• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUR BIE DITA E “TË SHUEMËVE” ?..

October 31, 2013 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 Nga viti në vit po ndryshohen kalendarët dhe me ta edhe datat…e festave, perkujtimore, dhe të tjera shenja të veçanta që ishin të shenueme aty. Nuk asht problemi tek festat fetare, se ato merren vesh dhe pa kalendar, u mësuem mbas 1967, kur nuk kishim ku me i gjetë të shenueme.

Bashkë me datlindje festohej edhe dita e emnit… Festat fetare ishin të mëshefta!

Kujtoj, shumë vite perpara kur pata lexue një prozë të shkurtë të At Gjergj Fishtës, per Ditën e të Shuemëve, në Rrëmaj të Shkodres. Një kryeveper, si shumë shkrime të tjera të Tij!

Ajo ishte një ditë krejt e veçantë në Shkoder. Edhe pergatitjet në Rrëmaji fillonin disa ditë perpara, ku sejcili, mendonte per një tubë lule apo per pastrimin e vorreve të familjes së vet.

Me datës 2 Nandor, ku shenohej në kalendarin fetar katolik “Dita e të vdekunëve”, ishte fillimi i perkujtimoreve, që vazhdonin deri tek e diela që mbyllej edhe java e atyne kujtimeve…

Disa i thonin “Java e Purgatorëve”, mbasi edhe lidhej me “jeten e lumtur” të Shkodres!

Në Shkoder nuk perdorej fjala e “të shuemëve”, na dukej se tingllon keq, mbasi fjala “me u shue”…sikur, merrte kuptimin e vrashtë të “shfarosjes”…dhe, perdorej per fise që komunistët i kishin “shue”, “qitë fare”, “zhdukë” pra, “pa trashigimtarë”…E këta fise nuk ishin pak! Nuk do ti rreshtoj këtu ata fatzezë që kam mërrijtë me njoh unë, mbasi qellimi i këtij shkrimi nuk asht ai.

Kjo foto që shihni këtu, na kujton një prej ngjarjeve ma të mëdha të Historisë sonë!

Plot 135 vjetë maparë, në vitin 1878, në Prizrenin Shqiptar u krijue “Lidhja e Prizrenit”…

As Kryetari i Delegacionit Shkodres tek ajo Lidhje, Daut Efendi Boriçi, endè sot nuk e ka një bust në qendren e qytetit të Shkodres, edhe pse përfaqsia e Tij atje ishte një nderim per ne!

 

Prizreni i 1878…

At Gjergj Fishta i këndoi:

Shkrepi dielli buzës s’Cukalit,

Eja e t’kndojm, oj Zana e malit,

Eja e t’kndojm më Lahutë t’ Malcis,

Si ata Krenët e Shqyptaris

Në Prizren na janë bashkue

Për me folë me bisedue,

Shqyptarinë se si m’e pshtue

***

Sa per Mbretin e Stambollit,

***

Mund t’i thoni, se Shqypnija

Nji shportë fiqash nuk ka qillue,

Per m’u a da miqve peshqesh.

Por asht toka e t’ Parvet tonë,

Asht Atdheu, po i Skanderbegut,

Asht Atdheu, po, i Mojs Golemit

E i atij Lekë Dukagjinit,

Edhe i Kukës edhe i Muzakut

Edhe i Strezës e i Aranitit,

Qi e kan la t’ tanë me gjak t’Turkut.

Prandaj s’ka as Krajl as Mbret,

Qi ket tokë e falë a e shet,…

 

Dhe pikrisht, në këte 135 vjetor, mendoni Ata Shqiptarë të Prizrenit t’ atëhershëm… me 23 Tetor 2013, të mbledhun me ndigjue nga këta tre “kryeministra” hyqimetesh, një tjeter “vaki”: “Kosova është Turqi e Turqia është Kosovë”…

 

 

Nuk deshta me u besue syve… Po, kur lexova deklatën e Imz. Dodë Gjergjit, ku tregon:

“…sikur në fund të çdo dite bie muzgu dhe errësira i vë nën pushtetin e vetë të gjitha gjërat, ashtu ndodhi dje pasdite në Prizren, ku doli në pah ligështia nostalgjike e disa shqiptarëve, ambiciet neotomane të miqëve (“vëllezërve të disave”) dhe dëshira e kryeministrit turk Erdogan, që të jetë padroni i shqiptarëve. Kjo e la një hije të keqe mbi bukurinë e ditës së djeshme…”

Ajo deklaratë ishte: Një qendrim i duhun, në kohë dhe burrnor!

Sa mirë do t’ ishte që politikanët mos të ndotin pusat ku ka pij ujë Nanë Tereza, dhe as rrugët e Dardanisë, ku kanë shkelë të zbathun Atdhetarët tanë! E nuk janë aq pak sa me u harrue!

***

Erdogan kerkon me ngulm nga “vllezërit e vet”: Edhe “Historia e Shqipnisë”…duhet “ndryshuar”, pra, “ngjarjet e ditëve xhuma, duhen vue me datat e kalendarit turk”… Jo, me ate “arnaut”! Një monument i Haxhi Qamilit do të duhej tek Akademia e Shkencave të R.Sh., pranë “pasuesit të vet”, Sabri Godo…që vërtetë me veprat e veta i paraprinte “vllezërve të gjakut”..!

 

■Mos ndoshta, “Dita e të SHUEMËVE”, me kalendarin turk, bie me 23 Tetor 2013…

KUR “KËTA”… MENDOJNË E VEPROJNË, “ME SHUE” TROJET SHQIPTARE ?

 Melbourne, Nandor 2013

Filed Under: Komente Tagged With: Fritz Radovanai, kur bie Dita e te shuemeve, Lidhja e Prizrenit

Mbetëm me kokën pas…

October 27, 2013 by dgreca

Shqipëria do mbetet përjetësisht e verbër në në ekonomi, në kulturë, në civilizim, në tregëti, në emnacipim kombëtar, në vëmendje e në prestigj, nëqoftëse merret me rrugë fshatrash e nuk respekton gjeopolitikën, domethënë qendrat gjeopolitike të rëndesës. Për shembull, nëqoftëse nuk arrin të ndërtojë një “Suez” që të lidhë Romën me Stambollin. Një amanet që na e ka lënë 100 vjet më parë edhe Ismail Qemal Vlora, Babai i Kombit Shqiptar./

Nga Zeno Jahaj/

Në Prizren, në kryeqendrën kombëtare ku u bë prova e parë gjenerale e një qeverie shqiptare në kohët moderne, miku i ftuar, Kryeministri turk, jo në një konferencë shkencore, as në një deklaratë zyrtare, përkundrazi, në një sofër tradicionale, tha se Kosovën e donte shumë, aq shumë sa ajo për të është Turqi. Kryeministri i Shqipërisë, i ftuar edhe ai, jo privatisht, jo si byrazer, por si Kryeministër, natyrisht që do të respektonte afeksionin e mikut turk. Nuk bëhet fjalë që i zoti i shtëpisë të mos ndjehej mirë. Kaq ishte gjithë historia.

“Tungjatjeta vëlla,” “Ç’kemi vëlla” i përshëndesim të gjithë, përveç vëllezërve. Vëllezërve s’kemi pse ua kujtojmë që i kemi vëllezër.

Otomanët nuk e kishin dhe as nuk mund ta kishin kurrë forcën t’i bënin vëllezër shqiptarët apo ballkanasit e tjerë, jo për 500, por as për një mijë vjet. Se kombet nuk bëhen vëllezër, edhe sikur t’i mbash me bukë 500 vjet, pa le më t’i shtypësh 500 vjet.

Turqia ka sot të tjera mundësi e nesër do të ketë akoma më shumë mundësi. Turqisë i ka ardhur koha të ribëhet, në mos kryeqendër, të paktën një nga dy-tre qendrat që do ekuilibrojnë kontinentin e ca më tej. Por me orë e balanca të tjera, jo me orë e balanca perandorake.

Shqipëria mjaft ka gabuar me balancat. Nuk na falet të gabojmë më tej.

Shqipëria do mbetet përjetësisht e verbër në në ekonomi, në kulturë, në civilizim, në tregëti, në emnacipim kombëtar, në vëmendje e në prestigj, nëqoftëse merret me rrugë fshatrash e nuk respekton gjeopolitikën, domethënë qendrat gjeopolitike të rëndesës. Për shembull, nëqoftëse nuk arrin të ndërtojë një “Suez” që të lidhë Romën me Stambollin. Një amanet që na e ka lënë 100 vjet më parë edhe Ismail Qemal Vlora, Babai i Kombit Shqiptar.

Për këtë, po, ia vlen të kthejmë kokën pas.

Filed Under: Komente Tagged With: mbetem me koken pas, Zeno jahaj

A mund të na vlerësojnë studentët?

October 27, 2013 by dgreca

Shkruan: Arjan Th. Kallço/Pedagog ne Universitetit “Fan S. Noli/ Korce/

Ndoshta do të ishte një nga pyetjet së cilës do t’i druheshin të gjithë pedagogët e universiteteve shqiptare, të brendshëm dhe të jashtëm, pasi do të shihnin dhe lexonin pas saj vetëm shenjëat e dallueshme të hakmarrjes apo ndëshkimit ndaj atyre që nuk zbatojnë porosinë e partisë. Më ka ndodhur shpesh të pi kafe me studentët dhe në bisedë e sipër ato nuk mund të mos preknin figurën e pedagogut dhe të institucionit ku ata mësojnë. Është e pashmangshme kur me to lidhet jeta e përditëshme dhe padyshim e ardhmja e tyre. Por një profesionist i mësimdhënies nuk mund t’ia lejojë vetes që të ulet dhe të diskutojë për këto probleme me çfarëdo studentë. Disa gjëra duhen ndarë, sepse në masivizimin primitiv të universiteteve shqiptare nuk mund të tërheqësh mendim prej atyre që duket se në shkolla i kanë çuar me zor, apo që vijnë të mësojnë se çfarë është universiteti. Problemi komplikohet më shumë kur në mes hyn politika, sepse sheh tek ata kontigjentin e votuesve faktikë apo të ardhshëm. Në gjithë këto vite asnjë grupim politik nuk mundi t’ia dalë dot që ta shkëpuste ndikimin e vet edhe në institucione që në bazë të tyre nuk kanë dhënien e një vendi të punës, por pajisjen me dije të brezit të ri. Fushatat elektorale kanë ende shijën e hidhur të përdorimit thjesht për interesa elektorale të shkollës shqiptare, kur me ligje është krejtësisht e ndaluar. Por ligji vepron për kundërshtarët dhe jo për pushtetarët. Nëse do të votonim në një sondazh në Shqipëri mes fjalëve të panumërta, shpesh të mara hua nga ndonjë gjuhë e huaj, do të kishte padyshim fituar status të veçantë REFORMA. Nuk ka ditë që të mos e dëgjosh në televizionet tona, nga të gjithë ata që nëpër ekrane, duhet apo s’duhet, dalin dhe e përdorin fjalën me vend e pavend. Bëhet më e dhimbshme kur reforma nënkupton heqjen nga puna të njerëzve për arsye politike dhe jo për mangësi të theksuara formimi. Përvojat e hidhura të rotazionit shqiptar nuk janë veç shëmbëlltyrat e një papjekurie të klasës poltike që luan gjithmonë me fatet e qytetarëve dhe të militantëve. Po rikthehem temës së artikullit, pasi edhe këtu qeveritë na kanë ofruar skandal pas skandali, ku pas tyre fshihej thjesht largimi “ i motivuar” nga puna. Këto oferta bëhen vërtet qesharake kur marrin seriozitet në gojën e zyrtarëve që vendosin mbi fatin e vartësve. Në një prej bisedave me kolegë mësova se u ishte kërkuar studentëve që të vlerësonin figurën e pedagogëve dhe me të drejtë nuk e pranova një vlerësim të tillë, sepse nuk duheshin përfshirë në këtë risi të gjithë studentët. Për më tepër kur dihet tashmë se cili është niveli i tyre dhe i universiteteve tona. A mundet që të na vlerësojë çdo student? Përgjigjia ime është kategorike edhe sot, në asnjë mënyrë.. Është e pamundur që të bëhet një vlerësim objektiv, kur dihet se çfarë qëndron pas atij vlerësimi. Një histori e tillë filloi edhe me mësuesit e shkollave të mesme për të hequr të gjithë ata që janë kundërshtarë dhe që nuk i kalojnë nxënësit sipas porosive të DAR-it. U ngritën grupe edhe me prindërit që do të parapëlqenin, pa i njohur fare si profesionalisht mësuesit, që të jepnin mendimin e tyre për këtë risi. Përsëri tregova skepticizmin e qëllimit, pasi arsyetimi është edhe më logjik me nxënësit e shkollave parauniversitare. Cila do të ishte përzgjedhja edhe nga prindërit? Do të përzgjidheshin ata që u ishte kërkuar nga DAR-i apo politika dhe do të futeshin në gijotinë kundërshtarët. Nuk do shumë mend që këto marifete e kishin zanafillën nga të tjera zyra. Këto ditë lexova një artikull që një risi e tillë do të shfaqet edhe në universitetet italiane dhe vlerësimet e studentëve do të kenë peshë për fatin e tyre. Nuk besoj se pas kësaj risi do të fshihet ndonjë hile alla shqiptarçe, pasi si në shkollat parauniversitare dhe të larta vendet e punës fitohen me konkurse dhe jo me tesera apo militantizëm. Por nuk besoj se do të merrte nuancat shqiptare për faktin se politika nuk mund të ndërhyjë brutalisht si tek ne. Por edhe për një fakt tjetër të rëndësishëm, sepse në to bëhet shkencë dhe konkurrenca me simotrat europiane do t’i nxirrte fare jashtë loje. Është çështje besueshmërie dhe largpamësie. Pra universitetet italiane mund ta futin këtë risi me synimin kryesor të përparimit. Në disa prej shembujve parashikimet dolën mëse të qarta, u vlerësuan disa pedagogë më një rrogë të plotë më shumë sepse përmbushën pesë parametra : qartësia e shpjegimit, aftësia e profesorëve të stimulojnë vëmendjen tek lënda dhe gadishmëria e tyre për ndihmë. Po tek ne a ka ndonjë vlerësim të tillë nga vetë drejtuesit e universiteteve tona? A u ka shkuar ndonjëherë në mendje që në reklutime të zbatohen disa kritere të domosdoshme? Nëse u hedh vetëm një sy universiteteve private dhe shtetërore do ta krijosh një mendim të drejtë tek faktori përvojë dhe rëndësia e tij në dyert e “qëndra të shkencës”.  Një fakt tjetër flet për vlerësimin e pedagogëve të universitetit të Padovës në lidhje me rinovim kontratash me motivacionet  : të vonuar, pak të gatshëm, të pagjetshëm. Por skepticizmi im përsëri ngre krye me të drejtë edhe aty ku ka një traditë të gjatë. Nga votimi në department stafi u nda në dy grupe pro dhe kundër. Njëri prej dy pedagogëve të cilëve nuk iu rinovua kontrata u shpreh : Epoka jonë është griline (emir i liderit të një parti politike italiane), minorancat bërtasin dhe fitojnë. Një tjetër shembull vlerësimi korrekt në një qendër shkencore e sjell universiteti i Xhenovës lidhur me rritjen e pagesës për prodhim shkencor, për aftësi organizative dhe didaktikë. E ndërsa më vijnë në mendje fjalët e hidhura të një kolegu që për universitetet tona mjafton përthithja e njohurive që krijon bota. Në universitetin e Milanos u zgjerua sfera e kërkimit të mendimit, edhe të regjistruarve që nuk e frekuentojnë universitetin. Pyetësori u vendos on line dhe është i detyrueshëm për të gjithë studentët, sepse nuk hyjnë në provim. Në universitetin e Bergamos u kërkua me të drejtë që të vlerësohet çdo leksion i dhënë nga pedagogët.
Kush e frekuenton universitetin publik paguan dhe është e drejtë që të pretendojë cilësi dhe pyetësorët janë mjet që të arrihet kjo gjë – thotë një prej rektorëve. Por sondazhi shkon edhe më tej, në universitetin e Pizës kërkohet mendimi edhe i pedagogëve të huaj dhe që të marrin përshtypjet e drejta futen edhe mes studentëve, duke pirë kafe me ta. Këto janë disa nga shembujt që universitetet italiane futën apo synojnë të futin në të ardhmen. Natyrisht ka edhe në to pedagogë që nuk janë dakord, sepse rrezikohet që të përfundojnë sondazhet si në shembullin famëkeq shqiptar, kur nuk ndahet shapi nga sheqeri, por kanë të tjera qëllime “reformat”. Këto ditë Ministria shqiptare e Arsimit iu rikthye konkurseve për emërimet e drejtuesve dhe bën shumë mirë, por duhet ta zbatojë me seriozitet fjalën KONKURS që të mos e futim në fund të këtij viti mes fjalëve që janë vetëm fjalë dhe nuk kanë asnjë peshë. Konkursi i drjetë dhe jofiktiv detyrimisht duhet t’i përfshijë të gjitha shkollat, mbi të gjitha universitetet, pasi vlerësimi për një element të CV nuk mund të jetë kurrë i drejtë, por duhen parë në kompleksitetin e saj.

Filed Under: Komente, Kulture Tagged With: a mund te vleresojne, Arian Kallco, studentet

SHQIPTARËT DUAN INTEGRIM TURK APO EVROPIAN?

October 27, 2013 by dgreca

Një nga turpet e mendimit shqiptar,ka qenë shprehja se gjoja qenia e Shqipërisë i detyrohet perandorisë osmane dhe shtetit komunist, ndërsa se sa i rrejshëm ka qenë kërcënimi evropian,e tregoi në mënyrën më të bujshme fundi i mijëvjeçarit, kur Evropa do të bënte luftë për t’i mbrojtur shqiptarët. Kështu përafërsisht do të shkruante në librin “Mosmarrëveshja” që para tre vitesh shkrimtari i famshëm shqiptar, Ismail Kadare.

 Shkruan: Gani Qarri – Cyrih/

Siç dihet,lufta shumëvjeçare e shqiptarëve për liri dhe pavarësi kombëtare,me shumë vuajtje, gjak e sakrifica, e shpëtoi njëherë e përgjithmonë Shqipërinë, Kosovën dhe trojet tjera etnike nga pushtimet shumëshekullore turke si dhe parandaloi shitjen, këmbimin dhe faljen e territoreve tona tek fqinjët tanë hegjemonist, nga Perandoria Osmane.
Kurse me lirinë e Shqipërisë dhe pavarësinë e Kosovës,ranë edhe traktatet e njohura antishqiptare që Turqia lidhte me Greqinë dhe Serbinë për shpërnguljen masive të shqiptarëve dhe tregtimin e tyre si skllevër,për në Turqi.
Ndaj,si dhe kush i solli në mënyrë kaq të ngutshme dhe pse i favorizoi aq pa masë, turqit dhe kryeministrin e tyre islamik- Taip Erdogan, në vendin tonë, kjo është vërtet një befasi ?!

Si ndodhi që, pas depërtimit me “yrysh” të hoxhallarëve misterioz- vahabisto-salafist në Kosovë, serialeve televizive, dhe ndërmarrjeve turke, që kanë pushtuar vendin tonë kudo, tanimë edhe Erdogani me sy hapur të ëndërroj, gjoja se vërtetë, i tërë vendi ynë është bërë përfundimisht Turqi?!

Si, iu mbush mendja këtij sulltani të ri, dhe sivëllai të Hashim Thaçit e Edi Ramës, se me ndihmën e sejmenëve në vend, tanimë ai mund ta shkel edhe Kosovën me këmbë, si sulltanët e moçëm dikur në kohët e vjetra me jeniçer e ushtri,dhe të bëj “integrimin” alla-turka, të saj?

Kush i tha dhe bindi atë, se e kombi ynë e dëshiron dhe pranon edhe një herë këtë fatkeqësi?!

Madje,ky “mesia” dhe misionar islamiko -aziatik, tanimë paska shkuar edhe më larg, duke nxjerr “fermanë”(ligje) e vizatuar “hudute”(kufij) të rinj nga Azia në Ballkan,dhe shndërruar edhe Kosovën në Turqi, megjithëse ajo vetëm para disa vitesh është çliruar bukur me zor dhe pavarësuar me ndihmën e Amerikës, botës së përparuar dhe Evropës,në të cilën Turqia ende nuk guxon të shkel e lirë dhe bëhet pjesë e saj,me gjithë klithjet dhe lutjet e pareshtura shumëvjeçare për pranim.

Duke u nisur nga këto fakte,edhe shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, te libri “Mosmarrëveshja” me të drejtë,sqaron; “Se sa i rrejshëm ka qenë kërcënimi nga Evropa,i cili është keqpërdorur shumë kohë pa të drejtë.
Ajo bashkë me Amerikën, jo vetëm se i mbrojtën por edhe i ndihmuan të çlirohen shqiptarët, siç ndihmuan Kosovën,dhe ruajtën e ruajnë edhe sot atë pakë tërësi të mbetur shtetërore, siç bëri dikur në dekadën e dytë të shekullit XX ,Presidenti Wodrow, për Shqipërinë.
Megjithatë, turku Erdogan ,edhe më tej thirr,Kosova është Turqi- Turqia është Kosovë…
Sado që kjo gjë për fat të mirë nuk është e vërtetë,mjerisht nuk mund të mohohet krejtësisht ajo se ai në thëniet e tij,megjithatë, ka pjesërisht të drejtë.

Jo sa i takon Shqipërisë dhe Kosovës,sepse ato kurrë më nuk do të bëhen Turqi, por siç është e ditur që moti për opinionin tonë, një pjesë e Turqisë banohet nga shqiptarët,dhe ajo pjesë është Shqipëri, Iliridë, Çamëri dhe Kosovë, njëherit.
Ajo është ashtu dhe do të mbetet e tillë, derisa të jetojnë dhe mos-asimilohen  të gjithë ata 5-6 milion bashkatdhetarë tanë atje, të cilëve për fat të keq, as në këto kohë, nuk u del në ndihmë askush, nga dy shtetet tona, për sado pak drejtësi nga pushteti turk edhe për ata.
Bashkëkombësit tanë nuk u  tregtuan-vetëm atëherë si skllevër, nga trojet tona etnike,sipas marrëveshjeve të arritura mes Turqisë, Greqisë e Serbisë dhe traktateve të tyre tanimë të njohura, të cilat zyrtarisht ende mbahen në fuqi nga të tri palët, por tradhtohen edhe sot nga atdheu i të parëve, përfaqësuesit e të cilëve para se të kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre nga Turqia, nguten të vëllazërohen shpejt dhe lehtë me Erdoganin,i cili vazhdon ti shtyp dhe sundojë pa asnjë të drejtë edhe sot ata.

Ndaj nuk besoj se mund të ketë qoftë  edhe një pjesëtarë të kombit në të gjitha trojet tona ku i thonë Bukës-Bukë dhe Ujit-Ujë, i cili mund ta kuptoj se si turku  Erdogan, para se t`u ofroj shqiptarëve tanë atje, të drejtën e gjuhës, kulturës dhe shkollimit shqip, të na shpreh neve gjithë këtë dashuri, dashuri tejet “emocionale” dhe fare të “papërmbajtur” për Kosovë e Shqipëri.

Çudia më e madhe e cila sipas shprehjes popullore ,edhe në botë mund të ndodhë më së shpeshti njëherë në 40 ditë, te shqiptarët ajo sikur përsëritet vazhdimisht, madje edhe nga njerëz si Adem Demaçi, i cili për ta zbukuruar vëllazërinë Thaçi- Erdogan, para syve të tronditur të bashkëkombësve nga kjo vëllazëri e panatyrshme për ne ,fare nuk e ka problem që para gjithë masës shqiptare, EULEX-it dhe Bashkimit Evropian, ti dal zot Erdoganit, bile me “garanci” “shumë” të “forta” çfarë din ti bëjë vetëm ai, gjoja se Turqia nuk mund ti pushtojë më trojet tona kombëtare.

Por, qëndrimet e Erdoganit,sikur dëshmojnë të kundërtën ,madje sipas fjalëve të tij, ëndrrat turke për ripushtimin e këtyre vendeve, shtrirjen në Ballkan dhe deportime të reja shqiptarësh drejt Anadollit,ende nuk kanë përfunduar dhe as janë shuar plotësisht, ndaj për këtë arsye ndoshta edhe sot vazhdojnë të mbeten në fuqi traktatet e lidhura me Greqinë dhe Serbinë, për deportim shqiptarësh, të cilat për çudi edhe këto harron ti përmend Adem Demaçi.

Kryeministri turk, sillet sikur pas afro 100 vitesh pushtimi nga Serbia, ai ta kishte çliruar vendin tonë me luftë e sakrifica,ndaj sot dëshiron të veproj edhe me ne si me bashkëkombësit tanë atje të cilët nuk i pyet për asgjë,duke mos i pyetur as shqiptarët në vendin e vet të lirë,për tua bërë edhe atdheun e tyre, Turqi.

Nuk përjashtohet mundësia që Thaçi të ketë detyrime ndaj Erdoganit,dhe  është i detyruar që pa asnjë përfaqësues evropian ta ftoj vetëm atë në përurime,rrugësh e rrugicash, terminale e kanale përfitimi, festa dhe organizime tenderësh të rinj e të vjetër, ngase ndoshta edhe ndajnë bashkë prenë e zënë, në mënyrat që ata i dinë, por me këtë rast është e pa shmangshme që të mos shtrohet pyetja para atyre votuesve të cilët sollën këso njerëzish në pushtet dhe qeveri; se në ç`vend jetojnë dhe ku duan të integrohen këta shqiptar, në Evropë apo Azi?!

Kombi ynë është ndier dhe ndjehet tani e përgjithmonë evropian, ndaj blerja e një njeriu apo disa prej tyre, nuk do të thotë assesi se Turqia, përfundimisht ka ble edhe Kosovën,kur dihet mirë se shumica e shqiptarëve nga të gjitha trojet etnike,nuk e duan shtetin turk as Erdoganin dhe ruajnë kujtime të hidhura,si ndaj pushtuesve të ri ashtu edhe ndaj atyre të vjetër, siç ishte edhe perandoria osmane, mbret i ri i së cilës,dëshiron të na imponohet tani sulltani bashkëkohorë,Taip Erdogan.

Është e vërtetë që ndikimi i firmave turke,të cilat shfrytëzuan gjendjen e rëndë sociale në vend dhe gëzuan ndihmën e qeveritarëve-“sivëllezër” në pushtet,është përhapur shumë dhe në mënyrë të pakontrolluar gjithandej Kosovës,por që edhe Erdoganit, iu paska mbushur mendja “top” se më në fund edhe ai mund ta shkel gjithë Kosovën me këmbë, si dikur otomanët me jeniçer, dhe këtë në emër të integrimit alla-turka, të saj,me tendencë për ta bërë edhe vendin tonë Turqi, nuk doja ta besoja, por ja që në ditët e sodit ndodhka edhe kjo….!

Populli shqiptar, jo vetëm se nuk e ka ndjerë asnjëherë dhe nuk e ndjen as tani kryeministrin turk kurrfarë vëllai, por ai është edhe shumë i vetëdijshëm se turqit dhe Erdogani vijnë nga Azia kurse ne jemi evropian,ndaj nuk kemi kurrfarë lidhje gjaku, madje pas marrëveshjeve të Turqisë me Greqinë e Serbinë,për zbrazjen e tokave tona nga shqiptarët dhe mos dhënien e asnjë të drejte bashkëkombësve tanë të deportuar si skllevër atje,nuk na ka mbetur më as afri kumbarie në mes veti dhe jemi shumë larg njëri tjetrit.

Ndaj,sado pakufishëm, që dy kryeministrat mund të duhen në mes veti, shqiptarët nuk duan as pranojnë kurrfarë integrim turk, ata kërkojnë dhe përpiqen me këmbëngulje për integrim ndërshqiptar dhe evropian të vendit.

Për fat të mirë,edhe Kosova nuk është pronë private e asnjërit nga ta, ajo u takon banorëve të saj dhe është shtëpi e përbashkët e të gjithë atyre që jetojnë aty.

Në fakt,edhe “pakicat” që jetojnë në Turqi, sipas botëkuptimit evropian, ato nuk janë thjeshtë vetëm pakica, por janë kombe shumicë, të ndara si puna e kurdëve,pjesa më e madhe e të cilëve gjendet nën pushtimin turk dhe në Irak,të cilët sot e kësaj dite,njëjtë si shqiptarët në Turqi, edhe ata jetojnë pa asnjë të drejtë,gjuhe,tradite e kulture kombëtare apo shkollimi në këtë vend,përveç detyrimit për asimilim- shkollimin- në turqisht.

Shteti turk,mu për këto shkaqe dhe tjera të ngjashme që lidhen drejtpërdrejtë me shkeljen e lirive dhe të drejtave të njeriut, jo vetëm se nuk mundi të bëhej kurrë pjesë e botës së përparuar perëndimore, por me politikën e shtypjes dhe të terrorit që ai ushtron ndaj miliona njerëzve- të ashtuquajtur “pakica”,pa ndryshime të thella dhe rrënjësore konform ligjeve demokratike të kohës, nuk do të pranohet asnjëherë në Bashkimin Evropian.

Ndaj,shqiptarët me siguri, sot si asnjëherë më parë, kanë mjaft argumente,të vjetra dhe të reja,të cilat u dëshmojnë atyre më së miri se dashuritë e zjarrta të Erdoganit, edhe për ta janë të menduara sipas kutit turk, njëjtë si për kurdët,shqiptarët ,armenët apo pjesë të popujve tjerë që edhe sot jetojnë pa asnjë të drejtë nën Turqi.

Pra, le të vetëdijesohemi si komb dhe njerëz,një herë e përgjithmonë,se e tillë është miqësia me Turqinë dhe vëllazërimi alla-turka me Erdoganin, në të cilat ai nuk resht të na ftoj,edhe pse ne me të drejtë dyshojmë hapur në “sinqeritetin” e tij dhe jemi të vendosur që të mos pranojmë më asnjëherë, dashuritë alla-turke.

Një integrim të tillë, me fat si të kurdëve dhe 5-6 milion shqiptarëve atje, të cilët detyrohen të jetojnë edhe më tej, sot e gjithë kohën pa asnjë të drejtë gjuhësore e kombëtare në Turqi,nuk duan ta përjetojnë edhe pjesa tjetër e çliruar e trojeve dhe kombit tonë, në atdheun e tyre të lirë.

Për aq më tepër,edhe Turqia vet ,me shtypjen e këtyre popujve, qofshin ata edhe pakicë, dhe e sunduar nga regjime islamiste si kjo e Taip Erdoganit, as që ka gjasa të bëhet ndonjë herë, pjesë e BE-së.

Ndaj çfarë duam ne si popull evropianë atje dhe pse u dashka të bëhen edhe këto pak toka të mbetura shqiptare – patjetër, Turqi ? Unë them jo, e besoj se edhe të gjithë shqiptarët, luten nga toka në qiell: Zot na ruaj nga një e keqe si kjo!

Gani Qarri  Cyrih, Tetor 2013

 

Filed Under: Komente Tagged With: apo evropian, Gani Qarri, integrim turk, shqiptaret

KOSOVA NUK ESHTE TURQI

October 25, 2013 by dgreca

Ipeshkvia e Kosovës – reagon ndaj kryeministrit turk/

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji i cilësoi provokuese deklaratat e kryeministrit turk se “Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë”/

Deklarata e kryeministrit turk Recep Tayyip Erdogan se “Kosova është Turqi dhe Turqia – Kosovë” nxitën reagimin e Ipeshkvisë së Kosovës, e cila i cilësoi ato ogurzeza dhe provokuese.
Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji nëpërmjet një deklarate thekson se kryeministri turk shprehu dëshirën që të jetë padroni i shqiptarëve.
“Ka një kohë prej kur autoritetet e ndryshme të Turqisë provokojnë me ide neootomane, të cilat më ngacmojnë mendësinë dhe më prekin sedrën e të qenunit shqiptar. Mirëpo, me fuqinë e arsyes dhe me pasurinë shpirtërore, gjithnjë gjeja forcën për të heshtur. Porse, fjalimi i djeshëm i z. Erdoganit në Prizren, me përmbajtje të shkapërcyem dhe fyes, me zâ padroni dhe me një performancë dalldisjeje politike, ishte ogurzi, në kundërshtim me të vërtetën historike, me realitetin e sotëm dhe pa një propozim pozitiv për të ardhmen”, thuhet në reagimin e Ipeshkvit të Kosovës Dodë Gjergji.
“Derisa dëgjoja këtë fjalim, mu kujtue fjalimi i ngjashëm ogurzi në Fushë Kosovë, para më shumë se dy dekadave, ku me një dalldisje e tillë triumfaliste, nxitej masa me shpresa të rrejshme. Por, ne e dimë dhe jemi dëshmitarë se sa të këqija dhe sa mjerime ka bartë në vete koha dhe përvoja jonë njerëzore, që atëherë e deri te liria jonë”, thuhet në reagim.
Kryeministri turk qëndroi të mërkurën në Kosovë me ç’rast vizitoi Prizrenin dhe mori pjesë në ceremoninë e hapjes së terminalit të ri të aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës, i cili është marrë me koncesion nga një kompani franko turke.(Kortezi:VOA)

Filed Under: Komente Tagged With: Ipeshkevia Kosove, Kosova nuk eshte Turqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 430
  • 431
  • 432
  • 433
  • 434
  • …
  • 482
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT