• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BOTA ME NJE SY

July 8, 2019 by dgreca

Hyrje/
Gjatë  më shumë se një çerek shekulli jete në SHBA u mësova ta shoh botën me një këndvështrim të plotë e të paanshëm.
Me këtë botkuptim, gjashtë vjet më parë, u ula për të shkruar librin “Yjet nuk janë të kuq”, kushtuar figurës së Pal Melyshit dhe familjes të njohur të Melyshajve me të vërtetat jetsore e historike.
Libri i ri që keni në dorë është ditari i nënës sime, motrës së Palit. Gjatë leximit u shkreha në vaj disa herë, sepse kishte shumë gjëra që unë, e bija, nuk i dija. Më kujtohet që nëna më pat thënë për gjyshen që ajo i “mbante vuajtjet brenda vetes dhe fëmijëve të saj nuk ua thoshte kurrë, sepse nuk donte që ata të rriteshin të trishtuar”. Edhe nëna ime kishte bërë të njëjtën gjë me ne.
Një lexuese më pyeti nëse “Bota me një sy” mund të konsiderohet si pjesë e dytë e librit “Yjet nuk janë të kuq”, e sagës së Melyshajve. Po, ky libër mund të konsiderohet si pjesë e sagës.
I dedikohet dy zonjave për mua të pakrahasushme, që u bënë viktima të urrejtjes klasore brenda e jashtë familjes: Nënë Davës, -nënës së Pal Melyshit, dhe motrës së tij të vetme Marie Melyshit. Libri shpalos atmosferën armiqsore në të cilën mbijetuan, në rastin më të ashpër të luftës së klasave -brenda familjes, që u zhuriste zemrën si hekur i skuqur i ferrit.
Për Pal Melyshin është folur herë pas here në shtyp e u shkruan libra. U bë edhe një film për të “Operacioni zjarri”. Por heroin e lanë “jetim”, të shkëputur nga familja e tij imediate. Askush s’foli për nënën e tij, motrën, dhe as për vëllezërit në moshë të njomë që shoqëronin nënën e tyre nga një internim në tjetrin, për 12 vjet. Askush nuk e përmendte kalvarin e mundimshëm të kësaj gruaje të pafajshme pas telave me gjëmba. Pse?

Bota qe e madhe, por ne kishim vetëm një sy për të parë e një vesh për të dëgjuar.
Ndërkohë brezit të ri i duhet të gërmojë thellë në minierë për të njohur botën në të cilën jetuan prindërit e gjyshërit e tyre.
Shpresoj që ky libër-ditar të jetë një kontribut për ta.

 

 
Albana Melyshi Lifschin
Shkurt, 2019. USA
Episodi  1/
Zjarri partizan rrëmben kullën e Melyshajve
Tërë atë natë askush nuk vuri gjumë në sy në kullën tonë. Ka mbetur një nga netët më të paharruara të jetës sime.

Qentë lehnin e lehja e tyre qe ndjellakeqe. Gratë kishin mbledhur fëmijët pranë vetes e psherëtinin.

Plaku i shtëpisë, gjyshi ynë, u ngrit dy- tri herë e doli në oborr duke u sokëllirë qenve që të pushonin.

Mbaj mend gjyshen që i u afrua e i tha:

-Leni qentë, o plak, se nuk kanë leh kurrë si sonte!

Pastaj ajo lëshoi një ofshamë të thellë:

-Lehja e qenve për kët shtëpi asht lajm i keq! Oh, e mjera unë! Ku i kam djemtë? Ku i kam nipërit?!

-Mbahu, plakë, se kurrë s’të kam pa të të lëshojë zemra! Të pata marrë prej dere trimash.

Gjyshi qe ulur te vendi i tij, tek oxhaku, ku trazonte hirin ende të ngrohtë.

-Mandej as djemtë e as nipërit nuk janë ma kalamaj e po të kujtoj se burrat e kësaj shtëpie të tanë kanë vdekë nga plumbi e jo nga qyrret!

Unë u ngjesha pas fustanit të nënës sime. Atë kohë isha rreth 12 vjeçe. Në kullë kishim një çift të varfër pleqsh, të cilëve gjyshi u kishte dhënë strehë. Ishin bërë pjesëtarë të familjes, ishin si të gjithë ne. Edhe ata rrinin të tulatur pas njëri-tjetrit, po nuk flisnin asnjë fjalë. Atë natë askush nuk vuri gjumë në sy. Kur filloi të zbardhte, njerëzit e shtëpisë zunë të hiqnin shulet dyerve të kullës për të dalë jashtë, siç bënin çdo mëngjes.

Papritur, nga oborri u dëgjua një zë i plotë burri me dialekt tosk:

-Ndal! Mos lëvizni! Jeni të rrethuar!

Njerëzit në kullë ngrinë. Nuset e reja u tmerruan. Fëmijët, tek panë nënat e tyre të trembura, ia plasën të qarit. Çifti i pleqve të vobektë u trembën shumë. Nana jonë u ngrit e iu afrua gjyshit.

-Babë, dikush nga ne duhet të dalë të marrë vesh për se na kanë rrethu. Në më lejofsh, dal e flas unë me ta. Im bir e im shoq janë partizanë.

-Do të dal vetë! – tha gjyshi me një zë të vendosur.

Nana bëri mënjanë. Gjyshi u dha në derë. Ne mbajtëm frymën. Dëgjuam që i tha dikujt:

-Në ke ardhë për mik, futu në kullë të ngrohesh, në të kundërt na thuj ç’farë ka ba vaki?

-Prit këtu, o plak, se po thërras komisarin që të bisedoni,- qe përgjigjja.

Pas pak u dëgjua një zë që foli duke u përpjekur të përshtaste dialektin:

-Tu’ngjat’jeta, bajraktar!

Quhej Petrit Pëllumbi. Nuk do t’ia harronim kurrë emrin që nga ajo ditë që ia mësuam. Kishte një vështrim të keq. Në zë i ndihej ironia. E pyeti gjyshin se ku i kishte burrat e shtëpisë dhe pastaj i komunikoi urdhërin e internimit për të gjithë familjen që ndodhej aty, çka nënkuptonte gjyshin dhe gjyshen, axhën, nënën time, mua me dy vëllezërit më të vegjël, gruan e xhaxhait me tri vajza

të vogla, gruan e kushëririt të parë me dy djem… Dy pleqtë e vobektë që jetonin në shtëpinë tonë, nuk ishin përfshirë në listën e internimit, por ata e ndjenë veten më keq se të gjithë. Si do të bënin pa ne? Ku do të shkonin qyqarët pas djegies së shtëpisë? Kush do të kujdesej për ta?

Komisari bëri apelin e na nxori të gjithëve jashtë nga shtëpia duke urdhëruar të mos merrnim asgjë me vete,me përjashtim të rrobave të trupit. Nana jonë u përpoq të shpëtonte një batanije të kuqe të leshtë duke menduar që me të, të mbulonte fëmijët. Por ai e shtyu tutje duke i thënë:

-Vetëm rrobat e trupit!

Kullës sonë qe vendosur t’i vihej flaka. U mor shpejt e shpejt bar nga mullarët e u fut në të dy katet e kullës dhe pastaj asaj iu vu zjarri.

Nana ime, që partizanët i quante shokë të të birit, pasi edhe ai ishte partizan, lëshoi zë: – Largohuni ma andej djemtë e nanave, se kjo shtëpi ka kenë e pushkës, e bukës dhe e besës, por muret e saj janë të mbushuna me armë e municion.

Sa mbaroi nana këto fjalë, u dëgjua shpërthimi i tyre.

Partizanët bënë disa metra larg që në krismën e parë. Ne ishim mpirë të gjithë. Na dukej e pabesueshme pamja që po na shihnin sytë. Po digjej shtëpia jonë, kulla e madhe e bajraktarit, që i kishte mbajtur hapur dyert e saj për shtegtarin e panjohur, ditën dhe natën.

Po digjej shtëpia që kishte pritur partizanët e uritur, kujtimin e të cilëve e kishin ende të freskët edhe më të vegjëlit e shtëpisë. Gruaja e axhës mbushte furrën me bukë për partizanët e nana jonë ua mbushte trastat me ushqim. Ishte e pabesueshme që kulla të digjej pikërisht nga ata!

Flaka vazhdonte të dilte nga të shtatë dhomat e saj dhe nga kuzhina e gatimit. Gjuhët e flakëve dilnin nga dyert e dritaret e bëra prej pishe. Nga brenda digjeshin sëndukët e drunjtë të grave të shtëpisë. Ne fshinim lotët,por askush s’thoshte gjë. Komisari kishte porositur të na vëzhgonin me kujdes të gjithëve gjatë djegies së kullës.

Zjarri zgjati deri pasdite.

Në perëndim të diellit, i ra fuqia. Gjyshi iu afrua komisarit partizan e i tha:

-Ju i dogjët të tana, pa mendu se kjo shtëpi ka dy parti. I ka dhanë luftës dy partizanë: tim bir Nikollin e tim nip Palin, i biri i tim biri. Nuk rujtët të paktën as dy dhoma për ta. Unë di që kjo luftë u ba për drejtësi.

I pashë se si ata u mblodhën kokë më kokë për disa minuta. Pastaj u shpërndanë pa i dhënë përgjigje gjyshit. Na vunë në rresht njësh kolonë të gjithëve sa u ndodhëm në shtëpi, 25 veta, e kështu morëm atë udhëtim të detyruar pa ditur se ku.

Kaluam shtigje e përrenj e pas disa orëve rrugë, të shoqëruar para e pas me ushtarë të armatosur, mbërritëm në Shpal. Bagëtitë e sekuestruara na vinin pas. Në Shpal na mbajtën të mbyllur pa ngrënë e pa pirë, pa ujë e pa dritë, për njëzet e katër orë në një barakë të vetme të gjithëve. Unë nuk qaja, por fëmijët qanin pareshtur e të rriturit flisnin me zë të ulët. Ajo barakë pa tavan u bë shtëpia jonë për dy javë. Pranvera qe ende larg.

Kishim të ftohtë në trup e akull në shpirt. Nana ime fliste me vete: “Ku asht im shoq? Ku asht im bir? A janë gjallë? A i dinë ata këto që po na ndodhin ne?” Psherëtinte vazhdimisht. Më vinte shumë keq për të. S’e kisha parë kurrë më të dëshpëruar. I rrija afër si më e madhja e fëmijëve, po nuk dija si ta ngushëlloja. Njëlloj si ajo, edhe unë pyesja veten: ”A është baba gjallë? Po Pali? Pse nuk vijnë për me na shpëtu? Përse?


 
Libri “Bota me një sy” u përgatit për botim nga 

Albana Melyshi Lifschin

Shkurt 2019, USA

Filed Under: Opinion Tagged With: Albana M. Lifschin-Bota me aje sy

GËZUAR 85 VJETORIN E LINDJES TONIN MIRAKAJ

July 5, 2019 by dgreca

…..(58 VITE NË VATËR)/*

Familja Mirakaj dhe miqtë e Toninit kanë festuar 85 vjetorin e tij te Lindjes. Një jetë plot me ngjarje dhe veprimtari në dobi të cështjes Kombëtare,në dobi të Atdheut dhe Kishës Katolike shqiptare,por dhe harmonisë fetare nder shqiptare, në shërbim të komunitetit dhe të kulturës kombëtare. I palodhur. 58 vite prej jetës së tij ia ka kushtuar Vatrës, ndaj Kryesia e Vatrës, vatranët, redaksia e Diellit, ia urojnë me plot respekt Ditën e Lindjes: GËZUAR! 
Sipas Toninit, Vatra është një “pasuri” e çmushme, që gjenerata e re duhet ta çojë më të konsoliduar në shekullin e dytë.

Në mirënjohje shkëpusim nga arkivi i Diellit shkrimin e Editorit:TONIN MIRAKAJ, GJYSËM SHEKULLI NË VATËR-

NGA DALIP GRECA

Tonin Mirakaj e ka nisë veprimtarinë në Federatën Vatra që në vitin 1961, pesë vite pasi kishte lënë vendlindjen. Me 20 shtator 1956 familjarisht ishin larguar nga Shqipëria për të fituar lirinë, por sapo shkelën në Jugosllavi, e ndjenë se kishin rënë nga shiu në breshër.Sistemet e qeverisjes dhe shtypjes të drejtave njerëzore, ngjasonin si vëllezërit siamezë. Gjithësesi azilkërkuesit shqiptar përfitonin në atë kohë nga që mes dy shteteve vazhdonin mosmarrëveshjet ideologjike. Sipas z. Tonin Mirakaj egzistonte edhe një tjetër faktor i favorshëm për emigrantët azilkërkues:Jugosllavia si nënshkruese e traktatit të Kombeve të Bashkuara për tëdrejtat njerëzore, duhej të pranonte refugjatë politik, për të cilët edhe merrte ndihma të konsiderueshme nga Komisariati i Lartë i Refugjatve në Gjenevë.Natyrisht që këto ndihma kontrolloheshin nga shërbimi sekret i shtetit, UDB-a, që fuste në rrjetën e saj refugjatët shqiptar.Gjuetia e UDB niste me ata që ishin të njohur, nëse nuk pranonin të futeshin në agjenturën e shërbimit sekret për t’u përdorur kundër Shqipërisë, atëherë futeshin në lsitën e armiqëve të Jugosllavisë dhe asgjësoheshin.
Në fund tëvitit 1959, Toninin me vëlla e motra i dërguan në kampin e refugjatëve të Gerovës në Kroaci.Kalimi nga Kroacia për në Perëndim ishte një aventurë më vete, që nisi në gusht 1960. Zgjodhën mesnatën dhe së bashku me një mik të familjes lanë kampin në terr dhe u arratisën.Aventura zgjati plot katër ditë e net, duke zgjedhur rrugë të parrahura, shtigjeve të maleve të Kroacisë dhe Sllovenisë, arritën në Itali.
Mbërritjen e tyre në aeroportin “Idle Wild” të New York-ut dhe historinë që sillnin me vete e ka përshkruar Gazeta”Daily News” e datës 25 shkurt 1961.
Tonini pat fatin qëtëtakonte dhe të bashkëpunonte me disa nga përfaqësuesit historik të diasporës, që kishte ardhur në ShBApas Luftës së II Botërore. Ai kujton se si njohu atdhetarë të tillësi :Miko Kokolari, nje patriot i vërtetë, dhe një ndër udhëheqsit e Vatrës. Profesor Nexhat Peshkëpia, editor i gazetës “Shqiptari i Lirë”, Prof. Rexhep Krasniqi, kryetar i Komitetit Shqipëria e lirë, Ing.Vasil Gërmenji, përfaqësues i Shqipërisë, në organizatën e kombeve të robëruara,A.C.E.N. ( Assembly of European Captive Nations), Kostandin Vangjel, sekretar i komitetit dhe të tjerë. 
Në majin e vitit 1961, ai kujton se kishte shkruar një tregim dheia dërgoi gazetës “Shqiptari i Lirë”. Pas pak ditësh mori një telefonate nga Prof. Peshkëpia, icili e ftoi për një takim në zyrën e tij, që ishte në14 East 34th Street, në Manhattan,N/Y.Profesori e priti me dashamirësi.Takimi i ka mbetë në kujtesë.Tregimi i shkruar nga Tonini“Kokrrat e Misrit” u botua në qershor të vitit 1961. Nexhatit i kishte pëlqyer tregimi, dhe e inkurajoi.U botuan disa tregime e shkrime dhe bashkëpunimi me “Shqiptari i Lirë” vazhdoi deri në vitin 1991, kur u mbyll.
Tonini kujton se me kërkesën e Kryetarit të Komitetit Shqipëria e Lirë, prof. Rexhep Krasniqit dhe bashkëpunëtorve të tij, ai kryesoi kremtimin e 28 Nëntorit të vitit 1970, ku morën pjesë me qindra shqiptarë dhe amerikanë, si dhe përfaqësues të 9 shteteve të Europës Lindore, antarë të A.C.E N.it. E ka përcjellë këtë ngjarje gazeta Shqiptari i Lirë, Nëntor-dhjetor 1970.Por kur dhe nëç’rrethana shkoi Tonini në Vatër?
Profesor Nexhat Peshkëpia, që në takimin e parë e pat këshilluar që të zgjidhte një një shoqëri kulturale, siç ishte Federata“Vatra” dhe jo partitë politike qe kishin grindje.
Nëfund të bisedës, Prof. Peshkëpia i kishte dhene Kanunoren.E lexoi menjëherë.Pikat 1,2, 5 dhe 28, e binden se kjo ishte shoqeria, ku duhej të shkonte.U anëtarësua në verën e vitit 1961, 51 vite të shkuara.
Tonini sjell ndërmend disa “coffee houses” në zonën ku banonte,të cilat frekuentoheshin nga shqiptarët e vjetër, që nuk i kishin në sy të mirë emigrantët politik.Mendoninse Shqipëria ishte e lirë, me qeveri shqiptare, dhe emigrantët e pas luftës i cilësonin reaksionarë. Ishte vështirë të merrje përkrahje prej tyre.Bëntepërjashtim Miko Kokolari, i cili përpiqej të balanconte marrdhëniet mes të vjetërve dhe emigrantëve politik. Me kalimin e kohës, kjo situatë ndryshoi. Miko e kishte zyrën në Revington Street,dhe aty u vinte në ndihmë emigranteve të rinj dhe të vjetër, pa dallim.Aty, gjendej gazeta Dielli, si edhe lajmërime të tjera për aktivitete në komunitet.
Tonini u anëtarësua në degën e Vatres # 29, N.Y.dhe N.J., e cila bënte dy mbledhje në vit.Njëra ishte për të zgjedhur delegatët për në kuvend, që ishte i përmotshëm, dhe mbahej në Boston. E dyta mbas kuvendit, ku bisedohej për vendimet, që ishin marrë në kuvend, dhe zgjidhej udhëheqja e re e degës.Këto mbledhje, bëheshin në sallën e kulturës, pranë kishës Orthodokse të Shënkollit në 48th street, ndërmjet 10 dhe 11th avenue, në Manhattan.Në mbledhjen e parë që mori pjesë si Vatran, ndjeu një gëzim të veçantë.Në atë mbledhje kishte ardhë Hirësia e Tij Peshkop Fan S. Noli.Ishte hera e parë që e takonte.
Në kuvendin vjetor të vitit 1970-71, Tonin Mirakaj ishte një ndër delegatët e degës #29, N.Y. dhe N.J.
Kujton udhëtimin nga Nju Jorku së bashku me Muharrem Babameto, Agim Karagjozi, dhe HajdarTonuzin.Ishte kuvendi i parë që merrte pjesë dhe u takua edhe me Anthony Athanas, Barny Kirka,Gregory Chiriako, Kristo Thanas,Rev. Arthur Liolin. U njoh me delegatë nga shtete të ndryshme.Nga Detroit me ing. Ahmet Dervishi, dhe Fehmi Kokolari, nga Toronto, u njoh me Ibrahim
Kullën e të tjerë. U familjarizua me punimet e kuvendit vjetor, dhe zbatimin e kanunores, si edhe me kulturën dhe pjekurinë e vatranve të vjetër si Ramadan Ali Arza, Florence Pano, Nik Kreshpani, Pauline dhe Peter Lukas,Harry Stoja e të tjerë.Të gjithë kishin një dashuri të zjarrtë për Vatrën dhe Atdheun. Kjo shprehej në diskutimet në Kuvend.Përmes jetës në Vatër fitoi pjekurinë e një aktivisti që mori përsipër edhe organizimin e drejtimin e veprimtarive.
Tonin Mirakaj ka qenëanëtar i bordit,i zgjedhur në disa kuvende, ka qenë zv/kryetar më 1980, 1981, 1982, ndërkohë që kryetar ishte Dr. Andrea Elia, dhe 1984-85 me kryetar Harry Stoja. Po ashtu ai është zgjedhur kryetar i Deges # 29 New York dhe New Jersey, 1978-79, me N/kryetar ing.Mahmut Tsungu, sekretarRasim Sina, arkëtar Zef P. Deda, dhe anëtare Nexhmije Zaimi,Ramiz Dani, Zef Perndoca e te tjere.Kakryer edhe detyrën eakëtarit tëkësaj dege me 1976-77, kur ishte kryetare zonja Nexhmije Zaimi.Detyrën e arkëtarit të degese ka kryer edhe më 1977-78,kur ishte kryetar Selahedin Velaj.
Ndër veprimtaritë ai veçon Seminarin e vitit 1972,kushtuar 100 vjetorit të lindjes të At Gjergj Fishtës, ku ishte bashkorganizator me Muharrem Babameto, që u organizua nëWaldorf Astoria Hotel, ne New York. Po ashtu në kuvendin vjetor të vitit 1978, u zgjodh kryetar i kuvendit tëFederatës Vatra, mbajtë në Hilton Hotel, New York, duke patur si sekretar Rasim Sina, dhe reporter Gjeto Sinishtaj. Në vitin 1979, ishte sekretar i kuvendit te Vatres, mbajtur ne Anthony’s Pier 4, ne Boston, Mass.Ndërkohë që në vitin 1982,Tonin Mirakaj ishte një ndër organizuesit e seminarit të 100 vjetorit të lindjes së Fan S. Nolit, mbajtë në New York Hilton Hotel.Ai qe përgjegjës për mbledhjen e ndihmave për shpenzimet e rastit, dhe botimin e librit “Flamurtar i Kombit”, me autoreditorin e Diellit, Edward Licho.
Kronika e pjesmarrjes së tij në veprimtaritë e Vatrës është e pasur: Me 6 nëntor 1983 ishte folësi kryesor në drekën organizuar nga Vatra, për nder të editorit tëgazetës Dielli,z.Xhevat Kallajxhi, mbajtë në Anthony’s Pier 4, në Boston.Fjalimi gjendet në Dielli,March 16,1984.
Në vitin 1984,Mirakaj ishte sekretar i kuvendit të Vatrës,që u mbajt në Detroit, Michigan, ku u kremtua edhe 75 vjetori i gazetës Dielli, ndërsa nëkremtimet e 28 nëntorit 1994, kryesoi kremtimet e festës së Flamurit, që u mbajt në New York Hilton, organizuar nga Vatra, në bashkëpunim me komunitetin shqiptar.
Tonin Mirakaj ka kryer edhe detyrën e sekretarit për Vatra’s Permanent Fund, me kryetar ing. Agim Karagjozin.Po ashtu ishte anëtar i Vatra’s “Konstitutional Revision Committee”, bashkë me profesor Sami Repishti, Harry Stoja, Agim Karagjozi e të tjerë si dhebashkorganizator me ing. Agim Karagjozin i transferimit të eshtrave të Faik Konicës, në Atdhe, 1995.
Z. Miraka ka punuar me disa kryetarë të Vatrës, si me Kristo Thanas,Nik Kreshpani, Barny Kirka,Gregory Chiriako, Ahmet Dervishi, dr. Andrea Elia, Harry Stoja, Arshi Pipa dhe ing.Agim Karagjozi. Ai pohon se tëgjithë kishin një dashuri të zjarrtë për Vatrën.Ka qenë në strukturat udhëheqëse nga viti 1970,deri më 1997. Ai veçon Anthony Athanas dhe Prof. Arshi Pipa.
Z. Mirakaj mendon se shkruhet e flitet shumë për 50 vitet e para të jetës së Vatrës,dhe fare pak ose aspak, për 50 vitet e dyta, përpjekjet dhe dedikimin e shumë vatranëve,për ta mbajtë dhe forcuar Vatrën.Nga kontribuesit udhëheqës të gjysmës së dytë të shekullit, ai veçon Peter Chikos,Kristo Thanas, Barny Kirka, Ramadan Ali Arza, Ing. Ahmet Dervishi, Dr. Andrea Elia, Pauline Lukas, Anthony Athanas. Nga aktivistët në degën # 29, New York dhe New Jersey, veçon Miko Kokolari, Vahit Çika,Muharrem Babameto, Nexhmije Zaimi,Petraq Ktona,Ing. Mahmut Tsungu e të tjerë.Nuk harron të përmend edhe editorët e Diellit Dr.Athanas Gega, Refat Gurazezi, dhe Xhevat Kallajxhiu.Të gjithë këta në Botën e Amshuar. Nga ata që ende janë në këtë Botë, çmon punën e ing Agim Karagjozit,Hajdar Tonuzit, prof. Sami Repishti, Selahedin Velaj, vëllezerit Seidi dhe Sabit Bitici, Zef Pernoca, kryetarit të tanishëm, Dr. Gjon Buçaj,Anton Çefa,Esat Bilali e të tjerë, të gjithëvatrane të “Dimrit dhe të Beharit”.
Vatrani gjysëmshekullor, mendon se Vatra ka meritën se ka ditur që të ruajë marrdhënie të shkëlqyera me bashkësitë fetare në Amerikë, veçanërisht në festën e Flamurit, aplikon rotacionin në lutjen fetare.Levizja kombetare e shqiptarve te Amerikes e ka bazen te Kisha Orthodokse dhe Vatra, qe u formua 3 vjet mbas Kishes.Të dyja mbështetën njëra tjetrën në mbrojtjen e interesave kombëtare. Keto institucione, paten ne fillim udheheqes te perbashket, qe kordinonin perpjekjet per te bashkuar mergaten shqiptare.Udheheqes te shquar, largpames, patriotë të
vertete dhe intelektualë te persosur si Fan S.Noli, Faik Konica,Llambi Çikozi, Kristo Kirka e shume te tjereorganizuan mitingje nder qytete e shtete, ku banonin shqiptare, dhe shumë shpejt themeluan Vatrën dhe degët e saj duke bashkuar në federatë më shumë se 5 mijë shqiptarë.
Për Mirakën shembull i veprimtarive të Vatrës mbetet kremtimi i 60 vjetorit te gazetes ‘Dielli’, ne Nëndor te vitit 1969, mesha ne Kathedralen e Shen Patrikut, ne Manhattan, New York,me celebrant kryesor Eminencen e TijTerence Cardinal Cooke, dhe pjesemarrje te mijra shqiptarëve, duke qene të pranishëm klerikë te tri besimeve, Katolik, Orthodoks dhe Musliman.Pati gjithashtu nje grup klerikesh dhe besimtaresh arbereshte ritit Bizantin,ardhur nga Italia. 
Duke qenë një veprimtar aktiv, z. Mirakaj, ka qenë pjesë e pritjeve dhe përcjelljeve të personaliteteve nga trojet shqiptare. Ai veçon dr. Ibrahim Rugovën, që u ftua në ShBA në tetor 1989, nga Kisha katolike “Zoja e Këshillit të Mirë”, që organizoi në Fordham University seminarin për 300 vjetorin e vdekjes së Pjetër Bogdanit. I ndjeri I.Rugova ishte nder folesit e seminarit, i ftuar nga komisioni organizator, që e kryesonte Tonin Mirakaj.Ai kujton se kaluan një javë bashkë nën shoqërimin e jë rrethi miqësh si: Dom Rrok Mirdites, Dom P.Popaj, Gjek Gjonlekaj, Fran Shala, Vellezerit Bitiçi,Simon Simolacaj,indieri Pretash Curanaj, etj.
Dr. Rugova kishte informacion të gjërë për Vatrën dhe konsideratë të lartë.Në përshëndetjen përpara ligjëratës mbi Bogdanin, ndër të tjera tha: “Nisma e kishës katolike shqiptare për tëshënuar këtë jubile, është nismë e mirë…Pa ndonjë kompliment të tepruar, kjo nismë sikur e vazhdon traditën e Vatrës së Bostonit,ecila me decenie veproi në planin kulturor e kombëtar”.
Mirakaj kujton porosinë e Rugovës: “ Forcojeni Vatrën, se u duhet shqiptarëve”.
– E ndiej veten tëlumtur, që isha një ndër personat kryesor,që bënë të mundur, ardhjen e parë të dr. Rugovës në Amerikë, thotë Mirakaj.
Po ashtu ai kujton pritjen e dr. Berishës me 16 Qershor 1992, si presidenti i parë i Shqiperisë demokratike:”I beme nje pritje madheshtore, me pjesemarrjene 2000 bashkatdhetarve në Hilton Hotel, në New York.Mbrëmja u kryesu nga z.Seidi Bityçi, fjalën përshëndetse e mbajti Profesor Sami Repishti.Komisioni përgatitës pati Co-Chairman z. Sokol Neçaj dhe Tonin Mirakën.
Ndër personalitetet e botës shqiptare, Miraka kujton me shumë dashuri, profesor Martin Camaj, icili kishte respekt dhe konsideratë tëveçantë për Vatrën.Sa herë që vinte në Amerikë, e kishte mysafir në shtëpinë e tij.
Po ashtu kujton edhe takimin me presidentin Rexhep Mejdani në New York, ku Tonini ishte i ftuar së bashku me bashkëshorten në darkën e shtruar ne Roosevelt hotel me 2 Maj 2000.Ai thotë se presidenti la përshtypje të mirë me vizion intelektual.
Me një respekt të veçantë ai kujton Nexhmije Zajmin, zonjën e Vatrës, e cila pat studiuar ne Wellesley College, ku edhe botoj librin “Doughter of the Eagle”. Mori pjesë në disa mandate, në këshilla të degës # 29, NY dhe NJ, si edhe në bordin e Federatës, me qendër në Boston.Në kuvendin e vitit 1977 u zgjodh nënkryetare e Vatres, me kryetar ingj. Ahmet Dervishin.Ne NY ajo kishte nje rreth aktivistesh me te cilet kishte nje bashkepunim shumë të mirë si: Petraq Ktona, Agim Karagjozi, Hamdi Oruchi, Selahedin Velaj, Zef Pernoca,Tonin Mirakaj etj.Kur i vinte ndonje mysafir nga larg, Nexhi i therriste miqet e saje per “Wine and cheese”, ku bisedohej gjithmone, ne nje atmosfere te kendshme miqsore. Ajo, banonte ne 120 East 79th street, dhe Tonini me familje ne 81 street dhe 5th Ave. Kjo afersi i bente vizitat me te shpeshta.Ai kujton një rast kur në shtëpinë e saj takuan të Hasan Dostin. Biseda kishte zgjatur 4 orë.
Tonin Mirakaj ndjehet i gëzuar që perjetoi atmosferën e 100 vjetorit të Vatrës, pasi është anëtar i saj për 51 vite dhe uron federatën për shekullin e dytë të jetës së saj.
Mesazhi i tij, është mesazh urimi për të gjithë vatranët, që nuk kursyen mundin e tyre për të ndihmuar federatën, me të cilën mburren shqiptarët e Amerikës, veçanërisht vatranët. Shqiptarët e Amerikes, këshillon ai, duhet t’i japin përkrahje asaj. Brezi ri po trashëgon një “pasuri” të çmushme, që duhet ta çojë më të konsoliduar në shekullin e dytë.

*Per me shume Fotografisë shikoni ne Facebook(dalip Greca)

Filed Under: Opinion Tagged With: Tnin Mirakaj-85 Vjetori- Dalip Greca

IDROMENO – I PËRVETËSUAR PËR NJË COPË BUKË INTERNIMI

July 5, 2019 by dgreca

Nga KOLEC P. TRABOINI KOL IDROMENO/

Ka misione e misionarë të çuditshëm në këtë botë të pleksur keq, siç e konsideronte Shekspiri, të cilët kinse duke kërkuar të nxjerrin prej historisë vlera, në deduksione e amulli vetanake nuk mungojnë të hedhin shkulmë terrine edhe mbi atë që ndrin e të bën krenar si komb.

Dihet se gjithherë ka pasur nga ata që nga dëshira e ndezur shpirtpërvëluese për të hyrë në analet e historisë, ndërkohë në paaftësi të plotë të krijojnë, kanë ndjekur një tragë tjetër të kundërt me atë të krijimit. Janë përpjekur për të shtënë në hije atë që kanë krijuar paraardhësit apo bashkëkohësit e vet. Ai që dogji Romën quhej Neron dhe e vuri emrin në histori po aq të spikatun sa dhe perandorët që e ngritën lart emrin e perandorisë dhe e bënë të ndritshme atë. Zumë një emër rrënuesi, por historia na jep plot shëmbëllesa shekull pas shekulli, për të ardhur deri në ditët tona. Nuk i kanë shpëtuar kësaj dhune historike as emrat tanë të mëdhenj si Gjergj Fishta, e jo vetëm. Paradoksalisht edhe pse sistemet e dhunshme ndërrohen simptomat e përçmimit dhe përçudnimit të historisë e kulturës vazhdojnë. Ka një tollovi të madhe edhe ndër bashkëkohësit tanë, nga ata që kërkojnë të dalin e të bëjnë show mediatik me ide kinse të reja. Nuk do t’i hyja trajtimit të këtij aspekti sikur vitet e fundit të mos i ishin përveshur edhe Da Vinçi-t shqiptar, Kol Idromeno. Një prej atyre që përpiqen thekshëm të bëjnë “zbulime” në këtë siujdhesën tonë ballkanike është piktori Mustafa Arapi, i cili në “Gazeta Shqiptare” të datës 1 qershor 2017, shkroi më të pabesueshmen në fushë të artit, kinse portretin e Motrës Tone (nënën e Dadës sime Katrina Skanjeti -Traboini) nuk është vepër e Kol Idromenos. Më vjen ta pyes me zë të lartë sa të dëgjojë edhe Kol Idromeno në varr: Po kush e ka bërë, o Mustafa? Meqë i hyn valles çoje deri ne fund. Na thuaj emrin e piktorit të aluduar, sepse emri Nikolla Idromeno në telajon ku shfaqet mrekullia “Motra Tone” nuk qenka e mjaftueshme për ju. Për më tepër si është e mundur që Kol Idromeno, ky personalitet kaq i madh i artit shqiptar, i paska lejuar vetes të vërë emrin e vet poshtë veprës së një tjetri nga Italia, ku, e theksojmë, nuk e dimë të ketë shkuar Antonia Skanjeti-Idromeno. Por edhe në pastë shkuar nuk ka qenë e veshur me rrobe tradicionale shkodrane por europiane. Ajo e kishte bashkëshortin intelektual italian, mësues dhe veshja e saj e përditshme ka qenë allafrënga si në familjen prindërore, po njëjtë edhe në atë të martesës, Skanjeti. Jo vetëm e pabesueshme kjo pandehmë, por edhe e përzishme. E përzishme për çdo dashamirës arti, aq më tepër për ne që jemi pak a shumë të afërt me familjet Idromeno e Skanjeti, sepse Motra Tone para se pikturë ka qenë një njeri. E gjithë pandehma e këtij kritiku të vonuar është se nga ana stilistike ndryshon portreti “Motra Tone” nga veprat e mëvonshme, qofshin këto portrete apo kompozime. Po çfarë ka këtu për t’u çuditur. Ndryshe prej çdo vepre tjetër, Motra Tone e mëvonshme, me veshje allafrënga, është dhembja e thellë e Kol Idromenos, pikëllimi piskamë i vëllait për motrën e vdekur në moshë të re. Është vuajtje shpirtërore që e ka shoqëruar për një kohë të gjatë. Këtë ndjesi humbëse nuk e ka pasur Kol Idromeno në vitin 1883, kur datohet krijimi i portretit të parë, anipse askush nuk e vërteton dot se ajo vepër nuk ka ardhur duke u përsosur në detaje nga dora e piktorit edhe pas atij viti. Që vuajtja e piktorit ka qenë e madhe e tregon fakti se dekada më vonë ai krijon portretin e dytë të “Motres Tone”. Mesa duket me kërkesën e vajzave të saj që tashmë qenë rritur. Po ashtu ai krijoi dhe portretin e babait të tyre, burrit të motrës Tone, Andrea Skanjeti. Trajtimi dhe tonaliteti i të dy portreteve të bashkëshortëve është pothuajse i njëjtë. Të kërkosh këtu shkëlqimin kromatik të portretit të vitit 1883 është si të kërkosh të ngjallësh të vdekurin. Dy portretet e prindërve janë dhurata e Kol Idromenos për pesë mbesat e tij, vajzat e “Motrës Tone” për t’i ruajtur në kujtesë, sepse ato kur vdiq nëna e tyre ishin ferishte, ndërsa babai kishte ndërruar jetë në vitin 1908. Ato e njihnin nënën vetëm nëpërmjet pikturës me veshje tradicionale. Por e vërteta është se Motra Tone atë veshje tradicionale e ka pasur vetëm në pajë e jo si veshje të përditshme. Ajo ishte gruaja e një italiani, Andrea Skanjetit (i pari) që ashtu si Pietro Marubi, erdhi nga Italia e dha një kontribut të madh në shkollimin e pinjollëve të familjeve shkodrane duke krijuar një brez intelektualësh që do të bëheshin krenaria e qytetit të Shkodrës. Pra vajza shkodrane Antonieta Skanjeti ishte ndër më të emancipuarat e kohës së vet. Ajo vishej me rroba europiane e të modës së kohës, rroba që vinin nga Italia. Edhe vajzat e saj po ashtu, të cilat, i shohim me veshje tradicionale vetëm në fotografi. Kol Idromeno më shumë se angazhim artistik, në portretin me veshje allafrënga të Motrës Tone, ka pasur qëllim të krijojë imazhin e saj, dhe meqenëse ajo nuk jetonte më, ai nuk mund t’i jepte atë shkëlqim drithërues që ka portreti i vitit 1883. Nuk mendoj se kjo diference e madhe stilistike e kualitative në përdorimin e ngjyrave e pasurinë e detajeve ka të bëjë me venitjen e talentit të piktorit ndër vite, siç thonë skeptikët. Kurrsesi. Përkundrazi është e shpjegueshme, gjithçka i nënshtrohet qëllimit për të cilin është krijuar portreti në telajo. Ndërsa në veprën e parë këndojnë ngjyrat e tonet janë të gëzueshme, sepse piktura është krijuar kur Motra Tone ishte gjallë, në të dytën tonet janë serioze, madje diku-diku të trishtueshme nga që figura e krijuar tregon portretin e një njeriu që nuk jetonte më. Ishte pra një përkujtim e përshpirtje e nuk mund të kishte shkëlqimin e veprës se vitit 1883. Prandaj na duket e pa arsyeshme dhe pa asnjë bazë pretendimi se Motra Tone e vitit 1883 ka dorën e dikujt tjetër. Se pari duhet të kujtojmë se, tjetër ndjesi ka njeriu kur këndon e tjetër kur përkujton amshimin, ani pse ai që i përjeton ndjesitë e kundërta është i njëjti njeri. Edhe në trajtimin ngjyrave në telajo funksionon kështu. Ngjyrat kanë ndjesinë dhe frymën e atij që krijon. E njëjta dukuri qëndron edhe për vargjet poetike, por edhe për muzikën. Po si vazhdon historia me skeptikët mbi veprën e për më tej edhe jetën e Kol Idromenos? Lexojmë edhe pse nuk duam të besojmë: “Jeta e vepra e tij janë shembulli i qartë se si lindin dhe veniten talentet shqiptare”. (Gazeta “Shqip” – Kolë Idromeno, i pari i tragjedisë së pikturës realiste shqiptare – Eleni Laperi, 15 gusht 2017). Qenka venitur Kol Arsen Idromeno, ky Da Vinçi shqiptar, e zeza mbi të bardhë në gazetën “Shqip”, me firmë e me vulë të studiueses në fjalë. Ky po që është studim-zbulim me tronditë edhe mendjet më të kthjellëta. Por le të vazhdojmë ta lëçisim edhe më tej zonjën Laperi, që të përpiqemi sadopak të kuptojmë ku e ka pasur ngulmimin studiues që të konsiderojë Kol Idromenon tragjikun e pikturës shqiptare. Pse pra na paska qenë Idromeno një piktor me thelb tragjik?: “I ati (Arsen Idromeno- shënimi im K.T.) e ndihmoi djalin e tij të zhvillonte dhuntinë për pikturën, skulpturën, muzikën dhe fotografinë, duke e ditur se ato nuk do ta bënin të pasur, duke mos e ditur se e shtynte të birin në një jetë prej Ferri e Parajse.”, shkruan zonja Laperi. Epo, mbase ajo nuk e di fare se kush ka qenë babai i Kol Idromenos dhe çfarë dhuntish ka pasur vetë ai, dhe pikërisht për këto aftësi të tij politeknike i mësoi të birit të gjitha mjeshtëritë, të cilat do ta ndihmonin për ta përballuar jetën. Madje shumë punime që krijuan traditën e arkitekturës të qytetit të Shkodrës, e që sot i admirojmë edhe të huajt, kanë qenë të Arsen e Kol Idromenos. Vetë Arsen Idromeno ka qenë arkitekt. Me ndërtimet që bënë baba e bir në qytetin e Shkodrës kthyen paraqitjen e këtij qytetit nga orientale në oksidentale, me fytyrë e frymë nga Europa, zhvillimi më i madh në këtë qytet bashkë me lulëzimin e zejtarisë që e bënë qytetin më të njohur në Ballkan. Pra përafruan Shqipërinë me qytetërimin europian, shprehje e të cilit në këtë rast është arkitektura. Të krijosh një Europë të vogël në Shkodër të Shqipërisë së robëruar pesë shekuj, është me të vërtetë një punë e madhërishme. Historia nuk ia jep çdo kujt këtë mundësi e këtë lavdi. Falë Arsen e Kol Idromenos, kur të huajt vinin në Shkodrën e pas tërmetit shkatërrues vitit 1905 dhe rindërtimin të qytetit mbi principe moderne, e ndjenin se ishin në Europë e jo në humbëtirat e Anadollit. E njëjta ndjesi të krijohet edhe sot kur kalon në pedonalen që mban emrin e Kolës, e cila në të vërtetë duhet të mbante emrin e atit dhe të birit, sepse ishte vepër e përbashkët. Dhe është e nevojshme të theksojmë se Kol Idromeno nuk ka qenë i varfër, sikur kjo studiuesja kërkon ta shesë. Përkundrazi ka qenë një familje në gjendje shumë të mirë, dhe Kola, i cili bënte çdo lloj punë që përfshihet në artizanat, kishte të ardhura. Ne që jemi të afërt të rrethit familjar nuk dimë të ketë vuajtur Kol Idromeno për bukën e gojës, në atë kuptim që kjo zonjë e quan “ferr parajsë” të jetës së Kol Idromenos. Jeta e Idromenos nuk ka qenë ferr, por një pasion i ndritur. Ka pasur fatkeqësi familjare me vdekjen e djalit dy vjeçar, Zefit, si dhe motrës në moshë të re, por ai kurrë nuk është mposhtur nga dhimbja. Kishte aq shumë pasione e punë sa nuk kishte kohë të rrinte nëpër skena pikëlluese romantike siç e fantazon jetën e artistit Eleni Laperi. Fantazitë e kësaj zonje që shkruan në irealitet vazhdojnë: “Me Kolë Idromenon nis historia e tragjedisë së pikturës realiste shqiptare në veçanti, në vazhdën e tragjedisë së kulturës shqiptare në përgjithësi. Jeta e vepra e tij janë shembulli i qartë se si lindin dhe veniten talentet shqiptare.” Janë këto një retorike fjalësh pa ditur se kujt i adresohen e për çfarë. Një mendim skematik për të shkuarën tragjike, se e shkuara na qenka vetëm tymnajë. E kemi vuajtur këtë mendësi gjysmë shekulli në mungesë të lirisë. Gjykime të tilla nihiliste dhe kategorike nuk i shërbejnë askujt. As atyre që i kanë dhe i shprehin. E vërteta është se shpesh herë dritën e diellit më shumë se në qiell duhet ta kemi në mendje. Sado e shkëlqyer të jetë drita ndodh që nuk arrijmë ta shohim. Pse e them këtë? Sepse të konsiderosh Idromenon, përpara të cilit mahnitej i madhi Odise Paskali, në një dështak tragjik është një guxim i çartun. Më të vërtetë është krejt e pa konceptueshme dhe shkrime të tilla nuk meritojnë të kenë vëmendje e as të lexohen. Veç tundimi i madh më bën të reagoj e të them se jeta e artistëve nuk është një terren ku mund të fryjmë e shfryjmë egoizmin tonë, qoftë ky profesional, studimor apo përsiatje vetanake jashtë vetkontrollit. Pa shkuar një kohë e gjatë, që kur ka hedhur një shkul terrinë e hije mbi talentin e Kol Idromenos, kjo zonjë e nderuar, Eleni Laperi pra, del e flet ne media, për kë do thoni ju, bash sak për meritat e Kol Idromenos, me atributin kjo zonjë si “këshilltare e Ekspozitës” së Galerisë Kombëtare të Arteve figurative Tiranë për Kol Idromenon. Dhe kinse ka zbuluar portretin e Monsinjor Dom Ernest Çobës të punuar nga daja i tij Kol Idromeno. Monsinjorit, të cilit portretin ia morën në Galerinë e Artit, por jetën ia shuan në qelitë e burgjeve të diktaturës. Kësisoj nuk ka pasur kurrfarë nevoje e gjë prej gjëje për të zbuluar, sepse nipat e Monsinjorit janë gjallë dhe e kanë pasur Monsinjorin dhe portretin e tij në shtëpi. Këtu është vendi për të treguar më shumë për njeriun që është pikturuar në të, sepse gjithëherë portretet në telajo e kanë një histori po aq interesante e me vlerë sa dhe mjeshtëria e ngjyrave dhe kompozimit. Piktura në këtë rast është njeriu, i pandashëm kurrë prej saj. Dihet që Kol Idromeno e kishte shtëpinë e studion në rrugën Gjuhadol në Shkodër. Meqë nuk kishte trashëgimtar ka marrë gjithnjë pas vetes Orsolina Skanjetin, bijën më të vogël të Motrës Tone. Ajo ishte martuar me një pinjoll të familjes Çoba, Luigjin, që e thërrisnin Xhixhi. Orsolina Skanjeti – Çoba, pas vdekjes para kohë të bashkëshortit të vet, bashkë me gjashtë fëmijët, katër vajza dhe dy djem (Gjyzepina, Gjyliana, Vitorja, Linda si dhe Ernesti dhe Leci) vazhdonin të jetonin në shtëpinë e dajës së vet. Me vdekjen e dajës Kol Idromeno dhe Cinës, të cilët nuk kishin trashëgimtarë, Orsolinës i mbeti çdo gjë që kishte lënë Kol Idromeno. E këtu hyjnë shtëpia, studio fotografike dhe pikturat e tij. Por kur trashëgimtarët e Orsolinës vendosën ta shesin shtëpinë, shumëçka nga studioja e Kol Idromenos mbeti në dorën e fatit. Kam qenë mjaft herë në atë shtëpi me Dadën Katrinë kur isha fëmijë, kam në kujtesë mjaft detaje, çardakun, odën e xhamave, pusin në oborr dhe ndonjë pikturë varur në mure. Një herë që kthehesha nga shkolla në rrugën Gjuhadol, te cepi shtëpisë së Kol Idromenos ku kishin hyrë pronarë të rinj, më kapi vështrimi shumë xhama të thyer. Ishin xhama të hollë dhe të zinj, çfarë nuk kisha pasur rast të shihja më parë. Mora disa prej tyre në dorë dhe vura re disa figura njerëzore si hije nate, që m’u dukën të frikshme. Megjithatë mora njërën prej tyre, që ishte sa gjysma e një fletoreje dhe e futa në çantë. Kur shkova në shtëpi gjeta Dadën Katrinë që po gatuante. Më pa me duar të pista e më pyeti pse të janë nxirë ashtu. I tregova xhamin e zi e të thyer. Më pyeti se ku e mora dhe unë i tregova se kalova para shtëpisë së teze Orsolinës. Dada Katrinë u vrenjt dhe në çast e kuptova se u mërzit shumë. Ajo çfarë ruaj në kujtesë janë fjalët: “Paskan shkatërruar odën e xhamave të dajës.” Fjalë që tani më tingëllojnë akoma më pikëlluese se asaj dite kur, si harabel i gëzuar kaloja në rrugën Gjuhadol, për të shkuar tek Dada Katrinë me një copë xham të thyer të dajës së saj Kol Idromeno. Ishte një humbje që i kushton kohës aq shumë. Gjithësesi interesi për veprat e Kol Idromenos nga Galeria e Arteve Tiranë kanë qenë menjëherë pas hapjes së saj në janar 1954. Dhe meqenëse familja e Orsolina Çobës ishte në gjendje jo të mirë ekonomike, me gjithë hezitimin, më së fundi pranuan ta shisnin portretin e Motres Tone, nënës së Orsolinës, Katrinës, Milenës (nëna e poetit Zef Zorba kjo e fundit) si dhe dy motrave të tjera që ndodheshin në Kosovë. Në kujtesën time është e fiksuar dita kur Dada ime Katrinë erdhi në shtëpi e solli një sasi paresh të cilat i vuri në komo duke thënë “e kanë shitur portretin e nanës Tone dhe më dhanë pjesën teme”. Ky detaj është familjar e mbase nuk ka rëndësi, por gjithsesi pohon një të vërtetë, Galeria e Arteve Tiranë e dinte se në shtëpinë e Orsolina Çobës ndodheshin dhe vepra të tjera të Idromenos. Rin Andrakja, që mban emrin e dajës, Monsinjorit Ernest Çoba, me të cilin shoqëroheshim në fëmini dhe në rini, më kujtoi së fundi tërë peripecitë që kishin të bënin me portretin e dajës, por dhe familjen e vet. Pas ndalimit të fesë ku Kisha e Madhe pësoi fatin e keq të bëhej pallat sporti, Dom Ernest Çoba, Arkipeshkvi i Kishës Katolike në Shqipëri, u largua nga Qela (rezidenca e klerikëve katolikë) ku mbante dhe portretin e bërë nga daja i vet Kol Idromeno. Atë e kishte si gjë të shtrenjtë. Mbaj mend se jo shumë kohë më parë, në vjeshtë 1966, kur isha me leje nga ushtria, kisha shkuar për të takuar Dom Erneston në Qelë. Shoqëruesi që bënte detyrën e portierit, më çoi në paradhomën e apartamentit të Dom Ernestos dhe aty në mur qëndronte pikërisht portreti për të cilin po flasim. Dom Ernesto u detyrua të jetonte me familjen e motrës Gjyljanë e cila kishte dy fëmijë, Toninin dhe Rinin. Burrin e kishte italian dhe ishte riatdhesuar. Ishin katër persona në familje dhe nuk jetonin më në shtëpinë e Kol Idromenos, të cilën e kishin shitur, por në një shtëpi me qira. Ishin në gjendje të vështirë ekonomike. Dom Ernesto ishte i sëmurë, merrte ilaçe, gjë që e vështirësonte akoma më shumë gjendjen. Pikërisht në këtë kohë arrestohet nëna e djemve, motra e monsinjorit. Djali i madh, Tonini, ishte mësues në fshatrat e Pukës. Dom Ernestoja i tha një ditë Toninit se, meqë kushtet janë të vështira të shikonte se mos e blenin në Tiranë portretin që i kishte ba daja Kolë. Tonini kishte shkuar në Galerinë e Arteve dhe ata ia kishin mbajtur për t’i bërë ekspertizën dhe vlerësimin. Po kjo donte shumë muaj i kishin thënë. Ndërkohë kishte ndodhur një ngjarje dhe fati i Toninit ishte i përcaktuar tashmë. Kur ishte arrestuar Gjyljana Çoba- Andrakia, hetuesit dhe policia e kishin bastisur shtëpinë. Diku sirtarëve kishin gjetur një fletore me vjersha rinore të Tonin Andrakes. I morën fshehurazi, i analizuan sipas programit për të zbuluar armiq dhe i konsideruan pesimiste, prandaj u arrestua dhe dënua edhe ai si e ëma me akuzën “për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”. Mesa duket sigurimi komunist ia kishte vënë syrin kësaj familjeje për ta shkatërruar. Nuk mjaftuan me kaq. Gjëma kësaj herë do të binte mbi pjestarin e tretë të familjes, Dom Erneston. Rin Andrakia mbeti vetëm në familje. Por edhe atë nuk do ta kursenin. E internuan në Dragot të Elbasanit. Rini tregon se pasi kishte bërë katër vjet internim në fshat, i afruan lirimin një vit para kohe me kusht që të jetonte aty e të mos ikte në Shkodër. Një dinakëri e pashoqe kjo për t’i shpërbërë familjet katolike shkodrane që ata të mos ktheheshin më në vendlindje. Kur isha në gjysmë lirie, tregon Rini, i kishte ardhur një letër. Aty thuhej se një pjesëtar i familjes Andrakia kishte lënë para katër vjetësh një portret në pikturë për ta vlerësuar dhe duhej të vinte për ta mbyllur çështjen. Vetë Rini nuk e dinte se për cilën pikturë bëhej fjalë. Kur shkoi në Galerinë e Arteve i thanë se kemi një pikturë të familjes tuaj. “Kanë kaluar vite e në bazë të rregullit nëse edhe më tej nuk interesohej njeri vepra konfiskohej nga shteti”. Ishte në dilemë Rini. Kaq halle kishte mbi supe, pjesëtarë të familjes burgjeve e vetë në internim, sa nuk e vuri fare në sy problemin e pikturës. U tha ta gjykonin ata si ekspertë që ishin. Do të japim një sasi të vogël lekësh, ia prenë shkurt. Rini hezitoi dhe u shpreh se më mirë do të merrte pikturën se nuk mund të vendoste ai për shitjen e saj. Mirë, i thanë, të vinte ai që e ka dorëzuar. Vetëm atij ia jepnin. Rini u tha hapur se prurësi ishte i vëllai që ndodhej në burg. Atëherë gjithçka ndryshoi. Meqë ai nga burgu nuk vinte vepra konfiskohej e mbetej pronë e galerisë. Çështja ishte kopsitur aq mirë nga aparatçikët. Shkuan në Ministrinë e Arsimit e pas disa sorollatjeve ia thanë hapur, merr ca para se kjo vepër nuk iu kthehet më. Dhe sa më afruan, thotë Rini, dymijë lekë të asaj kohe. Sa për të blerë një metër stof për pantallona. Kështu portreti i dajës që tashmë kishte vdekur në burg, kujton Rin Andrakia, i cili sot e ndan jetën mes Italisë dhe Shqipërisë, mbeti në Galerinë Kombëtare të Arteve për një copë bukë internimi. Tani çfarë ka këtu për t’u përpjekur e stërmunduar se kush është në këtë portret kur gjithçka flet për dom Ernest Çobën, martirin e fesë katolike, i lindur në Shkodër më 16 shkurt 1913, i arrestuar më 29 prill të vitit 1976, dënuar pa asnjë fakt me 25 vjet heqje lirie, vrarë me injeksion në spitalin e burgut të Tiranës më 8 janar të vitit 1980. Mbeten lapidare fjalët që iu thoshte gjykatësve komunistë “E kam urryer, e urrej e do ta urrej komunizmin sa të kem frymë!”. Shënojani këto fjalë të martirit poshtë portretit që i bëri daja i vet Kol Idromeno, aty në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Ai është një portret i identifikuar qëkur është krijuar në vitin 1927. Dhe për ta mbyllur, bash për këtë na venë punët mbarë ne shqiptarëve, se kemi këshilltarë që bëjnë “zbulime” dhe një mjeshtrit të madh si Kol Idromeno, që na ka dhuruar një “Xhokondë” shqiptare dhe një “Dasëm shkodrane”, t’i vëmë në dyshim talentin. O Tempera, o Mores!

Filed Under: Opinion Tagged With: Kolec Traboini- Idromeno- I pervetsuar

ZGJEDHJET E 30-QERSHORIT: NJË POSHTËRSI PËR QEVERINË SHQIPTARE….

July 3, 2019 by dgreca

….NJË DËSHTIM PËR OPOZITËN, NJË TURP PËR NDËRKOMBËTARËT, DHE NJË FATKEQËSI PËR KOMBIN SHQIPTAR!/

                                               Nga Frank Shkreli/

Ja erdhi dhe shkoi edhe 30-qershori i “votimeve” të Edi Ramës, sepse zgjedhje këto nuk mund të quhen, bazuar në asnjë standard ndërkombëtar.  Gjatë viteve, nepërmjet shkrimeve modeste, jamë përpjekur të shpreh mendimet e mia modeste – për mirë e për keq — mbi zhvillimet politike të këtyre 3-dekadave post-komunizëm në Shqipëri, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.  Prandaj, kësaj radhe, nuk dua të përsëris zhgënjimet e mia të njohura në lidhje me klasën aktuale politike dhe mungesën e zhvillimeve të një demkoracie të vërtetë në trojet tona shumë të vuajtura.  Sepse po të bëja një gjë të tillë, do të mërzisja, jo vetëm lexuesin por edhe veten time.  Prandaj, me këtë rast, dua të shpreh, shkurtimisht, zhgënjimin tim personal mbi votimet e fundit në Shqipëri – në përputhje, pak a shumë me reagimet e shprehura në media nga disa kolegë të mi të nderuar nga Amerika, si Profesor Sami Repishti, Profesor Nikolla Pano dhe Dejvid Filips.  Nëqoftse këto fjalë të mia mund tu duken pakëz si të ashpra, u kërkoj falje, por dalin nga zemra e një shqiptaro-amerikani i cili e do Kombin e vet, dhe i cili mendon dhe beson se Kombi shqiptar – pas njërës prej diktaturave më të egra komuniste në botë — meriton shumë më mirë se kaq. Në të vërtetë unë jam zhgënjyer edhe nga mos regaimet e diasporës e sidomos komunitetit shqiptaro-amerikan në lidhje me gjëndjen e krijura në Shqipëri. U garantoj se po të ishte imponuar kjo gjëndje sot nga të huajt – nga sllavi, greku, turku ose italiani – shqiptarët e Amerikës do i shikoje me pllakarta në protesta para Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe Shtëpisë së Bardhë. Por ç’të bëjmë tani, të protestojmë para botës, shqiptari kundër shqiptarit?

Si mund të quhen zgjedhje, votimet me një pjesëmarrje prej më pak se 20% e shqiptarëve që kanë të drejtë vote, ndërkohë që në shumicën e rasteve, kandidatët socialistë ishin pa asnjë kundërshtarë?   Çfarë qeverie, kudo qoftë, do të ndihej krenare për organizimin e një spektakli të tillë të shëmtuar?  Organizimi i tyre ishte i turpshëm dhe mbrojta e atij procesi, nga nivelet më të larta të qeverisë dhe të partisë në pushtet, është një ofendim i inteligjencës së shqiptarëve por edhe i ndërkombëtarëve, për të mos thënë poshtërsi për vet procesin. 

Ky ishte një ushtrim i kotë politik, krejtësisht pa asnjë vlerë. Një humbje e madhe për qeverinë dhe kryeministrin e saj! As opozita të mos festojë, se nuk ishte fitore as për opozitën e bashkuar.  Mos mendoni se shumicën e 80% të shqiptarëve që nuk votuan të djelën që kaloi, i kini me veten, sepse unë e di dhe ju e dini mirë se nuk janë as me ju. Duhet t’a dini gjithashtu se populli shqiptar është lodhur me të gjithë ju.  Fatkeqsisht, me këto votime, kjo klasë politike i mbetet besnik trashëgimisë së saj edhe pas 30-vjet post-komunizëm: e “fikur dhe e koritur”, para Kombit dhe para botës.  

Ç’të them për ndërkombëtarët dhe reagimin e tyre me këtë rast, përfshir atë të OSBE/ODIHR-it?  Unë dua të rrëfej se që nga viti 1989 e këtej, si pjesë e punës kam ndjekur me kujdes dhe për nga afër misjonet e OSBE-së anë e mbanë botës ish-komuniste dhe kam pasur gjithmonë respektin më të madh për punëne tyre. Kam pasë fatin madje të jem edhe disa herë anëtar i delegacioneve për mbikqyrjen e zgjedhjeve në vendet ish-ko,muniste, përfshirë edhe delegacionin e parë të Departamentit Amerikan të Shtetetit në zgjedhjet e para pluraliste në mars/prill 1991 në Shqipëri.  Megjithëse me shumë të meta dhe mungesa serioze standardesh, me keqardhje më duhet të them se organizimi i atyre zgjedhjeve nga regjimi i Ramiz Alisë, pothuaj 30-vjet më parë, i plotësonte më shumë standardet e zgjedhjeve të përcaktuara nga OSBE-ja, në krahasim me votimet e organizuara nga qeveria Rama të djelën që kaloi — tre dekada pas shembjes së komunizmit.  

Prandaj, deklarata e delegacionit të OSBE-së të hënën që kaloi ishte zhgënjyese, në krahasim me ato që vërtetë duhej të thonin për votimet vendore në Shqipëri.  Konstatuat se ishin të qeta!  Është ky një prej standardeve, por të qeta ishin zgjedhjet edhe në kohën e komunizmit, por a mund të thoni se këto ishin të lira, të drejta dhe demokratike – standardet kryesore për cilësimin e zgjedhjeve në një vend që e quan veten demokratik dhe anëtar i NATO-s.  Unë nuk dua tu mësoj ju të nderuar Zonja e Zotëri, se cili duhej të kishte qenë raporti i juaj paraprak për këto zgjidhje, sepse ju jeni ekspertët ndërkombëtarë.  Por dua tu pyes, në cilin vend tjetër të Evropës do e pranonin procesin e zhvillimit të votimeve si ky që u mbajt në Shqipëri fund javën që kaloi, me një pjesëmarrje më pak se 20%  dhe në shumicën e rasteve vetëm me paraqitjen e kandidatit të Partisë Socialiste – pa kundërshtar?  Demorkatike ishin këto?

Unë si shtetas amerikan prej pothuaj gjysëm shekulli dhe si një shqiptaro-amerikan që, për arsye të ish-detyrës, kam pasur fatin të bashkpunoj gjatë karierës time me shumë diplomatë amerikanë, jo vetëm në Shqipëri por anë e mbanë botës dhe për të cilët kamë zhvilluar dhe ruaj gjithnjë respektin më të madh për punën e tyre në rrethana shpesh të vështira – më habiti edhe reagimi i Ambasadës amerikane në Tiranë për këto votime, ashtu siç ka habitur edhe shumë shqiptaro-amerikanë me të cilët kam biseduar kohët e fundit, e të cillët janë shumë të shqetësuar me zhvillimet e fundit atje, e sidomos me reagimet/mosregaimet ndërkombëtare ndaj atyre zhvillimeve. 

Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe, citon deklaratën e Ambasadës amerikane në Tiranë, sipas të cilës, “Shtetet e Bashkuara mirëpresin përfundimet e misionit vëzhgues të ODIHR-it, sipas të cilave votimet bashkiake të 30 qershorit u zhvilluan përgjithësisht në mënyrë të qetë dhe të rregullt, si dhe dhanë një vlerësim të përgjithshëm pozitiv për numërimin e votave”, thekson deklarata e cituar nga VOA shqip.  “Ne pranojmë, megjithatë, ashtu siç e vuri në dukje edhe misioni i ODIHR-it, se ngërçi dhe polarizimi politik kontribuan për zgjedhje në të cilat votuesit nuk kishin një zgjedhje kuptimplotë.  Pavarësisht pengesave, populli shqiptar – qoftë ata që morën pjesë në zgjedhje, ashtu edhe ata që abstenuan – ushtruan të drejtën e tyre demokratike në mënyrë paqësore dhe ne i përgëzojmë për këtë”.   Deklarata e Ambasadës dakordësohet gjithashtu me OSBE/ODIHR-in se,  “Ata që dëshirojnë të sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve”, duhet të presin një ent juridik që, sot për sot, nuk ekziston, “Gjykatën Kushtetuese, e cila shpresojmë se do të ngrihet së shpejti, me gjykatës të cilët kanë kaluar një proces rigoroz vetingu”, thuhet në atë deklaratë.  

Reagimet e ndërkombëtarëve ndaj votimeve të së dielës në Shqipëri po konsiderohen nga shumë ekspertë brenda dhe jashtë Shqipërisë si mbështetje prej tyre e një procesi illegal dhe jashtë standardeve ndërkombëtare.   Një mik imi këtu në Amerikë më solli ndër mend kohën e fashizmit kur Italia dërgonte në Shqipëri njerëz gjysmakë, sidmos në fushën e mjekësisë, duke i aryetuar si, “e buono per Albania”.  A mendojnë ndërkombëtarët se qeveria që kanë shqiptarët, “e buono për Albania”, sepse kaq meritojnë shqiptarët?  Pse deklaratat e juaja mbi aktualitetin politik nuk pasqyrojnë të vërtetën e zhvillimeve në atë vend, përfshirë korrupsionin në të gjitha nivelet? Thoni të vërteten!  Kaq presin shqiptarët prej jush.Unë nuk e kuptoj se pse duhet të pritet dy muaj që OSBE/ODIHR të lëshojë një raport mbi këto votime, kur është tejet e qartë se çfarë ndodhi, jo vetëm në sytë e ndërkombëtarëve, por mbi të gjithë, populli shqiptar e sheh mirë se ç’po ndodhë në vendidn e tyre dhe janë duke votuar me këmbë duke u larguar vazhdimisht nga trojet e veta mijavjeçare.  Nëqoftse ndërkombëtarët nuk mund të ndihmojnë gjëndjen, atëherë do i këshilloja që të pakën mos ta ndërlikojnë edhe më keq se ç’është, me deklaratat e tyre ose gjysëm deklarata të cilat nuk pasqyrojnë realitetin e gjëndjes në Shqipëri.  Më mirë heshtni fare. Sepse në fund të fundit, është kjo një gjëndje e krijuar nga vet klasa aktuale politike dhe është detyrë dhe përgjegjësi morale dhe atdhetare e saj, që sa më shpejt – nepërmjet dialogut politik dhe me pjesëmarrje të gjërë edhe të shoqërisë – të dali nga ky qorrsokak politik, para se të bëhet vonë – me qëllim të mënjanimit të një fatkeqësie kombëtare, përballë të cilës gjëndet sot Kombi Shqiptar – falë papërgjegjësisë së saj politike dhe kombëtare. Klasa politike shqiptare duhet që sa më shpejt të marrë përgjegjësitë e veta për gjëndjen e krijuar në vend dhe ndërkombëtarët duhet gjithashtu të reflektojnë thellë për rolin e tyre gjatë këtyre dekadave – ashtu që i vetmi fitues të jetë Kombi Shqiptar në marrëdhënie të ngushta dhe të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me aleatët e tjerë atlantiko-veriorë.  Koha është tani, jo nesër, jo pas nesër, jo dy muaj pas sodit, në pritje të një raporti të OSBE-së, jo kur të krijohet ky ose ai ent juridik ose politik!  Shqiptarët kanë pritur mjaft dhe janë të lodhur.  Por shqiptarët presin një fillim të ri.  Nëqoftse ini shqiptarë, dialogu gjithëpërfshirës për një fillim të ri duhej të kishte filluar dje — në interesin madhor të KOMBIT!   

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank Shkreli-Zgjedhjet e 30 Qershorit-TURP

GAZETA”DIELLI” I URON 75 VJETORIN E LINDJES PROF.ASC.DR. THANAS GJIKA

July 2, 2019 by dgreca

Gazeta DIELLI i uron 75 vjetorin e  Lindjes bashkëpunëtorit të saj të kualifikuar, fitues i dy çmimeve të Gazetës Dielli( në Konkursin: 2016-Viti i Faik Konicës dhe me 2019- në konkursin e 110 Vjetorit të Diellit”, studiuesit, analistit dhe personalitetit të Kulturës Kombëtare Prof. Asc. dr. Thanas L. Gjika.

Prof. Asc. Dr. Thanas Gjika u lind me 2 korrik 1944 në Korçë, ku mbaroi gjimnazin. Studimet e Larta i kreu në Tiranë në vitet 1962-66 në Universitetin Shtetëror të Tiranës, Fakulteti Histori- Filologji, dega gjuhë Letërsi Shqipe.

Në vitet 1966-69 punoi si redaktor në Radio-Tirana. Në vitet 1970-1996 punoi në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave, ku mori formim për analizën e tekstit letrar e publicistik.

Në korrik 1996 u shpërngul familjarisht në SHBA pasi fitoi Lotarinë Amerikane.

Ka shkruar e botuar shumë artikuj, kumtesa, referate dhe disa vepra shkencore, ndër të cilat veçojmë:

– MIHAL GRAMENO, PUBLICIST DEMOKRAT- Botim nga Akademia e Shkencave- 1980, 277 faqe.

– KUR DHE KU U SHKRUA DHIATA E RE, Medaur, Tiranë, 2007, 503 Faqe

– EVOLUIMI YNË KËRKON NJOHJEN DHE DËNIMIN E FAJIT- DDS, Durrës , 2011, 308 Faqe,

– MIHAL GRAMENO, JETA DHE VEPRA-DDS, Durrës, 2012, 506 Faqe

– SHËN PALI PUNOI EDHE NË BRIGJET E ADRIATIKUT OMSCA-1 Tiranë 452 faqe etj…

Studimet e Thanas Gjikës sjellin teza dhe hipoteza të reja të ndërtuara me akribi shkencore, gjuhë të pastër e të pasur. Ato janë vlerësuar prej specialistëve të ndryshëm amerikanë , rumunë e shqiptarë, si Prof. Dean Davis, Akademik Harallamb Mihaesku, Akademik Jorgo Bulo, Prof. Muhin Çami, Prof. Klara Kodra, Ph.D. Peshkop Joan Pelushi, Prof. Agim Vinca, Prof. Isak Shema, Prof. Sadri Fetiu, etj.

Vepra e Thanas Gjikës “Një Letërsi Kombëtar, një Atdhe i vetëm” ndihmon proceset e zhvillimit të sotëm të botës shqiptare për krijimin e një Letërsie, një politike, një kulture mbarëkomëbtare shqiptare.

Siç ka shkruar Prof. Dr. Sadri Fetiu, Thanas L. Gjika është një personalitet i shquar i shkencës shqiptare. Vepra “Një Letërsi Kombëtare, një Atdhe i vetëm”, meriton vlerësim të lartë për profesionalizmin e analizave, për gjerësinë e tematikës dhe problematikës që trajton dhe për shtrirjen gjeografike mbarëkombëtare të personaliteteve që portretizon dhe analizon.

Me shumë interes ëshët pritur edhe libri i tij”MOSDËNIMI I KRIMIT ËSHTË KRIM I RI” për botimin e të cilit ka ndihmuar edhe Vatra, siç ka ndihmuar edhe për librin”Një Letërsi Kombëtar, një Atdhe i vetëm”.

Profesor Isak Shema nga Prishtina ka shkruar: Studjusi Thanas L. Gjika me veprën “Mosdënimi i Krimit është krim i ri”, pasuron studimet shqiptare me hulumtime dhe vlerësime të holla dhe shumë të nevojshme. Këndvështrimi i spikatur i autorit shtrihet në një gamë të gjerë shkrimesh, ku shprehet me forma të ndryshme mendimi themelor: Vetëm njerëzit e ndershëm, pavarësisht nga bindjet dhe simpatitë politike të djathta ose të majta, e kuptojnë se mosdënimi i krimit komunist është krim i ri. Krim i ri është dhe mosvlerësimi si duhet i njerëzve të cilët këta 25 vjetët e fundit(libri është botuar në vitin 2016)me punën e tyre të ndershme kanë shpënë përpara zhvillimin e shkencës, teknikës, ekonomisë dhe të mendsisë shqiptare.Këto dy krime e mbajnë shoqërinë shqiptare në krahun e të humburve, në krahun e shoqërive dhe shteteve të inkriminuara e pa të ardhme….Vepra ndihmon në përparimin e kombit shqiptar si tërësi etnike, në të gjitha viset shqiptare dhe në diasporë. Në sajë të ndërtimit të shoqërisë shqiptare moderne, të lirë dhe demokratike, synohet një zhvillim i ndritur e vizionar kulturor, ekonomik, arsimor, shkencor i gjithanshëm i popullit shqiptar, shkruan Prof. Shema.

Redaksia e Diellit uron studiuesin Thanas L. Gjika: Shumë Urime për 75 Vjetorin e LINDJES!

Filed Under: Opinion Tagged With: Thanas L Gjika- 75 vjetori- Urime Dielli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 373
  • 374
  • 375
  • 376
  • 377
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT