• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SFIDAT E INDIVIDIT NË NJË SHOQËRI TË TRAUMATIZUAR NGA DHUNA DHE PUSHTIMI

November 14, 2025 by s p

Një vështrim rreth romanit “Iliriana” të shkrimtarit Reshat Sahitaj.

Dr. Nikollë Loka/

Me romanin “Iliriana”, shkrimtari Reshat Sahitaj ka krijuar një vepër të fuqishme artistike që kombinon realizmin me simbolizmin, duke trajtuar tema të rëndësishme kombëtare dhe njerëzore. Aftësia për të përshkruar jetën e individëve dhe për të ndërtuar një histori që pasqyron kohën dhe kontekstin historik ka qenë një faktor kyç në suksesin e këtij romani të pritur mjaft mire edhe nga kritika franceze, pasi romani fillimisht u botua në frëngjisht. Me një stil të pasur dhe një strukturë që zhvillohet ngadalë, Sahitaj ka arritur të krijojë një vepër, që jo vetëm jep një pasqyrë të jetës në Kosovën e viteve 1980-2000, por edhe e bën lexuesin të mendojë për vlerat e sakrificës kombëtare.

Romani “Iliriana” është një udhëtim emocionues në jetën e një djali të thjeshtë shqiptar, i cili është i detyruar të përballet me sfida të mëdha që e ndryshojnë thellësisht. Forcat që e tërheqin janë dashuria, politika dhe shoqëria, të cilat e formojnë dhe e sfidojnë . Ky është një roman për jetën, për mundësinë e ndryshimit, dhe për atë se si dashuria dhe besimi mund të përballojnë edhe sfidat më të rënda. Agimi, një student që ka interes të thellë për dijen dhe ambicien për të ecur përpara, pa u angazhuar në misione shoqërore, është përfshirë spontanisht në lëvizjen studentore për shkak të dashurisë që ndjen për një vajzë të veshur kuq e zi, dhe ndodhet në një realitet që kurrë nuk e kishte kërkuar.

Tërheqja e një djalë ëndërrimtar, pas bukurisë magjepsëse të një vajze të veshur kuq e zi, në Kosovën e viteve 1980, është një moment kyç në roman, që ka dimensione simbolike dhe letrare,dhe shërben për të shpalosur disa shtresa të thella të karakterit të personazhit kryesor e të kontekstit shoqëror dhe politik të kohës. Ajo që duket të jetë një lidhje e pafajshme romantike, e lidhur me bukurinë dhe emocionet, përfundon të jetë një ftesë për të hyrë në një botë të trazuar, një botë që e detyron të përballet me sistemin dhe të vuajë pasojat. Në një nivel tjetër, tërheqja e Agimit ndaj vajzës kuq e zi është një pasqyrë e përfshirjes së tij në një “dashuri” kombëtare, që do të ndryshonte jetën e tij përgjithmonë. Vajza kuq e zi përfaqëson një “simbol të shpresës”, një lidhje të fuqishme me një traditë dhe një lëvizje që Agimi, edhe pse nuk është aktivisht i përfshirë në politikë, e ndjen në shpirtin e tij. Dashuria e tij për vajzën kuq e zi është forca që e nxjerr jashtë botës së zakonshme të interesave të tij akademike.

Ky pasion i papritur për një femër që ai nuk e njeh dhe që nuk ka asnjë lidhje me idetë e tij, është një forcë që e shpie Agimin drejt një ndryshimi të thellë dhe një angazhimi që nuk e kishte parashikuar. Nga ana tjetër, tregimet e të atit për pararadhësin Adamat, princin legjendar të familjes dhe pastaj libri i gjetur në shpellë shërbejnë si një element kyç për formësimin e vetëdijes kombëtare të Agimit dhe për lidhjen e tij me një trashëgimi të lavdishme dhe heroike, që ka ndikim të fuqishëm në përfshirjen e tij në çështjet kombëtare. Ky koncept i identitetit të trashëguar është një pikë qendrore për zhvillimin e personazhit dhe përmes tij, autori kërkon të shpjegojë se si e kaluara mund të ndikojë në formimin e individëve dhe në vendimet e tyre për të ardhmen.

Agimi, gjatë gjithë romanit, kalon nëpër një proces të thellë transformimi personal. Nga një student që ishte i fokusuar vetëm në dijen dhe shkencën, ai bëhet pjesë e një lëvizjeje të madhe shoqërore. Sahitaj ka një aftësi të jashtëzakonshme për të treguar se si njerëzit ishin të detyruar të ballafaqohen me realitetin e dhunës dhe urrejtjes, të cilat ishin të pranishme në shoqërinë e Kosovës të asaj periudhe, por edhe ishin në gjendje të ndërtojnë lidhje që mund t’i sfidonin këto barriera. Zorica, edhe pse përballet me shoqërinë dhe familjen serbe, të cilët mund të kenë paragjykime të theksuara ndaj shqiptarëve, është e gatshme të shohë përtej këtyre barrierave dhe të tregojë se një individ mund të shkojë përtej urrejtjes, dhe ndoshta kjo është një tipar i natyrës njerëzore që kërkon lidhje dhe dashuri, pavarësisht historisë dhe konflikteve që ndodhin rreth tij. Sahitaj është i kujdesshëm që personazhet e tij të mos jenë thjesht figura të përmbushura nga klishe dhe paragjykime, por të jenë individë me përvojë njerëzore, që përpiqen të gjejnë një mundësi për dashuri dhe kuptim, edhe kur kjo mund të duket e pamundur në një botë të mbushur me urrejtje dhe dhunë.

Një pjesë e rëndësishme e romanit është përshkrimi i ngjarjeve politike dhe historike, ku është e qartë se autori ka njohuri të thella për realitetin politik dhe shoqëror të Kosovës, në periudhën e viteve 1980-2000. Përmes jetës së Agimit, autori Sahitaj flet për rezistencën nën rregjimin serb, për periudhën e luftës dhe pasluftës dhe për ndikimin që kjo ka në individë, veçanërisht në një shoqëri që kalon një kohë kaotike dhe traumatike.

Autori ka vënë në gojën e personazhit kryesor një shprehje me shumë kuptim se në shoqëritë e rrezikuara, siç ishte ajo shqiptare në Kosovë, “bashkudhëtarët ecnin në dy rruge, në të lehtë kur kishin leverdi dhe në të drejtat kur nuk kishte rrezik”, që përbën një reflektim të thellë mbi natyrën e zgjedhjeve që individët bëjnë përballë rrethanave të ndryshme dhe kontekstit shoqëror e politik. Përmes kësaj dileme, Reshat Sahitaj shpalos kontradiktën në mes jetës personale dhe angazhimit politik. Te Agimi kemi shfaqjen e vetëdijes që ndryshon me kalimin e kohës, një vetëdije që vjen duke i kuptuar pasojat e luftës dhe të ngjarjeve që ndodhin rreth tij. Përmes këtij reflektimi, është e qartë se rruga e sakrificës kombëtare, që shpesh lidhet me humbjet personale dhe përpjekjet e vazhdueshme, mbetet jashtë fushës së zgjedhjeve të lehta dhe të sigurta.

Në romanin “Iliriana” pasqyrohet edhe një realitet i dhimbshëm, që vjen nga përçarjet shoqërore, interesa personale dhe etja për përfitime, forca që e shkatërrojnë unitetin dhe solidaritetin kombëtar. Sahitaj e trajton këtë realitet brendashqiptar me një kritikë të thellë dhe një vështrim të qartë mbi mënyrën se si shoqëria shqiptare zhvillohet dhe sillet në kohë të tensionuara. Kjo është pasqyruar në marrëdhënien e Agimit me kunatën e tij, e cila ishte një informatore e policisë serbe; apo Albini, një tjetër personazh që tradhton shokët etj. Sahitaj paraqet në mënyrë shumë të qartë mënyrën se si përfitimet individuale dhe ambiciet personale mund të shtypin ndjenjat e bashkësisë dhe solidaritetit kombëtar, duke lënë pas një shoqëri të fragmentuar dhe të pasigurt.

Në romanin e Sahitajt, çlirimi nga Serbia nuk nënkupton një çlirim të plotë për shqiptarët.

Personazhe si matrapazët shqiptarë që bashkëpunojnë me serbët për të nxjerrë familje shqiptare jashtë Kosovës, duke përdorur situatën e luftës për përfitime personale, marrin pozita të rëndësishme në Kosovën e çliruar, duke treguar se kompromiset vijnë falë lidhjeve të nëndheshme që krijohen midis individëve që jepen shumë pas përfitimeve vetjake. Sahitaj përmes romanit të tij shpreh një kritikë të fuqishme ndaj shpërbërjes së solidaritetit kombëtar në periudhën e pasluftës, ku bashkëpunëtorët e pushtetit okupues serb, jo vetëm që nuk janë ndëshkuar, por janë shpërblyer dhe integruar në strukturat e reja të shtetit të Kosovës.

Përmes personazheve të tij, autori shpalos ndikimin e dhunës, përçarjeve dhe të traditës në formësimin e individëve dhe të shoqërisë, duke treguar se përballë këtyre forcave, dashuria dhe angazhimi për një kauzë kombëtare mund të ofrojnë mundësi për ndryshime të thella. Sahitaj trajton gjithashtu përçarjet brenda shoqërisë shqiptare, duke e shfaqur imoralitetin dhe tradhtinë si pasojë e interesave personale që shpesh vënë në dyshim solidaritetin kombëtar.

Romani “Iliriana” trajton një temë të thellë psikologjike dhe shoqërore, duke bërë të qartë se çlirimi politik nuk nënkupton çlirimin shoqëror. Disa prej atyre që ishin viktima gjatë periudhës së okupimit mund të kthehen në abuzues të rinj, dhe kështu shoqëria e pasluftës rrezikon të mbetet e traumatizuar dhe e ndarë, përballë një mekanizmi të dhunës dhe hakmarrjes që e ushqen. Sahitaj me këtë qasje të tij bën një kritikë të fuqishme të realitetit të pasluftës dhe pasojave të papritura që mund të sjellë.

Me një stil të pasur dhe një strukturë të kujdesshme, romani “Iliriana” tregon vuajtjet dhe aspiratat e popullit shqiptar në kohë të vështira, duke e bërë lexuesin të mendojë për çmimin e lirisë dhe çlirimin shoqëror. Çlirimi politik, sipas Sahitajt, nuk është i barabartë me çlirimin e plotë shoqëror, pasi shoqëria mbetet e copëtuar dhe e pasigurt nga përçarjet dhe tradhtitë.

Ky roman është një apel për reflektim mbi natyrën e sakrificës dhe përgjegjësisë dhe një ftesë për të menduar për pasojat e veprimeve tona në periudha të ngarkuara historike. Romani “Iliriana” është një vepër që vazhdon të sfidojë dhe të frymëzojë lexuesit, duke mbetur një pasqyrë e thellë e dilemave dhe realiteteve shoqërore që ende prekin Kosovën si shoqëri e traumatizuar në periudhën postraumatike.

Filed Under: LETERSI

Panairi i Librit, zemra e kulturës shqiptare

November 12, 2025 by s p

Bujar Leskaj/

Sot, më12 nëntor 2025, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, hap dyert Panairi i 28-të Kombëtar i Librit, ngjarja më e madhe kulturore e vitit, që bashkon botues, shkrimtarë, përkthyes, studiues dhe lexues nga gjithë hapësira shqiptare.

Panairi i Librit është prej vitesh zemra e kulturës shqiptare, një hapësirë ku fjala e shkruar merr jetë dhe ku njeriu rikthehet te vetja, përmes leximit. Këtë vit, panairi vjen me një mision të qartë: të ringjallë dashurinë për librin dhe të mbrojë kulturën e shkruar në një kohë të mbushur me zhurmë, urrejtje dhe sipërfaqësi.

Në një realitet shpesh të zymtë e të përditshëm, libri mbetet streha më e sigurt e mendimit të lirë.

Siç thotë nobelisti Mario Vargas Llosa:

“Një popull që nuk lexon, manipulohet shumë lehtë. Një shoqëri me lexues të letërsisë është më e lirë, më demokratike dhe më kritike.”

Megjithatë, pasionit për librin shpesh i mungon mbështetja. Politikat shtetërore për librin në Shqipëri vijojnë të jenë të plogëta, pa mbështetje financiare e pa vizion afatgjatë. Kreu i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, në një konferencë për mediat, theksoi se shumë shtëpi botuese janë përballur me rënie të prodhimit letrar: “Ka botues që nuk kanë asnjë libër të ri, disa vetëm 1–2 tituj, dhe shumë pak që arrijnë të botojnë dhjetëra vepra. Rënia e numrit të botimeve lidhet drejtpërdrejt me mungesën e mbështetjes shtetërore.”

Megjithë këto sfida, Panairi i 28-të i Librit mbetet një manifest i shpresës dhe e krijimit. Të shtunën do të ndahen çmimet për më të mirët e vitit, për autorin, përkthyesin, librin studimor dhe librin për fëmijë, si dhe dy çmime të veçanta nga ambasadat e Francës dhe Polonisë.

Në fjalët e pavdekshme të Ismail Kadaresë, “Ndërgjegjja jonë ka nevojë për librat”, ky është mesazhi që përçon edhe këtë panair: libri si kujtesë, si ndërgjegje dhe si udhërrëfyes drejt një kulture më të lirë e më të ndritur.

Ju ftoj të vizitoni stendën e Shtëpisë Botuese “Plejad”, të studiuesit Ndriçim Kulla, për të njohur nga afër botimet më të reja të Shtëpisë Botuese “Plejad”, si dhe dy botimet e mia të fundit: “për/në Kuvend (Shkrime dhe Diskutime Janar 2021-Dhjetor 2022)” dhe “në Kuvend (Shkrime dhe Diskutime Janar 2023-Mars 2025)”.

Suksese të gjithë krijuesve, përkthyesve, botuesve dhe lexuesve shqiptarë!

Le të mbetet ky panair një thirrje për të lexuar më shumë, për të menduar më thellë dhe për të besuar më fort në forcën e kulturës sonë.

Filed Under: LETERSI

Trashëgimia arbëreshe…

November 10, 2025 by s p

Prof. Begzad Baliu/

Më 26 nëntor të vitit 1954, drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Elhami Nimani, ua dërgonte një letër arbëreshëve të Zarës: leksikografit e enciklopedistit Dr. Kruno Kërstić, shkrimtarit të shquar Josip Rela dhe studiuesit Budimir Perović, me të cilën nxiteshin që të punojnë në identifikimin, mbledhjen dhe regjistrimin e trashëgimisë gojore të arbëreshëve të Zarës, që do të shërbenin si bazë e “një studjim deskriptiv systematik njëheras edhe i fjalorit, por mâsë forti i gramatikës s’këtij nëndialekti të gegënishtës”.

“Ne mendojmë, – thuhet në letrën, të cilën sipas diskursit të gjuhës së saj, nuk është vështirë të konstatohet se është shkruar nga linguisti Selman Riza, – se shqyrtimi përfundimtar, tâanësuer dhe i hollësishëm mund të kryhet soll prej pjesëtarëvet të vetë kësaj kolonije, siç âsht rasa pikërisht me ju të tre”. (…)

“Konkretisht na proponojmë që shoku Budimir të marrë përsipër barren kryesore rreth gjurmimit të landës së duhun; por me kusht që, në fazën e mâtejme të systemimit dhe interpretimit të kësaj lânde, me shokun Budimir të bashkëpunojnë shokët Relja dhe Krstić; kështu që ndjenja gjuhësore nevojisht pak a shumë e lëkundshëme te çdonjâni prej jush, të qëndrueshëmohet /stabilizohet/ nëpër kritikën dhe kontrollin prej anës së dy tjerëvet”. Pa dashur të merremi këtu më gjerësisht me udhëzimet e letrës, dua të theksoj se prej dokumenteve të Arkivit të Institutit Albanologjik dhe arkivave private të albanologëve në Prishtinë, si dhe prej botimeve, kryesisht të revistës letrare “Jeta e Re”, deri në fund të viteve ’60, dhe të përditshmes “Rilindja” më tej, studiuesit arbëreshë, shkrimtarët dhe publicistët e atjeshëm, kanë bashkëpunuar me shumë sukses, me institucione dhe individë, pavarësisht mbylljes së shpejt të Institutit.

Për kureshtjen fillestare, këtu po e sjell një dorëshkrim të studiuesit Budimir Petrović, origjinali i të cilit gjendet në arkivin tonë personal.

(Begzad Baliu, Nga një studim në proces)

Filed Under: LETERSI

Një histori jo vetëm familjare për dhembshurinë dhe moralin

November 10, 2025 by s p

Nga Visar Zhiti/

Përse, kur një nënë me djalin në burg, që shkonte për ta takuar, udhëtonte aq gjatë gjithandej bashkë me të bijën, e cila gjithashtu kishte me vete të bijën e saj, një vogëlushe që ndoshta aq ishte, sa një buqetë lulesh… po përse, pra, e merrnin nga pas? Duke e hequr nga lodrat, nga shkolla, nga… Nga ç’e hiqnin tjetër, ç’donin t’i jepnin më shumë? Sipas rrëfimit, ajo vogëlushe shkonte me mamin dhe gjyshen për të parë dajën, që ta përqafonte, qoftë edhe përmes hekurave të burgut. Buqeta metaforike e luleve rritej me vezullime lotësh përsipër si pikla vese, ndërsa burgu s’mbaronte e s’mbaronte… Mund të shkruhej një poezi kështu? Atëherë ishte e ndaluar! Shqipëria tmerrësisht e varfër dhe e egër, me halle dhe çështje të rënda ekzistenciale, si lule kishte plagët, ndërsa rrugë ishin edhe rrugët e lotëve faqeve të saj. Tre breza, dy zonja dhe një vogëlushe, zonjushëz, nga një familje, në epokën kur s’lejohej të përdorej fjala “zonjë” ose shihej me përçim a si fjalë armiqësore dhe familja ndërkaq po tronditej, në një rrugëtim infernal. Po përse e merrnin me vete atë vogëlushe? Përveç ngushëllimit që sillte, por edhe gëzimit, çfarë tjetër parandihej? Besoj është një dukuri e rrallë, a vetëm e letrave shqipe, që sot bij dhe bija shkruajnë për prindërit e tyre, për t’i ribërë ata, kam thënë, sepse ishte një kohë e keqe dhe me absurd mizor – diktatura, thënë qartë – që donte t’i zhbënte duke i përndjekur, duke i dënuar me internime e burgje, por edhe duke ua marrë jetën fare, vetëm pse s’mendonin siç do të donin sundimtarët dhe ishin kundër regjimit të tyre, shpesh edhe duke vepruar, sepse kishin një ëndërr, një ideal të lartë, duke e dashur atdheun si një familje të madhe etj.

Nënat e të dënuarve, motrat dhe bashkëshortet e tyre, edhe fëmijët, ndiheshin të dënuar dhe ashtu ishin. Kalvari i tyre ishte po aq i rëndë, edhe më shumë i pabesueshëm. Ndërkaq rropateshin në punërat më të rëndomta, nën stres dhe përndjekje, për të nxjerrë bukën e gojës, mbanin familjen e mbetur dhe nderin, rendnin burgjeve për tek ata, të burgosurit e tyre, iu gjendeshin për t’u çuar ca ushqime, shpresë e dashuri, duke përfunduar edhe vetë ndonjëherë po aq keq në prishje të familjeve, çmendinave, brenda telave me gjemba dhe hekurave. Por shpesh e më shpesh ato janë përballur dhe kanë qëndruar me dinjitet. Edhe qëndresa për të qenë grua është një epikë e mrekullueshme, ndër faqet më të bukura në historinë tonë, nëse do të kishim një histori të moralit dhe të dhembjes. Kur kështjellat tona binin një nga një dhe pllakoste nata shumëshekullore e pushtimit, teksa burrat dhe djemtë që rriteshin i merrnin nizamë a shkonin maleve për të ndezur një kryengritje të re skënderbeiane, ishin gratë ato që mbanin shtëpinë dhe gjuhën. Dhëmbët e rënë të plakave u bënë më të fortë se bedenat/ pirgjet e kështjellave.

Nina nanat, lutjet e tyre para qirinjve, këngët dhe vajet, përrallat, qëndismat, veshjet, vallet ndër dasma, shamia si pëllumb, lotët si brilantet, ruajtën vatrën dhe gjuhën, familjen dhe atdheun. Kur u desh, edhe gratë rrëmbyen armët dhe dolën malit për liri, komite e partizane, edhe mësuese, dhe krijonin parti, shkruanin libra, përballuan edhe gjyqe duke qëndruar si heroina, duruan ndarje dhe burgje, të denja, duke mbetur gra dhe çudia, duke ruajtur mirësinë, por edhe delikatesën dhe duke u përpjekur të jenë të bukura. Pse jo? Edhe me bukuri sfidohej shëmtia, e keqja dhe diktaturat e tyre. Me t’u rrëzuar Muri i Berlinit shembet edhe perandoria komuniste, po kështu edhe diktatura në Shqipëri. Edhe vendi ynë hapet dhe merr rrugën e demokracisë, duke iu bashkuar kulturës perëndimore, të ndërprera aq gjatë… dhe vjen edhe një letërsi tjetër, krejt ndryshe nga ajo e realizmit socialist, e cila s’ishte as realiste dhe as social-iste. Letërsi sirtarësh e quan kritika letrare në botë dhe studimet, por ata që e lëvruan te ne rëndom nuk kishin as sirtarë, as shtëpi, as jetët e tyre. Nga vuajtja dhe dhembjet, nga burgjet dhe internimet, bashkë me ata që u liruan, u lirua edhe ajo, letërsia tjetër, me poezitë, tregimet, me dramat e romanet, me memuaret, të vetës së parë të gjitha, që sollën – e kemi thënë shpesh – atë që mungonte: të vërtetat dhe moralin, aq sa i duhen çdo letërsie. Dhe vazhdon lëvrimi edhe sot e kësaj dite. Ajo u begatua artistikisht dhe me anën tjetër tonën, me dëshmitë e atyre që kishin shkuar burgjeve për të takuar njeriun e tyre. Po shkruanin edhe ata kalvarin e tyre, traumën, sfilitjet, keqtrajtimin, mirësitë e befta që s’duhet të jenë befasi, shpresën etj.

Në këtë prurje trallisëse si një mrekulli janë librat e grave, rrëfimet e tyre, me poezinë dhe muzikën brenda që e kanë vetëm ato. Së fundmi, na vjen edhe libri risi Eleganca e lotëve, me autoren Iris Halili, pedagoge, e njohur për artikujt dhe studimet letraro-psikologjike apo të lidershipit. Kësaj here ajo kujton, por nuk bën thjesht autobiografi a një monografi. Libri i saj në formën më sqimatare është edhe një analizë e kohës totalitariste, kur kaloi fëmijërinë dhe rininë e hershme. Ajo vazhdon Requirem për gjyshen time të mirë që shkroi në vitin 2017, atë ngrohtësi, por edhe shqetësimet e kohës dhe të rritjes, analiza apo psikanaliza sociale, që autorja arrin t’i ndërlidhë edhe artistikisht, duke u dhënë zërin e saj prej fëmije, përzier me zërin e gjyshes e të familjarëve apo tashmë me zërin e gruas dhe të epokës që do të vinte duke na çuar atje në kohë reale. Rrëfimi çelet me njeriun e parë që autorja ka në kujtesën e saj dhe vazhdon me detaje fëmijërore, në dukje të thjeshta, por që kanë çiltërsinë e duhur për të kuptuar dhe hapet me dëshmitë e burgut, përballë atyre dyerve të hekurta e mizore, të para me habinë e një fëmije, që në kujtesë do t’i mbeteshin telat me gjemba, rojat me armë, oficerët dhe turmat e të burgosurve, kokat e tyre të qethura si copa shkretëtire. Irisin e vogël e merrnin me vete mamaja dhe gjyshja për të takuar dajën. Irisit i janë ngulitur në irisin e kujtesës ato udhëtime çudane, që për atë merrnin edhe ngazëllim jete, me stacione, trena, biseda të rriturish, ofshama, peizazhe malore, lumenj, lot, çanta të rënda, pritje, shfaqjen tronditëse të të burgosurit të tyre që dukej sikur dilte nga nëntoka, nga galeritë e ferrit. Në dukje një akt i thjeshtë: ca udhëtime familjare për të takuar një të dashur në rrethana të pamëshirshme. Por, në thelb, është një akt i mbushur me një domethënie të thellë psikologjike dhe historike. Siç thotë Judith Herman, trauma nuk është thjesht një ngjarje e kaluar, por një realitet që jeton dhe frymëzon brenda familjeve dhe breznive.

Gjyshja, duke marrë me vete mbesën e vogël, përpiqej, pa e ditur, të mbante gjallë kujtesën e vuajtjes, duke e bërë atë pjesë të përditshmërisë së fëmijës, në mënyrë që plagët të mos mbesnin pa u parë nga e ardhmja, të kishin dëshmitar dhe të mos shuheshin në harresë. Kështu do të mund të përçohej jo vetëm dhembja, por edhe shpresa dhe forca për të përballuar realitetin e egër. Kishte ardhur një kohë dhe po donin ta gjithmonëzonin duke trumbetuar si humanizëm barazinë, por, në fakt, kjo kishte sjellë ndarjen më humnerore mes njerëzve: Barazitizmi nuk është humanizëm, këtë mos e harro. Ata nuk ishin humanë, ishin xhelozë e smirëzinj dhe këtë moral vendosën. Ndaj edhe rreth vetes frymëzuan njerëzit e tillë se sistemi jep modelin, më pas njerëzit përshtatin apo jo karakterin e tyre me të. Është përmbajtja e asaj që thoshte gjyshja dhe Irisi na e tregon sa me fjalët e saj aq edhe me të vetat. Në pasurim të librave të kujtesës, siç po duan ta quajnë dhe ta ndajnë letërsinë me temë burgjet, internimet, traumat dhe pasojat e tyre, Iris Halili kërkon të sjellë edhe delikatesën e gruas në atë kohë të vrazhdë, me luftë klasash – luftë civile në kohë paqeje, sipas meje.

Nëna e saj i përket asaj fisnikërie të klasave të përmby sura, siç i quanin, familje atdhetare dhe e pasur, një pasuri e vënë me punë e dije, pa shfrytëzuar të tjerë, siç do të akuzoheshin nga fitimtarët pas Luftës së Dytë Botërore, që do të sillnin një realitet më të pashpresë se pushtimi dhe luftërat. Nënës bashkëshorti i merr arratinë jo vetëm për t’i shpëtuar ndëshkimit kapital nga pushteti i ri shtypës dhe i hakmarrjeve me gjak, por si të gjithë ata patriotë që u ndien të mundur, pra, që e humbën atë betejë, por jo luftën dhe shkuan nëpër Europë e Amerikë të vazhdonin përpjekjet atdhetare. Jeta e tyre kaloi nën zhgënjime në luftën e ftohtë mes Perëndimit dhe Lindjes. Ndërsa në atdhe, kur kësaj nëne i rritet djali, jetim me babain gjallë dhe arrin të bëhet inxhinier ndërtimi, dukshëm i talentuar, por edhe qytetar i hijshëm dhe këto ishin “pengesa”, fëmijët e armiqve s’duhej të ishin as të aftë e as të bukur, e arrestojnë dhe e burgosin. Në gjyq do ta akuzonin për sabotim dhe agjitacion e propagandë kundër Partisë dhe shtetit, më saktë Partisë-shtet, diktaturës së saj. Është simbolike në libër kur njëri nga dëshmitarët në gjyq është pikërisht njëri nga shokët e djalit, tashmë të pandehur, që nëna e kishte pritur sa e sa herë në shtëpi duke shtruar tryezën me gatime të shijshme që dinin t’i bënin vetëm duart e saj.

Autorja na tregon se kishin edhe një fletore me recetat e gatimeve të nënës. Kulinaria është edhe kulturë dhe ka studiues në botë që zhvillimet e historisë së njerëzimit i kanë parë nëpërmjet ndryshimit të pjatave të ngrënies. Dhe rrëfimi vazhdon se dëshmitari në gjyq kishte ardhur me xhaketën që ia kishte dhuruar ai që ishte në bankën e të akuzuarit dhe po e dënonin pa mëshirë. Nëna bënte ecejake në sallën e gjyqit, në kujtesën e së ardhmes. Dhe do të vinte një ditë e t’i thoshte së mbesës: Kjo ishte shoqëria ku individi përdor shtetin për t’u hakmarrë ndaj shokut të fëmijërisë që kishte qenë më i kamur a më i mençur se ai, apo më i edukuar se ai. Kjo ishte shoqëria ku artisti apo shkrimtari përdorte shtetin për të dënuar një artist që i bënte hije krijimtarisë së tij. Kjo ishte shoqëria ku dënoheshe pa folur fare, vetëm se dikush të donte të varrosur pa vdekur ende. Kjo ishte epoka kur Partia Komuniste shqiptare krijoi njeriun e ri të idealit komunist. Autorja ndan bindjen e saj se sistemi komunist aktivizoi ligësitë te njerëzit dhe ishte një provë e madhe karakteri për çdo njeri. Historia vetjake dhe ajo sociale lidhen, na kujton Maurice Halbwachs, ku memoria kolektive është një rrjet i ndërlikuar vuajtjesh dhe shpresash. Gjyshja nuk do të donte të ndante vuajtjen me brezin e ardhshëm, por po përbashkonte atë që do të bëhej e kaluar me atë që do të vinte si ardhmëri. Ura e heshtur po ngrihej, jo nga inxhinieri i ndërtimit tashmë i dënuar, por nga mbesa vogëlushe. Dhe si lëndë do të kishte kujtimet, dhembjen.

Dhe unë i njoha ato personazhe.

Siç mund ta shpjegonte Michel Foucault, kur pushteti përpiqet të kontrollojë edhe trupin, edhe kujtesën, veprime të tilla familjare, intime, janë forma rezistence, forma të vogla lirie që mbrojnë të njerëzishmen dhe dinjitetin në një botë të shtypur. Nisin nga brenda vetes, qoftë edhe me një dyshim të paqartë, me një gjest hutimi, me një buzëqeshje a vërshë llimën e një melodie, me një varg apo duke ndjekur me sy një re që kalon mbi telat me gjemba të burgut. Edhe Iris Halili Elegancën e lotëve e sheh si formë të qëndresës. Ndërkaq, ne si retë na shpërngulën në burgun e akullt të Qafë-Barit, të cilin unë do ta rrëfeja në burgologjinë time të dytë Ferri i çarë. Dhe kam një pjesë se si e kujtoj atë: Inxhinieri Dine Fratari buzëqeshi. S’ngjante si e burgosur buzëqeshja e tij e pastër. Ashtu i ri, tërë zell, çdo rruginë këtu, qoshe muri, shesh, shkallë, me grupin e vet të punës, e ndreqte (me fantazi), sajonte vende çlodhjeje, stola, lulishtëza të vogla, copa të munguara qytetthi… Ne po qëndronim derisa u hodhëm në revoltën e madhe, formë sulmi e dëshpëruar për lirinë. Dhe më pas, kur bëj kronikën e revoltës sonë, atë të të burgosurve në Qafë-Bari, kam edhe këtë dëshmi: Komandanti dha urdhër të ngrihej mjeku, të gjithë mjekët. Mos i prekni, u tha policëve. Shpejt pas murit, i urdhëroi. Mbase ka të vdekur. Kë do të pushkatojnë pastaj, të vdekurit? Na duan të gjallë. Pas murit. U shkulën me forcë dhe kryetari i burgosur i riedukimit, Zhabolli… mure ulëritëse, të përgjakura dhe inxhinieri i ndërtimit, Fratari, Dinia, ah, pse… policët qëllonin ku të mundnin, mure të çmendura, mure qelish, të komandës, të Komitetit Qendror të Partisë, Muri i Berlinit, Muri i Madh Kinez, m-uri, ka-m-uri për një ulërimë… dhe për bukë. Dhe ja ç’ndodh me mikun e Dines. E kam futur si një monolog që i ngjan një deliri, por është i vërtetë: Po ku jam? Brenda në arkivol.

Dëgjo, ti do të firmosësh listën me 36 emra të grupit që udhëhoqi revoltën politike të Qafë-Barit. Unë s’e di që revolta ishte politike dhe s’di të ketë pasur ndonjë organizim a grup. Dalip, e kupton ç’po thua? E dimë që ishte ashtu. Asgjë nuk na kushton t’i vëmë kapakun arkivolit, 5-6 gozhdë. Të pëlqen të varrosesh i gjallë? Pra, firmos këtë letër, ja edhe tjetra, vendimi që do të lirohesh. Zgjidh mes dy letrave… S’janë kocka që thyhen. […] Po miku im Dine Fratari? E hoqëm, e flakëm në një tjetër burg, shumë e kanë rrahur edhe atë, dhe Lekë Mirakajn, dhe… po ti f irmos, të thamë, kam porosi nga ministri. Nuk të pres shumë, mund ta kthejmë edhe ndryshe. Ç’bëhet kështu, hetuesí është kjo brenda në arkivol? Është ai, arkivoli i kampit, që na e bëtë peshqesh, s’duhet më për të vdekurit, por për të gjallët… Nuk do të firmosësh? Vërini kapakun arkivolit. Edhe harresa e qëllimtë është një arkëmort për ato që duhet të jenë ende gjallë.

Duke treguar për protagonisten, nënën e Dines, zonjën Ganimet Gjilani Fratari, mbesa e saj, Iris Halili, me librin Eleganca e lotëve mban gjallë një amanet të saj, edhe pse i pashkruar, vetë atë dhe risjell edhe gra të tjera, shoqe të saj, të goditura rëndshëm nga regjimi dhe harresa, si shkrimtaren e parë grua në letrat moderne shqipe, zonjën Musine Kokalari, apo edhe zonjën luftëtare Drita Kosturi etj. Po edhe miqtë, si At Zef Pllumi dhe Pjetër Arbnori etj. Bashkë jemi më gjallë. Në shtëpinë e re të Dines në Tiranë kam shkuar edhe unë të takoja nënën e tij. Shkoja me Edën time me një tufë lulesh në dorë. Edhe Eda ka pasur stërgjyshen ashtu, të pamposhtur, ikte me kalë të takonte djalin e saj në burgun e kënetës së Maliqit, merrte me vete edhe nusen e djalit. Diktatura ishte në fillimet e saj. Në atë burg ishin edhe shkrimtari Mitrush Kuteli, edhe poeti dhe filozofi Arshi Pipa që u arratis etj. Dhe më ndërmend një skenë tjetër nga libri i Irisit kur diktatura po i afrohej fundit, një nga ato udhëtimet natën tek ktheheshin nga burgu – udhëtuan me një tren pune, u futën si fshehurazi në lokomotivën që do të ketë hingëllirë si një kalë metalik i azdisur. Gjyshi i Edës sime, Dane Zdrava, u shua në burgosjen e dytë të tij, në atë vit që arrestuan Dinen dhe mua, edhe pse ai i kishte bërë aq e aq të mira dhe shërbime qytetit të tij, Beratit – solli kinemanë e parë atje, makinat shirëse, bënte pajën e vajzave të miqve të tij kur martoheshin, hapi edhe dyqanin e modës në Tiranë, kurse në Romë prenotonte sallat e takimeve që bënte shkrimtarja Musine Kokalari me miqtë.

Ndaj ky libër është një mirënjohje dhe dëshmi për të gjitha gratë dhe vajzat që vuajtën, një pjesë internimeve e burgjeve dhe një pjesë duke shkuar burgjeve për t’iu gjendur pranë familjarëve të tyre. Ishin këto gra dinjitoze që mbajtën familjet dhe kuptimin e saj shenjtërisht të pacenuar nën sundimin e diktaturës komuniste. “Familja është vendi ku thuhet çdo gjë, duhet çdo gjë dhe pranohet çdo gjë dhe ku çdo gjë jashtë mureve të saj është adaptim”, – tregon Irisi se ç’i thoshte gjyshja, që vazhdimisht lutej me besimin në Zot. Dhe ky besim ishte forcë e pazëvendësueshme shpirtërore, e prekshme, kur s’lejohej ta prekje. E kujtojmë zonjën Ganimet në shtëpinë e saj. Në sallonin mes asaj qelqnaje shandanësh e servisesh edhe ajo ashtu e qelqtë vezullonte, gjithë sharm dhe fisnikëri. E folura e saj kishte ngrohtësinë e çajit që na shërbente me aq delikatesë. Magjepsesha kur tregonte për librat që po lexonte, edhe ata të poezive të mia, të porsabotuar, edhe për shkrimet nëpër gazeta. Shqipëria po ndryshonte… Dinia ndërkohë ikte, kishte punë plot me ndërtimet. Ne vazhdonim bisedën.

Traumën Kai Erikson e kuptonte si plagë jo vetëm të individit, por të shoqërisë së tërë, një plagë që kërkon të shërohet në trupin dhe shpirtin kolektiv. Jeta dhe kujtesa duhet të vazhdojnë, se brezat duhet të lidhen, pavarësisht diktaturave dhe postdiktaturës… Një përkujdes i tillë duket se është edhe libri i Irisit, me çështje të mëparshme, me retrospektiva, me të tashmen dhe perspektivën, me krahasime kohësh apo edhe me ndërprerje mes tyre. Ndërkaq, është edhe himn i qëndresës së gruas, me ëndrrën, edukatën dhe mallkimin në buzët e realitetit, me delikatesën e saj dhe bukurinë femërore, siç e thamë, deri edhe me veshjen dhe modën, me ato ndjesi që mbeten përjetësisht të brishta si vetë femra. Patjetër, edhe me lotët.

Është një befasi domethënëse që titulli Eleganca e lotëve del nga një pikturë, portreti i protagonistes, realizuar nga një hebre në kohën e holokaustit, kur ai gjeti mbrojtje dhe strehim në familjen e saj, në shtëpinë e tyre dhe në këtë libër. Thurima e madhe e kësaj letërsie që erdhi nga ferri më ndërmend qilimin mitik të Penelopës, që dukej i pambarimtë si vetë dhembja, që kalon nga njëri libër në tjetrin, shthuret në ditët e kujtesës, shthuret në natën e harresës, por fijet në avlëmend janë rrëketë e lotëve, të dukshëm dhe të padukshëm.

Përse, kur një nënë me djalin në burg, që shkonte për ta takuar, udhëtonte aq gjatë gjithandej bashkë me të bijën, e cila gjithashtu kishte me vete të bijën e saj, një vogëlushe që ndoshta aq ishte, sa një buqetë lulesh… po përse, pra, e merrnin nga pas? Duke e hequr nga lodrat, nga shkolla, nga…? Nga ç’e hiqnin tjetër, ç’donin t’i jepnin më shumë? Të jetë ndier ajo që nuk do të mund të shprehej në fjalë, një parandjenjë e rëndësisë së kujtesës, një forcë e brendshme që do t’i ndihmonte brezat e ardhshëm të saj të përballonin të kaluarën dhe të mbijetonin më përtej? Të ishte një formë shërimi për më pas? Apo thjesht që të shkruante këtë libër, Eleganca e lotëve.

Filed Under: LETERSI

“DËSHMITARI I RREMË”- NJË MONUMENT ARTISTIK PËR SHERIF MERDANIN

November 7, 2025 by s p

Çerçiz Loloçi/

Promovohet në librari “Onufri” romani i shkrimtarit Bujar Skëndo.

Në takimin e organizuar para pak ditësh në Librarinë “Onufri”, në prani të kamerave të disa TV-ve, ishin të pranishëm shkrimtarë, studjues të letërsisë, poetë e lexues të shumtë, botuesja Enxhi Hudhri. Ishin, gjithashtu, bashkëshortja e këngëtarit të madh zonja Rozalba Merdani dhe djali Geri Merdani. Po ashtu, edhe motra e kompozitorit të famshëm Kastriot Gjini, zonja Luljeta Gërmenji.

Promovimin e moderoi redaktorja e romanit Kadia Dedja.

K. Dedja: Romani “Dëshmitari i rremë” merr shkas nga ngjarje të vërteta të ndodhura 54 vjet më parë, pikërisht pas Festivalit të 11-të të Këngës në Radio Televizion dhe që u pasua me dënimin dhe ndëshkimin e shumë protagonistëve të këtij festivali. Përse pritët kaq gjatë për ta shkruar?

B. Skëndo: Nuk kam një përgjigje të saktë për këtë pyetje. Dhe ndoshta, as nuk mund të ketë. Por në kujtesën time dhe të gjeneratës sime kjo ngjarje ka lënë shenja të forta, të pashlyeshme nga koha. Unë e ndieja praninë e saj, por nuk guxoja ta prekja. Dhuna e përbindshme ndaj artistëve, shtypja, fyerja e rëndë e qindra mijëra adhuruesve të këngëve të Sherif Merdanit, nga njëra anë dhe urrejtja ndaj artit e artistëve, arrestimi, dënimi me burg, syrgjynosja nëpër miniera e kantiere, ishte një tradhëti e pacipë e diktaturës ndaj një një brezi të tërë admiruesish për prirjet e reja të letërsisë e arteve dhe posaçërisht për këngëtarin Sherif Merdani dhe të këngët e tij. Nuk e tepëroj aspak të them se ai ishte “Xhon Lenoni” i brezit tonë. Romani lindi nga pakënaqësia e thellë, refuzimi, trishtimi, zemërimi ndaj asaj diktature të etur për dhunë e burgime artistësh. Vërtet tepër vonë, 54 vjet, por kur nisa ta shkruaj romanin, nuk m’u deshën më shumë se pesë muaj për ta mbaruar. Shkrimtari nuk shkruan kurrë nga lumturia. Nobelisti hungarez i këtij viti thoshte se shkruan nga pikëllimi për fatet e zymta të njerëzimit…

K. Dedja: Sandër Baraj (dëshmitari i rremë) dhe Seran Mejdani (Sherif Merdani), dy personazhet qëndrore të romanit, përfaqësojnë dy forma të kundërta përballë sistemit dhe vetvetes. Si e konceptuat këtë kontrast?

B. Skëndo: Janë dy figura antitezë që përballë njëri tjetrit zbulojnë vetveten dhe tjetrin. Kështu funksionon zakonisht në jetë dhe në letërsi. E mira përballë të ligës. Më e mira përballë më të ligës. Serani- Sandri janë dëshmi artistike të kësaj të fundit. Talenti nga njëra anë dhe mediokriteti nga ana tjetër. Njeriu i vlerave të larta dhe karikatura. Këngëtari me talent hyjnor, njeriu I vlerave të larta morale dhe dëshmitari i rremë, i pistë, mashtrues, shitës i shpirtit tek një blerës edhe më i pështirë, diktatura.

K. Dedja: Sa e rëndësishme është për juve të theksoni këtë kontrast?

B. Skëndo: Po ky kontrast është vetë romani. Kështu është konceptuar. Romani është një himn për këngëtarin e rinisë të viteve ’70- ’80 Sherif Merdani dhe të gjithë artistët e mëdhenj që u dënuan si Bujar Kapexhiu, Mihallaq e Edi Luarasi dhe dhjetra të tjerë nga teatri, drama, piktura… Dhe përballë tyre diktatura përplot me spiunë, dëshmitarë të rremë, sigurimsa, sekretarë të parë, hetues, prokurorë. Nga fundi i piramidës deri në majë të saj. Të gjithë të etur për dhunë, burgime e pushkatime, armiq të kulturës e artit. Një qarkore e partisë sipas së cilës çdo rreth, çdo qytet, siç ka planet e realizimit të korrje- shirjeve, duhet të ketë edhe planet e zbulimit dhe dënimit të armiqve të tij. Pas kësaj, në qytetin provincial të Librazhdit zorëron një klimë terrori, frike e ankthi të pandërprerë. Nisin arrestime, dënime të rënda. Përgatitje dosjesh për arrestime të reja, si dosjet e dy poetëve nga fshati Bërzeshtë që u pushkatuan për poezi gjoja armiqësore, moderrniste…

Diskuton Sadik Bejko, shkrimtar i mirënjohur, studjues, bashkëautor i parathënies: Romani “Dëshmitari i rremë” është një monument që Bujari i ka ngritur Sherif Merdanit. Por edhe një simbol për gjithë artistët e dënuar e të persekutuar nga diktatura pas Festivalit të 11-të. Por dëshiroj të theksoj se këta artistë nuk u dënuan vetëm nga diktatura, por edhe nga heshtja e shoqërisë së kohës. Romani është shkruar bukur, me stil të rrjedhshëm dhe gjetje interesante formash strukturore, sikundër edhe dy romanet e mëparshme. I uroj sukses Bujarit.

Fjala i jepet zonjës Rozalba Merdani, bashkëshortja e këngëtarit të madh: “Për mua dhe Gerin ishte shumë befasuese të merrnim vesh se një roman i ishte kushtuar njeriut tonë më të shtrenjtë. Nuk e kishim idenë se mund të ndodhte diçka e tillë: Të shkruhej një roman për Sherif Merdanin. Por ja që ishte e vërtetë. Zoti Skëndo ka shkruar një roman të shkëlqyer për një artist të madh si Sherifi. Nga dosja që kemi në shtëpi, kam kuptuar personin e vërtetë që fshihet pas titullit, personazhi Sandër Baraj. Në roman ndihet neveria për dëshmitarin e rremë, të cilin e kemi takuar një herë bashkë me Sherifin në Tiranë, pas viteve ‘90. Sikundër ndihet adhurimi në përshkrimet psikologjike dhe shumë detajeve artistike për këngëtarin e admiruar nga brezat e asaj kohe. Romani ka një vërtetësi rrëqethëse, stil dhe shumë dashuri në përshkrimin e heroit, Seran Mejdanit. Është vërtet një monument artistik që shkrimtari Bujar Skëndo i ka ngritur bashkëshortit tim, Sherif Merdanit. Për mua gjithçka ishte shumë prekëse. Duke e lexuar romanin kam përjetuar momente të paharrueshme. I jemi shumë mirënjohës shkrimtarit. Ka shkruar një roman të jashtëzakonshëm. E falënderoj”…

Luljeta Gërmenji, motra e kompozitorit Kastriot Gjini (që në roman vjen me emrin Olti), pasi e vlerësoi romanin, solli kujtimet e saj për një kartolinë që Sherif Merdani i kishte dërguar nga burgu i Burrelit kompozitorit të këngëve të tij, Kastriotit, me rastin e një Viti të Ri. “Kishte edhe katër vargje me nëntekst që vetëm Kastrioti i kuptonte, u shpreh ajo. – E kemi ruajtur atë kartolinë për vite të tëra. Por për fat të keq nuk e kemi më. Diku ka mbetur, gjatë transferimeve të familjes nga një shtëpi në tjetrën. Ndoshta është diku, në bibliotekë, por deri më sot, megjithë kërkimet, nuk e kemi gjetur. Faqet e librit në të cilat shkrimtari ka përshkruar një vizitë imagjinare të Oltit në qelinë e Seranit, ishin mjaft të ndjera, ishin të mrekullueshme. E përgëzoj shumë zotin Bujar Skëndo”.

K. Dedja: Në burg Seranit i shfaqet një ëndërr- hije, një vizitë e pazakontë nga miku dhe krijuesi i këngëve të tij, Olti, që ju e jepni me një togfjalësh shumë të bukur, “vizitë e ëndërrt”. Një gjetje interesante, mbresëlënëse.

B. Skëndo: Të falënderoj për vlerësimin. Kjo vizitë, si të thuash, prej ëndërre, e vetmja në qelinë e Seran Majdanit, ishte tepër mallëngjyese për këngëtarin. Mes përgjumjes dhe mosfjetjes ai dallon midis errësirës së qepallave dhe “natës së përhershme të qelisë”, hijen e mikut të tij të shtrenjtë. Një skenë plot mistere e kumte. I kishte bashkuar talenti, kjo dhunti e natyrës, kjo dhunti e Zotit. I kishte ndarë diktatura. Dhe njëkohësisht, u kishte burgosur edhe këngët e mrekullueshme. Atë ditë që jam ulur përpara laptopit, siç ndodh zakonisht me shkrimtarët, nuk e kisha idenë çfarë do shkruaja. Por pasi kisha shkruar dy- tre radhë pavetëdijshm, po kuptoja çfarë po shkruaja. Nuk po u besoja syve. Ndërkaq, vetëdijshëm kisha “dalë nga mjegulla”. U ndjeva aq i lumtur. I gëzuar për gjetjen e “vizitës së ëndërrt” dhe dialogut midis të burgosurit dhe hijes se kompozitorit më të talentuar të kohës. Iu riktheva sërish dhe shkrova pa ndërprerje, pa lëvizur nga vendi, ato dhjetë faqe të vizitës. Për mua, por edhe për disa lexues, janë nga faqet më të bukura të romanit. Në mos më të bukurat.

Diskuton Bardhosh Gaçe, Profesor Emeritues, Akademik: “E konsideroj një prurje të rëndësishme romanin ‘Dëshmimtari i rremë’ të Bujar Skëndos për disa arsye:

Së pari, romani është një prerje e imtë e kohës, ku raporti i individei me kohën ka qenë i censuruar, i kontrolluar dhe i orientuar nga ideologjia dhe mekanizmat e saj; Së dyti. romani, përveç kujtesës, njohjes për kohën që mbart bremda vetes, ai e pasuron me një ngjarje të një natyre tipike, brenda sublektit të romanit ka ngjarje e episode artistikisht të vërteta e realiste; Së treti, autori vazhdon të pasurojë profilin e tij prej romacieri, duke krijuar një lloj kredoje për shkakun e natyrës së thellë psikologjike e psikoanalitike të mjediseve, gjendjeve dhe karaktereve, të cilët përbëjnë tharmin e qëndrueshëm të një vepre”.

Diskuton shkrimtari Izet Duraku: “Romani ‘Dëshmitari i rremë’ është një vepër e shkruar me thellësi mendimi, stil dhe forma shprehëse të gjetura. Nxjerrja që në titull e “dëshmitarit të rremë”, është diçka e re në letërsinë tonë. Nuk e kam ndeshur kund. Romani ka skena dramatike, ankth, frikëra, por edhe grotesk. Të dyja me të njëjtin synim artistik: Zbulimin sa më të plotë të tërbimit dhe verbimit të diktaturës në shtypjen, dhunën ndaj qytetarëve të vet dhe armiqësinë ndaj artistëve të vërtetë e të talentuar. E uroj Bujarin për këtë roman mjaft të mirë”.

Në promovim folën edhe mjaft shkrimtarë të tjerë.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 297
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • BRANKO MANOILOVSKI E THA NË ÇIKAGO: JAM SHQIPTAR!
  • Plisi i Bardhë si Simbol i Identitetit dhe Vazhdueshmërisë Kulturore Shqiptare
  • “Narhelmi – Fshati piktoresk i bashkëjetesës”
  • EDITORI I DIELLIT BAHRI OMARI, PJESË E HISTORISË SË VATRËS DHE SHQIPTARËVE TË AMERIKËS
  • Tomor Dosti, in memoriam…
  • AAGA do të realizojë një studim epidemiologjik mbi kancerin kolorektal në Shqipëri
  • NJË RRËFIM SHUMËDIMENSIONAL PËR HISTORINË E PËRPJEKJEVE SHQIPTARE PËR ÇLIRIMIN DHE KRIJIMIN E SHTETIT TË KOSOVËS, PËRMES AKTIVITETIT PATRIOTIK TË FEDERATËS PANSHQIPTARE “VATRA” DHE GAZETËS “DIELLI”
  • The Western Balkans and the Global Power Competition: Strategic Choices in the Era of U.S.-China – Russia Rivalry
  • Miti i Tryezës së Rrumbullakët dhe Besëlidhja e Lezhës
  • PA U DISTANCUAR NGA E KALUARA, NUK FITOHET BESIMI I SË ARDHMES
  • ADEM JASHARI – KOMANDANTI I PËRJETSHËM I LIRISË SË KOSOVËS
  • 80 VJET NGA PUSHKATIMI I ATË ANTON HARAPIT, NJË GJYQ MES DREJTËSISË DHE PROPAGANDËS
  • Hapet shkolla shqipe “7 Marsi” në Calcinato, Brescia të Italisë
  • Një mundësi e shkëlqyer për dashamirësit e librit dhe mbarë komunitetin shqiptar në Chicago
  • Join us on May 3rd for the 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair — a full day of Albanian pride, culture, food, music, and family fun!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT