• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

CAKRANIT DUHET T`I KTHEHET IDENTITETI I HARRUAR

April 6, 2014 by dgreca

Një kujtesë për ministrin e kulturës, për institucionet që merren me trashëgimninë, por dhe për ata që dëshirojnë të ndihmojnë në zbulimet arkeologjike/

Nga Halil Bregasi/*

Nisur nga programi elektoral i PS si dhe porositë e vazhdueshme të Kryeministrit z. Edi Rama, për trashëgimin kulturore, fjalët e tij në Berat dhe në Grupin Parlamentar, kanë bërë dhe vazhdojnë të na zgjuajn edhe neve, jo vetëm mua, por shumë intelektual cakranjot, për të bërë diçka, që ato porosi e premtime, të gjejnë zbatim në zonën e Cakranit.

Zona e Cakranit ka peshën dhe vendin e vet në historinë e Mallakastrës, por dhe në atë të Shqipërisë. Është një zonë me popullsi të dëndur qysh në kohët më të lashta dhe vazhdon të jetë e tillë. Ka qenë dhe është zona lidhëse midis qyteteve të: Beratit, Tepelenës, Fierit dhe Vlorës. Si e tillë ka përjetuar pushtimet dhe luftrat më të egra të zhvilluara qysh në kohët e vjetra, por që i ka rezistuar vazhdimisht  zhdukjes dhe largimit nga vendbanimi. Ka merituar emrin “Zonë Martire”, ku gjurmët e këtyre pushtimeve, megjithëse të zhdukura, ekzistojnë dhe mund të shikohen edhe sot, sidomos për periudhat deri në mesjetë.

Cakrani i qytetërimeve të hershme, me një vazhdimësi jete për mbi 6000 vjeçare, sot nuk njihet si i tillë, as nga vendasit, e jo më nga institucionet shtetërore, pa diskutuar këtu për turistët vendas e të huaj.

Jo vetëm unë, por të gjithë intelektualët cakranjotë, do ndjeheshin mirë, në se do të njihej kjo histori e Cakranit, sepse, ajo tregon autoktoninë e banorëve të vjetër, të sotëm dhe atyre që do të vijnë, tregon etnitetin prehistorik të tyre.

Pse Cakrani sot, nuk njihet si vendi i kulturës neolitike, i periudhës paraurbane, apo i qytetërimeve në periudha të ndryshme të historisë? Kush pengon dhe si duhet rregulluar kjo “padrejtësi”? A mundet të ndryshoi kjo situatë? Këto dhe shumë pyetje të tilla dalin, por pyetja që nuk do ketë përgjigje është: kujt i intereson që kjo histori të mos njihet?

Kush është historia e periudhave të vjetra të Cakranit?

Për të qenë më i qartë për këtë problem, po përsërisë më poshtë, disa të dhëna mbi zbulimet arkeologjike të bëra në shekullin e kaluar, duke u përpjekur të sqarojë çfarë duhet bërë, sa më shpejtë, që të ndryshoi kjo situatë.

Zona e Cakranit, gjithmonë sipas meje, më duket se është nga të paktat zona në trojet shqiptare, ku jeta ka vazhduar pa ndërprerje, të paktën që nga periudha e neolitit e deri më sot dhe që mund të kishte një park arkeologjik të kompletuar, ku kushdo mund të gjente një histori lashtësie të mjaftueshme, aq sa duhej të ndjehej krenar që ishte bir i kësaj zone kaq të vjetër e të re. Në se do ishte ruajtur ashtu siç duhej, sot do kishim një park arkeologjik shumë të vizituar nga  turistë vendas e të huaj, nga i cili do të nxirreshin përfitime ekonomike të mjaftueshme për të përballuar nevojat për mirëmbajtjen e objekteve, por dhe  diçka do të tepronte. Po saktësoi disa të dhëna sipas periudhave:

   I. – Periudha historike e neolitit:

Në vitet 1969 – 1970 u ndërmorën kërkime në vendbanimin e Cakranit, i cili është i pari stacion i neolitit të mesëm që zbulohet në territorin shqiptar.

Në Thikëz u zbuluan dy horizonte banesash. Horizonti i parë është në thellësinë 2 – 2.20 m. Dyshemeja ka një sipërfaqe 21 m. katrorë e në mesin e saj ndodhet një vatër me sipërfaqe 2.5 m. katrorë Horizonti i dytë, banesa, u gjet në thellësinë 1.60 m, me sipërfaqe 24 m. katrorë, dyshemeja e bërë me argjil të ngjeshur e të pjekur. Në mes vatra prej 3 m. katrorë.

Banesa e parë në jep të drejtën të mendojmë se ajo ka qenë e futur e gjitha në tokë dhe çatia ka qenë mbi sipërfaqen e tokës. Me kalimin e kohës muret e banesave kanë

qenë pjesërisht të futura në tokë dhe pjesërisht mbi sipërfaqen e tokës, siç është horizonti i dytë.

Veglat e punës

Në vendbanimin e Cakranit veglat fillestare të hershme të punës janë bërë prej guri, kocke, briri. Veglat prej stralli janë përfaqësuar me shumicë, pas tyre vijnë ato prej guri e më pak ato prej kocke e briri.

Në veglat e gjetura ka thika, shpuese, kruese, maja shigjetash të formave e madhësive të ndryshme.

Qeramika

Në përcaktimin e tipareve të kulturës në vendbanimin prehistorik të Cakranit, interes të madh paraqet qeramika, e cila përbën pjesën më të madhe dhe më të larmishme të kulturës materiale. Punimi duket që është bërë i tëri me dorë. Dallohen dhe mund të rindërtohen këto tipa enësh:

– Kupat. Që paraqiten në shumë variante dhe kanë patur përdorim të gjerë. Ato nuk janë shumë të thella, ndryshojnë midis tyre nga përmasat. Diametri i tyre lëviz nga 14 cm deri në 28 cm.

– Tasat, që hasen në dy variante. Tasa të thellë me trung konik, me diametër 14 – 19 cm, si dhe tasa të thellë me parete gjysmësferikë nga brenda. Këto forma ngjajnë me ato të Dalmacisë e të Etalesë në Greqi.Janë gjetur dhe disa enë të tjera, prej të cilave disa me vegje.

  Zbukurimet

Në qeramikën e Cakranit ka disa lloje zbukurimesh. Çdo lloj zbukurimi i hasur në enët e gjetura përbën tipar dallues të kulturës neolitike të Cakranit.

Në zbukurimet duhen përmendur dhe disa sende të bëra prej kocke e guacke, që janë përdorur si stoli, ndoshta tek gratë. Është një unazë prej kocke, një guackë e shpuar që të varet dhe më i bukuri një peshk, bishti i të cilit është modeluar shumë mirë.

Interesante është që me thika prej stralli, njeriu (artist) i asaj kohe, të arrijë të bëjë gjëra të tilla.

Po ku janë vallë këto zbukurime? A i dinë vendasit këto pasuri të tyre? A e njohin nxënësit e shkollave të zonës këtë histori të lashtësisë?.

Në Cakran sot nuk ka një muzeum, ku mund e duhej të ishin paraqitur këto vlera e shumë të tjera që do i themi më posht, apo që nuk do arrijmë t’i përmendim  këtu. Kishte dikur një muzeum, ndoshta i politizuar, por që  mund të përshtatej me kohën dhe të ekspozoheshin pasuritë materiale të zbulimeve arkeologjike të kryera e që po kryhen. Në vendbanimin e neolitit të mesëm, siç thotë Prof. Dr. Muzafer Korkuti në raportin e mbajtur në Konferencën e 2 arkeologjike shqiptare, u mblodhën 12 mijë copa qeramike, mbi 500 kocka që vërtetonin ekzistencën e kafshëve shtëpijake. Nga këto, mjaftonin 12 apo 14 copa qeramike, nga dy për çdo lloj zbukurimi, që të ekspozoheshin për t’i parë njerëzit. Por jo vetëm kaq. Ato dy horizonte banesash, (dy gropa), mund të ruheshin ashtu siç ishin të zbuluara nga arkeologët, të cilët u lodhën me muaj duke punuar nën diellin përvëlues të asaj toke të zezë, por arritën ti gjejnë themelet e autoktonisë së banorëve të kësaj zone, dhe sot të vizitoheshin, të paktën nga nxënësit e shkollave, pse jo dhe nga turistët që do të vijnë patjetër.

II -Periudha historike e bronxit:

Edhe në këtë periudhë historike, në zonën e Cakranit ka patur jetë. Dëshmi e saj, janë gjetjet e objekteve prej bronxi dhe dëshmive të tjera. Kështu në “Thikëz”, pra ne vendbanimin e neolitit të mesëm, janë gjetur thika prej bronxi, gjë që është një tregues i vazhdimsisë së jetën në atë vendbanim. Të kësaj periudhe janë edhe tumat (varrezat tumulare) si ajo e Gorishovës, shumë e dëmtuar kjo, tek çezma e korombretit në fushë, dhe ajo e Patosit, ku janë gjetur 76 varre, 62 prej të cilëve i takojnë periudhës së bronxit të vonë e të tjerët të më vonshëm.Por gjetja më interesante e kësaj periudhe është shpata dhe heshta prej bronxi. Ato u gjetën rastësisht, duke hapur një gropë për vendosjen e një shtylle elektrike, në lagjen Dalipaj të fshatit Varibop. Shpata e dëmtuar në majë, ku i mungon një pjesë, është ruajtur në gjatësinë 84 cm., është me dorezë në forëm briri, ose në trajtë kryqi, me gjatësi 9 cm e të gjerë 2 cm. Doreza dhe kurrizi që përshkon fletën janë ruajtur shumë mirë, kurse fleta ka vende të dëmtuara. Kurrizi i fletës është zbukuruar me tre vija të holla që e përshkojnë atë në tërë gjatësinë. Sipas përcaktimit të arkeologëve ajo është e tipit mikenase dhe i takon periudhës së bronxit të vonë, shek XII para Krishtit. Maja e heshtës, është e tipit fletëgjerë me tun prizmatik tetëfaqësh. Fleta ruhet në gjatësinë 8.2 cm dhe e gjerë 6.2 cm. Megjithëse armë prej bronxi janë gjetur në fshatrat e Lushnjes, Vlorës, Elbasanit, Gjirokastrës, por maja e heshtës së Varibopit përbën një variant të ri.

III.- Periudhat e mëvonshme

Në fshatin Cakran, janë edhe dy vendbanime ilire, por që sot për sot nuk vizitohen nga askush, pavarësisht të dhënave shumë të vlefshme që ato paraqesin për historinë e kësaj zone.

I pari është vendbanimi paraurban i Qytezës, në Mashkiezë. Siç duket dhe në foton që paraqesim, është një kodër në faqe të malit të Cakranit, maja e së cilës ka qenë e rrethuar me mure guri, në një sipërfaqe rreth 0.3 ha, brenda së cilës ka patur banesa, por qyteza ka qenë e vendosur jashtë kalasë, në pjerrësinë e kodrës, ku janë zbuluar banesa të vendosura në tarraca të hapura posaçërisht, deri në pjerrësinë 50 gradë.

Vendbanimi i rrethuar me mure guri, paraqet interes për faktin se aty, në fushën e ndërtimit, kemi tre periudha ndërtimore: periudha arkaike, ajo helenistike dhe periudha mesjetare. Është kjo një dëshmi e ekzistencës për një periudhë shumë shekullore të këtij vendbanimi. Po në fushën e ndërtimit, është si e veçantë edhe ndryshimi që ka ndodhur në zhvillimin e fortifikimeve ilire duke u shkëputur nga format planimetrike të ndërtimit dhe duke shkuar drejt zbatimit të  forma gjeometrike në planimetri, sidomos të kthesave me kënd të drejtë etj. Arkeologët që kanë punuar për zbulimin e këtij vendbanimi gjatë viteve 1970 e më vonë, kanë saktësuar se një trakt i murit rrethues në anën perëndimore të tij, me një gjatësi 57 m. e gjerësi mbi dy metra, është ndërtuar në shek.VII para Krishtit  Në vazhdim të tij, është muri me gjerësi rreth 1.80 m, që ka teknik ndërtimi më të përparuar dhe është klasifikuar si i shekujve V –II para erës së re. Ndërsa gjëndet aty edhe një pjesë muri e ndërtuar me gurë të vegjël e me llaç, që i takon periudhës së Mesjetës.

Qeramika e fazës protoqytetare e këtij vendbanimi zhvillohet në tre faza (nivele), që përkojnë me periudhat e ndërtimit.

Në qytezë u gjetën monedha e sasi të mëdha drithërash e frutash të karbonizuara që vërtetojnë ekzistencën dhe zhvillimin e kësaj qendre deri në mesjetë, në shek. XIII – XIV, kur mendohet se mund të jetë shkatërruar. Monedhat e gjetura janë prej argjendi, të prera nga Duka i Athinës, Gijom I Rosh, gjatë viteve 1280 – 1287, i Akesë në vitet 1297 – 1301 dhe i Bohemundit VII të Antiokisë gjatë sundimit të tij në kontenë e Triportit në vitet 1274 – 1287.

Ky vendbanim mendohet se mund të jetë shkatërruar në gjysmën e parë të shek. II p.e.r., që lidhet me luftrat iliro – romake. Në mesjetë ka gjallëruar përsëri, apo ka patur një zhvillim te tillë që është bërë e njohur dhe jashtë zonës së krahinës duke patur lidhje deri në Athinë. Kështu del se ky vendbanim ka qenë një qendër e madhe tregëtare e shkëmbimi.

Sot ky vendbanim i rëndësishëm po shkon drejt zhdukjes, si pasojë e indiferencës së pushtetit vendor të Cakranit. Muret prej guri janë dëmtuar duke u marrë për thermelet ose muret e shtëpive që ndërtohen. Vendbanimi ka patur një hyrje nga ana veriore, por që nuk duket, mbasi është mbuluar nga ferrat e shkurret e tjera. Dikur ishte vend pelegrinazhi për nxënësit e shkollës së Cakranit, por që mund të frekuentohej dhe nga nxënësit e shkollave të zonës.

Në vazhdim të jetës qytetare në Cakran, është qyteti në faqen e malit në lartësitë deri 520 m., ku mendohet se ka ekzistuar një qytet i rëndësishëm. Të dhënat e para për ekzistencën e tij i dha arkeologu austriak Camillo Praschniker, gjatë pushtimit austrohungarez të zonës në vitet 1915 – 1918. Më vonë, janë bërë ekspedita informative aty dhe ka të dhëna të bollshme që vërtetojnë ekzistencën e qytetit, por, për mungesë infrastrukture, gërmimet aty nuk filluan kurrë në shkallë të gjerë. Megjithse, në kohën e lulëzimit të kooperativës bujqësore të Cakranit, deri afër e përbri këtij qyteti, u arrit të bëhej një rrugë për qerret e tërhequra nga qetë, ku u zbulua dhe u mblodh një thesar monedhash deri mbi 3 mijë copë, por askush nuk mendoi që kjo rrugë të rregullohej që aty të shkonin mjete si makinat. Në vitin 2009, u ndërmorrë një iniciativë nga Instituti i Arkeologjisë Tiranë, me temën: “Rikthim në Gurëzezë”, dhe u bisedua për hapjen e rrugës automobilistike, përsëri, nga pushteti vendor nuk u realizua bërja e rrugës. Më në fund, erdhi një kryetar komune, djalë i Cakranit dhe arriti ta hapë rrugën për të shkuar deri në majë të malit të Cakranit, Vladimir Korçari quhet, dhe kjo qe si një frymëmarrje lehtësuese për arkeologët e studjuesit, por vetëm kaq. Është një rrugë që mund të shfrytëzohet vetëm në verë. U bënë disa gërmime gjatë një viti, dhe për mungesë fondesh nuk vazhdoi puna.  Qyteti është emërtuar “Gurëzezë”, mbasi në atë faqe mali, janë dy gur të mëdhenj që dalin si gjokset e një nëne e që janë formuar nga rërat bituminoze, pra janë të zes. Në fakt emri i qytetit nuk dihet.

Qysh nga zbulimet e para e deri më sot, atje dihen se ka patur rreth 20 furra qeramike e tjegullash, që sipas arkeologëve datojnë në shekujt IV – II p.e.r., ashtu siç dihet për ekzistencën e një bazilike, që u hulumtua në vitin 2010 dhe disa stera uji.

Është një qytet që në kulmin e zhvillimit të tij, ka qenë rrethuar me një mur 2100 m gjatësi e sipërfaqe rreth 23 ha. Mendohet se ka qenë rezidenca e mbretit Monun që sundoi  tokat nga Drini në Vjosë në vitet 280 – 290 p.e.r., një thesar monedhash me prerje të këtij mbreti janë gjetur në fshatin Kreshpan, bri fshatit Cakran

Zbulimi i këtij qyteti ka rëndësi edhe për faktin se, në këtë zonë kërkohen qyetet Bragul, Eugen, Domastion, të cilët lidhen me historinë e lashtë të ilirëve, por dhe ekzistencën e qytetërimeve para helene, gjatë kësaj periudhe deri në mesjetë. Këto qytete kanë qenë të lidhura me Bylisin, Apoloninë, por dhe me qytetërime të largëta deri në Athinë, Korinth etje. Me këto zbulime vërtetohet autoktonia e banorëve të kësaj zone dhe nuk u lihet shteg fjalëve për ekzistencën e popujve me kombësi të tjera të ardhur deri këtu.

Thirrje u bëjë edhe institucioneve përgjegjëse si dhe intelektualëve cakranjot, për të ndërmarrë hapat e duhura që aty të punohet për zbulimin e kësaj kulture historike. Por mbi të gjithë këta që përmenda, përgjegjësia duhet kërkuar tek institucioni kryesorë, që duhet të koordinojnë punën dhe fondet e duhura për këtë problem shumë të rëndësishëm për ne e për historinë tonë.

Normalisht shtrohet pyetja: sa lekë duhen që atje të vazhdojnë gërmimet e zbulimet? Unë nuk jam kopetent për këtë, por nga bisedat private të bëra me arkeologë shifra të habit! Le të merren specialistët me llogaritjet, por meqënëse afron përpilimi i buxhetit për vitin e ardhshëm, mendoj se diçka duhet parashikuar edhe për Cakranin. Me aq sa di unë, shuma nuk duhet të jetë e madhe.

Sa më shumë aq më mirë, por jo më pakë se 500 mijë lekë në vit deri një milionë lekë, në mënyrë që të punoj një grup i kompletuar gjatë periudhës së verës, ndoshta edhe po kaq për restaurimin e dëmtimeve, sidomos në Qyterzë.

A nuk është habi të thuhet se kaq lekë nuk gjënden nga Ministria e Kulturës, apo nga Akademia e Shkencave dhe institucione të tjera që merren me trashëgiminë.?

Po kështu edhe për ndërtimin e një muzeumi fillestar. Them fillestar, sepse ai mund të zgjerohet, zmadhohet, pasurohet, në të ardhmen, në vartësi të nevojave, por edhe fondet do të jenë më të mundëshme.

Rëndësi duhet t`i kushtohet dhe rregullimit të asaj rruge që të shpie në Gurëzezë. Ajo duhe zgjeruar, shtruar me çakëll, mundësisht dhe me rërë bituminoze

Këto fonde  mund të jepen nga Komuna, nga qendra arkeologjhike e Fierit, apo nga MK, ndoshta dhe nga donatorë privatë, por këto burime duhet që të jenë në qendër të vëmendjes së atij që është përfaqësues i popullit aty, i cili duhet t`i gjej e t`i ndjekë deri në harxhimin e tyre vetëm për destinacionin e caktuar, e jo të vidhen andej-këtej.

I bindur që diçka do të bëhet e do të gjëndet zgjidhja e duhur, shpreh respektin e konsideratat e mia maksimale, për të gjithë ata që do ndihmojnë në zgjidhjen e këtij problemi.

* Halil Bregasi/Redaktor i Revistës “Cakrani”

 

Filed Under: Kulture Tagged With: CAKRANIT DUHET T`I KTHEHET IDENTITETI, Halil Bregasi, I HARRUAR

ATA QË FITUAN BETEJËN

April 5, 2014 by dgreca

Vështrim libri: “Gjaku i Lirisë” të prof.Bajram Kurti/

  Shkruan: Avdi Ibrahimi/

Luftëratt e popullit tonë për liri e ribashkim kombëtarë ishin të rrepta e të përgjakshme, pasi që lufta, veprimtaria, qëndresa e heroizmi, kishin të bënin me palën kundërshtare me forca të mëdha e të stërvitura ushtarakisht me një arsenal armësh të lojlojta. E në rrjedhën e këtyre sakrificave heronjtë e ditëve tona luajtën një rol shumë aktiv për t,i treguar popullit tone të robëruar shtigjet më të përshtatshme kah çlirimi e bashkimi kombëtar.Të tilla ishin edhe ngjarjet e viteve 1981-1995, të cilat lane gjurmë aq të thella të masata e gjëra popullore, te të cilat ngjallën një interes për jetën shoqërore të përbashkët në hapsirën mbarëshqiptare.Disa tabllo të këtyre ngjarjeve në vëllimin e pare të librit “Gjaku i Lirisë” na i sjell penda e shkëlqyer e prof. Bajram Kurtit, tabllo ngjarjësh këto që pasqyrojnë bindshëm, virtytin, moralin, beesën e heroizmin e heronjëve dhe heroinave tona, në të bëmat e të cilave, populli ynë liridashës e pa vetveten në fuqin e pashterruar popullore për t,u bërë ballë pushtuesve. Sa prej këtyre heronjëve e heroinave u përballuan turturave më të tmerrshme e mëçnjerëzore të famkeqës UDB që ushtruan në trupat e këtyre trimave të qëndrueshëm, si: Rexhep Mala,Zija Shemsiu, dhe plotë të tjerë… Ata ishin personalitete të formuara, guximtarë të pashoqë, tolerues kundrejt gabimeve brendapërbrenda shoqërore, këshillues të mire ndaj shokëve guximtarë, sepse çdo vepër e mire duhet të ketë edhe përfundimin e mire e frytëdhënës në dobi të kauzës kombëtare.

Nuhi, Berisha, Afrim Zhitia, Fadil Vata, tre vëllezërit Badallaj, Naser Hajrizi, Sami rama, Mentor Tolaj, Sherif Frangu e ndonjë tjetër të këtij libri të prof. Bajram Kurtit… simbolizojnë tipin e të riut guximtar. Ndonëse fare të rinj i rrëmbeu shkëndijë e lirisë, duke krijuar kështu pavdekësinë në këtë moshë fare të re treguan zjarrin luftarak dhe fuqinë rinore të përfaqësuesve të tyre…Motrat, vëllezërit, prindërit e nënat shqiptare si përherë qëndruan stoike.

Edhe pse në vëllimin e pare të librit “Gjaku i Lirisë” të prof. Kurtit, nuk bëhet fjalë për nënë Ajshen, e cila është shembulli i gjallë për të gjitha nënat, ajo edhe pse e moshuar është një figure përplot autoritet si për vetë bijtë e saj ashtu edhe për rrethin më të gjërë. Me mençurinë e urtësinë, ajo ia del në krye ta jetësojë amanetin e dhënë Jusufit se do të tymojë oxhaku i vëllezërve Gërvalla në Dubovik. Se zemra e kësaj nëne ka një eksperiencë të madhe jetësore e qëndrese. Nëna të tilla rriti vetëm nëna SHQIPËRI.

Në Ballkanin e trazuar, pikërisht në trojet shqiptare zhvillohen ngjarje të mëdha. E pushka gjithnjë ishte mjet kushtrimi për të qëruar hesapet me zaptuesit barbarë.

Në këto përleshje me armiqtë e shumtë të popullit shqiptar, do të triumfojë e drejta për liri. Natyrisht që do të pësojnë forcat e errata reaksionare e kolaboracioniste, sepse, “Zullumi këputët  prej së trashi” thotë urtia popullore. Se forca e vërtetë nuk qëndron tek armët e soldateskës serbe, e as të shqipfolësit koleboracionistë, porn ë popull në masat e gjëra. Vetëm në këto masa duhet besuar fuqishëm, sepse këto janë forca të pamposhtuar dhe të pavdekshme siç janë heronjtë e heroinat nga”Gjaki i Lirisë” që më zërin e tyre na porositin se i pari  është Mëmëdheu. Partitë, shoqatat mund të veprojnë mire vetëm në Atdheun e lire.

Stoicizmi krenaria dhe mospërkulja e këtyre figurave të shndritshme të bënë për vete. Pikërisht te kjo qëndresë e ka burimin, ai himn për liri, që tingëllon e ushëton në vëllimin e pare të librit “Gjaku i Lirisë” është gjaku që kurrë nuk harrohet e nuk falet.

P.S. Botuar në Gazeta e pavarur “Fjala Jonë” Dhjetor 1996.Nr.15-96. Shpresoj se nuk e ka humbur ende aktualitetin ky shkrim, pasi prof.Bajram Kurti, ka ndërruar jetë vite më pare duke na lënë një thesar të çmuar të librit “Gjaku i Lirisë” I-XVI, vëllime, e disa libra tjerë monografik që përbëjnë, mijëra faqe libri. Poashtu vite më pare ka ndërruar jetë edhe Nëna jonë shqiptare Ajshe Gërvalla. Pushofshin në amshim prof. Bajrami dhe nëna Ajshe!

Foto: Libri i Prof. Bajram Kurtit “Gjaku i Lirisë”

Filed Under: Kulture Tagged With: ATA QË FITUAN BETEJËN, Avdi Ibrahimi

KOZETA ZAVALANI: ME VEPRIMTARI E BOTIME, SI NJË FUSHË ME LULE SHUMËNGJYRËSHE…

April 5, 2014 by dgreca

Nga Prof. Murat Gecaj/ 1.Jemi njohur bashkë mjaft vite më parë dhe asnjëherë nuk kam shkruar për ty. Ndoshta, kur e ke një person afër, sikur nuk  e “sheh“ atë, pra vëmendjen e drejton diku më larg. E them këtë gjë, pasi kam shkruar për disa kolege e mike të përbashkëta, ndërsa për ty jo?! Pra, me këtë rast, po kërkoj edhe njëfarë ndjese…Që mos të zgjatem, a ma jep fjalën që, deri  sa ta përfundojmë këtë bisedë, nuk do të udhëtosh përsëri diku larg, deri në Azi ose Afrikë, siç po ndodh shpesh me ty, në vitet e fundit? (ha,ha) Duke i lënë shakatë, a mund të më flasësh, sigurisht shumë shkurt, për vizitat tua jashtë Shqipërisë dhe me çfarë qëllimi janë bërë ato?

-Fillimisht, ju falënderoj për bisedën së bashku, me një koleg e mik të hershëm, siç  jeni ju. Pa iu ndarë bashkudhëtareve të mia, leximit e krijimit, që më kanë ushqyen shpirtin, duke bërë njëkohësisht që jeta ime sociale të  zgjerojë hapësirat e mia, duke u pasuruar nëpër mrekullitë e botës, që kam pasur fatin t’i shoh, t’i prek e t’i ndjej. Qëllimi në këto udhëtime ka qenë gjithmonë marrja pjesë në veprimtari të rëndësishme ndërkombëtare, kushtuar letërsisë, gruas e paqes globale, në vende të tillë, si në Holandë, Itali, Amerikë, Poloni, Marrok, Norvegji, USA, Korenë e Jugut, Gjermani etj. Gjithashtu, kam kryer një sërë kualifikimesh pasuniversitare “Mbi menaxhimin e kohës”, nga Vrije University, në Amsterdam të Holandës. Doktoraturë e kam mbrojtur për “Burimet njerëzore dhe lidershipin”, në Institutin ISIDA, në Palermo të Italisë, ku jam laureuar me gradën shkencore “Doktore”.

2.Si kolegët e miqtë tu të shumtë, ndiej kanaqësi për arritjet tua në lëmin e publicistikës dhe të krijimtarisë letrare. Nga Interneti, kam një montazh kopertinash të disa librave tu, si një fushë me lule shumëngjyrëshe. Por ato nuk thonë gjithçka dhe kuptohet se mungon përmbajtja. Pra, cila është tematika kryesore e tyre?

-Krijimtarinë time e kam filluar qysh herët, me botimet e poezive në revistën e fëmijëve “Pionieri” dhe në gazetat “Zëri i Rinisë”, “Drita”, “Bashkimi”, ku jemi njohur së bashku  etj. Më tej,  kam vazhduar  bashkautore në librin me poezi, “Këngë të para”(Tiranë, 1976) dhe në vëllimet me tregime,  “Heronj të heshtur”, nr.2-4-6, (Tiranë, 1978). Ndërmjet  viteve 1997-2002, kam drejtuar botimin e gazetave periodike “Edhe Menaxhere” e “Zëri i Arbërit”. Në vitin 2000 e 2002, kam botuar librin “Gra që më kane frymëzuar”(nr.1 e 2), në gjuhën shqipe dhe në anglisht, “Vomen vho have inspired me”. Në vitin 2005, botova vëllimin “Halfvorld”, në anglisht dhe, në vitin 2007, vëllimin “Gjysmëbota”, në gjuhën shqipe. Këto botime janë me mbresa e intervista, marrw nga gra të suksesshme, tw vendit e botws. Përveç këtyre, kam redaktuar disa libra, si dhe buletinin “Të drejtat e Njeriut”, botuar nga QSHDNJ. Në vitin 2010, botova vëllimin poetik “Shtegtare-Migratory”, shqip e anglisht. Gjithashtu, jam bashkautore në antologjinë poetike “Nëna”, nga forumi “Pan Albanian Women Netvork”, si dhe në përmbledhjen “Tregime”, publikuar nga Shtëpia Botuese “ADA”, Tiranë. Në vitin 2012, botova vëllimin poetik “Porta e Shpirtit”, në disa gjuhë: shqip, anglisht, italisht, maqedonisht, turqisht, rumanisht e disa në gjuhën koreane. Më 8 mars 2014, ku keni qenë edhe ju, pra dhe në ditëlindjen time, në sallën “Tefta Tashko” të Ministrisë së Kulturës, përurova  romanin “Ankthi” dhe librin publicistik “Frymëmarrje femërore”, si edhe vllimin poetik “Women” në www.amazon.com. Kudo mbizotëron tema e gruas, vështirësitë e rritjes së saj, drejt përparimit e  suksesit.

3.Meqenëse edhe unë kam qenë në disa redaksi gazetash dhe përsëri vazhdoj të shkuaj artikuj publicistikë, mendoj se edhe lexuesit duan të dinë më shumë për revistën, që ti drejton, “Stina për ndyshim”…

-Ndryshimet demokratike sollën një stad të ri të botëkuptimeve dhe kërkesave të mia ndaj jetës. Vendosa të punoj për “Familja dhe Media – Fuqia për Ndryshim”, shoqatë e themeluar vitet e fundit, për të ndikuar në forcimin e pozicionit të familjes, nën parullën “Një familje e shëndetshme, për një shoqëri të shëndetshme”. Nën siglën e saj, drejtoj botimin e revistës “Stina për Ndryshim”. Ajo ka për kryefjalë të saj shembuj nga gra të forta e të emancipura, ato modele shpresëdhënëse, për të cilat ka nevojë shoqëria shqiptare. Kështu, duke ecur me vlerat thelbësore njerëzore, si etika dhe forca e karakterit, të rrënjosura fort në ndërgjegjen time nga prindërit e mi, u rrita jo vetëm profesionalisht, por edhe personalisht. Jam anëtare e Shoqatës së Gazetarëve Ndërkombëtarë Profesionistë dhe Rrjetit Botëror të Grave dhe aty përvojën time e kam ndarë me bashkëpuntoret e mia, në shoqatat: “FIDAPA”në Itali, “Women and Peace”, UNESCO në Greqi, “Dirigenteas” në Paris, WIN – Zvicër, “Women Abroad” Angli, Globevomen, CIPE, TIAV dhe VIPP në Uashington D.C. etj. Nga konferencat ndërkombëtare, kryesisht kushtuar grave, kam marrë frymëzim, për të propoganduar arritjet e individëve të suksesshëm, nga vendi e bota dhe për t’i bërë shembuj për shoqërinë shqiptare.

4.Më lart folëm për krijimtarinë letrare. Po planet e afërta dhe të largëta tua, për botimet, cilat janë?

-Meqenëse “Connect Us Communications Canada” me ka shpallur një ndër gratë e shquara në botë, “Women of the Vorld – 2007”, me titullin “Editore dhe nënë, rol model për gratë”, do ta vazhdoj punën time, jo vetëm për ta përligjur këtë titull, por edhe sepse e quaj veten me një mision të veçantë, pra e lindur në 8 mars, në Ditën Ndërkombëtare të Grave. Ndaj, do të vazhdoj të shkruaj e të botoj…Me plot iluzione, vizione, koncepte barazie dhe demokracie, do të vrapoj në realitetin “e çmendur” shqiptar. Përpiqem që të ngre diçka dhe disi, ia kam arrijtur. Nuk e di sa do t’i qëndrojë, kjo që po krijoj e ndërtoj, kohës së egër të pseudo-demokracisë. Gjithësesi,  shpresoj dhe jam gati t’i pranoj sfidat e realitetit “të egër” shqiptar.

5.Një pyetje e radhës, e cila mund të ishte e para: Cili është jetëshkrimi yt, i përmbledhur ose CV-ja, me termat e reja?

-Kam lindur në Korçën e bukur, qytetin e serenatave, ku edhe jam rritur me flladin e Moravës, duke lexuar shumë mes aromës së blirëve e jargavanëve. Leximi ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin tim të përgjithshëm, duke ma pasuruar shpirtin. Ndonëse më 1982 u diplomova në Fakultetin Ekonomik, të Universitetit të Tiranës, në vitin 1985 jam specializuar për gazetari dhe qysh atëhere puna ime u përqendrua në këtë fushë e në krijimtari. I përkas atij brezi që, për të vazhduar studimet e larta, duhet të deklaroje, “do të shërbej, ku të ketë nevojë Atdheu”. Kështu, siç duket, ai kishte nevojë që të bëhesha ekonomiste, por fatkeqsisht ose fatmirësisht, krijimtaria letrare-artistike më nxiti që ta shihja ekonomisten si një qënie “të infektuar”, brenda meje. Ndaj, të ardhmen e kam parë të lidhur me botën krijuese, artistike e shoqërore.

Pas punës në Televizionin Shqiptar dhe Radio-Tirana, periudhë e cila më rriti profesionalisht në fushën mediatike, kam dhënë ndihmesën time në disa televizione private dhe, së fundi, në një universitet privat. Njëkohësisht, mundohem t’u qendroj pranë, t’i ndihmoj dhe t’u fal sa më shumë dashuri, bashkëshortit tim mjek dhe djemve, Mendit, që u diplomua për arkitekturë dhe Mikelit, që studion për inxhinieri kompjuteri. Ndërkohë, vazhdoj të punoj intensivisht me organizatat ndërkombëtare të grave, duke e bërë sa më të njohur shoqërinë femërore shqiptare, kudo në botë.

6.Si kolegë të shtypit, a mos harruam ndonjë pyetje të rëndësishme? Nëqoftese jo, a dëshiron të shtosh ndonjë gjë tjetër, në fund të bisedës sonë?

-Po, dëshiroj të shtoj faktin që jeta, në njëfarë mënyre, ma ka shpërblyer mundin tim.  Jam zgjedhur “Ambasadore për Paqen”, nga Federata e Familjes për Paqen Universale, ku jam kryetare e Këshillit të Paqes për Tiranën, që nga viti 2011 e në vazhdim. Jam nderuar me Çmimin e dytë në “Takimin e Poeteshave Shqiptare”, në Vushtrri të Kosovës dhe me Çmimin e parë për cikël me poezi, nga Redaksia “Nositi”. Kam marrë Çmimin Special, në “Mbrëmjet e Poezisë së Ballkanit”, mbajtur në Korçë, në vitin 2010 e 2012. Në detyrën shoqërore, kryetare për Tiranën e Lidhjes Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pegasi”, jam vlerësuar me titullin e lartë, “Krijuese e Vitit” dhe  “Veprimtare e shquar e Shoqërisë Civile”. Në Kongresin e 22-të Botëror të Poetëve, në Larisa të Greqisë, kam marrë Çmimin “Demeter”, të Poezisë Olimp, shoqëruar me “Diplomë Nderi”, nga Festivali i Parë Mesdhetar i Poezisë dhe “Çertifikatën e Meritës”, në vitin 2011. Jam një prej poetëve pjesëmarrës në “Mbrëmjet e 50-ta të Poezisë”, në Strugë dhe poezitë e mia janë botuar në librin “Who is Who”, si dhe në “Poezi nga pesë kontinentet” – “Poetry from five continents” dhe në “Antologjinë Botërore të Poezisë”, për Kongresin e 22-të, në Larissa-Greqi, për Festivalin e 2-të Ndërkombëtar të Letërsisë, në Ordu të Turqisë dhe, më 2013, në Akaka të Turqisë. Në tetor 2013, jam nderuar me “Mirënjohje” në Manifestimin Tradicional Letrar, “Ora e Maleve”, në Rozhajë të Malit te Zi dhe tani, në mars 2014, në “Takimet Poetike të Karadakut”, në Kumanovë të Maqedonisë.  Po kështu, jap ndihmesën time me leksione të ndryshme, duke qenë antare e “World Poets Society” (V.P.S.), “Union of Poets” & “Writers e Poets of Human Rights” dhe “International Poets and Writers for Human Rights” (OIPWHR) etj.

Kërkoj ndjesë se, ndoshta, u zgjata me këto informacione vetjake!…

-Jo, përkundrazi, ishte kanaqësi dhe të falënderojmë përzemërsisht, Kozeta dhe të urojmë  gjitha të mirat, në jetën vetjake e familjare, me krijimtari të bollshme e cilësore, por  dhe në veprimtari shoqërore të pandërprera! Jemi të sigurtë që, si deri tani, përherë do të jesh e pranishme dhe aktive, si në pëurimin e librave tu dhe të kolegëve e miqëve tanë, si në poezi e prozë, në arte figurative etj. Pra, në takime dhe veprimtari të tjera, të bukura dhe sa më mbresëlënëse!

– Edhe unë, ju falënderoj përsëri dhe ju uroj shëndet e suksese, në krijimtarinë tuaj e kudo, në jetë!

Tiranë, mars 2014

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Bisede, me Kozeta Zavalani, Murat Gecaj

DAN GASHI: PIKTOR DHE POET SHQIPTAR NE MESIN E KRIJUSEVE GJERMAN!

April 5, 2014 by dgreca

Nga Asllan Dibrani/ Gjermani/

Te flasësh për njerëzit e artit kulturës dhe veprimtarisë gjithmonë njeriun ndien privilegje ,shpirtërore të publikimit mbi vlerat e tyre. Kjo që thamë lart është e dyfishtë kur shkruajmë për krijuesit jashtë atdheut.
Ta kujtojmë rëndësinë e rilindësve dhe veprimtarëve që s’pushuan kurrë deri sa realizuan
pavarësinë e Shqipërisë. Nga ata u dëgjuar zëri ,vaj kënga poezia ,por edhe kushtrimi për shtjen kombëtare…
Kur Shqipërinë e okupua me dhunë nga okupator të ndryshëm, por edhe Kosova
dhe trojet tjera që akoma janë një pjesë e trungut shqiptar nën sundimin e egër të grabitqarëve fqinjnë…
Rast të tillë kemi edhe Dan Gashin, piktor dhe poet kosovar,qe nga viti 1969 u largua nga vendlindja dhe jeton e vepron mbi katër dekada ne atdheun e ri në Gjermani.
Para se t ́largohet nga vendlindja për mallin dhe dashurin se kishte, shkruan këtë poezi poeti dhe piktori ynë z.Gashi:

LARGIMI NGA VENDLINDJA

Dielli mëngjesit sa kish lindur.
Mars. Pranvera kish filluar,
Në odë të kullës, sofra shtruar,
Kush s ́ afrohet si më parë,
Nënës i dridhen zemër e duar,
Baba ulur rrinë mënjanë,
Thith duhan e s ́thotë një fjalë.
Oxhaku i kullës nxirrte tym,
Mjegulla fushës që bërë jorgan
Heshtte Bali, qanushi im

Heshtnin muret e shtëpisë…
Në trojet të vjetra të Dardanisë.
Ujz, Gjakovë, Mars , 1969
Autori në   vendin e ri   në fillim qëndrimit larg atdheut filloj  mallin për atdheun me këto vargje:

MERGIMI
Shikoj rreth e rrotull,
Një dhomë të panjohur,
Një dritare e vogël
Dera karshi saj…
Pranë dritares zogjtë,
Këndojnë pa pushuar
Ciu ciu e ikin
Duke fluturuar.
Vallë a mos më njohin,
Se këtu jam i huaj…

Prill 1969

Përheq poezive, ai punoj me përkushtime edhe me
brushë peizazhe, portrete dhe artin modern,bukuritë e natyrës dhe vlerat nga atje ku kishte lindur në Ujz-Gjakove, Tek “Ura e Fshejte”,buze Drinit të bardhe, se udhëton e lidhe rrafshin e Dukagjinit dhe trojet e artit kombëtar e njerëzor…Qe Projektoi,lexoj,pikturoi në botën e vete…Me sy e dashuri në vegjëlinë e hershme…Danin e preken dallgët e kurbetit ndër gjeneratat e para tani mbi  katër dekada vepron e jeton në mërgim.

***
Dan Gashi lindi me 1947 në Ujz-Gjakovë. Pasi i kreu mësimet fillore dhe të mesmen në vendlindje, i detyruar nga kushtet e vështira ekonomike, në Mars të vitit 1969 emigron në Erlangen të Gjermanisë,Punoj fillimisht në Erba-Erlangen, dhe pastaj në ndërmarrjen botues, “Pestalozzi Verlag”, në Erlangen, gjë qe e afron më shumë me letërsinë dhe artin. Ndjek nga afër veprimtaritë e tyre, sidomos ato kulturore e sportive, dhe merr pjesë gjallërisht në to, duke krijuar miqësi edhe me shumë veprimtare te kulturës dhe artit gjerman. Me 1973 nis të merret seriozisht me pikturë dhe poezi. Dorëshkrimet e shumta që i ruan me kujdes, janë dëshmi  e gjallë e punës  krijese.
Po në atë vit vendoset ne Baden-Baden të Gjermanisë. Shkurt 1973, fillon punë në Daimler-Benz Getribe Werk Gaggenau. Gjatë viteve 70-80, aktivizohet edhe në grupe folklorike me karakter kombëtare, në disa qendra të Gjermanisë, Francës dhe Zvicrës. Në vitet, 80-90 i përkushtohet më shumë çështjes kombëtare,duke ndihmuar drejtpërsëdrejti në të mirën e Kosovës se okupuar  nga  terrori i egër serb.
Talentin e tij e zbuluan ujërat e Drinit  të Bardhë ,malet peizazhet ,  kullat po edhe figurat
kombëtare nga e cila vite mbas vitesh pa ju ndarë tani ma ka bërë emër edhe në Gjermani.
Preokupimet me artin ishin që nga fëmijëria nga të cilat ato qe mbeti pa i thëne atje nga koha e regjimit te egër jugosllavo-komunist, kundër artit shqiptar në Kosovë, Dani i përmblodhi në librat e tij po edhe në pikturë këtu në Gjermani. Bota e mërgimit, autorin e mundonte padrejtësia dhe  fjala e lire se ishte ne atë kohe e okupuar nga dhuna dhe terrori kundër njerëzimit…Në këtë shtegtime  jete,z. Gashi,punoj me përkushtime,me sport,art e kulturë dhe mblodhi shënime kujtimesh nga rruga jo e lehtë, për te dhe popullin qe ishte i okupuar me dhunë,  e ndiente edhe mungesën dhe lirinë e fjalës…
Artisti ynë Dan Gashi, pati fatin që të jetë qytetar i Baden-Baden të Gjermanisë, në Republikën e Baden-Württenbergut, që jeton,krijon dhe prezanton artin kombëtar e kulturor…Në një qytet të bukur-turistik. Qytet, se ka art,kulturë,tradite  dhe posedon universin tradicional…Qytet-Urlidhëse,se lidhe Francën e Gurmaninë,bashkon ekonominë evropiane,dashurin dhe paqen e artit universale…

Autori i përkushton   disa vargje si ma poshtë  këtij qyteti të bukur:

LULJA E BADEN-WÜRTTEMBERGUT

Baden-Baden, qytet i bukur,
Ngjyra-ngjyra sikur flutur.
Lumi “Rain” , uji mirësisë,
Në mes Francës e Gjermanisë.
Këtu afër Strasburgu,
Parlamenti Europian
Nuk ka më mur Berlini,
Që ndan vëllain me vëllanë.
Baden-Baden Lule në Baden-Württemberg.

Mbas mbarimit të luftës në Kosovë ai e vizitoj Kosovën po edhe Shqipërinë. Takimet me miq dhe krijues i sugjeruan që vargjet e veta t’i botoj në ndonjë përmbledhje,por edhe pikturat ti publikoj përmes ekspozitave sa ma parë .Kuraja dhe përkrahjen e përfituar autorin shpejt e gjet me botimin e përmbledhjes së librit nën titullin “Atje ku më njohin zogjtë” Shqip dhe Gjermanisht,ne çdo mes të hapur vihet një pikturë, ose një poezi.
Biseda jonë që patëm tek zoti D.Gashi, ai shprehet se në krijimtarinë e tij, vendlindja dhe natyra e origjinës janë motivet thelbësore që i derdh në pëlhurën ,pra në Ujz të Gjakovës, me çka e prek realitetin me një botën e  lirë, ligjore dhe demokratike, pra në Gjermaninë perëndimore, sepse thotë mu dha mundësia të shpreh atë që më tingëllonte në shpirt. Zoti Gashi lëne të kuptojmë se gërsheton poezinë mbi dashurinë dhe mallin për atdheun , por edhe me brushë peizazhin mbi bukuritë e natyrës dhe vlerat nga atje qe i shijoj me sy në vegjëlinë e hershme. .Përveçse merret me poezi e pikturë,Dani ushtroj suksesshëm edhe artin e sportit të karate-së, ku viteve të tetëdhjeta fiton shkallën e par:(Dan)Karate-Shotokan.dhe Maisterdiplom, Është fitues i disa çmimeve dhe i nderimeve të tjera.
D.Gashi është pjesëmarrës i mbi 60 Ekspozitave, nacionale dhe internacionale
në pikturë, si në Gjermani,Grancanaria-Spanjë, Kosovë, Shqipëri, Egjipt dhe Rusi…është anëtar i kryesisë së dy shoqatave të arteve në Gjermani.”ZEITKUNST” dhe “ARTIST FOR FREEDOM e.V.Gjermani…
Krijuesi me individualitet të spikatur, D.Gashi, krijoi një model të ri vjershërimi të pikturimit, në
modelin artistik të realizmit me mjeshtri, duke përbashkuar filozofinë krijuese popullore të traditës me atë moderne…Veprimtaria jetësore dhe krijimtaria e tij artistike na bëjnë të ndihemi me dinjitet përballë botës së civilizuar.
Dan Gashi në atileun e vet i stërmbushur me piktura të ndryshme të cilat shpesh e boshatis me ekspozimin e këtyre pikturave në pika të ndryshme !
Vizitën me këtë piktor dhe njeri të penës e përfunduam me një  përshtypje shumë të mirë artistike, nga e cila do të na mbetet për shumë kohë në  kujtesë takimi me një njeriun të kulturës artit dhe brushës nga e cila edhe ne e përgëzoj me suksese tjera në krijimtari.

Baden-Baden – Gjermani prill 2014

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: asllan dibrani, Dan Gashi, piktor, poet

Soprano Ermonela Jaho rrethohet me dashuri e vlerësim

April 5, 2014 by dgreca

“Nuk ka emocion më të madh dhe kënaqësi të jashtëzakonshme kur ndihesh e rrethuar me dashuri dhe vlerësim”, u shpreh të shtunen në mesditë , sopranoja e njohur Ermonela Jaho gjatë ceremonisë së nderimit me medalje nga Kryeministri Edi Rama.

Gjatë fjalës së saj sopranoja Ermonela Jaho theksoi se  falenderonte pjesëmarrësit dhe kryeministrin Rama.

“Doja të thoja se nuk ka emocion më të madh dhe kënaqësi të jashtëzakonshme, kur ndihesh e rrethuar me dashuri dhe vlerësim. Mendoj se vlerësimi për njëri- tjetrin është çelësi kryesor i suksesit të çdo lloj ndërmarrje. Këtë gjë provova me rolin tim në operën “Madame Butterfly” në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë”, tha sopranoja e cila  vite qe kendon  ne skenat më prestigjioze të botës me shumë sukses.

“Gjithmonë kemi menduar dhe këtu flas në emër të shumë artistëve me të cilët kam folur jashtë Shqipërisë, që e kemi vështirë të vlerësojmë e bashkëpunojmë me njëri tjetrin, por në momentin kur  i gjejmë çelësin zemrës, respektojmë, vlerësojmë bashkëpunojmë me njëri tjetrit.  Ne shqiptarët bëjmë mrekullira, siç ishte  mrekullia kur bashkuam të gjithë zemrat,  në operën “Madamme Butterfly” . Ishte ky  rezultat , që bëri që njerëzit donin të vinin jo për të parë këngëtaren, por për të ndjerë diçka të vërtetë e të sinqertë, që vinte nga ky bashkim zemrash që bëmë ne artistët shqiptarë”, nënvizoi sopranoja Jaho.
Duke shprehur falenderimet për dhënien e kësaj medalje, sopranoja Ermonela Jaho nënvizoi se “ky është hapi i parë që një artist duhet të bëjë për vendin e tij”.

Sopranoja e njohur  Ermonela Jaho u rikthye në skenën shqiptare me operën “Madam Butterfly” në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë pas shtatë vitesh mungesë.

Ajo ka interpretuar dhe vazhdon të shënojë në kalendarin e saj artistik,  skenat më të njohura operistike si Opera Mbretërore e Londrës, Teatri i Scala-s të Milanos, Opera Metropolitan e Nju Jork-ut, Teatri i Champs-Elysees,etj.

Rama: Të integrojmë Shqipërinë, si Ermonela na integroi me zërin e saj

Sopranoja shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho, u nderua sot me Medalje Nderi nga kryeministri Edi Rama, në një ceremoni që u zhvillua në selinë qendrore të Qeverisë, ku morën pjesë, anëtarë të kabinetit qeveritar dhe personalitete të larta të politikës, artit dhe kulturës në vend.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë vlerësoi lart vlerat artistike dhe kontributin e sopranos Ermonela Jaho, në përshfaqjen dhe ngritjen e imazhit të Shqipërisë në piedestalet e artit botëror.

Ndërsa iu referua shprehjes “Arti nuk ka atdhe por atistët kanë”, Rama tha se “jam krenar që Ermonela Jaho e cila i takon gjithë botës dhe që atdhe ka Shqipërinë, është këtu me ne për të na dhënë kurajo dhe besim që edhe Shqipëria do të jetë një ditë përkrah Francës, Austrisë, Britanisë së Madhe, njësoj siç është në axhendën e këngëtares së madhe”.

Ndërsa e cilësoi Jahon si artiste të kategorisë superiore, Rama tha se ajo është sot një ndër ambasadoret më të mira të Shqipërisë dhe imazhit të saj në botë.

“Politikanët dhe ambasadorët kanë punë me shumë rëndësi për të bërë, por të mos harrojmë që ambasadorët tanë nuk janë vetëm ata që nëpër botë paraqiten me kostumin e diplomatit. Zëri i Ermonelës është zëri shqiptar që përcillet si rreze drite në artin botëror, ndaj dhe Shqipëria është me fat që ka një ambasadore të tillë, të cilën do të na e kishte zili çdo vend në botë”, vlerësoi Rama.

Nderimi që iu bë sot sopranos së madhe nga kreu i Ekzekutivit, mund të konsiderohet ndër më të lartët, pasi medalja që iu akordua asaj, rezervohet ekskluzivisht për krerë shtetesh.

Kumbaro: Ermonela Jaho i fal publikut dridhje të rralla zemre

Sopranoja me famë botërore, Ermonela Jaho, u nderua sot me medalje nga Kryeministri Edi Rama në një ceremoni të organizuar në ambientet e kryeministrisë.
Në ceremoni ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, drejtori i Teatrit të Operës dhe Baletit, Ilir Kerni, sopranoja Ermonela Jaho, artsitë e dashamirës të artit etj.
Në fjalën e saj, ministrja Kumbaro, theksoi se “Ermonela Jaho i fal publikut shqiptar gëzimin e patreguar dhe mundësinë të jetojë dridhje të rralla zemre”.
“E kam ndierë si të rrihte zemra, sepse skena jonë të tërhiqte me një tjetër emocion të veçantë atë të vendit ku kuptove sa e zonja je, emocionin e dashurisë së parë të mësimit të parë , të sfidave të para, por edhe të dëshirës për ta zmadhuar vetë këtë skenë, jo vetëm për vete por sidomos për të rinjtë e Shqipërisë duke u dhënë atyre modelin e suksesit përballë, me atë çka ti vetë je dhe cdo fjalë më shumë do t’ia zbehte shkëlqimin.Po aq me emoconin e përqafimit artistik me një publik ndryshe, jo thjesht një publik që vjen të shoh divën , por një publik të cilit ti i jep gëzimin e patreguar dhe mundësinë të jetojë dridhje zemre të rralla”.
“Një publik që tregoi natën e provës gjenerale tek mbushi shkallët e teatrit me trupa, lot dhe emocione se di të dashurojë artin ka nevojë për vlera të vërteta artistike dhe ngjarje kulturore nga ato që trondisin qyetetin dhe ky qytet tregoi që të do fort”, tha e emocionuar ministrja Kumbaro.

Drejtori i TOB-it, Ilir Kerni, duke falenderuar Kryeministrin Rama për nderimin sot të artistes së madhe u shpreh se ” Ermonela bëri vetëm detyrën dhe ky është shembull që duhet ta ndjekin të gjithë artistët. Doja që qeveria të kishte një vëmëndje dhe më të madhe për TOB-in, për një rikonstruksion ose një opera e re do të ishte një gjë e madhe për vendin, sepse ky vend e meriton”.
Mësuesja e parë e solfezhit, Sonja Sulo, duke sjellë kujtimet në kohën kur Ermonela ndiqte liceun artistik tha se “Ermonela 14 vjeç erdhi në lice dhe studionte gjithë ditën në piano, ne u lidhëm shumë me njëra tjetrën. Nuk do të flas për meritat se puna jote i ka treguar shumë mirë. Jam e gëzuar shumë që sot Ermonela më kënaq me shpirt”.

Ndërsa Profesor Vangjo Kosta, duke përshkruar punën e palodhshme të sopranos Ermonela Jaho gjatë studimeve në Akademinë e Arteve, tha se “duke parë punën e saj mendoja se kjo vajzë do të ecë përpara, por që do të arrinte deri këtu nuk e besoja. Jaho ishte këmbëngulëse, sistematike dhe tepër e përzemrët”.
“Unë isha në provën gjenerale të “Madame Butterfly”, jam shumë i lumtur që një nga studentet tona arriti kaq lart, sepse këto do të jenë pedagoget e vërteta të këtij vendi për të nxjerrë breza të tjerë që po ndritin faqen kudo në botë

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: rrethohet me dashuri e vlerësim, Soprano Ermonela Jaho

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 332
  • 333
  • 334
  • 335
  • 336
  • …
  • 544
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT