• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Portret i intelektualit Sokol Demaku që jeton e vepron në Suedinë e largët

March 16, 2014 by dgreca

Gazetar, mësues, krijues e veprimtar i mirëfilltë/

Me një energji, elan, vullnet e dëshirë për punë, ky intelektual me sukses po udhëheq kanalin shqip të radios, TV-së dhe gazetën “ Dituria”, pastaj QKSH “ Migjeni” me anë të të cilave komuniteti i këtushëm shqiptar po informohet për gjithçka e për shumëçka në interes të tyre si dhe po organizohen aktivitete të shumta kulturore, letrare e sportive.- Është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Suedisë dhe anëtar i Kryesisë të asaj shqiptare “Papa Klementi XI Albani”.- Deri me tash ka botuar 16 libra të zhanreve të ndryshme

Nga XHAVIT ÇITAKU/

Në karvanet e gjata  shqiptare që ia kishin mësyer shteteve në kontinente të ndryshme të botës për shkak të dhunës që shkaktonte regjimi fashist serb, kishte edhe shumë intelektual të fushave të ndryshme, të cilët më pastaj pas marrjes së lejeqendrimit  me dijen dhe kapacitet e tyre të larta prej  ekspertëve  të mirëfilltë kanë dëshmuar e po dëshmojnë  bindshëm se edhe pjesëtarët e këtij komuniteti kanë potencial të fuqishëm për të hap rrugën e perspektivës dhe të prosperitetit të shumë mjediseve punonjëse ku ata janë të kyqur. Me një fjalë, tashmë ekspertët shqiptarë në shumë fusha kanë bërë emër dhe se fjala e tyre është vendimtare për shumë çështje e projekte madhore e të rëndësishme në ato ambiente ku ata janë të punësuar. Kësisoj kontributi i tyre intelektual me admirim flitet në opinionin publik dhe shkruhet shumë në mediat e shkruara e elektronike.

Në mesin e këtyre njerëzve radhitet edhe intelektuali i shquar Sokol Demaku, i cili me sukses ka bërë të mundshëm një informim të plotë për gjithçka  që ndodh në vendlindje, në Shqipëri dhe në të gjitha trojet etnike shqiptare, në organizimin e shumë aktiviteteve kulturore, letrare, sportive, të hapjes së ekspozitave të zhanreve të ndryshme si dhe të mbajtjes së kontakteve të përhershme me personalitete të shquara të pendës dhe dijes në mbarë hapësirën shqiptare.  Veprat e tij, mendimi, projektet e programet dhe fjala e mençur të prezantuara në çdo takim me përfaqësuesit e organeve dhe institucioneve komunale dhe të nivelit qendror, ishin vendimtare për të dhënë dritën jeshile , përkatësisht për të plotësuar pothuajse në plotni të gjitha kërkesat e arsyeshme të komunitetit  shqiptar që jeton me vite në komunën e Borosit të Suedisë. Është si një sihariq personal që veprimet  e tij të jenë gjithnjë frymëzuese, por edhe shembull intelektual dhe udhërrëfyes për të tjerët.

 

Sokoli në këtë shtet skandinav erdhi në vitin 1999. Kishte studiuar në Fakultetin Filozofik- Dega e gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. I etur për dije dhe i nisur nga ndjenja dhe vendosshmëria se mosha kurrë nuk është përcaktuese për realizimin e qëllimeve madhore, përkatësisht të ngritjes së dijes nëpërmjet të arsimit të lartë shkollor, ishte një frymë, forcë e princip që e inspiroj këtë njeri që ta kryej edhe një fakultet dhe atë në gjuhë të huaj që kurrë më parë nuk e kishte dëgjuar fizikisht. Kështu, ai  troket në dyert e Universitetit të njohur të Geteborgut dhe regjistron një fushë krejt tjetërfare , që dallon si “ nata me ditë”nga ajo e gjuhës dhe letërsisë shqipe – matematikën të cilën e mbaron në afatin rekord, përkatësisht në vitin 2009. Me marrjen e diplomës në këtë fushë ekzakte fillon punën në shkollën fillore “ Fjerdinskolan” në Boros, në ciklin e lartë,një qytet që shtrihet afro 60 kilometra në lindje të Geteborgut, që është qendra kryesore e prodhimit të tekstilit në Skandinavi. Me shembullin e një edukatori të shkëlqyeshëm, të një kolegu bashkëpunues në çdo kohë dhe të një aktivisti të dalluar në punë me nxënësit, ka bër që ky mësimdhënës shqiptar të jetë shumë i respektuar në këtë mjedis shkollor. Një vit e gjysmë ka punuar edhe si gazetar në gazetën “ Wimerby Tidningen”. Është duke magjistruar në drejtimin e udhëheqësit- prijësit në fushën e arsimit dhe pritet që diplomën  e këtij rangu akademik ta fitoj vitin e ardhshëm.

Aktivitet jashtëzakonisht përmbajtësor i QKSH “ Migjeni”

I prirë të befasoj gjithnjë për të mirë komunitetin shqiptar Sokoli me disa bashkatdhetarë  tjerë në mars të vitit 2007 në qytetin e Borosit formoj QKSH “ Migjeni” e cila është bërë bartëse kryesore e zhvillimit dhe organizimit të shumë aktiviteteve të rëndësishme që janë të lidhura kryesisht me ruajtjen e traditës, zakoneve, kulturës e historisë kombëtare si dhe kultivimin e gjuhës amtare si një obligim moral e atdhetar. Pos përkujtimit të të gjitha datave të rëndësishme kombëtare, kjo shoqatë një rëndësi të veçantë ia kushton punës me fëmijë duke marrë parasysh faktin se në këtë qytet jetojnë rreth 400 familje shqiptare. Thënë me gjuhën e fakteve, fëmijët shqiptar janë të kyqur aktivisht në të gjitha organizimet e kësaj qendre si dhe po bëhen përpjekje të vazhdueshme që në mësimin e gjuhës amtare të përfshihen sa më shumë sish. Një punë shumë e madhe është bërë edhe në aspektin e bashkëpunimit të shkollës të këtij qyteti “ Fjerdinskolan”dhe “ Demokracia” të qytetit të Durrësit, të cilat tashmë janë binjakëzuar dhe janë realizuar vizitat e para të pedagogëve të këtyre dy institucioneve arsimore. Do përmendur edhe hapjen e ekspozitave të ndryshme në Shtëpinë e Kulturës e në këtë kontekst interesim tëmadh kishte zgjuar ajo e Mimoza Veliut me titull “ Të pathyeshmit” me më së 70 fotografi të fëmijëve dhe grave shqiptare në luftën e fundit dhe pas saj në Kosovë. Mijëra dashamirë të këtij zhanri kishin vizituar këtë ekspozitë dhe kishin çmuar lartë punën e kësaj femre shqiptare. Po ashtu edhe mjetet e informimit e kishin vlerësuar lartë këtë aktivitet të zhvilluar nga kjo QKSH. Në këtë organizem shqiptar  nuk është lënë pas dore as përkujdesja dhe ndihma që duhet ofruar familjeve me kushte të vështira ekonomike. Kështu, anëtarët e saj të vyeshëm pas kontakteve të ndryshme e të shumta arritën që të bindin disa shofër të ndërmarrjes “ Vesttrafik” tëkëtij qyteti për të ndihmuar disa familje të varfëra në Kosovë. Edhe ndihma materiale e bashkatdhetarëve tanë të këtij qyteti erdhi në shprehje për t’iu bashkangjitë  aksionit të RTV21 “ Edhe unë jam Kosovë”. Një përjetim të veçantë kënaqësie  kishin pasur 50 fëmijët shqiptarë me vizitën që ia kishin bërë vendlindjes së shkrimtares së njohur suedeze Astrid Lindgren në Vimerby, gjë të cilën e kishte mundësuar kjo qendër kulturore. Mjaft interesant ishte edhe prezantimi i bukurisë shqiptare përmes veshjes kombëtare, që u organizua për herë të parë në këtë qytet, aktivitet ky që u realizua në bashkëpunim  me Agjencinë e modës “Bora fashion” nga Gjakova. Këtë manifestim e përcolli edhe hapja e ekspozitës me fotografi me veshje kombëtare nga të gjitha trevat shqiptare punuar me mjeshtri nga fotografi i njohur kosovar Shkelzen Rexha. Ndërkaq, nga takimet e shumta letrare do veçuar organizimin e një mbrëmjeje me “ Bubulinon” dhe krijuesin e tij Viron Kona nga Tirana, i cili erdhi në vizitë me ftesën e kësaj qendre. Viron Kona është një shkrimtar i njohur për fëmijë, i cili pas përfundimit të atij takimi të këndshëm me komunitetin shqiptar fëmijëve u ndau dhuratë nga një libër. Një kontribut të madh që po lënë gjurmë në punën e  QKSH” Migjeni” po jap edhe shkrimtari e publicisti i njohur nga Tirana Murat Gecaj. Ka edhe shumë aktivitete e manifestime  kulturore, letrare e sportive që janë organizuar dhe se për një punë jashtëzakonisht të madhe që po bën   kjo qendër duhet të jetë një shembull i mirë edhe për shoqata e qendrat tjera kulturore në mbarë Suedinë dhe më gjerë.

Shqiptarët me tri “ dritare” informative

Nuk kaloi as  një muaji  të fillimit të punës të QKSH “ Migjeni”dhe Sokol Demaku ndërmerr edhe një hap të guximshëm e mjaft të qëlluar duke e nxjerr në dritë numrin e parë të revistës së përmuajshme “ Dituria” organ i kësaj qendre. Revista “ Dituria” është një gazetë për fëmijë, të rinjë dhe prindër shqiptarë  që jetojnë e veprojnë në Suedinë e largët, e cila ka krijuar një rrjet të gjerë bashkëpunëtoresh  në këtë vend skandinav, Kosovë, Shqipëri e po ashtu edhe në mesin e mërgimtarëve nga shumë shtete të ndryshme të botës. Kjo revistë shpërndahet falas për komunitetin shqiptar në Boros e rrethinë, por ajo mund të lexohet edhe në internet. Ajo dërgohet edhe në Gjermani, Zvicër, Finlandë, Angli, SHBA, Rumani e vende të tjera me të cilat QKSH ka një bashkëpunim të frytshëm. Ky njeri i punëve të mbara nuk ndalet me kaq. Ai vazhdon tutje dhe në shkurt të vitit 2008 hap kanalin e radios në gjuhën shqipe, zëri i së cilës dëgjohet pothuajse në gjithë Krahinën e Vestrajytalandit , në të cilën jetojnë mijëra shqiptarë. Programin e vet kjo radio lokale e shfaq çdo të mërkur nga ora 18- 19. Në valet e këtij mediumi  mund të urohet e përshëndet çdo familje shqiptare, të dëgjohet muzikë shqipe e lajme më të reja nga gjithë hapësira shqiptare. Ndërkaq, me mjaft rëndësi është të përmendet  programi për fëmijë, të cilin e përgatisin dhe e udhëheqin vetë ata. Sihariqi i tretë për komunitetin shqiptar është prapë i fushës informative. Në të vërtetë, Sokol Demaku vitin e kaluar pas një pune të pandërprerë arriti që të hap edhe kanalin televiziv në gjuhën shqipe, i cili për shumicën e komunitetit të këtushëm shqiptar në fillim iu dukej e pamundshme për t’u realizuar. Programi i këtij kanali është i larmishëm dhe shfaqet çdo të ënjte nga ora 18- 19. Të gjitha këto dritare të informimit shqiptar punojnë e veprojnë në kuadër të QKSH “ Migjeni”.

Të gjitha këto të arritura nuk do të mund të realizoheshin pa një bashkëpunim të mirëfilltë brenda vetë komunitetit shqiptar si dhe ndihmës materiale dhe të mbështetjes në çdo nismë të organeve dhe institucioneve komunale dhe të atyre qendrore, të cilën gjë diti aq mirë ta shfrytëzoj Sokol Demaku.

Bëri shumë edhe në fushën afirmative për shqiptarët

Në këtë artikull nuk kemi pretendime të tjera, pos asaj që në opinion dhe në media të prezantohet vërtetë ajo që i takon këtij intelektuali të vyeshëm. Sa bëri shumë e shumë punë të mbara për komunitetin shqiptar, po aq la gjurmë të pashlyeshme edhe në rritjen e “ imigjit” të shqiptarisë në përgjithësi në opinion, subjekte, institucione, media të shkruara e elektronike e organe komunale e shtetërore. Thënë konkretisht, duke njohur historinë dhe kulturën shqiptare, e cila gjë, siç duket, e cyste të inkuadrohet në rritjen e “migjit”të popullit shqiptar në mënyrën shumë dimensionale, të afirmoj para opinionit suedez në mënyrën e tij çështjen shqiptare si një intelektual, shkrimtar, gazetar e publicist. Në këtë aktivitet të pandërprerë e të palodhshëm të Sami Demakut vjen në shprehje shpërthimi i cilësive vetanake si në formimin dhe funksionimin e organizmave përkatës shqiptar po ashtu edhe në fushën afirmative të kombit tonë që është ndër më të vjetrit në Europë.

Punë të madhe bëri edhe një fushën e krijimtarisë letrare

Cilësitë prej një intelektuali të shquar erdhën në shprehje edhe në fushën e krijimtarisë letrare. Deri me tash ka botuar gjashtëmbëdhjetë  libra të zhanreve të ndryshme, të cilët me mjeshtrin e të shkruarit kanë zgjuar interesim të kënaqshëm tek lexuesit. Është anëtarë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Suedisë, i Shoqatës së Shkrimtarëve të Vesterjytalandit dhe anëtarë i Kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve dhe artistëve Shqiptar “ Papa Klementi i XI Albani”. Është njeri ndër anëtarët më aktiv të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptar dhe shlirshëm mund të thuhet promotor i lidhjes së kontakteve me personalitete të shquara të pendës dhe të dijes në mbarë tokën shqiptare. Me një fjalë, fal punës së tij të palodhshme po bëhet i mundur në masë të madhe afirmimi i këtij asosacioni krijues kudo dhe kurdo edhe në të gjitha mjetet e informimit dhe në opinionin e gjerë shqiptar kudo që ata jetojnë e veprojnë.

Dhe krejt në fund: Sokol Demaku u angazhua, punoi, dhe dha e po jep kontribut në ato fusha ku manifestohet , zhvillohet e afirmohet aktiviteti intelektual i komunitetit shqiptar, të cilat më parë ishin të panjohura për popullin mik suedez.

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: nga Xhavit Citaku, portret, Sokol Demaku

“YLLI I DITURISË” TË POPULLSISË ÇAME…

March 16, 2014 by dgreca

 Botimi trevëllimësh, i veprave të përkthyera të Hoxhë Hasan Tahsinit, në duar të lexuesve tanë/

Nga: Prof. Dr. Hektor Veshi/

1.Për shumë shqiptarë emri i dijetarit tonë, Hoxha Hasan Tahsini (1811-1881)  vetëm është dëgjuar. Shumëkush  di edhe se ai ka qënë prorektori i parë i Universitetit të Stambollit, kryeqytet i ish-perandorisë turke, në messhekullin e 19-të. Natyrisht, është ndjerë krenar. Por në sistemet shoqërore, që u këmbyen në Shqipëri pas shpalljes së saj shtet i pavarur (1912), njohja e vlerave të trashëguara kombëtare ose ishte e mangët  (deri  më 1939) ose edhe u krijuan rreth tyre mendime negative: fetë – terrene obskurantiste dhe personat fetarë në krye të tyre, kundërshtarë të regjimit komunist etj etj.

Por nga të gjithë ata personalitete, emri i Hoxha Tahsinit nuk u përlye dot. Mund të mos dihej sa duhej për të, por emri i tij mbeti në kujtesën e brezave i pastër, si bora e majëmaleve të larta, ku edhe alpinistët nuk shkelin. Kurse në  rrethin e njerëzve të gjakut të tij , edhe mbi një shekull pas vdekjes (1881), në fshatin Ninat, në veri të Çamërisë shqiptare, në jug të Shqipërisë shtetërore,  mbetej gjithnjë i gjallë, siç e kishin njohur bashkëkohësit: i urtë, i ditur, rrezëllitës në çdo pikëpamje. Kur zihej në gojë ai, te fëmijët ndizej një dritë adhurimi, sa ëndrra e tyre më e madhe ishte, si e si të rriteshin sa më shpejt dhe ta ndiqnin rrugën e tij, mundësisht të shkelnin gurët, ku kishte ecur këmba e tij.

Njëri prej fëmijëve të tillë, tani grua e pjekur, që çau shumë pengesa për ta “takuar” të adhuruarin e madh të fisit, yllin e diturisë së popullatës çame, Hoxha Tahsinin, është zonja Manushaqe Halili. Përbëjnë rrëfenja të gjata ndodhitë e jetës së saj, gjatë udhëtimeve vetjake për në Stamboll, në kërkim të varrit, shtëpisë ku jetoi dhe të veprave që shkroi e botoi, shqiptari i adhuruar Hoxha Tahsini. Kurse vlerësimin e gjithëçkaje, që ka të bëjë me të e vërteton edhe fakti se, siç thotë e shkruan vetë diku në librat e botuara, një cope letër e grisur  nga origjinali i njerës prej veprave të Tahsinit gjatë fotokopjimit, diku në bibliotekat e Stambollit, ajo e mori, e mbështolli dhe e ruan si gjë të shtrënjtë në çantën e vet. Është copëz letre, besnike e diturisë së Hoxha Tahsinit, që e ruajti sa i takon mënçurinë e tij, për mbi një shekull… Me këtë përkushtim, pa kursyer asgjë nga vetja, lodhje, shpenzime, takime e njohje me specialistë e gjuhëtarë të fushave të ndryshme, si dhe zgjedhjen e botuesit (SHB “Onufri”), ajo ka arritur t’ua paraqesë lexuesve veprën (vandak) trivëllimëshe, një thesar diturie dhe model realizimi teknik tipografik  e libërlidhjeje, që nderon çdo lexues, kur e merr në dorë dhe, më tej, e lumturon, kur i lexon.

2.

Po cila është përmbajtja e tre librave- vepra e botuar? Libri i parë, pas vlerësimeve për shkencëtarin Hoxha Tahsin nga autorë bashkëkohorë, si Sami Frashëri ose botues të tij, parathënies  së thekshme të studjuesit Moikom Zeqo dhe   mendimeve hyrëse të zonjës Manushaqe Halili, me titullin “Hoxha Tahsini: Frymëzimi, krenaria dhe përkushtimi im”, vijon me veprat: “Historia e qënies ose e krijimit”;  “Sekretet e ujit dhe ajrit” dhe mbyllet me “Psikologjia”, gjithësej 212 faqe.

Libri i dytë, me 349 faqe, plotësohet me lëndë të përkthyera nga dy numra të revistës “Mexhmua-I Ulum” (Revista shkencore), ku paraqet interes “Rregullorja për botimet e zakonshme” dhe, sidomos, afër 22 bisedat për probleme me shumë interes për kohën e tij, por edhe për ne sot, jo vetëm thjesht për njohje.

Gjithashtu, me interes është edhe tema “Përparimi i arsimit, historia, klasifikimi dhe frytet e shkencave”.

Edhe në librin e tretë, me 275 faqqe, vazhdon lënda e revistës shkencore, deri te nr.7 i saj dhe vijon me “Historia e shkurtër e astronomis”.Aty i lihet vend më vete metodologjisë së Keplerit dhe temës “Gravitacioni dhe pesha e përgjithshme”.

Me aq sa kemi mundur të kuptojmë, nga leximi i këtyre veprave, mendojmë se karakterizohen nga saktësia shkencore, gjuha e qartë ose lakonike. Kur autorit i duhet të paraqesë teori të vështira ose kundërvenie te argumentuara, u lë  vend mendimeve përparimtare, nga shkencëtarë dhe zyrtarë të vendeve të përparuara, por edhe  konservatorëve.

Për vlerat e padiskutueshme intelektuale dhe shkencore të Hoxha Tahsinit kanë shkruar mjaft personalitete të kohës, bashkatdhetarë ose me origjinë nga Shqipëria, si dhe të tjerë, jashtë Turqisë. Kështu, Sami Frashëri (i dituri-“ Shemshedin Samiu”!) ka shkruar:”Hoxha Tahsini ishte nga ata njerëz të mëdhenj, që rrallë nxjerrin shekujt dhe epokat”. Poeti  i shquar turk, Abdul Hak Hamidi, ish-nxënës i tij, ka shkruar për Hoxha Tahsinin: “Ishte vëzhgues dhe shkencëtar shumë i ditur, ishte thesar i njohurive shkencore, ndoshta, një botë e tërë dijesh; ishte filozof, letrar,  vjershëtar, i zoti  t’i përgjigjej çdo pyetjeje…”.  Kurse Riza Teufiku, filozof turk me origjinë shqiptare, ka thënë se “I ndjeri ishte mësuesi i shumë njerëzve të mëdhenj”. Për këto arsye “Emri dhe fama e njeriut të madh e të virtytshëm,- shkruan, ndër të tjera, ish-nxënësi dhe botuesi i veprave të tij, Nadiri Fevzi, -nuk u përhap vetëm në Stambollin romantik, por edhe në Europë”.

Pasi  është njohur më në thellësi me veprat teorike të shkencëtarit emërmadh, studjuesii dhe enciklopediku i sotëm shqiptar, Moikom Zeqo, e ka titulluar parathënien e krejt botimit, ”Hoxha Tahsini, profili shqiptar i ndritur i shekujve”.  Tani, kur mund ta marrë vetë në dorë çdo lexues  këtë thesar të dijes, le ta gjykojë vetë sa të drejtë kanë pasur ata burra bashkëkohës  të korifeut me mantel fetari dhe, sidomos, sa i shërbejnë edhe sot vendlindjes dijet e tij të thella, të gjera, nga shumë fusha, përfshirë edhe letërsinë. Jam i isigurtë se lexuesit e sotëm do t’iu mbeten mirënjohës një numri të madh ndihmetarësh, në  të gjithë proceset e përpunimit të lëndës, nga përkthimet e deri në botim. Pra, meritojnë falënderime të gjithë. Personalisht, jam enthusiast për këtë botim, pasi plotësohet një boshllëk i madh në “panteonin” e njerëzve tanë të dijes,  rragullohet një padrejtësi e zgjatur në kohë, ndaj atij personaliteti. Por është edhe një model  i shfaqjes së atdhetarisë nga një zonjë, i denjë për t’u ndjekur për shërimin e mjaft plagëve të sotme ose të bartura nga e kaluara. Unë, do ta shprehja entusiazmin qytetar: Mirëse erdhe në gjirin tonë,  Hoxha Hasan Tahsini i pavdekshëm, përmes dritës së diturisë së madhe, që nuk shvleftësohet dot nga koha, në rrjedhën e saj të pafundme!Ne Foto: Hoxha Hasan Tahsini (1811-1881)

Tiranë, mars  2014 

Filed Under: Kulture Tagged With: Hasan tahsini, Hektor Veshi, ylli i camerise

Çfarë u shkrua në vitin 1991-92 për Nënë Terezën

March 16, 2014 by dgreca

 Nënë Terezën e pengon ligji i vendit të saj/

 Nga Donika OMARI/

Po këmbëngulet gjithnjë e më shumë për të pasur në shtypin tonë një informacion më të plotë, sidomos për ngjarjet e rëndësishme. Dhe një ngjarje e shënuar e vitit që shkoi qe ardhja e Nënë Terezës në Shqipëri dhe dekorimi i saj me rastin e 80-vjetorit me Urdhrin “Naim Frashëri”.Në shtyp u njoftua për vizitat e takimet e Nënë Terezës,për ceremoninë e dekorimit, por nuk u pa e nevojshme të riprodhohej fjala e saj e përshëndetjes, një fjalë e shkurtër,por plot domethënie njerëzore, dhe ku, ndër të tjera, ajo bëri kërkesën për të hapur një shtëpi bamirësie në Shqipëri.

Jo më kot ajo rikujtoi se ka hapur shtëpi të tilla në të gjitha vendet, duke përmendur veçan vendet fqinje me ne.

Jo më kot theksoi vajtjen madje edhe në Kubë. Jo më kot njoftoi se i kish sjellë motrat mu këtu pranë nesh e po prisnin në Romë lejen për të filluar menjëherë nga puna.

Të gjitha këto argumente të diktuara nga dëshira dhe energjia e saj e pashtershme për të qenë e dobishme e për të shërbyer, me sa duket nuk vlejtën që të merrte një përgjigje pozitive.

Ndoshta mendohet se kërkesa e saj është e parakohshme, se duhet të miratohen më parë dekrete e ligje të caktuara.

Sidoqoftë, si qytetarë, kemi të drejtë të dimë lidhur me këtë dhe të shprehim mendimin tonë. Dhe le të kemi parasysh se një gruaje kaq heroike si Nënë Tereza nuk i mohohet gjë dhe nuk bën t’ia thyejë zemrën tamam vendi i saj.

(Rilindja Demokratike 12.01.1991)

 Libri më i fundit për Nënë Terezën

Gjendesha në kolegjin e përkthyesve të Proçidës duke punuar për përkthimin e një romani të E.Morantes, kur miku im proçidan, profesor Paskuale Lubrano, më propozoi të bëja prezantimin e librit “Tereza e Kalkutës. Lapsi i Zotit”, të gazetares së njohur italiane Franka Xambonini, që sapo ishte botuar në Itali. Por, ç’t’u thoja dëgjuesve, kur vepra tërheqëse e Xamboninit është aq e qartë, e pasur dhe e thjeshtë njëkohësisht?

Për këtë më ndihmoi vetë autorja, që thotë në parathënie se nuk ka pasur për qëllim të shkruajë një biografi. Ajo rrëfen disa ngjarje me Nënë Terezën, dhe vetëm ato që i ka jetuar vetë ose që i janë rrëfyer prej atyre që i kanë jetuar vetë.

Atëherë pse të mos i përmbahesha edhe unë këtij kriteri,meqenëse kisha patur rastin të kisha ndjerë personalisht joshjen e pranisë e të fjalës së Nënë Terezës? Kështu, pasi vura në dukje vlerat e librit, vlerat me shumë përmasa të figurës që trajton dhe ërfundimin fatbardhë të punës së ndërmarrë nga autorja, fola për ardhjen e Nënë Terezës para afro dy vjetësh në Shqipëri me rastin e dhënies së çmimit të Republikës. Qëndrimi i qeverisë shqiptare në këtë rast ishte paradoksal: e dekoronte për të vlerësuar Veprën e saj, dhe, nga ana tjetër, nuk pranonte hapjen e shtëpive të bamirësisë në Shqipëri. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Nënë Tereza, në fjalën e falënderimit, bëri edhe një përpjekje të fundit për t’ia arritur qëllimit të saj të vërtetë të ardhjes në Shqipëri. “Kam qenë kudo e më kanë pranuar. Kam hapur shtëpi të Karitasit kudo në botë, edhe në vendet rreth e rrotull Shqipërisë, në Jugosllavi, Greqi, Rumani. F.Kastroja, kur mori vesh se përse doja të shkoja në vendin e tij, më tha: “Eja”. Ia bëra kërkesën time Presidentit, ia bëra zonjës Hoxha, të pranishme këtu, tani po ju drejtohem ju në këtë sallë, duke ju lutur të më ndihmoni të realizoj projektin tim. Motrat janë në Romë gati për të ardhur dhe presin vetëm një fjalë timen”, – këto qenë pak a shumë fjalët e saj. Gjithçka qe e kotë. Një shtet që e kishte dhunuar aq herë Kushtetutën, në këtë rast tregohej tepër skrupuloz për t’iu përmbajtur, duke iu përgjigjur Nënë Terezës se shtëpitë e bamirësisë mund të hapeshin në Shqipëri vetëm pas miratimit të një kushtetute të re.

Duke qenë e pranishme në këtë ceremoni, pata rastin të vërej këmbënguljen e njohur të Nënë Terezës, që nuk e humbiste shpresën për të nxjerrë një “po” edhe nga shkretëtira.

Thirrja e saj na drejtohej të gjithëve dhe secilit veç e veç, pra edhe mua. Doja shumë të ngrihesha e ta përkrahja kërkesën e saj. Por s’pata guxim. Megjithatë, një ndjenjë keqardhjeje, që s’më linte të qetë, më nxiti ndonjë ditë më pas, mendimin për një peticion drejtuar qeverisë në përkrahje të kërkesës së Nënë Terezës. Në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, ku punoja, munda të mblidhja 20 firma.

U përpoqa të mbledh nga institucione të tjera. Por askush nuk firmoste. “A e di se Nënë Tereza është një e dërguar e Vatikanit?”, më tha një i njohur. “A e di se ajo grua s’kërkon tjetër veç të na ndihmojë?”, iu përgjigja. Pastaj shkrova një artikull të shkurtër në RD që sapo kishte nisur të dalë.

Ndërkohë, ngjarjet, të shtyra nga lëvizja çlirimtare demokratike kundër diktaturës u rrokullisën me shpejtësi. Dhe kështu Nënë Tereza mundi ta hapë shtëpinë e saj të parë në atdheun e vet katër muaj pas atij 4 nëntori të 1990-s, që kishte dashur t’ia zhgënjente shpresat, dhe, sidoqoftë,para miratimit të kushtetutës së re.

Kur lexon për jetën dhe veprën e Terezës së Kalkutës, nuk mund të mos mendosh për rrënjët e saj shqiptare. Ajo i përket një populli që historikisht ka qenë fatkeq: truall i favorshëm ky për lindjen e një vokacioni që të bën të ndiesh vuajtjen e të tjerëve. Premtimi i bërë Zotit dhe të varfërve të saj se s’do t’i tradhëtojë kurrë, është për Gonxhe Bojaxhiun besa e dhënë njëherë e mirë. Një nga nyjet e ligjit të mikpritjes në Kanunin e Maleve është: Shtëpia është e Zotit dhe e mikut. Dhe Nënë Tereza thotë me kënaqësi se s’ka qenë kurrë e detyruar të lërë jashtë asnjë nga ata që i kanë trokitur në derë. Edhe me fjalët e saj të kursyera të kujton temperamentin e shqiptarëve, që dihet se janë njerëz të heshtur.

Ndërkaq, cilësitë e saj mund të të sjellin në mend edhe të meta tonat, të shndërruara tek ajo në virtyte. Në zonat ku izolimi ka qenë më i madh, nuk është se shqiptarët nuk janë kokëfortë. Ndërsa Nënë Tereza është këmbëngulëse,“kokëfortë” vetëm për ata që s’duan të kuptojnë arsyet e saj të diktuara nga misioni që i ka vënë vetes: të jetë çdo çast në shërbim të më nevojtarëve mes njerëzve.

Në librin e saj Xambonini e ndjek figurën e imët e të kërrusur, të famshme në botë, kudo ku ajo është shfaqur, në Indi, Amerikë, Romë, Oslo, Londër, Tiranë… Por e gjurmon hap pas hapi sidomos në sheshin e saj të betejës, në Kalkutë.

Atje filloi revolucionin e saj, duke ngritur nga një trotuar i Kalkutës një njeri që po vdiste në mjerimin më të madh. Veprim i thjeshtë, por që pati vlerën e një zbulimi.

Ndiejmë në libër intuitën e thellë të Nënë Terezës, e cila kap me një qartësi të habitshme kuptimin e fshehtë të gjërave. E pajisur me “mençurinë më të lartë, atë të zemrës”, kupton thelbësoren dhe e shpreh me fjalë thelbësore. Libri është i pasur me sentenca të saj: Vetëm duke e harruar vetveten e gjejmë prapë. Varfëria është liri. Kisha jemi ne: Unë dhe ti.

Meqë i njeh mirë kufizimet e njeriut, këmbëngul për të qenë besnikë në gjërat e vogla. Ngaqë i di mirë dobësitë njerëzore pikas madje edhe në dëshirën e lindur për të bukurën, një kurth për shpirtin. Sepse zgjon zilinë, lakminë, mosdurimin e shëmtisë fizike të tjetrit, neverinë për shformimet e tij të jashtme. Atëherë ajo vetë bëhet e skajshme: në trupin e në shtëpitë e saj pranon vetëm veshjet dhe orenditë më të thjeshta, ato të domosdoshmet. Për të, bukuria duhet të jetë vetëm e brendshme, prandaj deklaron për lebrozët e saj: Janë të bukur…

Duke shkruar këto radhë jam rrekur të shlyej paksa detyrimin që ndiej ndaj kësaj shqiptareje e cila na sjell një mësim kaq të madh me shembullin e saj. Do të vazhdoj ta shlyej këtë detyrim kur të kem përkthyer e botuar për lexuesin tonë librin “Tereza e Kalkutës. Lapsi i Zotit”1.

(Republika, 27.08.1992)

1. Libri u përkthye dhe u botua dy vjet më vonë nga shtëpia botuese “Elena Gjika”.

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: cfare u shkrua, Donika Omari, Nene Tereza

Durrës:“100 vjet nga Principata evropiane e Shqipërisë”

March 15, 2014 by dgreca

Nga Gezim Kabashi/Në kuadër të 100 vjetorit të Principatës europiane Shqiptare të krijuar nga Konferenca e Londrës dhe të drejtuar nga Princ Wilhelm Zu Wied, Universiteti “Aleksandër Moisiu” në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës, me Universitetin e Tiranës, Prishtinës dhe të Tetovës, si dhe me Qendrën e Studimeve Albanologjike organizoi sot në Durrës Konferencën Ndërkombëtare Shkencore me temë “100 vjet nga Principata evropiane e Shqipërisë”.

Rektori i universtetit Mit’hat Mema falenderoi pjesëmarrësit dhe nënvizoi se referimet e historianëve ndër më të mirat në vend do të jenë të lira dhe pa ndikime zyrtare. Sipas rektorit Mema materialet e kësaj Konference do të publikohen në një botim të veçantë. Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Helmut Hofman përgëzoi organizatorët për këtë konferencë e para e këtij lloji në këto 100 vjet. Ai shtoi se marrëdhëniet në rajon kanë ndryshuar katërcipërisht. Sipas z. Hofman, në Bashkimin Eropian nuk është e rëndësishmë madhësia dhe potenca e një shteti, por të gjitha vendimet merren mbi bazën e barazisë mes anëtarëve.
Vlerësimet më të mira dha për konferencën zëvëndësministrja e Arsimit, Nora Malaj, sipas së cilës bashkëpunimi mes disa institucioneve shkencore dhe universitare do të shërbejë si një model i mirë edhe në të ardhmen.Në konferencë marrin pjesë studiues të njohur të historisë, të çështjeve juridike, të Shkencave Politike, të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe të fushave të tjera. Mes tyre spikasin emrat e historianëve anëtarë të Akademisë së Shkencave, Beqir Meta e Mariglen Verli, studiuesve të njohur të historisë shqiptare, Valentina Duka, Ksenofon Krisafi, Fatmira Rama, Martin Berishaj, Romeo Gurakuqi, Ledia Dushku, Jani Sota, Afrim Krasniqi, etj.

Tematika kryesore e referimeve lidhet me tiparet kryesore të Principatës së vitit 1914, princin dhe pozitën e tij kushtetuese dhe politike, raportet e shtetit shqiptar me fuqitë politike të kohës dhe me vendet fqinje, rolin e faktorit të brendshëm shqiptar në ecurinë dhe zhvillimet brenda Principatës, dokumentet arkivore të disa kancelarive kryesore evropiane mbi Princin dhe Principatën, bilancin e gjashtë muajve të mbretërimit të Wied, si dhe rolin e Durrësit si kryeqendër të Principatës.
Në mjediset e universitetit u hap edhe një ekspozitë e veçantë historike fotografike e organizuar nga Arkivi Qendror i Shtetit, Tiranë

Ne Foto:Konferenca nderkombetare shkencore 100 vjet nga principata evropiane e Shqiperise

Filed Under: Kulture Tagged With: Durrës:“100 vjet nga Principata, e Shqiperise, evropiane

NJË VËSHTRIM MITOLOGJIK MBI FESTAT KALENDARIKE E TRADICIONALE TË VITIT DHE LIRIKËN RITUALE

March 15, 2014 by dgreca

Pjesa II  Rusicat, Shëngjergji, Për të rënë shi në verë, sipas Gjergj Komninos/

nga MSC. Albert R. HABAZAJ/ Studiues/

RUSICAT: Rusicat është festë që bëhet 25 ditë pas Pashkëve. Këtë festë e bëjnë fëmijët e vegjël dhe gratë. Në këtë ditë, në  Polenë të Korçës, gratë formojnë grupe dhe mblidhen në një shtëpi. Aty shtien nga një shumë të vogël të hollash, me të cilat blejnë miell, gjalp, vaj, sheqer dhe të tjera sende që u duhen. Me këto bëjnë lakruar, revani, bakllava, bukëvale dhe të tjera ëmbëlsira që mund t’u pëlqejnë. Përpara se t’i hanë, do të heqin nga një copë për ta shpënë secila në shtëpin’ e vet, se e kanë për mirë, që të hanë dhe njerëzit e tjerë të familjes nga lakrori i rusicavet. Si i hanë këto, këndojnë e lozin valle gjithë ditën. Në këtë diotë fëmijët e vegjël, më shumë vajzat, ngrihen që në mëngjes, me qeska e me shporta në duar dhe venë nëpër shtëpit për të mbledhur miell, gjalp e vezë që të bëjnëdhe ato lakruar për rusicat. Kur venë nëpër shtëpitë, këndojnë këngën e rusicave. Pastaj si i mbledhin këto, i shpien në një familje; aty gatuajnë, e pastaj hanë drekë, duke kënduar e duke hedhur valle. Pas drake çdo grup vesh nga një vajzë të vogël sin use dhe e shëtit nëpër rrugët e katundit. Ndaj të perënduar të diellit dalin jashtë katundit, duke kënduar se do të venë të mbulojnë nënën e diellit. Atje, si rrëmihin me shat një gropë në formë varri, bëjnë fytyra njerëzish prej balte dhe i mbulojnë me dhè në gropat e hapura; pastaj mblidhen rreth gropës, duke vajtuar e duke thënë: “nëno, moj nëno, ardhi dielli e nuk të gjeti”. Pas kësaj ndajnë dhe misra të ziera pranë gropës përs shpirtin e nënës së diellit. Si mbarohet ceremonia, mblidhen së bashku grupet dhe vijnë duke kënduar në katund dhe shpërndahen nëpër shtëpit’ e tyre. Sipas Gjergj Komninos, në Pogradec në këtë ditë këndohet kënga e rusicave, që në librin e Institutit të Shkencave “Këngë popullore lirike”, Tiranë, 1955, ka nr. 35

SHËNGJERGJI: Në rrethet e Korçës, duke gdhirë dita 23 Prill, ditën e Shëngjergjit, të vegjël e të mëdhenj ngrihen herët që të mos i zerë dielli në gjumë e dalin jashtë katundit, ku gjejnë shelgje me gjethe; këputin nga një degë dhe e mbështjellin pas brezit, duke besuar se, kur të prashiten misrat, nuk kanë dhembje mezi; sjellin dhe disa degë të tjera në shtëpi e duke i thurur kurorë i venë rreth tundësit që të jet’ i ftohët bulmeti, kur të mblidhet në verë; u vënë nga një kurorë të gjitha enëvet të bulmetit dhe të ujit. Gjithë ditën mblidhen grumbuj nëpër lagjet dhe peshohen. Në Polenë, ditën e Shëngjergjit, gratë ngrihen që në mëngjes shpejt, marrin enët dhe venë të mbushin ujë. Kur kthehen, u vënë enëvet nga një degëzë shelgu. Shumë të tjerë dalin e shëtisin dhe ku gjejnë ndonjë shelg a plep marrin degëza dhe i vënë në krye edhe në mes. Në Drenovë venë e varen nëpër thanë që të jenë të shëndoshë e të kuq si ajo. Çdo shtëpi do të therë  gjëkafshë: këndes, shqerë a tjatër gjë. Këtë ditë marrin zile dhe dalin  eshëtitin shtëpi më shtëpi o kopësht më kopësht që të trëmbin krimbat që të mos hanë pemët e lulet. Në Tiranë, në këtë ditë, këndohet kënga nr. 36, sipas librit të vjetyër të Komninos, që kemi marrë si burim referimi për njësitë folkorike. Kënga nr. 13, shih f. 270, sipas këtij teksti: “Llazoret ke dera,/ dil se po vjen vera!/ Llaxore, llaxoricka,/Due venë qi t’ban lariska./ po s’ma dhe,/Ka qori/ Të shkoftë plori;/ Ka carani/ T’ shkoftë shegani!” këndohet prej shpatarakëve ditën e Pashkëve e të Shëngjergjit. Pikërisht kjo njësi folklorike është regjistruar në Shëngjergj të malësisë së Tiranës.

PËR TË RËNË SHI NË VERË: Kur bën thatësir’ e madhe në verë të rinjtë bëjnë “dordolec”; veshin një shokun  e tyre me fier e venë me ‘të në shtëpi e këndojnë. Në këtë kohë del nga shtëpia, i hudh dordolecit një qyp ujë në kokët dhe i gostit djemtë me vezë e të holla. Këndojnë këngën nr. 19, shih f. 272, në librin e cituar, sipas këtij teksti: “Dordolec, bjerna shi/ Të na bëhet misri i ri,/ Misri i ri sa trari,/ Të na mbushet hambari”. Kënga nr. 32, f.275, sipas këtij teksti: “Mâ sa i dhemb gjâ caracit,/ Nj’aqi më dhimbt mu;/ O carac, e im vlla,/ Vlla s’të kam e vlla do t’zâj,/ Ethet e mia ty do t’i laj./ O mal i Dajtit,/ Më marsh të ligat e shtatit!/  O mal i zi,/ Më jep shëndet e fuqi!/ O zogu fluturac,/ Marrç të ligat e fukarasë!/ O zogu i zi,/ Marrç të ligat e djalit të ri!” ëshët regjistruar në malësitë e Tiranës dhe, sipas banorëve, janë fjalë thonë plakat, kur yshtin fëmijët.

SHËNIM:  vijon numrat e ardhshëm të “DIELLIT” do të paraqesim fjalorthin e duhur, shënime rreth disa këngëve, gjithë tekstet e këngëve rituale për Ditën e Verës, Llazoret, Kolendrat, vitin e ri etj., si dhe festa të tjera të motmotit,sipas interpretimeve nga studiuesit bashkëkohorë

*) Master Shkencor për Etnologji dhe Folklor, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë.

Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”,

Universiteti i “Ismail Qemali”, Vlorë, Albania.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert, Albert Habazaj, pj 2, veshtrim mitologjike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 340
  • 341
  • 342
  • 343
  • 344
  • …
  • 544
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT