• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Berisha, kritika unikale dhe gabimet njerëzore të tij

July 1, 2013 by dgreca

Atributet e epokës “Berisha” (II)/

Shkruan: Dr. Enver Bytyçi/

Në historinë e Shqipërisë moderne nuk ka ndodhur ndonjëherë që një udhëheqës politik e drejtues i lartë i këtij shteti të jetë vënë në shënjëstrën e kritikës dhe sulmeve të pandërprera e të idhta, si Sali Berisha. As diktatura komuniste nuk e anatemoi armikun e saj, Mbretin Zog I, sa anatemuan pasardhësit e diktaturës liderin demokrat shqiptar. Nëse do të bënim një hulumtim shkencor e serioz, do të provohej fakti se opozita e majtë shqiptare ka sulmuar qindra herë më shumë liderin e së djathtës sa ka kritikuar diktaturën dhe diktatorin Hoxha. Antiberishizmi ka qenë dhe mbetet rryma më specializuar në luftën për pushtet të derisotme. Antiberishzmi ka qenë një fenomen, jo thjesht një armë dhe një përpjekje e së majtës për të mbijetuar. Tiparet kryesore të antiberishizmit nuk janë ato atribute që mbart çdo opozitë demokratike për të dhënë alternativën e vet konkuruese, por lidhen me tipare të formuara dhe trashëguara nga diktatura, si urrjetja, hasmëria, hakmarrja dhe për pasojë përdorimi i të gjitha mjeteve legale e jolegale për të arritur qëllimin për likuidimin politik e madje fizik të kundërshtarit.

Ndërkohë mund të thuhet se Antiberishizmi e ka gjallëruar dhe motivuar për punë të mëdha në çdo kohë Berishizmin. Ndoshta shumë prej arrtiejeve të Berishës, shumë nga cilësitë e sidomos përkushtimi dhe energjia e pashtershme tij janë motivuar nga lufta e pakompromis e së majtës, luftë e cila ka njohur të gjitha format e saj dhe është zhvilluar me të gjitha mjetet. Kështu që në historinë e këtyre 23 viteve ka patur vetëm një trend: Antiberishistët kanë provokuar sentimentin e Berishës dhe kanë prodhuar një lloj specifik reaksioni, i cili përmban në linjën e tij elementë të formimit të liderit demokrat. Formimi i tij na lejon të konkludojmë se lidhet me tiparet fisnike të malësorit, të vendlindjes së doktorit, siç janë personaliteti i pandikuar nga ndokush, integriteti moral i brujtur që në moshën e rinisë së hershme, formimi i vetëdijes i aplikuar në kuvendet e malësorëve të urtë e të zgjuar, paprekshmëria në dinjitet e personalitet, përkushtimi, vendosmëria dhe energjia e jashtëzakonshme për të realizuar qëllime të mëdha në jetë e në politikë.

Po t´i shtojmë këtyre atributeve edhe edukimin atdhetar të tij, atëherë bëhet shumë e qartë pse Berisha prodhoi atë që quhet berishizëm dhe që mund të përmblidhet në përuljen para Zotit, Kombit dhe Familjes. Asnjë politikan i dytë në sa e sa dekada nuk ka mundur të bashkojë te vetja e tij tiparet që lidhin këto tri elementë jetësorë, të cilët në filozofinë politike shihen edhe si elementë përcaktues të suksesit të njëriut e të njerëzimit. Sali Berisha i trashëgoi dhe i realizoi këto në praktikë, në kushtet e drejtimit të shtetit shqiptar, duke sjellë në politikën shqiptare një model të ri të udhëheqit politik e moral.

Por është fakt se ai luftoi i bazuar në principet e mësipërme në kushtet e një politike të ndotur moralisht dhe të mbushur më skema e skena mashtrimesh, trillimesh, akuzash të fabrikuara e rrenash të mëdha e të vogla të transformuara, sipas parimit qosiqjan “Rrena është e moralshme, nëse i shërben interesave të partisë”. Qosiq shkruan se “Rrena është detyrë patriotike për serbët”. I shtrënguar dhe i lënduar nga kjo praktikë unike e të bërit politikë nga kundërshtarët e tij, Berisha ka reaguar jo rrallë me emocion dhe ka rënë në provokimet e kundërshtarëve ekstremistë të tij. Unë jam i bindur se gabime të tilla njerëzore ai i ka bërë për shkak të sinqeritetit në marrëdhëniet politike me partnerët e madje edhe me kundërshtarët, duke harruar se përballë tij qëndroi gjithë kohën një kundërshtar e një mijë e një hileve. Pra të shumtat e gabimeve njerëzore të liderit demokrat mund të vlerësohen si refleks i provokimeve të panumërta ndaj tij.

Në këto katër vitet e fundit ne kemi parë të aplikohet strategjia e së majtës për ta zhvleftësuar personalitetin e Berishës në tri aspekte: Në aspektin e qëndrimeve të tij nacionaliste, pra t´i hiqnin atij imazhin e patriotit dhe njeriut të përkushtuar në shërbim të Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Në aspektin e shembullit dhe modelit të sjelljes në familje, duke bërë akuza dhe shpifur ditë për ditë kundër fëmijëve dhe familjarëve të tij, deri te montimi i videos së shekullit, ku implikohej zonja Berisha. Në aspektin moral të raportit të tij me shtetin e luftën kundër korrupsionit, duke hamendësuar dhe shpifur pandërprerë, deri te videoja e shekullit e korrupsionit të Ilir Metës, ku ishte montuar emri i Sali Berishës për gjoja të implikuar në koncensionin e hidroventaleve.

Lufta kundër Berishës ishte e të gjitha llojeve. Ato mund të përmblidhen në reagimet e ashpra e të paarsyeshme në parlament, thirrjet për mosbindje qytetare, kërcënimet e tipit “Mos luaj me zjarrin”, bojkoti i zgjedhjeve, bojkoti i parlamentit, bojkoti i votimit të ligjeve të integrimit, ligje të cilat sillnin zhvillimin e vendit, protestat paqësore e ato të dhunshme, grevat e pandërprera të urisë, bllokimi i autostrave dhe rrugëve kombëtare, bllokimi i zbatimit të ligjit, bllokimi i firmave koncensionare, kërcënimi për anullimin e ligjeve dhe vendimeve sidomos në fushën e koncensioneve, sulmet e dhunshme kundër godinës se kryeministrisë, e deri te djegja e shkatërrimi i institutcioneve të shtetit në vitin 1997, ose te vrasjet dhe ekzekutimi i figurave politike në opozitë. Shpesh herë përdorimi i dhunës nga ana e kundërshtarëve të tij shkaktoi dhimbje jo vetëm për personalitetin e përkushtuar për zhvillimin e kombit shqiptar, Berishën, por edhe për vendin.

Në këto kushte reagimet e liderit demokrat në pushtet ose në opozitë nuk qenë gjithnjë të matura, të studiuara e të thelluara. Përballë revoltave të dhunshme, në mandatin e parë, kur ushtroi detyrën e Presidentit të Republikës, Berisha është akuzuar për “veprime ekstreme” e në raste të tjera për “mosveprim”. Viti 1997 është viti i zhvillimeve ekstreme të dhunës si rezultat i rënies së piramidave financiare. Aso kohe opozita e majtë, pasi kishte bojkotuar zgjedhjet e 26 majit të vitit 1996, iu bashkua dhe udhëhoqi veprimet e dhunshme kundër rendit kushtetues dhe shtetit, me qëllimin e vetëm që të rikthehej në pushtet.

Arkivat do të përcaktojnë rolin e Presidentit Berisha për ngjarje si ato të vitit 1997. Por do të ndriçohen dhe disa aspekte të tjera, për të cilat Berisha është kritikuar dhe bërë përgjegjës me ose pa të drejtë. Shumë aspekte të veprimtarisë së tij do të njihen më mirë përmes studimit të  arkivave jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Uashington, Berlin, Londër e gjetkë. Vetëm atëherë do të kemi një pasqyrë të plotë të asaj çfarë ka përfaqësuar Sali Berisha për Shqipërinë dhe shqiptarët.  Viti 1997 mbetet nyja e zhvillimeve të para dhe pas këtij viti. Por fakti se Berisha u rikthye në pushtet dëshmon se ai nuk mund të ishte fajtori kryesor i ngjarjeve të vitit 1997.

Një ndër momentet më kritike të jetës politike të Berishës janë ngjarjet e 12-14 shtatorit 1998. Ndoshta është e vetmja pjesë e veprimtarisë së tij, kur ai ka ndjerë se ka gabuar, por në rrethana krejt provokuese nga ana e disa segmenteve kriminale të shtetit të kohës. Vrasja makabre e liderit të Lëvizjes së Dhjetorit, Azem Hajdari, çoi në veprime të dhunshme të demokratëve, veprime të cilat ishin planifikuar në skenarin e likuidimit të shefit të opozitës, Sali Berisha. Berisha nga ana e tij, në disa aspekte ra në kurthin e provokimit të skenaristëve vrasës të Azem Hajdarit dhe pagoi një kosto politike të pamerituar. Ndërsa minsitri i kabinetit Berisha, Aldo Bumçi, do t’i jepte më 2012 një donacion të majmë organizatorit kryesor të asaj vrasjeje. Ndërkaq kostoja e 14 shtatorit 1998 do të rëndonte mbi opozitën deri në korrikun e vitit 2005. Lideri demokrat Berisha do të rikthehej në Vlorë, ndërkohë që simpatizanëtë e tij prisnin me ankth rivënien në veprim të skenarit të vrasjes së Azem Hajdari. Në mesnatën e 28 Nëntorit 2000, ditën e festës së pavarësisë, ai u arrestua i rrethuar nga dhjetra forca policie, skenë të cilën dëshmitarët e tregojnë sin ë skenar filmash. Më pas Berisha dhe PD u shmangën me dhunë nga marrja e pushtetit në zgjedhjet e vitit 2001. Nuk po përmend kostot e tjera, të cilat ai i ka shlyer njëmijë fish për shkak të një gabimi taktik në politikën e tij. Mund të ketë prej atyre që me mendjelehtësi shtrojnë pyetjen disi legjitime: – Pse Berisha ka rënë në kurthin e neokomunistëve shqiptarë?! Por askush nuk e ka provuar dhe nuk do ta provojë kurrë në të ardhmen të jetë kaq fort nën goditjet e një makinerie me përvojë të instrumenteve të luftës të së majtës shqiptare.

Në historinë politike të Shqipërisë moderne nuk do të gjendet ndonjë udhëheqës tjetër aq i kritikuar, akuzuar, anatemuar dhe i goditur nga kundërshtarët e tij, sa Sali Berisha.  Që në fillim më duhet të them se shumica dërmuese e akuzave dhe kritikave ndaj tij ishin të sajuara, të shpikura, të trilluara. Mund të thuhet se në këto përmasa nuk është linçuar as diktatori Hoxha. Dhe kjo ndodhi për shumë arsye, por kryesore është se fushatën 23 vjeçare kundër Sali Berishës e udhëhoqën përkrahësit ose pasardhësit e diktatorit komunist, i cili e izoloi Shqipërinë dhe la pas një trashëgimi të errët. Trashëgimi e tij ishte gjithashtu metodologjia, doktrina dhe ideologjia e luftës “pa kompromis” e “me të gjitha mjetet” të kundërshtarit politik. Jam shumë i sigurt se pjesë e kësaj strategjie ishte bojkoti i zgjedhjeve të 26 Majit 1996 dhe rebelimi i armatosur për të marrë pushtetin me dhunë më 1997. Pjesë e kësaj strategjie ishte vrasja e Azem Hajdarit, Ahmet Krasniqit dhe dhjetra kundërshtarëve politikë në vitet 1997-2005. Pjesë e kësaj strategjie ishte ngjarja e Gërdecit si dhe bojkoti, protestat e dhunshme, grevat e urisë të opozitës së majtë, të cilat e shoqëruan qeverisjen e Sali Berishës gjatë viteve 2008-2013.

Në asnjë vend tjetër të Europës Lindore nuk kanë ndodhur ngjarje të tilla e reagime si këto nga ana e opozitës që vinte prej trashëgimisë së diktaturës komuniste. Kjo e ndikoi ndoshta Doris Packun, kur pas 23 qershorit u deklarua se “Shqipëria nuk më surprizon më”. Ishte një ironi e hollë e saj, prej së cilës politika në Shqipëri, sidomos kundërshtarët e Berishës ka nevojë të skuqen. Por një konstatim i tillë shkon përtej skuqjes së kësaj kategorie të politikës. Përfshin votuesit shqiptarë, të cilët dëshmuan se nuk e kanë pjekurinë politike të nevojshme për të zhvilluar demokracinë. Jo se votuan Edi Ramën. Vota ndaj opozitës, sado e dhunshme të jetë ajo, është gjithnjë legjitime. Por se votuan pjesën më të kompromentuar të pushtetit në Shqipëri, pjesën më të keqe të tij, pjesën më të korruptuar të politikës së këtij vendi. E di se shumëkush do të më qortojë për këtë konstatim dhe vlerësim që jap. Por nuk mund të mos e publikoj këtë qëndrim, pasi besoj se e vërteta është kjo. Nëse partitë e mirëfillta opozitare morën aq deputetë sa kishin në 2009-ën dhe nuk janë në gjendje të formojnë qeverinë, ato plotësojnë jo vetëm shumicën e thjeshtë, por dhe atë të cilësuar me 16 deputetët e LSI-së, e cila i katërfishoi vendet e saj në parlament. Këta 16 deputetë  erdhën në spektrin parlamentar shqiptar me metoda puçiste të tipit modern. Nëse do të fitonte morali, më parë se LSI duhej votuar opozita ose ish-mazhoranca. Por fitoi antimorali, prandaj e diktojnë shumicën ata, të cilët janë përgjegjës për 21 janarin, për korrupsionin e dëshmuar në disa video, për gjendjen katastrofike në shëndetësi, në ekonomi e në diplomaci. Këto ishin tri fushat më të anatemuara të Edi Ramës dhe të trija këto u drejtuan deri më 1 prill 2013 nga përfaqësuesit e partisë më të votuar në zgjedhjet e 23 qershorit. Kjo përbën ndoshta një kontrast, i cili vështirë se mund të ndriçohet ndonjëherë.

Ndoshta kjo dukuri unikale, e cila duhet studiuar si fenomen tipik shqiptar, ka bërë që lideri historik i demokratëve shqiptarë, Sali Berisha, të shihet shpesh herë si personalitet mitik. Megjithëse atij i ka munguar krejtësisht misticizmi, zi një gjetje e udhëheqësve karizmatikë për të krijuar një farë miti rreth vetes.

*Në numrin e nesërm: Mitika dhe misticizmi te Sali Berisha.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Berisha, dhe gabimet njerezore, kritika unikale

GENTJAN, ENDRIT, JU LUTEM MOS E LEXONI LETRËN E SALI BERISHËS

July 1, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Kryeministri në largim i Shqipërisë Sali Berisha i ka dërguar një letër Gentjanit 16 vjeçar, të cilën e ka publikuar në rrjetin social të Facebook-ut.

E mësova këtë lajm nga gazetat, sepse faqen e kryeministrit nuk e vizitoj. As letrën që i ka drejtuar Gentjanit nuk e lexoj. Gentjani ka moshën e djalit tonë të vogël, Endritit.

Më kujtohet kur Endriti posa kishte filluar të shqiptonte fjalët e para, meqë dëgjonte diskutimet tonë të zjarrta për politikën, mes meje, Skënderit dhe babushit të tij, kështu e thërrisnin nipat gjyshin e tyre, kishte mësuar përmendësh emrat Sali Berisha, Fatos Nano etj. Sepse atëherë ishte viti 1998 dhe duket këto emra ne i shqiptonim më dëndur. Pas ngjarjeve të 1997-1998 ne i kishim dhënë përsëri besimin Berishës, megjithë krizën e piramidave, të cilat u ngritën nën hijen e pushtetit të tij. E besuam Berishën edhe një herë dhe menduam se ai do të ngrihej përsëri duke njohur gabimet dhe fajet, duke i tejkaluar ato, duke mos i përsëritur kurrë më. Gjithnjë mendonim se duke qënë mjek gjatë sistemit diktatorial, duke mos u përfshirë në bëmat e nomenklaturës kriminale, do ta kishte shumë të lehtë të shihte përpara për të ndërtuar një demokraci me integritet, e cila e ngre në piedestal shtetin e së drejtës dhe e hedh në koshin e mbeturinave kultin e individit.

Unë dje Endritin e ftova të lexonte letrën që Lincolni i ka shkruar mësuesit të djalit të tij, por nuk i jap assesi të lexojë letrën që Sali Berisha i ka dërguar Gentjanit. Sepse nuk dua ta indoktrinoj. „Mundohuni t`i mësoni fëmijës tim forcën për mos të ndjekur turmën edhe pse të gjithë hidhen mbi qerren e fituesit. Mësojeni që të dëgjojë me vëmendje çdo njeri, por gjithashtu të shoshisë atë që dëgjon me shoshën e të vërtetës dhe të marrë veç të mirën.“,kështu i shkruante mësuesit të të birit Abraham Lincolni.

Më duket se kemi bërë gabim të rëndë kur për vite të tëra u kemi thënë fëmijëve tanë se Sali Berisha do ta çojë Shqipërinë përpara, e do ta bëjë Shqipërinë si Zvicra. E dini se përse është Zvicra Zvicër? Sepse këtu funksionon shteti i së drejtës. Këtu asgjë nuk të jepet në tabaka. Njeriu gjithçka e fiton vetë, por shtetin e ka aleatin e tij, e ka në krah, sepse shteti e mbron, i krijon shanse dhe mundësi, ndërsa qytetari e respekton.

Nuk e lexoj letrën që Sali Berisha i ka dërguar Gentjanit. Sepse mbështetet në hipokrizi. Lexova letrën e ish-ambasadorit Withers. U ndala tek paragrafi ku Withers shkruan: „Zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit rigraduan busullën e historisë suaj kombëtare. Mbetjet e së shkuarës komuniste u larguan dhe demokracia u rivendos.“ Nuk ndaj plotësisht mendimin me ish-Ambasadorin Withers. Zgjedhjet ishin mësim për klasën politike, po, por nuk mendoj se „mbetjet e të shkuarës komuniste“ u larguan me një të rënë të lapsit. Këtu është problemi. Duhen reforma për ta bërë këtë. Ato që premtoi Berisha dhe nuk i mbajti. Aq më tepër për një formacion politik si PS që vazhdon të ketë busull propagande gazetën Zëri i Popullit, botues i parë i të cilit ishte diktatori Hoxha. Por e rëndësishme është se Sovrani mësoi të votojë kundër rrjedhës, kundër opinistëve puthadorë që kërkojnë të klonojnë opinionin publik, kundër reklamave të mediumeve proqeveritare, kundër pseudofitimtarëve.

Prandaj as që më shkon mendja të lexoj letrën që Sali Berisha i dërgon Gentjanit. Edhe Gentjanit si Endritit i them të lexojë letrën që Lincolni i dërgon mësuesit të djalit të tij. Sepse është esenca e një mënyre për të jetuar i shëndetshëm dhe për t’u bërë qytetar i përgjegjshëm.

Letra që Sali Berisha dërgon për Gentjanin është hipokrizi e rradhës. I kam dërguar mesazh Sali Berishës në WhatsApp dhe nuk më ka kthyer përgjigje. E kam mbështetur dy dekada të jetës time dhe sot ndihem thellësisht e zhgënjyer, por e çliruar prej miteve të rremë!

Kur ky zotëri që nuk e njeh fare nocionin e komunikimit me mbështetësit e tij, kur ky njeri që nuk e njeh fare komunikimin ndërnjerëzor, ndërsa thotë se si mjek ka qënë i lirë të mjekojë e shërojë edhe diktatorët më barbarë të Europës, e si mund t’iu shkruajë letra premtimi adoleshentëve! E si tenton të turbullojë me iluzione brezin e ri, të pastër si drita e Zotit!

Prandaj ju lutem, Gentjan, Endrit mos e lexoni letrën e Sali Berishës!

 

Filed Under: Komente Tagged With: e Sali berishes, Elida Buçpapaj, Endrit, Gentian, mos e lexoni letren

Kombi dhe feja

July 1, 2013 by dgreca

Nga Albin KURTI/

Shqiptarët nuk kanë tolerancë ndërfetare. Ndërtimi i tolerancës ndërfetare midis tyre bëhet veçse shkatërrim. Shqiptarët përherë kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë bashkëpunim ndërfetar. Nëse për botën toleranca ndërfetare është vetë suksesi, ne gjithmonë ishim përtej kësaj e kishim më shumë se kaq. Për çështjen e religjionit dhe fesë, shqiptarët janë para botës, janë shembull që duhet ndjekur të tjerët. Toleranca është durim i tjetrit, i qenies e i pranisë së tjetrit. Ajo nënkupton që ekzistojnë arsye për të mos toleruar dikë a diçka, por ja që po ndodh toleranca. Toleranca ngjan përkundër jotolerancës duke e etabluar pikërisht jotolerancën si parësore. Andaj, nga personi i toleruar pritet të jetë mirënjohës e falenderues që po tolerohet. Toleranca është vetëpërmbajtje, është mosveprim në kushtet kur veprimi do të ishte i dëmshëm. Bashkëpunimi është veprim në kushtet kur veprimi është i dobishëm.

Shqiptarët muslimanë, katolikë e ortodoksë nuk e kanë toleruar asnjëherë njëri-tjetrin sepse gjithnjë kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Ose, për të qenë më të saktë, nuk kishin si ta toleronin njëri-tjetrin sepse aty s’kishte tjetër. Të qenit shqiptar, pra kombi, konsiderohej vlerë përbashkësuese shoqërore e historike dhe rëndësi strategjike politike e ushtarake. Para pak ditëve, si në Detroit, po ashtu edhe në Worcester e në Boston e gjetëm flamurin kombëtar shqiptar: te Imam Shaip Gërguri, te Dom Fran Kolaj, si dhe te Imzot Nikon e Atë Liolini.

Në fund të shekullit XIX e përgjatë shekullit XX kështu mbijetuam. Të gjitha ngritjet e kryengritjet, rezistencat e luftërat çlirimtare u zhvilluan në emër të kombit e për hir të kombit. Hoxhallarë, priftërinj e klerikë të tjerë, besimtarë shqiptarë të të gjitha religjioneve e feve, bashkoheshin si shqiptarë. Njëkohësisht, edhe armiqtë e shqiptarëve nuk bënin shumë dallim se kush çfarë feje ishte kur i sulmonin shqiptarët. Armiqtë tonë ishin e janë armiq të kombit tonë. Dëshmorët e kombit i kemi të të gjitha feve në secilën luftë tonën çlirimtare.

Nga pikëpamja fetare, kombi shqiptar njëmend është heterogjen, por ai nuk është edhe aq i vetëdijshëm për atë heterogjenitet. Kjo vetëdije cytet prej jashtë, prej koncepteve, nocioneve e kategorive të importuara (kryesisht perëndimore). Ngjashëm sikurse që shqiptarët as për së afërmi nuk e quajnë e njohin veten e tyre për gegë e toskë sa e bëjnë këtë gjë politikanët e diplomatët, studiuesit e gazetarët e huaj. Ndarjet midis nesh nuk janë tonat.

Tema e fesë dhe e religjionit te shqiptarët nuk është aq e vetë shqiptarëve. Kohëve të fundit këtë temë dhe aspekte të saj po i sjellin në debatin publik gjithnjë e më shpesh qeveritarët kosovarë thua se duan të na e konfirmojnë që Qeveria e Kosovës nuk është e shqiptarëve. Medie të regjimit kohë pas kohë nxjerrin video inçizime të vjetra të klerikëve për të ndezur polemika që i sipërvendosen aktualitetit politik në shtetin e Kosovës që po dështon. Lansoje një temë fetare duke shfaqur video nga arkiva (kush e di edhe sa të tilla i mbajnë për t’i publikuar më vonë?) dhe askush s’do të flasë për një kohë për ratifikimin e marrëveshjes Thaçi-Daçiq, privatizimin e KEK-ut e të PTK-së, varfërinë e papunësinë në rritje. Mbase nuk ka se si të jetë ndryshe: tash kur Thaçi po merret vesh me Serbinë për ridimensionimin e shtetit të Kosovës nevojitet të krijohet përshtypja që armiku kryesor nuk vjen prej jashtë (Serbia) por nga brenda (islami). Dhe, kësisoj të normalizohet Serbia brenda Kosovës e të nxjerret islami jashtë, duke barazuar islamin tradicional që e kemi prej shekujsh me tendencat e pasluftës të bazuara në lexime e interpretime të tjera të Kuranit.

Në anën tjetër, posaçërisht gjatë këtyre dy viteve të fundit, Qeveria e Kosovës dhe analistët e regjimit e kanë humbur debatin me Lëvizjen VETËVENDOSJE! si për çështjet politike e kombëtare po ashtu edhe për ato sociale e ekonomike. Ata nuk kanë shpresë tjetër përveç religjionit. Kjo është karta e fundit që u ka mbetur. Duke e ditur heterogjenitetin brenda shqiptarëve që reflektohet edhe brenda subjekteve politike përfshirë këtu VETËVENDOSJE!-n, ata duan përçarje të alternativës ndaj saj për ta maskuar pafuqinë e vetë asaj. Meqenëse VETËVENDOSJE! doli të jetë kështjellë e pamposhtur në diskutimet për politikën e bashkimit kombëtar, zhvillimin ekonomik të bazuar në prodhim, dhe shtetin e së drejtës e atë social, le ta provojmë me religjionin thonë ata, sepse dihet që njerëzit mbajnë bindje e qëndrime personale të ndryshme. Ana tjetër e së njëjtës medale është që duke nxitur tensione ndërfetare e fetare të kërkojnë buxhet shtesë e vazhdim të kontratës për ShIK-un nga qarqe të caktuara amerikane: pa ShIK-un pa dyshim që PDK-ja jo vetëm se dobësohet, por me gjasë edhe zhduket fare.

Këto debate do të vazhdojnë sepse pushteti i ka mundësitë e fuqinë për nxitjen e përhapjen e tyre. Tash kur antagonizmat themelorë janë ato midis popullit shqiptar dhe Serbisë si dhe midis shumicës së varfër e të shpronësuar kundrejt privatizuesve të pasur, përmes një video sekuence të para tetë muajve por të shfaqur para disa ditëve, po përpiqen të na bindin që antagonizmi themelor e vendimtar na qenka ai midis burrit dhe gruas (sic.).

Morali nuk duhet kufizuar te religjioni e religjionet. Kosova është shtet sekular ku duhet të ketë liri të religjionit e të religjioneve pa dallim dhe ku çështjet e etikës konsistojnë te ndërgjegja e njeriut. Paralelisht me këtë, rrënjët e moralit të qytetarëve mund t’i gjejmë jashtë tyre: te gjendja sociale e materiale, te trajtimi që ua bën pushteti, te lloji i organizimit shtetëror. Në kohëra e në vende të ndryshme, në ekonomi e shtresa të ndryshme të popullsisë, nuk gjejmë morale të njëjta. Kështu, milionerët e skamnorët kanë gjykime etike fort të ndryshme ndërkaq prostitucioni është përgjithësisht skllavëri. Aty ku besojmë që kemi identifikuar shkaqet, më shpesh seç mendojmë, mund të kemi parë veçse pasojat.

Dallimi gjinor nuk bën të na e organizojë shoqërinë. Dhe, sa më shumë barazi, aq më pak dallime. Barazia shoqërore duhet ta përfshijë dhe ta nënkuptojë barazinë gjinore. Pa barazi, nuk ka dinjitet, por dominim e frikë, që do të thotë se nuk ka as liri. Barazia është vlerë: edhe pikënisje, edhe synim. Dinjiteti i grave e i burrave duhet të mbrohet e të respektohet njësoj.

Në vjeshtën e vitit 2008, pas krizës financiare me pasoja globale, në politikën botërore dhe marrëdhëniet ndërkombëtare kemi një rikthim të rolit të shtetit dhe kombit. Po nuk e kuptuam ne shqiptarët këtë gjë, do ta paguajnë shtrenjtë edhe brezat e ardhshëm. Shqiptarët janë një komb i fuqishëm por me shtete të dobëta (të Kosovës e të Shqipërisë). Bashkimi kombëtar nuk e ka kuptimin e një kombi të ri të bashkuar por e një shteti të ri të bashkuar për kombin.

Përderisa kishte mirëqenie të përgjithshme, lulëzonin organizmat e mekanizmat ndërkombëtarë, mirëpo porsa u cenua ajo mirëqenie secili popull e komb iu kthye shtetit të vet dhe kozmopolitanizmi nisi t’ia lëshojë vendin sërish nacionalizmave. Natyrisht, problemi është që edhe ai kozmopolitanizëm i mëhershëm ishte prej së larti (apo, siç thoshte me një rast një filozof francez: kur ta dëgjosh fjalën kozmopolit dije që një perandori po zgjerohet), por edhe ky nacionalizëm është përgjithësisht reaksionar meqë organizohet rreth dallimit kombëtar e lakmisë e jo çlirimit kombëtar dhe barazisë.

Shqiptarët në Ballkan nuk duhet të lejojnë as të shfrytëzohen si bedem mbrojtës i ‘Evropës së krishterë’ përpara ‘depërtimit të islamit nga lindja’ dhe as të përdoren nga ‘islamistët ekstremistë’ kundër ‘perëndimit të krishterë’. Sepse, pikë së pari, këso figurash që përbëjnë imagjinatën e ndarjes lindje-perëndim të fetarizuar janë ato të doktrinës së mbrapshtë të përplasjes së civilizimeve. Përplasja e civilizimeve është orvatje për kulturalizmin e më pas edhe fetarizimin e kundërthënieve socio-ekonomike e gjeo-politike (duke i depolitizuar ato).

 

 

Prishtinë, qershor 2013

 

Filed Under: Komente Tagged With: Albin Kurti, Kombi dhe feja

SEKTARIZMI QË POLLI NJË DORËHEQJE POLITIKE

July 1, 2013 by dgreca

Në instancë të fundit, këtë akt a gjest moral të z. Sali Berisha një ditë do ta vlerësojë historia e politikëbërjes shqiptare dhe jo kundërshtarët a edhe simpatizantët e tij të deridjeshëm që, ashtu padrejtësisht, ia kthyen shpinën./

Shkruan: Fadil LUSHI/

Të lexosh historinë e nocionit që llafos institucionin e dorëheqjes politike (shqiptare), nuk mjafton që të jesh politikan, historian, intelektual a diçka tjetër. Ky lexim kërkon diç më tepër, sidomos kur ke parasysh se ky koncept në spektrin politik shqiptar gjatë kohë  ka qenë një organizëm i vdekur. Se këtë do ta lexosh me syze me dioptri, se do ta lexosh me a pa tarafe, do ta lexosh mes rreshtash dhe me (jo) korrektesë dhe, së fundi, do ta lexosh me inate e me paragjykime, kjo fare pak ka rëndësi. Sot të dëgjosh një deklaratë, një kumtesë a një fjalim, qoftë ai të jetë edhe politik, nuk mjafton ta dëgjosh me vëmendje, nuk të mjaftojnë vetëm veshët. Me rëndësi është që ta kuptosh mesazhin që del nga ai shkrim a edhe nga mjeshtëria e gojëtarisë. Dhe, kur kjo nuk do të ndodhë, atëherë vetvetiu humbet raporti mes autorit dhe lexuesit, ndërmjet oratorit dhe dëgjuesit. E gjithë kjo të krijon përshtypjen se vështrimi mbetet thjesht arkaik, ndërkaq retorika do të konceptohet boshe…, ose, së fundi, është një diçka që i përngjan “thesit me kashtë”!

Në këtë vështrim timin të radhës nuk do të shkruaj për vakitë e 23 qershorit të motit 2013, nuk do të shkarravis as për fitoren e socialistëve, as për disfatën e demokratëve, as për zhgënjimin e kryeparit të Partisë Demokratike, nuk do të shkruaj as për lotët e gëzimit dhe ato të dëshpërimit, as për nocionet politike, siç janë: autoriteti, autoritarizmi (despotik), lidershipi…,“fundregjimi”. Nuk do të shkruaj as për nocionet abuzuese: stili i arrogancës politike, injoranca, diletantizmi, mendjemadhësia, diktatura, jotoleranca, egoizmi, provincializmi, egërsia…, nuk do të shkarravis as për mungesën e parimeve të lidershipëve (politikë), as për intuitën e mprehtë të votuesve që kësaj radhe ishte shumë para intuitës së elitës politike, në veçanti të atyre që deri dje kishin pushtet të pakufizuar, nuk do të shkruaj as për sharjet, për ofendimet, korrupsionin, për Gërdecin, 21 janarin e bulevardit, për fjalorin denigrues të kryeparlamentares, zonjës së nderuar Jozefina Topalli, nuk do të shkruaj as për votuesit dhe votat e tyre “…, që dikush sot me të (pa)drejtë i quan vota kopilësh, vota rospish, vota sakatësh, vota të verbërish, vota jetimësh, vota të burgosurish, vota që u shitën për lesh, vota të zhveshurish, vota të gocave të pamartuara, vota të meshkujve që nuk bëjnë seks e të tjera vota”!?…, nuk do të shkruaj për rotacionin politik që ndodhi në Republikën e Shqipërisë. Nuk do të shkruaj sepse të gjitha nocionet e lartpërmendura, lëre që “shkuan për lesh”, por pse kryekëput janë të anashkaluara, po edhe të harxhuara. Sikur edhe të shkruash këtë, ambienti publik, lëre që nuk do ta lexojë, po as që do ta pranojë si të tillë.

Historianët mund të thonë se institucioni i dorëheqjes politike daton që nga koha e qeverisjes së Ismail Qemal Bej Vlorës, kur ministri i tij, Mit’hat bej Frashëri, duke qenë i pakënaqur me rezultatet e asaj qeverie, braktisi postin që kishte. Kjo dorëheqje ishte konform natyrës së tij, sa politike, po aq edhe etike. E gjithë kjo ishte edhe një shembull a një leksion i tij për politikanët e ardhshëm se si duhet vepruar.  Ai ishte politikani i cili me këtë dorëheqje përcolli mesazhin se asnjeri nuk është dhe që as mund të jetë i abonuar për të qenë i përjetshëm në postin e lidershipit të partisë politike, po edhe në postin e kryeministrit. E gjithë kjo nderoi etikën e tij politike. Me të ikur nga ajo qeveri, ai pos që vazhdoi të bëjë punë të mençura, por edhe hezitoi ta lexojë përrallën që llafoste qëndrimet e tij politike. Një dorëheqje paksa (goxha e vonuar) më ndryshe u duk në kohën kur përfunduan zgjedhjet  parlamentare në Republikën e Shqipërisë. Këtë e bëri kryeministri aktual z. Sali Berisha. Gojëkëqijtë, po edhe ca kundërshtarë politik të tij, do të thonë se në ditën “fjalim-dorëheqjes” kinse u hetua agonia e tij politike, sa e mërzitshme, po aq edhe e sikletshme, u hetua dezertimi i tij politik, u hetua lodhja e tij, sa fizike po aq mentale…, kundërshtarët do të vazhdojnë të thonë se “fjalim-dorëheqja” ishte e mbushur plot e përplot me emocione dhe fare pak u dëgjua zëri i arsyes! Në fjalimin e tij u hetua edhe një “gafë politike a shprehje e thënë fare pa vend”!…, ai në asnjë paragraf të tij nuk fajësoji bashkëpunëtorët e tij sa ipërket disfatës së thellë që përjetoi partia e tij. A mos vallë ishte një modesti e tij e tepruar apo një modesti e rreme, a mos vallë deklarata e tij e dorëheqjes nga posti i lidershipit nuk ishte një qëndrim a shfaqje politike sektare apo edhe diç tjetër!?

Mbështetësit politikë të z. Sali Berisha do thonë me plot gojën se nëse je i paanshëm, atëherë duhet të thuash se kryeministri i nderuar dhe i çmuar, vazhdoi promovimin e idesë së institucionit të dorëheqjes politike, duhet të thuash se ai ishte politikani i radhës që iu ngjit listës së politikanëve shqiptarë që respektuan institucionin në fjalë. Sot, ta ironizosh, ta dehumanizosh, ta deemanciposh, ta nëpërkëmbësh, ta përqeshësh, ta keqinterpretosh dhe ta keqkuptosh dorëheqjen e doktorit (po edhe të ndonjë politikani tjetër shqiptar) nga posti i lidershipit të Partisë Demokratike, do të thotë ta abuzosh filozofinë dhe etikën e institucionit: braktisje a dorëheqje politike e vullnetshme (pa porosi a me urdhër). Tekefundit, ky gjykim i matur dhe ky leksion i avancuar politik i z. Berisha, ose kjo “ikje” nuk është vetëm një shprehje e lirë e tij, por është edhe një guxim politik që në spektrin politik shqiptar dhe përreth tij zgjoi kureshtje të veçantë, aq më tepër kur ke parasysh se dorëheqjet e vullnetshme të lidershipëve shqiptarë gjatë kohë kanë qenë tabu temë. Kjo dorëheqje do të rrumbullakohej sikur të ishte kolektive, gjegjësisht largim kolektiv i të gjithë atyre politikanëve që ndërtuan po edhe shembën imazhin e partisë politike në fjalë!? Se e gjithë kjo “dorëheqje” ishte histori apo çast “histerie”, këtë do t’ia lëmë ta thonë të gjithë ata që ishin dëshmitarë të asaj vakie!

Të heqësh dorë nga institucioni që e udhëheq, assesi nuk do të thotë të ndërrosh mendje, bajrak a edhe identitet. Të heqësh dorë nga institucioni nuk do të thotë se do të shkelësh mbi parimet e moralit demokratik, përkundrazi është një gjest a një akt i guximshëm dhe assesi “falimentim” politik. Në instancë të fundit, këtë akt a gjest moral të z. Sali Berisha një ditë do ta vlerësojë historia e politikëbërjes shqiptare dhe jo kundërshtarët a edhe simpatizantët e tij të deridjeshëm që, ashtu padrejtësisht, ia kthyen shpinën.

Filed Under: Komente Tagged With: Fadil Lushi, politike, qe polli doreheqjen, sektarizmi

“Mea culpa” e Berishës, dhe si mund të “Rilindësh” saktë nga dy mami

June 30, 2013 by dgreca

Nga Rafael Floqi/

Berisha pranoi se nuk mundi të arrinte të realizonte  ëndrrën e tij të liderit që e bëri Shqipërinë një vend të zhvilluar evropian, ndërsa Rama pohoi se ai u çlirua nga paranoja e tij e vdekjes se ai do të ketë mundësi të zërë një vend në histori.  Jemi përpara një humbje të thellë të PD-së.  Është nga ato vota, masive që nuk të lë të krijosh iluzione për karakterin e votës së shqiptarëve.  Dikush thotë se Berisha, humbi për shkak të rrotacionit, dikush nga të pakënaqurit e Berishës brenda PD-së, dikush për shkak të autarkizmit, apo të arrogancës së PD-së, për shkak të mungesës së demokracisë, apo korrupsionit, një tjetër. Mund të jenë këto apo dhe të tjera, por unë do të theksoja elementet psikoanalitikë të personalitetit të dy liderëve.

PD humbi për shkak të projeksionit të personalitetit të Berishës në ëndrrën e tij evropiane, për një Shqipëri evropiane. Ndërsa Rama tashmë. siç pohonte vete në një intervistë të dhënë në 23 qershor për prestigjiozen franceze “Le Courrier des Balkans” fitoi se kërkon të lerë një emër në histori. Dhe në emfazë pohoi paranojën e tij nga vdekja tok me delirin e tij të madhështisë “Kam një problem me vdekjen. Vjen nga fakti që jam një artist. Kam një problem me vdekjen dhe me historinë. Dua të lë një emër. Nuk më intereson për të tjerat. Bëj politikë për të luftuar idenë e vdekjes.”

PD  humbi për shkak se ëndrra evropiane e Berishës,( ai ka pohuar se nuk sheh ëndrra gjatë natës ) ishte makro dhe madhështore, por duke bërë këtë ai harroi mikron.  Mikromenaxhimin e elementeve të jetës së ekonomisë të njerëzve, ku kriza ekonomike kish futur kthetrat e saj. Ai humbi ndër të tjera edhe pse nuk kuptoi, nëse një shoqëri nuk ndihmon shumicën e varfër, atëherë ajo nuk ndihmon edhe të pasurit.

Berisha nuk ka ditur t’i shmangë krizat, madje  i krijonte apo i krijoheshin, dhe vetëm pastaj përpiqej t’i menaxhonte. Kriza e Piramidave e vitit 1997 është dëshmi për këtë. Berisha i toleroi piramidat me idenë se krijonte bollëkun, iluzionin e liderit që të linte një mesazh të madh në histori. Dhe piramidat po të kujtoni ndodhën pas udhëtimit të Berishës në Malajzi dhe në Brunei. Ai ndjeu se me ndonjë rrugë informale mund te krijonte, bumin ekonomik  dhe dështoi, për vetë modelin që krijoi, apo dhe për rrethana të tjera. Burimet e pastrimit të parave të u prenë, dhe Gjallica e Sudja e te tjera ranë dhe ndodhi ajo që ndodhi. Le të thotë, si të dojë Berisha, por ai asnjëherë nuk ka qenë sinqerisht i qartë në ndjesën për atë që ndodhi.  Dhe shkaku pse kjo ndodhi, lidhet me dëshirat e tij për të lënë një gjurmë pozitive në Historinë e Shqipërisë. Por për të gjykuar berishizmin mund ta gjykosh nga anti- berishizmi dhe nga miti negativ për Berishën që armiqtë e tij të shumtë kanë në mendje.

Por a votuan shqiptarët më shumë kundër rizgjedhjes të Berishës, apo votuan për një shpresë ekonomike me të mirë? Ai ishte ky basti i fundit i tij?

Në fakt, Berisha mori përsipër vetë të gjitha madje dhe humbjen.  Ministrat dhe deputetët munguan në gjithë fushatën e tij. Rizgjedhja ishte sfida e tij dhe sfida e moshës së vet. Sado të duket paradoksale, lind pyetja: A u mund i anatemuari Berisha nga opozita, apo u mund nga populli?

A u mund ai nga rrotacioni politik, si konsum moral,  apo nga epitetet për të, si “gjysh”, megjithëse energjia e tij ishte e pashtershme,  dhe ata që do të vijnë, edhe pse të rinj nuk kanë së bashku as gjysmën e energjisë së tij.

Vetë Berisha, pat thënë në një intervistë duke qeshur se ai ka rënë nga kali dhe përsëri është ngritur. Dhe në qoftë kjo rënia e tij e fundit, edhe pse ende ka takat, nuk ka kohë të ringrihet. Socialistët kërkuan me ngut që ai t’i njihte zgjedhjet. Ndërsa ai i qetë po priste përfundimet, edhe pse tendenca fliste ndryshe.  Ai kishte humbur…

A pat humbur ai kontaktin me realitetin duke ndjekur imazhin e vet, apo ishte i kthjellët . Berisha me “mea culpa-n” e tij, sërish prapë pohoi se “kjo ka qenë fushata më e mirë që ka bërë” . Mundet po me shumë pak rezultat.

Natyrisht puthadorët dhe sahanlëpirësit  brenda partisë  nuk mundën ta ftillonin. Ai i besonte më shumë personalitetit  të vet, sesa ideve  të enturazhit e të këshilltarëve.  Kritikët dashamirë të partisë u eliminuan.  Zërat ndryshe, si:  Selami Xhepa apo Mark Marku, nuk u rikandituan, habi është mos kandidimi  i juristit Ilir Rusmaili, ende ka pikëpyetje. Mos Berishës, zelli i tij për të dalë në televizion iu duk si karshillëk, apo i mos i dukej Josefinës?  Kohët e fundit dhe i larguari Aleksander Biberaj u rikthye për të sfiluar për kryesinë e PD. A do të pranohen dhe të tjerët? A është në gjendje PD-ja të funksionojë pa Berishën dhe hijen e tij? Pse vetëm tani që Berisha që po kërkon të gatuajë portretin e dishepullit të vet në PD, flet për rregullin demokratik “një votues një votë”?  Pse do të duhej kjo humbje katastrofale për të kuptuar atë, që Berisha  s’mundi të zbatonte dot nga Makiaveli, edhe pse diti dhe shfrytëzoi shumë nga mekanizmat e tij të ruajtjes së pushtetit. Berisha pati dhe ka dhe një të metë të madhe, nuk diti të delegojë, nuk krijoi një ekip pasues, nuk gjeneroi një brez të ri për partinë. Ashtu si Dashamir Shehu pohonte në një debat disa ditë me parë se “në PD ishte Berisha , ishin 100 vende bosh dhe pastaj vinin të tjerët”.

Mendja e tij, që e majta e quan djallëzore, autoritare dhe që i frikësohet edhe sot atë edhe kur Berisha është e mundur, nuk mundet të punojë ndryshe.  Berisha humbi se ai luajti për veten dhe jo për partinë e vet.

Ai nuk diti të kuptonte se imazhi i ndryshimit të zgjedhjeve të 2005, KOP-i, nuk u sendërtua si normë në PD. Ndoshta Berisha filloi t’i druhej më shumë hyrjeve të reja, sesa xhaketave të vjetra të PD-së, të cilët i pranonte mjaft që të pranonin pushtetin e vet. Çfarë i sollën Imamët dhe Cekat partisë ? Në fakt, çdo skizmë brenda PD-së dështoi të konsolidohej. Ai i mundi dhe si të mundur i futi në vathën e vet. Por kjo forcë e karakterit të tij, që mbante partinë ishte dhe një makth për të majtën.

“Për fat, shkruante një analist, nga ata që janë paguar për të nxirë çdo gjë kundër Berishës, “, mosha e tij, nuk do t’i lejojë amnezisë legjendare të shqiptarëve që ta rikthejë në pushtet. Ai që përçau shqiptarët, që zgjidhjen e konflikteve e bënte duke ngjizur të reja, që luante pamëshirshëm me instinktet më të ulëta, që ngjallte ambiciet më të zeza, që promovonte njerëzit e deformuar dhe me mbështetjen e tyre qeveriste, që shfrytëzonte dobësitë për t’i përdorur, tashmë nuk do jetë më dhe nuk rrezikon të rikthehet.”  Por ai bëri atë që e majta nuk e ka bërë , pranoi  Mea Culpa, kjo e lartëson a të moralisht më shumë se dyshja e batalionit e  “Rilindja” me komandant Ramën, dhe komisar Metën  “.

“Dy mami e nxjerrin çyryk fëmijën”, thonë. Por a mund të vijë Rilindja nga dy mami si PS dhe LSI kur i ndan në mes një kurban?  Kjo është  një pyetje që lind natyrshëm dhe shpjegon atë pse e majta edhe sot shpreh një gëzim të përmbajtur. Me gjithë 16 votat e Metës, diversioni i përhershëm që e mbajti të majtën të përçarë, i rri si shpata e Damokleut për koalicionin. A mund të ketë një përçarje të ardhshme mes tyre. Ambiciet janë aty. Meta garanton, por nuk besohet.  Atij PS nuk i beson se ai ka kaluar shpesh herë ylberin. Ndaj dhe gëzimi është jo aq i shfaqur . Meta më së fundi deklaroi se kryeministri i takon PS-së dhe se ai do të marrë vendin e spikerit . Nëse do të jetë kështu nga pikëpamja pragmatiste, çka do të fitojë Meta më shumë nga aleanca “e natyrshme “me PS-në, sesa fitoi nga ajo “e panatyrshme” me PD-në.

Nga ana tjetër, vetë anëtarët e koalicionit duhet ta lexojnë me kujdes dhe modesti fitoren. Përmbysje të tilla, para së gjithash vijnë për shkak të mbingopjes nga një qeverisje, dhe jo prej programeve ose shpresës që ngjallin të ardhurit  rishtas.   Shqiptarëve iu mërzit Sali Berisha dhe  riciklimi i tij, më shumë  sesa keqadministrimi i qeverisë. Ajo që është e sigurt, ka lidhje me faktin, se vota “pro” opozitës, vjen  para së gjithash nga refuzim i Berishës, sesa nga ndonjë parapëlqim i ngjyrës “mavi”.

Shqiptarët presin që dyshja Rama – Meta, t’iu tregojë se janë diçka ndryshe, nëse janë të paktën mami të kujdesshme.  Fuqia e LSI si një parti që mori më shumë vota “pse të fut në punë” do të bjerë shpejt pasi nuk janë të mundur të punësohen të gjithë ata zgjedhës.  Çelësi për të kuptuar humbjen e fitoren e këtyre zgjedhjeve lidhet me të kuptuarit  pse fitoi LSI-ja. Pasi niveli i përqindjes të votës së PS-së është po ai rreth 41%. Këtu lind pyetja a do të ketë një mandat të plotë katërvjeçar. Apo kriza më shumë se fuqia e opozitës së re do të paraqesë zgjidhje të reja. Shumë nga premtimet populiste të opozitës para zgjedhjeve lokale do të jenë dëshmuara se ishin vetëm mashtrime elektorale. Pasi ekuacionit me shumë të panjohura të programit populist të PS-së, të cilës as dhe ekonomistët e PS-së nuk mund t’ia bëjnë provën.

 

Megjithatë se çfarë do që të bëjnë socialistët, nuk mund ta largojnë Berishën nga historia. Ajo  kujton shpesh se veprat e mëdha dhe gabimet e mëdha i bëjnë ata që janë autoritarë dhe ndjekin vizionin e tyre. Berisha bëri rrugë dhe tunele si Ajzenauri në SHBA që krijoi boom-in ekonomik të pas luftës në SHBA, por i duhej dhe pak kohë.  Shihni, gazsjellësi TAP u miratua edhe me lobimin e Berishës.  Por gjatë mandatit të dytë qeverisja e Berishës ra më shumë  viktimë e vet projeksionit të tij në histori, dhe krizës ekonomike botërore, sesa e autoritarizmit të tij . Gjatë kësaj kohe  Berisha u mor më shumë me idenë e vet, sesa me hallet e njerëzve për një jetë më të mirë, shëndetësi, arsim dinjitoz. Këto qenë pikat e dobëta që opozita i kapi dhe ato i dhanë asaj fitoren. Ai mendoi me të drejtë se veprat e mëdha do të sjellin begati ekonomike, por për zgjedhësin e thjeshtë është me e prekshme  shtrimi falas në spital, sesa koha që do të fitojë nga tuneli i Elbasanit. Por megjithatë ka mundësi që premtimet që i sollën opozitës së majtë fitoren mund t’i sjellin edhe asaj rënien.

Dyshja e majtë që do të qeverisë vendin në katër vitet që vijnë, rrënjët i kanë në vitin e trazuar ‘90-të. Janë pjesëmarrës aktivë të ngjarjeve të kohës, rrjedhimisht kanë gjithë virtytet dhe veset e saj. Kurbani i Ramës e ilustron këtë.  Por tani qeveria e së majtës i ka gjithë shanset të mos t’i zhgënjejnë të qeverisurit e tyre. Por a do të dinë të bashkëjetojnë, pasi Rama psikologjikisht priret drejt ndarjes ?

Votuesit shqiptarë e bënë zgjedhjen. E kanë bërë detyrën e tyre. Po presim që të rinjtë .” e vjeter” te ardhur në fuqi, do të dinë të ngrenë një shtet me fytyrë njerëzore dhe në shërbim të shtetasve, një administratë profesionale dhe të karrierës, drejtësi të pavarur. Por kjo më shume se një asfiksi e pushtetit të demokratëve, është rezultat i demoniakizimit të figurës së Berishës nga propaganda e majtë. Vetëm disa dalje televizive në fund të fushatës nuk zbuluan dot anët njerëzore të tij. Rama në fjalën e tij u tregua kalorësiak ndaj Berishës. Premtoi se nuk do të ketë hakmarrje ndaj zgjedhësve dhe mediave, të paktën kështu kanë deklaruar. Por a mund t’u besosh,  Metës me video korrupsioni qoftë dhe të montuar, apo Ramës që largoi nga Partia gjithë detashment e mendimit ndryshe, dhe mbajti vendin për një vit jashtë mundësisë për kandidimin në BE, ai se ka hedhur poshtë ende librin “Kurban”.

Në fakt fitorja e arritur nga Aleanca e Majtë është një goditje për politikanët që kanë qeverisur deri tani. Ky është një proces demokratik ,ku ka fituar shumica e cila tashmë i takon edhe të qeverisë për katër vitet e ardhshme.  Duke u ndalur tek sfidat e integrimit, një vend kandidat duhet që qeveria t’i plotësojë me rigorozitet të gjitha këto kërkesa, pa zvarritje dhe mungesë vullneti nga të gjitha palët. Votuesit kanë dhënë votën për ata (të majtët) dhe tani është koha që ata të dëshmojnë se sa janë në gjendje t’u përgjigjen premtimeve të tyre dhe të qeverisin në respekt të votës së zgjedhësve. Pra të shohim në vitet në vijim se sa ata mund të bëjnë më mirë ose jo në qeverisjen e vendit. Tani ata kanë shansin që në muajt dhe vitet e ardhshme të tregojnë se çfarë janë në gjendje të bëjnë. Sfidat që ka përpara Shqipëria janë të shumta.  Kjo do te varet se sa opozita do dijë të zbatojë mësimin e J.F. Kenedit “Detyra jonë nuk është të rregullojmë duke fajësuar të kaluarën, por të rregullojmë kursin e së ardhmes.”

 

Filed Under: Komente Tagged With: analize per humbjen e berishes, Rafael Floqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 459
  • 460
  • 461
  • 462
  • 463
  • …
  • 486
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DASHURIA NDAJ ATDHEUT – THEMEL I NDËRTIMIT DHE ZHVILLIMIT TË SHTETIT
  • THE SPHERE (1929) / HISTORIANI GJERMAN, FRANZ BABINGER : “VIZITA IME TEK DERVISHËT E KRUJËS, NJË KOMUNITET I JASHTËZAKONSHËM…”
  • Njoftim publik nga Shoqata Malësia e Madhe – NY
  • “Gjergj Kastrioti Scholarship Fund”
  • Gazeta “Shqiptari i Italisë”
  • KONSULLATA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS NË SHTUTTGART SHËNOI DITËN E PAVARËSISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE PËRURIMIN E HAPËSIRAVE TË REJA TË KONSULLATËS
  • “SKËNDERBEU SHQIPJA QË NDALOI PERANDORINË OTOMANE” E AUTORËVE ITALIANË: ALDO DIOMEDES DHE CLAUDIO DI GIÁ
  • KANDIDAT PËR KËSHILLIN BASHKIAK NË LEWISVILLE, TEXAS, ADRIAN DOKO: “SHQIPTARËT JANË SHEMBULL I INTEGRITETIT, FAMILJES DHE UDHËHEQJES”
  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT