“Nuk ka emocion më të madh dhe kënaqësi të jashtëzakonshme kur ndihesh e rrethuar me dashuri dhe vlerësim”, u shpreh të shtunen në mesditë , sopranoja e njohur Ermonela Jaho gjatë ceremonisë së nderimit me medalje nga Kryeministri Edi Rama.
Gjatë fjalës së saj sopranoja Ermonela Jaho theksoi se falenderonte pjesëmarrësit dhe kryeministrin Rama.
“Doja të thoja se nuk ka emocion më të madh dhe kënaqësi të jashtëzakonshme, kur ndihesh e rrethuar me dashuri dhe vlerësim. Mendoj se vlerësimi për njëri- tjetrin është çelësi kryesor i suksesit të çdo lloj ndërmarrje. Këtë gjë provova me rolin tim në operën “Madame Butterfly” në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë”, tha sopranoja e cila vite qe kendon ne skenat më prestigjioze të botës me shumë sukses.
“Gjithmonë kemi menduar dhe këtu flas në emër të shumë artistëve me të cilët kam folur jashtë Shqipërisë, që e kemi vështirë të vlerësojmë e bashkëpunojmë me njëri tjetrin, por në momentin kur i gjejmë çelësin zemrës, respektojmë, vlerësojmë bashkëpunojmë me njëri tjetrit. Ne shqiptarët bëjmë mrekullira, siç ishte mrekullia kur bashkuam të gjithë zemrat, në operën “Madamme Butterfly” . Ishte ky rezultat , që bëri që njerëzit donin të vinin jo për të parë këngëtaren, por për të ndjerë diçka të vërtetë e të sinqertë, që vinte nga ky bashkim zemrash që bëmë ne artistët shqiptarë”, nënvizoi sopranoja Jaho.
Duke shprehur falenderimet për dhënien e kësaj medalje, sopranoja Ermonela Jaho nënvizoi se “ky është hapi i parë që një artist duhet të bëjë për vendin e tij”.
Sopranoja e njohur Ermonela Jaho u rikthye në skenën shqiptare me operën “Madam Butterfly” në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë pas shtatë vitesh mungesë.
Ajo ka interpretuar dhe vazhdon të shënojë në kalendarin e saj artistik, skenat më të njohura operistike si Opera Mbretërore e Londrës, Teatri i Scala-s të Milanos, Opera Metropolitan e Nju Jork-ut, Teatri i Champs-Elysees,etj.
Rama: Të integrojmë Shqipërinë, si Ermonela na integroi me zërin e saj
Sopranoja shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho, u nderua sot me Medalje Nderi nga kryeministri Edi Rama, në një ceremoni që u zhvillua në selinë qendrore të Qeverisë, ku morën pjesë, anëtarë të kabinetit qeveritar dhe personalitete të larta të politikës, artit dhe kulturës në vend.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë vlerësoi lart vlerat artistike dhe kontributin e sopranos Ermonela Jaho, në përshfaqjen dhe ngritjen e imazhit të Shqipërisë në piedestalet e artit botëror.
Ndërsa iu referua shprehjes “Arti nuk ka atdhe por atistët kanë”, Rama tha se “jam krenar që Ermonela Jaho e cila i takon gjithë botës dhe që atdhe ka Shqipërinë, është këtu me ne për të na dhënë kurajo dhe besim që edhe Shqipëria do të jetë një ditë përkrah Francës, Austrisë, Britanisë së Madhe, njësoj siç është në axhendën e këngëtares së madhe”.
Ndërsa e cilësoi Jahon si artiste të kategorisë superiore, Rama tha se ajo është sot një ndër ambasadoret më të mira të Shqipërisë dhe imazhit të saj në botë.
“Politikanët dhe ambasadorët kanë punë me shumë rëndësi për të bërë, por të mos harrojmë që ambasadorët tanë nuk janë vetëm ata që nëpër botë paraqiten me kostumin e diplomatit. Zëri i Ermonelës është zëri shqiptar që përcillet si rreze drite në artin botëror, ndaj dhe Shqipëria është me fat që ka një ambasadore të tillë, të cilën do të na e kishte zili çdo vend në botë”, vlerësoi Rama.
Nderimi që iu bë sot sopranos së madhe nga kreu i Ekzekutivit, mund të konsiderohet ndër më të lartët, pasi medalja që iu akordua asaj, rezervohet ekskluzivisht për krerë shtetesh.
Kumbaro: Ermonela Jaho i fal publikut dridhje të rralla zemre
Sopranoja me famë botërore, Ermonela Jaho, u nderua sot me medalje nga Kryeministri Edi Rama në një ceremoni të organizuar në ambientet e kryeministrisë.
Në ceremoni ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, drejtori i Teatrit të Operës dhe Baletit, Ilir Kerni, sopranoja Ermonela Jaho, artsitë e dashamirës të artit etj.
Në fjalën e saj, ministrja Kumbaro, theksoi se “Ermonela Jaho i fal publikut shqiptar gëzimin e patreguar dhe mundësinë të jetojë dridhje të rralla zemre”.
“E kam ndierë si të rrihte zemra, sepse skena jonë të tërhiqte me një tjetër emocion të veçantë atë të vendit ku kuptove sa e zonja je, emocionin e dashurisë së parë të mësimit të parë , të sfidave të para, por edhe të dëshirës për ta zmadhuar vetë këtë skenë, jo vetëm për vete por sidomos për të rinjtë e Shqipërisë duke u dhënë atyre modelin e suksesit përballë, me atë çka ti vetë je dhe cdo fjalë më shumë do t’ia zbehte shkëlqimin.Po aq me emoconin e përqafimit artistik me një publik ndryshe, jo thjesht një publik që vjen të shoh divën , por një publik të cilit ti i jep gëzimin e patreguar dhe mundësinë të jetojë dridhje zemre të rralla”.
“Një publik që tregoi natën e provës gjenerale tek mbushi shkallët e teatrit me trupa, lot dhe emocione se di të dashurojë artin ka nevojë për vlera të vërteta artistike dhe ngjarje kulturore nga ato që trondisin qyetetin dhe ky qytet tregoi që të do fort”, tha e emocionuar ministrja Kumbaro.
Drejtori i TOB-it, Ilir Kerni, duke falenderuar Kryeministrin Rama për nderimin sot të artistes së madhe u shpreh se ” Ermonela bëri vetëm detyrën dhe ky është shembull që duhet ta ndjekin të gjithë artistët. Doja që qeveria të kishte një vëmëndje dhe më të madhe për TOB-in, për një rikonstruksion ose një opera e re do të ishte një gjë e madhe për vendin, sepse ky vend e meriton”.
Mësuesja e parë e solfezhit, Sonja Sulo, duke sjellë kujtimet në kohën kur Ermonela ndiqte liceun artistik tha se “Ermonela 14 vjeç erdhi në lice dhe studionte gjithë ditën në piano, ne u lidhëm shumë me njëra tjetrën. Nuk do të flas për meritat se puna jote i ka treguar shumë mirë. Jam e gëzuar shumë që sot Ermonela më kënaq me shpirt”.
Ndërsa Profesor Vangjo Kosta, duke përshkruar punën e palodhshme të sopranos Ermonela Jaho gjatë studimeve në Akademinë e Arteve, tha se “duke parë punën e saj mendoja se kjo vajzë do të ecë përpara, por që do të arrinte deri këtu nuk e besoja. Jaho ishte këmbëngulëse, sistematike dhe tepër e përzemrët”.
“Unë isha në provën gjenerale të “Madame Butterfly”, jam shumë i lumtur që një nga studentet tona arriti kaq lart, sepse këto do të jenë pedagoget e vërteta të këtij vendi për të nxjerrë breza të tjerë që po ndritin faqen kudo në botë