• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Turizmi kulturor –një dritare mbaje hapur për vendin tënd

July 30, 2013 by dgreca

*Gjashte monumentet prehistorike,7- monumentet e periudhës qytetare,10- objekte të kultit,4-veprat e artit,6- banesa popullore.

*Nëntoka e Vlorës dhe mbitoka kanë nxjerre , ndërkaq janë listuar numër i konsiderueshëm objektesh arkeologjike. Kjo si dëshmi e plotë e historisë duke ecur nga antikiteti deri në periudhat e fundit. Kjo pasuri e klasifikuar te turizmi kulturor mund dhe duhet të grish turistët.

Nga Gëzim Llojdia/

Ne Foto:Turistet ne qytezen e Orikut/

Diversiteti i pasurisë kulturore evropiane dhe dinamizmi i krijimit artistik paraqesin dëshmi të rëndësishme, ose le të themi, themelore të qytetërimeve të “identitetit evropian”, thotë Ëikipedia për turizmin kulturor në Shqipëri.Pasuria kulturore përkufizon identitetin e një bashkësie njerëzore dhe përben një resurs të çmuar i cili për vetë natyrën e tij të ndërlikuar, nuk është i rinovueshem dhe për këtë gjë ka nevoje të mbrohet dhe vlerësohet për t’i garantuar jetëgjatësinë dhe përfitimin në kohëzgjatje.Qytetet artistike ose historike, le të themi, janë gjithmonë e më të privilegjuarat nga pikëpamja e vëzhguesve dhe ruajtësve të artit dhe kulturës, duke qenë se janë ata pasqyruesit e saj të vërtete si auto-oferta turistiko-kulturaleDuke qenë se oferta historiko-kulturore sebashku me ruajtjen e ndërtesave dhe pasurisëarkeologjike/artistike/kulturore përkrah çilesise se këtyre ofertave, përforcojnë interesat e këtyre zonave urbane duke shtuar investimet dhe përfitimet ekonomike, si në kuptimin e investitorëve lokale ashtu dhe në atë të flukseve turistike.Turizmi kulturor (ose kultural) ka si qellim të japë kontributin e tij duke përqendruar vështrimin në aspektet ekonomike dhe të punësimit, duke nënvizuar vlerën e aktiviteteve kulturore dhe kontributin e saj në ndërthurjen dhe mbarëvajtjen e raporteve sociale, në identitetin rajonal dhe në zhvillimin e komunitetit në kontekstin urban.

Numri i atyre turistëve, që kanë dëshirë të eksplorojnë objektet kulturore si dhe ata, që kërkojnë të njihen me kulturën e një vendi është i vogël. Ndryshe nga turizmi i rërës dhe diellit ku drejt plazhe  rendin të gjithë ti frekuentojnë, tek turizmi kulturor numri i kureshtarëve mbetet i pakët. Arsyet mbi të cilat grishet ky gjykim janë:

 

1-Nga të dhënat e përgjithshme  vetëm rreth 10% e fluksit të turistëve vërshon drejt turizmit kulturor.

2-Një turist mbasi ka vizituar një herë një objekt kulturor,sit arkeologjik,muze,kala,objekt kulti, ai nuk kthehet më,por kërkon mundësi të reja eksplorimi kulturor. Numri i atyre, që rikthehen kryesisht në site arkeologjike është i vogël. Në një anketim te parqet arkeologjike të Vlorës me  turistë të kësaj fushe  ,rreth kësaj pyetje:A do të riktheheshin sërish?

Përgjigja e tyre ishte mohuese duke shpjeguar se ishin në kërkime të mundësive të reja. Një pakicë u përgjigj pozitivisht, ja vlen ti rishikosh nëse ka edhe zbulime të reja .Një kategori, që vjen për të eksploruar objektet kulturore kishte edhe mundësi të kufizuar kohe dhe sigurisht  financiare.

3-Nga numri i përgjithshëm i turistëve, që vijnë në vendin tonë vetëm një pakicë shpreh interesa  kulturore, që do të thotë:  dëshirë për të vizituar muzetë,sitet arkeologjike,kështjella,objekte kulti etj.

4-Destinacioni: Albani-Ballkan është fare pak i pranishëm nëpër panaire turistike me stenda gati modeste krahasuar me vendet fqinje. Konsujt,atashetë kulturore të vendit  në përfaqësitë shqiptare në botë,janë thjeshtë rrogëtarë.Punën e tyre  nuk e kanë konsideruar ndonjëherë të lidhur me zhvillimin e  turizmit të vendit të tyre.

Cilët janë turistët që frekuentojnë  turizmin kulturor?

Nxënësit e shkollave,studentet,intelektualët,shkencëtarët,studiuesit si dhe një pakicë kureshtarësh. Vendet nga të cilat vijnë turistët janë:Greqia,Italia,Franca.Turistë lindore shumë pak ndërsa s’bëhet fjalë për aziatikët. Shifrën më të madhe të vizitorëve, që kanë  parë objekteve kulturore në Vlorë  e përbëjnë  shqiptarët nga trojet shqiptare si :Kosova,Mali i Zi,Maqedonia.

Guidat: Dy fjalë të shkurtra mund ti përmbledh kështu:Cekët të cilët kanë frekuentuar Vlorën në guitën e tyre për Shqipërinë kishin në kopertinë një kalë të paraqitur si atraksion të veçantë. Mbetet i çuditshëm fakti:Në Orikum është ndërtuar një port jahtesh me pronarë italiane dhe izraelitë etj. Asnjë interesim nuk kanë shfaqur për të vizituar rrënojat në lagunën e qytetit .Çudia tjetër buron nga fakti  se  ky qytet ,pra Oriku në mesjetë ka mbajtur një emër  Jerico(,qytet  i sotëm me po këtë emër  në Izrael), vetëm 5 km distancë dhe asnjë kuriozitet. Një guit  e prodhuar në Romë për Ballkanin të cilët e kishin dy motorist italianë ,aty shtetet ballkanike përfaqësoheshin denjësisht,kurse Shqipëria vetëm me 10 rreshta. Ne prodhojmë brenda vendit dhjetëra guida, por sa prej tyre bien në duart e të huajve. Problemi është i qartë si drita e këtij dielli:Si do të mund të futen në guidat e të huajve njohurit për Shqipërinë?

Këtë duhet ta zgjidhin konsujt shqiptarë apo atashetë kulture të vendit tonë.

 Një turistë kur niset për destinacion jashtë vendit të tij, blen më parë një guit në shitoren e qytetit të tij. Kështu ai vjen i “armatosur “ dhe thuajse eksploron ato çfarë ka të shkruara në guitën e vendit të tij.

Disa aspekte të tjera që do të mund të përmirësonin punën e turizmit kulturor. Infrastruktura rrugore.

 Për të shkuar në qytetin Olympia- mungon rruga. Nuk ka guit. As një tabelë apo shënues në kryqëzimin e fshatit Mavrovë e sotme. Distanca 16 km nga qyteti i Vlorës. Po ndërtohet rruga për në Amantia,qytete ilir, 37 km nga qyteti. Mungon restaurimi i objekteve të cilat kanë parë dritën e diellit vetëm 60 vjet më parë nga ekspedita arkeologjike. Mungon infrastruktura rrugore për në Cerje, nuk ka guit për Shpellën e shkruar të Lepenicës dhe Velcës,nuk ka restaurime të reja në Orik . Përmirësimi i rrugës  për në kalanë e Kaninës, rregullimi i urës për në Manastirin e Zvernecit ,restaurimi i  i objektit.Infrastruktura rrugore,guitë,personel i kualifikuar shkencor për site arkeologjike etj.

Më çudit fakti që të gjithë ngrenë këto probleme,që nga punonjësi i thjeshtë,qytetari shtetari dhe zyrtari. Problemi është kaq i thjeshtë: kush duhet ti vejë në jetë ?

Cilat janë disa nga objektet arkeologjike, site,kala,kështjella,objekte regjionale të cilat shprehin interes për tu vizituar nga turistët në rrethin e Vlorës ?

Monumentet prehistorike

Vendbanimi paleolitik i Zvërnecit.

 Shpella e Himarës. vendbanim mezolitik.

Shpella e Velcës. vendbanim neolitik.

Shpella e Lepenicës. periudha e bronzit.

Kodër-varret Dukat-fushë. periudha e bronzit.

     6-Kodër-varret Vajzë. periudha e bronzit.

Monumentet e periudhës qytetare

Qyteti i Amantias (Ploca).

Qyteti i Kionina (Kanina).

Qyteti i Olimpias (Mavrova).

Qyteti i Orikut (Orikum).

Qyteti i Aulonës (Vlora).

Qyteti i Himaraj (Himara)

7-Mbishkrimet në Gramë-Karaburun

objekte të kultit

Kisha e Shën Kollit, Armenit.

Kisha e Marmiroit, Dukat.

Kisha e Shën Mërisë, Zvërnec.

Kisha e Shën Sotirës, Dhërmi.

Kisha e Ipapandisë, Dhërmi.

Kisha e Shën Mërisë, Dhërmi.

Kisha e Mesodhisë, Dhërmi.

Kisha e Shën Sergejit dhe Bakut, Himarë-fshat.

Kisha e Athalit, Himarë-mal.

Xhamia e Muradijes, Vlorë.

Veprat e artit

1. Ura e Bratit.

2. Ujësjelllësi i Vranishtit.

3. Ura e Frëngut, Gjorm.

4. Ura e Slapit, Drashovicë.

Banesa popullore

Kullat e Dervish Aliut, Dukat.

Kullat e Ali Tashë Tepelenës, Gumenicë.

Godina e muzeut të pavarësisë.

Godina e klubit patriotik “Labëria”

Kompleksi ndërtimor i rrugës Justin Godar”.

 Sahati i qytetit.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Gezim Llojdia, mbaje hapur, nje dritare, per vendin tend, Turizmi kulturor

“POEZIA IME LINDI NË ATË VEND, KU UNË VURA KOKËN SË PARI…”

July 30, 2013 by dgreca

Bisedë me Anila Dahriun, emigrante në Kalabri të Italisë”/

 Nga: Prof. Murat Gecaj/

.-Besoj të kujtohet që, së pari,  ne jemi takuar e njohur në një veprimtari të bukur, që u organizua në Tiranë, me rastin e përurimit të disa librave të rinj…Çfarë mbresash ruan nga ajo ditë?

-Përshendetje, Profesor! Po, vërtet ishte një ditë e veçantë, ku përveç rrezeve të ngrohta të qershorit 2011, që mbështillnin qytetin e Tiranës, ato kishin mbështjellë dhe shpirtin tim, ardhur nga  gulçet e emocioneve, që ndieja. Unë vija aty nga larg, për paraqitjen e librave të mi,”Lërmë të vij me ty” e “Mos ma lëndo ndienjën”,të përkujdesur nga Pilo Zyba, i cili ishte protagonisti i organizimit të kësaj ngjarjeje. Bashkë me mua ishin dhe dy krijues të rinj të talentuar, Dëshira Haxhi dhe Sajmir Hide. Ajo, që më mbushi më tepër me emocione të vençanta dhe më frymëzoi pa masë, ishte fakti që, pikërisht atë ditë, bëhej dhe përkujtimorja e poetit të njohur Vehbi Skënderi. Pra, ndihesha mjaft e privilegjuar, që pikërisht librat e mi dhe të kolegëve, u përuruan edhe në nderim të këtij poeti të madh  të vendit tonë, ku unë dhe miqtë e mi dhamë ndihmesën tonë modeste edhe financiarisht, për realizimin e asaj veprimtarie të bukur e të paharruar. U ndieva, me gjithë mend mirë, ndërmjet njerëzve mjaft të njohur të letrave shqiptare. Me kënaqësi prita aty përgëzimet, si dhe kritikat e tyre dashamirëse, një shtysë kjo për të ardhmen në ktijimtarinë time.

2.-Jo vetëm për mua, por dhe për lexuesit e këtyre radhëve, është me interes të dimë diçka më shumë për jetën tënde: prejardhjen, shkollimin, familjen, punën etj.

-Unë kam lindur në qytetin e Vlorës, më  25 maj 1970, nga një familje e thjeshtë çame. Prindërit e mi emigruan në Shqipëri, në vitin 1945, të detyruar nga persekutimi dhe shfarosja e kësaj etnie në trojet e tyre stërgjyshore, në vendin fqinj grek, ku ua pushtuan me dhunë të gjitha tokat dhe pasuritë e lëna. U rrita nën kujdesin dhe edukimin e tyre të rreptë, pasi vetë koha të detyronte të krijoje një murajë mbrojtëse për të mbijetuar, në atë periudhë të errët të diktaturës komuniste. Isha fëmija më i vogël, në një familje të madhe, me 8 fëmijë. Prindërit e mi, me sakrifica të mëdha, u munduan për shkollimin tonë, që ishte një nga kërkesat e tyre më tëe ligjëshme dhe kryesore ndaj nesh. Im atë, një intelektual i thjeshtë, ekonomist në një nga ndërmarjet buqësore të qytetit, u përkujdes gjatë tërë jetës së vet, mes mijëra vështërsive, të na krijonte një strehëzë dhe të gjitha materialet e mundshme për jetën tone, mjaft të ndërlikuar nga regjimi i kohës. Më pas, njëri-pas tjetrit, secili nga ne fëmijët, përkujdesej për më të vegjëlit. Nëna ime ishte mjaft kërkuese, ndaj ne fëmijëve. Ajo punonte në ndërmarjen e konservave të qytetit dhe, falë saj, krijova karakterin tim të forte dhe arrita t’i përballoja me guxim, më vonë, të gjitha “betejat” e jetës sime.

Këtu, nuk mund të lë pa përmendur as gjyshen, “fatën mbrojtëse”, e cila zuri një pjesë të rëndësishme në jetën time. Qëndrova me të 22 vjet, po aq edhe me tim atë. Por vdekja e pamëshirshme m’i mori njëri pas tjetrit, brenda një viti. Ndoshta, kjo periudhë ka qenë më e vështira e jetës sime dhe ndikoi në formimin tim të mëtejshëm. Pra, u gjenda ndërmjet shndërrimeve kolosale të vendit tim dhe humbjes së njerëzve më të dashur të jetës sime. Më tej, mua do të më mungonte gjatë, ajo strehëz e dikurshme, ai udhëheqës i hapave të mi në jetën time,  duke u ndodhur në të  papriturat e saj. Se nuk do ta kisha më atë ngrohtësi të gjyshes sime, kur natë e ditë thurte  uratat dhe fjalët më të ëmbla për mua, kur i shërbeja  me aq zell e dashuri.

Në vitin 1988, mbarova shkollën e mesme industriale, në degen mekanike. Vendosa që mos të vazhdoja më tutje, pasi prirjet e mia i takonin degës së letërsisë. Gjatë atyre viteve, deri më 1991, punova në një nga ndërmarrjet e qytetit. Ndërkaq, të gjithë do të gjendeshim përpara një gjigandi të furishëm dhe të domosdoshëm, të ardhur si papritur. Pra, ndodhi mrekullia: shndërrrimi i sistemit, fryu furishëm era e demokracisë edhe në strehëzat tona. Po, vallë, a do të ishte kështu?!

Më 1996, pasi doli në dritë libri im i parë me poezi, “Porta e vetes”, redaktuar nga shkrimtari Bardhosh Gaçe, vendosa t’i nisja studimet në degën gjuhë-letërsi, të Universitetit “Eqerem Çabej”, në Gjirokastër. Isha shumë entuziaste dhe pse vështirësitë ekonomike I kiushim të mëdha. Isha futur në këtë udhë me forcat e mia dhe përkrahjen e nënës sime, pra që të studioja dhe ta realizoja ëndrrën time. Por, fatkeqësisht, isha e detyruar të mos i vazhdoja studimet, nga situatat e ndera, që u krijuan në qytetin tim. Pikërisht në atë vit u njoha me bashkëshortin tim, me të cilin dhe sot udhëtojmë në “binarët” e jetës, të cilën e kemi krijuar bashkë.

Këto vite kanë qenë dhe janë vitet, që kanë ndikuar dhe në formimin tim letrar. Pasi vendosa të lija vendin tim, më 17 mars , me anijet fantazma, në kërkim të së ardhmes, u shkëputa për një periudhë të gjatë nga endrra ime e dikurshme, duke futur në folenë, jo të harresës, tragjeditë e asaj kohe dhe kanalin e Otrantos, pas një jave të mbërritjes në anën tjetër të Adriatikut. Lashë kështu pas qytetin tim dhe vendosa të isha shpëtimtare e jetës sime, duke u përkujdesur me shpirt edhe për  mbesën. Pas vdekjes së babait tim, u përkujdesa për edukimin dhe mirërritjen e saj…E kujtoj mirë atë ditë marsi, kur e shtrëngoja atë fort në gjirin tim, mes dallgëve të furishme, që mund ta gëlltisnin anijen tonë, me 400 veta brenda. Por, tani pas kaq vjetësh, jam shumë e gëzuar, që mbesa ime ka krijuar familjen e saj dhe jeton në Romë, bashkë me burrin e një vajzë.

Më duket se ende i dëgjoj krismat e atij mëngjesi marsi, kur me kallashnikov në dorë, banditët qëllonin në ajër, drejt qiellit, për ta trembur turmën, e cila afrohej me synimin që të hipnin në anijen karakatinë…Ende më ngjan se dëgjoj klithjet e fëmijëve dhe ngashërimet e nënave, kur përcillnin fëmijët e tyre drejt një bote tjetër, të panjohur…Unë isha më me fat, ndoshta, për ta shkruar një ditë këtë ngjarje të kobshme, se sa fqinjët e mi. Se, pas një jave, ata i gëlltiti deti i madh e u bënë ushqim për peshqit?! Ndaj, kur mbërrita në krahët e të ardhmes, bashkë me mbesën time, aq të tronditur dhe të zhytyr në të vjella,vendosa të luftoja ankthet e përmbindshme, që kishin pushtuar shpirtin dhe trupin tim. Fillova t’i kushtohem me të gjitha fuqitë e mia jetës së re dhe mbesës sime. Duke iu shkëputur shkrimit dhe endrrës sime për të dëshmuar, i ruajta atje kujtimet e mia, në “sëndukun” e viteve, që kalonin dhe nuk doja t’i zgjoja…

Aktualisht,  jetoj në Pietrapaola të Kalabrisë, që është vendi i lindjes së tim shoqi. Këtu jemi transferuar para 4 vjetësh. Një periudhë të gjatë jetova, bashkë me familjen time, në Firence, ku kishim nisur të ndërtonim të ardhmen. Më 2008, pas krizës botërore, e cila preku dhe familjen tonë, filloi një betejë ende më e ashpër për mbijetesë. Pas 2 vjetëve, humba përgjithnjë dhe nënën time, që ishte një goditje tjetër e rreptë e fatit për mua. Por, si gjithë betejat e jetës, dhe këtë herë fitoi thjeshtësia dhe kuptimi i vlerave të saj…Dhe, si i thonë në një shprehjeje, pas një të keqeje, vjen një e mirë. Kështu, unë iu riktheheva ëndrrës sime të shkrimit.

Aktualisht, në sezonin e verës, punoj në studion time (sallon estetik) dhe në muajt e dimërit përkujdesem për leximin dhe studimin e autorëve të mi të pëlqyer,  si shqiptarë dhe të huaj. Po, përgjithësisht, lexoj shumë letërsi të huaj, e cila ndikon dhe mbushë forminin tim letrar. Më kryesorja, është përkushtimi ndaj familjes sonë, përkujdesja dhe edukimi i fëmijëve, Davide dhe Simone.

 

3.–Siç e treguat edhe më lart, ashtu si mjaft të rinj e të reja shqiptare, ka disa kohë që ndodhesh në emigracion, në Itali. Si e përjeton ti këtë gjë dhe si i mban lidhjet tua, me vendlindjen e Shqipërinë?

-Po, kam 17 vjet larg Atdheut. Por, njëkohësisht, gjatë kësaj kohe, tashmë, jam përshtatur plotësisht dhe me Italinë fqinje. Këtu doja të theksoja, duke iu përgjigjur sinqerisht pyetjes suaj, që emigrimin e kam përjetuar thekshëm dhe shumë ashpër, në vitet 1993-1994, kur gjendesha me vëllezrit e mi, në  qytetin Bari. Ishte i pakët qëndrimi ynë aty, vetëm një vit. Pastaj jam detyruar të kthehem në vendlindje për shkak të sëmundjes të tim eti, i cili u nda përgjithnjë nga jeta, pas dy muajve. Ky ishte dhe grushti më i forte, që jeta më dha. Nëna ime jetonte vetëm me mbesën time 13- vjeçare, sepse motra ime u rimartua me një person,  që sipas tyre, nuk mund të bëhej kurrë ati i saj…

Përsa i përket intregimit tim, në këtë vend të huaj, mund të them se ishin mundësitë më të mëdha, që t’i hidhje themelet e jetës tënde. Se isha në moshë rinore dhe me aftësi intelektuale. Ndërsa disa bashkatdhetarë, për fat të keq, të shihnin si një “specie të çuditshme”, se unë kisha vendosur të kapërceja detin, pa “kurorë martese”?!

Në atë mars të mbërritjes në Itali, siç e përmenda dhe më lart, kërkoja të projektoja dhe te realizoja jetën time, në një fushë të re. Dhe kjo ishte ajo e  bukurisë. Me durim dhe studim, tre vjet vijova në shkollën e Akademisë së Trukut, duke arritur atë që desha. Natyrisht, pengesat ishin mikroskopike, sepse pata ndihmesën e pakursyer të  bashkëshortit, Mikele Longo, i cili më ka mbështetur në të gjitha nismat e mia. Kështu, pra, dhe integrimi im, ishte më se i kuptueshëm dhe i realizueshëm.

Në lidhjet e pandara me Shqipërinë, jam munduar të kem një raport sa më konkret. Si familjes dhe bashkatdhetarëve  të mi, nuk u kam rrëfyer “pekulet” e fatit të mirë në emigracion, po sinqerisht, vështërsitë dhe pengesat e shumta, që mund të paraqiten në një vend më të intreguar me kohën, në dallim prej nesh…

Kam ardhur në vendlindje, kur m’u kanë paraqitur mundësitë, si dhe mbaj lidhje me të afërm, kolegë krijues, miq e dashamirë, me mjetet e shumta të ndërlidhjes, që janë sot. Sigurisht, malli im për Shqipërinë është i madh e dashurinë për të përpiqem t’ua edukoj edhe fëmijëve të mi.

                                           

4.-E përmendëm edhe në fillim të kësaj bisede se, një “pikë e dobët” e jetës  tënde të përditëshme, është krijimtaria letrare. Kur ke nisur të shkruash poezi, cilat janë librat e botuar, deri tani dhe a mund të na thuash diçka, shkurt, për  tematikën dhe përmbajtjen e tyre? Po në prozë, a shkruan?

– Po, vërtet, pika ime e dobët është krijtaria letrare, është si ajo rrjedhja e gjakut në dejet e mia, ku e ndiej të tërën, përjetoj drithërimën e shpirtit. Se, kur më vjen frymëzimi, duhet patjetër të gjendem përpara një letre të bardhë, me laps në dorë ose përpara ekranit të kompjuterit. Kështu, ndodhem nën sfondin e një muzike të lehtë, që më shoqëron gjatë këtyre ndjenjave  të përjetuara, nën ethet e emocioneve.

Kam shkruar që herët. Më kujtohet se isha vetëm 10 vjeçe dhe, herë- herë, dëgjoja gjyshen time nën dritëzën, që hynte nga dritarja e dhomës, ku ajo shpesh ulej pranë shtratit dhe arnonte gjunjët e varfërisë sonë. Këndonte në vaje dhe lotët i rridhnin çurk, në faqet e saja të reshkura, tashmë, nga vitet. Ndërsa unë i afrohesha, duke i thënë: “Nanë, pse qanë në këtë mënyrë, se nuk ka vdekur askush?!” Ajo më buzëqeshte me dashamirësi, më përkëdhelte krelat e verdha e më përgjigjej: “Si kujton ti, bija ime, nana jote nuk ka pasë halle në këtë jetë, nuk e ka takuar vdekjen e fëmijëve të saj? Tokën e lamë të përgjakur me skeletërat e prindërve dhe grumbuj të pafajshëm njerzish të hedhur nëpër gropat e skëterrës, pa patur faj!” Sigurisht, unë tmerrohesha, kur dëgjoja këto rrëfime të saja tronditëse dhe mendoja se isha fëmija më e lumtur, sepse, deri në atë kohë, kisha njohur vetëm ngrohtësinë. E vështroja mendushëm, se isha një fëmijë shumë kureshtare dhe  pëshpërisja me vete:”Po, po…Një ditë, dua ta shkruaj këtë histori….”.

Poezia ime lindi në atë vend, ku unë vura kokën së pari, mes tufaneve dhe klithjeve të para rinore. Kështu,i mblodha ato në një tufëz dhe  vendosa ta botoja librin e parë, me titullin “Porta e vetes”. Në vazhdimësi, në vitin 2010 botova librat me poezi, “Lërmë, të vij me ty” dhe “Mos ma lëndo zemrën”,nën përkujdesjen e  mikut Pilo Zyba. Ndërsa, pa u ndalur, një vit më vonë botova dhe dy libra tjerë poetikë, të fundit nën përkujdesjen e shkrimtarit e publicistit Albert Zholi, me titujt “Drithërim Zane” e “Drejtë të panjohurës”…

Është kënaqësi t’u tregoj se, këto ditë, do të dalë nga shtypi dhe libri im i i ri me poezi, shqip-italisht. Së bashku me poeten dhe shkrimtaren  e talentuar Fatime Kulli, përzgjodhëm poezitë e mia më të mira. Ndërsa  prof.dr. Klara Kodra u përkujdes për përkthimin e tyre dhe kështu e realizuam vëllimin e ri, “Fra le  costole del peccato”(“Nëpër brinjët e mëkatit”). Në fillim, përurimi do të bëhet këtu, ku jetoj dhe në 5 vende të tjerë, me etni arbëreshe të Kalabrisë. Kështu, ata do të kenë rastin të njohin më nga afër një pjesë nga kultura e stërnipërve të legjendarit tonë, Skënderbeut.

Por edhe në prozë kam provuar të shkruaj që herët. Më kujtohet se, pjesët që shkruaja, ia lexoja nënës sime të paharruar dhe mikes  sime, Natasha Kasneci, e cila ishte shtysja ime e parë dhe që këmbënguli të zhytesha në fushën e letërsisë. Ajo ka një pjesë të sajë në ndikimin e formimin tim letrar, pra ishte mësuesja ime e parë. Siç duket, ajo kuptoi shumë tek unë dhe për një periudhë kohe, 1994-1997, më ndoqi me zell. Prandaj, i jam gjithnjë mirënjohëse, për këtë gjë.

 

5.-Me kënaqësi kam parë dhe lexuar në faqe të ndryshme Interneti, që ti publikon pandërprerje krijime të reja. Nëqoftëse nuk përbën “sekret” (ha,ha), cilat janë planet tua për botimin e librave tjerë , në të ardhmen?

– Së pari, po u tregoj se dita ime fillon kështu…Ngrihem herët në mëngjes. Pasi shfletoj internetin, në fb, ndalem te një poezi, tregim ose shkrim publicistik. Informohem për gjithëçka, për ndodhitë e ditës, aktualitetin, si të vendit, ku jetoj dhe vendlindjes sime. Kështu, mund të them me bindje të plotë, ato bëhen shkas që unë të shkruaj e të publikoj sadopak aty.

Jam pragmatiste, më pëlqen çasti dhe sajoj diçka, me ndihmën e fantazisë…Më vonë, dhe kjo ndodhë pothuajse çdo ditë, sidomos në stinën e dimërit, kam krijuar disiplinën time të punës së të shkruarit. Lexoj e studioj për  disa orë dhe më tej shkruaj diçka të shkurtër, ndonjë esse. Ndërsa më vonë zhytem te romani i sapofilluar, derisa koha e frymëzimit ma lejon, më tutje jo.

Nuk kam “sekrete” tjera, përveç sa rrëfeva, që është pjesërisht jeta ime. Çdo ndryshim dhe libër, që shkruaj, ndoshta, ka një pikë të saj. Po shtjellësia e romanit, që kam shkruar, është një ngjarje, nga ajo që unë mendoj, që mund të ndodhte. Këtu luan rolin fantazia ime, asgjë më tepër….Dhe, kështu do të jetë në të ardhmen, për sa do të shkruaj. Çdo pikëz e përjetuar është shndërruar në një rrugëtim të fantazisë sime, ku futem te personazhet dhe i përjetoj jetët e tyre.

Librat e ardhshëm? Po, mund t’ua them, si “zbulim sekreti” (ha,ha), që është në redaktim libri im i parë me tregime dhe mendoj që atë ta botoj sivjet. Ndërsa romanin, besoj që do ta botoj vitin e ardhshëm. Ndërsa jam duke shkruar edhe romanin e dytë, ku mendoj t’i vë të gjitha forcat e mia, me dëshirën që ta përfundoj vitin e ardhshëm. Po, siç dihet, koha do kohën e vet. Në “sirtarin e ëndrrave” të mia  janë shumë e shumë libra, që dua të shkruaj, në vijimësi, nëse Zoti do më lejojë të kem shëndet dhe jetë…

6.-A dëshiron të shtosh diçka tjetër, në këtë bisedë të shkurtër tonën?

– Po, jam mjaft e lumtur, profesor, që më nderuat me kërkesën tuaj për ta bërë këtë bisedë, së bashku! Të shpresojmë që ajo të na sjellë fat dhe ju uroj nga zemra gjitha të mirat, në këtë jetë! Dëshiroj shumë që të takohemi, përsëri e  së shpejti në Tiranë, për përurimin e librave të mi të rinj. Me shumë respekt për ju, nga unë, Anila!

-Ishte kënaqësi, Anila, që e njohëm më nga afër jetën dhe punën tënde krijuese, me vlera të çmuara. Të falënderojmë për përgjigjet e pyetjeve, me korrektësi e sinqeritet dhe të urojmëq çdo të mirë, si në punë e krijimtari dhe në jetën familjare e shoqërore!

Korrik, 2013

Filed Under: Kulture Tagged With: Anila Dahri, Murat Gecaj, poezia

DUKE LEXUAR DHE DËGJUAR “ORË AKULLI” TË DEMIR GJERGJIT

July 30, 2013 by dgreca

SHKRUAN: DRITA LUSHI/

1-Gjatë leximit…

Në Orët e  Akullit, njeriu  ndoshta ngrin, ngrin vërtet,pushon ekzistencën, transformohet, ndalet, humb përgjithmonë,shndërrohet në materie pa frymë, dekompozohet dhe është veç  eter.

Ne Orët e akullit Poeti, s’ngrin, por  lind dhe rilind, me fjalën  e tij,ngroh dhe ngrohet, e orët shkrijnë akullin duke vërshuar me poezi të bukura, që bëjnë ringjalljen e shpirtrave.

“Orët Akullit” për shumëkënd, janë inekzistencë, fund, por jo për Demir Gjergjin.

Brenda këtyre orëve  Ai  gjallon me fjalën e tij, duke na dhënë mrekullisht një libër, ku origjinaliteti dhe e veçanta pikas që në krye të herës.

Poezia e tij nuk është standarde, e rregullt si ato bankat në klasat e dikurshme, as si ato uniformat që veshin nxënësit në shkolla. Ajo është spontane, diku e lirë, diku e rregullt, për të ngritur krye, ose  për tu zbutur më tutje, diku ashpërsohet, diku të bën të mendohesh, diku gjen veten, diku gjen mikun, diku shoqen.

Poezia e tij, diku  është vetëtime, diku shi malli, diku pranverë brenda dimrit, diku një vjeshtë e paqtë, e diku një ngrohtësi në lulëzim.

Gjithçka gjen Brenda “Orë Akulli” të Demirit:

”Fraza të ftohta”

“Zhuljeta viktimë e…

Romeo pasion i…”

Lektori, plak i lashtë

i flashkët krejt,

heq syzet

vë syzet:

“Zhuljeta…!”

në bangën e tretë,

gjaku i Romeos ndizet

buzët e Zhuljetës digjen

Syzet:

“Jaaaaashtë!”

RomeoZhuljeta,

del,

refugjon

një tragjedi të re!

Përsëritja e një zanoreje  tek  e njëjta fjalë si psh : “Jaaaaashtë”,që e ndeshim  edhe në poezi te tjera, të bën jo vetëm ta lexosh, por padashur e  thua me zë, atë fjalë dhe mënyrë të thëni, që aq shpesh e ndeshim në fjalorin tonë  thuajse të përditshëm.

Aty ndesh “Uverturë”,”Arie”, “Metamorfozë”, “Romancë në re”, “Gjysmëputhje”, qe i japin një hapësirë plot ngjyra librit.

Në të tjera poezi, vihet re një ndërtim që në dukje të jep përshtypjen e një loje me fjalët, nëse e sheh me sy të lirë:

“Me vjeshtën qesh

me heshtat hesht

ne troje resh

nis tjetër jetë

me ty që je

këtu ku s’je”

Por nëse vëmendja përqendrohet në vargje, vë re se aty, qoftë dhe në një shpalosje në dukje abstrakte, lind dhe zhvillohet metafora e kuptimtë dhe ekzistenciale e poezisë,logjika e të menduarit të stërvitet, dhe të shtyn të lexosh më tej.Shpesh, në poezi ka antiteza, ose abstraksione të mrekullueshme, ose “ngjitje sup me  sup” të fjalëve  që ndjekin ose shtyjnë njëra- tjetrën për nga kuptimi.

“Ti ishe tashmë

pagëzim i dritës me ajrin

orgazma e ujit me zjarrin”

Kjo i bën më “ndjellëse” këto poezi, te  cilat për hir të  së vërtetës, kanë dhe një filozofi fine brenda tyre.

Skalitjet metaforike,epitetet, krahasimet e mjaft rrjedhshmëri figurative,të bëjnë ti lexosh edhe përsëdyti këto poezi:

“Ndërsa lëkura dhe petkat e mia,

mbusheshin me allçinë e bardhë

të humbjes,

drita e nginjur me jetën time

rrëzë shtatores së shtangur

ngrinte”

Në mjaft poezi, vihet re një marrie-dhënie me tabanin popullor! Diku poeti merr dhe përdor një fjalë, e diku fjala zë vend natyrshëm në qëndisjen poetike.

Duke  udhëtuar  ndër vargjet e Demirit, diku ndalem e pushoj, rilexoj, mendoj  dhe kur arrij në“Qiejt e Mallit”shtangem  të “shoh”:

“Si bluzë e zhvesh peizazhin dheu,

për mua nis e bëhet qiell

nga poshtë më sheh me tmerr Anteu,

mbi re, ylli yt më ndjell!”

Dhe s’ka si të mos “dëgjosh” fluturimin poetik tek “Janari i Mynihut”

D…ing…!

D…ing…!

D…ing…!

Thërrasin kambanat në Platz Marin.

Tani që janari ka shkrirë,

kambana e zemrës regëtin

në Platz Marin:

…Ing…!

…Ing…!

…Ing…!

I konceptuar në mënyrë krejt të veçantë, ky libër unik në llojin e vet,

“qëndron” fitimtar  mbi  “Shtatë mbretëri të humbura”, ku “Ëndrra”, “Udha”, “Nata”, “Vera”,nuk  janë  të “Huaja” në “Mbretërinë e fundit” Pastaj natyrshëm  “hapen” dhe shpalosen “Shtatë portat e qiellit”, e Dritës e Zërit, e Ëndrrës, e Mungesës, e Mallit, e Parajsës  dhe me anë te Portës se Ajrit, “zbresin” në “Shtatë shtatoret e shtatorit”.

Qëndroj në mozaikun poetik për të parë formëzimin  dhe gdhendjen e poezive të poetit  Gjergji:

“Trini e sh(tr)enjtë+ ti”

“Deti, lumi mali +Ti

Vera, vjeshta, dimri+Ti

Atëherë, sot, mot+Ti

Ik, eja rri +Ti”,

E ky mozaik, ngelet i pikturuar jo vetëm në poezitë e Demirit, por mbetet në vetëdije me anë të mendimit  dhe e fotografon si në një blic të shpejtë  dhe  në shpirt, çdo njeri që merr në dorë librin dhe “udhëton” ndër faqet e tij.

Një mënyrë moderne e konceptimit, ndërthurjes, dhe shpalosjes  së pjesëve të librit, i cili mund të lexohet, jo faqe pas faqeje  por në të gjitha mënyrat dhe drejtimet.

Mjaft të hapësh librin tek përmbajtja, dhe kemi një poezi te re, të stilit ala Demir, sa çuditesh me këtë gjetje befasuese.

Shoqërimi me skica e sjell çdo poezi edhe në vështrimin tonë, përpos  leximit .

Teksa i lexon, këto poezi i ndjen mjaft afër vetes, për nga përmbajtja dhe mënyra e të shkruari. Ato janë  larg frazave të pakuptimta dhe  gjetjeve artificiale.

Libri “Orë Akulli” ka poezi  qe do të dëshironim t’i lexonim në një çast pushimi, çlodhjeje, dhe ç’është më e bukura, të bëjnë t’i lexosh me zë!

 2- Gjatë dëgjimit…

CD-ja bashkëngjitur në fund të librit, të bën jo vetëm ta ndjesh dhe ta dëgjosh, por ajo bëhet e prekshme nga ne.

Zërat e vetë autorit  dhe gazetares Kozeta Hoxha, që përcjellin vargjet në timpanin tonë, janë jo vetëm emocionues, por depërtues, ndjenjësorë e të ëmbël dhe u japin  një formë tjetër madhështore atyre ndryshe nga ajo e të lexuarit.

Me CD-në, e “merr” poezinë me vete, nuk e lë asnjë  minutë të “flejë” në faqe libri, por bisedon me të, i qesh dhe të buzëqesh, të jep zë dhe jetë, gjatë rrugëtimit  tënd të përditshëm

3- Gjatë leximit dhe dëgjimit të … “Orë Akulli”:

Ndien diellin poetik, t’i shkrijë ato (orëakujt) e një lumë vargjesh  të lira, pa korniza, pa konture, pa  gardhe dyshimesh e censurimi të shpirtit  të poetit, dhe ndjen të mbushet  deti i dëshires  së lexuesit, i cili do pikërisht këtë liri vargu, ku horizonti  është nga infiniti deri në infinit!

Filed Under: Kulture Tagged With: Drita Lushi, nga Demir Gjergji, ore akulli

Gjashtë libra të shkrimtarit Salih Zogiani nga Kosova,në bibliotekën e Vatrës në New York

July 29, 2013 by dgreca

Të hënën me 29 korrik bëri një vizitë në Shtëpinë e Vatrës, z. Shaban Mehmeti, kryetar i Shoqatës shqiptaro-Amerikanë “Kosova Lindore- Preshevë –Bujanov- Medvegjë”. Pasi vizitoi mjediset e Shtëpisë së Vatrës, arkivin e saj, Ekspozitën”100 vitet e Vatrës”, dhe la shënim ën librin e vizitorëve, ai dorëzoi në bibliotekën e Federatës Vatra edhe gjashtë libra, dhuratë nga Kosova prej vetë autorit, Salih Zogiani, i cili është mjaft i njohur në fushën e mbledhjes së anekdotave shqiptare.

Z. Salih Zogiani lindi në vitin 1942 në fshatin Harilac, të Fushë-Kosovës. Studimet i kreu në Fakultetin Filozofik, Dega e Gjeografisë, në Prishtinë, të cilat i përfundoi në vitin 1968. Ka punuar mësimdhënës në Gjimnazin”Skënderbeu” të Drenasit, në Gjimnazin”Sami Frashëri” të Prsihtinës, në BVI-në dhe në Departamentin për Kulturë të Kosovës. Me mbledhjen e anekdotave merret që nga viti 1965. Ka botuar pesë vëllime në gjuhën shqipe dhe  një vëllim në gjuhën angleze.

Ka marrë pjesë në hartimin e Planit Afatmesëm për zhvillimin e kulturës, në përkthimin e Astronomisë, në hartimin dhe publikimin e shumë materialeve nga lëmi i mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

 Studiuesit e tij librave të tij,  kanë vënë re se z. Zogiani është familjarizuar dhe i njësuar me anekdotat. Duke dëgjuar në vazhdimësi rrëfimin lakonik të andekdotës ai ka hyrë thellë në botën e një filozofie aktuale. Prof. Ramiz Kelmendi konstaton se :Anekdotat e Salih Zogianit sjellin mesazhe, porosi me një humor të shëndoshë dhe të këndshëm, përshkruar me nota të mprehta satirike, para të cilave, nuk mund të mbetesh indifferent.Pas Anton Cetës, Salih Zogiani është mbledhësi më i mirë i anekdotave shqiptare.

Federata Vatra e falenderon autorin, që pati mirësinë dhe i dërgoi për bibliotekën e saj librat e tij. Për të interesuarit, librat ndodhen në bibilotekë dhe mund të shfrytëzohen për t’i lexuar.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: anekdotat, ne Vater, Shaban Mehmeti, skender Zoiani

Çabej mbi Shqipërinë dhe shqiptarët

July 29, 2013 by dgreca

Qëndrimi i ndërmjemë midis Perëndimit e Lindjes, i bashkuar me ruajtjen e ngulur të natyrës së vet etnike, i ka gdhendur Shqipërisë gjithmonë fytyrën e saj të veçantë. Këtë nuk ka mundur ta fshijë as sundimi turk. Kjo shprehet në krejt mënyrën e jetesës, në historinë dhe në historinë kishtare, në zakonne dhe në poezi popullore dhe artistike të popullit shqiptar. Duhet shënuar me këtë rast se Shqipëria ka qenë e orientuar më tepër nga Perëndimi sesa fqinjët e saj. Midis gjithë vendeve ballkanike – edhe Rumania, me gjithë idiomin roman të saj, e papërjashtuar – Dalmacia e Shqipëria, pastaj  Ishujt Jonikë janë vendet që kanë qenë të çelura direkt e më tepër ndaj influencës kuturore të Perëndimit. Lëkundja e Shqipërisë ndërmjet Ballkanit  na shfaqet, pothuaj ashtu si në Dalmaci, edhe në pikëpamje politike dhe jo më në fund gjuhësore, në mënyrë që elementet latine kanë pësuar në të dyja këto gjuhë një trajtim të ngjashëm.

*   *   *

Përçarja e vendit në shumë krahina malësore e të ulëta, të ndara shumë herë thellësisht njëra prej tjetrës, ka lindur në Shqipëri fiset dhe i ka mbajtur gjer më sot. Fisi, forma e zgjeruar e familjes së madhe, është shprehja më e thjeshtë e individualizmit kolektiv, i cili i përshtatet ndjenjës që ka shqiptari për jetë.  Shqipëria gjendet tani brenda në një proces shoqëror të padukshëm, në kalimin prej jetës vetjake të fisit në jetën e përbashkët nacionale.

*   *   *

            Trajtat e moçme në mënyrën e jetesës dhe në kulturën materiale e shpirtërore, siç i përfytyrojmë në mënyrë retrospektive për indogjermanët e vjetër, nuk janë ruajtur, them, aq besnikërisht te asnjë nga popujt e sotëm indogjermanë sa ndër shqiptarë. Ky konstatim ka vlerë edhe përkundrejt Ballkanit, i cili është edhe ky mjaft konservativ. Sepse helenët që u civilizuan shpejt i lanë heret doket e lashta, popujt e tjerë u dukën në Ballkan në një shkallë më të zhvilluar të kulturës ose u formuan këtu më vonë. Vetëm te shqiptarët mund të flasim për një traditë sedentare dhe të paprerë që nga koha evjetër.

*   *   *

            Mendimi themelor që vihet për kriter në goditjen e banesave është mundësia e mbrojtjes, Përkundrejt këtij mendimi, komoditeti i ndejtjes dhe pikëpamja ekonomike mbeten në rend të dytë. Këtij  shpirti i përshtatet shtëpia e fortifikuar, kulla, të cilën e ndeshim më shpesh a më rrallë në gjithë Shqipërinë, dhe në Ballkan kudo atje ku ka ose ka pasur shqiptarë. Është krejt karakteristike për natyrën individualiste të shqiptarit që ky, ashtu si stërgjyshët ilirë dhe të tjerë popuj indogjermanë të moçëm si p. sh. gjermanët, banon një shtëpi të vetme mjaft të izoluar. Kjo me rritjen e familjes së madhe zmadhohet me oborre (Gehofte), bëhet lagje fisi dhe së fundi një katund i tërë fisor. Katundi fisor është katundi i vërtetë shqiptar dhe sot e gjithë ditën katundi i zakonshëm i maleve.

*   *   *

            J. Ph. Fallmerayer Shqipërinë e quan vendin e vullnetit të fortë dhe të mendjes së shkurtër. Ky nuk është i vetmi kontrast që përmban karakteri i popullit shqiptar. Po meqë kontrasti përmban në vetvete thelbin e dramaticitetit, shohim se një rremb dramatik e përshkon karakterin shqiptar, i mësuar më shumë të veprojë me rrëmbim sesa të rrijë të mendojë. Karakter dramatik ka dhe historia shqiptare me fytyrat e saj kryesore.

*   *   *

            Thelbi shpirtëror i shqiptarit është rezervimi. Kjo veti e popujve të Veriut duhet të na çuditë disi te një popull i Jugut. Kjo cilësi sidoqoftë e dallon këtë popull mjaft thellë prej popujve të tjerë të Europës Jugore. Spjegimin do ta kërkojmë për këtë si në veti të trashëguara si dhe në natyrën e mbyllur e të ashpër të vendit. Kjo e detyron banorin që jo vetëm kundrejt të huajit, por edhe me të afërmin të sillet në fillim i matur e i rezervuar, edhe i mbyllur. Kështu na spjegohet rezervimi i thellë i shpirtit të popullit shqiptar. . . Kjo është sjellja e njeriut që është i zoti i vetvetes, i cili, për të ruajtur të drejtat e veta, është i matur në fjalë e në punë. Por ky rezervim nuk përjashton karakterin e hapur,  edhe këtë cilësi e gjejmë me të vërtetë te shqiptari. Përbri saj na shfaqet tek ai edhe dhelpëria e lindur e banorit të maleve.

            Është një shenjë e individualistit, siç ka qenë gjithmonë shqiptari, që rezervimi i tij në raste të veçanta të jetës të kthehet në një qëndrim të egër kokëfortë. Kjo veçori që rron në gjithë shqiptarët është pasoja e racës, e na kallëzohet edhe për ilirët e moçëm. Edhe kolonitë shqiptare, sado të shkëputura prej shekujsh nga toka-mëmë dhe tani në mes të të huajve, nuk kanë mundur ta fshehin sjelljen kokëfortë të karakterit shqiptar.

*   *   *

            Në lëmën sociale themelin e qendrën e jetës shqiptare e përbën familja e madhe. Shqiptari është për gjithhë jetën e tij i lidhur përhera me të. Kjo lidhje patriarkale ekziston jo vetëm për katundarin, por edhe për banorët e qytetit. Ç’është për malësorin fisi dhe familja e madhe është për qytetarin familja. Është qëllimi i jetës së gjithkujt të përpiqet për nderin dhe mbrothësinë e njerëzve të vet. Me këtë lidhet malli i tokës që e shquan këtë popull si gjithë popujt malësorë. Dëshira për shtegtim dhe malli i tokës bashkohen te karakteri shqiptar në mënyrë të çuditshme. Lidhja shpirtërore me tokën u është e përbashkët gjithë shqiptarëve. Kështu ne shohim te i ikuri në dhe të huaj se si, i shtyrë nga malli, dëshiron gjithmonë të kthehet ndonjëherë në atdhe.

*   *   *

Tenaciteti në jetë dhe ngjitja pas zakoneve është një veti tjetër e përbashkët e karakterit shqiptar, “Forca e ekzistencës së gjuhës shqipe dëshmon tenacitetin e kombit” (A. Meillet). Edhe në qoftë se doket dhe zakonet e sotshme të Shqipërisë nuk paraqesin një fytyrë të njënjëjtë, ruajtja e ngulur e tyre është një fenomen i përbashkët për ta. Përgjithësisht analogjive që shkojnë midis zakoneve të krahinave të ndryshme të Shqipërisë nuk u është dhënë vëmendja e duhur. Në qoftë se qërojmë një nga shtresat e influencave të huaja në zakone, do të ndeshim më së fundi në thelbin indoeuropian. Të nxjerrësh në dritë këtë shtrat themelor do të thotë të zbulosh rishtas atë që ka qenë e përbashkët në zakonet shqiptare. Shumë zakone të lindjes, dasmës e vdekjes, kalendari i së kremteve të vitit, supërsticionet dhe figurat mitologjike, paprekësia e gruas dhe e të voglit, qëndrimi i posaçëm ndaj mikut e armikut janë disa nga gjurmët dhe aspektet e këtyre zakoneve të përbashkëta shqiptare.

 Shënim i editorit. Fragmentet e mësipërme janë nxjerrë nga vepra “Për etnogjenezën e literaturës shqipe”, botuar fillimisht në revistën “Hylli i Dritës”, në vitet 1938-1939, dhe  më vonë, në vitin 1994, nën titullin “Shqiptarët midis Perëndimit e Lindjes”, së bashku me veprën “Romantizmi në Europë lindore e juglindore dhe në literaturën shqiptare”, shkruar në vitin 1945.

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: dhe shqiptaret, Eqrem Cabej, mbi shqiperine

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 428
  • 429
  • 430
  • 431
  • 432
  • …
  • 548
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Vorea Ujko (1931- 26 JANAR 1989)
  • Vatra në Boston ju fton në ngritjen e Flamurit të Kosovës më 14 Shkurt 2026
  • Arritje e rëndësishme në studimet albanologjike: Shefkije Islamaj “Ligjërimi, gjuha, stili në krijimtarinë letrare moderne dhe postmoderne të Rexhep Qosjes”
  • Grupet shoqërore me civilizim të vonuar…
  • Marin Barleti, personaliteti më i shquar i humanizmit shqiptar dhe një ndër më të rëndësishmit të humanizmit evropian
  • Arbërishtja – një gjuhë pa shtet që mbijeton mbi 500 vjet në diasporë
  • Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit
  • Laver Bariu, ustain i madh i sazeve të Përmetit, madhështia e një shpirti të bukur që ka mbetur i gjallë në muzikën e tij
  • LAVDI KËTYRE BURRAVE QË LARTËSUAN KOMBIN TONË
  • Një ishull, një gabim: Investimet e huaja janë të mirëpritura—por jo me çdo çmim
  • Z. Shpëtim Tim Qorraj hapi fushatën për t’u zgjedhur në Parlamentin e Nju Jorkut 
  • Gjyshi i Ismail Qemalit, Ismail Bej Vlora e shihte perspektivën e një të ardhmje të pavarur të shqiptarëve
  • ATHANAS GEGAJ PER ORIGJINEN E ARBNIT
  • VAZHDON KRIMI SHTETËROR NDAJ AT GJERGJ FISHTËS: I PËRJASHTUAR NGA SHTETI QË AI MBROJTI
  • SHQIPTARËT DHE MAQEDONIA E VERIUT MIDIS UNITARIZMIT DHE DEMOKRACISË KONSENSUALE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT