• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pushtimi i Ukrainës dhe fashizmi rus

March 26, 2022 by s p

Pushtimi i Ukrainës  me 24 shkurt nga Rusia të përkujton pushtimin e Polonisë nga Gjermania me 1 shtator 1939, që ishte fillimi i Luftës së Dytë Botërore, duke dëshmuar se kemi të bëjmë me fashizmin rus me konceptin ideologjik të Perandorisë ruse,  kërcënim për fqinjët e saj dhe ndaj rendit të ri botëror.

Nail  Draga

Dështimi i ideologjisë komuniste dhe socializmit si rend shoqëror, filloi me rënien e Murit të Berlinit(9 nëntor 1989), duke pasuar me miratimin e pluralizmit politik(1990), ku kulmin e arriti me  shkatërrimin e   ish BRSS në vitin 1991. Ishte kjo një ngjarje me përmasa botërore , ku nga ajo perandori komuniste u pavarësuan republikat duke u pranuar ndërkombëtarisht. 

Në këtë kuadër edhe Republika e Ukrainës shpalli pavarësinë me 24 gusht 1991. Por, nga ajo kohë e deri  më tash ka kaluar shumë sfida duke mbeshtetur ambiciet perëndimore. Nuk ka dilemë se Rusia, nuk mund të pranojë një Ukrainë të fortë, të lidhur me Perëndimin e të jetë pjesë e NATO-s, por  të ketë qeveri e kryetar prorus. 

Por, Ukraina dallohet nga ish republikat tjera, të ish BRSS, sepse ajo është vendi me sipërfaqe ma të madhe në Europë, pas Rusinë europiane me 603.628 km2,  dhe më popullsi prej 44 milionë banorë! Pikërisht kjo sipërfaqe dhe popullsi, ku dominojnë ukrainasit me 76%, ndërsa rus ka 20%  si dhe me resurse të mëdha natyrore paraqet pengesë për politikën ekspansioniste ruse.

Ukrainasit-popull i protestave

Analistët e ndryshëm vlerësojnë  se ukrainasit janë popull i veçantë, madje e quajnë si „popull i  protestave“, sepse për këto tridhjetë vite kanë çuar  në rrezimin e katër presidentëve, me protesta të fuqishme, por edhe me viktima. Kujtojmë me këtë rast  vitin 2001  ku u zhvillua fushata e protestave me moton “Ukraina pa presidentin Kuçma”.

Në veçanti të opinioni ka mbetur në kujtesë “Revolucioni Portokalli”  në fund të vitit 2004,  ku në “Sheshin e Pavarësisë” qindra mijëra protestues u mblodhën në shesh dhe rrugët aty pranë dhe ngritën tenda për disa javë. Protestat ishin me moton  kundër mashtrimit zgjedhor nga presidenti ne fuqi,ku  çuan në një raund shtesë të zgjedhjeve presidenciale të urdhëruara nga Gjykata e Lartë e Ukrainës, të cilat u fituan nga kandidati i opozitës, Viktor Jushçenko. Ishte kjo fitorja spektakulare e opozitës! Më pas gjatë vitit 2009, Yulia Tymoshenko u propozua si kandidate për presidente e opozites duke mbledhur ne këtë shesh rreth 200,000 njerëz.

Në veçanti duhet cekur  protestat  antiruse dhe proeuropiane, te cilat filluan ne nëntorin e vitit 2013, të cilat me pas u kthyen në përleshje të dhunshme, qe perfunduan me vrasjen e 100 ukrainasve. Sheshi qendroi i pushtuar nga protestuesit gjatë gjithë ditës dhe natës, nga 1 dhjetori 2013 deri me 27 janar 2014.

Këto protesta ia arritën qellimit sepse   çuan ne rrëzimin e presidentit  Viktor Janukoviç dhe largimin e tij drejt Moskës, sepse ai ka refuzuar  hapjen e negociatave me BE-në, kunder vullnetit te popullit ukrainas, duke dëshmuar se ishte në favor të politikës pro ruse. 

Mashtrimi ukrainas  në vitin 1994

Kemi të bëjmë me marrëveshjen në mes SHBA-Britani e Madhe dhe Rusisë të cilët e binden Ukrainën që të dorëzpjë Rusisë armët bërthamore, me garancionin e tyre se do ta mbrojnë nëse sulmohet nga një vend tjetër. Por, pushtimi i Ukrainës nga Rusia nga data e 24 shkurtit 2022, dëshmon se ajo është mashtruar sepse nuk është respektuar marrëveshja e tillë. Madje ky pushtim të kujton sulmin e Hitlerit ndaj Polonisë me 1 shtator 1939, edhe pse një javë më parë ishte nënshkruar marrëveshja Ribentrop-Milotov, përkatësisht Hitler-Stalin, për mos sulmim ndaj Polonisë. 

Heshtja e ndërkombëtarëve

Duke pasur interesa të ndërsjella vendet europiane nga Rusia kanë importuar gazë, naftë dhe mallra të tjera, që ndikoj në forcimin e saj ekonomik duke investuar në armatim. Nga një pozitë superiore ndaj fqinjëve Rusia, sulmoi ushtarakisht Gruzinë(2008), duke ia shkëputur Abhazinë dhe Osetinë Jugore. Duke parë se faktori ndërkombëtar qendroi në heshtje ata nuk u ndalën sepse në vitin 2014, aneksuan Krimenë, si dhe i mbeshtetën   dy republikat e  të vetshpallura në regjionin e Donbasit(Luganski dhe Donjeck ) duke i pranuar së fundmi si shtete të pavaruara(21 shkurt 2022)! Ndërsa me 24 shkurt, ndodhi sulmi dhe pushtimi i Ukrainës, si shtet sovran, pas asnjë shkas, por me qellime ekspansioniste, sipas ideologjisë për shtetin e madh të Perandorisë ruse.

Sanksionet kundër Rusisë

Duke marrë parasysh se Ukraina nuk është në NATO, vendët e BE-ës por edhe të NATO-s, u zgjuan dhe reaguan mënjëherë duke  vendosur  sanksione të ndryshme ndaj Rusisë, ku dominojnë ata ekonomike, dilpomatike, finaciare  etj. Madje në këtë situatë kritike, presidenti i SHBA-ve ka deklaruar se në këtë moment kemi vetëm dy mundësi të veprojmë me sankasione ekonomike, apo të fillojmë luftën e tretë botërore. Nuk ka dilemë se për një vend nuk mund të fillohet lufta e tretë botërore, sepse do të kishte pasoja të mëdha, por, për momentin çdo gjë do mbesë në sanksione, si dhe furnizime të ndryshme për popullsinë e Ukrainës, për të përballuar pushtimin dhe organizuar rezistencën popullore.

Solidarizimi  me popullin ukrainas

Pamjet nga pushtimi i Ukrainës kanë ndikuar në ndërgjegjësimin e komunitetit ndërkombëtar, të cilët kanë organizuar protesta të ndryshme në shumë vende të botës, duke akuzuar pushtimin e një vendi të pavarur, që paraqet rastin e parë në Europë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Kemi  të bëjmë me fashizmin tipik si në kohën e Hitlerit, i cili si pasues modern ka Putinin. Bombardimi, shkatërrimi i objektëve të banimit, infrastrukturës, vrasja e popullsisë, shpërngulja e tyre dhe vendosja në vendët fqinje e më gjerë, dëshmojnë se kemi të bëjmë me një okupim klasik në kohën moderne. 

Në këtë aspekt, me përjashtim të Bjellorusisë dhe Serbisë, të gjitha vendet europiane, akuzojnë politikën ekspansioniste të Rusisë. Një politikë e tillë ka ndikuar jo vetëm në solidaritetin e popujve dhe vendeve europiane por edhe në unitetin e BE-së dhe të NATO-s, duke u bindur se kemi të bëjmë me agresion i cili është në kundërshtim me parimet ndërkombëtare kundër një shteti sovran.

Spastrimi etnik strategjia e politikës ruse 

Ajo çka është duke ndodhur në Ukrainë, nuk është luftë, por spastrim etnik të qytetëve sidomos  pranë Detit të Zi e Detit Azov ku qyteti i Mariupolit është rast i veçantë  kriminal ndaj popullsisë, sepse përmes tij lidhet territori toksor nga Krimea në drejtim të lindjës ku janë republikat e vetshpallura në regjionin e  Donbasit. 

Kemi të bëjmë me një situatë identike sikurse në BeH (1992-1995)dhe Kosovë(1998-1999) që vepronte ushtria serbe, duke rrethuar e granatuar qytetët, masakruar popullsinë e detyruar të shpërngulët, që ishte qellimi i politikës neofashiste  serbe, ku pamjet e prezantura në media e dëshmojnë një konstatim të tillë.

Nga pasojat e luftës bëhet me dije se  deri  më 23 mars, nga Ukraina janë larguar 3,5 milion banorë, ndërsa të zhvendosur brenda vendit janë  mbi 2 milion banorë.

Në pritje të marrëveshjës ndërkombëtare 

Pavarësisht se sa do të zgjatë okupimi i Ukrainës, përvoja e deri tashme dëshmon se do të kemi një marrëveshje ndërkombëtare për të përfunduar luftën dhe vendosjën e paqës në mes dy vendëve. Në këtë konferencë  përveç dy palëve do të marrin pjesë edhe shtete që do të jenë garant të marrëveshjes së arritur. Ndonëse deri me tash janë organizuar disa  takime nga përfaqësuesit e delegacionëve (Ukrainë –Rusi) njoftohet se pala ukrainase ka pranuar të të tërheq  nismën për tu bërë pjesëtarë të NATO-s, duke mbajtur pozitën neuatrale. Një deklarim i tillë duket se  është i pranueshëm edhe për palën ruse, por kontestuese do të mbesin statusi i Krimesë, që është aneksuar nga Rusia në vitin 2014, si  dhe dy republikat e vetshpalluara si të pavarura(2014) dhe të pranuara nga Rusia(21 shkurt 2022). 

Opinioni është njoftuar se Ukraina ka akuzuar Rusinë për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, e cila me 16 mars ka marrë vendim të përkohshëm duke urdhëruar Federatën Ruse që mënjëherë të ndërprejë operacionet ushtarake në territorin e Ukrainës. Duhet cekur se urdhëri për ndërprerjën e operacioneve ushtarake është masë e përkohshme gjyqësore deri në marrjen e vendimit definitiv për çështjen e ngritur në Gjykatë. Nuk ka dilemë se më pas do të trajtohet çështja e dëmshpërblimit si pasojë e krimeve të luftës  nga ushtria ruse në Ukrainë.

Pavarësisht se sa do të zgjasë lufta, Putini e ka të humbur luftën dhe ate do ta presë fati i Sllobodan Millosheviqit në përballje me gjykatat ndërkombëtare, sepse ka prova të mjaftueshme për krimet e kryera deri më tash. 

                     (23 mars 2022)

C:\Users\123456\Desktop\IMG-9cae1c8b4ecd37769b0c7b07f17700fa-V.jpg

Filed Under: Kronike

AT JOSIF PAPAMIHALI

March 22, 2022 by s p

C:\Users\User\Desktop\PicMonkey-Collage1-620x397.jpg

AT  JOSIF  PAPAMIHALI

(1912 – 1948)

Pergatiti Fritz RADOVANI

“ISHTE  VETEM  36 VJEÇ, KUR  E  MBULUEN  ME  DHÉ  E  BALTË  PËRSËGJALLI !”

Shqipnia ka një sipërfaqe prej 28.000 km. katrorë; një shtet i vogel mu në qendër të Europës, ku mbas Luftës së Dytë Botnore, kur edhe gjyqi i njohun i Nurembergut pothuej i kishte mbyllë proceset kryesore, në Shqipninë e një miljon banorëve të varfën e të rraskapitun, kanë fillue me u krye krimet ma të shëmtueme ndaj Shqiptarëve nga vetë të vetquejtunit “Shqiptarë”. Pushtimi i Shqipnisë nga sllavo – komunistët në vitin 1944 solli në pushtet një grup anadollak fanatikësh, që kanë me kalue edhe sa kohë dhe vështirë se krimet e tyne antinjerzore kanë me mujtë me u harrue. 

Disa herë kam shkrue se mbas asaj kohë që këta terroristë, kanë krye ndaj Don Lazer Shantojës në hetuesi, tue i sharrue kambët e gangrenizueme me sharrë druevari, vjen mbytja barbare nga katilët e pangopun me gjak e Klerikut Elbasanas At Josif Papamihali, ose i njohun nga besimtarët e qyteteve ku ka sherbye me emnin Papa Sifi. 

Ka lé me 23 Shtator 1912, në vitin e Pavarsisë nga osmanët, nё Elbasan, një qytet i vjetër i përmendun për brezni të tana intelektualësh Atdhetarë. 

Tue u interesue per lidhjet e klerit kristjan atje, mujta me gjetë edhe disa të dhana për At Papamihalin, mbasi kishe ndeshë edhe ma perpara në emnin e Këtij Martiri të Madh të Popullit Shqiptar, atëherë kur pata fatin me njohë afer edhe jetën e Imz. Jul Bonattit, me të cilin, At Josifin e ka lidhë puna e madhe e Tyne, që mbetёt një “Kujtesë e përjetëshme për Klerin e ardhshëm Shqiptar: Unifikimi i Besimeve tona Katolike e Ortodokse me frymen e Ungjillit të Shejtë”. At Papamihali u shugurue meshtar me 1 dhjetor 1935, mbasi përfundoi studimet në Kolegjin Papnor Grek në Romë. Erdhi në Atdhé dhe filloi detyrën e vet në qytetin e Elbasanit, ku me një vullnet të veçantë të Klerikut Katolik të rritit bizantin, punon për afrimin e dashninë ndërmjet familjeve tradicionale Elbasanase, aqsa edhe sot, atje kujtohet me dhimbje të madhe Emni i Tij. Fillon me përkushtim restaurimin e Kishave monumentale Ortodokse në Shqipni, tue krye edhe detyrat e Klerikut të pervujtë, që kultura e Tij universale e ban edhe ma të dashtun dhe ma të afruem me popullin e vet. Ai ka shërbye edhe në Korçë dhe në Berat. Kudo ku ka vue kamben Populli i atyne krahinave e kujton me dashuni e respekt.

Një Figurë kaq e kompletueme me virtytet e një Shqiptari që kerkon “Dashninë e Atdhetarëve të Bashkuem nën hirin e Zotit”, nuk kishte si të shpëtonte nga thonjtë jo, vetem, të pergjakun të sigurimit komunist, por edhe fanatikë e anadollakë që e arrestojnë me 31 Tetor 1946, me akuza fallso dhe shpifje, që mbesin deri në fund të pa provueme nga qindresa heroike e Këtij vigani të brumoson me edukaten qytetare Elbasanase. 

Të gjitha perpjekjet e sigurimit bahen me mujtë me e lidhë veprimtarinë e Tij me klerikët Imzot Vinçenc Prennushi, Don Shtjefen Kurti, At Pjeter Meshkalla, Papa Isak, At Palë Dodaj e profesorët e njohun shkodranë Prekë Kaçinari dhe Nikollë Dakaj, me të cilët, pranon vetem “njohje” dhe asgja tjeter, që mund ti perfshinte të gjithë bashkë në nenet e kodit penal “antikatolik” të shtetit terrorist komunist shqiptar. Që “kodi penal” ishte i tillë, e verteton arrestimi i vllajt të vogel të At Papamihalit, me emnin Kostaq, i datlindjes 1919, i pushkatuem në vitin 1952, vetem se “ky është vëlla i armikut të popullit, klerikut të poshtër At Josif Papamihalit” Ndoshta per disa e pabesueshme.(Dosja 4802, Arkiv MPMbrendshme, Tiranё, 1998). 

At Josif Papamihali “per mungesë provash” u dënue nga Gjykata Ushtarake e Korçës, me 5 gusht 1947, “5 vjet heqje lirije dhe punë të “detyruar””.

Edhe pse torturat ishin ma të mnershmet, Ai mujti me i perballue tue mbetë një nga Martirët ma të paster e tё panjollosun në të gjitha shkresat  e dosjet e sigurimit barbar komunist. 

Urrejtja e atyne organeve terroriste nuk do të mbyllej vetem deri këtu, po do të vazhdonte ashtu si me shumë tjerë ma parë! 

Dërgohet në kampin e “punës së detyruar” të Maliqit të Korçës, ose siç, e kanë quejtë Ata, që mujtën me mbijetue në atё vend zhdukje, “kampi i shfarosjes komuniste” i tipit gulagëve të Stalinit, pa i lanё asgja mangut atyne as per nga mundimi e vuejtjet as, per nga mbyllja e mnershme e jetës. 

Atje kanë përballue tmerret e komunizmit gjakatarë vetem Ata, që mujtën mos me u ligshtue shpirtnisht e fizikisht, mbasi “dishprimi dhe vetvrasja” ishin të përditëshme dhe të pashmangëshme. 

Mundi, lodhja, urija, etja, pislleku i parazitëve dhe lidhja për shtyllë e rrahja ma barbare deri në vdekje të njeriut, nga kriminelat ishin të papërshkrueshme nga ata që nuk i kanë pa e provue. 

Njerëzit e pranguem liheshin me dit’ e net të çveshun në piken e acarit të dimnit jashtë në akull, borë e shi pa asnjë mbuloje, të lidhun per trup, kambë e dorë, tek shtyllat e torturave; ka pasë njerëz që nuk u dhanë as ujë me pi derisa kanë mbetë fare pa ndjenja, ndërsa për supen e qelbun me ujë kënete as nuk bahet fjalë, me ditë të tana e besa edhe muej. 

Të gjitha këto unë i di nga i mbijetuemi i atij kampi Paulin P. Prennushi, për të cilin, ma vonë ka shkrue At Zef Pllumbi, mbasi kur e kanë sjellë gati të vdekun në Shkoder dhe kanë shkue në burgun e madh me e takue dy motrat dhe e shoqja e Tij, ato kanë pritë tek hekurat disa minuta kur po e sjellin Paulinin në takim. Ai kishte humbë zanin dhe këto nuk ju pergjegjëshin thirrjeve të mekta të Tij, mbasi në ftyrë as nuk e njihnin edhe pse e kishin para syve të kapun per hekurat e vendit të takimit, në atë burg mizorë. Kështu i ngjau dhe At Josif Papamihalit, që, edhe Ai një ditë vjeshte, nga mundi e lodhja u rrëzue në balten e asaj kënetë të Maliqit, prej ku nuk mujt me u çue ma! Nuk u dënua me vdekje të menjëhershme siç asht pushkatimi, por me vdekje “të ngadaltë” që do të zgjaste jo pak minuta, por pesë vjet!

Ai u akuzue se: “Mbas Çlirimit të Shqipërisë ka vazhduar politikën reaksionare të Vatikanit. Ka bërë takime me elemente reaksionarë me të cilët ka biseduar çështje kundër Pushtetit Popullor si dhe ka bërë mbledhje me krerët katolikë me qëllim për të sabotuar zgjedhjet e dy dhjetorit dhe vendosjen e partisë Demokristiane në Shqipëri. Ka bërë propagandë kundra reformave. Ka punuar kundra interesave të popullit e të Atdheut, duke u subvencionuar me të holla prej agjentëve të UNRRA-s, që të formonte organizata klandestine, si organizata “Demokristiane”.”

Në të vërtetë ajo “zgjati” vetëm rreth një viti. Çdo ditë të vitit “vdiste” nga pak në luftë me ujin, llom e baltë, udhëtimin e mundimshëm, mungesën e ushqimit, të veshjes dhe të gjumit, në atë që u njoh me emrin “Këneta e Vdekjes” siç e emërtoi bashkëvuajtësi i tij në Kënetë, shkrimtari Elbasanas Makensen Bungo, që e ka edhe personazh real në librin e tij me titull “Këneta e Vdekjes”. Frymën e fundit nuk ia morën predhat e pushkëve vrastare, por “predhat vrastare” të duarve të kriminelëve që e mbytën të gjallë në baltën dhe llomin e Kënetës. Po komunizmi “nuk u ngop” me këtë “pushkatim të ngadaltë”. Ata e akuzonin edhe per propaganda në votime se:

Kur klerikët pyeten Imzot Vinçenc Prennushin, nëse ishte mirë të merrnin pjesë në zgjedhje apo jo. Ai u përgjegjë: “Kjo nuk asht aspak e mirë, sepse nuk pajtohet me parimin fetar, mbasi deputetët janë me parime afetare”

Me daten 26 Tetor 1948, në moshen 36 vjeçare, At Papamihali kishte ra perdhé. Policët urdhnuen me e mbulue me dhé e baltë ndërsa, At Josifi, kuptohet, ishte endè gjallë. Një vdekje vertetë e mnershme antinjerzore!

E ndoshta, ashtu i gjallë, i ramë permbys në atë baltë mizore vllavrasëse: 

Ishte Shpirti i Tij i martirizuem qё dëshmoi, se: “Ai mbet i Pavdekshem!”

At Josifi sot asht një Zamak i Perjetshem i Flamurit të Gjergj Kastriotit!

Melbourne, 22 Mars 2022.                      

Filed Under: Kronike

Rusia po shkon drejt diktaturës totalitare

March 20, 2022 by s p

Nga XHAVIT ÇITAKU/

Retorika që Presidenti Vladimir Putin e përdori në fjalimin e tij të fundit, kur ai hedhte terma si tradhëtar, plehra e të tjera fjalë fyese për ata që kundërshtojnë luftën në Ukrainë, është një tregues i qartë se Rusia po lëvizë drejt diktaturës totalitare. Apo thënë më mirë se zgjedhja e fjalëve që janë drejtpërsedrejti të kopjuara nga Adolf Hitleri i Gjermanisë naziste dhe komunisti diktator sovjetik Stalini, është më shumë se një antitud se çfarë shoqërie dëshiron ai të ndërtoj në Rusi. Pra, krimineli Putin para qytetarëve rus thekson vendosshmerinë për ta luftuar neonazizmin që ka “ zënë fill” në Ukrainë, ndërsa në anën tjetër ai vetë po rrësnhqet në këtë sistem që mund t’ia sheh sherrin e gjithë bota demokratike.

Kjo retorik e togfjalëve që po përdorë diktatori rus Putin është, po ashtu, një tregjues i qartë se pushtimi i Ukrainës nuk po ecën sipas parashikimeve. Së këndejmi shumë obnservator të brendshëm e të jashtëm e shohin si një shenjë të Putinit për t’u hamarrë në planin e brendshëm ndaj të gjithë atyre që nuk mendojnë si ai, bile me një forcë trishtuese si asnjëherë më parë. Shi për këtë, shtrohet edhe pyetja mjaft interesante se çfarë kontakti ka ai me realitetin praktik brenda Rusisë dhe informata nga frontet e luftës në Ukrainë kur ai në pjesën më të madhe është i mbyllur në Bunkerin e tij.

Paranoja e Putinit

Mjetet e huaja tö informimit, duke u bazuar në burime të sigurta, bëjnë me dije se paranoi Vladimir Putin ka humbur nga vetvetja dhe e ka kapluar frika se ai mund të jetë cak i një atentati qoftë me armë apo edhe me e helmua me anë të ushqimit apo pijeve të ndryshme. Shi për këtë, lajm ekskluziv në faqet e para të gazetave suedeze ka dalur përjashtimi nga puna i më shumë se një mijë vetave përsonel që i shërbejnë presidentit rus. Pos kuzhinierve dhe personelit tjetër përcjellës, që ua ka frikën shumë se nga ata mund të helmohet, Putini, thjesht, i ka përzënë nga puna edhe personelin e mbrojtjes së afërt, madje edhe pastruesit. Thënë me gjuhën e fakteve ai po e dinë fare mirë se populli është duke e urrejtur për këtë çmenduri çfarë ai po ndërmerr në Ukrainë, çmenduri kjo që po i kushton e do t’i kushtoj shumë popullit rus, sidomos, në fushën ekonomike. Këtë aksion të spastrimit të personelit presedencial e konfirmoi edhe zëdhënësi i saj Dmitri Peskov, duke e arsyetuar vendimin e Putinit se nga puna u përjashtuan “ tradhëtaret”.

“ Vëllau nuk e vret vëllaun”

Sa të dhimbshme janë rrëfimet e qytetarëve ukrainas që po përjetojnë nga ushtria ruse e mercenar të paguar mirë. Ngjarjet janë të tmerrshme me vet faktin se barbaret rus po bombardojnë pa kurrfarë kontrolli çdo gjë që iu del përpara, madje, cak i tyre janë edhe çerdhët e fëmijëve, sallat e teatrove dhe ndërtesat e banimit. Megjithatë, një rrëfim i një qytetari në qytetin e shkatërruar Mariupol me la përshtypje për një përgjigje direkte që ia dha ushtarit pushtues rus, kur ai iu drejtua me fjalët: Hej vëlla, ne jemi vëllëzër. Kujt po i thua vëlla? Vëllua nuk e vret vëllaun. Ti dhe të gjithë të tjerët që keni ardhur këtu jeni armiq, jeni pushtues. Ju urrejm, vazhdoi të fliste e bërtiste qytetari ukrainas.

Me këtë propagandë ka nisur pishtimin krimineli Putin, duke iu thënë ushtarëve rus se në Ukrainë do t’iu presin me lule, sepse ne ata i kemi “ vëllëzër”. Mirëpo, në frontet e luftës po ndodh e kundërta. Në vend të luleve pushtuesit po qëllohen me plumba.

Filed Under: Kronike

Kënga për Berdo Berdon në përvjetorin e lindjes

March 10, 2022 by s p

Gezim Zilja/

Më 26.02.2022 i “arrestuar”  nga dy miq të mi, u ndodha  i paftuar në Dukat, në 54 vjetorin e  lindjes së kryetarit të grupit polifonik “Jehona Labe,” njeriut fisnik me emër e mbiemër të njëjtë: Berdo Berdo. Nga i paftuar u ktheva në kryemik sipas traditës. Jo vetëm se më ulën në krye të tavolinës, ku ishin rreth dyzetë burra por edhe sepse pas gotave të para, më vunë para një alamet bishti zbukuruar sipër me ca brinjë të thekura, që do të mjaftonin për një “ushtri” të tërë. Berdua për të nderuar kryemikun e paftuar u ul pranë meje. Tek e shikoja, nga afër, me një trup mesatar,të shëndetshëm, tepër të fuqishëm, energjik, me kraharorin zbuluar, dukej si një copë shkëmbi i shkëputur nga malet.  Më kujtoi  pasardhësit e denjë të asaj race të pastër shqiptare, që përshkruan Evliha Çelebiu , udhëtar e dijetar i shek. XVII, për krahinën dhe djemtë e Dukatit: “… Ndërmjet Perëndimit e Jugut ndodhet krahina shqiptare e Dukatit me 100 katunde të pashtruar e të pabindur. Banorët e kësaj treve janë kokëzinjë dhe mbajnë feste… Janë ndër burrat më trima të kombit shqiptar…. Trimat e rinjë janë fodullë, vishen me rroba të shkurtëra ( poture dhe tirqe. Shën,im) dhe të ngushta. Për hir të zotit duhet thënë se janë luftëtarë të rreptë.Shumica e tyre lidhin kokën me çallmë të bardhë dhe rrinë me kraharorin zbuluar, që u piqet e rregjet prej rrezeve të diellit… Kanë shëndet të plotë e u shkëlqen lëkura nga ngjyra e kuqe. Përkth.shqip. Faqe 77-78.”  Dikush po thoshte ca fjalë të thjeshta, për Berdon, dhe pas pak shpërtheu kënga labe. Kam qenë jo rrallë në ahengje e ziafete lebrish, po kurrë nuk e kam kuptuar sesi merren vesh kur fillon një këngë. Sapo marrësi ( këngëtari) kudo që të ndodhet fillon këngën, hedhësi dhe kthyesi të hazërtë, gjenden pranë tij. Zërat e grupit pushtuan gjithçka: dëgjohej vetëm kënga dhe isua e zgjatur me një harmoni  të përkryer. Në pushimet midis njërës strofë e tjetrës ka një heshtje të pazakontë dhe sytë e të gjithëve janë te marrësi. Kënga vinte e avashme, shtruar, gati e përvajshme dhe kjo më çuditi pak. “Moj Labëria me derte /Pse e mban kokën mënjanë?/Vetëm fillikate mbete/Mbetën bosh ato divanë.” Epo kjo punë kështu? Sikur kishim ardhur për të festuar?! Vargu “mbetën bosh ato divanë”, kishte një domethënie rrëqethëse. S’dëgjohet zëri i pleqe/Ata burra festebardhë/Mbetën të rralla oxheqe/Rritet bari nëpër shkallë. Barin që rritej nëpër shkallët e shtëpive të braktisura, oxhakët e rrënuar, shkretimin, që mbulon vendin nga mungesa e njeriut e kisha vërejtur këtë verë në disa fshatra. Kënga ecën ende më e përvajshme: Boshatisur ato djepe/ Duarlidhur seç të lanë/Rinia nëpër kurbete/Nga malli gurët u çanë. Gjatë këtyre fjalëve marrësi, kthyesi dhe hedhësi e shndërruan këngën, në një ulërimë dhimbjeje, dhe kujeje. Dola jashtë, kërkova diku një cigare dhe strofën e fundit nuk e dëgjova, veç isos që  ndihej deri jashtë. 

“Pse e hapët me këtë këngë o Berdo?” i thashë kur u ktheva.“Po na ikën djemuria, po mbetet shkretë Labëria. Nuk gjen dot dhëndër për vajzë, si i thonë fjalës. Andaj e morën të parën …”u përgjegj mendueshëm Berdua.  Ndërkaq një këngëtar tjetër me një zë tenori të shkëlqyer ia kishte marrë këngës himariote aq të famshme. “Vajz’ e bukuro’/Pa dil të të shoh/Moj Katina nina nina /vajz’ e dashuro’.” Atmosfera kishte ndryshuar plotësisht. Fytyrat e të pranishme, që disa çaste më parë ishin të ngrysura e të menduara, ndrinin nga kënaqësia dhe dëshira për të festuar. Tashmë isua ishte jo aq e zgjatur, sërish e shtruar por vinte ëmbël e ëmbël; ajo ajdee-deeeeeeeeeee e hedhësit të çonte në lëndinat plot gjelbërim të bregut, ku ka jetuar Katina e famshme dhe  zëri i kthyesit me pasthirrmat oho-oho-ohoho, ku “o”-ja  shpesh shndërrohej në një “ë” hundore, shprehte herë mall e  herë nostalgji. “Syri yt më vret/Zëri yt më tret/ Moj Katina nina-nina / Bukuria vet!” Kënga mbyllet. Të gjithë urojnë marrësin e këngës: Të lumtë goja! Këngë e paç gjithë jetën! Rrëkëllejnë gotat mbushur me atë lëngun e bekuar, duke ngritur shëndete e mirësira pa mbarim. Në anën tjetër një grua bionde, ia mori këngës me një zë të pastër tingëllues. “Njëzetepesë vite/ veç na ke dhuruar/Këngë burrërore/ nga shpirti i kulluar/…” Këtë herë isua e dalë nga dyzetë burra, me një gojë të vetme, buçiti sa dukej sikur do të binte suvaja e thyheshin xhamat e dritareve. Tani filloi koncerti i vërtetë, mendova. Kthej kokën anash dhe shikoj sesi Berdo Berdo, ky burrë i rëndë, kishte sytë gjithë lot dhe as që i fshihte. Po kjo hata? E preka lehtë në në sup. “ Është këngë për mua? E kupton…?” belbëzoi midis lotësh. Në refren përsëriteshin titujt e këngëve, figurat e të cilave ai u dha pavdekësinë me zërin e tij prej baritoni dhe interpretimin e papërsëritshëm: Hamit Guga një pëllëmbë; Çobanët mbi gjeneralë; Del pasha se jam për udhë; Moj Vlorë e bukur në gropë. Ashtu si Osman Taka, që nuk e krijoi vallen e famshme Çamiko, por e intepretoi në mënyrë të tillë sa ajo u quajt Vallja e Osman Takës, edhe këngët e mësipërme, që janë kënduar edhe më parë, quhen sot  “Këngët e Berdos.” Për këtë grupi polifonik “Jehona Labe” i ngriti këngë dhe e uroi: Me këngët e tua, i dhe historisë/Rrofsh sa të do zemra, bir i labërisë. “Ka lezet ta ngrenë këngën në gjallje,”  më tha një i dukatas, “se po vdiq njeriu, s’ka ç’të shohë e ç’të gëzojë!”

Filed Under: Kronike

SHKOLLA E PARË E STUBLLËS DHE DON MIKEL TARABULLUZI

March 7, 2022 by s p

Hazir Mehmeti/


7 Marsi – Dita e Mësuesit, moment i rikujtimit të figurave madhore shqiptare në historinë kombëtare. Shumë intelektual patriotë nga të gjitha trevat shqiptare u flijuan për shkronjat shqipe, fjalën shqipe të mohuar e shkelur nga pushtuesit grek, turq, serb e sllavët tjerë. Sot jemi krenar me historinë tonë të ndritur nga emra të tillë para të cilëve përulemi me respekt. Ndër ta pa dyshim ishte edhe Don MIkel Tarabulluzi. Don MIkel Tarabulluzi u lind në Prizren. Mësimet fillestare i mbaroi shkollën për famullitar tek mësuesi Mati Logoreci. Në Shkodër mbari kolegjin Shën Françeskan Saverian dhe studimin për papnor. U dërgua në Austri ku studio filozofinë dhe teologjinë. Imzot Anderua Logoreci kishte meritat kryesore në shkollimin e Dom Mikelit, formimin e tij si prift dhe intelektual me vlera në themelimin e shkollave dhe përhapjen e gjuhës shqipe. Dom Mikeli shërben në Pejë, kurse në fillim të vitit 1896 emërohet famullitar i Karadakut, përkatësisht i Letnicës, ku gravitonin Stublla Epërme, Binça dhe disa katunde të tjera Me angazhimin e tij, por edhe të bamirësisë së familjes së Sedovytëve (sc. Sedaj), është siguruar shtëpia në pasurinë e kësaj familje, që do të shërbejë për kishë dhe më vonë për shkollë. “Kështu, në vend që besimtarët e Stubllës dhe të disa katundeve të tjera të shkojnë të dielave në Letnicë, nga Letnica vinte dom Mikeli te ata, jo vetëm për t’iu meshuar dhe për t’ju bërë shërbesat e tjera fetare. Misioni i tij u tejçua deri aty sa për t’i hapur Stubllës një shkollë shqipe“. Mikel Tarabulluzi është themelues i Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë. Ai krahas punës si famullitar ishte edhe mësues i devotshëm e kombëtar pjesë e lëvizjes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe të një lëvizjeje të përgjithshme të popujve ballkanikë për t’u çliruar nga zgjedha turke. Është konstatuar se pikërisht dom Mikeli, i frymëzuar nga kërkesat e Lidhjes së Prizrenit, iu kishte, bashkangjitur aradhes së Idriz Seferit, krahas luftetërëve tjerë nga Stublla e rrethina sikurse ishin Gjon Koliqi, Engj Pali, Gjon Andrea e shumë tjerë që marrin pjesë aktivisht në Luftën e Kaçanikut më 1910. Natyrisht, nxënës të tij dhe të vëllait të tij Jakut janë edhe Mark Lorenci, Zinë Demaj, Pal Ramaj, Gjergj Ramaj të cilët jetonin në Stubëll, por edhe disa stubllanë të tjerë, si të thuash, të një gjenerate më të re, siç është Ndue Ballabani, i biri Jozës, bashkëpunëtorit dhe mikut të ngushtë të dom Mikelit, i mbajnë të gjalla në kujtesë punët pastorale dhe arsimore të famullitarit dhe mësuesit të tyre. Shkolla e parë ku mësohej gjuha shqipe ishte meritë e Don Mikel Tarabulluzit.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 96
  • 97
  • 98
  • 99
  • 100
  • …
  • 596
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT