• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROMOVIM LIBRI NË AKADEMINË E SHKENCAVE

March 11, 2015 by dgreca

Nga Luan Çipi/
Në datën 10 Shkurt 2015 në sallën Aleks Buda të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u promovua libri monografik “Spiro Jorgo Koleka (1879-1940) dhe fati tragjik i atdheut”, i Prof. Dr. Bardhosh Gaçes, “Mjeshtër i Madh”.
Aktiviteti u organizua nga Shoqata Atdhetare “Labëria” dhe Akademia e Shkencave, në bashkëpunim me familjarët e fisit Koleka dhe Harito.
Merrnin pjesë akademikë e intelektual të shquar dhe pjesëtarë të ftuar të Shoqatës Labëria nga Tirana, Vlora dhe Himara, profesorë, poetë, shkrimtarë, gazetarë, artistë dhe, sportistë të njohur.
Aktivitetin e hapi Kryetari i Shoqatës Atdhetare “Labëria” Prof. Dr. Ago Nezha dhe referatin kryesor e mbajti shkrimtarin i njohur Profesor, Nasho Jorgaqi, që ka bërë edhe parathënien e librit. Diskutuan edhe përshëndetën edhe historiani Prof. Dr. Paskal Milo dhe studiuesi himarjot Foto Bixhili. Stërmbesa e Spiro Jorgo Kolekës, e bija e Prof. Dr. Tatjana Kolekës (Harito), Ministrja e Teknologjisë dhe Inovacionit, zonja Milena Harito, foli në emër të familjarëve, përshëndeti pjesëmarrësit dhe falënderoi përzemërsisht autorin, Bardhosh Gaçe.
Një përmbledhje të shkurtër të Monografisë për Spiro Jorgo Kolekën e realizoi së fundmi, vet autori Brdhoish Gaçe.
Libri Monografik mbi atdhetarin e shquar Spiro Jorgo Koleka, i iniciuar dhe sponsorizuar nga trashëgimtarët e familjes Koleka, me kujdesin dhe parathënien e shkrimtarit Nasho Jorgaqi dhe me autor Bardhosh Gaçen, ka redaktor dhe korrektor letrar Stavri Sharrëxhi dhe është botuar nga cilësisht nga Shtëpia Botuese “Maluka”, në 224 faqe.
Publicisti, historiani, poeti dhe shkrimtari vlonjat Prof, Dr. Bardhosh Gaçe, Mjeshtër i Madh, në vazhdim të krijimtarisë së tij të shquar për atdhetarët e spikatur vlonjat e mbarëkombëtar, me 20 librat e tij cilësore e voluminoze, kryesisht të estetikës letrare, monografisë historike dhe poezisë për fëmijë, me veprën e re, thellohet dhe më shumë dhe përqendrohet e hedh dritë e njohuri të reja, për një prej bijve të shquar të fisit Koleka të Vunoit të Vlorës, mbështetës i Qeverisë së Ismail Qemalit, diplomat e pjesëmarrës i Luftës së Vlorës më 1920, senator i Krahinës së Vlorës në Kongresin e Lushnjës, deputet e deri diplomat e përfaqësues fuqiplotë e ministër i punëve botore dhe bujqësisë vite më vonë, gjithnjë si pjesëtar i krahut përparimtar i Partisë Popullore me Nolin e Gurakuqi me shokët dhe i mbështetjes demokratike të shoqërisë shqiptare, po më pas edhe si anti Zogist e anti Italian.
Libri monografik mbi jetën e atdhetarit, inxhinierit të ndërtimit, Spiro Jorgo Koleka, paraqet të plotë me fakte, fotografi dhe dokumente, një jetë aktive, plot vuajtje e peripeci edhe veprimtarinë e një himarjoti të shquar. Në këtë monografi, ashtu si në veprën tjetër “HIMARA NË SHEKUJ”, me autor Bardhosh Gaçen, paraqiten edhe më mirë përpjekjet direkte të protagonistit për shqiptari e përparim.
S’ka dyshim se veprimtaria aktive e Spiro Jorgo Kolekës është më shumë e rëndësishme në shkallë kombëtare por njëkohësisht sidomos është e spikatur, domethënëse dhe vendimtare për kundërvënien ndaj sillogeve verioepirote, që ngulmonin, nëpërmjet renegatëve Niko e Spiro Milo, në ato vite të vështira të Pavarësisë Kombëtare, për mos ta bashkuar Himarën me Shqipërinë. Në ato ditë kritike të vitit 1921 ish kryeministri Iliaz Vrioni dhe Ministri i Brendshëm Mehdi Frashëri ngarkuan si delegat fuqiplotë për zgjidhjen e “çështjes së Himarës”, deputetin e Vlorës, z. Spiro Jorgo Koleka. Ishte pikërisht autoriteti, kompetenca, zgjuarsia dhe diplomacia e Spiro Jorgo Kolekës, që diti të përcaktoi kompromiset e nevojshme me lëshime logjike në 10 pika mirëkuptimi dhe që pas shumë përpjekjesh, arriti në rrugë paqësore të bindi edhe pjesën himarjote kundërshtare e progreke, për vazhdimin normal të bashkëjetesës shqiptare në këtë krahinë të trazuar e të turbulluar nga politika shoviniste greke, me rrezik eminent shkëputje nga Shqipëria.
Pas kësaj në Himarë u vendos administrata shqiptare dhe u përzu Niko Milo e kompani, duke goditur rëndë politikën shoviniste greke për helenizim. Ishte koha kur vetë himarjotët i kërkuan Këshillit Kombëtar Shqiptar bashkimin në front me vëllezërit e tyre shekullor. Ky qëndrim, në kushtet e testimit popullor të “vetëvendosjes”, ishte i rëndësishëm dhe vendimtar, kur në Lidhjen e Kombeve, në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës të vitit 1913, u përcaktuan përfundimisht kufijtë e Shqipërisë.

Filed Under: Kulture Tagged With: “Spiro Jorgo Koleka, Luan Cipi, Promovohet libri

KONTRIBUT PËR ZHVILLIMIN E ARSIMIT NË TREVËN E VLORËS

March 10, 2015 by dgreca

Shkruan:MSC. Albert HABAZAJ/ studiues/
Ne Foto:Shkolla e pare Shqipe ne Vlore/
Historia e arsimit në qarkun e Vlorës është pjesë përbërëse me rëndësi e historisë sonë kombëtare. Si në mbarë Shqipërinë, sidomos në qytetet kryesore të vendit, edhe në Vlorë, arsimi lindi mbi një shtresë të pasur monumentesh të kulturës materiale dhe jomateriale (shpirtërore), si një vepër e gjenisë krijuese të popullit të krahinës së Vlorës, që, duke kaluar përmes furtunash shkombëtarizuese për mijëra vjet me radhë, diti të ruajë e të gdhendë më tej fizionominë e kulturës dhe të arsimit shqip me dinjitet kombëtar. Vlora ka dhënë një kontribut me vlerë historike përgjatë shekujve, ka krijuar dhe ka ruajtur visare të rralla monumentale në shërbim të edukimit dhe të arsimit shqip. Arsimi dhe edukimi në Vlorë ka një diagramë zhvillimi të dukshëm pozitivisht në hapësirë dhe në kohë. Një enciklopedi antologjike të mendimit kulturor për arsimin dhe edukimin në Vlorë i ka dhënë kësaj treve emërmadhe për historinë e arsimit kombëtar Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, me monografitë e tij shkencore, me artikujt, punimet, kërkimet e studimet e shumta diturore. Për mbi 40 vjet, Bardhosh Gaçe, krahas punës titanike në fushën e etnokulturës dhe të albanologjisë, po jep një ndihmesë të rëndësishme për arsimin, me pishtarët e dijes, fillimtarët dhe vijuesit dritërues në qytet dhe në fshatrat e Vlorës, të etur për dije dhe liri. Botim pas botimi, vit pas viti e dekadë pas dekade, profesor Gaçe po e lartëson profilin e tij pedagogjiko- shkencor në përmasat e një personaliteti kombëtar. Disa nga monografitë e tij më të spikatura në fushën e arsimit janë : “Rapsodi Xhemil Veli Duka”, kushtuar luftëtarit për liri, arsim dhe këngë Xhemil Duka, 2000; “Dallgët joniane të jetës”, kushtuar atdhetarit, mësuesit dhe folkoristit Musa Muho, 2000; “Blerimi i mësuesit Besim F. Xhebraj”, 2007; “Rilindasi i Vlorës Ibrahim Abdullahu”, 2009; “Mbrëmje vere me Muço Delon”, 2011; “Mësuesi i Popullit Ibrahim Kushta”, 2012, etj. Veprimtaria kërkimore – shkencore e B. Gaçes ravijëzohet në këto piketa metologjike: dokumenta origjinale, monografi, dëshmi e botime, ekspedita vetiake dhe ekspedita kolektive, në grup, trajtuar në rrafshin kronologjik, si një vështrim në mënyrë të krahasuar. Ai është një eksplorator vigan, që di, si ai, të gërshetojë dobishëm vëzhgimin e palodhur në terren me punën këmbëngulëse në biblioteka e arkiva, brenda dhe jashtë vendit, duke iu referuar burimeve të mëparshme të botuara nga autorë shqiptarë dhe studiues të huaj. Nxjerrja në dritë të bardhë e arsimit në Vlorë, sidomos për periudhën, që kulmon me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, më 28 Nëntor 1912, është pothuaj meritë tërësore e studiuesit Bardhosh Gaçe, i cili, ndërkohë, u është mirënjohës autorëve të mëparshëm të historisë së arsimit në Vlorë, historianit Neil Shehu dhe Prof. As. Dr. Zeko Brako, të cilët botuan aq sa mundën dhe, për kohën, duhen falënderuar. Për këtë kontribut të jashtëzakonshëm, studiuesi Gaçe njihet dhe vlerësohet si kryemjeshtër i monografive të atdhetarëve të arsimit dhe të historisë së tij në rrjedhat e kohës. Pa hulumtimet e tij, Himara arsimore e shekujve XVI-XVIII do të na vinte e cunguar, me tjetër rrjedhë apo (larg qoftë) e tharë, aq më tepër nga fakti që portat e Mesjetës, për ne, nuk hapeshin dot, sepse ishin të blinduara nga barbarët dhe shumë të rënda. Misionarët bazilianë të Italisë, që punuan edhe për Shqipen në trevën e Himarës, gjatë asaj periudhe historike të tranzicionit të vështirë kulturor dhe fetar, ringjallen me veprën e tyre të jashtëzakonshme, falë ndihmës së këtyre emrave dritërues: Nilo Borgia e Matteo Mandalà, Jup Kastrati e Petro Marko, Bardhosh Gaçe e Shaban Sinani, Pëllumb Xhufi e Mimoza Hysa. Studiuesi B. Gaçe, me rigorozitet shkencor, në një nga monografitë e tij, na sjell tërë pamjen e një historie të papërsëritur për njeriun, mësuesin dhe këngëtarin e paharruar Xhemil Duka, që i përkiste njerëzve të shquar që bënë Shqipërinë, si Sh. Gjeçovi, F. Noli, L. Gurakuqi, J. Minga, H. Xhelo, H. Lumi, A. Rustemi dhe shumë mëmëdhetarëve të tjerë si këta. Me jetën e tij, Xhemil Duka u bë shembull i gjallë për të përparuarit e arsimit kombëtar, shkruan Profesori. Ndërsa për pionierin tjetër të arsimit kombëtar, Musa Muho, ai ndërton një përmendore të bardhë me shkronja drite. Atdhetari, mësuesi dhe folkloristi Musa Muho vjen në penën e autorit si një pishtar i shqipes, qysh në vitin 1913 (kur u hapën 10 shkollat e para shqipe në trevën e Vlorës) dhe bëhet shembul i mësuesit të talentuar deri sa mbylli sytë më 3 Nëntor 1981, si personalitet i arsimit në Vlorë. Në Vlorë dhe në Labëri flitet shpesh për figura të ndritura të historisë, kulturës dhe arsimit kombëtar, gjurmët e të cilëve shkrepëtijnë në qiellin e kohës sonë. Shpirti i tyre duket sikur bie një frymë shenjtërimi për brezat e rinj. Njëri prej lisave të blertë të Vlorës dhe të Labërisë ëshët mësuesi atdhetar Besim Feim Xhebraj, jeta e të cilit është një frymëzim kombëtar. Zjarri i tij u ndez qysh në shoqërinë “Shtizat e Qytetërimit” dhe “Mbrojtja Shkollore”, në demonstratën antimperialiste të Vlorës, 28 Nëntor 1919, në Epopenë e Njëzetës, me shoqërinë “Bashkimi”, në Paris, në Kuçovë, udhëve të dritës si mësues vizionar, si veprimtar i palodhur i arsimit kombëtar, me përkushtim idealisti. Me këtë profil na vjen ky personazhi i nderuar i monografisë “Blerimi i mësuesit” i autorit B. Gaçe. Me dashuri dhe vërtetësi shkruan autori monografinë e shkëlqyer “Rilindasi i Vlorës Ibrahim Abdullahu”. Sipas tij, ekzistencën e shqiptarëve si komb, Ibrahim Abdullahu e shikonte edhe tek përhapja e gjuhës shqipe, ndaj shërbeu si mësues shëtitës në Vlorë dhe në trevat e saj. Ishte ndër iniciatorët e çeljes së shkollës shqipe të Muradies më 1908, përkrahës i flaktë i Kongresit të Manastirit, si dhe i përhapjes së librave shqipe të rilindasve tanë. “Pa u kulturuar dhe pa mësuar gjuhën shqipe – thoshte Ibrahim Kushta, – nuk mund të fitohet qytetërimi i shqiptarëve”. “Mësuesi i Popullit Ibrahim Kushta” është një tjetër monografi e studiuesit të talentuar Bardhosh Gaçe, kushtuar mësuesit me kulturë të thellë dhe mendimit të tij pedagogjik, sepse I. Kushta përfaqëson një figurë emblematike të traditës së arsimit në Vlorë. Mesazhi që përcillet nga studimi i monografive për pishtarët e arsimit në Shqipërinë Jugperëndimore mund të përmblidhet me shprehjen: “Mësuesi ka në dorë fatin e shtetit dhe fytyrën e ardhme të Atdheut”. Në librin “Mbrëmje vere me Muço Delon”, na shpaloset mësuesi i diturisë dhe lufëtari i lirisë, shkruar me pasion e dashuri nga autori B. Gaçe, i cili ka patur fatin e madh ta njohë shumë mirë heroin e librit, të bisedojë gjatë me të, ta zbërthejë deri në detaje dhe të na e japë portretin e tij me fakte e dokumente në një monografi përfaqësuese, që ndriçon historinë dhe kulturën e Labërisë dhe më gjerë. Vlora dhe Labëria është një hapësirë me yje të ndezur, se nuk mund të jetë një hapësirë me yje të shuar, sepse në ato vise, ndër të tjera, trimëria e dituria binjake ishin të dyja, sepse pushka dhe pena prunë dritë përmbi bedenat e kështjellës së trimave për liri, pavarësi dhe përparim. Memoria arsimore në Vlorë emrin e Bardhosh Gaçes e ka të ngulitur thellë, sepse ai ka gdhendur me shkronja floriri apostujt e shkollës shqipe dhe kombëtarisë në Vlorë. Opusi monografik i B. Gaçes është i pari monument i historisë së arsimit në Vlorë dhe çmueshmëria e tij vlerësohet më tepër për faktin se e përmendi nga harresa letargjike, e riformatoi vërtetësisht dhe bëri pronë të botës shkencore shqiptare. Shkrimtaria kërkimore- shkencore e Prof. Gaçes përbën një tren në fushën e historisë së arsimit. Duke udhëtuar me trenin e tij të shkrimtarisë arsimore, na shfaqet në horizont ndriçimi i traditës së mëparshme të shkollës shqipe në Vlorë, tradita shkollore në Himarë, ruajtja e frymës rilindase ndër banorët e këtyre trevave. Fokuson në tej përhapja e abetares, e shkronjave shqipe, floririt e kaluar floririt për shqiptarët, që nga koha e Rilindjes e deri ë vitet 1920, me artikujt në gazetën ‘Mësuesi”, në revistën “Arsimi” etj. Ravijëzohen marrëdhëniet e Vlorës, Himarës, Kurveleshit, Mesaplikut, Dukatit e Topalltisë me shoqëritë patriotike të kohës deri në Sofje, në Bukuresht, në Stamboll etj, po ashtu artikujt e spikatur për Jani Mingën si orator e filolog. Dom Mark Vasa, Musa Çakërri, Murat Tërbaçi, Gani Iliazi, Peço Doko, Beqir Velo Kanina, etj., që shquhen si mësuesit e parë në fillimshekullin XX në Vlorë, vijnë të gjallë me mesazhet e tyre rilindase përpëmjet punimeve shkencore të studiuesit skrupuloz B. Gaçe. Nevoja për të nxjerrë monografi për këto figura komplekse për gjurmët arsimore, sidomos nga shek. XX e në vijim gjetën në penën e Gaçes harmoninë e admirueshme të koherencës me emocionin e fuqishëm. Gjimnazi i Janinës e i Shën Mitër Koronës qenë vatrat e përgatitjes së mësuesve të parë të Shqipes. Të gjithë mësuesit që bënë dritë për arsimin u arsimuan jashtë, në Janinë, në Kalabri… Kjo del edhe nga monografië për I. Kushtën, M. Delon, Xh. Dukën, B. Xhebron, M. Muhon, më marrëdhëniet e tij me H. Xhelon, J. Mingën etj. Nxjerrja në dritë e statusit të shoqërive kulturore – arsimore e letrare, si e shoqërisë “Opinga”, “Mbrojtja Kombëtare”, “Mbrojtja Shkollore”, ‘Shtizat e Qytetërimit”, “Lidhja e Djelmoshave” dhe “Shoqëria Letrare e Vlorës”, të cilat u krijuan dhe vepruan në vitet 1918 -1920, ka qenë një merak dhe realizim dokumentar, sipas kritereve shkencore në laboratorin e “Punëtorit të madh të kulturës së kombit”, siç e quan arbëreshi i shquar Antonio Bellushi studiuesin Bardhosh Gaçe. Një objekt i rëndësishëm i punës studimore të Profesorit ka qenë e ngelen elementët pedagogjikë. Ai veçon “Abetaret dhe Këndimet për Shkollën Fillore” të Jani Mingës dhe thekson se, askush tjetër përveç J. Mingës nuk bëri abetare e këndime në vitet ‘20 – ’30, kur njerëzit ende ishin analfabetë apo dinin vetëm turqishja (turçe, thuhej në popull). Abetaret dhe këndimet e J. Mingës patën përhapje jo vetëm në krahinat jugperëndimore të vendit, por në pjesën më të madhe të Shqipërisë. Për të shkruar këto monografi të çmuara autori ka përfituar nga dijetarët e mëdhenj të vendit, se rrinte me ta, i dëgjonte, i respektonte dhe mësonte prej tyre. Konkretisht ai ka patur kontakte me Musa Krajën, Shefik Osmanin, Koli Xoxen, Shaban Demirajn, Musa Vyshkën, Ali Xhikun, Zihni Sakon, Fatmir Agalliun, Vangjel Gjikondin (Mësues i Popullit, nga Lekli), Kozma Vasilin, Dhimitër Grillon, Nasho Jorgaqin, Jup Kastratin, Bedri Dedjen, Hamit Boriçin, Iljaz Gogën, sidomos në fushën e zhvillimit të arsimit, psikologjisë, pedagogjisë, metodologjisë. Kur Bardhoshi ishte mësues në Kukës, në vitet 1977-1980, i shkon për inspektim një ekip nga Ministria e Arsimit dhe nga Akademia e Shkencave, me Bedri Dedjen (sekretar i Akademsë së Shkencave dhe zëvendës ministër i Arsimit për kohën) dhe Prof. Sotir Temo. Panë një orë mësimi që Bardhoshi po zhvillonte në Morinë. Panë dhe fletoret e nxënësve të klasave të shtata e të teta, të cilët kishin mbledhur folkor. Model! Në konkluzionet, që bënë për Seksionin e Arsimit Kukës, zhvilluar në sallën e gjimnazit të qytetit, Profesor Bedri Dedja tha: “Tashmë, me mësues të rinj, të përgatitur në Universitetin e Tiranës, siç është dhe mësuesi i Morinës Bardhosh Gaçe, ku gjatë vëzhgimeve tona, kemi vënë re disa orë mësimi Gjuhe dhe Letërsie të nivelit të lartë metodologjik e arsimor, mund të marrin përvojë edhe shkollat e kryeqytetit” (edhe pse Morina qe një fshat i largët i verilindjes malore). Edhe në auditoret e Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, ku jep mësim, Prof. Dr. Bardhosh Gaçe kujton me nderim pedagogët dhe dijetarët e mëdhenj E. Çabej, Sh. Demiraj, M. Domi, A. Kostallari, A. Uçi, V. Bala, Z. Sako, N. Jorgaqi, J. Xoxa, F. Arapi, me të cilët organizonin debate dhe diskutime të hapura, që bënin me auditorët e Universitetit për Letërsinë dhe Gjuhën, si dhe për marrëdhëniet e Shqipes me gjuhët e tjera të Ballkanit. Bardhosh Gaçe thekson mendimin, si tek artikujt për J. Mingën dhe monografia për I. Kushtën, se arsimi shqiptar ka tendencë oksidentale dhe shpërfaqet mendimi për prirjen e arsimit kombëtar e të shkollës shqiptare sipas modeleve gjermano – austriake dhe franceze. E kush më mirë se shpirti i florinjtë i akademikut (ende të pashpallur vetëm zyrtarisht) Bardhosh Gaçe do të na sillte të gjallë zgjimin e kujtesës kombëtare të shkruar përmes monografive shkencore për pionierët e arsimit dhe njëkohësisht luftëtarë të paepur të lirisë?!
Vlorë, e martë, 10.03.2015

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, Arsimi, ne Vlore

ME KRIJUES SHQIPTARË, NGA SUEDIA, NË LAÇ-KURBIN…

March 9, 2015 by dgreca

(Përurohet vepra “Thesar Kombëtar”-3)/
Nga MURAT GECAJ/
1.Në ditët e festave të gëzuara popullore të 7 e 8 Marsit 2015, qyteti i Laçit, në Kurbin, pati në gjirin e vetë mysafirë jo të zakonshëm. Ata ishin emigrantë shqiptarë, me banim në Suedinë e largët, atje në Skandinavi, si Osman Ahmetgjekaj, Saranda Iseni e Naim Latifi etj. Pra, këta krijues përfaqësonin Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI-Albani” të Suedisë, me Hysen Ibrahimin në krye. E kishin zgjedhur pikërisht Laçin, për ta përuruar veprën e tyre të re, “Thesar Kombetar-3”, pasi Shoqata e tyre ka nderin të mbajë emrin e njërit nga Papët më të njohur të Vatikanit, i cili e ka origjinën nga kjo krahinë me tradita, të lashta e të reja atdhedashurie. Por në këtë veprimtari morën pjesë dhe të ftuar nga Kosova, Tirana e Durrësi, Lezha etj.
Përveç anëtarëve të Shoqatës Kombëtare të Miqësisë dhe Bashkëpunimit Shqipëri-Itali, me qendër në Laç dhe që kryesohet nga Nikollë Leshi, pjesëmarrës në veprimatrinë e orgaznizuar ishin poetë e shkrimtarë, studiues dhe punonjës të artit e kulturës, mësues, nxënës e prindër, përfaqësues të bashkësive fetare, nga media e shkruar dhe ajo elektronike (RTSH, TV-Lezha) etj. Gjithashtu, ishin të pranishëm kryetari i Bashkisë së Laçit, Artur Bardhi dhe përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Prefektura e Lezhës etj.
Ishte kënaqësi që, bashkë me mua, aty ishin edhe krijuesit e miqtë, si Viron Kona, Jaho Margjeka, Zenel Baliaj, Fran Nikolli e të tjerë.
2.
Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar të Shqipërisë e Italisë, në emër të mikpritësve, fjalën përshëndetëse e mbajti Presidenti i Shoqatës Kombëtare të Miqësisë e Bashkëpunimit Shqipëri-Itali, Nikollë Lleshi. Ndër të tjera, ai tha se ishte një ngjarje e shënuar për jetën e banorëve të Laçit, por dhe të mbarë Kurbinit, që në ditët e festave të 7 e 8 Marsit aty kishin ardhur krijues të njohur të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI-Albani”, nga Suedia, si dhe të ftuar të tjerë. Përurimi i veprës së re të kësaj Shoqate, “Thesar Kombëtar-3”, me 757 faqe, ishte një dëshmi e mjaft botimeve të saj, me vlera të shumëfishta, si letrare, kulturore e shkencore, por mbi të gjitha me përmbajtje të lartë atdhetare.
Në vazhdimësi, u dëgjuan me vëmendje përshëndetjet e bëra nga Artur Bardhi e Hysen Ibrahimi. Ky i fundit njoftoi se po punohet që të përgatitet për botim vepra tjetër, “Thesar Kombëtar-4”, e cila parashikohet të përurohet në muajin qershor të këtij viti. Pastaj u lexua përshëndetja e dërguar nga kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Diasporë, Hasan Qyqalla, me banim në Gjermani. Atë e lexoi një nga sponsorët kryesorë të kësaj veprimtarie, Naim Latifi.
Pjesë e rëndësishme e këtij përurimi ishin temat e paraqitura, rreth veprës së re “Thesar Kombëtar-3”. Kështu, një zbërthim të detajuar i bëri asaj studiuesi i njohur Vlash Prendi. Më pas, folën me nota vlerësuese për këtë botim, Martin Gecaj e Osman Ahmetgjekaj, Engëll Ndocaj e Besi Bekteshi.
Në emër të kryesisë së Shoqatës Kombëtare të Miqësisë e Bashkëpunimit Shqipëri-Itali, Nikollë Lleshi i njoftoi pjesëmarrësit në veprimtari se, bazuar në ndihmesën e tyre të çmuar për këtë Shoqatë, kishin vendosur që t’i pranonin Anëtarë-Nderi, disa veta, të cilat janë: Hysen Ibrahimi, Padre Giovani Parugine, Besi Bekteshi e prof. Murat Gecaj. Këta i përshëndetën gjithë të pranishmit dhe shprehën falënderimin e tyre, për nderin që u bëhet, duke premtuar vazhdimin e bashkëpunimit sa më të frytshëm, me këtë Shoqatë, në të ardhmen.
3.
Ajo, që i dha një gjallëri të veçantë kësaj veprimtarie festive, në Laç-Kurbin, ishte shfaqja e bukur e artistëve të ansamblit të këtij qyteti. Atë e drejtuan me aftësi të veçantë moderatoret Saranda Iseni, nga Suedia dhe Fatmira Aliu, gjithashtu emigrante. Kështu, këngët e vallet e pushtuan mjedisin e sallës së kinoteatrit të qytetit, ku ndodheshin të ftuarit e shumtë. E meriton t’i përmendim këtu të gjithë numrat e paraqitur, por ndër ta ishin këngët me përmbajtje atdhetare: “Jemi bijtë e nënës shqipe”(nga Agustin Çela, Gjergji Leka e Preg Prenga), “Kudo shkojmë, Shqipe na thonë” (nga Kastriot Kola), “Princesha e Kastriotit” dhe “Moj Sarandë, moj Delvinë” etj. Gjithashtu, u duartrokitën këngët e Gjesilda Përshetës, Fatmira Aliut e Mide Aliut dhe emigrantes në Itali, Vjollca Grecaj, si ”I kam thënë bilbilit” e “Moj e bukura, që del në derë” etj.
Mjaft ritmike dhe mbresëlënëse ishin vallet popullore, që u interpretuan me mjeshtëri nga djem e vajza të shkathët. Ato përfaqësonin krahina të ndryshme të Atdheut tonë dhe sollën emocione për të pranishmit, në këtë festë të paharruar.
Me këtë rast, pjesëmarrësve iu dhuruan disa kopje të veprës “Thesar Kombëtar-3”, por dhe të mëparshmet, pra nr.1 e nr.2. Po kështu, autori M.Gecaj u dhuroi disave prej tyre librin e tij më të ri, “Me shpirt atdhedashurie”, përgatitur dhe mundësuar për botim, nga veprimtarët e dalluar të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni”, në Boras të Suedisë, Sokol Demaku e Bahtir Latifi.
Në mbyllje të tërë kësaj veprimtarie, të pranishmit morën pjesë në koktejin e shtruar nga Bashkia e qytetit të Laçit dhe bënë fotografi të përbashkëta, që do të mbeten kujtim i pashlyer, për të gjithë ata.
Tiranë, 9 mars 2015

Filed Under: Kulture Tagged With: ME KRIJUES SHQIPTARË, Murat Gecaj, NË LAÇ-KURBIN…, NGA SUEDIA

Coercive Diplomacy of NATO in Kosovo

March 9, 2015 by dgreca

Coercive Diplomacy of NATO in Kosovo/
Author(s):Enver Bytyçi/
Book Description/
This book represents a detailed and comprehensive examination of the developments of NATO’s engagement in Kosovo, and the related policies of western countries. In addition to offering an in-depth analysis of historical developments in the relationships between Albanians and Serbs, the book also provides a constructive discussion of the events of the Kosovo conflict, which constituted one of the main concerns in the international agenda towards the end of the twentieth century. The basic theme set forth in this book is the reasoning behind NATO’s intervention in Kosovo during the spring of 1999, namely to end the conflict between Albanians and Serbs and to aid the Kosovo Albanians in achieving their freedom from the jurisdiction of the Serbian state. Based on extensive evidence, the author analyzes the contradicting stances conveyed at the Security Council regarding the conflict, NATO’s military intervention and the issue of Kosovo’s future. The book provides useful information for any scholars, students and readers interested in gaining a more detailed understanding of Kosovo’s historical developments on an international level. It offers the reader detailed insights into, and descriptions of, the events that took place in the military conflict in Kosovo; it provides various facts and figures, evidences and counterarguments in response to what happened in this politically volatile region.
Biography
Dr Enver Bytyçi is currently the Executive Director of the Institute of Southeast European Studies in Tirana (www.ises.org.al) and a Professor in the “Aleksandër Moisiu” University in Durrës, Albania. He has published several monographs in Albanian, this being his first publication in English. Aside from his scientific studies in the fields of sociology and the history of international relations, Dr Bytyçi is known for his expertise on the developments of Southeastern Europe and is a prominent publicist in the Albanian media.
Cambridge Scholars Publishing | Registration Number: 04333775
Copyright © 2015 Cambridge Scholars Publishing. All rights reserved

Filed Under: Kulture Tagged With: Coercive Diplomacy, Dr. Enver Bytyci, of NATO in Kosovo

NJË LIBËR I RI MBI KOSOVËN

March 7, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Qëndra Ndërkombëtare Woodrow Wilson në Washington, në një ftesë elektronike njofton se javën e ardhëshme me 11 Mars do të sponsorizoi promovimin e një libri të ri mbi Kosovën me titull: “Krijimi i Kosovës: Mbikqyrja Ndërkombëtare dhe Themelimi i Institucioneve Etike”, me autor Profesor Elton Skendaj. Profesori Skendaj jep mësim në Departamentin e Shkencave Politike të Universitetit Miami, në Florida të Shteteve të Bashkuara. Në biografinë e tij thuhet se ai kryesisht përqendron kërkimet dhe studimet e tija akademike mbi faktin se si aktorët ndërkombëtarë — siç është rasti i Kosovës – mund të ruajnë dhe të ndërtojnë paqën dhe demokracinë në shoqëritë e pas luftës. Në librin e tij, i cili do të promovohet të mërkurën që vjen në Qëndrën Ndërkombëtare të Studimeve Woodrow Wilson në kryeqytetin amerikan, Profesori Skendaj thuhet se shqyrton rolin e aktorëve të ndryshëm ndërkombëtarë në krijimin e burokracive shtetërore dhe të institucioneve demokratike në Kosovën e pas luftës.
Profesori Skendaj — përveç këtij libri që është botuar nga (Cornell University Press and Woodrow Wilson Center Press, 2014) ka kontribuar disa kapituj në libra të ndryshëm të botuar — ka botuar artikuj në revista siç janë Global Governance dhe Problems of Post-communism. Dr. Skendaj, si pjesë e punës së tij akademike, ai është duke bërë gjithashtu edhe hulumtime shkencore mbi korrupsionin dhe mbi reformat anti-korrupsion në vendet e Ballkanit Perëndimor, projekt ky që thuhet se po financohet nga Këshilli Norvegjez i Hulumtimeve. Dr. Skendaj ka marrë doktoraturën nga Universiteti i njohur amerikan Cornell dhe ka punuar me një numër organizatash ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile, në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas njoftimit nga Qëndra Woodrow Wilson, Dr. Elton Skendaj do të paraqesë për të interesuarit, librin e tij të ri mbi Kosovën bazuar në gjurmimet që ai ka bërë në atë vend gjatë një periudhe prej 10-muajsh. Për të arritur në përfundimin se cilat, sipas tij, janë ndërhyrjet nga aktorët ndërkombëtarë që çojnë në sukses ose në dështimin e krijimit të institucioneve të një shteti të ri siç është Kosova, Profesori Skendaj ka përdorur të dhënat zyrtare, analizat dhe informacionin shtetëror të Republikës së Kosovës, si dhe intervista individuale dhe forume grupesh të ndryshme anë e mbanë vendit. Sipas njoftimit, në librin e tijtë sa po botuar, Profesori Skendaj ka arritur në disa rezultate të papritura, të cilat ai do t’I paraqesë për diskutim javën që vjen në Washington, gjatë promovimit të librit të tij, “Krijimi i Kosovës: Mbikqyrja Ndërkombëtare dhe Themelimi i Institucioneve Etike”, një libër ky i cili thuhet se ve në dukje dhe diskuton përpjekjet e shtetit të ri të Kosovës për krijimin e një force policore, organizimit të qeverisë qëndrore, të gjykatave dhe të shërbimit doganor.
Sipas njoftimit, në studimin e tij, Dr. Skendaj pohon se administrata qendrore dhe gjykatat, të cilat janë themeluar nën autoritetin vendas, kanë rënë pre e korrupsionit, duke sfiduar në këtë mënyrë premisën se në përgjithësi në raste të tilla, vendorët janë më të aftë të drejtojnë punët dhe të qeverisin më mirë se organet ndërkombtare, dhe të sigurinte një qeverisje më efektive nga burokracitë e ndryshme shtetëtore dhe qeveritare të Kosovës. Ndërsa ndërkombëtarët fajësohen, sipas njoftimit mbi promovimin e librit të profesor Skendaj, “Krijimi i Kosovës: Mbikqyrja Ndërkombëtare dhe Themelimi i Institucioneve Etike”, se me disa vendime që kanë marrë gjatë viteve, aktorët e ndryshëm ndërkombëtarë gjatë këtij procesi, kanë minuar mundësinë e publikut të Kosovës për të mbajtur përgjegjës për punën e tyre, zyrtarët e zgjedhur të institucioneve ndryshme të shtetit të Kosovës.
Libri “Krijimi i Kosovës: Mbikqyrja Ndërkombëtare dhe Themelimi i Institucioneve Etike” i Dr. Elton Skendaj është vlerësuar nga akademikë amerikanë si profesori Alex Gridoriescu i Universitetit Lojola në Çikago, i cili e ka cilësuar atë, “si një libër që ofron një mirëkuptim të masave që duhen marrë për shtetbërjen dhe ofron gjithashtu mësime praktike por të rëndësishme për aktorët ndërkombëtarë që janë të angazhuar në përpjekje të tilla.” Ndërkohë që profesori Aidan Hehir i Universitetit Westminster ka vlerësuar veprën e Dr. Skendajt si një, “Libër të shkruar dhe të hulumtuar shumë mirë, e në të cilin i ofrohen lexuesit hipoteza bindëse mbi nevojën se si — gjatë procesit të shtetbërjes — duhet të mënjanohen disa aspekte të punës së burokracisë duke i izoluar ato nga veprimtaritë politike të ditës”.

Filed Under: Kulture Tagged With: MBI KOSOVËN, Nga Frank Shkreli, nje liber i ri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 278
  • 279
  • 280
  • 281
  • 282
  • …
  • 544
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT