• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Giorgio Armani propozon ngjyrat e pranverës

February 25, 2014 by dgreca

Nga Megi Zonja/. Stilisti i madh italian, Giorgio Armanin në sfilatën e prezantuar në Milano  ka shfaqur tendeca ndryshe.  Ai ka perdorur gjate kesaj sfilate , ngjyrat  gri,  te bardhe, jeshile ushtarake dhe te zeze.

Këto me sa duket do te jene edhe ngjyrat me të cilat do te  vishen partizanet e Armanit,  në tre muajt e stinës se pranveres . Keshtu pretendohet të jene vertete modern dhe me shumë klas.

Ne kete kuader, Naomi Campbell dhe Rita Ora “shpërthyen ” pasarelën e “Milan Fashion Week”. Veshja e Campbell ka qenë një “shpërthim” i vërtetë, edhe pse veshja e saj nuk ishte nga ato klasiket, një fustan tepër i shkurtër dhe një dekolte e hapur.  Ndërsa e ëmbla, këngëtarja e famshme Rita Ora, me një stil si Campbell, gjithashtu ekzaltoi të gjithë të pranishmit me performancën e saj, hipur mbi një makinë.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Giorgio Armani propozon, ngjyrat e pranverës

ALI ASLLANI, PASQYRA E NJË KOHE TË TRAZUAR

February 25, 2014 by dgreca

nga Albert HABAZAJ /studiues*/

Politikani. Ali Asllani u shkollua në Vlorë, Janinë dhe Stamboll. Pas studimeve të larta në Stamboll, u dërgua të kryente stazhin në prefekturën e Janinës. Më 1908 zëvendësoi për tre muaj nënprefektin e Delvinës. Mori pjesë në Kuvendin e Dibrës si përfaqësues i klubit “Bashkimi” të Janinës. Më 1910, pas internimit, u kthye në Stamboll. Nga fundi i vitit 1912, u emërua nënprefekt në Akseqi, Ellgen dhe Boskër të vilajetit të Konjës. Pasi mori lajmin e ngritjes së flamurit në Vlorë, u kthye në vendlindje. Ismail Qemali i besoi detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Presidencës e të Këshillit të Ministrave, si dhe të këshilltarit të kryeministrit.  Gjatë kësaj kohe, kryen edhe detyrën e kryetarit të bashkisë së Vlorës. Shoqëria “Përlindja kombëtare”, gjatë Luftës së 1920 – ës, e ngarkoi me detyrën e hartimit të programit, kurse Komiteti “Mbrojtja Kombëtare”  e zgjodhi kryetar të “Katundarisë së Vlorës”. Në vitet tridhjetë Ali Asllani përfaqësoi Shqipërinë në misionet diplomatike jashtë vendit si konsull në Trieste dhe ambasador në Sofie e në Athinë.

Mund të pohohet, se periudha e Rilindjes është dhe djepi ku u përkund Ali Asllani. Qëllimi politik i lëvizjes kombëtare – pavarësia, ishte arritur dhe shqipja qe bërë gjuhë zyrtare. Intelektualët shqiptarë filluan, ndoshta për herë të parë, të shohin se mundësitë e zhvillimit letrar e kulturor ishin të pakufizuara. Këtë e dëshmon krijimtaria e tre poetëve: Çajupi në Egjipt, Mjeda në Shkodër dhe Asdreni në Rumani.

Portreti poetik i Ali Asllanit nuk u mjaftua vetëm me mallin romantik të poetëve të mëparshëm. Në poezitë patriotike, si “Ç’do të thotë patriot?”, “Gjoni”, “Dëshpërim dhe shpresë”, “Buza ime kur do qeshë?”, “Do na bënet Shqipëria?”, “Sazani”, “Ismail Qemali”, “Unë dhe bota”, e sidomos vjersha e famshme “Vlora, Vlora!”, “Ah ky vend …” etj., të realizuara gjatë viteve 1916 – 1924, tok me idealizmin romantik kombëtar, dallohen  dhe ngjyrat shqetësuese qytetare të krijuesit. Poezia “Vlora – Vlora” u bë himn e kushtrim në luftën për dëbimin e pushtuesit. Kur preken interesat e Atdheut, ai del në skalionin e parë të protestës dhe shkruan: “Shtatë prill / kopilove, o kopil / e u lute, u këpute / njëqind pashë në dhé u fute!”.

Poeti patriot. Tema atdhetare në poezinë e Ali Asllanit pati dy kulme: Ciklin për Luftën e Vlorës dhe poemën “Hakërrimi”. Në ciklin kushtuar Luftës së Vlorës, sundon dufi dhe sulmi ndaj armikut, lufta e përgjakshme e mbarë popullit, entusiazmi dhe heroizmi i luftëtarëve shqiptarë. Te “Hakërrimi” kanë ndryshuar situatat; s’ka më entusiazëm e dufe fitoresh mbi armikun. Poeti u vërsulet shërbëtorëve të fashizmit, “çakenjëve” që presin errësirën për të pasur “gostitë e veta”: “Hani pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepa, mbushni arka / të pa bukë ju gjeti dreka, milioner’ ju zuri darka …” Ky teh i stigmatizimit të shërbëtorëve të fashizmit, futja në përmasa të mëdha e personazhit negativ të botës shqiptare, i jep dimensione të reja jo vetëm poezisë së tij, por gjithë poezisë shqiptare të kohës.

Poeti lirik.  Ky poet është zëri më i bukur lirik i kohës që jetoi, një mjeshtër i fjalës në poezitë e dashurisë. Është ky poet qejfli që i këndon aq bukur vashës, guguftusë me atë ngjyrë të llahtarshme të  dashurisë. Është ky Ali Asllan që këndon me po atë bukuri vendlindjes, fshatit Vajzë, Vlorës së mrekullive që, siç thotë autori, ka shkuar gjer në fund të botës, por “si Vlorën time s’pashë!” Dashuria për vendlindjen është sa e thjeshtë në të shprehur, aq e madhërishme në të ndjerë: “Vlorën, vetëm Vlorën/ Thelb e kam në zemër./ Ditën e kam dritë,/  Natën e kam ëndërr”.

Ndonëse, Ali Asllani ka shkruar lirika dashurie të ndjera – nënvizon prof. Aurel Plasari – ai përmendet veçanërisht për “Hanko Hallën” me ritmin e gjallë njëmbëdhjetërrokësh e me fjalorin e pasur popullor.  “Hanko Halla” është një rrëfim plot humor në vargje, që pasqyron mundimet dhe frikën e një zonje energjike nga derë e madhe, që është vazhdimisht në mospajtim me modat e mënyrat që sjell në jetë rinia e që, njëherazi, vë në lojë konservatorizmin e vet. Robert Elsie, në veprën “Histori e Letërsisë Shqiptare”, shkruan: ““Hanko Halla” hyn në radhën e poezisë më të mirë të këtij zhanri në letërsinë shqiptare”.  Poema rrëfimtare “Hanko Halla” shquhet për satirën e hollë dhe frymën e ngrohtë popullore: “Hedhur si lastare, hedhur si billonja; / Zonjat mu si çupa, çupat mu si zonja;/ Palët mu si valët, shkon e vjen një tjetër,/ Duket thanë e kuqe edhe femr’e vjetër!/ Dhe ajo që duket, ëngjëlleshë e butë,/ Në një shishe brenda dy shejtanër futë!/ Llëra lakuriq, këmba lakuriq,/ Demek, sa për mua… edhe burri vdiq!”.  Me këtë poezi kaq lirike, në kohën kur Shqipëria qe katandisur “flamur zhele –  zhele” i skamjes, varfërisë dhe injorancës, kur për shqiptarin drita e begatia e jetës qe “mollë e ndalueme”, siç thotë “uragani i ndërprerë”, Migjeni, ai duket sikur jeton në një vend dhe në një kohë tjetër nga ajo që gjejmë në veprën e Migjenit dhe të shkrimtarëve të tjerë realistë të mesit të viteve ’30.

Kjo vepër humoristike me Hankon krijoi tipin e gjyshes sonë dhe përmes kësaj poeti mishëroi kompleksin e ndjenjës e të mendimit me një gjuhë të thjeshtë e të bukur, plot fytyra plastike dhe krahasime poetike. Në të gjithë poemën përshkohet një frymë stërgjyshore shqiptare, që thithet me buzën në gaz e pa keqdashje nga çdo zemër vajzërore e djaloshare.

Ali Asllani hyri në historinë e letërsisë shqiptare me një tufë poezish. Poeti nuk kërkon brumë për poezinë e tij më larg nga zemra e vet, e cila nuk rreh për askënd dhe asgjë tjetër pos për një vashë guguftu. Nuk është e papritur që lumturinë jetësore e barazon me vashën dhe para vetes nuk shtron ideal më të lartë se këtë. Pra, ai këndon për veten, për lumturinë e tij dhe vetëm ta dojë guguftuja e çdo gjë vete si mos më mirë.

Figuracioni i pasur, rimat e zgjedhura dhe organizimi i përsosur akustik i vargut të poezisë dashurore i sigurojnë asaj një vlerë të pamohueshme artistike. Natyrshmëria dhe qartësia e shprehjes, pasuria, pastërtia dhe afërsia me gjuhën e unifikuar letrare pa dyshim i mundësuan një jetë të gjatë veprës së tij. Poezia dashurore e Ali Asllanit, edhe ajo liriko – epike në përgjithësi, është si një vajzë e bukur në kohë të lulëzimit e pjekurisë së saj femërore, që s’ia shohim dot veset, sepse na verbon bukuria. Ali Asllani kuptohet dhe vlerësohet i plotë si njeri, si poet, si shtetar e diplomat, për synimet e shumanshme që i vuri vetes dhe i realizoi mjeshtrisht në kohën, në të cilën jetoi, punoi dhe shkroi, ku gjurmët  e tij të dukshme vazhdojnë të na lënë një frymë të ngrohtë.

*) Master Shkencor për Etnologji dhe Folklor, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë. 

Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”,

Universiteti i “Ismail Qemali”, Vlorë, Albania.

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, Ali Asllani, pasqyra e nje kohe te trazuar

Universitetet dhe objektivat europiane

February 24, 2014 by dgreca

Nga Arjan Th. Kallço/

Artikuj të shumtë edhe në shtypin e huaj po i mëshojnë alarmit për pasojat e pariparueshme që solli dhe po sjell kriza ekonomike. Nga njëra anë shumë kushtetuta e garantojnë me ligj të drjetën për të studiuar, nga tjetra duket se programet e qeverisjeve po e kufizojnë këtë të drejtë. Natyrisht kriza lidhet drejtpërdrejt me mungesën e fondeve në planifikimet e buxheteve, për të mos folur për plane afatgjatë. Nuk po flasim për universitetet shqiptare në veçanti, por edhe për ato europiane, për ato që janë pranë nesh dhe deri dje ishin edhe qëndra të pritjes së shumë studentëve shqiptarë. Në një fjalim të presidentit amerikan Barak Obama, ai është shprehur se Amerika është e madhe, pasi ka universitete të shkëlqyera, që e thënë me fjalë të tjera do të thotë së nuk kanë konkurentë që ta ndjekin nga afër. Pra duhet kuptuar qartë se e ardhmja e një vendi lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me universitetet dhe nivelin e tyre. Ky disnivel ka kohë që ndihet në shumë vende europiane, prandaj po përpiqen që të ecin me hapa të sigurtë drejt kësaj konkurence që gjithmonë mbetet e hapur.

Në Itali të dhënat flasin për një rënie nga viti në vit të numërit të studentëve që regjistrohen në universitete : nga 338 mijë në vitin akademik 2003-2004, në 260 mijë, duke u bërë sfidë objektivave europiane në lidhje me arsimin universitar. Sipas zyrës së regjistrimeve në Ministrinë e Arsimit, shifër jo e plotë, numëri i studentëve që universitete po humbin është gjithnjë në rritje. Të dhënat flasin për një emorragji të pamohueshme, të ngjashme me një buletin lufte.

A do të arrijmë në privatizimin e Universiteteve shtetërore?

Sot bota e qytetëruar e ka të përcaktuar drejtimin e shkollave, ku shtetëroret janë primare dhe më të stabilizuarat. Tek ne si pasojë e dhënies së shumë liçencave për shkolla private, kemi arritur në absurditetin që nuk e ka asnjë vend, me 44 universitete private. Në konkurencën e hapur për cilësi universitetesh në botë, ne jemi të detyruar të qëndrojmë larg tyre, një betejë që kemi kohë që e kemi humbur. Gabimet politike në qëndrimet ndaj universitetit po i japin pasojat që askush nuk do t’i dëshironte. Në Itali ka kohë që po denoncohet “privatizimi i universiteteve” pasi privatët që sponsorizojnë po marrin edhe drejtimin e tyre. Vetë reformat qeveritare nga viti në vit po çojnë në reduktimin e të kurseve të diplomave dhe 57% e kurseve të diplomave është i programuar, një shifër në rritje dhe që po e largon Italianë nga mundësia që të arrijë objektivin me 40% të diplomuar deri në vitin 2020 në nivel europian. Ndërsa ne e kemi tejkaluar këtë objektiv me përqindje, ndoshta do të ishte një shifër e frikshme për nga përqindja, por që cilësia e diplomave është treguesi që nuk na fut dot në rangun e vendeve me universitete cilësorë.

A ka prirje studenti shqiptar sot drejt orientimit të tregut?

Në këtë pikë na duhet një planifikim i domosdoshëm i numërit të diplomuarve dhe mundëisë reale të punësimit, ndryshe kjo panoramë e pështirë do të vazhdojë edhe për shumë vjet. Të diplomuarit po dalin me shumicë dhe nuk ka asnjë tendencë nga ana e studentëve në lidhje me profesionin, pasi edhe regjistrimi i tyre në universitete bëhet i detyruar.

Sipas lajmeve në mediat e shkruara në Itali studentët i ndjekin tendencat e tregut së punës. Ka rrënie në kurset e diplomave të mjekësisë, me më shumë se 1%; në ato shkencore ka një rritje me 7.5%; në shoqëroret kanë një rrënie me 4.8%, të gjitha këto të krahasuara me vitin 2003-2004. Studentët e shkencave humane janë të vetmit që ruajnë një përqindje gati të pandryshuar. A është kjo një tendencë, shumë e rëndë, fryt i politikave të ndjekura dhe të së drejtës për të studiuar? – thotë presidenti i Unionit të universiteteve. Shihet qartë se aspiratave të studentëve u jep goditje kriza e gjatë ekonomike e dy dhjetëvjeçarëve të fundit. Kjo ka sjellë si pasojë që në tre vitet e fundit fondi kombëtar për financimin e bursave të studimit të pakësohet në mënyrë drastike – nga 84% në vitin 2011 ka zbritur në 75%. Janë përjashtuar nga subvencionimet edhe këtë vit akademik mbi 60 mijë studentë. Shumë të rinj të aftë dhe që meritojnë të studiojnë, si dhe që duhet ta përfitojnë bursën nuk mund të përfitojnë nga këto mundësi. Ndërsa tek ne fondi ynë kombëtar duket se i harxhon financimet kot, kur këto mund të shkojnë shumë mirë në drejtime të tjera. A do të ishte e nevojshme që ky fond të përdorej për të rinj që nuk kanë aftësitë e duhura për shkollim në universitete? Viti 2014 është një vit vendimtar për të ndërmarrë reforma të fuqishme në lidhje me arsimin dhe në veçanti për universitetet. Në Itali të parët që nuk janë dakord me këtë situatë janë vetë rektorët e universiteteve që kryeministrit të ri Renci i janë drejtuar me një letër ku theksojnë se e drejta për të studiuar është e pamjaftueshme, 1 në 4 mund të studiojë në universitet. Duhet rikthyer e drejta për studime e parashikuar kjo shumë qartë nga Kushtetuta italiane.  Sipas konferencës së rektorëve ka katër emergjenca me të cilat duhet të përballen universitete italiane: -një plan i jashtëzakonshëm për të rinjtë më të mirë që të mos ikin jashtë, siç ndodhi me 10 mijë studiuesit që e braktisën përfundimisht Italinë. Duhet forcuar alenaca mes formimit dhe botës së punës në të gjitha zonat. Duhet thjeshtuar dhe dhënë më liri universiteteve të konkurojnë, duke kapërcyer çdo delir normativ pa logjikë që penfon çdo lëvizje dhe projektueshmëritë e reja. I njëjti guxim kërkohet edhe prej rektorëve shqiptarë që ta ngrenë zërin e tyre për këto probleme të mprehta, ta thonë hapur mendimin e tyre për nivelin e vërtetë të universiteteve dhe të hiqet dorë përfundimisht nga qëndrime deri vjet tepër të njohura ndaj ekzekutivit kur hartonte reformat për arsimin. Unë besoj se qeveria Rama e ka kuptuar ngërçin e universiteteve shqiptare dhe duhet të përballen me realitetin në të cilin notojnë ato. Një zgjidhje sa më e shpejtë e këtij problemi, na krijon mundësi të bëjmë hapa të duhura drejt cilësisë. Pa një universitet me mentalitet të ri, nuk mund të flitet për një rilindje të re kombëtare.

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Arjana th Kallco, objektivat europiane, Universitett

TRE ARTISTË SHQIPTARË NGA MAQEDONIA EKSPOZUAN NË STUDION E FADIL BERISHËS

February 24, 2014 by dgreca

Studioja e Fadil Berishës  me 13 shkurt 2014 ishte nikoqire e prezantimit të punës krijuese të tre artistëve shqiptarë nga Maqedonia: Nehat Beqirit, Edin Kurteshit dhe Ngadhnjim Mehmetit.

E kuruar si ekspozitë nga Nora Halimi, përzgjedhja e veprave shpërfaq varietet edhe mediumesh, edhe qëndrimesh artistike. Pavarësisht gjinisë dhe teknikës së përdorur, veprat e ekspozuara reflektojnë sa fragmente realitetesh personale, po aq edhe rrethanat sociale, marrëdhëniet e caktuara me shoqërinë, me botën fizike.

Le t’i prezantojmë të tre artistët: Neha Beqiri ka lindur në vitin 1967 në Tetovë. Ai u formua si piktor në Prishtinë, ku kreu Fakultetin e Arteve Pamore dhe më pas studime postdiplomike për fotografinë, i kreu po në Universitetin e Prishtinës. Punon si lektor në Fakultetin e Arteve të Bukura në Universitetin e Tetovës.

Me punimet e tij ka marrë pjesë në mbi 30 ekspozita personale kombëtare edhe ndërkombëtare.

Edin Kurteshi ka lindur në vitin 1977 në Sarajevë. Formimi i tij arsimor u realizua fillimisht në Universitetin e Tetovës, ku kreu Fakultetin e Arteve Pamore për pikturë.

Është është përfaqësues  i një brezi të ri të artistëve figurativë në Maqedoni, ku vepra e tij i ka shfaqur në disa ekspozita personale dhe grupore.

Ngadhnjim Mehmeti ka lindur në vitin 1977 në Tetovë. Formimi i tij u realizua në Stamboll, Turqi, ku kreu studimet në Fakultetin e Arteve Pamore. Edhe studimet postdiplomike për udhëheqës dizajnit grafik i kreu po atje, në Stamboll, pranë Universitetit Marmara.

Ngadhnjim Mehmeti  është themelues i marketingut dhe agjenci reklamash EGGRA në Shkup dhe Tiranë, si dhe ka kryer një numër të fushatave në trojet shqiptare.

Nehat Beqiri u përfaqësua në këtë ekspozitë me një cikël pikturash vizualisht shumë të gjalla, pamje metaforike të ndërtuara me një gjuhë figurative që vë në lojë forcën e mendimit, lirinë imagjinative dhe përvojën e vet artistit.

Monotipite e Edin Kurtishit synojnë të transmetojnë atmosferën dhe përcjellin emocionin e një pejsazhi vazhdimisht të ndryshueshëm përmes optikës personale, duke përdorur zogjtë si entitet metaforik dhe qiellin si mjedis grafik.

Ngadhnjim Mehmeti me serinë e shtypit të portretit të Nënë Terezës ishte më social dhe më i drejtpërdrejtë në trajtimin e fenomeneve dhe situatave që ngjyrosin kohën në të cilën jetojmë, sic është ajo e identitetit dhe globalizmit dhe realiteteve të tjera të cilat janë sa lokale, po aq dhe globale.

Ne Foto: Dr. Skënder Murtezani me dy artistët, Nehat Beqiri dhe Nganjdhim Mehmeti

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Edin Kurteshit dhe Ngadhnjim Mehmetit, Nehat Beqirit, NY, shqiptare nga maqedonia, Studio fadil berisha, Tre artistet

MBI EKZISTENCDEN E SHPIRTIT

February 23, 2014 by dgreca

Esse nga Bep Kuqani/

 Pa shtue asnji argument tjeter, por vetem tue u bazue mbi tri eset-ë e maparëshme “Kredoja e ime Filozofike “, “Kredoa e ime Religjoze” dhe “Bota Sensuale”, mund të vertetohet  me disa prova të thjeshta “ekzistenca e shpirtit” ose Pavdeksia e tij”.

Dihet se nji pjesë e konsiderueshme e njerëzimit nuk beson ne ekzistenecen e “Shpirtit”, ose në “Pavdeksinë e tij” dhe në vazhdimësinë e pafund të “jetës shpirtnore” në nji formë krejtësisht të ndryshme nga pikëpamja “cilësore” me ate të jetës Tokësore.

Kjo sepse njerëzit e zakonëshem besojnë ma shumë n’atë cka shohin, cka ndigjojnëtij”, cka prekin, cka nuhasin dhe cka shijojnë. Dmth besojnë vetëm n’atë pjesë të realitetit të kësaj bote që perceptohet nga shqiset tona. Besojnë gjithashtu edhe në realitetin e botës shkencore, megjithëse edhe këto nuk janë të verteta perfundimtare

Në këte mosbesim perfshihen jo vetëm individë të vecantë nga të gjitha vendet e kësaj Toke, nga të gjitha shtresat shqnore dhe nga të gjitha nivelet intelektuale dhe kulturale, por edhe “Besime Fetare”, tue fillue qysh nga feja ma e vjeter simbas “Biblës” : Judeizmi, e deri te feja ma e re : Jehovajt ; pa permendë fenë e fundit të Realianëve, që s’dihet në se besojnë ose jo në “Pavdeksinë e Shpirtit” që unë besoj se ata duhet t’a kenë zgjidhë me kohë këte problem, në favor të ekzistencës së “përjetësisë së shpirtit”.

Nji ndikim të madh në krijimin e frymës  së këtij mosbesimi kanë ushtrue edhe Kristianizmi dhe Islamizmi me shpikjen në jeten e pertejme te “ferrit” dhe “parrizit” (xhehnetit dhe xhehnemit) me mundimet dhe gëzimet e pa imagjinueshme, per nji kohë që s’merr fund kurrë, ku perfundojnë shpirtnat e njerëzve mbas ndrrimit të kësaj jete të shkurtë, varësisht nga veprat e këqija ose të mira të kryeme në këte jetë.

Në “Bibël” nuk permendet dhe nuk njihet fare ekzistenca e shpirtit dhe as e “ferrit” dhe e “parrizit” në boten tjeter. Per hebrejt, “ferri” e “parrizi” gjinden këtu, në këte jetë e mbi këte Tokë. Parrizi mbi këte Tokë ka kenë “Kopshti i Edenit” që Adami e Eva e humbën porsa hangren “mollen e ndalueme” e, bashkë me ‘ta edhe gjithë njerëzimi mbas-ardhës; ndersa me “ferrin’ kuptohej jeta e veshtirë dhe e mundimëshme jashtë këtij “Kopshti”.

Edhe “Deshmitarët e Jehovajt” mësojnë se ‘shpirti nuk asht i pa vdekshëm dhe i perjetëshem : KUR NJERIU VDES, NUK EKZISTON MA. Vdekja asht e kunderta e jetës -mësojnë ata-. Asnji pjesë e jona nuk ekziston mbas vdekjes. Ata mësojnë gjithashtu se “Jehovaj e dergoi Jezusin në Tokë që të vdiste per ne e të na faleshin mëkatet”. Këtu lindë pyetja : Pse duhej të vinte Jezusi në Tokë per ne e të na falesin mëkatet kur shpirti nuk asht i pa vdekëshem dhe kur me vdekjen e njeriut “ai nuk ekziston ma”, Pra “merr fund gjithshka”?

Asht fakt që edhe pse “Bibla” nuk e njeh fare ekzistencen e shpirtit, asht e gjithëpranueshme në tanësinë e vet edhe nga Kristianizmi dhe Islamizmi.
Dhe jo vetem Judeizmi (feja e hebrejve). por asnji nga besimet fetare të vjetra si Hinduizmi, Budizmi, Paganizmzi dhe cdo besim tjeter fetar që ka ekzistuje në lashtësinë e thellë të jetës mbi Tokë, nuk gjejmë asnji gjurmë të predikimeve të tyne mbi “Jetën e përtejme” dhe asnji gjurmë të besimit të tyne ne nji jetë tjetër përtej Varrit : Nuk ekzistojnë dy jetë, nji e këtejme dhe nji e përtejme, por ekziston NJI Jetë e Vetme, NJI GJTHËSI e Vetme dhe NJI ZOT i Vetëm pa Fillim e pa Mbarim.
Nji tjetër motiv që i largon njerëzit nga besimet fetare asht edhe fakti se në themel të doktrinave të tyne fetare qëndrojnë “të pa vertetat”,   trillimet dhe ngjarjet absurde, të pamdununa me ndodhë.
Dihet se burimet e para të dijes njerëzore mbi “Boten dhe Mendjen’ i kanë fillesat te “Feja” dhe te “Shkencat”.
Guri themeltar i dijeve fetare asht “Bibla” e Vjeter dhe e RE si dhe “Kurani”, dmth në pergjithësi “Shkrimet e Shejta” që pretendojnë  të jenë “të verteta absolute”, “të perjetëshme”, “të pagabueshme” dhe të “pa kundershtueshme”.
Ndersa guri themeltar i dijeve shkencore asht “Filozofia” : Fillesa e të gjitha shkencave të realizueme deri më sot dhe që na zbulon vazhdimisht gjana të reja mbi “Boten e Mendjen” të pa njohuna ma parë.
Pikrisht  këtu qëndron paradoksi i madh dhe absurditeti që edhe sot në shekullin e XXI-të, njerëzit

vazhdojnë me besue në dy burimet kontradiktore të dijes, asaj fetarë që ka si premisë “Zoti krijoi gjithshka prej asgjaje” dhe asaj shkencorte që ka si premisë “Asgja nuk krijohet, asgja nuk zhduket, cdo gja transformohet”.
Dhe kjo shpjegohet me faktin sepse besimi në dijet fetare ka kenë jashtëzakonisht i madh dhe ka dominue per nji periudhë të gjatë kohore prej disa shekujsh në shoqninë primitive të atëherëshme, si i vetmi burim ditunije i asaj kohe, kur filozofia ishte në hapat e para të saj dhe shkencat nuk kishin krijue ende bazat e veta te shndoshta; kështu që  ato  dije fetare nguliteshin mire në trunin e zbrazët të asaj shoqnije primitive, ku dijet shkencore mungonin pothuejse krejtësisht.. Per ta ba edhe ma të besueshme këte fe të re. ata trilluen edhe  historinë shumë tërheqëse të krijimit të botës dhe të jetës qysh prej njeriut të parë profetit Adam e deri te profeti ma i fundit i tyne Malakia, që vazhdon edhe sot të tërheqë dhe të besohet nga nji mase jo e vogel njerëzish sepse ishte kjo ndoshta shpikja e parë që trajtonte historine e krijimit të botës dhe të njeriut edhe pse jashtë cdo kriteri shkencor e real.
Feja p.sh. mësonte se Toka asht në qender të Gjithësisë; se ajo asht e sheshtë dhe e pa lëvizëshme; se dielli rrotullohet rreth tokës;e plot kësi absurditetesh rë tjera.
Por kur filozofia dhe shkencat filluen të thellohen dhe të pasunohen me njohuni të reja, atëherë filloi të duket kjartë edhe kontradikta e thellë në mes këtyne dy fushave të njohunisë. Zbulimet shkencore pergënjeshtronin komplet “shkrimet e shejta” mbi krijimin e botës dhe të Njeriut. Këto kontradikta, me zhvillimin dhe perparimin e dijeve shkencore, u kthyen në konflikte të ashpra dhe të pergjakëshme, aq sa shumë shkencëtarë  i paguen me vuejtje, me tortura dhe edhe me jetë zbulimet e tyne shkencore, vetëm pse binin
ndesh me “shkrimet e shejta”
Te ese-ja “Kredoja ima Religjoze” janë trajtue ma hollësisht këto ceshtje, prandaj nuk po zgjatem ma mbi këte argument.
Le të kthehemi tash te  argumentat mbi ekzistencen e shpirtit :
Besoj se nuk ka njeri që të më kundershtojë se kjo “Botë” që na rrethon nga të gjitha anët asht edhe e “dukëshme”, edhe e “pa dukëshme”; edhe “konkrete”, edhe “abstrakte”; edhe “objektive”, edhe “subjektikve”; edhe “e fundme”, edhe e “pa fundme”; edhe “e perkoheshme”, edhe “e perjetëshme”.
Pjesa e kësaj bote që në perftyrimin tonë na paraqitet “e dukëshme”, “konkrete”, objektive”, e “fundme” dhe e “perkohëshme”; asht pikërisht bota e kësaj jete tokësore “Bota e Ndijshme”, të cilen e kam trajtue te ese-ja  “Bota Sensuale”.
Ndersa pjesa tjeter e botës që në vetëdijen tonë na pasqyrohet e “pa dukëshme”, “abstrakte”, “subjektive”, e “pa fundme” dhe e “perjetëshme” asht “Bota Shpirtnore” bota e pa peceptueshme, prej
shqiseve tona; ajo Botë “misterioze” ose “Bota Mendore”, energjinë e së cilës e ndjene apriori cdo individ në qenien e tij. Asht kjo energji që mbanë gjallë jeten, vazhdimësinë e saj të pa fund : Jeta pa shpirt nuk mund të ekzistojë. “Shpirtin” Leibnitzi e perkufizon si nji “monadë”, si nji thermi jashtëzakonisht të vogel konsubstanciale me shpirtin e Gjithësisë, që asht vetë ZOTI.  Afersisht po kështu e perkufizon edhe Hegel-i: “Si nji moment i procesit të krijimit të Universales dhe shuma e këtyne momenteve perban ABSOLUTEN (Zotin) ”
Shpirti e mendja janë nji gja e vetme. Shpirti e ka seline e vet në trunin e njeriut, ndersa ndnjenjat ose sentimentet në zemren e tij.
Këto perkufizime të   dhana nga dy dijetarë të medhaj, nuk mund të mos konsiderohen si dy prova per ekzistgencen e shpirtit. Por këto nuk janë të vetmet prova. Per ekzistencen e shpirtit ka edhe shumë prova të tjera, nder të cilat unë do të vecoj tri ma kryesoret e ma bindëset :
1) RELIGJONIN; 2) ARTET dhe 3) SHKENCAT.

RELIGJONI :
Religjoni nuk asht nji objekt i “botës tokësore” të perceptueshme nga shqiset sic janë dielli, hana, hyjet, oqeanet, flora, fauna, etj. por asht nji subjekt i bashkëlindun me prejardhje nga “bota shpirtnore” në të gjitha qeniet e arsyeshme , kudo ku mujnd të ekzistojnë. Ai asht NJI I VETËM në të gjithë Universin. Edhe shkalla e ndjeshmënisë dhe e vetëdijes së pranisë të këtij Religjoni asht e njejtë në të gjitha qeniet e arsyeshme, pavarsisht nga niveli i tyne intelektual e kultural.
Te njerëzit e lashtë, në fillimet e jetës njerëzore mbi këte Tokë, niveli intelektual e kultural i dijeve fetare dhe shkencore ishte “zero” sepse nuk ekzistojshin as njena dhe as tjetra. Por Religjoni ekzistonte.
Besimi në “perjetësinë e shpirtit” ishte i pa tundun. Ata  ndjenin instiktivisht nji siguri absolute se njerëzit kur vdisnin nuk zhdukeshin, por pësonin nji transformim të kësaj jete në nji tjeter të ndryshme, ma të zhvilluerme dhe ma të naltë intelektualisht dhe se ky cikël transformimesh, zhvillimesh dhe ngritjesh perherë e ma nalt në sferen e ditunisë vazhdon pafundësisht.
Kjo intuitë, ky ndricim i mendjes dhe këte besim të plotë nuk kishte kush t’ua mësonte sepse n”ato kohna tejet primitive nuk ekzistojshin as “shkrimet e shejta” dhe as “vepra shkencore”, por ishte thjeshtë “Besimi ose Religjoni i lindun bashkë me ‘ta.

Pra Religjoni e ka origjinen nga nji botë tjeter krejtësisht të pastërt, predispozitat morale të së cilës janë të perjetëshmë dhe të pa ndryshueshme. Këto predispozita perbajnë esencen e Religjonit dhe janë të gdhenuna në ndergjergjen e cdo individi që vjen në këte botë. Respektimi sa ma i mirë i tyne garantojnë paqen, lumtuninë dhe mirëqenien në këte jetë.

ARTI
E njejta gja mund të thuhet edhe per Artin dhe per origjinen e tij. Le të marrim artin e “Muzkës.”
Në “boten objektive” të perceptueshme nga shqiset tona nuk ekzistojnë ‘tone”, “akorde” as “melodi”. Në këte botë kemi vetëm “zhurma”, nga njiherë të forta, të fuqishme, të frikshme e jo rrall katastrrofike. Të tilla janë zhujrmat e vullkaneve, të termeteve, të rrebesheve të shinave të rrëmbyeshem, të vetimave e bumbullinave, të ernave të shpejta dhe të fuqishme. që janë absolutisht të pa krahasueshme me tingujt melodiozë të muzikës.
Muzika, harmonia e tingujve, janë të hueja per boten shqisore. Burimi i të gjithë krijimtarisë në këte art  si dhe krijimi i dhjetra instrumentave të ndryshëm muzikorë, tingujt e mahnitëshem të të cilave nuk gjinden askund mbi këte rruzull, por na vijnë nga nji botë tjeter; nga bota shpirtnore. Ndryshe si spjegohet fakti i ekzistencës së dhjetra dhe qindra kompozitorëve dhe instrumentistave virtuozë në moshat adoleshente, pa asnji pervojë nga jeta e kësaj bote shqisore? Po fakti që BET’HOVENI kryeveprat ma të mëdha muzikore i krijoi mbasi u shurdhue komplet dhe s’kishte asnji kontakt me zhurmat e kësaj Toke ? Janë të pashterrëshme krijimet melodioze aq të mrekullueshmë, me nji bukuri të pa pershkrueshme të këtij Arti Suprem të supergjenive Bah, Bet’hoven, Vagner, Moxart e plot të tjerë; krijime të cilat do të vazhdojne persëri pafund,sa të jetë jeta në të gjitha gjinitë e këtij arti, sepse e bukur dhe e pafund asht edhe vetë bota shpirtnore.

Piktura dhe Skulptura nuk janë kopjime të thjeshta të Natyrës, por janë imazhe të nji bukurije ideale të saj, plot jettë e gjallni, plot dritë e hijeshi. Në boten e dukëshme na gjejmë vetëm shtatë ngjyrat e ylberiit ndersa në veprat e gjenive të mëdhej të pikturës e skulpturës:  të Mikelangelos e Da Vincit, të Raffaelos e Rembrandit,të Van Goghut e Picassos, të Rubensit e Samsonit e të sa e sa gjenive të tjerë të këtij Arti, na gjejmë nji pafundsi ngjyrash të krijueme nga nuancat e ngjyrave të ylberit. Asnji nga veprat e tyne, kjofshin piktura apo skulptura, nuk mund të identifikohen me asnji objekt të botës reale në sensin e bukurisë, të cilat janë të pa krahasueshme dhe inekzistente në boten reale: Ato janë imazhe fantastike të nji bukurije të persosun me origjinë nga bota shpirtnore.
Letersia asht nji tjeter Art i mrekullueshem që na pasunon boten shpirtnore me njohje në fushen e psikologjisë njerëzore. Janë të pavdekëshme dhe të pa arrijtëshme veprat artistike të Homerit, Shekspirit, Dantes, Gëtes, Servantesit e të sa e sa të tjerëve në të gjitha gjinitë e këtij Arti si në Poezi e në Prozë; në Epikë e Lirikë; në Tragjedi e Komedi.

SHKENCAT

Janë fushat e ditunisë që studjojnë e na mndësojnë njohjen e ligjeve të Natyrës. Arsyeja, Logjika dhe Kujtesa (Memoria) janë fakultete thellsisht shpirtnore. Shpirti asht ajo thermi e vogel konsubstanciale me Mendjen Universale që Leibnitzi e quente “Monadë”, ndersa Hegel-i e quente ” nji Moment i procesit të krijimit të Universales”, shuma totale e të cilave perban Mendjen Universale që ata e identifikojnë me Zotin.  Me zhvillimin e shkencave, me njohjen e saktë të  disa ligjeve të Natyrfës, Njeriu mrrijti të eci jo vetëm mbi Tokë por edhe nën Tokë; jo vetëm mbi det, por edhe nën det; jo vetëm të fluturojë në hapsinat për rreth Tokës por edhe të shkëputet fare nga gravitacioni i saj dhe të fluturojë në hapsinat e pa matëshme të Kozmosit  Asht merita e Gjenive të mëdhej të shkencave si Pitagora e Arkimedi,  Galileu e Koperniku, Dekarti e Paskali. Njujtoni e Ainshtaini, Leibniytzi e Maksëelli dhe i dhjetra shkencëtarve të shquar Astronome e Fizikantë, Matematicienë e Arkitektë, Filozofë e Antropologë, Arkeologë e Kimistë që me zbulimet e tyne bane të mundun arritjen e këtyne mrekullitë të verteta.
Të gjitha këto janë frute të prodhimtarisë shpirtnore që provojnë ekzistencen e shpirtit, i cili edhe pse asht vetëm nji thermi infinitezmale e SHPIRTIT ose e MENDJES UNIVESALE permbanë potenciale të
pakufishme në zhvillimet dhe aftësitë njohëse per ditë e ma teper të Botës dhe të Mendjes.
Keto tri Prova që heret a vonë do ti kuptojmë  dhe do ti përjetojmë realisht, mund ti quejmë edhe kështru :
Religjoni asht E MIRA;
Arti asht E BUKURA dhe
Shkenca asht E VERTETA
Pra Natyra na ka dhurue tri mundësitë absolute ma të mira per ta gëzue dhe per ta shjiue jeten trupore dhe shirtnore; në këte botë dhe në këte jetë.
Asht gabimi shekullor mija vjecar i njerëzimit me origjinë fetare që na privoi nga këto tri dhurata ma të cmueshme të Natyrës tue krijue diktaturen, dhunen, ligjet anti njerëzore, luften, burgjet, ndeshkimet me vdekje,
torturat, rrenat, mashtrimet e plot mundime të tmerëshme, per ti imponue njerëzve besimet e tyne fetare, të ushtrueme me egersi kjoftë nga Hebraizmi, Kristianizmi dhe Islamizmi.
Para ekzistencës së këtyne besimeve, jeta e njerëzimit ka kenë ma paqësore, ma shpirtnore ma e arsyeshme, ma dinjitoze e ma e lumtun . Sa ma shumë të ecim në thellësi të shekujve, aq ma e bukur ka kenë jeta; aq ma afer këtyne dhuratave të Natyrës.
Evolucioni i jetës njerëzore, potencialet e pakufishme të  botës shpirtnore dhe predisponibiliteti per tu zhvillue per ditë e ma teper në këto tri fusha, perbajnë bazen e krijimit në nji t’ardhme jo të largët të parajsës se vertetë tokësore, tue i ndrrue krejtësisht drejtimin  rrugës së gabueme të ndjekun prej mija e mija vjetësh, që  e shndrruen  në nji “ferrë” të pamerituem shejtninë e kësaj jete.

Filed Under: Kulture Tagged With: Bep Kuqani, Mbi ekzistencen e shpirtit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 345
  • 346
  • 347
  • 348
  • 349
  • …
  • 544
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT