• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË NATË DHE NJË DITË E ANKTHSHME

March 1, 2023 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Sot kujtojmë Masakrën e Likoshanit dhe Qirezit, të 28 shkurt 1999, me nderim dhe dhimbje të madhe, për aktin e tmerrshëm të gjenocidit, të shkaktuar nga makineria serbe. Me nderim të thellë dhe krenari, kujtojmë gjithë dëshmorët dhe martirët e lirisë në Likoshan dhe Qirez, dhe në krejt Kosovën.Krimet serbe në Kosovë janë ende të pa ndëshkuara nga drejtësia vendore dhe ndërkombëtare. Më 28 shkurt 1998, policia serbe vrau 24 shqiptarë në Likoshan dhe Qirez të Drenicës, prej të cilëve 20 ishin civilë.Pas masakrës së kryer nga shteti serbe në Likoshan dhe Qirez më 28 shkurt 1998, lufta e lavdishëm e UÇK-së nuk mund të kishte më kthim pas, deri në çlirimi e Kosovës. Atë ditë breshër armësh u ndëgjuan nga katër anët e atyre fshatrave. Helikopteri qëllonte pa asnjë kontroll në të gjitha drejtimet. Pas një kohe të gjatë, në mbrëmje, arritëm në malin e Lagjes Krasniqi të Gllanasellës dhe aty takuam edhe shumë burra dhe veprimtarë. Që andej dukeshin gjatë gjithë ditës sesi arrinin forca të blinduara ushtarake serbe drejt Likoshanit dhe Qirezit. Askush nuk dinte saktë për numrin e të vrarëve dhe të plagosurve. Në ditën e nesërme forcat serbe zunë të tërhiqen duke lënë pas vetes gjurmët e krimeve dhe të gjenocidit që kishin ushtruar ndaj popullatës civile shqiptare.Kurrë në jetën time nuk do ta harroj atë ditë. Aty do ta takoj veprimtarin Adem Gashi bashkë me Jakup Krasniqin, Shaban Shalën, Hafir Shalën kur hymë në odën e Sejdijajve dhe pamë katër vëllezërit Sejdiu të vrarë. Hapu moj tokë!Derisa prindërit u qëndronin te koka duke pritur dhe përcjellë njerëz nga anë e anës së Kosovës me një qëndrim fisnik e burrëri të paparë. Nuk na bënte punë goja as sa për të shqiptuar një ngushëllim.Dr. Hafir Shala bëri përpjekje të pamundura që të ndihmonte dhe ta shpërndante lajmin për masakrën, për krimet serbe, tutje opinionit ndërkombëtar edhe përkundër faktit se kishte mungesë të mjeteve elementare. Ai bëri të mundur identifikimin e plagëve vdekjeprurëse. Adem Gashi, në këtë kohë ishte drejtor i RTK (Programit satelitor) që transmetohej nga TV shqiptar, bënte përpjekje që sa më shpejt ta shpërndante të vërtetën para opinionit ndërkombëtar lidhur me krimet serbe kundër civilëve shqiptarë në Likoshan dhe Qirez.Dikur, si në një vorbull, humba përqendrimin nga marramendja sa nuk e dija në ishte natë apo ditë.Sidoqoftë ishte diçka e ankthshme midis një nate e një dite shkurti, që dukej sikur me valët e erës shpërndante dhimbje, trishtim e pikëllim të pafundmë.A do të vinte edhe një ditë tjetër pas asaj tragjedie!? I përjetshëm qoftë kujtimi, respekti e vlerësimi për dëshmorët dhe martirët e Likoshanit dhe Qirezit. Lavdi

Filed Under: Kronike Tagged With: Lulzim Nika

LA TRIBUNA (1915) / KU NDODHET ISA BOLETINI ? — INTERVISTA EKSKLUZIVE ME DJALIN E TIJ, ADEMIN

February 28, 2023 by s p


Isa Boletini (1864 – 1916)
Isa Boletini (1864 – 1916)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 25 Shkurt 2023

“La Tribuna” ka botuar, të mërkurën e 24 nëntorit 1915, në faqen n°5, intervistën ekskluzive asokohe me djalin e Isa Boletinit, Ademin, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Intervista jonë me djalin e Isa Boletinit

Burimi : La Tribuna, e mërkurë, 24 nëntor 1915, f.5
Burimi : La Tribuna, e mërkurë, 24 nëntor 1915, f.5

Para së gjithash, më duhet të protestoj kundër publikimit në gazeta të disa klisheve që paraqesin babanë tim plak të rraskapitur dhe të veshur si një turk nga Azia e Vogël — më thotë i riu Adem Boletini, djali i luftëtarit trim shqiptar, një oficer i pashëm njëzet vjeçar me flokë të zeza në ushtrinë tonë, siç shkruante dje “Tribuna”, dhe tashmë i dërguar që kur la shkollën ushtarake të Modenës, në qytetin simpatik të…

Babai im Isai është vetëm 50 vjeç, ai është shtatlartë, energjik, i drejtë.

— A keni dëgjuar për vdekjen e tij ?

— Jo. Megjithatë, edhe pse tani jam mësuar të lexoj komunikimin e zi në gazetat e të gjitha kombeve, të paktën dy herë në vit, duke formuar kështu një lloj armature kundër skepticizmit më të ashpër, tani jam shumë i frikësuar, sepse meqë babai im nuk është në luftë me askënd, nuk mund të shpjegoj pse një komb që nuk është në luftë kundër tij duhet të përhapë lajmin e vdekjeve. Është e vërtetë që tani në Vjenë i gjuajnë me gurë, në të gjitha mënyrat, por…

— A është me të vërtetë në Cetinje, Isa Boletini ?

Pas marrjes së Shkodrës, ai pranoi ftesën e qeverisë malazeze për të shkuar të vendoset në kryeqytetin e vogël, së bashku me dy vëllezërit e mi të tjerë. Dy vëllezër të tjerë dhe dy motra janë me nënën time Qamile në Mitrovicë, të konsideruar si pengje nga serbët. Këta, meqë im atë nuk donte t’ua njihte sundimin e disa qyteteve shqiptare dhe i kundërshtoi, jo vetëm që nuk lanë të iknin pjesën tjetër të familjes, por konfiskuan pasuritë e shumta që zotërojmë në Mitovicë, Pejë dhe Boletin. Një vëlla tjetër që donte të bashkohej me mua vitin e kaluar në Institutin Ndërkombëtar të Torinos u arrestua nga autoritetet serbe.

— Cili është programi i babait tuaj në një sërë betejash dhe aventurash të tilla ?

— Dëgjoni : Isa dëshiron, për dashurinë e madhe që ka për atdheun e tij, një Shqipëri të pavarur. Ai nuk ka shumë kulturë (formim arsimor). Ai u formua vetë. Ai ka lexuar historinë e pavarësisë italiane dhe do të donte të barazonte tokën shqiptare me Piemonten tuaj, me të gjitha shqetësimet dhe aspiratat e saj. I përbuzte paratë që iu ofruan nga të gjitha anët, i ktheu nderime të panumërta për çlirimin e atdheut. Dhe shumë shqiptarë e ndjekin në synimin e tij. Një vit ai arriti të kishte nën komandën e tij rreth 30.000 shqiptarë që e adhuronin me butësi. Ai ishte mik i Abdul Hamidit sepse ai u jepte lëshime shqiptarëve. Luftoi xhonturqit sepse shtypën dhe tiranizuan me etiketën e qytetërimit. Unë vetë isha dëshmitar i humbjes së pesë batalioneve të Xhavit Pashës, të dërguar për ta ndëshkuar me një ushtri të fortë, kur babai im shoqërohej vetëm nga njëqind luftëtarë. Isa u lidh me serbët për të dëbuar turqit, por kur ata u vendosën në territorin shqiptar ai i luftoi ashpër. Për të patur një atdhe të lirë ai u end gjatë nëpër Evropë, në Romë, në Vjenë, në Paris, në Londër, pasi jahti mikpritës i princit të Montpensier e mori në Vlorë dhe e zbarkoi në Brindizi. Kohët e fundit ai është treguar mik i Princ Vidit, sepse besonte se nën udhëheqjen e tij, Shqipëria, e mbrojtur nga Italia dhe Austria, do të zgjohej dhe do të ngrihej në dinjitetin e një kombi.

— Po pastaj ?

— Pastaj serbët u shfaqën sërish në Durrës dhe malazezët morën Shkodrën. Ai preferoi të ndiqte këta të fundit.

Ademi i ri ka shfajësuar të atin nga akuzat për çdo pjesëmarrje në vrasjen e konsullit rus të Mitrovicës, Techerbine.

— Një ushtar shqiptar mysliman, duke parë vëllezërit e tij të rrethuar nga trupat e armikut, qëlloi në rrugët e Mitrovicës drejt konsullit, për të cilin besonte se ishte autori i shfarosjes së racës së tij.

E pyeta oficerin Adem Boletini për zbatimin e atij projekti të përkrahur ngrohtësisht në gazetën “Tribuna” nga gjermanët tanë. Djali i rebelit këmbëngulës është shumë optimist. Ai beson se nëse austro-gjermanët zëvendësojnë serbët, edhe këta do të kundërshtohen në përparim nga fiset shqiptare.

— Asnjë armëpushim për armiqtë e atdheut, për përdhunuesit e grave tona, për konfiskuesit e pasurisë sonë! Mjafton të dish të organizohesh dhe ushtria vendase, e fortë, krenare, dërrmuese, do të formohej me shpejtësi.

Teksa i thashë lamtumirë Ademit dashamirës, mendova se, nëse Muhamedi nuk e thërret Isa Boletinin në mbretërimin e Urit, do ta shohim sërish atë në krye të fiseve të tij për të luftuar edhe një herë armiqtë e atdheut të tij.

VINCENZO MENGHI

Filed Under: Kronike Tagged With: Aurenc Bebja

International Women’s and Teachers’ Day

February 25, 2023 by s p

Please join us, on Sunday, March 5th, at Vista Skylounge in Long Island City, New York to celebrate Professor Anila Duro, Teacher of the Year, and Etrita Ibroci, Woman of the Year. Hosted by AAWO Motrat Qiriazi, the evening will feature music by DJ Alban and is the ideal opportunity to express gratitude to the women and teachers that have had a positive impact in our lives. From 6pm-10:30pm, we will honor their strength and empowerment. For $150, we invite you to be part of this remarkable gathering, to recognize the women and teachers that enrich our community and demonstrate our solidarity for International Women’s and Teachers’ Day.Please pay by Zelle at 212-244-8440 or via Eventbrite.

Filed Under: Kronike

“Vendi im” koncerti tradicional i muzikës së mirëfilltë shqiptare në New York

February 24, 2023 by s p

“Vendi im” quhet koncerti tradicional i muzikës së mirëfilltë shqiptare që zhvillohet vit pas viti në New York. Ky ishte edicioni i pestë. Ky aktivitet i larmishëm kukturor e kombëtar zhvillohet në respekt e nder të ditës së pavarësisë së Kosovës. Në këtë vit jubilar më 17 shkurt—në Ditën e Pavarësisë së Kosovës–në Scandinavia House u mbajt koncerti me producentin Ergin Oda, menaxhere Aida Gashi dhe një grup artistësh që sollën një program të pasur muzikor. Në mesin e mysafirve ishin Konsulli i Kosovës Blerim Reka dhe ish-Kryetarja e Kosovës Atifete Jahjaga. Teatri ishte e mbushur me afro 200 të pranishëm. Kishte edhe shumë Amerikanë që dëgjonin me ëndje tingujt muzikore si “Moj e bukura more”, këngë e vjetër Arbëreshe, “Këngë moj” (komp. Musa Piperku), etj. Në fund të programit të gjithë artistët kënduan bashkë me audiencën këngën “Xhamadani vija vija”. Sponsorizuesit kryesor të aktivitetit: Shpresa Xhakli dhe Sokol Malushaga e Eduard Malushi (Ari Group, Inc.). Cocktail hour: Lefkes Estiatorio në Englewood Cliffs, NJ si dhe Burim dhe Aida Regjaj. Lulet nga Venki Decor/Venera Hoxha-Iseni (shih screenshot të postimit të saj—shumë prekës!). Artistët kryesor që morën pjesë: Oda Quartet: Ergin Oda, Gjilberta Lucaj-Cohen, Joana Kaimi dhe Elaine Kwon, Merita Halili dhe Raif Hyseni, Flaka Krelani, Janex (këngëtare e re që ka fillu me lënë mbresa në skenën muzikore në ShBA), Edon Molla, Klajdi Cerriku dhe me drejtues artistik: Gridi Kraja. Programin e udhëheqi Arbana Xharra, gazetarja hulumtuese e mirënjohur tani me banim në NY. Rreth koncertit madhështor, ish Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga deklaroi në faqen e saj zyrtare: Me muzikë e miq në Nju Jork, festova 15 vjetorin e Pavarësisë së Republikës sonë. Kënaqësi e veçantë të jem këtë përvjetor të Pavarësisë në mesin e diasporës dhe aleatëve të Kosovës, të cilët kanë dhënë kontribut të pakursyer për ta gëzuar Kosovën e sotshme. Me ftesë të Dr.Shpresa Xhaklit, morra pjesë në Koncertin “Vendi im“, ku përmes këngëve e kujtuam atdheun, sakrificën e paraardhësve, dhe gjithë kontributin e dhënë përgjatë viteve” tha ajo.Fotot nga Gerë Zabeli.

Filed Under: Kronike Tagged With: AIDA GASHI

Shporrini TEC-et lundruese nga Vlora

February 23, 2023 by s p

Gezim Zilja/

Në këtë zallamahi korrupsioni, aferash, intrigash, vjedhjesh, spiunllëqesh, e kodoshllëqesh, që ka pllakosur Shqipërinë, hyn dhe afera me TEC-et lundrues, që po instalohen (nuk ka afat në kontratë për vënien në punë) prej shtatë muajsh në Triport të Vlorës. Qysh nga data 04.09.2022 që këto hekurishte të braktisura në Bangladeshin e largët, mbërritën në Gjirin e Vlorës nuk kanë prodhuar as edhe 1(një) MWh energji. Megjithatë në bazë të kontratës së nënshkruar nga ministrja e gjithëditur shqiptare dhe aprovuar nga KM-ja, globalisti shqiptar, firmat e huaja me të cilat është bërë afera kanë marrë gjithsej për qera dhe mirëmbajtje deri më 10.02.2023 shumën e llogaritur si më poshtë:
Ditë gjithsej 26+31+30+31+31+10=159 ditë
Qira në Euro 63.000Euro/ditë x 159ditë = 10.017.000 Euro
Mirëmbajtje 31.500 Euro/ditë x 159 ditë = 4.908.500 Euro
Gjithsej 10.017.000 Euro + 4.908.500 Euro = 14.925. 500 Euro
Gjithë kjo shumë që mund të jetë edhe më e madhe ( përjashto paratë shqiptare që po harxhohen për instalimin, thellimin e detit dhe lidhjen me sistemin energjitik të RSH-së) u është paguar firmave të huaja pa prodhuar deri më 14.02.2023 asnjë “gram” energji elektrike. Pyetja është shumë e thjeshtë për deputetët e PS-së, ministren Balluku (mori me vete dhe ambasadoren KIM kur mbërritën këto vjetërsira në Vlorë,) dhe ndonjë kokëtul: Si ka mundësi të paguhen dhjetëra milionë (qindra milionë në vazhdim) euro duke marrë si këmbim zero energji elektrike? A nuk është kjo një aferë e pastër korruptive? A nuk është mëkat për këtë popull që është bërë për gjynah, e në shumicë po arratiset nëpër botë ( Rruga jonë dreqo rrugë/Zgjatet për një copë bukë.) dhe ka qindra vjet që nuk ia del të mbush barkun me bukë!? A është e ndershme, logjike, shoqërore, fetare vëllazërore e ligjore kjo që po ndodh me popullin shqiptar? A ia vlen të sakrifikohet një popull i gjithë për një grup grash e burrash brenda e jashtë parlamentit, që sot zotërojnë 95% të pasurisë së shqiptarëve? Drejtësia shqiptare (Jo Ylviu dhe ylivinjtë) ka shancin të hyjë në historinë e këtij kombi, duke bërë detyrën e saj karshi popullit të vet dhe asaj për të cilët paguhet. Le të caktojë SPAK-u një prokuror edhe atë me më pak përvojë por trim dhe atdhetar të kontrollojë problemin e TEC-ve në Vlorë. Ndoshta fijet do të na çojnë edhe te skandali, që ka shpërthyer me drejtuesin e lartë të FBI-së këto ditë. Përndryshe nuk ka si paguhen kaq miliona dollarë nga një vend kockë e lëkurë, që nuk mbush barkun me bukë, kotekot apo për “bamirësi?!” Mirë do të ishte që vlonjatët e çdo ngjyre të linin një ditë kafenetë, partitë, filozofitë, historitë me luftëra e trimërira e të shkonin të shikonin me sytë e tyre se ç’po ndodh në Triport. Ndoshta do kuptojnë se ç’po gatuhet atje (veç TEC-ve) në të ardhmen për qytetin e tyre me terminalet e karburanteve dhe rafineritë që do të ngrihen për përpunimin e tyre.
PS. Më e rëndë është gjendja me portet e Durrësit e Porto Romanos. Nuk ka matematicien, ekonomist apo inxhinier me dy gram mend në kokë të mos kuptojë se në atë vend, ku nuk është marrë parasysh Strategjia e Sigurimit Kombëtar të RSH-së dhe në kundërshtim me marrëveshjen e SA-së me BE-në, po i bëhet gjëma Shqipërisë. Porti i Durrësit dalëngadalë po shkon në gjendje kome. 28 milionë euro grant nga BE-ja për zgjerimin e modernizimin e portit të Durrësit u anulluan. Operatorët po hedhin në gjyq qeverinë shqiptare për prishje kontratash arbitrarisht dhe kësaj i duhet të paguaj qindra milionë dollarë gjobë. Porto Romano më i madhi në Ballkan dhe më i bukuri në Europë sipas Ballukut, do të paktën 10 (dhjetë) vjet të ndërtohet me të gjitha parametrat bashkëkohorë si thotë Balluku, edhe sikur paratë të jenë të siguruara. Ndërkaq operatorët dhe anijet tregëtare po spostohen të marrin shërbime në portet e Malit të Zi, Kroacisë dhe Selanikut.

Filed Under: Kronike Tagged With: Gezim Zilja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 75
  • 76
  • 77
  • 78
  • 79
  • …
  • 599
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve
  • Experience History: Ambassador William Walker’s inaugural visit to the Saint George Orthodox Cathedral and the Fan Noli Cultural Center
  • 𝑺𝒉𝒆̈𝒏𝒅𝒆𝒕𝒊 𝒊 𝑺𝒊𝒔𝒕𝒆𝒎𝒊𝒕 𝑻𝒓𝒆𝒕𝒆̈𝒔 – 𝑩𝒂𝒔𝒉𝒌𝒆̈𝒃𝒊𝒔𝒆𝒅𝒊𝒎 𝒎𝒆 𝑱𝒖
  • NICOLAE IORGA, HISTORIANI ME I MADH RUMUN DHE ZBULUESI I SHKRIMIT TE PARE NE GJUHEN SHQIPE
  • Doktrina Wilsoniane dhe mbijetesa e shtetit shqiptar – nga shpëtimi i Shqipërisë te e drejta historike e Kosovës për vetëvendosje
  • Zarfi që sfidoi censurën në Shqipërinë komuniste
  • Albanian Night @ Yankee Stadium
  • O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!
  • Liria fillon gjithmonë nga refuzimi për të gënjyer veten…
  • Një nderim për historinë tonë kombëtare…
  • Habermas në mbrojtës i vendosur i intervenimit të NATO-s në Kosovë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT