• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LAMTUMIRE DRITA SILIQI!

August 11, 2013 by dgreca

Nga Betim Muço/

Të nderuar familjarë, miq e dashamirë,/

Jemi mbledhur sot këtu për t’i dhënë lamtumirën e fundit një gruaje që u lind larg prej këtij vendi por që kjo tokë bujare u bë dhe toka e saj për rreth 15 vitet e fundit të jetës. Përcjellja nga kjo jetë e njeriut të dashur është një rit aq i lashtë sa vetë njerëzit mbi dhe. Kurdoherë në këto raste për ta thuhen fjalë rë mira e lavdëruese shpesh herë edhe kur këto fjalë nuk janë merituar. Por kjo e fundit nuk ndodh e nuk ka sesi të ndodhë në këtë përcjellje mortore të Dritës sonë të dashur. Ç’fjalë të tjera mund të thuhen për të përveç kurajos e heroizmit që demonstroi në jetë, përveç inteligjencës e punës së palodhur, përveç mirësisë, fisnikërisë e dashurisë që ajo shpëndau aq bujarisht?

Drita Siliqi Shundi lindi e u rrit  në mesin e një familje të shquar për atdhedashuri e profesionalizëm, vendosur në Tiranë qysh në fund të shekullit të 17-të. Shumë djem e vajza nga kjo familje  përfunduan studimet universitare dhe gjatë shekullit të 20-të punuan si mësimdhënës të shquar nëpër shkolla të larta, nëpër qendra studimore e institucione të rëndësishme. Dashuria e lidhi atë me pinjollin e një familjeje tjetër të shquar nga Shkodra, Drago Siliqin, një shkrimtar, kritik e botues i ri  e premtues për kohën. Nuk dihet se si do të kishte qenë fati i Dritës në qoftë se i shoqi i saj i ri nuk do të kishte humbur jetën në aksidentin tragjik. Me talentin, temperamentin e iluminizmin e tij, vështirë se Drago Siliqi, njeriu që u dha një pranverë të vërtetë botimeve në vitet ’60 në Shqipëri  do të qe pajtuar me fushatat komuniste anti-kulturë që pasuan. Këtë ma ka thënë dikur me bindje miku i tij i asaj kohe, Ismail Kadare. Jam i sigurtë që gruaja e tij e dashur do ta kishte ndjekur atë burgjeve e internimeve. Po fati e solli ndryshe. Drita Siliqi rrojti shumë pakë me të dashurin e saj por e mbajti dashurinë e tij si yllin polar gjithë jetën. Me një heroizëm e kurajo të pashoqe ajo rriti e edukoi dy vajzat e saj, Laurën e Darinën duke qënë për to babë e nënë në të njëjtën kohë. Ndërkohë mëkoi me letërsinë breza nxënësish  e studentësh si mësuese në shkolla të mesme e pedagoge në universitet dhe punoi e palodhur në organet e shtypit. Ajo nuk e ndërpreu veprimtarinë letrare e botuese, që nga botimet e antologjive poetike, problemet e gruas shqiptare në shtypin e rilindjes, pavarësisë dhe luftës çlirimtare e deri te përkthimet siç ishin librat më të fundit nga Oriana Fallaçi. Vitet e fundit të saj u jetuan në trekëndëshin Amerikë-Kanada-Shqipëri. Këtu në kontinentin e ri ajo pa të rriten nipërit e mbesat, stërnipërit e stërmbesat. Jetoi mes dashurisë së vajzave të saj, të dhëndurëve Gjergjit e Arbenit dhe të gjithë atyre që e njihnin dhe e çmonin. Duke ikur, Drita e la pas dritën e saj për të gjithë të dashurit. Lum si ajo që la pas kaq dritë e dashuri dhe u kujtoftë përherë me mall sa qofshim gjallë.

*Fjala e lamtumires qe mbajti shkrimtari Betim Muço ne ditepercjelljen e se ndjeres Drita Siliqi 9 gusht, 2013

KUSH ISHTE DRITA SILIQI

Drita Siliqi Shundi (2 mars 1933-5 gusht 2013)

Drita Siliqi (Shundi) lindi në Tiranë, më 2 mars të vitit 1933, në një familje patriote tiranase. Babai i saj ishte Athanas Shundi, i cili ka qenë mësues në shkollën e parë shqipe të Tiranës dhe pas përfundimit të studimeve universitare për kimi dhe farmaci në Napoli, hapi farmacinë e tij në Tirane. Ai ishte delegat i Tiranës në Kongresin e Kishës Autoqefale që u mbajt në Berat në shtator të vitit 1922 dhe që vendosi që gjuha e liturgjisë në Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare të ishte gjuha shqipe. Nëna e Dritës, Kaliroi Spiru Shundi ishte nga nje familje tregtare nga Durrësi, që pati nxjerrë njerëz të njohur si Nako Spiru, por që u persekutua nga regjimi komunist. Shumë pjesëtare të familjes se saj vuajtën shtetëzimet, madje edhe burgjet e komunizmit.

Ndërsa ishte student në Tiranë, Drita u njoh me poetin e ri Drago Siliqi, me të cilin do të lidhte më pas jetën e saj. Pas përfundimit shkëlqyeshëm të studimeve universitare për letërsi, ajo punoi për shumë vite me radhë si arsimtare, fillimisht në Institutin Bujqësor të Kamzës e në Gjimnazin e Shkodrës, në shkollat e mesme Petro Nini Luarasi dhe Sami Frashëri të Tiranës, dhe me pas si pedagoge në Fakultetin e Histori Filologjisë, Katedra e Letërsisë. Më vonë, ajo do të punonte për disa vjet si kryeredaktore në revistën Shqiptarja e Re.

Në vitin 1957,  Drita u bë bashkëshortja e intelektualit të njohur  Drago Siliqi, poet, kritik letrar dhe publicist, i cili vdiq në një aksident ajror më 13 korrik të vitit 1963, duke e lënë pas Dritën me dy vajzat Darinën dhe Laurën.

Gjithë jetën e saj Drita Siliqi ja dedikoi vajzave të saj, nderimit të emrit të bashkëshortit Drago Siliqi si dhe një pune të palodhur intelektuale. Ajo botoi veprën e plotë të Drago Siliqit, u mor me studimin e jetës dhe veprës së Dora D’Istrias (Elena Gjika), përktheu librin “Rinia e nje shqiptareje” (viti 2002), botoi librin me studime “Gruaja shqiptare, probleme të gruas në shtypin e Rilindjes dhe pavarësisë” (viti 2003), përktheu nga italishtja librat “Seksi i shpërfillur”dhe “Intervistë me historinë” të gazetares dhe publicistes së njohur italiane Oriana Fallaci.

Në vitin 2000 ajo u vendos në Shtetet e Bashkuara pranë vajzës së saj.  Ajo la prapa prapa vajzat e saj Darina  Demiri (Siliqi) dhe Laura Konda (Siliqi) me bashkëshortët e tyre Arben Demiri dhe Gjergj Konda, mbesat Lora Carlessimo (Demiri) me familjen e saj dhe Stella Demiri, nipërit Tedi Konda dhe Martin Konda, si dhe një stërnmbesë e një stërnip.(Ne Foto Drita dhe Drago Siliqi)

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Betim Muco, Drita Siliqi, Lamtumire

Arkitektëve në Kosovë,tentimet për ndasi dhe procesi i Licencimit

August 7, 2013 by dgreca

Nga arkitekt Ylber Vokshi-Ylli/Prishtine/

E çuditshme mu duk komunikata për opinion se  me 4 korrik u mbajt Kuvendi i jashtëzakonshëm i Asociacionit te Arkitekteve te Kosovës,u shkarkua kryesia aktuale e AsAK dhe u zgjodh kryesia e punës. Nga një foto e postuar në internet shoh disa njerëz (arkitekt) se si po rrinin në këmbë,pas disave të ulur e qe mbanin një tubim,kjo foto tmerrësisht më irritoi,ajo më kujtoi se si bëheshin “grusht-shtetet” në Amerikën Latine në vitet shtatëdhjeta të shekulli të kaluar. Athua në cilat kohëra jemi duke jetuar,a po kthehemi në kohen kur janë lejuar këto “puqe”,apo po e rrejmë vetveten se jemi duke jetuar në demokracinë e proklamuar të shekullit 21. Këto “Komunikata “ më kujtojnë kohërat e kaluara të rinis time kur kemi qenë të detyruar të jetojmë,ku partia ka vendosur gjithçka për mirëqenien tonë.

Një grup i arkitektëve organizon një “mbledhje” dhe e vet shpall in-ekzistentë një institucion i cili u zgjodh në mënyrë legjitime nga shumica prej neve arkitekteve prezent në atë Kuvend të tetorit 2008. Kryesia e re ato vite kishte potenciale pozitive për punë në kushte të vështira,pa financim institucional,pa lokale etj. Kërkohej punë në baza vullnetare,por ata arritën së paku të fillojnë të afirmojnë profesionin e Arkitektit në shoqërinë tonë,gjë e cila nuk kishte ndodhur më parë. U angazhuan që zëri ynë të dëgjohet edhe jashtë Kosovës,me anëtarësim në Unionin ndërkombëtar të Arkitektëve (UIA) dhe disa organizata tjera kombëtare dhe ndërkombëtare.

A e dinë këta zotëri se çka donë me thanë “u shkarkua Kryesia e Asociacionit te Arkitekteve te Kosovës”,në cilat argumente u bazua ky veprim,në cilën bazë ligjore u bazua ky veprim,a po llogarisin ata se kjo e qon tërë komunitetin e arkitektëve në ANARKI,ndoshta pas një kohe i teket edhe ndonjë grupi tjetër të vet-shpall veten, si vepruan këta me 04 Korrik,kur e mbajtën “Kuvendin e jashtëzakonshëm të asociacionit te arkitekteve te Kosovës”. Kush po iu jep instruksione këtyre,si po i kanë llogaritë,si pa njohuri elementare në rregullat ekzistuese juridike veprojnë kështu,ku është qëllimi përfundimtar i tyre,cilat teori të konspiracionit (që vet i sajojnë) ata po donë me na servu…

Vepruan kështu duke harruar se vizioni dhe misioni i ynë si arkitekt është fisnik,i bazuar në artin dhe teknikën e ndërtimi dhe organizimit sa ma të mirë të territorit dhe jetës së një shoqërie. Ashtu ka qenë me shekuj,hulumtoni dhe kuptoni së paku historinë e njerëzimit. Këto veprime nuk i shkojnë për nder të profesionit të Arkitektit,i cili duhej të ishte Avangard e një shoqërie,ashtu është trajtuar gjithnjë,dyshoi se kjo vlen për shumicën e arkitektëve kosovar. Mos harroni se profesioni i Arkitektit duhet të mbes i shenjët,i pa ndikuar nga politikat aktuale pasi ne duhet të jem në shërbim të njerëzimit.

Nuk e përjashtoi mundësinë se AsAK aktual legjitim ka bërë gabime,një fjalë e urtë popullore thotë “kush punon gabon”. Por assesi nuk duhej të ishte shkas për të organizuar “puq” institucional. Ku është pushteti qendror Qeveria dhe MMPH me MAP, të cilat kanë fuqi ligjore të parandalojnë dhe të ndalojnë këto veprime destruktive të një grupi të arkitektëve kosovar në stilin revolucionar të shekullit XIX. Nuk i Nevojitën Kosovës këso ndasi në mes të “ekspertëve” me titull Arkitekt të cilët janë çmuar në të gjitha shoqëritë e civilizuar,ashtu edhe ka qenë në Kosovën e para vitit 1999 përkundër numrit simbolik të tyre. Së fundmi sjelljet e tyre në profesion dhe shoqëri i obligon edhe KODI Etik i tyre,të cilin shumë pak arkitekt të Kosovës e njohin dhe e respektojnë.

Si një nga arkitektët e pakët të gjeneratave të “vjetra” i cili me kujdes kam marr pjesë  dhe i kamë përcjell të gjitha zhvillimet në asociacion nga viti 1978,(që 35 vite),mundem të them lirisht se tërë kohën është punuar në baza vullnetare,prandaj efektet e punës së arkitektëve kosovarë dhe ndikimi i tyre në shoqërinë me dekada ka qenë i margjinalizuar. Ashtu është duke ndodhur edhe në vitet e pas luftës. Kishte kërkesa realiste,nga ana e shumicës së arkitektëve,që të zhvillohet shoqëria kosovare ashtu si e kërkojnë rregullat ndërkombëtare në fushën e arkitekturës,urbanizmit dhe planifikimit hapësinor,aty ku arkitektët janë të thirrur të kontribuojnë ma së shumti pasi për atë duhej të ishin të kualifikuar,por ata u injoruan !.

Por çka ngjet pas vitit 1999,arkitektët u dirigjuan dhe u nënshtruan nga politik-bërja,vendimmarrësit kosovar dhe grupet e ndryshme të interesit, u “dhunuan” që ketë profesion të shenjët dikur,ta degradojnë në ekstrem të pa para në shekujt e kaluara në këto territore. Kthehuni kah realiteti,korrigjohuni,në demokraci problemet zgjidhen me dialog. Sa unë jam në dijeni,AsAK gjithnjë ka qenë i gatshëm që çështjet e hapura te debatohen,mospajtimet të shqyrtohen dhe të zgjidhen në mënyrë transparente së bashku,në frymën e ligjeve ekzistuese,në kuadër të institucioneve shtetërore,në mënyrë që të mos kemi këso veprimesh të pa kontrolluara si ka ngjarë në kohën e fundit.

Tërë ky “konflikt”filloi me fillimin e fazës përfundimtare të procesit të LICENCIMIT,atëherë kur MMPH ishte këmbëngulëse që të fillon procesin e licencimit, dhe njëkohësisht kontrollimin profesional të ndërtimit në Kosovë. Është për të përshëndetur ketë hap të Ministrisë,që pas shumë vite kërkohet rend dhe rregull dhe respektim i rregullave ligjore dhe teknike në ndërtim,nga ana e arkitektëve si dhe pjesëmarrësve tjerë. Ishin bërë përgatitje të mëdha me ndihmën e donatorëve të ndryshëm ndërkombëtar që e përkrahën procesin e licencimit.

Rrol të rëndësishëm dhe gjithëpërfshirës e kishte AsAK aktual,i cili në tre vitet e fundit kishte rrol aktiv të cilin nuk duhet harruar,si po tentojnë disa. Me një përkushtim profesional të tyre filluan përgatitjet e domosdoshme dhe transparente për tërë procesin që duhet inkurajuar,e tërë kjo punë ishte bërë në baza vullnetare,pa pagesa.

E tani kur afati i parë i Licencimit ishte në fazën përfundimtare,kishte mbetur të realizohet vetëm faza e fundit e pyetjes së kandidatëve,të cilët kishin kaluar tërë procesin e vështirë të përzgjedhjes (selektimit),po lindin ndasitë! Duhet theksua si një nga pjesëmarrësi aktiv në proces,e kam çmuar punën e bërë në procesin e filluar të mundimshme të Licencimit,e kamë vlerësuar si hap të rëndësishëm të Ministrisë (MMPH) për të filluar me stabilizuar situatën kaotike me ndërtime në Kosovë. Ky procesi si asnjë herë më parë u përcoll me një profesionalizëm dhe transparencë të plotë,të pa  parë në Kosovën e pas luftës.

Nga dikush u arrit të “bllokohet” përkohësisht procesi i licencimit,duke tentuar të anashkalohet vija institucionale,të cilën MMPH-ja uroj se do ta tejkaloi sa ma parë,duke ndërprerë tentimet për të vazhduar “loja”14 vjeçare me ndërtime,që është duke e shkatërruar sistematikisht dhe me qellim shtetin e ri të Kosovës.

Në fund më duhet edhe një herë të përsëriti mendimin e një arkitekti të madh se: ”Sistemet e ndryshme politike shkojnë e vijnë por profesioni i arkitektit mbetet si prijësetar (AVANGARDË) e të gjitha shoqërive të civilizuara. Arkitektin e vërtetë e dallon pos tjerash trimëria dhe sakrifica e jo ngarendja e verbër pas dikujt që punon keq”,ajo shumë arkitektëve në Kosovë ju mungon.

Ka edhe shumë çështje të hapura për tu diskutuar,si u theksuan në ndasitë–polemikat e këtyre ditëve,por këto duhet diskutuar së bashku ne arkitektët,duke respektuar vetëm rrugën institucionale,nëse dëshirojmë të kemi shtet funksional,edhe pse si duket disave nuk po iu përshtatet kjo rrugë por që është e vetmja alternativë, tjetër nuk ka.

 

Prishtinë, Gusht 2013, arch. Ylber Vokshi-Ylli, arkitekt i pavarur-ylberv1@yahoo.com

 

Filed Under: Komente Tagged With: arkitekt i pavarur, arkitektet ne Koosve, per ndasi, tentimet, Ylber Ylli

Labinot Bytyqi shqiptari që synon të rilindë Detroitin

August 7, 2013 by dgreca

* Solaborate, një rrjet i ri social superior ndaj Google dhe Facebook-ut

*“ Ka shumë vende në internet ku ju mund të ndani mes jush (share) informacionet ose të lidheni në rrjet me të tjerët, por ju nuk mund të bashkëpunoni dot me to në kohë reale.” , Labinot Bytyqi, themelues dhe CEO, i Solaborate.

  Shkruan: Rafael Floqi /

Ata i kanë menduat të gjitha por jo vetëm kaq. Ata mund te jenë nesër sipërmarrësit e Google , Facebook-ut apo të këtyre të dyjave së bashku, të paktën versioni i tyre beta i kësaj faqe të veçantë interneti , që tingëllon si bashkëpunim e vërteton. Quhet Solaborate dhe nënkupton Colaborate.

“Ka shumë vende në internet ku ju mund të ndani mes jush (share) informacionet ose të lidheni në rrjet me të tjerët, por ju nuk mund të bashkëpunoni me to në kohë reale.” , pohon Labinot Bytyqi, themelues dhe CEO, President i Solaborate.  Kjo ishte ideja e djaloshit kosovar sot e realizuar, por që mund të revolucionarizojë gjithë botën e mediave sociale.

Por nga ideja deri në fazën e sotme ka kaluar shumë punë. Labinoti ka ardhur nga Kosova në SHBA në vitin 1999, ka mbaruar studimet shkëlqyeshëm për “Computer and Information Science”. në George Fox University dhe ka  punuar në industrinë e teknologjisë, duke u shërbyer klientëve si : Microsoft, Apple, Google, Facebook, HP dhe Intel. Ndërsa në PSA ai ndjeu se industria kishte nevojë për një vend të posaçëm ku profesionistët e teknologjisë dhe kompanitë mund të promovonin më mirë produktet dhe shërbimet e tyre, ndërkohë që bashkëpunonin online në kohë reale”. Dhe vlerësimet nuk munguan. Kompania kohët e fundit mori çmimin  “Best Show” në Konferencën WebRTC dhe për  Expoindustry për  punën e tyre për një faqe të dedikuar për profesionistët e teknologjisë.
“Nuk më ndodh shpesh që kur shoh një demo të teknologjisë së lartë që më bën të them  “uau “. Por unë jam e impresionuar me të vërtetë me atë që kam parë deri tani me Solaborate,  platformën më të re të rrjeteve sociale” kështu e fillon shkrimin e saj. Eileen Brown një specialiste, për Social Business botuar në portalin  ZDnet më 30 prill 2013.

Solaborate është e para platformë e rrjeteve sociale e dedikuar për profesionistët e teknologjisë. Dhe kjo iu lidh telat dhe iu shtyp  butonat e duhur të gjithë atyre që janë të dhënë pas teknikës. Edhe pse tani ende në beta, Solaborate mundëson profesionistët e teknologjisë dhe kompanitë për t’u  lidhur, bashkëpunuar dhe  krijuar një ekosistem rreth produkteve dhe shërbimeve të tyre. Në fakt, qëllimi i mediave sociale është t’i kthejë klientët në vullnetarë të ushtrisë së marketingut dhe Solaborate bën pikërisht ketë. Ajo iu siguron profesionistëve të teknologjisë një vend qendror me mjete të drejtpërdrejta dhe shërbime për të bashkëpunuar në kohë reale – si brenda dhe jashtë vendit – dhe për të zgjidhur problemet e biznesit. Varianti i saj Beta që u njoftua në Los Angelos u lançua së bashku me njoftimin sipas portalit Marketwired dhe Wall Street Journal  se kompania kishte marrë  më shumë se 1 milion dollarë financime falas nga dashamirës (angels) dhe investitorë individualë.
“Deri tani produkti është në Beta private dhe së shpejti, pohon Labinoti, do të ketë mundësi të jetë në Beta publike. Ai pohon në Chat drejtpërdrejt ne ALBTVUSA se Solaborate brenda dy javësh do të jetë gati për sistemin operativ Android, çka do ta bëjë këtë platformë më të përhapur madje në çdo xhep”.

” Me vështrimin e parë, platforma është e  ndërtuar nga fillimi për të mundësuar bashkëpunimin midis kanaleve të ndryshme të rrjeteve sociale të tilla si : LinkedIn, Facebook, Google dhe Twitter.
Ajo është ndërtuar në Microsoft Windows Azure në renë  informatike, Cloud, duke përdorur HTML5, WebSockets, dhe protokollin WebRTC për komunikim në kohë reale.

Por çlidhje ka kjo me Detroitin?  Ekipi i ri i Solaborate mendon se “Qyteti i motorëve” mund të bëhet shpejt qyteti i teknologjisë.

“ Hapja e një zyre në Detroit mund të provojë dobinë një terren dhe mund të shërbejë si testimi për fillimin, dhe gjithashtu  mund t’u  ndihmojë profesionistëve të rrjetit që të rriten dhe t’i sjellin kompanitë e tyre në qytet. “Solaborate do të jetë një mjet përshtatje dhe do të sjellë lehtësi të madhe për komunitetin e teknologjisë në rritje në Detroit,” thotë Edi Demaj i cili punon në Detroit dhe është pjesë e Ekipit të Solaborate.
“Ne jemi duke punuar për t’u lidhur me kompani të tjera të teknologjisë në Detroit që të rrisim praninë tonë.” Kompania është aktualisht në kërkim për të mbledhur sa më shumë para, dhe do të duam të jemi partnerë me investitorët në Michigan dhe Detroit.”  Edi ishte i pranishëm në TV e Shqiptarëve të Amerikës për një apel jo për ndihmë, por për të investuar drejtuar biznesmenëve shqiptarë.

Nga ana teknike Solaborate do t’i tërheqë profesionistët e teknologjisë për shkak se ajo u mundëson atyre që të postojnë pyetje, të bëjnë share, të shkëmbejnë  dokumentet dhe prezantimet, të zhvillojnë chat, video-konferenca, dhe të sigurojnë praktikat më të mira, të gjitha këto  brenda platformës së projektuar ekskluzivisht për ta. Platforma u mundëson përdoruesve që të lidhen me njeri tjetrin të zbulojnë, të ndjekin dhe punën e profesionistëve të tjerë të teknologjisë, si dhe  kompani produkte dhe shërbime. Ata gjithashtu mund të hyjnë në kërkimin e njohurive, dhe të aplikojnë për punë dhe të kenë mundësitë, të sigurojnë komente, t’ia parashtrojnë publikut produktet e tyre për t’i parë, dhe shumë gjëra të tjera.
Karakteristikat kryesore të platformës përfshijnë:
• video chat- një-me një dhe në grup me klientët, ekspertët dhe përfaqësues të produkteve, etj, pa pasur nevojë për shkarkuar software apo plug-ins pasi bazohet në WebRTC.
• Ajo i lejon mundësinë publikut të krijojë, dhe shohë një pjesë të produkteve dhe shërbimeve
• Ajo krijon mundësi të anëtarësohen ose të zhvillojnë grupet përdoruesish, ku ata mund të shkëmbejnë përmbajtjen dhe të marrin pjesë në diskutime.
Solaborate u themelua në vitin 2010 dhe ka selinë e saj në Los Angeles, në Kaliforni. Themeluesi dhe CEO i Solaborate, Labinot Bytyqi nga Kosova ka ndërtuar një ekip prej mbi 18 vetash për të hartuar dhe zhvilluar Solaborate në Shkup, Maqedoni, me një ekip të fortë prej shtatë vetash në Prishtinë, Kosovë përgjegjës për testimin e produktit. “Po përpiqemi të shtrihemi dhe në Shqipëri, thotë Labinoti, me te cilin komunikuam në chat me Solaborate.

“Platforma , shpjegon djaloshi tjetër kosovar nga Michigani Edi Demaj, i cili ka mbaruar studimet për administrim biznesi dhe aktualisht punon në Detroit edhe si  manaxher me kompaninë e njohur të huave të shtëpive  “Quicken Loans “duket të ketë marrë të gjitha tiparet më të mira të LinkedIn, Facebook, dhe Google +, duke i shton disa nga veçoritë e zgjuara të veta. Por njësoj si ato platforma, Solaborate do të gjenerojë të ardhura nëpërmjet reklamave – duke mos i detyruar përdoruesit të paguajnë abonime mujore për të hyrë në faqe”. Edi vetë ka përfunduar studimet për drejtim biznesi shkenca politike në Ockland University dhe mban një master NBA në Walsh College në Michigan, dhe ai është ideatori i hapjes së zyrës në Detroit.
“Ka shumë vende në internet ku ju mund të ndajnë informacionet ose të rrjetit me të tjerët, por ju nuk mund të bashkëpunojnë në kohë reale”, thotë Bytyqi. Chat Grupi përdor një teknologji të ndryshme me atë të përdorur nga Google + vegjët e saj. Ky software ofron atë çka kanë me te mirë e mediat sociale duke i çuar ato një hap më tej. Solaborate e bën më të lehtë për të share përmbajtje relevante me bashkëmoshatarët, kolegët, shitësit, dhe konsumatorët nga një platformë qendrore, duke ndërtuar një ekosistem rreth produkteve dhe shërbimeve të gjitha dhe përbën një vend të dedikuar për profesionistët e teknologjisë.”
Tani për tani, p.sh.  LinkedIn i mungon aftësia për të lejuar përdoruesit e saj për të bashkëpunuar në kohë reale, gjë që sipas Bytyqit përbën një avantazh të Solaborate.

“Solaborate aktualisht përqendrohet veçanërisht në industrinë e teknologjisë, megjithatë në të ardhmen, planet e saj përfshijnë një lëvizje në industritë e tjera, thotë Edi Demaj.  Testimi privat Beta tashmë ka arritur mbi 5000 përdorues dhe Solaborate është duke folur për një zyrë Detroit së shpejti.
“Ne kemi parë se sa janë miqtë tanë të pasionuar rreth Detroit për ta ringjallur qytetin , thotë Bytyqi. “Ne duam të jemi një pjesë e komunitet në rritje të teknologjisë.”
Detroit tashmë është ka shtëpi të mëdha për zhvillim aplikacionesh dhe rrjetesh sociale, duke përfshirë, me dhjetëra kompani të tjera nismëtare të teknologjisë. Amazon ka thënë se është  në udhë për t’u vendosur në Detroit, dhe raportet e vitit të kaluar tregojnë rritjen e industrisë së teknologjive të reja aty. Hapja e një zyre në Detroit mund të provojë të dobinë dhe është  një terren testimi për fillimin, dhe gjithashtu të ndihmojë profesionistëve të rrjetit që të zhvillojnë  kompanitë e tyre në qytet. shkruante kohët e fundit portali Michipreneur.com . Ndërsa në numrin e saj të Nëntorit revista prestigjioze e fushës së biznesit “DBusiness” do të botojë nja artikull të gjatë për Solaborate dhe ndikimin që mund të ketë në zhvillimin e teknologjisë amerikane.

Për ta mbyllur do të thoja se “Linkedin është për njerëz që i njihni. Facebook për njerëz që i keni njohur. Twitter për njerëz që doni t’i njihni. Solaborate për t’i prezantuar mes tyre”. Nëse doni ta shijoni, kërkoni një çelës tek www.solaborate.com.

Filed Under: Komente, Kulture Tagged With: Labinot Bytyqi, ringjalljen e Detroitit, shqiptari qe synon

Inspirimet e Edi Ramës nga breshkat e kabinetit

August 7, 2013 by dgreca

Kush ka pasur rastin t’i shoh breshkat në kabinetin e Edi Ramës, për rëndësinë e të cilave ky ka treguar edhe publikisht, del e qartë se, frymëzimi dhe inspirimi breshkor është me ndikim të madh tek kryeminsitri i ardhëm i Shqipërisë./

 Shkruan: Skënder Zogaj /

 Vizitat e liderëve dhe burrave të shtetit jashta vendit të tyre, janë gjithmonë e gjithënjëtë arsyeshme. Kështu do tëduhet vlerësuar edhe vizita e kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Ramës, në Geqi, sikur gjërat të ishin ne vendin e duhur. Mirëpo, duke qenë se situata ështëekstremisht e turbulltë, kjo vizitëështë më shumë se shqetësuese, apo më saktë,është sinjal i keq i zhvillimeve tëreja të afërta që e presin Shqipërinënga pikëpamja e kryeminsitrit nëardhje, Edi Rama. Mënyra e realizimit të vizitës që Rama e quajti “private” dhe takimet e tij me personalitetet më të fuqishme të Greqisë, dy liderët më të fuqishëm, Samaras dhe Venizelos, sido që të shjegohen, del se janëmë shumë se zyrtare, sepse, kemi të bëjmë me ekstremët,shumë domethënës, për aktualitetin e dy vendeve, Shqipërinë dhe Greqinë, nëvorbullën e instalimit të qeverisjeve të reja shtetërore, dhe për nevojën e faktorëve të rinj për t’u dëshmuar si realizues të ndryshimeve sa më të dukshme, çfarëdo qofshin ato(!).

Këtë nëvojë e ka sidomos kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, i cili pas ftores së 23 qershorit, po shihet se është shumë i tronditur, dhe se nuk e ka idenë se cçfarë do të bëjë me Shqipërinë dhe si do të qeverisë me shqiptarët, të cilëve ua ka borxh t’iu ofrojë dëshmi konkrete që Sali Berisha ka qeverisur keq, dhe të dëshmojë premtimet e Edi Ramës për qeverisje më të mirë! Janë 8 vitet e kaluara me një zhvillim shumë dinamik,me një ngritje të hetueshme të gjithëmbarshme të jetës, gjë që, nëse Rama nuk gjen mundësi për ta çuar këtë zhvillim në stad më të lartë, do ta ketë jo keq, por fatalisht keq!

Rezultat i këtij shqetësimi është edhe vizita e ngutshme e liderit të PS të Shqipërisë, i cili në fakt,në Greqi shkoi për të hulumtuar rilidhjet e mundshme, nga ato më të vjetrat me vendin e helenëve, që i duhen fort kryeministrit të ardhshëm të Shqipërisë.

Liederi i socialistëve shqiptarë vizitën e quajti “private”, i vetëdijshëm se, vizitat private kanë shenja më të ngrohta dashurie miqësore dhe besimi që mund të “konsumohet më intimisht”! Kjo mënyrëështë edhe më e ndieshme për promovimin e dëshiruar kryeministror “jozyrtarisht”, që jep të kuptohet se, lideri shqiptar synon se vizita e tij bëhet nga dashuria miqësore ndaj Greqisë, gjë që, ofertat e këtilla tradita helene i ka të mirënjohura dhe u bën shumë hyzmet, që të mos ndodhin rastësisht, edhe pse, gazetat greke u përpoqën me i dhanëedhe kësi dimensioni vizitës së Ramës në Greqi.

Qëllimi i vizitës në rastin konkret, ngado që të analizohet del se, ka arsye që të theksohen dilema dhe të vihen pikëpyetje të shumta.

Një nga këto pikëpyetje, ma tha njëkolege gazetare, e cila më pyeti:A do të shkoj Edi Rama që ta marrë bekimin për kryeministër edhe në Serbi?

Përgjigjja ime ishte pa asnjë dilemë: Po! Do të shkojë Edi Rama me kënaqësi, për ta kërkuar bekimin për kryeminstër në Serbi, bilesshumëmë me gëzim se sa në Greqi, sepse me Serbinë kryetarin e PS e obligojnëlidhjet e forta tëkahershme, që nga rinia e tij, me vëllezër serbë, disa prej të cilëve tashmë janë të mirënjohur në Shqipëri, nga çelësat që u jepte Edi duke i shpallur edhe qytetarë nderi të Tiranës! Të këtillët është plotësisht normale që të vazhdohet të nderohen, tashnë mënyrën më të lartë shtetërore, sepse, e meritojnë mirënjohjen shqiptare, edhe në pajtim me traditën partiake paraardhëse të Ramës qëende ushqehet me idealet e Miladinit, Mugoshës, Tempos…

Por. pse po e theksojmëanën e zezë dhe të keqe të përvojës shqiptaro-serbe, kur rrethanat kanë ndryshuar dhe, mbase ka mundësi që edhe përvoja të ndryshohet për të mirë dhe në dobi të marrëdhënieve te reja e korrekte ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.

Pikërisht, kjo është çështja që duhet të diskutohet dhe tëhetohet seriozisht e me këmbëngulje të plotë, kur bëhet fjalë për Rilindjen e Shqipërisë, që rikthehet në marrëdhëniet ndërkombëtare!  Kjo Rilindje rikthyese në gjysmë shtetin shqiptar, është shumë simbolike, sepse, bëhet në pikën më kritike të institucionalizimit të pavarësisë së gjysmë-shtetit tjetër shqiptar, Kosovës, që nuk po di se ku t’iu bëj vend „këmbëve të harushës” që i kanë mbetur në dorë! 

Nga ana kosovare, prandaj, kemi arsye të thella të dyshojmë, sepse, socializmi i “gjysmë-Shqipërisë” ka qenë i papërgjegjshëm ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në trojet e tjera etnike. Si e këtillë“gjysmë-Shqipëria” në çdo iniciativë të re që prek në interesat kombëtare, nuk do të duhej të bëhej pa qasjen e „gjysmë-shtetit kosovar” sidomos në raport me fqinjtë, Serbinë, Greqinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, ku askush nuk guxon të prekëinteresat e shqiptarëve që jetojnë në këto shtete, pa pasur të deponuar vullnetin e tyre.

Sidomos Shqipëria socialiste cënon rëndëvizionet demokratike tëKosovës në planin ndërkombëtar, nëse mendon se, mund të veprojë pavarësisht!

Nërastin eventual të një vizite të Ramës në Serbi, ajo mund të bëhet kur të dojë e si të dojë, veçse duhet ta ketë të fiksuar se, asnjë fjalë, bash asnjë fjalë nuk do të duhej ta thoshte për Kosovën, i pa autorizuar nga udhëheqja e Kosovës.

Aktualisht po ndodhin zhvillime tëbujshme nëgjithërajonin. Kjo shton obligimin për sa më shumë kontaktedhe bisedime me të gjitha vendet e rajonit, ku Serbia e Greqia janë dy “pykat” më të mprehta, qëkanë nevojë imanente tëngulen diku. Bashkësia ndërkombëtare po tregon se është e interesuar për “vet-ngulitje” dhe si mënyrë më të përshtatshme ka përcaktuar bisedimet ndërmjet vendesh që kanë mospajtime. Bisedimet, siç po shihet në Kosovë, nuk ka nevojë që të bëhen me nguti, sepse, sa më gjatë, aq më e mprehte bëhet maja e pykës. Prandaj, në fazën nëpër të cilën po kalon Ballkani, Edi Rama nuk ka nevojë të ngutet për ta marrë dhe ushtruarmandatin e kryeministrit para marrjes zyrtare, sepse,del joserioz tek ndërkombëtarët dhe zhgënjyes tek shqiptarët.

Edi Rama duhet të jetë i duruar, sepse këtë e kërkon pikërisht ndjekja ekzakte e procedurave të marrjes së detyrës. Kjo që bëri me vizitën private në Greqi, nuk del shumë e artikuluar. Mirëpo, kush ka pasur rastin t’i shohë breshkat nëkabinetin e Edi Ramës, për rëndësinë e të cilave ky ka treguar edhe publikisht, del e qartë se, frymëzimi dhe inspirimi breshkorështëme ndikim të madh tek kryeminsitri i ardhëm i Shqipërisë. Mbetet të shohim porositë e ardhshme tëbreshkave, përkitazi me vizitat dhe të bëmat e reja tëEdi Ramës.

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: inspirimet e Edi Rames, me breshkat, Skender Zogaj

Wall Street Journal: Stili paranoik i politikave turke

August 7, 2013 by dgreca

Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan, ka vënë në dukje anën e tij represive në muajin qershor, kur ka cilësuar si “provokues dhe terroristë” protestuesit paqësorë në Sheshin Taksim të Stambollit dhe ka kthyer topat e ujit dhe plumbat e gomës kundër tyre.
Qeveria e Erdoganit është duke thelluar anën e saj paranoike, duke dënuar dhjetëra kundërshtarë me burgime të gjata, për konspiracion të dyshuar.
Me këtë hyrje nis një shkrim në gazetën Wall Street Journal.
Sipas saj, emri i konspiracionit është Ergenekon, vendlindja mitike e turqve dhe emri i supozuar i një organizate ultranacionaliste, e prirë për destabilizimin e vendit dhe përmbysjen e Qeverisë islamike të Erdoganit. Provat për ekzistencën e Ergenekonit janë të pakëta, por Erdogan ka fajësuar atë për gati çdo sulm terrorist të kryer në tokën turke, në vitet e fundit.
Gazeta shkruan se qeveria ka burgosur qindra njerëz për të cilët pretendon se janë pjesë e komplotit; shumica nga ta zyrtarë të lartë ushtarakë, por edhe gazetarë, avokatë dhe anëtarë të parlamentit. Të hënën, gjykata ka shqiptuar më shumë se 250 dënime, nisur nga pesë vjet heqje lirie deri në burgim të përjetshëm. Në mesin e atyre që kanë marrë maksimumin ka qenë Ilker Basbug, ish-shef i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë turke, dhe Dogu Perincek, kryetar i Partisë së Punëtorëve.
Mbështetësit e Erdoganit thonë se, sado imagjinar mund të duket Ergenekoni, ushtria turke ka organizuar tre grusht-shtete, të fundit më 1997, kur ka përmbysur qeverinë islamiste të Necmettin Erbakanit. Dhe, nuk ka dyshim se mandati i vjetër politik është përbërë nga gjykatës të lartë, zyrtarë ushtarakë dhe burokratë, të cilët kanë qenë laikë në orientimin e tyre, por shpesh autokratikë.
Kjo është një arsye përse ngritja e Erdoganit në pushtet ka rritur shpresat se Turqia mund të bëhet një demokraci më e pjekur dhe më përfaqësuese. Por, në vend të kësaj, kryeministri ka shfrytëzuar dekadën e tij në zyrë për të zëvendësuar një shtet të thellë me një tjetër, shkruan gazeta. Qindra verdiktet mund të jenë projektuar për të krijuar përshtypjen e një konspiracioni të madh, por gjykimi masiv është një mënyrë e varfër për t’iu dhënë të pandehurve individualë të drejtën ligjore.
Justifikimi i tillë nuk do t’iu shërbejë interesave afatgjatë të Erdoganit dhe partisë së tij politike. Deri në kohët e fundit, shumë turq laikë kanë mbështetur Erdoganin, sepse ai ka mbajtur prosperitetin ekonomik, duke reduktuar ndikimin politik të ushtrisë. Por, qasja  e tij brutale ndaj protestuesve në Taksim  dhe tani këto aktgjykime kanë bërë që shumë mbështetës të Erdoganit të kthehen kundër tij. Gjëja e fundit që duan turqit është Vladimir Putini i tyre,  thuhet në artikull.
Për vite të tëra, Turqia ka qenë model i një vendi mysliman që ka mundur të ndajë xhaminë nga shteti. Me aktgjykimet e së hënës, ajo duket më e afërt me Lindjen e Mesme: një shtet ku fati i qytetarëve varet nga tekat e të fuqishmit, shkruan Wall Street Journal.

Filed Under: Komente Tagged With: i politikave turke, Stili paranoik, Wall Street Journal

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 442
  • 443
  • 444
  • 445
  • 446
  • …
  • 482
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT