• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARËT I LAJTHISIN NË KAOS – MIT’HAT FRASHËRI,PËLLUMB XHUFI, FATOS LUBONJA ETJ

April 4, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Tek Opinion, Blendi Fevziu kishte ftuar të zakonshmit duke patur si temë të bisedës Mit’hat Bej Frashërin, të birin e Abdyl Frashërit, të nipin e Naim e Sami Frashërit, publicistin, shkrimtarin, përkthyesin, albanologun, diplomatin, veprimtarin e çështjes kombëtare, kryetarin e Ballit Kombëtar dhe kryetarin e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, një antikomunist me bindje europiane. Alias Lumo Skëndo, i cili më 1929 në testamentin e tij do të shkruante: “Çë kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka etj. i lë për krijimin’ e një “INSTITUT ALBANOLOGJIE” që të jetë një qëndër e studimevet shqipëtare, të mprojë, të shvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheqnjë studimetë që përkasin Shqipërinë dhe Shqipëtarëtë.” Një kokë e madhe nga ato që i bëjnë kombet. Që njihen me emrin si “Baballarë të Kombit”. I përndjekur në gjallje dhe pas vdekjes nga regjimi monstruoz dhe i lënë në harresë, i mbuluar nga hija e pluhuri nga tranzicioni makabër.
Nuk kisha kohë që të harxhoja kohë tek Blendi Fevziu, por qëllova të isha e pranishme gjatë dalldisjes së Pëllumb Xhufit një historian i njohur, që në plot raste mban qëndrime serioze, por edhe në plot të tjera lajthit. Siç ishte rasti në fjalë, kur në “tentativën” në thojza për ta zbardhur figurën poliedrike të burrështetasit të madh, nga ata që duhen dekada të tjera që të rilindin prapë, Xhufi e akuzoi Mit’hat Frashërin se paskish dërguar grupe diversantesh për të kryer “akte terroriste” në Shqipërinë komuniste!!!!
Skile ky Pëllumb Xhufi, i cili si njeri me format të plotë profesional, do të duhej të ishte nga ata intelektualë që të përgatiste dosjen e krimeve të diktaturës komuniste, të cilat edhe sot e kësaj dite janë të mbuluara e të fshehura, sepse historianët shqiptarë kanë lidhje me të shkuarën në një nivel të tillë sa nuk i lejojnë vetes të bëjnë as katharsis.
Pëllumb Xhufi është bashkëshorti i mbesës së kunatit të Enver Hoxhës, burrit të motrës së diktatorit, Bahri Omarit, të cilin diktatori e pushkatoi, por ndërkohë mori në mbrojtje të bijtë e Bahriut, siç është Luan Omari, me vajzën e të cilit është i martuar Xhufi. Luan Omari duke patur një jetë komode dhe me plot privilegje gjatë regjimit komunist asnjëherë nuk e ka denoncuar krimin e dajës së tij kundër të jatit. Dhe sot Pëllumb Xhufi në vend të merret me krimet e diktaturës, na del me pretendime se krime paska kryer Mit’hat Bej Frashëri që sa pati frymë e luftoi regjimin kriminal të dajës të vjehrrit të tij!
Pëllumb Xhufi, me formatin e një shkencëtari të mirëfilltë, i dërdëllis publikut shqiptar broçkulla që nuk i beson assesi për vete dhe sot 23 vite pas deklarimit të rrëzimit të diktaturës, ai me arrogancë dhe në mënyrë të pacipë na del me teza të cilat janë mbrojtur nga historia e diktaturës për 50 vite, me qëllim që të justifikoheshin krimet e kryera. Kur diktatori ka shkuar në ferr, të lajë hesapet për shqiptarët që ka vrarë, Xhufi akuzon njërin nga Baballarët e Kombit për akte terroriste.
Në këtë show të neveritshëm të Pëllumb Xhufit reagoi Fatos Lubonja duke marrë si shembull një lajm që posa e kishte dëgjuar nga BBC, sipas të cilit disa të rinj në Poloni që kishin përdorur në një reklamë fotografinë e Leninit, ishin detyruar ta hiqnin menjëherë foton dhe t’i kërkonin ndjesë opinionit publik, i cili kishte reaguar menjëherë dhe shumë ashpër.
Fatos Lubonja duke iu referuar shoqërisë në Poloni tha se shoqëria atje është e një vendi normal. Sepse Shqipëria nuk ka shoqëri normale, jo se shqiptarët janë njerëz me bisht, por sepse kjo shoqëri ushqehet me një shtyp jo normal, nga opinionbërës jo normalë dhe udhëhiqet nga politikanë jo normalë.
Dhe një vend që nuk e di ende historinë vazhdon të mbetet në qorrsokak, sepse i lejon vetes të trushplahet nga historianë paskrupullt që vazhdojnë ta manipulojnë edhe historinë, edhe opinionin publik duke e mëkuar për çdo ditë me helmin e propagandës staliniste.

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj Lubonja, Mit'hat Frasheri, pellumb xhufi, Shqiptaret lajthisin

KOMENT RRETH TAKIMIT RAMA-MERKEL

April 2, 2014 by dgreca

– Të rejat e vjetra – Gjermania pret që qeveria Rama të zbatojë reformat, s’ka alternativë tjetër/

– Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Kam përpara sysh dokumentin marrë nga faqja elektronike e kancelares Gjermane ku pasqyrohet Konferenca për Shtyp e Kryeministrit shqiptar me zonjën Merkel. Teksti është në gjermanisht dhe mund të lexohet nga çdo vizitor i faqes.
Së pari, dua të nënvizoj dy fakte.
Fakti i parë lidhet me rëndësinë e këtij takimi. Askush nuk mund ta minimizojë atë. Gjermania një nga shtetet ku mbështeten themelet e demokracisë Perëndimore. Pra rëndësia e takimit Rama-Merkel është maksimale.
Fakti i dytë na kthen në retrospektivë, katër muaj përpara, kur Gjermania ishte njëri nga pesë shtetet (Gjermania, Britania, Holanda, Danimarka dhe Franca) që ia refuzuan në dhjetor Shqipërisë statusin e vendit kandidat në BE.
Ky refuzim u shpjegua në mënyrë shumë kontraverse dhe manipuluese si nga shumica ashtu dhe nga opozita. Sepse të dyja palët i ikën të vërtetës. Opozita për këtë vonesë bëri shkaktare shumicën, ndërsa maxhoranca iu referua „islamofobisë të disa shteteve perëndimore“, pa marrë parasysh se publikisht në televizionet e Tiranës, Hollanda deklaroi se nuk do të përdorte veton kundër Shqipërisë. Që do të thotë se, nëse Hollanda do të ishte e vetmja refuzuese,ajo do të votonte pro.
Le të kthehemi tek takimi i djeshëm Rama-Merkel. Në webfaqen e Kancelares gjermane është publikuar qëndrimi i zonjës Merkel.  „Wir sehen Fortschritte“ – „Ne shohim përparim“, – citohet zonja Merkel në një titull në websitin e saj. Por përveç kësaj fjalie me tre fjalë, që është inkurajuese, Gjermania nuk bën asnjë premtim se ka ndryshuar qëndrimin e dhjetorit. Sepse kjo do të varet nga Shqipëria.
Në fjalën që mbajti në konferencën për shtyp zonja Merkel vuri në dukje marrëdhëniet shumë të mira 20 vjeçare midis Gjermanisë dhe Shqipërisë. Ne mendojmë, theksoi Merkel,se perspektiva europiane është për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, se ky rajon ku përfshihet edhe Shqipëria ka nevojë për një zhvillim prosperues të shëndetshëm, dhe se për këtë „Shqipërisë i duhet një proces i thellë ndryshimi“. Shikoni, po e përsëris edhe një herë se çfarë nënvizoi zonja Merkel: „Shqipërisë i duhet një proces i thellë ndryshimi“. Pra kancelarja e Gjermanisë iu referua  perspektivës. Që do të thotë se Gjermania dhe Perëndimi pret një proces i cili deri tani nuk është marrë dhe nuk është plotësuar, paçka se shihet përparim.
Kryeministri shqiptar e kishte informuar zonjën Kancelare për projektet e mëdha të qeverisë së tij. Që ka në mendje a në letër. Por Gjermania mirëpret që këto projekte të zbatohen. Me këtë rast Kancelarja gjermane kur iu referua projekteve të qeverisë shqiptare, vuri në spikamë konkretisht se fjala është për„luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe për pavarësinë e sistemit të drejtësisë“.
„Komisioni Europian po e vëzhgon Shqipërinë në mënyrë shumë intensive dhe në qershor do të raportohet për përparimin e bërë. Ne shohim përparim, nënvizoi Merkel, dhe do të desha t’i uroja Kryeministrit të gjitha të mirat në këtë punë shumë të vështirë, sepse kjo rrugë e re nuk është e lehtë të përshkohet.“
Pra, le të ndalim këtu. Dhe të mos mbajmë popullin me premtime apo me lajme për vizitën e padatë të kancelares gjermane në Tiranë.
Nuk diskutohet roli pozitiv i Gjermanisë në mbështetje të integrimeve shqiptare. Në këtë rezonancë janë edhe Anglia, Franca, Hollanda dhe Danimarka që refuzuan statusin e kandidatit të Shqipërisë në dhjetorin që shkoi. Rol negativ ndaj integrimit të Shqipërisë në BE ka patur klasa politike shqiptare. Edi Rama do të ndryshojë kurs. Gjermania e  mbështet. Le ta ndryshojë kursin! Të gjithë po presim.

Për të përditësuar aktualitetin e marrëdhënieve të qeverisë shqiptare me Gjermaninë pas takimit Rama-Merkel, mund të themi se kryeministri Rama ka projekte për një reformim dhe modernizim të thellë të shtetit shqiptar, të cilat Kancelarja Merkel i mirëpret dhe kërkon t’i shohë të zbatuara në realitet.
Gjermania sheh progres, por qeveria Rama ndodhet në fazën kur nuk ka nisur ende implementimin e projekteve të saj. Dhe gjithçka do të varet prej implementimit.
Kancelarja Merkel vuri në dukje se Gjermania e mbështet plotësisht qeverinë e re të Edi Ramës në rrugën e re dhe shumë të vështirë, jo vetëm për faktin se ka disa ministre gra, por sepse pret që kjo qeveri të ndërmarrë veprime konkrete, të cilat nuk ishin ndërmarrë në muajin dhjetor 2013, kur pesë shtete të BE-së refuzuan statusin e kandidatit të Shqipërisë.
Ndërkohë në pyetjet që iu bënë Kancelares të Gjermanisë u vu re se investitorët gjermanë në Shqipëri janë të pakët ose nuk janë të shumtë në numër. Zonja Merkel u përgjigj: “Për investitorët private gjermanë siguria ligjore është e rëndësisë fondamentale. Ata duan të dinë: A mund të mbështeten në sistemin e drejtësisë që ka Shqipëria? Kjo është arsyeja që ne e theksuam kaq shumë reformat në sistemin e drejtësisë”. Siç shihet përgjigja e zonjës Merkel ishte e kjartë dhe flet qartë për rrugën e reformave që e pret qeverinë Rama.
Këto janë të rejat nga takimi Rama-Merkel.
Në fakt, nuk janë gjëra që ne i dëgjojmë për here të parë. Mospërmbushja e obligimeve të qeverisë pararendëse ka bërë që statusi i kandidatit t’i refuzohet Shqipërisë pesë herë rresht.
Gjermania përfaqëson Perëndimin, sikur Komisioni Europian apo dhe investitorët gjermanë e të huaj, të cilët nuk ngopen me fjalë dhe projekte. Por me vepra.

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj, KOMENT RRETH TAKIMIT, RAMA-MERKEL

1 Prilli: Dita Kombëtare e Oligarkisë Politike Shqiptare!

April 1, 2014 by dgreca

Shkruan Bislim AHMETAJ/

TIRANE : Mes trishtimit dhe medyshjes  zgjodha për titull të këtij shkrimi këtë sukses të dhimbshëm të klasës politike shqiptarë. Titull dhe arritje e pamerituar për qytearët shqiptarë por  i provuar dhe I shënuar si arritje e klasës politike  pothuaj 100% që prej vitit 44 e deri më sot kur rraca e komunistëve erdhi  për herë të parë në pushtet. Shqiptarët edhe pse nuk ishin fort të informuar se çfarë të këqiash po i sillte njerëzimit nazifashizmi , për arësyen e thjeshtë se në vendin e tyre kjo gjëmë boterore  kishte demostruar sjellje krejt të ndryshme prej botës tjetër që po përjetonte tmerre dhe vdekje pa fund , ata , ju bashkuan  kualicionit antifashist dhe luftuan me armë në dorë deri në çlirimin e vendit, çlirim që  për fatkeqësinë e tyre solli në pushtet përmes premtimesh kurrë të padëgjuara më parë ata që do ta shndërronin Shqipërinë në kampin më të madh të njerëzve të izoluar dhe të dhunuar në krejt lindjen komuniste. Më pas provuam si asnjë vend tjetër në europën lindore ta shijojmë demokracinë , derivatet e dsaj të para  lirinë e dhe ekonominë e tregut.  Por kjo  aromë lirie dhe frytet e saj do të shembëshin për dy tre muaj  nga Sudja, Xhaferi, Vebiu , ajo gruaja nga Kukësi e të tjerë . Mes grykës së pushkës dhe tymit të barutit ata që po vinin në pushtet njëlloj si baballarët e tyre mbollën farën e mashtrimit që  paratë e investuara në firmat piramidale do të kthehen një më një. Të dëshpëruarit ,të ndërsyerit, të tradhëtuarit, të lëshuarit, të braktisurit nga shteti dhe institucionet   i besuan njëlloj si në 44 kur do hanin me lugë floriri.  Mazhoranca e atëhershme u zbyth nga pushteti e ndjekur nga pushkët që ja rrëmbyen nëpër depot e saj, zbythje  që u  shoqëruar me një proces zgjedhor  të cilin e udhëhiqnin Zani dhe shokët e tij të komiteteve nga Tropoja deri në Sarandë. Premtimi I kthimit të paravë u shua si “shurra e pulës” për pak muaj “herojtë “ e revolucionit  të vonuar të Qoses  përfunduan shumica të vrarë si qen rrugësh dhe një pjesë e tyre në burgje me denime të përjetshme. Kur një zë spikamë i demokracisë dhe pluralizmit politik shqiptarë nisi ti trondiste themelet e mashtrimit dhe rindezi shpresën te liria dhe demokracia, tek e verteta dhe drejtësia  njëlloj si në Dhjetor të 90-s, oligarkia politike shqiptare vendosi t’ja mbyllte gojën me karrikatore plumbash kallashnikovi. Ndryshe nuk mund ta bënin të heshtte Azem Hajdarin. Me vrasjen e tij mashtrimi dhe tregtia e votave dhe deputeteve u shndërrua në biznesin më fitimprurës në Shqipëri.Zgjedhjet e humbën peshën që bartnin më parë pronarë të parlamentit me ligj të miratuar me konsensus u bënë kryetarët e partive dhe jo qytetarët. Interesi dhe besimi i qytetarëve tek institucioni kyç i demokracisë që janë zgjedhjet  e lira dhe të ndershme u zerua. Ai , qytetari me votën e tij nuk zgjidhte më përfaqësuesin e vet  por të zgjedhurin e kryetarit të partisë që ose nuk zgjidhet fare siç është rasti i Edi Ramës tani ose zgjidhej dhe zgjidhet përmes proceses aspak transperente.  Fatkeqësisht të gjithë kemi përfunduar në këtë batak , brenda këtij rrethi vicioz  s’gjen asnjë faktorë , mundësi apo rrethanë që të mund ti shpëtosh katij rrjeti mashtruesish që rrenen dhe mashtrimin kanë shndërruar në çelës të suksesit.  Zgjidhja që kishim projektuar ne qytetarët idealist , demokratë, liberale, socialistë, ballistë, apo legalistë pa shpikur asgje të re njëlloj si kudo nëpër shoqëritë e zhvilluara perëndimore ishin zgjedhjet dhe vetëm zgjedhjet. Tani ato,  zgjedhjet janë shndërruar në  dyqan, kioskë, vilë, thes mielli, shishe rakie, tender, vend pune, leje ndërtimi. Ndaj ky 1 Prill i sivjem e gjen më të konsoliduar se kurrë më parë mashtrimin, rrënën, shpërdorimin e besimit, inkriminimin e parlamentit dhe totolitarizimin e shoqërisë.

Ndaj ky 1 Prilli i sivjetshëm e gjen më të konsoliduar se kurrë më parë oligarkinë politike shqiptarë , ajo ndihet më pak se kurrë ndonjëherë e shqetësuar nga shtetasit e saj , ajo është bërë pronare e ligjshme e shpërdorimit të halleve dhe interesave të qytetarëve të saj.

Mazhoranca Ra-Me-Ta  megjithese e ka kuorumin kushtetues te  votave për të miratuar çdo lloj ndryshimi qoftë edhe të sistemit për tu treguar “tolerante”, “zemërgjërë” dhe “bashkëpunuese” me opozitën  le të ftojë edhe një pjesë të deputetëve të saj kryesisht ata që janë gjysëm të gatshëm  që me 101 vota ta miratojë 1 Prillin: Si ditën e arritjes së nënshtrimit të qytetarëve, si ditën e mbytjes së mendimit ndryshe, si ditën e blerjes dhe pushkatimit të shoqërisë civile.

Si ditën Kombëtare  të Oligarkisë Politike Shqiptare.

 

Filed Under: Komente Tagged With: 1 Prilli: Dita Kombëtare e Oligarkisë Politike Shqiptare, bislim ahmetaj

Obama: Njerëzit në Kosovë vriteshin sistematikisht, para aksionit të NATO-s

March 28, 2014 by dgreca

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se SHBA-ja dhe NATO-ja nuk duan konflikt me Rusinë dhe se kriza në Ukrainë nuk është fillimi i një Lufte të re të Ftohtë.

Obama i ka bërë këto komente gjatë fjalimit të tij në Galerinë e Arteve të Bukura në Bruksel.
Presidenti amerikan ka thënë se krahasimi i Kosovës me situatën në Krime, është i papërshtatshëm, për shkak se njerëzit në Kosovë janë vrarë me vite të tëra, para se NATO-ja të merrte aksionin e saj. “NATO-ja ka ndërhyrë vetëm pasi njerëzit në Kosovë janë brutalizuar dhe vrarë sistematikisht me vite të tëra”, ka thënë Obama.
Ai ka kujtuar se Kosova ka shpallur pavarësinë e saj vetëm pas konsultimeve dhe bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar. Një gjë e tillë, sipas Obamës, as përafërsisht nuk ka ndodhur në Krime.
“Nuk ka asnjë dëshmi të dhunës sistematike kundër rusëve etnikë në Ukrainë… Udhëheqja e Rusisë është duke sfiduar të vërtetat dhe duke bërë përpjekje të rishkruajë hartat”, ka theksuar presidenti i SHBA-së.
Sipas tij, veprimet e Rusisë në Ukrainë paraqesin një “moment global të provës”. Obama ka thënë se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa nuk kanë asnjë interes në kontrollimin e Ukrainës dhe se SHBA e NATO nuk kërkojnë konflikt me Rusinë. “Kjo nuk është një tjetër Luftë e Ftohtë në të cilën jemi duke hyrë. Në fund të fundit, ndryshe nga Bashkimi Sovjetik, Rusia nuk udhëheq asnjë bllok të shteteve, anjë ideologji globale”, është shprehur Obama.
Ai ka pranuar se situata në Ukrainë nuk ka përgjigje të lehta, por ka thënë se çdo vend i NATO-s duhet të ndajë një pjesë të barrës së mbrojtjes. Obama po ashtu ka thënë se është “absurde” të mendohet se SHBA-ja ka bërë konspiracion me “fashistët” në Ukrainë – nocion ky që përdor Rusia për aktivistët që janë çuar kundër regjimit të ish-presidentit ukrainas, Viktor Yanukovych.
“Nuk ka qenë Amerika ajo që ka mbushur Maidanin me njerëz, kanë qenë ukrainasit”, ka thënë Obama.
Ai po ashtu ka pranuar se nuk ka asnjë mënyrë për të larguar Rusinë nga Krimeja, por ka thënë se për aq kohë sa SHBA-ja dhe aleatët e saj mbeten të bashkuar, “populli rus do ta kuptojë se nuk mund të arrijë sigurinë, begatinë dhe statusin që kërkon”.
Obama ka përsëritur paralajmërimet se nëse udhëheqja ruse vazhdon në të njëjtin drejtim, ajo do të izolohet edhe më shumë.
Krimeja – gadishulli jugor i Ukrainës – është aneksuar këtë muaj nga Rusia, pas një referendumi të cilin Kievi dhe Perëndimi e kanë cilësuar si të paligjshëm.(Ne foto: Në Suharekë dhe në Krushë të Vogël të mërkurën u bë rivarrimi i 46 personave, në mesin e të cilëve kishte edhe fëmijë, që rezultonin të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Në Suharekë ishin 27 arkivole, kurse në Krushë të Vogël 19. Kosova numëron edhe 1700 persona të pagjetur që nga lufta e fundit )

Filed Under: Komente Tagged With: ne Kosove, Obama, te pafajshmit, vriteshin

DY HARRESAT E 22 MARSIT

March 25, 2014 by dgreca

22 MARS 2014 – U FESTUA SULLTAN NOVRUZI – U LANË NË HARRIM RILINDASIT BEKTASHINJ DHE 22 MARSI 1992!
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

22 Marsi sivjet në Shqipëri u festua me një shurdh-memecëri  të plotë. Në kalendarin zyrtar kjo datë nuk është e përfshirë. Ku do të duhej të kremtohej si festë zyrtare e Shqipërisë, me të gjitha detyrimet.Kjo datë përkon me festën e Sulltan Novruzit, një degë e fesë islame që ka si doktrinë përsosjen e shpirtit njerëzor. Por politika shqiptare nuk ka as shpirt dhe as ndërgjegje, është e pashpirt dhe me ndërgjegjeblozë. Në kalendarin e Shqipërisë kjo është një festë fetare zyrtare.

Më 22 Marsin e 2014, në ditën e fitores të përmbysjes të diktaturës, e cila do të duhej të ishte një festë kombëtare, për ta kremtuar të gjithë, nuk u fol gjë tjetër veç për hashure me rrush të thatë e arra, për kurbane dhe byrek me jeshillëqe, në ngjyrë të togës të kryebektashiut që ka zëvendësuar të ndjerin Haxhi Reshat Bardhi.Si ditë e bektashizmit që kudërmonte nga era e kanellës mbi hashure, ishte rasti që të frymëzoheshe e të kujtoje vëllezërit e Rilindjes Frashëri. A nuk do të shkonte shumë bukur sikur  tek porta kryesore e selisë të Kryeqyshatës botërore bektashiane të lexoje të fiksuar nga kamerat një nga amanetet e Naim Bej Frashërit për shqiptarët: “Jeni të mirë, vetijpastrë, doni mëmëdhenë dhe gjuhën tuaj!” Politikanët shqiptarë e kanë kthyer përmbys në antitezë të plotë amanetin që nuk e tret as dheri, ata janë të liq, ndërgjegjexirë, nuk e duan as vendin, as gjuhën e as kulturën.

Nuk u kujtua as 22 marsi 1992 dhe as humanistët bektashianë të Rilindjes. Në memecërinë e surrealit shqiptar, më 22 mars 2014 askush nuk recitoi ndonjë poezi të Naimit, askush nuk deklamoi ndonjë varg nga Begati e Bujqësi apo “Fjalët e Qiririt”. Shikoni sa bukur tingëllojnë: Në mes tuaj kam qëndruar/E jam duke përvëluar,/Që t’u ap pakëzë dritë,/Natënë t’ua bënj ditë. /Do të tretem, të kullohem,/Të digjem, të përvëlohem,/Që t’u ndrinj mir’ e të shihni,/Njëri-tjatërin të njihni. /Për ju do të rri të tretem,/Asnjë çikë të mos mbetem,/Të digjem e të qanj me lot,../ /Unë zjarrit nuk i druhem /Dhe kurrë s’dua të shuhem,/ Po të digjem me dëshirë,/Sa të munt t’u ndrinj më mirë./Kur më shihni se jam tretur,/Mos pandehni se kam vdekur;/jam i gjall’ e jam ndë jetë /jam në dritët të vërtetë,/Unë jam në shpirtin tuaj,/Mos më kini për të huaj,/ M’është falurë durimi, /Andaj po digjem si trimi….” Në Tiranë nuk u mbajt asnjë takim përkujtues për Samiun dhe veprën e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç‘eshtë dhe ç’do të bëhet”, që këtë vit mbush plot 105 vjet nga drita e botimit; askush nuk e kujtoi as Abdyl Frashërin, ideologun e Lidhjes së Prizrenit, edhe ai bektashi. Pa Vëllezërit Frashëri s’ka kuptim Sulltan Novruzi, sepse feja e shqiptarëve është shqiptaria!

Por tani kur themi Rilindje nënkuptojmë partinë dhe anasjelltas. Ndërsa kur themi 22 Mars e çfarë kujtojmë?

E para që do të duhej të kujtonte 22 marsin 1992 duhej të ishte PD- e cila nuk u ndie fare. Vetëm Berisha e nisi ditën e djeshme fejsbukiane, duke uruar në fillim Sulltan Novruzin e pastaj  22 Marsin 1992 duke sjellë fotografi që e çonin në një kohë që e bënte të psherëtijë e murmurijë: “O tempora e mores”.

Normalisht, si një vend sekular që është Shqipëria, dita duhet të niste duke i blatuar respekte lirisë dhe humanistëve të Rilindjes.

Unë isha atë 22 mars. Raportoja si gazetare e bëja pjesë në oqeanin mbarëpopullor, kur populli shqiptar ia dha votën lirisë. Në vesh më ushtojnë ende meloditë e çmendura nga gëzimi të klaksonëve të veturave, ardhur nga Kavaja që përshkonin Bulevardin Dëshmorët e Kombit me dritare të hapura nga ku era e ngrohtë e marsit dukej se do t’i merrte me vete flamujt e kuq shqiptarë, flamujt amerikanë me yje dhe vija, dhe flamujt blu të PD-së. Ishim të dehur nga aroma e lirisë dhe të mbushur me shpresa, të cilat tani 22 vjet pas 22 marsit 1992 janë kthyer në iluzione dhe deluzione. Populli shqiptar ka mbetur i kryqëzuar dhe i lidhur si Prometeu prej politikës të mbrapshtë për 22 vjet.

Por megjithatë, të gjitha zhgënjimet dhe pësimet së bashku nuk e cënojnë bukurinë dhe magjinë e ringjalljes të sovranit atë 22 mars 1992. 22 marsi 1992 është dita e kauzës të lirisë. 22 marsi 1992 është dita ku vullneti i popullit u shpreh për të rrëzuar sistemin e kalbur nga lufta e klasave, urrejtja, ndasitë, izolimi, Gulagët shqiptarë, burgjet dhe vrasjet politike me motivacion ideologjik përmes vëllavrasjes.

22 marsi 1992 është bekuar jo se i dha pushtetin një grushti njerëzish, të cilët u sollën si despotë të gjithëpushtetshëm, por sepse demonstroi pushtetin që ka oqeani i uraganit popullor.

Prandaj politika e mban jashtë kalendarëve zyrtarë këtë datë të historisë moderne shqiptare. Festohet 29 nëntori 1944 që njihet si dita e pushtimit të Shqipërisë nga diktatura, ndërsa 22 marsi 1992 ende jo.

Edhe Festa e Sulltan Novruzit festohet në mënyrë të tillë ku dekulturimi i zë plotësisht vendin vlerave të kulturës dhe traditës. Nga qielli shqiptar na vërejnë bektashinjtë më të famshëm të të gjitha kohërave, ata që përbëjnë kuintesencën e Rilindjes Kombëtare, ata që u dogjën e përvëluan për të na lënë ne shqiptarëve trashëgiminë e tyre filozofike, kulturore dhe kombëtare, që mjerisht tashmë duket se gjatë këtij tranzicioni makabër nën dirigjimin e politikës është çrrënjohur nga trolli jonë plotësisht.

Jam dëshmitare e fitores të 22 marsit 1992 që përkoi me ardhjen e pranverës, ringjalljen e natyrës e Festën e Bajramit, si për të thënë se edhe Zoti e Natyra ishte bashkë me votën e shqiptarëve, verdikti i së cilës u hapi Shqipërisë dhe shqiptarëve dyert për t’iu bashkuar Europës.

Po ku janë sot shqiptarët, 22 vjet pas asaj dite të bekuar? Diktatura i mbajti në bunker për gjysmë shekulli, tranzicioni po i mban prapë të margjinalizuar dhe të penalizuar për një çerek shekulli tjetër. Dinozaurët e diktaturës dhe tranzicionit ua kanë ngrënë kohën shqiptarëve. Prandaj klasa politike e ka hequr nga kalendari këtë ditë e datë të shenjtë, duke e futur në karantinë. Por 22 marsi 1992 është dhe do të jetë, edhe për të na kujtuar se jemi të vonuar, edhe për të na treguar rrugën e lirisë.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj, U LANË NË HARRIM RILINDASIT BEKTASHINJ

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 422
  • 423
  • 424
  • 425
  • 426
  • …
  • 484
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Nexhat Peshkëpia dhe “Noli si Poet Shqiptar…”
  • RINGJALLJA E BALADËS SI KUJTESË KULTURORE DHE NARRATIVË TRAGJIKE
  • Filatelia serbe si instrument i hegjemonisë dhe shovinizmit shtetëror
  • SHQIPTARËT NË HOLOKAUST PARA HEBRENJVE
  • Kujtesa e Luftës së Kosovës në Udhëkryqin e Historisë dhe Kohës – Studime nga Profesor Asistent Abit Hoxha
  • Jani Vreto dhe Rilindja Kombëtare Shqiptare
  • “Vatra Long Island” fton komunitetin në festën e Pavarësisë së Kosovës që organizohet më 15 shkurt 2026
  • Tradita Amerikane e “Groundhog Day”, -25°F dhe ngrohja globale që na gjeti me pallto leshi
  • “BORDI I PAQES”, NJË SPROVË PËR SHQIPTARËT NË NJË BOTË QË PO NDRYSHON
  • “Have You Listened to Radio Prishtina?”
  • Tribuni i lirisë, Major Abas Kupi u përkujtua në Krujë
  • KOMUNITETI KRAJAN NË NEW YORK MBAJTI MBLEDHJEN E ZHJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË KRYESISË SË RE TË SHOQATËS “KRAJA”
  • Fan Noli, Federata Vatra dhe John F. Kennedy: Lidhjet e Diasporës Shqiptare me Politikën Amerikane dhe Demokracinë Globale
  • Today marks the 84th anniversary of the Voice of America
  • MËRGATA SHQIPTARE, NGA KUJTESË E SË KALUARËS NË SUBJEKT AKTIV

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT