Mitrovica, një park me emrin Adem Demaçi
MITROVICË, 25 Shkurt 2016/Një park në Mitrovicë merr emrin e veprimtarit të çështjes kombëtare, simbolit të rezistencës Adem Demaçi, me rastin e 80 vjetorit të lindjes. Vendimin e mori unanimisht Kuvendi i Komunës së Mitrovicës jugore, në mbledhjen e mbajtur sot. “Simboli i rezistencës kundër pushtuesit, intelektuali dhe shkrimtari i madh Adem Demaçi, tërë jetën ia kushtoi shqiptarisë, Kosovës dhe Shqipërisë. Është nderë dhe krenari për ne që parku afër Shkollës së muzikës të mbajë emrin e kolosit të çështjes kombëtare”, u shpreh kryetari i komunës, Agim Bahtiri.Vendimi edhe u duartrokit nga këshilltarët e Kuvendit të Komunës jugore të Mitrovicës, qytetit më të madh verior të Kosovës./b.j/
Një vit pas përmbytjeve- Ambasadori Lu dhe Rama në Fier: Fonde për fermerët
USAID së bashku me qeverinë shqiptare do mbështesin me 750 mijë dollarë fermerët e fshatit Kafaraj të Fierit, kultivues të luleshtrydheve. Serat e luleshtrydheve, që cilësohen si ari i kuq, një vit më parë u përmbytën. Dje këtë situate e panë ambasdori Donald Lu dhe kryeministri Rama. Gjatë takimit me fermerët Ambasadori Lu u shpreh se, “Ministri Panariti më tha të hënën se qeveria po ia kalon bashkive përgjegjësinë dhe autoritetin për parandalimin e përmbytjeve. Ne e mbështesim plotësisht këtë nismë dhe i bëjmë thirrje qeverisë t’u japë atyre jo vetëm autoritetin, por edhe burimet teknike dhe monetare, që ta zgjidhin këtë problem. Reforma territoriale dhe administrative kishte për qëllim të përmirësonte sigurimin e shërbimeve në nivel lokal”. Ndërsa zoti Rama tha se, pas përmbytjeve dhe rikthimit në normalitet, rekuperimi i dëmeve tashmë është një premtim i mbajtur. Sfida e radhës, sipas tij, është çuarja përpara e këtij projekti, që marka e luleshtrydheve “Made in Albania” të çertifikohet dhe të bëhet e besueshme ndërkombëtarisht.
Kosovë-Vizitë e Delegacionit nga agjencia qeveritare amerikane MCC
-Presidentja Jahjaga: Sot hapim një kapitull të ri ndërmjet Kosovës dhe agjencisë amerikane Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit si shembull të radhës të miqësisë së thellë të dy shteteve tona dhe përkrahjes për zhvillim dhe avancim që Kosova gëzon nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës/
PRISHTINË, 23 Shkurt 2016-B.Jashari/ Një delegacion i lartë nga agjencia qeveritare amerikane Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), udhëhequr nga Kamran Khan, zëvendëspresident i MCC-së, në vizitën në Kosovë u prit sot në mbrëmje në takim te Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.Në një deklaratë pas takimit me delegacionin e Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit, Presidentja Jahjaga tha se, sot hapim një kapitull të ri ndërmjet Kosovës dhe agjencisë amerikane Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit si shembull të radhës të miqësisë së thellë të dy shteteve tona dhe përkrahjes për zhvillim dhe avancim që Kosova gëzon nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Vizita e sotme e delegacionit të MCC-së vjen pas vendimit të Bordit të kësaj agjencie në dhjetor të vitit të kaluar për ta përzgjedhur Kosovën të zhvillojë programin Kompakt të ndihmës, program i gjerë investimi që do të përqendrohet në reformën e sektorëve të caktuar në dobi të krijimit të vendeve të reja të punës, përmirësimit të kualitetit të jetës dhe uljes së varfërisë në vendin tonë”, tha ajo.
Jahjaga theksoi se, kualifikimi i Kosovës për fondet e MCC-së është bërë i mundshëm krahas përparimit të Kosovës në reformat e gjithmbarshme për zhvillim demokratik, qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit dhe përpjekjeve të vazhdueshme të Zyrës time, në bashkërendim me shumë ministri dhe agjenci të Kombeve të Bashkuara të pranishme në Kosovë, për t’i mbledhur dhe raportuar për herë të parë shumicën e indikatorëve që shërbejnë si matës të përparimit të vendit nga kjo agjenci.
“Vazhdimi i kësaj ndihme financiare në vitet në vijim do të varet ekskluzivisht nga përparimi që ne e shënojmë si vend, sidomos në luftën kundër korrupsionit”, vijoi Presidentja kosovare.
Ajo tha se me Khan diskutuan për zhvillimin e programit dhe sektorët që kanë prioritet për t’i përmbushur synimet zhvillimore dhe për ta nxitur realizimin e potencialit ekonomik të Kosovës.
“Institucionet e Kosovës tashmë i kanë filluar përgatitjet për këtë proces dhe në konsultim të gjerë me komunitetin e biznesit dhe shoqërinë civile do të përpilojnë një plan të qartë të prioriteteve”, bëri të ditur Jahjaga. Edhe kryeministri kosovar Isa Mustafa pret nesër në takim delegacionin e lartë nga agjencia qeveritare amerikane Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), të udhëhequr nga Kamran Khan, zëvendëspresident.
Kosovë – Opozita, protesta “non-stop”
Foto Gazeta Dielli-Behlul Jashari/– Ka paralajmërime se pranë Kryeministrisë dhe Kuvendit të Kosovës do vendosen edhe tenda për protestuesit opozitarë në sheshe, ku në këto orë të paraditës kanë nisë të shtohen forcat policore/PRISHTINË, 23 Shkurt 2016-B.Jashari/.-Opozita e bashkuar në Kosovë, e tre subjekteve, VV, AAK e Nisma, me gjithësej 31 deputetë në Kuvendin 120 anëtarësh mban sot në shësh në Prishtinë konferencë shtypi, ndërkohë që ka paralajmëruar protesta të reja kundër qeverisë, kundër seancave parlamentare dhe kundër zgjedhjes së Presidentit të Republikës.“Haradinaj, Ymeri dhe Limaj sot mbajnë konferencē për shtyp. Vendi: Sheshi para Teatrit Kombëtar. Ora 14:00 Tema: Fillimi i protestave non-stop”, thekson njoftimi i dërguar.
Ka paralajmërime se pranë Kryeministrisë dhe Kuvendit të Kosovës do vendosen edhe tenda për protestuesit opozitarë në sheshe, ku në këto orë të paraditës kanë nisë të shtohen forcat policore.
Opozita e bashkuar, në përfundim të protëstës së ditëfestës së 8 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës – 17 shkurtit, ku sipas saj ishim mbi 100 mijë pjesëmarrës e sipas Policisë kosovare rreth 15 mijë, ka paralajmëruar protestë tjetër në 27 shkurt nëse deri atëherë nuk dorëhiqet “qeveria që ka shkelur Kushtetutën me marrëveshjen për bashkësinë-asociacionin e komunave me shumicë serbe” dhe nuk shpallen zgjedhje të jashtëzakonshme paralamentare, por protestë kishte edhe derisa Kuvendi zhvillonte seancë plenare të premtën e kaluar, me tre ndërprerje nga gazi lotsjellës i opozitës, e cila sot pasdite pritet të nisë “protestat non-stop”.
“Zgjedhjet mbahen në 10 qershor 2018”, të rregullta sipas Kushtetutës së Kosovës, dhe nuk do ketë dorëheqje, ishte përgjigja e qeverisë në një konferencë shtypi pasditen e 17 shkurtit pas protestës së opozitës, ku u shpreh e palëkundur në punën e saj, “duke respektuar votuesin dhe ata që u kanë dhënë mandatit që janë mbi 200 mijë votues të LDK-së dhe mbi 230 mijë të PDK-së dhe mijëra tjerë të partive tjera të koalicionit”.
Liderët e partive më të mëdha të koalicionit qeverisës i kanë bërë ftesa të përsëritura opozitës që të gjitha çështjet që e preokupojnë, që mund të jenë reale, t’i diskutojë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
- « Previous Page
- 1
- …
- 295
- 296
- 297
- 298
- 299
- …
- 600
- Next Page »