• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Dritëroi dhe Migjeni”

October 13, 2021 by s p


Prof.Dr. Vasil S. TOLE


▪︎ Fjala e mbajtur sot në konferencën shkencore kushtuar 110 vjetorit të lindjes së Migjenit dhe 90 vjetorit të lindjes së Dritëro Agollit në Akademinë e Shkencave


Të gjithë e kanë një pyetje se çfarë është dhe ç’përfaqëson ky libër i panjohur i Dritëroit, që Akademia e Shkencave e boton sot?Pesë vite më parë autori, shkrimtari dhe akademiku ynë, na dha pëlqimin për ta përkthyer për qëllime shkencore tezën e tij të diplomës, mbrojtur në Universitetin e Petersburgut, me rezultatin “shkëlqyeshëm”, me një oponente si zonja e albanologjisë ruse Desnickaja. Bëhet fjalë për vitin e largët 1957. Libri titullohet “Skicat dhe tregimet e shkrimtarit revolucionar shqiptar Migjeni” dhe ja ku e kemi sot në duart tona. Botimi u përgatit nga kolegu akademik Shaban Sinani dhe ka një parathënie sintetike të kryetarit tonë prof. GjinushiPo pse e botojmë sot? Para së gjithash sepse kjo tezë diplome, duke hyrë në qarkullim në bibliotekat tona albanologjike, do të nxisë shqyrtime të reja, sepse idetë e saj jo vetëm nuk janë vjetëruar, por përmbajnë të pathëna me rëndësi si për Migjenin, ashtu dhe për Agollin vetë. Punimin ne e shohim të rëndësishëm në disa qasje:1. Sepse nga pikëpamja kronologjike, ky punim është i pari me karakter monografik. Në kohën kur e shkroi, Agolli e kaloi stadin e studimeve migjeniane dule e çuar atë nga niveli i parathënieve dhe recensioneve në nivelin e studimeve që kërkojnë standardet e kërkimit shkencor. 2. Qasja e dytë ka të bejë me përcaktimet që i bëri Dritëro Agolli veprës dhe personalitetit të Migjenit si shkrimtar revolucionar i realizmit kritik. Kjo ka shumë rëndësi kur sjellim ndër mend se më vonë Migjeni dhe krijimtaria e tij u çmua si pararendëse e realizmit socialist, madje Migjeni u parapa edhe si poet i “botës së re”. Pikërisht përcaktimi i Agollit për të ka një peshë dhe vlerë referenciale të tillë për të ndrequr çfarë më vonë u shkrua keq me zell ideologjik në historitë e letërsisë, duke e quajtur madje deri në “themelues të realizmit socialist”.3. Së treti, e shkruar në një periudhë ideologjikisht liberale, në një metropol europian si Shën Petersburgu, teza e Dritëro Agollit nuk i njohu tabutë e mëvonshme që ju imponuan si Migjenit ashtu edhe veprës së tij unike për letrat shqipe. Pa u zgjatur, sikur vetëm këto tri vlera t’i njohim tezës së diplomës së Dritëroit, kjo e shfaqur në botën e letrave shqipe me një vepër të plotë serioze para sfidës së poezisë, do të mjaftonin për ta bërë nismën tonë për botimin e saj një nismë akademike e bashkëkohore në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.Prandaj, mirë se erdhe, Migjeni i Dritëroit që qendroni kaq mirë e bukur krah njëri-tjetrit.Ju faleminderit për vëmendjen.

Filed Under: Kulture Tagged With: Vasil Tole

Promovim libri, promovim vlerash – një veprimtari e bukur te “Bijtë e Shqipes”

October 13, 2021 by s p

Dr. Sadik Elshani 

.

Në mjediset e ndërtesës së re të shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Philadelphia u bë promovimi i librit “Mustafa Daut Sllatina”, të autorëve, vëllezërve, Haki e Hasbi Çollaku, anëtarë të shoqatës sonë

Shoqata “Bijte e Shqipes” ne Filadelfia tashmë ka bërë një emër të mirë, të nderuar si shoqatë që vazhdimisht organizon veprimtari të shumta atdhetare, kulturore, përkujtimore, sportive, e shumë të tjera, si: promovime të librave të autorëve të diasporës dhe trevave shqiptare, veprimtari përkujtimore, ku përkujtojmë e nderojmë figura të ndritura të historisë, artit, kulturës, shkencës e traditës sonë kombëtare. Çdo vit me madheshti e festojmë 28 Nëntorin, Festën tonë Kombëtare, Ditën e Pavarësisë së Kosovës, festat e 7-8 Marsit, piknikun me bashkatdhetarët. Ndërsa nga viti 2012, në mënyrë madhështore organizohet ngritja e Flamurit Kuq e Zi, flamurit tonë në Bashkinë e Filadelfias. Tashme keto jane bere veprimtari te rregullta te kalendarit tone, ashtu te ngarkuar. Këtu nuk mund të lëmë pa përmendur edhe kryeveprimtarinë, kryeangazhimin e shoqatës, funkcionimin dhe vazhdimin e suksesshëm, tani per 17 vite me radhë të shkollës shqipe. është kjo veprimtaria me të cilën krenohemi më së shumti, është veprimtaria që i jep kuptimin ekzistencës së shoqatës sonë.

Veprimtaritë kanë filluar te “Bijtë e Shqipes”

Siç e dimë të gjithë, për shkak të pandemisë, që nga marsi i vitit të kaluar çdo gjë është ngadalësuar, shumë veprimtari shoqërore, ekonomike, akademike, artistike, etj., janë modifikuar ose anuluar fare. Kështu ndodhi edhe me shoqatën tonë: përveç shkollës që e vazhdoi punën “online”, të gjitha veprimtaritë tjera u ndërprenë. Por, kohëve të fundit me lehtësimin e masave të pandemisë, sikur kemi filluar të lëvizim, “ringjallemi” përsëri: më 12 shtator e zhvilluam ceremoninë e hapjes së vitit të ri shkollor; më 3 tetor organizuam një veprimtari, ku anëtarët u njohën me procesin e ndërtimit dhe përurimit të dy shtëpive të ndërtara në fshatin Ishëm të Durrësit, me fondet e mbledhura nga shoqata jonë në komunitetin shqiptar të rrethinës së Filadelfias e më gjërë. Këto dy shtëpi ishin dhurata e bashkësisë sonë shqiptaro – amerikane për dy familje në nevojë që i kishin humbur shtëpitë e tyre nga tërmeti i vitit 2019. Ndërsa, ditën e shtunë, më 9 tetor, në mjedise e ndërtesës së re (ende të papërfunduar) të shoqatës sonë u organizua një veprimtari e bukur: u bë promovimi i librit “Mustafa Daut Sllatine”, të autorëve, vëllezërve, Haki e Hasbi Çollaku, anëtarë dhe veprimtarë të dalluar të shoqatës sonë.

Kjo veprimtari u organizua nga familja Çollaku në bashkëpunim me shoqatën “Bijtë e Shqipes”. Mjediset ku u zhvillua veprimtaria ishin zbukuruar për bukuri. Para hyrjes ishin varur në varg flamuj të vegjël amerikanë e shqiptarë, tavolinat ishin shtruar me shije estetike, si në ndonjë restorant të njohur. Në mur ishin vendosur dy flamuj të mëdhenj, ai merikan dhe ai shqiptar, ndërsa në mes portretet e Mustafa e Haxhi Daut Çollakut (gjyshit dhe babait të Hakiut, përkatësisht). Kjo veprimtari përkonte edhe me ditëlindjen e Haxhi Dautit, i cili u nda nga kjo bote disa muaj më parë. Bukurinë e kësaj veprimtarie ia shtoi edhe më shumë prania e miqëve tanë, që kishin ardhur nga Nju Jorku e Nju Xhersi: Prof. Dr. Skender Kodra, kryetar i Akademisë Shqiptaro – Amerikane të Shkencave dhe Arteve, z. Bujar Hasani, kryetar i shoqatës “Skënderbeu”, si dhe zotërinjtë: Mihal, Jano, Josif Bello, Mentor Mata, doktor Amarildo Loshe, Elez Xhemali, etj. Kuptohet në këtë veprimtari merrnin pjesë edhe një numër i madh i bashkatdhetarëve me banim në Filadelfia, anëtarë e veprimtarë të shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Sipas tradites, këtë veprimtari e hapi organizatori i saj, zoti Haki Collaku, i cili i përshëndeti të pranishmit, duke i falenderuar ata për mirësinë e tyre, pjesëmarrjen në këtë ngjarje, që ishte një festë e dyfishtë: promovimi i librit për gjyshin dhe ditëlindja e babait. Pas një fjale të shkurtër për gjyshin dhe babain, në ekran u shfaqën disa pamje nga fshati Sllatinë – vendlindja e tyre. Vlen të përmendet këtu se gjatë gjithë veprimtarisë, gjatë pauzave vazhdimisht projektoheshin video të ndryshme, përfshirë edhe këngën për Tafë Dautin. 

Tafë Dauti, burrë i besës dhe i sofrës

Pastaj zoti Haki ia dha fjalën zotit Petrit Zanaj, i cili kishte bërë një analizë të hollësishme për librin dhe figurën e Tafë Dautit, duke i vlerësuar lart edhe librin edhe protagonistin e saj. “Tafë Dauti ishte një derë e hapur për çdo mik e dashamirës, udhëtar hallexhi, i njohur e i panjohur që e zinte rruga e kalonte në ato anë. Siç thonë hakiu e Hasbiu në kujtimet e tyre, “Tafë Dautin mund ta quajmë: Burrë i besës e i sofrës bujare”.Tafa ishte një burrë që i peshonte fjala dhe pyetej në kuvendet e burrave të familjeve dibrane për zgjidhjen e konflikteve…Ai ishte trim, por edhe i mençur e diplomat… Dashuria për punën e tokën ishte një nga virtytet themelore të Tafë Dautit. Këto burime ai i përdorte ato jo vetëm për mirëqenien e familjes së tij, por edhe për kedo që kishte nevojë në atë krahinë”, ndër të tjera u shpreh z. Zanaj për figurën e Tafë Dautit. Ndërsa për librin ai u shpreh: “Libri lexohet me ëndje, sepse çdo shkrim i shkruajtur nga persona të ndryshëm paraqet një histori, një këndvështrim, të cilin pasi e përjeton dhe e mbart, kalon natyrshëm tek shkrimet e tjera. Pa arritur akoma një strukturë të plotë monografie, ky libër e ka realizuar e tejkaluar pritshmërinë për ta dhënë të plotë personalitetin, burrërinë e urtësinë e këtij dibrani të thjeshtë…”

Në fjalën e tij edhe zoti Hys Hasa i vurri në pah vlerat njerëzore, familjare e atdhetare të Tafë Dautit dhe familjes së tij. Z. Hasa ka edhe lidhje familjare me këtë familje të nderuar, prandaj ai i njeh ata nga afër. Ndër të tjera z. Hys Hasa u shpreh: “Mendoj se mënyra dhe gjuha e të shkruarit është e thjeshtë,e qartë,e pastër,e freskët dhe e kuptueshme për çdo lexues. Vetkuptohet që objet i këtij libri është origjina,historiku dhe malli e përkushtimi i autorve për të evidentuar vleratë pozitive, zakoneve, traditave e ato të shpijakut të kësaj zonës”Ujë e më Ujë “të paharruarit TAFË DAUT SLLATINËS ,që është gjyshi i tyre me synim,t’ju shërbejë,si një mënyrë edukimi për brezat e ardhshëm,sidomos në kushtet e sotme ,ku ashtu si gjithë shqiptarët edhe banorët e fshatit të Sllatinës janë të shpërndarë në katër anët e botës në emigracionin e përmallshëm për vendlindjen.

Në libër një vend të rëndësishëm zënë qëndrimi patriotik i kësaj shtëpie si bazë e luftës për liri,pavarësi dhe demokraci. Mendoj se vlerë të veçantë në ketë libër zenë albumi i fotografive të dokumentave arkivore,mbi të cilët janë bazuar autorët,ç’ka e bënë shumë të besueshëm çdo fjalë që është shkruar,duke i dhënë një besueshmëri të lartë,dhe duke shërbyer si një illustrim madhështor e ambicioz të këtij trungu familjar.” Duhet cekur se z. Hys është edhe pjesë e këtij libri, sjell disa kujtime, vleresime e nderime për personalitetet e Tafë Dautit dhe Haxhi Daut Çollakut.

Edhe z. Sadik Elshani, njëherësh shkruesi i këtyre radhëve, në fjalën e tij pasi vlerësoi lart figurat e Tafë e Haxhi Daut Çollaku për virtytet, vlerat dhe traditat tona kombëtare, ai u shpreh për krahinën e Dibrës, prej nga kanë dalur rrënjet e kësaj familje fisnike: “Krahina e Dibrës gjatë gjithë historië sonë është  shquar për trimërinë, burrërinë, atdhetarinë e banorëve të saj, duke i dhënë kombit tonë shumë figura të ndritura. Kjo është skena ku ka lindur Tafë Daut Sllatina, kjo është arena ku ka jetuar e vepruar ai. Secili njeri e ka një histori që duhet rrëfyer, bërë të njohur. Edhe Tafë Dauti, një njeri i thjeshtë fshatar e ka një histori krenare që duhet rrefyer e trashëguar brez pas brezi. Histori të tilla janë gurët e mozaikut tonë kombëtar që mishërojnë vlerat njerëzore e kombëtare të popullit tonë. I tillë ishte Tafë Dauti: Burrë i besës dhe i sofrës – njeriu i mendjes dhe sofrës – burrë trim e i urtë, bujar e fisnik.” Per librin folen edhe zotërinjtë, Vlashi Fili e Sotir Goxhaj.

Disa fjalë për librin “Mustafa Daut Sllatina”

Nga sa u cek më lart ky libër i kushtohet Tafë Dautit, burrit të njohur, të respektuar e nderuar të Krahinës së Dibrës – jetës dhe veprës së tij. Përvec që ka si shtyllë kryesore Tafë Dautin, libri bën fjalë edhe për Dibrën, fshatin Sllatinë, vendin ku ka jetuar dhe kohën kur ka jetuar ai. Libri nuk është një monografi në kuptimin e mirfilltë të fjalës, por më tepër është një rrëfim jetëshkrimor i shkruar me plotë dashuri e mirënjohje e përkushtim, nga dy nipërit e Tafë Dautit, vëllezërit, Haki e Hasbi Çollaku. është i shkruar me një gjuhë të drejtëpërdrejtë e të qartë, ku në planë të parë është rrëfimi për jetën e Tafë Dautit, ngjarjet që e kanë shoqëruar në rrugëtimin e tij jetësor. Libri fillon me një numër të madh poezish, afro 100 faqe. Poezi që i kushtohen Tafë Dautit, vendlindjes, pra janë tema familjare të shkruara me plot dashuri në stilin e poezisë së traditës sonë popullore. është poezia ajo që i shpreh ndjenjat më të holla, më sublime e delikate të njeriut. Nga qindra vargje, po sjellim këtu vetëm dy strofat e fundit, nga gjashtë strofat e poezisë, “Kenga për Tafë Dautin”, të autorit, Munir Dali Hoxha:

“Tafë Dauti krye burrë,

Të njeh shkamb e të njeh gurë,

Se ke le nga palca e gurit,

I ke ndejt besnik flamurit

Do kalojnë brezat me radhë,

Do t’kujtojmë gjithmonë me mall,

Tafë Dauti burrë i rrallë,

Ti, për jetë do mbetësh gjallë.”

Vargu, “Tafë Dauti krye burrë” i ka thënë, shprehur të gjitha, e ka karakterizuar bukur portretin fizik e moral të këtij burri tipik shqiptar, fshatar i thjeshtë me vlera të larta njerëzore e kombëtare, i rryer me përvojat dhe sfidat e jetës.

Pas këtij kapitulli me poezi, vazhdojnë kapitujt në prozë. Në kapitullin në vijim autorët na sjellin jetën e Tafë Dautit, duke sjellur detaje nga jeta e tij, na sjellin portretin e një njeriu, bujar, trim, njeri të besës e respektit për të gjithë. Nuk po i përsërisim edhe një herë ato që referuesit i përmendën më lart për figurën e Tafë Dautit, por vlen të ceket se ai ka bërë shumë për fshatin e tij duke i ndihmuar të tjerët, duke mbjellur pemë rreth rrugës që t’i shijojnë udhëtaret kur pushojnë nën hije; angazhimin dhe këmbënguljen e tij për të ndëruar nje kanal 22 kilometra të gjatë për të sjellur ujin nga Korabi në fshat. Ende flitet në fshat për arat, rrugët e Tafë Dautit, dy manat që i ka mbjellur ai e që ende qëndrojnë e japin fruta të shijshme. Vlen të përmendet edhe angazhimi i Tafë Dautit dhe familjes së tij për të ndëruar Xhaminë së fshatit, si një objekt fetar, por edhe objekt ku mund të tubohen njerëzit e fshatit. Ndër shumë ngjarje e episode nga jeta e Tafë Dautit vlen të ceket vizita e tij në Stamboll në vitin 1967, ku qëndron për katër muaj te vëlluau i tij, Rizvani, i cili prej kohësh jetonte në Turqi. Në një darkë që shtroi i vëllai, Rizvani, për nder të vizitës së Tafës, kishte qëlluar edhe një pasha turk, i cili i drejtohet Tafës, duke i thënë se, ju shqiptarët jeni popull i vogël, sa jeni ju, unë kam aq pula në fermën time. Por, Tafa nuk zihet ngushtë, me atë trmërinë e tij, mençurinë e filozofinë tonë popullore i përgjigjet pashait: “Jemi dy milionë, por jemi gjela, e kush e ngre kokën e skepim”. Pashai u nxeh duke thene: “Ah arnaut, arnaut!”. Ka edhe shumë ngjarje të tjera interesante në këtë kapitull, por për të mos u zgjatur më tepër po ia lëmë lexuesi që t’i shijojë vetë.

Një kapitull tjetër me titull, “Gjenetika” i kushtohet rrënjës, trungut dhe degëve të familjes së gjërë të Tafë Dautit të shpërndarë anembanë Shqipërisë dhe në diasporë. Ndërsa në kapitullin e fundit, “Intervista”, siç thotë edhe titulli janë paraqitur intervista nga familjarët dhe ata që e kanë njohur Tafë Dautin nga afër. Që të gjithë e shprehin vlerësimin dhe konsideratën e lartë për Tafë Dautin si një njeri të dashur, punëtor, të ndershëm e familjar shembullor. është një rrëfim ineresant, nga i nipi, Hasbiu. është një rastësi nga ato që ndodhin vetëm nëpër filma, por që është e vërtetë. Në vitin 2017, gjatë një vizite në një spital, së bashku me një familjar të tijin, në qytetin Trento të Italisë, kur ishte duke pritur familjarin e tij një zonjë e moshuar i drejtohet Hasbiut , duke e pyetur se prej nga ishte. Hasbiu i përgjigjet se është nga Shqipëria. Ajo i thotë se edhe babai i saj kishte jetuar disa vite në Shqipëri. (Pas kapitulimit të Italisë një pjesë e ushtarëve italianë janë strehuar nëpër familjet shqiptare). Zonja i thotë se mund t’ia tregonte edhe vendin, në ipad-in e saj del Sllatina. Pastaj ajo i thotë se mund t’ia tregojë edhe emrin e personit te i cili kishte jetuar babai i saj, Lin Marku(o). E merr telefonin dhe i kerkon informatat në shtëpi dhe i tregon Hasbiut se personi quhej Tafë Dauti. Atëherë, Hasbiu ia kthenë: “Zonjë, ai që po thoni ju është gjyshi im. Ajo ngriti duar lart dhe po i lutej zotit për këtë mrekulli”. Ndejtën së bashku me zonjën dhe biseduan për 30 minuta dhe e kishin lënë që të takoheshin përsëri pas tre muajsh. Por, kur Hasbiu shkon në adresën e dhënë nga zonja, aty e merr vesh se zonja kishte vdekur para dy javësh nga një sëmundje e pashërueshme. Zonja nuk kishte patur fëmijë dhe të gjitha materialet ia kishte dorëzuar një kishe. Për mendimin tim, vetëm për këtë rrëfim ia vlen të shkruhet e të lexohet ky libër. Shpëtimi i hebrenjve dhe mbrojtja, strehimi i ushtarëve italianë janë dy ngjarje të ndritura në atë kohë të tmerrshme që po kalonte Shqipëria dhe gati gjithë bota. Këto ngjarje janë mishërim i fisnikërisë, mikpritjes, besës, traditave më të mira të popullit tonë. Dhe një nga ata protagonistë,njerëz fisnikë, pjesë e këtyre ngjarjeve paska qenë edhe Tafë Dauti. është ky një diamant në kurorën e burrërisë e fisnikërisë së Tafë Dautit.

është ky një libër modest, histori familjare, që na sjell porosinë se, ngjarjet duhet të rrëfehen, historitë duhet të tregohen e të shkruhen, që t’u lëmë diçka trashëgim brezave që do të vijnë pas nesh. Autorët duhet përgëzuar se kanë bërë një punë të mirë, të vyer: ngjarje pas ngjarjeje, figurë pas figure, histori pas historie, kështu shkruhet historia jonë kombëtare, kështu ruhet kujtesa jone, traditat më të mira të kombit tonë.

Si është vendi (rasti) bëhet kuvendi

Tani nga faqet e librit të kalojmë përsëri te veprimtaria, festa. Pas paraqitjeve të materialeve për librin, filloi pjesa festive e këtij tubimi.Tavolinat (“sofra”) ishin të mbushura me plot ushqime e pije të llojllojshme. Biseda rridhte qetas, këndshem e me plot humor, si dikur ne odat shqiptare, per te vazhduar pastaj me ngritjen e dollive – perseri sipas tradites se zonave perkatese, tradites shqiptare. Po, ndiheshim sikur ishim në odën e madhe të Tafë Dautit, ulur rreth sofrës së tij bujare, shqiptarë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë Etnike. Atmosferën e bënte edhe më të këndshmë, më gazmore edhe muzika e DJ-it, Bujar Ukaj. Këndoheshin këngë patriotike, duke filluar me këngën e parapëlqyer të Tafë Dautit e Haki Collakut, “Hajredin Pasha po i bjenë Radikës”. Ndërsa në ekran herë pas here shfaqeshin video të ndryshme: këngë, valle, pamje të natyrës shqiptare. Gjatë pauzave të pranishmit ngrenin dolli e përshendesnin. Pershendetën duke e uruar organizatorin për ftesën dhe për organizimin e bukur: Prof. dr. Skender Kodra, zotërinjtë, Bujar Hasani, Mihal Jano, Abedin Teme, Eqerem Murataj, Llazar Vero, Elez Xhemali, etj. Secili kishte dicka për të treguar, ndonjë ngjarje, ndonjë histori të shkurtër, por biseda kryesisht sillej rreth figurës së Tafë Dautit, djalit të tij, Haxhi Dautit, i cili u nda nga kjo botë para disa muajve. Haxhi Dautin e njihnin shumica e pjesëmarrësve, sepse ai disa herë ka qenë në Filadelfia – një burrë i urtë, i besës, i traditave më të mira shqiptare. Pra, kryesisht zhvillohej një bisedë për historinë, traditat tona kombëtare, bashkimin e shqiptarëve, respektin për njëri – tjetrin. Nuk thonë kot: “Si është vendi bëhet kuvendi”.

Dardha bie nën dardhë

Edhe Hakiu i ka trshëguar traditat e familjes së tij bujare e fisnike. Vetë organizimi i kësaj veprimtarie të bukur e dëshmon këtë. Hakiu është nga burrat e rrallë që fjalët dhe veprat, veprimet e tij gjithmone përputhen. Gjithmonë është në shërbim të bashkësisë shqiptaro – amerikane të Filadelfias e më gjërë dhe së bashku me vellëzërit e tij në Shqipëri, ata e kaneë ndihmuar edhe vendlindjen e tyre. Hakiu dallohet nga të tjerët edhe për aftësitë e tij organizative, vullnetin e fortë për të bërë gjëra, punë të mira. Edhe herave të tjera, Hakiu ka organizuar veprimtari të ngjashme që janë vlerësuar për shijen e hollë estetike, elegancën dhe atmosferën shumë të përzemërt. Vlen të përmendet organizimi i “Sofrës Dibrane”. Si mjeshtër i zoti, Hakiu ka bërë edhe shumë ndërtime, meremetime, duke i zbukuruar edhe më tepër mjediset e shoqatës “Bijte e Shqipes”. Tani është mjaft i angazhuar në rregullimin e godinës së re. I ka hije puna. Hakiu e ndien veten shumë krenar për të arriturat e fëmijve të tij, djalit dhe vajzës, ushtarake, oficere në Gardën Kombëtare të Nju Xhersit.

Kjo veprimtari u shndërrua në një festë të bukur për librin, vlerat dhe traditat tona kombëtare, miqësinë dhe respektin për njëri – tjetrin – promovim libri, promovim vlerash kombëtare e njerëzore. Kështu përfundoi kjo veprimtari mbresëlënëse. Faleminderit Haki, familja Çollaku!

Philadelphia, më 12 tetor, 2021.

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Kulture Tagged With: Sadik Elshani

13 TETORI – DITA E ARISTIDH KOLËS

October 12, 2021 by s p

Nga Abdurahim Ashiku

Ai sot do të ishte 76 vjeç e 97 ditë… Moshë e re për një krijues të madh, një studiues të madh të çështjes arvanite, një njeri të dashuruar pas arvanitëve, gjini e gjak i të cilëve ishte.

Nuk është. 21 vjet të shkuara, më 13 tetor 2000, ai iku. Grekët kanë një fjalë ngushëlluese në raste të tilla, nuk thonë “vdiq” por “IKU”.

Aristidh Kola IKU fizikisht për të qëndruar midis njerëzve shpirtërisht, me fjalën e tij të ëmbël, me tonin e veçantë të një avokati të një çështjeje madhore të asaj që lidhej me “Arvanitasit dhe prejardhja e Grekëve”, vepra madhore e tij, vepër që sikur të kishte jetë do ta pasonte  “Zeusi pellazgjik dhe lajthitja indoevropiane”…

E kam takuar më 4 shkurt 2000 në një mjedis shqiptarësh kur ai do të referonte me kompetencën e një shkencëtari të shkencave historike temën “Arvanitasit dhe kontributi i tyre në kishën ortodokse“. E fotografova tek fliste dhe midis njerëzve. I dhashë disa pyetje në shqip për të marrë disa ditë më vonë përgjigjen në zyrën e tij. E fotografova tek më lexonte përgjigjen. Një shok i tij më bëri nderin duke më fotografuar bashkë me të.

Megjithëse e publikuar e quajta të nevojshme ta ripublikoj atë që kam shkruar vite më parë, bisedën që kam bërë me të më 9 shkurt 2000…

Fjalën e Aristidh Kolës është kulturë ta lexosh jo vetëm njëherë…

TRIMËRITË  E HERKULIT DHE HERKULËT INTELEKTUALË 

            Bisedë  me  Arvanitasin e Madh Aristidh Kola

Athinë, 9 shkurt  2000

1. Çfarë thotë Aristidh Kola për veten e tij ?

Linda në vitin 1945, më 8 korrik, në fshatin Leontari të Thivës ( Tebës ), një fshat arvanitësh që atëherë quhej Kaskaveli. Atje viteve të hershme bënin djathin e mrekullueshëm kaçkavall, ladhotiri . 

Fëmijërinë e kalova në fshat, në një mjedis ku jo vetëm gjuha por edhe doket e zakonet, këngët dhe vallet, morali, sjelljet dhe karakteri i njerëzve mishëronin në mënyrë të theksuar karakterin e Arvanitit. 

Në vitin 1963 fillova studimet në Universitetin e Athinës në jurisprudencë, drejtësi. Pas diplomimit, deri në vitin 1987,  vazhdova të ushtroj profesionin e avokatit. 

2. Kur filloi dhe sa janë përmasat e punës suaj në shërbim të studimit të çështjes arvanite ?

Fillimet u përkasin viteve ‘ 70-të, por nga viti 1975 mund të  them se jam marrë sistematikisht me gjurmimin dhe studimin e gjuhës arvanite, të historisë dhe të folklorit arvanit. Fryt i këtij studimi të gjatë ishte libri im i parë: “ Arvanitet dhe prejardhja e helenëve “ . Libri , që nga viti 1983  e deri sot,  është në rend të ditës dhe numëron 9 botime. Libri nuk është ndonjë histori e arvanitasve por rishikim dhe ripërcaktim i historisë helenike në përgjithësi. Këtu qëndron origjinaliteti i tij, zhurma dhe interesi i madh ndaj tij. U përpoqa të faktoj, dhe më duket se e faktova,  se historia greke që nuk merr parasysh arvanitët në epokën e re dhe pellazgët në atë të lashtë, as greke e as histori nuk mund të quhet. Është thjesht një histori e sajuar. 

Do të vijë koha të shkruaj historinë e arvanitasve. Dhe në qoftë se nuk do ta arrij unë, do ta bëjnë bashkëpunëtorët e mi më të rinj, në bazë të ideve dhe udhëzimeve të librit  “Arvanitët dhe prejardhja e helenëve” . Këtu qëndron edhe vlera e madhe e këtij libri; një libër i ngjalljes së vetëdijes dhe jo një rrëfim historik 

3. Aristidh  Kola ishte i pari, në ballë të mbrojtjes së çështjes kosovare e të popullit të Kosovës në ditët më të vështira të tij. Cilët ishin motivet e kësaj mbrojtjeje ?

Që në vitin 1991 kisha parashikuar zhvillimin e ngjarjeve të lidhura me Kosovën, lëvizjet e Millosheviçit dhe të qarqeve nacionaliste të Beogradit. Shqetësohesha sepse në planet e tij të çmendura donte të ngatërronte edhe Greqinë me qëllim që të gjejë mbështetje për zgjidhjen e problemit shqiptar. Kërkonte nga Greqia që ta ndihmojë në çastin e përshtatshëm me një kundërgoditje në Jug të Shqipërisë. Po ashtu kërkonte edhe nga Gligorovi të përgatitej për një përballim të përbashkët të problemit sepse edhe në atë shtet, shpejt apo vonë do të ngrihej problemi i shqiptarëve.

Siç e dini, çdo veprim politik ose ushtarak, që të ketë  sukses, kërkon një parashtrim teorik për të bindë aleatët dhe popullin. Millosheviçi foli si ortodoks i krishterë në Kishën greke e cila është me ndikim të madh në popull, foli si komunist në Partinë Komuniste Greke dhe si socialist popullor në PASOK. Ai me nacionalizmin dhe serbomadhizmin e tij arriti të mallëngjente nacionalistët dhe shovinistët  e këtushëm. Ai mundi të rrëmbejë dhe të ngatërrojë shumicën e botës politike greke dhe si rrjedhojë edhe të popullit. U gjendën disa gazetarë grekë të cilët kuptuan, parashikuan dhe denoncuan planet aventureske gjakatare të Millosheviçit. Unë më duket se isha i vetmi që kisha theksuar dhe paralajmëruar se propaganda filoserbe dhe antishqiptare, e cila aso kohe sapo kishte filluar,  ishin dy anë të së njëjtës monedhe. 

 Atëherë  ishte shumë e vështirë të shkruaje e denoncoje për këto sepse e gjithë bota politike dhe Kisha qenë viktima  të një mashtrimi dhe të një aventure me rrezik të madh. Nuk ishte fjala se kisha frikë për jetën time, por se nuk do të më dëgjonte askush. Shikoja se Millosheviçi, Karaxhiçi, Shesheli, Arkani dhe bandat e tyre kriminale prisnin të lanin hesapet me Bosnjën dhe me Kroacinë dhe pastaj të lajnë duart një herë e mirë me Kosovën. Atëherë , për herë të parë, ndonëse kisha qenë antiamerikan, thashë: “ Nuk ka shpresë tjetër veç Amerikës ! “ Jeta luan role të çuditshme; shumë herë mbytesh nga miqtë dhe shpëtohesh nga armiqtë. 

Në qoftë se nuk ndërhynte Amerika dhe Evropa do të kishim probleme shumë të mëdha, të cilat u përpoqa t’i tregoj  dhe t’i  theksoj në libër. U përpoqa të lajmëroj udhëheqjen politike se po luan haptazi me zjarrin duke vënë në pikëpyetje vetë ekzistencën dhe tërësinë e shtetit grek. Mjerisht ai libër u varros krejtësisht në Greqi. Nuk pati asnjë jehonë e popullaritet në vitin 1995 kur u botua. 

Në vitin 1999 kur shpërtheu kriza e Kosovës ua dërgova librin disa politikanëve me horizonte të hapura dhe e rivendosa në librari, ku ndonëse u shit, nuk iu dha përsëri asnjë popullaritet. Një vello heshtjeje ! Ekzistonin njerëz këtu që kujtonin se Greqisë i leverdiste një “ Serbi e Madhe “. Për fat të mirë grekët kurrë nuk do të mësojnë se çdo të thoshte për Greqinë një “ Serbi e Madhe “. Këtu nuk mungon vetëm njohja e historisë. Mungon edhe fantazia…  

Për sa  i përket  “Betejës së Kanaleve “, e dija se shkoja në gojë të ujkut. Më kishin ngritur kudo kurthe, nuk më linin të flas kur shikonin se po ndikoja në opinionin publik me mendimet e mija. Shkoja i ndërgjegjshëm  për të gjitha ato vështirësi dhe bashkë me mua shkuan edhe miq e bashkëpunëtorë të tjerë si J. Miha dhe J. Korizis dhe njerëz të tjerë të ndershëm  me të cilët nuk kisha kontakt dhe bashkëpunim deri atëherë si R. Sumeritis, Xhanetakos, Theodhoraqis ( jo kompozitori ), Dhimu e të tjerë. Bëmë një betejë krejt të pabarabartë, një betejë ama që e kishim detyrë ta bënim. Ekzistonin sigurisht rreziqe të mëdha, por kur vendos të bësh diçka të rëndësishme në jetën tënde patjetër duhet të kesh parasysh gjënë më të keqe dhe të vesh  “ kokën në torbë “. 

4. Vepra  Juaj “ Greqia në kurthin e serbëve të  Millosheviçit “ e botuar edhe në shqip që evokon ngjarjet në Bosnjë a do të pasohet nga një  volum i dytë me temë  Kosovën ?

Librin “ Greqia në kurthin e serbëve të Millosheviçit “ e ka përkthyer Mite Guga. Libri ka një parathënie të bukur  të  mikut tim të dashur  Moikom Zeqo me të cilin jam njohur para disa viteve në Athinë kur erdhi në shtëpinë time bashkë me të madhin Dritëro Agolli.

Është një joshje e madhe të shkruaj një pjesë të dytë me brendi ngjarjet e fundit në Kosovë . Por, si ka thënë Gëte , “ Ndërsa  arti është i pafund, jeta është e shkurtër.”  Nuk kam kohë. Po përpiqem të botoj veprën time  “ Zeusi pellazgjik dhe lajthitja indoevropiane “,  ku përcjell materiale dhe të dhëna shumë të rëndësishme për periudhën parahistorike dhe kryesisht paraardhësit e kosovarëve, Dardanët . Nga ana tjetër shumë gjëra i kam  shkruar në revistën “ Arvanon “ me të cilën merrja pjesë në betejë bashkë me kosovarët. Dhe së fundi :problemi kosovar mori një fund fatlum.

5. Me  çfarë planesh për çështjen shqiptare  hyn Aristidh Kola në shekullin e ri ?

Planet duhet t’i bëjnë vetë shqiptarët. Unë dhe sa të tjerë ju duam  dhe ju ndjejmë vëllezër në të gjithë botën. Bëjmë vetëm plane për ndihmë. Por që të të ndihmojnë duhet që ti vetë me punët dhe veprat e tua të tregosh se sa vlen, se lufton në një rrugë të mirë për një qëllim të shenjtë. Barra bie mbi shpatullat e udhëheqjes politike dhe shpirtërore – kulturore të shqiptarëve. Nuk dua të hyj në fushën e politikës për shumë arsye. Dua ama të  shpresoj tek udhëheqja intelektuale.. Vëzhgoj ndërhyrjet dhe luftën e të madhit  Ismail Kadare në fushën botërore. Është ambasador i madh i Shqipërisë në botën e jashtme. Pres akoma një lëvizje  të madhe dhe mbështetjen e fuqishme të vlerave të mëdha  intelektuale brenda Shqipërisë. Atje do të bëhet lufta më e madhe dhe më e vështirë, luftë kjo e domosdoshme për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Problemin ekonomik e zgjidh lehtë shqiptari kudo që gjendet. Problemin e kombit, historisë dhe kulturës si do t’i zgjidhë në kushte kaq të vështira, me influenca e ndikime nga kaq rryma që vërshojnë  çdo ditë në vend ose që pranojnë emigrantët në vendet e huaja?  Trimëritë e Herkulit kanë nevojë për trimëritë e Herkulëve të rinj intelektualë. 

Kjo është rruga e ndritshme e lavdisë për njerëzit e artit e të shkronjave….

Shënim: Në gusht të vitit 2013 mu kërkua nga Ministria e Diasporës e Kosovës që, me qenë se je emigrant në Greqi do të na bëje nder të dilje në tubimin e Prekazit, tubim që bëhet për vit në mjedisin ku heroizmi i Jashareve dhe i Kosovës është bërë legjendë, që të merrja e ti dorëzoja familjes së Aristidh Kolës vlerësimin e lartë që Kosova i bënte Atij,  për veprën “Arvanitët dhe prejardhja e helenëve”, “Greqia në kurthin e Millosheviçit”, veprave të tjera dhe mbrojtjes që Ai  i bëri çështjes së Kosovës në ditët më të vështira të saj.
E quajta një privilegj dhe nder të madh, moment që është fiksuar atë ditë edhe në disa fotografi e takime me personalitet të lartë të jetës e kulturës kosovare.
Vlerësimin e kam në bibliotekën time. Mjerisht gjatë këtyre tetë vjetëve nuk kam arritur, me gjithë përpjekjet e vazhdueshme, që vlerësimi që erdhi për të nga Kosova të bije në dorë të pasardhësve e miqve të tij. Paradoksale por, siç e kam vërtetuar, familja dhe bashkëpunëtorët e tij i druhen një publikimi, trysnisë së segmenteve greke me të cilët Aristidh Kola u përball pa  iu trembur syri.
Aristidh Kola ishte një heroi që nuk iu tremb kurrë syri…

Abdurahim Ashiku

Athinë,

12 tetor 2021

Filed Under: Kulture Tagged With: Abdurrahim Ashiku, ARISTIDH KOLA

A ishte Podgorica Iliro-Shqiptare?

October 11, 2021 by s p

Nga Ndue BACAJ   

Histori Iliro-Shqiptare e Podgoricës

Podgorica si shumë trojet të tjera të Malit të Zi , kanë qenë që mijëra vitesh  më perpara e deri në shek.XIX e fillimin e atij të XX , troje etnike Iliro-Shqiptare , kur zollumi i  grabitjes të trojeve shqiptare nga ardhacakët e vonë sllave mori edhe “bekimin” e Europës plakë…Mori “bekimin” me “arsyetimin” pa arsyetim , se keto troje “ishin” të perandorisë turko-osmane , që kishte pushtuar  Ballknin dhe Shqiperinë për shekuj edhe për fajin e vetë Europës… Perandoria turke-osmane si pushtuese shekullore në shek.XIX kishte filluar renien pa kthim , ku për të shpetuar çfar të mundte nga vetja , ishte e gatshme të “falte” pa mëshirë trojet shqiptare. Një nga këto “falje” të pa mëshirshme është edhe Podgorica , vijuesja dhe trashigimtarja e qytetrimeve dhe  ndertimeve iliro-shqiptare , të fiseve ilire të Labeatëve dhe Diokleatëve , të  qyteteve e qendrave të urbanizuara e fortifikuara të Dioklesë , Berziminium-it e Ribnicës e deri vetë Podgoricës… Për të vertetuar këtë histori Iliro-Shqiptare të Podgoricës , mendova t’u referohemen studiuesve , historianëve , albanologëve dhe  veprimtarëve të shquar të “letrave” të kësaj fushe , (kryesisht të huaj) , të cilët nuk kanë pasur asnjë interesë e arësye të fallsifikojnë në veprat e tyre historinë e trojeve etnike shqiptare , perpara personalitetit të tyre  si studiues , historianë e albanologë të pakontestuar , të  njohur e të vlersuar  nga peronalitete , akademi e institucione  ndërkombëtaretë prestigjoze të kësaj fushe…   Mendova ta filloi këtë “punim” me  një studim me titull : Shkodra dhe krahinat e saj në mesjetë , të publikuar në vitin 1916 nga historiani , studiuesi dhe  njohësi shumë i mirë i historisë së Ballkanit , Prof. Dr. Konstantin Jireçek , nga i cili citojmë : “Trashigimtarja e Dioklesë u bë Ribnica në shek.XII… Sot Ribnicë quhet lumi që rrjedh nëpër qytet të Podgoricës , dhe s’ka dyshim  që ky qytet është Ribnica e vjetër. Emri Podgoricë përmendet për herë të parë në ma të moçmin libër noterak të gjyqit të Kotorrit , në të cilin figurojnë trgtarë lëkurash e këpucarë podgoriçaj (viti 1330). Lidhet me emnat e zhupave të asaj kohe ; në anen lindore të liqenit ishte Zhupa e Gores (e Malit) që permendin Presbyter Diocleas dhe dokumentet e Zhiça-s (1220) , ma vonë ndër dokumenta  të Prizrenit në kohë të car Stefanit (1348) e në kadastren veneciane të Shkodrës në 1416 , krahinë e Podgorës (Nënmalit). Ende në vitin 1448 kishte selinë e vet në Podgoricë një vojvodë i Despotit Gjergj Fisniku… Qyteti ra shpejt nën zotnim të Venedikut , por qysh mbas pak  vjetësh gjejmë aty Turqit , të cilët e mbajten deri në 1877”. 1.

Nëse historiani Prof. Dr. Konstantin Jireçek  e cilëson Podgoricën si trashigimtare të qytetit Ilir me emrin e lumit Ribnica , studiuesi dhe albanologu i shquar kroat Dr. Milan Shuflaj , në një vepër studimore të tij në vitin 1924 , kur shkruan për qytetin antik ilir të Dioklesë  , ndër të tjera “pohon” se qyeteti antik ilir Berziminium , (sot)  trashigohet nga qyteti i Podgoricës… Për këtë citojmë Shuflajn: “Rruga e madhe ushtarake  Dyrrhachium –Salona nuk e prekte këtë qytet ; një rrugë e dorës dytë e lidhte qytetin Berziminium (Berzumno, sot Podgorica) me atë rrugë kryesore . Nuk e dimë sa i madh ka qenë qarku i qytetit. Në jug dhe në veriperendim gjendeshin nekropolet. Megjithse qyteti gjendej te gryka e dy lumenjve që kishin ujë të pastër si kristali , dhe megjithse në afersinë e tij kishte edhe burime të mira , romanët kishin marrë ujin e burimit të Cijevnas (Cemit) , që ishte shumë më larg dhe e kishin sjellë në qytet. Ujësjellësi do të sherbente edhe për Berziminium-in ; ai perdorej  njëkohësisht edhe si urë për të kaluar Moraçen”.2.  Ndersa studiuesi dhe  Konsulli i  Francës në Shkodër , Louis Hyacinthe Hecquard (1814-1866) , (Kalorës i Legjionit të Nderit të Francës), në një vepër të tij të konsideruar dhe vlersuar si veper , historike , enciklopedike dhe studimore  per një kohë më të vonë ndër të tjera shkruan: “Krahinat dhe komunat  (nahijet dhe bajrakët) që së bashku  formojnë pashallëkun e Shkodrës  kanë pothuajse të gjitha  emrin e qytetit ose fshatit ku jeton kryetari (mudiri) i tyre ; ato  ndahen si më poshtë: Qyteti i Shkodrës me rrethinat (Nahia e Shkodrës) ; krahina e Tivarit (Nahia e Tivarit) ; Krahina e Ulqinit (Nahia e Ulqinit) ; krahina e Lezhës (Nahia Lesises) ; krahina e Podgoricës , që perfshin  Zhabjakun  dhe Shpuzën (Nahia Spuz e Podgoricës ) ; krahina e Gucisë dhe e Plavës (Nahia e Gucisë) ; dhe në fund krahina e Bjelopoljes (Nahia e Bielopoj).3.  Në brigjet e Ribnicës , lumë i vogël që derdhet jo larg prej saj në Moraçë, gjendet Podgorica , kryeqyteti i krahinës  , residencë e një mudiri (guvernatori) dhe e një kadiu…Podgorica është themelua në shek.XV me urdher të sultan Mehmetitt II, mbi rrënojat e Dioklesë së Lashtë dhe jo larg vendndodhjes së këtij qyteti , i cili sipas kolonel Kovaleskit , shtrihej në vendin ku sot gjendet Duklja (Dukla) , një fshat i vogël në veriperendim të Podgoricës , një orë larg saj. Ky udhëtar gjeti aty kolona  që ende mbaheshin në këmbë , porta me mbishkrime latine dhe gjurmët e mureve të lashta rrethuese. Podgorica , e ndertuar sipas një plani të çrregullt , rrethohet nga një mur me bedena që e lidh me fortesen  e vendosur mbi një kodër të vogël.  Fortesa , muret e së cilës po shemben , është e rrethuar nga një hendek  tetë metra i  gjerë dhe tre metra i thellë  , që mbushet me ujë vetëm në dimer. Prej disa vitesh  , ajo sherben  si garnizon per një trupë ushtarësh  të rregullt ,armatimet e së cilës , në gjndje gatishmerie  pas luftës së fundit me Malin e Zi , përbëhen nga tetë topa dhe dy mortaje.4. 

Siç cituam më sipër Hekardi në vepren e  tij  pasi “percakton” vend-ndodhjen  e Podgorisës  cilëson edhe “themeluesin” dhe kohën e  themelimitt të saj , duke pohuar se Podgorica është themeluar mbi rrënojat e Dioklesë së Lashtë. Një studiues Italian (Ermanno Armao) kur i referohet historisë së Podgoricës duke iu  referuar edhe  edhe studiuesve të tjerë shkruan: “Ndersa Hecquard (Hekuard) pohon se Podgorica u themelua në shek.XV me urdhër të Mehmetit II , pushtuesi i Shqiperisë së veriut (i vdekur më 1481), Thalloczy e Baldaçi , pa permendur burimet , e çojnë zanafillen e qytetit në mesjeten e hershme , sipas Jirecek-ut Podgorica permendet pë herë të parë  më 1330. Tani e dimë nga Coronelli  (hartolog i shek.XVII. N.B.)  se Podgorica është themeluar nga Tugemir apo Tihomir , princ i Zetës , vëlla i Stefan Nemajës “zhupan” i Serbisë , marshtrues i shteteve të tij mes viteve 1169 e 1171 , ndërkohë që ky ishte rob i  bizantinëve në Kostandinopojë. Ka zevendësuar fshatin tashma të zhdukur  të Ribnicës … Podgorica me 8000 banorët e saj  , është sot (bëhet fjalë për vitet 1928-1932 kur Armao vizitoi Shkodren e më gjërë , N.B.) një nga qytetet kryesore të Malit të Zi  të cilit iu aneksua me 1878 , duke pushuar në ketë mënyrë sundimi i gjatë turk.  Gjendet në mes lumejëve Moraça e Ribnica , rreth 20 km nga liqeni i Shkodrës me të cilin bashkohet nga një hekurudhë e vogël.  Aty flitet ende shqip me gjithë 54 vitet e sundimit sllav dhe një largim nga vendi i një numri të madh muslimanësh shqiptar të terhequr në Tuz i cili i mbeti Turqisë deri në vitin 1912”.5.   Studiuesi francez (Hecquard)në vepren e tij pershkruan më me hollsi qytetin dhe disa vepra ndertimore të tij , nga ku mendova të citoj: “Qyteti – me rrugë të ngushta , tërë dredha e të pista , ndahet në dy lagje , njëra e quajtur  Mjeka (Miechia) dhe tjetra Varosh.  Midis tyre gjendet pazari , i formuar nga treqind  e pesëdhjetë  dyqane. Aty çdo të diel  , zhvillohet pazari , ku vijnë  banorët e maleve fqinje , dhe kur Podgorica nuk është në luftë me Malin e Zi, vijnë edhe banorët  e Piperit  e të Kuçit”.6.  Ndersa një gjeograf e studiues, në vitin 1898 , (në Rrugëtimet Shqiptare), Podgoricën, do t’a  përshkruante: “Podgorica, që në gjuhën tonë do të thotë “nën kodër” , ishte para luftës  së fundit, një shesh i fortifikuar i sundimeve turke drejt Malit të Zi , pararojë e Shkodrës në luginën e Moraçias dhe të Zetas dhe ishte një qytet tërësisht  shqiptar. Tani është kryeqendra e Zetës dhe qendra më e madhe dhe më e rëndësishme e Malit të Zi. Qytet me tregti të gjallë , ndertuar në të djathtë të Moraçias dhe në dy brigjet e Ribnicës, që është degë e Moraçia. Podgorica njerr një pjesë të madhe  të burimeve të saj nga tregtia e pasur që zhvillohet aty, dhe nga mardhëniet e saj  me Shkodrën dhe me detin”.7. 

Xhamitë dhe kishat..: 

Si të gjitha qytetet e tjera të Shqiperisë  së Epërme , Podgorica nuk ka asnjë xhami  që të bie në sy. Sllavët ortodoksë, edhe pse të shumtë në numër , nuk kanë arritur të marrin  leje për të ndertuar një kishë ; kisha që kishin dikur gjendej jashtë qytetit , jo shumë larg kodres  së Goricës. Ajo ishte ndertuar mbi rrënojat e kishes vjeter të Shën Gjergjit dhe u shkatërrua me 25 maj 1855 nga muslimanët e Podgoricës  , të nxitur nga predikimet  e disa ulemave fanatikë e të udhëhequr nga guvernatori i tyre  Ali Spahiu. Kur nuk mbeti më asnjë gurë në këmbë këta të pafe  iu sullen  varreve dhe , pasi nxorren kufomat , iu prenë kokat  dhe i ngulen ato në hunjë…

Shkollat… : 

Dy priftërinjë sllavë , që mvaren nga peshkopi i Prizrenit dhe bënin administrimin e kësaj famullie  dhe , në një godinë ngjitur me kishën  , e cila gjithashtu u shkatërrua kishin hapur një shkollë ku fëmijët perfitonin  arsimin fillestar falas.  Turqit kanë gjithashtu  tre mejtepe pak të ndjekura dhe të drejtuara nga hoxhallarë injorant… Krahina e Podgoricës perfshinë bajrakun e Grudës  e të Tuzit , bajrakun e Zetës , të Zhabjakut dhe të Fundinës , sikurse edhe ishullin e Vraninës. Sipas shqiptarëve , në këtë krahinë  perfshihet  edhe pjesa jugore e fisit të Kuçit.8.   Me 25 qershor 1856 Kuçasit e jugut të shtyrë nga turqit e Podgoricës , të cilët shpresonin  se përmes kësaj lufte kundër Malit të Zi , do të largonin nga vetja ndeshkimin që u kanosej nga se kishin shkatërruar një kishë , kuçasit , pra duke dashur gjithashtu t’u  falen sulmet e tyre të fundit  kundër Grudës  , sulmuan fshatin e Bratonosiçit që i perkiste kuçasve malazez  , dogjën dhjetë shtëpi , vranë tre burra dhe plagosen pesë të tjerë…9.  Në Podgoricë , kristianët , njëherazi me nizaminë (taksë fikse prej 500 piastrash…) , paguajnë edhe maktuminë që të mos  jenë të detyruar të marrin armët kur vendi është në armiqësi me Malin e Zi…10.  Podgorica ra nën Malin e Zi  në luftën e fundit turko-ruse  (me 1877) malazezët morën  Podoricën  duke perfshirë edhe Trieshin (Triepshin)…11. 

Të dhëna për banorët e Podgoricës:

Në defterin e regjistrimit të Sanxhakut të Shkodres të vitit 1485 (perpilua nga pushtuesi turko-osman), Podgorica shenohet si Nahija e Podgoricës , ku bënin pjesë : fshati Podgorica me emrat e 40 kryefamiljarëve ose 40 shtepiave (dhe të ardhurat) , të gjithë emrat e kryefamiljarëve janë të besimit Kristian me “tingëllim” ortodoks.  Në varësi të nahijes së Potgoricës shenohen edhe  fshatrat Kurile , Varoshi i vetë kalasë  së Zhabjakut , me emrat e 30 kryefamiljarëve ose 30 shtepiave , (të cilat të gjitha ishin të besimit Kristian me “tingëllim” ortodoks N.B..  Dhe fshati  Medon , që varet  nga kalaja e Medunit  në Kazanë e Podgoricës ; është varosh i kalasë të përmendur më lart. Ketu regjistrohen emrat e 15 kryefamiljarëve dhe po kaq shtepiave ,12.  (të gjitha të besimit Kristian me “tingëllim” ortodoks N.B.). Ndersa në registrimin e vitit 1582  (po nga pushtuesi turko-osman), për Podgoricen gjemë të shenuar një popullsi që “permbledhej” në 167 shtepia e 27 beqarë të besimit Kristian , dhe 94 shtepi muslimane.13.  Vlenë të cilësohet se Podgorica ishte vendi ku popullsia kishte perqafua besimin e pushtuesit më shumë se asnjë vend tjeter. Gruda që bënte pjesë në këtë Nahije kishte 134 shtepia e 33 beqar të besimit Kristian dhe vetëm 4 shetpia që ishin bërë muslman.  Një pershkrim intersant i bënë Podgoricës në vitin 1662 kronisti turk Evlija Çelebiu , i cili ndër të tjera do të shkruante: “…Si dolëm nga Shkodra udhëtuam në drejtim të perendimit nëpër një terren malor (kara daglig) dhe pas …orësh mbërritëm në kalanë e rreptë të Podgoricës , e cila gjendet në skaj të zones kufitare. Emrin e ka shqip në kuotimin… Është ndërtuar  nga sulltan  Mehmed Pushtuesi (Fatihu)  në vitin 883 (1478) , kur mori kalanë e Shkodrës , me qellim që t’a  mbronte këtë të fundit nga kusarët shqiptar  dhe nga të pafetë venedikas. Është një strukturë katërkëndëshe prej guri të fortë e muresh të trasha , ngritur mbi një hapsirë shkëmbore të quajtur Mali i Zi (Kara Dag) , dhe ka kulla , ledhe mbrojtëse, bedena të dhëmbëzuar , një portë të vetme , si dhe një hëndek të hapur në shkëmb. Brenda në Kala janë Dizdari  dhe garnizoni prej 700 trupash…. Podgorica qeveriset  nga një subash dhe bënë pjesë në sanxhakun e Shkodrës. Përveç nënkadive që kanë në varësi fshatrat përreth , zyrtarë të tjerë nuk ka . Brenda në kala  gjenden 300 shtepi të vogla  , një xhami e sultan Mehmed Pushtuesit , një serë hambarësh drithi  , depo municionesh artilerie , si dhe sterna uji. Godina të tjera publike nuk ka , qoftë hane , medrese , hamame , ose bezistane.14.   Ndersa studiuesi dhe konsulli francez (Hecquardi) në Shkodër në vitin 1851-55 do të shenonte se Podgorica  ka 950 shtepi , 630  shtepi të banuara nga muslimanë dhe 270 nga  ortodoksë. , popullsia arrin në 6540 banorë. Podgorica  është e vendosur në mes të një fushe  dhe emri i saj , që në gjuhen sllave nën kodër , mund të shpjegohet vetëm me vendodhjen e saj fare pak  larg malit të ulët të Goricës.15.  (Hecquardi kur i ndanë shtepiat e Podgoricës  sipas besimeve lë mangut  50 shtepia , të cilat mendoj se i perkasin besimit Katolik N.B.) Një burim me vlera për popullsinë shqiptare të disa qyteteve etnike shqiptare , por  tashma të okupuara nga sllavët , është  edhe studimi e pershkrimi që u bënë këtyre qyteteve prof.Antonio Baldaçi nga i cili citojmë: “Qytetet e Shkupit , Kalkandelës , Gostivarit , Strugës  , Ohrit e Dibrës  janë qendra shumë të forta shqiptare  dhe vetë qyteti i Manastirit (Bitola) ka koloni shqiptare të mëdha në numër. Në kufijtë e mbretërisë së zhdukur të Mailit të Zi , Gjakovës dhe Pejës  s’ka tjetër veçse qendra shqiptare kurse rajonet e Grudës e Plavës  dhe qytetet e Podgoricës , Ulqinit e Tivarit me rrethinat e tyre përmbajnë grumbullime shqiptare .  Me fiset e maleve malaziese , sikurse Hoti , Gruda , Trieshi , popullsia shqiptare e Malit të Zi  të vjetër  vertitet te 150 mijë vetët. Vetë statestikat jugosllave (të vitit 1921) japin për Malin e Zi (të paktën ai që ishte me traktatin e Berlinit , pra , pa teritorin e pushtuar në luftën ballkanike) 16.826 shqipfolës në një popullsi të pergjithshme prej 199.857 banorësh. Keta shqipfolës gjenden në epërsi numerike në Tivar (11.283 banorë) , në Podgoricë (4.764 banorë) , në Ulqin (3.344 banorë) , në Andrievicë (771 banorë) , në Cetinë (217 banorë)”.16.  Një panoramë interesante na jep edhe studiuesja e njohur angleze  Edith Durham , e cila ka vizituar e vrojtuar nga afër troje shqiptare e më gjërë , kryesisht ato të veriut , kur shkruan : “Gusht i vitit 1900. Isha në Cetinjë , e këtu për herë të parë kam një fill të lëmshit  ballkanik….Në atë kohë Cetina ishte një fshat me çati të kuqe  dhe shquhej qartë në mes të një fushe të rrethuar me male. Shumica e kasolleve ishin pëdhese , e në të banonin rreth tre mijë frymë. Nga Cetina shkuam në Podgoricë , ku për herë të parë pashë shqiptarë. Podgorica ishte plot me shqiptarë , të veshur të gjithë me kostume kombëtare , spese deri në atë kohë Mali i Zi nuk kishte bërë shumë perpjekje për ta ndaluar një gjë të tillë…”.17.

Pak fjalë për popullsinë e Podgoricës “sot”..!  

Në vitin 1948 Podgorcia (qytet) kishte 14.369 banorë , ndersa në vitin 1991  numri i banorëve kishte shkuar në 117.185 banorë. Një statestikë e vitit 2003 shenon për Podgoricën 136.473 banorë , ku nga kjo statestikë shenohen të regjistruar  shqiptarë 9296 banorë , ose rreth 5.5% e popullsisë pergjithshme.18.  Ndërsa sipas  regjistrimit të popullsisë së vitit i 2011,   në qytetin e  Podgoricës  jetojnë 150 mijë e 977 banorë , ku vetëm 1404 janë deklaruar shqiptarë ose pak më shumë se  1 % e banorëve të Podgoricës.19. 

Analiza etimologjike..: 

Një analizë interesante etimologjike të toponimit  të Podgoricës  dhe toponimeve mbi të cilat është ndërtuar Podgorica e bënë studiuesi shqiptar Preloc Margilaj në një libër interesant të tij , ndaj mendova ta citoj si vijon:

“Podgorica –Pod fjalë sllav , Goric- nga fjala iliro-shqipe gur-i . Sipas kronikës :Birzimino , Burzum.  Qytet në fushen e Cemit –Mali i Zi  , shtrihet në delten e lumit Ribnica në Moraçë , jo larg qytetit antik Dioklea. Pazari i vjetër i Podgoricës  qendron mbi qytetin e vjetër Birzimun , që e kanë quajtur romakët  , të huajt dhe banorët e vendit.  Në të vertet  qyteti më i hershëm është quajtur Alatë.20.  Analiza  etimologjike (Birzimino)-Toponimi është kompozim  ga fjalët birë (vrimë-a) + i , e zi ,zezë. Afer rrjdhjes së Ribnicës në Moraçë , në fund të lumit syza uji (vrima , shpella të thella) që akoma populli i quan rape-gropa dhe  pikrisht aty  në të dy brigje të lumit  filloi urbanizimi i qytetit. Bir/a –vrimë , shpellë + i zi e zezë. Nga thellësia e vrimave (rapeve) uji kalon në pamje mavi , në të zezë. Bir-zi –janë fjalë  me kuptimin semantik të gjuhës shqipe , kurse prapashtesa mini sherben per formimin e emrit të toponimit Birzimin. Siç dihet  sipas pozicionit gjeografik Podgorica qendron në truallin sizmologjik  , kështu që në të kaluaren  procese të shpeshta tektonike e kanë ndryshuar relievin  e siperfaqes dhe krijuan luginën e lumit Ribnica me rapa (vrima) me thellësi të panjohura.  Alata – emri më i moçëm i lumit Ribnica që rrjedhë nëpër qytetin e Podgoricës.21. 

Emigrantët Podgoriçanë në Shkodër…:

Edhe sot nëpër Shkodër e rrethina ka banorë e familje që njihen me “identitetin” Podgoriçan. Vetë ky “identitet” tregon se e kanë prejardhjen nga Podgorica.  Podgoriçanët si identitet kombëtar në pergjithsi njihen si Malazez (ortodoks të islamizuar gjatë pushtimit turko-osman). Mirpo perkunder ketij identiteti Malazez ,  ka edhe familje podgoriçane që origjinen e kanë shqiptare. Siç dihet pushtuesi  turko-osman, armiqtë kryesor kishte shqiptarët Kristian-katolik , ndersa ortodoksia jo shumë kohë pas pushtimit u nënshtrua dhe me “marifetet” e veta arriti të bëhet edhe aleatë i pushtuesve turq , shpesh edhe në luftën kundër shqiptarëve kristian-katolik. Turqit kishin si qellim jo vetëm nënshtrimin e shqiptarëve katolik , por asgjesimin e besimit të tyre. Në kushtet e rezistencës të popullsisë katolike për ruajtjen e fesë dhe identitetit të të parëve të tyre , pushtuesit turq me kërbaç e kulaç , i “toleronin” katolikët shqiptarë (kryesisht ata të veriut të Shqiperisë) , që nëse nuk donin të beheshin musliman (apo turq siç i quanin në atë kohë ) mund të beheshin ortodoks , dhe të “hynin” nën ombredhen e kishes ortodokse. Në këto kushte ka pasur jo pak shqiptarë që pasi perqafuan besimin Kristian-ortodoks dhe u futën nën kishen ortodokse , dalngadal ata humbën edhe kombësinë , dhe sot ata identifikohen si sllav , malazez  apo serb… Në keto kushte duket se edhe  katoliket e Podgoricës e rrethinave , u bënë ortodoks me “arsyetimin” se edhe ky është besim Kristian , por që më vonë për aresye ekonomike e privilegje të tjera lanë ortodoksinë dhe perqafuan fenë islame të pushtuesit turko-osman. Kur pushtuesi turko-osman filloi të marrin tëposhten pa kthim , podgoriçanët u gjetën të pambrojtur nga sllavët malazez e serb , që tashma kishin fituar jo autonomin që e ksihin prej kohësh , por pavaresinë. Në keto kushte sllavët ortodoks që kishin grabitur troje shqiptare  (edhe me bekimin e Europes plakë ), filluan reprezaljet e deri spastrim etnik nga shqiptarët muslimanë  të Podgoricës e më gjërë , të sllavizuar e pastaj “turqizuar”… Sipas një studiuesi të njohur  shkodranë prej derës së Bushatëlinjëve, podgoriçanët kanë emigruar në Shkodër në katër “periulla”:

I-Gjatë  sundimit të Bushatlinjve ,

II-Mbas Kongresit të Berlinit ,

III-Gjatë luftës së I-rë Botërore ,

IV-Gjatë luftës II-të Botërore .

Për disa familje  podgoriçanësh të shpërngulur në Shkodër para pushtimit të Podgoricës  prej  Malit të Zi , nuk mund të percaktohet një motiv i fiksuar ; emigruan për gjaqe , apo si nëpunës për qellime fitimi. Emigracioni i dëndur i asaj populate  nisën mbas invazionit malazias  në vitin 1880 , sepse qenë të frikësuar nga  persekutimet e malazezve  , me qellim çfarosje të muslimanëve , edhe kur ishin  të një gjuhe të përbashkët  dhe të një kombësie. Krahas urrejtjes kundër muslimanëve të të gjitha vendeve të pushtuara prej tyre  , siç ishin Podgorica , Shpuza , Nikshiqi e tj.., malazeztë vepronin edhe me qellim hakmarrjeje kundër tyre ashtu si dhe ndaj shqiptarëve , sepse sëbashku kishin luftuar shumë herë me ta  duke derdhur lumenj gjaku deri vonë , perderi sa malazeztë nuk kanë pushuar  së plaçkituri , së masakruari  e së shkatërruari me qindra herësh vendet  kufitare shqiptare”.22. 

Podgorica dhe muzeumet e saj :

Podgorica si çdo qender e banuar qytetare , historinë e vet është munduar ta memorizojnë në muzeumet e veta…Unë ketu mendova vetëm t’i paraqes si “listë” muzeumet kryesore të Podgoricës , pa bërë analizen se çfar permbajnë dhe percjellin këto muzeume… të cilat mund t’i vizitojnë çdo i “interesuar”:

Muzeu i qytetit të Podgoricës (Muzej grada Podgorice) ruan trashëgiminë e pasur të Podgoricës. Themeluar në vitin 1950, është i ndarë në katër kategori: arkeologji, etnografi, histori dhe kulturoro-historik. Ruan objekte që datojnë që nga periudha Ilire-Romake

Qendra e kërkimeve arkeologjike (Centar za arheološka istraživanja) u themelua në vitin 1961 Misioni i saj është të mbledhë, klasifikojë, restaurojë dhe të shfaqë vendet arkeologjike.

Muzeu i Marko Miljanov (Muzej Marka Miljanova) në Medun tregon jetën në Mal të Zi gjatë gjatë shek.IX. Është muzeu memorial më i rëndësishëm i Malit të Zi…

Muzeu i Historisë Natyrore (Prirodnjački muzej). 23.

Podgorica dhe shqiptarët…!  

Me Podgoricen  na “lidhë” historia e autoktonisë mijëra-vjeçare iliro-shqiptare  të këtyre trojeve , dhe e trashigimisë Iliro-Shqiptare të qyteteve dhe  qendrave të zhvilluara e urbanizuara Ilire si Dioklea , Ribnica e Berziminio  mbi të cilat është ndertuar Podgorica e vjeter dhe e re… Me Podgoricën na “lidhin” edhe e një seri ngjarjesh historike në luftën dhe perpjekjet tona për liri , pavarësi e identitet. Këtu unë mendova të kujtoj vetëm dy që më “ngjajnë” si më sinjifikativet , dhe kanë si “mbiemër” Podgoricën. Së pari  Kuvendi i Podgoricës , ku me 1-2 prill 1786 do të shpallej konfederata Ilirike me shumë kufijë etnik . Kara Mahmud Pashë Bushatliu , që sipas Pukvilit  mbahej si pasardhës dhe ndjekës i  gjurmëve të Skenderbeut , dmth si udhëheqës i luftës për çlirimin nga zgjedha turke ,24 , do të mblidhte të gjithë princat shqiptar , të krishterë e muslimanë në Podgoricë , të cilët u betuan bashkërisht  mbi Ungjill e Kuran se do të luftonin deri në vdekje kundër armiqëve të lirisë. Ky ishte një hap i rëndësishëm pasi shqiptarët e krishterë dhe muslimanë po bashkonin forcat kundër turqve. Deshira e tyre për liri i kapercente dallimet fetare. Në atë kuvend historik erdhi një senator ngas Raguza  që të pergëzonte  Mahmudin , kurse Jozefi i II (i Austrisë) i dergoi me cermoni një kryq të madh prej argjendi.25.  Së dyti në vitet e stuhishme 1910 -1911 , në Potgoricen e kohes (edhe pse kjo tashma kishte kaluar nën Malin e Zi) , nga dhuna dhe represioni i  otomaneve  ishin detyruar të strehohen si emigrantë , burra e familje nga  më qendrestaret e nacionalistet  e  Shqiperisë veriore e tjer. Në keto kushte të veshtira  Malsoret e strehuar në Mal të Zi , së bashku me  Shkodran ,Shaljan e Shoshjan e më gjerë , krijuan  Komitetin e kryengritjes , që në histori njihet si Komiteti i Potgorices , me  Sokol Bacin , Ded Gjon Lulin , Gjon Nikë Pllucin , Gjekë Marash Gjeloshin, Nikë Gjelosh Lulin ,Tomë e Lekë Zolin ,Lucë Muç Elezin, Kolë Marash Vaten, Nikollë  Sokol Bacin dhe Mehmet Shpendin…  Ndersa nga Shkodra ishin antarë të ketij komiteti : Luigj Gurakuqi , Hil Mosi  etjer, me deget e tij në Viripazar , Tivar , Kotorr  e më gjerë…26.  Në ato kohë kishte shqiptar nga Shkodra që në Podgoricë kishin ende aktivitete  të tyre tregtare , si dhe mejhana siç i quanin atëherë  , ku shpesh patriotët shqiptar i kishin vënë në dispozicion të çeshtjes shqiptare , kryesisht kundër pushtuesit turk… Ndersa  gjatë regjimit të egër komunist në Shqiperi , ne shefitarët malësor me Malin e Zi , na terhiqte disi media malazeze e Podgoricës më liberale  në filma , sport e programe të ndryshme kulturore. Shikimi Televizionëve , por edhe degjimi i radios (atëherë me “mbiemrin e Titogradit) , nuk ishte i lehtë , pasi partia e pushteti komunist  në Shqiperi të denonin po të kapnin duke parë TV-t apo degjuar  radion e Titogradit… Sidoqoftë në fshahtësi keto media janë “frekuantuar” jo pak nga malësorët , veçanarisht edhe në ata minuta që jepeshin në gjuhen shqipe , pavaresisht se ato kishin Brenda edhe propogandë antikomuniste shqiptare.. Gjithsesi sot mediat e Podgoricës e Malit të zi (publike e private) shikohen e nuk shikohen…

Podgoricës në vitin 1946  iu imponua emri  “Titograd”  (qyteti i Titos) , emërtim (më sakt homonim) që e mori pas ardhjes në pushtet të komunistëve  në Jugosllavi , me në krye Titon. Homonimin Titograd  e mbajti deri në vitin 1992 , kur u zevendësua me toponimin e “vjetër” Podgorica. Sot Podgorica është kryeqyteti i Malit të Zi , që duam apo nuk duam ne historia na e ka lënë perjetësisht fqinjë. Fqinja i mirë thonë se është si vëlla që nuk kerkon hise , në fakt kjo fqinje ka marrë mjaftë “hise”që nuk i takojnë  nga trojet tona etnike , një nga keto “hise” është edhe Podgorica , historinë e së  cilës u mundova ta paraqes “thjeshtë” per të mos harruar se kryeqyteti i sotëm i Malit të Zi ka qenë që në zanafillen e jetës në këto troje,  vetëm Iliro-Shqiptare e kurrë sllave.

Referencat:

1.Vezhgime Iliro-Shqiptare , perpilue prej dr.Ludvig Von Thalloczy , perkthye shqip nga Mustafa  Merlika-Kruja ,fq.112 , Shkodër 2004.

2.Milan Shuflaj ; Qytetet dhe Kështjellat e Shqiperisë , Kryesisht në Mesjetë  , fq,31 , shtepia botuese Onufri , 2009.

3.Louis Hyacinthe Hecquard (1814-1866)  , Konsull Francez në Shkodër , Kalorës i Legjionit të Nderit, Historia dhe pershkrimi  i Shqipërisë së Eperme  ose i Gegërisë , fq.33 , Plejad 2008. 

4.Hecquard , po aty…fq.87-88.

5.Ermanno Armao , Vende , kisha , lumenj , male e toponime të ndryshme të një harte të lashtë të Shqiperisë Veriore , fq.102-103 , Tiranë: botime Korbi 2006 , sipas botimit  të vitit 1933 në Romë.

6.Hecquard , po aty… fq.88.

7.Antonio  Baldacci , Rrugëtime  Shqiptare 1892-902 , fq.160, sh.b.Argeta LMG, Tiranë 2004.

8.Hecquard , po aty…fq.88-90.

9.Hecquard , po aty…fq.102. 

10.H.Hecquard , po aty ,fq.328. 

11.Prof. Antionio  Baldacci ; Shqiperia e Madhe , fq.256, shb “Eugen” , Tiranë 2006.

12.Defterin i Regjistrimit të Sanxhakut të Shkodres i vitit 1485 , fq.134-135 . Akademia e Shkencave të R.P. të Shqiperisë Paraqitja ,  hyrja , transliterimi , perkthimi dhe komentet nga Selami Pulaha , Tiranë 197).

13.Perparime Huta ; Fshati në Sanxhakun e Shkodrës në shekujt XV-XVI , fq.154-155 , Tiranë 1990.

14.Evlija Çelebiu në Shqiperi dhe në viset  fqinje: Kosovë Mal i Zi , Ohër , në bazë të dorshkrimit  autograf , perg. Nga Robert Elsie , fq.34-36 , shpb “55” , Tiranë 2008.

15.Hequard , po aty…fq.87.

16.Antonio  Baldaçi ; Shqiperia e Madhe , fq.265. 

17.Edith  Durham , Brenga e Ballkanit dhe Vepra të tjera për Shqipërinë e Shqiptarët , fq.318-319.

18.Zavod za statestiku Crn Gore-MONSTAT. 

19.https://sq.wikipedia.org/wiki/Podgorica.

20.Preloc  Margilaj ; Ilirët flasin Shqip –Shqiptarët flasin Ilirisht , fq.86-87, Podgoricë 2000.

21.Preloc Margilaj , po aty fq.132.

22.Hamdi  Bushati ; Shkodra dhe Motet ,traditë , ngjarje , njerëz ,Vllimi II , fq.309-312 , ”Idromeno”, Shkodër 1999.

23.https://sq.wikipedia.org/wiki/Podgorica.

24.Universiteti Shtetror i Tiranës , Instituti i histories , Stavri Naçi , Pashalleku i Shkodrës nen sundimin e Bushatlijve , fq.175 , Tiranë 1964.

25.Edwin Jacques , Shqiptarët ,historia e popullit shqiptar nga lashtësia  deri në ditët e sotme , fq.282.

26.Lulash N. Palushaj; Malësia dhe fiset e saj , pjesa e parë ,fq.162-163 , Lezhë 1996

Filed Under: Kulture Tagged With: Ndue Bacaj

NDËRFUTJE DHE ALTERNIMET E NGJARJEVE – TIPAR THEMELOR I NJË ROMANI

October 11, 2021 by s p


(Vlerësime për romanin “Dy jetë…” të Pandi Papandos)


Thanas L. Gjika


Në letërsinë shqiptare të derisotme quhet Digresion -hapja e një paranteze në rrjedhën e një vepre letrare për të dhënë shpjegime, shembuj, kujtime, meditime dhe episode që sqarojnë disa hollësi të argumentit të trajtuar në vepër (Ferdinand Leka “Fjalor i termave të letërsisë” INFBOTUES Tiranë 2013, f. 92-93). Mirëpo romancieri Pandi Papando në romanin e ri ka eksperimentuar një përdorim origjinal të digresionit duke e përdorur si mjet artistik për krijimin e subjektit të romanit të tij të dytë “Dy jetë… “PROMO PRINT Sh.p.k., Korçë, Maj 2014, 224 faqe.Pandi Papando erdhi si romancier nga radhët e ingjinerisë elektronike në moshë pjekurie dhe na befasoi me romanin e parë “Një njeri” ALBPAPER, 2011, 256 f. Këtu ai përdori një mënyre të re të ndërtimit të subjektit duke e shtjelluar rrëfimin e ngjajeve jo nga këndvështrimi i autorit, por nga këndvështrimi i secilit personazh që merrte pjesë në ngjarjet e veprës. Për herë të parë ky autor solli rrëfimin e çdo episodi të romanit duke e treguar prej secilit personazh që merrte pjesë në të. Ky roman kaloi në heshtje nga kritika, gjë që përforcon mendimin se në Shqipëri nuk ka kritikë letrare shkencore. Kritika letrare shkencore kërkon investime nga institucionet shtetërore, sepse një kritik letrar është vështirë të dalë spontanisht si mund të dalë një poet, prozator e dramaturg. Formimi i kritikut letrar kërkon disa vite studimi, specializimi dhe akumulimi, gjë që nuk mund të realizohet pa përkrahjen financiare të shtetit në një shoqëri të varfër si është shoqëria shqiptare sot.Romancieri Papando nuk u fye nga heshtja e kritikës, u kënaq nga disa vlerësime të pjesëshme gojore që i dhanë shokët, ose e-mail që i shkruan disa miq, midis të cilëve dhe unë. Sivjet gjatë qershorit, kur u takuam në Korçë më dhuroi këtë romanin e tij të dytë, botuar shtatë vjet më parë. U mbrekullova me rrjedhshmërinë e rrëfimit përmes ndërfutjeve të shkathta të ngjarjeve që kishin ndodhur ose ndodhnin në kohë të ndryshme. Kalimi nga një ngjarje a situatë në një tjetër realizohet me lehtësi pa asnjë paralajmërim dhe pa e ngatërruar aspak lexuesin. U intrigova gjithnjë e më shumë derisa e mbarova së lexuari pa e lëshuar nga duart.Linjat e shtjellimit të ngjarjeve ndërthurren në jetën e Gjergji Linotopit -heroit të veprës. Ky student e pastaj pedagog i Universitetit Shtetëror të Tiranës, gjatë vitit të parë si pedagog pati rast të njihej me një studente, që iu qep për t’u fejuar, por martesa midis tyre nuk u realizua, për shkak të ndërhyrjes së Sigurimit të Shtetit dhe babait të saj një komunist karierist.Gjergji, gjatë specializimit në Itali kishte udhëtuar rastësisht në një vagon treni nga Milanua në Romë, ku ishte njohur me bukuroshen amerikane, Dajana. Kjo u muarr vesh prej sigurimsit të Ambasadës shqiptare të Romës dhe u dërgua si informacion se ai mund të ishte rekrutuar prej agjenturës amerikane. Kjo shkaktoi ndarjen e tij prej Lindës dhe transferimin si mësues në një fshat të thellë malor të Korçës. Aty në gjendje gjysëminternimi ai u njoh e u dashurua me mësuesen Diana, me të cilën u martua. Mbas martesës ata u shtuan me një djalë, të cilin e quajtën Petro për respekt të gjyshit, babait të Gjergjit. Kur u rrit ky djalë emigroi në SHBA bashkë me nusen e tij. Në SHBA ai mori emrin Peter / Piter, kurse djalin që lindën në atdheun e ri e quajtën Xhorxh (George), sipas variantit amerikan të emrit shqiptar Gjergj, gjyshit të fëmijës.Mbasi jeta ka rrjedhur deri këtu mësojmë se amerikaia e bukur Dajana i kishte lënë amanet së bijës Beti të sqaronte dyshimin e vet se mos ishte bijë e specializantit shqiptar, për të cilin ajo dinte vetëm emrin e mbiemrin dhe se ai kishte qenë duke u specializuar në Itali në vitin 1984, kur patën rast të udhëtonin së bashku në një vagon treni gjatë natës 22 qershor nga Milano në Romë dhe gjatë paradites së 23 qershorit në Romë.Nga shënimet e ditarit, që Dajana kishte mbajtur e i kishte dhënë së bijës për t’i lexuar dhe nga kujtimet e Gjergjit, që autori i riprodhon pas telefonatave që i bëri Beti; marrim vesh se ky dhe amerikania Dajana gjatë shoqërimit të së djelës më 23 qershor përjetuan një aventurë erotike. Ata nuk e përballuan dot tundimin dhe kryen marrëdhënie seksuale në një hotel si të dehur nga ndjenja të zjarrta epshore, si te novela “Amok” e Stefan Zvajgut.U ndanë si fajtorë të penduar. Të dy ishin njerëz të ndershëm, si besimtarja e sinqertë kristjane Dajana edhe fizikanti i ndreshëm shqiptar. Ky e kishte harruar këtë ndodhi, si një ndodhi që mund t’i ndodhi qenieve prej mishi e gjaku, kur pasionet natyrore e errësojnë logjikën dhe mposhtin kulturën dhe moralin. Kurse besimtarja Dajana e kishte vuajtur gjithë jetën dhe dyshonte se mos vajza që lindi më pas, Elisabet (Beti), mos ishte bijë e specializantit shqiptar dhe jo e bashkëshortit të saj Xhorxh-it (George-s). Kjo ide iu thellua dhe më tepër pasi i vdiq djali Bob, gjë që ajo e përjetoi si një ndëshkim prej Zotit për gabimin e bërë me 23 qershor 1984. Dajanën pas vitit 1991, me hapjen e Shqipërisë, filloi ta shqetësonte dhe meraku se po të ishte Beti bijë e Gjergji Linotopit, mund të ndodhnin rastësisht nga mosnjohja lidhje incesti midis Betit e djalit të këtij shqiptari, ose pasardhësve të tyre. Prandaj ajo i kërkon së bijës para se të largohej prej jetës nga sëmundja e pashërueshme, që të lidhej me Gjergjin e të bënin analiza gjenetike, për ta zgjidhur këtë enigmë.Beti arriti të krijojë lidhje telefonike me Profesor Gjergjin, tashmë i riemëruar pedagog në Universitetin e Tiranës. Kërkesa e saj e drojtur për të realizuar amanetin e së ëmës u mirëkuptua dhe u pranua pa nervozizëm prej Gjergjit. Ky shfrytëzon rastin të vejë në New York për të marrë pjesë në një takim shkencor ndërkombëtar, ku ishte i ftuar që më parë. Kur mbërriti në aeroportin FJK të New York-ut, i ndodhi surpriza e këndshme: Beti po e priste me një tabelë ku kishte shkruar emrin e tij. Kështu para se të lidhet me djalin Peter, nusen e këtij dhe nipin Xhorxh, Gjergji u takua me Betin e të fejuarin e saj Piter. Të nesërmen u realizua vizita e Gjergjit dhe Betit në spital, ku bënë analizat. Para të dyve u shtuan shqetësimet sesi do të sillen në rast se dalin me lidhje gjenetike at’ e bijë, dhe në të kundërt, po të dalin njerëz pa lidhje gjenetike. Disa ditë pasi mbaroi seminari shkencor, analizat ishin gati. Mjekja një zonjë hebraike u komunikoi rezultatet e analizave:“Ju të dy keni të njëjtët stërgjyshër. Vini drejt nga Adami dhe Eva… ju vërtet keni të njëjtët stërgjyshër, ata që kemi të gjithë. Nuk ka asnjë lidhje gjenetike midis jush. Nuk e dij në prisnit këtë njoftim, por kjo është e vërteta. Ju të dy dhe unë, së bashku me ju, jemi qytetarë të tokës” (f. 218).Këto fjalë e shkrinë frikën dhe dyshimin që i brente të dy palët. Sytë e lagur të Gjergjit iu dukën Betit si sy fëmije. Kjo shtoi: “Më beso se edhe po t’ju kisha baba, nuk do të isha e pakënaqur” (f. 219).“Eh, moj vajzë, ia ktheu Gjergji dhe vijoi, edhe unë nuk kam qenë i sigurt për rezultatet e sotme, por s’ është vetëm gjaku që i lidh njerëzit. Mendoje, ti po u afrohesh të tridhjetave dhe s’ dije nëse unë ekzistoja. U lodhe për të më gjetur. Tani u njohëm dhe do të ndahemi përsëri. Megjithëse pa lidhje gjaku, unë u ndjeva mirë në shoqërinë tënde. Do të ndjehesha njëlloj edhe po të ishe gjaku im” (f. 219).I lehtësuar, ai propozoi të shkojnë te vorrezat për të folur me Dajanën. Ndjente nevojë t’i kërkonte të falur për shqetësimin që i kishte shkaktuar.Habisë së Betit për këtë këkesë, Gjergji iu përgjigj:“… atje është vendqëndrimi im i parë për të kërkuar ndjesë. Nuk do ta dëgjoj se më ka falur. Por … jam i bindur se do të më falte. Të dytin dhe më të sikletshmin do ta kem kur të kthehem në Shqipëri” -kuptohet kur t’i rrëfehej bashkëshortes Diana për këtë ngjarje, të cilën duhej t’ia kishte rrëfyer më parë… (f. 220).Disa ditë pas vizitës te Vorrezat, jepet largimi i Profesor Gjergjit nga aeroporti FJK i New York-ut, ku e përcillnin djali Piter, nusja e tij dhe nipi Xhorxh, bashkë me ta edhe Beti me Piter-in e vet.“Mirupafshim në Tiranë!”, pëshpëriti pa e përcaktuar se për kë i tha këto fjalë, dhe më tej autori shton se heroi i tij ngriti zërin edhe tha:“Të pestëve” (f. 224).Me këto fjalë mbyllet romani, duke theksuar idenë e veprës, se njerëzit e moralshëm, qofshin besimtarë ose jo, pavarësisht nga gabimet që mund të kenë bërë, gjejnë forca t’i shlyejnë ato shpejt a vonë, duke kërkuar të falur dhe kështu e ruajnë miqësinë e vjetër, ose krijojnë miqësi të re të sinqertë.Ky subjekt i treguar thjesht e shkurt prej meje, shtjellohet me shumë tensione të brendshme psikologjike përmes ndërfutjeve të shpeshta të ngjarjeve të ndodhura më parë, ose që ndodhin në po atë kohë përtej Atlantikut. Kjo është një mënyrë e veçantë e thurrjes së subjektit prej romancierit Papando, që nuk është hasur në veprat romanore të asnjë prozatori tjetër shqiptar para tij, arritje që duhet përshëndetur.Ngjarjet e thurrura prej këtij autori bien në sy edhe për logjikën e shëndoshë në ecurinë shkak-pasojë. Ka raste kur ngjarjet mund të tingëllojnë si të sajuara, qofshin ngjarje, qofshin përkimet e emrave Diana / Dajana, Gjergj / Xhorxh, Petro / Peter / Piter, etj. Mirëpo ecuria logjike dhe thurrja e ngjarjeve me realizëm e bën lexuesin t’i pranojë ato si ngjarje e përkime që ndodhin në jetën njerëzore, sepse ato vërtet mund të ndodhin në jetë. Këtë dukuri lexuesi e has edhe në romanet e shkrimtarit italian Kazanova (Giacomo Casanova), dhe në dy roamnet e shkruar frëngjisht prej Faik Konicës, përkthyer me mjeshtëri në shqip prej Fotaq Andreas “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri dhe Mitka” ZENIT EDITION, Tiranë 2016, 332 f.Si krijues i talentuar Pandi Papando, edhe pse është njeri me bindje demokratike, nuk bie në propagandë vulgare antikomuniste. Ai e urren sistemin diktatorial komunist për të këqiat që i shkaktoi popullit, gjen rast për të treguar se sa të ulët ishin disa sigurimsa, si Besniku -sigurimsi i ambasadës sonë në Romë, ose sa pa logjikë ishin disa kuadro partie, si babai i Lindës, që nuk kërkoi të sqaronte raportimet e sigurimsit të ambasadës, por detyroi vajzën të ndahej sa më parë prej të fejuarit në prag të martesës. Po ashtu, autori dënon varfërinë ekstreme ku e kishte katandisur popullin regjimi socialist, por nuk mohon se gjatë atij regjimi shkencat e sakta ishte në nivel europian. Një kuadër i tillë ishte dhe Gjergji Linotopi, heroi i veprës.Problemi kryesor që ka transmetuar autori i veprës është: Mbi të gjitha në jetën e njeriut vlejnë karakteri dhe ndershmëria. Njeriu me karakter dhe i ndershëm, beson ose jo në Zot, di të shpëlajë gabimet që i kryen në momente rrëmbimi, duke kërkuar të falur kur ballafaqohet me gabimet.

Filed Under: Kulture Tagged With: Thanas L Gjika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 161
  • 162
  • 163
  • 164
  • 165
  • …
  • 544
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT