• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ÇFARË KËRKON SHOQATA “BREGDETI “ NGA SOVRANI.

June 28, 2013 by dgreca

Nga Kryesia e Shoqatës “Bregdeti”/

 Në zgjedhjet e datës 23 Qershor 2013, sovrani vendosi rotacionin e pushtetit. Por cili është sovrani i vërtetë: populli apo personi që do drejtojë pushtetin pasi i fiton zgjedhjet ? Drejtuesit e politikës shqiptare kanë quajtur Sovran popullin, por populli është i tillë vetëm në ditën e votimit. Rrjedhimisht për katër vjet pa një ditë “Sovrani” është ai që drejton pushtetin. Kështu është kudo, por gjithçka për popullin përcaktohet se si drejton dhe si sillet personi i zgjedhur me parimet themelore. Nuk ka Sovran,  popull apo qytetar të ndershëm, që nuk e do pronën e tij të trashëguar. Nëse filozofinë e lirive dhe të drejtave të njeriut do ta koncentronim në një fjali të vetme, ajo do të ishte  respektimi i pronës private prej nga burojnë të gjitha liritë dhe të drejtat e njeriut.

Për këto katër vjet në vazhdim në drejtim është z. Edi Rama, Partia Socialiste dhe koalicioni për Shqipërinë Europiane që fitoi shumicën e votave. Fakti se procesi i votimit dhe pranimi i rezultateve u bënë të pranushme sipas modeleve demokratike perendimore, është një hap i rendësishëm se u plotësua një prej kërkesave të  BE të shprehura prej Komisionerit Fyle, por kjo nuk do të thotë se tani Shqipëria plotësoi kushtet që të pranohet vend kandidat në BE. Këtë moment duhet ta analizojnë mirë media dhe analistët politikë dhe ekonomikë, që gjithë këto ditë po komentojnë gjatë në media, pa i dhënë vëmendjen e duhur pronës.

Shqipëria në 1991 përmbysi diktaturën komuniste shfuqizoi kushtetutën komuniste të vitit 1976 dhe me kushtetutë pranoi sistemin demokratik, por në këto 22 vjet nuk populli nuk është në rrugën e demokracisë sipas modeleve euroatlantike. Të gjithë njerëzit, por në mënyrë të veçantë Kryeministri i ri z. Edi Rama dhe kryeministri në largim z. Sali Berisha, duhet të kuptojnë se pa kthyer pronën tek i zoti, nuk ka pranim në BE dhe ky tranzicion i zgjatur është përgjegjësia e të gjithë atyre që kanë drejtuar Shqipërinë në këto 22 vjet.  Sali Berisha humbi për shkak të gabimeve të tij, të qëndrimit negativ ndaj pronarëve dhe të përndjekurve politikë. Berisha duhet ta ketë kuptuar se ka gabuar rëndë duke imponuar zbatimin e platforms së Katovicës, se i trajtoi pronat e konfiskuara nga komunizmi si prona në funksion të qeverisë dhe kështu  instaloi korrupsionin me pronat me pasojat që janë të njohura si dhe nuk i dëgjoi asnjëherë kërkesat e legjitime të pronarëve. Tani i takon z. Edi Rama që ta administrojë mirë votën, që ti japi fund kleptokracisë mbi pronat që kanë zot dhe të heqi pengesat për Shqipërinë.

Ndryshimi themelor midis dy sistemeve është qëndrimi ndaj pronës private. Situata e pronës private në zonës turistike denoncon faktin se komunizmi, që dhunoi pronën private për 45 vjet,  në zonat turistike mbijeton në kaos, kleptokraci edhe në mungesë të shtetit ligjor. Eshtë absurde situata aktuale ku Perfekti i Qarkut Vlorë, nuk zbaton ligjet në fuqi, përfshi dhe detyrimin ligjor për verifikimin e titujve të pronësisë. Janë me mijëra vendime gjykatash të formës së prerë që nuk zbatohen nga Përmbarimi dhe kulmi arrin kur nuk zbatohen as vendimet e Gjykatës së Strasburgut. Kjo situatë nuk mund të ndodhte as në kohën e monizmit.

Në Shqipëri, populli/elektorati,  i të dy krahëve është i ndershëm dhe historikisht e ka respektuar me rigorozitet pronën private. Situata sot është shumë më keq se në kohën kur zbatohej e drejta zakonore,  kanuni apo Kushtetuta e Shkodrës e shekullit XIV, që nuk lejonte që njerëzit të ushqehen me bukë të vjedhur. Në këto 22 vjet pluralizëm politik, është nxitur me të gjitha mënyrat dhe është krijuar një sistem hibrid kleptokratik, ku korrupsioni mbrohet dhe rezulton më i fuqishëm se detyrimet e pushtetit për të zbatuar ligjin dhe detyrimet kushtetuese. Kjo ka dëmtuar  të gjithë popullin, si elektoratin e djathtë dhe të majtë por ju ka interesuar kupolave që quhen parti. Ato pavarësisht nga emërtimet nëse analizohen nuk janë parti por klane që kanë adaptuar fasadën demokratike dhe disa norma të ekonomisë së tregut, që detyrimisht në zbatimin praktik deformohen. Kjo situatë alarmante shtron si për kryetarin e maxhorancë edhe atë të opozitës si detyrë urgjente reformimin e forcave politike të të dy krahëve që ato të bëhen realisht parti të spektrit demokratik, që nuk pajtohen me vjedhjen në emër të ligjit dhe njëkohësisht ta pranojnë detyrimin të respektojnë pronën private konform Kushtetutës dhe konventave ndërkombëtare.

Që të minimizohen pasojat e këtij menaxhimit të keq të demokracisë në Shqipëri, duhet që ambasadorët e e BE, OSBE, USA të vlerësojnë se praktika e zbatuar deri tani që pronarin e konfiskuar nga diktatura e quan ishpronar dhe pretendon zgjidhjen e problemit të pronës me kompensim, është rrugë e gabuar me pasoja për vendin. Në këtë pseudodemokraci 22 vjeçare, që nuk i ka respektuar deryimet kushtetuese për pronën private kanë ndikuar negativisht sygjerimet e gabuara të Bakës Botërore, sygjerimet apo spekullimet e ekonomistit Henando de Soto, etj. Ne nuk mund të kuptojmë pse studimi i Hernando De Sotos, nuk është bërë dhe nuk bëhet publik por trajtohet si material rezervat (?!). Të gjitha pasojat vazhdojnë të bien mbi ekonominë dhe popullin që i shkelen të drejtat themelore. Do të ishte ndihmë në kohën e duhur nëse ambassadorët do të vepronin tani  që drejtuesi i maxhorancës dhe ai i opozitës të pranojnë se forcat politike që ata drejtojnë, kanë vepruar gabim me pronarët e shtetëzuar nga diktatura, se problemi i pronës nuk zgjidhet me Planin e Aprovuar , me ligje elektorale dhe kompensime por zgjidhet duke zbatuar parimet dhe detyrimet kushtetuese. Drejtuesi i maxhorancës dhe ai i opozitës duhet të pranojnë se nuk mund të ecet përpara me dy standarde, se shtetasit kanë të drejtë ta gëzojnë me të njëjtin standard pronën si në mal edhe në fushë edhe aq më tepër në zonat turistike, ku pushtetarët e të dy krahëve kanë bërë si ju ka interesuar.

Rruga Europiane ka si parakusht kthimin e pronës tek i zoti dhe nëse kryetari i maxhorancës dhe ai i opozitës dëshirojnë të punojnë në interes të popullit dhe të vendit kjo realizohet menjëherë nëse ata do ti reformojnë partitë e tyre.

Kryesia e shoqatës “Bregdeti”  është e bindur se në Kuvendin e porsazgjedhur se në të dy krahët e politikës shqiptare ka njerëz të aftë, patriotë dhe të zotë për ta çuar vendin përpara dhe një nga konsensuset Rama-Berisha që duhet të pranohet nga të dy krahët, duhet të jetë : kthimi i pronës si detyrim i shtetit, hapja e arkivave, shfrytëzimi i regjistrave të shtetëzimit komunist dhe i cdo burimi tjetër dokumentar për kthimin e pronës në origjinë, duke respektuar nenin 181 të Kushtetutës, shpalljen e pavlefshmërisë për aktet me të cilat shteti pluralist pas vitit 1991, shpërndau në persona të tretë pronat të cilat nuk ishin prona të shtetit, por prona që Shteti duhet ti kthente tek i zoti. Duke çliruar pronën private dhe pronën shtetërore nga pushtimi postkomunist, Shteti ka mundësi të kompensojë për pronat që janë tjetërsuar për nevoja publike dhe përsëri për Shtetin mbeten shumë sipërfaqe toke që të organizojë ekonominë shtetërore.

Kryesia e Shoqatës “Bregdeti” shpreh urimet për bllokun e majtë që fitoi zgjedhjet dhe siç ka ofruar zgjidhjen ligjore për problemin e pronës, do të jetë e gatëshme të ofrojë ndihmën në terrren për zgjidhjen optimale  të pronës pa të cilin ekonomia, turizmi, investimet e huaja private dhe stabiliteti social mbeten të reduktuara dhe të deformuara.

Filed Under: Komente Tagged With: Cfare kerkon, nga Sovrani, shoqata Bregdeti

Engel vlerëson zgjedhjet në Shqipëri -demokratike, të lira dhe të suksesshme!

June 27, 2013 by dgreca

Shqipëria tregoi edhe një herë se është një demokraci e begatë, e gatëshme për të marrë statusin e vendit kandidat anëtarësimit në Bashkimin Europian, thotë kongresmeni nga Nju Jorku, Eliot Engel në deklaratë/

WASHINGTON D.C: Kongresmeni Eliot Engel, kryetar i grupit demokrat në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, i quajti zgjedhjet në Shqipëri të, lira demokratike dhe të suksesshme duke thënë se Shqipëria tregoi edhe një herë se është një demokraci e begatë, dhe se të gjithë shqiptarët janë krenarë për këtë. Ndërsa, uroi dy liderit kryesorë në këto zgjedhje, premtoi se ai do të mbetet një mik i mirë i shqiptarëve në Kongresin Amerikan.
Me anë të një deklarate, lëshuar sot një ditë pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, Kongresisit Eliot Engel fillimisht uroi kreun e socialistëve në Shqipëri, Edi Ramën dhe koalicionin socialist për fitoren dhe tha se pret të punojë me qeverinë e ardhshme, ashtu si ka punuar edhe në të kaluarën.

“Me zgjedhjet e saj të suksesshme, thuhet në dekleratën e kongresistin Engel, Shqipëria ka treguar edhe njëherë se është një vend me demokraci të begatë. Unë, thekson ai përgëzoj Edi Ramën dhe koalicionin socialist në fitoren e tyre që ata të ecin përpara për të punuar me qeverinë e re. Udhëheqësit politikë të Shqipërisëdhe populli, kabineti ministror i ardhshëm dhe anëtarë të opozitësnga i gjithë spektri politikduhet të dinë se Kongresi amerikan qëndron krah për krah me Shqipërinë. Ju keni dërguar një mesazh të qartë Bashkimit Evropian që ju jeni gati për të marrë statusin e vendit kandidat; dhe se marshimi juaj drejt anëtarësimit në BE vazhdon, ” thuhet në dekelratën e kongresistit demokrat nga New Yorku, Eliot Engel.
Zoti Engel gjithashtu falënderon Kryeministrin Sali Berisha për shërbimin e tij ndaj vendit. “Shqipëria, thekson ai ka bërë hapa të mëdha përpara gjatë qëndrimit të tij në këtë post, duke përfshirë edhe anëtarësimin në NATO, dhe unë i uroj atij gjithë të mirat mirë për të ardhmen,”. Eliot Engel, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan në deklaratën për mediat shprehet se “Unë do të doja tëfalënderoj Kryeministrin Sali Berisha për shërbimin e tij ndaj kombit të tij. Shqipëria, ka bërë hapa të mëdha përpara gjatë qëndrimit të tij, duke përfshirë edhe hyrjen në NATO-n, dhe unë i uroj atij ditë më mira për të ardhmen”.

Në fund miku i madh i shqiptarëve në Kongresin amerikan thekson se :”Si bashkë-kryetar i Komitetit për Çështjet Shqiptare, shqiptarëtmund të llogarisin në mbështetjen time të vazhdueshme edhe në rrugën e tyre historike; ku pak vendenë botë kanë lëvizur në mënyrë të shpejtë si Shqipërianga një vend me jodinjitete një sistem totalitar për në një vend me dinjitetin dhe premtimin se ka për të bërë Shqipërinë, vendin e një demokracie të lulëzuar, për çka të gjithë shqiptarëtkanë shumë për të qenë krenarësot, thotë në dekleratën e tij kongresisti demokrat nga New Yorku, Eliot Engel kryetar Grupit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan, /Beqir SINA/

 

Filed Under: Komente Tagged With: Eliot Engel, ne Shqiperi, vlereson zgjedhjet

A MUND TË KETË NDRYSHUAR DIÇKA NË SHQIPËRI?

June 27, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Qe edhe zgjedhjet parlamentare shumë të pritura të 23 qershorit, 2013 në Shqipëri erdhën e shkuan.  Fitoi aleanca e majtë e kryesuar nga Partia Socialiste.   Koalicioni i majtë  ka marrë 84 mandate deputetësh, ndërsa koalicioni i djathtë ka siguruar 56 mandate në Kuvendin e ri të Shqipërisë, që fillon nga puna në Shtator.

Kryeministri i deritanishëm, Dr. Sali Berisha dhe njëherzi edhe personi që dominoi politikën shqiptare gjatë 20-vjetëve të kaluara, pranoi burrërisht humbjen, mori vet përgjegjësinë për ‘të dhe njoftoi se do të tërhiqet nga funksionet e Partisë Demokratike.  Duke folur dje nga selia e partisë së tij, në një fjalim emocional, kryeministri Berisha tha se, “Qytetarët tanë votuan me shumicë projektin e kundërshtarit tonë”, dhe uroi kundërshtarin e tij politik, Zotin Edi Rama për fitoren e tij me fjalët: “Duke njohur rezultatin, i uroj atij punë të mbarë.”

Edhe fituesi i zgjedhjeve dhe kryeministri i ardhëshëm Edi Rama, në fjalimin e tij të fitores, njohu kontributet e kundërshtarit të tij politik, Kryeministrit Berisha, për të cilin tha se, “Më ka qëlluar të them deri dje edhe fjalë të papëlqyeshme për paraardhësin tim, siç edhe ai ka thënë jo pak për mua.  Kjo ndodh në betejën politike, por ndodh edhe më shumë në demokracitë e pazhvilluara si e jona, ku pushteti i popullit degradon rëndom në shfaqjen e pushtetit të një njeriu.  Por, sonte unë dua ta falenderoj atë për çdo gjë të mirë që historia, mbase mund ta vlerësojë nesër me një objektivitet më të madh se timin sot, dhe i uroj gjithë të mirat në jetën e tij private në vazhdim”.

Duke qenë dëshimtarë të këtyre deklaratave qytetëruese midis dy politikanëve  kryesorë shqiptarë pas një fushate tepër të ashpër midis tyre,  përfituan nga rasti dhe reaguan shpejtë edhe ndërkombëtarët, të cilët përgëzuan koalicionin e majtë për fitoren dhe vlerësuan punën e Kryeministrit Sali Berisha për tetë vitët e qeverisjes së tij.  Komisioneri i Baskimit Europian për Zgjërimin, Z. Stefan Fyle përgëzoi koalicionin a majtë që fitoi në zgjedhjet e së dielës duke thënë se pret që qeveria e ardhëshme do të vazhdojë të zbatojë reformat e  nevojshme për të çuar përpara procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.   Duke folur për arritjet e qeverisë Berisha, përfaqsuesi europian tha se, “Tetë vitet e kaluara kanë qenë një periudhë  reformash të rëndësishme dhe të rritjes ekonomike.  Shqipëria ka arritur përparim të dukshëm në rrugën e integrimit evropian.   Liberalizimi i vizave, si dhe rekomandimi i Komisionit Evropian për statusin e kandidatit janë dëshmi për këtë, tha ai.  Stefan Fyle tha  gjithashtu se megjith sfidat e shumëta me të cilat përballet sot Shqipëria,  “Kjo është koha që shqiptarët të shikojnë përpara me besim, të bashkuar, drejt të ardhmes së tyre evropiane”, ka thënë Fyle.

Edhe Shtetet e Bashkuara reaguan nepërmjet ambasadës së tyre në Tiranë, me të njëjtin ton, duke përgëzuar shqiptarët për pjesëmarrjen e madhe në zgjedhjet e të djelës që kaloi, dhe njëkohsisht u bëhet thirrje udhëheqësve shqiptarë, që pas formimit të qeverisë së re të riangazhohen për thellimin e reformave që nevojiten për integrimin europian të vendit.  Ambasada amerikane në Tiranë, në emër të Uashingtonit zyrtar falënderon Kryeministrin në largim, Z. Sali Berisha, duke vlerësuar mbështjetjen e tij qëndrueshme për marrëdhënjet e ngushta midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë. 

Humbja në politikë  nuk është kurrë e këndshme, për askënd.  Por maturia dhe profesionalizmi politik, e pse jo edhe burrëria shqiptare, e treguar kësaj radhe nga dy forcat kryesore të vendit, kanë tërhequr vëmendjen e shumë vërejtësve, si diçka shumë pozitive për politikën shqiptare, diçka që nuk është venë re në zgjedhjet e më parëshme, të cilat gjithmonë kanë qenë të kontestuara nga humbësi, ose humbësit.    

Deklaratat pasqyruan një atdhedashuri që, të pakën, tani për tani, duket se  tejkalon interesat vehtjake e partiake.  Një atdhedashuri e thjeshtë, e pa bujë, por një atdhedashuri që i sjellë  Shqipërisë dhe kombit shqiptar dobi, tani dhe në të ardhmen.  Në këtë moment të historisë së kombit shqiptar, këjo është edhe një dëshirë edhe e të gjithë shqiptarëve të përhapur anë e mbanë botës, përfshirë edhe diasporën e fortë dhe urë-lidhëse me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin strategjik të kombit shqiptar.  Megjithëse larg Atdheut, dhe për arsye historike, pa të drejtë vote, shqiptarët kudo ia duan të mirën Shqipërisë.   Duam ta shohim atë të lavdëruar, të përparuar dhe të nderuar jo vetëm në sytë e vetë shqiptarëve, por edhe para botës së qytetëruar.  Gjatë shekullit të kaluar, kombi shqiptar u gjënd—kundër vullnetit të tij – në shtigje të papritura dhe shkatërruese.  Por jeta dhe rrethanat e historisë ndryshojnë çdo ditë, për shqiptarët dhe për njerëzimin, e të cilat sot kërkojnë një kulturë të re politike.  Një kulturë, mbi të gjitha, të atdhedashurisë për fatin e  Atdheut.  E këjo dashuri pikëspari qëndron dhe lulëzon, në mos  në dashurinë për njëri tjetrin, atëherë në respektin për njëri tjetrin – për ndryshe mohohet mundësia e një bashkjetese mbrenda shtëpisë së përbashkët.   Kundërshtarët dhe armiqtë e kombit shqiptar, historikisht, kanë pretenduar se Shqiptarët nuk mund të qeverisin vetveten.  Ata gjithmonë do të thonë këtë, por të pakën, klasa politike shqiptare të mos u japë municion në mbështetje të këtij pretendimi. 

Deklaratat e protagonistëve kryesorë të politikës shqiptare, pas zgjedhjeve të të djelës së kaluar, të japin  shpresë për një tranzicion të qetë dhe për një të ardhme demokratike të Shqipërisë.  Le të shpresojmë se deklaratat e Kryeministrit në largim, Z. Sali  Berisha dhe ato të Kryeministrit të ardhëshëm Z. Edi Rama, pas numërimit të votave, të pasqyrojnë edhe mendimet dhe pikpamjet e tyre dhe të partive që ata përfaqësojnë.  Për ndryshe këto deklarata politike, nga të dyja palët, do të konsiderohen si një  mashtrim  dhe lojë e  radhës, që mund të kënaqin vetem ata që angazhohen në to, por  njëkohsisht vështirëson jashtë mase shkuarjen përpara të kombit shqiptar në rrugën fatale të tij që i ka caktuar historia.

Unë flasë kështu, jo për të mbrojtur njërën ose tjetrën parti, ose njërin ose tjetrin udhëheqës politik, por flas kështu, nga Amerika e largët, nga   një urgjencë që ndjejë si shqiptar, se kombi shqiptar ka nevojë për një bashkim të të gjitha forcave të tij për të kapërcyer sfidat dhe krizat, të cilat duket se ende e trazojnë dhe rëndojnë mbi kombin shqiptar, madje edhe pas 20-vjetë  të rënjes së komunizmit.  Të shpresojmë se të gjithë Shqiptarët, e sidomos klasa politike shqiptare, me një marrëveshje vëllazërore, gjithmonë do të “sjellin ujin në mulli të Atdheut”, për triumfe të reja të racës arbërore.  Këjo është porosia e heroit kombëtar dhe prijsit të të gjithë Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit – Skënderbe, por  edhe dëshira e të gjithë Shqiptarëve kudo.  Me bashkpunim, vëllazërim dhe tolerancë politike dhe njerëzore ndaj njëri tjetrin për të mirën e vendit dhe të kombit të tyre, Shqiptarët do të kenë mbështetjen jo vetëm të aleatëve të tyre perëndimorë, por edhe bekimet e të Madhit Zot për agime të reja të kombit tonë shumë të vuajtur.  

Tani gjithçka varet nga mënyra se si koalicioni i majtë to të menaxhoj fitoren dhe si koalicioni i djathtë do të menaxhoj humbjen.  Deklaratat e Zotërinjve Berisha dhe Rama japin shpresë se diçka mund të ketë ndryshuar në Shqipëri, në krahasim me të kaluarën.  Mirëpo, kjo mbetet për tu parë në ditët, javët, muajtë dhe vitet e ardhëshme.

Filed Under: Komente Tagged With: a mund te kete, Frank shkreli, ndryshuar, paska ndryshuar, shqiperia

Shumë të faleminderit ! – Thank you very much !

June 27, 2013 by dgreca

Ne kujtojmë, udhëheqjen, imazhin dhe angazhimin e tij për arritjen e të gjithë këtyre rezultateve që shohim sot, sepse, ngaqë ai besonte tek ne dhe ne besonim tek Berisha, dhe se ky përparim që ka bërë Shqipëria sot, do të bëhej me të vërtet si e gjithë Europa, ashtu si ëndërrua dhe u sakrifikua deri me gjak në fillimet e saj, do të ishte i mundur vetëm kur ne të bëheshim të gjithë së bashku./
Nga Beqir Sina/ ShBA/

BENSONHURST BROOKLYN NY : Për Shqipërinë, dhe shqiptarët në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Luginën e Preshevës, Çamëri, dhe kudo jetojnë në botë, lideri i demokracisë, ish Presidenti dhe tani ish-Kryeministri, Berisha, për udhëheqësit aktualë dhe ish- udhëheqësit shqiptarë dhe tërë të gjithë ata politikëbërës dhe  “politikëmarrës” si – në Shqipëri e jashtë saj,  fjalimi, dhe dorëheqja e kreut të Partisë Demokratike nga të gjitha postetet ka për të shënuar si një shembull nga të më pashembulltët, deri sot 100 vjet shtet, dhe ka për të qenë një moment historik. Kjo e Berishës është në thellb të demokracisë, ky është principi e një partie, e cila është etaloni i një demokracie, në Shqipërinë, e shumë vuajtur dhe për një parti dhe demokraci të till që kemi ne shqiptarët sot. Dhe, kjo është e denjë për atë që ne e ëndërruam, dhe vuajtëm për këtë demokraci, deshëm të jemi këtu ku jemi, për të bërë atë sot ashtu si thërrisnin studentë e 90′ “Ta bejmë Shqipërinë si e gjithë Europa”. Pra, sot të nderojmë atë që beri ai për ne të gjithë shqiptarët, dhe trashëgiminë që na la pas Presidenti i parë i demokrat i Shqipërisë, Kryeministri i këtij vendi, kryetari i Partisë Demokratike, Porf.dr. Sali Berisha. Megjithse, ai prap do të jetë pjesë e angazhmit dhe punës tonë, ta bëjmë Shqipërinë si e gjithë Europa. Dhe kjo do të arrihet :”Kur të gjithë ish-Presidentët, Kryeministrat, kryetar të partive dhe udhëheqësit tanë të gjallë, të bëhen së bashku, dhe kan për të thënë se :” kjo është gjithashtu një ditë e veçantë për demokracinë tonë”. Dhe, kjo ka për të ndodhur vetëm atëhere,  kur edhe “ata që hynë e dalin nga partia – demokracia, sa herë u “prishen atyre pazaret” dhe e ndrrojën partinë si pllakat e gramafonit” ata që deri dje e kan quajtur liderin historik të Shqipërisë, ;”Oborrtarin, kryepushtetarin e familjes së tij, kryetari i klubit të partisë Demokratike, i korruptuari, deri edhe tek “tradhëtari” sipas tyre,” –  të thonë :” sa paskemi gabuar ne i kemi këtij njeriu një borxh goxha e bukur”

Mbasi e vërteta është, se Berisha, gjatë këtyre tetë vjetëve, është anatemuar dhe sulmuar në mënyrë të pamoralshme dhe të pa denjë, të paskrupullt, nga një “grup politikanësh “kalamanjë”, të cilët mendojë unë se “kan hyrë në politik aksidentalisht”, dhe më shumë ata u yshtën nga prapa nga një grup atyre që ishin deri dje, kush ishin!, ose nga ata që ishin mbështetsit e flakët të Berishës, dhe iu kundërvunë atij. 

  Dhe unë e shoh të nevojshme t’u them këtyre njerëzve, jo se ata më dëgjojnë apo jam unë ai që i di gjërat apo vendos unë, se si duhet të mendojnë apo veprojnë ata, por, sepse se ” secili prej këtyre udhëheqësve, dhe politikanëve sot në Shqipëri, e cila kaloi një nga sundimet komuniste, më të egra në botë, do t’ju them, pa marrë parasysh se sa dhe se si ju mund të mendoni, pa marrë parasyshë se ju jeni gati për të marrë zyrën e presidencës, karriken e Kryeministrit, kryetarit të partisë, apo të deputetit,e politikanit, gazetarit dhe analisitit, është e pamundur pa e kuptuar natyrën e vërtet të punës, derisa ju nuk jeni bërë Presidenti i Shqipërisë, derisa ju jeni ulur vetë në atë karrike të Kryeministrit të Shqipërisë, derisa ju nuk keni hyrë në atë sallë Parlamenti.” Të kuptoni se sa e vështirë, është vetëm në Shqipëri!.

      Pikërishtë, sepse ende vetëm në Shqipëri, dalluar nga në të gjithë vendet e  kampit socialist në Europën juglindore, janë po të njëjtit: udhëheqës, politikan dhe deputet, janë bijt e Bllokut, dhe ish kuadrot e partisë së Punës, dhe ish pionerët e Enverit, që komandojnë dhe udhëheqin akoma Shqipërinë, ose pas kuintave ose në “ballë”. Në Shqipëri, si asnjë vend tjetër i kampit socialist, janë të njëjtat simbole të së kaluarës, që kan mbetur gjallë në mendjen e këtyre njerëzve,: është po ajo presidencë( Pallati i Brigadave), Paralamenti( Kuvendi Popullor) dhe Kryeministria ( Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë), që deri 22 vjetë më parë, ata u ulën dhe qëndruan duke i bërë gjëmën këtij populli.

 Në cilin vend të botës, gjen sot më shumë komunist se sa në Shqipëri, të cilët jan të grupuar në katër parti komuniste, që do të hyjnë nesër me Edi Ramën, në të njëjtën ndërtesë, ku edhe kan qenë në ish KQPPSH, në të njëjtat zyra, ku po ata ishin 23 vjetë më parë.
Mendojë, se duke parë se sa e vështirë është në Shqipëri, të jesh President, Kryeministër, apo një deputet i thjesht, një analistë dhe një gazetarë, në një vend që ende nuk heqin dorë akoma nga Enver Hoxha, por jo vetëm kaq – ata janë “trimëruar” tani me fitoren e 23 qershorit, dhe po kërkojnë t’a rikthejnë Enverin, atëhere do të kujtojmë Berishën, dhe do të përulemi me respekt të madh, se si ja doli që për 23 vjet t’u bëjë ballë, këtyre enveristëve dhe komunistëve dhe social komunistëve, që tani kan marrë pushtetin dhe do t’a udhëheqin vendin për katër vjet.. 

   Kjo është edhe arsyeja pse Berisha fiton, sot një vlerësim më të madh për të gjithë atë shërbim të madh që i bëri Shqipërisë në këto 23 vjet, të Shqipërisë së lirë dhe demokratike.  Ai ishte i vetmi që doli mbi sfidat momenteve më të vështira që kaloi ky vend, dhe ndjeu peshën e madhe të një kombi mbi shpatullat e tij. Dhe për mua, ky është vlerësimi që i përket Berishës, dhe më shumë do të shtrihet tek,ai i lideri demokrat, ish Presidentit dhe ish Kryeminsitrit, Berisha .

    Gjëja e parë që kam tek ai njeri prej se kur e lashë atë vend në 1990 dhe isha në Austri, si refugjatë politik, ka qenë ajo “se Berisha, ishte vënë në krye të atyre ndryshimeve të mëdha që ndodhën atëhere, në krye të lëvizjes demokratike, një lider që ka demonstruar me karizmin e tij të jashtëzakonshëm, dhembshuri e tij dhe bujarin e zemra madhësin për popullin shqiptarë. Sepse ai e dinte se sa ky popull i shumë vuajtur për 45 vjet padrejtësisht, hoqi të “zinjët e ullirit”, aq sa ju mohua gjithçka, liria dhe demokracia.

      Ne kemi për të mësuar – shumë shpejt se çfarë do të thotë:” Të ishe lider atyre lëvizjeve të para,të atyre që edhe jetën e dhanë ose e rezikuan për demokracinë , duke e rrëzuar dhe tërhequr zvarrë diktatorin. Pra të ishe qysh në atë kohë në krye të popullit liridashës dhe demokrat. Në atë kohë, që lëvronte në çdo zyrë ende Ramiz Alia, dhe Sigurimi famëkeq i Shtetit. Aty në atë  presidencë( Pallati i Brigadave),  Kuvendi Popullor, në zyrat e karriget e Kryeministris, që ishin ulur anëtarët e Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë), ata që deri 23 vjetë më parë, i a bënë gjëmën këtij populli të mrekullueshem. 

    Berisha , në këto 23 vjet ; si Lider Historik, President, Kryeministër, mbi të gjitha, është për tu parë për një punë përulëse, dhe e paçmuar për demokracinë e Shqipërisë. Megjithëse, ka momente ku njerëzit e medhenjë dhe udhëheqës të till – BURRESHTETAS , bëjnë edhe ” gabime” ose edhe duhet të paguajnë gabimet e të tjerëve. Por, të mos harrojmë se ende në Shqipëri, ka njerëz, që ëndërrojnë dhe dëshirojn të kthehet ora e Shqipërisë, prapa. Ka edhe nga ata që nderojnë me grusht, kremtoin ditëlindjen dhe vdekjen e diktatorit, mbajnë edhe protretetin e tij, (sa që ai ishte gjallë në shtepit e tyre), madje edhe këtu në vendin kampion të lirisë e demokracisë. E festoin ende 29 nëntorin – jo si festë e çlirimit të vendit – por, si ideologji e kohës së komunismit. 

          Dhe, unë e di! se çfarë është e vërteta në lidhje me Berishën. Por, unë shpresoj se shumë nga ata lexues që do të lexojnë këto vlersimet e mija, ndoshta do të pajtohen me mua vetëm atëhere -:” Kur në krye të Shqipërisë, të futet në zyrën e tij, dhe të ulet në karrigen e Kryeministrit, Edi Rama, i biri një ish anëtarit të Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë, dhe i nipi i një ish anëtari të Byrosë Politike, dhe së bashku me pasardhësit, të cilët mmas një muaji – do të zënë vendet në zyrat ku do t’i komandojë Rama dhe kan komandur baballarët e tyre, më parë. 

Atëhere, besoj se edhe ju do të thoni për mua, se paskam pasur të drejtë ” se Berisha ka qenë njeriu që ne e deshëm në krye të këtij vendi dhe se ai bëri për 23 vjet më të mirën, për Shqipërinë dhe shqiptarët”.   Tani, në se do ta masim Berishën vetëm me të kaluarën, kjo është e pamundur për të kaluar në gjykimin dhe vlersimin e tij si lider, mbi presidencën e tij, dhe kryemnistër, ndërsa ai është ende në demokraci . Pra, ndoshta kjo është pak e parakohshme. Por, edhe tani, ka disa gjëra që ne e dimë dhe janë të sigurta. Që Berisha, duke marrë gjithë përgjegjësitë që vërtet i takojnë, në një vendim të prerë, kam vendosur, dje para qindra atyre të rinjëve e të rejave shqiptarë, ” të jap dorëheqjen nga të gjitha funksionet e mia në forumet e Partisë Demokratike”.

    Duke premtuar se ai ” Do të jet thjesht njëri prej jush, anëtar i PD-së dhe deputet i saj, të punoj me përkushtim të madh së bashku me ju dhe lidershipin e ri, për të mbrojtur dhe promovuar si opozitë, vlerat dhe parimet themelore të programit të Partisë Demokratike, për ta shndërruar atë përsëri në një program të shumicës së shqiptarëve. – Ndaj  tha ai do të ju lutem të mos gaboni të merrni apo të konsideroni këtë fjalë si një fjalim lamtumire. I tillë ky nuk është. Madje nga unë, Partia Demokratike, anëtarët dhe mbështetësit e saj nuk do të dëgjojnë ndonjëherë fjalim lamtumire për faktin e thjeshtë, se ai do të ishte një fjalim të cilin unë s’do të mund ta lexoja kurrë.” tha Berisha dje.

      Ne kujtojmë, udhëheqjen, imazhin dhe angazhimin e tij për arritjen e të gjithë këtyre rezultateve që shohim sot, sepse, ngaqë ai besonte tek ne dhe ne besonim tek Berisha, dhe se ky përparim që ka bërë Shqipëria sot, do të bëhej me të vërtet si e gjithë Europa, ashtu si ëndërrua dhe u sakrifikua deri me gjak në fillimet e saj, do të ishte i mundur vetëm kur ne të bëheshim të gjithë së bashku.    Së fundi: Berisha lider i së djathtës, President, Kryeministër, Kryetar partie, do të mbahet mend gjatë  për shërbimin që i bëri vendit tonë, për kurajon , për sakrificat, dhe, mbi të gjitha, për dashurinë ndaj  vendit,: Shumë të faleminderit – Thank you very much – Zoti ju bekoftë. Dhe Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe Kombin shqiptarë !.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Beqir Sina, Berisha, Thank You

DHUNA KUNDËR FEMRAVE NJË EPIDEMI BOTËRORE

June 25, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Organizata Botërore e Shëndetsisë (OBSH) botoi ditët e fundit një raport  në të cilin  dhuna kundër femrave  cilësohet si “një problem botëror i shëndetsisë që ka marrë proporcione epidemike”.  Në një njoftim për median nga Gjeneva, OBSH thotë se dhuna fizike ose seksuale është një problem publik shëndetsor që prekë më shumë se një të tretën e të gjtiha femrave anë e mbanë botës.  Studimi i ri i Organizatës Botërore të Shëndetsisë nënvijon faktin se dhuna kundër femrave është shumë e përhapur dhe gjithpërfshirse,  në të gjitha rajonet e botës dhe në të gjtiha shtresat e shoqërisë.   Studimi, që është i pari i këtij lloji në nivel botëror  dhe që përfshinë të dhënat statistikore nga e gjithë bota mbi dhunën kundër femrave,  thekson se  rreth 35% e femrave janë subjekt  i dhunës nga partneri i tyre ose nga dikush tjetër.  Sipas këtij studimi,  dhuna kundër femrave nga partneri i tyre  është dhuna më e zakonshme dhe më e përhapur kundër femrave anë e mbanë botës.Në studimin e OBSH-ës nënvijohet nevoja për angazhimin e të gjithë sektorëve të shoqërisë për të zhdukur fenomenin e dhunës kundër femrave dhe njëkohësisht në raport  bëhet thirrje për të mbështetur gratë dhe vajzat e dhunuara.  Në njoftimin e OBSH-ës për median, theksohen në hollësi efektet  që ushtrimi i dhunës ka në shëndetin e përgjithshëm fizik dhe mendor tek gratë dhe vajzat.

“Këto të dhëna statistikore paraqesin një mesazh dhe paralajmërim të fuqishëm se dhuna kundër femrave është një problem botëror shëndetsor, me proporcione epidemike”, tha Drejtoresha e Përgjithëshme e OBSH-ës, Dr. Margaret Chan.  Ajo tha gjithashtu me rastin e botimit të këtij studimi se , “sistemet botërore të shëndetsisë mund të bëjnë dhe duhet të bëjnë më shumë për të ndihmuar femrat e dhunuara.

Në studimin e OBSH-ës vihet në dukje madhësia e këtij problem, ku thuhet se  38% e femrave që vriten anë e mbanë botës, vriten nga partneri i tyre, bashkshorti, i dashuri ose ndonjë anëtar i familjes.  Dhe 42% e femrave që dhunohen fizikisht ose seksualisht nga partnerët e tyre kanë pësuar plagosje fizike gjatë dhunës, sipas raportit të Organizatës Botërore të Shëndetsisë.  Në raport thuhet gjtihashtu se  dhuna nga partnerët  kundër femrave kontribon shumë që ato të zhvillojnë edhe probleme mendore dhe psikike, ndërkohë që femrat e dhunuara, sipas raportit, ka të ngjarë që të zhvillojnë gjithashtu probleme duke anuzuar me përdorimin e alkoolit.

”Këto statistika të reja nënvijojnë faktin se dhuna kundër femrave është jashtzakonisht e rëndomtë dhe kemi nevojë urgjente për të investuar në identifikimin e arsyeve të këtij problemi shëndetsor në botë”, citohet të keët thënë Prof. Charoltte Wats, njëra prej pjesmarrseve në përpilimin e  të këtij studimi.

OBSH-ëja, në raportin e saj bën thirrje  për përpjekje më të mëdha në nivel global, për të parandaluar të gjitha llojet e dhunave kundër femrave, duke u marrë drejtë për drejtë me faktorët shoqërorë dhe kulturorë që kontribojnë në përkeqsimin e këtij fenomeni.

Në në këtë studim thuhet se rajonet më të prekura nga dhuna kundër femrave janë Azia Jug-lindore, rajoni i Mesdheut lindor dhe Afrika, ku dhuna kundër femrave nga partnerët e tyre arrinë rreth 37%.   Në raport thuhet gjithashtu se ky problem nuk është vetëm një fenomen i vendeve në zhvillim e sipër.   Sipas raportit, edhe në vendet më të zhvilluara, dhuna fizike dhe seksuale kundër femrave është diku rreth 32%.

Raporti i bën thirrje sektorit shëndetsor në çdo vend, për marrjen e masave urgjente për një përkujdesje më të mirë shëndetsore për femrat e dhunuara, duke rekomanduar një seri propozimesh për Ministritë e Shëndetsisë anë e mbanë botës.  Në njoftimin e OBSH-ës thuhet gjithashtu se  Drejtoresha e Përgjithëshme e OBSHës, Dr. Chan, dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-s bënë thirrje për zero tolerancë ndaj dhunës kundër femrave.  Gjithashtu gjatë Asamblesë së 66-të mbi Shëndetësinë në botë që u mbajtë Majin që kaloi, shtatë qeveri –Belgjika, India, Meksika, Holanda, Norvegjia, Shtetet e Bashkuara dhe Zambia — deklaruan se dhuna kundër grave dhe vajzave, “është një problem i madh shëndetsor në nivel botëror dhe një sfidë e madhe për barazi dhe të drejta të njeriut, që prekë çdo vend dhe çdo sektor të shoqërisë.”

Në raportin e Organizatës Botërore të Shëndetsisë thuhet se në shumë vende debati ose diskutimi mbi dhunën kundër femrave, në shumë vende, është një tabu dhe si rrjedhim abuzimet vazhdojnë.  Në raportin thuhet se të qenët në dijeni të ekzistencës së problemit dhe diskutimi i hapët dhe serioz rreth këtij problemi është një faktor kyç ky për parandalimin e dhunës kundër femrave.  Por, për më tepër,  zyrtarja e OBSH-ës, Garcia Moreno tha se shpesh janë normat shoqërore ato që tolerojnë dhunën kundër femrave, duke shtuar se, “Në shumë vende këjo lloj dhune shikohet si diçka e pranueshme nga shoqëria”, dhe si e tillë e pandëshkueshme, ndërkohë që dhuna kundër femrave vazhdon anë e mbanë botës.  OBSH-ëja thotë në raportin e saj se është i nevojshëm miratimi dhe zbatimi i ligjeve më të mira nga ana e shtetve të ndryshme me qëllim për të ndaluar  dhe për të eliminuar dhunën kundër femrave.

Në fjalimin e saj të famëshëm në Pekin  në shtator të vitit 1995, mbi të drejtat e femrave, Hillari Klinton ka thënë se “të drejtat e femrave janë të drejtat e njeriut”, dhe se nuk është më e pranueshme që të drejtat e femrave të diskutohen si diçka tjetër nga të drejtat e njeriut.  Për një kohë të gjatë, ka thënë Znja Klinton, historia e femërave ka qenë një histori e heshtjes. Është një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut, ka thënë ajo në Pekin në vitin 1995, kur shkaku kryesor i vdekjes së femërave anë e mbanë botës — midis moshës 14 deri 44 — është dhuna në shtëpinë e vet ku jetojnë.  Organizata e të drejtave të njeriut, Amnesty International (AI), duke bërë thirrje për dhënjen fund të ciklit të dhunës kundër femërave në botë, thotë se miliona femra anë e mbanë botës vuajnë nga dhuna e shtetit, nga dhuna në shtëpitë e tyre, si dhe në komunitetin ku jetojnë.  Dhuna ndaj femërave, thotë AI, është një dështim i papranueshëm i qeverive dhe i shoqërisë, në përgjithësi, për të respektuar dhe zbatuar të drejtat e njeriut edhe për femërat.  Shtetet dhe qeveritë, thotë organizata e të drejtave të njeriut, e kanë për detyrë dhe përgjegjësi të mbrojnë dhe të ndëshkojnë ata të cilët përdorin dhunën kundër femrave, duke marrë masa për të mbrojtur femrat nga shkelja dhe abuzimet e të drejtave të njeriut ndaj tyre, me qëllim që t’i jepet fund këtij cikli të dhunës kundër femrave.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Dhuna kunder grave, Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 462
  • 463
  • 464
  • 465
  • 466
  • …
  • 486
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DASHURIA NDAJ ATDHEUT – THEMEL I NDËRTIMIT DHE ZHVILLIMIT TË SHTETIT
  • THE SPHERE (1929) / HISTORIANI GJERMAN, FRANZ BABINGER : “VIZITA IME TEK DERVISHËT E KRUJËS, NJË KOMUNITET I JASHTËZAKONSHËM…”
  • Njoftim publik nga Shoqata Malësia e Madhe – NY
  • “Gjergj Kastrioti Scholarship Fund”
  • Gazeta “Shqiptari i Italisë”
  • KONSULLATA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS NË SHTUTTGART SHËNOI DITËN E PAVARËSISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE PËRURIMIN E HAPËSIRAVE TË REJA TË KONSULLATËS
  • “SKËNDERBEU SHQIPJA QË NDALOI PERANDORINË OTOMANE” E AUTORËVE ITALIANË: ALDO DIOMEDES DHE CLAUDIO DI GIÁ
  • KANDIDAT PËR KËSHILLIN BASHKIAK NË LEWISVILLE, TEXAS, ADRIAN DOKO: “SHQIPTARËT JANË SHEMBULL I INTEGRITETIT, FAMILJES DHE UDHËHEQJES”
  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT