• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

72 vjet nga shpallja në Paris e Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”

August 26, 2021 by s p

26 gusht 1949 – 26 gusht 2021: 72 vjet nga shpallja në Paris e Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”. Disa ditë më pas, kryetari Mid’hat Frashëri iu drejtua shqiptarëve nga Radio BBC në Londër, dhe mes të tjerash tha: “Vija e jonë do të jetë kurdoherë e drejtë, programi ynë është të fitojë indipendencë dhe të sigurojë integritetin e vëndit tënë. Duam që shqiptari të ketë shpirtin dhe mëndjen gjithmonë për të mirën e Shqipërisë. Do të përpiqemi të themi kurdoherë fjalën e drejtë dhe të rrëfejmë udhën e mirë. Kjo është lutja e jonë ndaj Zotit të madh dhe lusim që gjithë shqiptarët e vërtetë të rrëfehen të denjë për të qenë shërbëtorët e Shqipërisë.“MID’HAT FRASHËRI BBC, LONDËRShtator 1949Foto: Mid’hat Frashëri, Abas Kupi dhe anëtarë të tjerë të Komitetit Kombëtar “Shqipnija e Lirë” pak minuta para fjalimit historik të Mid’hat Frashërit në Radion British Broadcasting Corporation (BBC).

Marrë nga faqja në FB e “Mid’hat Abdyl Frashëri”

Filed Under: Opinion Tagged With: abaz kupi, Mid'hat Frasherin

KONICA, SHPIRTI I QYTETËRIMIT DHE “VATRA”

August 26, 2021 by s p

Nga Anton Cefa/


Konica, personaliteti shqiptar më i kulturuar i kohës së tij, e pau me dhimbje kraharori gjendjen e ulët të qytetërimit të popullit tonë dhe të emigantëve shqiptarë të Amerikës, jo vetëm në rrafshin e kulturës material e të nivelit të jetesës, por sidomos në atë të kulturës shpirtërore dhe të zhvillimit shoqëror të shoqërisë shqiptare; e vuri në dukje në shkrimet e tija, e shqyrtoi me sytë e një sociologu, e këshilloi me zemrën e një edukatori atdhetar idealist dhe kritikoi ashpër po me këtë zemër. Duhej kultivuar brumi fisnik i shpirtit shqiptar, virtytet e vyera; duheshin luftuar veset, duke punuar për formimin e vetëdijes qytetare tek shqiptarët emigrantë dhe, krahas saj, të vetëdijes kombëtare, duke i ndërgjegjësuar ata për të drejtat dhe detyrat që kanë ndaj shoqërisë dhe shtetit – shtetit amerikan dhe shtetit shqiptar, me synimin që të përpiqen dhe të punojnë në dobi të shoqërisë së tyre dhe shtetit shqiptar. Është e vërtetë ajo që ka thënë mendimtari i viteve ’30, Vangjel Koça, për Konicën: “Në vend që t’a merrte problemin e brendëshëm shqiptar si problem edukate, . . . për fat të keq e mori si problem kamxhiku dhe sharjeje”. E përsëris që kjo është plotësisht e drejtë për polemikat e tij në marrëdhënie me kundërshtarët e tij politikë, sepse “toni i luftave të tija politike të brendëshme – siç thotëKoça – nuk ka qenë aspak i fismë”; por nëse e trajtojmë personalitetin e tij në marrëdhënie me njerëzit e thjeshtë, dhe, në rastin tonë, me emigrantët shqiptarë të Amerikës, nuk mund të pohohet një gjë e tillë. Dëshmi është e gjithë veprimtaria e tij këtu, në plan të parë, në gjirin e “Vatrës”. Në hullinë e qytetërimit, një rëndësi të veçantë, ai i jepte ngritjes morale dhe kulturore të qytetarëve, gjë që e konceptonte në dy rrafshe: në atë teorik dhe në atë praktik, në njohjen dhe në stërvitjen. Në kapitullin e parë të “Kanunores dhe Rregullores së Federatës Panshqiptare VATRA” – e njohur nga administrate amerikane e shtetit Massachusetts, më 13 qershshor 1912, dhe botuar për herë të parë në shtypshkronjën e “Vatrës”, në tetor 1926, – aty ku bëhet fjalë për “Qëllimet e Federatës”, vihet si qëllim kryesor: “Të përhapë në mes të Shqipëtarëve t’Amerikës stërvitjen dhe doktrinat morale.” (Neni 3). Konica së bashku me Nolin dhe atdhetarë të tjerë krijuan dhe organizuan “Vatrën” si një institucion të edukimit kombëtar e qytetar. Duke e futur në Kanunore dhe duke e sendërtuar në praktikën e punnës së “Vatrës”, Konica e shndërroi edukatën qytetare nga një synim në një veprimtari të organizuar. Që në fillim, në Kanunoren, ai përcakton edhe rrugët për arritjen e këtij synimi. Në nyjën 1 thuhet: “Të ritë në mes të Shqipëtarëve t’Amerikës, dhe me anë të tyre në mes të Shqipëtarëve të Shqipërisë, shpiritën e ndihmës në mes të tyre dhe të dashurisë për kombësin’ e tyre me anë konferencash popullore dhe botimesh.” Dhe këtë punë, ai filloi ta vinte në jetë që me krijimin e “Vatrës”, e vazhdoi gjatë kohës kur qe kryetar i saj, dhe më vonnë, vazhdimisht, me dashuri e përkushtim martiri, me shpirtin e tij, në të cilin siç është shprehur Noli “mbretëronte si njëfarë perëndie ideali stoik i detyrës.” Me aftësitë organizative, me punën e ti propagandistike, me konferencat që mbajti në periudhën para dhe pas formimit të “Vatrës” dhe më vonë, kur vizitonte kolonitë e mërgimtarëve, me shkrimet dhe artikujt publicistikkë, etj., ai u bë një edukator i flaktë i emigrantëve, arriti të shuajë mospajtimmet e kundërshtimet që kishin shoqatat me njëra-tjetrën, duke i shndërruar ato në degë të Federatës, i udhëhoqi në rrugët e vështira të formimit të vetëdijes qytetare dhe kombëtare. Ndihma e ndërsjelltë është shfaqje konkrete, e prekshme e dashurisë për njëri-tjetrin, dashuri që të çon drejt dashurisë për kombësinë, ashtu siç ndodhi dhe siç e kishte parashikuar, dhe për të cilën punoi Konica. Këtë normë morale, ai e pati vënë në Kanunore, tek qëllimet e krijimit të Federatës: “Vatra” krijohet “të ndihë moralisht për përmirësimin e anëtarëve të Federatës dhe të mprojë sa të mundë imigrantët dhe punëtorët shqipëtarë.” (Neni 4). Historia e “Vatrës” dhe historia e bashkësisë shqiptaro-amerikane e kanë dëshmuar katërcipërisht një gjë të tillë. Në historinë e “Vatrës”, ndihma e ndërsjellë nga dimensione individuaale kaloi në dimensione kombëtare, duke u bërë një faktor i jashtëzakonshëm i funksionimit të organiatës dhe i shpëtimit të Shqipërisë dhe zhvillimit të saj. Duke çekur këtë problem, Gurrazezi në “Historia e Federatës VATRA” ka thënë: “Me ato punë të rënda dhe rogë të vogëla, punëtorët shqipëtarë t’ Amerikës ndihmuan familjet e tyre në Shqipëri, përmirësuan tepër ndodhjen ekonomike të vendit të lindjes së tyre, dhe bënnë çudira duke ndihmuar me duar hapur për lëvizjen kombëtare . . . N’ Amerikë ka patur shumë mijëra shqipëtarë, po fakti është se çudirat i bënë vetëm Vatranët: ata 5000 shqipëtarë që ishin anëtarë të Federatës VATRA, ndotha edhe më pakë se aqë. . . ”* * * Në kapitullin “Anëtarët”, vihet si kusht pranimi në Federatë qëndrimi moral: “Çdo Shqipëtar . . . që ka sjellje të mirë . . . munt të kërkojë të bëhet anëtar i “Vatrës” (Neni 6). Por për t’u anëtarësuar nuk mjaftojnë sjellja e mirë dhe ndershmëria, vatrani duhet të dojë dhe të respektojë deri në një Kanunoren e “Vatrës” dhe “kanunet dhe institutat e Shteteve të Bashkuara.” Respektimi ndaj ligjit është gur themeli në ndërtesën e shtetit dhe të shoqërisë, shenjë qytetërimi. Një punë të madhe bëri Konica për formimin e vetëdijes qytetare tek emigrantët shqiptarë, duke i ndërgjegjësuar ata për të drejtat dhe detyrat që kanë ndaj shoqërisë dhe shtetit, me synimin që të luftojnë dhe të punojnë në dobi të shoqërisë dhe shtetit të tyre, edukoi ndjenjën e qytetarisë. Si një evropian i formuar, Konica vlerësonte tek qytetari, para së gjithash, ndjenjën e përgjegjësisë së individit ndaj shoqërisë. Ta ndjesh veten përgjegjës ndaj shoqërisë për çka e si ndodhë rreth teje është treguesi më i lartë i vetëdijes dhe i ndjenjës qytetare. Ky tipar formimi i personalitetit të njeriut së bashku me parimësinë në jetë përbëjnë kuintesencën e të qenit qytetar i lirë dhe i ndershëm. Të gjithë e dimë përkufizimin që i pati bërë Konica lirisë: “Liria është të mundet njeriu: të besojë ç’i do zembëra, të thotë ç’i thotë zembëra, të shkrojë ç’i do zembëra, veç ato që janë kundëra lirisë tjetër njeriu.” Liria e ndërgjegjes, liritë e individit, liria e fjalës, e shtypit, e veprimit, të drejtat e detyrat e qytetarit përbëjnë themelin e edukatës qytetare, që u përpoq të edukojë Konica tek shqiptaro-amerikanët. Ai thotë: “Liri, nuk do të lodhemi së kërkuari, se ajo është shpëtimi i kombit.” Ai nuk pushoi së punuari për një edukim të shëndoshë qytetar. Edhe pse në kohë të vështira, ai përdori edhe teatrin si armë e fuqishme me ndikim të lartë edukativ, në rrafshin moral dhe në atë estetik. Ja se çfarë shkruan Jup Kastrati në monografinë e tij për Konicën: “Tragjedia ‘Othelo’, vepër e shënuar e Shakespeare-it, shqipëruar nga kryepeshkop Fan S. Noli, u shfaq për herën e parë në Arlington Theatre, në Boston, Mass., më 4 korrik 1923. Henrietta Miller luajti rolin e Desdemonës, Antigoni Vaskë Kosta lojti rolin e Emilisë, Vançi Miller pjesën e Othelos, Arapit të Venedikut, Andon Frashëri rolin e Jagos. Faik Konica, i cili stërviti amatorët interpretoi rolin e Dukës. Në kritikën që i bëri Konica kësaj shfaqjeje, në gazetën ‘Dielli’ të 7 korrikut 1923, në fund të artikullit thotë shprehimisht: ‘në një fjalë të lojturit e ‘Othelos’ në Arlington Theatre të Bostonit më 4 të korrikut ka qenë shumë më tepër se një lodrë amatorësh: ka qenë për herë të parë në gjuhën shqipe, përfaqësimi më i fortë dhe i bukur i një kryevepre tragjike”.* * * Është i padiskutueshëm personaliteti kundërthënës, kontradiktor, herë-herë paradoksal i Konicës, një personalitet kulmor në të dy kahjet, në atë pozitive dhe në atë negative, në të mirën dhe në të keqen, në të bukurën dhe në të shëmtuarën. Një personalitet i fuqishëm që i kishte të fuqishme, kulomore edhe kundërthëniet e tij, kudo në jetë e në punë, në politikë, në kulturë, në karakter, në qëndrimin ndaj tjerëve, po edhe ndaj vetes. Edhe në shpirtin e tij qe kundërthënes; por, siç na rezukton, ai u fali emigrantëve shqiptarë atë hise shpirti që u takonte engjujve dhe asnjëherë atë që u takonte djemenve. Kjo hise engjullore – jo aq e njohur në trojet tona – u jetësua në punë, në fjalë, në sjellje, në shkrimet publicistike, në vepra letrare, në marrëdhënie me mërgimtarët. E vërtetë, me shqiptarët e Amerikës edhe në gabime qe i sjellshëm, kurrë i vrazhdë; edhe në kritikë qe i butë, kurrë i ashpër; edhe në fjakë qe i ëmbël, kurrë i hidhur. Kritika e tij është kritika e babait që qorton të birin; vërejtja e tij vërejtje e mikut për mikun; tërheqja e vëmendjes tërheqje e vëmendjes e shokut ndaj shokut. Kët na e dëshmojnë të gjithë ata shqiptaro-amerikanë që e njohën dhe punuan me të; këtë na e sugjeron historia e “Vatrës”; këtë na e vërtetojnë sjelljet e tij në gjirin e vatranëve, shkrimet e tij për shqiptaro-amerikanët, “shpirita e tij responsible” ndaj “Vatrës” dhe ndaj bashkësisë shqiptaro-amerikane. Për shqiptarët e Amerikës dhe, në radhë të parë, për vatranët, ai qe vërtet jo vetëm udhëheqës politik, organizativ, kulturor, artistik; por, mbi çdo gjë, ai qe udhëheqësi shpirtëror idealist, i dashur, i nderuar, i admiruar dhe për pasojë, i ndjekur. I ndjekur me përkushtim. Konica gjithnjë e pati vlerësuar lart punën e vatranëve, gatishmërinë e tyre në punët e “Vatrës”, kontributet e tyre në lëmin atdhetar.. Në nr. 30 të “Diellit”, me rastin e përvjetorit të parë të botimit të kësaj gazete, Konica, në editorialin e tij, falënderoi Shoqërinë Besa-Besën dhe bashkëpunëtorët më këto fjallë: “Shoqërisë Besa-Besën”, kryetarit atdhetar dhe të palodhur të saj, pleqësisë së nxehtë kurdoherë gati të bëjë detyrën e saj, ana kombëtare u ka hua përhirime nga zemra. Dreqtor’ i ‘Diellit’ mbush një detyrë të veçantë duke rrëfyer se sa i çmon mundimet e të dashurit atdhetar, z. G. Konda Gjoleka, i cili ka marrë përsipër sundimin e gazetës. Dhe s’ munt të heshtim emrat e z. Efthim Natsi, i cili nga atdhesia ka marë gjurmat e të dy vëllezërve të njohur të tij, dhe z. Ilo Zografi. Në vende të tjera, munt që shtypogarfët të vështrohen si punëtorë, po, në përlindjen shqipëtare, rolli i tyre është me rëndëssi se bashkëpunojnë për zgjimin e një kombi. Zyra e ‘Diellit’ u shtua që nga ca kohë me një sekretar, z. Vani Çekani, puna e të cilit na solli shumë dobi dhe pemë.”. Gjithsesi, në stilin e punnës së tij, në marrëdhëniet me të tjerët, një armë e fuqishme ka qenë kritika, më së shummti, e shtrirë në hulli ironie e sarkazme, që kanë qenë veçori e qenësishme e publicistikës së tij. Po ai nuk kritikonte vatranët e thjeshtë e të ndershëm. Tehun e kritikës, ai e ruante, më së shumti, për gabimet e fajet e ndonjë vatrani që kishte njëfarë përgjegjësie në punët e “Vatrës”. Kështu, kur në periudhën nga shtatori i vitit 1911 deri në maj të vitit 1912, ai jetonte në Cambridge dhe ndiqte studimet në Universitetin e Harvardit, editori i atëhershëm i “Diellit”, Kristo Floqi “për çudinë e të gjithëve – siç shkruan Gurrazezi në veprën e përmendur më lart – i quante iniciatorët e kësaj idejje dhe t’atij plani si ‘pengonjës të bashkimit! . . . Konitza thosh se s’ish në kontakt të dendur me shokët për arësyen se ronte lark Boston-it dhe shtonte që Diellin nuk e këndonte se kish frikë mos e harronte shqipen! Nga ky shkak, ai nuk e dinte mirë se ç’po bëhej për punën e bashkimit të shoqërive, punë të cilën e nisi ay vetë dy vjet më parë.”! Në Kuvendin e “Vatrës” të vitit 1923, drejtuesi i mbledhjes Pandi Janaq, i shtyrë nga delegatët, kërkoi nga Faik Konica t’u tregonte delegatëve arsyet përse “Dielli” përdorte gjuhë të ashpër. Është koha, kur siç shkruante Qerim Panariti, Konica si editor i “Diellit” filloi një fushatë të ashpër kundër Zogut dhe kohortës së tij reaksionare, që pas 1920-ës kishin kontroll të plotë mbi Shqipërinë.” Konica u përgjigj në këtë mënyrë: “Duhet bërë një ndryshim në mes të sjelljes që duhet të ketë njeriu në marrëdhëniet private me njerës të tjerë, dhe nga tjetra anë të sjelljes që njeriu duhet të ketë në luftrat për një ideal. Faik Konitza si njeri privat ka patur kurdoherë marëdhënie të pëlqyera me gjith’ ata që ka njohur personalisht, dhe në jetë të tij private nuk i ka ngjarë ttë shkelë regullat e hoborrësisë, të lëndojë zemëra dhe të zihet për arësye personale. Po në jetë poltike puna qëndron ndryshe, këtu nuk është sheshi i marëdhenieve shoqërore t’ëmbla dhe të holla; këtu është një shesh lufte për përparimin e një programi, dhe kush thotë luftë, thotë grushte të dhëna e të pritura. Pa fjalë, kjo luftë shumë herë nuk ësht’ e bukur në dukje, po ësht’ e domosdoshme kur marim nër sy qëllimet. Në jetë private, ata që duan ta kenë mirë me të gjithë janë për të lëvduar; po në jetë politike ata që duan të lënë deriçka për “compromises” të fitimshme për veten e tyre, vetëm ata heshtin, kurcejnë, mbyllin sytë; ata janë hipokritë dhe njerës të dyshimshëm. Luftëtari i vërtetë s’duhet as të kurcejë grushtin, qetësinë dhe reziqet e jetës për veten e tija. Vetëm më këtë mënyrë fitohen luftërat. Dielli që në nisje ka qenë një organ lufte: dhe Peshkop Noli si editor, Bahri Omari, Loni Kristo, dhe të tjerët, të gjithë kanë mbrojtur te Dielli idealet t’ona me forcën e pa kursyer, ashpërsinë të pahieshme po të domosdoshmme t’ ushtarit në shesh të luftës.Veti e çmueshme e karakterit të tij qe njohja dhe pranimi i gabimit – një cilësi e një njeriu vërtet të qytetëruar. Refat Gurrazezi ka shkruar: “Konica kish këtë të mirë, të cilën fare pak njerës të lartër munt t’a kenë: kur e kuptonte se ish i gabuar, i jepte dorën kundërshtarit dhe e kish me sinqeritet të zemërës, s’qe hipokrit si shumë të tjerë.” Këtë e kanë pohuar edhe miqtë e shokët e tij të ngushtë si Asim Jakova, Peter Minar, e të tjerë. * * * Konica që pati fatin të studiojë në shkolla greke, turke, shqiptare, në shkolla të tjera evropiane dhe amerikane dhe që ishte inteligjent nga natyra dhe parimor nga morali pati formuar në vetëdijen e vet një vizion të qartë evropian perëndimor për të ardhmen e Shqipërisë. Më të qartin ndër personalitetet e Rilindjes dhe ata të periudhës së Pavarësisë. Kjo e ndihmoi atë t’i shpëtojë kategorikisht ndikimeve e mendësive orientale ballkanike. Ka mbetur si një relike e shenjtë e kësaj dëshmie telegram që ai i bëri Kuvendit të Vlorës, në nëntor 1912, botuar në “Dielli” më datën 5 dhjetor 1912 “Vatra’ përhiron Shqipërinë: Federata Pan-Shqipëtare Vatra e Amerikës dërgon urime të nxehta për inauguratën t’uaj, e cila s’do të harohet kurrë. “Vatra” me gojën e Konicës i lutet “Mbledhjes së Kombit” që të mos krijojë një shtet Oriental, po një shtet krejt Evropian, si Norvegjinë, Danimarkën, Hollandën dhe Belgjikën. I nënshkkruari u lutet veçan deputetëve muslimanë të provojnë atdhesin’ e tyre duke zgjedhur një princ të krishterë. Po të bëjnë ndryshe, do të bëjnë një lajthim të pandreqshëm. (Nënshkruar për Komisionin: Faik Konitza). Në Seminarin e organizuar nga “Vatra” me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Konicës, në vitin 1976, në New York, Namik Resuli e ka dhënë me këto fjallë atributin evropian të Konicës: “Faiku qe i pari toskë që u ushqye e u rrit me kulturë perëndimore të madhe e të shkëlqyer, i pari që jetoi e njazoi mënyrën e jetesës së Perëndimit, me një fjalë, i pari toskë që që trashëgoi mendësinë e një populli evropian. Ky ndikim e bëri Faikun të largohet sa më shumë prej Toskëve të tjerë të kohës së tij dhe e shtyti të bjerë në kundërshtim të thellë me ta, pse, me gjithë përpjekjet e tyre, s’dinin të shqiteshin nga mendësia orientale, pikërisht nga ajo mendësi që qe një nga trashigimet më të hidhura e më të dëmshme për zhvillimin e kombit tonë edhe pas fitimit të pavarësisë.” Ndërsa Jup Kastrati, në monografinë e tij të vëllimshme për Konicën, ka shkruar: “Ai mbetet apostull i qytetërimit shqiptar. Aso kohe kur pak kush e mendonte se e gjithë historia e Shqipërisë ishte lufta për t’i mbetur Azisë apo për t’iu rikthyer Evropës, qartësia e Konicës vezullon akoma sot.Shqipëria ishte Evropë dhe duhej të mbetej vetëm e tillë. Ai dëshironte që qytetërimi shqiptar të ishte i pranishëm e madje i barabartë në gjirin e qytetërimit evropian. I vetëdijshëm si një burrrë shteti, ai kërkon përmbushjen e të drejtave të njeriut edhe për shqiptarët.” Duke e parë përparimin e popullit tonë gjithnjë në drejtim të Perëndimit, Konica synonte jo thjesht nivelet e zhvillimit teknik e teknologjik, sistemet shtetërore e shoqërore demokratike, por kryeshisht qytetërimin, moralin dhe kulturën perëndimore. Ka thënë Winston Churchill: “Çmimi i madhështisë njerëzore është përgjegjësia.” I madhërishëm siç qe, Konica e ndjente veten “responsible” për shpirtin e “Vatrës”, për drejtimin shpirtëror përndritës që i dha asaj me punën e tij; çka na bën ne të shqyrtojmë ndërgjegjen tonë: sa jemi ne “responsible” ndaj shpirtit konician dhe ndaj shpirtit që i blatoi ai vatranëve dhe gjithë shqiptarëve të Amerikës.

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Cefa, Vatra

Heroi kulturor Gjergj Fishta përkrah Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Sprova e Sabri Hamitit

August 25, 2021 by s p

Nga Agron Gjekmarkaj

Qëkur jemi njohur me his torinë e vërtetë të Kosovës dhe paradigmën kulturore të saj, e shndërruar në paradigmë nacionale e politike, s’e paskemi aq të vështirë për të kuptuar pse “Françeskanët e mëdhenj shqiptarë”, burra të besës e qëndresës, autorë e autoritete, identitarë e misionarë kuptohen kaq mirë, lexohen me kaq dashuri, ripropozohen si “monumente të letërsisë shqipe” pikërisht nga Prishtina, nga elitat e saj, për mbarë botën shqiptare.Një ide e kemi pse atje e po e themi menjëherë: shoqëria dhe intelektualët e Kosovës nuk janë korruptuar asnjëherë moralisht sa ata të Shqipërisë dhe të Tiranes në bashkëpunim me regjimin komunist. Shumë prej tyre s’u bënë laracë e levantinë, të konvertuar e shërbëtorë.Nuk kanë kënduar kinemave teksa shkrimtarët dënoheshin me vdekje e burg, nuk e kanë ndarë letërsinë në “reaksionare” e “përparimtare”, nuk harxhuan tonelata boje e letre me i quajt tradhtarë, nuk u sollën si tinëzarë e me skuthëri në epokën e lirisë ndaj tyre.Ata, përkundrazi, botonin e qëmtonin hapur e fshehurazi të ndaluarit, nuk u bënë bashkëpunëtorë në krim, por e sfiduan atë me rrotativat e shtëpisë botuese “Rilindja”.Rezistenca e tyre për liri e pavarësi është ushqyer pa ndërprerje nga gurra ideologjike e rezistencës parakombëtare e kombëtare. Për specifikat e veprës së tij epike e jo vetëm, Fishta duket të ketë qenë më frymëzuesi për ta.Gjergj Fishta mbetet asaj dite e sot shqiptari i patejkaluar në fuqinë e tij mendore për t’u përballur me shovinizmin serb në plan kulturor e historik. Atë që Fishta paralajmëroi si mundësi përsëritjeje duke gjykuar kohën e tij, kosovarët e patën si provë, ndaj ai u përjetua si dëshmitar e model.Shkrimtari, studiuesi, profesori e akademiku, ai që jemi mësuar ta shohim si “homo meditans, poeticus e militans”, i alternuar në këto pozicione sipas ndërgjegjes së tij intelektuale dhe britmave të Kosovës për liri e shtetformim ndër epoka, Sabri Hamiti na e pohon këtë: “Për shqiptarët veriakë si unë, Fishta është diçka më shumë se një poet; ai është një pikë e fortë identifikimi me një gjuhë me hapësirë enciklopedike e brezit të shkuar, me një karakter të papërkuljes e kryengritës, më në fund si pikë mbështetjeje, reflektimi e identifikimi me Shkodrën, kryeqytetin e moçëm kulturor të shqiptarëve”. Fjala e tij (S. Hamitit) është peng i mjaf tueshëm sigurie.Në kartën e tij të identitetit janë shënuar ngjarjet më të mëdha të kulturës dhe lirisë së Kosovës. Me gjykimin e drejtpërdrejtë, të cilin s’e përdredh kurrë përtej buzëvarjeve që shkakton “duke e riparë dramën letrare të Fishtës si interpret të shpirtit shqiptar, në shkalloren dramatike e absurde të kulturës shqiptare” ndërton sprovën e guximshme bazuar mbi dijet e veta të shumta, në udhëtimin uliksian në të gjitha caqet e albanizmave, në krejt trajektoren kulturore e historike të kombit shqiptar, atë të vendosjes së Gjergj Fishtës si hero kulturor për krah Gjergj Kastriotit, Hero Kombëtar.Me një libër të ri, fryt i një pune mbi tridhjetëvjeçare, botim i së përkohshmes “Hylli i Dritës”, me titull të skalitur në një emër të vetëm “At Gjergj Fishta”, Sabri Hamiti emancipon mentalitetin tonë e ngre “rrasat e varrit”, produkt gjykimesh ideologjike e krahinore. Sabri Hamiti ka trajtuar në tekstin e tij çdo vepër, gjini e sjellje të Fishtës në vektorin mes së përkohshmes dhe së përjetshmes, duke gjetur nëpërmjet kësaj analize prijësin shpirtëror e kulturor të një kombi që kërkon kufij e vetëdije për t’i mbrojtur, që kur gjen shtetin s’i ka gati nënshtetasit, që ka gjuhën, por ende shkrimin e kodifikuar, që dakordëson alfabetin, por nuk di të prezantojë kulturën e vet.Si askush tjetër ka përcaktuar se çfarë është “vepra më e mirë e një autori, e cila përqendron thelbin e veprave të tjera letrare të tij, vepra që përfaqëson llojin letrar brenda një epoke apo një letërsie, vepra që bëhet përfaqësuese e një epoke letrare, vepra me një përkryerje strukturore; në nivel të temës, të shprehjes, të domethënies, madje të moralitetit, vepra që u qëndron epokave të një letërsie, vepra që bëhet e krahasueshme me kryevepra të letërsive të tjera përgjithësisht, apo të një qarku kulturor e letrar”.Sabri Hamiti e përkufizon “kryeveprën letrare si nocion të pakapërcyeshëm, jo vetëm në vlerësimet individuale të letërsisë, por veçanërisht në lojën e kodifikimit kombëtar e përtejkombëtar të saj, duke nominuar një vlerë, e cila bëhet masë e vlerësimit, kategorizimit dhe e sistematizimit të letërsisë”.Kjo është “Lahuta e Malcisë”, si shtyllë qendrore e letërsisë shqiptare. Për t’u ngjitur në këto përfundime, rruga kalon nga “historia e autorit”, “amëza e ligjërimit”, “heroika”, “heroina Tringa”, “Kryevepra/heroi” e shumë të tjera kapërcyelle nga ku shihen heronjtë e epopesë, malësori Gjetë Gega si njësi bazë e saj, si amzë e rezistencës kombëtare. Po kaq lirika, dramatika, tragjedia, satira rimerren nga dora e mjeshtrit të studimit, duke zbuluar qëllimin sepse “klasikët nacionalë lexohen në kohë të vështira.Kohët përsëriten, i ngjajnë njëra-tjetrës, pa marrë parasysh rrethanat, edhe klasikët në veprat e veta shfaqin veti themelore të nacionit, situata karakterizuese që nuk i takojnë vetëm një kohë. Idetë themelore të tyre riprovohen në vazhdimësi, qofshin ato lavde apo kritikë për kombin”. “At Gjergj Fishta” i Sabri Hamitit është një libër eshtor, i vështirë për ta prezantuar, tekanjoz e nopran në sqimën e tij.Por më shumë se për të bërë këtë, tentuam të merrnim kënaqësinë e të qenit lajmës. E nisëm fillimin me një krahasim, të cilin nuk e shtjelluam: pse Hamiti vë për krah Heroit Kombëtar Kastrioti, atë të heroit kulturor Fishta?E bëmë deri-diku me qëllim, të pasigurt nëse do t’ia dilnim si autori për ta thënë me pak fjalë atë që ai ka bërë me një libër, por edhe për t’i dhënë mundësinë lexuesit që atë kënaqësi e surprizë ta kërkojë e gjejë vetë në këtë 80-vjetor të vdekjes së Poetit Kombëtar. Jo vetëm këtë, por edhe zbërthimin e tezës se kush “mohon Fishtën mohon Shqipërinë” aty e ka, madje edhe sekretin e përzgjedhjes si subjekt veprash të kryera si kjo të “mësuesit” Fishta apo të “nxënësit” At Zef Pllumi.Katolikët duhet t’i jenë mirënjohës Sabri Hamitit, i cili nuk la askund njolla përmbi zhgunat e “etërve të kishës” nga Pjetër Bogdani te Fishta e Pllumi që bastardët dhe kasnecët, të cilët për “erz kanë barkun” hollën e vijojnë ta bëjnë, por shumë më tepër se ata e shumë më të tepërt në numër brezat e nesërm të lexuesve të paindoktrinuar nga batakçillëku i dogmave dhe nga dogmat e batakçinjve të mejhaneve e akçihaneve shqiptare. Ky libër është një falënderim i përshpirtshëm, që Kosova i bën Padër Gjergjit me zërin më të spikatur të bashkëkohësisë së saj, të Sabri Hamitit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Agron Gjekmarkaj, At Zef Pllumi, Sabri Hamiti, Skenderbeu

FESTA E BIRRËS NË KORÇË – TEATËR ABSURD

August 24, 2021 by s p

Nga Xhelal Zejneli

Festa e birrës në Korçë u refuzua nga Kosova si dhe nga shumë shqiptarë të tjerë në Shqipëri, në gadishull dhe në diasporë. Shkak i bojkotimit të kësaj feste ishte pjesëmarrja e njëfarë Bregoviqi, i cili në tokën arbërore këndon në gjuhën serbe. Të këndosh në Arbëri në gjuhën serbe dhe kurrë të mos i kesh dënuar krimet serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë apo Dardani, kjo është e papranueshme, për të mos thënë e pafalshme. Ka të tillë që thonë se ky farë Bregoviq, na qenkësh kroato-boshnjak. Në të vërtetë, ky vjen nga një baba kroat dhe nga një nënë serbe, ndërsa gruan e ka myslimane (boshnjake). Jeton në Beograd dhe në Paris. Dikur është deklaruar jugosllav. S’ka asnjë dyshim se Bregoviqi është serb i kulluar. Ka qenë i afërt dhe vazhdon të jetë i afërt me regjisorin Emir Kusturica, i cili i takon vijës ultra-nacionaliste serbe, vijës Millosheviqit dhe të radikalit Vojisllav Sheshel. Dikur ai mund të jetë deklaruar si jugosllav, por që prej vitit 1991 e këndej, Jugosllavi nuk ka. Madje, edhe kur ka pasur Jugosllavi, ajo në të vërtetë ka qenë Serbosllavi. S’ka asnjë dyshim se Beogradit i shkon në dobi përçarja midis Kosovës dhe Shqipërisë, i shkojnë në dobi zënkat, mosmarrëveshjet dhe konfliktet ndërshqiptare. Por kjo, kurrë s’ka për të ndodhur. Shqiptarët kanë të njëjtën prejardhje – ilire, flasin gjë gjuhë – shqipen, kanë një histori dhe janë një komb. S’ka fuqi në botë që mund ta mohojë apo ta kontestojë këtë. Në aspektin propagandistik, festën e birrës në Korçë e mbështetën disa mediume dhe studio televizive mercenare, disa gazetarë të shitur, disa analistë të tipit të Esat pashë Toptanit, të vrarë në Paris nga heroi i kombit – Avni Rustemi. Festa e birrës në Korçë nuk i bën nder fabrikës së prodhimit të birrës së Korçës. Është turp për Bashkinë e Korçës të jetë organizatore e këtij manifestimi. I riu që hodhi gazin lotsjellës në sheshin ku mbahej koncerti i Bregoviqit, për miliona shqiptarë anembanë gadishullit dhe për shqiptarët në diasporë konsiderohet hero dhe atdhetar. S’ka gjykatë në Shqipëri që mund t’i shqiptojë dënim këtij heroi dhe mëmëdhetari. Ata që thonë se Bregoviqi është këngëtar i madh, madje me famë botërore, e kanë gabim. Ai, as është këngëtar i madh, as është i përmasave botërore. Nuk është e vërtetë se ka mbajtur koncerte në shumë vende të botës. Ajo që dihet saktë është se ai ka mbajtur koncert në Rusi, e Rusia nuk është e gjithë bota. Ky farë Bregoviq kurrë nuk është distancuar nga krimet serbe në Kroaci, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë. Kurrë nuk i ka dënuar krimet dhe gjenocidin serb ndaj shqiptarëve në Kosovë. 

Bashkia e Korçës dhe sponsoruesit e tjerë të festës groteske të birrës duhet të dinë se:

– Mbi 1000 shqiptarë ende evidencohen si të pagjetur;

– Frigoriferi me trupat e pajetë të shqiptarëve është gjetur në lumin Danub;

– Bombardimi i burgut të Dubravës nga ushtria pushtuese serbe është plagë e pashërueshme e kosovarëve;

– Përdhunimet e kryera në Kosovë nga ushtria, policia dhe falangat serbe janë akte barbare, të papara në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore;

– Dëbimi i mbi një milion shqiptarëve nga vatrat e tyre është një tragjedi përmasash biblike; 

– Vrasja e fëmijëve të moshës së mitur troket në ndërgjegjen e kombit dhe të Perëndimit;

– Për vrasjen e Ukshin Hotit, të poetit dhe profesorit Latif Berishës në pragun e shtëpisë, të avokatit Bajram Kelmendi dhe tre djemve të tij, të tre vëllezërve Bytyçi, me shtetësi amerikane, të profesor Femi Aganit dhe shumë të tjerëve, sot e kësaj dite nuk është përgjigjur asnjë kriminel serb etj. Të luash politikanin modern në rrethana të tilla, është papërgjegjësi politike dhe sharlatanizëm politik.        

    Është indikativ fakti se Bregoviqi është ftuar pikërisht në Korçë dhe jo në ndonjë qytet tjetër të Shqipërisë. Në Korçë mund të ketë të tillë që e kanë në zemër Athinën dhe Beogradin, për të mos thënë edhe Rusinë. Por, të gjithë duhet ta dimë se feja e shqiptarit është shqiptaria, se dielli shqiptar lind në Perëndim, se aleate e shqiptarëve është ShBA-ja, se shqiptarët janë populli më proamerikan në botë. Të gjithë e dinë se hero kombëtar i shqiptarëve është Gjergj Kastrioti, se krenari e kombit është Nënë Tereza, se princ i kombit në art dhe në letërsi është Ismail Kadareja, i përkthyer në 47 gjuhë të botës, në të pesë kontinentet. Ardhjen e Bregoviqit në Korçë nuk mund ta shpjegojnë analistët apo krijuesit e opinioneve që janë pa ndjenja kombëtare. Nuk mund ta shpjegojnë as analistët sharlatanë që kanë punuar në Perëndim si djathëshitës, kamerierë, pjatalarës, ngasës kamioni dhe si taksistë. Është për t’u habitur sesi mediume të caktuara apo studio televizive u japin hapësirë nëpër debate, pseudo-intelektualëve dhe pseudo-analistëve të cilët kërkojnë ndryshimin e historisë, të cilët thonë se pushtimi i egër turk apo osman nuk paskësh qenë pushtim, se sundimi i egër pesëshekullor turk apo osman nuk paskësh qenë sundim. Këta kuazi-intelektualë dhe kuazi-analistë, në emër të çmitizimit të historisë sonë kombëtare, shajnë dhe mohojnë kryeheroin e shqiptarëve Gjergj Kastriotin, relativizojnë rolin dhe vlerën e Nënë Terezës, e shpallin shkrimtar oborri Ismail Kadarenë, ndonëse vepra letrare e tij, fund e krye është kundër diktaturës, tiranisë, despotizmit, autoritarizmit dhe autokracisë. Romani “Pallati i ëndrrave” është kryevepër me vlera dhe përmasa universale që mund të krahasohet me “Procesin” e Franc Kafkës. 

Mediumet dhe studiot televizive, bashkë me moderatorët e debateve të sipërthëna – thellësisht antishqiptare – janë mediume dhe studio televizive mercenare, në dëm të kombit dhe në shërbim të armiqve të kombit. E armiqtë e kombit dihen se kush janë. Janë ata që i mbajtën apo që vazhdojnë t’i mbajnë nën pushtim dhe nën sundim trojet etnike historike shqiptare. 

Këta mbeturina të kombit, këta të ashtuquajtur çmitizues të së kaluarës do të përfundojnë në plehun e historisë. Plehu i kombit kërkon revidimin e historisë dhe krijimin e një të ashtuquajture histori integrale. Hedhurinat e kombit duhet ta dinë se historinë e shqiptarëve nuk e krijuan ata që u vunë shërbim të të huajve por ata që u flijuan për t’u çliruar nga pushtimi dhe nga sundimi i huaj.

Historinë e lavdishme dhe heroike të Kosovës nuk e krijuan katër-pesë shqiptarët e ndershëm që punuan për Serbosllavinë, që u martuan me serbe, që jetuan në Beograd dhe që vdiqën aty, për t’u varrosur në Novo Groble të Beogradit. Për të tillët, në Kosovën martire s’kishte as vend për varr. Prej këtyre shqiptarëve të ndershëm u distancuan edhe familjet dhe fisi i tyre. 

Shtypi i Beogradit i quante të ndershëm ata shqiptarë të cilët shanin Shqipërinë dhe lëvdonin Jugosllavinë, d.m.th. Serbosllavinë. Jugosllavi s’ka pasur kurrë. Ka pasur Serbosllavi. Serbosllavi ka pasur, si në kohën e Nikolla Pashiqit ashtu edhe në kohën e karagjorgjeviqëve, si në kohën e Aleksandër Rankoviqit ashtu edhe në atë të Millosheviqit. 

Deklaratat se shqiptarët në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare e paskan adhuruar muzikën serbe, janë të pavërteta, janë gënjeshtra të kulluara. Shqiptarët në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare e kanë kultivuar muzikën e vet popullore, ndërsa grupet muzikore të të rinjve shqiptarë e kanë kultivuar muzikën bashkëkohore shqipe. 

Ka që thonë se në koncertin e gruas së kriminelit të luftës – Zhelko Razhnjatoviq Arkanit, kanë marrë pjesë shumë shqiptarë nga Kosova, është një gënjeshtër e madhe. E vërteta është se në koncertin e saj në Shkup nuk ka marrë pjesë as edhe një shqiptar nga Kosova apo nga Maqedonia.

Bashkia e Korçës duhet ta dijë se këngët “Kuq e zi” dhe “Xhamadani vija-vija” nuk shkojnë bashkë me Kallashnjikovin e Bregoviqit. T’i përziesh këngët e sipërthëna me praninë e Bregoviqit, nuk është veçse demagogji. Simboli i flamurit kombëtar, i bërë me dy duar dhe kënga në gjuhën serbe e Bregoviqit, nuk shkojnë bashkë. Kjo është hipokrizi, është dyfytyrësi. Me demagogjinë, hipokrizinë dhe dyfytyrësinë e manifestuar, organizuesi i festës groteske dëshmon se është fajtor.   

*   *   *

Politikën e Tiranës nuk duhet ta imponojnë qendrat majtiste globale, që përhapin multikulturë. Edhe Josip Brozi e provoi me vëllazërim-bashkimin por Jugosllavia e tij u zhbë në gjak. S’mund të ketë vëllazërim-bashkim midis shqiptarëve, në një anë dhe sllavëve të jugut, në anën tjetër. Kjo është një utopi. 

Tirana zyrtare dhe Bashkia e Korçës duhet ta dinë se:

– Kosova është zemra e shqiptarisë; 

– Kosova ndodhet në vijën e parë të frontit përballë armikut të rrezikshëm – Serbisë;

– Kosova kreshnike e Adem Demaçit, e Ibrahim Rugovës dhe e Adem Jasharit është mur mbrojtës i Shqipërisë, përballë synimeve hegjemoniste dhe ekspansioniste të Serbisë së kryekriminelit të Ballkanit – Aleksandër Vuçiqit;

 – Kosova krenare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, heroike, lavdiplote dhe legjendare nuk shtrohet dhe nuk nënshtrohet para hordhive të egra barbare çetnike dhe serbomadhe;  

– Kombi shqiptar i ka borxh Kosovës, për arsye se ajo ballafaqohet me hienën gjakpirëse – Serbinë;

– Politikën serbe e dikton Akademia Serbe, Lidhja e Shkrimtarëve e Serbisë, Kisha Ortodokse fashiste Serbe dhe Rusia e Vlladimir Putinit.

Politika e Tiranës zyrtare dhe Bashkia e Korçës duhet ta dinë se:

– Që nga viti 1991 e deri më sot, nga 600 mijë shqiptarë të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare vijnë në bregdetin shqiptar për t’i kaluar pushimet e verës;

– Me ndërtimin e Rrugës së Kombit, shqiptarët e Kosovës çdo të shtune dhe çdo të diele, vijnë në Shqipëri për t’i kaluar ditët e fundjavës. 

– Shumë të rinj nga Kosova dhe nga viset e tjera shqiptare i ndoqën studimet dhe vazhdojnë t’i ndjekin studimet në Universitetin e Tiranës;

– Tregu i Kosovës gjithmonë ka qenë i hapur dhe vazhdon të jetë i hapur për mallrat e Shqipërisë;

– Nxënësit e shkollave të mesme të Kosovës dhe të viseve të tjera, ekskursionet e veta i organizojnë dhe i realizojnë në Shqipëri.

Në kohën kur Shqipëria u godit nga tërmeti vdekjeprurës, i madh e vogël, në Kosovë dhe në viset e tjera, u ngritën në këmbë, aq sa mundën dhe aq sa ditën, për t’i dalë në ndihmë Shqipërisë. Por kjo nuk duhet të përmendet për arsye se këto janë sjellje dhe veprime vëllazërore. 

Në vitin 1999 kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës u përball me ushtrinë, me policinë dhe me falangat paramilitare serbe, 600 mijë shqiptarë të Kosovës gjetën strehim në Shqipëri. Strehim gjetën, nga veriu deri në jug. Strehim gjetën edhe në Korçë, aty ku më 22 gusht të vitit në vazhdim, në prani të ministrit të Punëve të Brendshme të Shqipërisë, këndoi Bregoviqi. 

S’ka të drejtë Tirana zyrtare dhe Bashkia e Korçës t’i trazojë ndjenjat e dy milionë shqiptarëve të Kosovës. 

Shqiptarët jashtë Shqipërisë, Shqipërinë e kanë përjetuar dhe e përjetojnë si vend mëmë. Dhe kjo nuk mund të merret si naivitet. Të ballafaquar me hetues, me gjyqe dhe gjyqtarë, me dënime drakonike, me gardianë, me qelitë e burgut, me dëbime nga puna, me të ashtuquajtura diferencime ideopolitike, me përndjekje të vazhdueshme, me konfiskim librash të botuar në Tiranë – ndër shqiptarët e Kosovës dhe të troje të tjera është akumuluar ndjenja flaktë e flijimit për liri, për pavarësi dhe për demokraci. Shqiptarët u ndeshën me shkopinjtë e gomës të policëve fashistë serbë, sllavo-maqedonas dhe malazezë. Akuzë e vetme ishte: “Ju e doni Shqipërinë dhe punoni kundër Jugosllavisë. Ju punoni për bashkim kombëtar dhe për shpartallimin e Jugosllavisë”.

Nxënësit dhe studentët e Shqipërisë duhet të njihen më mirë me historinë dhe me gjeografinë e Kosovës dhe të shqiptarëve të viseve të tjera. Qëndresa e shqiptarëve jashtë Shqipërisë londineze përballë armiqve serbë, grekë, sllavo-maqedonas dhe malazezë duhet të mësohet dh të studiohet nëpër shkolla dhe universitete. Madje jo një vit, por katër vjet me radhë. Jo një semestër por tetë semestra. Nxënësit dhe studentët e Shqipërisë, përfshi edhe mësuesit, arsimtarët, profesorët dhe pedagogët e Korçës ku këndoi Bregoviqi, duhet ta dinë çdo cep të trojeve etnike shqiptare, çdo qytet dhe fshat të banuar nga shqiptarë, në të kaluarën dhe sot. 

Raportuesja e një mediumi prestigjioz të Tiranës thotë: “… dy të mbyturit janë nga Bitola e Republikës së Maqedonisë së…”. Kjo gazetare nuk e di se në toponomastikën shqiptare fjala Bitola nuk ekziston. Është Manastiri, qyteti i alfabetit të gjuhës shqipe, i Kongresit lavdiplotë të alfabetit të shqipes. Raportuesja mund edhe mos ta dijë një gjë të tillë, por redaksia e studios televizive patjetër duhet ta dijë, duhet të reagojë dhe ta përmirësojë. 

Po si mund të arrihet kjo kur mbi 60% e të rinjve të Shqipërisë synojnë t’i marrin rrugët pa kthim të Perëndimit.    

Tirana zyrtare duhet ta dijë se asnjë akt politik dhe ekonomik me Beogradin nuk mund të bëhet pa pëlqimin e Prishtinës. Asnjë akt pra.

Shqiptarët e përjetojnë Shqipërinë si Piemont të botës shqiptare. Ndaj vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë Kosovës, Tirana zyrtare duhet të tregohet më e përmbajtur. Një shtet që s’e ka njohur pavarësinë e Kosovës, nuk ka përse ta çojë mirë me Shqipërinë. 

Në kohën kur Kosova duhej të pranohej anëtare e Interpolit, përfaqësuesi i Rumanisë, lëre që votoi kundër Kosovës, por doli në foltore dhe foli keq për të. Ndërkohë, ambasadori i Rumanisë deklaroi: “Me Shqipërinë kemi marrëdhënie të shkëlqyera”. Kujt i duhen vallë këso marrëdhëniesh të shkëlqyera?! 

Çdo ministër i Shqipërisë, në çdo takim me përfaqësuesit e shteteve që s’e kanë njohur Kosovën, ende pa u ulur në tryezën e bisedimeve, fjali të parë duhet ta ketë Kosovën dhe kërkesën për njohjen e saj. Deri më sot, Shqipëria fare pak ka punuar në drejtim të njohjes së Kosovës nga shtetet që akoma s’e kanë njohur atë. 

Politika kombëtare kërkon idealizëm dhe jo korrupsion e nepotizëm, jo pasurim brenda nate. Politika kombëtare kërkon studime dhe veprime nga institucionet arsimore dhe shkencore të kombit dhe jo letargji apo indolencë prej tyre. Politika kombëtare nënkupton ndërtimin dhe përkufizimin e interesit kombëtar apo mbarëkombëtar dhe jo politikë teatrale. Politika kombëtare nuk është ekzibicionizëm politik. Politika teatrale nuk është veçse simulim dhe imitim politik, nuk është veçse politikë groteske. 

Politika kombëtare nuk bëhet duke e anashkaluar Kosovën. Asnjë vendim në botën shqiptare, lidhur me Kosovën, nuk mund të merret pa miratimin e Prishtinës. Çdo vendim i tillë do të ishte llogari pa hanxhiun. Politikani shqiptar që tenton ta anashkalojë apo ta margjinalizojë Kosovën do ta ketë mallkimin e historisë. 

Politika e Tiranës duhet ta dijë se s’ka shqiptarizëm pa Kosovën. Le ta harrojë Beogradi dhe i tërë rruzulli tokësor se mund të shkaktojë mosmarrëveshje ndërmjet shqiptarëve.                 

Xhelal Zejneli

Filed Under: Opinion Tagged With: Festa e Birtres ne Korce, Goran Bregovic, Xhelal Zejneli

HESHTJA E POLITIKËS SHQIPTARE QË RIVRET TË ZHDUKURIT E DIKTATURËS KOMUNISTE

August 23, 2021 by s p

Nga Dr. Besim NDREGJONI

23 gushti është “Dita e Shiritit të Zi(Black Ribbon Day) dita zyrtare europiane e kujtesës së krimeve të stalinizmit, komunizmit, nazizmit, dhe fashizmit!  Këshilli i Europës i barazon krimet e komunizmit  me ato të fashizmit si krime kundër njerzimit. Europa çdo 23 gusht kujton dhe nderon krimet e komunizmit të fashizmit. Politika shteterore shqiptare përdor Harresën! Harresa është fenomeni që nuk i shërben paqes , lirisë, por diktaturës. Duhet ta pohojm  me keqardhje se gjatë tre dekadave ndaj krimeve të komunizmit, politika shterore ka heshtur,  dhe më e keqja  politika ka tentuar, vazhdon të tentoi e shtrembëroi çeshtjen e viktimave të komunizmit , sipas interesit dhe trillimeve të çastit duke bërë premtime, por asnjë vullnet  as dëshirë  për tu përballur  me të  kaluarën komuniste , as me krimet e regjimit Stalinist  të Enver Hoxhës.Jemi mësuar me talljet , me gënjeshtrat dhe me premtimet boshe , të radhës nga përfaqësues të ndryshëm të politikës shqiptare post tranzicjon. Fatkeqësisht garda e vjetër komuniste  me mentalitetin e sundimit , ka mbizortuar  për tridhjet vjet shqiptarët në këtë tranzicjon sa të vështirë por dhe të pështirë nga ata që drejtuan politikën e tranzicionit. A mund të ndihen të qetë shqiptarët në këtë ditë kujtese europjane ku mbi 5000 shqiptarë janë pushkatuar dhe  ju janë zhdukur kufomat. Dhe këto kufome janë hedhur në  lumin e Drinit  të Kirit janë baltosur në Maliq, Beden, Burrel, Gjirokastër, 300 fëmijë kan vdekur urie në kampin famkeq të Tepelenës, dhe jan zhdukur në Vjosë. Në vijën kufitare, vriteshin djemte e rinj, dhe ju zhduknin kufomat. Sot nuk flitet në Shqipëri,si në europë dhe të kujtohen e  nderohen viktimat. Shqipëria nuk ka ditë kujtese si Europa me gjithë bilancin tragjik të krimeve komuniste që i jan ba popullit shqiptar nga regjimi  komunistë, përkundrazi politikanët shqiptar janë të qetë, respektojnë xhelatët, ju japin pensione maramendse, familjet e të zhdukurve i kan degdisur nëpër bote. Shtypi shqiptar gazetat nuk meren me sakrificat sublime të të zhdukurve, por me hartimet e shkarravinat mbi jetën e diktatorit dhe bisedat e tij me xhelatet se si të  mbante sundimin e tije me krime.”Pushteti politik” i vendosun në pluralizëm  ka tradhtuar  njënën nga detyrat ma themelore të qeverisjes: Zbatimin e drejtsisë kundra krimit komunist. Në këtë pike nuk ka vend diskutimi. Ne respektojmë reformën në drejtsi dhe Sh.B.A. se shteti amerikan e nderon dhe e kujton 23 gushtin, kurse Shqipëria nuk i bashkohet Europës por kremton ditën që u vendos regjimi gjakatar i diktatorit Enver Hoxhës. Dhe sot nga kjo ditë kujtese i bëjmë thirrje Ambasadores Yri Kim, drejtsia të filloi me krimet makabre të komunizmit.Me leju kriminelët komunistë të jetojnë pa dhane llogari të krimeve monsturoze që kan kryer mbi popullin shqiptar don të thotë me mohu ekzistencën e këtyre krimeve, don të thotë se nuk ka pasur rezistencë antikomuniste, nuk ka pasë të arrestuar të torturuar, statistikat janë në arkivën e shtetit 36.000 shqiptare të denuar si kundërshtarë politikë të regjimit. 50.000 familje të internuar për motive politike,  mbi 7000 të pushkatuar për motive politike, mbi 5000 shqiptarë tëpushkatuar e  zhdukur kufomat. Kjo don të thotë me mohuar vuajtjet e familjeve tona që u shtypën pa mëshirë. Kjo don të thotë me mohuar sakrificat e nanave, motrave , bijave , bashkshorteve tona, të femnës shqiptare që i dha dimensionin  ma fisnik rezistencës sonë antikomuniste. – don të thotë të zhytesh në botën e krimit , ku gjithçka lejohet dhe askush nuk përgjigjet.Eshte vonë ti hetojmë e gjykojmë kriminelët komunite thonë politikanët shqiptar, ju sjellim në vëmendje se jo më larg se me 2 gusht 2021  prokuroria gjermane konfirmoi se do të nis proçesin gjygjësor ndaj një roje të një kampi përqëndrimi nazistë. Roje i thjesht jo komandant, sepse komandanteve u a ka dhënë faturën me kohë.  Roja është  100 vjeç. Për  gjermanët dhe europianët  nuk është vonë,  dhe krimineli që kreu krime kundra njerzimit nuk është kurrë plak. Është kriminel dhe duhet denuar. Nuk e  bëjnë për hakmarrje, as denazifikim, por për drejtsi. Retorikat e dekomunistizimit shqiptarve që provuan krimin komunistë , nuk ju mjafton, as hartimet që i bëjnë këta politikan shqiptar 30 vjecar, nëpër rrjete sociale duke u deklaruar si europian me statuse dhe jo me ligje. Krimet kan autoret e vrasjeve nga njeriu para se ti denoi Zoti. Drejtsia do ta ndajë ndërgjegjen e shoqërisë nga e keqja e komunizmit që ngadalë  po rimerr qytetarinë diku me emër rruge, diku me foto diktatori diku me përkujtime provokuese e aq më keq  me emrime  në majat e pushtetit. Sot kjo ditë kujtese europiane,  na obligon se duhet një strukture e re  e posaçme  si ajo në Gjermani në vitin 1958  dhe e ka fuksionale dhe sot,  për të hetuar  e ndjekur penalisht si kriminelët naziste dhe komuniste. Jo me Spaka e struktura drejtsie që marrin urdhëra politike. Duhet future thellë bisturia e drejtsisë   në ndërgjegje.Sot kjo dite detyron që të gjinden eshtrat e të zhdukurve, dhe jo institucjone shtetrore formale marrin qindra mijra euro dhe mjaftohen me një seminar, sikur po kërkojne eshtrat. Sot kjo ditë kërkon të ngrihet në Tiranë parcela e të zhdukurve të komunizmit, të caktohet dita e kujtesës siç ban Europa. Detyra e shtetit shqiptar, është ti tregoi të vërtetën e krimit komunist brezave që nuk e dine, Drejtsia shqiptare të penalizoi ligjërisht autoret e vrasësve, dhe kujtesa të ruhet si shenjtëri ndaj martirve dhe të zhdukurve.! Dhembja do të jetë më e forte se konvulsioni periodic  në ditën e përkujtimit të martirve por do të jetë një dhembje që na ndan forte. Shqiptarët që besuan tek vlerat e lirisë,  dhe ata që kan paturpësinë të mbrojnë kriminelët  dhe krimet e komunizmit, duke i glorifikuar  apo përdorur  me metoda  moderne  duke i relativizuar. Atë ditë që martirët do të fitonin drejtsinë , Shqipëria ka fituar lirine dhe paqen! Harresa rivret çdo ditë martirët.

Dr. Besim NDREGJONI

Filed Under: Opinion Tagged With: Besim Ndregjoni, diktatura, politika shqiptare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 263
  • 264
  • 265
  • 266
  • 267
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT