• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJON KAMSI DHE RRËNJËT E FAMILJES SË TIJ MESJETARE

May 14, 2022 by s p

Archivio Segreto Vaticano, fond. Reg. Lat. vell. 121, f. 122r
Papa Klementi XII
Veshje kombetare femrash ne Arbnesh te Zares

Çfarë zbulohet nga testamenti i gjetur në arkivin shtetëror të Zarës dhe kush janë pasardhësit e tij deri në ditët e sotme…? Në arkivin shtetëror të qytetit të Zarës, në fondin e noterit të Zarës, Bartolomeo Ferrari kemi gjetur testamentin e kanonikut të Zarës, don Gjon Kamsi, që daton nga 8 shkurti i vitit 1775. Është karakteristik jo vetëm për faktin se i takon një personaliteti të lartë të hierarkisë kishtare që kishte lindur në Shkodër, por që kishte arritur të krijonte pasuri të luajtshme e të paluajtshme mjaft të madhe dhe në të njëjtën kohë, kjo pasuri u ndahet trashëgimtarëve shqiptarë që jetojnë në qytetin e Zarës, pa harruar edhe bashkëkombësit shqiptarë që ndodheshin në Shkodër, të cilët ishin nën sundimin osman, por edhe qytetarëve të Zarës, që ishin nga familje fisnike të nderuara…

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies – Budpaest

Një studim i mirëfilltë për familjet fisnike mesjetare shqiptare mungon edhe sot e kësaj dite. Janë bërë përpjekje të herëpashershme që të shkruhet ndonjë studim e më rrallë ndonjë monografi ku janë ndriçuar aspekte të ndryshme të ndonjërës prej këtyre familje. Botimi i monografive ose studimeve kompetente për familjet shqiptare mesjetare është shumë i vështirë dhe kërkon përgatitje e lartë profesionale dhe punë këmbëngulëse mjaft të gjatë kohore. Është e ditur tashmë se pothuajse të gjitha materialet burimore të shkruara, ruhen nëpër arkiva e biblioteka të ndryshme të Evropës ose janë pronë private. Më e keqja është se ne ende nuk kemi një bibliografi shkencore të vendndodhjes së këtyre burimeve me rëndësi të veçantë për ndriçimin e mesjetës nga shumë aspekte, qoftë ekonomike, politike, ushtarake, kulturore, sociale, etnografike dhe në fund edhe heraldike.

Migrimet e shqiptarëve nëpër qendra të mëdha të kohës janë më se të zakonshme dhe ato nuk paraqesin ndonjë risi të panjohur më parë. Por, ngulitja e tyre, jeta, ambientimi, përditshmëria dhe kontributi në vendbanimin e ri janë me shumë interes, sepse përveçse aty ndjekim trungun gjenealogjik të familjes përkatëse, aty gjejmë të ruajtura edhe lidhjet me atdheun, krahinën apo qytetin-komunë nga ku janë shpërngulur, ndërsa në anën tjetër mund të ndiqet pozita dhe gjendja ekonomike që arrihet në shoqërinë e re, ndikimi i madh politik, ekonomik e kulturor që arrihet duke u bërë pjesë e një mekanizmi të tërë të pushtetit vendor dhe më gjerë. 

Jo rrallëherë, pjesëtarë të këtyre familjeve fisnike patronomike shqiptare janë shumë më të njohur në vendbanimin e ri ose edhe më gjerë se sa në vendlindjen e tyre. Kjo ndodhë, për fat të keq edhe në ditët e sotme, kur për këto familje ne nuk kemi asnjë informacion apo studime kapitale siç është p.sh. “Histori e Shqipërisë” apo ndonjë monografi për mesjetën ato nuk përmenden fare! Natyrisht, faj për këtë kemi ne vetë, sepse mungojnë kërkimet shkencore nëpër arkiva e biblioteka të ndryshme.

Gjatë sundimit venedikas, grupet e popullsisë së shpërngulur të besimeve dhe përkatësive të ndryshme etnike, përbënin një segment të rëndësishëm të jetës së përditshme shoqërore të qyteteve bregdetare nga Kreta deri në Istria dhe të atyre të hinterlandit. Njëra nga qendrat më të rëndësishme dhe tërheqëse për grupe të tilla ishte qyteti i Zarës si kryeqendër e sundimit Venedikas për Dalmacinë, e pushtetit administrativ, ekonomik, politik, e kulturor i cili ishte i rrethuar me mure të forta dhe të larta, ku jetonin popullsi me përkatësi të ndryshme kombëtare e fetare, që gjenin strehim dhe siguri nga përndjekjet e pushtuesve gjatë periudhave të ndryshme të mesjetës. Që nga shekulli XIV, për të mos thënë më herët, në lëndën arkivore të ruajtur në arkivin historik të qytetit  të Zarës gjejmë të dhëna për familjet feudale shqiptare të cilat kishin gjetur strehim dhe ishin vendosur në qytetin kështjellë të Zarës. Familjet më të njohura që jetuan në ambientin e ri dhe krijuar emër e respekt janë: familja e Nikollë Mesilit, Mark Gjinit, Mikel Lindit, por edhe familjet tjera në zë edhe në Shqipërinë e asaj kohe si familja Kruta, Albanese, Dukagjini, Gjergji, Dushmani, Delvesi, Skarpa, dhe Kamsi. 

Në këtë shkrim do të përqendrohemi tek një pjesëtar i familjes së njohur feudale shqiptare që bëri emër, respektohej dhe nderohej në tërë qytetin e Zarës, don Gjon Kamsin (don Giovanni Campsi). 

Sipas burimeve arkivore të njohura dhe të përdorura deri tani familja Kamsi, ka qenë e njohur që prej shekullit XVII, ndërkohë që sipas burimeve arkivore të Vatikanit, përkatësisht nga Arkivi Sekret i Vatikanit, të dhënat për të i gjejmë që nga fillimi i shekullit XV, përkatësisht viti 1404, (shih dokumentin faksimile që po botojmë si ilustrim). Nga kjo familje që mesa duket është degë e familjes Engjëllore të Drishtit, kanë dalë personalitete të shquara të jetës kishtare, si kryeipeshkvë, ipeshkvë, kanonikë, legatë, priftërinj, etj. por edhe tregtarë dhe ekonomistë të zotë, njerëz të pendës e të fjalës, studiues të mirëfilltë shkencorë e diplomatë të nderuar. 

Arkivi i Zarës burim i vlershëm për mesjetën shqiptare

Përveç arkivit të Dubrovnikut, njërit prej arkivave më të rëndësishëm për historinë shqiptare është edhe arkivi shtetëror historik i Zarës i cili ruan thesare të vërteta të burimeve dokumentare për mesjetën shqiptare, por edhe për historinë e mëvonshme, veçanërisht për shekullin XVIII dhe XIX, kohën e shpërnguljeve dhe ngulitjeve të shqiptarëve të rrethit të Liqenit të Shkodrës në Zarë, të cilët edhe sot e kësaj dite ruajnë traditën, zakonet dhe gjuhën shqipe. Studime të mirëfillta, sistematike dhe të organizuara nga ndonjë institucion shqiptar deri me sot në këtë arkiv nuk janë bërë. Botimi i burimeve dokumentare ka qenë i pjesshëm, fragmentar ose i rastësishëm nga studiues të huaj të cilët nuk e kanë pasur për objekt studimi Shqipërinë dhe shqiptarët.

Duke bërë kërkime në arkivin shtetëror të qytetit të Zarës, në fondin e noterit të Zarës, Bartolomeo Ferrari (1763-1783), vëll. II, filiza (busta) 5 e regjistrit të testamenteve, nr. 54, f. 32v-34v, kemi gjetur testamentin e kanonikut të Zarës, don Gjon Kamsi, që daton nga 8 shkurti i vitit 1775. Ky testament është shkruar në kohën e Dogjit venedikas Alvisea Mocenig (1763-1778) dhe princit të Zarës, Gjergj Marinit (Zorzia Marini) në vitet 1774-1776, në prani të autoritetit zyrtar të autorizuar nga pushteti komunal i qytetit, fisnikut vendas, doktorit të drejtësisë, Ivan Antun Fanfonjës (Ivana Antuna Fanfogne). Testamenti është shkruar në shtëpinë e don Gjon Kamsit që ndodhej në lagjen e S. Maria del Castello. (Në kishën e kësaj lagjeje, që mban po këtë emër, është varrosur i mirënjohuri kryeipeshkvi i Zarës, Vinçenc Zmajeviqi, i cili organizoi Kuvendin e Arbrit në vitin 1703). 

Ky testament është njëri nga testamentet e shumta që ruhet në këtë arkiv dhe që kanë përpiluar shqiptarët. Është karakteristik, dhe si të tillë e zgjodhëm për botim, jo vetëm për faktin se i takon një personaliteti të lartë të hierarkisë kishtare që kishte lindur në Shkodër, por që kishte arritur të krijonte pasuri të luajtshme e të paluajtshme mjaft të madhe dhe në të njëjtën kohë, kjo pasuri u ndahet trashëgimtarëve shqiptarë që jetojnë në qytetin e Zarës, pa harruar edhe bashkëkombësit shqiptarë që ndodheshin në Shkodër, të cilët ishin nën sundimin osman, por edhe qytetarëve të Zarës, që ishin nga familje fisnike të nderuara. Nga studimi i kujdesshëm i testamentit dalin të dhëna me interes si për trungun gjenealogjik të familjes Kamsi, ashtu edhe për vetë pozitën shoqërore të përpiluesit, don Gjon Kamsit, i cili i takonte Urdhërit të “Beate Vergine del Buono audio” i themeluar në vitin 1510, Urdhër në radhët e të cilit asnjëherë nuk kishte më shumë se 12 anëtarë (që simbolikisht paraqisnin 12 apostujt) dhe veprimtarinë e tij e ushtronte në katedralen e qytetit. Në testamentin e tij, don Gjoni i kushton një rëndësi të veçantë këtij Urdhëri duke i lënë një pjesë të mirë të trashëgimisë së tij dhe njëkohësisht duke shprehur dëshirën që të varroset pranë anëtarëve të tjerë të këtij të tij në katedralen e qytetit, vend ky i rezervuar vetëm për anëtarët e këtij urdhëri dhe personalitetet më të larta kishtare. Gjon Kamsi shkruan në testamentin e tij të gjitha hollësitë procedurale që dëshironte t’i kryheshin që nga momenti i vdekjes deri në çastin e varrosjes.

Kush ishte don Gjon Kamsi?

Don Gjon Kamsi lindi në Shkodër në maj të vitit 1693. Mësimet e para në teologji i mori në ipeshkvinë e Shkodrës, kurse studimet i vazhdoi në Kolegjin Ilirik të Loretos. Sipas regjistrave që ruhen sot, në këtë kolegj ai mbrojti me sukses doktoratën në filozofi dhe në të drejtës kanonike. Shugurohet prit në moshën 23 vjeçare (në vitin 1716) dhe fillimisht shërben në Treviso për 6 vjet dhe më vonë edhe në Venedik për 8 vjet të tjera. Më 15 mars të vitit 1730, me nismën e kryeipeshkvit të Zarës, Vinçenc Zmajeviqit, zgjidhet kanonik i Zarës, përkatësisht i Mitropolisë së qytetit të Zarës, përkundër faktit, se ligji venedikas i vitit 1719, e ndalonte që një i huaj (pra ata që nuk ishin qytetarë të Zarës) të mund të zgjidhej kanonik në qytetin apo katedralen e Zarës. Kjo njëherësh tregon ndikimin e madh që kishte Zmajeviqi në Venedik dhe autoritetin e lartë që gëzonte don Gjon Kamsi në Zarë, por edhe në Republikën e Shën Markut. Një e dhënë tjetër mjaft interesante është fakti, që në vitin 1739 papa Klementi XII (12 korrik 1730-6 shkurt 1740) e emëroi ipeshkëv të Shkodrës don Gjon Kamsin, gjë që ai e refuzoi me ‘përvujtësi’, edhe përkundër shumë përpjekjeve dhe lutjeve të Vinçenc Zmajeviqit që ta pranonte këtë detyrë dhe post shumë të rëndësishëm në hierarkinë kishtare. Ai nuk pranon për asnjë arsye duke dëshiruar të shërbente në Zarë si kanonik. Pas refuzimit të don Gjon Kamsit, si ipeshkëv i Shkodrës emërohet Pal Kamsi (25 maj 1742 -1771) një kurshëri i don Gjonit. Që nga viti 1730, don Gjon Kamsi, është njëri ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të kryeipeshkvit të Zarës Vinçenc Zmajeviqit. Ky i fundit, duke pasur respekt dhe besim të madh te don Gjoni, dhe në testamentin e tij të vitit 1745, e emëron atë si njërin nga zbatuesit e testamentit dhe njëherësh e shpërblen me një pjesë të pasurisë së tij të paluajtshme që kishte në Sukoshan afër Zarës. Duke qenë njeri i respektuar dhe i nderuar, i afërt dhe i sinqertë, i dashur dhe i kujdesshëm me të gjithë, e në mënyrë të veçantë me koloninë shqiptare të Zarës (Arbneshi, Arbanasi, Borgo Erizzo) emrin e tij e ndeshim në shumë dokumente arkivore, veçanërisht në testamente të bashkëvendësve të tij, si zbatues i testamentit apo si njërin nga dëshmitarët kryesorë për zbatimin e tyre. Kjo gjë tregon se sa shumë e çmonin arbneshasit don Gjonin. Pas një shërbimi pastoral prej rreth 45 vitesh në Zarë, don Gjon Kamsi vdes po në Zarë më 16 shkurt 1775, dhe varroset sipas porosisë së tij në kishën katedrale të Zarës.

Përmbajtja e testamentit të Gjon Kamsit

Testamenti i don Gjon Kamsit në fillim mban shënimin e noterit që personi në fjalë ishte psiqikisht dhe shpirtërisht i aftë, megjithëse shumë i moshuar dhe pothuajse i palëvizshëm (mosha e tij me rastin e përpilimit të testamentit ishte 82 vjeç). Përveç këtij shënimi, në testament gjejmë të dhëna biografike për të dhe për familjen e tij si p.sh. emrin e të atit, Mark Kamsi, të xhaxhait të tij, Jak Kamsit, emrin e të nipit, djalit të Jakut, Pjetër Kamsit; të motrës Margaritës së tij dhe të vajzës së saj, Paulina, etj.

Titulli dhe funksioni i saktë që mbante don Gjoni në hierarkinë kishtare të kryeipeshkvisë metropolitane të Zarës përshkruhet me këto fjalë: dekan i kanonikëve të metropolisë së këtij qyteti (“canonico decano della Metropolitana di questa Città”). 

Tre zbatuesit dhe mbikëqyrësi e testamentit të kanonikut don Gjon Kamsi emërohen nga ai vetë: shërbëtorja e tij Gele, prifti shqiptar nga Sapa, Mark Delvesi dhe qytetari i Zarës po me origjinë shqiptare, Gjergj Galeni. (Mark Delvesi kishte lindur në Sapë, qytet sufragan i kryeipeshkvisë së Tivarit, dikur në mes të shekullit XVII. Dokumentet e arkivit të Zarës e përmendin si këshilltar të kryeipeshkvit të Zarës, Vinçenc Zmajeviçi. Ky i fundit (Zmajeviçi) i kishte lënë Delvesit edhe trashëgimi në testamentin e tij, një shumë që arrinte 200 dukatë si dhe të gjitha kafshët që ishin pronë e Zmajeviçit në kryeipeshkvinë e Zarës.) 

Në vazhdim të testamentit, Gjon Kamsit deklaron qartë se pasuria e tij nuk ishte e trashëguar nga i ati dhe nga familja e tij, por që ishte e krijuar dhe e blerë nga vetë ai, gjatë jetës dhe shërbimit të tij 45-vjeçar në qytetin e Zarës, dhe për këtë arsye ai dispononte të gjitha të drejtat ligjore që ta ndante atë sipas dëshirës së tij. Kështu, një pjesë të pasurisë së tij ai ia lë pjesëtarit të familjes fisnike të Zarës, Anton Maria Benjës (Anton Maria Begna), si dhe Perine Arnjakoviçit (Perine Argnacovich), sepse ata i kishin ndihmuar pjesëtarët e familjes së tij, veçanërisht Pjetrin e Jak Kamsit. Shuma që ai u lë trashëgimi atyre arrin 500 cekina. Duke rikujtuar shërbimin dhe besnikërinë që kishte treguar ndaj tij prifti shqiptar Mark Delvesi, kanoniku don Gjon Kamsi i lë atij shumën prej 130 cekinash. Të njëjtën  shumë i lë edhe shërbëtores së tij Gele, ndërkohë që qytetarit zaras me origjinë shqiptare Gjergj Galenit i lë 50 cekina si dhe tabakanë e argjendtë të praruar me flori. Nga pasuria e Kamsit, zbatuesit dhe mbikëqyrësit e saj janë të detyruar që të ndajnë nga 2 cekina në vit për ndonjërën prej familjeve shqiptare që jetojnë në Shkodër ose në ndonjë pjesë tjetër të Shqipërisë që jeton nën sundimin osman dhe që për shkak se nuk mund të paguajë taksën ndaj turqve rrezikon të konvertohet në myslimane. Kjo pagesë bëhet me qëllim që të ruhet tradita e besimit të krishterë në Shkodër dhe në Shqipëri. 

Një pjesë e pasurisë u ndahet të varfërve të qytetit të Zarës, azilit të pleqve si dhe grave të varfra, përkatësisht ato të ardhura që vileshin nga dyqani i tij që ishte në qendër të qytetit të Zarës (në Kalelarga), përballë kishës së S. Barbara. Këtë dyqan, Gjon Kamsi ai e kishte blerë nga fisniku zaras Gjon Krisogon Françesku (Giovanni Grisogona Franceschi) me një çmim prej 100 cekinash. 

Pasardhësit shqiptarë – trashëgimtarë kryesorë

Trashëgimtarët kryesorë të të gjithë pasurisë së don Gjon Kamsit emërohen nipi, Pjetër Kamsi, dhe mbesa Paulina, vajza e motrës tij të ndjerë, Margaritës. Në rast se Pjetri dhe Paulina do të vdisnin para kanonikut don Gjon Kamsi, atëherë e tërë pasuria do t’u mbetej trashëgimtarëve të tyre ligjorë, si në linjën mashkullore ashtu edhe në atë femërore, me të vetmin kusht që asnjëri prej tyre nuk duhet të pengonte zbatuesit e testamentit Gelën, Mark Delvesin dhe Gjergj Galenin në punën e tyre. 

Në fund të testamentit gjejmë të shënuar edhe emrin e noterit Bartolomeo Ferrarit (Bartolomeo Ferrari), firmën dhe vulën zyrtare të tij si dhe emrat e dëshmitarëve të pranishëm, qytetarëve zaras Anton Danese, Giovanni Batistta dhe Mateo Adrianos nga Vrana, të cilët dëshmojnë për vërtetësinë e fjalëve të don Gjon Kamsit që përshkruhen me saktësi në testament. Në të majtë, anash, gjendet edhe vula e zyrtarit të qytetit të Zarës, Ivan Anton Fanfonjës, i cili e zyrtarizon testamentin dhe e bën atë të vlefshëm para ligjit. 

Vetëm tre ditë më vonë pas legalizimit të testamenti, më 11 shkurt 1775, kanoniku don Gjon Kamsi bën një plotësim në testamentin e tij në prani të noterit Bartolomeo Ferrarit si dhe të dëshmitarëve Anton Simon Dorçiqit dhe Antun Ivan Adrianos nga Vrana, të dy qytetarë zaras. Përfaqësues zyrtar në këtë plotësim ishte sërish Ivan Anton Fanfonja. Në këtë plotësim thuhet: “gjithçka që është thënë më lart në testamentin e datës 8 shkurt 1775 është e saktë dhe konfirmohet,” por Kamsi saktëson “se pas vdekjes së tij dëshiron të mbahen 300 mesha për shpëtimin e shpirtit të tij, dhe me këtë rast ndan nga një lirë për çdo meshë. Meshat duhet të mbahen në kishat e ishujve të Zarës.”

Kanoniku don Gjon Kamsi vdiq më 16 shkurt 1775 në Zarë, vetëm pesë ditë pas përpilimit përfundimtar të testamentit të tij. Një ditë pas vdekjes së tij, më 17 shkurt 1775, tre zbatuesit e testamentit, Mark Delvesi, Gjergj Galeni dhe shërbëtorja Gele, e hapën testamentin zyrtarisht në prani të zyrtarit Fanfonja dhe të noterit Ferrari si dhe në prani të zejtarëve zaras Mateo Antonio Brunac dhe Simon Simon Skarpa dhe të interesuarve që përmenden në testament. 

Edhe pse me një pozitë mjaft të lartë kishtare në qytetin e Zarës, don Gjon Kamsi ka qenë i rrethuar nga shqiptarë gjatë jetës së tij, me të cilët ka pasur lidhje mjaft të ngushta si sociale ashtu edhe ekonomike. 

Shqiptarët në Zarë që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në të gjitha segmentet e jetës dhe veçanërisht në hierarkinë kishtare që nga mesjeta e hershme. Duke pasur pozita shumë të rëndësishme në këtë qytet, qendër administrativo-politike e pushtetit Venedikas për tërë Dalmacinë, ata ndihmonin bashkëvendësit e tyre shqiptarë që të strehoheshin në këtë qytet, pas përndjekjeve nga turqit, duke u përkujdesur që të kishin kushte dhe jetë normale dhe njëherësh ndihmonin njëri-tjetrin në forma të ndryshme duke mos harruar asnjëherë origjinën shqiptare dhe duke mos shkëputur lidhjen me atdheun Shqipërinë.

Kolonitë shqiptare në brigjet e Adriatikut janë mjaftë karakteristike. Në to pasqyrohen shumë elemente të veçanta dhe mjaft të rralla të identitetit shqiptar, të cilat nuk i hasim në diasporën tjetër shqiptare. Numri i këtyre kolonive nuk është i vogël, edhe pse janë përballur me rrebeshet e kohës, nga ku disa janë asimiluar madje, dhe për ta nuk dihet shumë përveçse faktit se kanë ekzistuar. Njëra nga këto koloni që veçohet më së shumti dhe që ka një identitet të fortë si e tillë, është Arbneshi i Zarës – Borgo Erizzo. Përveç këtij emri, të themi zyrtar, sipas dokumenteve që ruhen në arkivin historik të Zarës, kjo lagje njihej në fillim me emrin Eriçin Varosh /Ericovo selo/ nga popullsia kroate, e më vonë me emrin Arbanasi; dhe Arbnesh, nga banorët shqiptarë. Vetëm në vitin 1721, nga fshatrat rreth Liqenit të Shkodrës, Brisk, Shestan Ljajre, u shpërngulën 32 familje shqiptare me 227 frymë, dhe u vendosën në paralagjen e Zarës. Shkaqet e shpërnguljes duhet kërkuar në prizmin e ngjarjeve të kohës dhe të rrethanave politiko shoqërore. Ndër këto shkaqe mund të përmendim luftërat e shumta, sëmundjet, plaçkitjet, detyrimet e të rinjve shqiptarë për rekrutë në ushtrinë turke, kushtet e rënda ekonomike dhe varfëria e madhe, trysnia e ushtruar nga ana e Perandorisë për të ndërruar fenë, etj. Varësisht nga pikëpamjet dhe orientimet e tyre, studiues të ndryshëm i trajtojnë analizat dhe shqyrtimet e materialit arkivor në mënyra të ndryshme, e shpeshherë edhe kontradiktore. Sido që të jetë, pranohet nga pothuajse të gjithë që iniciator kryesor për këtë shpërngulje të shqiptarëve ishte kryeipeshkvi i Zarës, Vinçenc Zmajeviqi

Filed Under: Kronike Tagged With: Musa Ahmeti

ShBA përkrah anëtarësimin e Republikës së Kosovës në NATO! 

May 11, 2022 by s p

PRISHTINË, 11 Maj 2022-Gazeta DIELLI/ Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës dërgoi këtë komunikatë: 

Edhe një herë ShBA, si ndër partnerët e ngushtë dhe të pazëvendësueshëm në të gjitha proceset zhvillimore të Republikës së Kosovës, përmes përkrahjes së shprehur haptazi nga zëdhënësi i misionit të ShBA-së në NATO, Jeffrey Adler, rreth iniciativës sonë për t’u bërë anëtar të programit të Partneritetit për Paqe, si hap iniciues drejt anëtarësimit në NATO, po e dëshmon se Kosova konsiderohet partner i besueshëm i ShBA-së. 

Defender Europe ’23, bashkëzbarkimet si misione të përbashkëta, janë rruga jonë drejt qëllimeve tona përfundimtare, anëtarësimin në institucione evropiane dhe euroatlantike. 

Rruga jonë është e pashkëputshme nga aleatët tanë, rrugëtimi ynë është i drejtë ngase ndajmë të njëjtat vlera të demokracisë, paqes dhe stabilitetit për të cilat dhe angazhohemi. 

Republika e Kosovës është e përgatitur për të thelluar partneritetin dhe aleancën tonë e cila shtrihet në shumë fusha, bazuar mbi vlerat e përbashkëta me ShBA-në, dhe është e përkushtuar në rrugën e saj të integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian. 

Filed Under: Kronike

HASAN PRISHTINA, NJË AMANET I DYFISHTË QË SHKOI NË VLORË

May 10, 2022 by s p

Mehmet Prishtina*

Të ndruar motra dhe vëllezër, të nderuar njerëz të mirë të Vlorës, I nderuari Kryetar i Bashkis Vlorë z. Dritan LeliI nderuari Minister i Mbrojtjes së Republikes së Kosovës z.Armned Mehaj I nderuari kryetar i kryqytetit të Kosovës z. Perparim Rama,sot para jush vjen një amanet i dyfisht nga Kosova. Amaneti i parë është vet historia Kosovës që është ngusht e lidhur me Vlorën e Pavarësisë, me Vlorën e Ismail Bej Qemalit, kurse amaneti i dytë është i babait tim të ndjerë si detyrim moral për mua, që u vra në një ballafaqim me forcat serbe në Drenicë. Ky amanet sot ndodhet para jush, është shtatorja e kolosit tonë Hasan Prishtina, e derdhur në bronx nga skulptori nga Mitrovica, Sabri Behramaj, një vepër kjo artistike e punuar me dashuri e përkushtim të madh krijues. Prandaj, shfrytëzoj rastin që sot publikisht të faleminderoj Sabriun për këtë vepër që u bë edhe shkas të jemi sot bashkë të gjithë në Vlorën tonë të lavdisë dhe bujarisë, aty ku në shiritin e kohës na rikthehet edhe një herë ballkoni prej ku u valvit për herë të parë flamuri i shtetit të pavarur shqiptar si dhe fama e burrave të Kaninës, prej ku doli figura markante e Ismail Bej Vlorës.Hasan Prishtina që moti e kishte vendin në Vlorë, aty ku ai fizikisht, intelektualisht e shpirtërisht ishte i lidhur, por rrethanat e kohës, që dijnë nganjëherë të jenë edhe absurde, ndikuan që të ndodhë një shkëputje në mes të vet figurës së Hasan Prishtinës dhe Vlorës si piemont i pavarësisë së Shqipërisë. Dhe tani, jo vetëm që po e kthejmë në vend një padrejtësi të shtresuar me dekada, por po vendosim edhe një komunikim të përhershëm e të pandërprerë në mes të këtij kolosi dhe brezave të ardhshëm, me qëllim të ruajtjes së vazhdimësisë historike e kombëtare të procesit të shteformimit shqiptar.Kjo edhe për faktin se Hasan Prishtina, jo vetëm që ishte një nga arkitektët kryesor të Pavarësisë së Shqipërisë, por, ai me dijen, guximin dhe largpamësinë vizionare i dha kombit tonë dinjitetin përfaqësues në arenën e madhe diplomatike të kombeve tjera. Ky përfaqësim fillimisht buronte nga brenda, sepse ai me besnikëri dhe devotshmëri të lartë i përfaqësoi krahinat shqiptare që nga Shqipëria e mesme e deri ato të jugut të Shqipërisë në negociatat me autoritet turke në prag të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Duke qenë anëtar i kabinetit të parë qeveritar të Ismail Qemalit, pastaj edhe kryeministri i tetë i Shqipërisë, Hasan Prishtina, gjithë trajektoren e veprimit të tij politik e kombëtar e kishte të përqëndruar në krijimin e rrethanave për një atdhe të përbashkët të shqiptarëve. Por, gërshërët e konferencave ndërkombëtare e pamundësuan realizimin e këtij projekti… Sot kur në Vlorën tonë të lavdisë dhe dinjitetit kombëtar po e përjetësojmë figurën e Hasan Prishtinës në formë të kësaj shtatoreje të bukur, s’ka si të mos faleminderojmë të gjitha ato subjekte, individë, institucione e segmente shtetërore këtu në Shqipëri, sidomos Bashkinë e Vlorës, për nderin që po i bëhet sot figurës së Hasan Prishtinës, duke e vendosur atë në një hapësirë mjaft të dinjitetshme, në një diagonale me figurën markante të Ismail Bej Vlorës, me çka po plotësohet edhe një mozaik i munguar i kujtesës urbane në këtë qytet historik me rënëdisi jetike për gjihë shqiptarët. Hasan Prishtina udhëtoi nga Mitrovica në Vlorë i shoqëruar nga trupat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, prandaj një faleminderim i sinqertë shkon edhe për ta, duke veçuar me këtë rast kontributin e ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Z. Armend Mehaj, i cili vuri në dispozicion një prej segmenteve më të shenjta institucionale të shtetit tonë – FSK-në Personalitetin e Hasan Prishtinës nuk mund ta shohim të shkëputur nga proceset nëpër të cilat kaloi edhe Kosova, prandaj shfrytëzoj rastin që të faleminderoj për kontriburtin e tyre atdhetar edhe çlirimtarët tanë që padrejtësisht sot ndodhen në Hagë, si dhe gjithë pjesëmarrësit dhe veteranët e Ushtrisë së Lavdishme Çlirimtare të Kosovës. Sepse vetëm lufta heroike dhe flijimi për liri i ushtarëve të UÇK-së, prodhoi krenarinë e madhe kombëtare të cilën Hasan Prishtina paraprakisht e kishte projektuar në platformëm e veprimti të tij politik e kombëtar. Pra, duke qenë ndjekës të rrugës së Hasan Prishtinës, klasa politike shqiptare ka shanse ideale që të konsolidoj strategjinë shtendërtuese, jo vetëm me fjalë por edhe me vepra konkrete, ashtu siç veproi Hasan Prishtina, i cili ishte një shembull i rrallë në historinë tonë kombëtare, duke mos marrë asgjë nga politika, por vetëm duke i dhënë asaj gjithçka të shtrenjtë. Hasan Prishtina shqiptarisë i dha modelin e politikanit që nuk blihet as nuk shitet në këmbim të kauzave të huaja politike. Ai ndërtoi kauzën e tij dhe e zgjeroi në gjithë hapësirën shqiptare, që nga Juniku, në Shkup, që nga Drenica në Labëri, që nga Prishtina në Plavë e Guci.Duke iu faleminderuar gjithë juve që keni ardhë sot nga e gjithë Shqipëria, Kosova, Maqedonia, dhe nga viset tona shqiptare në Mal të Zi, Serbi e gjetiu, në emër të familjes së gjerë të Hasan Prishtinës u shprehim mirënjohjen tonë të thellë me një zotim se doktrina hasaniste do të jetë pjesë e angazhimit tonë të vazhdueshëm kombëtar.

*Fjalimi me rastin e inaugurimit të shtatores së Heroit kombëtar Hasan Prishtina në Vlorë!

Filed Under: Kronike Tagged With: Mehmet Prishtina

Në Preshevë u mbajt Manifestimi kulturor: “Promovimi dhe prezantimi i trashëgimisë kulturore-Takimet e Krijuesve kulturorë të Rajonit”

May 10, 2022 by s p

Prof. Dr. Drita Halimi-Statovci

Fjalë në promovimin e librit: Trashëgimia kulturore materiale e paluajtshme e Luginës së Preshevës dhe e viseve shqiptare, në Preshevë 07.05. 2022 

Jemi së bashku këtu sot për ta shënuar një sukses të këndshëm pune, jemi në takim të natyrshëm dhe shumë kuptimplotë për promovimin e librit Trashëgimia kulturore materiale e paluajtshme e Luginës së Preshevës dhe e viseve shqiptare. Ky libër realisht është tregues dhe pasqyrë e punës së Konferencës me të njëjtin emërtim, të mbajtur këtu në Preshevë në tetor të vitit 2020.

C:\Users\SHTKK\Desktop\DSC_2965.jpg

Në një rast e në një Konferencë  disi të ngjahsme me Konferencat shkencore të Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore të Preshevës, pata theksuar se konferencat e këtilla, ndoshta fillesën e kanë nga fakte e shkrime të vogla, por që sigurisht se këto fakte e shkrime do të krijojnë histori dhe do të japin tema të mëdha! Po, taman kështu! Ndërsa sot, unë  me kënaqësi konstatoj se Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Preshevës, vërtetë ka bërë histori, ka dhënë dhe vazhdon të jep tema të rëndësishme e të mëdha. 

Duke vlerësuar faktin se mendimet e thella jetojnë në dukuritë shoqërore dhe në trashëgiminë kulturore, kjo Shoqatë ka hulumtuar e regjistruar materiale të spektrit të gjerë, ka organizuar e mbajtur shumë Konferenca shkencore, ka realizuar botimin e materialeve të këtyre konferencave, dhe i ka ofruar studiuesëve dhe lexuesëve të interesuar një lëndë tejet të gjerë dhe studime me tematika të larmishme, por të përzgjedhura me kujdes, që simpatikisht dhe me domethënie të thellë vijnë nga  hapësira të shumënumërta etnogjeografike të arealit e të etnisë shqiptare. Duke iu referuar Sami Frashërit, që na mësoi se “gjysma e punës është e mbaruar kur ajo fillon me dëshirë”, e kam patjetër të potencoj me këtë rast entuziazmin e dashamirësve të trashëgimisë kulturore, largëpamësinë e themelimit të Shoqatës këtu në Preshevë, zemërgjërësinë e donatorëve, gatishmërinë e studiuesëve të marrin pjesë në këto konferenca, punën e pandalshme dhe të palodhëshme, vizionare të pjesëtarëve të Shoqatës, nën udhëheqjen e kryetarit të saj – studiuesit pasionant dhe shumë të përkushtuar z. Xhemaledin Salihu, dhe të konstatoj se vetëm kështu u mundësua kjo veprimtari shumë e dobishme dhe domethënëse. Vërtetë shembull nga i cili jo vetëm se duhet të mësojmë, por edhe ta lavdërojmë.

C:\Users\SHTKK\Desktop\DSC_2923.jpg

Është e njohur se studimet në nivel të krahinave etnogjeografike, ose sipas regjioneve, sipas vendbanimeve të vogla ose të mëdha e të ngjashme, mundësojnë vështrim specifik të thelluar të trashëgimisë shumë komplekse kulturore sipas hapësirave përkatëse, e që të gjitha së bahsku japin tema, shtrojnë problematika të gjëra të trashëgimisë kulturore shqiptare. Prandaj, them se ky zell i Shoqatës së Preshevës dhe këto rezultate që ajo i shpërfaqë, vërtetë duhet quajtur sukses. Po cili është ky sukses në rastin konkret të sotëm? Libri: Trashëgimia kulturore materiale e paluajtshme e Luginës së Preshevës dhe e viseve shqiptare është rezultat i kumtesave të mbajtura në Konferencën shkencore të tetorit të vitit 2020. Nga 22 punime shkencore me tematikë të përzgjedhur e të përcaktuar qartë për Konferencën respektive me temën bosht si në këtë Libër, dhe me 3 shkrime të natyrës informative ose vlerësuese, sikur paraqitet vështirë të thuash  cili punim është më i arrirë, cili është më interesant, ose cili sjell vlera të larta, vlera më të lashta, apo më të rejat kulturore e trashëgimore. Përmbledhësi përfaqëson një paraqitje tejet dispersive dhe të hapët antropologjike në aspektin e fushave albanologjike, por edhe më gjerë. E bukura e Përmbledhësit qëndron pikërisht në llojllojshmërinë e studimeve të përfshira në të,  në lënden e bollshme të mbledhur në terren, në ndonjë studim krahasimtar, ndonjë rast e ndonjë punim edhe me shmangie nga tema bosht, pastaj në përfshirjen e klasikës dhe të modernes deri në kuptimet e gjëra të globalizimit brenda fushave përkatëse antropologjike, ndryshe kulturore dhe trashëgimore. Të dalin përpara materialet  burimore të terrenit, dhe ndjenë kënaqësi kur të dhënat origjinale nga terreni vështrohen nën thjerrëzen e teorive antropologjike botërore. Këto janë vetëm disa elemente domethënëse e të rëndësishme që ofron Përmbledhësi i  Konferencës shkencore të vitit 2020. 

Në këtë Përmbledhës, si në kronologji mbarë e mirë mësojmë për sa vijon: bashkëzanime ndërmjet kulturës materiale dhe asaj jomateriale; merr informata për një teqe të vogë në një vendbanim rural;  mbushesh histori për kalanë e ShkupitI mëson edhe për trashëgiminë kulturore të Prizrenit; të vie si nihmesë historike e dhena për xhaminë e Vërbocit e për imamët e saj; ndjen kënaqësi e mbushesh traditë kur lexon për institucionin e Odës së burrave; mullinjt e Vushtrisë me rrethinë të shpalosin traditën ekonomike; kultura materiale e Gjilanit të qartëson për periudhën osmane të këtij qyteti; teqetë e rajonit të Kumanovës të ofrojnë të dhëna me rëndësi historike për teqetë më gjerësisht; historiku i arkitekturës në Dardanë të përplotëson tabllon për Dardaninë e lashtë; trashëgimia kulturore materiale e Bozovcës të plotëson njohuri për hapësiren e gjerë të etnisë shqiptare; kullat e sahatit si ndërtime të veçanta, të shpalosin shijen arkitektonike te Mesjetës; vendbanimet nga e kaluara të plotësojnë tabllon arkeologjike të Preshevës; hapësirat krijuese të manifestimit të trashëgimisë kulturore të japin një pasqyrë për të vjetren dhe për të rejën; kalaja iliro dardane e Dubovcit të Vushtrrise ose dëshmitari dardan i manastirit të Deçanit, apo shkrimi për urën e gurit të Shkupit dhe ai për Velegllavën e Dardanës ta qartësojnë vizionin historik dhe artistik të këtyre vendeve e të kësaj trashëgimie kulturore; dhe në vazhdim pasojnë shkrimet për baskëpunimin e një qendre rajonale për trashëgimi kulturore; pastaj si përfundim vijnë shkrimet plot informacion për lokalitete arkeologjike të Preshevës dhe për Tërnocin si vendbanim i hershëm i Luginës së Preshevës. Natyrisht, Përmbledhësit nuk i mungon as fjala hyrëse dhe as ajo përmbyllëse.

Risi e këndshme në  Përmbledhësin e vitit 2020 shfaqet të jetë pjesëmarria e studiuesëve të rinj me moshë e me përvojë, të cilët sjellin punime me tone e stile të reja antropologjike. Këto kuadro të reja sigurisht se premtojnë për të ardhmen e mirë, të them bashkëkohore, në fushën e trashëgimisë kulturore. Kështu tregohet se edhe kultura shqiptare prezantohet me sukses dhe përballet me sukses me kulturat e huaja.

Besoj se jemi të vetëdijshëm se tradita-trashëgimia kulturore na ushqen kulturalisht dhe shpirtërishtt, ajo i mëson të tjerët për ne, por edhe ne na mëson për të tjerët. Trashëgimia të bën me traditë, të bën rrënjës dhe me sukses të vendosë në një rrafsh të njëjtë  me të tjerët, në  Europë ose gjetiu, dhe të mban stabil e me kulturë të formuar edhe në modernitet e në kohën globalizuese. Andaj kërkohet shumë kujdes për trashëgimi, e këtë po na e shpërfaqë sot ky Përmbledhës i Konferencës shkencore të vitit 2020 i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore të Preshevës.

C:\Users\SHTKK\Desktop\image00110.jpeg

z. Xhemaledin përgëzime e suksese në të ardhmën!

Urime për Shoqatën e Preshevës dhe për ne të gjithë !

Ju falemnderit!

Filed Under: Kronike Tagged With: Drita Halimi-Statovci

Para 23 viteve në fshatin Studime në Kosovë forcat serbe vranë 116 shqiptarë

May 3, 2022 by s p

-Kryeministri Kurti mori pjesë në akademinë përkujtimore për masakrën në Studime/


Studime, Vushtrri, 2 Maj 2022-Gazeta DIELLI/


Në fshatin Studime të Vushtrrisë me homazhe e akademi është përkujtuar sot masakra e 2 Majit 1999, një nga shumë masakrat e forcave kriminale serbe në Kosovë.Njëzet e tre vjet më parë, 116 civilë shqiptarë, përfshirë edhe fëmijë e gra, u vranë nga forcat serbe të sigurisë, në fshatin Studime të Vushtrrisë. Masakra ka ndodhur prej orës 20 deri në 21 të mbrëmjes së 2 Majit 1999.“Përafërsisht një orë e gjysmë tmerr që shkaktoi humbje të pakthyeshme, vuajtje të pashlyeshme dhe dëm të pariparueshëm jo vetëm te familjarët, por te i gjithë populli”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në akademinë përkujtimore të organizuar në 23-vjetorin e masakrës në Studime.
Njëri prej dëshmitarëve të masakrës ka treguar që ushtarakët serbë kanë tentuar të kthehen për t’i marrë kufomat, por falë UÇK-së nuk kanë mundur. Ai tregon sesi ai bashkë me fshatarët i kanë varrosur për tre ditë rresht.
Përtej tmerrit të vrasjeve, tentimi për largim të trupave dhe fshehjes së këtij krimi makabër – e bën këtë masakër edhe më të rëndë, tha kryeministri Kurti, teksa shtoi se, ajo që rëndon edhe më tepër, është që sot, 23 vite pas luftës, ende nuk ka asnjë vendim gjykate që dënon dikënd për këtë masakër. “Asnjë hetim që ka prodhuar rezultat nga Prokuroria Speciale. Veç heshtje”, u shpreh kryeministri Kurti.
Në anën tjetër, vazhdoi ai, luftëtarë të UÇK-së mbrojtëse, janë arrestuar, burgosur e dënuar dikur nga UNMIK-u, Tribunali i Hagës, EULEX-i e tash po mbahen në burg nga Gjykata Speciale.
Në momente si kjo na duhet të bëhemi bashkë, prandaj këtu jam edhe unë, është edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, janë edhe deputetët e asambleistët e të gjitha partive politike dhe së bashku duke përkujtuar martirët e dëshmorët, të shtrëngojmë fort dhimbjen që ndjejmë e të zotohemi dhe angazhohemi që të bëjmë më të mirën për të ardhmen e vendit tonë, të fëmijëve tanë, të gjeneratave që do të vijnë, tha në përmbyllje të fjalës kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti bëri homazhe dhe vendosi lule në Kompleksin Memorial ku janë të varrosur viktimat e masakrës në​ Studime.

Filed Under: Kronike Tagged With: Albin Kurti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 93
  • 94
  • 95
  • 96
  • 97
  • …
  • 596
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT