• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AKOMA KUISIN HIENAT

September 20, 2013 by dgreca

Nga Fatmir LAMAJ/
              Mbrëmjen e 22 marsit në televizionin Albanian Screen vejusha Nexhmije në një intervistë të gjatë me politologun e njohur amerikan Janush Bugajski midis shumë të pavërtetave tashmë historikisht mëse të vërtetueshme pa ndrojtjen më të vogël morale bëri një deklarim mëse fyes për të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë duke i quajtur ata kolaboracionistë e ordinerë…

Fillimisht su besova veshëve të mi dhe ndjeva një turbullim të brendëshëm por dalëngadalë qetësia filloi të fitonte terren në të gjithë qenien time, ku vetishëm shigjetat e shumë pyetjeve më godisnin pareshtur trurun dhe shpirtin si një prej viktimave të diktaturës. Si …! Akoma edhe sot e kësaj dite hyena plakë nuk na qenka lodhur me kauisjet e saj, akoma nuk shfaq as më të voglën pendesë për krimet e kryera? Ku e gjen gjithë këtë guxim pervers një kriminele e paskrupull për të lënduar shpirtrat e atyre që kanë vdekur dhe janë gjallë sërishmi pafytyrësisht? Pyetjet vijnë gjithandej si ujët e një përroi të rrëmbyer me brigjet e tij të thepisura mezi arrin të ndalë vrullin e tyre zemërak. Në  ato momente gjithçka e përjeton nën ankthe tronditëse të së kaluarës ku flakët e kujtesës fillojnë të ndriçojnë çdo skutë të saj. Hiena na del heroinë!!! O Zot, si mund vallë që tek qëniet njerëzore ke krijuar monstra të tilla ku dhe për shumë shekuj të tjerë do të trondisin shpirtrat e një populli të tërë me bëmat e tyre vrasëtare!? Vejusha Nexhmia, ose hiena Nexhmia. Ti e nise karierën tënde politike si një komuniste e thjeshtë, por shumë shpejt i re në sy njërit prej shkaktarëve të tragjedisë Shqiptare, sllavit M. Popoviç ku ai për “meritat e tua” të veçanta do të bënte sekretare të tij, ku do mësoje zellshëm artin e shëmtuar të krimit. Dëshmia ekskluzive e At. Zef Pëllumbit para se të vdiste, e realizuar me zë dhe figurë “Se burrin e bën gruaja dhe ajo ishte sekretarja e M. Popoviç”, besoj se kjo dëshmi është e pakontestueshme kur dihet që e ka bërë një prift katolik. Bashkë me shokun Enver do t’ju pregatiste si kryevrastarët e patriotëve Shqiptarë, si hanxharë që do godisnit pa mëshirë gjithmonë mbi ajkën e patriotizmit shqiptarë që nga koha e luftës e deri në ditët e fundit të egzistencës së regjimit tuaj.
Vejusha Nexhmie apo Hiena Nexhmie. Pasi u zderhallët maleve me emisarët jugosllavë dhe më në fund morët për burra ata që j’u imponuan Miladini dhe Dushani u bëtë elita gjakatare e sistemit ku do ushtronit dhunshëm pushtetin tuaj që çdo ditë prodhonte vetëm vdekje dhe mjerim. Një popull i tërë do kthehej në viktimën tuaj duke e vrarë dhe plaçkitur duke e burgosur dhe internuar. Mijëra të pushkatuarit, të dënuarit, të internuarit dhe syrgjynosurit burra dhe gra, të rinj dhe të reja si dhe fëmijët fatkeq që do provonin internimin dhe urinë pa lindur akoma, do të mbeten gjithmonë në historinë e këtij vendi si dëshmia më rrënqethëse e bëmave tuaja çnjerëzore. Vejusha Nexhmije, Hiena Nexhmie, ti sot ke guximin të quash të burgosurit politikë kolaboracionistë e ordinerë, nga thellësitë e natës së errët ku të ka vendosur historia si shpërblim që marrin të gjithë kriminelët e llojit tënd. Ti që e nise karieren tënde brilante bashkë me shoqet e tua kur ishit në Institutin Nëna Mbretëreshë duke hipur nëpër veturat e ministrave të Zogut dhe në orët e vona për hijeshinë tuaj Gjeneral Serreqi bashkë me Naltmadhninë ngrinin ndonjë dolli, ti që për ty, u vranë shumë nga udhëheqësit komunistë të asaj kohe, se Enver Hoxha i quante si rivalë në planin e kurdisur prej Miladinit për ti hapur rrugën karierës së tij dhe për tu bërë ti gruaja e ardhshme e diktatorit. Ti sulltanesha e bllokut do të thurje mijëra intriga për të ndarë gratë nga burrat e për të shijuar e vetme “Elizirin e pushtetit tënd demoniak”. Dihet se kush janë efektet negative të diabetit në sistemin psikik të çdo të sëmuri të tillë… dhe Enver Hoxha vuante nga diabeti, prandaj busulla e tij orientuese kuptohet që gjithmonë ke qënë ti, për ti hapur rrugën e sigurtë ardhjes në pushtet jaranit tënd Ramiz Alisë. Hiena Nexhmie! Kë akuzon ti për bashkëpuntorë të pushtuesve, patriotët shqiptarë që bënë sa mundën në ato kushte të vështira për ti ardhur në ndihmë shqipërisë dhe shqiptarëve kur ti bashkë me burrin tënd dhe bandën që krijuat me në krye emisarët serb e malazes, armiqtë më të egër tradicionalë të kombit shqiptar (kujtoni vargjet e paharrueshme të Fishtës “Se në mëni të njëni tjetnit kena le”)? Ata që edhe në kushtet e pushtimit u munduan të ruajnë dinjitetin e krenarinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe shpëtuan nga vdekja e sigurtë mijëra e mijëra prej tyre duke përfshirë dhe hebrenjtë e kudo masakruar nëpër Evropë? Kush janë kolaboracionistët dhe tradhëtarët, Mitat Frashëri, Bari Omari, Patër Anton Arapi, Abaz Kupi, Safet Butka, Visarion Xhuvani, Koço dhe Arqile Tase etj. ata  që e krijuan këtë komb apo ju që e shkatërruat tërësisht deri në pamundësinë për tu ringritur sërish, si një nga kombet më dinjitoze të Evropës ashtu siç ishte dikur? Ju burri juaj dhe gjithë kasta gjakatare e diktaturës që krijuat, vratë tek shqiptarët kodin e tyre moral si e vetmja mundësi e mbijetesës së tyre prej mijra e mijra vjetësh, duke i hequr një populli gjënë e tij më të shtrenjtë. A nuk i detyruat ju shqiptarët që një pjesë të madhe të tyre ta bënit spiunë dhe t’u impononit masivisht për mbijetesë vesin e vjedhjes?
Hiena Nexhmie, 50 vjet në historinë e një populli nuk janë shumë, kur historia është mijra vjeçare, por 50 vjet diktaturë më se çnjerëzore si e juaj, janë më shumë sesa shumë. 50 vjet ju i vratë dhe burgosë, internuat dhe persekutuat një popull të tërë dhe sot keni guximin të akuzoni pafytyrësisht pjesën që në mënyrën më stoike i rezistoi barbarisë tuaj çnjerëzore, duke mbajtur gjallë në këtë vend ëndrrën për liri dhe demokraci që sot frytet e saj po i shijojnë më shumë se gjithë të tjerët fëmijët dhe nipërit e tu e të atyre që e sollën këtë tragjedi të tejskajshme.
Hiena Nexhmie, vetëm ndonjë naiv mund të çudisë deklarata jote, se ne tashmë të njohim, e dimë se kush ke qënë dhe kusëh je, e dimë ne dhe gjithë shqiptarët. Ti je dashuruar pafundësisht me krimet e tua dhe ti çdo natë bie në shtratin e tyre të përgjakshëm bashkë me to. Ti do të mbetesh përgjithmonë e burgosur në errësirrën e tyre, ku e vetme dëgjon simfoninë e rënkimeve të viktimave të tua dhe e dehur prej saj në haluçinacione makbethiane, vallëzon me ngulçin e frymës së fundit mbi kafkat e coptuara… dhe kështu, ti po jeton fundin tënd të lemerisshëm, duke ecur e sigurtë drejt flakëve të ferrit ku po të prêt me padurim krahëhapur bashkëvrasësi yt Enver Hoxha.
Në ferr, besoj se do jeni çifti më ideal…!
*I burgosur politik

Filed Under: Komente Tagged With: Dushan Mugosha, enver, Fatmir Lamaj, kuisin hienat, Miladin Popovici, nexhmije Hoxha

KËSHILLI KOMBËTAR SHQIPTARO-AMERIKAN NDERON FILIP RIKER

September 18, 2013 by dgreca

Zonja Hilary Clinton do te jete pjese e darkes qe organizon Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA)/

Nga Frank Shkreli*/

Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA) ose (NAAC) në anglisht)  si çdo vit edhe sivjet organizon darkën e 17-të gala me 27 Shtator në sallën e njohur Cipriani në rrugën 42, në qëndër të qytetit të Nju Jorkut.

Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan e ka bërë traditë tanimë që në këtë darkë vjetore në Nju Jork të nderojë individë,  personalitetete të njohura nga politika, qoftë amerikanë, shqiptare ose të tjerë, të cilët sipas KKSHA-së, në mënyrë unike kanë ndihmuar kombin shqiptar.  Gjatë 17 vjetëve të kaluar, KKSHA ka nderuar personalitete të larta të politikës amerikane dhe botërore, siç janë Presidenti Bill Klinton, Kryeministri Toni Blerë, Sekretarët Amerikanë të Shtetit Madelinë Ollbrajt dhe Xhejms Bejker, Gjenerali  Ueslli Clark, Senatorët amerikanë Bob Dolë dhe Çuk Shumer,  Presidentin e Finlandës Marti Ahtisaari,  Ambasadorët  amerikanë Frank Uisner, Nik Bërns, Uilliam Uoker, Kongresmeni Eliot Engel, e të tjerë.

Këtë vit, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan ka vendosur që kësaj liste unike të personaliteteve  të shquara amerikane, që kanë ndihmuar shqiptarët, sidomos gjatë dy dekadave të fundit të historisë së tyre, t’i shtohet edhe emëri i ambasadorit dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit, Filip Riker, të cilit, në fund të këtij muaji, do t’i dorëzohet çmimi prestigjoz, “Duartë e Shpresës”.   KKSHA gjithashtu do nderojë me çmimin për “Arritjet Jetësore”, profesorin Muhammad Yunus, fitues i Çmimit Nobel, i cili njihet për filozofinë e tij “për të transformuar jetën e njerëzve më të varfër të botës nepërmjet nismave të përbashkëta publike dhe private si dhe biznesit shoqëror”.

Darka vjetore e KKSHA-së mbahet gjatë punimeve të Asambalesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ashtuqë që bën të mundur pjesëmarrjen e personaliteteve më të larta politike nga Shqipëria dhe Kosova, si dhe udhëheqës të tjerë nga Ballkani, ambasadorë të vendeve rajonale, zyrtarë të qeverisë federale amerikane, përfaqsues të medias dhe personalitete të komunitetit shqiptaro-amerikan. Këtë vit pritet që në darkë të marrin pjesë, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryeminsitri i Kosovës, Hashim Thaçi, ndër të tjerë.  Burime të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan njoftojnë se edhe Hillary Klinton dje vonë iu përgjigj pozitivisht ftesës për të marrë pjesë në darkën vjetore.  KKSHA e cilëson këtë darkë si një rast i veçantë për të  lartësuar kulturën dhe traditat shqiptare në Amerikë, por njëkohësisht edhe për të venë në dukje marrëdhënjet e veçanta që ekzistojnë midis Shteteteve të Bashkuara dhe kombit shqiptar.

Unë kam pasur privilegjin ta njoh Ambasadorin Riker dhe të ndjekë karjerën e tij nga afër – sidomos atë pjesë që kishte të bënte me marrëdhënjet amerikano-shqiptare — gjatë viteve të mia në Uashington dhe mund të them me sinqeritetin më të madh se Filip Riker ishte dhe vazhdon të jetë njëri prej promovuesve më të përkushtuar të marrëdhënjeve të ngushta midis Shteteve të Bashkuara, Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe me gjithë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.  Z. Riker, me prezencën e tij, është si të thuash simbol i këtyre marrëdhënjeve, po të merren parasyshë vizitat e tij të njëpasnjëshme në Shqipëri e në Kosovë, por dhe në rajon, si dhe intervistat dhe prononcimet e shumëta të tija mbi gjëndjen në Ballkanin Perëndimor.  Duket sikurë ai kurrë nuk i heqë nga mendja Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe marrëdhënjet e tyre me Shtetet e Bashkuara dhe me vendet e rajonit.  Zoti Riker është optimist për të ardhmen e Ballkanit si dhe për rolin që Shqiptarët duhet të luajnë në rajon si dhe për  të ardhmen dhe vendin që u takon atyre në sofrën e madhe të kombeve të Europës.

Gjithmonë duke i gjykuar punët bazuar në realitetin dhe faktet e situatës aktuale — dhe plot durim diplomatik — Ambasadori Riker gjatë karjerës së tij ka vazhduar të promovojë zhvillimin dhe konsolidimin e lirisë, të drejtave të njeriut dhe demokracisë, me një perspektivë historike.  Gjatë një interviste vitin e kaluar me analistin e njohur amerikan Janush Bugajski me rastin e 100-vjetorit të Shqipërisë, Z. Riker tha se, “Nëqoftse u hedhim një vështrim dy dekadave të fundit, duke marrë parasyshë 100-vjetë të pavarësisë së Shqipërisë, përparimi i shënuar gjatë kësaj periudhe ka qenë i jashtëzakonshëm.  Merr me mendë se sa të mbrekullueshme janë  arritjet e shënuara vetëm prej rrëximit të regjimit komunist të Enver Hoxhës.”  Ky është fakt, por Z. Riker gjithmonë realist, tha gjatë të njëjtës intervistë se në Shqipëri “mbetet shumë për tu bërë, sidomos në rrugën drejt Europës dhe integrimit europian, bërja e reformave që janë mirë të përcaktuara nga pikëpamja europiane, sidomos në fushën e zbatimit të ligjit dhe të funksionimit të gjykatave”, ndër të tjera.

Si prioritet i detyrës së tij, Ambasadori Riker ndjekë nga afër edhe situatën në Kosovë, duke qenë njohës i mirë gjithashtu i fakteve dhe i realitetit në atë vend.  Në intervista dhe prononcime të shumëta, si në Uashington ashtu edhe në Prishtinë, mesazhi i tij, në emër të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara ka vazhduar të jetë se Uashingtoni është kundër  ndryshimit të kufijve, si rezultat i trazirave në veri të Kosovës, dhe se ato promovojnë dialogun dhe bisedimet e sponsorizuara nga Bashkimi Europian.  Në emër të Amerikës, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Marrëdhënjet me Europën dhe Euroazinë, ka thënë se në këtë periudhë historike të sajë, Kosova ka mundësitë e mëdha për konsolidimin e shtetit demokratik, stabil dhe të begatë, në rrugën e tij drejtë integrimit në familjen e popujve europianë.  Drejtë këtij qëllimi, Ambasadori Riker u ka bërë thirrje institucioneve dhe popullit të Kosovës që të punojnë rëndë dhe të përqendrohen në ndërtimin e institucioneve.  Në këtë rrugë të gjatë e të vështirë, Z. Riker ka premtuar  ndihmën e Uashingtonit zyrtar duke thënë se, “Shtetet e Bashkuara janë partnere të Kosovës.  Kemi marrëdhënje shumë të ngushta.  Ne kemi bërë shumë për të ndihmuar Kosovën, dhe shtetasit e saj të të gjitha grupeve etnike dhe feve ashtuqë që vendi të realizojë potencialin e vet.”

Ambasadori Riker mund të konsiderohet si një “troubleshooter”, dmth si një diplomat që dërgohet në vende me konflikte e trazira për tu përballur me krizat dhe për t’i zgjidhur ato, që për të është një kompliment.  Ai ka shërbyer si diplomat në zonat më të vështira për një diplomat amerikan, në zona lufte, përfshirë Ballkanin dhe Irakun dhe për këtë ai është nderuar për punën e tij  të shkëlqyer nga Departmenti Amerikan i Shtetit me çmimin prestigjoz, “Edward Murrow for Excellence in Public Diplomacy” për vitin 2000-2003.

Gjatë viteve, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan ka nderuar personalitete më të njohura dhe më me influencë të politikës amerikane, botërore dhe shqiptare, por asnjë prej tyre nuk ka punuar më rëndë, më me seriozitet dhe më me përkushtim, për përmirësimin e jetës së shqiptarëve në Ballkan dhe për promovimin  dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënjeve tani mirë të konsoliduara midis Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë dhe me Kosovën, se sa Ambasadori dhe Zëvëndës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Filip Riker.

*Autori ka shërbyer si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptrao-Amerikan

Filed Under: Komente Tagged With: Filip Riker, Keshilli Kombetar, nderon

ZOTI RAMA, SI KRYEMINISTER MOS KERKO BEKIMIN E ANASTAS JANULLATOSIT

September 14, 2013 by dgreca

NGA ATE NIKOLLE MARKU/

Zgjedhjet parlamentare mbaruan. Ne do t’ju kemi juve kryeminister te Shqiperise  zoti Edi Rama. Ju uroj mbaresi dhe paqe ne punen tuaj, qe do te filloje se shpejti.

Fushata juaj e fundit ne Shkoder  duke permendur shume nga njerezit historike te Rilindjes, me lindi nje deshire per t’ju shkruar ne shtyp. Besoj se cdo kush ne kete komb qe quhet kombi shqiptar, do te bindej per papajtushmerine e kontributit te rilindasve ne dobi te kombit shqiptar, krahasuar me misionin anti shqiptar te Anastas Janullatos.

Deshiren tuaj per ti dhene titullin qytetar nderi i kryeqytetit, kur ishit kryebashkiak, po e anashkalojme si nje mungese informacioni ose si nje gabim politik, qe fare mire mund ta korigjoni ne te arthmen. Qendrimet tuaja per disa ceshtje teper delikate si, ujrat detare etj, te lene te kuptosh se ju po beheni koherent me ate cka ndodh nen rrogoz ne dem te Shqiperise. Une besoj se, ju nuk do te perserisni gabimin historik ndaj Janollatosit ,duke i afruar nje agjenti te asfalise greke dhe nazisteve greke respekt si kryeminister i Shqiperise.

E ndiej si detyre ndaj kauzes te ortodoksise pavarur, por dhe si njeri i thjeshte, te mbroj kombin shqiptar nga cdo sulm apo deshire per ta zhdukur dhe tjetersuar historine e vertet. Pikerishte, per kete arsye madhore, po ju kujtoj dhe njehere se cfar demi po ndodh ndaj kombit shqiptar nga Anastas Janullatos, ky gozhde Nastradini, me nje mision kunder jugut te Shqiperise dhe ne teresi ndaj kombit shqiptar.

Zoti Rama. Ju e dini shume mire se Shqiperia nuk ka vetem rilindas nder shekuj por ka dhe martire, qe per ceshje jetike te atdheut dhe kombit, jane sakrifikuar me jeten e tyre, kisha ortodokse Shqiptare ka nje statistike te gjate martiresh. Si mund te lutem perpara altarit te kishes per  Kristo Negovanin, Dhaskal Todhrin, Petro Luarasin, Fan Nolin, Visarjon Xhuvanin etj, kur ne krye te kishes ortodokse Shqiptare qendron Anastas Janullatos, nipi i atyre qe gatuan helm dhe gjak kunder martireve ortodokse shqiptare, martire qe endrra e tyre ishte qe kisha te ishte e pavarur dhe te meshohej Shqip.

Ne fjalen tuaj ne Shkoder, ju permendet priftin legjendar dom Simon Jubanin. Dikur ne fillimet e demokracise, ju keni patur mardhenie politike te nje niveli shume pozitiv me priftin Simon Jubani. Le ti bejme nje pyetje vetes sone. Po te ishte gjalle dom Simon Jubani, cfar qendrimi do te mbante ndaj Janullatosit? Shume te burgosur politike qe kane jetuar me te ne burg, kane nje konsiderate te larte per shkak se, ky prift i pamposhtur ishte nje atdhetar i pakompromis.

Zoti Rama. Besoj se, kur behet fjale per varreza te ushtrise Greke(varreze memorial), nuk eshte problemi per te respektuar djem nenash qe kane humbur jeten per atdheun e tyre por, per interpretime te deshmoreve ne Vorio-epir. Nje politike e mirfillte me eshtra njerezish, nuk njihet ne historine e njerzimit pervec  Janullatosit qe frymzon dhe mbeshtet plane fantazmash.  Ishte pikerisht Janullatos qe nuk organizoi asgje per  njeqind vjetorin e pavarsise sepse, per te nuk ka Shqiperi te pavarur, por ka vetem Vorio-epir dhe Serbi. Besoj se, ju e kuptoni se cfar kuptimi ka kur kreu i kishes ortodokse shqiptare meshon greqisht dhe aq me teper ne institucione nderkombetare flet greqisht, nenkuptimi eshte i qarte.

Financimi dhe ndima qe jep per ndertim kishash, nje dite do ti paguajme shtrenjte sepse, pothuaj asgje ne kete bote nuk behet per hir te Zotit, te pakten nga ky person. Janullatos ka treguar qe pas financimeve vjen gjuha greke me imponim, ndryshimi i emrit, ndryshimi i kombesise, percaktimi i territorit, aty ku nuk ka greke etnik sic nuk jane etnik dhe greket ne disa fshatra te Shqiperise.

Zoti Rama. Anastas Janullatos, asnjehere nuk ka ndihmuar kur kane ndodhur spastrime te refugjateve shqiptare nga Greqia. Ai kurre nuk bisedoi me kishen Serbe  qe ajo te heqe dore nga spastrimet etnike dhe konfliktet artificiale, qe mbjell ne Mitrovice e gjetke dhe aq me teper te lutet per shqiptaret e zhdukur ne Kosoven martire . Ju kerkua nje meshe per viktimat e genocidit grek ndaj shqiptareve etnike te Camerise dhe Janullatos nuk e mbajti. Per cfar eshte ky njeri ne Shqiperi? Per  te na ndihmuar? Veprimtaria e tije eshte tregues i qarte i misionit Vorio-epir.  Sigurisht qe e mbeshtet organizata agjenture  Omonia dhe politikani me kulture dhe i edukuar me thike pas shpine Vangjel Dule.

Zoti Rama. Jam koshient per pergjegjesine tuaj ndaj ketyre emrave, si dhe per ekuilibrat qe ti dikton koha, ekuilibra qe kerkojne  ti ruash dhe ti mbash per nje Ballkan ne paqe dhe harmoni. Anastas Janullatos ka pas vetes shtetin Grek, shtet kaq te perkedhelur nga Anglo-Sanksonet. Nje mushkonje ta piskoje ne Shqiperi Janullatosin dhe shteti Grek e kthen ne predhe kunder lirise e brockullave hipokrite qe perdorin kunder vendit tone.

Zoti  Rama,injorojeni prezencen e Janullatosit si klerik i fese. Janullatos vetem njollos veprimtarite e shtetit dhe institucioneve shqiptare me prezencen e tije. Aty ku ndodhet ai, eshte prezente asfalia Greke dhe kriminelet e Vorio-epirit.

Mos pranoni bekim nga Anastas Janullatos sepse, do te njollosni amanetin e heronjve te kombit shqiptar por sidomos atyre ortodokse qe per nje kishe te pavarur kontribuan gjithe jeten, mos harroni se ata ishin rilindas. Mos pranoni bekimin e tije sepse  do ti vini qeverise tuaj te ardhshme nje dyshim negativ per orientimin e saje qeverises. Thjeshte zoti Rama injorojeni Janullatosin si njeri qe misionit te tije anti shqiptar dhe aspak fetar, i ka dale boja perfundimisht.

KISHA ORTODOKSE PAVARUR KOMBETARE SHQIPTARE SHEN MARIA ELBASAN

ATE NIKOLLA MARKU

Filed Under: Komente Tagged With: Ate Nikolle Marku, Edi Rama, Janullatos

SPIKAMË- Brengosja e qytetarëve të Kosovës për fatin e veriut të vendit!

September 11, 2013 by dgreca

A do të ushtrojë sovranitetin e saj Kosova edhe në veri të vendit, edhe pas tre nëntorit. Nëse logoja e Republikës së Kosovës hiqet nga fletëvotimet sipas kërkesës së Serbisë, a thua çfarë do të kërkojnë serbët pas tre nëntorit, respektivisht pas zgjedhjeve të tre nëntorit? Dokumentacioni i përgjithshëm administrativ në veri a do të ketë logo të Republikës së Kosovës kur janë në pyetje serbët e veriut të Kosovës. A do të largohen të gjitha barrikadat nëpër rrugët e Mitrovicës dhe jo vetëm të Mitrovicës. Këso dhe shumë e shumë pyetje tjera të ngjashme mund të shtroheshin në këtë vështrim. Për këto dhe për shumë gjëra të tjera sot mund të thuhet ashtu e kështu. Neve qytetarëve të brengosur për fatin e vendit na intereson të dimë qysh tash se a do të ketë shtrirje të sovranitetit të plotë të vendit në veri të vendit edhe pas tre nëntorit të këtij viti?/

Shkruan: Cenë Pushkolli/cenpushkolli@hotmail.com/

Në të përditshmen më të lexuar të vendit, respektivisht më të lirin nga të gjitha gazetat e vendit, “Tribuna të datës 9 shtator”, në faqen e parë dhe të tretë ishte shkrimi: Veriu, neutral ndaj statusit edhe pas zgjedhjeve”, që shumë qytetarë të Kosovës dhe jo vetëm të Kosovë janë brengosur për fatin e vendit pas tre nëntorit të këtij viti. Arsyeja e brengosjes është akoma më e madhe pasi që tash tre ditë pas publikimit të këtij shkrimi nuk pati reagime nga qeveria dhe institucionet e Kosovës. Reagimi do të ishte shumë i mirëpritur për faktin që do t’i largonte brengosjet e qytetarëve. Më lartë ne shtruam disa pyetje që vërtetë duan përgjigje nga kompetentët e institucioneve të Kosovës. Ndoshta përgjigjen në këto pyetje e din institucionet e Kosovës, ndoshta edhe për këto pyetje është biseduar në “Bruksel”, mirëpo përgjigjen masa e gjerë popullore ashtu si edhe autori i këtij vështrimi nuk i din. Do të ishte mirë të prononcohen kompetentët e institucioneve të Kosovës lidhur me këto pyetje, bile-bile do të ishte mirë të thuhet edhe kjo: se serbët e veriut a do të kenë tretman të njëjtë me qytetarët tjerë të Republikës së Kosovës, respektivisht a do të jenë “të dëgjueshëm” ndaj shtetit të Kosovës?  Në këtë pyetje në njëfarë mënyre është përgjigjur Edhe Ivica Daçiç ku pos tjerash ka thënë: …Marrëveshja e 19 prillit me Prishtinën është neutrale në raport me statusin”, ndërkaq këshilltari i presidentit të serbisë Marko Gjuriq akoma më keqë kishte deklaruar: …me daljen në zgjedhje dhe formimin e organeve lokale, Beogradi nuk po mundohet të integrojë komunat me shumicë serbe nën autoritetin e Prishtinës por po krijon komuna serbe neutrale në raport me statusin e Kosovës”, përkundër kësaj, “…pavarësisht këtij arsyetimi politik, serbët që sot përfaqësojnë komunitetin që jeton në komunat veriore, mohojnë se do të dalin në zgjedhje”.

Kurse njëri ndër liderët e serbëve në veri të Kosovës, Marko Jakshiq deklaron:”…heqja e simboleve shtetërore nuk ndryshon pozicionin e tyre në raport me shtetin e Kosovës, Tribuna e 9 shtatorit fq. 3” Duke u mbështetur në mos reagimin e institucioneve të Kosovës si edhe në deklarata të zyrtarëve serb të veriut dhe të Beogradit, brengosja e qytetarëve të Kosovës për fatin e veriut të vendit vërtetë është e arsyeshme!

Filed Under: Komente Tagged With: brengosje, Cen Pushkolli, spikame, Veriu i Kosoves

Obama i jep kohë propozimit rus për Sirinë

September 11, 2013 by dgreca

Obama i jep mundësi propozimit rus për Sirinë

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka thënë se Washingtoni dhe aleatët do t’i japin një mundësi propozimit të Rusisë për të siguruar armët kimike, derisa e mban ushtrinë të gatshme për sulm ushtarak.
Duke ju drejtuar popullit amerikan drejtpërdrejt nga Shtëpia e Bardhë, Obama ka thënë se është “ende herët për të thënë” nëse plani i Moskës për të vendosur armatimin kimik të Sirisë në kontroll ndërkombëtar do të ketë sukses.
Ai ka thënë se aleatët e SHBA-ve, Franca dhe Britania do të punojnë me Rusinë dhe Kinën për këtë propozim.
Mirëpo Obama ka vazhduar ta mbrojë para popullit amerikan idenë e një intervenimi ushtarak të kufizuar duke thënë se një veprim i tillë do të ishte  i nevojshëm nëse plani i Moskës nuk do të kishte sukses.
“Nëse ne dështojmë që të reagojmë, regjimi i Assadit nuk ka arsye që të ndalojë në përdorimin e armëve kimike. Derisa ndalimi i këtij lloji të armatimit injorohet, tiranë të tjerë nuk do kenë arsye që të mendohen dy herë në marrjen e gazit helmues dhe përdorimit të tij. Me kohë, trupat tanë do të përballen me prospektin e armëve kimike në beteja. Dhe, do të ishte më e lehtë për organizatat terroriste që të marrin këtë lloj armatimi dhe ta përdorin atë kundër civilëve”, ka thënë Obama.
Reagimi i Obamës është bërë vetëm pak orë pasi qeveria e Sirisë ka thënë se është pajtuar me propozimin për t’i vënë armët e saj kimike nën kontroll ndërkombëtar.  Më herët, Rusia ka thënë se është duke punuar për një “plan të qartë dhe konkret”.
Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, ka thënë se Moska është duke diskutuar detajet me Damaskun dhe se plani do t’iu prezantohet edhe shteteve të tjera së shpejti.
“Rusia është duke punuar aktualisht në përgatitjen e një plani funksional, të qartë dhe konkret. Tani për tani, jemi në kontakt me palën siriane. Do të vazhdojmë të punojmë me të dhe me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike dhe me pjesëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka thënë Lavrov.
Presidenti amerikan, gjatë fjalimit të tij drejtuar popullit amerikan gjatë gjithë kohës është munduar të bind amerikanët që janë skeptik ndaj një sulmi mbi Sirinë se në rast të dështimit të këtij plani, nëse nuk do të veprohet do të vendosej një precedent i rrezikshëm për përdorimin e armëve kimike, do të kërcënonte interesat dhe aleatët e SHBA-ve dhe do e forconte Iranin.
Obama ka thënë se ai e ka udhëzuar ushtrinë që të jetë gati për veprim si dhe i ka kërkuar Kongresit që ta shtyjë votimin për sulm që t’i jap një mundësi diplomacisë.
“Përgjigja ime është e thjeshtë: Unë nuk do të dërgojë trupa tokësore amerikane në Siri. Unë nuk do e ndjek një aksion pa një fund të caktuar si në Irak apo Afganistan. Nuk do e ndjek një fushatë ajrore si në Libi apo Kosovë. Ky do të ishte një sulm me cak për t’ia arritur një objektiv të qartë: për të frenuar përdorimin e armëve kimike dhe degradimin e fuqisë së Assadit”, ka thënë Obama
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të bindura se regjimi i presidentit sirian, Bashar al Assad është përgjegjës për sulmin me armë kimike që raportohet se është krye më 21 gusht, në periferi të Damaskut

Filed Under: Komente Tagged With: Obama, Siriam propozimi rus

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 441
  • 442
  • 443
  • 444
  • 445
  • …
  • 490
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Eliot Engel, in memoriam…
  • «Dritë-shkronja» e Eugène Pittard
  • Propozimi i Presidentit amerikan Donald J. Trump për emërimin e Gjeneral Lejtnant (Ret.) Eric P. Wendt si Ambasador i SHBA-ve në Shqipëri
  • Manifestimi i AAWO “Motrat Qiriazi”, nderohet sakrifica dhe suksesi i gruas shqiptare
  • Leonardo da Vinci, gjeniu që e shndërroi artin në instrument për të depërtuar në sekretet e krijimit
  • Kënaqësi të takohem me Presidentin Bill Clinton dhe bashkëshorten e tij, ish-Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton
  • Zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare…
  • “Ora e maleve”
  • Në ditën e lindjes së shkrimtarit të madh Jakov Xoxa
  • Njeriu-Mozaik
  • Samiti i Diasporës, njё skenë pa aktorë
  • Kosova përballë një prove historike shtetërore
  • YLLI MEÇAJ I VLORËS – ARTIST KOMBËTAR SHUMËPLANËSH
  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT