• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze

January 16, 2026 by s p

Rafaela Prifti/

Kur lufta e kaluar por aspak e fashitur vjen të turbullojë paqen, vegimet e romanit Gruaja që Vinte nga Mjegulla të autorit Luan Rama bëhen imazhe goditëse të marrëzisë që kërcënon jetën dhe dashurinë. Mund të kishte qenë, dhe, mbase një ditë, mund të jetë një film i ngadhënjimit të njerëzores mbi çmendurinë e fashizmit, nëse fati do ndjek dëshirën e skenaristit të mirënjohur të katër filmave me metrazh të gjatë, përveç shumë filmave dokumentarë, që janë vetëm një pjesë e veprës voluminoze të tij në letërsi, studime historike e publicistikë.

Fillesa erdhi gjatë xhirimeve në Kurvelesh në vitin 1986 kur Luan Rama “dëgjoi historinë e italianit që kishte mbetur pas lufte dhe këndonte opera italiane.” Menjëherë e tërhoqi subjekti për film por “kohët ikën,” thotë ai, dhe “kur nisën ndryshimet shkrova një tregim dhe më pas romanin.” I nisur nga ngjarje jetësore, romani shpalos, përmes protagonistes, jetën e të një të riu italian, student i konservatorit të Milanos, i cili thirret në armë në ushtrinë italiane dhe, me premtimin se do kthehet tek ajo, niset për në Shqipëri në vitet 40. Pas luftës konsiderohet i pagjetur ose i zhdukur derisa gati pesëdhjetë më vonë një lajm në gazetë në kohën e ndryshimeve i jep shkas të dashurës së tij të rinisë, sopranos Laura Simoni, të bëjë udhëtimi e kundërt që ka bërë Alberto i saj gjatë luftës. Ajo gjen familjen shqiptare që i ka shpëtuar jetën ushtarit të plagosur për vdekje dhe e ka adoptuar atë pasi ai ka humbur kujtesën e vetes.

Është historia e një dashurie të këputur e të humbur dhe e shumë jetëve të ndërprera nga marrëzia e luftës. Paqja e asnjërit nuk është e paprekshme nga luftërat e shkuara dhe atyre që mund të afrohen sakaq. Shfaqja e një anije me refugjatë shqiptarë në brigjet e Brindisit të Italisë, si edhe varka të tjera që lundrojnë me çarçafë si vela në kohët antike mjafton për të sjellë thirrjet e të përvuajturve të furtunave të fatit në vitet 90, ndërsa në kohën e luftës të rinjtë italianë shkonin në drejtim të bregdetit përkarshi ku do takonin fate të tjera. I veshur me uniformën fashiste kishte shkuar edhe i dashuri i saj, Alberto, dhe nuk ishte kthyer më. Fakte historike si riatdhesimi i eshtrave të ushtarëve italianë të rënë në Shqipëri gjatë luftës i përjetësuar tek Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur dhe referenca të tjera janë ndërthurur mjeshtërisht nga autori, i cili është historian i apasionuar. Njoftimi në gazetat italiane për një tenor në fshat shqiptar i japin shtysën Laurës të niset me bashkëshortin e saj për ta gjetur të vërtetën për Alberton si një shlyerje fajësie dhe përmbushje drejtësie ndaj së kaluarës.

Mllefi dhe revolta e kaq viteve e pafashitur brenda saj vërshon vrullshëm nga Laura për ata “që i besuan demagogjisë së Musolinit dhe i shërbyen me zell,” një prej të cilëve ishte babai i saj. “Ju nuk bëtë asgjë për ta ndaluar Alberton kur qyteti ushtonte nën çizmet dhe marshet e këmishëzinjve të Musolinit,” i zbrazet ajo. Mbështetësit e së keqes e kanë të lehtë të qetësojnë fajësinë me arsyetimin se nuk kanë vrarë njeri ngaqë nuk kanë qenë asgjë më shumë se nëpunës të thjeshtë. “Verbëria juaj ndihmoi fashizmin. Ju e sollët atë në Itali!” kundërshton Laura. Ndërsa nëna e Albertos ka humbur shikimin, i ati nuk jeton më, edhe fatet e personazheve të tjerë, si shokët e Liceut dhe trupës së Operës mbartin dramat e shkaktuara nga lufta.

Me të drejtë autori e konsideron romanin “një himn për muzikën.” Novela është kompozuar e gjitha me një repertor të pasur operistik dhe arie klasike nga një botë që kumbonte me muzikë përpara se të zhytej në shurdhërinë e territ nën peshën e shuarjes së rinisë, njerëzve, dashurive, dhe jetës. Sintetizimi i muzikës me ngjarjet e romanit të Luan Ramës projektohet në përfytyrimin tonë dhe pyet veten: A ka qenë ti ndonjëherë Gruaja që Vinte nga Mjegulla?

Romani Gruaja që Vinte nga Mjegulla është botuar nga shtëpia Albas në 2023. Një vit më pas përkthimi frëngjisht është publikuar nga botuesi Le Petit Vehicule, Francë. Në 2025 në italisht nga botimet Montebone, Milano, Itali në 2025 dhe së fundi nga EMAL në anglisht. Foto nga Artan Malaj, qershor 22, 2025, shkrimtari Luan Rama dhe Rafaela Prifti, përurimi i novelës Epistolari i Zaratës, Katedralja e Shën Gjergjit, Boston.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Rafaela Prifti

“E DREJTA ZAKONORE E ÇERMENIKËS. KANUNI I MUST BALLGJINIT” 

January 10, 2026 by s p

Avni Alcani/

Pas botimit të disa prej librave shumë të suksesshëm të studiuesit Shaban Gjura, kushtuar historikut të trevave të Librazhdit, si dhe e disa monografive kushtuar figurave historike të këtyre trevave, vjen dhe libri më i fundit i tij, i titulluar “E drejta zakonore e Çermenikës. Kanuni i Must Ballgjinit” (me bashkautor). E lexova me shumë vëmendje monografinë mbi Kanunin e Must Ballgjinit” dhe shpreh admirimin tim për librin, si dhe konsideratën se ky librër është një nga botimet më të mira i botuar në këta 10-15 vitet e fundit, i dy autorëve Gjura dhe Balliu, për trevat e Librazhdit dhe krahinën e Çermenikës në veçanti.

      Në vitin 1978 pata filluar punë në Muzeun Historik të Librazhdit. Pas një viti (1979) u ngrit Muzeu Etnografik, i cili ishte një arritje e madhe e mozeologjisë shqiptare, pasi ishte i pari dhe i vetmi muze etnografik në natyrë. Isha tërësisht i pasionuar pas etnografisë vëndase, aq sa kisha filluar që të grumbulloj materiale etnografike në terren, si dhe të mbaja shënime për ritet, zakonet dhe traditat etnokulturore. 

      Por kisha filluar që të hasja pengesa, pasi, për analizat që u duheshin bërë këtyre traditave, kërkohej një përgatitje e madhe teorike dhe praktike. Duhej shfletuar një bibliografi e tërë në këtë fushë. Gjatë kësaj kohe kisha rënë në kontakt me disa nga studiuesit më në zë të etnografisë shqiptare, në veçanti me prof. Rrok Zojzin, i cili konsiserohej si “babai” i etnografisë shqiptare. Prof. Zojzi ishte autori i projektiti të platformës së muzeut, si dhe drejtuesi shkencor i tij. Ai më rekomandoi që duhej të shfrytëzoja arkivin dhe bibliotekën e Insittutit të Kulturës Popullore në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, e cila kishte bibliotekën më të pasur në Shqipëri.

      Gjatë vitit 1980 e më pas, shkova disa herë në bibliotekën e ish Insittutit të Kulturës Popullore në Tiranë dhe miqtë e mi atje më rekomanduan dokumenta, libra dhe studime të fushës së etnografisë. Ndër materialet e para dokumentare, si dhe ato pak botime për trevën tonë, do të veçoja monografinë “Rraporte të vitit 1949” (në dorëshkrim), i cili ishte hartuar nga dy etnografët e njohur Rrok Zojzi dhe Andromaqi Gjergji. Në atë monografi pashë për herë të parë të drejtën zakonore të Çermenikës, e njohur si “Zakonet e Mus Ballgjinit”. Qysh prej atij viti unë kam arkivuar me dhjetra skeda dhe faqe literature, kushtuar të drejtës zakonore të Çermenikës dhe të traditave etnokulturore të trevave të Librazhdit. 

      Si çermenikas kam pasur një kureshtje të madhe për t’a njohur Kanunin e Çermenikës dhe jetën e Mus Ballgjinit. Gjithashtu kam pasur gjithmonë dëshirën që ta mblidhja dhe ta studioja të drejtën zakonore të krahinës sime. Kaluan vite, por unë kurrë nuk e mora guximin, pasi sa herë që vendosja, po aq herë e shtyja. Jo se s’kisha vullnet, por thjesht nuk guxoja, pasi unë nuk e kisha as njohjen, as formimin dhe as përgatitjen e duhur në fushën e jurispodencës, për të bërë klasifikimin dhe interpretimin profesional dhe juridik të Kanunit.

      Ndërsa sot ndjehem krenar që kam në dorë librin “E drejta zakonore e Çermenikës. Kanuni i Must Ballgjinit” (2025), i cili është mbledhur dhe botuar nga dy studiues çermenikas, Shaban Gjura dhe Audernarda Balliu. Nuk do ta marr në analizë librin e tyre, pasi atë e kanë bërë me shumë kompetencë dy nga analistët e këtij libri, siç janë prof. dr. Ismet Elezi dhe dr. Mark Palnikaj. Në “Hyrje” të librit, studiuesi i mirënjohur, prof. dr. Ismet Elezi, shkruan: “Me botimin e Kanunit të Çermenikës jepet një kontribut i rëndësishëm në plotësimin të së drejtës zakonore shqiptare të pashkruar” (faqe 5).

Filed Under: LETERSI

SPEKTËR…

January 9, 2026 by s p

Kastriot Fetahu/

Proust shkruante: “Le t’i lëmë gratë e bukura për burrat pa imagjinatë.” Kjo thënie nuk flet për mëkatin si faj, por si pranim të padëmshëm. Duket se përfshin tërësinë që mbulon perimetri fondamental i mendimit sipërfaqësor në botën tonë.

Ndaj po hyj në botën e shkrimtarisë, të cilës Proust i përket, ku po vërej një dukuri që shfaqet herë pas here në hapësirat e letërsisë sonë.

Ka njerëz që flasin shumë për të, por nuk dinë të mendojnë, vetëshpallen roje të moralit letrar, por nuk kanë kaluar kurrë provën më të thjeshtë të leximit apo një debati live mbi letërsinë.

Edhe pse nuk vijnë nga bota e shkrimeve apo kritikës, ambicia për të sunduar apo mjerimi për t’u përdorur i bën të guximshëm.

Kështu, padashur, ushqejnë artificialisht apoteozën inekzistente të depresionit të letërsisë.

Flasin sikur problemi i letërsisë shqiptare të ishte moral. Dhe këtu fillon keqkuptimi i madh, kur ajo gjykohet nga jashtë, sikur të ishte institucion administrativ, jo shpirt dhe disiplinë.

Për këta persona, lexuesi nuk është kriter, por rrjeti i klientelizmit, ndërkohë që edhe vetë ushqehen nga klientelizmi i vëmendjes, duke u bërë pre e predikimeve të veta pa bibël.

“Orwellin” e sjellin për lexuesin si një manifest profetik të së tashmes së tyre, përtej të cilës nuk ekzistojnë hapësira të tjera letrare. Kështu duan të ndërtojnë me imagjinatën njëqelizore mure censure të rrëzuara përfundimisht, për të kontrolluar lexuesin e “spektrit gri”.

Në megalomaninë që i karakterizon (ju duket sikur Zoti po flet nëpërmjet tyre), nuk kuptohet nëse filozofia është dekor apo vulë prestigji. Në një botë me keqkuptime shtohen edhe këta njerëz që mbjellin këtë dukuri, e cila errëson më shumë dritën e munguar të letërsisë në këndvështrimin e tyre fiziologjik.

Ka një ndryshim mes botës filozofike dhe jetës reale.

Jeta reale zbret shpesh në ndyrësi, nëntokë morale, lakmi, urrejtje dhe gjenocid, ndaj ekziston arti për njerëzit, të mbulojë spektrin shpirtëror të lënë bosh nga filozofia.

Dhe ata e ngatërrojnë të menduarin e vjetër sa bota me citimin, pasi mendojnë pak dhe kështu vazhdojnë të provojnë se janë njerëz të ndrydhur, me fjalë të kurthuara në korpuse deklamative.

Teorikisht, vetëm profanët përpiqen të thjeshtëzojnë gjërat dhe jo të pranojnë kompleksitetin e tyre, duke mos e njohur objektin estetik.

Realiteti është armiku i artit dhe i poetit, sipas manifestit të surrealizmit të poetit André Breton.

Të hapësh fusha diskutimi do të thotë t’i presësh rrugën autoritetit të rremë dhe një bote spekulimesh. Filozofia për ta është armë retorike, të cilën e përdorin si gjahtari një çifte të shtrembër në dunat sahariane në motin me stuhi rëre.

Letërsia nuk funksionon me emra, por me libra, aty ku këta njerëz zhduken pa lënë as gjurmë mbetëse.

Kur vjen diskutimi tek analiza konkrete, te fjalia, ritmi, struktura, metafora, zëri, nuk kanë çfarë të thonë. Diskursi i tyre letrar starton nga teksti te morali, nga vepra te marrëdhëniet, nga estetika te biografia shoqërore, sikur të jenë pronari i një cirku në periferi që mban inventarin e kafshëve të cirkut.

Kjo është strategji klasike e atyre që nuk zotërojnë asnjë dhunti, madje duket se nuk kanë arritur as pubertetin intelektual dhe nuk kanë lexuar veç vetes asgjë që nga koha e kolegjeve.

Ata imponojnë (pa e njohur) thelbin e interpretimit të kritikëve të poezisë “Zonja Lazarus”, po këtë herë dedikuar komunitetit të shkrimtarëve, ndërkohë që do t’iu sugjeroja të mësonin kuptimin e monedhës së arit të testamentit të Arthur Schopenhauer.

“Republika e shpërblimeve apo qokave” (jo Republika e Platonit), për të cilën flasin, është makeup-i i formimit të tyre; është ironia tragjike, pasi nuk mund të pretendosh letërsi pa marrëdhënie njerëzore.

Goethe i dhuroi penën e tij Pushkinit, Stalini urdhëroi të botohej “Doni i qetë” i Shollohovit, duke pranuar karakterin “janusian” të tij.

Mitrush Kuteli mblodhi për botim “Lasgushin dhe Nolin”, ndërsa Lasgushi ka shkruar poezi për Kutelin.

Bota nuk do të kishte Kafkën pa shkrimtarin Max Brod.

Çajupi shkroi poezi për Naimin.

Do ta çshenjtërojmë letërsinë nëse do të përdorim fjalën “qokë”, edhe pse në fjalorin shqip ka konotacion pozitiv.

Letërsia nuk operon me fjalë që veprojnë si qeliza malinje në trupin e saj nga njerëz të cilët tregojnë në mënyrë të pavullnetshme ujërat moçalore, në të cilat peshkojnë konceptet.

Vulgariteti i argumentit “qokë” i detyron të mbyllen brenda vetes shkrimtarët, poetët, artistët me kombinime formash nga më të çuditshmet metaforike, gjeometrike, me nuanca të zbehta, sepse ata nuk jetojnë dot me banalitetin në botën e tyre.

Dialektika e një etiketimi të tillë presupozon terren për ligësinë, nga nxitja e një “reaksioni kimiko-letrar që këput valencat” e komponimit letërsi-lexues, apo edhe midis shkrimtarëve dhe poetëve.

Arti dhe vulgariteti janë polet e një globi imagjinar pa sipërfaqe.

Letërsia nuk lind në vakum, pa miq, pa ndikime, pa dialog, pa personazhe “të vjedhur” në raportet shumëngjyrëshe njerëzore, të cilat ndërtohen mbi nderimin dhe respektin reciprok, që nxitoni t’i emërtoni djallëzisht “qokë”.

Është një emër antiletrar, antiartistik për të arritur tek diktimi dhe barazitizmi i lakmuar si figura me të njëjtën vlerë, me idhujt tuaj në fshehtësi, të rrethuar nga gardhimi deficent.

Edhe shoqëritë më primitive kishin nevojë të komunikonin që të sfidonin problemet ekzistenciale bazike të jetës.

Balzaku, në “Iluzionet e humbura”, tregon se “qoka” (sipas tyre) në art u “industrializua” në ato vite, duke krijuar makineri duartrokitjesh, apo skuadra të gatshme me domate dhe vezë. Redaksitë kryenin shërbime letrare me pagesë për të lartësuar emra të veçantë apo fundosur të tjerë. Do të na injoronte Balzaku po t’i etiketonim “qokë” këto inovacione të kohës.

Nëse do të lexoni veprën e fundit të shkrimtarit të njohur Zija Çela me titull “Koka mbi katror”, do të përplaseni në një mur trojan. Çela, midis të tjerash, rrëfen takimin në “Kafe Piazza”, ku i sugjeroi Ismail Kadaresë ndryshimin e mbylljes për “Pallatin e Ëndrrave”.

Të kuptosh pse ishin miq Dostojevski me Turgenevin, Sylvia Plath me Anne Sexton, apo Kadare me Lasgushin, duhet të lexosh “Koka mbi katror” të Zija Çelës si analogji miqësish të një brezi, ku shkrimtaria konsiderohej fe dhe besim.

Historia e letërsisë është histori bashkësish, jo monolog skeletor moral, dhe kjo që prej kohës së Epit të Gilgameshit në Mesopotami.

Homeri i verbër nuk ishte i vetëm, të tjerë ia shkruan “Iliadën”. Dante kishte Virgjilin, Pound përkrahte Eliot-in dhe Hemingway-n.

Camus ka histori interesante me Kazantzakis-in, për të cilin tha se ishte më i mirë, edhe pse Camus mori Çmimin Nobel në 1957, kur Kazantzakis u rendit i dyti.

Kadare lartësoi Lasgushin në publik me fjalë vlerësuese mistike. Këto nuk ishin “qoka”, por forma të këmbimit të ndërsjellë të vlerave, nderim midis tyre në rolin e katalizatorit për më tej.

Përdorimi i fjalës “qokë” i nxjerr jashtë terrenit të letërsisë njerëzit që rreken të krijojnë rrathë bashkëqendrorë për universe të pavarur.

Të etiketosh kështu nderimin, mirënjohjen, përkrahjen midis “gjeneratorëve të dritës” të shoqërisë njerëzore është dinake, fyese, duke zbritur hyjnoren në realitetin që stigmatizon André Breton në manifest; është antikulturë në skajin më të fundit.

Letërsia nuk pranon radikalë të huaj në lëndën e saj, maskuar pas dëshirash puritane të statujave imagjinare të liliputëve jashtë perimetrit letrar.

Raportet midis shkrimtarëve, për të cilët është i huaj krijimi i një rankimi nëpërmjet vlerave të vargut numerik, janë mistike, fshehur mes emocionesh të ngjyrave të ndezura, të pakuptueshme për njerëzit jashtë tyre. Këtu nuk përjashtohet as bashkëlidhja lexues–shkrimtar dhe poet.

Nuk mund t’i mbyllim në kafaz si zogj ekzotikë shkrimtarët dhe poetët.

Nëse do t’i pyesja këta njerëz: a është njohja gjithmonë dyshim? — nuk do të merrja përgjigje, pasi ata që nuk kanë përjetuar peshën e leximit apo krijimit real do ta shohin vetëm si komplot. Kur e pyetën kampionin absolut të automobilizmit, Juan Manuel Fangio, për çështjet e problemeve të Kubës së Kastros, ai dha një përgjigje epike: “Unë nuk marr vesh nga kauzat, por vetëm nga makinat.”

Profilizimi letrar është substancë që buron së brendshmi prej nënvetëdijes shpirtërore dhe jo dëshirë arrivistësh për t’u marrë me shkrimtarinë si zbulim teknologjik.

Shumë syresh flasin për “libra që nuk lexohen”, por nuk diskutojnë për lexuesin e pakontrolluar. Sundohet shumë lehtë një narrativë sesa një tekst i nderuar.

Ndaj këta njerëz ndërtojnë gjykatën morale e rreshtohen si gardistë që japin verdikte me dy alternativa pa ngjyrë lirie.

Dhe pikërisht këtu duhet thënë qartë:

— Jo kushdo ka të drejtë të flasë për letërsinë nga pozita e tutorit, e njeriut të Olimpit.

Vendet për zotat kanë mbaruar.

Jo, sepse letërsia është disiplinë, letërsia është ndërtuar si qytet i ndaluar, ku pranohen të hyjnë vetëm banorët e saj.

Ashtu si nuk flet kushdo për kirurgjinë, bujqësinë, ndërtimin, elektronikën.

Minimalisht duhet të “kopjojmë” plakun e mençur, shkrimtarin e njohur Sabri Godo, i cili e fillonte zhvillimin e argumentit me klisheun paqësor: “Ne mendojmë se…”

Nuk është e thënë të jesh vetëm shkrimtar apo kritik letrar që të jetosh me nder dhe të gëzosh një emër.

Leximi dhe heshtja janë fazat themelore të formimit tonë e pas kësaj të procesit të të menduarit.

Ata që nuk e kanë bërë këtë rrugë, zakonisht e urrejnë atë, sepse minimalisht nuk dinë “exit”-in e saj.

Urrejtjen e maskojnë me patetizëm si “kritikë sistemi”, si moral letrar, si dhembshuri prindi për fëmijën “letërsinë”, apo si zhvillim organik.

Pra, problemi nuk është shpërblimi, “qoka” a s’di çfarë, por ambicia për të qenë arbitër pa qenë lexues dhe krijues.

Çmimet letrare duhet pranuar se kanë subjektivitet (midis të ngjashmëve), sepse letërsia nuk është bota e matematikës, por e shpirtit, dhe shpirtin e sundon subjektivizmi, gjë që e bën emocionuese letërsinë.

Problemi nuk është filozofia e tejetpërdorur a keqpërdorur, por përdorimi i saj nga njerëzit pa mendim, duke mbërritur në një masturbim verbal filozofik eklektik, të cilët më pas rrëshqasin drejt një përplasjeje emocionale.

Mbaroi koha kur populli kishte të drejtë t’u vendoste kushte shkrimtarëve dhe artistëve sipas esesë së Leninit të vitit 1905, ku liria nuk ekzistonte as si një iluzion.

Letërsia jeton më mirë pa këta lloj njerëzish, që duken se kalojnë një periudhë konfuzioni identiteti tranzit të përhershëm, me potencial të parealizuar, pasi ajo i njeh mirë zërat që vijnë nga leximi dhe i dallon shpejt ata që vijnë nga zbrazëtia.

Komedianët amatorë me pamje “akademikësh” falsë pretendojnë të kenë dijen e plotë dhe pushtetin mbi letërsinë.

Ata e çojnë idenë në skaj dhe heqin një paralele mes letërsisë dhe diletantizmit shkronjor të “underground”.

Perceptimi i cunguar radikalizon dhe mbivlerëson ndikimin imagjinar të “underground”-it në letërsi pas këtij ekuivalentimi.

Nuk e kuptojnë se sheqeri nuk i hyn në punë askujt nëse nuk e keni kripën.

Letërsia nuk është të sjellësh nga eksponatet personale një fotografi të stilit të Hamletit me një kafkë në dorë, por të zbërthesh shpirtin e panjohur të tij.

Përndryshe, arti do të kthehej në një hapësirë të shterur nekrologjish.

Që para 2 800 vjetësh Homeri flet me gojën e Odiseut kur thotë: “Unë kam ardhur, siç supozoni ju, me shokë në një anije, duke lundruar nëpër detin e errët te njerëzit, stili i të folurit të të cilëve është shumë i ndryshëm…”

Ky është diversiteti i botës i njohur që nga koha e Homerit dhe tregon se nuk ka vetëm dy ngjyra, bardh e zi.

Nëse në Tel Aviv u puth një çift për 30 orë, kjo gjë për “botën bardh e zi” është një mëkat; për shkrimtarin është një trill prozaik, për poetin është më shumë se një poezi.

Ndërsa mëkati në ndërgjegjen tuaj ndërton rënimin e shoqërisë dhe jo guximin për të sjellë një botë më të bukur me të vërtetat e brishtësisë njerëzore.

Edhe pse mund të jesh sa një “studio me tatuazhe”, nuk e ndryshon dot idenë klasike se arti s’është temë e lehtë të trajtohet; nuk ka pika fikse referimi dhe të vërteta të pandryshueshme për t’u mbështetur.

Trëndafilat janë avokatët e botës së luleve, kam lexuar diku, po “trëndafilat” e letërsisë kush janë?

Arti është shfaqje që meriton të ulemi në rresht të parë, por vendet janë të limituara, ndaj duhet kërkuar me vetëdije të plotë rreshti të cilit i përkasim.

Mendoj se jetojmë në kohën kur imazhi dominon fjalën dhe tingullin, jetojmë në një epokë zombish artistike, jetojmë në situata ku frymëzimi vjen nga teknologjia dhe jo nga shpirti.

Para më se 170 vjetësh, poeti i madh rus Nekrasov shkruan një poezi me një titull-apel, ekskluziv edhe për sot:

“Së shpejti do të biem pre e kalbjes”…

Filed Under: LETERSI

Marathonomaku i kulturës sonë

January 7, 2026 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Imzot Noli, idetë dhe vizionet e tua për Shqipërinë ende shqetsojnë “shakaxhinjtë e përparimit” që nën petkun e historianëve, kritikëve , estetëve përpiqen të zvogëlojnë veprën tënde.

Fan Noli iu duk i çuditshëm në shoqërinë shqiptare , si i rënë nga qielli kur u thoshte shqiptarëve se pasuria nëntokësore që gjendej në tokë të bejlerëve u përkiste të gjithëve dhe shteti do bënte më të mirën për ta shitur e për të përfituar të gjithë. Iu duk i pafuqishëm ky njeri që thoshte që do t‘u jepte tokë dhe ndërsa fuqitë e Vrangelit dhe bateritë serbe rrihnin kryeqytetin për të sjellë Zogollin, ai luante klarinetë dhe lutej që “fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë”.

E deshën shumë pak fqinjët se do t’u vinte kufirin tek thana, ndaj u bënë të gjithë bashkë me Pashic, Musolin e qeveritarë grekë për të mos e njohur e për ta përmbysur. Mirëpo këtë mëri të fqinjëve, ata të tjerët që kishin rendur në Beograd nga zemërimi popullor i vrasjes së Avni Rustemit e quanin “legjitime”, politikë të drejtë dhe sukses të tyre.

E cilësuan aventurier, sepse kërkonte të sillte qytetërim dhe barazi në një vend që s’kish ndryshuar për qindra vite me radhë. Gëzonin dhe fërkonin duart që ai s’i njihte dredhitë e vogla orientale të mësuar në oborre pashallarësh dhe që u jepnin përparësi që pushtetin e tyre ta shisnin për përparim. Disa historianë e quajnë sot këtë gjë, zotësi të kundërshtarëve të tij, zgjuarsi që buronte nga natyra e tyre popullore. Në fakt nuk është çudi që prej shekujsh në Shqipëri adhurohet i ligu dhe hileqari, që ka mundësi të ta hedhë dhe poshtërojë tjetrin sesa vizionari dhe misionari që mundohet të mbjellë farën e ndryshimit. Fati i personazhit të quajtur Plug të Konicës në “Katër Përralla nga Zuzulandi” ka ndjekur gjithmonë fatin e idealistëve në Shqipëri.

Gjithsesi Fan Noli s’u mërzit kurrë me vendin e vet e mbeti fisnik deri në palcë. E deshi Shqipërinë më shumë se vetja dhe përherë i vinte keq për teatrin mizerabël që kishin ndërtuar “dallkaukët” dhe “kopukët” dhe “turmat pa tru”.

I paepur vazhdoi të kulturonte veten dhe kombin e vet me përkthimet dhe letërsinë që krijonte, duke u dhuruar shqiptarëve vargje të mrekullueshme dhe vepra të klasikëve i bindur se një ditë fjalimi i Mark Antonit te “Jul Qesari” do të kuptohej nga brezat që vinë. Ndjekjet e atyre që s’e deshën e përndoqën deri në Amerikë, ku hapnin fjalë se peshkopi që kish synuar reforma në vendin e vet ishte Peshkop i “kuq”, një akuze që i tejkalonte dhe përndjekjet e Komisionit MacCarthy dhe që shumë “studiues” të sotëm i përsërisin herë pas here si “pafajësisht” për të baraspeshuar traktatet e bashkëpunimit me të huajt që nënshkruan të tjerë.

Imzot Noli ju mbeteni gjallë në ndërgjegjen e kombit, një maratonomak që përcjell lajmin e fitores të së mirës mbi të keqen, të së drejtës mbi padrejtësinë, të përparimit mbi prapambetjen.

RRENT, OR MARATHONOMAK

Rent, or rent, rent e u thuaj

Se u çthur ordi e huaj,

Se betejën e fituam

Dhe qytetin e shpëtuam!

Rent, or rent,

Rent, or Marathonomak!

Kap një degë prej dafine

Dhe vërtitesh ndaj Athine,

Nëpër fush’ e brek mi brek

Këmba tokën as t’a prek,

Hip’ e zbrit,

Petrit, Marathonomak!

Ke një plagë, po s’e the,

Djers’ e gjak pikon për-dhe;

Do që ti të jesh i pari,

Për triumfin lajmëtari

Flamur-gjak,

Kuqo, Marathonomak!

T’u tha gryka, po s’të pihet,

T’u mpi këmba, po s’të rrihet,

Se mileti po të pret,

Ankthi zëmrat ua vret,

Vrer e tmerr,

Shpejt, or Marathonomak!

Kurrë kaqë s’dogji djelli

Dhe si plumb s’rëndovi qjelli,

Kurr’ aq ëmbël’ e bukur s’ftoj

Hij’ e lisit edhe kroj;

Turru tej,

Tutje, or Marathonomak!

Vapa mbyt e pluhri nxin

Ferra çjerr e guri grin

Afsha gjoksin përvëlon

Syrin avulli verbon;

Ur’ e prush,

Furr’, or Marathonomak!

Gryka si gjyryk të çfryn

Prej Vullkani flag’ e tym

Se ç’vëngon e se ç’gulçon,

Zëmra brinjët t’i çkallmon

Me tokmak,

Mbahu, or Marathonomak!

Nëna, motra, nusja dalin,

Ngrehin krahët të të ndalin,

Mos, se s’janë veç Najada

Magjistrica dhe Driada;

Lark, or lark,

Lark, or Marathonomak!

Hajde, ja Akropolia,

Ja qyteti e njerëzia

Që të pan’ e që të çquan

Dhe fuqinë t’a rishtuan

Ha dhe pak,

Hajde, or Marathonomak!

Ja, arrive, ua the:

Ç’gas e ç’helm qe kjo myzhde!

“E fituam!”, brohorite

Dhe për tok’ u-përpëlite;

Vdiq, or vdiq!

Vdiqe, or Marathonomak!

Rent kudo, dyke bërtitur,

Nëpër shekuj faqe-ndritur,

Se i vogli shtrin viganin

Dhe i shtypuri tiranin,

Veç e tok,

Tok, or Marathonomak!

Filed Under: LETERSI

ROMANI “I ARRATISURI” I TAIP SULKOS SI NJË LEXIM KRITIK MBI IDENTITETIN, KUJTESËN DHE RRËFIMIN E THYER

January 6, 2026 by s p

Fatmir Terziu/

Romani “I arratisuri“ i Taip Sulkos (2024; Botimet “Naimi“) më ra në dorë mes miqsh. Ishte interesi im, si në të gjithë rastet të lexoj veprat e atyre që nuk i kam takuar fizikisht. Dhe në këtë rast është njësoj me këtë autor, pasi pashë se romani i tij ndërton një univers narrativ ku koha, kujtesa dhe vetja projektohen përmes teknikave të rrëfimit të thyer dhe poetikës së mozaikut. Ndaj u ndala në këtë studim, krahas leximit të vetë romanit në thelb. Ky studim analizon mënyrën se si romani e shndërron arratisjen nga kategori historike dhe politike në një metaforë të përgjithshme ekzistenciale, duke nënkuptuar edhe thelbin metaforik, arratisjen nga vetvetja, nga koha dhe nga mënyrat e detyruara të të jetuarit. Duke u mbështetur në konceptet e narratologjisë bashkëkohore dhe letërsisë së realizmit konceptual, artikulli shqyrton raportin mes autorit dhe vetjes rrëfimtare, funksionin e qytetit imagjinar Anadell, si dhe marrëdhënien midis kujtesës individuale dhe mitologjive kolektive. Përfundimi argumenton se “I arratisuri“ vendos një dialog të ri me traditën moderne shqiptare, duke e zhvendosur qendrën e peshës nga historia tek përvoja e ndërgjegjes.

Në këtë kontekst duhet theksuar se tek “I arratisuri“ koha si mjegull diskursohet nga fakti drejt metaforës. Le ta bëjmë më të qartë. Tek “I arratisuri“, koha nuk funksionon si linjë kronologjike, por si mjegull që hapet dhe mbyllet. Fragmentet narrative, të ndërprera nga ndërprerje të efektshme kohore refleksive, prodhojnë një përvojë që ngjan me ringjalljen e ëndrrave. Kjo duket si një poezi e kohës së paqëndrueshme që e zhvendos vëmendjen nga ngjarja tek përjetimi. Këtu shfaqet një pikë kyçe. Romani nuk synon të ndërtojë një fabul tradicionale me enigmë dhe zgjidhje, përkundrazi, ai ndërton një kozmos të ndërgjegjes, ku e kaluara, e tashmja dhe projektime të së ardhmes bashkëjetojnë në një hapësirë fluiditeti. Kjo qasje vendos romanin në afërsi me traditat e realizmit magjik dhe prozës moderniste, ku e vërteta artistike nuk qëndron në faktin historik, por në saktësinë e ndjesisë.

Autori deklaron vetëdijen për rrezikun e rrëfimit autobiografik, sepse të “rrëfesh për veten” është një fushë letrare e minuar. Në këtë plan, personazhi qendror, Ermiri, nuk është thjesht alter ego i autorit, por produkt i rikrijimit estetik. Romani arrin të ruajë një ekuilibër fin midis zërit autorial (meditativ, analitik, herë-herë sentencios), dhe vetëpërfytyrimit të personazhit (i cili vepron, shfaqet, gabon, dyshon). Kjo ndërvartësi krijon besueshmëri: personazhet nuk imponohen nga autori; ato zhvillohen përmes vetveprimit. Në termat e narratologjisë, romani shmang “autorialitetin dominues” dhe instalon një polifoni zërash, ku kujtesa individuale përzihet me kujtesa kolektive.

Duke nënkuptuar se teknika e rrëfimit të thyer përbën një rrezik objektiv për çdo prozë të gjatë, mund të cënohet kohezioni i brendshëm. Por në romanin “I arratisuri“, thyerjet organizohen rreth disa nyjave strukturore: arratisjet, Anadelli, rikthimet e personazheve në intervale të papritura. Rrjedhimisht, fragmentariteti nuk është shenjë çorganizimi, por strategji estetike. Secili fragment funksionon si guralec i mozaikut, duke kërkuar nga lexuesi bashkëpunim hermeneutik. Në këtë mënyrë, romani evoluon nga lineariteti drejt topografisë së kujtesës, një rrjet rrugësh që të kthen gjithnjë tek qendra e mungesës.

Si pasojë diskursive Anadelli mbetet qyteti si personazh, po aq dhe si arkiv shpirtëror. Kjo është pra, qyteza Anadell, me etimologjinë e saj (anë + dell), që nuk është thjesht hapësirë gjeografike. Ajo është njësi simbolike, vend ku historia njerëzore dhe historia natyrore takohen. Ndryshe nga qytetet “koloniale” të letërsisë botërore, Anadelli ndërtohet si qendër shqiptare e kujtesës, një arkiv i mënyrave të jetesës, ritualeve, frikave dhe shpresave. Në këtë kuptim, Anadelli afrohet me Makondon e Markezit, apo me qytetin e gurit tek Kadare, por pa rënë në imitacion. Ai shfaqet si metaforë e identitetit kolektiv, e një hapësire që ekziston mes reales dhe mitikes, mes dokumentit dhe legjendës.

Duke ndjekur diskursin e këtij narrativi lexuesi ndjen se arratisja trajtohet si kategori filozofike. Kjo sepse, në nivelin tematik, arratisja nuk është vetëm tentativë fizike për të lënë një vend. Ajo bëhet arratisje nga koha e imponuar, arratisje nga format e rreme të jetës, dhe mbi të gjitha, arratisje nga vetja e frikshme. Kështu, romani na çon drejt përfundimit se njeriu modern mbetet gjithnjë “i arratisur”, i dënuar të jetë në lëvizje brenda vetes. Kjo ide dialogon me traditën ekzistenciale evropiane duke prekur idetë dhe mendimet filozofike të Sartre, Camus, por mbetet organikisht e rrënjosur në përvojën shqiptare.

Themi kështu pasi elementi parësor gjuha e narrativit është një pastërti, ritëm dhe neologji. Shkrimtari Taip Sulko i përket prirjes për pastrim leksikor, duke zgjedhur fjalë shqip dhe renditje sintaksore që prodhojnë nganjëherë një tingëllim origjinal. Ky insistim nuk është thjesht purizëm. Ai shërben për të krijuar ritëm rrëfimtar, për ta afruar prozën me ligjërimin oral, pa e sakrifikuar densitetin poetik. Rezultati tek romani “I arratisuri“ i këtij autori është një gjuhë që bart njëkohësisht thjeshtësi dhe erudicion, duke mbajtur lexuesin në vigjilencë semantike.

Dua të theksoj se vetë diskursi i këtij narrativi më obligon të gjej anën më sublime të tij dhe ta shoh këtë vepër si një roman i ndërgjegjes moderne shqiptare. Kjo sepse “I arratisuri“ shfaqet si një vepër ku ndërthuren tre trajektore, trajektorja e kujtesës personale, ajo e përjetimit kolektiv, dhe dimensioni metafizik i kohës. Duke thyer linearitetin dhe duke përdorur poetikën e mozaikut, romani arrin të krijojë një diskurs të ri për “veten shqiptare”, jo si objekt historik, por si fushë e hapur reflektimi. Në këtë mënyrë, vepra kontribuon në konsolidimin e një estetike bashkëkohore shqiptare, ku historia ndjehet, por nuk sundon; ku arratisja pranohet si kusht i njeriut, por shndërrohet në mundësi për vetëdije.

Referenca orientuese:

Teoria e rrëfimit modern (Joyce, Faulkner, Calvino, Proust).

Poetika e realizmit konceptual (Garcia Marquez; Rushdie).

Konceptet e kujtesës kulturore (Assmann).

Tradita moderne shqiptare (Kadare, Xoxa).

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 297
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • BRANKO MANOILOVSKI E THA NË ÇIKAGO: JAM SHQIPTAR!
  • Plisi i Bardhë si Simbol i Identitetit dhe Vazhdueshmërisë Kulturore Shqiptare
  • “Narhelmi – Fshati piktoresk i bashkëjetesës”
  • EDITORI I DIELLIT BAHRI OMARI, PJESË E HISTORISË SË VATRËS DHE SHQIPTARËVE TË AMERIKËS
  • Tomor Dosti, in memoriam…
  • AAGA do të realizojë një studim epidemiologjik mbi kancerin kolorektal në Shqipëri
  • NJË RRËFIM SHUMËDIMENSIONAL PËR HISTORINË E PËRPJEKJEVE SHQIPTARE PËR ÇLIRIMIN DHE KRIJIMIN E SHTETIT TË KOSOVËS, PËRMES AKTIVITETIT PATRIOTIK TË FEDERATËS PANSHQIPTARE “VATRA” DHE GAZETËS “DIELLI”
  • The Western Balkans and the Global Power Competition: Strategic Choices in the Era of U.S.-China – Russia Rivalry
  • Miti i Tryezës së Rrumbullakët dhe Besëlidhja e Lezhës
  • PA U DISTANCUAR NGA E KALUARA, NUK FITOHET BESIMI I SË ARDHMES
  • ADEM JASHARI – KOMANDANTI I PËRJETSHËM I LIRISË SË KOSOVËS
  • 80 VJET NGA PUSHKATIMI I ATË ANTON HARAPIT, NJË GJYQ MES DREJTËSISË DHE PROPAGANDËS
  • Hapet shkolla shqipe “7 Marsi” në Calcinato, Brescia të Italisë
  • Një mundësi e shkëlqyer për dashamirësit e librit dhe mbarë komunitetin shqiptar në Chicago
  • Join us on May 3rd for the 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair — a full day of Albanian pride, culture, food, music, and family fun!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT