• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOLONJËN E BËJNË EMËRMADHE RILINDASIT E SAJ TË SHQUAR

December 26, 2025 by s p

Shpendi Topollaj/

Pasi kisha parë Albumin Fotografik të Dhimitër Vangjelit me pamje nga banorët e Kolonjës të rreth një shekulli më parë, veshur e ngjeshur me kostume moderne të shtrenjta, papionë e kapele republikë, njësoj si qytetarë të metropoleve evropiane, i dhashë të drejtë Fan Nolit të madh, kur thosh: “Do ministra kolonjarë / Se mbahen burra me mend / Duan kudo të jenë të parë / Në mexhlis e në Kuvend”. Por, kur miku im i dashur, doktor Taqo Gjergo më solli katalogun e Ekspozitës “Rilindasit Kolonjarë” e 26 korrikut të vitit 2025, u binda përfundimisht se ai nuk po bënte shaka me këtë përcaktim. Kolonja, vendi i luftëtarëve të shquar atdhetarë dhe treva nga kishin dalë burra e gra sypatrembura, në mbrojtjen dhe përhapjen e gjuhës së bukur shqipe, si domosdoshmëri e momenteve historike që po kalonte Shqipëria, me mençurinë, largpamësinë, kulturën dhe ndershmërinë e tyre, gjithmonë kanë dalë në vijën e parë të përpjekjeve të pareshtura si për liri e pavarësi, ashtu edhe për zhvillimin e arsimit nëpërmjet çeljes së shkollave për djemtë e vajzat kolonjare e më gjerë.

Prandaj, nuk është e rastit që shumë nga këto figura të shquara, kanë zënë vendin e merituar në panteonin e historisë tonë kombëtare, deri edhe në funksione të larta politike e shtetërore, dhe si të tillë jo vetëm që e kanë nderuar vendlindjen e tyre dhe i kanë bërë një shërbim të madh Atdheut, por edhe do të kujtohen me respekt të veçantë brez pas brezi. Pikërisht për këtë, duhen përgëzuar organizatorët e Ekspozitës me në krye zotin Erion Isai dhe ai që e përgatiti atë, i mirënjohur studiues dhe koleksionist Niko Kotherja. Në këtë ekspozitë, nuk janë thjeshtë emrat e Rilindasve apo fotot e tyre të kohës, si Jani Vreto, Thanas Sina, Petro Nini Luarasi, Themistokli Gërmenji, Abdyl Ypi, Shahin Kolonja, Sabri Qyteza, Gjerasim, Sevasti, Gjergj e Parashqevi Qiriazi apo Faik Konica, Theofan Stilian Noli, Mustafa Qulli (Muço), Kristo Luarasi, Pandeli Evangjeli, Papa Kristo Negovani, Spiro Ballkameni, Ilo Mitkë Qafzezi, Zalo Prodani, Qani Ypi, Gani Butka, Mehmet Konica, Abedin Shkëmbi, Fadil Leskoviku, baba Braho Qesaraka me shokë.

Autori është kujdesur të paraqesë artefakte të ndryshme, dorëshkrime origjinale, frontespice librash të autorëve të ndryshëm, facsimile gazetash dhe arrtikuj të shkruar nga patriotët kolonjarë, kopje dëftesash të vitit 1909, kartolina e letra të dërguara nga këta personazhe, pamje nga veprimtaria e shoqërisë “Vatra”, grupe luftëtarësh me armët në supe, botime jashtë vendit si në SHBA, Rumani, Bullgari etj. fletëvolante, negativë fotografik, foto familjare të personaliteteve, grupe nxënësish para shkollës, portrete bashkëshortesh të Rilindasve, si ajo e Nevrez Frashërit, vajza e Naimit dhe gruaja e Shahin Kolonjës, pamje nga lufta kundër andartëve grekë të vitit 1914, poezi kushtuar dëshmorëve, takime të delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Parisi, ku dallojnë Pandeli Evangjeli dhe Mehmet Konica, e deri disqe me këngë kushtuar dëshmorit Gani Butka. Është kuptimplotë fakti që ky katalog nis me veprën Jani Vretos; “Mirëvetja”, “Radhuashkronjë” dhe “Numëratorja” të vitit 1886 dhe botimi i tij i “Erveheja” të Muhamet Çamit qysh në vitin 1888 që u përdorën si tekste të shkollave të para shqipe, ku Thanas Sina ishte mësues.

Dhe sa emocion ndien njeriu kur sheh të ulur mes nxënësve të Negovanit, mësuesin dëshmor, drejtor i shkollës së Parë shqipe në Korçë, Petro Ninin, qysh 115 vjet më parë, apo veprën e tij “Mallkim i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqipëtarit”. Dhe më tej, nuk ka sesi të mos ndihesh krenar me veprën e Papa Kristo Negovanit, lajmin e vrasjes të të cilit në moshën tridhjetë vjeçare nga andartët grekë, gazeta “Drita” e Sofjes e ka rrethuar me shirit të zi. Dhe bashkë me të u masakrua dhe i vëllai, Theodosi, veprimtari i shkollës shqipe. Ja dhe dy gratë fisnike, Sevasti dhe Parashqevi Qirjazi, respektivisht me librat e tyre “Gramatikë elementare” (1912), dhe “Abetare” (1915), për të mbërritur te teksti i parë i “Fizika” në shqip, përgatitur nga P. Qiriazi dhe përkthimi i tij për falëtoret shqipe. Pak më tej, dhe ironiku i mençur dhe plot kulturë, ai studenti i dikurshëm i Dizhonit dhe Harvardit, lëvruesi i gjuhës shqipe, filozofi, shkrimtari e diplomati, Faik Konica, kolonjari që krijoi shoqërinë “Përlindja e shqipëtarëve” në Bruksel qysh më 1898, ai që botoi në SHBA revistën “Albania” dhe gatetat “Flamuri” dhe “Trumbeta e Krujës”.

U anatemua ky mendimtar i madh nga diktatura komuniste dhe vetëm pas viteve nëntëdhjetë u rehabilitua dhe eshtrat ia varrosën në kryeqytet, pasi kushdo e dinte se ai ishte i përmasave të tilla, sa i përkishte të gjithë Shqipërisë. E shfleton këtë katalog dhe mrekullohesh kur para syve të vel portreti impozant i At Nolit, këtij burri që ja dinë përmendësh poezitë plot nerv atdhetar, i madh e i vogël, që nuk reshti së punuari atje në Amerikë, ku gjeti një mjedis mjaft miqësor, dhe që me përkthimet e kryeveprave të letërsisë botërore, mbeti një zë i veçantë te ne, duke na sjellë me një shqipe të kulluar Khajamin, Servantesin, Stendalin, Gëten, Llongfelloun e Ibsenin. Noli, ai që përfaqësoi Shqipërinë në Konferencë Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në 1912 dhe që nisi i pari revolucionin demokratik, duke qenë edhe kryeministër, ai që udhëhoqi Kishën Autoqefale dhe u mor edhe me muzikë. Pra, një figurë poliedrike që mbetet mburrja dhe etaloni i racës shqiptare.

Po në këtë linjë del mes luftëtarëve Themistokli Gërmenji, që ja kushtoi jetën përpjekjeve për liri e demokraci, që ishte Kryetar i Këshillit Administrativ të Republikës Autonome të Korçës dhe u pushkatua në Selanik. Para sysh të del libri i patriotit të madh dhe poetit Sali Butka me titullin “Ndjenja për Atdhe” dhe figura e djalit të tij dëshmor me pushkën në dorë. Natyrisht që kujdo i vjen ndër mend çeta e krijuar prej tij apo qënia si anëtar i Komitetit të Manastirit dhe pjesëmarrja në Kongresin e Lushnjes. Ilo Mitkë Qafzezi e gjente me vend botimin e librave me humor “Rrësku arbëror” (1910), “Historinë e Ali Pashë Tepelenës” dhe të tjerë me kuriozitete historike, si ai për Lekën e Madh apo si u zbulua Amerika, dhe Abedin Shkëmbi shkruan dramën historike “Komiteti shqiptar me qendër Selanik”. Është pastaj Muço Qulli ai që boton në Manastir gazetën “Drita” dhe Shkodër e Vlorë, gazetën “Populli”. Nuk duhet harruar se në këtë katalog, një vend të rëndësishëm zenë edhe klerikët e Kolonjës si Vasil Marko Borova, Naum Cere gjithashtu nga Borova etj. për të mbërritur te Shahin Kolonja, publicist, deputet i sanxhakut të Korçës, Kristo Luarasi e Kosta Jani themeluesit e shtypshkronjës “Mbrothësia” që dha një kontribut të djeshëm në përhapjen e kulturës ndër shqiptarët.

Fill pas tij, na vështron portreti i veprimtarit kombëtar Abdyl Ypi me shqipërimet e dramës “Besa” të Sami Frashërit dhe “Kongresa e Dibrës…”, ku ai u zgjodh kryetar në vitin 1909, pra, tre vjet para shpalljes së Pavarësisë. Po në këtë stendë njihesh me një luftëtar me pushkë e gjerdan ngjeshur, që është dëshmori Qani Ypi, të cilin e shoqëron poezia kushtuar atij, ku ndër të tjera thuhet: “Mos ki keq ore Qani / Ti u vrave për flamurë / Sot valon mi Shqipëri / Emri s`të harohet kurrë”. Shohim një kartvizitë të thjeshtë me kuptim të madh; At Vasil Marko Borova i shkruan Jasharit: “Ju urojmë Bajramin përgjithmonë Gëzuarë. 19.5.1928”. Të bën përshtypje Faik Konica me veshje kombëtare duke pritur në 7 mars 1914 pricin Vilhelm Vidi (Wilhelm Friedrich Heinrich), në Durrës apo Mehmet Konica me Isa Boletinin dhe Ismail Qemalin në vitin 1913. Një fakt jo shumë i njohur: Parashqevi Qiriazi, ajo studentja e Universitetit të Stambollit të vitit 1904, paska qenë pjesëmarrëse e Konferencës së Paqes në Paris. Patrioti Zalo Prodani, trupmadh, shkoi për të luftuar në Pogradec, ku dhe u vra, bashkë me Ganiun, ndaj populli u ngriti këngën: “Ju luftuat me një mbret / Nëpër male, nëpër gurë, / Trupi Starovë ju mbet / Trim si ju më s`pillet kurrë”. U vranë në Starovë, ashtu sikurse Muço Çulli me gjirokastritin Çerçiz Topulli, atje në atë fushën e Shkodrës, apo Bajazit Rehova atje në fushën e Korçës, së bashku me dëshmorët e Orman Çiflikut. Veç duhet të ketë qenë e pafund dashuria e kolonjarëve që luftonin e vriteshin kudo e lypte nevoja e Atdheut. E kështu vijon ky katalog kushtuar Rilindasve kolonjarë, të cilët janë të shumtë dhe kanë shkruar faqe të tëra lavdie, të cilat i çuan më tej djemtë e vajzat kolonjare, me heroizmin që treguan gjatë Luftës Nacional – Çlirimtare dhe që veç të tjerave, dhe që i ka pasqyrur aq mirë gazeta prestigjoze “Kolonja”, e drejtuar me kompetencë nga zotërinjtë Kristaq Lako e tani nga Josif Risto. E vogël është Kolonja, por më thoni tani; a kemi të drejtë ne kolonjarët që të jemi krenarë për të shkuarën tonë? Dhe a ishte i saktë Noli i pavdekshëm, kur thosh se kolonjarët mbahen burra me mend dhe duan të jenë në çdo mexhlis të parë, deri edhe kryeministra?

Filed Under: Kulture

Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian

December 22, 2025 by s p

’Në qoftë se Mili të bën pjesë të koleksionit të tij,…ai ju ka njohur ju plotësisht.’’ Jean – Paul  Sartre.

 K O M E N T: Në vitin 1961  Mili  ngarkohet  nga LIFE  të fotografoj katedralen  në Chartres, 40 km. në jug- Perëndim  të  Parisit.  ‘’Chartres  Cathedral,’’ e njohur  gjithashtu me emrin, ‘’Cathedral  of  Our  Lady of  Chartres,’’ konsakruar në vitin 876, i është dedikuar Virgin  Mary. Fotografitë  e   Milit  u  botuan   në  LIFE, 15 Dhjetor të  po atij viti  në  20  faqe,  shoqëruar  me  komente  të  titulluara  si:  ‘’Një monument i  besimit Kristian.’’ , ‘’Shenjtorë  të  gdhendur në gur.’’ , ‘’Hapësira masive drejtë Parajsës.’’- ‘’Trëndafila   prej  guri dhe xhami.’’.

Në  kopertinë,  një   nga  fotot   e   Milit  me  titullin:   Mbretëresha  e  Katedraleve –  Fotografuar  nga Gjon Mili.   Ky  sesion, erdhi  pas vizitës  së  Milit  në 1959 në Toskanë. Pa dyshim imazhet e sjella nga Firence, përqëndruar kryesisht në veprat Mikel – anxhelos, treguan për  pasionin dhe  njohuritë e Milit  për historinë e Lashtësisë, veprat e artit dhe atë çfarë trashëgojmë prej saj. Këto u bënë nxitje për të tjera sesione  që erdhën më pas, si  ato të  Qytetërimeve Greke dhe Romake. Nëqoftëse  botuesve  të  LIFE  u duhej të shkruanin diçka në prag të Krishtlindjeve – që  ashtu   besohet  të  ket  ndodhur –  pse   pikërisht ‘’ Charter Cathedral?’’  Çfarë  kishte kjo të veçantë  nga  shumë të  tjera  në  Francë dhe në  Europë?  Çfarë  fshihej  në   historinë e saj? Pse quhej ajo, ‘’MBRETËRESHA E KATEDRALEVE ?’’   

Mendoj  se  historia e Katedrales , fotografitë e  Milit  dhe  komentet  në  LIFE,  që  shoqërojnë këto  fotografi,  janë  përgjigja  më  e  mirë. Dëshmi  e  shkëlqimit  të  Arkitekturës  Gotike   në   Mesjetë.

Marrë  nga, ‘’Sacred Destination in France’’

‘’Jo vetëm Chartres Cathedral është një nga arritjet më të shquara të arkitekturës në histori, por ruan në mënyrë të përsosur imazhin, dizenjimin dhe detajet fillestare, prej më se 800 vjetësh. Edhe sot qëndron si model i arritjes arkitekturore  të stilit  Gotik në Mesjetë. Sipas  historisë, Chartres  Cathedral  ruan veshjen (mantelin) e Blessed Virgin Mary, kur kishte lindur Krishtin, ‘’ Santa  Camisia’’.  Thuhet se kjo relikë në vitin 876, ju dhurua  Kadedrales nga Charl  the  Bald , nipi i mbretit të  Francës Çarlemanj (Charlemagne, 742-814 ), i cili e mori si dhuratë nga Imperatoresha Bizantine, Irene, gjatë një vizite në Holy Land, Jeruzalem. Kjo relike  e  quajtur, The  Veil of  Notre  Dame  de  Chartres, është  e  lidhur  ngushtë  me  të  dy, qytetin Chartres dhe mbretin Charlemagne. Për shkak të kësaj relike Chartres ka qënë  dhe është një qendër e rëndësishme pelegrinazhi  besimtarësh nga gjithë bota. 

Katedralja mbijetoi nga zjarri i vitit 1134, që shkatërroi pjesën më të madhe të qytetit, por nuk qe me aq fat natën e 10 Qershorit, 1194, kur zjarri i shkaktuar nga rrufetë  përfshiu pothuajse gjithë Katedralen,  me përjashtim të kullës nga perëndimi dhe fasadës. 

Populli u dëshpërua kur mendohej se Santa  Camisia  ishte  përfshirë nga flakët. Por disa ditë më vonë u gjend në  thesarin e Katedrales dhe prej atij momenti  Bishopi  deklaroi se ishte shenjë  nga  vetë  Virgin Mary, që Katedralja të rindërtohej më madhështore

Mbështetje financiare erdhi nga gjithë  Franca dhe  rindërtimi filloi  menjëherë  po atë vit, 1194. Nga viti 1220, struktura kryesore u kompletua dhe viti 1260  shënon  përfundimin  e  rikonstruksionit. Restaurime të shumta i kthyen asaj bukurinë magjepse, një triumf i madh i Artit Gotik.

Në pamjen nga lart  Katedralja ka formën e një  Kryqi  Latin.  Në hyrjen nga  Perëndimi, një sahat  impre –    sionues Astrologjik që datohet nga shek.16-të, tregon jovetëm kohën, por  ditën, javën, muajin, kohën e           lindjes dhe perëndimit të diellit, dhe fazat e hënës.

Dritare  të  shumta  me  mozaik xhamash  me  ngjyra  mbizotërojnë  në  tërë  strukturën. Nga  motivet  e ndryshme  të  përshkruara   në  to, kanë  marrë  emra si, The  Rose  Window,  me  motive  nga  ‘The  last Judgement’, The  North  Rose, përshkruan  madhështinë  e  Virgin   Mary, rrethuar  nga  Engjëj.  Pjesa  e sipërme e hyrjes nga Perëndimi, njohur si Royal Porta, dekorimi  i saj me  statuja  elegante të  mbretërve dhe mbretëreshave dhe figura nga Old Testament, janë një kondensim elegant plotë shprehje.’’

Në këto të veçanta dhe bukuri arkitekturore është përqëndruar Mili në fotografitë e tij. 

Trëndafila  prej  Guri  dhe   Qelqi

   L I F E, 15 dhjetor, 1961.

       Statuja  e  Krishtit, shoqërohet  nga LIFE  me  titullin, Shenjtorë të gdhendur në gur, ku shkruhet:     ‘’Krishti në hyrje me  dorën  ngritur  lartë  në  gjest  bekimi  dhe mbi të drama e ‘The  Last  Judgement’ pasqyrohet  me  statuja,  në qendër  të  të cilave Saint Michael  ndan të  bekuarit  nga e majta   dhe të mallkuarit  nga e djathta. Në  të dy anët, dritare, ku  madhështia e xhamave të ngjyrosur shkëlqen me ndriçimin  e  vetë  parajsës. Muret prej  xhami, sistemi i harqeve  përsëritur  në  mënyrë  ritmike,  jep      idenë e mbajtjes  ndën kontroll të strukturës. Skulpturat  janë të një bukurie dhe arritje artistike aq  të   lartë,  sa  që gdhendës  të Mesjetës,  besimtarë  dhe  ateist vinin nga vende  të ndryshme  t’i studionin ato.

Për ata që e ndërtuan atë në një qytet të vogël  40 km. në Jug-Perëndim të Parisit, Katedralja ishte më shumë se shprehje në besimin e tyre. Ishte një shenjë nga Zoti dhe vetë ‘Virgin Mary’, që besonin se kishin zgjedhur Chartres si residencë  mbi tokë.

Figura e Pitagorës përmbi portikun e derës nga Perëndimi qëndron si simbol nderimi për matematikanin       që udhëhoqi ndërtuesit.

Filed Under: Kulture

Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre

December 20, 2025 by s p

Albert Vataj/

Nikola Tesla mbetet një nga figurat më paradoksale të modernitetit shkencor. Inxhinier dhe fizikant vizionar, autor i dhjetëra patentave që formësuan botën elektrike dhe teknologjike të shekullit XX, ai ishte njëkohësisht mishërim i mendjes racionale ekstreme dhe i një ndjeshmërie pothuajse mistike. Gjenialiteti i tij nuk banonte vetëm në laborator, por edhe në mënyrën e të jetuarit, shpesh të pakuptueshme për bashkëkohësit.

Ndër veçoritë më të spikatura dhe më të keqkuptuara të Teslës ishte lidhja e tij e pazakontë me pëllumbat. Gjatë viteve që jetoi në Nju Jork, ai kalonte orë të tëra çdo javë duke i ushqyer në parqe, duke i vëzhguar me një përqendrim që dukej më shumë shkencor sesa sentimental. Çdo pëllumb i plagosur bëhej menjëherë përgjegjësi e tij. I merrte në dhomën e hotelit, i ushqente, i mjekonte dhe i trajtonte me një përkujdesje që sfidonte çdo normë higjienike të kohës.

Kjo është veçanërisht domethënëse po të kemi parasysh se Tesla ishte një germofob i deklaruar. Ai kishte frikë patologjike nga mikrobet, ndotja dhe infeksionet. Lante duart në mënyrë kompulsive, shmangte kontaktet fizike dhe kërkonte kushte të rrepta pastërtie. E megjithatë, përballë pëllumbave, kjo frikë shuhej. Dritaret e suitës së tij i mbante të hapura që zogjtë të hynin e të dilnin lirshëm, duke e kthyer hapësirën e tij të jetesës në një kaos me pendë, zhurmë dhe erë, një kontrast i fortë me obsesionin e tij për rendin.

Në një rast, ai i kërkoi shefit të hotelit të përgatiste një përzierje të veçantë farash për “miqtë e tij me pendë”. Për Teslën, pëllumbat nuk ishin thjesht zogj qyteti, por qenie me individualitet, me karakter dhe, në një rast të veçantë, me një vend të pazëvendësueshëm në zemrën e tij.

Tesla nuk u martua kurrë. Ai besonte se intimiteti emocional dhe martesa do të ndërhynin në përqendrimin e tij shkencor. Me një sinqeritet brutal, ai shprehej: “Unë nuk mendoj se mund të përmendni shumë shpikje të mëdha që janë bërë nga burra të martuar.” Përkushtimi i tij ishte absolut, pothuaj asketik. Dhe megjithatë, ai pranoi se ishte dashuruar me një pëllumb të bardhë që e vizitonte rregullisht. Deklarata e tij është ndër më tronditëset dhe më poetiket që një shkencëtar ka lënë pas: “Unë e doja atë pëllumb ashtu si një burrë do një grua, dhe ajo më donte mua. Për sa kohë që e kisha, jeta ime kishte një qëllim.”

Në vitin 1922, Tesla rrëfeu se pëllumbi i bardhë i kishte fluturuar në dhomë për herë të fundit, sikur për t’i thënë se po vdiste. Në çastin e fundit, tha ai, një dritë e bardhë shpërtheu nga sytë e zogut, më e fortë se çdo dritë që ai kishte prodhuar ndonjëherë me makineritë e tij elektrike. Kjo përvojë, në kufirin mes vizionit mistik dhe simbolizmit të thellë emocional, e tronditi Teslën. Ai u tha miqve se në atë moment kishte ndjerë se puna e jetës së tij kishte përfunduar. Humbja e pëllumbit ishte, për të, mbyllja e një kapitulli ekzistencial.

Pëllumbat ishin vetëm një pjesë e mozaikut të idiosinkracive të Teslës. Ai ishte i fiksuar pas numrit 3, duke kryer rituale të përsëritura: lante duart tri herë, ecte rreth një ndërtese tri herë para se të hynte, zgjidhte dhoma hoteli që pjestoheshin me tre. Ai i urrente perlat dhe refuzonte të fliste me gratë që i mbanin ato. Këto sjellje, të pashpjegueshme në kohën e tij, sot interpretohen shpesh si shenja të një çrregullimi obsesiv-kompulsiv, por mund të lexohen edhe si përpjekje për të vendosur rend në një mendje që operonte përtej normës.

Dekadat e fundit të jetës së Teslës ishin të heshtura dhe pothuaj anonime. Njeriu që kishte ndriçuar botën me idetë e tij, shëtiste i panjohur nëpër Nju Jork, i gjatë, i dobët, i veshur me rroba të një epoke tjetër, duke ushqyer pëllumbat. Shumica e kalimtarëve nuk kishin asnjë ide se kush ishte. Fama e tij ishte shuar dhe brezi që e njihte kishte ikur. Edhe kur gazetat, herë pas here, botonin parashikimet e tij për të ardhmen teknologjike, askush nuk e lidhte emrin e madh me këtë figurë të vetmuar urbane.

Në këtë kontrast të thellë mes gjenialitetit dhe harresës, mes shkencës së ftohtë dhe dashurisë së pastër për një qenie të brishtë, qëndron madhështia tragjike e Nikola Teslës. Ai ishte dëshmi se gjenitë nuk jetojnë domosdoshmërisht në piedestale, por shpesh në skaje, të kuptuar keq, të vetmuar, duke ushqyer pëllumba, ndërsa mendja e tyre vazhdon të ushqejë të ardhmen e njerëzimit.

Filed Under: Kulture

Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë

December 15, 2025 by s p

Julika Prifti/

Në mbrëmjen e 13 dhjetorit në teatrin Migjeni u dha premiera e dramës “Andra e Shën Nanë Terezës ” me autorë Bashkim Kozeli dhe Justina Aliaj, me regjisor Gëzim Kame. Muzika ishte kompozuar nga Rubin Kodheli.

Në skenën e teatrit Migjeni artistja e talentuar Justina Aliaj ka interpretuar role kryesore për disa dekada. Ajo ka bërë për vete spektatorin shkodran dhe gjithë publikun shqiptar.

Për mua ishte fat të shikoja edhe njëherë artisten e madhe të interpretonte me gjithë fuqinë e shpirtit të saj rolin e Nënë Terezës. Ajo portretizoi një Terezë besimtare, të devotshme, të zgjuar e të afërme, që e donte shumë atdheun e saj e njerëzimin.

Në sallën e mbushur me spektatorë kishte publik të të gjitha moshave dhe shumë të rinj. Skenat ishin funksionale e muzika e lidhur bukur me dramën.

Veç figurave të artit dhe kulturës në premierë ishin edhe autoritete dhe përfaqësues diplomatik, Kryetari i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci dhe Ambasadori i Kosovës në Tiranë Skënder Durmishi.

Zbritja e shënjtores në tokë nga lart skenë me një “ashensor” të hapur në pjesën ballore, të mbështjellë me lule në të dy anët, në një sfond blu ishte një zgjidhje fantastike, që e sillte shenjtoren tamam si të vinte nga Zoti.

Mësimet e nënës Terezë që nga lindja deri në vdekje zbulojnë karakterin e saj si njeri, si besimtare e shënjtore. Më prekëse mbetet dëshira dhe përpjekjet e saj për ta parë Kosovën dhe Shqiperinë të bashkuar. Ishte brenga e saj më e madhe e shprehur në takimet dhe bisedat e saj me Presidentin Klinton dhe Ibrahim Rugovën.

“Andrra e Shën Nanë Terezës” do të mbetet në kujtesën e spektarorëve. Justina Aliaj përcjell në formë mjeshtërore mësimet e besimtares së madhe për Krijuesin, dashurinë për njëri tjetrin, për të përballuar jetën dhe sfidat e saj.

Filed Under: Kulture

Paradoks gjuhësor dhe letrar

December 13, 2025 by s p

Behar Gjoka/

Historia e gjuhës dhe letërsisë shqipe, e vështruar në diakroni dhe sinkroni, gjithnjë e më shpesh, shpërfaqet si një paradoks ekzistencial. Në kohët moderne shndërrohet në një absurd, ku kohët dhe hapësirat përplasen dhe, vihen në një betejë të pamatshme. Nëpër rrjedhat kohore dhe hapësinore, vihet re se:

A – Etërit e gjuhës shqipe të shkruar, Buzuku, Matrënga, Budi, Bardhi, Bogdani, edhe pse në pamundësi komunikimi, megjithatë me librat e shkruar, krijuan hallkat e një zinxhiri të pakëputun, që vuri në udhën e mbrodhësisë lavrimin e gjuhës shqipe.

B – Etërit e letërsisë dhe të kombit, në periudhën e romantizmit, Jeronim De Rada, Naim Frashëri, At Gjergj Fishta, edhe pse në mes tyre, nuk patën kontakte të afërta, me kaq shumë mund dhe sakrifica, arritën që të ngrenë themelet e një letërsie të vlertë, që ka shërbyer si themel i ligjërimit letrar në gjuhën shqipe, në periudhat e mëvonshme.

C – Etrit e shenjave estetike moderne, të pjesës së parë të shekullit të njëzet, Poradeci, Koliqi, Kuteli, nuk reshtën për një çast së vlerësuari të tjerët. Në atë kohë, Poradeci shpallte patriark të letërsisë shqipe At Fishtën, Koliqi udhëhiqte Migjenin, kah rrjedhat letrare, e Kuteli botonte Poradecin e Nolin…

Të treja këto periudha letrare, që limojnë gjuhën shqipe, si gjuhë e letërsisë, projektuan dhe selitën një lidhje dhe marrëdhënie organike, në mes kohës dhe hapësirave ku shkruhej gjuha shqipe, ndonëse në një pjesë të konsiderueshme, pothuajse ishte e pamundur të kishte kontakte, si dhe të komunikonin autorët dhe tekstet e shkruara.

Kur pritej zgjerimi i komunikimit, thellimi i shkëmbimit të përvojave, fill pas viteve 44 të shekullit të kaluar, për shkak të ideologjisë komuniste, e sidomos të vendosjes në jetën letrare dhe artistike të realizmit socialist, nisi paradoksi i madh, ku ca shkrimtarë dolën tepër, ca të tjerë shkëlqyen që në shfaqjen e tyre të parë. Të tjerë, atyre që nuk e deshën dhe e refuzuan realizmin socialsit dhe ideologjinë e monizmit, nuk u dihej as emri. Në skenën letrare mbeti Naimi, Mjeda, Migjeni, mirëpo iku se i përzunë Fishta, Konica, Skiroi, Koliqi, Santori. Hynë në skenë Agolli, Kadare, Arapi, Qosja, Shkreli, Podrimja, e në të njëtën kohë, megjithëse bashkëkohorë me të parët, pak arrinin të dinin për Pipën, Camajn, Trebeshinën, Pashkun, Rreshpen. Pjesa më e madhe e tyre, gdhendën tiparet e romanit, eposit modern, por sërish hartografia është e mangët, edhe në këtë tipologji që ka mbizotëruar skenën letrare, sepse përsëri na dalin shkrimtarë tepër! Kohë paradoksesh që end vonesa dhe reminishenca, ku kohët e reja, gati e kanë ndërprerë komunikimin dhe, duket sikur ia kanë mësyer betejës së fundit, për të shkatërruar, ca pak ngrehina, që ende kanë mbetur në këmbë, në lavrimin e letërsisë.

Liria e shprehjes, me ardhjen e demokracisë, së brishtë dhe të sakatuar, nuk solli lirinë e kaq pritur. Përsëri, në kohën e lirisë së shprehjes, garantuar me ligj, në kohën kur dënohet censura, në kohën kur gojëçorapet e shtuar motive të fundit, nuk lënë kusur, pa lëshuar në media, sërish na dalin shkrimtarët mangut ose tepër. Në këtë kohë të zgjerimit të komunikimit, të automatizimit të qenies dhe të jetës, në fillin përbashkues të fatit të qenies arbënore, në gjuhë dhe letërsi, si mendësi jemi më larg se atëherë kur ishim shumë larg, për shkak të rrethanave të vështirësive të komunikimit, që thurim ndërmjet vedit. Tani gjuhëtarët, jo të nivelit të Çabejt dhe Rizës, më shumë merren me shqyrtimin e letërsisë. Sa ironike, akademikë që moderojnë një mbrëmje letrare! Studiuesit e letërsisë, në bashkëkohësi, ngase i thanë të gjitha, ia kanë mësyer politikës, kush të dalë në krye. Kështu bëri Rugova, Qosja, Hamiti etj… Në këtë nahinë tonë, bjerrakohëse dhe të nginjur në llafollogjema mburrëtoresh, politikanët ligjërojnë si me qenë “akademikër”, madje pa ua kërkuar kush, e akademikët ngrefosen si kaposha, ma zi se politikanët.

Askush nuk merret me punën që ka nën përgjegjësi dhe për të cilën paguhet. Të gjithë, politikanë, oponionistër, akademikë me libra të kohës së Baba Qemos, janë vënë në garë, se kush të zërë vendin e parë në lëmë të gjuhës, letërsisë, albanologjisë. Tirana kërkon të mund me çdo kusht Prishtinën. Prishtina, me goditje nën brez, lëshohet kundër arbëreshëve, Këta të fundit, si të paskëshin shpikur mrekullinë e tetë, janë kundër të gjithëve. Piemontet e Tiranës, Prishtinës, Tetovës, të Arbëreshëve, kacavarren se kush të jetë në krye të podiumeve, të përvjetorëve, ku lëshohen flakadanët e përmallimit… Po të shohësh më me kujdes, segmente dhe persona të caktuar, të këtyre piemonteve, mblidhen në Tiranë, për ta mbajtur ndezur betejën absurde në mes këtyre piemonteve… Eh, gjuha shqipe, letërsia, ishte më pranë dikur, kur ishte e vështirë të kishte kontakte dhe mundësi për ndërlidhje.

Tani që jemi pranë, kaq pranë sa fytyrat rrudhosen nga shkëmbimi i vështrimeve të mllefosura, pushtuar nga ethet “e sundimit” sikur në politikë, se kush të krenarohet me të mbërrimet e mëhallës së vetë. Askush nuk sheh mjerimin ku zhytet secila prej këtyre mëhallave në lamin e të menduarit kritik…Megjithatë, debati për debat, po gadit situatën e mendjeve të hapura, kur shkenca dhe podium, takohen rrallë, sepse tryeza e punës nuk të lë kohë të lire, ndërsa podiumet janë shpikur për të broçkullisur…

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 552
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Pak çaste me Edi Pashkon pas Koncertit në Carnegie Hall
  • Gazeta “Dielli” krijuesit dhe roli i saj i madh kombëtar në fillimet e saj
  • Roli i SHBA‑së në ruajtjen e rendit global
  • BRANKO MANOILOVSKI E THA NË ÇIKAGO: JAM SHQIPTAR!
  • Plisi i Bardhë si Simbol i Identitetit dhe Vazhdueshmërisë Kulturore Shqiptare
  • “Narhelmi – Fshati piktoresk i bashkëjetesës”
  • EDITORI I DIELLIT BAHRI OMARI, PJESË E HISTORISË SË VATRËS DHE SHQIPTARËVE TË AMERIKËS
  • Tomor Dosti, in memoriam…
  • AAGA do të realizojë një studim epidemiologjik mbi kancerin kolorektal në Shqipëri
  • NJË RRËFIM SHUMËDIMENSIONAL PËR HISTORINË E PËRPJEKJEVE SHQIPTARE PËR ÇLIRIMIN DHE KRIJIMIN E SHTETIT TË KOSOVËS, PËRMES AKTIVITETIT PATRIOTIK TË FEDERATËS PANSHQIPTARE “VATRA” DHE GAZETËS “DIELLI”
  • The Western Balkans and the Global Power Competition: Strategic Choices in the Era of U.S.-China – Russia Rivalry
  • Miti i Tryezës së Rrumbullakët dhe Besëlidhja e Lezhës
  • PA U DISTANCUAR NGA E KALUARA, NUK FITOHET BESIMI I SË ARDHMES
  • ADEM JASHARI – KOMANDANTI I PËRJETSHËM I LIRISË SË KOSOVËS
  • 80 VJET NGA PUSHKATIMI I ATË ANTON HARAPIT, NJË GJYQ MES DREJTËSISË DHE PROPAGANDËS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT