• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Prishja e Marrëveshjes së Mukjes një nga aktet e tradhëtisë kombëtare bërë nga komunistët!

August 2, 2025 by s p

Shpëtim Axhami/

Nga data 1 deri më 3 gusht 1943, në fshatin Mukje u zhvillua një ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë moderne shqiptare, Konferenca e Mukjes. Ajo solli Marrëveshjen e Mukjes, një akt i rrallë uniteti kombëtar, që synonte bashkimin e forcave nacionaliste dhe komuniste në një luftë të përbashkët kundër pushtuesit fashist, përkrah aleatëve të mëdhenj të Luftës së Dytë Botërore.

Kjo marrëveshje tregoi qartë se nacionalistët dhe e djathta tradicionale shqiptare ishin dhe mbeten në anën e interesit kombëtar, në shërbim të Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo që ndodhen. Ndërkohë, e majta sllavo-bolshevike e shihte luftën si trampolinë për të marrë pushtetin, edhe nëse kjo do të thoshte sakrifikimin e çështjes kombëtare.

Çfarë përmbante Marrëveshja e Mukjes?

•Bashkëpunim i menjëhershëm ushtarak kundër pushtuesve, në koordinim me aleatët ndërkombëtarë;

•Krijimi i Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë, me përfaqësim të barabartë (nga 6 përfaqësues) nga të dy palët – nacionalistë dhe komunistë;

•Forma e regjimit do të vendosej pas luftës, sipas vullnetit të popullit, duke ruajtur mundësinë e rikthimit të Monarkisë Kushtetuese, si forma legjitime e regjimit para luftës.

Po të ishte zbatuar Marrëveshja e Mukjes, Shqipëria do të kishte një tjetër fat historik: pushteti komunist nuk do të vendosej, dhe ëndrra për Shqipërinë Etnike do të ishte më afër realizimit. Por kjo marrëveshje u tradhtua brutalisht nga Enver Hoxha dhe Partia Komuniste Shqiptare, nën urdhrat e PKJ-së jugosllave, e cila kishte frikë nga një Shqipëri e bashkuar dhe e lirë.

Pas prishjes së marrëveshjes, Abaz Kupi, deri në atë moment figura kyçe që bashkërendonte formacionet nacionaliste dhe një nga drejtuesit e Komitetit të Mukjes, e dënoi publikisht tradhtinë dhe në nëntor 1943 themeloi Organizatën Kombëtare Lëvizja e Legalitetit (OKLL). Kjo lëvizje nacionaliste qëndroi krah forcave aleate në luftë kundër pushtuesve, duke përfaqësuar aspiratën për një Shqipëri të bashkuar dhe me regjim Monarki Kushtetuese.

Për këtë qëndrim të palëkundur kombëtar, Enver Hoxha urdhëroi vrasjen e Abaz Kupit dhe të shumë drejtuesve të tjerë nacionalistë, zogistë dhe ballustë, të cilët kishin firmosur Marrëveshjen e Mukjes. Kështu nisi gjenocidi vëllavrasës komunist, një politikë e pastrimit të kundërshtarëve politikë dhe një kapitull tragjik i historisë shqiptare, ku Shqipëria u zhyt në errësirën e diktaturës dhe çështjet kombëtare mbetën peng i Beogradit dhe Moskës.

Konferenca dhe Marrëveshja e Mukjes mbeten simbol i vizionit kombëtar dhe bashkimit për Shqipërinë, ndërsa prishja e saj është një nga aktet më të rënda të tradhtisë kombëtare. Sot më shumë se kurrë, shqiptarët duhet të nxjerrin mësime nga historia: mosbesimi ndaj ideologjive të huaja, refuzimi i çdo tradhtie që vjen në emër të pushtetit personal, dhe mbi të gjitha, besimi te vullneti dhe uniteti kombëtar.

“ATDHEU MBI TË GJITHA!” 🇦🇱

Filed Under: Kronike

“Lezha gjatë Mesjetës së Mesme (shek. XI-XIII), një qendër me rëndësi të veçantë strategjike midis Lindjes dhe Perëndimit”

July 30, 2025 by s p

Paulin Zefi/

Gjatë shek. XI, Lezha vijonte të ishte kryesisht nën kontrollin e Perandorisë Romake të Lindjes, por u përball vazhdimisht me sfida të shpeshta për shkak të zhvendosjes së territoreve të kontrolluara nga fuqitë rajonale, por edhe si pasojë e konfliktit të mëvonshëm midis “2 Kishave.” Pas disfatës që ushtria e car Samuelit pësoi përballë Bazilit II në muajin korrik të vitit 1014, në Kleidon [1], vdekjes së car Samuelit pak kohë më vonë nga hidhërimi dhe pushtimit të kryeqytetit bullgar, Ohrit, më 1018 [2], bizantinët rimorën kontrollin mbi territoret e humbura, duke përfshirë edhe Lezhën me viset pranë saj. Në vitin 1054, kur ndodhi ndarja përfundimtare midis Kishës Katolike Romane dhe Kishës Ortodokse Lindore, e njohur si “Skizma e Madhe”, Lezha, edhe pse ishte pjesë integrale e Perandorisë Romake të Lindjes, ajo mbeti e lidhur shpirtërisht me Romën, duke i qëndruar besnike Selisë së Shenjtë.

Asokohe, ky qytet, si në aspektin religjioz dhe atë kulturor shënonte kufirin më jugor të “Botës Latine.” Sipas M.Šufflay: vija që ndërpriste qarkun kulturor latin të Adriatikut shkonte përafërsisht nga Trani (Puglia) deri në Lezhë, ku në kohën klasike fillonte kufiri latino-helen [3].” Ndërsa F.Cordignano thekson se: Lezha, gjatë gjithë periudhës së Mesjetës mbeti në kufirin midis Botës Latine dhe asaj Greko-Bizantine dhe ishte gjithmonë një nga portat kryesore përmes së cilës Perëndimi komunikonte me Lindjen [4].” Në gjysmën e dytë të shek. XI, Principata e Dukljes (Mali i Zi i sotëm) u bë një shtet i njohur nën sundimtarët si Mihailo I dhe djali i tij, Konstandin Bodini [5]. Duklja e zgjeroi ndikimin e saj në pjesë të mëdha të Arbërisë së Veriut, duke sfiduar herë pas here autoritetin bizantin në zona si Lezha. Ndërsa, andej nga fundi i shek. XI, normanët nga Italia e Jugut, të udhëhequr nga duka i Puglia dhe i Kalabrisë, Robert Guiskardi dhe, djali i tij, Bohemundi, nisën inkursionet e para në Ballkanin Perëndimor. Nga burimet e kohës mësojmë se: Roberti i mblodhi të gjitha forcat e tij në Brindisi, përfshirë si anijet ashtu edhe ushtarët; numri i anijeve arriti në 150, ndërsa trupat, të përfshira në të gjitha kategoritë, numëronin rreth 30,000 veta dhe çdo anije kishte kapacitetin për të transportuar 200 burra bashkë me pajisjet dhe kuajt e tyre [6].

Kështu, një flotë e madhe u vu në veprim për të kaluar Adriatikun dhe për të zbarkuar ushtrinë normane në brigjet e Arbërisë. Në muajin shkurt të vitit 1082, Robert Guiskardi pushtoi qytetin e Durrësit dhe marshoi drejt Lindjes [7], por megjithëse Lezha nuk përmendet në mënyrë specifike si një objektiv norman, ajo që dihet është se normanët e shtrinë sundimin e tyre mbi të gjithë Arbërinë, Thesalinë dhe një pjesë të Maqedonisë [8]. Nga fundi i shek. XI, Lezha ishte ende një rajon kufitar i kontestuar nga fuqitë ndërluftuese si: Perandoria Romake e Lindjes, Shteti i Dioklesë ose Duklja dhe normanët e Italisë së Jugut. Pas një periudhe të shkurtër stabiliteti rajonal dhe kur bizantinët menduan se rreziku norman u largua, normanët i shohim sërish në Arbëri në kohën e Kryqëzatës së Parë (1096-1099). Prej katër grupeve kryesore të ushtrisë së madhe të kryqtarëve, trupat e Dukës Raymond IV de Toulouse ose Raymond de Saint-Gilles dhe ato të legatit papal, Adémar de Monteil ose Adémar de Puy, që u nisën nga Franca Jugore dhe që njiheshin si ushtria e “Provençaux (ku bënin pjesë kalorësit nga Bourgogne, Auvergne, Gascogne, Languedoc dhe Provence)”, zgjodhën gjatë dimrit të viteve 1096–1097 rrugën tokësore që kalonte përmes Alpeve (Col de Genèvre), Lombardisë, Venetos, Friulit dhe Istrias [9], për të mbërritur në Dyrrah nëpërmjet krahinave bregdetare të Dalmacisë, Raguzës dhe qytetit të Shkodrës [10].

Kur u nis nga Franca kjo ushtri numëronte 100.000 burra, të cilët po shkonin për të çliruar Tokën e Shenjtë [11]. Në atë kohë, Shkodra ishte kryeqyteti i Mbretërisë së Dioklesë ose Duklja dhe selia qendrore e sundimtarit Kostandin Bodini. Sapo mbërritën në Shkodër, Raymond IV de Toulouse arriti të zhvillonte një takim me princin e lartpërmendur serb, Kostandin Bodinin, i cili, në këmbim të dhuratave të kushtueshme, pranoi t’u lejonte kryqtarëve që ata të blinin lirisht në tregjet e qytetit, por në këto tregje nuk kishte asnjë lloj ushqimi [12]. Pas largimit nga ky qytet, Raymond IV de Toulouse dhe Adémar de Puy, së bashku me forcat e tyre, të mbërthyer nga uria, marshuan nëpër fushën e sotme të Zadrimës dhe pranë qytetit të Lezhës, në drejtim të Dyrrahut. Burimet e kohës përmendin sulmet e pabesa të sllavëve të Kostandin Bodinit kundër prapavijës së ushtrisë së uritur kryqtare pas largimit nga Shkodra [13], por nuk japin të dhëna të qarta nëse forcat kryqtare janë ndalur përkohësisht në Lezhë për t’u mbrojtur prej tyre, apo nëse ky qytet është përdorur vetëm si pikë tranziti gjatë marshimit sfilitës drejt Dyrrahut. Ajo që dihet me siguri të plotë është se ushtria kryqtare, e mashtruar dhe e tradhtuar nga sundimtari i paskrupullt serb, Kostandin Bodini, u detyrua të vazhdonte rrugën e saj, duke u përballur me urinë, të ftohtin dhe vuajtjet gjithnjë e në rritje, derisa në fillim të muajit shkurt arriti kufirin perandorak bizantin në veri të qytetit të Dyrrahut, ku Raymondi dhe Adémari shpresuan se vuajtjet e tyre kishin marrë fund [14].

Ishte Gjon Komneni, nipi i perandorit Aleksi I Komneni, i cili i mirëpriti Kryqtarët në Dyrrah [15], ku i prisnin të dërguar perandorakë dhe një eskortë peçenegësh për t’i përcjellë përgjatë itinerarit të njohur antik, Via Egnatia [16]. Raymond IV de Toulouse dërgoi një ambasadë përpara në Kostandinopojë për të njoftuar perandorin Aleksi I Komneni mbi mbërritjen e tij dhe pas disa ditësh pushimi në Dyrrah, ushtria nisi marshimin drejt Lindjes [17], ku Raymondit, ashtu si kryqtarëve të tjerë që marshuan para tij, iu desh t’i kundërvihej vazhdimisht me forcë dinakërisë së greko-bizantinëve [18]. Analiza e burimeve historike lidhur me itinerarin e ushtrisë kryqtare në dimrin e viteve 1096-1097 sugjeron se Lezha, në atë kohë, ndodhej jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të Perandorisë Romake të Lindjes dhe po ashtu, nuk bënte pjesë as në territorin e Mbretërisë së Dioklesë (Duklja) të sunduar nga Kostandin Bodini. Mungesa e përfshirjes së Lezhës në operacionet ushtarake të Bodinit, fakti që kryqtarët kaluan aty pa hasur asnjë lloj kundërshtimi dhe njoftimet për sulmet e sllavëve mbi prapavijën e tyre pas largimit nga Shkodra, tregojnë qartë se Lezha nuk ishte as aleate dhe as e nënshtruar ndaj Dukljës.

Në këtë kontekst, qyteti mund të perceptohet si një njësi politike e pavarur ose e vetëqeverisur nga krerët feudalë vendas dhe qëndronte në një pozitë neutrale ose edhe kundërshtuese ndaj pretendimeve territoriale të Bodinit. Kjo situatë pasqyron shumë qartë kompleksitetin e peizazhit politik në hapësirën arbëre në fundin e shek. XI, ku autoritetet vendore përpiqeshin të ruanin pavarësinë ose së paku autonominë e tyre përballë forcave rivale, bizantine dhe sllave. Se sa kohë mund të ketë qëndruar Lezha e pavarur nuk dihet me siguri, por të dhënat e fragmentuara historike dhe heshtja e burimeve bizantine apo sllave për një administrim të qartë të saj në fundin e shek. XI e mbështesin hipotezën se qyteti kishte fituar njëfarë pavarësie politike në këtë periudhë të turbullt. Kjo pavarësi e mundshme mund të lidhet me dobësimin e përkohshëm të autoritetit bizantin në bregdetin e Adriatikut dhe me kufizimin e shtrirjes efektive të sundimit të Dukljës përgjatë rrjedhës së poshtme të lumit Drin. Lezha, duke qenë një qytet i fortifikuar mirë dhe i ndodhur në një zonë të ndërmjetme mes dy fuqive rajonale, duket se ka përfituar nga vakumi politik për të ruajtur një status të veçantë, që ndonëse i paformalizuar në burime, është i dallueshëm përmes gjurmëve të sjelljes strategjike të aktorëve kryesorë të kohës, veçanërisht kryqtarëve, të cilët e trajtuan qytetin si një vend i sigurt tranziti gjatë përballjes së tyre me tradhtinë e Bodinit.

Megjithëse Lezha ishte e fortifikuar dhe e mbrojtur nga mure të fuqishme, mbrojtësit dhe banorët e saj e patën të vështirë t’u bëjnë ballë sulmeve të Kostandin Bodinit, i cili, në vitin 1101, arriti të shtrijë kontrollin e tij deri në lumin Mat. Përballë zgjerimit të rrezikshëm të ndikimit dukljan në drejtim të jugut, rikthimi i kontrollit mbi Lezhën dhe mbi hapësirat strategjike përreth saj u shndërrua në një përparësi të rëndësishme për politikën ushtarake dhe territoriale të Perandorisë Romake të Lindjes. Kjo zonë përfaqësonte një pikë kyçe në mbrojtjen e interesave të perandorisë në brigjet lindore të Adriatikut, të cilat kërcënoheshin vazhdimisht nga forcat e jashtme. Prandaj, pas dëbimit të forcave sllave nga këto territore, Perandoria Romake e Lindjes rifitoi kontrollin mbi Lezhën dhe vazhdoi të ushtrojë një ndikim të fuqishëm mbi qytetin edhe gjatë gjysmës së parë të shek. XII. Perandori Aleksi I Komneni (1081–1118) u angazhua energjikisht për të rivendosur autoritetin e tij në Ballkanin Perëndimor, pasi mbrojti perandorinë kundër pushtimeve normane në fund të shek. XI [19].

Historianja bizantine dhe e bija e perandorit të lartpërmendur, Anna Komnena, në veprën e saj “Aleksiada (Ἀλεξιάς – 1148)”, shkruan për qytetin-kështjellë të Lezhës, se: “Elissos ose ka marrë emrin nga ndonjë lumë me të njëjtin emër, një degë e lumit të madh Drymon (Drin – P.Z.), ose kështjellës thjesht i është vendosur ky emër – nuk mund të them me siguri cila prej tyre është e vërteta. Elissos është një kështjellë e ndërtuar mbi një kodër dhe është krejtësisht e pathyeshme. Ajo shikon nga lart qytetin e Dyrrahut që ndodhet në fushë, siç thuhet zakonisht. Ajo është aq e sigurt saqë mund t’i japë ndihmë të madhe Dyrrahut si nga toka, ashtu edhe nga deti. Këtë kështjellë, Elissos, Perandori Aleks e vuri në përdorim për të ndihmuar qytetin e Epidamnit, si nga ana e lumit Drymon, i cili ishte i lundrueshëm – ashtu edhe nga ana tokësore [20].” Gjatë gjithë kësaj periudhe, qyteti përmendet kryesisht me emrin “Elissos [21]” dhe së bashku me pjesët e tjera në bregdetin e Adriatikut, mbetën një rajon shumë i rëndësishëm strategjik për Perandorinë Romake të Lindjes, pasi ajo kërkonte të mbante nën kontroll rrugët tregtare dhe të mbronte kufirin e saj perëndimor. Gjatë rrethimit të Durrësit nga ushtria normane nën udhëheqjen e Boemundit, në vitin 1107, Lezha luajti një rol shumë të rëndësishëm, madje vendimtar, duke e furnizuar Durrësin me ushqime dhe me armët e nevojshme [22].

Kjo dëshmon qartë se Lezha ishte një qendër shumë e fuqishme ushtarake dhe ekonomike me impakt të madh rajonal. Pasi u mbrojtën me sukses kundër kërcënimit norman, bizantinët hynë në një periudhë stabiliteti relativ, duke i lejuar ata të forconin kontrollin e tyre mbi rajonin e Adriatikut. Kjo ishte pjesë e restaurimit më të gjerë të Komnenëve nën Aleksin I dhe pasardhësit e tij, i cili synonte të rivendoste kontrollin dhe ndikimin bizantin në territoret e kontestuara më parë, duke përfshirë pjesë të konsiderueshme të Arbërisë. Gjatë kohës kur Lezha ishte nën kontrollin e plotë të Perandorisë Romake të Lindjes, ka shumë të ngjarë që fisnikëria vendase arbëre të kishte njëfarë autonomie, veçanërisht në zona më të largëta, ato kufitare. Këta udhëheqës lokalë mbajtën një ndikim të fortë mbi tokat e tyre, të cilat shpesh shërbyen si tampon për bizantinët kundër kërcënimit gjithnjë në rritje, që vinte nga Ballkani Verior, siç ishin serbët. Megjithatë, në mesin e shek. XI, ndikimi serb filloi të rritet nën sundimin e Stefan Nemanjës, i cili filloi zgjerimin e territorit serb drejt jugut. Pikërisht në kohën e zgjerimit te Principatës së madhe Serbe të Rashës (1165-1195) gjatë sundimit të Stefan Nemanjës, Lezha së bashku me krahinat veriore te Arbërisë u përfshi brenda kësaj mbretërie [23].

Sidoqoftë, pas abdikimit të Stefan Nemanjës nga froni në vitin 1196, në favor të djalit të tij të dytë, Stefanit, dhe luftës për pushtet që shpërtheu ndërmjet këtij të fundit dhe vëllait të tij më të madh, Vukanit, Rasha u përfshi në një periudhë të tensionuar të brendshme dhe ndërhyrjesh të jashtme. Kjo situatë krijoi një mundësi të favorshme për udhëheqësit lokalë arbër, të cilët, duke përfituar nga dobësimi i autoritetit serb, arritën t’i dëbojnë forcat serbe nga Lezha në fund të shek. XII. Pas një periudhe relativisht të qetë, por gjithnjë nën kërcënimin e ndonjë sulmi të mundshëm nga forcat serbe, ishte Republika Veneciane, e cila pas vitit 1204 ndërmori përpjekjet e para për ta përfshirë Lezhën në sferën e saj të ndikimit. Ky zhvillim ishte rezultat i drejtpërdrejtë i pasojave politike të krijuara pas Kryqëzatës së Katërt (1202–1204). Megjithatë, rrethanat politike dhe ushtarake të kohës e penguan Republikën e Shën Markut të vendoste një sundim formal mbi qytetin. Kjo sepse, në fillim të shek. XIII, me zgjerimin e Shtetit të Arbrit (1190 – 1255), ku bënte pjesë edhe Lezha, filluan të forcohen feudalët vendas dhe ky qytet përbënte të vetmin port që i siguronte kësaj principate dalje dhe komunikim me rrugët detare të Adriatikut [24].

Pikërisht gjatë shek. XIII, ashtu si Durrësi, edhe Lezha, së bashku me qytete të tjera arbërore si Shkodra, Drishti, Deja, Shasi, Prizreni, Kruja, Berati, Kanina etj., ndërmorën hapa të rëndësishëm në transformimin nga kështjella me funksion kryesisht ushtarak, në qendra urbane të zhvilluara dhe të mirëstrukturuara [25]. Për shkak të kufizimeve që impononte rrethi i mureve mesjetare të trashëguara nga e kaluara, qytetet nisën të shtriheshin jashtë tyre, duke krijuar lagje të reja periferike, të njohura në burimet e kohës si “proastion” ose “suburbium [26].” Këto zona periferike u shndërruan shpejt në qendra të gjalla të jetës ekonomike, ku zhvilloheshin tregjet dhe ishin të përqendruara punishtet dhe dyqanet artizanale. Nga burimet e kohës mësojmë se Dhimitër Progoni, i treti dhe i fundit arhond i Shtetit të Arbrit nga Dinastia e Progonëve dhe që ishte i martuar me Komnena Nemanjën, vajzën e Stefan Nemanjës dhe mbesën e perandorit bizantin Aleksi II Ëngjëlli, e ka mbajtur Lezhën nga viti 1208 dhe deri sa vdiq më 1215. Menjëherë më pas, e veja e Dhimitrit, Komnena, u martua me fisnikun, Grigor Kamona, por çka është më dramatike lidhet me faktin se pikërisht në vitin 1215 ajo e futi Shtetin e Arbrit nën ndikimin e Mbretërisë Serbe të Rashës.

Me pak fjalë, Lezha kaloi sërish nën pushtetin e Nemanjëve. Në kohën e Stefan Nemanjës qyteti nuk përmendet, porse shfaqet pak me vonë nën sundimin e mbretërve te mëvonshem serbë [27]. Po ashtu, pikërisht në vitin 1215, despoti i Epirit, Mihaili I Ëngjëlli, merr nën kotroll Dukatin venecian të Durrësit, ua heq serbëve nga duart Lezhën dhe Shkodrën, duke perfshirë brenda sundimit te tij edhe Shtetin ose Principatën e Arbrit [28]. Ndërsa, në vitet 1220-1221 nëpër Lezhë kalon Shën Françesku i Asizit (San Francesco d’Assisi), i cili, gjatë rrugës së tij të kthimit nga Toka e Shenjtë themelon të parin Manastir Françeskan në Shqipëri dhe një ndër më të hershmit në Europë [29]. Në të njëjtën kohë, lufta midis Despotatit të Epirit dhe atij të Nikesë, e cila u zhvillua për të marrë fronin e Perandorisë Romake të Lindjes, të shkatërruar nga kryqëzatat, solli dobësimin e pushtetin bizantin nga njëra anë, dhe kontribuoi në fuqizimin e feudalëve arbër nga ana tjetër [30]. Megjithatë, në vitin 1230, ekuilibrat në Ballkan ndryshuan plotësisht kur në muajin prill të këtij viti perandori i Bullgarisë, Ivan Aseni II (1218-1241), mundi dhe zuri rob sundimtarin e Epirit, Thesalisë, Selanikut dhe Maqedonisë, Teodor Ëngjëll Komnenin [31]. Ky i fundit, më vonë u verbua dhe e gjithë fuqia e tij, që e mori aq rrufeshëm të përpjetën, u shemb për tokë sa hap e mbyll sytë [32].

Pikërisht në vitin 1230, Lezha figuron si pjesë integrale e Perandorisë së Dytë Bullgare nën sundimin e car Ivan Asenit II. Me dobësimin e pushtetit bullgar pas vdekjes së tij, më 1241, qyteti i Lezhës me rrethina përjetuan rifuqizimin e feudalëve vendas. Në gjysmën e dytë të shek. XIII, përmenden një sërë familjesh feudale arbëre, si: Blinishtët, Skurajt, Jonimët dhe Dukagjinët, të cilat kishin në zotërim fushat dhe Malësinë e Lezhës [33]. Pas rimarrjes së Kostandinopojës më 1261, fitoreve të mëvonshme kundër princërve latinë dhe forcimit të pushtetit bizantin në rajon, perandori, Mihali VIII Paleologu, në vitin 1272, arriti të rikthejë përkohësisht kontrollin bizantin mbi disa territore në Arbërinë e Veriut midis Drinit e Shkumbinit, duke përfshirë këtu edhe qytetin e rëndësishëm të Lezhës. Megjithatë, ky kontroll ishte shumë i brishtë dhe afatshkurtër, sepse në të njëjtin vit (1272), Karli I D’Anjou shpalli krijimin e Mbretërinë së Arbërisë, e themeluar më 1271, dhe me ndihmën e fisnikëve lokalë arbër, e përzuri administratën bizantine nga shumica e qyteteve arbëre [34]. Në këtë entitet të ri politiko-ushtarak u përfshi edhe qyteti i Lezhës. Pra, me pak fjalë, Mihali VIII Paleologu është perandori i fundit i Perandorisë Romake të Lindjes për të cilin kemi burime që sugjerojnë një kontroll të përkohshëm mbi qytetin e Lezhës dhe trevat përreth. Mirëpo, siç u tha më lart, ky kontroll zgjati për shumë pak kohë, sepse u sfidua menjëherë nga Anzhuinët dhe fisnikët vendas.

Gjatë epokës së Mbretërisë së Arbërisë, e njohur në literaturën historike si “Regnum Albaniae (1271 – 1368)”, në viset përreth qytetit të Lezhës dhe më pas në të gjithë territorin e këtij entiteti politik e ushtarak, u forcua veçanërisht familja e vjetër feudale e Blinishtëve, me në krye fisnikët e njohur të kohës, Vlado, Kalojan dhe Gulielm Blinishti [35]. Pavarësisht fuqisë së Blinishtëve, në vitin 1281 qyteti i Lezhës bëhet kryeqendër e Dukagjinëve [36]. Mirëpo, Th.Ippen thekson se Lezha ka qenë e lidhur ngushtë me emrin e familjes së dinastisë së Dukagjinëve, që në Mesjetën e Hershme [37]. Nga ana tjetër, fundi i shek. XIII shënon dobësimin e familjeve arbëre dhe avancimin gradual të pushtuesve serbë në Arbërinë Veriore. Në vitin 1292, mbreti serb, Uroshi II Milutini, e futi Durrësin nën mbretërinë e tij dhe nga ajo kohë Mbretëria e Arbërisë hyri në vitin 1309 për të parën herë nën titullin e mbretërve serbë [38]. Gjatë shek. XIII-XIV, në burimet perëndimore qyteti i Lezhës përmendet në format e latinizuara: “Lessium, Lexium, Lessum” dhe nga ato serbe në formën e sllavizuar “Lješ [39]. Si përfundim mund të thuhet se gjatë gjithë Mesjetës së Mesme, Lezha përfaqëson një nyje të rëndësishme strategjike, politike dhe kulturore në peizazhin kompleks të hapësirës ballkanike. E pozicionuar në një zonë kufitare ndërmjet sferave të ndikimit latin dhe bizantin, qyteti mishëron në mënyrë paradigmatike ndërthurjen e dy botëve të mëdha mesjetare: Lindjes Ortodokse dhe Perëndimit Katolik, duke funksionuar njëherazi si pikë takimi dhe si vijë ndarëse midis tyre. Rëndësia ushtarake e Lezhës u shpreh në mënyrë të përsëritur në kontekstin e rivaliteteve perandorake, ku ajo u përfshi në orbitën e interesave të Perandorisë Romake të Lindjes, Mbretërisë së Dukljes, principatave serbe, normanëve të Italisë së Jugut, Shtetit të Arbrit, Despotatit të Epirit, Perandorisë së Dytë Bullgare dhe, më vonë, në projektet hegjemonike të Anzhuinëve. Muret e saj të fortifikuara, pozicioni dominant në raport me rrjedhën e poshtme të Drinit dhe afërsia me rrugët e rëndësishme tregtare, tokësose dhe detare, i dhanë Lezhës një funksion kyç në mbrojtjen dhe kontrollin e brigjeve lindore të Adriatikut.

Në planin religjioz dhe kulturor, Lezha shënoi kufirin jugor të “Botës Latine”, duke ruajtur lidhje të qëndrueshme dhe të pashkëputura me Selinë e Shenjtë edhe në periudha të dominimit nga fuqitë ortodokse. Kjo karakteristikë e bën qytetin një rast unik të ndërgjegjes latine në një zonë me ekspozim të vazhdueshëm ndaj ndikimeve lindore, siç vërtetohet nga prania e hershme françeskane dhe përpjekjet për ta përfshirë atë në rrjetet ekleziastike perëndimore. Në aspektin socio-politik, Lezha u shndërrua gjatë shek. XII–XIII në një qendër të rëndësishme të konsolidimit të aristokracisë vendase arbërore, duke u lidhur ngushtë me dinasti të njohura feudale si Blinishtët, Skurajt, Jonimët dhe Dukagjinët. Kjo shënon një fazë të rëndësishme të emancipimit politik lokal dhe të formësimit të strukturave të para shtetformuese në hapësirën shqiptare mesjetare. Në përmbledhje, rëndësia e Lezhës nuk mund të kuptohet thjesht në terma të dominimit territorial, por duhet parë si rezultat i funksioneve të shumëfishta që ajo ushtronte në rrafshin strategjik, ekonomik, kulturor dhe religjioz. Ajo përbën një element themelor për të kuptuar transformimet e identitetit politik, shpirtëror dhe kombëtar të Arbërisë në periudhën e Mesjetës së Mesme.

BIBLIOGRAFIA:

1- G.Ostrogorski, Historia e Perandorisë Bizantine, f. 204-205.

2- J.J.Norwich, Bizanti: Shkëlqimi dhe rënia e një perandorie, 330-1453, f. 200-201.

3- M.Shuflaj, Serbët dhe Shqiptarët, f. 17.

4- F.Cordignano, L’Albania a traverso l’opera e gli scritti di un grande Missionario italiano il p. Domenico Pasi S.I.: (1847-1914), Volume III, f. 52.

5- P.Margjokaj, Historia e popullit shqiptar, (përkth. prej origj. Edmond Malaj; red. Shqiponja Marku; përgjegj. për bot. Viktor Demaj, Mirash Marinaj), Shkodër: Botime Françeskane, 2023, f. 84.

6- A.Comnena, The Alexiad, (Translated by Elizabeth A. S. Dawes), London: 1928, f. 29.

7- J.J.Norwich, Bizanti: Shkëlqimi dhe rënia e një perandorie, 330-1453, f. 234.

8- T.Zavalani, Histori e Shqipnis, f. 125.

9- S.Runciman, A history of the Crusades, Volume I: The First Crusade and the Foundation of the Kingdom of Jerusalem, Cambridge: Cambridge University Press, 1951, f. 160-161.

10- R.d’Aguilers, Historia Francorum Qui Ceperunt Iherusalem, (Translated with Introduction and Notes by John Hugh Hill and Laurita L. Hill; Department of History, University of Houston), Philadelphia: The American Philosophical Society Independence Square, 1968, f. 15-18.

11- Zh.K.Faveirial, Historia (më e vjetër) e Shqipërisë, f. 183.

12- S.Runciman, A history of the Crusades, Volume I: The First Crusade and the Foundation of the Kingdom of Jerusalem, Cambridge: Cambridge University Press, 1951, f. 161.

13- R.d’Aguilers, Historia Francorum Qui Ceperunt Iherusalem, (Translated with Introduction and Notes by John Hugh Hill and Laurita L. Hill; Department of History, University of Houston), Philadelphia: The American Philosophical Society Independence Square, 1968, f. 18.

14- S.Runciman, A history of the Crusades, Volume I: The First Crusade and the Foundation of the Kingdom of Jerusalem, Cambridge: Cambridge University Press, 1951, f. 161.

15- R.d’Aguilers, Historia Francorum Qui Ceperunt Iherusalem, (Translated with Introduction and Notes by John Hugh Hill and Laurita L. Hill; Department of History, University of Houston), Philadelphia: The American Philosophical Society Independence Square, 1968, f. 18.

16- S.Runciman, A history of the Crusades, Volume I: The First Crusade and the Foundation of the Kingdom of Jerusalem, Cambridge: Cambridge University Press, 1951, f. 161.

17- Ibidem, f. 161; Shih edhe P.Margjokaj, Historia e popullit shqiptar, (përkth. prej origj. Edmond Malaj; red. Shqiponja Marku; përgjegj. për bot. Viktor Demaj, Mirash Marinaj), Shkodër: Botime Françeskane, 2023, f. 113.

18- Zh.K.Faveirial, Historia (më e vjetër) e Shqipërisë, f. 183.

19- F.Schevill, Ballkani: Historia dhe Qytetërimi, f. 119.

20- A.Comnena, The Alexiad, (Translated by Elizabeth A. S. Dawes), London: 1928, f. 227-228.

21- K.Jireçek, Nga Shkodra gjer në Vlorë nëpër Shqipërinë Mesjetare, f. 69.

22- A.Comnena, The Alexiad, (Translated by Elizabeth A. S. Dawes), London: 1928, f. 228.

23- E.Malaj, Lezha në Mesjetë, në: Studime Historike, 1-2/2018, Viti LXXII (LV), Tiranë, 2018, f. 12.

24- K.Zheku, Lisi në shekuj, f. 104.

25- Historia e Popullit Shqiptar, Vëll. I (Ilirët, Mesjeta, Shqipëria nën Perandorinë Osmane gjatë shek. XVI – Vitet 20 të shek. XIX), Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, Tiranë: Toena, 2002, f. 224-225.

26- Ibidem, f. 225.

27- E.Malaj, Lezha në Mesjetë, në: Studime Historike, 1-2/2018, Viti LXXII (LV), Tiranë, 2018, f. 12.

28- S.Pulaha-A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 33.

29- D.Fabianich, Storia dei frati minori dai primordi della loro istituzione in Dalmazia e Bossina fino al giorni nosti, Parte prima/Vol. I, Zara: Tip. Fratelli Battara, 1863, f. 337; L.Mihaçeviç, Nëpër Shqipëri (mbresa udhëtimi & etnografi), f. 73; Th.Ippen, Shqipëria e vjetër, f. 256-257; E.Jacques, Shqiptarët: Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri ne ditët e sotme, f. 184; G.Valentini, Passeggiate storiche nell’Alta Albania, në: “Drini – Bollettino mensile del Turismo albanese”, Nr. 1, Anno … II, Tirana: giugno 1941, f. 128; T.Çobani, Paralele kulturore të një qyteti: Studime dhe artikuj, f. 123.

30- E.Malaj, Lezha në Mesjetë, në: Studime Historike, 1-2/2018, Viti LXXII (LV), Tiranë, 2018, f. 13.

31- J.J.Norwich, Bizanti: Shkëlqimi dhe rënia e një perandorie, 330-1453, f. 286.

32- G.Ostrogorski, Historia e Perandorisë Bizantine, f. 310.

33- S.Pulaha-A.Parruca, Lezha: Vështrim historiko-gjeografik, f. 35.

34- P.Margjokaj, Historia e popullit shqiptar, (përkth. prej origj. Edmond Malaj; red. Shqiponja Marku; përgjegj. për bot. Viktor Demaj, Mirash Marinaj), Shkodër: Botime Françeskane, 2023, f. 119.

35- E.Malaj, Profile qytetesh dhe lokalitetesh mesjetare të Arbërisë Veriore: Studime për Mesjetën, f. 203-205.

36- T.Çobani, Paralele kulturore të një qyteti: Studime dhe artikuj, f. 123.

37- Th.Ippen, Shqipëria e vjetër, f. 212.

38- M.Shuflaj, Serbët dhe Shqiptarët, f. 50-51.

39- K.Jireçek, Nga Shkodra gjer në Vlorë nëpër Shqipërinë Mesjetare, f. 69.

Filed Under: Kronike

Fillimet e arsimit shqip në Shqipërinë e Jugut

July 28, 2025 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Zhvillimi i arsimit shqip në Shqipërinë e Jugut nuk mund të kuptohet jashtë kontekstit historik, juridik e kulturor të Perandorisë Osmane dhe ndikimeve të saj ndërfetare e ndëretnike në Ballkan. Në këtë hapësirë ku përkatësia fetare prevalonte mbi atë etnike, sidomos nën juridiksionin e miletit ortodoks (rum millet), gjuha greke u imponua si gjuhë liturgjike dhe arsimore. Megjithatë, në mjediset shqiptare të jugut, ku ortodoksia nuk përkonte domosdoshmërisht greqishten dhe ku ndjenja e përkatësisë gjuhësore e kombëtare filloi të zgjohej, lindën përpjekjet për përdorimin e shqipes në jetën kulturore, fetare dhe arsimore. Kjo periudhë e shekujve XVIII-XIX përfaqëson një fazë të rëndësishme të etnogjenezës moderne shqiptare dhe të zgjimit kombëtar nëpërmjet shkollimit dhe liturgjisë në gjuhën amtare.

Mileti ortodoks dhe statusi i gjuhës greke në Perandorinë Osmane

Në sistemin juridik të Perandorisë Osmane, mileti ortodoks ishte komuniteti i parë që u njoh zyrtarisht si njësi fetaro-administrative, nën autoritetin e Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës. Ky milet nuk ishte ndërtuar mbi kritere etnike, por fetare, duke bërë që përkatësia ortodokse të përthithej si formë primare e identitetit. Brenda këtij sistemi, gjuha greke u institucionalizua si gjuhë e kishës, arsimit dhe e administratës fetare, duke zënë një pozitë mbizotëruese ndaj gjuhëve të tjera të komuniteteve jo-greke, përfshirë shqipen (Hupchick, 2002: 206). Kjo epërsi e gjuhës greke u forcua nga fanariotët, të cilët dominonin strukturat e miletit dhe mbanin pozitat kyçe në administratën kishtare e civile. Rrjedhimisht, gjuha greke u shndërrua jo vetëm në mjet fetar, por edhe në instrument kulturor e politik për ruajtjen e status quo-së osmane. Në kuadër të sistemit osman të miletit, të gjithë të krishterët ortodoksë përfshiheshin nën etiketën “rum” (grekë), gjë që ndikonte në turbullimin e identitetit të vërtetë etnik të ortodoksëve. Kjo do të thoshte se një shqiptar ortodoks konsiderohej pjesë e “miletit grek” (Falcetta, 2014: 51–52), pasi Kisha Ortodokse drejtohej nga klerikë grekë dhe liturgjia zhvillohej në gjuhën greke.

Prandaj, kasha ortodokse e asaj periudhe ndikoi ndjeshëm në formimin e një identiteti të dyfishtë për shumë shqiptarë ortodoksë, duke kontribuar në lindjen e asaj dukurie që më vonë u quajt të formosh “grekë të rremë”, në fakt shqiptarë etnikë që u identifikuan ose u vetëidentifikuan si grekë për arsye fetare, administrative apo për përfitime të tjera. Në lidhje me ta Mackridge shkruan “Ka gjasa që edhe ajo pjesë e vogël që ishte vetidentifikuar si greke, mos të jetë prej “grekësh të vërtetë”. Procesi i “helenizimit” kulturor dhe gjuhësor, si edhe aderimi pasues i shumë të krishterëve ortodoksë shqipfolës në “projektin kombëtar grek”, u lehtësuan nga statusi i Kishës Ortodokse e lidhur ngushtësisht me gjuhën dhe kulturën greke; mungesën e institucioneve arsimore dhe kulturore në gjuhën shqipe, por edhe nga përfytyrimi i helenizmit si rrugë drejt qytetërimit dhe përkatësisë evropiane(Falcetta, 2014: 428).

Ky mbizotërim gjuhësor dhe institucional nuk mbeti pa kundërveprim. Një pjesë e klerikëve ortodoksë shqiptarë, sidomos në Shqipërinë e Poshtme, sfiduan autoritetin e Patriarkanës së Stambollit. Disa prej tyre, si Athanasi i Ohrit dhe Dionisi i Paramithisë, u akuzuan si apostatë për afrimin e tyre me Kishën Katolike dhe me kishat protestante. Rasti i Joasafit nga Voskopoja, i cili mbështeti reforma fetare dhe kulturore në vitet 1719-1745, është tregues i tendencës për afirmimin e një identiteti fetar e kulturor të pavarur nga qendra greke (Xhufi, 2016: 75). Kjo lëvizje përkonte me rritjen e vetëdijes gjuhësore dhe me përpjekjet për të përdorur shqipen në sferën liturgjike dhe arsimore, si pjesë e një procesi më të gjerë kombëtarizimi.

Përpjekjet për përdorimin e shqipes në arsimin dhe liturgjinë ortodokse janë të dokumentuara që nga fundi i shekullit XVII dhe më tej gjatë shekullit XVIII, në qendra si Voskopoja, Elbasani dhe Berati. Shkrimtarë si: Theodor Kavalioti, Danil Haxhiu, Kostë Berati dhe Vangjel Meksi përdorën një variant të modifikuar të alfabetit grek, të ashtuquajtur “alfabet arvanitik”, për të shkruar shqip (Xhufi, 2016; Kitromilides, 1989). Megjithatë, përdorimi i këtij alfabeti nuk u institucionalizua në shkallë të gjerë për arsye të lidhjes së tij me kishën greqishtfolëse, mungesën e një politike kombëtare për gjuhën, të një konsensusi për standardizimin e shkrimit.

Pas Revolucionit Grek të vitit 1821, ideologjia e “Megali Idea” dhe bashkëpunimi i shtetit grek me Patriarkanën greke intensifikuan përpjekjet për asimilimin e ortodoksëve shqiptarë. Kjo u shoqërua me ndalimin e gjuhës shqipe në shkollat kishtare dhe me stigmatizimin e çfarëdo përpjekjeje për hapjen e shkollave në shqip (Xhufi, 2016: 78-79). Ndërkohë, Porta e Lartë, nga ana tjetër, e ndaloi përdorimin e shqipes në shkollat shtetërore osmane, duke preferuar turqishten si gjuhë zyrtare.

Fillesa e arsimit kombëtar shqiptar

Edhe zgjimi kombëtar në Shqipërinë e Jugut na vjen nga arbëreshët. Nevoja për t’u dalluar nga grekët i shtyu klerikët dhe intelektualët arbëreshë të theksonin veçoritë gjuhësore, fetare dhe kulturore të etnisë së tyre, duke i hapur kështu rrugë zhvillimit të çështjes kombëtare, e cila do të merrte formë më të qartë në dekadat pasuese (Historia e arsimit, 2003: 98; Tare, 2021: 78–79). Në mënyrë të ngjashme, misionet baziliane në Shqipëri u kryen nga murgj që e njihnin gjuhën shqipe. Numri i përkthimeve anonime dhe botimeve origjinale në gjuhën shqipe, në vitet që pasuan, dëshmon një proces natyral kulturor të dallimit nga bota greke dhe të identifikimit me kulturën shqipfolëse (Doja, 2023: 98).

Ndërhyrja e Selisë së Shenjtë, përkrahja e kolegjeve kishtare në Itali dhe veçanërisht veprimi i misionarëve italo-shqiptarë krijoi një rrjet të qëndrueshëm shkollash dhe futi në kishat ortodokse në jug predikimin shqip. Këto përpjekje, që shpesh zhvilloheshin në kundërshtim me presionet e kishës ortodokse greke dhe pushtetit osman, dëshmojnë jo vetëm një rezistencë shpirtërore e kulturore, por edhe një ndërgjegje të hershme etnike shqiptare. Në këtë dritë, përdorimi i shqipes në liturgji dhe shkolla nuk ishte thjesht një akt fetar apo edukativ, por një akt vetëdije kombëtare.

Në këtë klimë shtypjeje, përpjekjet për përdorimin e shqipes në arsimin filluan të marrin karakter më të organizuar. Botimi i fjalorëve shumëgjuhësh, përkthimi i Dhiatës së Re, dhe mbështetja nga figura klerikale për shtypjen e librave shqip (si në rastin e Gjirokastrës në vitin 1833) tregojnë për një fillim të heshtur të institucionalizimit të shqipes si gjuhë mësimore dhe liturgjike.

Në fund të shekullit XVIII dhe fillim të shekullit XIX, me depërtimin e ideve iluministe dhe romantike në Ballkan, shqiptarët, në vijim të shembullit të bullgarëve, serbëve dhe vllehëve, filluan të afirmojnë identitetin e tyre gjuhësor dhe kombëtar përmes arsimit në gjuhën amtare (Lloshi, 2016: 51; Kitromilides, 2006: 46).

Kësaj prirje iu kundërvu me të gjitha forcat Patriarkana. Në vitin 1886, Patriarku Ekumenik i Stambollit kërcënoi se do të shkishëronte këdo që gjendej duke lexuar ose shkruar shqip, dhe priftërinjtë u mësonin besimtarëve se “Zoti nuk do t’i kuptonte lutjet e shqiptuara në shqip”(Zickel &Iwaskiw,1992: 19). Përpjekjet agresive të Kishës ortodokse të Stambollit për të hapur kudo ku mundej shkolla greke në Perandori, pas viteve 1870, pasqyrojnë më së miri motivet si të Patriarkanës, ashtu edhe të shtetit osman. Paradoksalisht, për shkak të frikës së separatizmit shqiptar, Porta e Lartë e mbështeti luftën e Patriarkanës ortodokse kundër kërkesave të të krishterëve ortodoksë shqiptarë për krijimin e një kishe autoçefale shqiptare(Zickel & Iwaskiw, 1992:15).

Zhvillimi i arsimit në gjuhën shqipe në Shqipërinë e Jugut lidhet ngushtë me procesin e kombëtarizimit të fesë ortodokse. Ky proces përfshinte përdorimin e gjuhës shqipe në liturgji dhe krijimin e një kleri të formuar në gjuhën shqipe, që mund të lexonte e shkruante në gjuhën amtare. Nën ndikimin e zhvillimeve nacionaliste në Europë, ky process u zhvillua fillimisht në diasporën shqiptare në Itali, ku kishte ngulmime ortodokse që nga periudha paraosmane.

Falë përpjekjeve të misionarëve bazilianë, në të gjitha fshatrat e Rivierës u hapën shkolla fetare: në Himarë kishte një numër të madh nxënësish; në Palasë, shkolla ishte në shtëpinë e Kapedan Lekës; në Vuno dhe më pas në Dhërmi, ku misionarët bazilianë gjetën mbrojtje dhe strehim për shkollën e tyre në banesën e kalorësit Nina. Këto shkolla i frekuentonin nxënës të krishterë, por edhe myslimanë nga fshatrat fqinjë si Piluri, Kudhësi, Tërbaci, Kuçi dhe Nivica, si dhe nga vende më të largëta si Vithkuqi dhe Voskopoja(Xhufi, 2018:88).

Shkrimtarët vendas përdornin një formë të modifikuar të alfabetit grek, të quajtur shpesh “alfabeti arvanitik”, ku, për të pasqyruar tingujt specifikë të shqipes, shtoheshin disa shkronja të reja ose krijoheshin digrafe. Figura të njohura që përdorën këtë alfabet në shkrimet e tyre ishin Theodor Kavalioti, autor i një fjalori shumëgjuhësh; Theodor Haxhifilipi; Dhanil Haxhiu; Konstantin (Kostë) Berati; Vangjel Meksi, që përktheu pjesë nga Dhiata e Re në shqip; si dhe Marko Boçari, i njohur më shumë si luftëtar, por që gjithashtu përdori shqipen në shkrime private. Botimi më pas i fjalorëve me 2, 3 dhe 4 gjuhë nga Kosta Berati, Teodor Kavaljoti dhe Danil Voskopoja, përpjekjet e para për përkthimin e Biblës dhe krijimin e alfabetëve origjinalë për gjuhën shqipe, janë pa dyshim një dëshmi e fshehtë e institucionalizimit të shqipes si gjuhë mësimore dhe si gjuhë liturgjike. Teodor Kavalioti pati meritën e veçantë sepse ishte i pari që gjuhën shqipe e inkuadroi në praktikën shkollore dhe në tekstet e tij mësimorë. “Vepra e tij “Protopiria” (Mësimet e para), botuar në Venedik, më 1770, është edhe manuali i parë shkollor fillestar i botuar, që njohim”. Edhe në një dorëshkrim të Kostë Beratasit gjejmë të shkruar tekste në gjuhën shqipe, paralelisht me greqishten letrare dhe atë popullore, ndonëse kjo bëhej në dobi të greqishtes(Kazazi, 2016). Këtë lëvizje kulturore në ndonjë rast e mbështeti kleri lokal. Në vitin 1833, Kryepeshkopi i Gjirokastrës urdhëroi shtypjen e gjashtëdhjetë kopjeve të Testamentit të Ri në shqip. Nëse është e vërtetë që këto fakte tregojnë ekzistencën e një ndërgjegjeje gjuhësore mes shqiptarëve në përgjithësi, fakti tjetër se pikërisht në trekëndëshin Elbasan – Voskopojë – Berat, në shekullin XVIII, u bënë përpjekje intensive për krijimin e një shkrimi origjinal të gjuhës shqipe, tregon edhe më shumë për ekzistencën e një ndërgjegjeje kombëtare.

Në fund të shek. XVIII dhe në fillim të shek. XIX në viset shqiptare depërtuan idetë e iluminizmit europian, jehona e parimeve dhe e ngjarjeve të përftuara nga Revolucioni Francez e më pas nga romantizmi, si dhe më nga afër, shembulli i përpjekjeve në mes popujve të tjerë të Ballkanit për t’u shkëputur si nga sundimi i huaj e prapambetja, ashtu edhe për të ecur në rrugën e qytetërimit, pjesëmarrës të të cilit kishin qenë edhe viset shqiptare si vise europiane(Lloshi, 2016:51). Në rrjedhën e shekullit të nëntëmbëdhjetë, autorët ballkanikë, të cilët kishin mësuar në shkollat ​​greke, shkruanin në bullgarisht ose shqip dhe kështu ata zbuluan dhe lartësuan individualitetin e popujve të tyre, nëpërmjet kultivimit të identitetit të tyre të veçantë gjuhësor(Kitromilides, 2006: 46).

Në shek.XIX, Kisha Ortodokse Greke bëri përpjekje të pabesueshme për të shtypur të gjitha shenjat e veprimtarisë kulturore shqiptare. Një akt aq i padëmshëm sa mbështetja për hapjen e një shkolle në gjuhën shqipe mund të çonte në shkishërim. Zgjimi kombëtar shqiptar dhe rritja e njëkohshme e ndërgjegjësimit kombëtar do të binte në konflikt me interesat greke(Elsie, 2006: 290). Si qeveria osmane, ashtu edhe Patriarkana Eukumenike e Stambollit ishin të vetëdijshme për rrezikun që etnonacionalizmi i bazuar në gjuhë i shkaktonte autoritetit të tyre. Ndërkohë që osmanët mandatuan turqishten si gjuhë mësimi në shkollat ​​e tyre shtetërore në trevat shqiptare dhe ndaluan botimin e librave në gjuhën shqipe, Patriarkana përdori shkollat ​​e saj kishtare për të nxitur simpatitë pro-greke në mesin e nxënësve shqiptarë të tyre (Hupchick, 2002: 303-304; Evered,2012: 54). Si reagim ndaj kësaj politike asimiluese, me ndihmën e mësuesve atdhetarë gjuha shqipe u mësua fshehurazi në shkollat greke, si nga Koto Hoxhi në Normalen e Qestoratit, Thanas Xega, Panajoth Dhima etj(Koliqi, 2002:146, 160). Të tjerë si Babë Dudë Karbunara mbanin fshehtas kurse të gjuhës shqipe etj.

Në kushtet e rritjes kërcënuese të nacionalizmit grek, Sulltan Abdyl Hamiti II lejoi me pikatore, dhe për aq sa i duhej, një shoqatë kulturore në Stamboll dhe një shkollë shqipe në Korçë, që u hap me 7 mars 1877. Shqiptarët që kishin themeluar shoqerinë shqiptare në Stamboll arritën të marrin nga Ministri i Arsimit të Turqisë leje për të çelur një shkollë private “ortodokse” në gjuhën shqipe, në Korçë. Leja u dha në emrin e Pandeli Sotirit(Xhanari (Latifi), 2017:173), me kusht që në këtë shkollë të pranoheshin vetëm fëmijë që i përkisnin konfesionit jomysliman(Egro, 2017:94). Por shqiptarët nuk e morën parasysh kushëzimin. Regjistrimi i nxënësve për vitet e para ishte afër dyqind. Në vitin 1888, për shembull, shkolla kishte 160 nxënës, me një shpërndarje fetare prej rreth 60 myslimanë dhe 100 të krishterë(Gawrych, 2006:88). Por familjet u përballën me presione kundër dërgimit të fëmijëve të tyre në shkollë. Patriarkana Ekumenike e Rumit kundërshtoi themelimin e shkollës. Por nën shembullin e saj, pa ndonjë leje të veçantë u çelën shkolla të tjera në jug të vendit: në Pogradec, pastaj me radhë në Ohër, Ersekë, Leskovik, Polenë, Luaras etj(Historia e Arsimit 2003: 16) dhe prej atëhere arsimi shqip në jug mbijetoi në forma të ndryshme. Zhvillim të madh mori mësimi i leximit dhe shkrimit të shqipes në mënyrë individuale, mësuesve shëtitës, apo përmes shkollave e kurseve të themeluara në mënyrë të fshehtë e atyre pranë shoqërive atdhetare jashtë vendit. Në vitin 1845, Naum Veqiharxhi botoi “Faqe i ri Ëvetar shqip”, duke hapur kështu shtegun për dhjetëra autorë shqiptarë jo vetëm të ditur dhe besnikë të kombit, por edhe të nderuar si ai, që u mësuan shkrim-leximin shqip brezave të tërë.

Në këtë periudhë përpjekjesh në kërkim të identitetit të munguar të shqiptarëve, do të dalloheshin figura të tilla si Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Orhan Pojani, Koto Hoxhi, Mandi Tërpo, Gjerasim e Sevasti Qirjazi të cilët punuan në jug të vendit dhe shenjuan një periudhë të rëndësishme të zhvillimit të arsimit në Shqipëri.

Fillimet e arsimit shqip në Shqipërinë e Poshtme përfaqësojnë një kapitull të rëndësishëm në historinë e formimit të vetëdijes kombëtare shqiptare, ku gjuha shqipe nisi të fitonte terren përballë ndikimeve të huaja kulturore dhe fetare. Pavarësisht pengesave që buronin nga struktura osmane dhe nga mbizotërimi i greqishtes në jetën fetare dhe arsimore të ortodoksëve, shqiptarët e jugut nisën një proces të qëndrueshëm të afirmimit të identitetit të tyre etnolinguistik. Përpjekjet për futjen e shqipes në shkolla, në liturgji dhe në jetën publike nuk ishin thjesht akt arsimor, por edhe manifestim i një vetëdijeje të re kombëtare.

Filed Under: Kronike

Bajo Topulli (1873-1930) në 95 vjetorin e ndarjes nga jeta

July 24, 2025 by s p

95 vjet nga ndarja nga jeta e heroit Bajo Topulli. Veprimtar i Rilindjes Kombëtare, organizator e drejtues i çetave të armatosura për pavarësi në vitet 1906-1908, Hero i Popullit.Bajram Topulli i njohur si Bajo Topulli lindi në Gjirokastër. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes, kurse shkollën e mesme dhe Normalen e Lartë në Stamboll në vitin 1895. Ne të njëjtin vit u emërua mësues gjimnazi në Trapezunt dhe pas një viti në Erzerum. Të njëjtën detyrë ushtroi edhe në qytetin e Selanikut.Në vitin 1904 u emërua nëndrejtor i gjimnazit të Manastirit.

Në vitin 1906, ai themeloi çetën e parë që veproi në rrethin e Korçës, duke organizuar aksione kundër pushtuesve osmanë dhe bandave greke. Aksioni më i njohur ishte ai i Gurit të Çapit, ku u vra peshkopi Foti, si kundërpërgjigje ndaj vrasjes së Papa Kristo Negovanit.

Për shkak të ndjekjeve osmane, në vitin 1906 Bajo Topulli dhe i vëllai Çerçiz Topulli shkuan në Sofje e Bukuresht, ku morën mbështetje financiare nga kolonitë shqiptare për luftën e armatosur te çetave. Në vitin 1907 udhëtoi në SHBA, ku u ndihmua po ashtu nga diaspora shqiptare.

Si delegat në Kongresin e Manastirit, kontribuoi në vendosjen e alfabetit të gjuhës shqipe. Gjatë viteve 1908–1910, u angazhua në hapjen e klubeve dhe shkollave shqipe në Gjirokastër, Janinë, Korçë dhe qendra të tjera të vilajeteve shqiptare. Në vitin 1910, u emërua inspektor në Ministrinë e Arsimit dhe më pas prefekt në qytetet Izmir, Bursa e të tjera.

Pas kthimit në atdhe në qershor 1925, u emërua kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës,të cilën e drejtoi për tre vjet.Gjatë mandatit të tij, ai ndërmorri një varg reformash të rëndësishme që kontribuan në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe funksionimin e institucioneve. Gjithashtu ai u bë nismëtar i ngritjes të së parës shoqëri aksionere tregtare në Shqipëri, e cila u quajt“Dele”. I sëmurë rëndë, Bajo Topulli u nda nga jeta në 24 korrik të vitit 1930, në Sarandë. Një ceremoni lamtumire madhështore u organizua që nga Saranda deri në Gjirokastër në nderim te figures së tij.

Burimi nga: Lefter Dilo, Myslim Islami, Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Nr. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, faqe 2729-2730.

Foto: wikipedia.org

Marrë nga: Muzeu Kombëtar

Filed Under: Kronike

E vërteta e vrasjes në Shtoj të Shkodrës, e rilindasit Çerçiz Topulli dhe intelektualit Muço Qulli

July 21, 2025 by s p

Nga Albert Vataj/

Në çdo përvjetor të ngjarjeve që kanë shënjuar historinë tonë kombëtare, kujtesa nuk vjen vetëm si një rit ceremonial, por si një thirrje për të ballafaquar të shkuarën me të tashmen. Ka ngjarje që koha përpiqet t’i mbulojë me pluhurin e harresës, por nuk ia del dot, sepse ato bartin peshën e një sakrifice që nuk mund të zbehet, dhe një të vërtetë që nuk mund të fshihet.

Vrasja e Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit më 17 korrik 1915 është një nga ato çaste dramatike ku historia merr fytyrën e saj më të ashpër, por edhe më të lavdishme. Ata nuk ishin thjesht dy emra të shkruar në faqet e një libri, por ishin mishërimi i një ideali që nuk kërkoi asnjë shpërblim përveç lirisë së vendit. Në kohë pushtimesh dhe intrigash të egra politike, kur jeta e njeriut vlente më pak se një urdhër gjenerali, këta dy burra qëndruan me dinjitet dhe u përballën me plumbin si me një gjyq të drejtësisë hyjnore.

Atdhetari dhe rilindasi, Çerçiz Topulli

Në përvjetorin e kësaj ngjarjeje, është e pamundur të mos reflektojmë mbi fjalët e Charles de Gaulle: “Për të kuptuar të tashmen dhe për të ndërtuar të ardhmen, duhet të mbajmë gjallë kujtimet e sakrificave që na sollën deri këtu.”

Dhe kur lexojmë rrëfimet e dëshmitarëve të asaj kohe, ndjejmë se këtu nuk kemi të bëjmë me një thjesht kronikë lufte, por me një testament të gjallë të karakterit dhe burrërisë shqiptare. Ata u përballën me fundin e tyre jo si viktima, por si luftëtarë që, edhe në çastet e fundit, nuk iu përkulën armikut.

Kujtesa e tyre nuk na kërkon të thjesht të qajmë të kaluarën, por të kuptojmë se liria, dinjiteti dhe e vërteta janë themele që nuk mund të ndërtohen mbi harresë. Sot, kur përkujtojmë rënien e tyre në Golem të Shkodrës, ne nderojmë jo vetëm dy individë, por një brez të tërë që me gjakun e tij hapi shtigje për një Shqipëri më të drejtë dhe më të lirë.

Ky përvjetor është një ftesë për të mos harruar: se historia nuk është vetëm e atyre që e shkruajnë, por sidomos e atyre që e jetuan dhe e vulosën me jetën e tyre.

Si çdo vrasje e këtij kalibri, edhe kjo e këtyre dy personazheve me peshë, do të vinte me kohën të interpretohej një mënyra dhe pretendime të ndryshme të së vërtetës. Por falë dëshmitarëve që jetuan atyre kohëve të trazimta, thjeshtësisë dhe vërtetësisë, me të cilën ata rrëfejnë këtë ngjarje, ne kemi mundësinë të njohim të vërtetën dhe të ballafaqohemi me faktet.

Sejfi Vllamasi në librin e tij “Ballafaqime politike në Shqipëri” shkruan mes të tjerash për një nga vrasjet e bujshme të asokohëshme. Më 17 korrik 1915 u pushkatuan në fshatin Golem të Shkodrës atdhetari dhe veprimtari i shquar Rilindjes Kombëtare, Çerçiz Topulli dhe intelektuali Muço Qolli.

“Mua më thirri gjeneral Veshoviq, nis rrëfimi, me porosi që të marr edhe diplomën me vete. Pasi e kontrolloi me vërejtje m’i nguli sytë e tij prej krimineli në bebëzën e syrit dhe më tha: “Ik, se të thërras kur të kem nevojë”. Kështu, pasi Bashkia kishte nevojë për veterinar, ashtu edhe ai vetë, më la të lirë. Të gjithë të arrestuarit u nisën për Cetinë. Më 16 korrik, bashkë me Hamit Gjylbegun shkuam në kazermë, ku takohemi me toger Halimin prej Peje, oficer në ushtrinë malaziase i cili na tha: “Çerçizi me Muço Qullin janë në kazermë”. Halimi ishte i mërzitur dhe na shtoi, “Pritet të vijë major Bahri Begolli, adjutant i kral Nikolës. Në qoftë se majori vjen sonte, të dy të burgosurit kanë shpëtue”. Mjerisht, Bahri Begolli u vonua dhe natën e 17 korrikut, duke u gdhirë, patrioti dhe trimi legjendar Çerçiz Topulli me Muço Qullin u pushkatuan në fushë të Shtoj, afër katundit Golem, prej një toge ushtarake malaziase. Vrasjen e tyre me hollësi e morëm vesh në janar të vitit 1916, kur hyri ushtria austriake në Shkodër. Qysh atë ditë, si dy shokë të ditëve të zeza e të pandarë, prapë bashkë me Hamitin kaluam nëpër Golem, ku hasëm rastësisht një të quajtur Mahmut Golemi, i cili, kur ia treguan shkakun e vizitës, na u përgjigj si vijon:

“Natën e së premtes, natë ramazani, para se del drita, dola me ngarkue sanë prej livadhit, në freskë, kur prej së largut pashë tuj ardhë dy njerëz të përcjellë prej afro 15 ushtarësh, të cilët kur më panë, më urdhëruan të largohem, dhe unë u fsheha mbrapa qerres. Kur erdhën deri në një vend, atje u ndalën dhe ushtarët morën pozicion me qitë mbi dy personat në fjalë.

Intelektuali Muço Qulli

Ai që ishte veshë me petka bojëhini që ia kisha dhënë unë pse kishte mbetur pa xhaketë (Muço Qulli) bërtiti në një mënyrë alarmante, e një burrë i gjatë dhe i plotë, i bërtiti shokut tue i thanë: “Mos u tremb se patriotët kështu e kanë”. Ushtarët qitën; ai me petka bojëhini ra dekun, kurse tjetri, tue sha, me një zë luani e me një shpejtësi të rrufeshme, mësyn ushtarët dhe pa u lanë kohë të qesin të dytën herë, hyn midis tyre dhe erdhi fytyrat me ta për të marrë një pushkë prej tyre. Kjo luftë vazhdoi afro një minutë. Në atë përleshje mbasi gjetën rast i ranë për herë të dytë dhe e vranë. Të nesërmen shkova në vendin e ngjarjes, ku i pashë se ishin mbulue krejt cekët e me ferra. Si myslimanë që ishin, për sevap, i mbulova më thellë. Në kontrollimin e gropës gjetëm shumë shenja që i përkisnin Muço Qullit, pasi trupin e Çerçizit që ishte mbuluar më thellë nuk e prekëm. Gjeneral Veshoviq kishte vrarë më se 2.000 shqiptarë në atë kohë nga malet e rrethet e Shkodrës e të Kosovës. Kështu mori fund jeta e Heroit të Mashkullorës, pa mundur të hakmerrej nga armiqtë e kombit shqiptar. Çerçizi u vra me nxitjen e Tozlit, tregtar grek në Shkodër, për ta marrë hakun e peshkopit grek që e kishte varë Çerçizi bashkë me Mihal Gramenon në Guri i Cjapit më 1907 për të marrë gjakun e Spiro Kosturit, vrarë nga grekët në Selanik. Muço Qulli u vra si austrofil.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 598
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 
  • MËRGIM XHEVAT KORҪA, IN MEMORIAM
  • Ardita Statovci, pedagoge pranë “Washington Conservatory of Music”: “Muzika është gjuhë universale që të mundëson ta prezantosh një copëz të identitetit e kulturës së vendit tënd në çdo anë të botës”
  • Përkujtojmë sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta Fan Stilian Nolin, një figurë themelore të historisë dhe kulturës shqiptare
  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare
  • Mirash Ivanaj, 12 mars 1891-22 shtator 1953
  • Ramazani, tradita shqiptare e mikpritjes dhe harmonia ndërfetare
  • “Ajatollahu, fati i çdo sundimtari gjakatar”!
  • Departamenti i Shtetit ka publikuar një rregull përfundimtar për të ndryshuar Programin e Vizave të Imigrantëve të Diversitetit (“Programi DV”) që hyn në fuqi më 10 prill 2026
  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT