• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ja bre, kjo është Amerika!

August 17, 2013 by dgreca

Nga Pellumb Kulla/

-Tëmën bre, prefesor, – nis ligjëratën e përditshme shoferi, – sa llafe të ndyra 
kishmë dëgjuarë për Amerikën! Po na kishnë thënë-o, se këtu n’Amerikë njeriu shfrytëzohet pe njeriut. çne bre! Mbroçkulla! Këtu, or byrazer, ndodh e kundërta! 
Radha e veturave në portat me pagesë të Trajboro Brixhit është e gjatë.
Megjithatë unë kam kohë deri në fillimin e punës. Tej mbi Menhetten, që e kemi në krahun e djathtë, kanë rënë rrezet e para të diellit dhe kjo kartolinë e rrallë e shtyn mikun tim Peçon, ashtu me duar mbi timon, të më bëjë një raport përmbledhës me përshtypjet e tij nga Amerika. Ai e ndjen që unë i dua rrëfenjat e tija në atë gjuhën dialektale korçare, rrëfenja që më zbavisin pa masë dhe nuk shterrin kurrë. 
-Ikë sa të duash larg, ore, – vazhdon Peçoja, – mendjen në Shqipëri do ta kesh! Një sy këtu e dy atje. Unë atje kam pleqtë, siç i ke dhe zotrote. Edhe shokët e kushurinjtë e mij, pleqtë i kanë në Shqipëri… Mendjen atje e kemi të tërë. Sa bie telefoni, i pyesim: Keni korent-o? Po ujë? Si jeni me drita mo?
Kemi qëndruar tek njëra nga kabinëzat mbi urën e Trajboros dhe Peçoja më zgjat dorën. I jap paratë për kalimin e urës, ai paguan, hapet trari dhe makina vazhdon rrugën për Kuins. 
   -Ja kështuuuu, prefesor! Jetojmë kohëra të mrekullueshme, kur ne shqiptarët e ardhur këtej, shumica mosha të reja, kemi lënë atje prindërit, pleq e plaka, që të na e bëjnë edhe njëherë elektrifikimnë e përgjithshmë! 
Me Peçon, vendet e punës i kemi pranë e pranë. Vetura është e tija, kurse pagën e urës e bëj unë. E ai më shpie në punë çdo ditë. Ai më shpie edhe tani që puna e tij ka një rënie. Punon në një kompani taksish dhe limuzinash, por kur shterrin pasagjerët Peçon e kanë nga të parët që pushojnë. Po ai nuk e prish terezinë. Paraqitet në mëngjes e pastaj kur i thonë që nuk ka punë për të, futet në një kafe në Kuins e pret t’u bëjë ndonjë shërbim me pagesë shqiptarëve me makinën e vet. 
Unë punoj në një Strehë, ku rehabilitohen fëmijë me të meta, kryesisht jetimë. Streha është e mbajtur mirë e financuar pjesërisht nga shteti i Nju Jorkut dhe më së shumti nga dhurues kristianë. Po Motër Gjenovefa është aq e zonja, sa shpesh arrin të marrë financime edhe nga qeveria federale. Ajo e ka themeluar vetë Strehën e tani fluturon nga krenaria që Streha e saj është bërë model. Unë aty organizoj argëtimet e fëmijëve dhe mbaj gjallë grupin e theatrit. Motër Gjenovefa që ka sjellë për vete një krevat të thjeshtë e fle aty në Strehë, rri orë të tëra duke parë inskenimet e mia mbi fëmijërinë e Linkolnit, Presidentit të lavdishëm të Shteteve të Bashkuara. 
Puna më ecën edhe më vjen keq që shokut tim Peços nuk i vete mbarë sikurse mua. Nganjëherë më duket se ai e di që atë ditë nuk do të ketë punë as me taksi as me limuzinë, por vjen, ja thjesht që të më bëjë lehtësi mua. E gjatë gjithë rrugës së gjatë nuk lodhet duke folur. Shpesh them që do t’ia mbledh këto rrëfenja. Jam i bindur që do t’i kujtoj të gjitha një e nga një ato që më ka treguar deri më sot. Janë tregime të jetuar nga ai vetë, por ka plot nga të shqiptarëve të tjerë, pasagjerë, që ia rrëfejnë rrugës dhe ai m’i sjell mua taze, të ngrohta. Jam kureshtar të di, se çfarë u rrëfen ai të tjerëve për mua. Se nuk mund të rrëfesh asgjë për një njeri si unë, që rri gojë kyçur e vetëm qesh hera -herës duke dëgjuar shoferin gojë kripur, që nuk lodhet kurrë së rrëfyeri. E flet e flet… Ja si tani: 
– Rrimë këtu në Amerikë e ndjekëm me drithërimë të tëra kacafytjet dashamirëse 
të politikanëve atje, të cilave y thonë “kacafytje për të gjetur unitetnë”, unitet që nuku vjen, ce është nisur ters… Po është nisur ters bre, që në përçapjen e parë të Skënderbeut. Se ay e bëri me ugur të keq, o prefesor, qëkur për t’i bashkuarë shqiptarët, zgjodhi për kuvënd Lezhën, që atëherë quhej Lesh!..
Shoferi u jep një të fshirë xhamave, megjithëse ata mua më duken më të tejpashëm se kurrë.
– Ka shumë vjedhje në Shqipëri, thonë, korrupsion. Qeveritarët e politikanët e kanë mendjen te paraja. Si e si, të bëhen milionerë! Prandaj është më mirë bre, kur shtetin e drejtojnë të ngopurit, pasanikët. Këtë po përpiqen të realizojnë partitë në Shqipëri. Që shtetin ta drejtojnë të pasurit, ka dy rrugë, prefesor: ose të pasurit të bëhen ministra, ose ministrat të bëhen të pasur! Në mëmëdhe po ndodh kjo e dyta; ministrat po bëhen të pasur!… Prandajza sa herë vete andej-këtej y them shqiptarëve, kudo që janë: vëllezër Filadelfiotë, Vaterburas, Njuxhersjotë, Bostonianë, Detroitjotë, çikagas, të ini krenarë për mëmëdhenë e dashur ore! Atje në mëmëdhe, vjedhjet kanë qëllime të pastra, fisnike. Atje vjedhin për pikësynime të nderçme… Njëherë vaftit, shteti i rripte lëkurën individit për të mirë të përgjithshme, sot për të mirë të tij, individi i rrjep lëkurën e përgjithshme shtetit.
Peçoja vështron ca vrapues shalëjashtë, që ndjekin paralel veturën në të dy anët e rrugës. Një burrë i ngjallmë mezi i lëviz kilet e tij e duket aq i rraskapitur, sa të bësh be se ky është vrapimi i tij i fundit para se ta varrosin. 
– Sa e kishmë ëndërruarë Amerikën, o prefesor, ëh?… Këtu shëndoshesh, fryhesh pa dashur, o në p.. të sëmës! Ma shëkon ti prefesor, barkun, mullën time? Asnjë thërrimë dhjamë, as një çiçkë bark nuk kam patur në Shqipëri! Xhan o ushqim i Shqipërisë! Bëj unë tashi vrap, që të ul barkun, por varet e nga puna, bre. Se nuk është fizkultura kryesorja. Më parë, këtu, bënja gjashtë ditë punë, po ama, një ditë ia linja të tërën, vrapit. Nuk do linja punën për të vrapuar de! Pastaj ra puna. Fillova të bëj pesë ditë punë e dy ditë vrap… Pastaj .. m’u shkurtua akoma puna e fillova të bëj tri ditë punë e katër ditë vrap. Tani ka një muaj, bëj vetëm … vrap!
Dhe miku im nuk ka të rreshtur:
– Po sikur është vetëm ky hall këtu! Mua nuk më janë ndarë hallet, qëkur vura këmbën. Pa gjuhë, bre, pa gjë… Dy vitet e para punova pa letra, fshehur. Punonja në kat të gjashtë po së prapthi, gjashtë kate dënë dhe! As e pashë diellin as më pa! Nuku se amerikanët janë të rreptë, po kisha akoma në palcë të dredhurat e Selanikut. Këtu, shokët e mij… ezmerë, – se mo na e marrin amerikanët për racizmë! – ata ezmerët dilnin e më blinin për të ngrënë, ata më mësonin zanatnë, gjuhën. Ja atje thellë, ku isha, e mësova gjuhën e vëndit, gurgull! Pas dy vjetësh, kur dolla mbi trotuaret lart, e mora vesh e xheç më ra dambllaja: gjuha që paskësha mësuar bilbil, nuk paskej qënë anglisht, o prefesor, po… spanjollçe oreee!!! Kur mos kem mamanë! Po si ore asnjëri nuk më tha, se ata hushkulurit ezmerë, kishin qënë nga Porto Rikua! Më shkuanë dy vjet. Fillova anglishten nga e para. Zhytem po s’mbytem unë!. Ama, thuaj hë, gjuhë më të zorçme, nuk bën nëna! Për të folur, hajde de, pa për të shkrojtur, po nuk vajte në shkollë, aha, harro mushkë…! Amerikanët, or byrazer, e shkruajnë “mace” dhe e lexojnë “qen”! Fëmijët venë në shkollë dhe e mësojnë, ne të rriturit, hiç-o, ç’të na vijë nga veshi. E kështu shtyhemi. Papo, është e bukur bre, kur e dëgjon tjetrin ta bëjë mishmashnë në mes të supermarketit, t’i thotë së bijës: “Na moj ti dhi e Ziçishtit! Mo më thuaj aj dont kerë, po mbylle grykën, ce të futa një pëllëmbë të mirë, sa të harrosh pasuordin e internetit dhe gjer bë dhjetë numëra celularësh!”…
Peçoja e le tregimin dhe drejton gishtin nga një veturë që po na le pas. 
– Shëko, shëko!.. E pe atë Mercedesnë? Ia pe flamurë tonë mbi targët? 
-Ia pashë.- i them unë. 
  -Gjen këtu dhe shqiptarë që të marrin gjak në vetull. Fitojnë dhe e derdhën paranë lumë.-vazhdon Peçoja.

“ Njëdizaj, një i njohuri im- njëherë vaftit bëmim zborë bashkë me të, – blevi një shtëpi një milion dollarë. Kur mos kem babanë! Saktësisht: një milion dollarë e 99 cent! Gjen bre këtu shqiptarë që hapin biznese, si ata devollinjtë që kishnë hapur një servis veturash dhe kishnë marrë me mëditje vetë amerikanët! Amerikanë bre, orgjinalë, kur mos i kem tërë! Dhe bile y mësojnë atyre korçarçen tonë. Ja, u ngëtheva nga një vizitë në Shqipëri unë, e vajta e po y rrëfenja devollinjve ç’kisha parë në mëmëdhe. Por më shumë u trondit pe atyre që rrëfenja unë, ay amerikani zezak, që punonte për ta. Me gojë hapur kamare pe habisë, dolli që poshtë maqinkës që po riparonte e më tha: “Me gjith mënt¬ o? Ik or t’u mbylltë e mëndjes”, – ia bëri zezaku, -” ce nuku t’i ha njeri këto!?!”- ” Kur mos kem babanë!” ¬“ i thashë. “Kur mos kem babanë, edhe unë s’t’i besoj!” – ma previ zezaku dyke zënë be për babanë zezak!
Në një udhëkryq të Kuinsit, dy policë amerikanë me fytyra kinezësh, po i jepnin radhë trafikut. Unë vura bast me veten se Peçoja tani do të hapte bisedë mbi kinezët. Dhe e fitova bastin: 
-Nganjëherë nuk e merr vesh je në Amerikë apo gjëkundi tjatër!.. ¬“hap temën tjetër Peçoja. – Dhuratat që shqiptarët, blenë për të dërguar në Shqipëri, të gjitha mbajnë etiketën e prodhimit Made in China! Po sikur na kanë mallkuarë, që të mos na ndahet Kina kudo që të vemë, or tëmën e sëmës!… Ore, amerikanët si sistem, fituanë mbi komunizmën, po si shpërblim e panë ç’y erdhi: iu mbush vendi me.. me… rusë-do ti a, polakë-do ti a, shqiptarë- do ti! Edhe një fitore kështu mbi Kinën y duhet këtyre e pastaj, që të shohç një amerikan, do të duhet të shkosh në rezervuaret e indjanëve! Edhe atje edhe jalla, kur ta gjesh! Ja kur mos kem mamanë në e tepëroj! Do të ma shohç pastaj Amerikën! Hë-hë-hë!… Po amerikanët janë të mençëm, ore, dhe tashi kanë filluarë ta kuptojnë mirë, se të drejtat e njeriut në Kinë, nuku janë edhe aq keq or jo!…
Arritëm përpara Strehës. Peçoja nuk kish më kohë të përfundonte të tërë temën e kinezëve, të filipinëve, rusëve… Por, ja, kemi ditët e tjera që vijnë. Dhe unë mahnitem sa mirë i zbërthen Peçoja vuajtjet, lumturitë e peripecitë e shqiptarëve të mërguar në këtë tokë të Amerikës, në mes të këtij oqeani mërgimtarësh nga e gjithë bota…(Marre nga libri”Rrefenjat e Amerikes’ me autor shkrimtarin Pellumb Kulla)

Filed Under: Kulture Tagged With: Ja bre, kjo eshte Amerika, pellumb Kulla

Cilët libra do të renditje ti?

August 17, 2013 by dgreca

Shkruan: Arjan Th. Kallço

Në çdo vend që të shkosh, do të gjesh letërsinë e tij kombëtare, autorët më të lexuar prej publikut letërsidashës vendas, por edhe më të njohurit në botë, sigurisht të përkthyer në disa ose shumë gjuhë. Lexuesit e shumtë edhe tek ne, nuk mund të lënë pa i lexuar autorët shqiptarë të shekujve të kaluar, por edhe të këtij shekulli. Është një vazhdimësi që nuk mund të lihet apo më keq të ndërptitet në mes dhe të shihet si opsion vetëm letërsia moderne. Por duke patur një letërsi modeste në krahasim me shumë vende të tjerë, detyrimisht përpiqemi të lexojmë shumë autorë të huaj të përkthyer, por e pranuar dhe nga vetë shtëpitë botuese, nuk mund të ndalet dominimi amerikan. Nëse do u kërkoja studentëve të mi që të hartonin një listë me emrat e shkrimtarëve më të famshëm shqiptarë, do të kishim një listë që në krye do të shikonte shkrimtarët dhe poetët të cilët nuk kanë nevojë për shumë retorikë. Nëse do t’u kërkoja lexuesve të bibliotekës së qytetit që të hartonin një listë me autorë të huaj, përsëri emrat e autorëve të mëdhenj klasikë dhe modernë nuk do të mungonin, por do të kishte ndryshime mes tyre, sepse edhe shijet e lexuesve nuk janë të njëjta. Nuk mund të pretendohet që t’u imponojmë atyre emrat e autorëve që u pëlqejnë të tjerëve, edhe pse mund të jenë nga më të njohurit. Lista e autorëve të botës do të ishte e gjatë dhe nuk do të dije kë të vendosje në të. Një listë e mirë, ndoshta përsëri pak subjektive do të ishte ajo e Nobelistëve, por përsëri nuk do të gjenim një emërues të përbashkët. Nëse do ta reduktonim listën dhe të vendosim një numër fiks nga përzgjedhja, përgjegjësia do të ishte më e madhe. Do të përjashtoheshin shumë autorë që ende sot gëzojnë një reputacion të madh. Nëse do të hiqnim dorë nga emrat e autorëve dhe do të shihnim veprat e tyre, mund të hartonim një listë të re, ku të renditnim veprat që kanë kënë lënë gjurmë në jetën e secilit prej nesh. Të dyja listat do të kishin shumë pak ngjashmëri mes tyre, pasi jo detyrimisht emri do të lidhej me veprën. Por nëse u kërkojmë që të vendosin vetëm një libër i cili ua ka ndryshuar vërtet jetën, apo do ta vendosnin të parin, atëherë gjithçka do të komplikohej shumë, pasi shumë autorë do të eliminoheshin me keqardhje. Unë do të rendisja një libër tepër të vyer, të thellë dhe kuptimplotë për miqësinë dhe kufirin e ngushtë që e ndan nga dashuria dhe që pata rastin ta lexoja, kur isha student në Tiranë, edhe pse thuhej se hynte në librat e ndalur. Bëhet fjalë për librin Tre shokët të Remarkut. Natyrisht në jetë na takon të lexojmë shumë libra, por në mendje të mbetet ai që të ngjall emocione të papërsëritëshme, të mbërthen me historinë e vet, nuk shqitesh dot për asnjë çast, të bën të qeshësh dhe të qash, ta kuptosh botën, shoqërinë, jetën, historinë, ngjarjet, njerëzit…

Kush nuk e njeh autorin dhe skenaristin amerikan, romancierin dhe tregimtarin Francis Scott Key Fitzgerald (1896 –  1940). Ishte pjesë e rrymës letrare të quajtur Brezi i humbur. Dikur edhe ai bëri atë që do ta bënte secili prej nesh, lexues, shkrimtar, apo poet qoftë, pa asnjë ndjenjë xhelozie, urrjetje apo smire në zemër. Numëri i librave që ai përzgjodhi është simbolik dhe i vogël dhe kjo ndoshta për të shmnagur atë listën e gjatë për të cilën folëm më parë. Por ndoshta janë edhe librat pa të cilët nuk mund ta kuptosh ekzistencën tënde, apo të cilët nuk mund të mos i lexosh para morisë së pafund të veprave cilësore dhe jocilësore që dalin sot në tregjet e çdo vendi. A ka ndonjë kuptim numëri 22 në simbolikat e botës? Një kërkim në internet të jep përgjigje të shumta, por po zgjedh atë që kishte marrë më shumë vota në përgjigje, edhe pse mund të mos koincidojë me numërat apo parapëlqimet e secilit prej nesh. Po i bindem për një çast simbolikës dhe po e pranojmë faktin se numëri 22 është akretipi i Krijuesit dhe përfaqëson energjinë krijuese, e aftë ta plazmojë materien në formën e dëshiruar. Promotor i ideve, numëri 22, vepron si katalizator dhe në mënyrë të pavullnetëshme sjell ndryshime kuptimplote në mjediset ku ndodhet. A mund ta ketë shkruar këtë renditje të qëllimshme autori me bazë numërin 22? Vështirë t’i japësh përgjigje të saktë, por edhe në mos i futemi thellë këtij numëri, po mjaftohemi thjesht si një numër i rastit. Lidhja shkak-rast në filozofi do të na hapte shumë punë, pasi do të ndaleshim dhe të analizonim shumë gjëra në këtë lidhje. Sipas dorëshkrimit të autorit, i hartuar në vitin 1936 për një infermiere dhe që u botua në një sit të Universitetit të Karolinës së Veriut, janë veprat letrare më thelbësore. Në vend të parë  Motra jonë Carrie e T. Dreiserit, dhe më pas vijën autorët e tjerë; Jeta e Jezusit e E. Renan, Shtëpia e kukullës e H. Ibsenit, Winesbourg, Ohio e Sh. Andersonit, Tregimi i plakave i A. Bennett, Skifteri maltez i D. Hammett, E kuqja dhe e zeza i Stendhalit, Tregimet e G. d. Maupassantit më pas Çehovi, Conradi, France, Faulkneri, Prusti, Duoglasi, Mansfieldi, Tolstoi dhe në fund poetët Keats dhe Shelley.

Pyetja që do të shtroja unë do të ishte: a i kemi lexuar të gjithë këta libra? A jemi dakord me mendimin e Fitzgeraldit? Unë vetë nuk do ta gjeja veten në të 22 librat, por do të thosha se në një pjesë të mirë të tyre po, sepse ndonjë libër të përmendur në të, ende nuk e kam patur në duar që ta lexoj. Por edhe mund t’i zëvendësoj disa libra të kësaj liste me të tjerë, pa e mohuar ndonjë flirt të fshehur me letërsinë italiane, e cila na ka dhënë kryevepra të shumta botërore. Këtë vit është përvjetori i Bokaços dhe nismat në Itali, në këtë epokë dixhitale janë të shumta, si p.sh, të shkruash në një cicërimë (tëitter) një prej tregimeve të përmbledhur në 140 gërma. Në shkrimet e ardhshme besoj se jo vetëm unë, por edhe të tjerë do të ndalen në përvjetorin e babait të prozës.

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Arian Kallco, cilet libra, do te reditje ti

APOLOGJI PËR VETE DHE PËR TË TJERËT

August 16, 2013 by dgreca

KRISTAQ TURTULLI/

Esse/

Kam lexuar mjaft shkrime problemore nëpër faqet e internetit, të shkruara me përgjegjësi intelektuale  dhe ndjenjë të lartë qytetarie prej krijues të  formuar dhe të përgjegjshëm si : Fatmir Terziu, Roland Gjoza, Thani Naqo, Aleko Likaj, Agim Bacelli e të tjerë, mbi fatin e letërsisë dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi,  të periudhës post komuniste.

Ndërkohë kam medituar me veten time për përgjegjësinë që ka krijuesi i mirëfilltë në kuadrin e përmbysjes së madhe dhe të ndryshimeve të papërfytyrueshme që pësoi vendi ynë i vogël: Viktimat e para në kufi në përpjekje për të kapërcyer klonin. Hapja ambasadave. Vërshimi i lumit të pandalshëm të emigracionit të paligjshëm dhe më vonë disi të organizuar. Naiviteti  dhe çiltërsia e të ikurve, prej mëmëdheut, pangopësia dhe marrëzia e të tjerëve. Politika e re u ngrit si ortek në rrëmujën shqiptare. Etja e për tu pasuruar me çdo mjet. Pasionet politike u hodhën në rrugë. Mendësitë e vjetra në luftë të papajtueshme me mendësitë e reja. Kontradiktat e nëndheshme dhe të përballshme. Rrëzimi i kastës së vjetër dhe kërkesa e paevitueshme e ringritjes se kësaj kaste në forma dhe mënyra të ndryshme. Pasoi ngjarja e llahtarshme e vitit të mbrapshtë të 1997, armatosja e çmendur e popullsisë, vjedhjet shkatërrimet, ndërsa të tjerët përreth nesh, pritën, veshën ngrehur, gjakderdhjen…

Fatmirësisht kjo nuk ndodhi dhe nuk kish sesi të ndodhte. Shqiptarët u kanë rezistuar provave dhe provokimeve përgjatë rrjedhës së shekujve…

Përsëri  u ngrit si makth fluksi i emigracioni i paligjshëm dhe diçka më i organizuar, këtë herë më e kualifikuar  dhe i përgjegjshëm, por me mosbesim të hapur ndaj vetvetes dhe të tjerëve,për çka lanë pas. Politika në vend përsëri vazhdoi  ciklin e vet me pasionet shpërthyese dhe pasionante. Lëvizja tërësore prej fshatit në qytet sidomos drejt kryeqytetit, si qendër më e madhe dhe mundësi më të mëdha për punë dhe jetesë. Fluksi i ikjes së vlerave  ku shfaqen dukshëm prostitucioni dhe korrupsioni plagë kjo jo vetëm e vendit tim por e vendeve që pësuan ndryshim rrënjësor shoqëror dhe politik.

Gjithsesi  nuk dihet saktësisht se cilët janë humbësit e vërtetë, të ikurit në emigracion, në skaje të ndryshme të botës, apo të qëndruarit në mëmëdhe. Është një panoramë e jashtëzakonshme që nuk ish parë në Shqipëri në dhjetëra vite. Në këtë amulli, luftë për ekzistencë, përpjekje për të mbijetuar, për tu pasuruar me të gjitha mjetet. Krahas kësaj ishte dhe dëshira për tu arsimuar, studiuar, për të bërë karrierë dhe për të ngjitur shkallët e politikës dhe të shtetit. Sigurisht dihet, nëse nuk merresh me politikë nuk mund të përshtatesh lehtë me të vërtetën e mundimshme.

Në fakt, në këtë panoramë mbarë kombëtare me ndryshime rrënjësore, i gjithë populli pësoi një shkundje të madhe të brendshme, të njëjtën gjë e pësoi letërsia, arti kultura.

Në gjithë në këtë teatër të madh të ngjarjeve dhe provave sfiduese, si mikrobotë më vete janë shkrimtarët, artistët, poetët. Por në një mënyrë apo në një tjetër kultet e vjetra qëndruan, vetëm ato një  mënyrë apo në një tjetër nuk u luajtën nga pozicioni në të cilat i vendosën kushtet dhe kërkesat dhe qe ishin betonuar për më se pesëdhjetë vjet. Nuk duhet të merren parasysh replikat e ndryshme dhe intervista të bëra në media. Qëllimi justifikon mjetin.

Ndërkohë së fundi lexova një poezi të një poeti izraelit të përkthyer me mjeshtëri nga rusishtja prej Ligor Priftit. Shkrimi dashamirës dhe problemor  mbi gjendjen e letërsisë dhe fatin e  saj në të ardhmen të Fiqiri Shahillrarit,  gjithashtu një shkrim me mendime të mençura të Thani Naqos. Në të njëjtën kohë sërish më ngacmuan mendimet e tundueshme mbi të vërtetën e letërsisë, në luftë për ekzistencë dhe ringritjes e saj, në vendin e merituar që e dëshirojmë të gjithë ne.Shqiptarët në këto njëzet vjet humbën energji dhe aftësi të pallogaritshme, por në të njëjtën kohë fituan njohuri dhe  energji të paimagjinueshme. Ishte një përmbysje, ndryshim dhe shkëmbin vlerash, të cilat hynë në mënyrë të paevitueshme në mendjet tona, u bënë pjesë e jonë dhe janë të paeliminueshme.

‘Izraelitët janë të huaj për botën mbarë dhe të mirët e vetes. Ne a jemi sa duhet të mirët e vetes apo me shumë të mirët e botës?!

Në këtë kuadër me të drejtë dëgjohen që flasin dhe shkruajnë intelektualë dhe krijues gjendjen në të cilin ndodhet vendi dhe arti dhe mendime për vitet e pritshme.

Ndërgjegjësimi i popullit zhvillohet në të njëjtën kohë me ndërgjegjësimin e artit dhe të letërsisë. Ne si popull kemi akoma nevojë për të nxënë, për të respektuar dhe për të mësuar prej asaj që është më e mirë. Iku koha e sloganeve të cilat na merrnin frymën dhe na i rritnim me pa të drejtë mendjen, na i vinin mbi kapelë. Ne duhet të mbrojmë dhe të respektojmë vlerat e të shkuarës. Ato vlera që i krijuan dhe i ndërtuar me aq mund dhe sakrifica të parët tanë dhe në kushte shumë të vështira. Sigurisht duhet të jemi të ndërgjegjshëm që jo vetëm të krijojmë vlera, por së pari ti ruajmë dhe ti mbrojmë këto vlera. Në dhjetëra vite ne kemi ndërtuar dhe prishur. Kemi vënë në pikëpyetje mjaft figura të shquara i kemi injoruar, flakur, shkelur me këmbë. Jemi kujtuar e kimi ngritur sikur të jenë dordolecë. U fshinë me karbon të zi figurat kryesore të ngritjes së flamurit. U pështy Mbreti Zog, i cili kish meritat veta në krijimin e shtetit Shqiptar, sigurisht dhe mangësitë e mendësitë e kohës në të cilën jetoi dhe udhëhoqi. U nëpërkëmb Gjegj Fishta, eshtrat e tij u flakën në Bunë. U nëm Faik Konica. U arrit deri atje sa u bë dyshuese dhe figura madhore e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, etj e të tjera… Figurat që kanë bërë epokë janë vlera nderi për një komb, sepse janë historia e vetë kombit përgjatë rrebesheve të shekujve.

Shumë shtete dhe kombe mbrojnë vlerat veta dhe i publikojnë sepse ata krenohen për to. Shtete të tjera që janë relativisht më të rinj për kushte në të cilën janë krijuar, mundohen me të gjitha mënyrat për të krijuar vlera dhe histori. Ata respektojnë edhe një dikush që erdhi dhe u ngul në një skërkë të panjohur dhe ngriti dikur një mulli, i vënë pllakë përkujtimore edhe pse mulliri është djegur njëqind vjet më parë dhe kjo gjendet në një monopat që vështirë e shkel këmba. Tek ne  Shqipëri çdo pëllëmbë tokë ka një histori me vete. Po a e dinë brezat që janë dhe brezat që do vijnë, po mos tërhiqet vëmendja?!

Jo më kot në krye të shkrimit thashë se morra shkak edhe prej poezisë Ligorit si dhe nga shkrimi problemor i Fiqiriut.

Poezia është një këngë ninullë, në të njëjtën kohë dhe thirrje, kushtrim i nënës izraelite. Nuk është një poezi e thjeshtë por një filozofi e shkruar e një populli që mbijetoi në mijëra vjet si asnjë popull tjetër dhe që të imponohet. Sa popuj dhe kombe janë zhdukur në rrjedhën e harbuar të shekujve me dhjetëra. Izraelitët mbijetuan, krijuan Protokollin e mbijetesës si asnjë popull tjetër. Edhe sot dhe gjithë ditën djemtë izraelitë edhe pse janë të shpërndarë në të katër anët e botës. Kur i vjen mosha për të shkuar nën armë shkojnë vullnetarit në vendlindje për të kryer shërbimin ushtarak. Një tjetër shembull, shteti izraelit, fton me shpenzimet e veta, fëmijët e të mërguarve të vinë në mëmëdhe me pushime dyjavore për të njohur dhe mësuar nga vendi i të parëve dhe të mos shpërbëhen. U përpoqën ti zhduknin, por ata mblodhën të gjitha thërrime për thërrime si asnjë popull tjetër. Po ne a nuk kemi nevojë të mësojmë nga të tjerët? Shumë nga fëmijët e emigrantëve shqiptarë të shpërndarë nëpër botë nuk dinë të flasin dhe të shkruajnë shqip edhe pse kanë vetëm disa vite larguar prej mëmëdheut. A nuk është kjo e dhimbshme?!

Dikush mund të mbledhë buzët, po ky me kë gjeti dhe na krahasojë, hëm, me  çifutët! Dikush tjetër mund të mërmërisë, të shtrijmë këmbët sa kemi jorganin. Për çfarë jorgani e keni fjalën? E krahasova me ta sepse kemi shumë gjera të përbashkëta; popullsinë, vendin strategjik, pozitën gjeografike, vitalitetin, talentin, këmbënguljen, mençurinë etj, por veç me një ndryshim.

‘Izraelitët janë të huaj për botën mbarë dhe të mirët vetes. Ne a jemi sa duhet të mirët e vetes apo me shumë të mirët e botës?!’

Pra letërsia nuk mund të japë shpirt kurrë, ajo gëlon fuqishëm në mendjet e zemrat e krijuesve të fuqishëm…

Në afro 50 vjet në godinën e letërsisë i investua totalisht si kurrë ndonjëherë dhe mirë u bë edhe pse i shërbente qëllimit të investimit. Mbasi mes veprave tërësisht të politizuara  u krijuan dhe vepra të mira të cilat i rezistuan kohës. Kritika profesioniste dhe amatore ngrinin dhe lartësonin veprat puniste, por në të njëjtën kohë bëhej dhe një propagandë e madhe që disa prej tyre të kapërceni telat me gjemba dhe të dilnin ne botën matanë. Askush nuk ka të drejtë të nënvleftësojë dhe të injoroje gjithçka me një të fshirë të rëndomtë të lapsit. Mbasi secili brez ka vlera dhe ngrihet dhe lartësohet mbi vlerat e mëparshme. Veçse në çfarë shkalle do të mbeten në të ardhmen kjo është çështje tjetër.

Në këto njëzet vite  janë bërë dhe po bëhen botime të shumta të shumëllojshme. Sigurisht jo të gjitha kanë art të mirëfilltë, sepse  nuk kontrollohen dhe nuk ka se si të kontrollohen në kushtet e ekonomisë së tregut, të tregut të lirë. Ndaj me të drejtë shqetësohet krijuesi për fatin e letërsisë dhe ky shqetësim është si të thuash një tërheqje vëmendje. Shpesh herë nëpër librari nuk ka vend për letërsinë e vërtetë ngaqë janë të përmbytur me letërsi të përkthyer e shpesh të mbushura me krim dhe të tjera si këto.

Letërsi të vërtetë dhe të fuqishme sigurisht që ka. Por tani nuk lëviz si dikur mekanizmi shtet dhe parti, i cili bënte seleksionimin në interes të vet. Pra lind problemi i vështirë i seleksionimit të vetvetishëm dhe gradualisht të artit dhe vlerave të vërteta letrare.

Fluksi i botime është i jashtëzakonshëm,në të gjitha gjinitë. Të gjithë duan të shprehen, të thonë atë që nuk mundën ta thoshin në shumë vite. Të tjerët duan të shkruajnë dhe të shprehen sepse u dha mundësia si kënaqësi e çastit.  Ka të tjerë të shtyrë prej parasë dhe pozitë e shohin letërsinë si mjet interesant të njohjes dhe mundësisë së ngritjet në karrierë. Ndërsa pakica e pakicës shkruajnë sepse janë të përgjegjshëm për misionin që kanë marrë mbi supe, për të dhenë një letërsi të vërtetë të zhveshur nga kornizat dhe ti rezistojë kohës.

Pra letërsia nuk mund të japë shpirt kurrë, ajo gëlon fuqishëm në mendjet dhe zemrat e krijuesve të fuqishëm. Ne nuk kishim gjuhë të shkruar në njëmijë vjet dhe për një periudhë shumë të shkurtër kohe njëqind vjet e ca, letërsia shqipe arrite kulmet e saj, me kolosët si Gjegj Fishta, Migjeni,titani, poeti dhe përkthyesi Fan Noli,i mrekullueshme poet Lagush Poradesi, Mitrush Kuteli, Petro Marko,Ismail Kadare e plot të tjerë.

Livadhi i letërsisë është i bollshëm aty ka mijëra lule shumëngjyrëshe, që prej fendës së ujkut deri tek trëndafili i mrekullueshëm dhe plot aromë. Midis vetë krijuesve duhet të dalin kritikët dhe studiuesit e letërsisë dhe artit në përgjithësi, për të bërë seleksionimin e nevojshëm krahas rrjedhës së kohës. Veprat me vlera nuk bërtasin, nuk çirren. Ato si kalliri plot mbajnë kokën ulur dhe meditojnë ashtu si Firdusi plak, që pinte çaj të ftohtë, zbathur, vetëm në nallane, ndërsa grafomanët dhe zabërhanët pinin bozë, mburreshin, bënin zhurmë dhe para.

Dikur në kohën e partisë shtet, letërsia në Shqipëri ishte e ndarë në letërsinë zyrtare, ku penetronin dhe vepra të mirëfillta cilësore dhe letërsisë së vërtetë, që u shkrua nëpër kthina të fshehta prej frikës, por ajo nuk u tha, mbeti e gdhendur në mendjen e zemrat e demokratëve të vërtetë dhe të persekutuarve. Shumë vepra madhore humbën  u morën me vete prej atyre që ishin në opozitë me sistemin.

Tani sërish letërsia ndahet në letërsi komerciale, kriminale, skematike dhe letërsia e mirëfilltë. Në përgjithësi arti dhe kultura janë tejet të brishta, sepse krijohet prej krijues me shpirt të madh  dhe me brishtësi dhe sensibilitet të madh. Kështu nuk mund të japësh një mendim të prerë me një të rënë të shpatës.

Dy letërsi po zhvillohen me vrull në të njëjtën kokë, letërsia e mëmëdheut dhe letërsia e emigracionit, por gjithsesi gjenden në një shtrat të vetëm. Artisti, krijuesi i mirë bën art me vlera kudo që ndodhet. I rëndësishëm është misioni që ka marrë mbi supe.

Flitet për vdekjen e romanit voluminoz dhe lëvrimin dhe evidentimin e vlerave të qenësishme vetën tek proza e shkurtër, poezia etj. Sidomos letërsia e bisnezit e intrigës e rekllameve dhe makinacioneve. Duke filluar qysh me Zhorzh Simeon, deri tek Daniel Steell,Petër King, Dan Braun rtj. Këta janë shkrimtarë profesioniste dhe e shohin të shkruarin se mjet fitimi. Krahas kësaj ngrihet godina e vështirë e artit të fuqishëm, me dyer metalike të puthitura mirë me bedena dhe me mure të larta, në të cilën hyjnë me mund dhe vështirësi artistët e vërtetë që ngelen në memorien e popullit dhe që shkruhen në panteonin e pavdekësisë, paçka se mund të jenë dhe të vdesin të varfër. Arti i tyre do të jetojë. Vepra e shkruar me talent dhe përgjegjësi nuk e përbën madhësia dhe shumëllojshmëria e personazheve, por e bën vlera që mbart kjo vepër. Vepra e mirë kërkohet, lexohet paçka se kjo është një poezi me pak strofa apo një roman epope. Po marr vetëm disa shembuj. Vepra voluminoze shkruan italiani Umberto Eko, i vlerësuar me çmimin Nobël. Janë të papërsëritshme nga madhështia dhe filozofia që përçojnë romanet: ’Në emër të trëndafilit’ dhe Foucaul’t Pendulum’. Apo anglezi Ken Follet me romanet e tij të fuqishme:  ‘Shtyllat e Tokës ‘ dhe ‘Bota pa fund’,ku autori i bën një analizë të thellë shoqërisë angleze në shekujt 11 dhe 13.

Historia, ngjarjet, situatat, kushtet  e veçanta dhe e shkuara e Shqipërisë ka nevojë të rishkruhet të bëhet një analizë e thellë dhe e fuqishme, sikundër bëri dikur Marin Barleti, i cili la një dokument të shkruar të jashtëzakonshëm mbi figurën e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut dhe pushtimit turk. Ketë nuk mund ta bëjë një vjershë apo një novelë, të cilat kanë vendin dhe vlerat e veta.

Letërsia shqiptare është mësuar me trusni, përmbysje, ngritje dhe ringritje. Sa më shumë trusni të ketë, lind kundra pesha dhe krijohen dhe rriten më shumë vlera. Por së pari duhet të vështrojmë rreh vetes dhe të kthjellohemi më mirë…

Filed Under: Kulture Tagged With: Apologji per vete, dhe per te tjeret, Kristaq Turtulli

UNË DUHET TA URREJ ISMAIL KADARENË

August 16, 2013 by dgreca

…Megjithatë, pas leximit të romaneve dhe tregimeve të tij, jo vetëm që nuk e urrej atë, por unë dua që ai të fitojë çmimin Nobel në letërsi për vitin 2013. Më lejoni t’iu shpjegoj pse./

Nina Sabolik/

Unë duhet ta urrej Ismail Kadarenë. Duhet ta urrej sepse unë jam maqedonase dhe ai është shqiptar, e popujt tanë kanë qenë armiq prej shekujsh dhe kanë qenë në luftë para 12 vitesh. Duhet ta urrej, sepse në një takim ndërkombëtar të kohëve të fundit të qendrës PEN në Bled të Sllovenisë, ai ishte i vetmi që refuzoi të firmosë një peticion, i cili kërkonte njohjen e emrit të Maqedonisë (emri i saj konstitucional) — një peticion i firmosur nga të 70 anëtarët e PEN Qendrës, përfshirë edhe pesë anëtarët e tjerë shqiptarë. Duhet ta urrej Kadarenë sepse, siç duket, ai ka bashkëpunuar me regjimin e Enver Hoxhës dhe nuk ka protestuar sa duhet kundër mizorive të komunizmit—mizori të ngjashme me ato të komunizmit jugosllav, që ka bërë kërdinë në familjen time për më shumë se tri breza. Megjithatë, pas leximit të romaneve dhe tregimeve të tij, jo vetëm që nuk e urrej atë, por unë dua që ai të fitojë çmimin Nobel në letërsi për vitin 2013. Më lejoni t’iu shpjegoj pse.
Kadare ka lindur në vitin 1936 në Gjirokastër, një qytet i vogël, si qytet zanash e përrallash, në malet e Shqipërisë jugore. Ky vend, i ka shërbyer atij për disa nga romanet e veta duke përfshirë edhe “Kështjellën” (1970). Ai qytet është gjithashtu, si për ironi, edhe vendlindja e Enver Hoxhës, diktatorit komunist të Shqipërisë. Kadareja ishte anëtar i parlamentit komunist për më shumë se pesëmbëdhjetë vjet, para se të kërkonte azil politik në Francë më 1990, pesë vjet pas vdekjes së Hoxhës dhe në prag të shpërbërjes së komunizmit në vitin 1991. Ai punoi edhe si kryetar i një instituti kulturor që mbikëqyrej nga afër prej gruas së diktatorit dhe krahut të tij të djathtë, Nexhmije Hoxha. Kadare botoi edhe romanin “Dimri i Madh” (1977), si një himn për udhëheqjen e Hoxhës dhe shkëputjen e Shqipërisë nga Rusia staliniste, në vitin 1961.
Nga ana tjetër, shumë prej librave iu ndaluan gjatë tridhjetë viteve që ai kaloi si shkrimtar në Shqipërinë komuniste. Midis tyre ishte padyshim romani i tij më të mirë, “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1981), që tërheq një paralele të qarta mes regjimit të Hoxhës dhe një vendi imagjinar ku ëndrrat ‘shihen’ si shenja të disidencës politike. Megjithatë, në dritën e të gjitha këtyre, ai jo vetëm që mbijetoi, por lulëzoi në një vend ku shkrimtarët internoheshin, burgoseshin, ose ekzekutoheshin për vepra me gabime shumë më të vogla ideologjike. “Kështjella” si disidencë e Kadaresë është alegoria e një alegorie. Në zemrën e saj, ajo nuk është vetëm një kritikë e komunizmit, por edhe një reflektim mbi relativitetin kulturor të përfaqësimit historik.
…Jeta politike e Kadaresë nuk paraqet një kufi të qartë midis komunistëve “të këqij” dhe kundërshtarëve “të mirë”. Në vend të kësaj, në “fiksionin” e tij, Kadare përdor lentet e historisë për të treguar natyrën e ndërtuar të mospajtimit politik në përgjithësi.
Kronikani politikisht oportunist tek “Kështjella”, për shembull, ndërton historinë e përplasjes mes ushtrisë osmane dhe armikut shqiptar, që tregon në fakt përleshjen mes komunistëve dhe kundërshtarëve të tyre.
Të ishe shkrimtar në Shqipërinë komuniste duhet të ketë qenë e ngjashme me të qenit një kronikan në një ushtri të madhe Lindore në ditët e Perandorisë Osmane. Portretizimi që i bën Kadare Tursun Pashës, komandant i ushtrisë osmane tek “Kështjella” i ngjan Enver Hoxhës dhe diktatorëve ushtarakë kudo…
Një tjetër element i kritikës së Kadaresë ndaj regjimit të Hoxhës është sulmi i tij mbi idenë e denacionalizimit.
Është më shumë ideologjia se sa lufta që mund ta thyejë një komb.
“Ju nuk mund të thoni se e keni pushtuar një vend, derisa të pushtoni qiellin e tij”. Ashtu si edhe komunizmi, i cili erdhi përmes revolucioneve të përgjakshme dhe në fund dështoi, ushtria osmane nuk mund të thyejë mbrojtësit shqiptarë vetëm me forcë; është populli, mendjet dhe zemrat e tyre që janë kështjella e vërtetë e një kombi.
Kjo është një temë, të cilës Kadare i rikthehet sërish në romanin e tij të fundit “Aksidenti” (2010), gjë që gjurmon ndikimin korruptiv të vlerave të shtrembëruara perëndimore në Evropën juglindore postkomuniste. Tek “Aksidenti”, megjithatë, armiku nuk është një diktator komunist, por sulmi ideologjik i vlerave të padiskutueshme perëndimore, që në emër të lirisë kanë prishur thelbin moral të Shqipërisë postkomuniste.
Për Kadarenë, mënyra e vetme për t’i bërë ballë një diktature, qoftë komuniste, koloniale, apo neokoloniale, është luftimi i saj nga brenda, në brendësi të shpirtit të saj.
Ndryshe nga autorët e tjerë disidentë nga regjime të ndryshme diktatoriale, Kadare nuk sheh dritë në fund të tunelit historik.
Nuk ka shpëtim nga cikli i përjetshëm i grindjes dhe pajtimit. Lufta vazhdon në mënyra ndryshme. Nuk ka shpëtim në anën tjetër të vijës kufitare, as në vijën e frontit të një revolucioni fisnik…
Këtu qëndron shpjegimi i ngurrimit të Kadaresë që të nënshkruante peticionin e delegacionit të Shkupit për të njohur emrin e Maqedonisë – si një gjest politik; peticione të tilla janë të pashmangshme, duke i kërkuar dikujt të pozicionohet me një nga anët: “Ose je me ne, ose je me ata”, siç thoshte George W. Bush. Roli i shkrimtarit nuk është të zgjedhë mes fraksioneve ideologjike ndërluftuese, duke u shërbyer kështu interesave të njërit apo tjetrit, por që të angazhohet në një kritikë të sinqertë e të plotë të secilit dhe në fund të fundit, të tërheqë vëmendjen për atë që ne të gjithë kemi të përbashkët – humanizmi ynë.
Të gjitha kundërshtimet ndaj nominimit të Kadaresë për çmimin Nobel rrjedhin nga një burim i vetëm: paaftësia e një audience perëndimore për të lënë pas provincializmin e vet kulturor dhe të vlerësojë një shkrimtar që nuk përshtatet me stereotipin e letërsisë botërore, siç e përshkruan atë James English.
I pari prej këtyre kundërshtimeve, ideja se Kadare nuk ishte disident dhe që ai bashkëpunoi me regjimin e Hoxhës, buron nga një kuptim tipik perëndimor i disidentit antikomunist, si një figurë e zëshme, si Solzhenici, që e botoi veprën e tij mospajtuese me regjimin dhe pastaj emigroi drejt Perëndimit të ndritshëm e të lumtur – një version Hollivudi (ky) i disidentit të Evropës Lindore.
Kadareja, nga ana tjetër, u takon turmave të padukshme që u rezistuan regjimeve diktatoriale nga brenda, një gjë shumë më e frikshme dhe heroike. Kadare mbijetoi për më shumë se dyzet vjet duke i botuar romanet e tij të heshtura e antikomuniste nën hundën e diktatorit stalinist, Enver Hoxha. E vetmja gjë që do ta bënte atë më shumë hero do të ishte nëse ai do të kishte vdekur nën persekutim (një mundësi konstante kjo) dhe t’i kishte botuar tregimet e tij heretike nga vetë qielli.
Kadare ka guxuar të sulmojë atë “lopë të shenjtë” të ideologjisë perëndimore të lirisë. Ai ka guxuar të tregojë se liria që pati sukses mbi komunizmin, nuk ka qenë përfundimi i lumtur që shtypi perëndimor përshkruante të ishte, në fakt, ajo mund të jetë edhe më keq se vetë komunizmi.
Kundërshtimi i dytë u dha nga askush më shumë se orakulli i shijes letrare Perëndimore, kritiku James Wood i “The New Yorker”. Ai pati kritika për romanin “Aksidenti” të Kadaresë, duke e cilësuar atë si një alegori të burgosjes së lirisë, që duket të jetë tirania e re postkomuniste.
Shtypi perëndimor, që nuk kishte asnjë problem të ngrinte në qiell virtytet e prozës së Kadaresë, ndërsa ai ishte duke minuar në heshtje armikun e tyre ideologjik – madje e kritikuan atë se ishte shumë i qetë e shumë delikat në sulmet e tij – papritmas beson se alegoritë e tij janë shumë të dukshme dhe jo mjaft delikate.
Kundërshtimi i fundit u shpërfaq nga “The New York Sun” në vitin 2005 dhe thoshte që veprat e tij janë shumë opake dhe shumë të vështira për t’u përkthyer, vendi i tij shumë i largët dhe i njohur për keq nga audienca perëndimore që duhet ta kuptojë (lëre pastaj ta vlerësojë). Ky kundërshtim rrjedh nga i njëjti lloj vetëpërqendrimi perëndimor që e bën të vështirë të imagjinohet, Kadareja si një kritik shumëdimensional i ideologjive kontradiktore.
Konteksti i historive të tij nuk është vetëm Shqipëria në pika të ndryshme në histori, ajo është ne-lexuesit dhe botët që kemi krijuar në mendjet dhe zemrat tona. Gjuha e tij, ndërsa është poetike dhe me të vërtetë e vështirë për t’u përkthyer në të gjithë madhështinë e saj energjike, e ruan fuqinë e vet edhe në përkthimin e dyfishtë – të tilla si “Kështjella”, që është përkthyer në anglisht nga frëngjishtja, e jo nga shqipja origjinale. Leximi i letërsive të përkthyera, si kontakt me askënd tjetër përveç vetes, gjithmonë kërkon një sasi të caktuar përpjekjesh intelektuale; të heqësh dorë nga një shkrimtar thjesht sepse ai tingëllon i huaj, nuk është vetëm një akt i përtacisë, por edhe një humbje për ne si qenie njerëzore individuale dhe si komunitet njerëzor.
Së fundi, për të ardhur sërish tek çmimi Nobel, ato Oskarët e botës letrare, çfarë do të thotë idealizëm sot?
Idealistët nuk janë njerëz të cilët jetojnë në një kullë fildishi, duke parë përmes dritares së tyre të ngushtë qiellin, e duke parashikuar një botë të qetë, të paqtë e me lumturi. Idealistët janë shpesh të çuditshëm dhe nganjëherë të çiltër e mizantropë…
Për Kadarenë, të vazhdoje të shkruaje kritika të zymta, por të sigurta të një të kaluare të largët komuniste, do të kishte qenë mënyra më e lehtë, ajo do të kishte çimentuar reputacionin e vet si një shkrimtar i madh i Evropës Lindore, i cili kritikoi komunistët. Në vend të kësaj, ai zgjodhi të komentojë mbi gjërat që janë të pakëndshme, për atë po aq sa edhe për ne, që ngrenë pyetje më shumë se sa përgjigjen, që nuk kanë asnjë zgjidhje në të tashmen dhe ndoshta as në të ardhmen. Ky është idealizmi. Dhe kjo është arsyeja pse ai duhet të fitojë çmimin Nobel 2013 në Letërsi…

Filed Under: Kulture Tagged With: Nina Sabolik, une duhet ta urreja Ismail kadarene

Diaspora shqiptare jep kontributë të çmuar në pasurimin e letrave shqipe

August 16, 2013 by dgreca

 U promovua vëllimi poetik i Gjekë Marinajt ne Bukuresht/

 Shkruan: Mira Skënderaj,Bukuresht/

 Më 12 gusht në Bukuresht, në një mjedis elegant, në qendër të kryeqytetit rumun, u zhvillua promovimi i librit me poezi “I burgosuri i mungesës” i shkrimtarit shqiptaro-amerikan  Gjekë Marinaj. Në këtë eveniment ishte i pranueshëm autori i librit, të përkthyer nga përkthyesi dhe shkrimtari Marius Dobresku, i mirënjohur si përkthyesi i veprës pothuaj komplete të Ismail Kadaresë në rumanisht.

Gjekë Marinaj, poet, profesor në Dallas (Teksas) dhe banor i SHBA-ve qysh nga viti 1991, i pranishëm në këtë ngjarje, dha autografe për miqtë dhe lexuesit e librit të tij në Bukuresht. Vëllimi i Marinajt është shoqëruar me një parathënie nga kritiku i mirënjohur rumun i letërsisë Radu Voinesku, gjithashtu i pranishëm në këtë promovim. Në veprimtari morën pjesë studiuesi i letërsisë Luan Topçiu, shkrimtar dhe diplomat, autor, ndër të tjera, i një antologjie të poezisë shqiptare të djeshme dhe bashkëkohore, dramaturgu dhe eseisti i shquar rumun Vlad Zografi (me prejardhje shqiptare nga Korça), gazetarja Maria Dobrescu, lexues dhe admirues të shkrimtarit shqiptar, gazetarë nga mediat kryesore të vendit, anëtarë të komunitetit shqiptar të Rumanisë.

Në vlerësimin e tij për poezitë e Gjekë Marinajt, Marius Dobrescu tha, ndër të tjera, se poezia e tij sjell një frymë të re në poezinë bashkëkohore shqiptare dhe se është “kontaminuar” nga formimi filozofik i autorit, gjë që i jep poezisë së tij një atmosferë të veçantë, latuar me sqimë të madhe, gjë që e rendit në nivelet më të larta të mendimit europian poetik. I njohur si një njohës i mirë i poezisë rumune dhe shqiptare, Luan Topçiu vuri re një element të përbashkët që gjendet në të gjithë shkrimtarët dhe krijuesit e Diasporës Shqiptare: një lidhje të pashmangshme me vendlindjen, me trevat ku ka kaluar fëmininë, nënshtresa këto burimore të krijimit, të cilat e bëjnë autorin autentik si profil letrar dhe u japin lirikave të tij origjinalitet. Kritiku i mirënjohur rumun, Radu Voinesku, autor i parathënies së vëllimit, duke përsëritur disa nga vëzhgimet e bëra në “parathënien” u shpreh se: “Imazhet e Shqipërisë janë gjithmonë të pranishme në mendjen e poetit, i cili jeton në mes të dy botëve: njëra e kujtesës, identitetit dhe e origjinës, tjetra e atdheut të ri, ku ky identitet i parë i pafrenueshëm shfaqet në momentet më të befta. Midis ortekut të fotografive, natyrisht të mbeten në mendje ato të prindërve, të cilat mbizotërojnë dhe që mund të gjenden nga lëçitësi që do të lexojë faqet e këtij poeti.” Sepse Gjekë Marinaj, si çdo racë e pastër e Ballkanit, ka një ndjenjë të fortë të komunitetit nga i cili vjen, familja, ky univers parësor dhe i pashkatërrueshëm.

Promovimi i vëllimit me poezi “I burgosuri i mungesës” në Bukuresht, me praninë e autorit, ishte një mundësi e shkëlqyer për krijuesit shqiptarë, pavarësisht nga kontinenti në të cilin jeton, për të treguar potencialin e tyre krijues dhe, në veçanti, për të demonstruar se fjala shqipe mund të japë fryte kudo që ata ndodhen.

Bukuresht, gusht 2013

Filed Under: Kulture Tagged With: e Gjeke Marinaj, krijimtaria, Mira Skenderaj, ne Bukuresht, Promovohet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 429
  • 430
  • 431
  • 432
  • 433
  • …
  • 559
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT