• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TIRANË: PËRUROHEN LIBRA (SHQIP-ANGLISHT),PËR KRIMET SERBE NË KOSOVË

May 15, 2013 by dgreca

Nga Prof.MURAT GECAJ/
Në sallën kryesore “Aleks Buda”, të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u bë përurimi i librave (shqip-anlisht) të autorit nga Prishtina, prof.dr.Jusuf Osmani, drejtor i Arkivave të Kosovës. Ishin të pranishëm profesorë e akademikë, punonjës të arsimit, kulturës e shkencës, nga media e shkruar dhe ajo elektronike. Kishin ardhur edhe përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë dhe studiues nga Prishtina etj.
Tubimin për përurimin e librave: “Krimet e Serbisë në Kosovë”,1998-1999 (nr.1 e nr.2) dhe “Krimet e Serbisë ndaj fëmijëve, në Kosovë”(1998-1999), me mbi 1.300 faqe, në format të madh dhe shkruar nga prof.dr. Jusuf Osmani, për një kohë të gjatë drejtor i Arkivave në Kosovë, e hapi drejtori I Institutit të Historisë, pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, prof.dr. Beqir Meta. Ai u ndal posaçërisht në përmbajtjen kryesore të këtyre veprave voluminoze,e dokumentare e cilësore dhe nënvizoi se ato e pasqyrojnë mjaft mirë historinë më të re dhe tragjike të Kosovës. Në to, ka dokumente e fakte të panumërt dhe të pakundërshtueshëm, marrë nga arkivat dhe organizatat e ndryshme shoqërore e organet shtetërore, sidomos ndërkombëtare, si nga Kryqi i Kuq, OSBE e NATO, nga institucione fetare dhe shtypi shqiptar, por dhe ai serb etj. Dokumentet e paraqitura janë klasifikuar sipas kritereve të rrepta shkencore. Ndër to, bien në sy krimet e bëra ndaj fëmijëve, që nga helmimet masive dhe deri te vrasjet e pamëshirshme e çnjerëzore. Po kështu, janë dokumentuar mirë shkatërrimet në qytete e fshatra etj. E gjithë kjo dëshmon se organeve gjyqësore përgjegjëse ndërkombetare u vihen në dorë fakte të shumta e bindëse, për ta vënë në bankën e të akuzuarëve regjimin gjakatar serb, me krimet e shkaktuara në Kosovën martire.Me interes u ndoq edhe parashtrimi i paraqitur, rreth këtyre librave, nga studiuesi, prof.dr. Marenglen Verli. Ndër të tjera, ai theksoi punën e përkushtuar në drejtimin e arkivave të Kosovës, nga autori i këtyre librave, prof. J.Osmani, sidomos për përgatitjen dhe kualifikimin e arkivistëve sa më të aftë nga ana profesionale. Ndërsa, duke u ndalur në librat e përuruar, tha se ata përmbajnë dokumente nga burime të sigurta dhe interpretimet e tyre janë bërë me profesionalizëm të lartë, shkencor e metodik etj. Kështu, jepet edhe paraqitja teorike e çështjeve, për 100 vjet krime në Kosovë, pra si për ato të vjetrat, por dhe të rejat, në vitet 1998 e 1999. Pushtuesit serbë ndoqën politikën e kolonizimit dhe të shpërnguljeve masive të shqiptaravë nga trojet amtare stërgjyshore, por dhe të shfarosjes masive të tyre. Kështu, nga 30 komuna shqiptare të kësaj krahine, janë shpërngulkur më shumë se 300 mijë shqiparë, janë djegur e shkatërruar 100 mijë shtëpi banimi e institucione të ndryshme etj. Në vazhdim, prof.d. Përparim Kaba trajtoi, posaçërisht, se si janë dokumetuar në librin e përuruar krimet ndaj fëmijëve, të cilët përbëjnë 20 përqind të të gjitha krimeve serbe në Kosovë, të dëshmuara më tepër në krahinat e Skënderajt, Drenasit, Gjakovës etj. Gjithashtu, ai u ndal në keqtrajtimet ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare, si nga paramilitarët, ushtria dhe policia serbe. Ata bënë keqtrajtime të pamëshirshme dhe organizuan dëbime masive të popullsisë civile të pafajshme, burgosje dhe vrasje nga më çnjerëzoret. Në fund edhe ai theksoi se mesazhi nga këta libra është: Asnjëherë mos të harrohen dhe as mos të zvogëlohën e anashkalohen krimet serbe në Kosovë, sidomos në vitet 1998 e 1999, gjë që i takon t’i gjykojë me drejtësi dhe paanësi edhe Tribunali i Hagës.
Po në këto linja, diskutoi edhe studiuesiiI njohur Uran Butka, I cili e përgëzoi autorin për punën e madhe studimore dhe për sistemimin e dokumentacionit të shumtë, nga të gjitha burimet e mundshme. Kështu, ato janë bërë një pasuri e paçmuar në duart e lexuesve të sotëm, por dhe atyre, që do të vijnë.
“Mësuesi i Popullit” Gani Demiri, i afërm i autorit të këtyre librave, solli dëshmi për traditat atdhetare të familjes së tij dhe nënvizoi përkushtimin, në këtë udhë, të J.Osmanit, në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare. Kjo gjë është pasqyruar më së miri edhe në këto botime të reja të tij, me dokumente e dëshmi të panumërta, për krimet serbe në Kosovë, gjë që u theksua gjerësisht edhe nga parafolësit.
Në fund, prof.dr. Jusuf Osmani i falënderoi nga zemra, si folësit dhe gjithë pjesëmarrësit në përurimin e këtyre librave. Ai përmendi edhe synimin kryesor të tij, me këto botime, që krimet serbe në Kosovë t’i bëjë sa më të njohura, jo vetëm në botën shqiptare, por edhe para opinionit publik ndërkombëtar. Prandaj dhe këta libra janë përkthyer në gjuhën angleze. Ne e urojmë nga zemra autorin e tyre, për tërë këtë punë të madhe e frytdhënëse dhe i dëshirojmë shëndet të mirë, jetëgjatësi dhe lumturi familjare!(Ne Foto: Autori, prof.dr.J.Osmani, duke folur…)

Tiranë, 15 maj 2013

Filed Under: Kulture Tagged With: Jusuf Osmani, Murat Gecaj, ne Kosove, per genocidin serb, promovohen libra

REKUIEM PËR ARTISTIN E POETIN DARDHAR

May 15, 2013 by dgreca

Nga ROZI THEOHARI, Boston/
Më 29 tetor 2005 në restorantin “Pier 4” të Anton Athanasit në Boston shqiptaro-amerikanët zhvilluan një mbledhje përkujtimore dhe darkë solemne me rastin e 600-vjetorit të lindjes së Skënderbeut. Në një pushim midis kumtesave, në tavolinën tonë ku ishin ulur vetëm familje dardhare, Sotir Pani, bashkëfshatari ynë, nxori nga çanta e na tregoi një libër me titull: “Serenata dhe këngë qytetare korçare”, me autor Gaqo Zdrulin. Këngëtarja veterane znj.
Jorgjia Misja, duke shfletuar librin plot këngë e partitura, filloi të këndonte, në fillim solo, pastaj e pasuar nga të gjithë të pranishmit në sallë: “Për mëmëdhenë”, “Dëbora zbardhi malet”, “Vlora-Vlora”…etj. Këngët, njëra pas tjetrës, sollën një atmosferë të ngrohtë vëllazëruese e emocionuese tek pjesëmarrësit e tubimit, të cilët i drejtonin duartrokitjet tavolinës së dardharëve, por në realitet duartrokitjet i
përkisnin Gaqo Zdrulit. Gaqos, bilbilit dardhar, i cili na dukej se ndodhej aty, në festë, mes nesh, me kitarë e këndonim së bashku si dikur. Por Gaqoja atë çast ndodhej i shtrirë në shtrat duke luftuar me sëmundjen e rëndë.
Një muaj më vonë ai ndërroi jetë në Tiranë duke lënë në pikëllim familjen, të afërmit, miqtë e shokët, dardharët e devollinjtë. Por ai dëshpëroi edhe shqiptaro-amerikanët, më të shumtit dardharë e korçarë, të cilët e njihnin dhe ruanin kujtime e mbresa nga jeta e aktiviteti i tij.

NA ISHIN TRE VËLLEZËR KËPUCARË

Është e pamundur të shkruash për jetën e Gaqos pa përmendur edhe dy vëllezërit tij, Kocin dhe Vaskën. Tre vëllezërit, bashkë me Marien, motrën e vetme, u lindën e u rritën në një familje të varfër dardhare, por me tradita patriotike, e cila kishte dhënë kontribut në çështjen atdhetare. I ati, Pandi Zdruli, ishte këpucar dhe zanatin ua mësoi tre djemve, mes të cilëve Koci ishte “ustai i madh.” Tre vëllezërit këpucarë dalloheshin mes moshatarëve të fshatit si tre djelmosha simpatikë e bukuroshë, por mbi të gjitha ishin punëtorë e gazmorë. “Dyqani i këpucarëve” ndodhej në katin e parë të shtëpisë së tyre, buzë rrugës, me dy dritare të mbrojtura nga hekura të trashë, të cilat vështronin nga korija e Shën Pjetrit.
Në ato dritare ndaleshin shpesh kalimtarët, të cilët shkëmbenin
ndonjë bisedë të rastit apo shaka me këpucarët. Gaqoja, vëllai
i tretë, e filloi zanatin duke drejtuar peronat e vogla të këpucëve,
të cilat ishin përdorur një herë. Me një çekiç të vogël mbi një
kudhër metalike përpiqej t’i bënte si të reja gozhdët që ia vinin
të vëllezërit përpara. Por shpesh çekani godiste pa dashur dy
gishtat e tij, sepse, me natyrën romantike, shpesh e
përqendronte vështrimin në pyllin e dendur të ahut të korijes
përballë. Ishin vitet e vështira të Luftës së Dytë Botërore, kur
mungonte gjithçka. Këpucarët e fshatit bënin këpucë të reja
duke shqepur këpucë të vjetra dhe duke përdorur një farë sholle
që shërbente si veshje ambalazhi për arkat e municioneve të
topave dhe gjendeshin plot të tilla pas Luftës Italo-Greke. Më
tej, pas luftës, kur Koci gjente ndonjë lëkurë të mirë, e përdorte
për të bërë këpucë për vajzat që martoheshin dhe për nxënësit
e shkollës. Më kujtohet, ne fëmijët rrinim me orë të tëra të
mbështetur tek hekurat e dritares duke ndjekur me padurim
të na mbaroheshin këpucët me qafa që na kishin porositur
prindërit. Më në fund Gaqoja u mbërthente prroqe në taban e
në thembra, për të na mbrojtur nga rrëshqitja në rrugët me
akull. Në netët e ftohta të dimrit mblidheshin djemtë e fshatit
tek dyqani i tre vëllezërve këpucarë për të ndihmuar në
ndreqjen e peronave. Por ata i tërhiqte edhe magjia e këngëve.
Tre vëllezërit punonin e njëkohësisht këndonin. Mbasditeve,
pasi linin punën të tre uleshin në ballkonin e drunjtë e
këndonin të shoqëruar nga mandolina e kitara. Gaqoja, që
në moshën e re kishte një zë baritoni të ëmbël, i cili tërhiqte
vëmendjen dhe admirimin e fshatarëve që e dëgjonin.
Dardhari Kiço Çeku, me banim në Florida kujton: “Gaqoja
ishte 2-3 vjet më i madh se unë, por në moshën e fëmijërisë ai
na dukej i madh. Mblidheshim djemtë e mëhallës tek dyqani
i Zdrulit, i cili për ne kishte cilësinë e një vatre kulture…
Gaqoja i fëmijërisë sime ishte një njeri me shpirt të hollë artisti
e zemër të mirë. Me durimin dhe shkathtësinë e tij na futi
dashurinë për muzikën edhe neve moshatarëve më të vegjël,
na ngjalli pasionin e këngës, duke na mësuar t’i binim kitarës
e mandolinës. Nuk kishte shtëpi në Dardhë që të mos kishte
një kitarë apo një mandolinë. Duke ndjekur zërin e Gaqos,
ne, shokët tij, mësuam këngët karakteristike të folklorit
dardhar, këngët partizane të Dhora Lekës dhe të autorëve të
tjerë. Aty spikati talenti i Gaqos si këngëtar i vërtetë. Zërin e
tij e kishin zili jo vetëm këngëtarë të dëgjuar të fshatit, por
edhe këngëtarë të njohur të qytetit të Korçës si Gaqo
Jorganxhiu, Petro Dula, Gaqo Hyrka e të tjerë.”
Pasi shtëpia e tyre u dogj nga fashistët italianë, i rritur me
edukatën qytetarë dhe ndjenjat liridashëse të familjes dhe
përgjithësisht të fshatit të Dardhës, Gaqoja qysh në moshën e
njomë u bashkua me të rinjtë e të rejat e fshatit në luftë kundër
pushtuesve nazi-fashistë. Koci dhe Vaska dolën partizanë,
ndërsa Gaqoja, si i ri antifashist, u bashkua me njësitin guerril
të fshatit.
Në vitet që pasuan, Gaqoja e Vaska banuan larg fshatit,
ndërsa vëllai i madh, usta Koci, nuk u nda nga Dardha, ku,
veç zanatit, u bë dhe një nga pjesëmarrësit e jetës artistike të
fshatit. Qysh nga viti 1948 ai filloi të regjistronte këngë
popullore, përralla, rite e zakone të Dardhës dhe të krahinës
së Devollit. Gjatë viteve ’50 e ’60 Koci e dendësoi punën e
mbledhësit të folklorit, ku ndikoi talenti dhe pasioni i tij në
shijet artistike dhe dashurinë për kulturën folklorike. Një pjesë
e materialit të tij u publikua në një përmbledhje të bukur e të
zgjedhur të poezisë popullore të Devollit, që u botua nga
Instituti i Kulturës Popullore. Kjo poezi popullore e ka
frymëzuar edhe Gaqon qysh në fëmijëri dhe më pas, kur ai
ka ndjekur edhe poezinë tonë klasike shqiptare. Muzika dhe
fjala poetike e shoqëruan Gaqon gjatë gjithë jetës.
“JETOVA ME ART—ËNDRRASH TRAZUAR”
Nga një poezi e hershme e Gaqos zgjodha këtë varg:
“Jetova me art—ëndrrash trazuar!” Dashurinë e tij për artin,
muzikën dhe interpretimin e ndjenjave nëpërmjet telave të
kitarës e mandolinës ai e shfaqi qysh me serenatat dardhare,
të cilat nuk binin më poshtë nga serenatat korçare… Natën,
ndriçuar nga hëna që sapo kishte nxjerrë vetullën mbi “Gurin
e Rrahut”, djelmuria e Dardhës ecnin ngadalë mbi kalldrëmet
e rrugëve të pastruara me kujdes nga duart e vajzave… Një
qëndrim i beftë tek muri i gurtë rrethues i një oborri, mbi të
cilin vareshin trëndafilat e kuq rënduar nga vesa e mbrëmjes.
Fillonte kënga e merrte krahë:
“Në mes të natës në qetësi,
Ti në ballkon po rrinje…”
Tingujt dramatike përplaseshin nëpër ballkonet e shtëpive
të mëhallës, zëri i Gaqos, i cili arrinte tonet më të larta,
zotëronte mbi zërat e tjerë. Diku, në errësirë, lëvizte perdja e
një dritareje… Me tutje, një avlli me lart, i këndohej
“perëndeshës së bukurisë…”
Në Dardhë, piknikët, argëtim i sjellë nga kurbetlinjtë e
Amerikës, fillonin që në pranverë, kur çelte gjethi, deri në
vjeshtën e parë kur fillonin të piqeshin kumbullat. Kënga e
parë karakteristike që këndonin dardharët në piknikë ishte:
“O vemi, ah, vemi
Në mes të pyllit do vemi…”
Mes tyre ndodhej edhe Gaqoja e melodia kumbonte në
korijen e Shën Pjetrit, jehonte deri në Devoll dhe e kthente
valën e tingujve përtej qiellit. Aty mbërrinin dhe tonet e zërit
magjik të birit të Dardhës.
Aktivitetin e tij si këngëtar Gaqoja e filloi në vitin 1947
me pjesëmarrjen në korin e Ansamblit të Ushtrisë me dirigjent
Gaqo Avrazin. Në vëllimin me poezi: “Shpërthen zëri në
suferinë” G.Zdruli ka përfshirë edhe një poezi: “Në gjoksin e
këngës” kushtuar Artistit të Popullit, Gaqo Avrazi, muzikant
i talentuar e dirigjent i pasionuar. Ai ngriti e krijoi korin e
ushtrisë, që, për nga forca e interpretimit, ndjesia e dinamika
u bë i famshëm jo vetëm brenda Shqipërisë, por dhe jashtë
kufijve të saj. Nga gjiri i këtij ansambli dolën solistët e talentuar
të Teatrit të Operës, si: Mentor Xhemali, Lluk Kacaj, Stavri
Rafaeli, Avni Mula, Ibrahim Tukici, Xhoni Athanasi, Maliq
Herri, Gaqo Zdruli e të tjerë. Në poezinë: “Berlin, 1 gusht
1951” Gaqoja përshkruan emocionet e mbresat nga udhëtimi
bashkë me Ansamblin e Ushtrisë për të dhënë shfaqje në
festivalin e rinisë në Berlinin që akoma s’e kishte marrë veten
nga lufta.
/Të erdha ty, o Berlin, që na fute tmerrin,/ Të erdha unë, një
fshatar i varfër, të erdha,/ Një ish-partizan i vogël me një ëndërr
të madhe,/ Të erdha… të të them se edhe unë e kam urryer
Hitlerin…/ Të erdha…jo me pushkë…/ Këngën time tani,
dëgjoje…llautën shqiptare,/ Sa bukur ia thotë kabaja me valle…/
Në gusht 1955 Ansambli i Ushtrisë udhëtoi për në disa
vende të Azisë: në Kinë, Kore, Vietnam e Mongoli, ku Gaqoja
shkroi shumë poezi të frymëzuara nga vendet e reja të
panjohura. Ja disa vargje të tij:
Era përshtyn retë
Në pirgje valëzon e ngrihet rëra
Mes saharës mongole…
Mbi vargmale dredhur mure lashtësie…
Në kolonë buzëtharë karvani me gamile…
Treni guget stepës dhe shkretëtirës,
Në mbrëmje Pekini pret miqtë prej Shqipërie…
Kur Ansambli i Ushtrisë po kthehej nga turneja e Azisë,
duke udhëtuar me vapor mbi detin Egje, Gaqoja shkroi për
kujtim këto vargje:
/Egje magjiplotë,/ Lundroj sot mbi valët e tua,/ Kërkoj mbi ty
perënditë,/ Të kuvendojnë me mua…/Egje, det i thellë mbuluar me
ëndrra dhe yje/ Zanat vetullholla mes teje dredhin valle,/ Manteli
i artë, purpurin në dallgë./
Këto vargje-dallgë më çojnë tutje, në vite. Më kujtohet
kur Gaqoja krijoi korin e fëmijëve të Dardhës, ku merrnim
pjesë ne, nxënësit e shkollës 7-vjeçare. Provat i bënim në sallën
e shkollës gjatë muajve korrik-gusht, kur familjet dardhare
ktheheshin në fshat për pushimet verore. Kori ndahej në zërin
e parë ku merrnim pjesë ne, vajzat dhe në zërin e dytë—
djemtë. E mbaj mend mirë, kënga e parë që na mësoi Gaqoja,
ishte “Vollga, Vollga”, një këngë ruse për lumin e Vollgës, që
atë kohë ishte në modë të këndohej në të gjitha koret e
Shqipërisë. Kur Gaqoja na mësonte me durim këngën, ne
shtangeshim tek dëgjonim atë zë bubullues dhe nuk na besohej
se ata tinguj dilnin nga gjoksi i tij. I luteshim ta përsëriste
edhe një herë melodinë, mbasi na dukej se kënga e tij na e
sillte Vollgën aty, para syve dhe zëri i shtruar i Gaqos lundronte
tok me dallgët e ngadalta të lumit… e ne nuk ngopeshim së
dëgjuari…
Në vitin 1958 Gaqon e gjejmë student në degën e kantos
në konservatorin “P.I.Çajkovski” të Moskës. Mbasi përfundoi
këtë konservator brezi i parë i artistëve shqiptarë, erdhi brezi
i dytë me Gaqo Cakon, Gaqo Zdrulin, Irena Gjergon,
Gjenovefa Heben, Luiza Papen e të tjerë. Por artistët e brezit
të dytë nuk arritën t’i përfundonin studimet plotësisht, për
shkak të situatave politike të kohës. Kështu, nga vitet ‘61-’62
ata u kthyen në Shqipëri dhe u diplomuan në konservatorin
e Tiranës.
Në të njëjtën kohë me Gaqon, në Moskë, studionte dhe i
vëllai, Vaska, në shkollën e artit ushtarak. Dy vëllezërit e
pandarë blenë një kitarë dhe në kohën e lirë këndonin së
bashku me grupin e studentëve shqiptarë këngë qytetare të
vendlindjes, pa harruar këngët e serenatave korçare e
dardhare. Dhe patën aq sukses këto “koncerte” të
improvizuara, sa këngëtarët ruse i mësuan shpejt këngët tona
e filluan të këndonin tok me shqiptarët. Zërin e Gaqos e
vlerësonin pedagogët e konservatorit, por ata pëlqenin
gjithashtu edhe edukatën e sjelljen e tij qytetare, pasionin e
tij për muzikën dhe këmbënguljen për të dalë me rezultate sa
më të mira. Një ditë pedagogu i kantos i tha Gaqos: “Ju
shqiptarët e keni Italinë në prag të derës dhe vini e studioni
për kanto në stepat e Rusisë! Ne, rusët, mjaftohemi të jemi të
lumtur vetëm kur kemi fatin të jetë moti i mirë për të mundur
të dëgjojmë në radio programin me muzikë nga Italia.”
Gjatë kohës së studimeve në Moskë Gaqoja nuk e harroi
kurrë Dardhën. Ai thurte vargje për të, që të shuante mallin
për fshatin e largët, përshkruante ujin e ftohtë të krojeve të
shumta që burojnë nga dëbora e maleve. Përpiqej të
krahasonte dimrin mesdhetar, duke e quajtur veten “jugor”,
me dimrin e ashpër të Moskës, të cilin e quante “dimri i
vendësve”. I bënte përshtypje moti i egër në dimrat e gjatë të
Rusisë, ndërsa kujtonte dëborën e fshatit të tij… Moskovitët,
të mësuar me të ftohtit, e prisnin gati me gëzim dëborën e
dimrin.
Disa vargje nga poezia “Ftohtë, oh sa ftohtë në Moskë”:
Jugori ia ndien dimrit ftohtësirën, /Kur bora dridhet e përcëllon
fytyrën…/ Vendësve, kur qan e ulurin furtuna / Veshur bukur porsi
Dubina, / Vodka ua ngroh e u gëzon të bardhat zemra, / Shkasin
me patinazh vocërrake, / Pleqtë, të rinjtë dhe gratë…/Ftohtë, oh sa
ftohtë…/ Nesër shpresohet të jetë më ngrohtë, / Provimin në kanto
kam, vërtet, /Rrugën “Gorki” përshkoj shpejt, / Dhe mbërrij në
konservator./
Disa vargje nga poezia : “Mbrëmë”
Mbrëmë rrëshqita për gjith’natën mbi akull…/ Dhe herë-herë
më dukej se fluturoja diku/ Duke kapur flokë bore pambarim/ Që
shkriheshin mbi shuplakën e ngrohtë të trupit tim…/Rendja,
rrëshqisja mbi akull…/ Cepat qerpikëve u mbyllën në largësi, /Më
zuri gjumi i vendlindjes, përsëri…/
Disa vargje nga poezia “Tek portat e tua.”
“Mirë se erdhët ju albanezë” dikush na uron…/ Mbi Neva
çajka gugatjen numëron…/ Garmoshkën luan vajza në të bardha
veshur,/ Para pallatit“Pjetri i Madh” i tëri i zhveshur…/ Qyteti i
lashtë zemrën na robëron,/ Lulëkuqe sallave na sollën ku ziente
kënga jonë,/ Leningrad i bukur, për ty kënga nuk mbaron…/
Gaqo Zdruli këndoi e punoi me profesionalizëm të lartë
si solist i Teatrit të Operas e Baletit për 30 vjet rresht. Ai krijoi
një mori figurash skenike operistike nga repertori i huaj e ai
kombëtar. Me 1956 ai interpretoi rolin e markezit në operën
“Traviata” të Verdit. Me 1962, mbasi u kthye nga studimet
në Moskë, interpretoi figurën e reshterit Morales në operën
“Karmen” të Bizesë. Me 1963 dhe 1971, rolin e Shonarit në
operën “Bohem” të Puçinit etj. Të gjitha rolet dhe këngët e
interpretuara nga Gaqoja në skenën e operës, në koncertet
recitale, në emisionet televizive e në radio, kanë lënë mbresa
tek dëgjuesit për ngrohtësinë e shpirtit e të mendimit të tij. Si
artist lirik e i talentuar, ai u dallua për zërin e tij të vrullshëm
dhe vokalin elegant skenik.
Këngëtarja dardhare, solistja e Teatrit të Operës e Baletit,
Jorgjia Misja, me banim në Worcester, Mass., ruan shumë
kujtime për Gaqon, gjatë kohës që ata punonin të dy në teatër.
“- Gaqoja, thotë Jorgjia, – ishte njeri punëtor, i thjeshtë, i
dashur e gojëmbël me të gjithë. Shpeshherë në pushimet e
punës gjatë intervaleve të skenës, rrinim bashkë dhe kujtonim
natyrën e bukur të Dardhës sonë dhe njerëzit e saj aq punëtore
e të edukuar, burrat e mençur dhe nënat tona aq punëtore e
pa fjalë, duarartat që nuk u lodhën kurrë… Gaqoja e donte
shumë artin, e kishte pasion. Ai ishte artist në shpirt. Nuk iu
nda kurrë skenës.” Jorgjia tregon se të dy i lidhte jo vetëm
Dardha, por edhe interpretimi i roleve të dyta. Por, sipas
artistes, kishte raste kur ata interpretonin edhe role të para
kur mungonte ndonjë këngëtar. Sepse Gaqoja ishte një artist
i kompletuar dhe punonte me seriozitet e këmbëngulje për të
dhënë maksimumin e aftësive. Jorgjia vazhdon të tregojë për
turnetë që organizonte teatri dhe koncertet e shumta që kishin
dhënë anekënd Shqipërisë në kooperativa bujqësore, në
reparte ushtarake, deri në Tomorricë e fshatrat e largëta të
Skraparit. “Shumë herë ecnim në këmbë, – thekson ajo, –
shpesh binim të flinim të lodhur pa pasur gjë për të ngrënë…
Bënim punën fizike një muaj në Çermë e vende të tjera të
papërshtatshme e me vështirësi banimi, ku nuk gjeje ujë për
të pirë etj. Por Gaqoja nuk u ankua asnjëherë, si gjithmonë
modest, buzagaz e me këngë në buzë, ai punonte më shumë
nga të gjithë dhe ushqimin e pakët e ndante me të tjerët.”
BIGLLES MBI MORAVË
Duke dëgjuar këngën “Vlora-Vlora”, ne dardharët
kujtojmë jo pa krenari, autorin që e kompozoi këtë këngë,
muzikantin e dëgjuar dardhar Thoma Nashi. Ja ç’shkruante
për të Gaqo Zdruli në një kumtesë mbajtur në sesionin
shkencor në Dardhë, me 1984: “Me 1920, me ardhjen e bandës
“Vatra” nga Amerika në Shqipëri, Dardha e priti Thomain
me aq dashuri sa dhe gjithë Shqipëria. Në krye të bandës
qëndronte Thomai i përmalluar, ai ngriti kokën dhe vështrimin
e drejtoi te “Guri i Vjeshtës”. Fshati u mbush me tingujt që
lëshonin instrumentet, “Vlora-Vlora”—përgjigjej jehona e
korijes përballë. Fëmijët, por jo vetëm ata, edhe të rriturit e të
moshuarit, burra e gra rendnin pas bandës që po ecte nëpër
rrugët e fshatit. “Gëzim të madh na solle, o Thoma!”- i thanë
fshatarët duke e përshëndetur.” Ndërsa në vitin 1988 G.Zdruli
shkroi poezinë: “Vlorë. Ulur te Monumenti i Lirisë” :
“Erdha për të parë ty, moj Vlorë…/Monumentet kuvendojnë…/
Dhe imazhi zbret tutje viteve 20-të/ Thoma Nashin, për të kujtuar/
Telat me gjemba vija pentagrami iu bënë/ Gunat e dhirta—fletë
muzike/ “Vlora-Vlora” për ta shkruar…
Duke ecur në gjurmët e bashkëfshatarit, pionierit të
muzikës dardhare, Thoma Nashit, Gaqoja këndoi me pasion,
kompozoi një varg romancash vokale, dha koncerte të
panumërta brenda e jashtë atdheut. Më se një dekadë Gaqo
Zdruli ka dhënë kontribut si pedagog në degën e kantos në
Liceun Artistik “Jordan Misja” të Tiranës. Ai përgatiti dhe
edukoi breza të rinj artistësh të vokalit. Gaqoja ishte studiues
i teorisë muzikore.
Gaqo Zdruli ka pasur një vizion të gjerë interesash artistike
jo vetëm në muzikë, por edhe në fushën e letërsisë. Përveç
romanit “Në krah të suferinës”, botoi edhe tri vëllime me
poezi. Në vitin 1999 botoi vëllimin poetik “Shpërthim zëri në
suferinë”. Vargjet e këtij vëllimi, sa origjinale aq edhe jetësore,
janë shkruar në luginën e Devollit dhe në vargmalet e Moravës
ku kërciste pushka. Vargjet janë një buqetë trëndafilash
kushtuar 164 djemve të Devollit që e bënë jetën fli për çlirimin
e atdheut nga nazifashistët.
Disa vargje nga poezia “Krisma e tinguj partizanë”:
/…Rrugës nga kaluam,/ Shtigjeve të acarta ku luftuam,/
Mbollëm vetëm trimërinë!/ Jehona vjen e kompozuar maleve,/ Me
krisma e tinguj partizane,/ Shpërthen zëri në suferinë,/ 164 djem
devolli jetën dhanë…/ Gjaku mbuluar nën dafinë…/ Gruri rritur
mbi arë,/ në jetë do t’i ledhatojë bijtë,/ për liri, atdheut rënë./
Nga poezia “Tek portat e fukarait”:
/ Losnja me top lecke kur gjëmoi,/ Bersaljeri me motor“Guxi”
kaloi…/Urrejtja e fukarait, trimërinë rizgjoi./
Në poemën kushtuar dëshmorit dardhar Ilo Çomi, rënë
në kampin e shfarosjes të Mathauzenit me 1945, Gaqoja
vargëzon:
/Iloja veshi xhaketën e shokut të vdekur,/ Dhe një copë laps
në xhep pat gjetur/ Dhe shkroi dërrasës së gjakosur: /”Jeta mbi
vdekjen do të fitojë!”
Vëllimi i dytë me poezi “Sytë e dashurisë”, botuar me
2001, përmbledh poezi me tingujt që i burojnë nga zemra për
jetën, luftën, këngën, peizazhe të natyrës në Dardhë dhe të
vendeve të botës ku ka udhëtuar. Gaqoja është përpjekur që
çdo ngjarje artistike të jetës ta përshkruajë në vargjet e tij
duke dhënë, përveç kujtimeve, edhe mesazhe të dashurisë e
të respektit për njeriun.
Nga poezia “Mes malesh”:
/Mes malesh ec ku rininë time lashë…/ Maleve të thepisura
gjerë e gjatë,/ Pyjeve çava, burimeve ujë s’u lashë…/Përrenjve të
isha arush mali vrapoj,/ Nga maja e borigës ketri merr horizontin…/
Mes malesh ec e s’ngopëm nga jeshili./ Luleshtrydhja skuqet nën
lëndinë / Zgorrofetja mbin në ditë prilli…/
Nga poezia “Biglles mbi Moravë” :
/Biglla ime, e arta Biglle…/Verës mbi krahë i mban retë,/
Ligjëron pisha malit mbi Moravë,/ E flladi fryn lehtë-lehtë…/Biglla
ime, bredhave të tua,/ Shikoj trimat që shkuan,/ hipur kuajve samarë
gunëmbuluar…/ Biglla ime…/Prej mallit ngjitem luginës përpjetë,/
Të ulem, të sodis…tutje…”Gurin e mprehtë”./
Nga poezia “Te kroi”:
/Furfurin gjethi ahut në mes majit/ E cicërrima ëmbël ledhaton

Filed Under: Kulture, Reportazh Tagged With: Gaqo Zdruli, poetin dardhar, Rekuiem per artistin, Rozi Theohari

Louis Romano : Sifida ime është; librin tim BESA, t’a lexojë çdo shqiptarë !

May 15, 2013 by dgreca

Intervistë me autorin e librit BESA, biznesmenin dhe shkrimtarin italo-amerikan Louis Romano/
Nga BEQIR SINA, New York/
NEW YORK CITY : Lindur në Bronks, Nju Jork në vitin 1950, Louis Romano është një biznesmen i suksesshëm i cili filloi karrierën e tij letrare duke shkruar poezi urbane në vitin 1968. Karriera e tij në shitje, reklamat dhe fushatat e marketingut, vazhdon edhe sot në kapacitetin e tij si një CEO dhe kryesor i Informa Energy Inc, një broker kompanisë së energjisë.
“FERMA e PESHKUT” ishte puna Romanos si debutues, një trillim me krimin e Familjet Mafioze, që e përshkruan historinë e një mikut të tij gangësterë, Gino Ranno dhe të dashurë e tij njëzet vjet-më e re Lisa. Takimi tyre me një tregtar të pamëshirshme të drogës kolumbiane me emrin Lucho Gonzales kthehet në një luftë terren modern, i vendosur në peisazhin e famshëm të Hamptons.
Mirëpo, përvoja e vërtetë të jetës së Louis Romanos, është nga aty ku lindi dhe u rritë, në Nju Jork, në një kohë kur gangësterët dhe kultura italiane ishin në pikun e tyre, për të ndikuar më shumë se vetë personazhet në librin e tij. Libri “BESA”, është i dyti në serinë e personazheve të Gino Rannos. Libri shtejllohet dhe sillet rreth ngjarjve kryesisht në lagjet Bronx dhe Manhattan, të New Yorkut. Ku themeltare për shqiptarët është fjala e nderit e një shqiptari BESA, e tyre, e cila është krenari që i ka bërë shqiptarët luftëtarë të patrembur për shekuj me radhë.Në roman këto ndikime janë parë përmes përshkrimeve pragmatike të njerëzve dhe zakoneve, karaktereve të veprimit fluidë, dhe mjaft të vërteta të jetës së tyre.
Louis Romano, fletë në këtë intervistë, për gazetën Bota Sot, për librin BESA, mbasi ai e ka promovuar librin më parë në New York, dhe më pasë në Detroit, në ndërkohë që ditën e enjëte, ai do ta promovojë në mbrëmje mes miqve të tij të shumtë, në restorantin “Zupa” në Manhattan – New York
Pyetje:Z. Romano – Na tregoni si biznesmeni u bë autor i katër librave!
Louis Romano : Fillova karrierën time të biznesit në vitin 1979, kur unë isha një shitës për Amerada Hess, kompania e madhe e shpërndarejs së karburanteve. Unë bëra disa poteza pozitive në rritjen e biznesit të kompnisë së energjisë. Kam qenë për 14 vjet si zëvendës president i lartë i kompanisë Castle Oil, pastaj për kompaninë Styvesant Energy si zevendës Drejtor Ekzekutiv i tyre deri sa fillova në kompaninë time me partnerin tim, Janet Garofalow, pesë vjet më parë.Kompania Informa Energjisë ishte rritur bukur në atë kohë. Më pastaj me gjithë djalin tim të madh hapëm një kompani në Nju Xhersi e cila quhet Homewell Senior Care, një agjenci, kjo e cila merret me kujdesin në shtëpi për të moshuarit. Tani megjithë librin INTERCESSION i cili doli në qarkullim më 3 maj kamë bërë pesë libra të botuara.

Pyetje:Kur dhe si jeni bërë i njohur me shqiptarët?
Louis Romano : Pashko Gojcaj ishte prezantimi im i parë me pronarët shqiptarë në qytetin e Bronxit. Kur unë isha një shitës nafte(salesman) për kompaninë Hess, aty e takova këtë njeri të madh dhe ai më njohu me shumë pronarë shqiptarë, nga ata që kan pasuri e patundshme, në mesin e tyre, dhe miku tim të dashur zotin Hamdi Nezaj dhe të tjerë miq shqiptarë shumë të mirë.

Pyetje:Kur keni filluar të menduarit në lidhje me shkrimet e tua me shqiptarët dhe pse, si u ka lindur kjo ide?

Louis Romano : Nuk e mbajë mend se kush më dha një kopje të Kanunit, disa vjet më parë. Një libër i madh i kuq – hardcover, si një dhuratë. Me të marrë Kanunin jam ul në tryezën time dhe për muaj unë fillova të lexoja dhe e studiova atë. Pra, Kanuni i Lekë Dukagjinit ishte padyshim libri, i cili kishte një efekt të jashtëzakonshëm për mua për “shkrimet e mia me shqiptarët dhe pse më ka lindur kjo ide!. Pasi kam shkruar më parë për Fermë Peshku në lidhje Mafian italo-amerikane dhe një tregtari kolumbian të drogës, me ngancmoi dhe lidhja shqiptarve me këto grupe, megjithëse, lidhja e gangsterëve shqiptarë duket të jetë një ide emocionuese për një roman fiction, ishte më mirë se një libër tjetër i cili ishte midis poezis dhe prozës.

Pyetje:Ju keni botuar librin “Besa” dhe e keni promovuar atë në komunitetet shqiptare të Detroit dhe New Yorkut. Pse në këto dy komunitete të veçanta shqiptare ?
Louis Romano : E pra, në New York, sepse ky qytet është vendi ku kam lindur dhe jam rritur, dhe nga që jam shumë i miqësuar me shqiptarët. Me ndihmën e mikut tim të dashur Rick Elezi dhe miqtë e mi Shpresa Elezi, Dino Erbeli, dhe shokun tim për jetë Hamdi Nezaj dhe Jack Berisha, i cili është një mik më i ri, të gjithë më kann dihmuar shumë për të promovuar librin Besa në New York. Me këta miq të mirë unë mund të them se kam mësuar shumë rreth kulturës shqiptare. Ndërsa në Detroit, e kam bërë promovimin e këtij libri në Kishën Katolike Shqiptare, me ndihmën e mikut tim Simon Qafa dhe Zef Berisha.
Pyetje:Zoti Romano: Pse e keni titulluar librin tuaj BESA ? ndërsa në libër flisini për GJAKMARRJAEN ! Fjalën e nderit të një shqiptari Besën, që është krenari që ka bërë familjet shqiptare të patrembur për shekuj me radhë në luftërat shekullore, Ndërkohë, që idenë për rrëfimin e “BESES” më parë, e kan hedhur, dijetarët, studiuesit dhe shkrimtarët hebraik, në lidhje me aktin historik mbas Luftës së Dytë Botërore, ku shqiptarët i mbrojtën hebrenjët, të cilët flasin në një këndëvështrim krejt të kundërt nga ai që tregoni ju në këtë libër . Si e shpjegoni ju këtë ?
Louis Romano : Po, libri im BESA është kryesisht për Gjakmarrjen. Unë fillimisht dëshoroja për titullin e librit, të ia vendosja – Gjakmarrja. Por pasi e shkrova dhe në një konsultim me mqit e mi, e ndjeva më mirë për t’a titulluar atë BESA, sepse, në këtë libër janë shumë mesazhe të nderit dhe krenarisë shqiptare, të cilat i gjen brenda librit. Nderi i miqësisë është me Hamdi Nezaj (karakteri i mikut tim të dashur) dhe Gino Ranno, protagonisti i librit. Nder dhe respekt që nga Shpresa deri tek Gino . Gjithashtu, aty është një edhe mesazh që thonë shqiptarët mos ” “Me e pre në besë”. Unë nuk dua të jap këtu më shumë sqarime, mbasi dua që njerëzit t’a lexojnë librin BESA, pra, kjo ishte arsyeja për këtë karakter. Për të treguar se kur dikush thyen premtimin ose tradhton familjen e tij.

Pyetje:Çfarë ju duket si provokative, nga përvojat emocionuese dhe të paharrueshme që ju keni pasur me shqiptarët?
Louis Romano : Jan kaq shumë sa nuk mund t’i them me një intervistë. Martesa im e parë shqiptare, njohja ime e parë me shqiptar. Negocimi i çmimeve të naftës, me shqiptarët, gjithashtu ka qenë gjithmonë i paharrueshëm. Por, më e paharrueshme, është ajo duke u martuar me gruan time që është arbreshe.

Pyetje:Nga i keni marrë temat dhe subjektet e librit tuaj? Sa e vështirë ishte për ju për të marrë informacion dhe subjektet e hulumtimit përgjatë vijave të familjeve mafioze, të cilat ju shkruani në lidhje me këtë libër?
Louis Romano : Unë jam i lindur dhe rritur në Bronx. Familja ime ka pas në pronësi një restorant në rrugën 187 dhe Arthure Avenue. Gjyshi im ishte nga Sicilia. Sicilianët, kan një fjalë “Omerta”, e cila është se heshtja është fjala për të thënë shumë gjëra. Gjyshi im nuk më foli kurrë për këto gjëra. Ndoshta, ai nuk mund të jetë i lumtur me librat e mi.
Pyetje:Nga përvojat reale të jetës dhe trashëgimia e familjeve mafioze në jetën siciliane a mund të ketë një ndikim në librin tuaj ?
Louis Romano : Nuk janë përvojat reale të jetës siciliane në këtë libër, ashtu si ka qenë në Fermën Peshkut … me Familjet Mafioze, libri është trillim i marrë nga tregimet e shumta të jetës reale nga djemtë e prapët sicilian dhe shqiptar, të Bronxit.

Pyetje:Cilat ishin reagimet fillestare ndaj librit tuaj, Besa?
Louis Romano : Reagimet kan qenë të mrekullueshme nga njerëz të cilët mund të vënë librin tim në listën e atyre librave, për të fituar 5 çmime “për shkrimin më të mirë dhe filmin më të mirë të vitit”, në pyetjet se pse kam shkruar në lidhje me shqiptarët “e keqë”.Shumë shqiptarë e kan librin tim, po kështu ka shumë që nuk e kanë lexuar atë. Sfida ime është që librin Besa ta marrë çdo shqiptarë, e veçanërisht burrat duhet për ta lexuar këtë libër ashtu si tjerët.

Pyetje:A keni miq shqiptarë që mund të jenë ata të cilët ju kan frymëzuar dhe të ngjallën interesin tuaj të Besës së shqiptarëve?
Louis Romano : Me Qindra! Unë kam përmendur disa prej tyre më lart në pyetjet e para, por unë duhet të them se unë e di se çdo shqiptar ka treguar me mua një miqësi dhe besnikëri të veçantë. Prej atyre kur kam nisur për shitur naftën, gazin natyror dhe elektricitetin, deri tek ata që janë në sponsorizimin e librave të mi. Unë kisha një promovim libëri, javën e kaluar në New Jersey me ndërmjetësim e miqve të mi … dua të them se mbështetja nga komuniteti shqiptar, në këtë promovim ishte e mahnitshme. Dhjetra shokët e mi erdhën atje. Ata janë miqt e mi të vërtet.

Pyetje:A është ky libër i bazuar në ngjarje të vërteta?
Louis Romano : Disa janë të vërteta, disa janë trillime – fiction!

Pyetje:Çfarë mesazhi mendon se përcjell libri juaj BESA ? në një kohë si kjo që jetojmë ne sot kur nuk mungon ligji dhe drejtësia !
Louis Romano : BESA është thelbësore për komunitetin shqiptar. Ideja e gjakmarrjes është krejtësisht një tjetër gjë, në krahasim me Besën . Mohanda K. Gandi ka thënë thënë: “Një sy për një sy e bën gjithë botën të verbër – “An eye for an eye makes the whole world blind.”

Pyetje:Zoti Romano shumë të faleminderit për kohën e marrë për të folur me gazetën kombëtare Bota Sot.

Louis Romano : Nga zemra ime, Jam i nderuar !.

Filed Under: Interviste, Kulture Tagged With: Loius romano, romani Besa

Lucian Blaga në gjuhën shqipe

May 15, 2013 by dgreca

Vëllimi “Ditë nga drita” u promovua në Festivalin Lucian Blaga në Sebesh (Rumani)/
Nga Marius Dobresku/Bukuresht/
Në datat 9-11 Maj 2013, në Sebesh dhe Lancrëm, në Rumani, u zhvillua një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore kushtuar shkrimtarit dhe filozofit rumun të shekullit të njëzetë, Lucian Blaga. Festivali Ndërkombëtar “Lucian Blaga”, tani në edicionin e tij të 33-të, mblodhi rreth veprës së mendimtarit dhe poetit të madh rumun studiues dhe krijues të huaj, artistë dhe interpretues nga e gjithë Europa.
Promovime librash, kumtesa, recitale muzikore, një film dokumentar, një ekspozitë pikture, janë vetëm disa nga momentet që u zhvilluan në Shtëpinë përkujtimore në Lancrëm dhe në Sebesh, në kuadrin e Festivalit Ndërkombëtar “Lucian Blaga”. Festivali gjithashtu përfshiu edhe një seksion të konkursit letrar dhe të artit, me 114 pjesëmarrës.
Morën pjesë rreth 30 personalitete nga Kluzhi, Sibiu, Brashov, Iashi, Targu Mureshi, Bukureshti si dhe vende të tjera, Gjermania, Bullgaria, Jordania, Moldavia, Spanja, Shqipëria, Serbia, Ukraina etj.
Festivali u kurorëzua me dhënien e disa çmimeve. Çmimi për përkthimin e veprës së Luçian Blagës iu dha studiuesit dhe përkthyesit shqiptar Luan Topçiu për përkthimin dhe parathënien e vëllimit “Lumină din lumină/Dritë nga drita”, edicion dygjuhësh rumanisht-shqip, Shtëpia Botuese Altip, Alba Iulia 2013, i pari botim në shqip i veprës poetike të Blagës. Përkthyesi do të fitonte dhe një çmim special të akorduar nga Fondacioni “Lucian Blaga”.
Për këtë vëllim, realizuar në kushte speciale botimi nga Qendra Kulturore “Lucian Blaga” e qytetit Sebesh, Z. Constantin Salapi, drejtor i këtij institucioni si dhe organizator i evenimentit në fjalë, na tha se do të mbështeste ribotimin dhe promovimin në Shqipëri të këtij edicioni. Ai u shpreh se “Është një arritje e veçantë që meriton gjithë nderimin tonë. Ky vëllim kompleton “familjen” e gjuhëve në të cilat është përkthyer Luacin Blaga. Në kuadër të këtij festivali u promovuan botime në gjermanisht, bullgarisht, shqip, serbisht, spanjisht, arabisht etj, kurse cilësia e përkthimit në gjuhën shqipe na bën të vlerësojmë përkthyesin”.

Për fat të mirë, letërsia rumune përfaqësohet në mënyrë dinjitoze në Tiranë. Janë botuar, ndër vite, pjesa më e madhe e klasikëve: Caragiale, Eminescu, Creanga, Sadoveanu dhe Eftimiu, dhe shumë nga shkrimtarët bashkëkohorë, si Marin Sorescu, Nichita Stanescu, Ana Blandiana dhe Cezar Ivanescu. Ja përse dalja në gjuhën shqipe e Luçian Blagës, poet i thellësisë filozofike, idhulli i një gjenerate të tërë në mesin e shekullit të kaluar, plotëson këtë tablo “familjeje”. Edicioni Blaga në shqip pati fatin të përkthehet nga një përkthyes i shkëlqyer, Luan Topçiu, doktor i shkencave filologjike, një njohës i letërsisë rumune si dhe njohës i mirë i dy gjuhëve, shqipes dhe rumanishtes.
Në fjalën hyrëse që paraprin 92 poezitë e Blagës, Topçiu bën një krahasim midis Blagës dhe postromantikut të poezisë shqipe, Lasgush Poradecit. I formuar intelektualisht në Rumani dhe me doktoraturë në Grac të Austrisë, duke pasur si temë poezinë e Eminesc-ut, Poradeci solli në poezinë shqipe një romantizëm të një rafinamenti të rrallë. Paralelizmi është perfekt: “Të dy do të shkolloheshin në Austri, njëri në Vjenë tjetri në Graz në një periudhë historike të afërt, për të dy do të luante një rol përcaktues kultura gjermane dhe gjuha gjermane. Por është tashmë një fakt i mirënjohur dhe ndikimi që do të luante poezia rumune në formimin e Lasgush Poradecit. Si element lidhës në rastin e dy poetëve është dhe lidhja me filozofinë indiane, prej saj do të merren terma, motive, ide: tema e kohës së pafund, përjetësisë, gjumi dhe heshtja, fshehtësia, si mënyra për të prekur absoluten.” –shkruan Topçiu në parathënien e tij.

Nëse do të ndaleshim një moment në përkthimin shqip të Blagës, duhet nënvizuar përpjekja e përkthyesit për të transferuar të gjitha valencat poetiko-filozofike të poezisë blagiane, tipare këto unike edhe në vetë poezinë rumune, tipare që është tepër vështirë t’i sjellësh në një gjuhë të huaj. Dhe besoj se ia ka dalë mbanë plotësisht, sepse version shqip i poezisë së Blagës krijon një emocion të veçantë, një ndjeshmëri të lartë, një kadence të ngjashme me variantin origjinal. Kjo ndodh sepse Luan Topçiu është i lidhur me gjuhën rumune, e shkruan, e flet dhe e ndjen me lehtësinë e një njeriu që e ka gjuhë amtare. Përveç kësaj, ajo që dëshmon si një interpretues i mire i të dyja letërsive, rumune dhe shqipe, janë studimet e tij në fushën e letërsisë së krahasuar. Tema e punimit të tij të doktoraturës “Ndjenja e mallit në letërsinë popullore dhe të lëvruar shqipe e rumune” të cilin e mbrojti në Universitetin e Bukureshtit më 2001, flet më shumë për këtë.
Vëllimi në gjuhën shqipe u promovua në qytetin Sebesh gjatë ditëve të festivalit “Lucian Blaga”, ku u promovua i gjithë “inventari” Blaga në gjuhë të huaja. Për më tepër, sipas përkthyesit, ky edicion në shqip, do të publikohet gjatë këtij viti edhe në Shqipëri, nën përkujdesjen e njeriut të shquar të kulturës dhe shkrimtarit të njohur shqiptar, Visar Zhiti.

Filed Under: Kulture Tagged With: Lucian Blaga, Marius Dobresku, ne gjuhen shqipe

Shfletime: Eqrem Basha”VARRE”

May 14, 2013 by dgreca

Kufiri
f.12
Te ne kufijtë janë varrë të hapura, rreze topash, sinorë që i ngul e i shkul i huaji dhe s’e pyet asnjëherë të zotin. Nuk na ndajnë nga të tjerët që s’janë si ne, por futen midis nesh, ndajnë vëllanë nga vëllai, djalin nga babai, burrin nga gruaja…

f.14
Zona e kufirit shfaqej në forma dhe mostra të pazokonshme. Ndonjëherë lëvizte e hapej, si lumenjtë që gërryenin brigjet duke përvetësuar ara e brinja dhe duke i shndërruar në shkurre të thata tokat e bukës, livadhet e buta..Ndonjëherë ngjitej majave të larta atje ku supozohej që s’mund të shkonin as dhitë e egra, e ndonjëherë i binte përmes Qytetit, duke mos respektuar asnjë rend, asnjë rregull, asnjë shesh e asnjë park, duke ndarë bahçet nga shtëpitë, stallat, ahuret nga bagëtia, arat nga zotëria, prindër nga fëmia..Zona e kufirit ndonjëherë na fuste edhe ne brenda, na mbyllte në karantinë dhe na qelbte në pordhët tona, na kalbte si gjellët e prishuara në plëndësin e sëmurë. Në zonën e kufirit nuk ndërtohej shtëpia, nuk lëvrohej ara, nuk ngrihej stalla. Në zonën e kufirit nuk të vinte miku, nuk bëheshin dasma, nuk hapeshin varre. Zona e kufirit duhej mbetur e shkretë, duhej qethur, rruar e kruar, duhej harrë e tharrë, që të shihej nga larg miza në lëvizje. Ndodhte që mbeteshin varret në atë anë, të vdekurit në këtë anë…Atëhere hapnim një fushë tjetër varresh. Këndej dhe andej, nga të shkelësh varre. Varre të krijuara aty për aty, meqë kortezhi nuk mund të mnbërrinte në cakun e duhur.
Prandaj, ngado që të silleshe, do të ndeshje nga një varr të vetëm, të njohur o të panjohur, të një udhëtari a kalimntari të rastësishëm. Varret mbilleshin gjithandej, Brenda oborreve të shtëpive, pranë arës a zabelit, tek një cung mali apo në shtigjet e karvanëve.

Rojat
f.18
Rojat e kufirit ishin gjithmonë të huaj, domosdoshmërisht të huaj. Ata nuk kishin asgjë të përbashkët me ne. Asnjë qëllim për t’u afruar dhe për të jetuar si ne. Ishin aty për të na ndarë, për të na ruajtur, për t’u vënë në mes dhe për të mbikqyrur durimin tonë, për të penguar të mos bëheshim një.

f.20
Telat me gjemba i lidhnin xhenierët e ushtrive që hapnin istikame nëpër kuotat e larta në kohën kur nuk kishte nevojë as për tela, as për vija e hendeqe. Nga atje rojat vrojtonin pëllëmbë pas pëllëmbe vijën e kufirit, të cilën e njihnin vetëm ata, kositnin pa paralajmërim çdo gjë të gjallë që merrte guximin të aventurohej dhe mbanin regjimin e fortë në një hapësirë që nuk përfshinte vetëm kufirin, por edhe një terren më të gjerë përpara tij, ku nuk guxonin të qaseshim e që quhej zona tampon, zona e vdekur ose zona e vdekjes.

Atletët
f.26
Shtrëngimi dhe egërsia e vijës së kufirit nxiste instinktin e reagimit për të mos përfilluar dhe për të gjetur kundërpërgjigjet, mbi të gjitha shkathtësinë e përbuzjes dhe thyerjes së tij, për të mbajtur lidhjet e përhershme me ata që ishin ne. Eleganca me të cilën i selitnim këto shkathtësi, dëshmonte se aftësinë e kapërcimit të kufijve e kishim të lindur dhe se sprovat e këtilla nuk ishin prej sot.

f.27
Atletët e kufirit ishin posta jonë, kasnecët dhe lidhjet e mirëfillta. Ata ishin damarë që e mundësonin qarkullimin e mirëfilltë të gjakut në gjithë organet dhe gjymtyrët tona. Detyrat ishin të shumta dhe të ndryshme. Do të bëhej një urim a një ngushëllim, do të përcillej a do të merrej një nuse, do të çohej në vend një fjalë e dhënë, do të përmbushej një amanet, do të ktheheshin në vatrën e vet fëmijët e shpërndarë apo të tëhuajtësuar në kohë dyndjesh e shpërnguljesh. Mbase do të kapërcehej një kufomë që lypsej varrosur në varret e fshatit ku kishte lindur. Qarkullonin mallra e letra, prika e miraze…nëse ishte stinë e përshtatshme, kalonin dhe karvanë të tërë, krushq e dasmorë…

Nata
f.32
Nata ishte plot gogolë, bubuzhela, akrepa, lugetër që na hynin në shtretër, gjarpërinj me brinjë që na mbështilleshin nëpër këmbë…derisa ne dridheshim duke u strukur në kraharorin e prindit, të vetmit që kishte guximin dhe fuqinë të na e largonte frikën. Por këto krijesa ishin edhe arma e vetme e tyre për të na disiplinuar: do të rrish urtë a ta thërras lugatin!…

f.33
Në kohën e egërsimit të regjimit, lugetërit shndërroheshin në policë e ushtarë, ndërsa shtëpitë e rrethit të kufirit lugat e akrep e kishin kufitarin. Ai ishte gogoli që trëmbte fëmijën, forca mbinatyrore që duhej ta bënte memec kur qante pranë gjirit të tharë, kur kërkonte të dilte në oborr e të vraponte i gëzuar, kur dëshironte diçka që nuk mund t’i plotësohej. Shshshttt!, se graniçari!
Më të rënda ishin netët e lëvizjeve të hijeve të natës, të diversantëve, spiunëve, patrullave të armatosura. Atëhere nuk bëhej më fjalë për xhinde e lugetër, nuk tregoheshin as përralla me veliatë e shtojzovalle që të ngrinin me frymë. Nuk trokitej në derën e fqinjit, se nuk lëvizej natën nëse nuk ishte e domosdoshme.

Diversantët
f.37
Diversantët ishin një kastë e veçantë, që e kishim ne këndej, por edhe ata andej. Tashti edhe ne edhe ata, do të thuash ti, një qefere jeni, nga një brumë ngjisheni, apo jo? Jo, jo, se e ke gabim. Ne ishim një si popull, edhe këndej edhe andej i takonim një race, një loze, shpesh dhe një fisi. Flisnim një gjuhë, por regjimet e kufirit që ishte vënë në mes nuk ishin njësoj. Regjimi dallonte dhe diversantët. Pra, edhe po të ishin dy kushërinj, mbase vëllezër dhe nëse njëri shkonte me detyrë nga këndej e tjetri nga andej, po të ndesheshin përballë, duhej ta zhduknin njëri-tjetrin. Kjo ishte logjika e rojave që rekrutonin hafije edhe nga ne.

Hunda
f.41
Vesi i hundës ishte trashëgues, përcillej nga brezi në brez, nga babai tek i biri, nga i biri tek nipi. Me hundë mund të ishin një fshat, një rreth familjar, një fis, apo një rreth shokësh e bashkëmendimtarësh që futnin flegrat në të palarat e Qytetit…

f. 42
Vesi i hundës herë-herë vinte si e shkuar, epidemi që rrëmbente Qytetin njësoj si ajo e lemzës, e ligave, e gazit të papërmbajtur, apo e skuqjes (I kuq i madh).

f.44
Futja e hundës në kufi sillte pasoja nga të cilat qytetarët paguanin haraç, shpesh edhe me kokë.

Koka

Fiqiri

Kujtesa

f.69
Kujtesa të mban gjallë, o krijesë e Perëndisë! Të ushqen me uzdajë se mund të kapërcesh çdo vështirësi, mund t’ia dalësh, siç ia kanë dalë të parët, të gjesh forcë e motiv të luftosh çdo gjë që të pengon të marrësh frymë lirisht.
Kujtesës ndonjëherë i thonë histori. Historia shkruhet e krijohet sipas kohës, vendit e rrethanave. Kujtesa që kemi ne është tjetër. Është më e thellë. Nuk është një regjistër ngjarjesh, as kronikë luftërash e lëvizjesh. Është më shumë se kaq. Prandaj çdo pushtues synon zhdukjen e saj, si hapin e parë të nënshtrimit.

F.71
Ndodhte të na vinin nga një bisht në mbiemra, riemëronin fshatin, pastaj na e vinin në mbiemër. Por ne e kujtonim emrin e fisit, të gjyshërve, të stërgjyshërve. Ruanim dhe mbiemrat e rinj, sikur për të dëshmuar se edhe ato ishin pjesë e kujtesës, sepse , një e kishim të sigurt: nuk mund të ndryshonim atë që ruanim thellë në vete, që na dallonte prej ekspeditave që vinin e shkonin.

10 Malli
f. 77
Ndërsa ti digjeshe nga malli, nga ajo varrë e hapur në shpirt, përgjëroheshe t’i takoje njërëzit e tu, në vend të çmalljes, të vinin emisarët e shtrëngimit të vijës së ndarjes të të lajmëronin armiqësitë që bëheshkan gati përtej kufirit, egërsinë dhe çoroditjen e tyre, lakminë që paskan ndaj mirëqënies së supozuar, për planet që gatuakan për të ta prishur lumturinë.
Ishte mjeshtri ta fshihje këtë, ta mbaje për vete mallin, të thaheshe e të piqeshe në kraharor. Ta mbyllje lotin në qerpik, se edhe vaji mbikqyrej, kontrollohej…
..Na u tha syri. U dogjëm. Sa do të jenë plakur njerëzit tanë. Ata fëmijë që i lamë të vegjël, kushedi sa do të jenë rritur. A do t’i njihnim po t’i shihnim. Po ata a do të na njihnin? Kush e di si do të jemi bërë. Nuk e shohim veten. Do të jemi tharë nga malli dhe do të jemi rrudhur nga vetmia.
Malli djeg, sa kohë që të djeg e të mpak ai, dy herë më shumë të vret vetmia. Ajo të hyn drejt në gjak, drejt në zemër. Aty të fut helmin e pashërueshëm.

Gjuha
f.79
S’pushonin të na bindnin se kishim gjuhë të vështirë dhe aspak të qartë. Gjuha juaj nuk i ngjan asnjë tjetre, nuk ka asgjë të përbashkët me tonën dhe vështirë se i plotëson kriteret për ta vënë në shërbim. Më lehtë e keni të mësoni tonën, se është e kultivuar dhe e normuar.

f.80
..ne e dinim se gjuha ishte ajo që na mbronte. Gjuha ishte ajo që na bashkonte me ata të përtej telave, që ishin ne, derisa këmbëngulnin të bëheshim si këta të midis telave, të vënë aty vetëm për të na ndarë.

f.81
Ku e dinin ata se gjuha jonë nuk ishte e qartë derisa ne merreshim vesh fare mirë me njëri – tjetrin? Me gjuhën e tyre komunikonim vetëm kur duhej merrnim një leje, të nxirrnim një dokument për të lëvizur pranë vijës së kufirit, t’ju shitnim djathë e gjizë.

f.84
Ndonjëherë shkonin aq larg sa na i ndërronin dhe emrat e vendbanimeve. Krijonin një nyjë në gjuhën e tyre dhe ia ngjisnin një fshati, një lagjeje, sado që ne kishim emrat tanë të vjetër. Na detyronin t’i mësonim, t’i vinim në mbiemra. Në fillim na dukeshin të pakapshëm, por mësoheshim, me aftësinë e pashpjegushme të përshtatjes. Ne mund të qeshnim, si mund të quhej një fshat Ujë i Zi, derisa e dinim se aty buronte ujë i bardhë i kthjellët, apo si mund të quhej Katund i Ri fshati që kishte ngrehina mijëravjeçare përrreth. Mbase nuk e kuptonim se qëllimi ishte të linin fërkemet me erë të keqe, si egërsirat që përhapin shurrën nëpër shkurre për të shënuar territoret, për t’i rinjohur pastaj si të vetat.

…Preknin edhe emrat tanë, duke u vënë parashtesa, prapashetsa, që s’përputheshuin me gjuhën tonë duke na bindur se përputheshin me defterët e tyre për organizim institucional, se ne nuk dinim ç’ishin institucionet, ç’ishte shteti që e krijonin ata në shtëpinë tonë, ç’ishte rendi e qeverisja.

Vajet
f. 91
Nuk vajtohej vetëm vdekja. Në çastet e kotësisë, atëhere kur nuk merreshin me asgjë dhe me askënd, gratë tona, në vend që të kënaqeshin me të mirat e kësaj jete, siç kënaqet e argëtohet e gjithë bota, sa herë që ka nge, vajtonin.
Është tokë vajesh kjo e jona, o Mik, tokë dhembjesh e pikëllimi. Pak gëzime kemi parë dhe pak arsye kemi për t’u kënaqur.
Nuk ishte larg vajtimit as kënga ndonjëherë.

f.92
Këngët nuk këndoheshin, por qaheshin. Prandaj, kur lavdërohej rapsodi thuhej: e qau me lot. Ta qaje me lot do të thoshte ta bëje tjetrin t’i këputej zemra, sepse kështu lartësohej tragjikja, që ishte jeta jonë ashtu si e kuptonim ne.

Dasma
f.96
Në jetën e një të riu dasma ishte ngjarja më e shënuar, por edhe për prindët që zgjidhnin stofin më të mirë, terziun më të zot, t’i qepnin rrobat e dhëndërrisë që do zinin vendin kryesor në dollapët e kujtimeve, pa u zbehur deri në pleqëi, se do të visheshin kohë pas kohe për ta ndjerë veten si në ato ditë kur gëzimi ishte kulmi i kulmeve.
Çdo gjë sillej rreth tij. Do të merrej me lodra e do të shpihej të lahej në praninë e shokëve në banjën e Qytetit. Berberi i zgjedhur do të vinte në shtëpi ta qethte e ta rruante në mes të valles se këngëve të bijave. Do të nisnin shakatë e do të thurreshin shpotitë, çdo gjë do ta vinte në qendër të vëmëndjes. Shokët vraponin t’i shprishnin shtratin e martesës, ta vononin takimin me nusen, ta grushtonin shpinës tek hynte në dhomën e saj dhe t’i këndonin gjithë natën, te dera për ta detyruar t’i rrinte nuses i zgjuar.
Një herë në jetë, të paktën për një javë, ai do të bëhej mbret, paçka se pas kësaj do t’i kthehej së zakonshmes, së përditshmes, do të vishte rrobat e zotërisë a të shërbëtorit, të bariut a të dyqanxhiut.
Manovrat
f.106
Në se nuk kishte luftë, kishte kërcënime. Nëse nuk kishte kërcënime, kishte kërkesa të vazhdueshme për të qenë syhapur e vigjilent, i gatuar për më të keqen. E keqja është gjithmonë pas dere. Kujdes kur e hap se ta ngjet për fyti. Nëse ne flemë, nuk flë armiku. Paqja jonë e brishtë rrezikohej vazhdimisht, thoshin rojat e kufirit, ndaj duhet të jemi të përgatitur. Të jetojmë e të punojmë sikur gjithë jeta të jetë në paqe. Të ushtrojmë e të kalitemi sikur nesër të ketë luftë.

f. 107
Në se nuk kishte luftë, kishte manovra. Përgatitje të vazhdueshme për luftë në kohën kur ndarja arsyetohej me ideologji. Andaj bëheshin mobilizime, që të forconin vigjilencën përballë kërcënimeve të supozuara, që t’u mundësonin atyre që vinin me tela me gjemba dhe uniforma ngjyrë ulliri të bënin operacione taktiko-ushtarake për të dëshmuar përgjigjen ndaj çdo tentimi për të këputur telat që na ndanin.

Lufta
f.114
Njësoj si manovrat, toka jonë mund të ishte vetëm fushëbetejë ose vetëm një kamp i madh. Apo, edhe më thjesht, një shteg nga kalonin ushtritë, të cilat si uji i ndyrë që vërshon fushën e butë dhe kur tërhiqet, lë pas llumin e shkretëtirën që s’të jep mundësi as të mbjellësh, as të korrësh. Në kapërcimet e këtilla fusha jonë djerrohej, shkuleshin me rrënjë pemë e vreshta, zhdukeshin sinorët, shkrumboheshin shtëpitë, rrafshoheshin kodrat, për t’u hapur shtigje lufte, në marshimet e tyre epokale, ushtrive të perandorive që bënin rikonfigurimet e territoreve, të sferave të interesit, për t’u lejuar t’i shkelnin milingonat e pafajshme që ishin pengesë e vogël në sendërtimin e ideve të mëdha për ndryshimin e botës.

Bonjakët
f. 122
Jetimi lind pa fat. Ai rritet pa dashuri prindërore, pa kujdesje e pa përkulje të atyre që ia duan të mirën. Jetimët e luftës dhe të kufirit janë të hedhur në rrugët e jetës, sikur dikush t’u ketë dhënë të shtyrën në grykë të humnerës. Ata ndiqen gjithë jetën me peshën e këtij fati, derisa të rriten e të bëhen dhe vetë prindër. Por edhe si prindër u përcjellin fëmijëve ndjenjën e vetmisë dhe pasigurisë me të cilën janë rritur vetë.
f. 125
..Jetimët e kufirit, jetimët e luftërave, jetimët e murtajës, jetimët e lisë, jetimët e kurbetit, jetimët e hakmarrjes, jetimët e humbjeve, jetimët e përmbytjeve, të tërmetëve, të nizamëve, të lavave të ujqve..

Sëmundja
f. 129
Historitë që rrëfeheshin te ne, siç thamë, ishin rrëfime luftërash e dyndjesh. Koha matej me periudha betejash e marshimesh të mëdha, shpërnguljes e masakrash- lufta e parë, lufta e dytë, lufta e bugarit, lufta e turkut, lufta e serbit, dyndja e parë, dyndja e dytë, masakra e përroit të gjakut, djegia e parë, djegia e dytë…
Por historitë tregoheshin dhe me kohë sëmundjesh e epidemish: dy vjet pas murtajës, një vjet pas lisë së parë…Këto ishin sëmundje të evidentuara në regjistrin e të ligave që nuk na linin rehat. Ishim mësuar me to, siç mësohet robi me të këqijat e jetës duke e ditur se nuk mund t’i shmangë dhe e kishim zakon t’i merrnim me të mirë. Ua ndërronim emrat dhe u vinim nofka përkëdhelëse, eufemizma, që e quanin të zezën të bardhë dhe ujkun qengj. I lehti ishte sëmundja më e rëndë e tokës, kollë të mirë kolli i zi a kolli i keq që u shkulte fëmijëve mushkëritë dhe i nxinte si bloza e oxhakut, lulekuqe fruthi e lia.

Burgu
f.133
Përtej asaj që e quanim burg jetën që jetonim, të rrethuar me tela me gjemba e mure të padukshme ndalesash, burgu i vërtetë, ai i hekurave dhe qelive të errëta, na vinte si ndëshkim i domosdoshëm, lehtë e papandehur, jo për krime ordinere, por qoftë edhe për një shikim andej, për një ofshamë dhembjeje e pakënaqësie, për një dëshirë të thjeshtë njerëzore për t’iu afruar vëllai vëllait në një rast gëzimi a pikëllimi apo edhe për një pushtim malli e dashurie.
Burgosej ai që tentonte të kalonte nga këndej andej, sepse kjo quhej ikje. Burgosej ai që përpiqej të kalonte nga andej këndej, sepse edhe ajo quhej ikje. Burgosej andej ai që kapërcente nga këndej, burgosej këndej ai që kapërcente nga andej…Burgosej secili që merrte guximin të mos e përfillte ndarjen, sepse të gjitha, pa përjashtim, ishin ikje.

f. 135
Ishte e pamundur të gjeje ndonjërin nga ne që të paktën një herë nuk e kishte kaluar purgatorin, koridoret e hetimeve dhe nuk ishte përpunuar nga organet e mbrojtjes popullore, siç e quanin veten.
Trysnia
f.140
Familjet e mëdha e të vogla i kujtonin anëtarët e tretur me lugët rreth sofrës ditëve të festive. Sipas zakonit, gjithmonë lihej një vend i zbrazët për të munguarin që supozohej të ishte gjallë, ose të paktën nuk ishte varrosur me duart e tyre. Lugë të mallit ime ëmë vinte gjithnjë në sofër.

..Ajo që më vonë do të bëhej një fotografi e varur në mur, në kohët e hershme të fëmijërisë ishte luga e thatë, vendi i zbrazët rreth sofrës, të cilin e shikonim me mall e përgjërim edhe në ditë gëzimesh.
f.144
Herrja e kohëpaskohëshme, pastrimi nga elementët armiqësorë, jo vetëm në kohën e ashpërsimeve të regjimit të kufirit, por gjithnjë lidhur me qëllimet për ta rralluar dëndësinë tonë rreth vijave të tij, kishte efekte zinxhiri dhe merrte me vete të tjerë që lidheshin me to apo druanin se ishin lidhur, ndaj krijonin kolona të ikësve që u druheshin raprezaljeve të reja, të njerëzve që nuk donin të jetonin në ankthin e vazhdueshëm të frikës e të terrorit.
Ishte rregull që, menjëherë pas kësaj të vinin emisarët me harta turistike, duke na ofruar toka e perspektiva të reja, ëndrra që nuk i njihnim dhe nuk i kishim parë, vesika, lehtësi udhëtimesh në botën e huaj, në tokën e premtuar, duke na bindur se kjo e brezit ët kufirit ishte shterpë, duhej braktisur sa më parë. Këtu nuk mbin as ferra e gomarit, nuk gracon asnjë lule, asnjë bimë nuk merr frymë. Atje është toka e premtuar. Asaj i takojmë dhe andej duhet të drejtohesmi. Kot e tresim jetën në këtë vijë të egër kufiri.
Megjithatë ne e donim këtë tokë të egër, e kultivonim me kujdes, në bahçet tona mbinin lule të bukura, erëdhënëse, që na këqnaqnin. Ku kishte tokë si kjo që të jepte më bollëk, gjithmonë kur kishe mundësi ta ujitësh, ta ushqesh e të rritësh gjithë melhemet e një jete të shëndetshme, atëhere kur nuk ndërhynte dhuna.

Zija e bukës
f. 148
..më e zeza e të zezave, ishte zija e bukës, kur dimri zgjatej e forca shterej, kur rrethi shtrëngohej e ne mbylleshim në oborrin tonë, ku asa gurit nuk kishe ç’t’i shtrydhje më. Atëhere shihnim vetëm sytë e uritur të carrokëve që nguliteshin në duart e zbrazëta dhe na plaste zemra, e humbnim vullnetin për të qendruar. Thyheshim si kashtë e tharë para argumentit më dëshpërues të arsyes të të qenit në atë vend dhe në atë kohë: kruanim magjet, mblidhnim myshkun e puseve të thella ku ruanim verës rezervat e ushqimit, ndiqnim pëllumbat e egër që futeshin nën kulmet e thata, me shpresë se do të gjenin një kokërr misër, që hatullat tona nuk e kishin parë kushesi prej kurësh.
Zija e bukës na hante e na thante si kanceri i padukshëm. Ajo futej në mishrat tanë të zaifët duke thithur lëngjet e jetës, për t’i shndërruar binatë e përkulura në skelete të vyshklur dhe pa jetë.
*Botoi: Varrë
Koha Biblioteka ODA
Prishtinë 2013

Filed Under: Kulture Tagged With: eqerem Basxha, varre

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 456
  • 457
  • 458
  • 459
  • 460
  • …
  • 544
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT