• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

THAÇI: Ne mburremi që jemi sot populli më proamerikan…

June 12, 2019 by dgreca

Presidenti Thaçi në Ditëlindjen e Lirisë: Kosova është mburrja dhe krenaria  jonë. Ajo çfarë bëri në pranverën e vitit 1999-të Bota e Qytetëruar, e personifikuar në SHBA-në, Bashkimin Evropian, Aleancën Veriatlantike, ka qenë një hap i madh dhe i jashtëzakonshëm/

PRISHTINË, 12 Qershor 2019-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot në manifestimin qendror për shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s, ua ka uruar gjithë qytetarëve 12 qershorin, ditëlindjen e lirisë së Kosovës.

 “12 qershori është në themelet e identitetit tonë si qytetarë, si popull, si Kosovë, si pjesë e pandashme e Evropës dhe Perëndimit”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se ajo çfarë bëri në pranverën e vitit 1999-të Bota e Qytetëruar, e personifikuar në SHBA-në, Bashkimin Evropian, Aleancën Veriatlantike, ka qenë një hap i madh dhe i jashtëzakonshëm.

 “Ne mburremi që jemi sot populli më proamerikan, më properëndimor dhe më proevropian në këto anë të botës”, ka thënë ai, duke theksuar se liria e Kosovës është vlerë e përbashkët e të gjithë neve këtu.

Ky është fjalimi i plotë i presidentit Thaçi:

Dua qysh në fillim t’i uroj qytetarët e Republikës së Kosovës, sepse 12 qershori i vitit 1999-të, është ditëlindja e lirisë së Kosovës.

Secili nga ne që jetojmë në Kosovë, por edhe shumë të tjerë që jetojnë kudo në botë, e kemi ditën kur u lindëm si njerëz.

Por, 12 qershori është datë që na bashkon të gjithëve si qytetarë të Kosovës.

Këtë ditë u rilindëm të gjithë ne, si qytetarë të lirë të këtij vendi të lirë.

12 qershori është në themelet e identitetit tonë si qytetarë, si popull, si Kosovë, si pjesë e pandashme e Evropës dhe e Perëndimit.

Këtë kurrë nuk do ta harrojmë, do ta respektojmë përgjithmonë.

Ashtu siç jemi sot së bashku, si kosovarë, amerikanë, britanikë, gjermanë, francezë, italianë, e nga shumë vende tjera në këtë ditë të bukur qershori në kryeqytetin e shtetit të Kosovës, në Prishtinë, ashtu ishim bashkë në periudhën më të rëndë, më të errët dhe më tragjike në historinë e re të Kosovës:

–           atëherë kur ishte rrezikuar vetë mbijetesa e një populli,

–           atëherë kur qytetarët e Kosovës ishin në gjendje të sakrifikojnë gjithçka për liri dhe për t’u bërë zot të fatit të vet.

Ajo çfarë bëri në pranverën e vitit 1999-të Bota e Qytetëruar, e personifikuar në SHBA-në, Bashkimin Evropian, Aleancën Veriatlantike, ka qenë një hap i madh dhe i jashtëzakonshëm.

Ka qenë një hap vendimtar për ta shpëtuar një popull të tërë, për të mundësuar që e keqja të pësojë disfatë dhe që të gjithë neve të na ofrohet mundësia historike, që ta ndërtojmë një të ardhme për ne dhe për brezat e ardhshëm.

Sa të ketë jetë dhe njerëz në këto anë, sa të ketë Kosovë mbi këtë tokë, ne do të jemi falënderues për qëndrimin dhe vendimin tuaj njerëzor dhe qytetërues të pranverës së vitit 1999.

Ishte qëndrim dhe vendim i drejtë dhe i ndershëm!

Edhe sot, si President i Kosovës, ju them sërish, me sinqeritetin dhe përulësinë më të madhe: Ju faleminderit!

Edhe pas përfundimit të luftës dhe sigurimit të paqes edhe nga 50 mijë trupa të Aleancës Veriatlantike, Bota e Qytetëruar ishte së bashku me ne.

Ishte për ta ndryshuar me themel vendin tonë, në të gjitha aspektet e mundshme.

Për ta ndërtuar një Kosovë të re, në të gjitha dimensionet.

Kosova u bë demokracia më e re liberale në Evropë.

Mbajtëm me sukses zgjedhjet e para të lira, si në nivelin e pushtetit lokal, ashtu edhe në atë të pushtetit qendror.

U mësuam t’i respektojmë të drejtat e të gjitha pakicave dhe t’i mbrojmë të drejtat e njeriut.

Krijuam ekonominë e tregut të lirë.

Mundësuam investime nga jashtë.

U stabilizuam si shoqëri.

I bëmë hapat e parë drejt procesit të integrimit euroatlantik. 

Dhe më në fund, në respektim të vullnetit të popullit të Kosovës për ta bërë shtetin e vet, me gatishmëri për t’i gjetur zgjidhjet më të mira për akomodimin e të gjitha nevojave të komunitetit serb dhe të komuniteteve të tjera në Kosovë, ne shpallëm Pavarësinë e Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008.

Liria e Kosovës është vlerë e përbashkët e të gjithë neve këtu.

Secili politikan i Kosovës, secili qytetar i saj, nuk ka as më të voglin dyshim se çka jemi ne si popull apo cili është identiteti ynë suprem.

Ne jemi evropianë dhe duam të bëhemi shtet anëtar i Bashkimit Evropian.

Ne jemi perëndimorë dhe duam të jemi shtet anëtar i Paktit NATO.

 Ne mburremi që jemi sot populli më proamerikan, më properëndimor dhe më proevropian në këto anë të botës.

Por, ne jemi të bindur që së bashku duhet dhe mund ecim më shpejt drejt integrimit të Kosovës në Aleancën Veriatlantike dhe në Bashkimin Evropian.

 Ne e meritojmë këtë.

 Ashtu siç kemi merituar të jemi të lirë.

 Ashtu siç e kemi merituar të bëhemi shtet.

Në anën tjetër, e dimë që rrëfimi për ne si Kosovë, si shtet, nuk mund të rrumbullakohet në tërësi pa e ngritur flamurin e Kosovës në East River, në selinë e OKB-së.

Pa e siguruar edhe njohjen nga pesë shtetet e BE-së.

Ashtu siç kemi qenë shumë vite më parë të gatshëm për ta bërë marrëveshjen historike me Serbinë, ashtu jemi edhe sot të vullnetshëm që të bisedojmë me Serbinë për ta bërë Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

Ne sot e kësaj dite jetojmë ende me barrën e një historie të rëndë dhe tragjike që ka ndodhë në Kosovë.

Nuk mund ta harrojmë dot gjenocidin dhe spastrimin etnik!

Këtë kujtesë dhe respektin e pafund ia kemi borxh të gjithë atyre që vuajtën dhe u sakrifikuan për lirinë e Kosovës.

Por, në anën tjetër, ne ia kemi borxh fëmijëve tanë dhe gjeneratave që po vijnë, që ta bëjmë marrëveshjen me Serbinë.

Që të jetojmë si shtet në paqe dhe në fqinjësi të mirë me të gjithë. 

Që të sigurojmë mirëqenie për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Që të bëhemi shtet anëtar në OKB dhe në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Dhe në fund, që ta ngrisim flamurin e Kosovës edhe në NATO dhe në BE.

Nuk ka kush të na ndalë!

Kosova është mburrja  jonë, është krenaria  jonë, është fati ynë.

Urime edhe një herë Dita e Lirisë së Kosovës.

Ju faleminderit për vëmendjen!

Filed Under: Opinion Tagged With: Presidenti Thaci-Klinton- Kosova-NATO

MEMORANDUM BASHKËPUNIMI MES POLICISË SË KOSOVËS DHE TË NJU JORKUT

June 11, 2019 by dgreca

– Nga Drejtori Qalaj dhe komisioneri i Policise  se New York City James O’Neill , u nënshkrua Memorandumi i bashkëpunimit, i cili vlerësohet si i pari me vendet e Ballkanit./*

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, i shoqëruar nga dy zyrtarë të lartë të stafit të tij, gjatë qëndrimit të tij në vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës realizoi takime të shumta zyrtare me agjencione të ndryshme policore, ndërkohë që mori pjesë edhe në një ngjarje ceremoniale të organizuar nga American Albanian Law Enforcment Officers. Drejtori Qalaj, i shoqëruar nga stafi i tij, në këtë rast drejtori i Departamentit të Burimeve Njerëzore znj. Taibe Canolli, drejtori i Divizionit Kundër Krimit të Organizuar,  znj. Florie Hajra dhe zyrtari nga ICITAP, ishin per nje vizitë edhe në New York City, ku kanë realizuar  vizita dhe takime me zyrtare te lart Homland Security, Port Authority dhe  NYPD.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës z. Rashit Qalaj dhe Kolonelet Taibe Canolli dhe Florie Hajra u priten nga Museum Memorial te 11 shtatorit dhe paten takim me Zyrtare te lart te siguris kombtare.

Kjo vizitë disa ditore është e një rëndësie të veçantë per policinë e Kosoves dhe ka për qëllim vazhdimin e avancimit të bashkëpunimit te ndersjellte, ku dy vendet kanë  interes të përbashkët.

Si rezultat i takimeve zyrtare dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, me 07 qershor 2019, nga Drejtori Qalaj dhe komisioneri i Policise  se New York City James O’Neill , u nënshkrua Memorandumi i bashkëpunimit, i cili vlerësohet si i pari me vendet e Ballkanit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës z. Rashit Qalaj, gjatë qëndrimit të tij në New York eshte nderuar nga Organizata e American Albanin Law enforcement Association me seli ne Michigan Detroit nga drejtusit e  organizates Belis Kristafi, dhe Elton Shametaj. U vlerësuan dhe u nderuan ghithashtu kolonele Taibe Canolli . Me 8 Prill 2019, drejtori Qalaj dhe stafi i tij u takuan me shumë bashkëatdhetarë në paradën e organizuar nga Rrënjët Shqiptare dhe komuniteti shqiptar. Një takim i vecantë  u realizua edhe me këshilltarin e Nju Jork-ut, z. Mark Gjonaj dhe drejtues të organizatave të komunitetit shqiptar.(Dielli)

  • Per me shume fotografi shkoni ne Facebook-Gazeta Dielli

Filed Under: Opinion Tagged With: Rashit Qalaj-Policia e Kosoves-Policia e Nju Jorkut

ROVENA VATA DHE IDENTITETI KULTUROR PERMES VEPRAVE

June 11, 2019 by dgreca

Intervista e studiueses Rovena Vata për Arjeta Ferlushkaj- /

Rovena Vata nuk është e panjohur për lexuesin e “Diellit”, pasi ka qenë e pranishme në vitin 2016, në një intervistë për veten dhe profesionin. Veprimtaria e punës së saj konsiston në qëmtimin, hulumtimin, studimin, analizën dhe kritikën në fushën e studimeve albanologjike.

Arjeta FERLUSHKAJ/

Rovena, libri i juaj i sapo botuar titullohet “Identitet kulturor përmes vlerave”. Çfarë nënkupton identiteti tek ky libër? Pse ky titull dhe çfarë ju shtyu në publikimin e tij? Pse zgjodhët si datë publikimi 7 marsin?

ROVENA VATA: Identitet te ky libër nënkupton emër, gjuhë, traditë. Identiteti është i lidhur ngushtë me territorin, qytetërimin dhe gjuhën. Pse ky titull? Zgjodha pikërisht këtë titull, pasi Shqipëria dhe shqiptarët, në kuptim moral dhe kulturor të përfaqësimit të tyre nëpër rrjedhat historike, kanë kërkuar të jetojnë dhe të trajtohen me dinjitet, përmes identitetit të tyre autokton të vlerave. Zgjodha datën 7 mars për ta publikuar, për të deklaruar se gjuha shqipe është me 36 gërma, e pasur dhe e bukur naimjane dhe territori përfshin më shumë se sa Ballkani dhe zona ballkanike. Jemi në kohën kur shtete dhe kombe, duhet të mbajnë frymën dhe të mos vazhdojnë të shpalosin përpara të tjerëve shembëlltyrën e tyre ngatërrestare.

Cila është struktura e librit? Cilat tradita kulturore trajtohen në të?

ROVENA VATA

ROVENA VATA: Librin “Identitet kulturor përmes vlerash”, e kam strukturuar në 8 pjesë. Në rastim tim paradigmatik të identitetit kulturor, studimet albanologjike, vijojnë të mbajnë të stimuluara mërmërimat – tashmë të kodifikuara në britma ndjellëse – të historisë mijëvjeçare ilire dhe rivlerësimin e këtij identiteti kulturor, në hulli gjuhësore, etnokulturore dhe të eposit tradicional e klasik. Ndjehem e privilegjuar të deklaroj një thelb sintetik të qenies – unë jam shqiptare – dhe të logjikës për të thënë e rithënë atë, që është mohuar, keqinterpretuar dhe anatemuar, për një kohë të humbur, të paqënë dhe të detyrueshme për t’u deklaruar denjësisht.

Çfarë statusi ka sot sipas jush identiteti kulturor shqiptar?

ROVENA VATA: Përsa i përket statusit të sotëm të identitetit kulturor shqiptar, këtë status do e lidh me gjeniun kombëtar shqiptar, i cili e ka trasformuarindividin dhe ka krijuar identitetin-edhe në pjesën kulturore. I përjashtuar apo brenda llojit nga bashkësia zanafillore, ai i ka ndërthurur esencat e ngurosura në një rrjet global dhe ka mundur të dalë jashtë etnive të mbylluara në vetvete. Meritë e veçantë është ruajtja e traditës kombëtare dhe harmonizimi me vlerat e qytetërimit dhe civilizimit konkret. Identiteti kulturor shqiptar sot rrok një pjesë dualiste të konceptit për qytetërimin dhe civilizimin. Kultura dhe Religjioni janë pjesë organike për të tipizuar dhe konfiguruar një popull, një komb. Statusi aktual i identitetit shqiptar sapo ka nisur.

Cili është mesazhi, që kërkoni të përcillni dhe kontributi, që mendoni se sjell botimi i këtij libri?

ROVENA VATA: Libri për identitetin kulturor është një pjesë e apelit për të gjithë. Jemi në kohën e sinqeritetit të deklarimit shkencor, jashtë nacionalizmave dhe mentaliteteve të fatit dhe fatalitetit. Kontributi im është modest, me prurjen për të rrezatuar një mesazh të madh. Në të gjitha trevat, ku jetojnë denjësisht shqiptarët, që me talentin dhe gjeninë e tyre i kanë dhënë peshë vlerave, i kanë sintetizuar me mjedisin konkret dhe përbëjnë modelin e bashkëjetesës së virtytshme me të tjerët. Në këtë aspekt shembujt janë të shumtë, në të gjitha disiplinat-art, shkencë, menaxhim, etikë, përfaqësim në hierarkinë e pushteteve, vorbulla psiko-sociale e më gjerë.

Kombi nuk është shumësia e vullneteve individuale, rendja pas teorisë së totalitetit organik i shkon për shtat konsolidimit të etno-kulturalizmit dhe diversitetit brenda llojit gjuhësor, por absolutisht nuk e anashkalon tërësinë e ndjesive dhe kuptimësive të biodiversitetit të lakmuar të mjedisit, minerarologjisë, faunës dhe florës, kultit të të parëve, edukatën e prindërve, himnin kombëtar, flamurin, një tërësi me konvencione sociale, doket dhe traditat, muzikën, kostumografinë, lojërat olimpike…

“Identitet kulturor përmes vlerave” është në rënditje libri i katërt i juaji, por i dyti për nga lloji i përmbledhjeve studimore, sepse ju keni botuar dy studime monografike (2013, 2018) dhe dy përmbledhje me artikuj e studime (2015, 2019). Na flisni pak për botimet e mëparshme, si u ngjizën ato dhe çfarë kanë si objekt studimi dhe pretendimi?

ROVENA VATA: Po filloj me ngjizjen shkencore të tezës së doktoratës Miti i malit në letërsinë shqipe, Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Migjeni, Martin Camaj, e cila erdhi si nevojë e një mangësie në studimet tona letrare, pasi në letërsinë shqipe, që nga krijimtaria anonime popullore, deri te letërsia e kultivuar bashkëkohore, mali tematizohet shpesh, si vendngjarje, por edhe me ngarkesa të tjera të natyrës simbolike, etnocentrike, mitike, etj.

Monografia Fantastikja në rrëfenjat e Kutelit, Gogolit dhe Turgenievit (Aspekte të demonologjisë krahasuese), është një punë, e cila fillesat e saj i ka në vitet e para të punës sime studimore në fushën e letërsisë.

Përmbledhja e parë me studime dhe artikuj është botuar në vitin 2015, me titull: Urë fjalësh mes letërsisë dhe antropologjisë. Kjo përmbledhje përfshin një lëndë të gjerë, duke e strukturuar në pesë pjesë, përmes një ndërthurje të kriterit kronologjik me kriterin tematik.

Kurse përmbledhja me studime për të cilën pothuajse iu kushtuar kjo intervistë, erdhi si një kontribut modest, për të njohur, pasuruar me raste konkrete nga krijimtaritë apo nga autorët, për të hulumtuar, për të rijetësuar dhe funksionalizuar kulturën antropologjike shqiptare, si një traditë dhe identitet, me një lashtësi shumë të thellë historike dhe autoktone, që ka nevojë të përhapet dhe të mbështetet, për të mos u deformuar apo trasformuar.

“Identitet kulturor përmes vlerave” është një titull intrigues dhe tërheqës, sidomos për diasporën shqiptare, duke ditur sfidat me të cilat i duhet të përballet në një shoqëri tjetër. Sa mendoni, se mund të ndikojë libri juaj, tek lexuesi, që jeton jashtë territorit të Shqipërisë?

ROVENA VATA: Libri për identitetin kulturor është një pjesë e apelit për të gjithë. Jemi në kohën e sinqeritetit të deklarimit shkencor, jashtë nacionalizmave dhe mentaliteteve të fatit dhe fatalitetit. Kudo që të jemi duhet të dëshmojmë identitet kulturor të vlerave, por për të realizuar këtë na nevojitet vullnet, është ai, i cili nxjerr në pah, një trashëgimi të pandashme historike dhe i lidh individët e një shoqërie, në episode të një teatri të madh me vetëdije kombëtare, ku aktualët e kanë të vështirë të mendojnë ndryshe nga koha e paraardhësve. Kudo që të jemi në Shqipëri apo në diasporë, shqiptar na bën gjaku dhe indi gjentik i dijes historike me jetë të përkorë. Kontributi im është modest, me prurjen për të rrezatuar një mesazh të madh.

Studimet e juaja prekin tematika të ndryshme dhe periudha të ndryshme. A mund të na thoni si e përzgjidhni objektin tuaj studimor? Cila është metodika e punës suaj studimore?

ROVENA VATA: Metodika e punës sime studimore është e lidhur me temën, të cilën e kam në fokus për ta studiuar, ajo e cila është pothuajse pjesë e metodikës së punës është metoda krahasuese.

Rovena, le të kthehemi pak tek aktiviteti juaj. Ju aktualisht jeni kryetare e Degës Mësimore në Akademinë e Studimeve Albanologjike në Tiranë. Por, gjithashtu ju jeni lektore në disa universitete brenda e jashtë Shqipërisë; jeni anëtare në borde drejtuese të shumë revistave shkencore; jeni pjesëmarrëse në mbi 100 konferenca shkencore; keni mbi 70 botime në revista shkencore; mentore e disa punimeve shkencore ne nivel bachelor e Master etj. A mund të na thoni si e menaxhoni gjithë këtë pasuri angazhimesh?

ROVENA VATA: Investimi më i madh te vetja, është të investosh dije, por për të realizuar këtë të nevojitet kohë. Besoj se suksesi më i madh i kujtdo prej nesh është të menaxhuarit e kohës, për të vënë qëllimet dhe për të realizuar synimet.

Nëse ke dëshirë të bësh diçka të madhe, që të mbetet gjithmonë, duhet të kapim kohën e tashme.

Le të kthehemi pak në kohë. Kur nisi tek ju dëshira për të shkruar? E mbani mend publikimin tuaj të parë? Për çfarë bën fjalë?

ROVENA VATA: Dëshira për të shkruar është ndjesi krejt e brendshme e vetë njeriut apo një “shqetësim” për të shprehur, atë që ndjen përmes studimit apo fenomene që lidhen më këtë art-shkencë. Publikimi i parë është i datës 9 tetor të vitit 2011, në gazetën “Nacional” dhe bën fjalë për romanin “Mërkuna e zezë” e autorit Agron Tufa, e titulluar “Proza e Agron Tufës-një përmasë evropiane e tekstit”.

Si përzgjidhen nga Rovena Vata veprat që do të bëhen objekt studimi prej saj?

ROVENA VATA: Objekti i studimit vjen vetiu, ai ngjizet me karmën individuale dhe është gjaku, që thërret tek e nevojshmja, e domosdoshmja dhe tek e dobishmja për identitetin, artin, etikën, kulturën, gjenezën, gjuhën, historinë dhe shumë të tjera.

Ju keni marrë mbi 16 tituj “Mirënjohje”, keni fituar çmime karriere, keni marrë diplomë shkëlqësie dhe shumë çmime të tjera. Si ndiheni për vlerësimin që i bëhet punës suaj? Dhe çfarë këshille do i jepnit një studiuesi/eje të re?

ROVENA VATA: Ju falenderoj që keni renditur certifikatat vlerësuese të punës sime. Nuk mund ta mohoj që ndjehem mirë, por përgjigjen e pyetjes suaj se çfarë këshille do u jepja studiuesve të rinj, do të ishte e njëjta me këshillën, që do i jepja vetes. “Të studiojnë sa më shumë, të mos ndalen se studiuari, të thellohen në studimet e tyre, sepse vetëm dija dhe njohuritë nuk kanë fund asnjëherë”.

Çfarë mendimi keni për letërsinë e sotme shqipe?

ROVENA VATA: Psikologjia e ndryshimit nga një vend postdiktatorial në demokraci liberale, ka imponuar llojshmëri dhe një marrëdhënie vunerabël midis letërsisë vendase dhe letërsisë së huaj. Shoqëria shqiptare hyri në frymën e kësaj psikologjie mbi një lloj çrregullimi të diktuar nga ideologjia, të frenuar nga filozofia politike dhe e fustruar nga metodologjia e përjashtimit të vlerave të letërsisë shqipe dhe asaj botërore. Realisht, jemi përballur me politika shtrënguese, heretike, kur duhet të përjetonim të lirë përballje me korpusin e madh të letërsisë, etnografisë, arkeologjisë, eposit kreshnik, muzikës dhe çdo që u përket popujve dhe kombeve me mesazhe të shkëmbimit të kulturave, të unifikimit dhe gjallërimit të vlerave si dhe të njëhsimit të shpirtrave për dije, dinjitet dhe emancipim social-kulturor. Ka ndodhur ajo që pritej nga reagimet e kundërta, nga konsiderimet e llojit tjetër, nga pasioni dhe një lloj dashakeqësie të pjesës më të madhe të globit, kundër historisë mijëvjeçare të popullit tonë, duke na e dhuruar pa dashje ngadhnjimin e mendimit të kohës moderne. Ky çast ekzistencial i lexuesit, autorit, përkthyesit dhe botuesit kërkoi dhe mori kohën e nevojshme për drejtpeshim dhe balancë. Aktualisht jemi në mjedise intelektuale dhe kërkimore-shekncore, do të duhet edhe pak kohë të krenohemi me një shoqëri të orientuar kulturalisht drejt dijes dhe librit.

Rovena me çfarë projekti po merreni aktualisht?

ROVENA VATA: Projektet e radhës lidhen me studime në fushën etnologjike, folklorike, letrare, gjuhësore, studime në letërsinë për fëmijë dhe analiza në rrafshin psikanalitik.

A keni ndonjë kërkesë apo këshillë për lexuesin e “Identitet kulturor përmes vlerave”?

ROVENA VATA: Në një familje dhe në një komb nuk mund të hysh me dekret dhe ligj. Lindim me britma dhe qarje dhe me gjithë masën e intelektit të përcaktuar nga gjaku dhe indi zhvillimor për kohën e dedikuar jetës humane. Jeta e një kombi, institucionet, kultura, besimet dhe arti bekohen nga psikologjia, konstitucioni mental dhe standardi i intelektit, po aq të ngulitura me qasjet fiziologjike dhe anatomike; ato prezantojnë dhe përfaqësojnë një endje dhe thurje historike, të dukshme, të padushme dhe të panjohur të shpirtit të tij.

A keni ndonjë mesazh për shqiptarët e Amerikës dhe sidomos për lexuesin e gazetës “Dielli”?

ROVENA VATA: Mesazhi im për gazetën “Dielli”, si organi më i vjetër mediatik në gjuhën shqipe, është të vazhdojë të mbetet e dielltë. Të përcjellë lajme dhe jo vetëm, në çdo zemër shqiptari, kudo gjendën ata. Ashtu sikur diellit i duhet një hapësirë fare e vogël për të depërtuar rrezet e tij të ngrohta në çdo vatër.

Intervistoi për “Diellin” Arjeta Ferlushkaj

Filed Under: Opinion Tagged With: Arjeta Ferlushkaj-Interviste-Rovena vata-Identiteti Kulturor

ALBRIGHT NË KOSOVË NË 20 VJETORIN E LIRISË

June 9, 2019 by dgreca

-Ish-Sekretarja e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright në 12 Qershor në Sheshin “Sknderbeu” në Prishtinë në Ceremoninë Shtetërore për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë/

-Në Kosovë, në kuadër të manifestimeve për 20 vjetorin e hyrjes shpëtimtare-humanitare të NATO-s, që nisi në Ditën e lirisë e paqes – 12 Qershor 1999,  organizohen një sërë aktivitetesh, me organizime edhe  nga komunat/ Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 9 Qershor 2019/ Kosova feston jubileun e 20 vjetorit të lirisë, në 11 vjetorin e pavarësisë. Ish-Sekretarja e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright, do t’i bashkëngjitet popullit të Kosovës në Ceremoninë Shtetërore për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë.

“Në 12 Qershor 2019 Kosova shënon 20 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-së. Ne jemi duke shënuar këtë përvjetor historik të Kosovës bashkë me miqtë dhe aleatët tonë me të cilët ndajmë vlerat e paqes, lirisë dhe demokracisë. Njëkohësisht, ne po nderojmë të kaluarën tonë dhe vizionin tonë për paqe të qëndrueshme”, deklaroi sot Këshilli Organizativ.

Njoftimi i dërguar thekson se, ish- Sekretarja Amerikane e Shtetit, Albright edhe do të mbajë fjalim në Tubimin Qendror për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë, ditën e mërkurë, 12 Qershor 2019, në Prishtinë në Sheshin “Skëndërbeu” në orën 11:00.

 “Ftojmë të gjithë qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në tubimin qendror, dhe të shfrytëzojnë këtë mundësi për të falënderuar Sekretaren Albright për kontributin e saj të vazhdueshëm për paqe dhe liri në Kosovë”, shprehet  Këshilli Organizativ për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë.

Albright ishte gruaja e parë në postin e Sekretares së Shtetit të SHBA-së. Në këtë detyrë, ajo ka shërbyer nga viti 1997 deri më 2010.

Në Kosovë, në kuadër të manifestimeve për 20 vjetorin e hyrjes shpëtimtare-humanitare të NATO-s, që nisi në Ditën e lirisë e paqes – 12 Qershor 1999,  organizohen një sërë aktivitetesh, me organizime edhe  nga komunat.

Prishtina edhe me panair libri po shënon 20 vjetorin e lirisë. Përmbyllet sot Panairi i librit “Prishtina 2019”, edicionin e 21-të, i hapor në  5 Qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, pjesë e 20 aktiviteteve kulturore, sportive e inovative për festimet e 20 vjetorit të çlirimit të kryeqytetit kosovar. 

Në Prizren, qytetin e Lidhjes Shqiptare, në 12 Qershor në mesditë mbahet Akademi solemne dhe ndahen dekorata në sallën e Asamblesë Komunale, në mbrëmje mbahet Koncerti i Lirisë  i shoqërive kulturore-artistike prizrenase dhe Ansamblit Popullor të Tiranës në Sheshin Shatërvan. Para mesnate bëhet edhe lëshimi i fishekzjarreve festive nga Kalaja e Prizrenit.

ARKIV-5 KORRIK 2005: PRESIDENTI RUGOVA I DORËZOI ISH SEKRETARES AMERIKANE TË SHTETIT, MEDLIN OLLBRAJT, MEDALJEN E ARTË TË LIRISË

PRISHTINË, 5 Korrik 2005/ Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në një solmnitet rasti, sot i dorëzoi ish sekretares amerikane të Shtetit, Medlin Ollbrajt, Medaljen e Artë të Lirisë, me të cilën e ka dekoruar më 12 qershor 2004, në 5-vjetorin e Ditës së Lirisë të Kosovës.
 
Presidenti Rugova zhvilloi edhe një takim me zonjën Ollbrajt ku bisedoi për gjendjen aktuale në Kosovë.

Presidenti Rugova pasi shprehu kënaqësinë për takimin me zonjën Ollbrajt, e çmoi si mike të madhe të Kosovës dhe të popullit tonë. Duke e falenderuar që sot ndodhet në vendin tonë dhe që ka gjetur kohë të jetë këtu, Presidenti tha se ajo “gjithmonë është e dashur dhe e respektuar”.

Duke folur për takimin, Presidenti Rugova tha se me zonjën Ollbrajt ka biseduar për progresin e Kosovës dhe se e ka njohur me arritjet që janë bërë, për gjendjen e mirë të sigurisë, stabilitetin e përgjithshëm.

“Po punojmë në vlerësimin e gjendjes së përgjithshme që të hapen bisedat për të ardhmen; punët që i kemi t’i kryejmë dhe natyrisht për të ardhmen, për pavarësinë”, u shpreh Presidenti Rugova, duke insistuar që të njihet sa më shpejt pavarësia nga SHBA-të BE-ja, po sidomos nga SHBA-të. Pavarësia, tha ai, do të hapte perspektiva të reja për të ardhmen e Kosovës, për popullatën e saj të re, duke u angazhuar për një mbrojtje dhe siguri të minoriteteve dhe të grupeve etnike.

“Kemi bërë një progres, por duhet të punojmë më shumë, po me pavarisinë do të bënim edhe më shumë. Unë punoj për këtë çështje, sikur edhe qeveria e grupet politike”.

Në fund duke i shprehur një falenderim të madh ish-sekretares së Shtetit për të gjitha ato që ka bërë për Kosovën, për lirinë e Kosovës, Presidenti tha se pret përkrahjen dhe ndihmën e mëtejshme të zonjës Ollbrajt në këtë fazë të rëndësishme për Kosovën: “Jeni një mike e madhe e Kosovës. Unë kam miqësi permanente me SHBA-të”, tha Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova.

Zonja shprehu kënaqësinë e madhe që sot ndodhet në Kosovë.

“Kosovës i kam kushtuar shumë kohë duke menduar se si ta ndihmoja. Shumë shpesh jam ndjerë edhe e shqetësuar për të. Prandaj sot jam shumë e kënaqur që jam këtu, pikërisht këtë vit që është vendimtar për Kosovën”, u shpreh pas takimit zonja Medllin Ollbrajt.

Ish-sekretarja e Shtetit porositi që në Kosovë duhet të zhvillohet demokracia dhe kërkoi mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të pakicave.

“Unë e kam bërë të qartë në mesazhet e mia, ashtu edhe në bisedat me Presidentin se demokracia në Kosovës është shumë e rëndësishme. Unë tash jam shefe e Institutit Nacional Demokratik, i cili i është i përkushtuar në ndërtimin e demokracisë në Kosovë dhe në vende të tjera”, tha zonja Ollbrajt duke thënë se është e rëndësishme që Kosova të jetë një vend shumetnik, ngase, siç tha, kjo e bën atë më të fortë.

Zonja Ollbrajt vlerësoi se është bërë mjaft progres, por duhet të bëhet edhe më shumë, duke premtuar se si qytetare amerikane dhe mike e Kosovës do të bëjë çmos që është e mundur që ta ndihmojë Kosovën edhe në këtë fazë.

“Të gjithë duan t’ju ndihmojnë. Unë nuk i përfaqësoj SHBA të zyrtarisht, por po flas si një qytetare amerikane dhe, shpresoj, si një mike e këtij vendi, do të bëj çdo gjë që t’ju ndihmojmë dhe, sepse ky vit është vendimtar për Kosovën”, theksoi zonja Ollbrajt.

Filed Under: Opinion Tagged With: Albright ne Kosove-12 Qershor-Behlul Jashari

Z. SIMON MIRAKAJ, VIZITË NË VATËR

June 7, 2019 by dgreca

Z. SIMON MIRAKAJ, VIZITË NË VATËR, NESËR NË PARADË/

Sot, e Premte -7 qershor, ishte për vizitë në Vatër, z. Simon Mirakaj, anëtar i Autoritetit Për Informimin e Dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit 1944-1991.

            Z. Mirakaj së bashku me një delegacion nga ky Institucion u ftuan nga Fondacioni për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit në Uashington dhe ishin pjesmarrës në një ceremoni përkujtimore me rastin e 30 vjetorit të masakrës në sheshin Tiananmen të Pekinit.

        Pas vizitës në Vatër, z. Mirakaj kaloi një drekë pune me kryetarine  Vatrës Dritan Mishto, shoqëruar edhe anëtari i kryesisë së Vatrës Zef Balaj, anëtari i këshillit të Vatrës Lek Mirakaj, vatrani Pashk Maksuti dhe editori i Diellit Dalip Greca.

         Gjatë qëndrimit në Nju Jork, delegacion i Autoritetit Për Informimin e Dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit, do t’u dorëzojë dosjet ish të dënuarëve politik në burgjet e Shqipërisë komuniste, të cilët kanë paraqitur kërkesat pranë institucionit. Nesër, e Shtunë 8 qershor, ata do të jenë pjesë e Paradës së organizuar nga Rrënjët Shqiptare dhe që i kushtohet Kujtesës së viktimave të Camërisë.

      Me këtë rast ftojmë vatranët të bëhen pjesë e Paradës. Merrni me vete dhe fëmijët dhe i vishni ata me veshje kombëtare. Mos harroni sa më shumë flamuj kombëtar, amerikan, por dhe të Kosovës.

Ora 10 e mëngjesit është momenti i duhur. Vendi: 6 Ave & 43 street.

Filed Under: Opinion Tagged With: NESËR NË PARADË/, Simon Mirakaj, vizite ne Vater

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 377
  • 378
  • 379
  • 380
  • 381
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT