Arkeologët turq kanë zbuluar një tempull të vjetër për të cilin mendohet se është Kisha me e vjetër e krishterimit jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë.
Gjatë gërmimeve në qytetin e vjetër të Ulpianës, arkeologët turk kanë hasur edhe një mozaik i cili është në gjendje të mirë, raporton KlanKosova.
Në atë vend besohet se janë kryer pagëzime qysh në shekullin e 5-të.
Haluk Cetinkayak thotë se kjo është kisha më e vjetër e zbuluar ndonjëherë. Sipas tij, aty janë pagëzuar Flora dhe Laura që ishin me prejardhje nga Konstandinopoja apo Stambolli i sotëm.
Kjo gjetje i ka mahnitur arkeologët.
Ulpiana, besohet se është shtrirë nga Graçanica e deri në Lipjan. /Indeksonline/
FOTOGRAFËT ATDHETARË TË SHKODRES …
Studio Marubi Shkoder,1932-Dr. Avokat PAULIN PALI (1914 – 1948) I mbytun në hetuesi të Shkodres, kur ishte 34 vjeç…
“Ëndrra ime ishte nji Kosovë e Lirë…” (Dosja 1333, Arkivi i Minstrisë së Mbrendshme Tiranë 1998)./
Nga Fritz RADOVANI*/
Qyteti i Shkodres asht djepi i kulturës dhe i artit Atdhetar Shqiptar.Krahas hapjes së shkollave fillestare private Shqipe dhe atyne të mesme të Jezuitëve dhe Françeskanëve në shek. XIX, në Shkoder, në djepin e artit të Saj u perkund edhe fotografia e parë e ardhun me Studio Marubi, në Trojet tona që në vitin 1850 – 1858.
Pietro Marubi iku nga Italia dhe i mbështetun tek Kleri Katolik Shqiptar e Ai Jezuit në Shkoder, mujti me u vendosë dhe me punue si fotograf në këte qytet, që ishte “syni i principatës”…
Asnjë nga “meritat’ e Klerit Katolik kjoftë Shqiptar apo i “huej” i vendosun që në She. XII në Shqipninë e Veriut, tue fillue nga shkollat Amtare e deri tek muzika, fotografia, muzeumet, sporti, stacioni meteorologjik, kinema, teatri, letersia ynë kombtare e Atdhetare, shtypshkronjat dhe librat apo të përditshmet që lulzuen në Shkoder, endè vazhdojnë mos me u zanë me gojë bashkë me gjenialitetet tona të papersëritshem…që, çdo veper të vet ua dedikuen Atdheut.
Fotografi Pietro Marubi (1834 – 1903) nuk ishte vetem mjeshter i fotografisë, po ishte artist dhe Mik i madh i yni, gja të cilen e verteton ndryshimi i Emnit në Gjuhë Shqipe: “Pjeter Marubi”.
Lidhja miqsore me familjen Shqiptare Kodheli, krijon mundsinë e trashigimit të profesionit dhe gjithë pasunisë së Pjeter Marubit, tek Mati Kodheli dhe trashigimtarët e Tij, të cilët, i trashiguen edhe emnin e Perjetshem të Tij, në “Studjo Marubi” Shkoder, deri tek i fundit Gegë Marubi.
“Studio Marubi” ishte çerdhe edukimi Atdhetar e Rinisë Shkodrane…
Shtëpia plot dritë e Atelies së Parë të fotografisë, shumë shpejtë kthehet në një nga çerdhet ma të besueshme të Atdhetarëve tanë, tue fillue nga Hamz Kazazi, Mati Logoreci, At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Frano Ndoja, At Shtjefen Gjeçovi, Don Ndre Mjedja, At Anton Xaxoni, Kolë Idromeno e deri tek “nxanësi” i talentuem Shan (Mark) Pici, mbasardhës i denjë i asaj Studjo, që u edukue me të gjitha tiparet e një artisti dhe mjeshtri të madh të fotografisë së natyrës Shqiptare, kostumeve tona kombtare nder Malet e Bjeshkëve të Nemuna, zakoneve dhe dokeve të Shqiptarit, e deri tek një nga skutat “antishqiptare” të Malit të Zi, në pallatin e Krajl Nikollës apo të Ahmet Zogollit, e ma vonë të Enver Hoxhës, SOT janë dokumentët dhe faktet e Pakundershtueshme të Historisë së Vertetë të Trojeve të Shqipnisë Etnike.
Në moshë fare të re, 11 vjeç e ma vonë, pata fatin me njohë brezin e talentuem të fotografëve të Shkodres nga Gegë Marubi, Shan Pici, Dedë Jakova, Pjeter Rraboshta, Angjelin Nenshati, Ndoc Kodheli, Luigjina Perdoda, Augustin Kiçi, etj., ma të rijë, per të cilët ruej kujtime të veçanta…
Nga viti 1970, mbas një vizite në shtëpinë e fotografit Shan Pici, me të cilin më lidhte një hallkë e vjeter nga paraardhësit tanë, me ftesen e Tij, kam shkue një javë në studio dhe kam pa ma shumë se 4000 filma të vegjel, nder zarfa të veçantë të kostumeve kombtare të Shkodres dhe të Malësive, të pejsazheve malore ku shenohej emni i vendit, naltësia dhe prej nga asht ba foto nga mjeshtri Shan Pici. Kur kam pa portretet e Burrave të Malësisë, të nuseve të atyne krahinave apo të stajanicave dhe fëmijëve me fëtyra të vranta nga vorfnia… jam mahnitë me arritjet “bardh’ e zi” të Atij Artisti aq të madh e aq të thjeshtë që kisha fatin me pasë perballë meje: Një gjeni!
Nuk dijshe me kuptue si ka mërrijtë me fotografue në fillim të shek. XX, vajza e nuse malësore, dhoma fjetje të atyne krahinave të mbylluna shekullore, gra që kanë lindë fëmijë dhe porsa kanë “hy nder uratë”, pra, mbas pak ditësh bajnë zakonin fetar dhe fillojnë daljen nga shtëpia, apo vargun e vajzave të bukura që shkojnë tek kroni me buljera… kur vetem me të shkue mendja me i folë rrugës të “ka krisë pushka mu në lule të ballit”, Artisti Shan Pici, i perjetson nder filma!
Pyeta mesen e Tij zj. Vera Zadrima (Kiçi), me të cilen kemi punue në fabriken e Pelhurave, dhe
Veronika, më ka shpjegue se shumë nga fotot e vështira të asaj kohë, madje, edhe të pamujtuna me u mendue me u ba atëherë, Shani i ka krye me anën e miqësisë që kishte formue me priftnit dhe mësuesit e atyne krahinave. Këta dy figura në fshat nderoheshin dhe respektohëshin pa u diskutue fjala e tyne. Ata i siguronin fshatarët se kjo foto nuk ka asnjë qëllim të keq dhe, se, Shani, asht nga ata burra të ndershëm që nuk e shpërdoron besimin e tyne.
Mbas marrjës së këtij thesari nga shteti komunist, Shanit i patne prishë edhe shtëpinë ku banonte, gjoja se i ra plani, kështu, Ai nuk bani ma ditë të mirë. Edhe ky ma shumë plasi, se vdiq!
Lexoj nder shumë shkrime sesi fotografët e Nderuem të Shkodres… Ua “dhuruen” të gjithë ato thesare të kulturës dhe artit që ishte mundi dhe djersa e Tyne shtetit komunist! Të shkruhej atëherë kur fshatarët hynin nder të famëshmet kooperativa bujqësore me “dëshiren” e tyne, edhe mund të pranohej, se nuk mund të thohej e shkruhej ndryshej… Po, me e thanë sot, nuk dij kush mund ta besojë! Një nga pinjollet e Familjes Gegë Marubit asht edhe zj. Tereza Marubi, që e ka tregue vetvetën me 2 Prill 1991. Ajo shpjegon: “Në vitin 1972 me një leter personale të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror Enver Hoxha, Gega ia dorëzon shtetit arkivin e gjithë Marubëve. “Ishte diçka që im atë e beri me dhimbje”… Besoj asht thanë gjithshka! Edhe kjo asht një e vertetë, që “shvlerson” thanjen se, “fotografët i dhuruen arkivat e Tyne shtetit”…
Pak ditë mbasi ia morën edhe fotografit Shan Pici arkivin e Tij, e takova në rrugë e me gjysëgoje i shpreha keqardhjen time per plaçkitjen… Jo, më tha, kanë ba shumë mirë që na hoqne nga shtëpia një telashe të madhe… Sa arrestohej një njeri, mbas dy orësh e shpesh edhe në mesnatë na trokiste dera. Ne ishim të parët që merrshim vesht çdo arrestim në Shkoder e Malësi. Vinin oficerët e sigurimit dhe na kerkonin fotot e tyne nder martesa apo raste të tjera, per me krijue lidhjet e të arrestuemit me miqtë dhe të njohunit e tyne nder foto. Të pakten, tashti flejmë rahat dhe nuk na troket dera ma naten nga ata që vetem mendojnë me ba keq, tash gati 30 vjetë…
***
Një kuriozitet…
Në vitin 1956 nuk ishe mirë me shëndet. Në vitin 1957 bana një foto per dokumentin e maturës. Shkova një ditë mbasdreke bashkë me vllaun e madh Alfonsin, tek studjo “Jakova”. Ai kishte bisedue perpara dhe caktue edhe oren kur do të shkonim. Porsa hyme mbrendë, aty ishte një nga mësuesit e mij të muzikës…në vitin 1951 në shkollen 7 vjeçare “Vasil Shanto”, kompozitori i madh Prenkë Jakova, vllau i fotografit Dedë Jakova. Prenka na ftoi mbrendë në studio dhe më vendosi perballë aparatit fotografik. Rregulloi dritat, pozicionin tim dhe mbas pak minutash Ai shkrepi aparatin… E persëriti edhe një tjeter per siguri, dhe na tregoi kur asht foto gati…
Kur dolëm jashtë me vllaun tim, Ai më shpjegoi se Kompozitori Prenkë Jakova, ishte nder ma të mirët mjeshtra të fotografisë në Shkoder dhe se, fotot ma të bukura në vitrinen e Foto Jakovës, i ka ba dhe retushue vetë Kompozitori Prenkë Jakova. Foto e ime siper asht ajo e vitit 1957…
Një kujtim nga një Burrë… nder ma të mëdhejtë Atdhetarë të Shqipnisë!
Vazhdon Pjesa e tretë…
Melbourne, 2014.
* Pjesa e II
ARDIAN KYCYKU “QYTETAR NDERI I POGRADECIT”
Nga Novruz Xh Shehu/
Në kuadrin e 45 vjetorit të lindjes, në Pogradec, në 23 gusht, nga Bashkia e atij qyteti, nën kujdesin personal te zotit Artan Shkëmbi, ju dorëzua titulli “Qytetar Nderi” shkrimtarit të shquar Ardian – Christian Kycyku.
Shkrues sa në gjuhën rumune, po aq në gjuhën shqipe (16 romane shqip e po aq rumanisht), botues i revistes letrare e kulturore Haemus, rektori i një prej universiteteve më prestigjioze të Bukureshtit, Ardiani është i njohur në jo vetëm në hartat rumanisht e shqipfolëse por, i përkthyer në 12 gjuhë, ai ka arritur të bëhet ndjeshëm i proferuar nga lexuesit elitar në tërë kontinentin europian.
Një nga arsyet e kthimit të vëmëndjes nga ky shkrimtar me talent të pazakontë, është fakti se ai po shkruan në një stil pothuaj krejt të ri, me të njëjtën përgjegjesi në shqip e rumanisht, duke vendosur në arkitekturën e veprave kulturën, historinë, frazeologjinë, psikologjinë e temperamentin e peroonazheve sipas vëndeve përkatës.Këtë nuk mund ta bëj vetëm thjesht një krijues pa qenë studjues e personalitet më horizont të gjerë kulturor.
Simbolika, esseja, filozofia, humori deri në ironi therëse, janë tipare dalluese të prozës së autorit.
Në Rumani është vlerësuar nga kritika, ndër tre shkrimtarët më të mirë të atij vendi, ndërsa në Shqipëri, në vitin 2013, u vlerësua nga Ministria e Kulturës me cmimin “Penda e argjendët”.
Salla në Bashkinë e Pogradecit ish tejet e mbushur me personalitete të letërsisë , artit, kulturës si dhe familjarët e autorit. Vajza e tij Julia është me talent mjaft premtues në prozë e në fotografinë artistike.U pritën me interes fjala e z.Raqi Margeri, Skender Demolli, Novruz Xh Shehu etj.Zoti Shehu e Ferdin Licaj erdhën posacërisht nga Tirana për këtë aktivitet.
Fotot e bëra tek Lasgush Poradeci e Mitrush Kuteli ishin jo vetëm thjesht një nderim ndaj këtyre personalitteve të shquar por edhe për faktin se i përkasin një pemeje të njëjtë gjenealogjike, me rrënjë qindra vjet më parë në Mokër.
MIJËRA LIBRA SHQIP DHURATË PËR PLAVË-GUCINË
Nisma e Qëndres Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë në Tiranë e presidentit të saj, historianit e koleksionistit, Shpëtim Sala/
Shkruan nga Plave- Guci: Ramiz LUSHAJ/
Një kërkesë vrellon nga Plavë-Gucia. Ing. Tahir Gjonbalaj, një nga personalitetet elitare të kësaj krahine etno-historike shqiptare në shekuj, sëbashku me disa shqiptarë atdhetar plavë-gucias, i përcjellin besimin e vet të plot’ e të sigurt Qëndres Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë (QMKSH) në Tiranë për t’iu dhuruar libra në gjuhën amtare shqipe për bibliotekën publike të komunës së Gucisë. Nuk është hera e parë që ndihet një mungesë e nevojë e tillë, pasi kanë fol shpesh gazeta dore, portale në internet, e së fundit, edhe një televizion kombëtar shqiptar i Tiranës në një emsion të tij për kit’ trevë. Edhe vet e kam ngrit’ si problematikë. Këto ditë i kam shetitë me sy e kamb’ krejt qytetet Guci e Plavë me rrethina e kurrkund nuk kam pa astenji libër të vetëm në shqip. Asnjë gazetë apo revistë në shqip. Aty, në disa kioska, i gjen vetëm në serbisht (apo: malazeze, si i thonë këndej) e në boshnjakisht… Edhe librat shkollor në shqip janë të pakët, të mangët, të diskutueshëm…për orët e tyre të mësimit edhe në shqip si në 9-vjeçaret e Gucisë e të Plavës apo filloret shqipe në disa fshatra të trevës. Nuk po hy’ me rrëfye për varfërinë e tejskashme në libra shqip të bibliotekave komunare publike në Guci e Plavë e në shkolla. Plavë-Gucia, ndryshe nga çdo krahinë tjetër kufitare me Shqipërinë ose Kosovën, për të blè një libër në shqip në qytetet ma të afërta si Pejë apo Gjakovë ose Shkodër e Lezhë, iu duhen tek e pakta 4 deri në 6 orë rrugë me shkue e po kaq me u kthye në vendlindje. Një fëmijë 12 vjeç në një shtëpi u zgjue syskuqur në mëngjes, pasi gjithë natën kishte lexue një libër timin për Kosovën, mjaft i vështirë për moshën e tij. Pra, dashuria për librin është shumë e madhe. Kjo gjendje e jashtëzakonshme për shqiptarët e ndërkombëtarët, pasi ka të bajnë me vet praktikat shovene të asimilimit të shqiptarëve etnikë, të cilët në komunën e re të Gucisë janë 41 për qind e popullsisë së saj, ndërsa në disa fshatra të mëdha me qindra banorë si në Vuthaj, Martinaj, etj. janë mbi 98 për qind. Kjo gjendje është e patolerueshme për vet shtetin e Malit të Zi që po don me hy’ në Europën euro-atlantike, ka statusin e vendit kandidat për në BE, po synon antarësimin në NATO, hiqen si “kampion të demokracisë” në Ballkan (!)
Krahina e Plavë-Gucisë është një luftëtare e madhe e kombit shqiptar, pasi Lufta e saj e Nokshiqit (1879-1880) ishte ma e madhërishme se e Termopileve, ishte Parathënia e Shpalljes së Pavarësisë së Pambyllun të Shqipërisë në Vlorën e 1912-tës të Ismail Qemalit. Plavë-Gucia është edhe e sakrifikuar për lirinë kombëtare deri në tragjedi që përbajnë genocid nga ma të mëdhenjt në botë, pasi në vitin 1913 Mbretëria e Malit të Zi të Krajl Nikollës i vrau 700 shqiptarë në varre masive.
Perandoria Otomane në krahinën e Plavë-Gucisë hapi shkollë serbe më 1868 dhe shkollë turke më 1878 po astenjiherë shkollë në gjuhën shqipe për shqiptarët etnikë. Vetëm Austro-Hungarezët në vitet e Luftës së Parë Botërore (“Koha e Nemces”) dhe italianët në vitet e Luftës së Dytë Botërore (“Koha e Shqypnisë”) hapën masivisht e cilësisht shkolla shqipe. Jugosllavia e Krajlëve, e Titos, e Millosheviçit e tashti Mali i Zi i Gjukanoviçit me shkollat shqipe kanë luajt lojë shovene “hap e mbyll”, etj. Sidoqoftë për aq kohë sa u hapën e mbyllen dhe aty ku u hapën e mbetën këto shkolla shqipe (apo paralele në shqip), prej atëherit e deri më sot, në rreth një shekull kohë, kanë luajt rolin e vet madhor e hyjnor për breznitë shqiptare të atyshme, të cilët u shkolluan për lart edhe në Prishtinë e Tiranë e ndokund tjetër. Nga krahina e Plavë-Gucisë, nga studimet me libra në gjuhën shqipe, kanë dalë fuqi intelektuale të kohës, të cilët janë të origjinës apo i kanë ende kulla e troje aty, si akademik Esad Mekuli – lind në qytetin e Plavës, kryetari i parë i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës; akademik Rexhep Qosja – lind në Vuthaj, ish drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës; akademik Jashar Rexhepagiq – lind në qytetin e Plavës, shkrimtar e studiues; akademik Rexhep Ferri, pedagog e piktor; prof. dr. Fehmi Agani, Ukshin Hoti, prof. dr. Isuf Dedushaj – lind në Vuthaj, ish ministër i Shëndetësisë i Kosovës; Hasan Mekuli – lind në Plavë, ish kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës; dr. Liri Berisha e Rexhep Ramës nga Martinajt – Zonja e Parë e Shqipërisë (1992=1997), autore libri mjekësor, etj.; Zuvdi Hoxhiq –Berisha, lind në Guci, poet e shkrimtar; Rexho Mulliq – lind në Guci, kompozitor; Mimoza Ahmeti – poete, etj.; studiues e botues të veprave për historinë e kulturën e krahinës si Rexhep Dedushaj, Hasan Gjonbalaj, Ismail Ahmetaj (në Tiranë, në Amerikë), Elmaz Plava, Binak Ulaj, Idriz Ulaj, Adem Dervish Çelaj, Ali M. Ahmeti; Alex Selimaj – mjeshtër i fotografisë artistike; Sadri Ahmeti – piktor e poet; Avdyl Dedushaj – aktor; piktorët Zake e Musë Prelvukaj; Gëzim Mekuli – publicist; Adem Haxhaj – përkthyes; Fortuna Balidemaj – Mehaj – poete; e dhjetra të tjerë.
Veçojmë edhe ing. Tahir Gjonbalaj, kryeorganizator, nismëtar e kryefjalë i veprimtarisë tradicionale plavë-guciase “Alpet Shqiptare – Vuthaj”, i katër sesioneve shkencore (me kumtime të akademikëve të Tiranës, Prishtinës, etj.) për Plavë-Gucinë, e kryenegociator i nismës ma të fundit për pasurimin e bibliotekës publike të Gucisë më libra shqip tue koordinue me Qendrën Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë (SHMKSH) në Tiranë, e cila ka për president historianin, koleksionistin e publicistin Shpëtim Sala, i dekoruar nga AFCES me çmimin “Frang Bardhi”, etj.
Shpëtim Sala është një “ambasador i kulturës shqiptare” në botë. Ai ka kryer veprimtari dinjitare, të shumta, të ndryshme: si ekspozita me koleksione relikore me libra të vjetër, flamuj, objekte, etj. si për Flamurin Kombëtar Shqiptar, për Skënderbeun, për shkollat shqipe, për ngjarje e figura historike, etj. E tillë ishte ekspozita në Budapest për 90 vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-Hugari, ekspozita në Trieste për shkollat e hapura nga italianët në Shqipëri. Veprimtari të kësaj natyre ka pasë edhe në Strugë (katër herë), Prizren (tre herë), Prishtinë e Ulqin (nga dy herë), Shkup (Maqedoni), Tuzi (Mali i Zi). Qendra (QMKSH) që e drejton prej një dekade ka një biografi të pasur pune, veprimtarie: mijëra koleksione të kontributeve shqiptare përgjatë historisë sonë kombëtare, dhjetra ekspozita (edhe në Tiranë, Vlorë, Korçë, Pogradec, etj) të ndjekura nga mijëra vizitorë; disa botime me interes shkencor, kanë hap’ librari të tyre në Tiranë, synojnë të çelin një muzeum etnografik kombëtar, etj.
Historiani Shpëtim Sala ka në CV e tij disa botime emblematike: vepra madhore shkencore “Fjalori italisht-greqisht-shqip i Thimi Mitkos” në dy vallime me 634 faqe (v. 2013); “Akti i Shpalljes së Pavarësisë Shqiptare” (Tiranë, 2006, 2011), “Shkollat shqipe në vitet 1878-1944” (Muzeu Historik Kombëtar. Tiranë, 2014), “Letra të panjohura të Fan Nolit 1906-1913” (Botimet Franceskane At Gjergj Fishta, Shkodër, 2008), “Një perandor në Prizren” (Botimet Franceskane, Shkodër, 2008), “Maximilian Lambertz – Raport mbi studimet e mia linguistike në Shqipëri nga mesi i majit deri në fund gushti 1916” (Përkthim nga gjermanishtja, botim i franceskanëve – Shkodër, 2011), “Pogradeci në Lëvizjen Kombëtare për Pavarësi” (QMKSH, 2011), “Këngë qytetare të kënduara në Shqipërinë e Mesme” (QMKSH, 2011), etj. Pesë veprat dorëshkrimore tejet të veçanta të historianit Shpëtim Sala kanë interes të jashtëzakonshëm kombëtar, si monografitë shkencore: “Kontribute të Shqiptaro-Amerikanëve në Çështjen Kombëtare Shqiptare” (mbi 500 faqe); “Klubet, shoqëritë, vëllazëritë, komitetet dhe lidhjet e krijuara jashtë Shqipërisë në vitet 1824-1912”; “Orkestrat frymore shqiptare 1878-1939”; “Shtypshkronjat, botuesit dhe libraritë shqiptare në vitet 1869-1944”, “Enciklopedi e fotografisë shqiptare shek. XIX-XX”.
Nisma ma e re, kjo e fundit për të dhuruar mijëra libra për Plavë-Gucinë, nuk është e para në veprimtarinë e historianit, koleksionistit, botuesit e publicistit Shpëtim Sala e Qëndres Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë në Tiranë. Vet, i përkushtuari misionar i Çështjes Kombëtare Shqiptare, Shpëtim Sala, ndër vite, ka dhuruar mbi 3.000 libra për biblioteka, shkolla e institucione të ndryshme në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, etj.
Kjo nismë atdhetare kulturore e arsimore e Shpëtim Salës e QMKSH në Tiranë ka marrë vlerësime nga tëgjitha trevat shqiptarë në Ballkan e në mërgatat shqiptare në botë. I ndjekim disa komente të këtyre ditëve në rrjetin social facebook. Veprimtari i dimensioneve kombëtare, Tahir Gjonbalaj, shpreh mirënjohjen e tij: “I faleminderojmë të gjithë ata si e kanë marrë shumë seriozisht kërksën tonë për pasurimin dhe rritjen e fondit të librave në gjuhën shqipe në krahinat e Plavës e të Gucisë”. Historiani e koleksionisti Jaho Brahaj, autor i monografisë shkencore “Flamuri i Kombit Shqiptar”, etj: vlerëson: Nismë dinjitoze dhe fisnike. Ilia Karanxha e cilëson: aksion atdhetar e patriotik. Poeti e shkrimtari Kristaq Shabani nga Gjirokastra, president i LNPSHA Pegasi – Albania, prononcohet: një akt i lartë për gjuhën shqipe.Poetët, shkrimtarët e studiuesit pegasianë do të sjellin një fond të konsiderueshëm me librat e tyre”. Naser Vuçetaj nga Zvicra i shpreh përgëzimet e tij.
Gjithandej vijën komente tejet vlerësuese për nismëtarin prijëtar, personalitetin e veprimtarive me vlera kombëtare, Shpëtim Salën. Nga Amerika, të dy sëbashku, Mchaell sala e Hektor Sala e mbështesin nismen dhe, përveç kësaj, Hektori shkruan i entuziasmuar në fb: “Ju lumtë Shpëtim. Me punën tuaj aq të dobishme ti po i vjen në ndihmë popullit shqiptar kudo që jetojnë.Ti po nderon familjen dhe të gjithë kombin shqiptar. Marr’ shkas të sqaroj se kjo nuk është rastësi po një ndjenjë patriotike që po e trashëgon nga paraardhësit e tij, të cilët në koëra kur kombi i ka thirrur kanë qënë të gatshëm t’i përgjigjen pa kursyer dhe jetën. Historia nuk flet vetëm për një rast, por për gjenerata të tëra…Na nderova të gjithëve si familje!”. Atdhetari e koleksionisti i njohur Shkëlqim Gjoçuka shkruan nga Italia: “Shpëtim e ka emrine shpëtim është”. Njëjtësisht, shprehet edhe atdhetari vuthjan, Shaqir Gjonbalaj në Nju Jork: “Emrin Shpëtim po e përdor në vepra. Zoti të bekoftë!’.
Nisma “Libra dhuratë për Plavë-Gucinë” ka marrë përkrahje të madhe, tepër entuziaste, ka veprime konkrete. Deri tani janë grumbullue e premtue mbi 2.000 copë libra. Poeti për fëmijë. Fran Ukcama në Fier, komenton në fb: “Zogjtë e shpirtit tim – librat, do të fluturojnë drejt Gucisë”.
Ndër përkrahësit e parë kontributor me libra veçojmë: Shpëtim Salën, Emona Metaliaj, Vasfi Baruti, Shkëlqim Gjoçuka, Kristaq Shabani, Nikollë Loka, Frederik Stamati, Lulzim Ferati, e dhjetra të tjerë.
Qëndra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë parashtron rregullat e saj përparësor për të gjithë dhuruesit: pranon libra në gjuhën shqipe, libra albanologjik, shkollor, artistik, shkencor, po jo libra politik e fetar. Librat e dhuruar do të dorëzohen të gjitha në librarinë publike në komunën e Gucisë e, prej aty, komisioni përkatës vendor (kopjet e dyta, treta, etj.) do t’i ndajë në bibliotekën tjetër të Plavës e në bibliotekat e shkollave në Guci e Plavë. Gjithçka konkrete: nismëtari institucional Shpëtim Sala ka vendos në fb adresën e komunikimit: Qendra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë. Rruga Don Boska. Nr. 29. Tiranë. Numri i telefonit celular: 068 21 88 499.
Në përmbyllje: kjo nismë, ky kontribut, që po jep Shpëtim Sala me Qëndren Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë, nuk e kanë dhanë as shteti i Malit të Zi –jo se jo, po as shtetet shqiptare në Tiranë e Prishtinë me institucionet e tyre të politikave të jashtme, kulturore e arsimore.
Puna e tyre ka një kryefjalë: Kombëtare. Nga të gjithë po burimon ma e para fjalë: Nderim! Nisma e tyre është ftesë-hapur për të gjithë e ka një objektiv të lartë: Mijëra libra shqip dhuratë për Plavë-Gucinë!
Plavë-Guci, 20 gusht 2014
Emërtimet gjeografike apo toponimet në Sanxhak
Mbështetur mbi faktorin kohë, historia e Ballkanit dhe e popujve autokton të tij: dardanëve, grekëve, ilirëve, trakasve dhe të etnive të tjera me të vogla të kohës së para invadimit të sllavëve në këtë hapësirë, nuk mund të jenë objekt trajtimi i sllavistikës./
Nga Ismet Azizi/
Në mënyrë që të ruhet trashëgimia e toponomastikës, të paktën pjesërisht, duhet shënuar dhe me kujdes të hulumtohet kjo çështje nga perspektiva të ndryshme shkencore. Me hulumtimin e toponimeve merren shkenca të ndryshme, sidomos linguistika, por edhe gjeografia, hartografia, historia, arkeologjia etj. Metodologjia e hulumtimeve shkencore të toponimeve më së miri e elaboron toponomastika, dega e linguistikës, në kuadër të onomastikës, disiplinë shkencore e cila merret me emrat. Studiuesit e toponomastikës japin njohuri themelore për zhvillimin e toponimeve, format e tyre gjuhësore, ndryshimet, dhe në përgjithësi të funksionit në gjuhë. Këto punime janë të pashmangshme, pa marrë parasysh se nga cili këndvështrim shqyrtohet kjo problematikë. Megjithatë, kur shqyrtohen emrat gjeografik në kontekstin hapësinor, sidomos kur përcaktojnë lidhjet e tyre me funksionet hapësinore, rëndësi të veçantë kanë hulumtimet gjeografike.
Gjeografët, bashkë me gjuhëtarët, janë të pashmangshëm gjatë standardizimit të emrave gjeografike në botimet e ndryshme dhe publikimet gjeografike-hartografike (p.sh.. Atlaset) si dhe në të gjitha tekstet tjera që përdoren emrat gjeografik. Kjo është një mënyrë e mundshme e afirmimit të gjeografëve dhe gjeografisë në shoqërinë tonë. Gjeografët duhet të ri pozicionohen në trajtimin e këtyre çështjeve në të cilat gjithnjë e më shumë, për fat të keq, shpesh ndërhyjnë hulumtuesit e disiplinave tjera. Kjo nuk do të thotë që gjeografët duhet të kenë ekskluzivitet por është i nevojshëm bashkëpunimi me disiplina të tjera shkencore në punën e përhershme ndërdisiplinore në standardizimin e emrave gjeografik të trojeve shqiptare.
Sanxhaku paraqet një krahinë të caktuar shoqërore-ekonomike dhe teritorialo-administrative. Në aspektin ushtarak emri “sanxhak” do të thotë flamur, që nënkupton përfshirjen e ushtrisë nën një flamur të caktuar. Emri sanxhak është me prejardhje turke (sancak) dhe fillimisht ka përfaqësuar flamurin, e që më vonë ka marrë kuptimin e krahinës të cilën sulltanët ua kanë dhënë nën administrim ushtarëve të vet, të cilët mandej e kanë ndarë administrimin në krahina më të vogla, duke marrë kuptimin e sanxhakut të sotëm. Territori i Ilirisë gjatë administrimit nga Perandoria Osmane, ka qenë e ndarë në disa vilajete. Sanxhaku i Jeni Pazarit i ka takuar vilajetit të Kosovës.
Kur është populluar Sanxhaku për herë të parë dhe nga kush, nuk dihet. Por, saktësisht dihet se ka qenë i populluar në kohën e neolitit. Për këtë ekzistojnë dëshmi të shumta të cilat ruhen në muzetë e ndryshme. Fragmentet e kulturës ilire-romake dëshmojnë se në epokën ilire dhe romake kjo krahinë ka qenë e populluar nga ilirët, gjegjësisht nga fisi Dardan.
Se Sanxhaku gjatë gjithë historisë ka qenë i banuar nga Ilirët, mandej nga shqiptarët, dëshmojnë të gjeturat në fshatin Pruzhanj ( Prush,-i, -it.) në Rrafshnaltën e Peshterit, ku arkeologët kanë zbuluar prushin (hirin) e trupave të të vdekurve të djegur. Këto të gjetura datojnë mijëra vjet para Krishtit që me siguri u përkasin ilirëve. Ky fakt dëshmon për autoktoninë dhe prejardhjen ilire të kësaj popullate
Sa i përket ekzistencës së Stari Rasit serb, për të cilën shkenca serbe pretendon se ishte selia dhe djepi i shtetit serb, në fakt ky vend është Arsa, kryeqyteti i vjetër i ilir dhe nuk ka lidhje me atë që pretendojnë serbët.
Para ardhjes së sllavëve këto vise kanë qenë të populluara nga ilirët. Për këtë fakt flasin hulumtimet e shumta arkeologjike: Në Pazarin e Ri, në vendin e tanishëm të kombinatit të Tekstilit “Rashka”, mandej të mbeturat nga ari dhe qelibari të gjetura para shumë viteve te Kisha e Petrovës. Kjo e fundit na jep njohuri për mundësinë e ekzistimit të një lidhjeje të fiseve ilire, selia e së cilës ka qenë në vendin e kishës së përmendur.
Mbështetur mbi faktorin kohë, historia e Ballkanit dhe e popujve autokton të tij: dardanëve, grekëve, ilirëve, thrakasve dhe të etnive të tjera me të vogla të kohës së para invadimit të sllavëve në këtë hapësirë, nuk mund të jenë objekt trajtimi i sllavistikës. Kohë më parë, albanologu i njohur Idriz Ajeti në një simpozium të mbajtur në Beograd, ka deklaruar se kjo gjë nuk është punë e sllavistikës (dijës filologjike mbi sllavët e mbi degëzimet e gjuhëve sllave) që të nxjerr përfundime së në cilat territore jetuan dhe u individualizuan gjuhët indoevropiane të atyre popujve para se ne këtë hapësirë të vinin sllavët.
Për gjendjen e gjetur nga sllavet dhe pasojat që i solli ardhja e tyre në gadishullin e Ballkanit shkroi edhe dijetari i merituar serb I. Popov.
Sllavët, sipas këtij studiuesi, kanë ardhur në Ballkan padyshim në shek. VI-të dhe që nga ajo kohë janë bërë popullatë e përhershme e Ballkanit.
Përhapja me force e serbëve, përkatësisht pushtimi i hapësirës etnolinguistike shqiptare të Dardanisë antike ne shek. XII nga serbet, mbështetet edhe nga historianët serbë të gjuhësisë. Kështu, dialektologu serb A. Beli konstatonte se zhvillimi i dialekteve të gjuhës serbe është i pandashëm nga procesi i kolonizimit serb të Shqipërisë së Epërme. Menjëherë pas pushtimit të Sanxhakut dhe Kosovës, gjegjësisht Shqipërisë së Epërme që u bë në vitin 1912, ai shkruante se “Drejtimin e kolonizimit serb mund ta karakterizojmë përgjithësisht sipas qendrave dhe selive të sundimtarëve serbë si para ashtu edhe pas Betejës së Kosovës. Këto qendra e seli, u shtrinë në shek. XIII në Ras i (Arsa parasllave, serbisht: Raška- afër Novi Pazarit). Prej këndej depërtoi pastaj në shek. XIV, gjatë kohës së sundimit të Dushanit, në drejtim të Prizrenit e të Shkupit. Në mbështetje të gjithë kësaj mund të thuhet se gjuha e shtetit të vjetër serb e kishte për qendër Rashkën” .
Mbi bazën e gjendjes së hidronimisë së sistemit të lumit Kollubara ( kuptimi i kryehershëm ilir i emrit të lumit Kolubara, sipas I. Duridanov, është “lum i zi, i erret”) dhe lumenjve tjerë në jug të Savës dhe Danubit, dijetari bullgar Ivan Duridanov nxjerr tri përfundime:
1. Popullata më e vjetër e kësaj hapësire ishte popullata ilire
2. Në kohen e dyndjes sllave në tokat në jug te Danubit dhe Savës, për afërsisht nga fundi i shek. VI, popullata ilire i ishte nënshtruar një procesi intensiv te romanizimit, rrethanë kjo që mund të dëshmohet mbi bazën e trajtës romane Kolumbar (i) a të emrit të lumit kryesor Kollubara të këtij regjioni.
3. Kur sllavët (serbët) u benë banorë vendas të regjionit të Kollubarës, i morën pjesërisht emrat ilire të lumenjve dhe pjesërisht krijuan trajta sllave të tyre. Rrethanat në të cilat u ruajtën emrat ilire të lumenjve mund të shpjegohet si rezultat i një bashkëjetese paqësore të sllavëve me ilirët e romanizuar, të cilët u bashkëshkrinë në këta të fundit, përkatësisht në sllavë.
Pazai i Ri , Jenji Pazar, Novi Pazar, Tregu i Ri, Pazar, Pazari, Tregu, Trgovi, Trgovište, është vendbanimi më i rëndësishëm i Sanxhakut. Rrënjët i ka në Arsa, qytetin Ilir. Rrëzë këtij qyteti është zhvilliur tregtia dhe ky lokalitet ka marrë emrin në shumë gjuhë si; Bazar, Pazari, Tregu, Trgovi, Trgovište. Themelet e qytetit të sotshëm i ka vu Isa Beg Isaku. Pasi pushtoi këto treva e themeloi qytetin dhe e quajti Jenji Pazar. Shqiptarët e quajtën Pazari i Ri dhe Tregu i Ri kurse serbët Novi Pazar. Ky qytet që nga themelimi u shqua për tregti dhe vazhdoi të jetë deri më sot qytet i tregtisë.
Në lidhje me emrin e një nga vendbanimet më të vjetra,Tutin,ekzistojnë disa mendime-legjenda. Sipas një legjende thuhet se mbretëresha e fundit Ilire, Teuta, në kodrën pran vendbanimit të sotshëm ka pasur kështjellën e sajë, dhe se sipas sajë, vendbanimi e ka marrë emrin Tutin. Ndërsa një legjendë tjetër thotë se qyteti mori emrin e vet nga fjala sllave tutanj, që ka kuptimin e ushtimës, jehonës. Sipas kësaj legjende, e cila është shumë e vonshme, pra e shekullit XIX, kur Husein Gradaščević me ushtrinë e tij kishte kaluar këtej pari, rrugës për Kosovë, është dëgjuar ushtima e ushtrisë së tij.
Sjenica shtrihet në rrafshnaltë e Peshterit. Sipas etimologjisë popullore, si një vendbanim i një treve shumë të pasur me bar, i cili kositet tre herë në vit, dhe thahet e shndërrohet në sanë, për t’i ushqyer bagëtitë gjatë stinës së gjatë të dimrit. Ndërsa në etimologjinë serbe nga sěnь‘senka’-ka kuptimin e hijës .
Pruzhanj – Prush-i, vendbanim në Rrafshnaltën e Peshterit, arkeologët kanë zbuluar prushin (hirin) e trupave të vdekurve të djegur, që datojnë mijëra vjet para Krishtit, që me siguri u përkasin ilirëve. Ky fakt dëshmon autoktoninë dhe prejardhjen ilire të popullatës e cila jeton me shekuj në këtë hapësirë.
Tregovishta (Rozhaja e sotme), vendbanim i krijuar rrëzë një kalaje të dikurshme, i përmendur nga udhëpërshkruesi i njohur turk Evlija Çelebiu dhe gjeografi turk Mustafa haxhi Kalfa. Këtë emër Rozhaja e sotme e mbanë deri në Tregovishta (Rozhaja) të cilin e mër Rozhaja e sotme e mbanë deri në vitin 1912 kur okupohet nga Mali i Zi. Në fillim u quajt Rozanj, Rrozaj dhe së fundmi Rozhajë , serb. Rožaje.
Tregovishta (Rozhaja) si vendbanim është krijuar nga fisi Kuq (katër mëhallë të familjeve Fetahajt, Beqiragajt, Ganiqët, Kardoviqët, Colakovici i Hadzici) dhe Kelmendët ( dy mahallë, Zenelagajt dhe Kurtagajt). Objktet e vjetra kulturore në Rozhajë dallohen; vendbanimi ilir në kodrën e Brezës ( Brezojeviçëve), xhamia e Kurtagajve dhe kulla e Ganiçëve.
Lumi Ibër- serbisht: Ibar nga i Bard, në gjuhën shqipe: i bardhë, Lumi i Bardhë.
Lumi Lim- nga gjuha shqipe: Lum-i.
Lumi dhe liqeni Vapa- nga gjuha shqipe: Vapë, vapa-ë; në serbisht: umorina.
Peshter-Pesh- peshë; ter- terr (terrësi), ter – thatësi, etj.
- « Previous Page
- 1
- …
- 305
- 306
- 307
- 308
- 309
- …
- 544
- Next Page »