Kosovë-Ekspertë Amerikanë dhe të FSK demolojnë mjete të pashpërthyera
-Për të përcjellë nga afër këtë operacion, prezent ishte edhe komandanti i Kampit Amerikan “Bondsteel”, koloneli Macaraeg/
PRISHTINË, 1 Shkurt 2019-Gazeta DIELLI/ Është zhvilluar një operacion i përbashkët i ekspertëve Amerikanë dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës për demolimin e mjeteve të pashpërthyera.
Në një njoftim të zyrës së shtypit të Ministrisë së Mbrojtjes, dërguar sot, bëhet e ditur se, specialistët e Ekipeve për Eliminimin e Mjeteve të Pashpërthyera Eksplozive (EOD) të Kompanisë së Deminimit të Forcës së Sigurisë të Kosovës, në bashkëpunim me specialistët e Ekipit të EOD-së, nga Kampi Amerikan “Bondsteel”, kanë realizuar një operacion të përbashkët për shkatërrimin e mjeteve eksplozive të cilat janë gjetur nga ekipet e EOD-së, në rajone të ndryshme të Kosovës.Në këtë operacion janë demoluar 16 mjete të kalibrave të ndryshëm, të cilat kanë qenë rrezik permanent për jetën e qytetarëve. Demolimet janë realizuar në fshatin Halilaq, organizuar në dy cikle. Operacioni i demolimit ka shkuar sipas planifikimit dhe është realizuar me sukses.
Për të përcjellë nga afër këtë operacion, prezentë ishin edhe komandanti i Kampit “Bondsteel”, koloneli Macaraeg, koordinatori për Deminim nga Shtabi i Përgjithshëm i KFOR-it – Kampi “Film City” në Prishtinë, A. Cipri, zëvendës komandanti i Regjimentit të Mbrojtjes Civile (RMC), nënkolonel Bajram Bekteshi, si dhe komandanti i Kompanisë së Deminimit, major Gëzim Sada.
Të pranishmit u ndanë të kënaqur me punën dhe angazhimin e ekspertëve të EOD-së dhe vlerësuan lartë bashkëpunimin e ndërsjellë në mes të FSK-së dhe KFOR-it, thekson njoftimi./b.j/
Kosova përjetësisht mirënjohëse NATO-s
-Presidenti Thaçi e kryeministri Haradinaj takime me admiralin e Marinës së SHBA-së, James Gordon Foggo III/
-Viti 2019 është shpallur vit i NATO-s në Kosovë për të kujtuar dhe nderuar përkushtimin dhe sakrificën e ushtarëve të shteteve të NATO-s për Kosovën/
-Admirali Foggo tha se misioni i KFOR-it mbetet i pandryshuar për një mjedis të sigurt në Kosovë dhe për ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe rajon/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 31 Janar 2019/ Admirali i Marinës së SHBA-së, James Gordon Foggo III, i cili shërben si Komandant i Forcave të Marinës së SHBA-së për Evropë, sot në Prishtië është pritur në takime të ndara nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministri Ramush Haradinaj, ku është theksuar se, Kosova është përjetësisht mirënjohëse ndaj KFOR-it dhe NATO-s.Presidenti Thaçi i ka thënë admiralit amerikan se Kosova është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm.“Po punojmë që të krijohen kushtet për të vazhduar dialogu, si mënyrë e vetme për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm. U jemi mirënjohës për përkushtimin tuaj në ruajtjen e paqes në Kosovë dhe rajon”, u shpreh presidenti Thaçi.
Presidenti Thaçi dhe admirali James Foggo kanë folur edhe për tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, i cili është proces i koordinuar me KFOR-in dhe NATO-n.Në anën tjetër, admirali i marinës së SHBA-së, James Gordon Foggo III, theksoi se dialogu është rruga e vetme që çon përpara.
“KFOR-i do të vazhdojë të ofrojë paqe e siguri”, ka thënë ai.Presidenti Thaçi ka thënë se viti 2019 është shpallur vit i NATO-s në Kosovë për të kujtuar dhe nderuar përkushtimin dhe sakrificën e ushtarëve të shteteve të NATO-s për Kosovën.Kryeministri Haradinaj në takim me admiralin James Foggo III, komandant i Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli dhe komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Lorenzo D’Addario, ka biseduar për gjendjen e tanishme të sigurisë në Kosovë dhe rajon.
Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar admiralin Foggo për zhvillimet aktuale politike dhe të sigurisë në Kosovë, duke e falënderuar atë dhe NATO-n për mbështetjen e Kosovës në të gjitha proceset dhe për misionin e tyre në krijimin dhe forcimin e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe më gjerë.“U jemi mirënjohës përjetësisht për angazhimin dhe rolin tuaj dhe të gjithë ushtarëve të KFOR-it, të cilët kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë për të krijuar një ambient të qetë dhe të sigurt për qytetarët e Kosovës”, tha kryeministri Haradinaj, duke e siguruar atë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për bashkëpunim me KFOR-in në forcimin e stabilitetit dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon.
Duke konfirmuar bashkëpunimin e të gjitha institucioneve të sigurisë të Kosovës me KFOR-in, kryeministri Haradinaj tha se Kosova do të ruajë dhe forcojë partneritetin me NATO-n. “Ne jemi popull që i takojmë popujve të lirë, të udhëhequr nga ShBA-të, në shërbim të paqes në vend, rajon dhe botë”, ka thënë kryeministri Haradinaj në takim, duke shtuar se Kosova është e gatshme t’i bashkohet NATO-së në misionet paqësore, në shërbim të paqes dhe sigurisë në botë.
Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar admiralin Foggo për periudhën e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke thënë se kjo forcë do të jetë multietnike, profesionale dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit, në të cilën do të jenë të përfshira të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
Nga ana e tij, admirali Foggo tha se misioni i KFOR-it mbetet i pandryshuar për një mjedis të sigurt në Kosovë dhe për ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe rajon.
Pristina, 31st January 2019
Foggo meets with Thaçi, Haradinaj and Jevtić
Admiral James Foggo met with Mr. Hashim Thaçi, Mr. Ramush Haradinaj and Mr. Dalibor Jevtić today. The leaders discussed the current state of security in Kosovo, in the context of KFOR’s mission to provide a safe and secure environment plus freedom of movement for all people in Kosovo, under UN Security Council Resolution 1244.
During the visit, Foggo discussed the issue of Kosovo’s plan to transition the Kosovo Security Force.
Foggo reminded Mr. Thaci and Mr. Haradinaj that the Secretary General and the North Atlantic Council have consistently said that any change to the mandate of the KSF will mean that NATO will have to re-examine its level of engagement with the KSF. This work is under way now in Brussels.
Foggo stated that he expects the transition of the KSF to be a progressive, transparent and inclusive effort that is closely coordinated with NATO and the international community. He reinforced the need for KSF activities to adhere to the limits set out in Mr. Thaçi’s 2013 letter in which he stated the KSF would not operate in northern Kosovo without prior concurrence by KFOR.
Foggo underlined that all interested parties understand that the Kosovo Police Special Units is not part of KSF, and that Institutions in Kosovo must demonstrate the difference.
Lastly, as KFOR nears its 20-year anniversary, Foggo said that KFOR intends to honour those NATO personnel who gave their lives in support of a safe and secure environment.
Foggo commands NATO’s Allied Joint Force Command Naples, which oversees KFOR. NATO remains committed through KFOR to a safe and secure environment in Kosovo and to the stability in the wider Western Balkans.
Ambasadori Amerikan: Policia e Kosovës ndër më të mirat në Evropë
-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj: Policia e Kosovës është përkrahur në vazhdimësi nga institucionet relevante të Shteteve të Bashkuara të Amerikës/
-Ambasadori Amerikan në Prishtinë, Philip S. Kosnett: Policisë së Kosovës i uroj suksese të mëtejme përderisa vazhdon të ndërtojë namin si njëra ndër organizatat më të mira të policisë në Evropë/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 28 Janar 2019/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj priti sot ambasadorin Amerikan në Prishtinë, Philip S. Kosnett, i cili mori pjesë në ceremoninë e fillimit të projektit trajnues që realizohet nga Zyra e Programit për Asistencë Kundër Terrorizmit (ATA). Ky trajnim, në të cilin marrin pjesë përfaqësues nga Policia e Kosovës, Prokuroria dhe Gjykata, ka për qëllim rritjen e kapaciteteve për zbatues të ligjit në Kosovë, avancimin e zyrtarëve të Policisë së Kosovës në zhvillimin e aftësive teknike si dhe për të adresuar kërcënimet e lidhura me terrorizmin.
Drejtori Qalaj në fjalën e tij të rastit tha se institucionet e Republikës së Kosovës, ashtu si edhe qytetarët e saj, janë përcaktuar qartë për ndërtimin e një shoqërie demokratike në Republikën e Kosovës, ku respektimi i të drejtave të njeriut, të lirive fundamentale, gjithëpërfshirja dhe sundimi i ligjit janë të garantuara për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, apo të dallimeve të tjera dhe po ashtu potencoi se jemi të përcaktuar qartë në orientimin proevropian dhe synimin për integrimin në institucionet dhe organizatat euro-atlantike.
Në frymën e kësaj, Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit si dhe në parandalimin dhe luftimin e të gjitha dukurive negative dhe krimit të organizuar në përgjithësi e veçanërisht në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.
Ndër të tjera drejtori Qalaj tha se Policia e Kosovës është përkrahur në vazhdimësi nga institucionet relevante të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Falë ndihmës, shkëmbimit të përvojave dhe praktikave, si dhe përkrahjes së vazhdueshme nga SHBA-të, Policia e Kosovës, në bashkëpunim edhe me institucionet tjera vendore ka arritur të mbrojë Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj nga aktet e terrorizmit, andaj për këtë ju jemi mirënjohës dhe falënderues SHBA-ve.
Nga ana tjetër ambasadori Amerikan Philip S. Kosnett u shpreh se Ambasada Amerikane është krenare që po bashkëpunon në këtë trajnim dyditor, i cili ofron kornizën organizative të ligjeve dhe politikave për t’u marrë në konsideratë nga zyrtarët kur hetojnë apo gjykojnë terroristë. Kjo ngjarje është e rëndësishme për sundimin e ligjit dhe për sigurinë rajonale.
FJALA E AMBASADORIT AMERIKAN NË KOSOVË PHILIP S. KOSNETT GJATË HAPJES SË PUNËTORISË: PËRDORIMI I TEKNOLOGJISË PËR QËLLIME TERRORISTE, 28 JANAR 2019
Zonja dhe zotërinj, mirëmëngjesi. Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, ju faleminderit për fjalët e mira.
Para se të flas për temën e kësaj konference, dëshiroj ti them disa fjalë për Policinë e Kosovës.
Siç e dinë shumë njerëz, kam shërbyer në Kosovë para 15 viteve dhe më vjen shumë mirë kur e shoh sa ka përparuar Policia e Kosovës gjatë këtyre viteve. Profesionalizmi dhe guximi i Policisë së Kosovës janë më se të ditura.
Po ashtu, dëshiroj të vë në pah komentet e Drejtorit të Përgjithshëm për përkushtimin e organizatës për të ndërtuar forcë policore shumetnike. Unë besoj se të keni forcë policore që i përfaqëson të gjithë qytetarët e një vendi është jetike për zhvillimin e shoqërisë, si dhe për qëllimet specifike të policisë për luftimin e krimit. Dëshiroj t’ju nxis të vazhdoni në këtë drejtim.
Ti kthehemi tani temës së punëtorisë: “Përdorimi i teknologjisë për qëllime terroriste”. Ju faleminderit edhe njëherë për mundësinë për të folur sot.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin të përqendruara për promovimin e sundimit të ligjit dhe të sigurisë rajonale. Si pjesë e këtij qëllimi, jemi duke mbajtur këtë program me vlerë 1.4 milionë dollarë për trajnim dhe asistencë kundër terrorizmit për mbështetjen e këtyre përpjekjeve në Kosovë. Na vjen jashtëzakonisht mirë që po i shohim pjesëtarët e palodhshëm të Policisë së Kosovës, prokurorët dhe gjyqtarët duke e ndjekur këtë kurs dyditor dhe njërin ndër shtatë kurset e sponsorizuara nga ATA.
Ambasada është krenare për bashkëpunimin për këtë trajnim dyditor, i cili iu jep udhëheqësve kornizën organizative dhe politikat që mund të shqyrtohen gjatë hetimit dhe ndjekjes penale të terroristëve. Kjo është ngjarje e rëndësishme për sundimin e ligjit dhe sigurinë rajonale.
Askush, asnjë vend nuk është imun nga terrorizmi. Institucionet e Kosovës kanë kryer punë mbresëlënëse në vitin 2016 për të penguar një sulm të planifikuar gjatë ndeshjes së futbollit Shqipëri-Izrael, duke përdorur dronët për të bartur dhe shpërthyer eksplozivin. Në maj të vitit të shkuar, tetë qytetarët të Kosovës janë dënuar pas akuzave për terrorizëm për rolin e tyre në këtë tentim të sulmit.
Para dy javëve, Policia e Kosovës ka arrestuar një individ për kërcënim ndaj kryeministrit Haradinaj përmes rrjeteve sociale dhe internetit. Këta shembuj tregojnë rritjen e hatashme në zhvillimin e aftësive dhe angazhimin me partnerët rajonalë dhe ne shpresojmë që do të vazhdojmë ta ndihmojmë Policinë e Kosovës për të vazhduar këto suksese.
Mentorët dhe instruktorët me përvojë të zbatimit të ligjit: Xhim Ficsimons (Jim Fitzsimmons), Majk MekTavish (Mike McTavish), Art Ihuan (Art Ehuan) dhe Shon Flëri (Shawn Fleury) kanë ekspertizën dhe shkathtësitë e duhura për të bartur njohurinë dhe për të trajnuar zyrtarët e Qeverisë së Kosovës. Përderisa Jim-i dhe Mike-u tashmë po punojnë dhe po ndihmojnë Njësitin kundër terrorizmit të Policisë së Kosovës, këtë trajnim do ta udhëheqin Shoni dhe Arti. Jemi të bindur se kjo punëtori do të jetë edukative dhe e leverdishme për Qeverinë e Kosovës përderisa teknologjia vazhdon të luajë rol jetik në veprimtaritë terroriste.
Më lejoni ta mbylli fjalën time duke ju falënderuar edhe njëherë për mundësinë për të folur sot para jush. Shpresojmë që do të vazhdojmë angazhimin dhe bashkëpunimin me ju për këto çështje. Policisë së Kosovës i uroj suksese të mëtejme përderisa vazhdon të ndërtojë namin si njëra ndër organizatat më të mira të policisë në Evropë.
Nis intervistimi i disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Hagë
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa, u paraqit të hënën për intervistim në Prokurorinë Speciale në Hagë, në lidhje me pretendimet për përfshirjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.
Në një deklaratë të shkurtër për gazetarë, para intervistës, Mustafa tha se “do t’iu përgjigjet të gjitha pyetjeve të prokurorit”.
Në Hagë këtë javë do të intervistohet edhe Sami Lushtaku, po ashtu ish-komandant i UÇK-së.
Në mesin e të ftuarve për intervistim janë edhe Sokol Dobruna, Nazif Mehmeti e Raimonda Rreci.
Avokatët e disa të të ftuarve kanë thënë se klientët e tyre “do të paraqiten vullnetarisht” dhe se “janë të gatshëm të sqarojnë çdo rrethanë” që po heton Prokuroria Speciale.
Është raportuar se Remzi Shala, i cili po ashtu ka marrë ftesë, nuk do të paraqitet në intervistë, pasi ka thënë se nuk i beson Gjykatës Speciale që do të trajtojë pretendimet për krime lufte në Kosovë.
Në zyrën e Prokurorit Special nuk kanë folur rreth ftesave, ndërsa autoritetet në Kosovë u kanë bërë thirrje të gjithë atyre që janë ftuar për intervistë, të përgjigjen, në mënyrë që të tregojnë “luftën e pastër të UÇK-së”.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë të premten se Qeveria e tij nuk është informuar nga Gjykata Speciale për intervistat që do të bëhen, por ka kujtuar se Kosova e ka obligim ligjor që t’i mbështesë ligjërisht dhe financiarisht të prekurit dhe familjet e tyre.Ligji për Gjykatën Speciale është miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015, ndërsa institucioni është bërë funksional në korrik të vitit 2017, kur është miratuar Rregullorja e Procedurave dhe e Provave.
Gjykata do të veprojë në Hagë, me prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë, por me ligjet e Kosovës.
Krijimi i saj ka pasuar publikimin e një raporti nga Këshilli i Evropës në vitin 2011, në të cilin thuhet se ka prova të mjaftueshme për të hetuar krimet që supozohet se i kanë kryer ish-pjesëtarë të UÇK-së kundër serbëve dhe disa shqiptarëve të dyshuar për bashkëpunim me regjimin e Beogradit, gjatë dhe para luftës.
Hetimet do të përqendrohen në krimet e supozuara nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Në Kosovë, Gjykata Speciale ka shkaktuar pakënaqësi dhe zemërim dhe ka çuar në protesta të veteranëve të UÇK-së.
Sipas disave, me këtë gjykatë po bëhet barazimi i luftës së UÇK-së me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, e cila ka përfunduar me ndërhyrjen e NATO-s.
Veteranët dhe disa deputetë thonë se kjo gjykatë duhet të gjykojë të gjithë ata që dyshohet se kanë kryer krime në Kosovë dhe jo, siç thuhet, vetëm një bashkësi etnike.
Në fund të vitit 2017, pas një peticioni me 15 mijë nënshkrime, një grup i deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka ndërmarrë nismën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.
Pas disa javësh presion politik nga bashkësia ndërkombëtare, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës kanë thënë se gjykata nuk do të shfuqizohet.
- « Previous Page
- 1
- …
- 161
- 162
- 163
- 164
- 165
- …
- 599
- Next Page »

