Shefi i Shtatmadhorisë së ushtrisë Amerikane, Gjeneral me 4 Yje, Joe Dunford tha se ai nuk ka “asnjë dyshim” që ndërhyrja ruse në Siri e mbajti në këmbë qeverinë e presidentit sirian Bashar al-Asad. “Në lidhje me aktivitetin e Rusisë në Siri, – tha Gjenerali, – nuk ka absolutisht asnjë dyshim se ata e stabilizuan regjimin, dhe e kanë vënë veten në një pozitë të tillë që mund të ndikojnë mbi zgjidhjen politike në vend.” Ai i bëri komentet në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington. Gjenerali Dunford tha se qeveria siriane ishte në pozitë tepër të vështirë në korrik dhe gusht të vitit të kaluar, por tani është në “gjendje shumë më të mirë.” Tërheqja e Rusisë nga Siria “hedh pikëpyetje” rreth qëllimit të saj të vërtetë të hyrjes në konfliktin në Sirian, tha gjenerali. “Qëllimi i deklaruar ishte për të goditur ISIS-in,” tha ai. “Ata kanë shpallur tashmë tërheqjen. Nga këndvështrimi im, ka ende punë për të bërë kundër ISIS-it”.
Kryeministri Mustafa fton “luftëtarët” nga Kosova në Siri e Irak që të kthehen
Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se janë ende rreth 70 qytetarë nga Kosova të cilët aktualisht gjenden në vatrat e luftës në Lindje të Mesme (Siri e Irak). Ndërkaq është theksuar fakti se për tetë muajt e fundit, nuk janë shënuar raste të shkuarjes apo përfshirjes së qytetarëve tjerë në këto luftëra.
Institucionet e Kosovës, janë duke punuar në disa drejtime rreth parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm, radikalizmit dhe luftimit të ekstremizmit ka thënë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pas një vizite që i ka bërë Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku është zhvilluar një takim me ministra dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të sigurisë.
“Jemi i vetmi vend në ketë pjesë të rajonit që ka aprovuar dhe zbaton ligjin që ndalon bashkimin e njerëzve tanë në konfliktet e jashtme. Jemi i vetmi vend i cili kemi strategjinë kundër terrorizmit dhe radikalizmit që qon në terrorizëm dhe ekstremizëm të ndryshëm”, ka deklaruar Mustafa.
Kryeministri i Kosovës ka thënë po ashtu se në saje të punës që kanë bërë institucionet e sigurisë, për tetë muaj nuk është shënuar asnjë shkuarje e ndonjë shtetasi të Kosovës në luftërat në Siri dhe Irak.
Njëherësh, ai ka ftuar qytetarët e Kosovës që të kthehen nga vatrat e luftës dhe të mos u përgjigjen çfarëdo thirrje që mund t’u bëhet nga kushdo qoftë.
“Asnjë qytetar i yni të mos marr pjesë në konflikte të jashtme. Të gjithë ata të kthehen dhe natyrisht që kthimi i tyre nënkupton edhe konsekuenca ligjore dhe sociale. Mirëpo, ne jemi të interesuar t’i ruajmë qytetaret tanë, t’i integrojmë ata në shoqërinë tonë, të mendojmë për ta dhe familjet e tyre dhe së bashku të ndërtojmë një shoqërie e cila është e orientuar nga perëndimi është e orientuar nga paqja dhe stabiliteti”, ka theksuar Mustafa.
Ndërkaq ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni ka thënë se në bazë të informacioneve që posedon, në Siri dhe Irak ka shqiptarë nga Kosova që kanë shtetësi të ndonjë shteti tjetër.
“Ka qytetarë të Kosovës që kanë shtetësi të ndonjë vendi tjetër dhe që janë regjistruar në vatra të krizës atje. Ndonjëherë për fat të keq ata sjellin me vete edhe anëtarë të familjes, gra dhe fëmijë e në të shumtën e rasteve kjo behët kundër vullnetit të tyre”, u shpreh Hyseni.
Kurse, Skënder Përteshi, analist nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se pajtohet që në muajt e fundit ka rënie të interesimit të qytetarëve nga Kosova për të shkuar në vatrat e luftës në Siri.
Megjithatë, Perteshi konsideron se institucionet kompetente duhet të bëjnë më shumë në parandalimin e kësaj dukurie, që sipas tij, vazhdon të jetë një sfidë dhe shqetësim i madh për Kosovën.
“Ne ende jemi duke u marrë me pasojat e ekstremizmit të dhunshëm. Ne jemi në hapat fillestarë. Pse po them me pasojat? – Sepse gjithçka që po flitet është që ne po merremi me personat që kanë qenë në luftën e Sirisë dhe Irakut, po e dimë se kush janë dhe po merremi me arrestimet, me gjykimet e hetimet ndaj këtyre personave, mirëpo shumë pak është duke u bërë në terren. Të paktën për të parandaluar personat që mund të indoktrinohen prej kësaj ideologjie ekstreme”, ka thënë Perteshi.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se deri me tani ka ngritur aktakuza në 14 raste me 44 persona.
Gjashtë raste me 28 persona janë në gjykim, 4 raste me 4 persona janë me shqiptim të masës edukative, 1 rast me 1 person heqje dorë nga aktakuza dhe në 5 raste me 16 persona gjykata ka shqiptuar aktgjykim dënues.
Prokuroria ka njoftuar se aktualisht, në punë janë 42 raste me 136 persona, prej tyre 15 raste me 34 persona janë në fazën preliminare të hetimeve, ndërkaq 27 raste me 102 persona janë me aktvendim për fillimin e hetimeve.(Arton Konushevci)
SHBA dhe Kosova nënshkruan marrëveshjen e ekstradimit
-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe ambasadori i SHBA në Kosovë, Greg Delawie, nënshkruan sot marrëveshjen. Jahjaga: Kosova është falënderuese për ndihmën dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për konsolidimin tonë shtetëror dhe jemi krenarë që sot bashkërisht po e dëshmojmë përcaktimin tonë për bashkëpunim në çështjet e rëndësishme për dyja vendet/
PRISHTINË, 29 Mars 2016-B.Jashari/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe ambasadori i SHBA në Kosovë, Greg Delawie, nënshkruan sot marrëveshjen e ekstradimit midis Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes ishin të pranishëm edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri Isa Mustafa, ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Hajrizi-Rama, kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të vendit.
“Marrëveshja, përpos që shënon një hap të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve bilaterale me SHBA-të, nënvizon përcaktimin tonë për sundim të rendit dhe ligjit në Kosovë dhe për bashkëpunim të parezervë me partnerët tanë në këtë aspekt”, deklaroi me këtë rast Presidentja Jahjaga.
Deri më tani, vijoi ajo, përkundër bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet amerikane në fushën e sigurisë, mungesa e kësaj marrëveshjeje të ekstradimit ka qenë pengesë ligjore për përmbyllje të suksesshme të rasteve.
“Me këtë marrëveshje të nënshkruar sot Kosova dhe SHBA-të, përpos që forcojnë partneritetin dhe përcaktimin për rend dhe ligj, dy shtetet garantojnë që kriminelët që paraqesin rrezik për rendin dhe sigurinë e qytetarëve të vendeve tona do të ndiqen dhe do të vihen para drejtësisë”, tha Jahjaga.
Republika e Kosovës, theksoi ajo, do të vazhdojë të vihet në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
“I nderuari Ambasador Delawie, e ritheksoj se Kosova do të jetë partner kredibil i Shteteve të Bashkuara dhe më vjen mirë që gjatë mandatit tim kemi arritur ta thellojmë këtë partneritet dhe miqësi si në aspektin e sigurisë ashtu edhe në procese tjera bilaterale.
Kosova është falënderuese për ndihmën dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për konsolidimin tonë shtetëror dhe jemi krenarë që sot bashkërisht po e dëshmojmë përcaktimin tonë për bashkëpunim në çështjet e rëndësishme për dyja vendet”, u shpreh Presidentja kosovare, Jahjaga.
Lunaçek: Serbia s’mund të hyjë në BE pa e njohur pavarësinë e Kosovës
“Serbia nuk do të mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian pa njohur pavarësinë e Kosovës, i pëlqeu kjo dikujt apo jo”.Kështu ka deklaruar Zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian Ulrike Lunaçek në një diskutim podiumi në Berlin, organizuar nga Fondacioni Hajnrih Bël me temën “Zhvillimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës”, ku kanë marrë pjesë edhe Bodo Veber nga Këshilli për politika demokratike, si dhe Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.Lunaçek ka deklaruar se “vazhdimisht angazhohet dhe kërkon që edhe pesë vendet e BE-së ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe sipas saj, kjo duhet të ndodhë.Ndërsa, Bodo Veber tha se “nuk do të lejohet anëtarësimi i Serbisë në BE para Kosovës, pasi askush nuk mund të garantojë që më pas Serbia nuk do ta bllokonte anëtarësimin e Kosovës në BE”.Nga ana e tij kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka deklaruar se “Vetëvendosje nuk është në parim kundër dialogut me Serbinë, por është kundër dialogut pa parime”, transmeton RTK.Ai në fjalimin e tij ka deklaruar se “Serbia nuk po e trajton Kosovën si partner të barabartë në bisedime dhe se deri më tani nuk e ka marrë përgjegjësinë për krimet që ka kryer gjatë vitit 1999 në Kosovë”.
PASHKET NE KOSOVE
Në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë u mbajt mesha për festën e Pashkëve. Duke i paraprirë fjalimit të imzot Dodë Gjergjit ceremonintë fetare të zakonshme për këtë festë, pjesëtarë të komunitetit katolik në vend dhe të huaj që aktualisht ndodhen në Kosovë, morën pjesë në meshën që shënon ringjalljen e Krishtit.
Në fjalimin e tij, imzot Dodë Gjergji tha se komuniteti katolik në Kosovë planifikon që vitin e ardhshëm ta shugurojë Kishën në Prishtinë në njëvjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës nga Vatikani. Dhe për këtë ditë, ai tha se ka ftuar Papa Françeskon, të cilën vizitë shpreson se do ta pranojë.
Imzot Dodë Gjergji bëri thirrje për dashuri për të varfrit, për jetën, popullin, e madje edhe për armikun.
Gjergji: Ta duam edhe armikun
“Këtu, pra, ne, nxënësit e Zotit tonë Jezu Krishtit, nxisim njëri-tjetrin në dashuri për të afërmit, për të varfrit, dashuri për jetën dhe për popullin, por edhe për të gjithë njerëzit, deri te dashuria e skajshme për armikun tonë”, tha ai.
Më tej, Dodë Gjergji tha se në njëvjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës shpreson të bëhet shugurimi i Kishës. Ai th a se në emër të besimtarëve e ka ftuar Papa Françeskon që të vijë në këtë shugurim.
Gjergji: Shpresoj që Papa Françesko do ta pranojë ftesën
“Shpresoj shumë, që vitin e ardhshëm, në njëvjetorin e shenjtërimit të Nenës Terezë ta shugurojmë këtë Kishë, të cilën ne e kemi ndërtuar në nder të nënës tonë dhe në emër të të gjithë botës. E në emrin tuaj e kam ftuar Papa Françeskon që të vijë në shugurimin e kësaj Kishe. Dhe shpresoj shumë që ai ta pranojë ftesën”, theksoi ai.
Duke folur për polarizimet brenda-fetare, Gjergji tha se këto mospajtime brenda grupeve dhe individëve me përgjegjësi kolektive, me theks të veçantë te aktet terroriste, shkaktojnë vdekje të njerëzve të pafajshëm, duke rritur dhimbjet dhe vuajtjet si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim.
Gjergji: Aktet terroriste po marrin jetë të pafajshme
“Mospajtimet brenda grupeve dhe individëve me përgjegjësi kolektive dhe shoqërore, e mbi të gjitha për aktin shqetësues të akteve terroriste, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim. Akte këto që po marrin jetën e pafajshme të njerëzve, të cilët tek popujt e shtypur e mbipeshojnë barrën e dhimbjes dhe mjerimit, kurse te popujt e lirë e mbjellin frikën dhe pasigurinë”, tha tutje Gjergji.
Imzot Gjergji bëri ftesë që të gjithë të kontribuojnë në shtetin laik dhe në shoqërinë multireligjioze, që të krijohet një ambient ku shteti nuk ka frikë nga qytetari besimtar, dhe ky i fundit të dallojë dhe dëgjojë virtytet e njerëzve për t’i vënë në shërbim të së mirës së parbashkët.
Gjergji: Të kontribuojmë në ndërtimin e shtetit laik
“…Që të kontribuojmë në ndërtimin e shtetit laik dhe të një shoqërie multireligjioze, ku shteti dhe shoqëria nuk kanë frikë nga qytetari besimtar, por e ndihmon dhe e ndihmon atë për të jetuar dhe për të zbatuar liritë që i takojnë, kurse besimtari nga ana e vetë do të dijë të dallojë dhe të dëgjojë virtytet e njëri-tjetrit dhe te të gjithë njerëzit dhe t’i vëj ato në shërbim të të gjithë njerëzve, në dobi të përbashkët:, theksoi ai.
Ne kemi pasur guximin në rrethana të errëta historike. Kemi guximin të shpresojmë edhe sot edhe nesër. Populli ynë është i shëndoshë.
Mes tjerash, Imzot Dodë Gjergji tha se populli kosovar ka pasur guxim edhe në periudhat më të errëta historike. Sipas tij, ky popull është i shëndoshë dhe ka guximin të shpresojë për një të nesërme më të mirë.
- « Previous Page
- 1
- …
- 338
- 339
- 340
- 341
- 342
- …
- 484
- Next Page »