndaluan librat dhe u dërguan “në bazë” për t’u “edukuar”, vazhdojnë të jenë të paragjykuar e të harruar.    

Disidenca po bëhet një fantazëm që vërtitet tutje-tëhu sa në faqet e gazetave, në studio televizive, aq në podumet politike, por nuk po kuptohet kush është shenjti e kush dreqi, kush ka qenë dissident e kush persekutor. Më së shumti ulërijnë në kor ata që kanë qenë censorë, që për shkak të militantizmit të tyre politik të sëmurë, përgjonin deri dhe jetën intime të shkrimtarëve dhe artistëve,  iu bllokonin botimet dhe iu censuronin veprat.

E vërteta është se Shqipërisë nuk i kanë munguar rastet ekstreme të persekutimit për shkak të krijimtarisë artistike, (letërsi, pikturë, muzikë…) aq sa shumë shkrimtarë, artistë, kulturologë ose janë detyruar të heshtin dhe të punojnë jashtë fushës ku ndiheshin në tokën e tyre, në sistemin e dhuntive dhe përgatitjes akademike e estetike, ose kanë guxuar të shkruajnë, pikturojnë, kompozojnë ndryshe dhe kanë paguar një çmim të rëndë në jetën e tyre artistike e njerëzore.

Në saj të aplikimit të metodës së realizmit socialist, arti, kultura dhe letërsia shqipe kishin pësuar një atak të rëndë dhe të pariparueshëm, ku qenë rrafshuar individualitetet, nxituir mediokriteti e skematizmi dhe  kufizuar e ndëshkuar ata që krijonin, shkruanin, kompozonin, pikturonin ndryshe nga parimet bazë të sanksionuara me ligj të manifestit të metodës famëkeqe. Në këtë mënyrë, shkrimtarët e shquar të traditës sonë letrare, që kishin bërë epokë me kualitetet e larta estetike, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, figura të tilla emblematike si Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Petro Marko e të tjerë u lanë në hije, u rrethuan me heshtje e keqkuptime të qëllimshme, për të ngritur në piedestal shkrimtarë të panjohur, pa biografi letrare, mediokër që shquheshin vetëm për zbatimin me rigorozitet të direktivave të PPSH-së.

Ish partizanët dhe komandantët e luftës që kishin bërë epokë me aktet e tyre idealiste dhe që tentonin të shkruanin të vërtetën, si shkrimtari Kasem Trebeshina, poeti Pano Taçi etj u ndaluan, burgosën e persekutuan. Të tjerë patën një fat akoma më të keq, u pushkatuan për një shkrim, për një poezi, për një akt letrar të spërkatur me pluhur mospajtimi me regjimin, siç ishte rasti i Genc Lekës e Vilson Blloshmit etj.

Në Shqipërinë e pasluftës, me plagë e dhimbje, me dyzim e vetmi, një nga fushat më të goditura nga mekanizmat diabolikë të regjimit komunist ishte letërsia dhe shkrimtarët qenë ata që e pësuan më shumë në kurriz kamxhikun ndëshkues të klikës komuniste, për shkak të cilësisë së veprës së tyre, që dilte jashtë rrethit të shtampave deklarative të agjipropit të kuq.

Nisi kështu një kalvar biblik, i pashmebullt në gjithë perandorinë komunsite, “gjuetia e shtrigave”, djegia dhe bërja karton e librave të padëshirueshëm, përgjimi, dëbimi, internimi, burgosja e vrasja e shkrimtarëve dhe poetëve; revolucioni kulturor lejfenist shqiptar goditi në çdo qelizë letërsinë dhe artin e shëndetshëm, shkrimtarët dhe artistët që krijuan vepra dinjitoze, jashtë formulave të thata dhe marrsheve demagogjike të kohës.

Kam rreth dhjetë vjet që njoh njërin prej tyre, Sali Leka quhet, me origjinë nga fshati Selbë i Tiranës, një burrë rreth të shtatëdhjetë e pesave, një autor i ndaluar nga entet botuese të komunizmit, nga shtypi dhe mediat e kohës së Diktaturës. Ai vazhdon të njejtën luftë me ata që dikur ia dolën t’ia ndalonin botimet dhe sot tundin flamujt e zhuburosur nga keqpërdorimi të pseudo“disidencës”. Sali Leka u ndëshkua me burg politik për shkak të veprave të tij, që nuk çonin ujë në mullirin e soc-realizmit, nuk i përgjigjeshin frymës së kohës, që presupozonte t’i bëje jehonë një revolucioni kulturor lejfenist e denigrues deri në absurditet. Pse ishte i pa pranueshëm Sali Leka për censurën e Diktaturës komuniste? Sepse tentonte që me anë të historive të vjetra, të ngritura në rrëfime poetike, të prekte plagët e kohës, të vetëdijësonte bashkëkombasit e tij për përmasat e absurdit të kuq.

Ai paraqiti për botim në entet shtetërore të botimit të kohës 85 vepra letrare, tregime, poezi, romane, asnjërën prej tyre nuk ia botuan, duke ia refuzuar botimin për shkak se ato, sipas redaktorëve dhe çensorëve, kishin frymë erotike dhe moderniste, nuk përçonin frymën e kohës dhe parimet e realizmit socialist.

Sot, nën vellon e antikomunizmit dhe të disidencës, gëlojnë në studio televizive dhe faqet e gazetave ata që vetëm pak dekada më parë ia ndaluan librat shkrimtarit Sali Leka, ndaj ky i fundit refuzon të ulet me ta në të njetën studio televizive e të ndajë me ta të njejtat faqe gazetash.  

Sali Leka vazhdon të bëjë të njejtën luftë të radhës, të demaskoj personazhet e dikurshme të çensurës dhe persekutimit diabolik, pjesë e strukturave të sigurimit të shtetit, që janë mpleksur sot qëndrimin public mediatik, duke i “ngatërruar” fijet e kohëve dhe duke e bërë të pathyeshme “nyjen gordiane” të keqkuptimit të madh.

Këta “analistë”, “studiues” dhe “kritikë” shkruajnë se në regjimet e mbyllura diktatoraile, si ai që përjetuam gjysëm shekulli ne shqiptarët, mund të shkruhen dhe botohen vepra të mëdha letrare dhe artistike. Iluzioni i tyre se në diktaturë, me mungesë totale lirie, janë shkruar e botuar “vepra të mëdha” është një absurditet dhe një reminishencë e ekskatedrës. Kjo psikozë vazhdon të mbajë në kuotën e majës më të lartë vepra dhe autorë të socrealizmit, duke nxitur dhe sponsorizmin e botimit të veprës së tyre të partishme, ndërkohë që vepra e shkrimtarëve të mirëfilltë disidentë, jo vetëm që nuk botohet, por vazhdon të sulmohet e të anatemohet.

Nuk mund të krahasohet asnjë vepër e krijuar në Diktaturë, qofshin dhe ato që kanë bërë emër, falë propogandës më të ethshme komuniste të kohës, me veprat monumentale të krijuara në demokraci të At Zef Pllumit e Fatos Lubonjës, Kasem trebeshinës e Lekë Pervizit, Pjetër Arbnorit e Agim Mustës, Spartak Ngjelës e Sali Lekës, Kurt Kolës e Pano Taçit, Ahmet Kolgjinit e Ylber Merdanit, Frederik Rreshpjes e Eugjen Merlikës etj etj.

Pohimet e personazheve të censurës mizore nga ekrani magjik i kohës së sotme se kanë qenë të sulmuar dhe kanë jetuar si “gjarpëri nën gur” në kohën e regjimit monstër, se në një formë apo një tjetër kanë kërkuar apo edhe kanë ndihmuar në rënien e tij, janë një përbaltje që dishepujt e Diktaurës i bëjnë demokracisë dhe mendimit të lirë. Axhaminj, që nuk kanë asnjë lidhje me letërsinë, kanë krijuar “modele” persekutimi duke sajuar dosje disidence për ata që kanë pasur në dorë çelsat e censurës dhe i kanë përdorur ata për mbylljen e veprave më të mira që janë shkruar në Diktaturë dhe ndëshkimin e autorëve të tyre.

Fiksimi për të shpallur disidentë figurat e censurës dhe katrahurës së kalvarit të kuq vjen nga kompleksi i fajit, nga pesha e rëndë e mëkatit që ata mbartin nga analet e së kaluarës së trishtë.

E vërteta nuk mund të mbulohet me gjethe fiku: me apo pa dëshirë, shkrimtarët dhe, në përgjithësi inteklektulët e soc-realizmit, i kanë shërbyer regjimit, duke e ndihmuar atë në një prej krimeve më të rënda, atë të përpjekjes për të shkatërruar shpirtin edhe natyrën njerëzore, duke tentuar të imponojnë idetë marksiste-leniniste. Askush tjetër përpos artistëve dhe shkrimtarëve nuk mund ta bënte këtë.  Prandaj duket e çuditshme kur sheh “shkrimtarë të mëdhenj” të periudhës komuniste të shfaqen befas si disidentë, ndërkohë, që kanë qenë pikërisht këta që i kanë thurur himne partisë dhe udhëheqësit e saj.

Sali Leka ka të drejtë që nuk denjon të ulet në studio televizive me këto soj “disidentësh”, pasi janë po ata që vetëm tre dekada më parë kanë qenë në avanguardë të mbylljes së librave të tij dhe sot, ngaqë nuk duan që të prishet shëmbëllimi ikonak i soc-realizmit, sajojnë “disidentë të komanduar”, që të mund të vazhdojnë të tundin banderolat e agjitpropit të vjetër në kohën e re të lirisë dhe demokracisë së premtuar.

Filed Under: Komente Tagged With: “gjumin”, Dukagjin Hata, e “shenjtorëve”, Fantazma që trazon

Më raftë pika…

November 17, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

5-Ilir-levonja-2-288x300-1-250x260Sapo mësoi që isha shqiptar, Xheni më thirri e më tha se dinte shqip. Nuk kish më shumë se dy orë që u njohëm. Do punonim bashkë. Mosha ime, flokë verdhë, sy bojëqelli, një përmbledhje mes vajzës gjermane dhe asaj irlandeze. Çova buzën në gaz duke i thënë se duhej të vinte nga New Yorku, aty ka shqiptarë në kuptimin e komunitetit. Dhe mua më ka rastisur shpesh me njujorkezë të më thonë që fqinji im është shqiptar, shoku i shkollës, i fëmijërisë etj. Kjo më ka krijuar një pandehmë të gjetur se ata amarikanë që vine nga New Yorku medoemos duhet të dine diçka më shumë për ne. Xheni (Jennifer) pohoi me kokë dhe pa gajle më foli se si i dashuri i saj i pare kish qënë shqiptar. Tashmë jam mësuar me këtë që, i dashuri i pare apo i dytë. Qesha sërisht pasi në kohën time dhe andej nga vija unë ishin kocepte që kishe frikë t’i çoje nëpër mend, jo t’i aplikoje. Nuk kishte dhe nuk ka femër në këmbë të flasi për të dashurin e pare. Sigurisht ka meshkuj me shumicë, por ata i përdorin në variantin e meritës, rrahjes së gjoksit. Shët, mbylle mëndjen dhe gojën. Një nga ato perversitet e kulturës sonë që, mbajmë mbuluar si puna e maces të pëgërat me hirin e vatrës. Po nejse, nuk është kjo tema e rrëfimit. Xheni më zbrazi një vargan fjalësh të sojit, o trap, pelë trutharë, dreq, buqe, kurva, koqja etj. Një arsenal nga ai koloriti me pështyma i joni për të rrëzuar tjetrin. Ngriva në vend. Kisha rastisur edhe më pare kur një vajzë e re me prindër…, babai nga Shqipëria dhe mamaja amerikane, që një e më dy më thoshte o zagar, o buqe.

(Me të qeshura) Si përvojë nga grindjet e të mëdhënjëve. Dhe…, edhe pse kishin kaluar plot njëzetë e kusur vite, nga ndarja me sukses të plotë e shqiptarit me amerikanen, zagari dhe buqja nuk i iknin memories së saj.

Sa të kem frymë më tha, nuk kam për t’i harruar. Biles kur dua t’i zbrazem ndonjë shoku a shoqe shkolle, kështu e mbyll…, ik moj buqe e dreqit. Ose, pusho ti zagar. Ndjeva një lloj përhumbje me përfundimin, se, ku mbaron të të mbajturit mend puna e shqiptarit. E burrit a njeriut të rracës sonë. Ku mbarojmë e mbahemi mend si soj. Tek kjo lërishte poronomesh plot mllefe e pështyma. Kur e pyeta Xhenin se, po ndonjë fajlë tjetër, më të hajrit, si mund ta them, a dinte. Dhe ajo mu përgjigj se, duke më thënë shpit. Mbeta, nuk po e gjeja. Më shkoi pandehma tek ajo sharja me rob a prag shpie. Shpit, me një fjalë shtëpitë. Po desh e i dha udhë vet ajo duke shtuar, shpit i im. Atëhere u kthjellova, e kuptova e kishte fjalën për dhelet, o shpirt, shpirti im etj. Dhe vuri dorën tek gjoksi duke më folur anglisht my hart, zemra ime, ë? Pohova me kokë dhe kurioz e pyeta se, edhe kështu, shpirt im a zemra ime, i dashuri shqiptar i fliste? Jo, mu përgjigj dhe më shpjegoi se ishte gjyshja e tij. Biles nuk e kishte kuptuar dot asnjëhere faktin shprehimor të saj, kur sa here që grindej me djalin dhe kjo mbyllej e mërzitur, rrinte pa ngrënë, gjyshja i afrohej dhe i thoshte, eja se ke gjithë ditën pa ngrënë. Kjo nuk pranonte. Kurse gjyshja duke e parë të mërzitur në kulm, ngulte këmbë, duke i thënë . Të mërziti që më rëntë pika mua. Dhe e fërkonte nga koka. Çfarë ishte kjo më rëntë a më raftë pika që gjyshja e merrte tek vetja. Ose e donte tek vetja si e si sytë e Xhenit të qeshnin? Kjo i kishte mbetur peng. Çfarë ishte kjo pika që gjyshja donte t’i binte pikërisht asaj për shkak të zënkave të tyre?! Kurrë nuk ia kish mësuar domethënien. Sigurisht në anglisht nuk ja përktheja dot pa i shpjeguar konceptin që kemi ne mbi pikën e diellit, kokës. Dhe që herë e përdorim si mallkim për tjetrin, por herë edhe për veten në kuptimin e një pendese. Dhembshurie me plot keqardhje. Me një fjalë gjyshes i vinte keq për ty, të donte të shihte të qeshur, i shpjegova unë. Ndaj i merrte mbi vete fyerjet e nipit. Mallkonte veten si e si ti dhe nipi të ishit të lumtur. Xheni u gëzua si fëmijë dhe mbushi sytë me lot.

Kurse unë me mendjen time thashë shkoqur. Dhentë Zoti e Xheni nga sot e tutje të na mbaj mend për gjyshet e mira se sa fjalorin vulgar të nipave tanë.

Filed Under: Komente Tagged With: Ilir Levonja, Më raftë pika

SHBA: Kongresi-kompetencat e Presidentit për armët bërthamore

November 15, 2017 by dgreca

1 Capitol

Për të parën herë në mbi 40 vite, këto ditë Kongresi po shqyrton kompetencat e një presidenti amerikan për të shpallur një sulm bërthamor. Komiteti i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë do të mbajë një seancë dëgjimore të titulluar “Autoriteti për të urdhëruar përdorimin e armëve bërthamore”.Kryetari i Komisionit akuzoi Presidentin Trump muajin e kaluar se, po i vendoste Shtetet e Bashkuara në rrugën e një lufte të tretë botërore.Në gusht, zoti Trump premtoi se do të zbrazte “zjarr dhe zemërim, siç bota asnjëherë nuk kishte parë”, mbi Korenë e Veriut, nëse ajo do të vazhdonte të zgjeronte programin e saj të armëve bërthamore.

Hera e fundit që Kongresi debatoi këtë çështje ishte gjatë një seance dëgjimore katërditore në mars të vitit 1976.Senatori Chris Murphy, një demokrat nga Connecticut, shpjegon arsyet për seancën dëgjimore publike.

“Ne jemi të shqetësuar për faktin se presidenti është kaq i paqëndrueshëm, kaq shpërthyes dhe ka një proces vendimmarrjeje shumë impulsive, saqë mund edhe të urdhërojë një sulm me armë bërthamore, që është gjerësisht larg interesave amerikane për sigurinë kombëtare”.Diskutimet për një temë të tillë, në mënyrë publike, janë jo fort të zakonshme. Si Kryekomandant, Presidenti ka autoritetin të urdhërojë një sulm bërthamor, që mund të kryhet me nëndetëse, avionë apo raketa balistike ndërkontinentale, që përbëjnë të ashtuquajturën “triada bërthamore”.Sipas rregullave aktuale, presidenti amerikan mund të nisë sulmin duke përdorur kodet në një mekanizëm të quajtur “Futbolli”, që udhëton kudo bashkë me presidentin. Për këtë zoti Trump nuk është i detyruar të konsultohet me askënd dhe as të marrë leje nga askush.

Këshilltarët e tij më të lartë, si Sekretari i Mbrojtjes, ai i Shtetit apo këshilltari për Sigurinë Kombëtare nuk kanë asnjë rol në zinxhirin e komandës. Miratimi i Kongresit nevojitet për përdorimin e forcës ushtarake konvencionale, por fuqitë bërthamore mbeten në duart e presidentit, që nga agimi i erës bërthamore.Kjo, sepse një raketë balistike armike e lëshuar nga ana tjetër e botës, mund të godasë Shtetet e Bashkuara në vetëm 30 minuta. {Sh.K}

 

Filed Under: Komente Tagged With: ARMËT BËRTHAMORE, Kongresi, Kopetencat e Presidentit, Shefqet Kercelli

Mirë ua bën

November 9, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

5-Ilir-levonja-2-288x300-1-250x260

Këtu në Fort Lauderdale kam një familje tiranase, me të cilët ma ka ënda të pi kafen e mëngjesit. Kuptohet kur jemi pushim. Më shumë jam unë që u avitem, kjo edhe për faktin se ata kanë një kopësht të mrekullueshëm. I zoti i shtëpisë i do shumë pemët dhe nuk ka lënë soj pa mbjellur. Nga ato tonat që ia kanë sjellur me kalema në shishe plastike, deri tek drurët frutor të tropikut si avokato, starfrutin, mangot e plot të tjera. Një merakli tipik shqiptar, nga ai soji që e blen një prone me mendjen si ta meremetojë e ta bëj si ja do ënda. Dhe ky, zot tiranas, shqiptar, i tillë është, si ajo kënga që thotë, ”ç’të sheh syri ta bën dora”. Një kopësht ku bleron veç paqja dhe qielli përsipër. Një shtëpi që dallon mes të tjerave, thjesht për atë se kush vë dorë, shplodh sytë e kalimtarëve. Mirëpo para ca muajve po ankohej për faturën e ujit. Nga ana tjetër i vinte keq të hiqte pemët, lulet, për më tepër një shegë Shqipërie që edhe pse nuk lidh kokrra për shkak të të nxehtit me tepricë, gjelbëron e i kujton kopshtijet e Tiranës. I dha karar punës, të hapte një pus e të zgjidhte një here e mire punën me faturat e ujit. Se këtu nuk të thotë njeri mjaft e harxhove ujin, përkundrazi të thonë harxhoje se aty e ke faturën, poshtë derës. Di që u lidh me një kompani shpimesh dhe si përfundim pusi u hap, u montuan dhe pajisjet sa po ta shohësh duket si një vepër arti, jo një pus me pompa e beton si ato që kanë mbushur banesat private, por edhe hyrjet e pallateve. Për atë shkak gangrene të zhvatjes së fondeve dhe keq menaxhimit të ujrave në Shqipërinë, që, sa mban mend kujtesa e çdo të gjalli. Ujë, ujë. Nuk ka ujë. Ujë pa lekë, uji vidhet. Hap një kanal, ça një xhade, shtro një tub, gërr e vërr.

U bëra kurioz pas deklaratës së shkëlqesisë sonë Edi Rama, për faturimet e pusave private, për shkak se uji është i të gjithëve. Qesha dhe mu kujtua ai filmi shqiptar ”I teti në bronz” kur dy misonarë të nacional çlirimtares i rrëmbyen kripën tregtarit dhe ia ndanë popullit me preteksin se ajo vjen nga deti dhe deti është i të gjithëve. E mora në telefon mikun dhe e pyeta nëse paguan faturë uji nga pusi që hapi. Për leje, që nxorri apo ajo, e të tjera si këto? Ma ktheu që lejen e siguroi përmes firmës që është e autorizuar për shpime. Dhe se faturë nuk ka kujt i paguaj veç korentit të shtëpisë. I thashë se kështu e ashtu, ai kryeministri ynë, atje në Shqipëri do faturojë puset për marrjen e ujit të të gjithëve nga familjet, a privatët. Dhe ai ma ktheu shkurt, se mire ua bën, ka gjetur. Ai është një i çmendur. E solla të gjithë këtë për të kuptuar jo marrëzinë e nismës Edi Rama, por susllëkun tonë social. Se sa do i ngrejë peshë buxhetit të shtetit, kjo tarifë, është një vlerë e pallogaritshme. Por zakonisht pushtetet i bëjnë këto për disa arsye. a) Ushtrimin e dhunës nga një njësh me qillota. b) Zhvendosjen e vëmendjes nga skalndalet qeveritare. c) Rënia e pashmangshme në luftën brenda llojit. d) Mbajtja e pushtetit me çdo kusht për t’iu shmangur reformave. dh) Kthimin e restove aleancës kundërshtare, për ruajtjen e krahëve, e hapjen e krahut në një të ardhme jo të largët.

Kur një shtetar kërcënon me aplikim faturash nga gjithësia, qytetarëve u duhet thënë me gojën plot, mirë ua bën.

Filed Under: Komente Tagged With: Ilir Levonja, Mirë ua bën

Ajo dite e zezë 8 Nandori 1941

November 8, 2017 by dgreca

Koment nga Gjergj Lacuku/

u3_gjergjlacuku

N’ket muaj , pra sot 76 vjet ma parë, me 8 Nandor,nji tufe djajsh te kuq do mblidheshin per te vulose aktin e vrajses se nji Kombi. Rete e zeza e mbuluen qiellin shqiptar  e vertiten edhe sot e ksaj dite.Kto rê nuk ishin rê te zakonshme por do te shperthenin ne bubullima e vetetima tuj sjell nji shi me pika gjaku, tuj sjell nje fortune uragane vujtjesh fizike e shpirtnore.

Ah kjo dite e mallkume e atij Nandori te larget nen hijen e zeze te djajve te kuq te nji hibridi ma te shemtum turko-sllav , do perhapte polenen e se keqes ane e mban kopshteve te jetes shqiptare. Judejt e ri Iskariot me puthjen e ftohte do fillonin shkatrrimin e jetes qe ne embrion.
Qi nga ajo dite e shemtume e mbrapa , ne Shqipni edhe dielli ishte friksue e rrezet e tija edhe sod e ksaj dite kan frike me kalu mbi ket hapsine Hadi te mbitokshem.
Ne vend te dashnise xuni vend urrejtja, ne vend tolerances ndeshkimi, fjala e mendimi u xevendsum me plumba e gropa vorresh, na njoften nga kafshet vetem prej fetyres. Djajte e etun per pushtet te paligjshem krimin e kthyne ne mjet zbavitjeje te shpirtnave te tyne te piste, çdo gja u permbys e u rrokullis ne boshllekun e krijum nga sadizmi ruso – anadollak .Kjo dite do sillte agun a muzgun e asaj nate ma te gjate te kohes njerzore, nji nate qe akoma rrokulliset meridianve e mundohet me dale prej territ qe e ka kaplu prej dekadash.
Laboratoret satanikë ndermoren eksperimentet ma monstruoze; aty u shemtue geni njerzor , u krijue nji njeri i ri; pa forme, pa shpirt, pa ndjenja, thjesht nji robot qe komandohej nga pultet e laboratorve satanik. Kjo nate a dite e zez mundohet te hape syte e saj te mekun ne terrin shpirtnor e i lutna Zotit qe ne momentin e drites syte e saj te jene jo me drejtim nga lindja qe i solli vdekjen por nga perendimi i ringjalljes.

Filed Under: Komente Tagged With: 8 Nandori 1941, Ajo dite e zezë, Gjergj Lacuku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 165
  • 166
  • 167
  • 168
  • 169
  • …
  • 482
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GAZETA AUSTRALIANE (1929) / NJË RRËFIM PËR GRATË E SHQIPËRISË
  • VATRA SHPALL KUVENDIN E PËRGJITHSHËM ZGJEDHOR MË 25 PRILL 2026
  • VATRA, EMËR I SHENJTË, AMANET I BREZAVE, FLAKA QË NUK SHUHET KURRË…
  • Raif Hyseni, Merita Halili, Ansambli MSU ngrejnë peshë Festivalin e Artë të Muzikës dhe Valleve Ballkanase 2026
  • 17 janar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, forma që mban një komb, kur koha kërkon ta shpërbëjë!
  • ABAZ KUPI – NJË FIGURË QËNDRORE E MBRETËRISË SHQIPTARE
  • “Skanderbeg in American Prose and Press”
  • Reçak and the Unfinished Business Between Kosovo and Serbia
  • Boshti i Kujtesës dhe i Udhërrëfimit: Nga Skënderbeu te Gërvallët dhe Kadri Zeka
  • Kryezoti
  • Evropa përballë një realiteti të ri sigurie; gjeneralët nuk po frikësojnë – po paralajmërojnë
  • Groenlanda, nyja strategjike e sigurisë globale dhe prova e realitetit të fuqisë amerikane
  • Muzika si art i komunikimit njerëzor
  • Keqkuptimi i mendimtarëve afatgjatë nga Shqipëria
  • “KUR SHTETI SULMON ZËRIN E VET”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT